• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KTHIM PRAPA

January 13, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Botë globale, por sa shumë e kthen njeriun tek vetja dhe ai e pranon këtë pozitë, por me çmim; malli, nostalgjia, litari që e tërheq njeriun mbrapa. Nuk ka më zona të thella e as të largëta, bota është rreth dhe çdo njeri një qendër më vete. Çdo ngjarje e lajm nuk ka kufi, dhe kjo e tremb tiranin që fillon të paraqesë forma të reja hallka zinxhirësh, si për shembull ‘fakenews’ dhe pastaj ligje kundër. Por kjo formë nuk është e re; dikur quhej ‘agjitacion’ dhe ligji dënonte ashpër. Çdo zhvillim bëhet për të krijuar arsyen për kontroll ku të gjithëve u ofrohet të marrin pjesë, sepse personi që iu ka para nuk vritet. Çdo gjë ku njeriu vë dorë shkatrrohet, edhe vendi nuk është shtēpia e tij, por tokë e pushtuar, ose burgu. Shqipëria, vendi i parë me ligjin antifjalë për të luftuar lajmin e rremë me ligjin kundër propagandës; asgjë nuk kujtohet nëse nuk ke njohuri dhe anasjelltas, është krimi që po pranohet, i fuqishmi bëhet më i fuqishëm, dita më e shkurtër, kujtesa gjithnjë e më e vagët, dhe pastaj vjen shtypja, kthimi prapa.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Kthim Prapa

SHQIPTARËT VUAJNË NGA SËMUNDJA PERANDORAKE

January 13, 2020 by dgreca

Në përkujtim të Pjeter Arbnorit-Me rastin e 85 vjetorit të lindjes-po botoj një shkrim të tijin për ne shqiptarët- Anton Çefa/

NGA PJETËR ARBNORI/

Jo pak psikologë dhe politologë të botës kanë theksuar se, “Shqiptarët vuajnë nga sëmundja perandorake”. Ata që e lexojnë ndahen në dysh në gjykim[u1] : disa turpërohen nga ky konkluzion, të tjerët krenohen shumë me këtë cilësi. Në mos qofshin kërthizë, jemi afër kërllizës së botës, ku ndahet lindja nga perëndimi dhe cilido që gjendet në zonë kufitare, cilido që fati e shtyn herë në njërën anë të frontit, herë në anën tjetër, merr disa cilësi negative apo pozitive që duhet menduar mirë përpara se t’i vlerëshosh. Mes nesh ka edhe servilizëm dhe pabesi, por më tepër ka qëndresë që mund të kalojë në kokëfortësi. Kemi dëgjuar se shumë fjalime apo referate tonat nisin me thënien se të parët tanë i kanë dhënë botës prijësa si Aleksandri i Maqedonisë dhe Gjergj Kastrioti që kanë qenë mjeshtër të luftimit, perandorë si Diokleciani apo Justiniani, muzikantë si Kukuzeli, kryeministra ose vezirë të mëdhenj sa nuk kuptohej cili ishtte pushtuesi apo i pushtuari, turku ndaj shqiptarit, apo shqiptari ndaj Perandorisë Osmane; I kemi dënë botës papë si Klementi dhe nxjerrë në dritë dhe nënën e madhe të të gjithë njerëzimit, Nënë Terezën.

Nuk janë të gjithë emra të shtuar nga romantizmi historik që mbërthen popujt e vegjël. Shumë prej tyre janë të vërtetë. Por ka edhe një të vërtetë tjetër, 90 % e këtyre njerëzve të mëdhenj që i kanë bërë kaq të mira apo të këqija botës thuajse e kanë harruar Ilirinë apo Shqipërinë nga e kishin origjinën dhe janë bërë të famshëm për të tjerët.

Skënderbeu mbrojti qytetërimin perëndimor nga Pushtimi Osman.Nënë Tereza qe shëmbëlltyra e madhe e kësaj bote pasanike, por të mbushur shpesh me njerëz shpirtvegjël, prandaj krenohemi kaq tepër me këta të dy.

Ne shqiptarët duhet të krenohemi, jo pse kemi përballuar kaq e kaq pushtime perandorish, jo, duhet të krenohemi me diçka tjetër. Ne jemi një popull i vogël që kemi ruajtur karakteristikat tona, kemi ruajtur gjuhën tonë në mes dy perandorive kulturore të antikitetit, kulturës greke dhe latine, më të shkëlqyerat në botë. Dikush na tallë: kemi qenë pa shkollë, kemi qenë malokë, prandaj ka mbetur si relike gjuha juaj. Malok paska qenë Skënderbeu, malok paska qenë Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi e Bogdani, iluministët e hershëm të gjuhës shqipe, malok paska qenë Naim Frashëri e Sami Frshëri, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi dhe poeti i madh Gjergj Fishta, Bajram Curri dhe Ahnet Zogu. Ata që i quajnë malokë mund t’i ketë ecur morri në ballë njëzet a tridhjetë vjet më parë e tani kapërdisen me kollare.

Ne shqiptarët kemi punuar për perandoritë, por edhe u kemi nxjerrë telashe perandorive. Shqiptari  nuk shtë mesatar. Kur merr përpjetë nuk e di ku arrin në suksese, kur merr për të keq nuk e di sa poshtë arrinë.

Çfarë u shpik në botë dhe nuk e mori menjëherë shqiptari, çfarë u shkrua në botë dhe nuk e përvetësoi menjëherë shqiptari. Edhe Shën Tomën dhe Volterin, edhe Makiavelin edhe Leninin dhe Stalinin.

Dhe prapë jemi perëndim: Naim Frashëri shkruante “Lind atje tek perëndon”. Ndikimi lindor të themi të drejtën ka qenë mjaft I fortë. Së pari përqafuam islamizmin, por jo si besim, por si maskë fetare. Shqiptarët kurr nuk janë hquar për fondamentalizëm. Atë janë përpjekur të na e injektojnë nga jashtë me qëllim që të na tregojnë pastaj me gisht, por nuk kanë pasur sukses, kanë dështuar. Fondamentalizimi mund të jetë edhe orodoks, ndoshta edhe katolik, por gjithmonë tek pjesa më pak e kulturuar e popullsisë[u2] . Të gjithë kanë dështuar. Sot po përpiqentë ngjallin fondamentalizimin krahinor. Të ruhemi prej tij!

Së dyti, fandamentalizmi u përpoq të depërtojë me një tjetër shartim lindor, me anë të komunizmit. Nuk dështoi ai, dështuam ne me të, sepse ai me dhunë na detyroi të largoheshim nga Perëndimi, të armiqësoheshim me të dhe të mbetej Shqipëria një ishull aziatik në Evropë.

“Pranë detit e palarë, pranë dritës e paparë.”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Pjeter Arbnori-Anton Çefa-Semundjet Perandorake

ATDHEU…

January 9, 2020 by dgreca

Ese koniciane nga Namik Selmani/

Në atë hambar fjalësh për atdheun që ka gjuha ime apo dhe gjuhët e botës, me rrëfimet me urtësinë me poezinë, me prozat poetike, u gjenda mjaft i përkëdhelur se gjeta shumë për ta bërë një gjë të tillë

Ballë kësaj pasurie shpirtërore do të gjeja sot dhe një fjalë të re si FJALNAJA, Është një meditim i përbotshëm për përkufizimin e atdheut,. Kur ia vura vetes këtë mision, një çast mbeta i memecëruar. për të thënë atë që ndieja dhe që doja të thoja.
Shkova te një fabula e bukur mitike në kufinjtë e një legjende që tregon origjinën e vendbanimit të Ulqinit. Kohë të largëta, atëherë kur mbase nuk kishin lindur as kalendarët hënorë dhe diellorë, diku në Bjeshkën e Rumisë pranë tij njerëzit shkonin në një ditë të caktuar të vitit.
Me supet e tyre jo sizifianë dërgonin në majë gurë që të afroheshin sa më pranë qiellit. Oh, uroj që fjalnaja ime të shte një gur qoftë dhe i vogël për këtë mision kaq të vështirë dhe kaq fisnik për ATDHEUN.
.Është ajo copë e bukës, mes të cilës vihet një kokërr vezë me ullinj, djathë, qepë, disa kokrra ullinj.
Ai është tupanxhiu, lodërtari ta themi, daullexhiu që vrapon të therë kecin më të mirë të tufës ose ta porosisë atje ku lëkura e kecave është më e mirë më e fortë , më e pastër.
Se duam të përcjellim dhëndurrët. Se duam që të gëzojmë në festën e të mbjellave, në festat e të korrave..
Atdheu është Ajkuna moderne që nuk qan më aq sa dridhen gjethet e lisave, të aheve. Një Ajkunë moderne që ka nisur të qajë më shumë se Vajza e Valëve. Për një djalë-Omer që vritet diku në një portë apo vjen në një arkivol përtej deteve.
Është mani i fëmijërisë që na mbulon me mjaltë në buzët e vogla e të njoma.. Apo dhe prehëri i nënave dhe i gjysheve që si në përrallë të vërtetë kishin përherë mollë arra, bajame, fiq të thatë për fëmijët, për nipërit por edhe për fëmijët e lagjeve. Në valixhet bashkë me disa kostume popullore për vajzat e tyre, shpesh vinin ftonjtë dhe shegët që haheshin deri vonë në prag të pranverës.
Atdheu është gjaku i mësuesve, i poetëve që kanë dashur ta dërgojnë fjalën shqipe në breza të ardhshëm. Është gjaku i Petro Nini Luarasit, i Ndrecë Ndue Gjokës, i Pjetër Budit, 
që ende sikur kolovitet i mbytur në ujërat e Drinit, i Papa Kristo Negovanit, i Naimit kollëgjakosur. i Migjenit poet..

Atdheu është alfabeti i lisave i pishave, i drurëve të shelgjeve ku kemi shënuar emrat e të dashurve tanë, emrat e prindërve, të vajzave që mbase ende nuk ia kishim thënë fjalën magjike apo edhe o atij alfabeti rrugësh kur kemi vënë emrat e atyre që janë aksidentuar
Është dora e nënës e ngritur te pragu i shtëpisë apo në një shesh aeroporti atje ku edhe fytyra nuk duket më nga ata që nisen dhe nga ata që mbeten në tokë.

Kujtojmë Valbonën që na merr sytë dhe mjaft herë ua vëmë emrat edhe vajzave të lindura qoftë edhe pranë qyteteve dhe fshatrave të Jonit. Kujtojmë Drinin që duket si fjongo Shqipërie.
Është kutia e duhanit që vihet diku në një bar livadhi nënë hijen e një peme të një fiku, të një plepi, të një tavoline në një klub që kërkon të gjithë ata që janë në të të zgjasin duart për të dredhur cigare apo dhe të mbushin çibukët e tyre me duhanin e grirë si i thonë fjalës për qejf.
Dhe kjo bëhet edhe në mortet edhe në dasmën e djemve edhe në pajtimet e forta të fiseve.

Atdheu është kokrra e orizit që bie në supet e çiftit, të krushqve, të dasmorëve sidmos të vajzave që presin një ditë edhe ato të vënë vellon e bardhë të nusërimit.
Është gjuha që na e sollën me dashuri me sakfrificë të parët tanë, por që shumë herë na e kanë vrarë barbarët e kohëve moderne që kanë krijuar edhe analfabetët modernë.

Është kazani i rakisë së rrushit që në vjeshtë vihet në radhë për të gjithë lagjen fshatin, pse jo edhe për qytetin. Një raki pikëlore që më tej mbush shishet që nga ballëkazani e deri te ajo tjetra e pranueshme. E për të, të ziejë kënga e tavolinave dhe sazet të këndojnë tërë natën me gotën në dorë.
Është pëllumbi i bardhë që vihet te oxhaku i odës së vjetër, vihet te djepi i foshnjës, te shamia e vajzave, te qëndismat të burimet ku rrjedhin sylynjarët.
Është ajo tufë me kallinj gruri dhe misri apo disa kokrra ftonjsh që kanë aromë dhe ngjyrë që i bëjnë sytë ziliqarë dashamirësisht për mbarësinë që ishte dhe do te vijë sërish.
Është mushti i trëndafilëve dhe petullat e mbushura me mjaltë. Është flija e Kosvës dhe ballakumet e ëmbla të Elbasanit që nuk i gjen aq të mira në të gjithë botën. Ëshë likoja e ëmbël e qershisë e fikut të egër, të kumbulllës. së Përmetit e të Beratit.
Është dora nazike e një vajze-nuse që pasi mjaltos pragun e shtëposë së re nën jehonën e këngëve të shumta me lule, me krahasime nga më të rrallat e botës, asi derdh ngadalë me këmbë një shtëmbë një enë uji pjesë e traditës, nxiton që të përqafojë me ngrohësi edhe vjehrrën ose më saktë nënën e burrit.
Është dallandyshja e Shirokës, gulshi i Naimit për t’u bërë pjesa e krahëve të një zogu për të shkuar në Atdhe, urtësia e Konicës, është sokëllima e Pashko Vasës për bashkim, është kreshniku i poezisë Gjergj Fishta, është Noli dhe noliada që na solli si frymë.
Është guri çajupian, është lodhja e këmbëve të De Radës për të shkuar në shkollën shqipe.
Është grushti i Migjenit.

Është dhimbja e arave të pambjella, është e lehura e qenve të shtëpisë apo dhe të staneve që nuk zëvendësohet aspak nga sinjalet moderne të zileve elektrike të alarmit të vëna në stallat gjigande ku shpesh ke dëshirë që të marrësh aromën e luleve të livadheve.
Është ai plis i bardhë i Dukagjinit, Gjakovës Kosovës, takije myzeqari, feste çami, kapelja me strehë e Matit, që është relikja më e vyer e një familjeje në kujtim të gjyshit e të babait. 
Është ai tingull lahute që duket se ka nisur të gëlojë në këta brigje që kur ka dalë njeriu i parë. Është kënga me iso që sikur zgjon male dhe një botë të tërë me sokëllimën e saj.
Janë kostumet popullore që dikur do të mahnisnin dhe vetë Lordin Bajron të ardhur nga luksi më i madh i Evropës.
Është buka e ëmbël që shtrohej e ngrohtë në sofrën e mikut dhe që sfidonte gjithë hotelet më në zë të botës me ngrohtësinë njerëzore bujare të gjyshërve tanë qoftë edhe kur në shtëpi kishte vetëm një dorë miell.

Është vallja e Osman Takës dhe vallja e Shpatave, vallet kolonjare dhe vallet e Myzeqesë..

Është samari i një kali të bardhë, si kali i fortë (jo si i Kostandinit të baladës) që mban në kurriz kosha të thurur me kujdes . E mbi to kemi vënë grurin e porsakorrur për bukën e vatrave tona. Kemi vënë drutë që do të mbysin sadopak dimrin me dhëmbë të maleve tona. Kemi vënë kecat e qengjat që do i dërgojmë në pazarin më të afërt. Po nganjëherë kemi vënë dhe fëmijët e vegjël që të mos i lodhim në rrugë të largëta e të thikta shkëmbinjsh. Dikush do të më kujtojë se me to kemi bërë edhe karvanin e një dasme. Kemi vënë nusen e bukur që e kemi shoqëruar me fjalët më të ëmbla që ka shqipja jonë e bekuar
Në ato stallat mungojnë zilet e deshëve, mungojnë përkëdheljet e duarve për të mjelë lopët, sepse janë të zëvëndësuara nga makinat e ardhura nga doganat e boës.
Është krisma e pushkës që sjell gëzimin e lindjes së fëmijës që është kaq e ëndërruar. Krisëm që bekon martesën nën jehonë e një tupani të një fyelli. Krisëm që bekon lindjen, që përcjell në varr luftëtarin e rënë për liri

Është krisma për pajtimin e dy familjeve të dy fiseve me atë ceremoni të dëshiruar që jo pak ditë kanë kaluar mes dhimbjes, pagjumësisë.
Është kafeja e ëmbël apo me pak sheqer e pirë në klubin e lagjes a në mortin e largët.
E pirë kur hapet porta e gëzimit të fëmijës të një krushqie, të një shtëpie të re. Atje ku shpesh ti llomotit për hallet e lagjes, të fshatit, të qytetit apo dhe të politikës
E pak, fare pak, flet për hallet e tua që shpesh a bëhen si kulari i qeve apo i kularëve që mbajnë pas vetes karrocën me fruta për t’i dërguar te tregu. E këto halle nuk janë të pakta para atyre që ka bota dhe lagjja.
Është leshi i trikove, të çorapeve për këmbët e fëmjëve të burrave . apo dhe për dhurata për miqtë e afërt e të largët. Është furka e vjetër drulëmuar e gjyshes që ia ka përcjellë edhe mbesës. Është goditja e fortë e dorës së Kovaçit që bën kazma, sëpata, lopata, kosa të mira të mprehta për barin e livadheve, për drurët e pyllit.
Është djepi që kohë më parë e ëndërruam edhe me një shtrat të vogël, po nuk e hodhëm te plehrat. E vumë diku në një muzeum lokal apo kombëtar.
Është festa e bukur e Abetares që të vë në duar lule të bukura me aromë
Është Festa e Luleve në një ditë të bukur të marsit bleror. Është ai kosh i mbushur me ullinj, me fiq, me kecat gati për t’i shitur në treg, i fëmijëve që i vëmë në samarët e kalit për të mos i lodhur këmbët e tyre të vogla.
Është tingulli i këmbanës dhe zëri i ezanit që janë aq pranë njëri-tjetrit.
Është puthja e parë e bërë pas një banke shkollore, pas një trungu lisi, në një livadh me luleshqerra, nën strehë që goditen nga ujëvara e mallit, pas një mulliri dyerhapur për miellin e bluar. 

Është macja që mjaullin tek vjen miqësisht dhe të ulet në prehër teksa ndjen përkëdheljen e dorës tënde të ngrohtë.
Të zgjat sytë lutshëm për pak qumësht, për një copë mish nga tryeza jote.
Apo edhe për të shprehur gëzimin për ty që ke ardhur nga një rrugë e largët.
Është lehja e një qeni që atje në shtëpinë e tij të vockël prej dërrase, ia kalon të gjithë sinjaleve elektronike të kohërve moderne për sinjalin që jep me lehjen e tij.
Pse jo, ai është edhe sfida njerëzore e mirësisë dhe e besës përballë Pabesisë ë kërkon të marrë Pasaportën e kohës.
Është furra e mbushur me prush ku gratë vënë byrekët e shijshëm, vënë bakllavatë, kuleçët e dasmave.
Është fëshfëritja e pemës në vjeshtë ku nis loja e rënies së tyre dhe e ngjyrimit të verdhëllimit. Është pikëlimi i një strehe shtëpie ku këndojnë zogjtë, po shumë herë ai ritëm i ëmbël të bën një lloj Njytoni modern në vendlindje 
Është balta e udhëve që ta bën jo rrallë pis këpucën, pantallonat apo dhe kostumin me të cilin je nisur diku në një ceremoni.
Është guri i një mali, me të cilin bashkë me miqtë ke nisur garën për të qëlluar sa më larg në sipërfaqen e një lunit apo për të goditur saktësisht një degë peme. Është lulja që mbjell gjyshja e nëna, pasi e ka ruajtur me merak farën që pranverën e kaluar dhe pastaj me këtë pamje petalesh 
Është amaneti i pavyshkur i gjyshërve tanë flokëthinjur që kanë ardhur në kohën e ndërrimit të jetës. Një amanet për djemtë e nipërit që të bëhen më të mirë se ata vetë. Të keni zili për mirësinë e jo të vrasin në mes të ditës dhe të natës.
Është sheshi i lojës fëmijërore ku deri vonë ti ke harruar se si kanë lëvizur pa lejen tënde akrepat e orës. Vetëm thirrja e nënës, e babait bën që ti të lësh sheshin e ashtu, fytyrëskuqr me gjunjë të vrara e pak të lodhura jeton me mëkatin e vonesës.
Është maja e Tomorit që të bën të hysh në karvanin e pelegrinëve që janë gjysëm milioni në vit. Atje ku si thotë Naimi, është froni i perëndive.
Te maja e Korabit me ylbere ku këngëtari garon me dritën e me aromën e livadheve të tij dhe ti mërmërin një varg kënge “Moj Fushë e Korabit’ si të ishtë krenaria e operave botërore.
Është mjaltimi që buron nga lulet e Shkëlzenit.ës, 

Dikur poeti dissident Bilal Xhaferri do të shkruante “Koha na ka vënë në provën e qëndrestarëve të luftës punës të shkronjës.”
Dikur poeti disident Bilal Xhaferri do të shkruante për të se “ edhe brinjët e gjoksit do bëjmë shpata” Sot ende na kanë lakuar jetën udhëkryqet. Janë ato të politikës dhe krimit. Na kanë vënë në provë mallin e largët dhe sërish në buzë në zemër na vjen ajo përkundja emocionesh të shprehura thjeshtë te dy fjalë “Atdheu është atdheu…”
Boston

Filed Under: ESSE Tagged With: Namik Selmani-Esse Koniciane-Atdheu

VIT I RI – KOMBI MBI TË GJITHA

January 9, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Optimistët shprehen në gjuhën e popullit: “Ditë e re nafakë e re”.  Po pse të mos themi në fillim të këtij viti edhe “Vit i Ri –Nafakë e re”, ose të pakën një fillim i ri.  Të pakën, të shpresojmë për një vit më të mirë, më me fat për të gjithë shqiptarët kudo e sidomos për bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. 

Anë e mbanë botës, festat e fund vitit janë një stinë shprese e pritëshmërishë për gjëra më të mira në vitin e ri, një rast për bashkimin e familjeve dhe një kohë për të menduar për paqë e përparim dhe për një jetë më të mirë për familjen dhe shoqërinë, ku jetojmë,në përgjithësi.  Në shumë vende të botës është traditë që me rastin e fillimvitit të ri, të behen zotime dhe të merren vendime, qoftë nga individë e shoqëri, por edhe nga shtete e qeveri, për t’u përpjekur që në Vitine Ri të hiqet dorë nga veprat dhe sjelljet e dëmshme kundër interesave kombëtare dhe të fillohet një jetë e re, në interes të të mirës së përbashkët. 

Viti që kaloi ishte një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjëndje vazhdon edhe në fillim të javës së parë të Vitit të Ri, për arsye që dihen.  Kjo gjëndje e nderë nuk vazhdon të jetë e tillë për arsye të ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë, por fatkeqësisht, është shkaktuar dhe vazhdon të frymëzohet nga e njëjta klasë politike e mbrendshme, e cila, në kushte normale, ka si përgjëgjësi të parë, sigurinë dhe mirëqenjen e shqiptarëve, që kulminojnë me mbrojtjen e interesave kombëtare, të cilat jo vetëm që nuk po mbrohen aktualisht, por po shkelen brutalisht në gjëndjen e krijuar nga kjo klasë politike, si në Shqipëri ashtu dhe Kosovë.  Nga fjalët, aktet dhe sjelljet e papërgjegjshëme aktuale nga individë të kësaj klase politike, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, Interesi Kombëtar, në përgjithësi, rrezikon të pësoj goditje të renda afatgjata, të cilat kollaj, mund të këthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të Kombit shqiptar, të realizuara me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë e sidomos gjatë dekadave të fundit.

Kjo klasë aktuale politike, e cila i ka prurë punët në këtë situatë ku janë sot shqiptarët në dy shtetet e tyre, rezulton se jo vetëm që nuk ka bërë asgjë gjatë këtyre viteve në mbështetje të interesave afatgjata kombëtare dhe as në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në përgjithësi por, përkundrazi, me politikat e tyre aktuale vazhdojnë të dëmtojnë interesat kombëtare dhe emrin e mirë që shqiptarët mund të gëzojnë ende, të pakën, në radhët e disa prej miqëve të tyre historikë.

Problemet dihen mirë nga të gjithë dhe nuk ia vlen të radhitën këtu.  Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, sondazhe të ndryshme kanë pasqyruar, gjatë viteve, mendimet e shqiptarëve në të dy shtetet, ndaj politikanëve që i udhëheqin ata.  Në shumicë dërmuese, populli fajëson klasën dhe partitë e shumta për gjendjen e krijuar politike dhe ekonomike në trojet shqiptare.  Në mungesë të besimit ndaj kësaj klase politike, shqiptarët bëjnë atë që mund të bejnë në këtë situatë, duke “votuar me këmbë”, për një të ardhme më të mirë për ta dhe të fëmijve të tyre – marrin rrugën e gurbetit!  E gjithë kjo shkon në interesin e vendeve fqinje dhe miqëve të tyre historikë, të cilët, pa marrë parsyshë se çfarë mund të mendojë ndonjë udhëheqës shqiptar, ata nuk ia duan të mirën shqiptarëve, as sot, as dje as nesër!  Shqiptarët janë të detyruar të jetojnë me ta në rajon, pasi nuk ka rrugëdalje tjetër – pasi kemi dreqin kojshi – por ama nuk duhet që të shesim interesat kombëtare për hir të një miqësie të imagjinueshme dhe të rrejëshme.  Qëllimi i këtyre qarqeve anti-shqiptare është që – ndërsa ndjekin realizimin e interesave të tyre rajonale, njëkohësisht t’i shkaktohet dëmi maksimal emrit të mirë të Kombit shqiptar në Evropë dhe në botë.  

Unë e kam thënë se, megjithë manovrat e fqinjëve jo dashamirës, në dëm të interesave shqiptare, besoj se është në dorë të vet shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i Kombit shqiptar.  Viti i Ri 2020 duhet që — pa vonesë — të jetë fillimi i kësaj ndërmarrjeje madhore mbarë kombëtare, në mbrojtje të interesave të Kombit, para se të bëhet vonë. Vit i Ri –Nafakë e Re! Le te shpresojme që fillimi i Vitit të Ri të shërbejë si një rast i mirë për politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan dhe, njëherazi, të jetë edhe një këthesë historike.  Që ata të përqendrohen e të tregojnë kurajo, jo për konflikte, mosmarrveshje, mburrje e pontifikime midis tyre, siç e kanë zakon, në mbështetje të interesave thjeshtë personale e partiake, por mbi të gjitha të lidhin besa-besën me njëri tjetrin dhe ndaj interesave madhore të Kombit shqiptar, duke çuar përpara kështu idenë e pajtimit të pikëpamjeve të ndryshme politike për mbrojtjen e interesave të Kombit.  Ky angazhim, nga klasa aktuale politike në Tiranë dhe në Prishtinë në fillim të këtij Viti të ri, është gur-themeli për një të ardhme më të ndritur që do të çojë Kombin shqiptar drejtë integrimit të plotë e përfundimtar me botën perëndimore euro-atlantike dhe do ta çojë atë drejt realizimit të objektivave historike kombëtare, të mbrendshme dhe të jashtme, për të cilat shqiptarët kanë pritur aq gjatë.  Ky është urimi dhe dëshira ime për këtë Vit të Ri, 2020 për Kombin Shqiptar, që për çdo gjë që bën kjo klasë politike të konsiderojë se interesat e Kombit duhet të jenë mbi të gjitha!.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank Shkreli-Viti I ri-Kombi mai te gjitha

Daughter’s Holiday Wish

January 5, 2020 by dgreca

by Julika Prifti/



Dear Dad, /

Looking for your holiday card amidst an abundance of festive designs, my gaze stayed on one that showed the image of a typewriter and the letter U circled in a silvery ring as if taken from its key set. I knew it was the right card. The typewriter reminded me of the dark metal-body Olivetti typewriter model. It transported me to our living room at the Tirana apartment on Bajram Curri Street 330/3. I was born shortly after you got the approval for our family to move in the new place. The apartment, grew old with me, as did the heavy Italian made Olivetti. We were both products of the 60-s. The card brought back memories of myself as the little girl that watched with fascination how your fingertips stroked with speed the keys that made the tiny mechanical “arms” hit the ribbon on the white sheet. It only took a few minutes for the paper to be filled with words, and perfectly lined. I used to wonder. How could the words know their places so perfectly? How could you have that power over the typewriter that responded to your commands? You spend hours typing your manuscripts or ‘putting in paper your inspiration.’ The rhythm of the key tapping filled the room and I knew it as the sound of your writing. The letter stamping from your fingertips onto the white page created words and sentences. I was jealous of Olivetti for taking time away from me. But the typewriter stood at the desk and it was rarely moved whereas I played with you in every room of the apartment, went to the park, ate ice cream and visited favorite places. I fall to sleep listening to your wonderful stories that later became books for children. At times Olivetti resembled a toy. Except it did not compare to any that Loreta and I had in our possession.  Whenever I would hear the quick tapping of the typewriter, I would close my eyes and try to imagine the story you were typing. Was it the fairy tale with Albanian mythical beings or one of the memorable legends of Skenderbeu, perhaps the story of Water Droplet (Pika e Ujit) or a character from a play about our alphabet? 

As I grew old, you taught me to type and work the typewriter. I remember the joy of being allowed to type parts of your manuscripts, a job that gave an immense sense of pride and maturity. Years later you got another typewriter as a prize for an award. It was a later Olivetti model, much smaller and lighter. The strangest thing for me was its color. I was convinced that a typewriter only came in the dark color of the one that I had grown to admire. I also remember the electric typewriter and others but they did not match the connection of the first Olivetti. 

I feel sorry that the person that borrowed the typewriter to type his manuscript never returned it. So it will always be a memory. The first Olivetti typewriter had been part of our lives and it ‘produced’ so much of the literature you created for years in Albania. 

The holiday card with the typewriter is the perfect image for preserving a memory that we share. Time and technology cannot change that. 

May you continue to create and make new memories.

Love, 

Julika

Filed Under: ESSE Tagged With: Julika Prifti-Daughter's Holiday Wish-Naum Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 253
  • 254
  • 255
  • 256
  • 257
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT