• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dy dorëshkrime të çmuara të 1800-ës të Hafëz Xhelalit

April 24, 2020 by dgreca

– Një Kuran në gjuhën arabe/

– Një libër lutjesh në osmanisht/

– që të dy vlerësuar lart nga orientalistët si të përsosur gjuhësisht dhe të një kaligrafie model/

Nga Shpend Sollku Noé/

Kur hordhitë e rinisë së kuqe të shkurtit të 1967-ës rendën të përdhosnin, shktatërronin e digjnin instituzionet fetare, Hyrì Sollakut –  xhò Hyria e thirrur me shumë respekt nga beratasit –  nuk i kishte shkuar ndërmend që kishin për të mësyrë edhe shtëpinë e tyre në kodrën poshtë Bregut, përballë Biftës, në Berat. Ajo, e veja e Hafëz Xhelalit, nuk besonte që, pasi kishin mbyllur e plaçkitur xhami, kisha, teqe apo vakëfe, ata do të kishin vënë shënjestër edhe shtëpitë e shërbyesve të fesë.

Ishte akoma java kur Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë, teksa ajo bandë të rinjsh ia mbërriti përpara portës së Sollakëve. Ashtu si edhe tek insitucionet fetare, ata kërkuan të sekuestrojnë bilbiotekën e Hafëzit. Sikur ta kish nuhatur që më parë, xhò Hyria i kish fshehur më të çmuarit e librave poshtë sofasë ku, në vitet e pleqerisë së thellë (ajo jetoi pothuaj një shekull), rrinte dhe kundronte ecejaket e lagjes përballë, në të cilën kishte edhe shtëpinë e vajzës së vetme – Madè. Sofaja ishte e gjatë sa edhe faqja e murit të përbërë kryesisht prej pesë dritaresh të njëpasnjëshme. Ajo e kish parë atë grup të hakërryer të kalonte mbi urën e përroit, përtej të cilës niste ngjitja drejt shtëpisë së tyre. Por nuk ia donte mendja që do t’i binin me grushte edhe portës së saj.

Pa ndonjë urdhër nga prokuroria, ata u futën për kontroll në shtëpi, dhe dretpërdrejt tek biblioteka e Hafëzit. Ishte e pasur, me libra të rrallë, shumë të vjetër, një thesar i vërtetë, kryesisht në gjuhët që kish pasë njohur hafëz Xhelali: shqip, persisht, osmanisht, arabisht e turqisht. Pjesa dërmuese ishin blerë prej tij që kur kish qenë student në Izmir, por edhe më vonë, gjatë udhëtimeve për në Mekë. Në atë bibliotekë gjendeshin edhe shumë dorëshkrime të tij, punë e një jete, të filluar që në kohën kur vazhdonte medresenë. 

Gjithçka gjetën harbutërit e rinj e hodhën në oborr. Dikush prej tyre, djalë i lagjes, që u paraqit si sekretar i rinisë, kish marrë me vete edhe një shishe me benzinë. Spërkati nëpërmejt saj pirgun e librave dhe i vuri flakën. 

Ndërkaq Hyrì Sollaku, me lotë në sy, ish ngritur nga sofaja, dhe, pa e përmbajtur dot veten, u kish thënë: Ju deshët të shkelmonit zotin, por ato libra që po digjni nuk flisnin vetëm për të. Cili prej jush ia lejon padituria të kuptojë se ç’thuhet në ato fletë?

Kaq u desh që ata të riktheheshin edhe njëherë brenda shtëpisë. Më të egërsuar se herën e parë. Njëri prej tyre, nëpërmjet baxhasë, futi duart edhe mbi e nën çati. Një tjetër arriti të gjente edhe librat e çmuar poshtë sofasë. Edhe kjo plaçkitje përfundoi në zjarrin e madh që tashmë bubullinte e kërciste në oborr. Pasi u siguruan që librat nuk munt t’i shpëtonin më zjarrit, hordhia e të rinjve mori tëposhtë, për t’i vënë zjarrin ndonjë pasurie tjetër të paçmuar.

 E veja e Hafëzit nxitoi të shuante zjarrin me të vetmin mjet që mund të përdorte: ujin. Prej gjithë atij pirgu diturie arriti të shpëtojë, edhe pse të dëmtuar, vetëm dy prej dorëshkrimeve të të shoqit: Kuranin në arabisht dhe Librin e Lutjeve në osmanisht. 

Sapo gjeti rastin, që të dy këto libra i dërgoi me njeri të besuar tek e bija Madè, në lagjen përballë. Madeja i fsheu me xhelozi në tavanin e shtëpisë së saj. Herë pas here, nëpërmejt kapanxhës, ngjitej atje i vetmi njeri i shtëpisë të cilës e bija e hafëzit ia kishte besuar sekretin: mbesa Entela. 

Këto dy libra e panë dritën e diellit vetëm pas 1990-ës. Fatin e tyre Madé Braçe ia besoi Entelës, me prosinë që t’i ruante si sytë e ballit. Ajo i mori në Itali që ditën e emigrimit të saj për atje. Qoftë kuranin, qoftë Librin e Lutjeve, i kam ekzaminuar personalisht, i kemi digitalizuar në familjen time, dhe, në mirëkuptim me kushërirën Entela (Dedé ka qenë halla ime) po presim që të gjejmë ndonjë muze të përshtashëm për t’i ekspozuar përgjithmonë, sipas një protokolli serioz.  

Minivitae i Hafëz Xhelal Sollakut, me shpjegime të shkurtra rreth dorëshkrimeve të Kuranit dhe të librit të Lutjeve. 

Ky Kuran në arabisht, foton nga brendësia e të cilit po ju paraqes, është dorëshkrim nga gjyshi im i Beratit, Hafëz Xhelali, shkruar kur ai vazhdonte Medresenë në Izmir. Aty kish mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera, që i dhanë edhe titullin “Hafëz” menjëherë me diplomën. Ky titull u jepej vetëm atyre që e dinin Kuranin përmendsh. Specialistët, që më ndihmuan më këto hollësira, thonë që ky dorëskrim është i një kaligrafie tipike arabe dhe i një cilësie të mrekullueshme të të shkruarit. Lulet dhe pikat e verdha janë prej ari. Libri është shkruar diku para 1890-ës. 

Hafëz Xhelali ka qenë mëngjërash (sollaks), pra shkruante me dorën e majtë. Prej tij kemi trashëguar edhe mbiemrin Sollaku. 

Xhelal Xhelali – Sollaku, më mirë i njohur si Hafëz Xhelali, kish lindur në Berat, më 11 prill 1870. Ka qenë një orientalist i përmendur beratas i kohës së tij, kryesisht për fenë islame. Siç është përmendur më sipër, ai kish kryer medresenë sunite të Izmirit.  Deri vonë në shtëpinë e tij gjendeshin libra të shumtë, të vëllimshëm e me shumë vlerë, shumë syresh edhe antikë. Disa prej tyre i kish shkruar vetë. Ai shkruante shqip, persisht, arabisht e osmanisht e turqisht. Sot gjenden të shpëtuar vetëm dy prej tyre, Kurani dhe një Libër Lutjesh. Të dy të shkruar me dorën e tij. Sipas specialistë të Islamit, por edhe atyre laikë, që të dy këta libra janë të një vlere të pallogaritshme historike e kulturore, jo vetëm për fenë Islame, por për gjithë trashëgiminë e kulturës shqiptare. Libri i parë është një dorëshkrim i mirëfilltë, i shkruajtur në një arabishte të pastër, me një kaligrafi të mrekullueshme, perfekte, të gjuhës në fjalë. Ky libër ka tërhequr vëmendjen sidomos të studiuesve të rinj në Shqipëri. 

Hafëz Xhelali kish qenë mëngjërash edhe kur punonte, jo vetëm kur shkruante. Atij ia kishin harruar mbiemrin në Berat. Për të gjithë ia kish qenë gjithmonë i shumërespektuari Hafëz Xhelali. Aq e vërtetë është kjo, saqë, kur u bë regjistrimi i popullsisë, asnjërit nuk iu kujtua mbiemri i tij. Vetë hafëzi ishte në Mekë. Atëherë, siç ndodhte rëndom në ato kohëra, thërriteshin në ndihmë zanatet apo nofkat. Për Xhelalin të tërë u kujtuan që ishte sollaks, prandaj e regjistruan me mbiemrin Sollaku. Pas tij e gjithë familja dhe zhvillimi i saj trashëgoi këtë mbiemër. Shumë orientaliste të rinj të mëvonshëm janë orientuar apo kanë marrë mësime prej tij. Një emër mbi të gjithë, i riu Vexhi Buharaja, me të cilin e lidhte edhe një miqësi e hershme familjare.

Thesari i dytë i shpëtuar zjarrit të të kuqve është Libri i lutjeve – “Dua”. Edhe ky libër është dorëshkrim i shkruajtur në osmanisht, por, siç ma konfirmon edhe miku Genc Çurgu, ka në brendësi edhe disa faqe në arabisht, të evidencuara me korniza të kuqe, ashtu siç bën Hafëzi edhe tek libri tjetër i tij i sipërpërmendur. Ndryshe nga Kurani që është riprodhuar përmendsh, po pa asnjë grimcë të ndryshuar, libri i lutjeve është krijesë e vetë Hafëzit. Që të dy këta libra dëshmojnë saktë vlerën shumëpalëshe të autorit të tyre.

Hafëz Xhelali ka qenë nga kundërshtarët e parë të komunistizimit të Shqipërisë. Ai u nda nga kjo botë më 20 Shtator 1942, nga një vdekje e papritur në rrethana misterioze. Xhò Hyria e kujtonte gjithmonë vdekjen e tij si eventin më të beftë të botës: Një mollë ishte, e bukur dhe e fortë, që bie prej degës papritur. Asnjë krimb sëmundjeje nuk e kish brerë më parë. Erdhi në shtëpi si gjithmonë, me misterin e zoti në sy. E piva kavenë tek… më tha. Dhe u mbështet mbi sofà si për të pushuar pak, me vështrimin nga Meka. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Hafez Xhelali, Shpend Sollaku Noe'

MEDITIM NË KARANTINË

April 23, 2020 by dgreca

Nga K.P. TRABOINI/* Amerika padyshim e ka cilësisht të shkëlqyer sistemin shëndetësor. Kanë teknikë të përsosur. Aparaturat mjekësorë me të sofistikuara në botë. E kam provuar të paktën tre herë kur jam shtruar në spitale, e megjithatë këto ditë po vdesin mijëra njerëz nga kjo flame e zezë Corona Virus Covid 19. Problemi mendoj duhet të ketë qenë (nëse na lejohet të kemi një mendim në kushtet e shtetrrethimit botëror), se nuk u morën masat me kohë si në Itali dhe në Spanjë. Edhe Anglia e vonuar. “Trimëria” e kryeministrit britanik Boris Johnson që në fillim u pa se ishte një aventurë e rrezikshme, si punë kaubojsi. Rrezikoi veten por nisi në atë botë të tjerë nga pakujdesia në qeverisje. Edhe Amerikës ju duk i largët kumti i zi Bergamos. Vonesa nuk mund të mos sillte tragjedinë. Vetëm në lëvizjet e trenave gjatë ditës në New York udhëtojnë miliona njerëz, pra nëse një njeri është i infektuar e ai e ka raportin 1 deri më 1.5 ,siç mund të jetë në disa vende me rritje infeksioni të ngadaltë, kjo shifër shkon e dyfishuar apo trefishuar në qytete me qarkullim të madh. Pra ka një rritje me progresion gjeometrik të llahtarshëm. Kësisoj ndodhi në qytetin e New York-ut ku ka miliona banorë, në një kohë shumë të shkurtër, por kësisoj nuk ndodhi në Vermont, as Maine apo New Hamshire, ku popullsia është më e pakët dhe e shpërndarë. Ndodh edhe një fenomen për tu vënë në dukje, në Veri të shtetit të New Yorkut, që kufizohet me Kanadanë, ka shumë pak të prekur 3 % të prekurve të shtetit, por në qytetin e New Yorkut 97 %, një tmerr i vërtetë. Edhe New Jersy po kështu, sepse është një qytet fare afër, nder komunikues, dhe shumë kush që punon në New York banon në New Jersey. Kam lexuar që në janar-shkurt, sepse isha i interesuar të shkoja në Amerikë në Mars, se nëse kjo epidemi kap Amerikën llogariten miliona të vdekur. Prognozë e zezë. Ndaj që në fund të shkurtit thashë nuk do të shkoj. Dhe nuk e preva biletën sepse mendoja lëvizjet e avionëve që padyshim ishin kthyer në transmetues të virusit vdekje-prurës, që ishte ndezur në Kinë e do ti vinte flakën gjithë globit. Pikërisht prej qarkullimit të madh e pësoi edhe New Yorku, ky metropol i botës që nuk fle as natë e as ditë. Aeroporti “Kenedi” priste miliona pasagjerë nga gjitha vendet. Ja dhe një vatër e nxehtë. Dikush bën kritizerin për mjekësinë amerikane, por dua të them, ani pse për fat kemi pak vdekje në Shqipëri, as mos e krahasoni mjekësinë shqiptare me atë amerikane, as italiane, as spanjolle pavarësisht vdekjeve të shumta që kanë. Se fundja tështima (alegorike) e një elefanti nuk është e barabartë me tështimën e një milingone. Megjithese të dyve u duhet thënë shëndet. Në Shqipëri kemi 200-300, ja na u bënë 500 shtretër a më shumë qofshin. Sikur të mos bllokohej qarkullimi, të mos karantinoheshin e distancoheshin njerëzit me vendim të rreptë qeveritar do të kishte edhe këtu mbase deri në mijëra jetë të humbura. Nuk dua të bëj Kasandrën, por kjo do të ndodhte pa as më të voglin dyshim. Përrallat që ne shqiptarëve “heroikë” (siç u thanë budallallëqe në ca intervista televizive), se ne nuk na bën dot gjë virusi, janë për sarahoshët. Apo ndonjë farë panelisti që u ka marrë koka erë e çajnë dërrasa në TV, tashmë nëpërmjet “Skype”, që kërkojnë hapje kur ata vetë nuk kanë asgjë për të hapur veç gojës së vet të azdisur që nuk di të pushojë kurrë, madje as në gëzime e as në morte. Por qytetet e mëdha të shteteve me potenciale të mëdha ekonomike nuk është e lehtë ti karantinosh. Ligjet e botës i bëjnë kompanitë e mëdha kombëtare apo shumëkombesh qofshin, që shohin interesat e tyre e as e tundin fort për popullin e thjeshtë kudo në botë. Edhe hapja, siç po trumbetohet, nxitur e nën presionin e bosave të mëdhenj të ekonomisë botërore që po ju pakësohet fitimi, do të jetë jo pa rrezik. Çfarë është kjo ngutje në hapje kur nuk kanë idenë se çfarë do të ndodh nesër. Kur nuk kanë asnjë ilaç shërues. As vaksinë. Vetëvrasje më duket. Ca thonë vjen frika e urisë, prandaj. Nuk besoj të jetë kështu. Po fundja më mirë i uritur se i vdekur. Kemi mbetur me sy në qiell. Atë pak qiell që ma lejon ballkoni i shtëpisë së rrethuar me kulla të larta që nuk të lënë të shohësh as diellin. Dhe nuk kam ndërmend të dal rrugëve edhe sikur qeveria ta lëshojë lirinë e daljes me kut a me metër, me ose pa fasha në orar. Se populli ka një fjalë të urtë që thotë “shkoi dhia me nxjerr brirët e la edhe leshtë”. Dhe ec e mos e dëgjo popullin po deshe. Vajte për lesh parlamentar. *Foto autori në karantinë, prill 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: meditim

Sot dhe dikur

April 22, 2020 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/ Në kohën e tanishme, çdo gjë artizanale preferohet sepse është dëshmi e inteligjencës, shijes dhe individualitetit. Shteti, megjithatë, nuk ndalet së reklamuari mirësitë dhe sipërmarrjet e veta, me të cilat zgjeron kontrollin, shantazhin dhe shton sundimin. Sa i përket bamirësisë, kur kujtohet koha e shkuar dhe i gjithë zemërimi, qeveria bëhet më e zgjuar, për t’u shtirur më lehtë se pamja e saj ka ndryshuar.
Gjërat ishin aq të njëjta atëherë, megjithëse dukshëm të ndryshme, kur shumica u kthye tek të keqmenduarit. Dhe ashtu si ishët dilnin kundër, kështu edhe “tradhtarët i vijës” dënoheshin si në kohë Inkuizicioni. Duke hequr dorë nga thjeshtësia, ata morën lavdi nga përdorimi i politikës së momentit dhe të bërtiturat i bënë modë, sepse emri i mirë për ‘ta kishte rëndësi, por nuk e kuptonin se shpreheshin në përputhje me kategorinë e tyre mendore.
Duhej të ishin ata që nisnin devijime të tilla, që gjërat të dukeshin të reja, pavarësisht nëse ishin të tilla ose jo. Në art, si në shoqëri e politikë, emrat e rinj janë të domosdoshëm (në shumë aspekte ata, në mendësi, janë vërtet të vjetër). Kështu nga mosha në moshë një lloj realizmi i ri social rilind si reagim ndaj atij që ishte admiruar dikur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Kadare si inerci e një politike largpamëse

April 22, 2020 by dgreca

shkruar nga Shpend Sollaku Noé/

Kur Enver Hoxha, në një nga takimet e shumta me intelektualë afër të të majtës, i këshillonte Viktor Eftimiut që, përveç Kadaresë, të kish parasysh edhe Dritëro Agollin si një majë të realizmit socialist që duhej përhapur në botë, krijuesit apo lexuesit e sotëm ose nuk kishin lindur, ose ishin fëmijë, ose adoleshentë,  ose lexues fanatikë të “Zëri i Popullit”. 

Që Hoxha qe një diktator gjakatar i pashoq tashmë edhe ithtarët e tij e pranojnë, duke ia justifikuar në mënyrë të pacipë gjakderdhjet. Ata që diktatorin e kanë quajtur idiot e të dështuar në largpamje, sidoqoftë, nisen prej urrejtjes klasore, por i mohojnë atij të paktën largpamësinë e përcjelljes në të nesërmen e zgjatur të figurës së tij edhe në letërsi e arte.

Dhe nuk ka përcjellës më të mëdhenj të lavdisë së tij se këta dy autorë të përmendur më sipër. 

Këtu do të merrem me Kadarenë vetëm sepse nuk kam aq kohë të lirë sot sa ta konsumoj për dy personazhë. Me Dritëroin do të merrem herë tjetër.

Glorifikimi i diktatorit- ky është problemi kryesor që Ismaili ka ndeshur pas ‘90, nga shqiptarët por edhe nga komisionet e çmimeve që janë shumë skrupoloze ndaj autorëve që kanë përkrahur diktaturat. Nëse Kadareja e ka përkrahur apo jo diktaturën shqiptare nuk besoj të ketë më dyshime. Mjafton të kujtosh ndër të tjera poemat “Shqiponjat flururojne lart”, “Përse mendohen këto male” dhe sidomos “Vitet ‘60”. Në prozë më e spikatura si përkrahje e diktatorit është pa dyshim “Dimri i vetmisë së madhe” apo në formën e mëvonshme të “Dimri i madh”. Pa harruar se , në përgjithësi, e tërë vepra e tij duhet parë sipas principeve kryesore të realizmit socialist, përfshi këtu edhe romane të tipit “Këshjtella”, “Kronikë në gur” “Dasma” etj. , aq të rënduar prej tendenciozitetit klasor. Nga pikëpamja sasiore temat e tilla politiko- letrare zënë vendin kryesor në krijimtarinë e shkrimtarit tonë të shumëpërfolur. 

Qëllimi i këtyre shënimeve të shkurtra nuk është recensionimi i veprës së tij, por thelbi i diskutimeve të sotme rreth krijimtarisë së këtij autori.

Çfarë qëndrimi kanë mbajtur botuesit shqiptarë në lidhje me veprën e tij? 

Hudhri që zotëron kopirajtin e Kadaresë ka konfirmuar tendencën e pranimit total të kësaj krijimtarie. Arësye tregtare? Edhe. Sikur të kish pastruar prej frymës socialiste krijimtarinë e autorit kryesor që boton, do të kish qenë një plus i madh për këtë botues. Mund të kish mbajtur shumë prej tyre, ku , të paktën jo aq drejtpërdrejt, Kadareja shfaqet si autor i diktaturës. Do të mjaftonte “Prilli i thyer” apo edhe vepra te tjera në prozë dhe pastrimi i poezisë kadarejane nga ajo pjesë flagrante ku himnizohet diktatori apo partia. Por ky botues, me sa kam kuptuar, preferon ta paraqese totalisht Kadarenë. Arësyet i di ai më mirë. Ne vetëm mund të supozojmë: shes biftekun, por për këtë më duhet të pranoj edhe plëncin e palarë, edhe mushkritë e infektuara…. Ose: nostalgjikët janë ende të shumtë. Ata kanë mbetur tek e djeshmja e Shqipërisë – fanar i komunizmit botëror dhe Enveri – klasiku i fundit i marksizëm leninizmit… 

Nuk di që Hudhri të jetë shprehur ndonjëherë hapur rreth kritereve të seleksionimit të veprës kadarejane të realizmit socialist. 

Sipas supozimit tim të dytë, ai, si tregtar librash, nuk e ka menduar keq. Pasi ata që sot e pranojnë symbyllur Kadarenë nuk janë pak. Kësaj lukunie lexuesish nuk i intereson faqja letrare e medaljes, por vetëm ajo politike. Kadareja është për ta dëshmia e gjallë se në diktaturë mund të lulëzonte art i madh. Këta janë edhe ithtarët më të zjarrtë të I.K-së. Zakonisht kjo kategori përmledh lexuesit që nuk kanë lexuar më pas ‘90-ës. Atyre u mjafton informacioni i marrë në shkollat e nivelit të ulët, nga mësues të nivelit të ulët, të diplomuar me gjela deti, thasë me arra apo raki Skrapari.  Këta lloj  ithtarësh janë edhe më të rrezikshmit, pasi më injorantët e kohës së tollonit. 

Një rreth më i zgjeruar rreth ndjekësve të kategorisë së mësipërme është masa e pseudolexuesve, dmth e atyre që nuk kanë hapur më asnjë libër qysh prej dekadash. Ata i kanë krijuar opinionet vetëm me të dëgjuar apo nga ç’thonë të tjerët nëpër sociale. Ky lloj rrethi është edhe më i rrezikshmi, duke qenë se në të përfshihen edhe më injorantët dhe më nostalgjikët e periudhës së vetëshpallur komuniste. Me këta lloj njerëzish as që ia vlen të diskutosh, pasi të tërheqin me njëmijë kthetra në pusin e errët të urrejtjes histerike ndaj atyre që e mendojnë ndryshe. 

Filli i kyq që i bashkon të gjitha rrymat prokadarejane është një i vetëm: Pas Ismailit askush tjetër nuk meriton vëmendje. Ai mbetet më i madhi, të tjerët nuk ekzistojnë. Teza kryesore me të cilën i kundërvihen kritikuesve të tij është: e bëjnë për xhelozi, sepse ai i errëson.

  Ehi, para se të flisni. Lexoni njëherë të tjerët, pasi nuk mund të bëhen krahasime pa të paktën dy përbërës. Dhe mbushjani mendjen vetes: Ismail Kadareja i sotëm është vetëm inerci e një politike largpamëse të Enver Hoxhës. Librat e tij të sotëm edhe në vlerë stilistike kanë humbur shumë prej shkëlqimit të dikurshëm. Niveli i tij i sotëm është pak më shumë se ai mediokër – si refleks i zbehtë i lavdisë së dikurshme politiko-letrare. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kadare, Politika largpamse, Shpend Sollaku

LARG DUART NGA TË MOSHUARIT!

April 21, 2020 by dgreca

Nga PIERLUIGI BATTISTA/

Perktheu nga “Corriere della Sera”-Eugjen MERLIKA/

Neni i parë i fazës dy, tre, katër e përtej: larg duart nga të moshuarit. As mos provoni të lidhni për një kohë të pacaktuar të moshuarit në shtëpitë e tyre, mos mendoni për të moshuarit, as një gjysëm dënimi shtëpiak me vdekje. Të gjithë jashtë e ata mbi shtatëdhjetë vjeç të mbyllur me kyç deri në shtator? Arkivojeni si një shaka. Për fat të mirë n’Itali ka një kushtetutë që ndalon dallimet e grupeve të tëra në bllok, të goditur për faktin e vetëm se jetojnë? Mundësi për t’arritur në pranga shtëpiake deri në Krishtlindje, siç ka hamendësuar kryetarja e Komisionit evropian Ursula von der Leyen (që ndërmjet të tjerash është 62 vjeçe dhe rrin gjithmonë jashtë shtëpisë)? Një anekdotë makabre, asgjë më shumë. Mos të harrojmë se të vjetrit – po i quajmë kështu, të moshuarit si ata që përfunduan në hekatombën e Rsa (Qëndra shëndetësore ndihmëtare), nuk ishin ata infektuesit, përhapësit e koronavirusit për t’u mbajtur në karantinë, por të infektuarit, të brishtët për t’u mbajtur mbyllur në skutuliq që të tjerët të lëviznin pa shqetësime. Pra mjaft, biseda është e mbyllur: të moshuarit do të mund të dalin kur do të mund të dalin gjithë të tjerët, Kushtetuta që vendos barazinë e qytetarëve para ligjit nuk do të griset.

            Mbetet ndiesia që virusi ka cënuar fuqishëm ndjenjën tonë të lirisë. Jemi duke jetuar një sakrificë të përbindëshme, që na shërben për të kundërshtuar pandeminë. Po heqim dorë, e nuk mund të bëhet ndryshe, nga liri themelore si ajo e lëvizjes, e punës, e arsimimit, e të luturit në objektet e kultit të zgjedhura lirisht, e të shkëmbyerit të ndjenjave e zakoneve shoqërorë, të të dëfryerit, pavarësisht profetëve të Mesjetës së re pendestare, por nuk mund të mësohemi mendërisht e kulturalisht me fundin e lirisë. Po heqim dorë me skicimet telefonike nga një vlerë thelbësore e qytetërimit të madh borgjez të katandisur në grahmat e fundit, lirinë e jetës vetiake, por me shpirt flijimi. Larg duart nga të moshuarit, pra. Edhe sepse përndjekësit e tyre predikojnë mbylljen si një sprovë, deri sa nuk dijnë se cila mund të jetë dobia e këtyre masave dalluese. Shoqëria e lirë ka nevojë për të moshuarit dhe në të vërtetë çutopitë totalitare, si Ikja e Loganit, parashikojnë asgjësimin e kujtdo që kalon një farë moshe. Rrofshin të moshuarit, të lirë.

            “Corriere della Sera”, 19 prill 2020          Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Larg duart nga Te moshuarit, Pierluigi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • 246
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT