• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Luis Sepúlveda Calfucura! –Humbi betejen me COVID-19

April 16, 2020 by dgreca

(Shkrimtari kilian që do të lexojë histori dashurie në Parajsë…)/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Sot humbi betejen me Coronavirusin kinez, Covid 19 shkrimtari dhe gazetari i shquar kilian Luis Sepúlveda Calfucura (4 tetor 1949 – 16 prill 2020) 

Shkrimtari kilian Calfucura ishte një kundërshtar i rrepte  i regjimit diktatorial të Augusto Pinochet -it, ai u burgos dhe u torturua nga diktatura ushtarake gjatë viteve 1970.

Sepúlveda ishte autor i librave me poezi dhe tregime të shkurtra; përveç gjuhës se tij amtare, ai foli edhe anglisht, frëngjisht dhe italisht. Në fund të viteve 1980, ai pushtoi skenën letrare me romanin e tij të parë, “Njeriu i Vjetër që lexoi romane dashurie.” 

Një nga thëniet që më pëlqen më shumë është:

“It’s very easy to accept and love those who are like us, but to love someone different is very hard.” Që përkthehet: “Është shumë e thjeshtë të pranosh dhe të duash ata që janë si ne, por të duash dikë ndryshe është shumë e vështirë.”

Pas grushtit të shtetit kilian të 1973-it i cili solli në pushtet Gjeneralin Augusto Pinochet ai u burgos për dy vjet e gjysmë dhe më pas fitoi një lirim me kusht përmes përpjekjeve të degës gjermane të “Amnesty International” dhe u mbajt në arrest shtëpiak.

Ai arriti të shpëtojë duke u fshehur për gati një vit. Me ndihmën e një shoku që ishte drejtues i ekskluzivitetit të Aleancës në Valparaíso ai ngriti një grup qe interpretonin dramat dhe që u bë fokusi i parë kulturor i rezistencës. Ai u rikthye përsëri ku iu dha një dënim i përjetshëm (më vonë e zvogëluan në njëzet e tetë vjet) për tradhti dhe përmbytje.

Ai shkoi në Hamburg në Gjermani për shkak të admirimit të tij për letërsinë gjermane (mësoi gjuhën në burg) veçanërisht romantikët si Novalis dhe Friedrich Hölderlin dhe punoi atje si gazetar që udhëtonte gjerësisht në Amerikën Latine dhe Afrikë sipas Wikipedias.

Në 1982, ai erdhi në kontakt me Greenpeace dhe punoi deri në 1987 si anëtar i ekuipazhit në një nga anijet e tyre. Ai më vonë veproi si koordinator midis degëve të ndryshme të organizatës.

Në 1988 ai fitoi cmimin “Tigre Juan” për romanin e tij “Njeriu i Vjetër që lexoi romane dashurie.” dhe në 2009 ai fitoi Premio Primavera de Novela për romanin e tij “Hija e asaj që ishim.”

Më 1 mars 2020, ai u konfirmua si njeriu i parë në rajonin e Asturias të Spanjës që u infektua nga COVID-19. Deri më 11 mars, u raportua se Sepúlveda ishte në gjendje kritike, se ai ishte në gjendje kome të induktuar me frymëmarrje të asistuar për shkak të dështimit të shumëfishtë të organeve në një spital të Oviedo.  Ai vdiq më 16 prill për shkak të coronavirusit kinez.

Ai shkruajti rreth 20 romane, kronika, histori dhe libra për fëmijë.

Po sjellë një paragraf nga romani i famshem:  “Plaku që lexon histori dashurie”

Nga mosrespektimi i tyre ndaj pyllit të shenjtë të Amazonës, Antonio zhytet ne mjetin e shkatërrimit të njeriut të bardhë – armë – në lumë, duke mallkuar të gjithë ata që kanë komplotuar të shkatërrojnë Amazonën. Duke u ndier i turpëruar dhe i padenjë për të mos pasur zgjidhje tjetër përveçse të vriste “kafshën madhështore”, Antonio kthehet në fshat, në mënyrë që të mund të jetë vetëm dhe të rifillojë të lexojë tregimet e tij të dashurisë. Libra të tillë e ndihmojnë atë të harrojë mizoritë e njerëzimit, zemrën e tij të thyer dhe hapësirën e paqartë që zë midis burrit të bardhë dhe burrit të lindjes në një botë të plaçkitur.

“Ai shpesh dëgjoi që mençuria vjen me moshën, dhe ai priste, duke besuar se kjo mençuri do t’i sillte atë që donte më shumë; kjo aftësi shërbeu për të udhëhequr kujtimet e tij dhe të mos bjerë në grackat që ata shpesh i vendosnin për të.”

Duke lexuar romanin “Plaku qe lexon histori dashurie” ndjen se historia përsëritet si me personazhin e tij të dashur Antonion që nuk e përballoi dot luftën me shkaterrimtarët e pyllit të shenjtë të Amazonës.  Shkrimtari kilina humbi betejën me Corona virusin kinez që ka marrë mijëra jetë njerëzish përfshi dhe Luisin.  Ai iku duke qetësuar shpirtin e tij për të lexuar histori dashurie në Parajsë atje ku e ka vendin kjo racë shkrimtarësh.

(dita e 32-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

16 prill, 2020

New York 

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Luis Sepúlveda Calfucura

EPITAFI I YNË PËR FËMIJËT E VITEVE DYZETË

April 16, 2020 by dgreca

Nga ANTONIO SCURATI/

            Kishin lindur me luftën botërore e vdiqën nga shkaku i pandemisë globale. I kishin mbijetuar bombave, urisë, shpërnguljeve e mbaruan nga një maisje mushkërish. Kishin dalë në jetë nën shtypjen e Hitlerit apo Musolinit dhe e lanë atë nën shenjën e një shkurtese pavetore, Sars-CoV-2. U pagëzuan me zjarrin e një bote në flakë e do të vdesin pa mirosjen e fundit në një pavion të shkretë e të ftohtë. Nuk ka fate më të mira apo më të këqia, ka vetëm fate. Ai i brezit të korrur në këto javë, kërkon pikëllimin tonë, borxhin tonë të dhimbjes së përgjithëshme. Familjarët e viktimave nuk duhet të lihen vetëm për të qarë të vdekurit e tyre, sepse ata janë të vdekurit tanë. Ata janë shokët e një jete, janë etërit e rinisë sonë, janë gjyshërit e fëmijërisë të bijve tanë. Ndërmjet dhjetra mijërash, më të shumtit kishin 80 vite. Qenë foshnjet e viteve 40, bij të apokalipsit, të lindur në orën “e shënuar nga fati”, qenë djelmoshat e shpresës, njerëzit e rindërtimit, të moshuarit e zhgënjimit.

            “Po shkojnë – thuhet në një thirrje në rrjet – po shkojnë të hidhëruar e të heshtur, siç ndoshta ka qënë e përvuajtur dhe e heshtur jeta e tyre, plot punë e flijime. Po ikën një brez, ai që ka parë luftën, që i ka nuhatur erën dhe mangësitë… Po shkojnë duar të ngurtësuara nga kallot, fytyra të shënuara nga rrudha të thella, duar që kanë zhvendosur gërmadha, që kanë gatuar çimento, kthyer hekurat, në kanotierë e me kapelen prej letrës së gazetës. Po ikin ata të Lambrettave, të Fiateve 500, të frigoriferëve të parë, të televizionit bardh e zi. Na lenë të mbështjellë në një çarçaf, si Krishti në çarçafin e lirit, ata të hopit ekonomik, që me djersë kanë rindërtuar këtë kombin tonë, duke na dhuruar këtë mirëqënie nga e cila kemi përfituar pa na hyrë ferrë në këmbë. Po ikën përvoja, mirëkuptimi, durimi, qëndrueshmëria, respekti, dhunti tashmë të harruara”

Fati i ka dhënë shumë burrave e grave të këtij brezi të mrekullueshëm dhe fatkeq, por edhe i ka hequr shumë. I përkisnin shërbimit më të gjërë të shekullit, i u ngjitën jetës me frymën e pafund të një çiklisti në shkëputje, por thithën frymëmarrjen e fundit pa mushkëri. Lindën shpesh në dhoma të prishura, të paajrosura, pak të ndriçuara, përdhese, shtëpi me parmakë, kasolle të varfëra, por gjithmonë të mbushura , të zëshme, të ngjeshura me jetë, por vdiqën të vetëm, të mbrojtur, të veçuar, në të njëjtën kohë të braktisur nga një protokoll shëndetësor i domosdoshëm dhe i pamëshirshëm.

Është e tmerrshme të shkosh pa një fytyrë të dashur pranë që të mund t’a kundrosh. Nuk mund të përfytyrohet vdekje më e keqe. E pra ky qe fati i tyre në një pranverë pa gëzime. Ka fjalë për të vajtuar të vdekurit e ka fjalë për të ngushulluar të gjallët. Të dytat nuk janë të mundëshme nëse nuk recitohen të parat. Për këtë arsye, për ata që po ikin, duhet të thërrasim në ndihmë me fuqi, me të gjithë mëshirën për të cilën jemi të aftë, shkëlqimin ogurzi të kësaj pranvere të rreme. Dhe përmbi ne, që mbetemi, bekimin e tyre.  

Asnjë “Fazë 2” nuk do t’arrijë nëse më parë nuk do të kemi gërmuar tokën, vendosur në të arkëmortet, mbrojtur varret me bordura lulesh. Tani është koha të vajtojmë të vdekurit tanë. T’i premtojmë vetes se fëmijët e viteve 40 nuk do të harrohen.  Qoftë i lehtë dheu mbi ta.

“Corriere della Sera”, 14 prill 2020    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

“Cili vend është ky?

April 15, 2020 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Një vend, ndodhur në shekuj në kufi midis dy perandorive, arrinë të bëhet vetëm një gjysmë-shtet me vështirësi identiteti me shprehje kulturash të ndryshme, njëra tërhequr nga perëndimi e tjetra nga lindja, dhe ku veset gjallojnë.
“Nata e Dymbëdhjetë”, titull bazuar në një udhëtim në disa vende gjatë periudhës Mesjetare për të shënuar fundin e 12 Ditëve të Krishtëlindjes (25 Dhjetori – 5 Janar). Dita e fundit e kësaj stine festive, e njohur thjesht si Nata e Dymbëdhjetë, ishte një shkëputje nga rutinat e përditshme, me të pira e të ngrëna pa masë, larg rregullave dhe status quosë shoqërore; kur fshatarët bëheshin zotër, pronarët, shërbëtorë dhe e gjithë bota në përgjithësi kthehej përmbys, përkohësisht, siç duket çdo ide e re në lindje.
Pjesa teatrale, e shkruar nga William Shakespeare, ishte planifikuar të interpretohej Natën e Dymbëdhjetë. Performanca e saj e parë e regjistruar ishte në vitin 1602.
Personazhi kryesor, Viola, maskon veten që të mashtrojë më tej veten në shoqërinë e Dukë Orsinos.
Studiuesit mund të flasin shumë për shfaqjen, por ajo që e bën të rëndësishme lojën e Shekspirit, nuk janë personazhet, por vendi ku zhvillohet pjesa më e madhe e saj. Viola dhe vëllai i saj, Sebastian, po udhëtonin me anije në det kur i zuri një stuhi e fuqishme. Anija mundi të ankorohej në breg, por vëllai i Violës për fat të keq nuk mund të gjendej. ‘Cili vend, miq, është ky?” – pyet Viola. Kapiteni i përgjigjet: “Kjo është Iliria, zonjë”.
Kur William Shakespeare shkroi Natën e Dymbëdhjetë, shumica e bregdetit Adriatik kontrollohej nga Republika e Venecias, një nga shumë principata të fuqishme italiane. Ishin vitet e fundit, ndërsa osmanët pritej ta pushtonin këtë territor. Njësoj, edhe periudha Elizabetiane në Angli po mbyllej.
Para kësaj, iliria ndahej mes disa mbretërive dhe territori i saj shpesh ndërronte pronësi. Në kohërat e lashta, rajoni ishte pushtuar nga Romakët. Para hyrjes së romakëve, peizazhi ishte një mori fisesh të ndryshme të pavarura dhe konfederata fisnore, disa më të fuqishme se të tjerët. Vetë Evropa Jug-Lindore është një zonë interesante tranzicioni, ku duket se gjërat nuk janë tërësisht evropiane dhe nuk janë plotësisht aziatike. Ndoshta kjo kishte të bënte me faktin se rajoni dikur kishte qenë pjesë e Perandorisë Romake, e cila shtrihej nga Spanja në Siri. Sidoqoftë, gjatë shekullit V, perandoria u nda në gjysmat perëndimore dhe lindore. Kryeqyteti i Perandorisë Perëndimore Romake ndryshoi shpesh për shkak të presionit të pushtimeve barbare dhe luftërave civile, por kryeqyteti i Perandorisë Romake Lindore ishte gjithnjë Konstandinapoli, Qyteti i Konstandinit, një tjetër figurë e shquar me prejardhje ilire. Që nga ajo kohë, Evropa Lindore mbeti një zonë si tampon midis perëndimit klasik romak dhe lindjes ekzotike Persiane. Gjatë fundit të shekullit V, kur Perandoria Romake u shemb përfundimisht, dallimi midis lindjes dhe perëndimit u bë gjithnjë e më i dukshëm. Perandoria e Lindjes u quajt Bizant pasi shtrihej ‘Midis’ Perandorisē Romake në perëndim dhe Perandorisë Persiane në lindje. Perandoria Perëndimore mbeti e ngurtësuar në shumë mbretëri të vogla, shumica me origjinë gjermane, ndërsa Perandoria Lindore, vazhdoi edhe 1 mijë vite, deri në pushtimin osman, duke mbetur edhe sot në mendësinë e shumë njerëzve.


Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

SONATA E HËNËS-SHLYERJE E NJË DETYRIMI MORAL E SHOQËROR

April 11, 2020 by dgreca

  

Thanas L. Gjika/

SHLYERJE E NJË DETYRIMI MORAL E SHOQËROR/

(Vlerësime për librin “Sonata e hënës…” të Eglantina Mandisë)/

         Musine Kokalari ka qenë e para femër shqiptare shumë dimensionale që u shqua si mbledhëse folklori, shkrimtare, gazetare, studiuese dhe politikane. Për fatin e saj të keq, dhe tonin gjithashtu, ajo vuajti burgime, internime dhe përçmime që në vitin 1946 deri sa u shua më 1983. Duke kaluar nëpër këtë kalvar, ajo nuk u la të arrinte pjekurinë e saj si intelektuale dhe krijuese. Dënimi dhe vuajtjet e saj ishin dënim dhe vuajtje të një njeriu të pafajshëm. Them se ishin dënim dhe vuajtje të një njeriu të pafajshëm, sepse, si do ta shohim më poshtë, ajo u dënua prej gjyqit ushtarak më 2 korrik 1946 me 20 vjet burg, për gjëra që nuk i dënonte kushtetuta e asaj kohe, si krijimi i Partisë Socialdemokrate Shqiptare, botimi i organit të kësaj partie gazetës “Zëri i Lirisë” dhe kërkimi i shtyrjes së zgjedhjeve të dhjetorit 1945.

         Ky dënim i pafajshëm dhe pasojat që përjetoi Musine Kokalari, kërkonin që shokët e shoqet e saj komunistë ose jo t’i delnin në mbrojtje. Disa prej tyre e pësuan si ajo në po atë kohë e të tjerët e mbyllën gojën nga frika deri në vitin 1991. Kurse të rinjtë që po shkolloheshin në shkollat e socializmit, ishin të indoktrinuar dhe të trembur. Këta vuanin nga indiferentizmi dhe nuk tregonin interes për të njohur vlerat e intelektualëve të dënuar prej partisë shtet. Shikonin si t’i shërbenin “Nënës parti” për të përfituar prej saj. Emri i Musinesë, pas dënimit të saj, nuk u zu më në gojë, vepra e saj nuk u përmend në asnjë shkrim sado të thjeshtë.

         Njohja, studimi dhe vlerësimi i jetës dhe veprës së kësaj figure të shquar mbeti si detyrë morale qytetare e pakryer prej inteligjencës shqiptare deri në korrik-gusht të vitit 1992, kur Eglantina Mandia dha një intervistë vlerësuese për të në Radio Tirana. Mirëpo komunistët donin edhe pas dështimit të sistemit të tyre t’i linin në harresë gjithë të dënuarit politikë të diktaturës. Dikush i/e fshehur pas pseudonimit “Olimbi Zalli” e sulmoi Eglantinën te gazeta “Jehona e Tiranës”, organ i Partisë Komuniste të Rrethit të Tiranës. Atëhere shpirti i Eglantinës, që, kishte vluar përbrenda nga mosshlyerja e detyrës morale, iu fut punës për të njohur dhe vlerësuar në mënyrë të plotë jetën dhe veprën e heroinës që kishte adhuruar heshtur.

         Ajo i kushtoi vite pune intensive vajtjeve në Arkivin Qendror të Shtetit, leximit dhe kopjimit me dorë të dorëshkrime nga dosjet e mbushura me kujtime, ditarë, studime, vepra letrare të daktilografuara të Musinesë. Vrapoi për të takuar ish-kolegë të saj, të përndjekur që kishin vuajtur bashkë me të, për t’u marrë kujtime dhe vlerësime për këtë heroinë. Shkoi dhe në Romë për të njohur nga afër miq të saj dhe ambjentet ku kishte jetuar studentja Musine. Pas kësaj pune cfilitëse për grumbullimin e materialit, u ul e shkroi librin më të mirë të jetës së saj, librin të cilin e shkroi me shpirt si bijë shpirtërore e Musine Kokalarit. Dhe ia dha përgjigjen “Olimbi Zajmit” me botimin e veprës “Sonata e Hënës – Rrëfim për një jetë” GLOBUS Tiranë 1995, 240 faqe. Përgjigje jo me një artikull, që mund të ngjallte kundërshtime me sharje e fyerje, por përgjigje me një vepër të plotë letrare shkencore për t’ua mbyllur gojën një herë e mirë delirantëve dhe nostalgjikëve të ish-partisë shtet.

         Kështu dijnë ta kryejnë detyrën qytetare demokratët e vërtetë, të cilët u rrijnë larg grindjeve dhe punojnë me përkushtim për të ndihmuar opinionin shoqëror e atë shkencor për njohjen e së vërtetës së mohuar.

         Duke parë pritjen e ngrohtë që iu bë veprës, autorja e ribotoi te shtëpia botuese NGJYRAT E KOHËS, Tiranë 2016, 341 faqe, me synimin që ta shpinte dhe më tej rolin e dyfishtë të kësaj vepre: nxjerrjen në shesh të shumë krimeve të PKSh/ PPSh-së dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së heroinës Kokalari, “nuses së panusëruar”. Të dy botimet janë promovuar në Tiranë dhe jashtë Shqipërisë. Për hartimin e këtij shkrimi kam pasur në dorë botimin e dytë.

* * *

         E quajta Eglantina Mandinë “bijë shpirtërore të Musine Kokalarit” sepse midis shkrimtareve shqiptare të kohës së diktaturës e deri më sot ajo i është përkushtuar letërsisë dhe publicistikës duke ndjekur e zbuluar të vërtetën. Kjo krijuese punoi e krijoi si qytetare e thjeshtë, larg servilosjeve ndaj partisë shtet për të përfituar ndonjë bursë për studime e kualifikime jashtë shtetit, ndonjë vend më të mirë pune, ose lavde e tituj.

         Shkrimtarja Mandia është bijë e një famijeje me tradita atdhetare në disa breza, e cila ka qenë mëkuar me amanetin: “Punoni mirë, Rroftë Shqipëria!” që u la pasardhësve gjyshi i saj Kamber Myrteza Bënja (1873-1916). Pikërisht ky gjysh i Eglantinës kishte shërbyer te Qeveria e Vlorës si themelues i Xhandarmërisë së parë shqiptare. Mirëpo në vitin 1916, kur ishte me detyrën e rojes së objekteve arkeologjike që zbulonin arkeologët austriakë, ai u pushkatua pas një gjyqi që u kurdis prej komandës ushtarake austro-hungarezë më 4 gusht 1916 në Apolloni të Fierit…

         Eglantina mbaroi Fakultetin Histori Filologji të UT dega Gjuhë Histori në vitin 1959. Në të tre aspektet e jetës së saj si mësuese, familjare dhe krijuese ajo u shqua për përkushtim profesional, rregull dhe pastërti morale. Pas skicave e tregimeve të para ajo kaloi në hartim veprash të mëdha si novela, drama dhe biografi të letrarizuara. Seria e botimeve të saj ka arritur në 11 libra, dy prej të cilave janë botuar dy herë.

         Për krijimtarinë e Eglantinës gjatë diktaturës shkroi vetëm kritiku objektiv Dalan Shapllo, kurse pas ndërrimit të regjimit folën e shkruan studiuesja e mirënjohur Floresha Dado, shkrimtari Mëhill Velaj, studiuesi Murat Gecaj, albanologu Ullmar Qvik, etj.

         Që nga viti 1997 ajo jeton në Kanada në qytetin Windsor ON.

         Vepër e jetës

         Librin “Sonata e Hënës…” e quaj vepër e jetës së krijuses dhe studiueses Mandia, sepse motivet e saj buluan shumë vjet në mendjen dhe zemrën e saj. Ngacmimet e para për t’u njohur me jetën dhe veprën e martires Kokarari, Eglantinës i lindën në vitet studentore, por ato fjetën në ndërgjegjen e saj deri në vitin shkollor 1959-1960 kur ishte mësuese në gjimnazin “Sami Frashëri” të Tiranës. Atë vit e tërhoqi emri e mbiemri i nxënëses Arta Kokalari. E afroi dhe mësoi se ajo ishte jetimja e vëllait të Musinesë, e Muntaz Kokalarit, njërit nga dy vëllezërit e shkrimtares që partizanët i rrëmbyen nga shtëpia pa asnjë motivacion një mbrëmje të dhjetorit 1944 dhe i pushkatuan pa gjyq.

         Nga ky informacion në mendjen e Eglantinës u krijua një vatër e fshehtë, ku ajo filloi të mbidhte e të ruante të dhëna për jetën e Musinesë. Mbështetur në disa prej tyre ajo dha intervistën e fillimvitit 1992. Këtyre 30 vjet buisjesh të heshtura deri në vitin 1991 iu shtuan dhe vitet e punës këmbëngulëse deri më 1995, kur autorja botoi veprën e plotë. Për kohështrirjen që ka zënë në laboratorin krijues të Eglantinës libri “Sonata e Hënës…” e quaj “vepra e jetës” së saj.

         Jeta e heroinës ndërtohet duke e ndjekur ecurinë e asj që nga lindja në Adana të Turqisë më 1917, te fëmijëria në Gjirokastër, shkollimi në Tiranë e Romë, puna në Tiranë, burgimi në Burrel, internimi në Rrëshen, ku kaloi dhe vitet e jetës së lirë si punëtore krahu e pensioniste deri sa u shua prej sëmundjes së pashërueshme. Që në jetën famijare gjatë fëmijërisë e më tej në marrëdhëniet e Musinesë me shoqet e shokët e shkollës e të punës, autorja qëmton e vë në dukje karakterin kërkues e vëzhgues të saj. Mjeshtërisht e ka krijuar Mandia atmosferën familjare të Musinesë së vogël, kur kjo dëgjon me vëmendje përrallat e gjyshes dhe bën pyetje kureshtare, atmosferë që ia nguliti pasionin për krijimtarinë popullore. Këta pasion ajo e vijoi dhe kur u rrit. Vijoi të mbledhë me kujdes prej nënëmadhes, prej hanesë dhe shoqeve të saj përralla, këngë, fjalë të urta, gjë e gjëza, pa lënë t’i shpëtojë asgjë e vlefshme nga ky thesar. Edhe kur shkoi me pushime në Korçë në vjeshtën e vitit 1939 ajo mblodhi këngë prej grave të atij qyteti dhe nuk la t’i shpëtojë kënga e re që improvizoi një komshie. Ishte e sapokrijuar, nuk ishte këngë e vjetër, por Musineja i dha rëndësinë e duhur dhe e hodhi në letër. Ishte  një lutje-klithmë, një ankesë drejtuar Perëndisë. për pushtimin italian. Po sjell për ilustrim vargjet e fundit:

“Në një baltë edhe ne

nuk na gatove ti?

Pse të jemi të shkreta ne

të mos kemi liri?” (f. 132)

         Për nga lloji “Sonata e Hënës…” është një vepër letrare dhe shkencore, e ngjashme me veprën “Kur qeshnim në diktaturë” të Pëllumb Kullës, kushtuar mjeshtrit të humorit Skënder Sallaku. Karakterin letrar të veprës, Eglantina e ka ndërthurrur dhe me kërkesat e një studimi nonografik mbi jetën e veprën e heroinës që merret në shqyrim.

         Njihemi me shkrime të ndryshme të Musinesë, herë pjesë nga veprat e saj, herë copa ditari e copa kujtimesh, që janë riprodhuar si kronika, herë meditime, përshkrime të natyrës ose të njerëzve të cilët Musineja i kishte njohur gjatë jetës shkollore dhe veprimtarisë politike me të cilët ajo bashkëpunoi. Vende vende ka dhe krijim përshkrimesh e dialogjesh të Eglantisës për të realizuar zbërthimin e karakterit të Musinesë dhe të dy djemve që e dashuruan. I pari ishte një djalosh italian në vitet e studimit në Romë, prej të cilit heroina u zhgënjye kur mori vesh se ishte një aventurier e mashtrues që mbante lidhje dhe me dy shoqe të saj, për fat të keq shqiptare, të cilat Musineja i kishte ndihmuar e trajtuar si motra. Djaloshi i dytë është veprimtari politik A. XH., një intelektual, njohës i disa gjuhëve, bashkëpunëtor i saj për përgatitjen e materialeve të gazetës “Zëri i Lirisë”, i dënuar dhe ai në vitin 1946, shok i mirë që e deshi me shpirt, por që të dy nuk kërkuan t’i shtynin lidhjet e tyre përtej marrëdhënieve shoqërore në ato vite plot rreziqe. Personi historik A.XH. është një person historik, por që autorja ka ditur ta ngrerë me fantazinë e saj në nivelin e një personazhi letrar me botë të pasur e të denjë për miqësi me Musinenë. Lidhjet e tij me këtë vajzë që e dahuron fort jepen me emocionalitet të ngritur. Takimet e tij me Musinenë janë shumë prekëse që nga takimet e para e deri tek i fundit te Spitali Onkologjik Nr. 2, ku A. Xh. i shpie amanetin e studiuesit të mirënjohur R. S. (Ramadan Sokoli), një manjetofon ku ky kishte incizuar këngët gjirokastrite të kënduara, tekstin e të cilave Musineja i kishte mbledhur në rininë e vet dhe i kishte botuar në librat e saj në vitet 1941, 1944.

         Ka raste ku vepra merr karakterin e  një antologjie, sepse studiuesja duke i sjellë për herë të parë i riprodhon të plota vlerësimet kritike dhe letra të miqve të Musinesë si poeti Lasgush Poradeci, kolegia Selfixhe Ciu Broja, Drita Kosturi, Ganimet Gilani, Ministri Ernest Koliqi, shkrimtari Andrea Varfi, të bashkëvuajtseve si Ildishane Kalo, Nafije Kupi, etj.

         Mandia krijon momente prekëse kur tregon se si kur Musineja shkonte në kinema, njerezit e rreshtit ku ishte ulur ajo, largoheshin dhe i linin vendet bosh. Po kështu tregohet si pleqtë që ajo i takonte te parku i qytetit të Rrëshenit dhe u mblidhte këngët popullore, kur ajo shkonte për t’i takuar për të dytën herë si e kishin lënë me fjalë, këta burra malësorë ia bënin me shënja se nuk mund të vinin në takim, sepse i kishin thirrur në Degën e Punëve të Brendshme, ku i kishin kërcënuar. Ky zhburrnim i malësorit shqiptar e tejkalonte zhburrnimin e kohës së Migjenit. Por ka dhe më. Tronditja e lexuesit nga një dukuri e tillë arrin kulmin kur jepet fundi i jetës së Musinesë.

         Kësaj të sëmure me kancer i vonoheshin vizitat dhe seancat e kimoterapisë edhe pse ajo i kishte shkruar letra drejtorisë së Spitalit Onkologjik Nr. 2 në Tiranë, kurse kur vdiq Musineja nuk u njoftua askush për varrimin e saj, nuk u porosit as zyra e varrimeve. Vetëm komshia e Musinesë, bija e vogël e Ajet Osmanit (tjetër tragjedi jeta e dy vajzave të këtij dëshmori që e shpalli partia tradhëtar e agjent më 1961 shumë vjet pas vdekjes së tij, sepse kishte qenë shok me Teme Sejkon. E zhvarrosën dhe ia flakën vajzat nga studente të Universitetit të Tiranës në Rrëshen të internuara). Kjo komshie pas shumë të luturave mezi e bindi një shofer kamioni për ta ngarkuar në buzëmbrëmje sipër kamjonit mbi zhavor për ta shpënë kufomën deri te vorrezat.

         Figura e Musinesë ndërtohet e kompletuar si njeri me ndjenja humane, që di të mbajë ekuilibrin dhe të sillet me zotnillëk në të gjitha momentet e jetës që nga fëmijëria deri në largimin nga jeta, krenare dhe e pamposhtur ndaj mundimeve dhe së keqes, dhuruese ndaj njerëzve në nevojë. Ajo ndjen gëzim jo vetëm kur ndihmon Hamitin, vëllain e sëmurë rëndë, ose kur ndihmon shoqet studente për të kaluar vështirësitë e para, por edhe kur është vetë në varfëri ekstreme si e internuar në Rrëshen. Që ditët e para në këtë qytet, kur pa se fëmijët që jetonin për karshi ishin të zbathur e të veshur me nga një këmishë të grisur, u thurri triko dhe ua shpuri pa i njoftuar natën e Vitit të ri si dhurata të Babagjyshit.

         Ajo e ka shpirtin hambar. U tërhoq pa u grindur nga shoqëria e dy shoqeve që e kishin tërhequr në tradhëti të dashurin e saj P. P. Sa nuk iu ça zemra kur pa me sytë e saj se si ishin manipuluar prej propagandës së partisë vogëlushet e varfra, të cilat në pashkët e vitit 1967 patën shkuar plot gëzim në kishë për krezmimin e tyre të parë, por kur u rritën, njëra prej tyre, Liza, këndonte në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës këngë për partinë, kurse të rinjtë e tjerë brohorisnin me histerizëm këngët e saj edhe pse vijonin të vuanin për bukë.

         Musineja, një vajzë e brishtë e delikate në fëmijërinë e vet, gjatë pjekurisë bëhet një burrneshë e vërtetë. Inteligjenca e saj i kalonte përmasat e kohës. Vetëm me ato që kishte lexuar për gjyqet e Stalinit të vitit 1938 dhe djegiet e librave shkencorë në sheshet e Berlinit prej nazizmit, Musineja i thotë së ëmës se nuk mund të heshtëte ndaj atyre që po kryenin partizanët që morën pushtetin pas mbarimit të Luftës Antifashiste. Eglantina jep në mënyrë të përmbledhur nga ato që shkroi analistja dhe sociologia Musine në ditarin e saj më 23 janar 1946. Përmend se Musineja mendonte se nuk mjaftonte vetëm lutja ndaj Zotit që të ndalej dora e kriminelëve dhe sadistëve që po i varrosnin njerëzit së gjalli si vëllezërit e saj, që po i detyronin njerëzit të vrisnin veten, që po e drogonin popullin dhe po e kthenin në një turmë amorfe që bërtet e ulërin duke nxitur instiktet më të egra të kafshërimit. Ajo i lutet Hanushes të mos e gjykojë që po bën fli jetën, rininë e saj, sepse po të humbej edhe kjo luftë në Shqipëri do të hapeshin edhe shumë varre të tjerë (f. 258-259)

         Ajo e di, se po të gjendeshin e të lexoheshin shënimet e ditarit të saj ku përshkruante me ironi persona të pushtetit, mund të ridënohej me 7-10 vjet të tjera burg, por ndërgjegja e saj si krijuese nuk e linte që të mos e përshkruante me shpoti e tallje drejtorin e burgut të Burrelit dhe fëmijët e tij të shumtë që ishin majmur sa u ishin mbyllur sytë nga të ngrënët e tepërt të racioneve të vjedhur nga ushqimi i të bugosurve

         Karakterizimi i regjimit komunist, parashikimi i fundit të tij

         Zgjuarësia natyrale, talenti i lindur dhe përvoja e fituar nga jeta plot vuajtje e ndihmuan Musinenë të jepte analiza sociale politike për realitetin e jetës shqiptare nën diktaturë në një nivel që nuk i ariti askush deri më 1992.

         Mandia ka meritën se ka kapur dhe ka nxjerrë në dukje në të gjitha fazat e jetës së heroinës së vet momente pune cfilitëse, vuajtje të rënda, durim e qëndresë shoqëruar me reagime të guximshme ndaj së keqes. Përmes kësaj pune autorja ka shpalosur karakterin trimëror, vullnetin e pamposhtshëm të Musinesë ndaj vështirësive të njëpasnjëshme, mprehtësinë e logjikës, frymën e saj kritike ndaj së keqes.

         Në fëmijëri ndalet te këmbëngulja e vajzës për të dëgjuar përralla e këngë nga gjyshja, në vitet studentore pasqyrohen përpjekjet e saj për të kapërcyer vështirësitë që i dolën nga vajtja me vonesë dhe moszotërimi sa duhej i gjuhës italiane. Situatës së rëndë dhe nënvlerësuese për popullin tonë, që krijoi pushtimi italian, studentja i përgjigjet me botimin e librit të saj të parë më 1941 dhe me hartimin e temës së diplomës për jetën e poetit kombëtar Naim Frashërit. Studim të cilin e përdori dhe për mbrojtjen e diseracionit në universitetin “La Sapienca”.

         Që para rrëmbimit e vrasjes pa gjyq të dy vëllezërve, Enver Hoxha i vuri nga pas Musinesë për ta përgjuar e kërcënuar agjentin Enver Behuri, një informator i Sigurimit të sapokrijuar. Musineja e përshkruan në shënimet e saj me pamje të pështirë, me sy pa qerpikë si të peshkut, etj. Një ditë para se ta arrestonin, ky agjent i hyri në librari kapardisur me një palë çizme të lustruar dhe pasi pa mbi tryezë krahas librave për shitje dhe dy fotot e vëllezërve të saj mbështjellë anash me një sharp të zi respekti, ai ulëriu: “Hiqe atë sharp të zi, që e mban për dy kriminelë lufte!” Ulërimë së cilës Musineja, duke e përmbajtur veten, iu përgjigj me kurajo: “KOHA DO TA TREGOJË SE CILËT JANË KRIMINELËT E VERTETË” (f. 292-293).

         Po ky sigurims i ngritur në pozitë dhe i emëruar shef i Degës së Punëve të Brendëshme të Rrethit të Mirditës në Rrëshen, i del përpara Musinesë kur e liruan nga burgu i Burrelit dhe e dërguan në Rrëshen për të kryer dënimin e internimit. Ky emërim i Enver Behurit pikërisht në Rrëshen si shef dege nuk besoj se ka qenë i rastit. Madhështorja Musine, shton Eglantina, mendoi me përbuzje: “ kjo kafkë e zbrazët, ky i vdekur për së gjalli, do të vigjilonte mbi shpirtin e saj. Ai as që kish mundësi të kuptonte sa i lirë mund të qe një shpirt në burg, apo në internim dhe sa i burgosur ishte ai vetë, shtaza, egërsira, që s’ do të krijonte dot kurrë ekuilibrin e vetvetes” (f. 293).

         Për t’i treguar këtij shërbëtori qorr të persekutorit të madh se Musineja nuk u trembej vuajtjeve dhe nuk u nënshtrohej presioneve të tij, pasi mbaroi vitet e internimit dhe ishte e lirë të kthehej në Tiranë pranë njerëzve të familjes, ajo ndënji po në Rrëshen. Vijoi të punonte po në Ndërmarrjen e Ndërtimit ku punoi si e internuar dhe më tej akoma jetoi po aty edhe pasi doli në pension duke mbijetuar me pensionin prej 1750 lekësh të asaj kohe, deri sa u shua, pa u nënshtruar dhe përbuzëse e regjimit vrastar.

         Kulminacioni i burrnisë që u shpalos në fillimet e kalvarit me deklaratën e Musinesë gjatë vetëmbrojtjes në gjyq, ngrihet në një shkallë edhe më të lartë në shënimet e ditarit që ajo pati hedhur më 31 dhjetor 1972, në një kohë kur po frynte një frymë gjoja liberalizmi. Analistja Musine i bën autopsinë sistemit shoqëror duke treguar se dhe një brigadier degjeneron nga ai pak pushtet që ka. Brigadieri i vjedh punëtorët dhe për të mbyllur gojët e atyre që mund ta kritikojnë, u krijon privilegje për t’i kthyer në servilë.

         “Në socializëm, thonë se klasa punëtore është në fuqi”, shkruan Musineja dhe vijon, “por punëtori mbetet gjithnjë në fund , si në dituri, ashtu dhe në pagesë… Kultura, shtypi punëtor, nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët, t’i frymëzojë ata të shprehin mendimet jashtë mureve të ndërmarrjes”.

         Si intelektuale krijuese, ajo nuk ua fal artistëve dhe shkrimtarëve hartimin e veprave në shërbim të politikës së partisë shtet: “Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në shpinë të punëtorit, sa i pakulturuar mbetet ai dhe sa pak interesim ka inteligjencia e cila shkruan reportazhe, shkruan romane, por asgjë nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij” (f. 309).

         Kjo akuzë e guximshme haveliane e Musine Kokalarit u ka djegur shrimtarëve dhe artistëve të privilegjuar të pushtetit komunist, prandaj ata nuk treguan asnjë interes për ta përmendur, pa lere për ta trajtuar Musinenë si heroinë në veprat e tyre të pas vitit 1991. Këtij fakti, mendoj se studiuesja duhej t’i kishte kushtuar disa paragrafë për të ndihmuan në procesin e katarsës.

         Si përfundim theksoj se Eglantina Mandia e kreu me sukses detyrën qytetare që mori përsipër. Askush, pasi të lexojë këtë vepër nuk mund të përulet dhe vlerësojë jetën dhe veprën e Musine Kokalarit.

         Me këtë vepër Eglantina u jep mundësi talenteve të tjerë që ta trajtojnë figurën e Musine Kokalrait në vepra të reja artistike dhe shkencore, sepse ajo përbën një pasuri që frymëzon e do të frymëzojë gjithnjë krijuesit e moralshëm.       

Filed Under: ESSE, Politike Tagged With: Eglantina Mandia

Iku në heshtje arkitekti gjakovar Skënder Këpuska

April 10, 2020 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Këto ditë na la doajeni i fundit i arkitektëve shqiptar të Kosovës i cili tërë veprimtarinë artistike dhe inxhinjerike ia përkushtoi popullit të vet. Qenka shumë vështirë me shkruar një shkrim ‘’post-mortum’’, për arkitektin e madhë gjakovar Skender Këpuska i cili iku në heshtje përgjithmonë, aq ma  parë pasi  isha bashkëpunëtorë i tij,pjesë e pa ndarë e ekipës profesional të cilin e themeloi dhe e udhëheqi mu në vitët ma kreative të veprimtarisë së tij të begatshme arkitektonike dhe urbanistike në Gjakovë dhe në tërë Kosovën.

I lindur në një familje të vjetër gjakovare,i frymëzuar me ideale të larta për të bukurën,e vijoj rrugën e paraardhësve të vendlindjes së tij,që vetëm i arsimuar dhe me dituri dhe punë të pa lodhshme,mundet ma së shumti të kontribuoi për kombin e vet. Me sukses ndoqi rrugën e shkollimit dhe morri titullin arkitekt,që për rrethanat tona atë kohë ishte profesion i huaj,por i një rëndësie të veçantë për vendin. Ai e ndjeu peshën e obligimit moral që e kishte ndaj popullit të tij,i cili kishte nevojë të madhe për profilet e profesionit të tij dhe u kthye të veproi në Kosovë,për të kontribuar sado pak në arkitekturën dhe në urbanistikën e qyteteve kosovare.            

Kur filluan disa investime kapitale në Kosovën e rehabilituar,pas shumë katrahurave nëpër të cilat kaloi populli ynë,ai dha kontribut të çmueshëm me angazhimin e tij profesional. Ishte i detyruar të ballafaqohej me problemet elementare të funksionimit të një komuniteti të cilat në aspektin arkitektonik dhe urban ishin të huaja për ata.

Me punë dhe angazhim të pa parë profesional e fitoi respektin e të gjithëve e posaqërisht të strukturave vendimmarrëse në  komunë dhe ma gjërë. Të gjitha sfidat   urbanistike dhe arkitektonike që ishin të shumta u realizuan falë sugjerimeve të tija, duke zbatuar principet bashkohore të urbanistikës si ishte metoda e aplikimit të konkurseve ndërkombëtare urbanistike dhe arkitektonike. 

Atëherë kur u plotësuan kushtet e realizoi njenin nga synime e tija që të gjitha zhvillime urbane dhe arkitektonike në qytetin Gjakovës ti projektojnë dhe ti realizojnë ekspertët vendor të angazhuar në atë byronë projektuse,sipas kushteve specifike që i lejonte koha. Para luftës isha pjesë e ekipit që ka zgjidhur shumë probleme të mëdha urbane për një qytet kosovar,për atë në atë kohë jemi mburrur në takimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha veprimet tona janë përcjell me përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane të kohës,të cilët kanë definuar konturat e zhvillimit hapësinor dhe urban të Komunës së Gjakovës. Kishte zili patologjike nga të tjerët se si e kemi arritur ketë,me mburrje mund të them se mbas tërë kësaj ka qëndruar puna e pa lodhshme e të gjithë neve profesionistëve në krye me Skender Këpuskën,e para të gjithash dashuria e madhe ndaj qytetit dhe banorëve të saj.     

Vlenë për  të theksuar aftësit e tija origjinale të bazura në forcën e argumenteve bindëse ndaj bashkëbisedusëve të profilëve të ndryshme, që hapte rrugën e realizimit të shumë projekteve dhe ndërmarrjeve urbanistike në teren. Diskutimet dhe debatet  publike me qytetarët e lagjeve të ndryshme të qytetit të Gjakovës në vitët e shtatëdhjeta, edhe sot duhet të shërbejnë si shembull i mirë për ne dhe vendet e regjionit,se si duhet shpenzuar parat e vetkontributit  popullor, që qytarët e Gjakovës kishin dhanur në tre mandate, për ndërtimin e infrastrukturës teknike komunale dhe Pallatit të Kulturës që me sukses u realizuan në ato kohëra, që  ishte vepër madhore arkitektonike e tij, që ende rrezaton në qendër të qytetit si një ‘’zonjë e rëndë’’ e kulturës gjakovare.

Në një konkurs ndërkombëtar në vitet e shtatëdhjeta,ishte përvetësuar zgjidhja urbanistike e qendrës së qytetit e përthekuar me objektet kryesore të një qendre bashkëkohore të asaj kohe. Realizimi i saj u përcoll me shumë peripeci të dhimbshme të ndërlidhura me ç-vendosjen e banorëve të vjetër të qendrës së qytetit. Qëllimi i pushtetit të asaj kohe ishte që qyteti i tyre të fitonte një qendër me atribute që do të mbështeteshin në të arriturat e urbanizmit bashkëkohor,ishte kjo një ndërmarrje shumë e vështirë në atë kohë e cila me sukses u arrit falë angazhimit të tij dhe ekspertëve të tjerë komunal. 

U punua me përkushtim me vite të tëra për të jetësuar këtë projekt me ndërtimin e Postës,Shtëpisë të mallrave,objekteve administrative,objekteve të banimi,hotelit të qytetit, për një jetë ma të mirë të banorëve të saj. U arrit unifikimi i vështirë urban i të vjetrës dhe të resë dhe pritej vetëm vazhdimësia e rritjes urbane të qyteti. 

Pas luftës së vitit 1999 në fillim u vazhdua me sanimin e gjendjes së krijuar dhunshëm nga regjimi serb (kisha dhe një objekt banimi në rrugën e këmbësorëve),si dhe me objekte të reja gjithnjë duke e respektuar zgjidhjen urbanistike të aprovuar para shumë viteve. Së shpejti u vërejtën synimet e pushtetit të ri i cili duke injoruar tërësisht Skenderin dhe ekipin multifunksional,filloi lojërat e ndyta duke ndërtuar vetëm atje ku ishin interesat individuale apo klanore, duke mos respektuar dokumentet hapësinore të kohës. Kjo e dëshpëroi atë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij pasi qyteti vetëm e kishte filluar të krijoj identitetin urban dhe nuk kishte nevojë për devijim të tilla urbane. 

Degradimi urban i qendrës së qytetit filloi me mos respektimit të rregullave elementare urbane me ndërtimi i një objekti afarist-banesor mu në “Sheshin e Fontanës”,në anën veriore të qendrës, në mes të objektit të ish “Bankkosit” dhe shtëpisë së mallrave “Agimi”,pa u respektuar asnjë rregull urbane,morale apo kanunore. Ishte uzurpuar edhe prona e huaj,një çmenduri të tillë urbane as që e kishte imagjinuar ndonjëherë.

Kjo i hapi rrugë mos respektimit të rregullave elementare urbane të definuar për qendrën e qytetit,filluan ndërtime çoroditëse të disa objekteve “surrogate”,që qendrën e ngushtë të  qytetit e kthyen në një “burg urban”,të pa shembull për një qytet i cili i kishte definuar më parë kriteret urbane për qendrën e qytetit,duke i mbrojtur vizurat ndaj Çabratit, jetike për gjakovarët.

Pak kush në Gjakovë e din se me cilat akuza janë ballafaquar vendimmarrësit gjakovarë në vitet tetëdhjetë,lidhur me konceptin e ri të zhvillimit urban të qytetit të tyre,të aprovuar pas një konkursi urbanistik ndërkombëtar. Ishte fjala për bulevardin  këmbësor që kishte filluar të realizohet nga qendra e qytetit (sheshi i “Fontanës”),pallati i kulturës,rruga e “Dibranëve” e do të përfundonte në Orize. Ishte ky një koncept i ri  urban i fundshekullit XX, që kishte filluar të aplikohej në tërë botë e civilizuar. Në ndërkohe pësuan ndryshime të mëdha politike,struktura politike të Gjakovës kishin presione të pa imagjinuara politike nga Serbia me qëllim që të “bllokohet” ai plan pasi “rruga këmbësore” kalonte nëpër rrugën e “shkijeve”. Pas shumë takimeve të mundimshme me politikëbërësit e kohe,me forcën e argumenteve profesionale të bëra nga ekspertët gjakovar në krye me Skender Këpuskën, strukturat e atëhershme serbe të nivelit të lartë shtetëror u “binden”në atë si kishin vepruar profesionistët gjakovar dhe u tërhoqën.  

Është e pa shpjegueshme, është mëkat i madh si mos të shfrytëzohen kapacitete e pashtershme  intelektuale,profesionale dhe eksperienca mbi 40 vjeçare që aq shumë  iu  nevojiteshin këshillat e tij, aq të domosdoshme për të ardhmen Hapësinore Urbane dhe Arkitektonike të vendit. U anashkalua,u izolua,u anatemua u lejua që për së gjalli në paturpësi të përjeton degradimin urban të qytetit të Gjakovës dhe qendrave tjera urbane dhe rurale në tërë Kosovën,që ndodhi në vitet vijuese pas luftës. Si duket ky ishte qëllimi i tyre parësor i pushtetarëve të rinj, që në fushën e urbanistikës të mos ketë ligjshmëri,për të pasur lirinë e abuzimit me territorin e vendit, çka edhe e realizuan këto vite, duke i shkaktuar dëme të pa riparueshme territorit të Kosovës.

I tillë ishte dhe shkoi në rrugën e pa kthim  në heshtje,me një breng të thellë në veprimet e pa kontrolluara të shoqërisë gjakovare dhe kosovare në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik e posaçërisht të kolegëve të profesionit që paturpësisht vepruan kështu, pasi që pasojat e të gjithë ne po i përjetojmë sot dhe do ti ndiejnë edhe gjeneratat e ardhshme. 

* arch. Ylber Vokshi-Ylli

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: ESSE Tagged With: Arc.Ylber Ylli, Skender Kerpuska

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 244
  • 245
  • 246
  • 247
  • 248
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT