• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirësi ndriçimi…

May 10, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Njeriu duhet të kujdeset vetë për veten. Kujdesi i ofruar nga të tjerët është agresion që kërkon dorëzim, humbje, barazim a sheshim, bashkim me rrënojat. Kështu sunduesi mund të arrijë qëllimin për t’a shfrytëzuar për jetë, sepse kur merret një gjë, ajo kthet me dhimbje ose nuk kthehet fare. Në kontratën origjinale, shteti dhe njeriu (populli) janë të barabartë – atëherë pse shteti sot rëndon a dikton mbi njerëzit? Sepse është i pandershëm. Sa shumë fuqi e pasuri ka grumbulluar në duart e tij, duke marrë e mashtruar, rrëmbyer e vjedhur…dhe kërkon të marrë. Çdo mendim, çdo vendim, çdo veprim përcakton jetën. Asnjë filozof tjetër i madh nuk ka qenë aq i fiksuar pas jetës sa Sokrati. Megjithatë, ai zgjodhi të mos përpiqej t’a shpëtonte jetën e tij, kur me siguri mund ta kishte shpëtuar. Sipas Platonit, i cili ishte në sallën e gjyqit në atë kohë, Sokrati u tha gjykatësve – “…gaboheni nëse mendoni se njeriu duhet ta kalojë kohën duke peshuar perspektivat e jetës dhe vdekjes. Ai ka vetëm një gjë që duhet të marrë në konsideratë: nëse është duke vepruar mirë ose keq”. Sokrati kishte një sens humori që ndonjëherë shfaqej si zgjuarsi, ndonjëherë si ironi. Mendimet i shprehte me alegori e analogji. Besimi i tij nuk konsistonte në mbështetje ose shpresë të verbër, por në përkushtimin ndaj arsyes argumentuese. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai hynte në debat si njeriu që nuk di asgjë për të arritur tek e vërteta. Kaq i çuditshëm ishte Sokrati. Një natë pas darkës, një i ri që kishte qenë në shërbim ushtarak me Sokratin rrëfeu se një mëngjes Sokrati duke parë lindjen e diellit, ra në mendime. Erdhi mesdita dhe Sokrati vazhdonte i humbur në mendime….deri në mbrëmje e gjithë natën….deri mëngjesin tjetër….dhe pasi tha lutjet drejtuar diellit, u ngrit e iku.Sokrati nuk la gjë të shkruar, as çfarë mendoi rreth lindjes së diellit. Ai nuk la të shkruar qoftë edhe një rrjesht, jo vetëm se papiruset që vinin nga larg kushtonin, por se ai bënte gjithmonë pyetje. Platoni, nxënësi i tij, shkroi praktikisht gjithçka që dihet sot rreth tij. Kjo sugjeron që Sokrati nuk dinte as të shkruante – dhe kështu, mbase – as të lexonte.Platoni thotë se me analogjinë e diellit, Sokrati donte të thoshte se edhe mirësia ndriçohet kuptueshëm nga e vërteta e cila bën të mundur që njerëzit të kenë njohuri. Gjithashtu, pasi aftësia e syrit për të parë bëhet e mundur nga drita, kështu edhe aftësia për të njohur mundësohet nga e vërteta e mirësisë. Sokrati përdori Analogjinë e Diellit si themel të mendimit që pasoi me Alegorinē e Shpellës, ku njeriu në fakt është ashtu siç duket, i lidhur – dhe jo i lirë, siç pretendon se është.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mirësi ndriçimi

Maks Velo, in memoriam

May 10, 2020 by dgreca

Nga Sokoll Paja/

Ikja e Maks Velos në botën e përtejme do të thotë një mendje e lirë më pak në planetin e mëndjeskllevërve. Te ky njeri i revoltuar pasqyrohej jo vetëm drama njerëzore e persekutimit pa faj por edhe post drama e dalë nga burgjet e persekutimi i egër nga xhelatët e diktaturës. Endej rrugëve me hijen e tij dhe surretërit e atyre që e kishin persekutuar e që i shfaqeshin si hije te zeza kudo në kryeqytet. Me ikjen e Maks Velos ikën jo vetëm kujtimi i bashkëvuajtësve të tij, por humbet shumë dhe memoria e gjallë e muzeut të krimeve, vuajtjeve e persekutimit në regjimin diktatorial. Me ikjen e Maks Velos xhelatët në Ministri të Punëve të Brendshme, Ushtri, Hetuesi, Vetting apo kudo tjetër ku zëri tij ishte kritik, fërkojnë duart si çlirim nga një njeri i hapur dhe kritik. Maks Velo ishte një zë i fortë dhe dëshmitar okular që dëshmoi kundër tyre gjersa iku nga kjo botë. Ai ishte ndër ata njerëz të veçantë që nuk u dorëzua kurrë dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin dhe as me pasardhësit e tyre. 

Maks Velo luftoi dhe denoncoi sa mundi trashëgiminë komuniste, këtë mallkim 30 vjeçar në kapilarët e shtetit të brishtë post-komunist. Xhelatët ndjehen më të çliruar, ndërsa, të përsekutuarit e regjimit komunist vazhdojnë edhe sot të jenë pa trajtimin, respektin dhe dinjitetin për qëndresën, vuajtjet dhe jetët e humbura padrejtësisht në diktaturën komuniste. 

Maksi u ndëshkua dhe u dënua nga regjimi pse tha të vërtetën, i cili u konsiderua rebel i partisë. Ai shte rebel i lindur. Nana parti donte veç njerëz të bindur e servilë, të pa dinjitet e identitet por Maks Velo nuk ishte i atillë. Ndaj dhe Maksi e pagoi shtrenjtë dhe u dënua si liberal në një sistem asfiksues ku edhe të drejtën për oksigjen duhej t’a merrje te Partia shtet. Po ashtu Maks Velo ishte një arkitekt e piktor mendjendritur dhe me ngjyra në zymtësinë e territ politik të elitave grabitqare të betonit që ndërrojnë postet tash 30 vjet. Në komunizëm, Maks Velon e rrahën, e torturuan, e zhveshën nga gjithçka, i morën çdo gjë që ai kishte, por shpirti i tij luftarak për liri mbijetoi, edhe pse e pagoi me kosto të lartë. Ai u tradhtua dhe u mohua si profetët në Bibël. Se diktatura për ta besuar dëshminë e bashkëpunëtorit të sigurimit, syrin vigjilent dhe revolucionar të Partisë e gjente sa më afër objektit në survejim.

Maks Velo ishte një mendje estetike, në kaosin e mëndje-betonit të parisë drejtuese të menaxhimit dhe administrimit të kryeqytetit dhe qëndrave urbane në Shqipëri.

Maks Velo ishte një zë kritik dhe i fortë përballë tufës unike të lëpirjes ndaj pushtetit. Tragjizmin e një jete të humbur por me dinjitet e integritet njerëzor Maks Velo e përmbyll me sentencën e dorëzimit të “Klubi i Karavastasë”: “Idealistët e ndershëm nuk duhen, janë të vetmit që dalin të humbur”. Gjatë diktaturës, Maks Velo pabesisht humbi shumë, si kohën, rininë, dashurinë, karrierën e shumë të tjera nga jeta, por ai, ia arriti qëllimit, fitoi shpirtin, idealet dhe lirinë prej rebeli.

Të qoftë dheu i lehtë,Maks Velo!

Filed Under: ESSE Tagged With: Sokol Paja

Kronikë prilli- Për të mos u harruar

May 6, 2020 by dgreca

Marjana Bulku/ Jeta njerëzore është gjunjezuar përpara virusit që po terrorizon globin. Ekonomia është në pauzë. Vetëm pak shërbime janë aktive, ndërkohë që shumë të tjera janë mbyllur dhe presin sinjalet e politikës , me shpresë ,pa shpresë në pritje të një vendimi për rizgjim.

Rrugët i ka pushtuar heshtja, shkollat po ashtu. Qyteti që nuk flen kurrë po jeton ndoshta ditët e veta më të vështira.

Të vetmet vende ku jeta dylufton me vdekjen,me jetën , me sfidat e pafundme janë spitalet .

Prej 5 vitesh punoj në Coney Island Hospital , një prej korporatave më të mëdha të shërbimit shëndetsor e lokalizuar në jug të Brooklynit . Një prej instiucioneve ku punojnë shumë shqiptarë , nën dijen time 35 punojnës shqiptarë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi)nga ku kemi infermjerë ,ndihmës infermjerë , teknikë , ndihmës mjekë.

Nëse njerëzimi sot ndjehet i dëshpëruar nga ngujimi në shtëpi thirrja e gjithkujt është :”qëndro në shtëpi!” Nëse shtëpija dhe izolimi në të ju duket dramatik po përshkruaj vetëm një ditë pune në spital. Pastaj gjykoni vete …

Spitalet tashmë si shumcka perreth kanë marrë pamje tjetër, zbrazëtia duket që në hyrje. Gjithkush ndërron rrugë kur sheh një tjetër jo vetëm për të respektuar distancën , por edhe se veshjet protektive (PPE) nënkuptojnë ekspozim në zona të kontaminuara. Tashmë spitalet janë të kontaminuara, shumë pjesëtarë të stafit rezultojnë me Covid pozitiv, pavionet janë vënë në dispozicion të të sëmurëve shumica e të cilëve janë pre e pandemisë. Mjaft prej departamenteve nuk funksionojnë si më parë. Vizitat , televizitat, i kanë lënë vendin një beteje tjetër ; asaj me pacientët që i drejtohen spitalit për emergjenca jetësore .Brenda në dhoma beteja me jetën është e heshtur, hektike, tragjike, e dhimbshme, lehtësuese. Aty mundet ti gjesh të gjitha nuancat e dhimbjes ; kur mosha është e re, kur vuajtja është e madhe, kur mosha është e vjetër apo kur abuzimi me jetën ka qenë ekstrem. Aty mund te takosh ne vetem pak minuta te gjitha segmentet e jetes; lindjen, semundjen, shpresat, dhimbjen, vdekjen, ngadhnjimin mbi te.

Pak më tutje ndodhen mjekët ; ata janë të lodhur deri në ekstrem, fluksi i madh i pacientëve, tërësia e sëmundjeve shoqëruese,befasia covid, enigma e trajtimit të tij,proçedurat e pafundme burokratike , pa folur pastaj për aspektin njerëzor të gjithsejcilit ku familja, meraku se ky infenksion e prek aq lehtë njeriun dhe transmetohet permes aq shumë formave të tejnjohura tashmë. 

Janë gjendje të cilat u reflektohen në sytë e lodhur dhe fytyrat e zbehta.Askush nuk e ka recetën e vërtetë anticovid, gjithkush ka një terësi teorish ku mungon formula përfundimtare që do t’ju jepte buzëqeshje fytyrave të mjekëve dhe shpresë e jetë pacientëve ndërsa qyteteve jetë dhe gëzim.

Duket ende e largët kjo ditë edhe pse ne që punojmë nën këtë trysni ia duam më shumë se kushdo ngjyrat jetês .

Por drama nuk mbaron këtu, në fakt ajo këtu vetëm sa fillon. Beteja e heshtur me jetën brenda spitaleve ka edhe aktin tjetër, atë më dramatikun ku fëmija nuk sheh dot prindin e sëmurë,kur bija nuk mundet të njomë buzët e thara të nënës që rënkon në vetmi, ku njeriu mbyll sytë i vetëm pa thënë amanetin, pa puthur, a e puthur të shtrenjtët e vet.Njeriu ikën i vetmuar nga kjo botë edhe kur bota e tij është plot. 

Dhe kjo dramë ndodh disa herë në ditë , qindra herë në javë , mijëra e mijëra herë në muaj. Ka pesë muaj që kjo dramë nuk resht së luajturi ca akte që as imagjinata nuk i koncepton dot e në fakt kjo real dramë mu përpara syve tanë prodhon emra , viktima, heronj , lot përmes akteve që nuk dihet se kur do të marrin fund.

Sot një mik i shtrenjtë më dergoi disa vargje motivuese, inspiruese, edukuese me të cilat e nisa ditën , i vendosa mbi tryezat e gjithsejcilit dhe lexova buzëqeshje në sytë e tyre ndërsa i lexonin. Ata nuk janë heronj ndoshta por kurrsesi nuk duhet të jenë as viktima të kësaj fatkeqsije globale. Ca spote tingujsh të shkurtër jehojnë herë pas here në gjithë korpusin spitalor. Janë të mbushura me ritme që thërrasin për besim dhe shpresë dhe duan të falin besim dhe shpresë ndër ne sakaq.

Ditët me covid 19 në spital mbartin shekujt brenda. Aty ndodhen e djeshmja shumvjeçare që shuhet, teknologjia e re që pulson, është jeta, është vdekja, është lutja është edhe lehtësimi e falenderimi. 

Duart e mjekut janë si ato të zotit, pa kujdesin e tyre jeta është viktimë , ajo dorëzohet, gjunjëzohet, shuhet. Prandaj ata i quajme heronj , nuk janë heronj , por njerëz të brishtë ,i duam heronj sepse na duhen të tillë që jeta të triumfojë , si më parë…

Marjana Bulku 

Prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Kronike Prilli, Marjana Bulku

EMIGRANTI QE FJETI 4 MUAJ NE PARK NE ITALI…

May 6, 2020 by dgreca

E DESHËM ATDHEUN, POR, ME SA DUKET, NJË PJESË S’NA DESHI/

Bisedë me Meleq Beqirin, mërgimtar në Itali/

Nga Abdurahim Ashiku/

  • Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur…
  • “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
  • As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat.. – 
  •  Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë, por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem…

    Hyrje në bisedë…

E kam njohur maleve të Bulqizës, atyre maleve që më shumë se floririn e nëntokës kanë atë të mbitokës, atë që lëviz, atë që ngjitet kreshtave dhe zbret thellësive, NJERËZIT… Punëtorë si ata, familjarë si ata, të shoqërueshëm deri në gaz shpirtëror.
E kam njohur edhe në kalimin e kohëve, kur drejtonte rrethin, në periudhën më të vështirë për Bulqizën…
Më humbi për shumë vite…
E gjeta një ditë në shoqërinë e madhe të internetit…
Një ditë më kërkoi numrin e celularit në Shqipëri…
U takuam disa herë. Pimë kafe dhe udhëtuam luginës së Bulqizës për tu ngjitur me mend në Dhoks e në Tërnovë, për të zbritur në nivelin e dhjetë asokohe në ndërtim, për tu takuar e biseduar me miqtë e përbashkët…
Një ditë në plazhin e Malit të Robit, tek gjerbnim kafen shtypa butonin dhe i “shkrova” në diktofon zërat me të…
Po e përcjell zërin dhe emocionet e tij, zërin e një mërgimtari që nuk e ka harruar dhe nuk e harron vendlindjen…

* * *
Meleq Beqiri! Mirëserdhe në Atdhe!
Mirë se ju gjeta!
Ç’e mirë ju solli?
Dashuria për atdheun. Veçanërisht dashuria për prindërit, për nanën, për shokët, për gjithçka që kemi lënë mbrapa dhe gjithçka që kërkojmë të gjejmë.
Sa vjet t’u bënë në Itali?
Njëzet e një vjet.
E mban mend si ike?
Natyrisht. Dhe nuk do ta harroj kurrë në mënyrën si kam ikur. Sigurisht një nga mënyrat e vetme që nuk do të dëshiroja të ikja. Për fat të keq situatat ishin të tilla dhe na detyruan të iknim. Ne e deshëm atdheun por me sa duket një pjesë e atdheut nuk na deshi.
Si u vendose në Itali?
Me shumë vështirësi. Pa bazë, pa asnjë pikë mbështetje. Dalëngadalë u integrova. Kam fjetur jashtë për katër muaj.
Kur thoni jashtë si ta kuptojmë?
Kam fjetur në park nga data 5 shtator 1993 deri më datën 9 janar të vitit 1994.
Ike nga parku dhe u strehove në…
Gjeta punë dhe pastaj gjithçka mori rrugë…
Mund të më përshkruash ditën e parë të punës?
Qesh…
Punë me kazmë e lopatë.
Po ajo kazma dhe lopata kishte lidhje me kazmën e gjeologut në malet e Bulqizës?
Qesh…
Jam i gëzuar që mësova edhe nga kazma dhe lopata e vërtetë që na u desh kur nuk e prisnim.
Cili është formimi intelektual i juaji?
Kam mbaruar Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera në degën e gjeologjisë. Kam punuar në minierën e Bulqizës inxhinier gjeolog. Nuk kam pasur mundësi të bëj specializime të mëtejshme që ka qenë ëndrra ime.
A mund të kthehesh paksa në Bulqizë, tek miqtë, tek shokët, në nostalgjinë tuaj për kërkuesin e mineralit të kromit në vendburimin më të madh të kromit në Shqipëri dhe në një ndër vendburimet më të mëdha në botë?
Bulqizën e konsideroj vendlindjen time të vërtetë, pa harruar Strikçanin ku kam lindur. Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur.
Nga shokët kë kujton me mall?
Nuk mund të veçoj asnjë. Kujtoj të gjithë ata shokë me të cilët kemi kaluar rininë, pjekurinë, pushimet e verës, punën, përpjekjet, veprimtarinë shoqërore, profesionin. Pa përjashtim, të gjithë.
Si u integrove në punë dhe në jetën shoqërore në Itali?
Dalëngadalë. Më duhej të rritesha profesionalisht. Kam një histori tepër të veçantë të integrimit. Më mori një usta goxha i moshuar. Dëshironte të rregullonte shtëpinë e djalit i cili shpejt do të martohej. Pas disa ditësh punë më pyeti për profesionin. I thashë se kam qenë inxhinier gjeolog. Nuk më besoi. Kur po sistemonim materialet e ndërtimit brenda në dhomë i thashë t’i sistemojmë rreth mureve sepse momenti i forcës në mesin e dyshemesë është shumë i lartë dhe mund ta rrëzojmë atë.
-Çfarë është ky momenti i forcës? – më pyeti
Ia shpjegova duke bërë një skicë…
Atëherë më tha se me siguri duhet të kesh studiuar për inxhinieri.
Kur erdhi djali, i cili ishte inxhinier ndërtimi, i bëra një pyetje teknike. Ai hezitoi për momentin të përgjigjej.
Babai i tha: “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
Në vijim të ditëve më sugjeroi që t’i ve objektiv jetës time që të mos vazhdoj të punoj me kazmë e lopatë por t’i ve dijenitë në shërbim të një pune timen.
Vite më vonë, kur u transferova nga Roma në Veneto një zonjë e moshuar e cila kishte prej trembëdhjetë vjetësh një problem të pazgjidhur në shtëpinë e saj, kur e zgjidha më tha “Ti je i zoti të bësh një numër trembëdhjetë në loto”. Kur e përshëndeta në darkë më pyeti: “Pse vazhdon të punosh nën padron?”. I them se kam familjen për të mbajtur. Më tha që nesër të shkosh të hapësh një llogari pune në bankë. Dhe në qoftë se gruaja dhe vajza jote do të rrezikohen të vdesin për bukë bjeri se do t’i mbaj unë. Ti vetë mund të vdesësh në qoftë se nuk  je i zoti të mbijetosh.
Të nesërmen hapa llogarinë e punës. Që atëherë kam njëmbëdhjetë vjet që punoj në punën time. Partita iva   është ajo që identifikon ndërmarrjen. Nga momenti që e hap ke një ndërmarrje mbi bazën e të cilave paguan taksat dhe zhvillon gjithë veprimtarinë e punës. Edhe tash, në kohë krize, ndërmarrja vazhdon të ketë sukses, relativisht të mirë. I rezistuam krizës. Jemi 3-4 familje që jetojmë me këtë ndërmarrje.
Çfarë veprimtarie bëni konkretisht?
Kemi një ndërmarrje ndërtimi. Kryesisht merremi me rikualifikimin e ndërtimeve të vjetra plus edhe ndërtime të reja si dhe shërbime të ndryshme.
Sa është vlera e punimeve?
Afërsisht 150-200 mijë euro në vit, nganjëherë edhe më shumë.
Çfarë mjetesh pune keni në përdorim?
Kemi mjete të lehta që quhen betoniere, trapano fleksibele, dy kamionçina 35 kuintal. Pothuajse të gjitha veglat e lehta.
Nga kush përbëhet ndërmarrja?
Jam unë si titullar. Kam edhe tre të tjerë dhe sipas rastit marr edhe 5-7-10 të tjerë sipas volumit të punës.
Të tjerët janë shqiptarë apo edhe italianë apo emigrantë?
Janë të gjithë shqiptarë për momentin por në disa raste thërres edhe hidraulikun që është italian, elektricistin po italian. Me ta koordinojmë punët. I ftoj ose më ftojnë që unë të bëj pjesën e ndërtimit.
Si je i stabilizuar familjarisht në Itali?
Goxha mirë. Jam ndalur në Padova sepse pikësynimi im është që të krijoj një të ardhur ku fëmijët të mund të shkojnë në një universitet prestigjioz siç është universiteti i Padovës, i dyti universitet më i vjetër në Itali pas universitetit të Bolonjës.
Sa vite ka që është hapur?
Me siguri diku tek pesëqind vite më parë. Di që kanë studiuar dhe dhënë mësim Galileo Galilei, Lermontovi, Mendelejevi, Isak Njutoni…dhe personalitete të tjerë të kohës sonë.
Familja jote e ngushtë?
Jam unë, bashkëshortja dhe dy fëmijë. Gruaja, Fazile Lleshi vajzë Gjorice por nga Zogje, vajza e Tufik Lleshit. Kam edhe vajzën Aurorën, vajza e madhe 11 vjeç dhe djalin 6 vjeç, Endrin. Vajza vazhdon shkollën që po ta llogarisin me sistemin në Shqipëri i bie të jetë në klasën e gjashtë. Djali është akoma në kopsht.
Je shtetas italian apo…?
Që nga data 9 gushti jemi të katërt me shtetësi italiane. Unë ka 4 vjet që bashkë me fëmijët e kam marrë shtetësinë italiane kurse gruaja e mori më 9 gusht 2014.
Në Shqipëri kë keni?
Nga familja e ngushtë kam nanën, vëllezërit, motrat. Kam dy vëllezër këtu, kam edhe tri motra. Kam edhe një motër në New York. Janë të martuar dhe me fëmijë. Djalin e kam edhe me shtetësi amerikane sepse ka lindur në New York.
Në fshat kë keni?
Kam nanën dhe vëllain që rrinë në Strikçan.
I keni shtuar ndonjë tullë shtëpisë së vjetër në Strikçan?
Kemi bërë një shtëpi të re atje ku rri nana dhe vëllai. Kemi mbajtur gjithë tokën…
Akoma i mban të gjalla, nuk i keni shkulur rrënjët në vendlindje?
As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat. Ne kemi gjithsesi shtëpinë tonë sepse atje rri nana dhe vëllai, që është shtëpia jonë edhe ajo, e vjetra fare që është e gjyshit ku rri vëllai dhe nana dhe mendojmë të ndërtojmë edhe nga një shtëpi tjetër që kur të vijmë të jemi tek shtëpia jonë.
Rruga e Arbrit del në prag të shtëpisë?
Më vjen shumë afër. Shpresoj që të mos ngelet premtim elektoral. Mendoj që ta kërkojmë, natyrisht në mënyra të ligjshme. E drejta e dibranëve për të pas Rrugën e Arbërit është më se e ligjshme, madje shumë e vonuar. Ka ardhur koha që dibranët të kenë rrugën e shumë premtuar.
Kur do të ikni në Itali?
Do të ik më 28 gusht. Më duhet të kthehem sepse për fatin e mirë jam shumë i ngarkuar me punë. Por përpara se të shkoj në Itali do të shkoj në Strikçan për tu çmallë me nanën, me njerëzit, me vendet e mia.
Do të lahesh në Zall?
Edhe në Zall do të shkoj. Do të çoj vajzën dhe djalin. Kanë dëshirë të lahen dhe ta përjetojnë realisht atë që u kam treguar unë se cili ka qenë plazhi jonë, Zalli i Okshtunit. Është me të vërtetë një Zall i mrekullueshëm me atë ujë qelibar të pastër me troftat që vallëzojnë mbi gurë.
Çfarë ndjen atje ku je, në mërgim, mall që të tundon e ta merr gjumin?
Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem. Me mall kujtoj veçanërisht ditët e festave, ditët veçanta të ditëlindjeve kur e ndjej të pamundur që mendjen mos e kthej dhe mbaj atje gjatë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

TALENT

May 5, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Qytetërimi është pranë kulmit, mendojnë disa, kur të tjerë thonë se ende ndodhet në këmbët e malit, si ylli i mëngjesit, që del kur diellit i duhet ende kohë për të filluar ditën. Kjo tregon se sa i manipulueshëm është karakteri i disave, të cilët me sy mbyllur ndjekin pushtetin, e ligjshëm ose jo, që një opozitë gjithësesi kërkon t’a rrëzojë.Çdo mendim që hidhet në botë, ndryshon botën. Por politikanët ndiejnë vetëm praninë e fitimit, të cilin e kanë ndarë, sa për vete e sa për shefin, përpara se të hyjë në kasafortë.Konkurenca dhe sukseset janë aq të pakta, si gjethe fiku, me të cilën politikani i turpëruar përpiqet të fshehë lakuriqësinë e tij. Homazhe a nderime bëhen në çdo rast, fushë e aspekt. Shumë e dinë se nuk i meritojnē ato, dhe janë të paduruar për të treguar një talent sado të vogël si zëvendësues të vlerës. Çdo njëri ka një talent që mund t’a bëjë disi të dobishëm, ose të këndshëm, ose të frikshëm, ose zbavitës, ose fitimprurës, dhe e shfaq atë si një ndjesë ndaj të tjerëve për shkeljen mbi ‘ta a shkëputjen prej tyre. Por kjo nuk e kënaq. Mund të hedhësh pluhur në sytë e të tjerëve, por shikimin e vetes nuk e përmirëson dot. Kur kalon para të tjerëve je i vetëdijshëm dhe një dridhje e lehtë emocioni e frikë të kaplon. Talenti është një lloj ekspansioni dhe njeriu është i detyruar të reflektojë në momentin e shkëlqimit me një lloj poshtërimi. Shumica e personave të suksesshëm, veçanërisht në politikë, dalin në publik me një farë droje të heshtur. Secili duket sikur thotë, ‘nuk jam ky që shihni’. Ky është kompensimi ndaj vetvetes për dobësinë, ftohtësinë dhe pabesinë ndaj të tjerëve. Si lloj kafshësh të pyllit, që nuk kanë asgjë tjetër përveç një bisht për ngjitje ose zvarritje. Nëse një politikan mund të hynte në marrëdhënie të ndershme me njerëzit dhe ta bënte jetën më të qetë përreth tyre, nga dinjiteti dhe ëmbëlsia e sjelljes së tij, ose të shmangte favorizimet e shefit, apo takimet e fotot e lakmuara aq të kota dhe pompoze? Por me siguri asnjëri prej tyre nuk do të ishte aq sharlatan sa të përballonte të ishte i sinqertë në këtë përgjigje.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Talent

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT