• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REQUIEM PËR MJEDËN DHE MENTORIN

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Leonora Laçi/

Nuk është hera e parë që shkruaj për një nga studiuesit më në zë të hapësirës shqiptare dhe  qytetit të tij, Shkodrës që krenohet më të. Ai ishte një studiues model, ai dhe Mjeda ishin në simbioz, shkriheshin tek njëri- tjetri, plotësonin njëri-tjetrin. 

Mentor Quku (1939-2014) hynë në atë kategori studiuesish që nuk rrahin gjoksin për ta demonstruar medoemos autorësinë e hulumtimeve të tyre, ndonëse ka bërë një punë kolosale të një jetë të tërë, sërisht ai fshihej pas dom Ndre Mjedës, duke na lënë të kuptohet se vemendja duhet të ishte tek dom Ndre Mjeda dhe jo ai vetë. Atij i interesonte vetëm të vendoste Mjedën në vendin ku i takonte, përfytyronte që Kukeli të bëhej një vend pelegrinazhi dhe biblioteka e Mjedës të sillte studiues nga vende të ndryshme, ai në parim ngriti një institut shkencor, na mësoi se si duhet punuar për të merituar emrin e hulumtuesit.

Nuk më hiqet nga mendja shprehja e tij që më ka shoqëruar dhe udhëzuar përgjatë viteve:- “Sot ti punon për emrin tënd, dhe nesër emri yt do punoj për ty”.

Në maj të vitit 2018 kisha bërë një artikull të shkurtër me titull “Mjedologu dhe pengu i mbetur zvarr”, të cilin po e risjelli shkurtimisht:- “Në ecejaket me bashkëudhëtarët e pandashëm çanten dhe biçikleten e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna hulumtuese që bënte.

Do të shkruaj për njeriun e studiuesin, do të shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do të shkruaj për karakterin e fortë, do të shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes, kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do të shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do të shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij, të Mjedës, do të shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës dom Ndre Mjeda dhe fal tij u bë i njohur studiuesi Mentor Quku. Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë. Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për t’i bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha:- “që ta vazhdonim të nesërmen punën.” I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….

Sa u trishtova ! E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë.

U ndjeva në faj që nuk insistova për t’i marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për te flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishiruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh-“ në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”. Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli.

Të gjithë jemi kalimtarë të kësaj bote dhe si të tillë duhet të lëmë veprat që të bëhemi të pavdekshëm. Ai u bë, me veprat e tij, me humanizmin, me shpirtin luftarak, me veprimtarinë, me qëndrimet e palëkundura tek e drejta e vet. Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai ngrohte karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjedën” dhe marrë emrin Mjedolog.

Tek Mentor Quku gjeje buzëqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit.

Studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione  tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Puna shkencore e Mentor Qukut u realizua paralelisht me këmbënguljen e udhëzuesit shpirtëror që i dha jetë Kishës dhe Qelës në Kukel. Studiuesi dr.dom Nikë Ukgjini prifti jezuit që është sa hulumtues aq dhe fetar ishte dëshmitari i të gjitha vështirësive nëpër të cilat kaloi realizimi i ringritjes së kishës dhe qelës, që pa vullnetin e këtij të fundit vështirë se do të mund të realizoheshin. Duhet theksuar që dom Nika nuk përtonte ta mprehte lapsin sa herë që Ministria e Kulturës vinte gurë nën rrota, gazetat pritshin me padurim kritikat e dom Nikës. 

Pra pa dom Nikën, Kukeli nuk do të kishte as vazhdimësinë pas ikjes në amshim të mjedologut. Studiuesi dom Nikë Ukgjini e kuptoi si duhet rëndësinë e dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit 2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qelës së Mjedës, në vende për tu vizituar si muze pa lënë menjëanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda.

Mjedologu Quku vuante vetëm për kohën, që ndoshta s’do të mund t’i mjaftonte për të arritur që ta përfundojë si duhet kolanën e Mjedës. Koha po i fashitej përpara syve me shpejtësi, e ndjeu këtë gjë. Të kapësh kohën ishte e vështirë, prandaj ai gjithmonë ishte në vrap e sipër, deri sa një ditë nuk mundi më të rendte bibliotekave por bëri vrapin e fundit drejt mëshiruesit…

Mjeda dhe Mentori u takuan…

Mentori tashmë qetësisht me kohën ndalur merr përgjigjet që s’mundi t’i marr në botën e vdekshme, zgjidh enigmat që në jetën joreale nuk i zgjidhi dot pasi i duhej përjetësia për t’i dhënë zgjidhje, i duhej Mjeda. Mjeda duke i qenë mirënjohës që e përjetësoi dhe fitoi pavdekësinë, e anasjelltas përmes Mjedës këtë status e fitoi dhe Mentori, e ne morëm leksionin sesi duhet hulumtuar e shkrirë të gjitha energjitë për qellime të larta, për të marrë statusin e studiuesit.

Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.”

Shqipëria sot ka më pak shkrimtarë, studiues, poetë, por këto që kanë ngelur le të frymëzohen nga realiteti i mjedologut, historia e tij, që sadopak të lënë gjurmë në botën kalimtare, të ecin në shtigje të reja, të guxojnë për të mos mbetur kalimthi kalimtarë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonora Laçi, Mentor Quku, Requiem Per Mjeden

LIRIA

May 27, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/
Njeriu kujtohet për lirinë kur provon se e ka humbur. Atë ia kontrollojnë, dhe nëse ka shumë, si paratë në bankë, nuk mund t’i tërheqësh ‘të thata’ menjëherë të gjitha njëherësh. Liria është natyrë ose si Perëndia, ajo kujdeset për ne, nëse e duam. Mos i lëndoni njerëzit: Njerëzit e lirë thjesht duan të mbeten vetëm, të mos grinden, të mos dëmtohen nga dikush tjetër që synon jetën dhe pronën e tyre Mos ia merrni gjërat: Ata janë munduar për të siguruar të drejtën individuale për frytet e punës së tyre. Liria merr përgjegjësi. Mos u ul për të pritur dikë tjetër për të zgjidhur problemet tuaja. Punoni për të: Për çdo veprim ka një reagim të barabartë. Kujdesuni dhe do të shpërbleheni. Shikoni punën tuaj. Secili e di vetë si të jetojë, nuk ka nevojë për padron a patronizim apo çdo lloj izëm. Luftoni fuqinë: Falë Internetit dhe decentralizimit të njohurive, tani ekziston më shumë mundësi se kurrë për të marrë një qëndrim kundër autoritetit të korruptuar. Sepse fundja, ndodh si me gjuhën, sado t’a udhëzosh, fiton e folura e njerëzve të thjeshtë, e cila fillimisht me përçmim quhet vulgare, por më pas pranohe

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, liria

PAK SOKRAT

May 25, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Sokrati ishte studiues, mësues dhe filozof lindur në Greqinë e lashtë. Metoda e tij e arsyetimit është quajtur ‘sokratike’ dhe vuri bazat për sistemet perëndimore të logjikës dhe filozofisë. Kur klima politike e Greqisë u kthye kundër tij, Sokrati u dënua me vdekje në vitin 399 pes. Ai e pranoi gjykimim në vend që të ikte në mërgim.
Lindur rreth 470 pes, në Athinë, jeta e Sokratit është kronizuar përmes vetëm disa burimeve: dialogjet e Platonit dhe Ksenofonit dhe shfaqjet e Aristofanit. Për shkak se këto shkrime kishin qëllime të tjera nga raportimi i jetës së tij, ka të ngjarë që asnjë prej tyre të paraqesë një pamje plotësisht të saktë. Sidoqoftë, kolektivisht, ato ofrojnë një portretizim unik dhe të gjallë të filozofisë dhe personalitetit të tij.
Emri “Sokrat” rrjedh nga ‘sos’ – (për-sos), dhe ‘krat’ – (krijim, forcë, aftësi – në anglisht ka dhënë ‘craft’)
Ai ishte djali i Sofronit, gur gdhendës e skulptor dhe i Fareretes, mami. Për shkak se nuk ishte nga një familje fisnike, Sokrati mori vetëm një arsim fillor dhe mësoi zanatin e të atit. Puna fizike nuk vlerësohej shumë atë kohë në Athinë. Besohet se Sokrati punoi si murator për shumë vite para se t’ia kushtonte jetën filozofisë. Bashkëkohësit ndryshojnë në tregimet e tyre se si Sokrati e mbështeti veten si filozof. Disa thonë se ai paguhej për mësimdhënie, ndërsa Platoni shkruan se Sokrati e mohoi pagesën, duke përmendur si provë varfërinë e tij.
Sokrati u martua me Xanthipen, një grua më e re, e cila lindi tre djem. Dihet pak për Ksanthipen përveçse nga karakterizimi i Ksenofonit, i cili thotë se ajo ishte “e padëshirueshme”, se ishte e pakënaqur me profesionin e dytë të Sokratit, pasi nuk e mbështeste dot familjen si filozof. Sipas Ksenofonit, Sokrati nuk merrej shumë me edukimin e djemve të tij dhe shprehte më tepër interes për zhvillimin intelektual të të tjerëve.
Ligji i Athinës kërkonte që të gjithë meshkujt me gjendje të aftë të shërbenin si ushtarë në rast lufte, nga moshat 18 deri në 60 vjeç. Sokrati shërbeu si shigjetar. Ai mori pjesë në tre fushata ushtarake gjatë Luftës së Peloponezit, në Delium, Amfipolis dhe Potidaea, ku i shpëtoi jetën Alcibiades, një gjeneral popullor athinas.
Sokrati ishte i njohur për guximin e tij, tipar që qëndroi me të gjatë gjithë jetës. Pas gjyqit, ai e krahasoi mospranimin për t’u tërhequr nga problemet e tij ligjore me refuzimin e një ushtari për t’u tërhequr nga beteja kur kërcënohet me vdekje.
Simpoziumi i Platonit jep detaje më të mira të paraqitjes fizike të Sokratit. Ai nuk ishte fizikisht i pashëm; i shkurtër, i shëndoshë, me hundë të gjërë të shtypur dhe me sy të çuditshëm, por krijimtarinë e mendjes e kishte të përsosur dhe i tërhiqte studentët në debatet e tij të shkëlqyera. Sokrati gjithnjë theksonte rëndësinë e mendjes mbi parëndësinë relative të trupit. Kjo kredo më pas frymëzoi filozofinë e Platonit për ndarjen e realitetit në dy sfera të veçanta, në botën e shqisave dhe botën e ideve, duke theksuar se kjo e fundit ishte e vetmja e rëndësishme. Këtu filloi edhe përçarja midis Platonit dhe Aristotelit, i cili e kundërshtoi teorinë e dy botëve.
Sokrati besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate për mirëqenien më të madhe të shoqërisë. Ai u përpoq të krijonte një sistem etik bazuar në arsyen njerëzore dhe jo në doktrinën teologjike.
Sokrati theksonte se njeriu në zgjedhje motivohet nga dëshira për lumturi. Urtësia vjen nga njohja e vetvetes. Sa më shumë që një person di, aq më e madhe është aftësia e tij për të arsyetuar dhe bërë zgjedhje që do t’i sillte lumturi të vërtetë. Sokrati besonte se kjo përkthehej në politikë me formën më të mirë të qeverisjes, që nuk ishte as tirania dhe as demokracia. Sokrati mendonte se qeveria funksionon më mirë kur qeveriset nga individë me aftësi, dije, dhe virtyte që zotërojnë një kuptim të plotë të vetvetes.
Historiani Xenophon thotë se Sokrati e përdorte shpesh maksimën ‘Njihe Veten’, moto, të cilën e kishte parë të gdhendur në hyrjen kryesore të tempullit të Delfit, që i kujtonte njeriut se duhet të qëndrojë dhe të jetojë sipas natyrës së vet, dhe gjithmonë t’i hedhë vetes një vështrim njohës. Në vazhdim të këtij arsyetimi, Sokrati arriti në përfundimin logjik se njē jetë e pa-ekzaminuar nuk ia vlen të jetohet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Pak Sokrat

PAK PLATON

May 24, 2020 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Filozofi i lashtë Platon është autor i veprave filozofike me ndikim të pashembullt në mendimin perëndimor. Ai ishte student i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Shkrimet e tij eksploruan drejtësinë, bukurinë, barazinë, dhe përmbajnë diskutime në estetikë, filozofi politike, teologji, kozmologji, epistemologji dhe filozofi të gjuhës. Platoni themeloi Akademinë në Athinë, një nga institucionet e para të arsimit të lartë në botën perëndimore. Vdiq më 348 pes.
Për shkak të mungesës së burimeve parësore, pjesa më e madhe e jetës së Platonit është ndërtuar nga studiuesit përmes shkrimeve të tij, të bashkëkohësve dhe historianëve klasikë. Vlerësimet e historisë tradicionale thonë se Platoni lindi rreth vitit 428 pes, por shumë studiues modernë, duke gjurmuar ngjarje të mëvonshme në jetën e tij, besojnë se ai ka lindur midis viteve 424 dhe 423 pes. Të dy prindërit e tij vinin nga aristokracia. Babai i Platonit, Ariston, rridhte nga mbretërit e Athinës dhe Messenisë. Nëna e tij, Periktone, i përkiste familjes së mbretit Solon.
Disa studiues besojnë se emri “Platon”, që do të thotë ‘shpatull’ ishte pseudonim, për shpatullat e tij të gjëra. Edhe kjo është e mundur.
Si me shumë djem të rinj të shtresës së tij shoqërore, Platoni mori mësime nga disa prej arsimtarëve më të mirë të Athinës, që në programet e tyre përfshinin doktrinat e Kratylusit, Pitagorës, dhe Parmenides. Këto ndoshta ndihmuan në zhvillimin e bazës që Platoni të studionte metafizikën (studimin e natyrës) dhe epistemologjinë (studimin e njohurive).
Babai i Platonit vdiq kur ishte i ri, dhe nëna e tij u rimartua me xhaxhain e saj, Pyrilampes, një politikan athinas dhe ambasador në Persi. Platoni besohet të ketë pasur dy vëllezër, një motër e një gjysmë vëlla. Shpesh, anëtarët e familjes së Platonit shfaqen në dialogët e tij. Historianët besojnë se ky është një tregues i krenarisë së Platonit për prejardhjen e tij familjare.
Si djalë i ri, Platoni përjetoi dy ngjarje të mëdha që i dhanë drejtimin jetës së tij. Njëra ishte takimi me filozofin e madh Sokrat. Metodat e dialogut dhe debatit të Sokratit e mahnitën Platonin aq shumë sa që shpejt ai u bë bashkëpunëtor i ngushtë dhe ia kushtoi jetën virtytit dhe formimit të një karakteri fisnik. Ngjarja tjetër domethënëse ishte Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës, në të cilën Platoni shërbeu për një kohë të shkurtër. Humbja e Athinës i dha fund demokracisë, të cilën spartanët e zëvendësuan me një oligarki. Dy nga të afërmit e Platonit, Charmides dhe Critias, ishin figura të shquara në qeverinë e re të Tridhjetë Tyrantëve, sundimi i shkurtër i të cilëve shtypi ashpër të drejtat e qytetarëve athinas. Pasi oligarkia u rrëzua dhe demokracia u rivendos, Platoni shkurtimisht konsideroi një karrierë në politikë, por ekzekutimi i Sokratit në 399 pes, bëri që ai t’i kthehej studimeve dhe filozofisë. Pas vdekjes së Sokratit, Platoni udhëtoi për 12 vjet në të gjithë rajonin e Mesdheut, duke studiuar matematikë me Pitagoreasit në Itali, dhe gjeometrinë, gjeologjinë, astronominë dhe fenë në Egjipt. Gjatë kësaj kohe, ai filloi shkrimet e tij. Ekziston një debat midis studiuesve për rendin e këtyre shkrimeve, por shumica besojnë se ato ndahen në tre periudha. Apologjia e Sokratit duket se është shkruar menjëherë pas vdekjes së Sokratit. Tekste të tjera në këtë periudhë përfshijnë dialogjet, ku Platoni përpiqet të përçojë filozofinë dhe mësimet e Sokratit.
Në periudhën e dytë, Platoni shkroi mbi idealet qendrore të drejtësisë, guximit, mençurisë dhe moderimit të individit dhe shoqërisë. Republika u shkrua gjatë kësaj kohe me eksplorimin e qeverisjes së drejtë nga mbretërit filozofë.
Në periudhën e tretë, Sokrati zhvendoset në një rol më të vogël dhe Platoni i hedh një vështrim më të ngushtë ideve të tij të hershme metafizike. Ai eksploron rolin e artit, duke përfshirë vallëzimin, muzikën, dramën dhe arkitekturën, si dhe etikën dhe moralin. Në shkrimet e tij mbi Teorinë e Formave, Platoni sugjeron që bota e ideve është e vetmja konstante dhe se bota e perceptuar përmes shqisave është mashtruese dhe ndryshuese. Por besohet se ishte Aristoteli, shpikësi i logjikës moderne, që do t’i kundërvihej teorisë së dy botëve.
Kështu, mund të thuhet se bazat e filozofisë perëndimore u hodhën nga Sokrati. Platoni ishte studenti i tij më i mirë, i cili do të mësonte Aristotelin dhe ky do të mësonte Aleksandrin e Madh, që u bë kurora e këtij trinomi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Platon

Në kërkim të identitetit

May 23, 2020 by dgreca

Nga Manjola Barçi Kozi/New York

-Shiko, shiko mami, unë dukem si Shota- më kujtohet thirrja e saj fëminore.
Ngrita sytë. Ishte rreth shtatë vjeç në atë kohë. Flokët e saj te ndërthurura keqaz në dy gersheta i vareshin para kraharorit. Sytë më shndritën dhe me nje vrull të madh vrapova për ta përqafuar. Po krahasohej me Shotën... E mbante mend Shotën...Kur ishte pa filluar shkollë gjthmonë i lexoja libra për shqip për femijë, që mamaja ime i blente sa herë udhëtonte në Shqipëri.
Shpesh i thosha kur flisja me të: Ti je shqiptare bijë dhe duhet të flasesh shqip. Duhet të mësosh edhe historinë e popullit tënd.

-E di mami, më përgjigjej-kemi edhe Skënderbeun, Ismailin, Çerçizin, Azemin… 

Lumturohesha kur e degjoja të fliste-kam një femije te mrekullueshem, mendoja. Eshtë e dëgjueshme, është e etur për dije, dhe mbi të gjitha është krenare për prejardhjen e saj.
Derisa mbushi 12 vjeç. Dhe atëherë e kuptova që nuk ishte aq e thjeshtë…
-Mami-më pyeti një ditë-Pse shqiptarët martohen kaq të rinj? 

Nuk dija si të përgjigjesha ose më mirë nuk doja të përgjigjesha, pasi e dija se çfarë do të vinte më pas. Ajo tani nuk ishte më fëmijë e vogël.Nuk mund të mendoja unë më për të, ashtu siç kisha bërë dikur. Ajo tani mendonte vetë… 

Më në fund u përgjigja! I ktheva atë përgjigje që e dija se do të pendohesha më pas… 

-Ka qenë traditë—fola shpejt me shpresë se do mbaronte me kaq….por pastaj vazhdova…Kohët kanë ndryshuar…ti je e lirë të vendosësh vet kur të rritesh….
-Tradita, tradita…kështu mendova edhe unë…Edhe ajo u përgjigj shpejt. Nuk më pëlqen aspak kjo traditë… 

Pastaj, ajo u bë adoleshente… 

-Dua të dal me miqtë e mi- erdhi atëherë ultimatumi. Kam nevojë të rri jashtë deri në mesnatë! Pse nuk mund të fle në shtëpinë e shoqes sime? Nuk ka rëndësi që ju nuk i njihni prindërit e saj, sepse in njoh unë!  Pse duhet të mendoni si shqiptarët e vjetër? O Zot, sa të prapambetur jeni. Oh, sa e urrej këtë traditë dhe ju urrej juve kur flisni kështu! Nëse kjo do të thotë traditë, unë nuk dua të jem shqiptare!!! Në fakt, unë nuk jam shqiptare prandaj mos më trajtoni si të tillë! 

Më pas ndaloi së veshuri shallin e saj të preferuar me flamurin shqiptar. E hoqi edhe varesen me shqiponjë. 

Pastaj një ditë vura re se nuk po pinte më  as nga filxhanët e kuq që mamaja ime i zëvendësonte sa herë që 

shkonim në Shqipëri.

             Sigurisht kuptoja më shumë se sa të debatoja me një fëmijë, por në ato momente, nga inati, zemra më rrihte me furi sa doja të shpërtheja: “Nëse unë nuk do të kisha vendosur të vija këtu, ti do të kishe lindur në Shqipëri, dhe prapë do të ishe në Shqiperi, që kështu je shqiptare.” Zieja nga inati dhe e quaja shpesh mosmirënjohëse. Sa herë që ndodhte kjo, mamaja ime më shikonte në sy dhe më thoshte: “Mos u shqetëso bijë se do vijë një ditë dhe ajo do kthejë.” Shpesh mendoj se si mamaja ime anjërë nuk më tha: “ Eshtë koha për të paguar” gjë që unë e prisja që ajo ta thoshte në ç’do kohë. 
-Ajo duhet të jetë krenare për atë që është ­–thoja pa mundur ta fshihja inatin…

Shkoi deri aty sa nuk pranoi të flasë më shqip. Unë i flisja shqip dhe ajo më përgjigjej në Anglisht. Nuk arrija ta 

kuptoja nëse këto ishin teka të adoleshencës apo nëse ajo ishte në kërkim të vetes.
Veproi në këtë mënyrë edhe për disa vite të tjera. U mësova me ç’ka ishte…Derisa e njëjtë ajo nuk ishte më… 

Kishin kaluar vetëm disa ditë pas ditëlindjes së saj të 20-të. Më dërgoi një tekst duke më pyetur nëse e kishte nënshtetësinë shqiptare.
-Për fatin tënd të mirë, jo! – u përgjigja duke menduar se kjo pyetje prapë kishte të bënte me të gjitha debatet 

    që kishin pasur në të kaluarën.  

-Pse jo?—Mesazhi u kthue bashkë me një emoji—surprizë.
-Mendova se nuk e doja – u përgjigja thatë. 
Ishte atëherë kur ajo më telefonoi. 

-A është tepër vonë të aplikosh për të? Pyetjen e formuloi në shqip.
-Jo nuk është vonë—u pergjigja me vetullat e ngritura lart.
-A mund të aplikojmë herën tjetër që do të shkojmë në Shqipëri?
-Po! Fola shpejt dhe e mbylla telefonin. 

Heshta për një moment të shkurtër duke u perpjekur të mbaj lotët brenda. 

I tregova mamasë time. Ajo vetëm më pa me një buzeqeshje. Mendova që do të thoshte: ” A s’të kisha thënë që një ditë edhe ajo do të kthejë?”  Por jo! Ajo vetëm buzëqeshi dhe vazhdoi punën e saj në heshtje.  Buzëqeshja e saj më erdhi si një flad pranvere pas një dimri të gjatë dhe të ftohtë. Ajo buzëqeshje sikur më thoshte: “Kot shqetësohesh. Ajo ishte në kërkim të identitetit të saj dhe më në fund duket se e gjeti…”

Filed Under: ESSE Tagged With: Manjola Barçi-Kozi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 234
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT