• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPATARAKU I MADH…

June 22, 2020 by dgreca

MËSUESI E GJUHËTARI PETËR ELEZI (1903 – 1979)/

Nga Kolec Traboini/

 Petër Elezi  ishte një nga mësuesit e gjuhës shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë, e vendosur kjo, aty ku kishte qenë më parë Liceu i vjetër Artistik e më pas Muzeu i Shkencave të Natyrës, në rrugën e Kavajës. Në vitin në vazhdim na e hoqën prej andej e na vendosën në Qytetin e Nxënësve, aty ku shumëkush e quante kazermat e Ali Rizait. Kjo e fundit ishte një ndërtesë e madhe me shtrirje lindje perëndim, me pamje nga jugu dhe nga pas kishte kodra të buta. Në vitin e parë të shkollës e kisha parë profesor Petër Elezin, një burrë i vjetër, i shkurtër e babaxhan, por nuk ishte mësues në klasën tonë, u jepte mësime viteve të dyta. Aty kishte nxënëse shkodrane, Esma Musaja, që këndonte bukur këngën “Bishtalecat palë e palë”. Esmaja dhe unë ishim të vetmit nxënës nga Shkodra në atë shkollë.  Për atë nxënëse, profesori i vjetër, që ishte i martuar por nuk kishte fëmijë, kishte konsideratë të veçantë, sa qarkullonin fjalë se Esmanë  shkodrane që këndonte bukur mësuesi dëshironte ta adaptonte si fëmijën e vet, gjë që nuk ndodhi. Më pas një kërkesë të tillë ia kishte bërë edhe nxënësen së klasës sonë Zenepe Çekrezi-Luka, siç shkruan gazetarja e njohur në librin e vet me kujtime “Kjo është jeta ime”. Në vitin e dytë, kur shkolla kaloi në në Qytetin e Nxënësve, rasti e solli  që mësues Pjetri të më jepte disa orë mësimi në lëndën e gjuhës. E kishte zakon që kur bënte apelin i vështronte nxënësit me kujdes, kështu ndodhi dhe me mua. Atij ju duk i çuditshëm mbiemri im, ndaj ndaloi e mu drejtua duke më thënë se ti qenke nga Hoti i Dedë Gjon Lulit. Unë natyrisht u ndjeva mirë e i thashë se atje ka lindur babai im që ka qenë mësues. I bëri përshtypje mesa duket ky fakt dhe që atëherë më fliste  me respekt,  por edhe me një buzëqeshje të çiltër që ishte karakteristike e tij. “Traboin”, më thoshte, “nuk janë topat e Ulqinit po janë djemtë e Traboinit”. Në të vërtetë ishte një mësues i rreptë sa i përket përgatitjes dhe kërkesave mësimore. Nuk ta falte notën. Por as nuk ta hante hakun kurrë. Gjithsesi në sytë e nxënësve ishte i rëndësishëm edhe për faktin se gramatika na dukej e vështirë, kësisoj edhe vetë lënda i jepte autoritet në mes të nxënësve. Fliste pak por me fjalë të goditura. Këshilli Pedagogjik i kishte caktuar të drejtonte këndin letrar të shkollës,  që ishte vendosur në katin e parë, sapo të hyje në krahun e djathtë. Duke parë kujdesin që tregoja për bukurshkrimin, më tha se po më caktonte një detyrë të rëndësishme dhe si nga Traboini që je,  edhe djalë mësuesi, do ta kryesh më së miri. Kësisoj me profesor Petrin u lidha diçka më shumë se me mësuesit e tjerë. Herë pas here do të shkruaja përshkrime a hartime për ti vendosur tek këndi sepse edhe hartimet që bëja i kishin pëlqyer shumë. Ty të kemi shkrimtarin e shkollës më thoshte me humor dhe qeshte butësisht e mirësisht. Në të vërtetë ishte një punë jo e lehtë të bëje një shkrim që ta lexonte gjithë shkolla, por nuk kisha çfarë të bëja. Më thërriste gjithmonë me mbiemër, e asnjëherë me emër. Kjo më pëlqente e me jepte një lloj krenarie për prejardhjen. Isha 16-17 vjeçar, në një moshë ku njeriu dëshiron ta vlerësojnë. Vinte vjeshta e profesori më thoshte Traboin, për tre ditë dua përshkrimin e vjeshtës. Pastaj viti i ri, pastaj 4 shkurti, pastaj dita e pranverës, pastaj 5 Maji e si të thuash unë ushtrohesha kësisoj nga ana letrare. Shkrimet i lexonte me vëmendje, mi korrigjonte nga ana gjuhësore, por edhe letrare e me thoshte shkruaja tani në të pastër e vendose. Por kur shkoja ta vendosja vinte edhe vetë. Kishte një përkujdesje të çuditshme dhe të gjitha gjërave u jepte seriozitet. Aq sa mua më dukej diçka solemne vendosja e një përshkrimi në tabelën e këndit letrar. Mbaj mend se kishim edhe mësues të tjerë që sot i kujtoj me shumë mirënjohje si Vangjeli Comora, për të cilën kam shkruar një kujtim, Sul Haxhihyseni, Kamber Xheria, drejtori Gani Daiu, Jolanda Xhomo, Hajro Babameto, Liri Bellova, Islam Sharofi, Ramazan Driza mësues i fiskulturës dhe mësuesen e vjetër të punës së dorës Liri Dodbiba. Gjithsesi Petër Elezi ishte mësuesi që na dukej më i veçanti si të ishte një iluminist rilindas, ndoshta ndikonte edhe fakti që veç moshës, kishte urtësinë. Mësonim me librat e gjuhës që kishin emrin e tij si autor dhe na thoshte se ishte nga Shelcani i Shpatit të Elbasanit. Më vonë do të mësoja se në Kishën Shën Kollit të Shelcanit ende ishin disa nga punimet e mjeshtrit të shquar të ikonografisë shqiptare Onufri, punuar aty rreth vitit 1554. Nga shkolla pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” e Tiranës, në vitin e tretë do të kaloja në shkollën Pedagogjike të Shkodrës. Kështu që nuk do ta shihja më mësuesin Petër Elezi veç kur të kishin kaluar mjaft vite. Pasi kisha kryer studimet në Universitet dhe nisur punë në Kinostudio jam takuar me një ish bashkënxënës të shkollës pedagogjike në Tiranë, Muhamet Muçën. Ai kishte mbaruar shkollën e lartë për aktor dhe e merrnin herë pas here për të lozur në filmat e Kinostudios. Muhameti me tha një ditë se Profesor Petër Elezi është i sëmurë. E pyeta se ku e kishte shtëpinë e me tregoi rrugicën përballë ish Lidhjes së Shkrimtarëve, ajo që sot e quajnë rruga e çamëve. Duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1979. Një ditë u bëra për mbarë dhe e kërkova banesën duke pyetur banoret e asaj rruge. Me së fundi e gjeta. Më doli në portë një grua e vjetër, e gjatë që sapo i thashë se isha një nxënës i kahershëm i profesor Petrit, më ftoi brenda. Dhomat ishin të vogla, shtëpi tipike tiranase, madje gjithë ajo rrugë kishte shtëpi me qerpiç. Profesori ishte në shtrat, i përgjumur, por sapo hymë brenda i tha të shoqes ta ngrinte pak. E shoqja, i vuri një jastëk dhe ai u ngrit paksa. I dhashë të njohur se kishin kaluar rreth 15 vite  e unë nuk isha më ai nxënësi pedagogjikas. Por sapo i thashë emrin u kujtua. Ju kujtua mbiemri im që kishte të bënte me një vend historik.U gëzua kur mori vesh se kisha kryer universitetin për gazetari, se kisha botuar libër me tregime dhe punoja në Kinostudio.

Kur mbarova vizitën, mbaj mend që i tha të shoqes, Harikla, ma sill atë bllokun. Ajo solli një tefter shënimesh ku kishte emra dhe data. Shënoi dhe emrin tim. Këtu tha, kam të gjithë emrat e nxënësve të mi që më kanë vizituar në këtë sëmundje që më vuri në shtrat. Dua ti ruaj në kujtesë të gjitha ata nxënës që nuk më kanë harruar Nuk kaloi shumë kohë dhe një dite ndërsa po shkoja të punoja tek ndërtesa me kontribut vullnetar që po ngrinte Kinostudio, e që ishte ngjitur me rrugën e shtëpisë se mësuesit, me tërhoqi vemëndjen një shpallje mortore. Ju afrova e dallova emrin e mësuesit tim. Në të thoshte se si mbas dëshirës që kishte pas Petër Elezi, varrimi i bëhet në vendlindje, në Shpat të Elbasanit. Por kur pash datën e kuptova se vdekja kishte ditë që kishte ndodhur. Nuk më mbetej veç të shkoja për ngushëllim tek e shoqja që kishte mbetur vetëm. Atje takova edhe një nip të mësuesit tim, i cili ishte përkujdesur për të deri në fund. Nëpër vite nuk kam arritur të gjej gjëkundi materiale të shkruara për mësues Petër Elezin. Vetëm së fundi më ra ne dore libri “Mësuesit për kombin shqiptar” botim i vitit 1993, ku gjeta të cituar në faqe 392 dhe 411. Në libër sillej një dëshmi e mësuesit Kamber Xherija: “Në korrik të vitit 1940, pushtuesit fashistë mblodhën në Durres, në kampin “DUX”, rreth 800 arsimtarë – që ata i quanin “indocenti albanezi”- me qëllim që ti bajshin për vete dhe kështu të futshin italishten në shkollat tona. Kjo gja dëshmohet ma se miri  dhe me përgatitjen e regjistrave të fillores në këtë gjuhë. Ishte Petër Elezi ai që, së bashku me disa shokë të tjerë, si Xhevdet Doda (dëshmor), Halit Ballshi, Sulë Haxhihyseni etj, u vunë në krye të kësaj lëvizje patriotike dhe me guxim të madh u ngrit kundër këtyre veprimeve djallëzore shkombëtarizuese, me të cilët u bashkuan qindra të tjerë e shprehnin haptas urrejtjen e tyre”( nga gazeta “Patrioti”, mars 1993 nr.7). Por kohët e fundit kam gjetur edhe dy shkrime të tjera, njëri është në faqen elektronike “Elbasani Arkivi Digital” ku ka një jetëshkrim të shkurtër të mësuesit të Popullit Petër Elezi si dhe një shkrim tjetër tek faqja elektronike e shoqatës kulturore “Shpati”, kujtimet e ish nxënësit të tij Filip Bërdufi për mësuesin Petër Elezi. Një shkrim i plotë ky me referenca që paraqet, pasqyron thuajse tërë veprimtarinë nëpër vite të mësuesit të njohur kudo në trojet shqiptare. Në një pasazh lexojmë vlerësimin që i bën Mësuesit të Popullit Petër Elezi, si themelues i gjimnazit  shqiptar të Pejës, shkruar nga Rexhep Dodushaj në librin e tij “Si e gjeta dhe si e lash shkollën shqipe në prefekturën e Pejës”:“…Prej shtatorit të vitit 1941, gjimnazi i Pejës u shëndrrua në gjimnaz shqiptar me në krye Petër Shpatarakun, i cili pasi ngriti shkollat e Vardarit erdhi në liceun e Pejës të cilin e shëndrroi në lice shqiptar nën shëmbullin e liceut të Korçës…” Po aty lexojmë se krahas punës në shkollë, mësuesi Petër Elezi nuk reshti së punuari me studime të ndryshme. Përveç atyre gjuhësore që janë me dhjetra, ai botoi edhe vështrime historike dhe analiza letrare si  “Josif Bageri” ,”Shkolla Shqiptare”, botuar në Konstancë 1943, si dhe “Vepra e Bajram Currit ndër vjersha të J. Bagerit”, botuar gjithashtu në Konstancë 1943. Mësuesi Petër Elezi bën një analizë dhe jep opinionin e tij për një revistë  të re letrare, ngritur nga Mitrush Kuteli, Sterjo Spasse, Nexhat Hakiu dhe Vedat Kokona me titullin “Një revistë e re: Revista letrare”,  Petër Elezi “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 11 shkurt 1944. Gjeografia e vendeve ku Peter Elezi ka dhënë mësim është mbresëlënëse, e nisi mësuesinë në vitin 1924 në Shtërmen të krahinës së vet, ku qëndroi vetëm disa muaj sepse Ministria e Arsimit e caktoi në shkollën internat të Bërzeshtës, më pas në Përmet, në Kastriot të Peshkopisë , në 1928 transferohet në Delvinë, në vazhdim në Mat, në Tiranë, në shtator 1935 emërohet drejtor i shkollës së Himarës, me pas në Vlorë, në 1939-1941 drejtor shkolle në Tiranë. Në 1941-1944 bashkë me qindra mësues shqiptare shkoi të shërbejë mësues në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë. Me vendosjen e rregjimit komunist në kuadrin e reprezaljeve kundër intelektualeve atdhetare, Petër Elezi arrestohet më 8 qershor 1945 dhe dënohet me 20 vjet burg, shkruan në blogun e tij Filip Bërdufi, por pas 7 muajve lirohet nga burgu. E fillon mësuesinë vetëm pas dy vjetësh në Vlorë e në vazhdimësi në Tiranë. Me të drejtë në një shënim të faqes elektronike të shoqatës “Shpati” thuhet se emri i shkollës së Shelcanit është ndërruar duke i hequr një emër luftëtari e duke venë serish po një tjetër luftëtar, sikur shkollat tona të ishin akademi ushtarake e nuk vihet emri i mësuesit të shquar e atdhetarit të madh Petër Elezi. Po kjo figurë madhore me kontribute në mësuesinë shqiptare e hartimin e teksteve mësimore të gjuhësisë në dekada, meriton edhe më shumë. Ajo do të nderonte çdo rrugë shesh apo shkolle të Shqipërisë. Kemi shumë militarizime në emërtimet e shkollave duke i lënë fare pak vend mendjeve të ndritura iluminuese si ajo e Mësuesit të Popullit Petër Elezi.

Drejtori Gani Daiu me trupën Pedagogjike të shkollës  “N.N. Gjoka” Tiranë.
Mësuesi i Popullit Petër Elezi me të shoqen Harikla.
Prof.Petër Elezi me nxënës shpatarakë në shkollën pedagogjike “N.N.Gjoka” Tiranë….




Filed Under: ESSE Tagged With: Kolec Traboini, Peter Elezi, SHPATARAKU I MADH

Një Encoklopedi Shqiptare!….

June 22, 2020 by dgreca

Iku…. për të mbetur gjithnjë!/

Moikom ZEQO –Një Encoklopedi Shqiptare!/

Requem nga Raimonda MOISIU*/

Me ikjen në amëshim të  Moikom Zeqos, kombi, bota e artit dhe kulturës shqiptare, letrat shqipe dhe publicistika humbën shpirtin e madh, mendimtarin e shquar, bardin dhe thesarin e cmuar  kombëtar e historik, një nga personalitet më të rëndësishme të shoqërisë, letrave shqipe dhe botës shqiptare. Modest, unik dhe konfident, i mëncur dhe fisnik i mrekullueshëm në formë e funksion, erudicioni i tij si shkrimtar dhe intelektual ka hedhur dritë në shumë aspekte të jetës social-ekonomike e politike të vendit. Urtësia e Moikomit frymëzoi mbarë kombin shqiptar, gjeneratat me “dritë-urinë” e pashëmbullt,- sikundër u shpreh biri i tij, Epidamn Zeqo. Ndjej emocion të vecantë teksa hedh këto rradhë në këtë esse, për këtë autor, poet shkrimtar, mësonjës, politikan dhe aktivist legjendar që preku afër e larg jetën e shumë njerëzve të shtresave të ndryshme, midis të mundshmes e të paparashikueshmes. Jo se Moikomi  sa ishte gjallë kërkoi famën, por ai e arriti atë para kohe me veprat e tij, unike, njerëzore, kreative dhe historike me ndjeshmërinë mahnitëse të  një rrëfimtari tërrifik dhe  trashëgimisë së tij të jashtëzakonëshme të lënë pas. Ndikimi i veprave të tij në disa aspekte krijuese hodhën  dritën e fuqishme në letrat shqipe, ndërgjegjësimin e artit bashkëkohor, kulturës shqiptare dhe njerëzimit progresiv, integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike, publicistikës dhe letërsisë dokumentare, ndikimin i këtyre veprave në shoqëri, art,  kulturë dhe historinë e një kombi.

Drita e trashëgimsë qëai  lë pas, vazhdojnë përjetësisht. Në veprat e tij Moikomi jo vetëm pasqyroi dhe rrëfeu jetën dhe realitetin me të mirat e të metat e një shoqërie, duke i dhënë frymë dhe mëncuri formësimit të saj e marrëdhënieve njërëzore, por ai i dha jetë e frymë ndryshimit dhe të konceptuarit të shoqërisë në jetën dhe situatat sociale-poltike -ekonomike dhe historike, ndaj të tashmes së paqëndrueshme, të ardhmes që cfaqet në horizontin e largët dhe të kaluarës në perëndimin e largët. Veprat e Moikomit i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare në disa epoka; asaj të historisë moderne shqiptare, letërsisë së realizmit socialist, letërsisë post-komuniste dhe letërsisë bashkëkohore në mbarë botën shqiptare. Gjatë karrierës së tij të përkohëshme, Moikomi ishte vazhdimisht një moralist pasionant, shpesh aq i vështirë për veten e tij, ambicioz e sfidant për të kaluarën e të tashmen, që për hir të gjeneratave që vijnë, përmbushi rolin dhe përkushtimin e tij në respekt të parimeve dhe vlerave të një kombi.  Moikomi si askush tjetër,  besonte  në ndryshimin dhe progresin duke dhënë nga forca e  inteligjencës, modestisë dhe qytetarisë së tij, që  e karakterizonte, duke dhënë nga forca e talentit dhe mëndjes së shëndoshë e krahëve të fortë. Veprat e Moikomit komunikojnë mesazhe të thjeshta e komplekse që “flasin” gjuhën e cdo moshe e gjenerate,  mendimet dhe idetë e këtij  “Poeti Vizionar, Shënjuesi dhe Themeluesi i Poezisë dhe Prozës Moderne Shqiptare! Njeriu, Patrioti, Poeti, Mendimtari dhe Shpirti i Madh Shqiptar!”, -sikundër shprehet  shkrimtari, dramaturgu, poeti dhe përkthyesi brilant i lirikës ruse, Prof. Vangjush Ziko, në ngushëllimin e tij për ikjen parakohe të Moikomit tonë. Moikomi ishte optimist, besonte në ndryshimin  dhe progresin e së prekshmes dhe rilindjes  së një  shoqërisë, besonte shndërrimin e realitetit në një realitet të interpretuar përmes veprës, teorive, artit të të shkruarit dhe ideve të tij, që ndryshojnë zemrën e identitetit të një kombit. Veprat e Moikomit në gjini të ndryshme, pasqyrojnë epokat në të cilat ato janë shkruar dhe eksplorojnë tensionet dhe përpjekjet midis individit në raport me shumicën. Moikom Zeqo është “gjeniu” që bëri revolucion në poezinë dhe prozën modern realiste shqiptare, shkrimtari që trashëgoi artin folklorik të të shkruarit, dhe që do të kujtohet gjithmonë; investitori impulsiv i mëncurisë dhe mendimit, filozofi dhe njeriu i shquar i letrave shqipe, që bëri historinë e enticitetit e artit, kulturës e dijes shqiptare,-; Simboli i Epokës “Moikom”,

Moikomi iku …për të mbetur gjithnjëpjesë e rëndësishme e jetës dhe botës sonë, për të mbetur përherë – Një Enciklopedi Shqiptare.

Raimonda MOISIU

*Author/ Freelancer

Qershor, 2020,

Florida USA 

Filed Under: ESSE Tagged With: nje enciklopedi, Raimonda Moisiu

NJERIU

June 21, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Jeta është koha që jetohet, është mrekulli. Çdo ditë e re një sfidë. Dhe njeriu kujtohet se jeta ka vlerë, sepse ajo është e kufizuar. Koha fluturon, por edhe mund të humbasë, kur nuk përjetohet, ose kur administrohet sipas regullave të vendosur nga një tjetër. Që ta kuptosh duhet, me guxim e bindje, për ndjekur udhën tënde.Në shumë raste njeriu ndjen se nuk bën jetën që do, ose jetën e qëllimshme. Njeriu është si pjesë e programit të një sistemi kontrolli, i cili i dikton atij se çfarë duhet të bëjë me kohën e dhuruar nga natyra për të jetuar me talentin e vet, duke i thënë se ku të jetojë, si të jetojë, dhe çfarë mund të arrijë.Dhe njeriut i mbeten dy alternativa – të vazhdojë sipas programit ose të shkëputet nga priza e sistemit dhe fillojë të jetojmë sipas qëllimit a bindjeve të veta, në kushte e në kohën e vet, të shkelë në shteg të ri të pa hapur, ku mund të lërë gjurmë, larg nga udha e zakonëshme.Natyra kërkon të thotë diçka, me gjithë këto ndryshime që po ndodhin gjatë kohës sonë; se njeriu nuk ka nevojë për shumë gjëra për t’u ndjerë i lumtur. Me një iPhone a kompjuter, sot mund të shëtisë botën, por prap ai vazhdon me lakmi të grumbullojë sende, të blejë toka, shtëpi gjigante e rroba, shumicën e të cilave as që e di se i ka diku hedhur në ndonjë sirtar a qoshe.Shumica e njerëzve, në një vend relativisht të lirë, janë aq të zënë me kujdesin për fakte dhe punë të tepërta, sa harron të mbledhë e shijojë frutat që ofron jeta. Gishtat e tij nga mundimi i tepërt janë shumë të ngathët dhe dridhen. Në fakt, njeriu nuk ka kohë të lirë për të qenë as vetja. Ai nuk mund të mbajë marrëdhënie të sinqerta me të tjerët; puna e tij zhvlerësohet; por ka kohë për të qenë robot; s’është në gjendje të kujtojë se është injorant – gjë që kërkon rritja e tij – nuk ka kohë të përdorë njohuritë e veta. Cilësitë më të mira të natyrës njerëzore janë si frytet e një peme që mund të rriten vetëm nga trajtimi me kujdes. Megjithatë, njeriu me pushtet zakonisht e trajton tjetrin pamëshirë, padinjitet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, njeriu

WILLIAM N. JOHNS-ENERGJIA MOTORIKE E KOMUNITETIT NË WORCESTER, MA

June 18, 2020 by dgreca


William N. Johns (January 10, 1932 – June 11, 2020)/

(Potret biografi për veprimtarin Willaim Nick Johns (Vasil Koli Kamenica)/

(Ribotohet me rastin e largimit nga jeta me 11 Qershor 2020)/

Nga Thanas L.Gjika/

Në kohën kur në Boston vepronte At Fan Noli, koka drejtuese e shqiptarizmit, komunitetit shqiptaro-amerikan të qytetit Worcester MA iu dha epiteti “zemra e atdhetarizmit në Massachussets”. Këtë cilësim ky komunitet e pati fituar dhe e mban ende në saje të punës së palodhur të disa breza veprimtarësh të përkushtuar, midis të cilëve janë shquar dhe vijojnë të shquhen edhe pjesëtarët e familjes Johns (Kamenica).

Disa të dhëna për historikun e familjes Johns (Kamenica)

Në fillim të shekullit XX-të nga lagjeja e sipërme e fshatit Kamenicë, u shpërngul Jovani (1868 – 1905) me nusen e tij Thomaidha dhe u vendos në qytetin e Korçës. Në fshat qëndruan prindërit që vijuan të punonin tokat e të mbanin gjënë e gjallë rreth shtëpisë. Me ta ndënji dhe djali i vogël, Thimi (1888 – 1949). Çifti i ri bleu në Korçë një shtëpi të vogël pranë çezmës së njohur me emrin “Çezma e Papa Llambro Ballamait” që ndodhej në faqen e kodrës së Shën Thanasit. Shumë shpejt banorët e qytetit filluan ta quanin atë “Familja Kamenica”, me që kishte ardhur prej atij fshati. Në Korçë familja e re u shtua me dy djem: me Kolin (Nikolla 1902 – 1971) dhe Pandin (1904 – 1973).

Në vitin 1904 qeveria turke e forcoi luftën kundër familjeve shqiptare të krishtere, kështu largimi për në kurbetin e ri të Amerikës mori hov. Nga qyteti i Korçës dhe fshatrat për rreth, si dhe nga fshatrat e Kolonjës ikën shumë të rinj. Midis tyre ishin dhe mësuesi Petro Nini Luarasi me disa kolonjarë dhe Jovan Kamenica me disa të rinj korçarë. Ky e la djalin e dytë disa muajsh. Petro N. Luarasi e kolonjarët u vendosën në Clinton MA, ku u bashkuan me kolonjarë të tjerë dhe filluan të merreshin me ndërtim shtëpish, sepse dinin zanatin e muratorit. Kurse Jovani u vendos në Manchester NH, ku filloi të punonte nëpër kuzhina si pjatalarës. Mirëpo gjatë dimrit 1904-1905 Jovani u sëmur e vdiq sapo mbushi një vit në mërgim, duke i lënë në gjendje të vështirë nënën, gruan dhe dy djemtë. Disa vjet më vonë, Thimi pasi u martua, mori rrugën e mërgimit me gjithë gruan e tij. Ky çift u vendos në Worcester MA, por nuk lindi fëmijë, madje shumë shpejt nusja e re vdiq dhe Thimi u dorëzua prift. Në këtë detyrë At Thimi Theodhos fitoi popullaritet dhe ariti të emërohej Archimandrid. Për shërbimin e tij të gjatë e të devotshëm, portretin e tij të madh (pikturë me ngjyra) e kanë vendosur në sallën e aktiviteteve të kishës Shqiptare Orthodokse “Fjetja e Shën Mërisë” (Albanian – American Orthodox Church “St. Mary’s Assumption”).

Më 1920, pasi Koli mbushi 18 vjetët, u ftua prej xhaxhait të tij, Thimit. Ai e nxori pasaportën dhe emigroi në Worcester MA. Këtu filloi të punonte pjatalarës në një restorant. Pas pesë vjetësh ai me kursimet që kishte mbledhur u kthye në atdhe me synim që të bënte një shtëpi të re dhe të martohej. Shtëpia që kishte blerë babai ishte e vjetër dhe e vogël. Në rrugën që të shpinte drejt kishës Shën Ilia, po bëheshin shtëpi të reja. Aty e bleu tokën dhe ndërtoi shtëpinë e tij Koli Kamenica. Ngjitur me të bëri shtëpi të re dhe vëllai i tij Pandi, i cili gjithë jetën punoi si furxhi dhe nuk shkoi në kurbet.

Për të gjetur nuse, nuk ishte e vështirë, sepse çdo vajzë korçare pranonte të martohej me një djalosh që kishte punuar në Amerikë dhe që do të kthehej përsëri atje. Koli zgjodhi vajzën simpatike Olimbi (1902 – 1999) nga Floqi, një fshat i madh pranë Kamenicës. Me familjen e saj, prindërit e Kolit kishin njohje të hershme. Dasma u bë në vitin 1925. Disa muaj më vonë dhëndëri u nis përsëri për Amerikë, ku pas disa muajsh mori lajmin e gëzuar se i lindi djali i parë, Kristaqi (1925 – 2015). Pas gjashtë vjetësh Koli u kthye përsëri në Korçë, ku jetoi gati dy vjet. Më 10 janar 1932 u lind djali i dytë, Vasili. Në pranverë Koli e mori për të tretën herë i vetëm rrugën e kurbetit. Në Worcester MA ai bleu shumë shpejt një restorant ku punonte gjithë ditën deri në darkë vonë. Në pranverë të vitit 1937, nëna Olimbi me dy djemtë, Kristaqin 12-vjeçar dhe Vasilin 5-vjeçar, e shoqëruar prej vjehrrës Thomaidhë, u nis me karvanet që largoheshin nga Korça për në Vlorë. Prej këtu me vapor grupi kaloi në Bari. Nga Bari me tren shkoi në Napoli, ku hipi në vaporin REX dhe mbriti në New York ku i priti Koli. Bashkimi me familjen ishte gëzimi më i madh i Koli Kamenicës, mbas martesës e lindjes së dy djemve të parë. Nëna Thomaidhë mbas një viti u kthye në atdhe, ku u pleqërua me djalin e madh, Pandin. Zoti e bekoi familjen e Kolit më 1942 edhe me lindjen e një djali tjerër, të tretit. Sipas traditës, administrata amerikane e asaj kohe qytetarët që vinin nga jashtë dhe ata që lindnin këtu, i regjistronte me emra të variantit anglez. Kolin e kishte regjistruar më 1925 me emrin Nick, Kristaqin e regjistroi me emrin Christy, Vasilin me emrin William (shkurt Bill). Mbiemri Kamenica u la mënjanë, në vend të këtij mbiemri u vu emri i gjyshit Jovan në formën angleze: Johns. Kurse djali i tretë, që lindi në SHBA më 1942, u quajt vetëm me emrin amerikan Andrew. Ky u rrit e u martua më 1961 me zonjushen amerikane Sandra Asad, por nuk lindi e nuk adaptoi fëmijë.

Mbas ardhjes së familjes, Koli nuk ndjente më lodhje, pa le që djali i madh filloi ta ndihmonte në restorant shumë shpejt si pjatalarës. Shëmbllin e tij, pas disa vjetësh e ndoqi dhe djali i vogël. Këta dy vëllezër shkonin dhe në shkollë. Shkollën e mesme (High School) e ndoqën së bashku në vitet 1947 – 1951. Mbasi kryen dhe shërbimin ushtarak, ata filluan të merren me punë private. Billi edhe pse ishte më i vogli, mori inisiativën të hapte më 1955 birrarinë e tij të parë me 60 karrige në Front Street. Me të punoi dhe Christy që atëhere e gjatë gjithë jetës. Pasi e rriti biznesin e këtij dyqani, pronari e shiti, më tej ai bleu një tjetër birrari, të cilën po ashtu, pasi ia rriti vlerën e biznesit, e shiti. Duke ecur me sukses në këtë lloj biznesi, duke blerë, forcuar e shitur birraritë, ai arriti të bëhej një nga biznesmenët shqiptaro-amerikanë më të suksesshëm të Worcester MA. Më 1970 ai bleu në Chandler Street dyqanin e madh “Liquor” për shitje pijesh të ndryshme me shishe e arka. Së fundi ai hapi një restorant e birrari me emrin “Coast Caffee” në Mill Street, anës liqenit me 100 karrige. Këtu ai mori në punë dhe shumë nga ne shqiptarët e rinj, përgatiti në rrugë praktike dhe kuzhinierë si Klodi etj.

Si biznesmen i suksesshëm Bill Johns ishte në Worcester MA një koleg i denjë i biznesmenit të madh të Bostonit, zotit Antony Athanas. Në vitin 2003, në këtë restorant ai e mbylli aktivitetin e biznesit të tij, pas gati 50 vjet pune të pavarur, pa llogaritur vitet e rinisë kur shërbeu pranë restorantit të babait, ku mësoi përmes punës praktike zanatin e kuzhinierit. Më 2003, në moshën 71 vjeçare ai u pensionua, por natyrisht nuk qëndroi në shtëpi si shumë pensionistë të tjerë. Edhe sot, si do ta shohim më tej, ai vijon të interesohet e të ndihmojë për mbarëvajtjen e kishës shqiptare, për Festivalet shqiptare, për Illyrian Gardens, etj.

VEPRIMTARI SHOQEROR

Ajo që na bën ta quajmë zotin Bill Johns një energji motorike për komunitetin është pikërisht veprimtaria e tij shoqërore në të mirë të komunitetit. Familja e tij, ashtu si familja Steffon e disa të tjera janë shtylla herkuliane (Herculian pillars) për mbajtjen në këmbë të veprimtarive shoqërore e fetare të komunitetit tonë.

Dashuria dhe devocioni për të ndihmuar kishën kanë qenë karakteristikë dalluese e familjes Kamenica, që në vitet 1930-të. Babai i tij bashkë me At Thimin, në vitin 1943 blenë në Oxford MA një pronë me 13 hektarë tokë dhe një godinë të madhe me 12 dhoma, të cilën e kthyen në Manastir të Kishës Shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”. Aty shqiptaro-amerikanët shkonin me pushime, bënin piknike dhe ceremoni të ndryshme. Ato të ardhura i kalonin kishës si ndihmë. Në vitin 1960 kjo pronë u ble prej shtetit sepse aty u krijua një rezervuar i madh uji, si liqen artificial.

Në vitin 1979 shqiptaro-amerikanët e Worcester MA vendosën të ndërtonin një kishë të re, mbasi kisha e parë e blerë më 1915 ishte vogël. Në këtë nismë shpërthyen dhe aftësitë organizative të Bill Johns-it, i cili u zgjodh “Chairman of the Land” dhe “Chairman of the bilding” si për ndërtimin e kishës dhe të godinës së pensionistëve “Illyrian Gardens”. Me përpjekjet e tij e të shokëve të tij u sigurua jo vetëm shuma e pareve, por edhe leja për blerjen e tokës dhe ndërtimin e saj në një lagje të qetë jo larg qendrës. Kështu filloi puna per ndërtimin e godinës së kishës. Me muaj e vite të tërë djemtë e rinj, anëtarë të shoqërisë “Djemtë e Shën Marisë”, punuan vullnetarisht krahas ustallarëve dhe e ngritën karabinanë, e suvatuan, i shtruan dyshemetë e të dy kateve, vendosën dyer e dritare, sistemuan shkallet, etj, etj. Në vidiot e regjistruara të këtyre proceseve prej Vangjo Naumit kemi parë z. Bill në krye të punëve që në hapjen e themeleve. Kisha mbaroi së ndërtuari më 1982, kurse godina për pensionistë Illyrian Gardens u përfundua më 1991. Për punën e përkushtuar që kreu z. Wlliam Johns nga fillimi deri në mbarim të këtyre dy objekteve të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për qytetin e Worcester-it, shoqëria “Christian and Jewish” i dha atij një Award (çertifikatë nderi) me shkrim e foto të vendosur në kornizë, vlerësim të cilin nuk e ka marrë asnjë shqiptar tjetër në qytetin tonë.

Kur erdhëm ne mërgimtarët e rinj pas vitit 1991 e gjetëm këtë kishë të kompletuar me të gjitha anekset e saj. Zoti Johns me Komitetin e kishës organizuan mbledhjen e pareve të tjera për të mbushur muret e kishës me piktura dhe për të bërë disa shtesa plotësuese si anash dhe përpara godinës. godinës. U lidh kontrata me piktorin e talentuar Dhimitër Çika dhe shumë shpejt kjo kishë arriti të zerë vendin e parë për nga bukuria e brendshme midis kishave shqiptaro-amerikane.

Çdo të dielë zotin Bill Johns me familjen e tij të zgjeruar e gjen në kishë gjatë ceremonisë së meshës. Në çdo festë, në çdo drekë e darkë ceremoniale ose jo, ai nuk ka munguar e nuk mungon bashkë me vëllezërit e tij. Shembulli i tij si dhe i kunatit të tij, z. Robert Steffon e disa veprimtarëve të tjerë, frymëzojnë anëtarët e vjetër e të rinj të komunitetit tonë. Ai është gjithnjë një nga donatorët kryesorë për veprimtaritë e kishës e të komunitetit. Ai me gjithë anëtarët e familjes krijoi dhe e mbajti për shumë vjet fondacionin “Nick Johns Sponsoring”, krijuar për nder të babait të tij, ku janë derdhur shuma të konsiderueshme në ndihmë të kishës, të sporteve, të shfaqjeve teatrale, etj. Dy herë, kur erdhi Nënë Tereza në SHBA për të mbledhur fonde për më të varfrit e të varfërve të botës, William Johns shkoi e takoi dhe iu përgjigj thirrjes së saj bashkë me Dhimitra Peters, Llazo Vishnja, Dhimitër Steffon.

FAMILJE E PERKUSHTUAR

Në vitin 1957 Billi u martua me zonjushen Loreta Ligor Steffon (1935 – 2012), motra e shokut të tij Robert (Bob), e cila shquhej për urtësi, bukuri e zgjuarsi. Ajo kishte mbaruar High School. Olimbia e deshi si vajzën e saj. Nga kjo martesë lindën dy vajza e një djalë: Karen lindi më 1958, Sandra më 1962 dhe Marku më 1965. Të tre fëmijët kryen studimet në kolegje të ndryshem dhe sot punojnë, vajza e madhe në halder care (qendër kujdesi për të moshuarit), e dyta kordinatore në Illyrian Gardens Inc., dhe djali Real Estate. Dhëndurrët po ashtu kanë kryer kolegje për biznes dhe kanë punët e tyre të pavarura, z. Harvard Dono ka “Real Estate Apresel Co.” dhe z. Mark Dionis “Manifactures Sale”. Duke vijuar traditën e krijuar prej Nik Johns-it (Koli Kamenicës) i cili për shumë vjet u zgjodh Kryetar i Këshillit të kishës edhe Bill-i, edhe djali i tij dhe dëndëri po ashtu janë zgjedhur disa herë kryetarë të këtij këshilli dhe e kanë kryer këtë detyrë me përkushtim. Loreta dhe dy vajzat janë zgjedhur e kanë punuar në komitetin e shoqërisë së grave.

Edhe vëllezëtit Christy dhe Andrew kanë ecur në rrugën e devocionit të babait të tyre. Christy (1925 – 2015) u martua më 1946 me zonjushen amerikane Alice. Me të ai pati tre djem në çdo dy vjet: Tom-in 1947, Davidin më 1949, Fredin më 1951 dhe vajzën Kathreen më 1955. Prej këtyre fëmijëve Tomy vdiq aksidentalisht më 2007 në krye të krye të detyrës si polic. Christy ka lënë gruan, dy djem, një vajzë, dy nuse, një dhëndër dhe nipër e mbesa plot.

Sot familja e ngushtë e z. William (Bill) Johns është e shtuar, si thotë populli ajo është “një bletë e plotë”, e bekuar nga Zoti, përveç dy vajzave e djalit dhe dy dhëndurëve e nuses, kjo famijle ka dhe nëntë nipër e mbesa të gjithë të shëndetshëm e të pashëm, që ndjekin shkolla të ndryshme sipas moshave.

Karen dhe Harvard Dono kanë tre fëmijë: djalin Jason dhe vajzat Kristin e Natasha; Sandra dhe Mark Dionis kanë dy: vajzën Sydney dhe djalin Zahary; kurse Marku dhe Julie kanë katër fëmijë: dy vajza e dy djem, Skyler, Willow, Koli dhe Torin.

Për devocionin fetar dhe punën e përkushtuar ndaj kishës, Peshkopata Shqiptaro- Amerikane i akordoi më 1996 z. William N. Johns titullin “Kalorës i Shën Gjergjit” (Knight of Saint George). Ky përkushtim vijon dhe tek pasardhësit, vajzat, djali dhe dhëndri, si dhe tek besa Sydney. Kjo shkoi vjet në qershor bashkë me disa të rinj e të reja në Shqipëri për të marrë pjesë në aktivitetet verore të kishës së Elbasanit. Këto veprimtari dhe përshtypjet nga Shqipëria ajo i pasqyroi në facebook-un e saj dhe u lexuan prej të rinjve si në Shqipëri e në SHBA.

Duke e vlerësuar përkushtimin e tij ndaj komunitetit, producent i Albanian Culture TV Adem Belliu erdhi një herë nga New Yorku dhe e intervistoi për emisionet e tij televizive. Kurse z. Sotir Millona, një artdashës, që krijon emisione për kulturën shqiptare një herë në muaj në “Illyrian Gardens Inc.”, disa vjet më parë krijoi një film dokumentar për jetën e punën e këtij veprimtari. Në këtë vit të 85-vjetorit të tij, z. William Johns po vijon përpjekjet bashkë me Dr. George Laska që të realizojnë një projekt për ndërtimin e gjashtë godinave në tokën e kishës, me qëllim që ky institucion të forcohet ekonomikisht me të ardhurat e qirave që do të merren prej tyre.

Clark University i kishte dënë në vitin 2007 vlerësimin “WEBSTER SQUARE BUINESS MAN OF THE YEAR”. Kurse në gusht të vitit 2012 Shoqëria AANO e vlerësoi z. William N. Johns me çmimin e lartë “LIFE TIME ACHIEVEMENT”.

Viti 2017, viti i 85-vjetorit të lindjes së këtij veprimtari të palodhur, neriton të quhej Viti William Johns prej Town Hallit të qytetit tonë, sepse ai me jetën e punën e tij nderon maksimalisht komunitetin shqiptaro-amerikan të Worcesterit MA dhe të mbarë Amerikës. Komuniteti ynë dhe dega e këtushme e Shoqërisë VATRA i urojnë këtij zotërie të nderuar të rrojë dhe një qind vjet me shëndet e ëndrra të realizuara!

* * *

Midis ne mërgimtarëve të ardhur mbas vitit 1991 bie në sy jo vetëm mungesa e veprimtarëve energjikë si William Johns me shokët e tij, por dhe një indiferentizëm ndaj veprimtarive të komunitetit e të kishës. Shqiptarët, sidomos ata që kanë dalë në pension, gjatë ditëve të javës dhe sidomos të djelave, shkojnë orë të tëra nëpër klube të ndryshme duke pirë kafe, duke diskutuar me zjarr për politikën dhe duke krojtur bileta llotarie. Harxhojnë dhjetëra dollarë në javë, por e kanë të vështirë të vijnë në kishë të djelave e të hedhin dy dollarë. Shumica e atyre me origjinë të krishtere, vijnë në kishë gjithsej dy a tri herë në vit, sa për të kujtuar ndonjë nga prindërit e larguar nga jeta. Jemi shumë të ndryshëm nga mërgimtarët e parë, të cilët edhe pse ishin gjithsej rreth 1.000 shqiptarë, shumica me shkolla fillore, punuan së bashku për krijimin dhe funksionimin e regullt të kishës, u bashkuan në shoqëritë e ndryshme, formuan degën aktive të shoqërisë “Vatra”, etj. Kurse sot jemi rreth 20.000 shqiptarë, të gjithë me diploma të shkollave të mesme, shumë dhe me diploma të larta, por na mungon dashuria për njëri tjetrin, na mungon dëshira për t’iu afruar kishës ose degës së shoqërisë Vatra. Nuk e kuptojmë se afrimi e bashkëpunimi midis anëtarëve të një komuniteti tregon qytetarinë e pjesëtarëve, se një komunitet sa më i organizuar të jetë aq më shumë mund të ndihmojë veten dhe atdheun…

Filed Under: ESSE, Opinion Tagged With: Portert biografi, William N Johns

NË KUJTIM TË PATRIOTIT EMIN FAZLIJA- I QUAJTUR NDRYSHE EMIL KASTRIOTI

June 17, 2020 by dgreca

Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes/

 Nga Frank Shkreli/

16 Qershori shënoi 5-vjetorin e vdekjes sëEmin Fazlisë, ose siç njihej dikur me pseudonimin, Emil Kastrioti.  Unë nuk e kam njohur personalisht Emin Fazlinë, por kam komunikuar duke çkëmbyer disa letra me të në fillim të 1970-ave.  Për më shumë të dhëna se kush ishte Emin Fazlija dhe cila ishte veprimtaria e tij, mund të shikoni filmin dokumentar (2018) të cilit po e sjellim më poshtë, për ta që mund të jenë të mësojmë më shumë për këtë patriot të dalluar të Kombit, me rastin e 5-vjetorit të vdekjes :https://www.ballikombetar.info/dokumentari-per-emil-kastriotin/

Unë po e kujtoj, Emin Fazlinë ashtu siç përpiqem të kujtoj disa prej atyre shqiptarëve të brezit më të vjetër se unë, të cilët i kam njohur ose kam pasur kontakte, e për të cilët gjatë viteve, kam zhvilluar një respekt të veçantë për jetën dhe veprimtarinë e tyre në mbështetje të drejtave të njeriut, të identitetit dhe të interesave kombëtare, mbi të gjitha, për punën e tyre për bashkimin e trojeve etnike, si mision i jetës së atij brezi. Njëri prej këtyre personaliteteve të mërgimit gjatë 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar ishte edhe Emin Fazlia– për mua sipas komunikimit me të, i njohur në atë kohë si Emil Kastrioti — e për të cilin mësova më shumë pas shembjes së Murit të Berlinit.  Më në fund,zbulova se Emil Kastrioti me të cilin kisha shkëmbyer letra në fillim të 1970-ave, ishte në të vërtetë Emin Fazlija, i cili ndërroi jetë 5-vjetë më parë.

Pasi nuk e kam njohur drejt për drejti të ndjerin Fazlia, por për të cilin sa më shumë mësoj për aktivitetin e tij dhe të familjes, kam shumë respekt, nga komunikimi që kam pasur me ’të në fillim të 1970-ave dhe bazuar në të dhënat që mësova më vonë se kush ishte ai dhe cila kishte qenë veprimtaria e tij në ish-Jugosllavi dhe më vonë në mërgim në Gjermani.  Ai ka zhvilluar veprimtarinë e tij patriotike në “ilegalitet” dhe me disa pseudonime – më i njohuri pseudonim ishte emri Emil Kastrioti — gjatë një periudhe të luftës së ftohtë që nuk ishte e lehtë për tu marrë me punë patriotike, as brenda Kosovës dhe as jashtë Atdheut.  UDB-ja famëkeqe jugosllave ishte shumë aktive dhe i zhdukte kollaj shqiptarët aktivistë të çeshtjes kombëtare, jo vetëm në Kosovë dhe në trojet shqiptare në përgjithësi në ish-Jugosllavi, por e shtrinte dorën e saj të zezë edhe në komunitetet shqiptare në botën perëndimore, sidomos në Gjermaninë Perëndimore të asaj kohe por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të 1970-ave, me entuziazmin e një të riu dhe duke përfituar nga liria që më ofronte Amerika, kisha filluar botimin e një fletoreje tepër modeste, titulluar, “Rinija Shqyptare në Mërgim”,në New York, si një mjet, me qëllim për të grumbulluar ata pak të rinjë e të reja rreth një ideje të përbashkët për një organizim sado modest në atë kohë.  Sidoqoftë, Emin Fazlisë, ndryshe “Emil Kastrioti”, i kishte ra në dorë në Gjermani “Rinija Shqyptare në Mërgim”, e cila siç duketi kishte pëlqyer sepse reragimi i tij ishte pothuaj i menjëhershëm ndërsa më dërgoi menjëherë një letër (e para prej tij, për tu pasuar me dy-3 tjera më vonë), të cilën e botova në një numër të radhës të kësaj fletorjeje tepër modeste për nga fillimi i saj, për arsye të mungesës së bashkpuntorëve të përgatitur por edhe për mungesë fondesh, që të botohej vërtetë diçka si i kishte hije, ndonëse vullneti i mirë nuk mungonte, megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballeshim menjëherë pas arritjes tonë në Amerikë.

Në letrën e parë që më dërgoi,kopjen e plotë të cilës mund ta lexoni më poshtë ashtu siç ishte botuar në “RinijaShqyptare në Mërgim”, “Emil Kastrioti” ka përshëndetur fillimin e botimit të këtij organi të rinisë shqiptare-amerikane,duke shkruar: “Ju uroj nga thelbi izembrës sime të përvuejtun për iniciativën e mirë që keni marrë dhe Zoti i Plotfuqishëm dhashtë e u udhzoftë në rrugë të mbarë që të korrni sukses sa ma të plotë dhe të delni faqebardhë në misionin e filluem dhe që botimet e jueja të lozin rolin e caktuem në bashkimin e dhe arsimin e rinisë shqytare në mërgim, e cila për kob të zi të rracëssonë shumë të përvuejtun arbnore qe e detyrueme me i lanë trojet e lame me gjak t’Atdheut për pamvarsi dhe me marrë  rrugën e mërgimit për t’i shpëtue furisë jo njerëzore të zymtyrës kuqe aziatike që don me shkulë me rrajë traditat t’ona jetike, mijavjeçare të Arbërit kryelart.”

Më tutje, “Emil Kastrioti” alias Emin Fazlija, me frymën e vërtetë prej patrioti, në letrën që më dërgonte, bënte thirrje – për nevojën e madhe të bashkimit të shqiptarëve atëherë –por edhe një nevojë gjithnjë aktuale edhe sot – duke thekësuar domosdoshmërinë për, “bashkimin e të gjitha forcave kombtare të diasporës shqiptare”, duke thënë se, “Lus Perendinë që ti qendroni deri në fund idealit  të nisun dhe askurrë të mos vini në sprovë për të shmangë rrugën e drejtë të bashkimit të plotë të gjitha forcave kombtare të diasporës shqiptare në nji front të përbashkët për nji qellim dhe për nji ideal tëprokllamuem para 60-vjetësh prej plakut bujar e fisnik, Babës Ismajl Qemalit në Vlorën kreshnike , m’u në atë ditë kur me 1443 në Krujë, paraardhësi i tij e pat ngritë Flamurin Kuq e Zi me shkabjen dykrenare (pa shkopij dhe pa yllin aziatik) në mes, që valviti me mburrje e krenari për nji çerek shekulli, tue mos iu përulur kërcënimeve të tërbueshme të Otomanit aziatik…”, më shkruante Emin Fazlia , ndryshe“Emil Kastrioti”, nga Gjermania Perëndimore në verën e vitit 1972.

Ai e përfundon letrën me porosinë për për rininë shqiptare në Amerikë që të mos harrojë gjuhën shqipe, duke kujtuar, “Fjalët e mëdha të Poetit tonë të madh, shqiptar Patër Gjergj Fishtës, kur ai ban fjalë për gjuhën shqipe në vjershat e tija të pavdekshme për gjuhën dhe kombin shqiptar”, duke thekësuar se nëqoftse, sipas porosisë së tij, rinia shqiptare dhe komuniteti shqiptare-amerikan në përgjithësi në Amerikë, “Nderon dhe respekton traditën e vendlindjes së vet, atëherë ajo do të respektojë dhe do të nderojë edhe vendin ku gjinden tash”, me shpresë sipas tij, “për t’u këthyer në Atdheun tonë të dashtun, të çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, që në atë kohë ishte një shpresë e madhe por e pa realizueshme pasi u detyruam të prisnim edhe 30-vjetë të tjera shembjen e komunizmit për të parë Atdheun) duke e përmbyllur letrën me, frazën“I Jueji si vlla, me Besë Shqyptare!”

Porositë e Emin Fazlisë në letrën dërguar nga Gjermania Perendimore në vitin 1972 një djaloshi të ri në Amerikë dhe botuar në fletoren, “Rinija Shqyptare në Mërgim” të Nju Jorkut,(me pseudonimin “Emil Kastrioti”) — për bashkim të shqiptarëve kudo qofshin, në mërgim ose në Atdhe, si dhe për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar– mbeten gjithnjë gur-themeli për realizimin e ëndërrës së shqiptarëve për një Atdhe të, “Çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, ende endërra e Emin Fazlies dhe e shumë shqiptarëve që ende mendojnë e shpresojnë si ai.

Ky është mesazhi i Emin Fazlisë dhe sot kjo është arsyeja që po e ndaj kujtimin e tij me lexuesin, në këtë 5-vjetor të vdekjes së tij.  Janë këto vlera të atdhedashurisë të një brezi të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore – të cilët nuk janë më, kur fjala midis tyre lidhej me “Besë të Shqyptarit” — vlera që fatkeqësisht, kanë humbur dhe janë harruar nga brezi i sotëm i shqiptarëve, sidomos nga klasa politike shqiptare, por që patriotë shqiptarë si Emin Fazlija — me kujtimin e tyre — nuk na lenë t’i harrojmë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Emin Fazlija, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • 235
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT