• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURRI I BESËS DHE BURRI I SHTETIT

December 3, 2020 by dgreca

SHKRUAN: GEZIM ZILJA/

-Si i shpëtoi jetën i burgosuri politik Bedri Çoku, Kryeminstrit Fatos Nano-

-Nano në Shtëpinë e Bedriut: Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania  jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas…

– Sa morën pushtetin komunistët Bedri Coku u  shkarkua nga detyra….

Shkruan: Gezim ZILJA/DIELLI

Bedriu Çoku është nga miqtë e mi më të mirë. Ka kryer 22 vjet burg politik dhe bashkë me vitet e të atit dhe të dy vëllezërve të ndjerë bëhen plot 63 vjet burg. Bedriu është fare ndryshe nga disa të burgosur politikw, qw unë kam njohur. Nuk ankohej, nuk tregonte vend e pa vend ato që kishte hequr, nuk urrente, veç kërkonte të dënohen krimet e komunizmit, përndryshe thoshte, nuk do të ketë demokraci. I kërkoja shpesh të më tregonte nga jeta e burgut, por mezi ia nxirrja fjalët me çengel. Kur këmbëngulja, më drejtohej me atë humorin e tij të hollë prej fusharaku babaxhan, pa e ngritur zërin: – Më rokanise kokën. Ore nga Fieri jam unë. Mos prit ndonjë gjë të madhe! Për mua është fat, që e njoh dhe e kam mik. 

Bedriu në kohën e trazirave në mars 1997, drejtonte sistemin e burgjeve të republikës. Nga burgjet e Sarandës dhe  Bënçës, nën presionin e bandave të armatosura ishin arratisur gjithë të burgosurit, me përjashtim të dymbëdhjetë pushtetarëve të diktaturës dhe ish-kryeminstrit Fatos Nano ( dënuar për shpërdorim detyre,) që nuk pranuan të largoheshin nga burgu. Bedri Çoku kërkoi takim urgjent me Ministrin e Drejtësisë dhe i propozoi masa sigurie, veçanërisht për Fatos Nanon, kryetar i partisë socialiste, të transferohej në Tiranë, në burgun 313.   

Afër mesnatës, e thirri Ministri i Drejtësisë, dhe e njofton se me urdhër të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, duhet të nisej menjëherë me helikopter, për të marrë Fatos Nanon. Nuk u mendua gjatë Bedri Çoku, mori helikopterin dhe u nis, i shoqëruar nga një oficer i Ministrisë së Brendshme. Dhjetëra banda nga Tepelena, Memaliaj e Gjirokastra, vigjëlonin me kundërajrorë, mitralozë të rëndë e automatikë dhe në çdo çast mund të godisnin “alikopterin qeveritar”  edhe për argëtim. Edhe pse komisariati ishte i pushtuar me forcën e armëve, nga bandat e Komitetit të Shpëtimi Publik (KSHP) të Tepelenës, ia doli të lidhej me shefin e komisariatit Bernard Caushaj, të cilin e njoftoi të ndizeshin zjarre rreth vendit, ku do të ulej helikopteri, detyrë që oficeri trim e kryeu me sukses. Reth orës 1.00 helikopteri u ul pa problem. Bashkë me rojet e burgut shkuan në qelinë e Fatos Nanos, që rrinte shtrirë në krevat me kokën e futur nën batanie. Edhe pse Drejtori  hyri në qeli  buzagaz, i dënuari nuk e uli batanien, që e mbulonte deri te hunda. – Ngrihu se do të shkojmë në Tiranë! Kam ardhur vetë të të marrë me helikopter për në burgun 313, se aty je më i sigurt. Urdhëri për të larguar prej këtu është dhënë nga Presidenti i Republikës.-  Fatos Nanua dukej i trembur dhe mosbesues. Ndihej më i sigurt atje, në atë vrimë të burgut të Bënçës, duke menduar se shteti kishte marrë rrokullimën. Me të njohur drejtorin, largoi mbulesën dhe hodhi këmbët në dysheme.

 – Më fal se nuk të njoha…Epo, me ato që po dëgjojmë …kohë të vështira po kalojmë…  – Duhet të kesh besim tek unë. Do të jem edhe vetë në helikopter. Nuk ka pse trembesh. Çdo veprim bëhet për të siguruar jetën tënde…

– I burgosuri, tashmë i ngritur në këmbë, plot gjallëri deklaroi: – Kam besim te ty Bedri! Me ty kaloj  oqeanin në këmbë po deshe, nuk e kam problem. Njihesh Bedriu me Fatos Nanon. Si njeri i drejtë e pa paragjykime e respektonte ish zv/drejtorin e institutit të studimeve M.L. tashmë  kryetar i partisë socialiste. Madje, në çdo inspektim që bënte, ai e pranonte ftesën e të burgosurit, për një kafe në qelinë e tij. Asnjë e shtënë me mitraloz apo pushkë nuk qëlloi helikopterin, që po ngrihej, ndërkohë që nata po venitej e po ia linte vendit ditës.

Me sa dukej KSHP-të, që kontrollonin plotësisht qytetin e Memaliajt e Tepelenës, ishin informuar se ç’po ndodhte andej nga  burgu i Bënçës. Të burgosurin e çuan drejt e në qeli në masa të rrepta sigurie. -Tashmë je plotësisht i sigurt,- i tha Bedriu duke u larguar. I burgosuri i hodhi dorën në sup, miqësisht, dhe deklaroi: – Kurrë nuk kam për të ta harruar. Jetën time ta detyroj ty… Nesër me siguri do të vish të më takosh apo jo?- Nënteksti dhe pasiguria ishte e qartë: -Mirë që më solle këtu,  por a do të jem gjallë, nesër?-  Drejtori qeshi, i ra krahëve dhe u largua,  pa i thënë asnjë fjalë. Po atë ditë, të dy pinin kafe te qelia numër 47. Muaj më vonë, para shtëpisë së Bedri Çokut qëndruan disa makina me targa qeveritare dhe në derë të shtëpisë u shfaq së bashku me avokatin e tij besnik, ish i burgosuri, tashmë me kostumin e Kryeministrit të Shqipërisë. Bedriu i habitur i ftoi brenda. Kryeministri me humorin e zakonshëm,  plot batuta, s’pushonte së foluri për vuajtjet e tij në burgun e Bënçës, ku nuk i mungonte asgjë. Njeriu që kishte bërë pesëfishin e kohës së tij në burgjet e diktaturës, e dëgjonte dhe buzëqeshte hidhur pa e ndërprerë mysafirin hokatar e të zhurmshëm. 

Para se të ngrihej, Fatos Nano përsëriti fjalët që kishte thënë, kur u transferua në burgun 313. -Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania  jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas  dhe  mikut tonë, avokatit të nderuar, se, në ka njeri që shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile, ky je ti,- burri yt-, iu drejtua pastaj gruas së drejtorit të burgjeve. Po të isha eliminuar unë, pa diskutim që do të shpërthente lufta e përgjakshme. Yt shoq vuri jetën në rrezik për të më shpëtuar mua, por edhe për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga një katastrofë të madhe… 

Disa muaj më vonë, me fitoren e PS-së, pjesa dërrmuese e ish të burgosurve dhe internuarve politikë të punësuar në burgje e polici, megjithëse të trajnuar e diplomuar, u pushuan nga puna. Bedri Çoku transferohet si zv/drejtor në burgun 325. Duke parë se në drejtimin e  burgjeve, e policinë e shtetit ishin vendosur njerëz të ish sigurimit të shtetit e gjithfarë militantësh, banditësh e kokëpalarësh të Komiteteve të Shpëtimit Publik, tepër i fyer edhe pse me dy fëmijë të vegjël, nuk e pranoi detyrën e re. Hapi një dyqan të vogël ushqimesh atje në lagje… Kryeminstri nuk ishte bërë më i gjallë, qysh prej vizitës në shtëpi. Dikur Bedriu dërgoi një letër dorazi te Fatos Nano. Përgjigje nuk mori kurrë.  Ja çfarë tregon më tej burri i besës dhe shqiptari i mirë, Bedri Çoku: Mbeta pa punë, edhe pse isha diplomuar jurist në Fakultetin Juridik të Tiranës. Gjeta ngushëllim, ngaqë borxhin që i mbeta  Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse u lirova para kohe, pasi më kishin mbetur edhe tetë vjet burg, ua shleva pasardhësve të  diktatorit, që më lanë tetë vjet pa punë…Marrë nga tregimi me të njejtin titull. Pershtatur për shtypin e ditës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bedri Coku, Burri Beses, Burri i shtetit, Gezim Zilja

Arianita bija e Petro dhe Safo Markos…

December 2, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA*/

Portret i pa autorizuar/

Këto shënime i kam hedhur në maj të vitit 2010, kur kam qenë në shtëpinë e Petro Markos. Në një hyrje dy dhoma e një guzhinë e para viteve 90-të, jetonin Safua, e shoqja shumë e sëmurë, Jamarbëri, i biri dhe ky i sëmurë dhe e bija Arianita që na priste. Të më falë Arianita, por nuk mundem të mos them një të vërtetë të dhimbshme, (mbas dhjetë vitesh) dhe të nxjerr një sekret, për të cilin isha betuar që do ta mbaja si të tillë për shumë kohë. Shkova me një shoqen time dhe të Arianitës, sepse kjo do të shiste nja dy piktura të Safos, e detyruar nga gjendja jo e mirë ekonomike. Kisha qenë edhe një herë tjetër në shtëpinë e saj, thjesht për të parë pikturat e Safos ( para se të bëhej ai emision aq i bukur televiziv dhe ekspozita në vitin 2008) që për mendimin tim janë një pasuri kombëtare. Pasi pamë një pjesë të tyre, sepse jo të gjitha janë të varura në mure, iu luta të më shiste ndonjë gjë sado të vogël, boll të kisha një pikturë të Safos, në shtëpinë time. Arianita buzëqeshi hidhur, më pa në sy dhe tha: “Jo! Në çfarëdo situate që të ndodhem, këto vepra të mamasë, unë nuk do t’i shes. Ajo i ka krijuar thjesht për të bër art, jo për t’i shitur. Le të ngelen pasuri e familjes.”

Dhe tani po shkonim të blenim dy piktura. Ç’kishte ndodhur, që betimi ishte shkelur dhe amaneti nuk ishte mbajtur? Në holl ishin ekspozuar disa piktura nga të cilat ne kishim të drejtë të zgjidhnim vetëm dy, që me këmbënguljen tonë të madhe u bënë tre. Ishte e vështirë të zgjidhje sepse të gjitha ishin të përkryera. Shuma që na kërkoi ishte modeste në krahasim me vlerën reale të tyre. Meraku i vajzës së Petro Markos, ishte që t’i shiste në njerëz të besueshëm e që lajmi të mos merrte dhenë se po i shiste për bukën e gojës. Kur ne po i gëzoheshim pikturave të blera dhe po mendonim për transportin, vura re që Arianita po qante me dënesë. U tronditëm pa masë dhe e pyetëm:

“ Pse po qan, çfarë ke, çfarë të ndodhi? ” Përgjigja e saj më la pa frymë dhe nuk mund t’a harroj kurrë:

“Po më duket sikur po jap një pjesë të shpirtit tim, sepse unë nuk dua t’i shes ato. Ju e dini që isha betuar.” U përpoqëm ta ngushëllonim duke i thënë: “ Në shtëpitë tona hyjnë plot njerëz që njohin artin, kulturën, kështu ato do të shikohen edhe nga shumë të tjerë e do të çmohen e vlerësohen më shumë,”

Vajza e Petro Markos, duke më parë me sytë e thellë, ende të bukur, ku pasqyroheshin  thellësitë e detit Jon me gjelbërimin e përjetshëm të Bregut, e lotët nuk po pushonin për asnjë çast tha diçka tjetër:

“ Do t’u kërkoj një gjë, por iu lutem të mos ma merrni për keq! I mbani mirë, dhe i vendosni në vende të dukshme.” Pastaj ashtu, sërish  midis lotësh shtoi: “A mundem ndonjëherë të vij t’i shoh!?” Për një çast m’u duk vetja si një kusar a bandit, e jo si një blerës pikturash e dashamirës arti. E ngushëllova veten se do t’i mbanim ato piktura ashtu si duhej dhe sigurisht që kishin për t’i parë shumë njerëz të tjerë që e duan dhe e kuptojnë artin e pikturës. Pamja e Arianitës, te dera e shtëpisë nuk ka për të m’u hequr kurrë nga mendja. Na përcolli me shikim, pa luajtur nga dera, derisa zbritëm në katin e parë. Me sa kuptova i dukej se kishte bërë një tradhëti, një pabesi, që fshehurazi nënës së vet, kishte thyer amanetin dhe i kishte shitur tre piktura. Pashë në portretin e saj të lodhur fisnikërinë dhe shpirtin human të pathyeshëm, trashëgim nga ajo familje e shquar e Petro dhe Safo Markos dhe kuptova se në familjen e Petro Markos, qëndronte tashmë si heroinë e vërtetë, Arianita. Dy të tjerët kishin nevojë për shërbim. Safo, e dërrmuar nga jeta, lëngonte e sëmurë në shtrat; Jamarbëri trupmadh , ende i pa kërrusur, i bukur si kreshnikët e përrallave, por mjerisht thuajse i alkolizuar. Ai vetë zgjodhi rrugën e poezisë dhe të jetës së ndershme, por diktatura ia theu ëndrrat dhe shpresat në burgjet e saj mesjetare. I prekur nga ajo që pashë shkruajta diçka në gazetë si një thirrje për ta ndihmuar familjen. Pak shpresa kisha se me atë shkrim do të lëvizte ndonjë gjë andej nga zyrat e shtetarëve, (ashtu ndodhi) që e kishin mundësinë të lidhnin pensione apo të jepnin ndihma të vazhdueshme për këto raste. As se do të prekte ndonjë zemër prej guri të parallinjëve të atëhershëm të tenderave, të trafiqeve, të kontrabandës e rryshfeteve,  as të OJQ-ve dhe OJF-ve. Të parët do të thoshnin se nuk ka ligj, se duhet të dalë një ligj i ri, se ai ligj duhet të përfshijë edhe të tjerë, se duhet të japë urdhër ndonjë i madh etj, etj. E njoh mirë këtë race të fëlliqur nëpunësish që për interesin e tyre kthejnë përmbys edhe ligjet e parlamentit. Të dytët po dihet se ç’do të thonë, që është krizë dhe nuk ka para. Të tretët nuk di ç’të them veç që numri i tyre shtohet e shtohet si fara e sinapit. Familja e Petro Markos vazhdoi të jetojë në varfëri dhe nuk di sot (Safo dhe Jamarbëri nuk jetojnë më) se çfarë ka ndodhur me pikturat e Safo Markos. Por di shumë mirë që shpirtrat e Petro Markos, Safos dhe Jamarbërit vërtiten e vërtiten ditë e natë rreth pallatit ku jetuan, pa gjetur prehje e qetësi. Ndoshta është koha që para pallatit ku jetoi e punoi, në anë të bulevardit “Zogu i Parë”,  ku bashkia plot zell “rilindas” po ia nxjerr brinjët dhe po zhduk çdo gjurmë të historisë, të ngrihet shtatorja e shkrimtarit të madh Petro Marko.

*Shkrimi i publikuar me pare ne shtypin e Tiranes u dergua nag autori per Gazeten”Dielli”

Filed Under: ESSE Tagged With: Arianita, e bija e Petro dhe Safo Marko, Gezim Zilja

Falenderim…mbijetesës !

November 25, 2020 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

Humbjet e përditëshme të jetëve njerëzore janë sa të dhimbshme po aq dhe të frikëshme. Po ikin mjekët dhe njeriu ndjehet si i përhumbur në fushbetejën  “ pa armët mbrojtëse”, po ikin një nga një ;miq ,të njohur , të panjohur  kaq shumë jetë … Është e dhimbshme ti ndjekësh këto lajme të frikëshme që shumë nga ne i kanë përjetuar drejtpërdrejt në terrenin e vështirë ku mjekët kryqëzohen të parët nga virusi i tmerrshëm i cili po gjunjëzon edhe sistemet më të mira shëndetsore. Unë e kalova virusin pranverën (fillim prill 2020) që lamë pas, me simptoma të lehta por me një ankth frike e përgjegjësie për veten dhe për të tjerët të cilëve mund t’jua transmetoja. E ktheva në kujdes frikën e natyrshme, e shndërrova në dashuri merakun sistematik që më karakterizon si njeri, e shndërrova në disiplinë të rreptë, higjenën, ushqyerjen, lëvizjen në natyrë, distancimin social. Jeta mori një dimension tjetër ku epiqendër nuk është as më shumë e as më pak përveçse KUJDESI. Në kohë pandemie gjithkush mund të jetë burim infeksioni , testimi është vetëm njē mjet më shumë për ta çertifikuar statusin shëndetsor i cili ndryshon aty për aty. Sot je negativ pas dy ditësh mund të infektohesh dhe ky cikël jete po bëhet motivi i një refreni  sistematik .Kjo kohë i ngjan një stuhie e cila  kalon nëpër  pyllin njerëzor ku jo të gjithë rrëzohen; shemben, përkulen bien , ringrihen , groposen.E rëndësishme mbetet vetkontrolli, përkujdesja ndaj vetes, bashkëjetesa çdo çast me të, mosneglizhenca për asnjë çast i vetvetes me të gjitha nevojat që ajo ka ; për ajër të vetmuar, higjenë pa hile,ushqyerje korrekte ,mjekim ,prezencën virtuale të gjërave pa të cilat njeriu nuk jeton dot.

Kjo energji e re njerëzore e paprovuar më parë solli në vëmendjen tonë atë që është esenca e jetës ; shëndeti ! Në një përmasë kaq individuale  kjo lloj energjie po ndikon kaq drejtpërdrejt në kolektiven duke nxitur   shfaqjen e një stili krejt i ri jetese që ka ndryshuar sjelljet, ceremonitë , liritë  dhe lumturitë tona duke na bërë më racional dhe syhapur ndaj çdo gjëje përreth nesh .Askush nuk ia din fundit këtij shtegu nëpër të cilin njerëzimi po ecën me apo pa vullnetin e tij, por të gjithë jemi dëshmitarë të një kohe për të cilën vetëm të mbijetuarit do mundet të rrëfejnë . Uroj t’ia dalim që një ditë t’ia largojmë këto brenga vetes dhe të tjerëve duke treguar se mbijetesa është falenderimi më i madh .

Filed Under: ESSE Tagged With: falenderim, Marjana Bulku, mbijetesës

SHKRIMTARI VISAR ZHITI I SHKRUAN SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

November 24, 2020 by dgreca

-Që më bëtë anëtar nderi tuajin, e them me sinqeritet, ndjehem dhe i prekur, dua të flas hapur si mes miqsh, si me gotën e verës ndër duar, pra, me ngazëllimin që të jep ajo dhe ca si gjatë…     

Duke ju dëshiruar gjithë të mirat të gjithëve, juve dhe veprave tuaja, arritje të tjera dhe gëzime, dua t’ju falenderoj me zemër që më bêtë “Anëtar Nderi” të shoqatës tuaj, që, siç e thotë dhe vetë emërtimi, ky është një akt nderimi për mua dhe jo vetëm kaq, por dhe mikpritje, vlerësim, një si dhënie dore tjetër, asaj shpirtërore, dashuri…                                     

Që në SHBA është Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka rëndësi të shumëfishte, kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, do të thosha, të një përkushtimi intelektual, të lartësisë së shekullit XXI, të ngritjes së një ure të gjallë mes dheut amë, Shqipërisë dhe atdheut të dytë, SHBA-së  dhe, edhe pse të shkruarit është veprimtari vetanake, e ka të nevojshme të qenit bashkë, për të njohur dhe shpalosur vlerat e përbashkëta, për t’i përuruar ato me bashkësinë, me lexuesin pa kufi, me kohën dhe për t’ia përcjellë atdheut dhe ardhmërisë.                                                                                                         

Unë i di emrat tuaj, di dhe nga veprat që keni nxjerrë, të botuara në të “dy atdhenjtë” e shumëkund, janë pasuri e letrave tona në “gjuhën e perëndive”, siç e quanin rilindasit shqipen tonë, por dhe në anglishten e madhe e të pasur, të fuqishme si vetë njerëzit e saj.

Që më bëtë anëtar nderi tuajin, e them me sinqeritet, ndjehem dhe i prekur, dua të flas hapur si mes miqsh, si me gotën e verës ndër duar, pra, me ngazëllimin që të jep ajo dhe ca si gjatë…                                                            

Qysh në fillim do desha të thosha se unë nuk kam qenë ndonjëherë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, përkundrazi, jam dënuar prej tyre, kur ishte diktaturë dhe vendi ynë bënte pjesë në perandorinë komuniste, i ndarë dhe prej saj ndërkohë, i mbyllur si një bunker i madh, asfiksues. Kisha përfunduar studimet e larta, isha mësues i ri maleve të Veriut tonë, në kufi me Kosovën, në një fshat skajshmërisht të varfër, por me virtyte dhe më arrestuan për poezitë e mia. Nuk janë të realizmit socialist, thanë gjyqtarët, janë të trishtuara, hermetike, armiqësore. Poezia është vetëm poezi, sipas meje. Në gjyq shtuan dhe akuza të tjera, që pse kisha lexuar letërsi të ndaluar dhe dëgjoja “Zërin e Amerikës”, “Radio Vatikanin”, “Radio Prishtinën”. Më dënuan me 10 vjet burg.  Dhe në ferr shkruajta fshehurazi poezi, u besoja atyre si lutjeve Zotit, doja të dëshmoja, të shpëtoja ç’mundej nga vetja, të krijoja emocionin e poezisë edhe atje ku nuk lejohej. I nxora nga burgu krijimet e mia. Dola dhe unë, por më ishte hequr e drejta e botimit. Vazhdoja të shkruaja fshehurazi, deri sa erdhi dita, u shemb Muri i Berlinit, që ndante botën më dysh, por dhe njerëzimin, ra perandoria komuniste, jo vetëm prej vetvetes, por dhe nga përpjekjet e botës së përparuar kapitaliste, nga humanizmi aktiv i SHBA-së dhe Europës se Bashkuar. Dhe Shqipëria, vendi më i vogël me diktaturën më të egër, ndryshoi, u hap, u bë e lirë, aq sa mundej, mori udhën e drejtë, atë të lirisë dhe të përparimit, të aleancës Euro-Atlantike, siç themi tani.                          

Edhe unë u bëra pjesë e kësaj lëvizjeje, e ndryshimit të madh, aq shumë të vështirë, të domosdoshëm, me plot sakrifica. Isha si një dallgë në dallgët e pafund të popullit tim. Nisa të botoj poezitë e mia, shpika gjininë e “burgologjisë”, botova artikuj, ese, tregime, romane, tregova përndjekjen që na bëhej dhe qëndresën e kundërshtarëve, martirizimin e tyre, të vërtetat tona, që i bëmë dhe të vërteta letrare, kjo kishte shumë rëndësi, sipas meje, që të pasuronim jetët tona me sa më shumë jetë të tjera, dhe me ato që ishin shuar apo ndërprerë, të marrnim dhe të japnim, kujtesë dhe ndjesira, gjak dhe frymë, kohë të kaluar për kohët e ardhme, metafora të dhimbjes, pra libra…

 Kishim mall për botë dhe shumë shqiptarë nuk pritën të vinte Bota tek ne, por ikën te ajo, nëpër Europë dhe Amerikë. SHBA mbetej ëndrra. I iknin së kaluarës dhe takonin të ardhmen. Ne jemi populli që kemi diasporën më të madhe, jemi më shumë jashtë se brenda ashtu siç dhe jemi vendi i vetëm që kufizohet gjithkund me trojet e veta. ndërkaq tani jemi dhe dy shtete shqiptare në Ballkan, që gjithsesi na përfuqizon si komb.   Diasporën e kemi të përbashkët, shëmbëlltyrë dhe unikale. Të kujtojmë atë shekulloren, e arbëresheve në Itali, më magjepsjen që mund të gjendet, që na ka dhënë poemat, themele të letërsë tonë; janë dhe arbneshët ilirikë në bregun Dalmat, arvanitasit aq shumë dramatike në Greqi, arnautët në Turqi, shqiptarët në Rumani, ku u shtypën librat naimjanë të Rilindjes tonë dhe që po rilind prapë, etj, deri dhe në Rusi, por dhe për këndej, në Egjipt, etj. Janë dhe diasporat më të reja në Gjermani, Francë, Belgjikë, Zvicër, në Vendet Nordike, në Spanjë, nëpër Mesdhe, lulëzojnë kudo, sidomos  përtej oqeanit, në kontinentin e ri, në Amerikë. Diaspora shqiptare në SHBA është dhe ajo e superfuqishme, me rëndësi dhe veprimtare, që valëvit pa frikë dhe krenare dy flamujt, atë me shqiponjën me dy krerë, ndër më të vjetrit në botë, të dheut amë dhe atë me 50 yje, të atdheut të dytë, superfuqisë botërore, kampion i lirisë dhe demokracisë, potent dhe në kulturë e arte, patjetër dhe në letërsi… Shqiptarët e Amerikës mbi një shekull kanë qenë të përkushtuar ndaj fatit të Shqipërisë, të pavarësisë së saj, të moscopëtimit më pas, pra të ekzistencës dhe vazhdojnë dhe sot, bashkohen, manifestojnë për çështjen kombëtare duke qene qytetarë aktivë amerikanë, lobojnë, arrijnë deri në Kongres, në Senat, te Presidentët dhe kërkojnë, ndikojnë në mbështetje dhe zgjidhje të çështjeve kardinale kombëtare, që nga denoncimi i dhunës diktatoriale, shpërdorimi i demokracisë, genocidi në Kosovë, etj e te mbarëvajtja ekonomike, por dhe kuturore. Si ikona kemi imazhin e Shenjtes tone Nënë Tereza, “Qytetare Nderi” në SHBA dhe të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për të cilin është thënë se pa atë, mbase edhe Amerika do të ishte ndryshe.                                                                                 

Po e kujt ishte këmba e shqiptarit të parë që zbriti në brigjet këtej oqeanit? Të parët zbarkuan arbëreshët e Italisë, një mërgim tjetër nga mërgimi. Ata sollën me vete gjuhën, veshjet e bukura, këngët, krenarinë. E dëshmon shkrimtari i shkëlqyer argjentinas-arbëresh, Ernesto Sabato, të cilit, kur erdhi të vizitonte Shqipërinë, unë i dhashë një grusht me dhé nga Arbëria e ëndërrt e tij. U mallëngjyem të dy… Shqiptari i parë që shkeli Amerikën lidhet me poezinë, që sikur donte ta parandillte mbrothtësish dhe këtej për bashkatdhetarët që do të vinin. Ai ishte poet dhe i burgosur, abati nga Mirdita, Preng Doçi. Erdhi këtu gati një shekull e gjysmë më parë, shkoi dhe në Kanada dhe u kthye sërisht nga erdhi siç ia donte shërbimi kishtar. Por ai që mbeti është Kolë Kristofori nga Korça, erdhi në 1886. Duhej një monografi për të, e shkroi dikush dikur, një i gjithseciltë, e ndjeu për detyrë, kujtesa është urdhër, dhe fatmirësisht ai botim u parapri nga parathënia e njërës prej penave më të shkëlqyera e më të rëndësishme të letrave shqipe, Fan Noli, dhe u përkthye dhe në anglisht si zanafillë e integrimit. Pra shqiptarët e parë në SHBA e kuptuan se do t’u duhej libri, po aq, në mos më shumë se ç‘ju deshën anijet me të cilat ravguan.                                 

“Biblioteka që ecën”, siç e quajti poeti francez Apolineri, do të shkëlqente në krye këtu Faik Konica, shkrimtari dhe esteti mahnitës, kritiku i Doktrinës së Rilindjes Kombëtare e bashkë me të Imzot Fan Noli, shekspirologu më i madh i kohës së tij, që do të themelonte “Vatrën” e shqiptarëve ashtu si kishën autoqefale. Dihet, janë në kronikën e lavdishme të diasporës tonë në SHBA. Gjithmonë kam ëndërruar një shtatore të Faik Konicës me Fan Nolin krah për krah. Ku? Atje ku ata bashkëpunuan mes kundërshtive a ku ka shqiptarë më shumë a mbase para ambasadës së Shqipërisë në Washington si ambasadorët me të mëdhenj të historisë dhe të kulturës shqiptare, intelektualë të nivelit botëror.

Shqiptarët, por sidomos ata të letrave, me SHBA-në i ka lidhur po aq shumë liria e mençur, gjenin këtej atë që u kishte munguar, për të cilën do të luftonin. Erdhën ata që vendi ynë, kur u çlirua nga bisha nazifashiste, por u pushtua nga fitimtarët komunistë, i kishte dënuar me vdekje, kundershtarë, lidera, burra shteti, por dhe njerëz të letrave ndërkohë. Me t’u vendosur diktatura komuniste, i ikën përndjekjes biri i Frashërllinjve të mëdhenj, kryetari i nacionalistëve, shkrimtari Mit’hat Frashëri, albanalogu universitar Stavro Skëndi, shkrimtari dhe filozofi, laureati i Sorbonës, Isuf Luzaj. Po kështu dhe personalitetete të tjerë të historisë si Kolë Bibë Mirakaj e Kadri Cakrani që shpëtuan mijëra herbrenj nga përndjekja, por nuk shpëtuan dot nga vëllezërit e tyre, familja kryeministrore e Dinajve të Dibrës, e ministrit, historian dhe antropolog Ago Agaj, etj.                                                     

Kujtova nga ata që u kam parë libra, memoaristikë. Por s’mund të rrija pa kujtuar dhe shkrimtarin tjetër prijëtar, Ernest Koliqi, që vizitoi SHBA-në dhe romani i tij “Shija e Bukës së Mbrume”, që u botua jashtë Shqipërisë, kur atje po kërkohej të dilte romani i parë i realizmit socialist, tregonte jetën në mërgim në Itali dhe SHBA. Në Shtetet e Bekuara, siç e quanin Amerikën mërgimtarët e hershëm, dolën artistë të mëdhenj shqiptarë si vëllezërit Belushi apo fotografi i imazhit artistik, miku i Pikasos, Gjon Mili. Dhe nga këtej u kthyen në atdhe motrat Qiriazi, që të hapnin shkolla për shqiptarët, por fitimtarët i trajtuan si mos më keq, përfunduan burgjeve dhe çmendinave, të braktisur… 

Një bashkëvuajtës yni, mik dhe poet, Pano Taçi, u burgos, edhe pse kishte qenë partizan, se donte të vinte në Amerikë, ku kishte gjyshin e tij të mërguar.                                                                                                                   

Me të dalë nga burgu i diktaturës një tjetër poet, studiuesi i shquar Arshi Pipa, u arratis për në SHBA me poezitë e burgut me vete, të shkruara në letra të holla cigaresh. Një dëshmi e rrallë e letërsisë në botë. Ja, që dhe shqiptarët dinë ta shpëtojnë librin. Pas burgut u arratis dhe Dr. Sami Repishti, që tashmë është “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës së bashku me poeten e njohur amerikane, Carrie Hooper, që e ka nxënë aq mirë gjuhën tonë.                                   

 Më vonë dhe shkrimtari çam, Bilal Xhaferri, me babanë të pushkatuar si kundërshtar, kur u arratis për këtej, mori me vete dorëshkrimin e romanit të tij për Skënderbeun.  Po sa e sa të rinj më pas, ah, u vranë pranë telava me gjëmba të kufirit, i zvarritën duke përgjakur borën në shpate malesh, i shëtitën kufomat e tyre mbi karroceri makinash nëpër fshatra e qytete për të tmerruar popullin.              

 Megjithatë dhe i riu Gjekë Marinaj ia doli të arratisej pa rënë diktatura. Shkak u bë poezia e tij e njohur tashmë, “Kuajt”. Siç dukej, mes tufës së tyre ishte dhe Pegasi i tij, që me flatrat mitike e mori dhe e solli në SHBA. Me nismën e tij u themelua shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, e mrekullueshme, do të thosha, si fakt dhe bëmë.                                                     

Dhe ju, President i saj i tanishëm, z. Adnan Mehmeti, keni botuar një libër, ku shpalosni veprimtari të Shoqatës që drejtoni dhe vepra. Është ditari i saj letrar.                                                                                                                    

Të shumtë janë librat tuaj. Mes shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë janë mjaft emra të njohur, letërsi avangardiste e letrave shqipe sot.                         

 Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkolla shqip për fëmijët, por dhe institute e katedra të shqipes, shoqata, teatër, etj, është gazeta mbi një shekullore “Dielli”, me e vjetra e të gjitha gazetave të të gjitha diasporave në SHBA, por është dhe “Illyria”, ka media lokale, revista e tv, tempuj të besimit, kisha katolike, ortodokse, noliane së pari, mesha shqip, xhami e teqe, etj, ka studio shqiptare siç ka dhe restorante, konsullata dhe ambasadë, stress të tyre, uragane dhe suksese, tubimet dhe mall, etj. Biblioteka e Kongresit Amerikan, unë e kam vizituar, ka libra nga letërsia shqipe më shumë se sa të vendeve të tjera të rajonit dhe është më e pasura nga të gjitha bibliotekat kudo në botë, pas atyre Kombëtare në Tiranë e në Prishtinë. Mbi të gjitha është instutucioni i gjallë i bisedave shqip.Këtu ka shpirt Shqipërie. 

Shqiptarët, si të diasporës së hershme, dhe asaj të re, erdhën dhe për një jetë më mirë, për standartin e lartë ekonomik, mirëqenien dhe jo vetëm. Dhe i gjen kudo, në të gjitha punët, në ndërtime e biznese, në gastronomi, në biblioteka, aeroporte, banka, në përkthime, edhe nga anglishtja në shqip dhe nga shqipja në anglisht, madje dhe të poezive, i gjen në art, pikturë, sporte, patjetër në “Zërin e Amerikës”, që flet dhe shqip, në ushtri dhe mbrojtje, në burg e çmendina, në drejtësi dhe mjeksësi, etj, në kinematografi deri dhe në Hollivud, në administratën e lartë shtetërore, deri dhe në Shtëpinë e Bardhë, në shkencë, deri dhe te çmimi Nobël. Shqiptarët i gjen dhe skulptura…Dhe fat që ka dhe shkrimtarë e shkrimtare, poete e poetë. Që shkruajnë shqip. Por dhe anglisht. Që kanë shoqatën e tyre, konstitucion i brendshëm shpirtëror. Që mund të kërkosh librarive amerikane dhe të gjesh dhe libra të shqiptarëve.  

Gjuha shqipe është pasuri botërore. Ajo është e vjetër dhe bën pjesë në 10-11 gjuhët më të rëndësishme, do t’u thosha të rinjve këtu, është rrënjë në gjuhët indo-europiane. Dhe ajo duhet ruajtur dhe të parët që duhet të përkujdesen për të me dashuri dhe zell, jemi ne, shqiptarët. Prindërit dhe mësuesit, që t’ua përcjellin dhe t’ua mësojnë brezave dhe shkrimtarët që ta kultivojnë duke vazhduar të ngrenë Katedralen e Gjuhës Shqipe, hijerendë dhe këtu. Letërsia shqipe ndërkaq është letërsi martire, ndoshta ndër më heroiket e letërsive, ajo u lëvrua dhe atëhere, kur gjuha shqipe ishte e vetmja e ndaluar në perandorinë otomane. Dha vepra të mëdha dha dhe nën perandorinë komuniste dhe pas rënies së saj, doli një letërsi tjetër, e shkruar fshehurazi burgjeve dhe internimeve, që solli ato realitete, që mungonin, por dhe të vërtetat e moralin, në fund të fundit solli vetveten dhe është pjesë e vyer e letrave të përbashkëta shqipe.                                                                                             

Ndërkohë ndodhi dhe e kundërta e bukur, një si kundëremigrim, aq shumë i duhur, u kthye në dheun amë letërsia e diasporës, që vazhdon dhe jemi bërë bashkë, letërsia në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, kudo në botë, më mirë se kurrë.

Më i voni, që vjen këtej oqeanit, jam dhe unë, natyrisht jo i fundit. i përkas atyre që dolën nga burgjet, nxora dhe unë poezitë mia, siç thashë, i ruaj ende ashtu siç i kam shkruar në ferr, në fletore me njolla dheu e gjaku. Ndoshta ia dhuroj ndonjë arkivi a muzeu.                                                                  

Kam gjetur këtu bashkëvuajtës të mi, shokë të burgjeve, që kanë botuar dhe libra, por dhe nga ata të burokracisë së persekutimit, që dhe ata kanë botuar libra. Të dy kahet mbartin përvojën e tyre, kujtimet, urrejtjet dhe nostalgjitë, por Amerika është e pa masë, e të gjitha lirive, e shëndetshme dhe na bën bashkë në mirëkuptim dhe paqe dhe shqiptarët këtu si të gjithë qytetarët amerikanë në e jetën sociale kanë dhe kundërshti mes tyre, festa të përbashkëta, paragjykime dhe përbashkime, shije dhe të drejtën e votës, si në atdheun që lanë dhe në atë që zgjodhën, ndërsa SHBA e do dhe mbështet njëlloj Shqipërinë, ndihma e saj mbetet jetike, e mbron si përherë dhe e shikon si aleatin e vet.                             

Shpesh e vogla merr vëmendjen më të madhe. Dhe e madhja na bën më realistë, më të natyrshëm. 

Kam ardhur bashkë me time shoqe këtu, ajo ka prindërit nënshtetas amerikanë, motrën dhe vëllanë dhe familjet e tyre dhe i pëlqen shumë puna këtej, që vlerësohet dhe të jep. Përkujdesi i saj ndaj meje është i bukur dhe prekës dhe unë dua t’ia kthej po ashtu. Na ka kapur prej duarsh engjëlli ynë, djali ynë, Atjoni, dhe shkojmë ku na prin ai, mundohemi të jemi ashtu siç do të donte ai të ishim. Jemi me atë. Më shumë se sa në tokë, në Qiell. Qielli është më njëlloj se sa trojet. Sa të madhërishëm janë qiejt e Amerikës!                                               

Erdhëm këtej pasi unë i kreva të gjitha detyrat e mia ndaj vendit, përkushtimet dhe misionin. U përpoqa të punoj me ndërshmëri, edhe me pasion, duke i dhënë rëndësi jo asaj çfarë më ndante me ata që fitonin qeverisjen, por çfarë na bashkonte, dashuria për atdheun dhe rimëkëmbja e tij. Unë që isha dënuar për poezi me burg, po botoja gati një libër në çdo vit, madje dhe libra të të tjerëve. Kam gëzuar dashurinë e lexuesve, edhe të atyre me të cilët kam punuar, të fqinjëve deri dhe të atyre që kanë drejtuar Shqipërinë. Më besuan deputetin, diplomatin, ministrin e kulturës. Gjithmonë jam ndjerë si njeri i letrave. Isha i dënuar me to. Ndërkaq, e them me dëshpërim, e kuptova se ne, ish të burgosurit në postdiktaturë, më shumë u duheshim se sa na donin. U duheshin vuajtjet tona, idealet, aleatët, atë që përfaqësonim, por jo ne. U jepja të drejtë atyre që iknin.                                                                     

Nuk e kam patur të lehtë, edhe më kanë sulmuar kur hovëzoheshin revanshet e së kaluarës, të atyre që lejuan oligarkët e rrezikshëm si shtet brenda shtetit, pra vetvetet. Goditjet mund të ishin dhe me zhurmë, p.sh. nga ndonjë televizon edhe modern, klan i ngritur mbi korrupsionet, megjithatë kombëtar, edhe nga sipër, nga ndonjë president i Republikës, që s’meriton t’ia them emrin, vinte nga ushtria e komunizmit dhe ashtu si kallashnikovi i tij dikur, nxirrte me breshërimë shpifje dhe përçarje. I durova dhe i tejkalova duke i mërmëritur vetes: po pse nuk po u ikën këtyre? Dua të them se në vendin tonë po përjetohet një demokraci e vështirë, e ashpër, nën diktaturën e varfërisë dhe tani nën rrethimin e pandemisë së Corona virusit, që ka pllakosur botën, kur ne ende s’jemi shëruar nga pandemia ideologjike e totalitarizmit si në romanin Orwellian. Pikërisht se fundmi, ja, institucionet përkatëse të kulturës në Shqipëri nuk na dhanë mbështetje për realizmin e një filmi artistik për revoltat e të burgosurve, të vetmet kryengritje politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, ku regjisori i atij filmi dhe skenaristi i tij do të ishin dy ish të burgosur politikë, ndoshta dhe një pjesë e aktorëve, që ishin pjesëmarrës në atë revoltë. Ne ende sulmohemi me filmat e dikurshëm, me librat e tyre, me qëndrimet dhe postet e tyre shtetërore. Natyrisht besoj që do të kalojë dhe kjo epidemi si luftrat dhe diktaturat, për t’u përballur me sfida të reja, që qofshin të gjitha nën emrin e së mirës! Vendi ynë ka njerëz të mrekullueshëm, një popull që di të qendrojë me dinjitet. Dhe me art.                                                                                                                

Kurse unë doja t’i ikja një makthi dhe erdha në SHBA si ai që kërkon t’i dorëzohet një ëndrre. Kemi me vete historinë tonë dhe tragjedinë tone. Më shumë se sa largësia, se sa qetësia dhe paqja këtu, më duhet një realitet tjetër, që nuk të plagos, as të mashtron. I pastër me të gjitha kuptimet. Biseda të tjera me miq po aq të mirë, si ata të gjithmontit. Erdhi dita që të më duhej më shumë vetvetja e mbetur, për ta mbrojtur dhe për të patur kohën dhe mundësinë sa më të plotë për të thënë atë që do të doja më në fund, jo se më kishte munguar liria, që e kisha siguruar vetë. I pasur jam dhe me humbjet e mia. Dhembjen time këtu më duket se e mbaj më mirë dhe ajo po ashtu. Ku nuk më njohin. Realiteti im i ri bashkon të tanishmen me më të bukurën, që na u ndërpre fatalisht, por, që me forcën e Krijuesit, mund ta përjetojmë dhe ta vazhdojmë ndryshe, pa vendet e dhimbjes pranë, nën dritën që na dërgon Biri ynë nga Qielli, që unë, nëse do të mund ta shkruaj, do të më duhej një shtëpi ndryshe, tjetër, edhe pse me qira si vetë jeta… Pra s’kam ikur. Atdheu është po ai. Thjeshtë jam futur te ëndrra. Më lejohet…

Me besë,                                                                                                              

 siç thoshin të parët tanë,                                                                                        

 dhe me dashuri,                                  

Visar Zhiti

Chicago,                                                                                            

Roselle, 22 nëntor 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: leter, Shoqates se Shkrimtareve, Visar Zhiti

HARMONI

November 24, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulush/Çdo rrethanë ka prirje të nxisë imagjinatën. Në vitet kur nuk ekzistonte asnjë lloj lirie dhe marrëdhëniet me vendet e tjera ishin plotësisht fiktive, jo-ekzistuese, ndërtesa më e madhe qeveritare ishte ajo e Ministrisë së Jashtme, për të cilën flitej nënzë se ishte përgatitur për ambasadë kineze, derisa një ditë marrëdhëniet u prenë. Harmonia e brendshme mungonte, megjithëse parullat thonin ndryshe. Në atë kohë Tirana ishte qytet tjetër; njerëzit ecnin si në procesion. Bulevardi i ngjante një sheshi parade Mardi Gras, ku kasapët lëshojnë kaun më të dhjamur nëpër rrugët e zbukuruara me kurora, ndërsa turma parakalon me muzikë dhe flamuj; ishte si betejë midis atyre që qëndronin dhe luftonin mbi një dërrasë midis dy anijeve, dhe ai që nuk binte në ujë ishte fituesi…, por jo gjithnjë.
Ka gjëra që janë përtej fuqisë sonë. Por brenda fuqisë janë mendimi, qëllimi, dëshira, neverija dhe çfarëdo çështje që është e jona. Përtej fuqisë sonë janë trupi, prona, reputacioni, pozita dhe të gjitha që nuk janë punët tona. Gjërat brenda fuqisë janë nga natyra të lira, të pakufizuara, të papenguara; por ato përtej fuqisë sonë janë të dobëta, të varura, të kufizuara, janë të huaja, nuk janë tonat. Mos harro, pra, se nëse ia atribuon lirinë gjërave nga natyra të varura dhe quan tënden atë që i përket tjetrit, do të pengohesh, do të ankohesh, do të shqetësohesh, do të gjesh gabime tek të gjithë, edhe tek Zoti, por kurrë tek vetja.
Njeriu nuk shqetësohet nga gjërat, por nga pikëpamja që ka për ‘to, thotë Epictetus (The Art of Living). Kështu, vdekja nuk është e frikëshme, përndryshe e tmerrshme do t’i ishte shfaqur Sokratit. Për ‘të vdekja ishte çast i lumtur. Por terrori i  idesë së vdekjes është i tmerrshëm.
Kur njerëzit janë të shqetësuar, ose të pikëlluar, për këtë nuk duhet t’ia hedhin kurrë fajin të tjerëve, por vetvetes – domethënë pikëpamjeve të veta. Është veprimi i një personi të lirë të papenguar të qortojë të tjerët për fatkeqësitë e tij, duke mos fyer as të tjerët dhe as veten, pa u gëzuar në asnjë përsosmëri që nuk është e tij. Nëse një kal thotë se është i bukur, lavdet e tij për veten edhe mund të durohen. Por kur ngazëllehesh e thua: “Unë kam një kal të bukur”, dije që je i gëzuar vetëm për meritat e kalit. Çfarë është atëherë e jotja, veç përdorimit të anës së jashtme tē ekzistencës. Kështu, kur njeriu është në harmoni me natyrën, do të kënaqet, sepse do të ndjehet i lumtur për ndonjë të mirë të vetes.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Harmoni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 219
  • 220
  • 221
  • 222
  • 223
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT