• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gruaja fenomenale Maya Angelou

March 18, 2021 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Një personazh i shumanshëm si Maya Angelou: shkrimtare, poete, aktore, këngëtare, skenariste, balerinë, regjisore, predikuese, humoriste dhe aktiviste e mirënjohur e të drejtave civile. Jeta e saj konsiderohet një histori frymëzimi e mbushur me guxim, këmbëngulje dhe aftësi për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha.

Edhe pse kurrë nuk u diplomua në një universitet, ajo njihej me titullin ‘Dr. Maya Angelou’. Autobiografitë e autores pushtuan mbarë botën duke u kthyer në simbol përfaqësimi për komunitetin afro-amerikan. 

Stili autobiografik i Angelout theu skemat e kohës, u duartrokit, por pati dhe kundërshtarë, kryesisht në institucionet arsimore. Këtë material të ri didaktiko-mësimor, që derivonte prej saj, prindërit e konsideronin tabuthyes e provokues, meqenëse promovonte seksualitetin, marrëdhëniet jashtëmartesore e homoseksualitetin, cënonte vlerat tradicionale dhe përshkruante racizmin, abuzimin apo përdhunimin.

 Pavarësisht nga kjo, Angelou frymëzoi me aspiratën e saj për të bërë të njohura çështjet e racës, identitetit dhe të shkruarit e të lexuarit. Ky model arsimi që prek kultura të ndryshme, epoka të kaluara e popuj të tjerë na bën më empatikë dhe njerëzorë. 

Maya Angelou u dha hov programeve në kolegje dhe universitete. Një shembull është ai i universitetit ‘Winston Salem’, i cili krijoi ‘Institutin Maya Angelou për përmirësimin e edukimit të fëmijëve dhe familjes’. Misioni i tij ishte të krijonte iniciativa për t’u dhënë fëmijëve dhe familjeve mjetet e nevojshme për të lulëzuar në aspektin arsimor, shoqëror, fizik dhe psikologjik. 

Autorja lëvroi në poezitë dhe romanet e saj dallimin midis injorancës dhe analfabetizmit, njohurive të fituara përmes përvojës praktike dhe mungesës së barazisë në arsim. Për dekada me radhë, ajo inkurajoi breza të tërë studentësh që të bëheshin shkrimtarë, mendimtarë dhe qytetarë më të mirë. 

Përsa i përket përcaktimit të stilit të poetes Angelou, ai është i vështirë për t’u klasifikuar sepse krijuesja nuk iu përmbajt një të shkruari specifik, dhe as një skematike të caktuar rimash. Në shumë nga poezitë e saj vërehet një lloj dialekti i quajtur Black Secular, një formë e anglishtes së thjeshtuar, me metafora që lidhen me skllavërinë. Në poezinë e saj dallohet ndërveprimi verbal midis lexuesit dhe poetit. 

Edhe në prozë, edhe në vargje, stili i Angelout shfaqet i drejtpërdrejtë e bisedor, ajo nuk lëkundet të pasqyrojë as individualitetin, as papërkulshmërinë dhe as hidhërimin e saj. Madje e fton publikun të bëhet pjesë e historive a sekreteve të veta.

 Gjithsesi nuk duhet lënë pa përmendur dhe ndikimi i muzikës blues, zhanër që i ka rrënjët në jugun e thellë të Shteteve të Bashkuara, një nënrajon kulturor dhe gjeografik që veçonte për format e ashpra të skllavërisë dhe traditën muzikore afrikane. 

Në vitin 1972, M. Angelou shkroi skenarin e filmit ‘Georgia’, një prodhim dramatik suedezo-amerikan i vitit 1972, që drejtohej nga Stig Björkman. ‘Georgia’ mori pjesë në ‘Festivalin e 23-të ndërkombëtar të filmit’ në Berlin.

Gjatë gjithë karrierës së saj, M. Angelou ka marrë tituj honorifikë nga disa universitete të botës, një çmim Pulitzer dhe plot nderime të tjera. Megjithatë, kritikët e saj shpreheshin se ajo ishte e mbivlerësuar, pasi nuk gëzonte peshën e vërtetë akademike, se sa atë të artistes së famshme. 

Në vitin 1993, Maya Angelou triumfoi sërish, si e ftuar speciale në ceremoninë zyrtare të ish – presidentit Bill Clinton. Ajo interpretoi poezinë e saj ‘Në pulsin e mëngjesit’. Kjo poezi amplifikoi famën e poetes duke e shndërruar kështu Maya Angeloun, në gruan e parë dhe poeten e dytë në histori, (pas Robert Frost) që recitoi në një përurim presidencial. 

Vargjet e saj synonin vëmendjen e audiencës, përmes mesazhit se uniteti e përgjegjësia ndaj njerëzve dhe planetit janë veçori shumë të rëndësishme.

Angazhimi i saj në politikë vazhdoi me pjesëmarrjen në fushatën elektorale të vitit 2008, në favor të Hillary Clinton. Por kur Obama u zgjodh si presidenti i parë afro-amerikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Maya nuk ngurroi ta mbështeste me thënien: “Ne po rritemi përtej idiotizmave të racizmit dhe seksizmit”.

Poetja, romancierja dhe aktivistja amerikane Maya Angelou ka lënë gjurmë si një ndër figurat më të shquara femërore në letërsinë botërore. Ajo trajtoi tema të tilla si racizmi, tirania seksuale dhe ekonomia. Vepra që i dha famë ishte ‘Unë e di pse këndon zogu i kafazit’ (1969).

Si avokate e të drejtave civile, ajo bashkëpunoi me Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X. Angelou vlerësohej për oratorinë e saj dhe përpjekjet në mbrojtje të njerëzve dhe të kulturës së komunitetit të cilit i përkiste. Ajo shkroi haptas për veten, pa lënë mënjanë faktin që dikur kishte qenë punëtore seksi, në momente shumë të vështira të jetës. Angelou është shprehur lirshëm në lidhje me këtë temë, për t’u dhënë të kuptojë njerëzve se askush nuk është perfekt, ndaj duhet të falin veten dhe të vazhdojnë përpara me jetët  e tyre duke besuar fort, se mund të arrijnë atë çka duan.

Ajo i përshkroi përvojat e saj në autobiografinë ‘Mblidhuni së bashku në emrin tim’(1974), memuaristikë e vlerësuar nga kritika. Libri flet për adoleshenten Rita (emri i vërtetë i autores), paraqet kolapsin e një nëne të vetme në shkallët e varfërisë dhe të krimit. Titulli i librit është marrë nga ‘Bibla’ dhe rrëfen se si një femër afro-amerikane, mundi të mbijetonte në shoqërinë e mbizotëruar nga të bardhët, pas Luftës së Dytë Botërore në SH.B.A.

Angelou diskutoi me autoritet për shumë çështje si amësia, familja, racizmi, identiteti, arsimi etj., së bashku me aspekte të tjera të jetës, të cilat e bënë më eklektike, më të fuqishme, më interesante dhe influencuan transformimin e saj.

 Poezitë, librat dhe zëri i krijueses kanë ndikuar jetën e mendësinë e miliona njerëzve.  Maya Angelou mbetet një heroinë sa reale, aq dhe e paharrueshme, e cila deri në vdekje vigjiloi pareshtur për të drejtat civile të afrikano-amerikanëve, të grave dhe paqen në botë. Ajo qe një potencial i jashtëzakonshëm ku ndërthureshin eksperiencat e jetës, talenti, aftësitë, forca, grinta, mendimi kritik, kreativiteti dhe inteligjenca. 

 Nëse sipas semiotikës, kryqi përfaqëson krishtërimin apo Ylli i Davidit judaizmin, mund të themi me bindje se Maya Angelou përfaqëson Gruan Fenomenale. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gladiola Jorbus, Maya Angelou

Zotëria dhe shërbyesi

March 10, 2021 by dgreca

Nga Gladiola JORBUS/Dikush shërben, dikujt i shërbehet. Ab assuetis non fit passio. “Ajo që është e zakonshme bëhet si instiktive” – një nga parimet filozofike të Aristotelit. Kjo është motoja apo dualizmi i jetës?!

Përsëri të dy këta njerëz (Zotëria e Shërbyesi) mpleksen bashkë në të njëjtin dëshpërim; që të dy janë përfaqësues të gjinisë njerëzore. Secili e përfytyron jetën sipas mënyrës së vet. Të dy fantazojnë dhe presin, e ankthi  tejzgjatet në kohë.

Po koha?! Ah, ajo është aq abstrakte. Nocioni i saj tretet në hapësirë dhe pritja shndërrohet në përjetësi.Ai të cilit i shërbehet ka mijëra adhurues, ndonëse jeta e tij mund të përbëhet nga episode që kthehen në trajtë ciklike. Qenia njerëzore që shërben trondit, prek dhe shkakton dhembshuri, por nuk adhurohet kurrë.

Shërbëtori ngjall krupë dhe keqardhje njëkohësisht. Nga buka i takojnë vetëm thërrimet.Vallë, a ka shpresë për të ?!  Shpresa. Parodia therëse e jetës njerëzore. Njeriun e trembin njëlloj, suksesi dhe mossuksesi. Ai bie vetvetiu në grackën e dilemës. E më pas ngjizen me radhë: ambicia, paragjykimet, xhelozia, zilia, hipokrizia.  

Teatri absurd dhe pikërisht vepra e Samuel Beket “Duke pritur Godonë” na ofron një shembull tipik varësie nga sho-shoqi të marrëdhënies shërbëtor dhe i shërbyer (thënë ndryshe zotëria) Poco – Laki. Meqenëse nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin, ata shfaqen në aktin e parë të dramës, të lidhur me njëri-tjetrin me litar. Poco, zotëria, hap trastën dhe  ha mish pule, ndërkohë që kockat ua hedh “skllevërve”, që s’e kanë  për turp t’i lëpijnë. 

Në aktin e dytë, Poco e Laki hyjnë sërish në skenë, po tashmë, Poco është i verbuar, kurse Laki është bërë memec dhe në shpinë mban një çantë me rërë.

Pasi rrihen me njëri-  tjetrin, si për të parodizuar të ashtuquajturën “luftë e klasave”, zotëria  Poco dhe shërbëtori Laki largohen, të lidhur sërish me litar me njëri-  tjetrin. Dhe Hegeli, në librin e tij “Fenomenologjia e shpirtit” e trajton raportin zotëri –shërbëtor, ku sipas tij:

•zotëria e predominon shërbyesin dhe e konsideron mjet për të ndërvepruar;

•zotëria kufizohet me konsumimin e gjërave, pra me mohimin, duke arritur kështu një vetëndërgjegje të menjëhershme, pa njohur tjetrin dhe vetveten përmes tjetrit;

•përkundrazi, shërbyesi në punë fiton vetëdijen, superon fazën e ndërgjegjes natyrore dhe zgjeron horizontin e objektivitetit dhe lirisë.

Zotëria “përleshet për vdekje” me shërbyesin , do ta nënshtrojë atë,  e të sundojë krejt  botën, por ja ku vjen momenti final, e ai zbulon se ky qëllim do të mbetet  i papërmbushur dhe i paarritshëm.

Njeriu vjen për të ikur nga kjo botë, qoftë shërbëtor apo i shërbyer, si një anakolutë, në terrin llamburitës të ëndërr-zhgjëndrrës beketiane “Duke pritur Godonë”.

Shikoni, sa thjesht! Në se një këmbë ndihet e lodhur e vendosim të pushojë mbi tjetrën. A mund të vendoset dhe ky raport midis njerëzve, fare thjesht dhe pa shtresëzime sociale ndërmjet?! Pothuajse të gjitha besimet fetare mbështeten tek kompleksi i skllavërisë, po t’u referohemi urdhëresave të tyre: fal, mëshiro, përulu, kthe faqen tjetër.

“Liri, barazi, vëllazëri” ishte sllogani që frymëzoi Revolucionin francez  (1789 – 1799). Pra, në periudha të ndryshme historike, qenia njerëzore shfaqet e etur për barazi.

Po i referohem filozofit grek  Herakliti (540 – 480) para Krishtit, i cili iu drejtua nxënësve të tij, me këto fjalë:“Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve’’.

Ndryshimi shënon çdo veprim, nëpërmjet të cilit bëjmë diçka ndryshe nga ç’është, e bëhet deri më tani. Ndaj, shërbyesi s’duhet të mbetet i heshtur, i pafuqishëm, i atrofizuar, sepse në fund të fundit është instrumenti përmes të cilit funksionon dhe lëviz gjithçka.

Kushedi, me shumë guxim e pak fat mund të shndërrohej në apogje !

Filed Under: ESSE Tagged With: Gladiola Jorbus, Zoteria

Ferial Vasili, Mësuesja e letërsisë që ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell

March 10, 2021 by dgreca

Në foto Elida 18 vjeçare, kohë kur ishte gjimnaziste tek Sami Frashëri/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Mësuesja e letërsisë që ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell…

Këto rradhë që po i shkruaj sot, i kam përsëritur me zë e pa zë, vazhdimisht, sa herë që kam reflektuar rrjedhën e jetës time, i kam shqiptuar pa ndërprerë. Ajo ka qenë me mua gjithnjë pranë. Është njeriu që ka patur rolin më të rëndësishëm si mësuese e pedagoge, sepse më ka rizgjuar identitetin tim të groposur nga lufta e klasave, sikur thotë poeti Robert Frost “Unë nuk jam mësues por një zgjues”, zbulues, kur e bën çdo nxënës Kolomb të zbulojë Amerikën, pasionin e jetës.

Asnjëherë nuk ia kam shprehur mirënjohjen direkt sy më sy. Pastaj midis nesh nisi largësia, largimi ynë nga Shqipëria po aq i përmallshēm sa në baladat shqiptare. Ajo ndofta ka ndjerë trishtim, është zhgënjyer nga heshtja ime larg Alpesh, pas Alpesh. Dhe kjo më mbush me keqardhje, sepse është krejt ndryshe nga e vërteta. Unë e kam patur gjithnjë të gjallë këtë mirënjohje prej periudhës së viteve të gjelbër, kur isha vetëm një teen e deri kur fryma do të ngrihet lart si pupla e lehtë e një trishtili.

I kam folur për të Skënderit, sapo filluam historinë tonë të dashurisë, djemve, sepse im atë dhe mamaja ime e dinin se sa e rëndësishme ishte ajo për mua.

Edukimi nuk është mbushja e një thesi, thotë poeti William Butler Yates, por ndezja e një zjarri. E një zjarri apo pasioni, quaje si të duash, që ia dedikojmë jetën pa u lodhur kurrë.

Kjo ishte mësuesja e letërsisë e gjimnazit Sami Frashërit. Ferial Vasili. Ferial Vasili ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell, sepse më ka ndriçuar rrugën, më ka ngrohur në ditë shumë të trishta të një adoleshence gjithë privime e terror psikologjik, të një adoleshence të acartë, kur shoqet dhe shokët e klasës të largoheshin, isha bija e armikut të partisë, lufta e klasave e ushqente urrejtjen klasore që në bankat e shkollës, të damkoste, të tregonin me gisht, pa asnjë lloj pezmi apo dhimbshurie, ishte seleksionimi që impononte diktatura, që shoqëria e mikpriste. Seleksionimi ishte si numrat e hebrejve, si ylli i verdhë Davidit që mbanin hebrejtë gjatë Holokaustit.

Ferial Vasili, e dashuruar me letërsinë, me profesionin e mësimdhënies ishte mësuesja më strikte e Sami Frashërit, në kuptimin se nuk pranonte të ndikohej dhe nuk bënte lëshime sa i përket vlerësimit të nxënësve.

Feriali Vasili ishte etaloni i meritokracisë të cilin e edukonte si vlerë. Tek Sami Frashëri sa vinte nje brez i ri gjimnazistash mësonte prej brezave pararendës se me Ferial Vasilin nuk mjaftonte të mësoje si peshkop, por duhej ta doje letërsinë me pasion, ta doje pa servilizëm apo hipokrizi, sepse Ferial Vasili i shquante menjëherë.

Për Ferial Vasilin, dhjeta në letërsi duhej merituar. Nuk mjaftoje të përsërisje tekstet rrjedhshēm, të mësoje përmendsh Elegjinë e Luigj Gurakuqit apo Fjalët e qiririt, sepse Ferial Vasili i dallonte ata që përsërisnin si papagaj nga ata që i qanin me lot vargjet e Fan Nolit apo të Naim Frashërit. Shkurt, të duhej dashuria për t’u lidhur me letërsinë në mënyrë shpirtërore, duhej të bije në dashuri me lëndën që ajo e bënte aq shumë për ta dashur. Nëse zgjidhej ky ekuacion ezoterik, atëhere po, e meritoje dhjetën. Po të ishe e talentuar, kjo ishte një plus, por të talentuarit janë të rrallë. Nuk janë shumësi kolektive asnjëherë.

Tek Sami Frashëri, gjimnazi nga kanë dalë 80 % e klasës politike në Shqipëri, nga kanë dalë shkencëtarë të sukseshëm sot nëpër botë, nxënësit e donin dhjetën me çdo kusht, në kuptimin se studionin, se ishin më të mirët në rang me gjimnazet e kryeqytetit dhe në dëftesat e tyre dhjetat rreshtoheshin me plotfuqishmëri, por me Ferial Vasilin nuk bëhej shaka. Ajo ishte si balanca e drejtësisë, si Perëndesha Romake Justitia.

Klasës tonë filloi t’i jepte mësim në vitin e tretë të gjimnazit. Përkonte me kohën kur ndaj tim eti regjimi diktatorial kishte ndërmarrë një fushatë persekutimesh të egra, e kishin hequr nga partia, e kishin pushuar nga puna, ia kishin hequr të drejtën e botimit, librat ia kishin bërë karton, dhe pasi i kishim shpëtuar internimit për një qime në një fshat gjeografikisht të Tiranës, i cili ishte tmerrësisht i izoluar mes malesh, afër Malit me Gropa dhe pasi e kishin lënë pa punë, më në fund e kishin dërguar të punonte si punëtor krahu në repartin e plehrave të Kombinatin Poligrafik. Mendoni, të gjitha këto të zeza që hiqte im atë kishin pasoja direkte tek unë. Shoqet e ngushta më kishin braktisur, nuk më ftonin as nëpër ditëlindje, kur kishim aktivitete shkollore më linin vetëm, ndodhte rëndom që shokë nga klasa kishin arritur deri aty sa të më thoshin se mësoja kot, pasi nuk do të më dilte e drejta e studimit, sikur edhe u vërtetua posa mbaruam maturën. Për të shmangur sjelljen e pështirë të shoqeve, detyrohesha të ndryshoja rrugën vajtje ardhje nga shkolla, i bija sa më gjatë, edhe kur shkoja, edhe kur kthehesha, isha vetëm. Shoqet e mia janë të gjitha dhe asnjëra prej tyre nuk mund të më pohojë të kundërtën. Kur Ismail Kadare botoi tek revista Nëntori novelën Nata me Hënë, u identifikova me heroinen e novelës, aq shumë ndeshesha me cinizmin e shoqërisë shqiptare.

Dikush do të thotë se ashtu ishte koha. Po, është e vërtetë. Prandaj në atë kohë tmerri shquhen njerëzit me zemër të madhe. Ishin të rrallë. Ishin konstelacione të rralla si kometa por ishin. Mësuesja e letërsisë Ferial Vasili e afroi të bijën e një poeti të censuruar, të ndaluar të përmendej në librat dhe orët e letërsisë, të një poeti të mallkuar nga regjimi. Mendoni, në mes të atij oqeani cinizmi obskurantist, për mua kishte një liman shprese. Në atë ferr shëmtie për mua kishte edhe dritë parajse, në orën e saj të letërsisë.

Unë mezi prisja që të kishim letërsi, megjithëse isha shkëlqyshëm në gati të gjitha lëndët e gjimnazit, por në orën e letërsisë, unë fitoja dinjitetin e humbur nga ajo që më ngjante në shkollë, sepse kishte edhe plot mësuese konformiste me sistemin, që mendonin ashtu si mendonte partia. Por kishte edhe mësues me dinjitet që i devijonin rregullave të hekurta të diktaturës dhe i respektonin adoleshentët gjimnazistë me prejardhje nga familje të persekutuara.

Kur filloi të na jepte mësim, në vitin e tretë të gjimnazit, ne si klasë ishim të gjithë të ndrojtur në fillim, sepse ishte mësuesja më me autoritet e shkollës. Ndërkohë, më kujtohet si tani, kur bëmë hartimin e parë. Tema ishte për dëshmorët e luftës. Unë shkrova një poemth për Qemal Stafën. Erdhi edhe dita kur kishim orën e korigjim-hartimit. Ishin dy orë të plota. Feriali i kalonte hartimet tona me rradhë, bënte vërejtje, komentonim dhe kështu emër për emër. Hartimi im nuk po dilte gjëkundi.

Gjithë klasa kishte përfunduar pothuaj. Unë në regjistër isha nga fillimi se emri më niste me gërmën „E“. Fillova të shqetësohem. Por nuk kaloi pak ajo më solli fletoren në bankën time dhe më tha: „Lexoje Elida“! Unë kisha shtangur, më kishte mbetur fryma! Ferial Vasili hartimin tim e konsideronte më të bukurin dhe më thosh që t’ia lexoja klasës me zë të lartë. Dhe ashtu bëra, nisa ta deklamoj me gjithë shpirt, sepse deklamoja shumë bukur. Atë ditë unë rilinda edhe për të gjithë kohën që do të vinte pastaj!

Prej asaj dite, midis Ferial Vasilit dhe meje u krijua një lidhje shumë e bukur, e sinqertë, njerëzore, unike. Asnjë nga shoqet e klasës, sado mirë që prindërit e tyre i kishin marrëdhëniet me partinë e punës, nuk e kishte atë lidhje speciale si kjo jona. Ferial Vasili e kishte rizbuluar tek unë rishtas vokacionin tim për të shkruar, të cilin unë e kisha shfaqur më herët dhe që ma kishte varrosur të gjallë diktatura.

Prej asaj dite, që kur deklamova hartimin tim kushtuar Qemal Stafës, heroit të adoleshencës time, unë e rizbulova letërsinë si dritare edhe për të parë botën, edhe si një lloj sfide. Ndërsa Ferial Vasili ishte gjëja më e bukur që kam patur gjatë gjimnazit, periudhë gjithë lot e vuajtje. Ajo më mikpriste edhe në shtëpinë e saj dhe aty më tregonte librat e babit, të cilat ishin hequr nga qarkullimi. Ajo më besonte mua aq shumë, ndërsa unë e shihja si perëndi.

Raporti me mësuesen time të letërsisë ishte i tillë, nga ata që nuk ka rëndësi nëse shihesh apo nuk shihesh, sepse ishte një lidhje nga ato që zgjasin gjithmonë. Pasi mbarova gjimnazin, nuk më doli e drejta e studimit, pa marrë parasysh rezultatet e larta dhe vokacionin tim për letërsi e gjuhë të huaja.

Komiteti ekzekutiv më dërgoi të punoja në fabrikën e pllakave në Kombinatin Josif Pashko, në repartin më të vështirë, atje ku punonin ata që i kishte dënuar partia e punës. Tek Josif Pashko punoja me dy turne, kur dilja në mëngjes ende pa zbardhur dita, në ditët e ftohta të dimrit qaja rrugës, kur nuk më shihte njeri. Pastaj fillova punë tek varrezat e Sharrës, vajzē e re 20 vjeçare.

Në një paradite pranvere, si kjo e sotmja takoj Ferial Vasilin. Më kujtohet si sot, afër kinema Partizanit. U takuam me mall si nëna me bijën. Më pyeti si i kisha punët. I tregova fill e për pe. I tregoja gjithçka, nuk i fshihja asgjë. I thashë se ku punoja dhe se si ishte gjendja. Më pyeti nëse im atë kishte njohje me Rozeta Uçin, gruan e Prof.Alfred Uçit dhe kur i thashë po, më tregoi se ishte një vend pune bosh, dhe Rozeta mund të më ndihmonte. Ishte fjala për arkivin e Istitutit të Kulturës Popullore. Unë i ndoqa fije për pe këshillat e saj. Im atë shkoi tek Rozeta Uçi me të cilën kishte miqësi dhe magjia ndodhi. Nisa të punoj në Institutin e Kulturës Popullore, ku filloi edhe njohja ime e thellë me fondin e baladave dhe mahnitja prej Ciklit të Kreshnikëve. Prej aty m’u krijua mundësia të ndiqja Universitetin për Gjuhë-Letërsi dhe jeta të merrte rrjedhën që mori, ndërkohë që Muri Berlinit ishte përmbysur dhe kishin lindur shpresa për të gjithë të pashpresët.

Ferial Vasili ishte fataliteti mrekulli e adoleshencës sime plot vuajtje e lot, që vazhdon e më ndjek kudo, në profesionin tim si gazetare, në krijimtarinë time, në jetën time si bijë, grua e nënë. Ajo është me mua përherë. Mësuesja e letërsisë në gjimnazin Sami Frashëri! Ajo ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell!Pastaj jeta i ndau shqiptarët nëpër të katër anët e botës. U rishfaqën të shpalosura në mijra e mijra forma baladat shqiptare të jetuara në epokën moderne. Ajo ndofta ka menduar me keqardhje se unë mund ta kem harruar, por unë e mbaj përherë në zemrën time. Aty ku ndodhet vendi i posaçëm ku ruhen thesarët. Aty e ruaj kujtimin për Mësuesen time të letërsisë. Në gjimnazin Sami Frashëri./ 2013-2021

Fjalë kyçe:cElida Buçpapaj, Ferial Vasili, Gjimnazi Sami Frashëri, mësuesja e letërsisë

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Ferial Vasili, Mesuesja e Letersise

Profesor Ahmet Gashi dhe ne nxënësit e tij

March 10, 2021 by dgreca

Nga Albana Lifschin/

Rastësisht më ra në dorë një material i shkruar për Profesor Ahmet Gashin, ku ndër të tjera përmendej fakti që ai pat dhënë mësim në një shkollë 7-vjeçare të Tiranës, por nuk jepte emrin e saj.

Ajo ishte shkolla jonë “Lidhja e Prizrenit”, ndërtuar në kryqëzimin e rrugës Fortuzi me rrugen e Barrikadave, pranë Teqes së Dervish Hatixhesë.

Kemi qënë nxënës në shkollën “Lidhja e Prizrenit pa e ditur se kemi patur fatin që profesori ynë i Gjeografisë, ai burrë i thyer në moshë, ishte një personalitet historik. Por atë kohë, ne 11 apo 12 vjeçarët natyrisht nuk e dinim se kush ishte profesori ynë. Nuk i dinim vlerat e tij as si patriot, e as si dijetar. Ashtu sikurse nuk e dinim as domethënien e emrit të shkollës sonë “Lidhja e Prizrenit”. Madje e shqiptonim “Lidhja e Prizerenit” e nuk na korrigjonte kush. Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë bisedë me ne për të na spjeguar thjesht se ç’ishte “Lidhja e Prizrenit”. Ç’përfaqësonte ajo. Ishim ende të vegjël? Ndoshta po. Ndoshta jo. Pikërisht në atë moshë mbaj mend që na janë dhanë detyra shtëpie me rastin e ditëlindjes së V. I. Leninit. Unë që nga ajo kohë e mbaj mend 22 Prillin. Por 10 Qershorin (1878) ditën e lindjes së Lidhjes së Prizrenit e kam mësuar shumë vite më vonë.

Përshtypja e parë qe se mësuesi ynë i Gjeografisë, ndryshe nga mësuesit e tjerë ishte i vjetër në moshë. Duhej t’i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Kishim vënë re respektin me të cilin silleshin ndaj tij drejtoresha e shkollës, një grua e shkurtër topolake që quhej Bedrie dhe nëndrejtoresha e shkollës, Elpiniqi. Ne besonim se respektin e diktonte mosha e tij. Nuk dinim më përtej, sepse askush nuk na mblodhi të na thotë se kush ishte profesori ynë i Gjeografisë Ahmet Gashi që e meritonte respektin jo vetëm për moshën për për kontributin e tij patriotik. Nuk do ta kuptonim ndoshta me fjalë të mëdha veprën e tij, por sëpaku gjëra të konceptueshme për moshën tonë, si p.sh. profesori ynë ishte autori i hartës autentike të atdheut. Ajo ku atdheu ynë kishte qenë më i madh, se ç’dukej në hartën që kishim parë ne.

Ne të vegjëlit nuk i dinim vlerat e profesorit tonë, por e respektonim duke ndjekur shëmbullin e mesuesve. Më kujtohet që meqënëse kishim një rrugë të përbashkët, kur dilnim nga shkolla ndonjëherë e shoqëroja deri pranë shtëpisë. Ecja e heshtur gjithë rrugës në krah të atij zotërie të vjetër. I përgjigjesha me droje ndonjë pyetje të shkurtër që bënte. Tërë jetën time kam pasur respekte njëkohësisht droje për profesorët e mi. Unë ndalesha tek pallati ku banoja, dhe ai vazhdonte më poshtë në rrugën Fortuzi. Profesori ishte edhe më i madh se gjyshja ime në moshë. Po gjyshja ime nuk punonte. Ai, pse punonte vallë? Nuk mbaj mend kë kam pyetur. Por mbaj mend përgjigjen. Profesori ynë “duhet të punonte, sepse kishte fëmijë për të rritur”. Nëse do të dija më shumë, ndoshta do të pyesja veten se pse ky zotëri patriot me kaq vlera, harxhonte energjitë e moshës së thyer për të na dhënë mësim neve, e nuk jepte mençurinë e përvojën e tij si këshilltar pranë qeverisë?

Dhe ne ishim fëmijë, ishim çamarrokë, ngrinim zërat e bënim pluhur në oborrin e shkollës. Ne vajzat luanim shumë me litar, djemtë kishin lojërat e tyre, por oborri mbushej nga zërat tanë. Edhe në klasë në pushimet e vogla, zhurmat hapeshin si me rubinet sapo binte zilja e mbarimit të orës së mësimit. Merrte një farë kohë edhe pas hyrjes në klasë të binte qetësia. Më kujtohet një rast kur profesor Gashi tek ulej në katedër na tha: “Para se hyni në klasë mbylleni torbën e fjalëve, ia shtrëngoni grykën fort,e vareni në oborr. Mos e merrni me vete në klasë. Kur dilni prapë në pushim, atëhere hapeni sa të doni”.

Pas spjegimit të mësimit të Gjeografisë para një harte që varej mbi tabelën e zezë, shpesh na jepte detyra. Më ka mbetur në mëndje që detyrat nuk ishin asnjëherë strikte nga libri. Në një kapitull për klimën, duke folur për ndryshimet e motit, na shpjegoi se si njerëzit i kanë njohur shenjat e ndërrimit të motit nga përvoja e jetës. P.sh. kur moti do të ndërrohej, nga diell në shi, njerëzit kanë vënë re se kripa fillon e bëhet si e lagësht, ose zogjtë fluturojnë ulët, etj, etj. Dhe një ditë duke na dhënë detyra për të përshkruar fenomenet e motit, duke u nisur nga përvoja jetësore e njerëzve, na tha: “Mos m’i bani të tana ‘qofte’!

Ne heshtëm pa kuptuar asgjë. Ai vuri buzën në gaz dhe shpjegoi.

-Due me thane që nëse një fjali do ta filloni me “Në qoftëse …” Fjalinë tjetër mos e filloni përsëri me “Nëqoftëse”, por … “Po qe se…”, ose “Në se…”

Profesor Gashi nuk na mësonte vetëm Gjeografinë, por edhe të folurën e bukur shqipe. Askush nuk na tregoi se ai në rininë e vet qe përpjekur shumë për gjuhën shqipe, për hapjen e mësimit shqip e shkollave shqipe. Askush s’na tha se ai qe gjeografi më i mire që mund të bëhej, dhe as që ai qe mësuesi më i mirë i historisë që mund të kishim për fat, sepse vetë profesori qe pjesë e saj, e përpjekjeve për liri dhe pavarësi nga Turqia, se kishte qenë bashkëluftëtar me trimin hero Hasan Prishtinën…

Atë kohë ne dinim fare pak për profesorin tonë të Gjeografisë. Por edhe aq sa dinim, ai la mbresa të pashlyeshme tek ne. Gjeneratat e reja do të mësonin më shumë. Të tjerë nxënës në kryeqytet, dekada më pas do kishin nderin të ishin nxënës të një shkolle që do të mbante emrin e tij.

©Albana Lifschin

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Gashi, Albana Lifschin

Në nderim të pedagogut shkodran Lec Zadeja

March 7, 2021 by dgreca

Një jetë kushtue arsimit e edukimit të brezave/

Nga Pjeter Logoreci/

Për çdo shkodranë, sidomos moshat e mesme e shkue, figura karizmatike e mesuesit Lec Zadeja asht e njohtun, jo vetëm nga paraqitja e tij, por shumë kush mund t’a ketë takue atë në ndonji orë mësimi zyrtar apo privat, në ndonji sallë konference shkencore, aktivitet kulturor, historik apo sportiv.  Në shoqninë e ambientet shumë kulturore të qytetit, por edhe në fshat, Lec Zadeja ishte kudo prezent e aktiv edhe mbas pensionimit. 

Personalisht, mësues Lecin, e njoha në rrethet shoqnore ku mblidhej ajka e intelektualëve të qytetit të Shkodres, ku edhe ai bante pjesë. Në këtë shkrim për figuren e tij, dishroj me i sjellë brezave të ri, ato çka ndiva e çka msova prej tij e miqve të tij intelektual.

Lec Zadeja, i biri i Luigjit e nanë Shaqes, kje lindë në Shkodër me 6 qeshor 1927. I ati ishte me zejë marangoz, ndërsa e ama Shaqja, grue shpijake. Ishin nji familje e thjeshtë qytetare ku njihej humori, mbasi Luigji ishte figurë e dashtun si gaztor e per bejta, por edhe si personazh i përhershëm ndër karnavalet e qytetit. Luigj nuk e pat jeten e gjatë dhe vdiq nga tuberkulozi kur Leci, 14 vjeçar, pat ma nevojë se kurrë për baben e vet. Mbas dekës së babës, për Lecin u kujdes daja i tij, Pjetri. 

Qysh i vogël, Leci u dergue në nji foshnjore afër shpisë, që njihej me emnin e msueses, si “Shkolla e Lenës”, e prej aty në Kuvendin e Motrave Servite. Mësimet e fillores i mori në “Shkollen e Dugajve të reja” deri sa ju gjet vend në Shkollen Fillore Françeskane. Ndër françeskanë vazhdoj edhe Gymnazin “Illiricum” e ishte pjestar i grupit koral Scola Cantorum që drejtonte At Martin Gjoka. Kur kjo shkollë kje mbyll prej komunistëve, për të krye maturen ju desht me hy në Liceun e Shtetit ku u diplomue në nandor 1947.

Për nevoja të ekonomisë familjare, Leci filloj të punojë (nënpunës) daktilografist për Shpinë e Kulturës në  Shkoder e,  mbas, në Fabriken e Çimentos, deri sa u punësue aty ku ishte deshira e tij, në Seksionin e Arsimit si mësimdhanës e edukator në kurset e sapo hapuna për pedagogjinë. Me mbarimin e Kurseve Pedagogjike, vazhdoj me dhanë  mesim në shkollen 24 Maji e atë të mbramjes. 

Nga përvoja e krijueme e dhuntia pedagogjike, u caktue drejtor i shkolles 7 vjeçare të Oblikës, ku punoj me përkushtim deri sa u thirr ushtar. Mbas shërbimit ushtarak në Tiranë, arriti të plotësojë ambicjen e tij, të marrë diplomen për Gjuhë e Letersi në Institutin Pedagogjik Aleksandër Xhuvani në kryeqytet. 

I paisun me virtyte të nalta, talent, disiplinë e dëshirë për punë, drejtoj me aftësi shkollen e Gruemirës, të Mjedës e dha eksperiencen e tij si mësues në shkollen e Gurit të Zi, në Seksionin e Arsimit të Rrethit  Shkoder si inspektor, por  edhe në Institutit e lartë Pedagogjik si shef i administratës.  Ndër kohë plotësoj studimet e larta për Gjuhë / Letersi në ILP e dha mësim në shkolla të ndryshme në qytet; Shkollën Pyjore, Mjeksore…deri sa duel në pension pas 35 vjet pune në arsim. Por edhe pse në pension Leci ishte pedagogu i parë që dha landen e Latinishtes në Universitetin e Shkodres. 

Lec Zadeja ishte një burrë shumë i dashtun dhe i respektuem në Shkodër. Studentët, xansit, kolegët e shkodranët ishin familja e tij. Ishte burrë i dijtun dhe gjithmonë i gatshëm me ndihue kedo që i drejtohej për ndihmë. Ishte atdhetar i flakët e luftonte me të gjithë qenien e tij për t’ju ba të dijtun rinisë (xansave) trashigiminë kulturore, gojore apo monumentale që Shkodra e Shqipnia ka. 

Jetonte i vetëm me nanen në nji shpi të thjeshtë përdhese, por karakteristike shkodrane, me oborr, pus, lule borë e lule vile, me derë të vogël e karakteristike oborrit, që tregonte për vjetërsinë e saj. Oborri kishte lulishtë e shteg kalldrëmi që të qonte në hymje të shpisë, ndërsa ambientet e mbrendëshme ishin një muze i vertetë etnografik. Leci kujdesej për çdo detaj, e sidomos ndër festa, kush i shkonte mik, përjetonte nji ceremoni pritje, që veç ndër shkodranë me traditë qytetare mund ta gjeje. 

Unë i shkojshe çdo vjet, diten e Shën Kollit, që ishte dita e tij e emnit, e Leci, perveç se me raki e kafe, më nderonte me reçel shpije që e punonte vetë. Ishte veçanërisht krenar që pat kushri i Dom Ndre Zadejën, poetin e amelcisë, për jeten e të cilin, kishte mbledh material e informacione që arriti ti botojë në dy vëllime në vjetin 1995/96, tuj ja shtue kto vepra kulturës shqiptare. Leci filloj të shkruente qysh vitet 1943/ 1944 nën pseudonimin  LEJA. Ishte korespondent i disa gazetave si: Sporti, Mësuesi, Puna, Bashkimi, Jeta e re, Illiricum, ku botonte shkrime e dhjetra artikuj mbi jeten sociale, kulturore e arsimore të qytetit, muzetë, traditat, spartakiadat, përvjetore të ndryshem personazhesh apo klubesh e institucionesh, por edhe mbi luften kundër analfabetizmit. 

Ishte bashkëpunëtor i Revistave: Kumbona e së Dieles, Fjala e Paqës, Rreze Drite, Vegim Drite, Phonix, Buletini Katolik Shqiptar (që botohej në San Françisko), por edhe i Radio Tiranës, Radio Shkodres e Radio Marisë. Në aktivitetin e tij si gazetar, ai botoj si mbrenda por edhe jashtë vendit shumë skica, reportazhe, portrete apo materiale shkencorë. Në periudha të vështira ekonomike, Leci ishte i detyruem që punimet e tija ti lidhë ndër vëllime (dispencë), tuj pritë mundësinë ekonomike me i botue. Janë të njohtuna punimet e tij (të mbetuna në dispencë): 

Zhvillimi i arsimit parashkollor 1945/74.

Zhvillimi i arsimit pa shkëputje nga puna gjatë viteve 1945/55.

Mësuesi edukator dhe veprimtar shoqnor  gjatë viteve 1945/74.

Studimet mbi Drejtimet kryesore të arsimit parashkollor 1945/60.

Librin “Luigj Zadeja, bejtaxhi shkodran.

Librin “Karnavalet e Shkodres nga viti 1860 / 2005.

Lec Zadeja dha ndihmesë të madhe në hartimin e Historikut të Arsimit që pregaditi Instituti i Studimeve Pedagogjike. Me hapjen e institucioneve fetare ai ndihmoj fuqishëm në daljen e  shtypit periodik katolik dhe ishte pjestar i Komisionit të pregaditjes së librit “Martirizimi i Kishës katolike nga vitet 1944 / 90”. Gjithashtu, Leci ishte anëtar i Komisionit që pregaditi ardhjen e Papës Gjon Pali II, e së fundit, kje ngarkue nga Arqipeshkvija e Shkodres me detyren (deri 2006) e Kronistit të Kishës Katedrale.

U nderue me urdhëna e Dekorata.

  • Medalje pune me 10.2.1960
  • Medalje pune me 1.3.1961
  • Titullin (distinktivin) I dalluar për punët kulturale, marrë me 25.5.1962
  • Urdhërin Naim Frashëri KL III marrë me 24.2.1967
  • Urdherin Naim Frashëri KL II marrë me 23.3.1977
  • Titullin Mësues i Merituar marrë me 15.7.1995
  • Quhej nga qytetarët e Shkodres “Bibloteka që ecë”

Me rastin e 70 vjetorit të Lecit (6.6.1997), në shej respekti, kolegët e Universitetit, organizuen festimin e përvjetorit, ndërsa rapsodi Dedë Shyti i kushtoj atij nji kangë ku ndigjoheshin vargjet: Mos u ndal por me guxim / vazhdo si axha yt trim/ prej shokve t’ tu t’madhin urim /Lec Zadeja u bash 100…

Lec Zadeja vdiq me 14.12.2011, në moshen 82 vjeçare tuj lanë kujtime të mira e respekt ndër të gjithë ato që e njohën. 

P.S.: ky shkrim përmban kujtime përsonale dhe disa referenca nga libri “Lec Zadeja” i autorit Ludovik Shllaku.

Filed Under: ESSE Tagged With: Let Zadej, Pjeter Logoreci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 212
  • 213
  • 214
  • 215
  • 216
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT