• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Palath, pelazg, e bardhë

December 22, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

NGA ASTRIT LULUSHI/

Për origjinën, kur shkenca ngec, bibla merret si pikë fillimi, dhe pastaj historia bëhet e ngatërruar. Konflikti i Adamit dhe Evës me Satanin është një vepër e krishterë e shekullit të 6-të, e përkthyer nga një origjinal arabisht. Nuk bën pjesë në kanunin e ndonjë kishe. Libri, së pari u përkthye në gjermanisht nga ku u përkthye në anglisht, dhe fillon menjëherë pas dëbimit nga Kopshti i Edenit dhe përfundon me testamentin e përkthimin e Enokut. Theks i madh është vendosur mbi hidhërimin dhe pafuqinë e Adamit në botën jashtë kopshtit, ku Gjarpri i ndëshkuar përpiqet të vrasë Adamin dhe Evën, por parandalohet nga Zoti, i cili përsëri e ndëshkon Gjarprin duke e bërë atë memec. Satani gjithashtu përpiqet të mashtrojë dhe të vrasë Adamin dhe Evën disa herë. Por Zoti i shpëton dhe e krahason këtë ngjarje me Ringjalljen e ardhshme të Krishtit. Kaini vrasësi i parë, përshkruhet si tepër ‘i keq’. Pasardhësit e tij bëhen Nefilimë – (të parët), “njerëzit e fuqishëm” të Zanafillës.
Zoti parashikon edhe disa ngjarje të tjera biblike në të ardhmen, përfshirë Noen dhe përmbytjen e madhe. Pasardhësit e Noas themeluan nga një komb, dhe secili komb formoi gjuhën e vet. Konfuzioni ndodhi në kohën e Pelegut, birit të Eberit, që ishte biri i Semit, birit të Noes. Pelegu ishte i pari i Pellazgëve, i cili fillimisht u vendos poshtë malit Ararat, vend pushimi mitik i Arkës së Noes, siç përmendet në Librin e Zanafillës.
Është pranuar se Pellazgët ishin paraardhësit e lashtë të fiseve proto greke. Herodoti dhe autorë të tjerë antikë tregojnë që Pellazgët erdhën përpara se Grekët të vendoseshin në Greqi, Azinë e Vogël dhe në shumë pjesë të Italisë. Me emrin e Pellazgëve në kohërat antike u quajt Gadishulli i Peloponezit, dhe ndoshta kulti i perëndeshës Athena-Pallada, nga vjen fjala “Palladium”, imazhi prej druri i një perëndeshë. Qyteti që zotëronte palladiumin konsiderohej të ishte nën kujdesin e perëndeshës. Rreth palladiumit, që ruhej në Trojë, ekzistonte një legjendë që ai ra nga qielli. Pasardhësit e Eneas e sollën atë në Romë dhe që atëherë palladiumi u mbajt në tempull. Hesiodi thotë se Enea ishte një paraardhës i Adriatikut Veneti (Heneti) në Etruria. ‘Pelasg’ vepron si përfaqësues i popullsisë autoktone të Italisë. Është e mundur që një pjesë e Pellazgëve, gjatë zhvendosjes, të kenë shkuar fillimisht në Arkadia dhe prej andej në Itali. Kjo u dha shkas autorëve të mëvonshëm t’i thërrisnin me një emër të ri Pellazgët italianë – Arkadët. Është gjithashtu domethënës, për shembull, që emrat e popujve baltikë të Letonisë, Lituanisë dhe popullit të Italisë – Latinët kanë të njëjtën rrënjë – Lat, duke ruajtur lidhjen me emrin antik të Pellazgëve (Palathi)
Etimologjia e emrit “Pellazg” është e ngjashme me shqipen e “bardhë”, me të njëjtin përkthim ruajtur në kuptimin origjinal në gjuhët latine dhe balto-sllave. Krahaso baltas (lituanisht) – beliy (rusisht) – do të thotë ‘e bardhë’, balts (letonisht) – do të thotë ‘e bardhë’, blanc, alba (latinisht) – do të thotë ‘e bardhë’.
E njëjta origjinë, që do të thotë ‘e bardhë’ është termi ‘Baltika (Baltik)’ – përmes formës më të lashtë ‘Plada’, që rrjedh nga etnonimi – Palathi (Pellazgë). Gjithashtu në kufirin me Lituaninë dhe Letoninë janë edhe Bjellorusët, në etnogjenezën e të cilëve morën pjesë edhe fiset Balltike. Nuk është rastësi që një nga emrat historikë të Bjellorusëve ishte Baltorusët, që do të thotë ‘rusë të bardhë’. Pasardhësit e Pellazgëve ose të lidhur me Pellazgët, mund të jenë shfaqur në Shtetet Balltike në 1300 – 1200 para erës sonë, pasi morën pjesë në Luftën e Trojës. Pellazgët luftuan në anën e Trojanëve dhe pas disfatës, një pjesë e tyre, si Lelegët, Brezhanët, Dardanët, Veneti, etj., të kryesuar nga Enea migruan nga Troja në Itali, duke sjellë këtu emrin e etruskëve (Etruria).

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, e bardhë, Palath, pelazg

Emri i Vjosa Osmanit rimon me liri, shpresë, shtet të së drejtës në Kosovë, Shqipëri & Ballkan

December 20, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Vizita triditore e Vjosa Osmanit në Tiranë shkaktoi tronditje.

E tronditi nga themelet Tiranën e tiranozaurit!

Solli një klimë tjetër, doli jashtë habitatit të kënetës, ujit të ndenjur .

Vjosa Osmani foli me një zë tjetër, larg zhargonit hipokrit të politikanëve shqiptarë, që tjetër thonë e tjetër bëjnë!

U shpreh shqip, pa nënkuptime,duke i turbulluar tryezat e bandave të opinionistëve që përsërisin me mendje “Big Brother is watching us” –

prandaj “gomari fluturon”, “liria është skllavëri”, “injoranca është forcë”, tekstualisht si tek Viti 1984 i George Orwell-it.

Vjosa Osmani solli në mes të Tiranës dhe në mes të Kuvendit të Shqipërisë vizionin jo futurist por të së ardhmes;se e ardhmja e politikës duhet të jetë patjetër e pastër, me integritet, që të ketë të ardhme!

Prania e Vjosa Osmanit në Tiranë e theu klishenë e takimeve të klasës të politikanëve zgjyrë që ua kanë shkatërruar jetën shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë.

Ishte krejt ndryshe vizita e saj nga takimet e Edi Ramës me Hashim Thaçin, me këshilltarin e përbashkët Baton Haxhiu, lidhje morboze homologësh, që sillnin jehonën e bashkim-vëllazërimit, duke i hequr Kosovës copa e duke e kthyer rajonin e Ballkanin nën rrezik të një lufte të re!

Vjosa Osmani foli 14 minuta, të sinqerta, me zemër në dorë dhe i tha të tëra, foli për dramat ndërshqiptare, për luftën e Kosovës me 13 mijë viktima të pafajshme, shumica të shtresës vulnerabël, civilë, fëmijë, gra e pleq, 1600 viktima ende të pagjetur, foli për Nënat Kosovare që kanë 22 vjet që presin, pastaj kërkoi rezolutë të përbashkët për genocidin serb, pastaj foli për “traun” midis Shqiptarëve.

Lufta e 1998-1999 e shembi “Murin e Berlinit” ndërshqiptar, ndërsa Edi Rama ngriti traun!

Edi Rama e ka personalizuar veten me traun!

Thuaj Edi Rama nënkupto tra, thua tra nënkupto Edi Rama!

A nuk është hipokrit Edi Rama si gjithë kasta e vjetër, halldupë xhepafryrë nga vjedhjet dhe poshtërsitë ndaj popullit?!

Këtej krijon barrierë të ekonomisë së tregut të lirë me tra ndërshqiptar, këtej i bën jehonë MiniShengenit!

Këtej nga ana e Shqipërisë Edi Rama ngre tra për Kosovën, ndërsa ana tjetër ia hap dyert Serbisë me Minishngen sipas shpikjes së Aleksandër Vuçiç!

Por Vjosa Osmani i tha se kështu nuk shkon!

Ballkani do paqe, por paqen nuk e vendosin dot liderë të komprometuar dhe të konsumuar që shesin edhe paqen, edhe Atdheun për interesa vetjake!

Paqen e vendosin liderët si formati i Vjosa Osmanit, që kërkojnë barazi dhe reciprocitet për të gjithë banorët e Ballkanit, duke ua hequr shqiptarëve vulën si qytetarë të dorës të dytë, të cilëve një kryeministër faqezi u vendos edhe tra dhe i ndan në mes!

Vjosa Osmani e tronditi Tiranën pa shtet të së drejtës, pa shtyp të lirë, Vjosa Osmani e tronditi të shkuarën dhe të tashmen pa të ardhme të kastës politike shqiptare.

Prandaj Vjosa Osmani ka fytyrën e së ardhmes, së cilës populli i Kosovës ia beson votën dhe ajo ia mban popullit të Kosovës premtimet –Vjosa Osmani nuk i ka shitur kurrë premtimet që i ka dhënë sovranit me një post ambasadoreje në New York apo Romë; apo me një post ministror në Prishtinë –

Vjosa Osmani është kjo që shihni, ajo është ato që thotë, ato që bën.

Vjosa Osmani nuk mashtron, nuk e shet integritetin e saj.

Vjosa Osmani ka një edukim dhe formim të shkëlqyer në SHBA, ka një eksperiencë të shkëlqyer në politikën e Kosovës, ka një lidhje të pandarë me sovranin e Kosovës!

Kosova ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Shqipëria ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Ballkani ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Sepse Vjosa Osmani mbjell paqe, liri dhe shtet të së drejtës!

Vjosa Osmani dhe liria janë në sintoni të plotë, si dy emra sinonime.

Sepse liria është themeli i barazisë, reciprocitetit dhe vëllazërimit, si qytetarë të Ballkanit, si ballkanas, si qytetarë të Europës, si europianë si qytetarë të botës.

Liria na takon të gjithëve – sikur thotë Paul Eluard tek poezia La Liberté – .

Liria ka fuqinë që të rilind, që të bën t’ia nisësh jetës nga e para,

dhe secili prej nesh ka lindur dhe ka të drejtë supreme për ta njohur lirinë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Shprese, Vjosa Osmani

Në kërkim

December 15, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit LULUSHI- Sa e dëmshme êshtë propaganda, kêrkon një gjë e prodhon diçka tjetër. Shqipëria është produkt i propagandës; kërkoi pavarësi dhe kurrë nuk e pati; kërkoi qetësi, kurrë nuk e gjeti; kërkoi komunizëm dhe mori vëllavrasje. Dhe tani ka 30 vjet që kërkon dhe nuk dihet se çfarë. 
Një përrallë nga Aesopi i lashtë:
Bretkosat jetonin të lumtur në një moçal, duke u kujdesur për askënd dhe askënd nuk shqetësohej për ta. Por disa prej tyre menduan se kjo nuk ishte e drejtë, se duhet të kishin një shtet dhe një kushtetutë, kështu që vendosën t’i dërgonin Perëndisë një peticion për t’i dhënë atyre atë që dëshironin. “Zot i madh”, bërtitën, “na dërgoni një mbret që të na mbajë në rregull!” Zoti qeshi me kërkesën e tyre dhe hodhi poshtë një kërcu, që ra në moçal duke bërë zhurmë të madhe. Bretkosat u trembën. Pastaj pritën pak. Asgjë s’po ndodhte. Një ose dy nga më të guximshmit iu afruan dhe madje guxuan ta preknin, por druri po dru, nuk lëvizi. Pastaj trimi më i madh u hodh mbi dru dhe filloi të kërcejë mbi të. Kjo nuk u pëlqeu Bretkosave dhe vendosën t’i dërgonin një kërkesë tjetër Zotit: “Ne duam një mbret të vërtetë që do të sundojë mbi ne.” Dhe Zoti dërgoi mes tyre një Lejlek të madh që shpejt u nis për të punuar duke i gëlltitur të gjithë; Bretkosat u penduan por ishte tepër vonë. Menduan se sa mirë kishin qenë dhe tani gjetën shfarosjen, rregullin më mizor.

Filed Under: ESSE Tagged With: AstritLulushi

HIJET E DIELLIT GREK

December 11, 2020 by dgreca

ESSE NGA PIRRO LOLI/

…” Ne nga Homeri rrjedhim të gjithë”… Poshtë leshit të deshve që kullufiste Polifemi, do të dilnin nga shpella shkrimtarët e të gjithë botës…

…” Në këtë botë që gjithnjë ngushtohet, secili prej nesh ka nevojë për të gjithë të tjerët. Duhet ta kërkojmë njeriun, gjithkund ku mund të jetë “…Faleminderit , Jorgo Seferis, faleminderit, poet !…Edhe unë s’e kapërcej dot ngërçin që më mbetet në fyt, kur ma vënë në dyshim origjinën, kulturën, universitetin, akademinë, këngën e madhe të popullit tim, letërsinë, historinë, kombin…Por unë e kam frikë edhe ksenofobinë time. Më duhet ta kapërdij vetveten si ngërç se shpërfillja e, aq më tepër, urrejtja ndaj të tjerëve janë më të dukshme tek i vogli dhe tek i varfëri…

…”Njeriu që kalon masën, duhet të ndëshkohet nga erimitë- thotë Seferi- ka thënë dhe Herakliti- As dielli nuk e kapërcen masën, ndryshe ndërhyjnë erinitë, zbatuese të së drejtës “…

… E, nëse kërkoni një model, ndiqeni dramën deri në fund se vetëm letërsia dhe arti grek, na ndriçojnë rrugët për të gjetur njeriun e bukur…

                               MREKULLIA E ATHINËS

       Do t’ia vlente që të gjitha bibliotekat të mbanin në ballor fytyrën e Pisistratit të lashtë të Athinës. 600 vjet (p.e re) ky sundimtar i mençur dha urdhër që të mblidheshin e të shkruheshin veprat e Homerit, që deri atëherë qarkullonin vetëm gojarisht. Këtu nis “Mrekullia e Athines”,(term i përdorur nga eseisti i famshëm austriak Karl Poperi, cituar nga A. Plasari te “letersia dhe muret, f.13). Mrekullia i kish dhënë shenjat që me Solonin, që drejtoi Athinën me dorë të butë, që e ngriti artin e udhëheqjes mbi bazën e drejtpeshimit të interesave. Ai ishte dhe poeti i parë i Athinës dhe e nxiti poezinë duke e mbrojtur me ligje të veçanta… Pisistrati në fronin e tij, do vinte të gjithë pasurinë (edhe një minierë argjendi) për zhvillimin e kulturës. Ky e endi fillin e mrekullisë duke organizuar festivalet, panairet, konkurset, shfaqjet e tragjedive si vatra edukimi. “Iliada dhe Odiseja”- siç dëshmon dhe Ciceroni – prej Pisistratit –  do të qarkullonin si libra të veçantë, duke e bërë kështu redaktorin dhe botuesin e parë në botë.. Këto akte , filluar 2600 vjet më parë, do ta cilësonin Athinën si kryeqytetin e kulturës që në fillesa e do të kishin pasoja shkëlqimtare në historinë e qytetërimit botëror. Nuk është e rastit që në Athinën e asaj kohe do të “shpikeshin” arti dhe letërsia, estetika, tragjedia,. filozofia e do vendosnin gurë themeli të gjitha disiplinat shkencore si matematika, gjeometria, astronomia, mjekësia, fizika, poezia, arkitektura etj. Nuk është e rastit që çdo degë e dijes njerëzore ka në themele emrat e grtëkëve te mëdhenj si Homeri, Platoni, Aristoteli,Thalesi, Herodoti, Pitagora, për të mos përmendur një dorë poetësh të mëdhenj të tragjedive të pavdekshme. Nuk është e rastit që, gjenia greke, zbulimet e mëdha të njerëzimit i pagëzoi me gjuhën e vet, greqishten, një nga gjuhët më të vjetra e më të pasura në botë, që dhe sot mbetet bazë e etimologjisë për shumë gjuhë të cilat kanë preferuar të mbajnë terminologjinë e zbulimeve fillestare. Nuk është e rastit që, falë gjuhës së shkruar greke, kudo që shkelte elementi grek, do linte monumentet e veta, arkitekturën, stilin, gjuhën në krejt bregun perëndimor të Adriatikut, në shumë qytete të Ilirisë, Epirit deri lart në brigjet dalmate e domosdo në Azinë e Vogël, Egjipt, Persi, Irak, Siri, Indi etj, fakt, që edhe sot, mendësia aventureske e politikanëve dritëshkurtër grekë, apo historianëve miopë,, pretendon vulën e një qenësie të lashtë.

     Unë nuk e di nëse keto mrekulli rezultuan në kryemrekullinë greke, demokracinë, apo kjo shtroi shtratin e një zhvillimi të paparë të dijeve njerëzore. Karl Poperi, në shpjegimet  e Plasarit, shkakun e mrekullise athiniote, e kërkon te takimi  kulturave të ndryshme, te qarkullimi universal i vlerave. (Platoni dëshmon se që në vitin 399(p.e) në Athinë kish lulëzuar tregu i librit. Dhe nuk ka dyshin se kjo tregëti dijesh kish filluar me Pisistratin). Dëshira e grekëve për librin, fillimisht një grup i vogël, që u quajtën  helenë, nxiti shkrim leximin masiv. Libri i vjetër si ata të Anaksagorës, Heraklitit etj, nuk do të qarkullonte më në pak kopje nën mbikqyrjen e disa priftërinjve, por si të Homerit, do qarkullonin masivisht në treg. Kjo zgjidhje gjeniale në qarkullimin e vlerave, lindi konceptin për shkrimtarin dhe lexuesin e mirëfilltë. Ky shtrat i ngritur kulturor u bë shkas që helenet(greket e mësuar) të ngrinin godinën e parë të demokracisë, që edhe sot, pas 2500 vjetësh mbetet aspiratë e mbarë njerëzimit. Plasari te “Muret”(dhe jo vetëm), ka të drejtë që këmbëngul  në qarkullimin e vlerave dhe rëndësinë e përkthimeve. “Ky fill të shpie lehtësisht nga Homeri te Dantja, nga Bibla te Karpentieri, nga Gilgameshi te Fausti…nga Eskili te O`Nili..”(f.16)…

Ne nga Homeri rrjedhin që të gjithë…

BIZANTI, MREKULLIA E DYTE

     Mendësia shqiptare në lidhje me Bizantin është e paplotë, në mos e gabuar. Ajo nuk e ka parë këtë si një nga kulturat madhështore në dijet njerëzore. Reduktimi i këtij qytetërimi vetëm në lidhje me ikonat kishtare, mozaikët e famshëm anë e kënd Evropës, luftat e brendshme, përçarjet fetare, obskurantizmin etj, është vetëm një pjesë e pamjes, rrjedhimisht, këndvështrim i porovincës së tejme të tij, nga ku drita vinte e përthyer e nga ku , në fakt raca shqiptare, fitoi shumë me pak se të tjerat.

    Sipas Ougust Bajit, 1000 vjetet e Bizantit(395-1453) me kulturën greke në epiqendër, janë epoka e një qytetërimi të paparë. Në thelb, gjithë këta shekuj u bënë edukatoret e botës perëndimore, zbuluan krejt botën shpirtërore të Lindjes, ndihmuan jo vetëm në mbarë Evropën, por edhe në Azi e Afrikë. Në kuptimin figurativ, Bizanti u bë pushtues i botës si Aleksandri i Madh dhe elementi grek, duke rilindur mrekullinë e parë athiniote e romake, njëkohësisht, ndërtoi një supermaci fantaziste aristokrate me vezullime mbresëlënëse, pa i shpëtuar hegjemonizmit dhe diktatit lindor. Roli i perandorit u shndërrua në idhull me sovranitet absolut. Ai trashëgoi, jo vetëm imperiumin romak, por dhe despotizmin skajor të Lindjes. Kjo bëri dukshëm të pranueshëm luftën dhe intrigat për pushtet, atë luftë të hipjes e të zbritjes së dhjetëra perandorëve, që nga shkëlqimi marramendës, falë aftësive të një Kostandini(me origjinë shqiptare), të një Justiniani (edhe ky me origjinë shqiptare), a të një Theodhosi, deri në greminat e dhjetëra të tjerëve që përfundonin me prerje kokash. Për dhjetë shekuj perandoria romake e Lindjes mbeti vatra kryesore e qytetërimit, që nuk e arriti askush. Njohja e kristjanizmit ligjërisht dhe braktisja graduale e Romës, faktikisht e zëvendësuan qytetin  e Remit e të Romulit me Kostandinopojën, fillimisht, pa e prishur ekuilibrin e botes kristjane. Kostandinopoja u bë qyteti më madhor, një qytet kështjellë rrethuar me tri shtresa muri (10 m. të lartë)e përbrenda me arkitekturën dhe urbanistikën më moderne të kohës. Atje u grumbullua e u përpunua ari i tre kontinenteve, aq sa shpesh me flori blihej paqja e kjo nxiti xhelozi të panumërta të grup popujve të fuqishëm e barbarë, njeri prej të cilëve, turku, do ta kthente në gërmadha. 

Bizanti ishte një qytetërim , produkt i kryqëzimit të kulturave, ndërtuar edhe mbi bazën e parimeve të asgjësimit të vetvetes, por ndikimet evropiane të Bizantit, kryesisht u dukën në fushën e artit. Nga shek.V deri XII, ai u bë jo vetëm kështjellë e kristianizmit, por edhe udhërrëfyes estetik i perëndimit. Pasojat më të ndritshme të Kostandinopojës do të ndiheshin në Itali e Francë, sidomos në Romë, Ravenë, Napoli, Venetik e Firencë. Mozaikët e famshëm të Ravenës, Shën Vitalit, Apolonit, ansamblet e paarritshme dekorative të mjeshtërve të Lindjes, frymëzimi tronditës i këtij arti që ndërtoi mauzoleumin e Gala Plaçidios, zbukurimi mahnitës i qindra kishve, Toriçeli me kryeveprat e bazileut, Venetiku me flakadanin aq misterioz të Shën Markut, monumentet e shumta në Romë, Palermo, Monreal, Cefalu, Grata Ferrata…etj. janë vetëm disa nga mrekullitë  artit bizantin. Pararilindasit e mëdhenj Cimabu, Ducio, Xhoto etj, kanë pirë në burimet e asaj kulture. Në parim, Perëndimi i detyrohet shumë mësuesit të vet dhe jo vetëm në art, por dhe si frymëzues i mendimit, kulturës unike, jurispopdencës justiniane. Ishte ky prioritet në shumë fusha që sollën edhe dominimin helen në krahina e popuj të shumtë mesdhetarë. Rilindja e më vonshme evropiane gjeti mbështetje të gjithanshme në humanizmin dhe erudicionin lindor. Filozofë, gjuhëtarë, profesorë të helenizmit, do kontribuonin në universitetin e Kostandinopojës, nga më të famshmit në fushën e dijes e të kulturës, që do ta ruante traditën e shkollave lindore, nga më të fuqishmet në botë, edhe në kohët e vona. Prej këtyre jehonave do të lindte mrekullia tjetër, në Firencen latine këtë herë, që do të bëhej nderi i kontinentit evropian. Shkëlqimi i ri me “il dolçe stil nuova”, do të niste me Kavalkantin e do pasohej me gjenialitetet e Dantes e Petrarkës në poezi, me Bokaçion në prozë, me Xhoton në pikturë e Makiavelin në politikë…

* * * 

      Rënia e Bizantit(1453), sipas Dukasit, është një nga katastrofat e njerëzimit. E çuditshme nuk është barbarizmi i katërqind mijë trupave osmane që e rrethuan dhe e shkatërruan metropolin e artë të Bizantit, por (?!) divergjencat me kishën perëndimore të Romës. Mbi këtë përçarje, të pabesët , të komanduar nga Muhameti i dytë , kryen mbi qytet masakra kanibaleske. Drama nuk është vetëm te shembja e pashmangshme, por edhe më e madhe, ajo e mos bashkimit me Romën. Pikërisht kjo solli ngadhnjimin turk dhe rrukullisjen pa kthim të perandorisë… Perandori Kostandini XI u vra si ushtar dhe koka e tij u ngul në një shtyllë. Perla e botës, Shën Sofia, u mbush me kufoma e u kthye në kasaphanë,(vini re: dhe sot nw 2020, sullani i ri i turqisw e ktheu Shwn Sofinw nw xhami) të gjithë funksionarët e lartë u masakruan, grekët e të gjitha moshave të lidhur me zinxhirë u dërguan si skllevër në Adrianopojë, kishat u zaptuan nga hoxhwt, Krishti ra  e thirrjet “allah, allah” si dallgë deti përmbytën brigjet e dy kontinenteve. Evropa shtangu nga tmerri dhe ashtu e ndarë diametralisht me të kundërta lindje-perëndim, nuk ishte e aftë të luante as gishtin ndaj krimit të përbindshëm që bënë barbarët ndaj vlerave të saj mijra vjeçare. Disfata e kristjanizmit qe e llahtarshme e autori i shquar i saj, Dukasi, rënkon e drithërohet kur shkruan : “O Zot, përse na braktise kështu?! Dridhu diell, dhe ti ,o tokë.!. Dhe vajto rrënimin e kombit tonë, që Zoti ,me drejtësinë e tij, ka urdhëruar si ndëshkim për mëkatet tona.” [(O.Bajl, “Perandoria e Bizantit”,f.270)]

                                          HIJET

     Sa më të larta të jenë pallatet aq më të larta janë dhe hijet. Mrekullitw e dritws shkwlqimtare u  pasohen nga hije tw terrta.  Qytetërimet e mëdha ngërthehen në kontradita të pashmangshme deri sa vjen një kohë e rrëzohen. Shumica bien nga vetvetja. Roma ra kur u bë më provinciale se provincat dhe Athina, gjithashtu. Të dyja mrekullitë greke, e Athinës dhe e Kostandinopojës, ndërsa nuk mohohet influenca e trashëgimitë pozitive  të së parës ndaj Bizantit, përbëjnë dhe një kundërshti të egër, papajtueshmërinë e demokracisë së lashtë e paganizmit pagan me Krishtwrimin ortodoks. Këtë kundërshti do ta ruante të pakëputur vetëdija mijëvjeçare greke, duke u munduar, artificialisht, ta mbajë të parën si dekor, duke montuar monoteizmin kristian me politeizmin.

Që në kohën e mbretërimit të Teodosit të Madh(395), kur mbretwria e Romës u nda midis dy djemve të tij, Arkadit për të sunduar në Lindje dhe Honorit në Perëndim, në fakt, nisi të hendeksohej Lindja me Perëndimin, hendek që do të vinte gjithmonë duke u thelluar dhe duke mohuar dhe urat lidhëse që kishin përbërë shtyllat e perandorisë. Uniteti fetar i këtij qytetërimi ishte vetëm një iluzion e, me kryqwzatat,  do përfundonte deri në shfaqje gjakatare të Perëndimit ndaj Lindjes. Dukuria e grindjeve fetare, përçarjet, do të percipitonin deri në luftra civile. Stërhollimet e sofizmit grek, obskurantizmi, fondamentalizmi ortodoks i dogmave fetare, (një nga stonaturat e Greqisë së sotme në BE), do ta gërryenin perandorinë sistematikisht, do ulnin fuqinë mbrojtëse ndaj fiseve barbare aq të shumtë e të fuqishëm si gotët, ostrogotët hunët, visigotët deri tek sllavët dhe turqit. Bizanti , i ngopur me lavdi të tepruar, me hundën të florinjtë gjithnjë e më tepër i shkëputi lidhjet bazale me papatin duke u bërë një perandori e pavarur greko-lindore. Në fakt perëndimi i shkajti nga dora Bizantit. Nëpër shekuj kjo do ravijëzonte në horizontin lindor rritjen e Rusisë bizantine si shtet i fuqishëm, problem ky, që edhe pse perandoria otomane do ishte i vetmi pushtues potencial,, Rusia , në sfondin e tejmë lindor, do ishte frikë dhe kërcënim i vazhdueshëm. Flirtimet e vazhdueshme  të Rusisë me vende të veçanta evropiano lindore, do shtonin përçarjet e do bënin që asnjëherë vendet evropiane të mos  ishin në një mendje edhe ndaj armiqve të përbashkët. Bazileu II i dha motrën(Anën) princit rus Vladimir, me kusht që populli rus të pranonte krishtërimin ortodoks. Rusia e pranoi këtë. Kjo përbën ngjarjen më të madhe të hegjemonizmit bizantin, por nxiti dhe xhelozitë ruse për të zënë vend qendror në Lindje.

    Perandoria lindore do të regjistronte në historinë e saj edhe krime  përçudnime të racës njerëzore, si prerje kokash, varje, tortura, gjymtime, të shoqëruara me dinakëri, tradhti të tipit bizantin. Tipike në kohën e Justinianit II(dhe ky përfundoi kokëprerë) është urdhri i bazileut të II, (1014), që pesëmbëdhjet mijë bullgarëve t’u nxirreshin sytë.(vetëm 150 prej tyre shpëtuan me një sy). Nga ky fakt lindi termi bullgarokton e kjo na kujton një farë Thanasi, tiran në Janinë, që para se t’i vriste shqiptarët, mbushte shporta me sy e me veshë të tyre e për meritë, u quajt shqiptarokton. Bizanti ra nw rrafshinw nga kundërshtitë e brendshme. Në sintezë , historia e tij u trondit nga 65 revolucione, nga 107 perandorë, abdiguan 65, të cilët u mbytën, u qorruan, u gjymtuan, u torturuan me tredhje, çarje barku e koka të prera.

     Pa dyshim një luftë e paskrupullt në jetën e tij ishte e ashtuquajtura ikonoklazma(shembja e ikonave). Kulti i ikonave kish pushtuar krejt botën greke si mendësi dhe veprim për “afrimin”e Zotit me njeriun. Kjo ra ndesh me Perëndimin që nuk pajtohej me imazhet konkrete të Krishtit. Kjo luftë e egër mori shumë viktima dhe vazhdoi 150 vjet. Ikonoklazma që u dekretua dhe me ligj, u përhap brenda Bizantit si një akt tepër i përgjakshëm. Në fakt kulti i virgjëreshës ishte ngopur me paganizmin grek dhe me mistiçizmin oriental, problem dhe dukuri, që vjen deri në ditët tona, si një njollë e mbetur, duke e veçuar kishën greke si dishepullin më fanatik të ikonave çudibërëse. E, sidoqoftë, zëvendësimi i ikonave nga ikonoklistët, do të sillte më vonë frymëzimet e Rilindjes me humanistët dhe artistët e mëdhenj italianë, ku në epiqendër të artit, nuk vunë ikonat e mistershme , por bukurinë e njeriut, të natyrës e të kafshëve.

 Gremina e Bizantit nisi tatwpjetwn pwrfundimtare kur turqit selxhukë pushtuan Azinë e Vogël (1010) e kur më 1076 depërtuan në Jeruzalem dhe përdhosën vendet e shenjta. Perandoria nuk ishte e zonja ta mbronte krishtërimin kundër islamizmit sepse ishte e përçarë pikpamjesh diametrlisht të kundërta, aq sa, si dhe turku, perëndimi u lëshua kundër Lindjes, me preteksin e pushtimit të vendeve të shenjta, duke shfryrë të gjithë urrejtjen e mbledhur  kundër Bizantit, me thirrjet emocionale “Zoti na kërkon”. Nga 1100-a, dallgë dallgë deri më 1450, me katër kryqëzata gjakatare , në fakt, Evropa ndëshkoi barbarisht Azinë. Gremina kish nisur më parë brenda vetvetes me gabime trashanike në unitetin Lindje –Perëndim, deri në aktin final(kryqëzata e tretë, prill, 1204), kur forcat e perëndimit pushtuan Bizantin, duke e bastisur e përdhunuar forcërisht, aq sa, me të drejtë shumë analistë thonë se, dita e vdekjes së Perandorisë, nuk është 1453-i nga turqit, por rrënimi I Kostandinopojës nga latinët. 

* * *

  …E sidoqoftë, maja e çdo qytetërimi, përcaktohet nga majat ku e lartëson artin dhe poezinë. Poetët dhe artistët bëhen ndërgjegje njerëzore, ndaj e kemi lehtë të themi se Homeri, Eskili, Sofokliu…Ricosi, Seferi, Eliti e dhjetëra të tjerë, janë tejpërtej e gjithë Greqia. Ndërgjegje e trazuar dhe përgjegjësi, krenari për rrezet e diellit dhe dallgët e detit(kulturor) të kombit të tyre, por dhe dhimbje, dhimbje e thellë që shoqëron tatëpjetat e qytetërimeve e brezat e rinj janë të detyruar të thonë “Na ishte njëherë……

Ne nga Homeri rrjedhim që të gjithë…                                   

                                    DOMINIMI KULTUROR

     Dominimi kulturor, në veçanti ai gjuhësor,  është kështjella më solide e një race, fisi, kombi apo shteti, në veçanti dominimi gjuhësor, vetëm kur sundon si qytetërim,  i ri edhe në pozitën e të pushtuarit si viktimë. Qytetërimi nuk është vetëm zhvillim ekonomik, që edhe mund të rrënohet nga pushtuesi, por është dhe mendësi, kulturë, gjuhë e kultivuar, letërsi, art, arkitekturë, libra, teatwr, këngë, valle. E këto nuk i rrëzon dot as shpata e plumbi e zjarri. Këtu grekët kanë qenë prioritarë e jo më kot ,romakët thanë se kur pushtuan Athinën(në kuptimin kulturor), njëkohësisht ishin të pushtuar prej saj. Grekët dominuan në mendimin filozofik, shkencor dhe artistik, dhe jo babilonasit e lashtë që, gjithashtu, kishin arritje dhe vëzhgime me interes, sepse ,mbi të gjitha atje mungonte regjimi politik demokratik, si dukuria më progresiste e prodhimit dhe e shpërndarjes. Metafora greke në sferën e kulturës e mundi metaforën mesopotame. Partenoni grek, simboli i kësaj kulture, është plot dritë dhe me atë arkitekturë fantastike, çliron ndjenjën qiellore të lirisë. Kjo e bën të pakrahasueshëm me piramidat e Lindjes, që, megjithëse, arkitekturë e çuditshme dhe enigmatike, e ngushtojnë shpirtin e njeriut, sepse arti i tyre simbolizon tiraninë e keopsëve dhe shehlerëve të botës arabe. Liria athiniote pranonte kudo diskutimin dhe kundërshtimin alternativ, si burim zhvillimi në të gjitha fushat. Sidoqoftë, kjo temë meriton trajtim të veçantë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dielli Grek, esse, Pirro Loli

KUJTOJ PROF.ARSHI PIPEN-“SI T’ISHTE DJE…”

December 11, 2020 by dgreca

PROF. ARSHI  PIPA (1920 – 1997) SHTATOR 1990…/

Nga Fritz RADOVANI/

Të gjitha shpresat per permbysjen e diktaturës komuniste në Shqipni, kur në gjithë Europen Lindore komunizmi po jepte shpirt, tek ne vinin tue u zbeh, dhe perfundonin si një anderr e keqe që të nxjerr gjumin… 

Po fliste tek “Zani Amerikës” një nga Burrat e njohun: Prof. Arshi Pipa… 

Tregoi se “Shqiptarët, duhet të zgjohen dhe të marrin drejtimin e duhun. “Asht koha kur Rinia Shqiptare duhet të zhgulin nga Toka Shqiptare me të gjitha forcat e veta bustet e permendoret e diktatorit Enver Hoxha..!” 

Per pak çaste po e mendojshe thirrjen e Prof. Arshiut të pamujtun… Po, gjithmonë tue besue në mendimin e fjalen e Tij, vinte e lindte shpresa… 

Shpejtësia e rrokullisjes së ngjarjeve ishte e pakuptueshme, e kjo asht e vështirë me u kuptue sot: “Si mundet me u thanë Mesha në Rrëmaji prej Don Simon Jubanit, kur Shqipnia ka shpallë me kushtetutë ateizmin?” 

“Si mujti Peres De Cuelar me i çarmatosë mbrenda pak orësh forcat e sampistëve të tiranit Ramiz Alia, rreth e rrotull Rrëmajit në Shkoder?” 

“A e dinte sigurimi barbar se qinda Muslimanë t’ armatosun, i bajnë roje Popullit Katolik Shkodranë që po shihte Meshën e Parë, mbas 1967 ?” 

E pra, Shkodra e bashkueme tek Xhamija e Plumbit… Ruente kujtime! 

Pa kalue as një muej.., me 13 Dhjetor 1990, Rinia Heroike Shkodrane pa ju tutë syni, mbasi thej nder shkallat e Institutit Pedagogjik suazen me surratin e Enverit, u nis tue brohoritë tek Prefektura e Shkodres, dhe aty zhguli pergjithmonë bustin e Enver Hoxhës, diktatorit ma të tmerrshem që ka njohtë Populli Shqiptar në krejtë kampin e Lindjes komuniste!

Pasuesit e tij, sot po perpiqen me “ringjallë” prap modelin e tij terrorist e vrastar, të pangopunin diktator me gjakun e Rinisë së Popullit të vet… 

            Melbourne, 11 Dhjetor 2020.     

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, Prof.Arshi Pipen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 217
  • 218
  • 219
  • 220
  • 221
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT