• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR PRESIDENTI REGAN DHE ZONJA E PARE PRITEN NENE TEREZEN

February 6, 2020 by dgreca

-KUSH MENDOI PER SHQIPNINE?/

Nga Fritz RADOVANI/

PLOT 35 VJET…Presidenti Ronald REAGAN me 2 Qershor 1985, në Shtëpinë e Bardhë, i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e Lirisë”. 

Në vitin 1985 kujtoj një dishka shumë interesante për një President të ShBA, që kam pa në TV. U tregue sesi atë ditë Presidenti Reagan dhe zonja e Tij Nensy kishin pritë në shtëpinë e tyne të pushimit Nanë Terezen. Ishte momenti kur Nanë Tereza po delte nga rezidenca e Tij… Erdhi një veturë tek dera e shtëpisë, që kishte dy tri kambë shkalla. Presidenti i dha dorën Nanë Terezës dhe zbriti ato dy kambë shkallë, hapi derën e mbapme të veturës dhe me dorë në dorezën e derës priti derisa zonja Nensy, po perfundonte përshndetjen me Nanë Terezen. Kur Nanë Tereza u nda dhe arriti tek dera e veturës, dera vazhdonte me kenë prap e mbajtun nga Presidenti Reagan, trupi i madh i të cilit ishte përkulë në shenjë nderimi ndaj Shqiptarës Nanë Tereza.., dhe me një buzqeshje të Tij sa dashamirëse aq edhe të sinqertë, i bani nderimin e fundit tue i mbyllë derën dhe tue qendrue gatitu derisa makina iku dhe nuk u pa ma… 

Jam i sigurt se Presidenti Reagan në mbrendsinë e vet ndryente dishka misterioze

“Perandoria e së keqes” shkatrrohet simbas porosisë së Presidentit të ri: “Me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe intelektuali i mirfilltë. Fjala e Tij historike mbyllej: “Le të nisim përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.

Popujt e dikurshëm të Europës plakë mendonin vetëm dy fjalë: “Bukë e Frikë”! 

Vetëm Presidenti Ronald Reagan asht Ai Burrë që arriti me njohë të fshehtat e diktaturës komuniste; ishte Ai që mendoi që në vitin 1956 kur ishte artist në Holivud, për Lirinë e këtyne vendeve që ishin nën atë diktaturë barbare e shfarosëse të njerzimit, tue formue “Shoqninë për Lirinë e vendeve të robnueme nga diktatura komuniste”. 

Historia e Presidentave amerikanë të mbas Luftës së Dytë ka dy ngjarje të ngjashme dhe shumë interesante, që përkojnë njena me tjetrën. Presidenti i madh Xhon Kenedi, porsa rrezikoi ekzistencen e komunizmit e filloi hapat për eleminimin e tij, me 22 Nandor 1963, vritet me atentat. Historia vazhdon rrugën e saj e nënshkrueme nga Rusvelti në 1945.

Presidenti Reagan, porsa merr postin e Presidentit amerikan me 20 Janar 1981, i 40 –ti i ShBA, plot 69 ditë mbrapa u gjuejt me gjashtë plumba dhe mori një plagë mjaft të randë. Ai shpëtoi për mbrekulli. Mbas pak ditësh ishte në Shtëpinë e Bardhë, në tavolinën e punës… Fëtyra e Tij e zverdhun buzëqeshi … Bota e marrakotun nga atentati gëzon!

Kjo ngjau pikërisht me dy Presidentët që rrezikonin kenjen e komunizmit në Botë. Ishin dy Presidentët amerikan që nuk u pajtuen asnjëherë me robnimin komunist të Jaltës…

                                    DY BURRA KOLOS…

Si sot kujtoj: Janë këta dy njerëz të mëdhaj per të cilët më kanë rrigue lotët pa e kuptue pse, kur unë kam ndigjue vdekjen e Tyne… Për Presidentin amerikan Ronald Reagan, si

dhe për Papen Gjon Pali II…

Teologët e mëdhaj të Botës shpesh përsërisin një thanje: “Krishti me 12 Apostuj, ka ndryshue një Epokë”.., dhe Ajo, sot quhet Epoka mbas Krishtit…

Mbas 20 shekujsh janë prap 12 shkronja “Ronald Reagan” që kanë shpetue në Botë mbarë njerzimin nga rrenimi i pandalshëm prej komunizmit barbar e shkatrrimtar! 

Edhe kjo quhet “Koha mbas ramjes së komunizmit…” 

Ishte viti 1911, kur Shqipnia zgjohej nga gjumi i randë i robnisë turke dhe me 6 Prill 1911, Dedë Gjo Luli ngrinte Flamurin e Gjergj Kastriotit në Deçiq…

Ishte viti 1911 atëherë kur në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, me datën 6 Shkurt, ka le një “meteor” në Tampico, Illionis, dhe askush nuk besoj se mujti me parashikue se çfarë do t’i sillte kjo foshnje mbarë njerzimit! Po shembej një perandori e madhe robnuese otomane, dhe pa i dalë ende shpirti ndër grahmat e fundit mbi germadhat e saj, mbarë Bota u çue me ndertue “selitë”e veta, me emnat e rij plot drita kandilash e vezullime shpatash, bajonetash, helmetash, spaletash e fronesh.., ku “lufta për pushtet personal” në një kohë rekord, arriti e zbuloi diktaturat ma të mnershme që ka mujtë me pa dhe me provue njerëzimi ndër 20 shekuj. 

Ishte një Botë që po çthurej, sa moralisht, aq edhe mendsisht. Kujtoni sot sa dritdhanëse ishin ata shtete ku u shfaqen ato diktatura dikur, aq u errësuen e i sollën Botës terror, frikë, pasiguri, vrasje dhe gropa vorrezash të përbashkëta në tri lufta që u zhvilluen prej tyne vetem mbrenda 70 vjetësh, nga viti 1914 e deri.., kur “Muri i Berlinit” .., një nga shemtimet ma të mëdha Europjane të kohës “moderne” ra me datën 9 Nandor 1989. 

Mbas Luftës së Parë dhe të Dytë Botnore, njerëzimi mburrej me “vorrezat” e miljona të vramëve që i sollën “Lirinë”, ndërsa pjesa ma e madhe e tij, bash mbi vorrezat e “dëshmorëve të Lirisë”, vendosi “diktaturën komuniste” të tipit stalinjan sovjetik. Mbas popullit rus në vitin 1917, që humbi përjetësisht madhështinë e tij, në fundin e vitit 1944 e deri në kapitulimin e Japonisë dhe mbas 1949, me triumfin e komunizmit në Kinë, pjesa ma e zhvillueme e dy kontinenteve të Europës dhe të Azisë, u rroposën në humnerën komuniste. Nën krismën e armëve të “fitores” mbi fashizmin dhe nazizmin, në Shkurt të 1945, atëherë kur Rusvelti dhe Stalini përqafoheshin tue i futë njenitjetrit ndër xhepa “copat e letrave” me emnat e shteteve që bane kurban në Jalta, “pa i pa” Çërçilli.., nuk zgjati shumë dhe filloi “Lufta e Ftohët”, e pafund, që ende sot nuk mbërrijë me kuptue këtë epitet, që i vuni Bota, gjoja e qytetnueme dhe e lirë! Ajo u nda në dy blloqe… 

Në mes të këtyne, ishte “perdja e hekurt”, me të vërtetë “e ftohtë”, që mbështetej mbi “piramidat” kufitare të shteteve që rreshtoheshin mbas saj në dy krahët. 

Sejcila anë terhiqte me tela me ferra me sigurue mos ramjen e tyne që ishte ngarkue me miljona kw. rrymë elektrike në piramidat e shemtueme të ndamjes së shteteve.  

I vetmi vend ku ndërpritej kjo “perde e hekurt” ishte “Muri i Berlinit”, një shëmtim komunist mbi të cilin valvitej “flamuri i marksizem – leninzmit stalinjan fitimtar”, që ishte simboli i “lirisë sovjetike”, me të cilin Nikita Hrushovi, renditi veten diktator “modern” mbas luftave okupuese me tanket e stampueme me drapen e çekan, që marrshuen mbi popujt heroikë të Budapestit e ma vonë të Pragës. Miljona e miljona njerëz zvarriteshin të uritun nën tanket e robnisë komuniste, që parakolonin në paradat e dhunës e të vdekjes para tribunave të diktatorëve.., në ato ditët e “festave të çlirimit”. Shqiptarët, mbasi vrasin e shfarosin njenitjetrin, shpallin edhe një luftë vëllavrasëse, me të cilen diktatori Enver Hoxha siguron përjetsisht atë kolltuk të flliqun, mbi ma shumëse 450.000viktima të vramë, të zhdukun dhe të masakruem, ndaj të cilëve shpallë edhe “luftën e kllasave” për shfarosjen edhe të mbasardhësve të tyne.., ndoshta krejt e veçantë dhe e pashpirt si në asnjë vend tjetër komunist të Europës Lindore. Mendja e njeriut vjen dita e ditës tue zvoglue vizionin e saj… Shpresat e Popullit sa vinin e shuheshin…

Presidenti Reagan ndër shfaqjet e para të Tija në TV, kujtoj një ide që pat shpjegue në lidhje me rritjen e aftësisë që ShBA, në të ardhmen, duhej të dominonin mbi BS në garën me “Luftën e yjeve”… Kuptohet që për mue ishte dishka krejt e panjohtun, por më çuditi mendimi gjenial i Tij, që në opinjonin botnor ky President vinte nga skenat e filmave kaubojës.., dhe, fliste për dishka që shumë kujt i dukej një aventurë e një “artisti” ma shumë sesa projekt i një Presidenti, madje, edhe i SHBA. 

Vetem kur i madhi Ronald Reagan ka thanë: “Regjimet që janë mbjellë me bajonetë dhe janë kultivue  vetëm me diktaturë, nuk lëshojnë rrajë!” Filloi ngjallja e shpesave tona!

Reagan shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme: “Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm: Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë: 

Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilat do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne”.

SA MILJON NJERËZ PYESIN SOT: 

Sa popuj fituen Lirinë…me 9 Nandor 1989…

Sa njerëz fituen të Drejtën me kenë “njeri”… 

Sa piramida nuk lahën ma me gjak Rinije…në kërkim të Lirisë…

Sa kampe shfarosje u shpërthyen njëherë e përgjithmonë…

Sa burgje mbetën vetëm qendra muzeale vuejtjesh e mjerimi…

Sa qendra torturash nuk u lejuen ma me vazhdue shfarosjen….

Sa hetuesë mbetën pa “punë” aty ku u vendos demokracia…

Sa kriminelë mbetën pa vra njerëz për kënaqësi …

Sa familje u çveshën nga rrobat dalluese të “luftës së kllasave”…

Sa mija e mija njerëz filluen me marrë frymë lirisht…

Sa mija e mija njerëz fillue me harrue fjalën “frikë” nga sigurimi…

Sa miljon vetë nuk kanë frikë me lutë Zotin…

Sa miljon njerëz nuk janë ma të interrnuem…

Sa miljon njerëz bijnë me fjetë pa frikë se i troket dera natën…

Sa miljon njerëz filluen me kuptue fjalën “Liri”….

Sa miljon qej ujq nuk shkyejnë ma njerëz… 

Sa miljon ml. tel me ferra nuk rrethojnë ma njerëzimin…

Sa miljon vetë nuk mendojnë ma veç me ngranë…

Sa miljon vetë sot adhurojnë emnin RONALD REAGAN…Miljona e miljona vetë ndër shekuj…do të kujtojnë me respekt “12 shkronjat Ronald Reagan” …

Shpëtimtarin e madh të njerëzimit nga “rilindja” e komunizmit barbar e gjakatar …

Melbourne, 4 Shkurt 2020.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz Radovani-Kush mendoi-per Shqipni

Dy fjalë për gjuhën

February 2, 2020 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Është trajtuar gjuha si shprehja më e gjallë dhe prova më e palëkundshme e vijimësisë së  një etnie, çka nuk është gjithnjë e pranueshme, sepse, siç dihet galët hoqën dorë nga përdorimi i keltishtes, ashtu edhe nga gjuha gjermanike e pushtuesve më të vonë teutonë dhe pranuan si gjuhë kombëtare latinishten; popullsia kelte dhe teutone e Francës u bë një popullsi italike, spanjolët, një pjesë e mirë e thrakëve, dakët, mbas disa shekujsh kolonizimi romak i humbën gjuhët  e tyre. Veç kësaj, gjuha në vetvete, nuk është gjithnjë element dallues i personalitetit të një kombi, sepse popuj të ndryshëm si p.sh. francezët e belgjikasit flasin të njëjtën gjuhë; po kështu anglezët, irlandezët dhe amerikanët, etj. 

Nuk ndodhi kështu me ilirët, të cilët, megjithëse pushtimi romak zgjati gjashtë shekuj, nuk humbën gjuhën dhe vetitë e tyre etnike. Ajo u ruajt dhe u zhvillua në gojen e shqiptarit, duke iu përshtatur nevojave të kohëve, dhe erdhi deri në ditët tona, çka shkenca shqiptare dhe ajo botërore e ka pranuar, duke e argumentuar në veçoritë fonologjike, në leksik, në strukturë gramatikore, etj., pra, në rrafsh shkencor linguistik. P.sh. disa emra vendesh, fisesh dhe njerëzish, glosat që na i kanë ruajtur autorët antikë grekë e latinë, disa fjalë që mbahen si huazime ilire në greqishten e vjetër dhe në latinishtën, etj., janë pranuar si fjalë që i përkasin ilirishtes.

Në këtë trajtesë nuk është fjala për argumente të origjinës ilire të gjuhës sonë, por për hershmërinë e asaj gjuhe, që është faza më e lashtë e shqipes e ruajtur e strukur ndër malësitë tona, sidomos në ato të Veriut, është shqipja me reliktet e saj të ruajtura në monumentet më të hershme shkencore e artistike të gjuhës sonë, pra në Kanunin dhe në Eposin e Kreshnikëve; është gjuha që është folur dhe flitet prej malësorëve. Është kjo që do të na krijojë mundësinë të dëshmojmë lidhjen e birësisë me ilirishten, kurdoherë që të kemi në dorë një material të shkruar ilirisht.

 Të izoluar në alpet dhe luginat alpine, të vetëqeverisur me ligjet e tyre, malësorët tanë kanë jetuar të lirë, kanë krijuar një etikë tejet fisnike, e cila i ka shërbyer si kodi i jetës, kod që e kanë konsideruar të shenjtë, sepse e kanë trashëguar prej të parëve, dhe i kanë qendruar besnik brez mbas brezi. Shkurt, ata kanë ruajtur më të pastër se kudo tjetër substancën shpirtërore shqiptare, atë që Çabej dhe njohës e studiues të tjerë e kanë quajtur “shqiptarizmi i moçëm”. Është kjo substancë humane që e ka bërë Durhamin të thotë: “Në vilajetin e Shkodrës jetojnë malësorët, bijtë e vërtetë të shqipes”. 1). Konica, duke kundërshtuar propagandën  greke e serbe që i quante malësorët tanë të Veriut “turmë endacakësh”, shkruante: “Ata janë jo vetëm popullsia më e ngulitur në botë, meqë kanë jetuar në trojet e veta për mijëra vjet, e prandaj janë pikërisht e kundërta e endacakëve, por janë edhe tipi i lartë i burrave dhe i grave si nga pikëpamja fizike, edhe nga ajo morale” 2). Janë ata që kanë ruajtur më shumë se kushdo tjetër gjuhën e të parëve: ilirishten. 

Nëse vërejmë me kujdes gjuhën e kanunit, me të cilën populli ynë ka krijuar dhe ruajtur doke, zakone, norma morale, ligje të pashkruara, etj., të trashëguara brez pas brezi prej kohëve më të lashta të njerëzimit, do të bindemi për aftësitë e tij për t’u shprehur në mënyrë lakonike të thjeshtë e të pastër, gjithnjë të hijshme dhe të rënduar nga kuptimi.

Lashtësia e gjuhës së kanunit dhe vlerat monumentale të saj janë vënë në dukje prej shumë studiuesve. Atë Bernardin Palaj, duke e krahasuar gjuhën e kanunit tonë me gjuhën e ligjeve më të lashta të njerëzimit, ato të Bibles, të Dymbëdhjetë Tabelave të romakëve, të kanunit të gjermanëve, ka shkruar: “Kërkund s’ke me gjetë motërzime aq të gjalla e shprehun ma klasikisht, sa ndër ato shprehjet e shkurtuna mijëvjeçare të kanunit të maleve t’ona. . . . Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjitha sa lakonike aq kuptimplote, lmue neper rrymen e shekujvet . . .  i mblon nji msheftësi arkaike, shpesh herë të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ket botëkuptim të maleve t’ona.” 3). Këtë “msheftësi arkaike” ia jep pikërisht shqiptimi i saj që prej kohëve të hershme e deri në ditët tona në gojën e malësorit. Pothuajse ashtu, është shprehur edhe Koliqi: “Në shka ká të njinjishme ndër fise të ndryshme, ky kanû përmbahet sidomos në nji systhem parimesh morali qytetár e së drejte konstitucjonale të shprehun në nji trajtë edhè mâ të permbledhtë se ligjët lakonike të XII dërrasavet, e kaq të gjalla n’atë stilin e tyne metaforik por të téjpashëm, sá me mujtë m’u vû krahas ligjët metrike të sá vendeve tjera.” 4). 

Interes shkencor paraqesin, në këtë hulli trajtimi, mendimet e studiueses së njohur Nermin Vlora Falaschi, që nëpërmjet dokumenteve epigrafike ka lidhur gjuhën tonë me ilirishten dhe, më përtej, me pellazgishten. Ajo ka vënë në dukje rëndësinë e lashtësisë së gjuhës veriore: “Duke u bazuar mbi dokumentet epigrafike të Ilirisë, me të drejtë mund të pohojmë se Shkodra dhe gjuha që flitet në këtë qytet historik, i ka ruajtur, në pjesën dërmuese të saj, karakteristikat e të folmes së të parëve të saj, të pellazgo-ilirëve.” Dhe më poshtë: “Dëshmitarja më e rëndësishme që e vërteton këtë tezë, është folja “Ȃ”, e cila shqiptohet me theks hundor edhe sot, në disa krahina të Gegërisë, edhe më vonë ndryshohet në “ȂSHT”, duke ruajtur të pandryshuar theksin  hundor. Folja “Ȃ”, ose ajo e “qenies” nuk ka dyshim se është më e rëndësishmja, më e lashta dhe vërtetuesja e një gjuhe. Dhe këtë folje ne e hasim në dokumente epigrafike, jo vetëm të Ilirisë, por edhe në shumë vende të Evropës Mesdhetare.” Dhe, më poshtë: “Foljen Ȃ = asht, toskët do ta shqiptojnë është, ndryshim që ka ndodhur shumë më vonë, prandaj nuk gjindet në dokumentet epigrafike të lashtësisë.” 5).

*   *   *

Nuk di ndonjë studim specifik të kësaj natyre dhe në këtë prizëm trajtimi për gjuhën e kanunit dhe të eposit nga dialektologët tanë. Me  ndonjë shembull, unë po hedh vetëm idenë e kësaj përqasjeje. Në nenet kanunore të Kanunit të Lek Dukagjinit, për të treguar lidhjen birësore të brezave përdorën termat “lisi i gjakut”, “lisi i tȃmblit”, terma tejet të lashta, tejet të bukura, tejet të ngjeshura, dhe, mbi të gjitha, tejet shqipe. Atje thuhet: “Brêzat rrjedhin a prej gjakut a prej gjinis”, “Brêzat e gjakut rrjedhin prej ȃnet të babës; brêzat e gjinis rrjedhin prej ȃnet të nȃnës”, “Rrjedhja e brêzave prej ȃnet të babës thirret ‘Lisi i gjakut”, “Rrjedhja e brêzave prej ȃnet të nȃnës  thirret ‘Lisi i tȃmblit”. 6). Reliktet vazhdojnë në nenet pasuese: “Nip trungu’ a ‘mesë trungu” thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, qi rrjedhin prej plangut të babës” 7). “Nip a mesë bijash thirret aj varg mashkujsh e fêmnash, qi rrjedhin prej bijave të martueme”. 8). 

Vetëm këto pak nene ruajnë dhe bartin disa relikte gjuhësore: në fushën e fonetikës: hundorësinë e e-së dhe të a-së, mungesën e rotacizmit; në fushën e morfologjisë: përdorimin e një rrjedhoreje më të lashtë se e sotmja: “prej ȃnet” në vend të të sotmes: “prej anës”; në fushën e leksikut: lisi i gjakut, lisi i tamblit, gjaku, (nip a mesë) trungu, plangu, terma e fjalë që përdoren jo në kuptimin e sotëm. 

Shumë norma kanunore janë dhënë përmes shptehjeve që spikasin për një sens tejet të ngarkuar kuptimi, për hijeshi artistike dhe shpesh për harmoni tingullore, p. sh. “Fjala mort s’ban”, “Kah del shpirti del fjala”, “Fala, s’ta fala, kanuni s’e kapë.”, “Pertè benë nuk shtyhet mllefi”, “Gjaku s’bahet gjobë”, “E mira e përbashkët i paravehet damit të veçantë.”, “Për nji shpi s’lehet m’u tha nji katund”, “ E matmja si e ramja, e ramja si e vramja”, “Krushku-krushk, miku-mik” . Të njëjtën natyrë gjuhe gjejmë tek Eposi i kreshnikëve: “Deka vjen mbas mikut t’pre / deka vjen mbas besës s’thyeme.”, “Besa e burrit, pesha e gurit”, “Trimi trimit gjithmonë besë i nxe”, “Paj për dekë, tha, trimi bre çikë ȃ” (asht, A.Ç.), “Buka jonë, bre shokë, ne na ka vrae”, “Fjalëve lak, lum nana, mos ju jep”, etj. Ky koncentrim kuptimor dhe ky ndërtim lakonik jo vetëm tregojnë lashtësinë, por edhe “vërtet e dëshmojnë shqiptarin syhollë në çështje filozofike”, siç është shprehur Valentini. 

Fatmirësisht, material gjuhësor të gjuhës së maleve, ne e kemi të dokumentuar jo vetëm në të folurit e përditshëm të malësorëve, dhe tek KLD, tek Eposi i kreshnikëve, në krijimtarinë folklorike të tyre, po edhe në “Fjalor i fjalëve të rralla të malësive veriore” (“Fjalorth i ri”), botuar në v. 1941, në serinë e “Visareve të Kombit”,  dhe tek “Fjalori toponomastik”, i botuar pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës”, vepra të Dom Nikollë Gazullit, i vrarë  pabesisht, në vitin 1946, në Shkrel, ku shërbente si famullitar.

Kemi në dorë, gjithashtu, edhe një vepër letrare, përkthimin shqip të veprës së romancierit dhe poetit italian Aleksander Manxoni “I Promessi Sposi”, “Të fejuemët”, nga Atë Mark Harapi, një vepër e vëllimshme, e shkruar në gjuhën e rrallë të maleve me të vetmin qellim me e dokumentue atë. Ndoshta, në dorëshkrimet e Atë Mark Harapit ose në materialet e sekuestruara prej tij e të depozituara  në institucionet shkencore, janë ruajtur edhe studimet e tij me vlerë të madhe në fushën e botanikës. Ndër të tjera, me shumë interes është renditja e mbi 120 lloje lulesh e bimësh mjekësore të panjohura fare ndër vende të tjera. Të gjitha ishin të ruajtura dhe të koleksionueme pranë Muzeut të Jezuitëve të Shkodrës, derisa u mbyll në fillim të vitit 1946. 

Si përfundim, themi që faza më e lashtë e e gjuhës sonë është shqipja e ruajtur ndër   malësitë tona, sidomos në ato të Veriut, është shqipja me reliktet e saj të strukura në monumentet më të hershme shkencore e artistike të gjuhës sonë, pra në Kanunin dhe në Eposin e Kreshnikëve; është gjuha që është folur dikur dhe flitet prej malësorëve, është shqipja e veprave të Gazullit dhe Harapit. Është kjo që do të na krijojë mundësinë të dëshmojmë lidhjen e birësisë me ilirishten, kurdoherë që të kemi në dorë një material të shkruar ilirisht.

Referenca dhe sqarime

1). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 113.f. 99.

20). Faik Konica, “Vepra”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f.  472-473.

3). Atë Bernardin Palaj, vepër e cituar më lart, f. 55.

4). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Rromake” , cituar sipas “albanovaonline.com”.

5). Prof. Nermin Vlora Falaski, “Shkodra dhe gjuha pellazgo-ilire”, në “Seminari i Dytë Ndërkombëtar ‘Shkodra në shekuj”, Shtypur në shtypshkronjën Rozafati, vëllimi II, viti 1999, f. 6.

6).“Kanuni i Lekë Dukagjinit- The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, & 698- 701

7). Po aty, & 704, f. 141

8). Po aty, & 703, F. 141.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Defa-Dy faale per Gjuhen

Dy intelektualë disident brilant shqiptaro amerikanë: Prof. Arshi Pipa dhe Mons. dr. Zef Oroshi

February 2, 2020 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/

Prof. Arshi Pipa (1920-1997) dhe Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989), janë dy intelektual geg erudist cilësor të kalibrit europianë dhe amerikanë; njëri nga qyteti antik Shkodra, ndërsa tjetri geg stoik dhe largpamës nga Mirdita e zëmadhe e Oroshit, të Kapidanve Shtatë Shekullor të Mirditës (emër i cili, permendet në histori qysh nga viti 1416), të pamposhtur nga Perandoria Xhihadiste (Caliphate 1517-1924) Islame Otomane (1299-1923) dhe Dulla komunist (1941-1990) ish kolonë ardhacak osman i vendosur nga pushtuesit shumë shekullor në Gjirokastër… 

Pipa-Oroshi, ishin miq të ngushtë të idealeve antikomuniste, patriot konservativ për gjuhën dhe kulturën gegë, lëvrues të palodhur të gjuhes së ëmbël shqipe gegë, që flet ¾ e popullsisë shqiptare në trojet etnike iliro – dardane. 

Për më tepër dr. Oroshi ishte nxënës dhe adhures i madh i patriotit dhe burrit të madh të shtetit shqiptar dom Ndre Mjedës (1866-1937) dhe mbeti krenar si sekretari i fundit i Abacisë së famshme Mirditës (1316-1967), Abat Preng Doçi (1846–1917), tuj ken sekretar i Abacise ne kohen e imzot Gasper Gjinit Abatit te fundit te Mirdites… 

“Mbas vdekjes së Imzot Pal Doçit, Papa Benedikti XV emnoi Imzot Zef Gjonalin nga Kashnjeti, Abat të Mirditës, në vitin 1921 e emnoi ipeshkëv dhe qe shugurue në Romë. Mbas tij e mori sundimin, tue qenë zgjedhë ipeshkëv i Mirditës, Imzot Frano Gjini, e pushkatuen në Shkodër me 14 mars 1948.

Nga gushti i vitit 1951 Vikar i Përgjithshëm emnohet Imzot Lec Sahatçija me ndeje në Gëziq.” (“Abacia e Mirdites”,Gjush Sheldija (1902-1976). Shënime historike rreth Abacisë së Mirditës)

Oroshi dhe Pipa, u arratisën nga rregjimi hienave dhe deshmuan në Europën Perëndimore dhe SHBA me shkrime dhe fakte Gjenocidin komunist në vendin e mjerë të shqiponjave. 

Ata dokturaturat e tyre nuk i mbrojtën në kohën e komunizmit në Shqipëri, duke sharë apo mallkuar intelektualët laikë dhe klerin katolik pararendës diturakë, që kishin kryer studimet në universitetet e famshme të Europës, sikurse bënë shumë ish professor dhe doktorë të kohës së diktatorit Hoxha, por në auditorët e universitetëve më të famshmete Europës… 

Pipa e Oroshi, nuk lejonn që në takimet e intelektualëve dhe nacionalistëve antikomunistë në SHBA të valvitet flamuri i diktaturës komuniste të Dullës me yllin komunist. 

Të dy ishin miq dhe shokë të ngushtë të gegut brilant prof. Ernest Koliqit Ministrit të Kulturës, ose babait të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë. 

Në Kosovë, sikurse edhe në Shqipëri asnjë shkollë, institucion kulturor apo shkencor nuk ka emnin e Koliqit, por shumë qendra kanë emrin e ekstremistit fetar islam Erdoganit dhe të shumë sulltanëve otomanë, që e kanë shtyp këtë popull fatkeq për shumë shekuj me radhë, duke vazhduar t’i shpërlajë trurin me injorancës dhe mungesën e identitetit arbëror edhe në kohën modern të ditëve tona… 

Mons. dr. Oroshi, falë vizionit pastër dhe larpamësisë së tij themeloi dhe drejtoi këtu në SHBA revistën “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), që vijon të botohet edhe sot në New York në dy gjuhë shqip dhe anglisht. 

Prof. Pipa konsultohej me dr. Oroshin për shumë tema dhe shkrime në gjuhën geg, për kulturën e pasur gegë, historinë e lavdishme, figurat e mëdha kombtare të para dhe mbas Rilindjes Kombtare, etj. 

Poligloti Pipa, botoi shumë artikuj në revistën Jeta Katholike Shqiptare dhe ishte një nder bashkpuntorët më të ngushtë të kishës katolike shqiptare Zoja e Kshillit t’Mir (sot Zoja e Shkodrës, në Hartsdale New York). 

Mons dr.  Oroshi, kur u arratis nga ferri burg i Shqipërisë komuniste, dhe qendroi për 8 muaj në malet e Mirditës, ku, u caktua nga nacionalistët antikomunistë të maleve të Mirditës si komandanti shpirtnor dhe moral i të gjithë grupeve të rezistencës me armë në dorë. Gjatë ditëve të rezistencës, edhe pse ishte në një pozicion të sigurt ai u qëllua nga një plumb, që e goditi në gush… 

Nacionalisti i përbetuar antikomunist Oroshi, sikurse kujtojnë bashkëkohësit e tij, u shpetoi jeten në male dy nacionalistëve mirditorë, të cilët e kanë kujtuar dhe dëshmuar me respekt dhe mirënjohje këtë akt heroic, gjatë takimeve mes miqve të tyne në New York

Edhe profesor Pipa u arratis nga Shqipëria, menjëherë mbas viteve të vështira të burgut dhe ferrit të Dullës. 

Grupi i intelektualëve të shquar dhe të paharruar gegë, si: Porf. Karl Gurakuqi, prof. Ernest Koliqi, prof. Arshi Pipa, mons dr. Zef Oroshi prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjecaj O.F.M., dhe disa të tjerë që asokohe jetonin në emigracion në Itali dhe SHBA, ishin dhe mbetën bërthama e ajkës së intelektualeve më të shquar të kulturës dhe letrave shqipe, që për fat të keq po lihen me qëllim në heshtje, në vendlindje edhe në ditet tona. 

Dr. Oroshi, të gjithë librat, qe shkroi dhe botoi i la si pasuri kombëtare në gjuhën geg, ashtu sikurse edhe prof. Pipa të gjithë librat, dorëshkrimet dhe botimet e tjera publicistike i bëri në gjuhën e bukur geg. 

Pipa, Konica, etj., që kanë jetuar dhe punuar në SHBA në rininë e tij kanë studiuar në shkollat katolike në Shkodër, duke marrë kështu një kulturë solide pro perëndimore. 

E përbashkëta tjetër e këtyre dy intelektualëve të shquar gegë, është se të dy si Pipa dhe Oroshi, ishin denuar me vdekje nga rregjimi komunist ateist, fanatik i Dullës. Ky fakt është zbuluar nga një liste që ndodhet në Arkivin të Shtetit në Tiranë, një kopje e së cilës ka qarkulluar kohët e fundit edhe në New York.

Për mons. dr. Zef Oroshin në SHBA janë shkrur dhe botuar me sukses tre libra dinjitoz, voluminoz dhe serioz dhe asnjë libër deri tani nuk është botuar në Shqipëri apo studiuesit mirditorë. 

Për më shumë dy prej librave jëtëshkrimor kushtuar mons. dr. Zef Oroshit, janë shkruar në New York nga studiuesi shqiptaro amerikanë publicisti Tomë Mrijaj, që njeherazi shoku më i afërt i bariut tonë shpirtot apo prelatit të shquar të kishës katolike shqiptare Zoja e Këshillit të Mirë. 

Prof. Arshi Pipa (1920-1997)

Prof. Arshi Pipa, ishte një ndër profesorët më të shquar të komunitetit shqiptaro amerikanë dhe qarqet e perzgjedhura intelektuale universitare amerikane. Ai ishte njëherazi kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra (1912) dhe editor i gazetës Dielli (1909). 

 Prof. Arshi Pipa lindi në Shkodër, në një familje intelektuale të qytetit antik. 

Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938. 

Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve.

Pipa, diplomohet për filozofi, në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Ai dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku, ligjëroi letërsinë italiane. 

 Më 1936 me poezinë Në lamën e luftës fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja katolike Cirka. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, laureoi me tezën Morali dhe feja tek Bergson.

U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në licetë shtetërore të Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit. 

Në vitin 1944 drejtoi revistën Kritika, botuar nga Myzaferi.

Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit Bota e Re, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues.

Ai mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi. 

Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes e i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë.  Pasi u arrestua miku i tij Hysen Ballhysa më 4 dhjetor 1946, Pipën e arrestojnë më 27 prill 1947 dhe pas tyre u arrestuan edhe Preng Kaçinari me poliglotin Pashk Gjeçin.

Pipa u akuzua se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist” dhe se vijonte punën me studentët e vet duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie. 

Pipa u burgos dhe vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Artizanati i Tiranës, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi Libri i Burgut.

Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë deri në vitin 1958.

Nga burgu në Atdhe, doktor filozofie në SHBA

Disidenti Pipa emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1959. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel në New York. 

Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në Kolegjin e Arteve të Lira (verë 1961 dhe 1962). 

Prof. Pipa, ka qene pedagog i gjuhës italiane në Universitetin Kolumbia, në vitet 1961-1962, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-1966 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-1964 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley.

Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. 

Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).

Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe arrin të bëhet kritik i paanshem i poltikës. 

Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-1969), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). 

Prof. Pipa arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane.

Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë – diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij.

Ai ka dhënë mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve frënge dhe italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. 

Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motrës, ku, edhe mbyll sytë…

Editori prof. Pipa 

Prof. Pipa, shquhet për veprimtari botuese në larmin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. 

Në vitin 1944, kur Shqipërija vuante nën pushtimin e huaj, në një moshë të re nxori revistën Kritika Letrare, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqërojë ate gjithnjë më vonë, kur do të shkruaj veprat madhore në këtë fushë. 

Në faqet e revistës ravijëzoheshin kulmet e letërsisë e të kulturës shqiptare si Noli, Konica, Migjeni. 

Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetur edhe këto punime të Pipës.  Eseja e shkruar për Konicën e dëshmon atë si një kritik të kategorisë së parë. 

Në vitet 1945-1946, qe anëtar i redaksisë së revistës Bota e Re. Më 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik Telos (Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botoj në Ëashington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Criticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. 

Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i rëndësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. 

Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuan artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si: A. Pipa, M. Camaj, Peter Prifti, Anton Logoreci, Adrian Klosi, A. Vehbiu, Feime Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Ëalter Breë, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Ëilfried Fridler.

Mbrojtja e çështjes shqiptare në të gjitha trojet tona qe qëllimi i revistës. Numri i parë iu kushtua “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizatua harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipërisë.

Së bashku me shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur malësor prof. Martin Camaj ishin disidentë, që punuan në mërgim dhe që dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë dhe publicistikës.

Pothuajse cdo vit ka heshtje rutinë ndaj figurës së madhe të intelektualit të shquar prof. Arshi Pipa. 

Kjo për faktin e keq, se institucionet kulturore, letrare dhe kulturore në Shkodër (Bashkia e qytetit), Tiranë (Akademia e Shkencave të Shqipërisë), etj., vazhdojnë të sundohen nga ish përfaqsues të rregjimit komunist, të cilët kanë pushtet kudo, duke vazhduar ta urrejnë kritikun e pafalshëm të tyre prof. Pipën, për inerci të diktatorit dhe diktaturës së largkjoftit të Dullës së Gjirokastrës.

 Heshtje varri. Asnjë fjalë nga institucionet e Tiranës, por as ato lokale, në Shkodër, të vetëquajtur nga e kaluara si “djepi i kulturës”. 

Ai do të botoj poezi dhe kritika. Në vitin 1944, edhe pse në moshë fare të re, ai bëhet botuesi i revistës letrare Kritika, një nga më të rëndë- sishmet e kohës së vet, në të cilën ai botoi traktate për kritikën letrare, përse duhet dhe a kemi. 

Përveçse botoi kritika të autorëve të ndryshëm të kohës, ai vetë mori në shqyrtim veprat e Nolit, si dhe ushtroi kritikën e kritikës, duke u përballur me të tjerë kritikë, si në rastin e Mitrush Kutelit. Pena e tij prej kritiku ishte goditëse dhe nuk do të kalonte pa u vënë re.

Por ky udhëtim nuk do të zgjaste shumë. Me vendosjen e pushtetit popullor, Kritika, ashtu si edhe gjithë simotrat e saj, u mbyllën. 

Në prill të vitit 1946, Pipa u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti për dhjetë vjet (1946-1956) në burgjet dhe kampet e punës në Durrës, Vloçisht, Korçë, Tiranë, Burrel etj. Atëherë lindi edhe libri me poezi Libri i Burgut. 

Pasi del nga burgu, arratiset në vitin 1958 dhe vendoset përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse nuk e pati të lehtë, ia doli të bënte atë që dinte të bënte më mirë, të jepte mësim në universitetet më të dëgjuara të SHBA. (Kolumbi, Kaliforni, Minesota etj.), si dhe të shkruante e të botonte poezi, estetikë, filozofi dhe kritikë letrare. 

Ka shkruar “Lundërtarë”, “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana”, pak të njohura nga lexuesi shqiptar, si dhe “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italoshqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

Disa vite më parë u botua vepra e tij filozofike “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun”, shkruar në gjuhën italiane në burgun e Burrelit, në vitin 1955. Ndërkaq ka ende shumë për t’u botuar dhe njohur për Arshi Pipën. (Revista Kens, Pipa – Epus, Numër Special, 2017)

Mllefi kundër Professor Emeritus Arshi Pipës në mediat e “djathta” në vendlindje

Miku im shkodran Bep Kuqani ish i burgosuri politik, njëkohsisht ish-bashkëvujtës me të ndjerin prof. Arshi Pipa, para se të ndërroi jetë këtu në New York, më dhuroi dorëshkrimin e tij mbi prof. Arshi Pipën. 

Ai ndër të tjera, me një shqetësim të madh më shprehu indinjatën e tij ndaj gazetës gjoja të “djathtë” me emrin e cuditshëm 55, të datës 4 tetor 2002 (që cirret se përfaqson nenin 55 të agjitacion e propagandës të ish Kushtetutës së Shqipërisë të kohës së komunizmit, që e mban vetën të “pavarur”, kundërkomuniste e rrjedhimisht e spektrit të djathtë, t’i lejojë vetës botimin e shkarravinave të tilla, plot mllefe dhe urretje kundër një disidenti të mirëfilltë kunërkomunisti dhe përsonaliteti të madh si prof. Arshi Pipa.

Kështu nën titullin: “Hetim i ri për vrasjen e Mehmet Shehut”, gazeta 55 synonte të njolloste padrejtësisht një ndër figurat më të mëdha e më të pastra të disidencës komuniste, që mund të quhet me të drejtë krenaria e kësaj desidence, jeta dhe vepra e të cilit e kanë nderuar dhe do t’a nderojnë gjithmonë Shqipërinë dhe shqiptarët e kudondodhur, sepse e tillë ka qenë e do të mbetet figura e të mirënjohurit Profesor Emeritus Arshi Pipa.

Disidenti Pipa, Apostull i Demokracisë

Për disa dekada në SHBA, Boston dhe New York, në drejtim të gazetës Dielli, organ i Federatës Panshqiptare Vatra, kanë vepruar personalitete të shquara në lëmin e atdhetarisë dhe të gazetarisë shqiptare, sikurse shkruan editori Anton Çefa.

Kështu njeri pas tjetrit editorë të Diellit, sipas radhës kanë qenë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Paskal Aleksi, Dennis Kambury, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni P. Hristo, Andon S. Frashëri, Andrea D. Elia, Nelo Drizari, Qerim Panariti, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço.

Më vonë, në vitet 1990-1994, gazeta ka kaluar në duar të ndryshme. Në vitin 1990: Din Derti; 1991: prof. Arshi Pipa (korrik, gusht-shtator); Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, me asistencën e Tahir Deskut (tetor-nëntor); prof. Arshi Pipa (dhjetor); 1992: prof. Arshi Pipa (janar, shkurt, mars, prill, maj-qershor); Agim Karagjozi, Gjon Buçaj (korrik-nëntor) ; 1993: Agim Karagjozi (janar-qershor, korrik-tetor, nëntor-dhjetor); 1994: Agim Karagjozi (janar-shtator); Anton Çefa (tetor-dhjetor 1994 deri në numrin e fundit korrik-dhjetor 2006) etj.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me Vatrën dhe Diellin. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i Diellit.

Shqetësimet e tij për gjendjen e Vatrës, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në Dielli, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në Diellin e 28 shkurtit, 1987. 

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i Vatrës, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh.

Ai e mori kryesinë e Vatrës me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. 

Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së Vatrës, dhe kreu shumë punë me vlerë.

Prof. Pipa si arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar, i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste.

Mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989) 

Oroshi, është ish qendra e Mirditës, që ka gdhendur faqe të ndritura në historinë e popullit shqiptar.

Ata që bënë historinë e Mirditës ndër shekuj, ishin kapedanët ose Dera e famshme shtatë shekullore e Gjonmarkagjonit dhe abatët, veçanërisht imzot Preng Doçi, ku, pasardhësit e të cilit jetojnë ende në afërsi të Rubikut. Abati, u shkollua në Shkodër dhe Itali. Shërbeu si misionar për shumë vjet në Kanada dhe Kalkuta (Indi). Më pas ringriti Abacinë e Oroshit. Ishte njeri, ndër figurat kryesore, që bëri shumë për të zhvilluar Mirditën dhe vendosur rregull në jetën e malësorëve të asaj ane. 

Abati i shquar, kishte shpesh tendenca të forta pavarësie nga otomanizmi islamik de-shqiptarizues. 

Ai, ishte njeriu, që kishte ngritur një platformë të kjartë me bosht të theksuar politik, për krijimin e një Principate në Mirditë, duke u përpjekur, për t’a vënë atë në jetë.

Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur gjithmonë me dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së shtetit dhe të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar. 

Kanuni i Lek Dukagjinit (i mbledhur dhe kodifikuar më vonë nga atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1874-1929), ishte një nevojë e domosdoshme, për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të Veriut, në të cilën, ka zënë vend në histori Mirdita, me qendrën e saj të hershme Oroshin.

Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në tokën e kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.

15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër. 

Librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.

Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur të Jezuitve në Shkodër. 

I etur për dije të thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe. 

Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të të riut.

Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit. 

Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e madhe të Zotit. 

Fjala e Zotit, është fjala e popullit

Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i Krishtit. 

Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.

Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe njëkohsisht sekretar të tij të përkushtuar, brenda famullive, që administronte shpirtërisht (kishat sufragane). 

“Edhe në jëtën baritore, ai s’ka pushue kurr pa përfitue nga përvoja kur ka pasë shembuj të shkëlqyeshëm. 

Prej 1940-1942, p.sh. shërbeu si sekretar i Abatit të Mirditës n’Orosh, Imzot Frano Gjinit, të cilin e admironte për drejtimet e këshillat qi epte, për elokuencën e tij bindëse e për pervujtininë e dinjitetin fetar e kombtar qi e praronte. 

Si në dhomën e pritjes dhe zyrën e Abatit, ashtu edhe në zyren e sekretarit të tij, Dom Zefi, kishte varë pikturat e patriotit në za, Abat Preng Doçit. 

Nji ditë i vjen nji mik prej Shkodre Imzot Gjinit, dhe kur ve re se titullari i abacis nuk kishte asnji pikturë, i kthehet Dom Zefit, tue e prozhmue: “Po si more Dom Zef, s’ia paskeni gjetë nji pikturë edhe Monsinjor Gjinit!?” 

Per te mos e ngushtue priftin e ri, Monsinjor Gjini, i pergjigjet me të shpejtë: “Kur të vdes un, në qoftëse e meritoj, do t’ma venë pikturën krah për krah me Abat Doçin; përndryshe do të mbajnë vetëm t’Atijën. Si dihet Monsinjor Gjini, u ba martir e dha shum ma tepër se Abati i “surgjenum” për mase 20 vjet.”

Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste. 

Kryqin, që kishte në qaf nuk e la në kishë, por e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës. 

E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet më të vështira me qindra emigrantë, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha drejtimet, deri sa ai vetë kaloi në jetën e pasosun…

Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë. 

Në ditën e Pashkëve të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…

Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe shkon në Beograd. 

Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.

Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër. 

Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji. 

Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano Gjinit.

Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali. 

Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.

Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje. 

Sikurse kujtojnë miqët e tij prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar të Amerikës. 

Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.

Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot Preng Doçi.

Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.

Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane islame barbare dhe diktaturën ateiste komuniste. 

Studiuesi dr. Pjetër Pepa, saktëson: “Natyrisht, kleri katolik, që kishte qenë historikisht urë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Europës, që kishte kulturën perëndimore, kishte miq në Perëndim e bashkëpunonte me Perendimin, sa herë e lypte çështja kombëtare dhe fatet e atdheut, ishte gjithnjë kundër orientalizmit dhe e luftoi atë, me të menduarin, mënyrën e jetesës, administratën e veprimtarinë shoqërore e prapë, gjithsesi ishte në epiqendër.”

Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi (1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e parë akademik (1953-1954). 

Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik.Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij. 

Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe. 

Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh.

Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit. 

Këtu merr si subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.

Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane. 

Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpiegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik.

Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmngulës kishte renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.

Kujtimet e hidhura  

Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për vdekje bashkëatdhetarin atdhedashës dhe idealist.

Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku, proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte, ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…Kështu, krimineli me nofkën sadisti i pamëshirshëm, i quajturi famkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës dom Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.

Editorët e botimeve kulturore të kohës, me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm me tematika të ndryshme. 

Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…

Kështu, në një letër që prof. Ernest Koliqi, i shkruan nga Roma imzot Oroshit, ndër të tjera nënvizon: “Ju falena nderës për letër. Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin. Shndet e punë të mbara.”

Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar si antar i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike si klerik jezuit. 

Edhe sot komuniteti katolik shqiptar në New York dhe rrethina, meshtarin aktual (një prift dioçezan) të Urdhërit Jezuit dom Pjetër A. Popaj, shpesh e thërret si frat.

Malësorët tanë, kanë pasur e ruajnë ende një respekt të veçantë, për antarët e Urdhërit të shën Françeskut (shek. XIII), në Veri të Shqipërisë, të cilët, me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për popullin, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, në ndërgjegjën e kombit shqiptar ndër shekuj.

Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në New York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.

Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë. 

Për më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të shën Qirilit, në Saint Mark’s Pace, New York. 

Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane. 

Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.

Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe – Atdhe – Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.

Kisha e re, qendroi për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë dhe amerikanë. 

Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe tre komisione te formuara nga ata.

Ja sesi e përshkruan, Mark K. Shkreli, atmosferën festive të asaj dite gëzimi, për të gjithë bashkëatdhetarët, në faqet e revistës me të njëjtin emër, tek përcjell raportin:

“Saloni, megjithse me 400 vende, kje tepër i vogël, për të pranue të gjithë ata që dëshirojshin të merrshin pjesë në këtë solemnitet. Mbramjen madhështore e zamadhe me praninë e tyne dhe mysafirët e grishun, për ketë rast e nderonin ndër të tjerë (mbasi drejtori i ynë, At Zef Oroshi dhe kryetari i mbramjes z. Fran Sokoli, morën vendet e veta) edhe: Dr. H. Begeja, përqafsues i Ballit Kombëtar, z. Ago Agaj, përfaqësues i B.K.I., Dr. Rexhep Krasniqi, president i K.Sh.L., z. Imam Isa Hoxha i New York-ut, z. Peter Chickos, president i Vatrës, imzot Gustav Schultheoss, Vikar Episkopal i Bronx-it dhe perfaqësues i Eminencës Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut; Imzot Stefan Lasko, ipeshkëv i Kishës Orthodokse Shqiptare n’U.S.A.; Dr. Anthony Athanas, ish-Kryetar i Vatrës dhe përkrahës i çdo të mire shqiptare; Dr. Çesk Ashta, Kryetar i L.K.Sh.; z. Sami Çaushaj, i Org. Balli Kombëtar; Dr. Arnold, i shkollës Mjeksore “Eistein” Bronx; Dr. Broën, Drejtor i Projekteve Shëndetësore në Fordham Misericordia Hospital; Dr. Athanas Gegaj, editor i gazetës “Diellit”.

N’ora 5 mbas dreke, kryetari i darkës z. Fran Sokoli, shpalli fillimin e programit. Zonjusha shqiptare Lume Juka, këndoi Hymnin Kombëtar amerikan dhe atë shqiptar. Mbasandej lexuene referatet z.  Ndoc Vulaj, n/kryetar i L.K.Sh.A. dhe z. Pashko Deda, antar i të njajtës. Hymnet dhe referatet kjenë të pershëndetuna me duartrokitje të zjarrta.”

Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë. 

Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të Kishës dhe në fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të krishterë e jokrishterë.

Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. 

Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq të nevojshëm për shqiptarët. 

Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e vet. 

Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes, për pesë vite me radhë.

 Monsinjori ishte tepër enërgjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo detyre, që merrte përsipër. 

Don Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”. 

Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte. 

Për nga kultura e pasur dhe e gjerë, ai kishte përherë në zotërim, një thellësi e pastërti mendimi logjik.

Mbas Koncilit II Vatikanas (1967), mesha e shenjtë, u caktua me dekret papal asokohe të mbahet jo në gjuhën tradicionale latine, por në gjuhën respektive të çdo populli, që ushtron besimin katolik. 

Eshtë bërë traditë në çdo shtet, për meshtarët, kur emërohen si barinj shpirtëror në shtete të ndryshme të botës, duhet të flasin gjuhën e popujve që u shërbejnë me sakramente e çojnë meshën në kishë. 

Në këtë mënyrë, kuptohet dhe përjetohet më kjartë domethënia e doktrinës së krishterë. 

Mbas 40 viteve (2007), papa Benedikti XVI, ka shprehur orientimin (sërisht me dekret papal), për t’u kthyer tek tradita e hershme kristiane. 

Tashmë mesha, po mbahet në gjuhën e hershme tradicionale latine, për të qenë më pranë kohës së hershme, kur krishterimi u bë si fe zyrtare në botë.

Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar predikimin e tij (homelinë) në kishë.

Si njeri me kapacitet human dhe mjek i mirë me ilaçet shpirtërore të Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.

Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë dhe aktivistë të palodhur bashkëatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.

Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i bashkatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan New York.

Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjeda

Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937). 

Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në Shkodër (1843-1946, 1991). 

Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda. 

Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.

Mjedja dhe nxënësi i shkollës e adhurues i tij, kleriku emigrant imzot Oroshi, kishte miqësi me klerikët shqiptarë të besimeve fetare. 

Dom Ndre Mjeda e prifti Oroshi, ishin për dialogun ekumenik me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera.

Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston. 

Për frymën e shëndosh në takimet ekumenike (midis kishave të krishtera), sikurse mësojmë nga studiuesi i rrymës shkencore të mjedjaologjisë prof. dr. Mentor Quku, “…autoriteti i Mjedës, në këtë drejtim ishte absolut. Personaliteti i poetit, shihej si njeriu më i përshtatshëm në të gjitha rastet kur lindëte nevoja për dialog.”

Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.

Kështu papa Pali (Paul) VI (1963-1978) e Patriarku i Konstantinopojës Atenagora I (1886-1972) me origjinë arvanitas, që jetojnë në Greqi, në takimin e tyre në vitin 1964 në Tokën e Shenjtë, u munduan t’i afrojnë zemrat e të krishterëve të ndarë (shkizma) në vitin 1054.

Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë. 

Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore në ShBA.

Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i thellë poliedrik i poetit dom Ndre Mjedja shumë vite më parë.

Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.

Në revistën 3 mujore të përkohshme të komunitetit katolik shqiptar në New York, ai do të shkruaj artikullin me titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes.”

Ashtu sikurse për dom Mjedjen e madh dhe bariun në emigracion imzot dr. Oroshin, “… feja dhe atdheu janë dy nocione, të cilat, nuk ishin në raporte përjashtuese me njeri tjetrin. Në çdo rast kudo dhe kurdo kishte vend për të gjithë… Devocioni fetar është brenda vetëdijës së Mjedës sëbashku me atdhetarizmin e flaktë. Ata nuk mund të përjashtonin njeri-tjetrin, sepse ashtu ishin dimensionuar; ata flinin bashkë brenda Mjedës”

Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për atdhelindjen.

Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy javë në vit.

Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.

Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste. 

Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef Oroshi, biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri.

Dr. Oroshi, gjatë bisedës telefonike, i thotë mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë, jam i gatshëm të vi tek ju. 

Toma, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtit sëbashku me mua.”

Iu përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh. 

Prelati ynë më pyeti: 
“I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?”

Ai nga sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijën. Monsinjori, e ngriti dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?”

Unë iu përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria. Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzeqeshje shumë e gëzuar.

U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha fjalët: “E vraft Zoti Enver Hoxhën e at komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me zemër e dashuni.”

Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të Lushnjës.

Ju drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e shquar të këtij planeti. 

Librin tuaj të shqipëruar: “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…” 

Është thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo. 

Këtë e dëshmojnë objektet e panumërta arkeologjike: skulpturë, pikturë, letrare, vepra të ndryshme arti të shpërndara anekend vendlindjes; dhe këtë e dëshmon në veçanti një histori e larë me gjakun e tij në shekuj. 

Ai, iu kundërvu me pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të brendshëm në trojet shqiptare.

Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsakaluara arsyeja që kleri katolik, u gjet i pari në shenjestrën e të pazotëve, që poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse benë edhe osmanët, nga një kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e shpërtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi. “Për të ripërtërirë lulëzimin e humbur, do të duhen dekada të tëra mundi dhe djerse, sepse brenda kësaj gërmadhe tragjike e do të thoja katastrofike, gjendet rinia e jonë e ikur në vendet e huaja, ndoshta për të mos u kthyer më.” (Don Ndoc Nogaj, “Shtypi Katolik Shqiptar 1991 nëntor 2001”, Shkodër, 2001, f.6)

Të sjellësh ndër mend dhe të rreshtosh figurat e mëdha jo vetëm kulturore fetare, pot edhe morale, jo vetëm klerikale, por thjeshtë katolike, të kulturës së një vendi shumë të lartë është imperativi i çdo njeriu, që ka për zemër brumosjen e botës shpirtërore të fëmijëve e të rinjve tanë, ku kisha me shtypin e saj ka qenë një fanar drite, jo vetëm në lëmin fetar por edhe atë kulturor e atdhetar. 

Kjo gjë duket e kjartë sapo të hapësh një antologji letërsie, qysh prej viteve 1934-1944, 1945-1990, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme diturie ndër shekuj, por edhe brymosën tokën e shenjtë në vendlindje me gjakun e tyre martir.

Janë pikërisht Urdhëri i Jezuitëve, ata që zënë një vend nderi në publicistikën shqiptare. Qysh në ditët e para ata u ndeshën me Perandorinë e “pathyeshme” Osmane, duke ndërtuar Seminarin dhe Kolegjen Saveriane në Shkodër më 1870, sollën në qytet, pa përfunduar ende mirë insitutet e mësipërme, një Shtypshkronjë “E Zojës së papërlyeme”, duke filluar pas pak edhe botimin e së përkohshmes “Elçija e Zemrës së Krishtit” (mars, 1891), me shpenzimet e vetë kuvendit. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Klajd Kapinova- Arshi Pipa-Mons. Zef Oroshi-dy intelektuale

POETJA QË ZBULON TË FSHEHTAT E SHPIRTIT

January 29, 2020 by dgreca

–Esse-analizë rreth librit poetik “Graviteti i Shpirtit” i poetes ERMIRA MITRE KOKOMANI/

Shkruar nga Raimonda Moisiu/
Filozofia e Plato-s se poezia qëndron më afër të vërtetës jetësore se historia dhe se poetët shkruajnë vargje të ndjeshme e të mënçura, të cilat ndoshta edhe vetë ata nuk i kuptojnë, nënkupton atë se poetët janë përherë në kërkim të enigmave të shpirtit njerëzor në udhëtimin e trishtë e të bukur të jetës. Vetë poezia, e cila është po aq e vjetër sa edhe gjuha që njerëzimi flet, është “kopështi” me aromën shpirtërore dhe njerëzore, me aromën e dashurisë që flet nëpërmjet vargut apo fragmentit, dhe kush e ndjen atë, ka ndjerë jetën dhe etjen për ta jetuar e prekur dhimbjen e bukur, -dashurinë njerëzore, ku secili prej nesh ndjehet poet. Por cila dhe si do të ishte bota pa poezinë? Ajo do të ishte një botë pa frymëmarrje, pa jetë, -mendoj unë! 
Poetët paraqesin botën shpirtërore dhe atë të përtejme në pafundësi të zbukuruar me vargje e fjalë poetike, për ta kuptuar e për ta përjetuar të vërtetën e raportit të shpirtit midis së kuptueshmes dhe mistereve, që nga e bukura, dhimbja, malli, dashuria, tragjedia, jeta e vdekja, në vend të lotëve për të përballuar dhimbjet e vogla, trishtimin dhe vuajtjet e mëdha, deri te harmonia dhe mërzia e gjendjes shpirtërore në të përditshmen njerëzore. Poezitë këndoheshin shpesh në lashtësi, dhe njerëzimi sot është i rrethuar nga këngë lirike që aspirojnë poezinë.
 “Graviteti i Shpirtit” titullohet vëllimi poetik i poetes, publiçistes, eseistes dhe përkthyeses së talentuar, Ermira Mitre Kokomani. Titulli i referohet një metafore të goditur poetike që lidhet thellësisht me gjëndjen shpirtërore dhe  ngazëllen efektshmërinë e krejt qënjes njerëzore, duke sjelle kontrastet midis jetës e artit. Vëllimi poetik i Mitres prezantohet në dymbëdhjetë cikle me tituj prekës dhe frymëzues, përmbledhje poetike lirike dhe alegorike, e hirshme dhe e maturuar, ku spikatin ndjeshëm; dashuria, malli, brenga, mërgimi, shpresa, dhëmbshuria, magjia e natyrës, dhimbja, dashuria prindërore, dëshpërimi, gëzimi, mbijetesa, jeta dhe vdekja, por që Mitre ka arritur të na japë mjeshtërisht simbolikën e lidhjes së fortë mes krijesave natyrore e njerëzore me lirinë e shpirtit, momentin poetik nga njëra anë, gjëndjen emocionale dhe natyrën njerëzore nga ana tjetër.
“Rrugëtojmë, /në shtigjet e maleve të thepisura me dëborë, /mbi supet kanë hedhur heshtjen gri, /mikpritja është bërë gur, /e oxhaku lëngon tymin që mungon, /e kujt i është dhimbsur më shumë jeta, /…” 
Poetja Mitre komunikon lirshëm dhe mjeshtërisht, imazhin e simbolit të dhimbjes e harmonisë, dashurisë dhe përjetimit shpirtëror ashtu siç e ndjen, duke përdorur metafora të goditura dhe të sofistikuara; shtigje, male të thepisura, dëborë, heshtje, mikpritje, gur, oxhak, tym, jeta, – dhe vetëm në disa vargje poetja na jep fuqinë e mesazhit të poezisë në përzgjedhjen e fjalëve që mbajnë të tendosur litarin shpirtëror. Njeriu i ndjeshëm përshtat mendimet me gjërat që e rrethojnë, ndërsa poeti bën të kundërtën, ai përshtat sendet që e rrethojnë më mendimet e tij.
Poetja Ermira Mitre Kokomani dëshiron të komunikojë e lirë, duke u shprehur me ton melankolik, ajo  “hidhet” drejtpërdrejt në veprim, duke na rrëfyer historinë mbas, e cila është teknikë mjaft e pranuar në ditët e sotme në poezi; “Rrugëtojmë, /skllevër të rinj të shekullit modern, /në epokën e skllavërisë me ngjyrë të bardhë, /ndoshta gaboj, /skllavëria moderne nuk ka ngjyrë, as shpirt, /riciklon perandorë e sulltanë, /që na kanë marrë për skllevër e ushtarë, /ata që na thërrasin me përcmim “shqiptarë”,/e në celuloid si piratë e vrastarë.”/
Strofa e mësipërme është klithmë e shpirtit të përçmuar, sa metaforike aq edhe objektive. Lexuesi e kupton fare mirë se çfarë kërkon të shprehë shpirti i poetes, megjithëse ende ka një mister për të. Në këtë strofë vargjet funksionojnë mirë së bashku duke krijuar melodinë e gravitetit të shpirtit dhe poetja e tërheq lexuesin më tej me fjalët inkurajuese dhe shpresëdhënëse: “aty ku klithma jote e parë, /derdhi lot gëzimi, /aty ku balta jetën ndjell e mbjell dashurinë e shpirtit. / 
Më pas Mitre krijon çifte vargjesh dhe standarde të metaforave të drejpërdrejta, të cilat poetja i përdor për të ilustruar intensitetin e kultit e të reflektimit: “Të mbetur apo të ikur, /skllevër të vetflijimit, /lidhur e zgjidhur, /nga zinxhirët e padronëve të rinj të integrimit.”
  Në poezitë e ciklit të titulluar “…Shpresojmë.” tre të tilla sikundër; “Të Sotmen Jetoj”, “Ëndrra”, dhe “Bjeshkët e Namuna”, tituj tejet intrigues, vihet re përdorimi i fjalëve “veshur” me dëshirat jetësore në një kuptim të dyfishtë; “i përballjes së dickaje” me ndjenjë, mall, brengë, dhe melodinë e trishtimit; “Jam mbret i ndjenjës, i mëndjes, /i fjalës që them, i farës që mbjell, i foshnjës që sjell, / i ujit që pi, i perlës që nga guaska e detit nxjerr, /i frutit i mjaltit, i gurit, i drurit,/jam mbret i zjarrit që në vatër ndez,/ të sotmen shijoj,/e nesërmja enigmën në prehër të më sjellë.” 
Poetja tregon mjeshtërisht aftësinë dhe kujdesin e saj për metaforën. Ajo krijon imazhe ilustruese që janë sa origjinale, aq edhe të kuptueshme. Mitre, si poete e di fare mirë që poezia të dalë e maturuar dhe e arrirë, metafora duhet të përdoret enkas për ta argumentuar kuptimin, jo vetëm si një formë perceptimi. Edhe një herë, Mitre përdor aliteracionin si një krahasim të rrallë, me sens të mrekullueshëm dhe të maturuar. Mënyra se si vargu “Të sotmen jetoj”, është ide brilante, pasi imazhi që ajo krijon më pas është tejet këmbëngulës dhe unik. Së bashku me metaforën shoqëruese; “si gurë tespije në dorë të tij rrotullohem”, poetja mjeshtërisht ngulit imazhin dhe mesazhin në mendjen dhe përfytyrimin e lexuesit.
Vargjet në vijim i referohen fillimit të poezisë “Ëndrra”,  -“E ruaj ëndrrën si hirin e mbetur, /prej mishit, prej kockës të djegur, të tretur,/” -poetja shprehet se ëndrra është pjesë esenciale e jetës së njeriut, është mendimi dhe veprimi, është pasioni dhe forca, është qëllimi, besimi dhe vendosmëria, materia dhe forma, është pikërisht shpirti që nuk zhbëhet, edhe atëherë kur mendon se jeta të është thërmuar, djegur e tretur në hi.
 “Jam ëndrra më thotë, jemi bashkë të dy, /ti më ndjek mua dhe unë të ndjek ty, /ngado që të vijmë, ngado që të shkojmë, /unë edhe ëndrra përjetësisht udhëtojmë.” 
Përmes strofës së fundit poetja Mitre e personifikon ëndrrën, dhe na përforcon bindjen se njeriu e jeton vërtet jetën e tij vetëm duke vënë në veprim intelektin e imagjinatën, për të depërtuar në misteret e universit, apo për të zbuluar ngjashmëritë e papritura të tij, e më pas duke i realizuar ato vizione që burojnë prej zbulimeve, përmes vullnetit dhe veprimeve të qëllimshme. Një njeri pa ëndrra do të ishte si një zog me krahë të thyer që nuk mundet të fluturojë hapësirave që i ofron imagjinata. Ndaj dhe poetja na kujton me optimizëm se ëndrra është një bashkëudhëtare e përjetshme e njeriut, është promotorri që e bën atë të jetë një qënie e mundshme për të vepruar e ndryshuar vazhdimisht, veten dhe ambientin që e rrethon. 
Te poezia me titull “Bjeshkët e Namuna”, trajtimi i kohës dhe hapësirës shihet në perceptimin e gjeografikes ku vetë fjalët- bjeshkët, të namuna, gurë diamanti, fanar deti, Luli i Vocërr, fluturim, etj, shprehin kuptimin metaforik, filozofik e shpirtëror dhe klima që krijon poetja për ta bërë imagjinatën poetike të kuptueshme dhe ndjesore. Poetja Mitre vargëzon mes ndjenjës dhe ndjen përmes mendimit të saj, kombinon intensitetin lirik me atë dramatik, lirizëm pikëllues dhe melankolik të qartë e të qetë në varg, origjinalitetin që i buron së brendëshmi nga ndjenjat e emocionet që vetë poetja mbart; “të mblidhnim ëndrrat e braktisura, /si luledelet në Bjeshkët e Namuna, /të mblidhnim ato shikime të pafajshme/të shpirtrave të etur, /që klithnin papushim trishtimin, / “. 
Dhe kur brenda gjen element thellësisht filozofike dhe psikike në ide, atëhere fabula poetike merr rolin e saj aktiv, meditues dhe vajtuese i dyzuar; të vetvetes e të të tjerëve, nga e përgjithshmja që i përket secili prej nesh, përjetime si pjesë e jetës. 
“Në gropëzat e syve, mbanin dy gurë diamanti, /dy pupilat, fanarë deti në mbrëmje, /shikimet ëndrra të pashkruara/në pentagramet e Bjeshkëve të Namuna, / rrinin të varura në dritë shprese, –  poetja shprehet qartshëm nga ekzistenca në mos ekzistencë, nga e dukëshmja në të padukshmen, që vetëm poeti mund ta kuptojë e shikojë në zemrën e gjërave dhe forcon interesin për natyrën njerëzore me brengat, krenarinë dhe parandjeshmërinë rreth së ardhmes së largët, barazi kjo që stimulon të tashmen e paqëndrueshme; “Ëndërrojmë shpresën që një ditë,/kur të zgjohemi mëngjeseve me dritë,/të shikojmë ish-Lulërit e Vocërr,/të na përshëndesin nga parashuta në fluturim,”.
 Poetja lufton me të shkuarën e tyre apo atë historike, dhe e vë atë në funksion të pohojë kujtimet e të shkuarës; mallin, dhimbjen, dashurinë, luftën për ekzistencë, nostalgjinë, identifikimin e realitetit dhe gjithcka që ekziston në marrëdhenien humane dhe intensifikon aspiratën e saj drejt të mirës e së bukur në gjithcka që na rrethon.
Mitre me pjekuri të mendimit filozofik dhe artistik, na jep konceptimin harmonizues të identitetit dhe emocioneve poetike, depërton në vetidentifikimin original dhe delikatesën femërore; “trumcaku veshur me krenarinë e tij, /është e vetmja frymë që më bën shoqëri.”,– poetja na tregon lidhjen e saj midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, vetëdijes, dhimbjes e dashurisë njerëzore; “Botë e ngatërruar, /edhe një trumcak më ka sfiduar,/ në gjoks mbaj ende mbështjellë, /një ndjenjë të pështjelluar.”,- për nga forca dhe struktura e vargut me rimë e muzikalitet, poetja na zbulon imtësira psiko-analitike, lidhjen e fortë të natyrës poetike me veten dhe rolit metaforik midis tyre. 
Edhe në ciklet e tjera Mitre pohon që në fillim lidhjen e saj me njeriun (lexuesin) dhe hisen e njëtrajtëshme me objektet që e rrethojnë, -“Vrazhdësi e mjerë por që drithëron shpirt, /në cilën ulkonjë zure rrënjë e u ngjize? /në cilën tribu vure shtat e u rrite? /cila ninullë ulërimë të fali, /piskamë për shpirtrat që dënon së gjalli?”
Poetja Mitre prodhon kompleksitetin pafund të dëshirës, përvojave jetësore, rrugën e vuajtjeve, të dhimbjes dhe dashurisë, ajo eksploron në paditurinë e të njohurës e së panjohurës, me pavarësinë e botës shpirtërore të brendëshme e të jashtme; “Hapi sirtarin e zemrës, /gjeti diamantin blu të dhimbjes, /sirtari i zemrës nusëronte, /diamantë dhimbjeje qëndisur, /dashuria tymnajë zhgënjyese, /djegur e përzhitur,/-klithmë shpirti ndaj dhunës verbale dhe fizike, jetës dhe mbijetesës; “klithma e ulërima iu përplasën në fytyrë,/në agoni iu tredh shpirti i saj i dlirë,/plot dhimbje.” 
Poetja përmes një gjuhe të guximshme dhe plot muzikalitet shpreh
kompleksitetin e një vargu përvojash, idesh dhe ndjenjash emocionale të shfaqura si kurrë më parë në poezi; “Kush je ti? /Ah po,/ti je përbindëshi me fytyrë të egër njeriu,/që ajo gabimisht fole të ngriti në gji.”
Vizioni thelbësor i poetes vë në sprovë epërsinë e realitetit shpirtëror e fizik me anë të figurave letrare të ndërthurura me kuriozitetin e mendimit artistik dhe filozofik.  
“Pesë kontinentet kanë veshur, /fustanin hartë të grisur, /rreckosur, baltosur, irnosur, /bota zgjohet në histeri, /fytyrë shprishur, /flokë shpupurisur.”
Packa se nuk e njohin njëri tjetrin, poetja identifikon bashkëjetesën e shpirtrave të ekzistencës njerëzore brenda heshtjes dhe errësirës të hartës së grisur dhe të copëtuar, ndërkohë që bota zgjohet në histerinë e mëkatarëve, fajtorëve dhe bashkëfajtorëve të majmur nga injoranca, absurdi dhe babëzia në turravrapin e shprishur e të shpupurisur të kohës. Mitre ka shndrruar fabulën poetike në strukturë medituese dhe vajtuese, marrëdhënien humane të bashkëvuajtësve ngarkuar me barrën e dhimbjes, revoltës dhe klithmës për qetësi e paqe.Identifikimi me këtë realitetit dhe me gjithcka që ekziston shfaqet fuqishëm në vargjet: “Historia njerëzore, /një cirk me të njëjtat skena, /por me xhonglerë të rinj,/
Poetja nënkupton ndryshimet rrënjësore dhe aspekte të vecanta që po ndodhin në botën e sotme; krisma, luftë, urrejtje, zemërim, përplasjet e gardheve të hartës së grisur, teksa vetë ajo dhe bota përreth jetonjë të përditshmen njerëzore, midis së kuptueshmes, sfidave dhe mistereve të jetës. Ndërkohë poetja mjeshtërisht na i paraqet me ndërrthurjen e vargut tradicional me atë bashkëkohor, teksa na bën të kuptojmë akoma më mirë botën psikologjike dhe veçmas lotët e fëmijëve; “miliona lot fëmijësh të pafajshëm, /nuk e shuajnë dot, /zjarrin e lakmisë për supërfuqi.”,  – Mitre përsëri identifikon ndikimin e kotësisë sociale teksa aspiron paqen, dashurinë respektin, harmoninë dhe shpirtin fëminor nëpër damarët e poezisë, ajo na flet me gjuhën e ndjenjës, indinjatës, dhëmbshurisë dhe tejet këmbëngulëse: “Merrma kockën bëma gur në vend të tij të rëndojë,/gur e kockë ta ngrejë kështjellën, mëncuri të pagëzojë;/Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba,/shtegun e tij mban shtegëtari, po të jetë e drejtë bota;/Merrmë dorën bëma hartë, që të mbajë pesë kontinente,/githërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj jete!”
Poetja gjendet midis kontrastit intrigues të guximit për të jetuar dhe guximit për të mbijetuar, interpretuese e dhimbjes e dashurisë njerëzore, fatit të botës dhe të njerëzve që e rrethojnë, duke protestuar ndaj pafuqisë së grafikës së kohës dhe shenjtërisë së shpirtit të murosur në muret social–politik të kohës.  Janë ndjenjat më elementare, të cilat poetja i unifikon në lidhje e ide të përbashkëta me instrumentin e mrekullueshëm të modestisë në kohë e hapësirë, jep shpresa për paqe dhe ditë më të mira; “Jashtë, jashtë tokës sime amë, /bijtë e tu bekuar me dashurinë e bardhë, /mbi barkën e Noes do t’i ngarkoj, /shpëtimi, fashë dashurie plagët t’i shërojë.”
Meditime poetike lirike e filozofike, me timbër original, estetik dhe emocional, ku dallohet qartë ndjenja e dashurisë, bukuria fizike dhe shpirtërore që përfshijnë dhjetra poezi të Mitres; “Dashuri Nëne”, “Engjëllorja ime”, “Foli me shpirtin”, “Beso në të Vërtetën Biri im”,  “Indiferenca”, “Humbja”, “Foshnja e Braktisur”, “Muza”, “Polifoni Pas Vdekjes”, “Dashuri e Parë”,etj, janë fabula me tema e subjekte të goditura, kujdesin psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, si nga ana figurative, gjuhësore, dhe letrare. Poetja ndërton alternativën me stilin e saj të guximshëm dhe imagjinativ, duke ruajtur diskursin mes vargjeve, fabulës dhe ideve: “që me ëndrra të bukura çdo mëngjes na zgjon, /dora jote mbi flokët, /përkëdhelja e nënës që shpirti na e kërkon, /Dashuria jote/veladoni i artë që na mbështjell e na mbron.”–  Mitre potretizon psikiken dhe rolin që luajnë idetë e meditimit poetik me mjeshtëri artistike e filozofike, gjithmonë në kërkim të gravitetit të një shpirti të lirë, duke vrarë drojën dhe të keqen në emër të dashurisë njerëzore. Perceptimi i afiniteteve realë e të paanshëm mes vargjeve; “Të kujtoj ty ëngjëllorja ime, /lotët me puthje të ëmbla m’i fshije, /plagët në gjunjë me dashuri m’i lidhje, /buzëqeshja jotë kokëfortësinë ma zbuste, /zemrën e njomë me ngrohtësi ma mbushte.”-e mundëson kështu poeten në mënyrën më ideale dhe njerëzore jo vetëm të pohojë trajtat dhe dukuritë madhështore të epërsisë së shpirtit, por  ajo hyn brenda në  shpirtin njerëzor dhe zbulon bukurinë dhe të  fshehtat e tij.  
Kjo përmbledhje e vecantë artistike e titulluar “Graviteti i Shpirtit”, zotëron origjinën e frymëzimit poetik të Mitres, si një mediatore mes dy botëve; botës së brendëshme hyjnore dhe botës njerëzore, një poete që bën kompromis pafundësisht me larminë dhe në varësi të përjetimeve jetësore dhe shpirtit njerëzor dhe i shëndrron ato në forcën e vargut të artit poetik; “Adelia, shpresoj që të nesërmen të zgjohesh, /një grua nënë plot forcë e mëncuri, /krijuesit të madh përulësisht t’i drejtohesh, /me shpirtin e ngjizur me besim e dashuri.”  
Poetja Mitre mbart fort atë -dashurinë- si shpëtimtaren e botës njerëzore. 
Mitre modulon marrëdhënien mes gëzimit dhe hidhërimit në të përditshmen njerëzore, duke kontrastuar mes jetës dhe humbjes së njerëzve të saj të shtrenjtë: “Prej vitesh mbi plagë lotin kam vënë, /e me vargun lotin e fshij, / përjetë do ta këndoj e shkruaj këtë këngë, /për ty o Ëngjëlli im”– nëpërmjet lotit e ngarkesës emocionale të patjetërsueshme, me të gjitha dimensionet shpirtërore dhe dualitetit të polaritetit të dhimbjes e humbjes, jetës e vdekjes.
“Natën me hënë në dritare qëndroj, / lart sytë i hedh me kërshëri, /në pafundësinë yjore ty të kërkoj, /të të përkëdhel, të të marr në gji.”, -Poetja përdor forcën e vargut  si instrument për të përballuar dhimbjen dhe forcën e dhëmbshurisë e dashurisë njerëzore, emocionin e brishtë e trishtues, ku ndjeshmëria analoge i jep kuptim kurajos e dashurisë eternale për birin e saj.
Vëllimi poetik “Graviteti i Shpirtit” i poetes, publiçistes, eseistes dhe përkthyeses së talentuar, Ermira Mitre Kokomani, reflekton qartshëm se poezia e saj është një poezi që shikon imtësisht në zemrën e përvojave jetësore me ngrohtësinë, butësinë, brishtësinë e delikatesën femërore, mirëkuptimin, mirësinë, dashurinë, dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Poezia e Mitre-s konsolidon mendimin në dobi të natyrës njerëzore, lartëson shpirtin e lirë, intensifikon aspiratën dhe frymëzimin, në kërkim të së mirës dhe të bukurës në gjithçka që na rrethon, dhe ka tendencën që të shohim më qartë elementët më thelbësore e të domosdoshme të jetës mes humanes e dashurisë njerëzore.
Nga Raimonda MOISIU
Janar 2020

Filed Under: ESSE Tagged With: Raimonda Moisiu-Graviteti-Ermira Mitre Kokomani

Agron Tufa, atdheu i bukur dhe tufëzat cinike të chihuahua-ve

January 27, 2020 by dgreca

Shpend Sollaku Noé /

Tre opsione të lidhura ngushtë, të prezantuara në një foto të vetme. Një familje e bukur Tufa –  babi Agroni, mama Elvana, dhe të pesë fëmijët si trupa qiellore. Pas shpine mbetet atdheu, i errët, si pas dyerve të mbyllyra me të përplasur pas shpine. Përplasja çirret: Ikni, mos ua pafshim më bojën. Jetojmë më mirë pa ju. Nuk flet atdheu, i mbetur i pagojë.

Një tufëzë me chihuahua, sipas modelit koop, e ngjyrosur me të kuqe, përpiqet ta shtyjë sa më larg prej atdheut grigjën e babit Agron. Qenushët, sidoqoftë, nuk janë vetëm. Pas tyre, me jargosje të ngjirura, ca rottweiler të rrezikshëm, që mund të të shqyejne fytin edhe me një të kafshuar, për të vetmen arësye sepse i përkasin një race vrasëse.

   Foton xixëlluese të familjes Tufa kam kohë që e kam zgjedhur si sfond të desktopit të kompjuterit tim. Por kori, edhe i zhabave, ka qenë i mjaftueshëm për të mbytyr zërin e gjithkujt, e jo me timin – zë i nje ikanaci qysh prej 28 vjetësh, që e di më mirë se çfarëdolloj ulëritësi, pro apo kundër, se ç’do të thotë të ikësh dhe të kesh me vete një familje që duhet mbajtur e bashkuar, që duhet veshur, duhet ushqyer, në stomak, por sidomos në mendje.

I kam menduar shpesh Tufët azilkërkues sidomos këto ditë, kur m’u desh të sistemoja dokumentat e familjes time të viteve të para të azilit politik. Më mbetën sytë tek një libreze, të quajtur “Documento di Viaggio” – Dokument udhëtimi. Na e dhanë pas njohjes së azilit, sipas Konvencionit të Gjenevës, të vitit 1951, të ratifikuar në Itali me ligjin e 24 qershorit të vitit 1954, dhe më pas edhe sipas protokollit të New Yorkut të 31 janarit të 1967-ës, veprues sipas ligjit të 14 qershorit1970, n. 95. 

Ajo lloj pasaporte ndërkombëtare kishte ngjyre gri, ashtu siç na dukej edhe e ardhmja në dhe të huaj, sidomos në ato ditë pa mbarim të pritjes së përgjigjes. Sipas asaj libreze na ndalohej shkuarja ne Shqipëri për të paktën derisa të mos ekzistonte rreziku për jetën e ne azilmarrësve, ose deri sa të na njihej shtetësia italiane.

Edhe Agronit e familjes se tij besoj duhet t’u lëshohet ky lloj dokumenti, pasi ligjet më të rëndësishme ndërkombëtare se ato që përmenda më sipër për lëndën e azilit politik nuk kane ndryshuar. Edhe në Zvicër, si në Itali dhe në vendet e tjera që kanë njohur këto marrëveshje, jane emetuar ligje apo vendime në përputhje me kushtet kombëtare. Sipas njohurive të mia modeste, vendi në të cilin Tufët ndodhen, është ndoshta më i përparuari në këtë drejtim. Sipas kësaj ideje, chihuahua-t dhe rottweiler-at shqiptarë shpresojnë më kotë që të mos i jepet azili kësaj familjeje, që, sipas meje, i tejkalon të gjitha kushtet për t’jua njohur azilin.

 E vetmja shpresë chihuahua- rottweilerore  mbetet që t’u nxirret si pengese fakti që Shqipëria është tashmë një vend demkratik. Edhe në këtë pikë fatet e familjes time me atë të Agron Tufës ngjajnë. Ne e kërkuam azilin në prill të vitit 1992, kur në Shqipëri kishin fituar forcat që bota sapo i kish njohur si demokratike. Kjo edhe na u përmend kur kërkuam azil. Po unë kisha me vete jo vetëm oratorinë time, por edhe një valixhe plot me dokumenta të cilat më jepnin të drejtë. Kërkova të dëgjohem nga komisioni i posaçëm i Romës, dhe arrita t’i bind. Përgjigja zgjati ca, ajo arriti vetëm më 4 dhjetor të vitit 1992. Ato muaj qenë më të rrezikshmit për ekilibrin familjar. Nuk kishin të drejtë të punonim; shteti italian ishte ende vonë me ligjet për asistencën për të huajt, pra ndihma ekonomike për ne ishte pothuaj zero. Për të shpëtuar familjen m’u desh të punoj në të zezë, të përballoj argatllëqe nga më të rëndat.

Unë uroj, shpresoj e besoj që në Zvicër kushtet për kërkuesit e azilit, sidomos kur janë intelektuale dhe me familje, të jenë të ndryshme. 

Jam i sigurtë që Agron Tufa ka një thes me arësye dhe me dokumenta që mund të bindin çfarëdolloj komisioni për rrezikun që i kanosej familjes së tij. Ai është burrë  dhe intelektual 90 karatësh dhe jo ndonjë guhak i hutuar provincial. Fati i tij i madh është se gjendet në vendin në të cilin është firmosur dokumenti më i rëndësishëm për azilin, ai i Konvencionit të Gjenevës. Prandaj jargëmëdhenjtë e Tiranës që i urojnë kthimin e turpshëm në Shqipëri rrahin ujë në havan. Edhe në rastin e mosnjohjes së  azilit, Tufët nuk mund t’i mbrapshtojnë në vendin ku u kërcënohet jeta.

I rikthehem fotos së fillimit të shkrimit: nuk mund ta përmbaj trishtimin që më tejshpon.

Për mua dhe pjesën më të shëndoshë të inteligjences shqiptare, njerëz si Agroni vazhdonin të na ushqenin shpresën në nxjerrjen nga koma të vendit. Ikja e tij do të thotë zbehje e rëndësishme e asaj shprese. Familja e tij dhe e Elvanës ishte diamant nga më të rrallët në ballin e atdheut. Mungesa e tyre në Shqipëri është grabitja më e madhe që i bëhet ëndrës tonë për t’u kthyer një ditë atje. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-Agron Tufa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT