• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHE MBETEN KUJTIME…

November 13, 2019 by dgreca

Nga Bajame Hoxha-Çeliku/

U nda nga jeta para kohe artistja, mikja më e mirë e na plagosi lajmi i hidhur aq sa dhe duart s’po më punojnë në tastierë. Lajmin e morëm sot ndërmjet postës së kohës fb, i cili qe mjaftë për të na i kthyer ditën në gri.
Shpresa, ti mikja ime e mirë sonte more udhën për në përjetësi, aty ku të pret parajsa e bukur, se njerëzit me shpirtin e bukur si ti, aty e kanë vendin. Ti mikja e të gjithë shqiptarëve këtu në Belgjikë, ku asnjë takim letrar apo festë nuk e bënim dot pa ty, pa zërin tënd melodik, e do ndjehej thellë mungesa jote, mungesa e artistit, bashkëshortit tënd Arian Miluka. Se zëri yt si bilbil ishte i domosdoshëm, do të recitonte aq bukur sa askush në të ardhmen s’do të të zëvendësojë dot këtu në Bruksel. Të kërkonim me ngulm Shpresa, dhe ti na vije gjithë sharm, e buzëqeshje të ëmbël. Ti na i zbukuroje mbrëmjet, na i shkëlqeje ambientin, sepse ishe krenaria e shoqërisë, ajka e një aktoreje të vërtetë, Shpresa! E ç’të të kujtoj më parë shpresa! Po e nis me dhimbje nga veprimtaritë e tua brenda atdheut dhe jashtë tij, që janë aq të shumta sa ke mbetur e pavdekshme në kujtesën e çdo shqiptari, ashtu e freskët dhe e bukur si drita e diellit, se ashtu shkëlqeje. Filmat të cilët ti luajte aq bukur, që unë s’po i numëroj dot tani, i luajte me një talent të admirueshëm, si aktore e re në moshë por me përvojë që e vogël, jepje pa hezitim pasionin dhe shpirtin tënd të ndjeshëm e bujar. Që në moshë fare të njomë u ngjite skenave të teatrit dhe ia dole me sukses Shpresa, Sepse e gëzoje nga natyra këtë talent dhe natyrshëm vinte në hapësirat e tua të gjera për të arritur majat e kinematografisë shqiptare. Kështu ti do të mbetesh një nga emrat më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë shqiptare, me një karrierë brilante e të suksesshme ndër vite. Si një zogëz fluturove dhe u bëre e njohur dhe jashtë kufijve me punën tënde të pastër, ku talenti yt dhe puna jote patriotike do të zgjonte zemrat e shqiptarëve në Bruksel. Ti u dhuroje shqiptarëve të mërguar poezinë, u afroje atdheun, u afroje dashurinë e madhe, u afroje zërin e atdheut me anën e Radio “Jehona  Shqipes”që funksionon që prej 34 vjetësh, me drejtor të nderuarin Sakip Skepi, i cili ka mbërritur në Bruksel në moshën 5pesë vjeçare, i gatshëm, me një patriotizëm të pa shembull, gjithnjë i palodhur me dekada të tëra, ndodhet pranë çdo shqiptari, sepse askush nuk ia ktheu shpinën atdheut nga e mira.   Ti shpresa, ishe dhe shpresa më e madhe e fëmijëve shqiptar në Belgjikë, ata i mësove ti se si të recitojnë, se si ta duan atdheun, se si t’i duan poetët, sidomos ata mërgimtarë të ndaluar. Nuk mund të lë pa përmendur kur ti jepje shfaqje vetëm me poezi dhe recitoje me pasion, se ti kishe lindur për artiste dhe e gëzoje këtë aftësi më së miri, por, dhe në një bashkëpunim të frytshëm me  Radio  “ Jehona Shqipes, dhe si aktiviste e palodhur  u vlerësove në Belgjikë edhe me tituj.
Shpresa, ti ike në amshim por more me vete shumë dashuri, dhe le pas vlerat dhe emër të madh. More me vete dashurinë tonë, dashurinë e të gjithë emigrantëve që të njohën, dhe mbi të gjitha dashurinë e Arianit dhe të fëmijëve. Ti le pas një familje në zë, një familje të shkëlqyer, Shpresa!
Dhimbja dhe mungesa jote në të ardhmen do na shoqërojë kudo e kudo, në çdo festë apo takim letrar.
Të shoqëruam në udhëtimin e fundit Shpresa, drejt parajsës me lot në sy e me kurora e buqeta me lule. Shumë shqiptarë morën pjesë, por dhe vendas, si dhe e madhja Justina Aliaj, e Anila Dervishi, morën pjesë me dhimbje e lot në sy.  Por unë, nuk të them dot lamtumirë Shpresa, mikja ime e mirë, se silueta jote po më qëndron këtu fare pranë, po më shikon që po shkruaj për ty, dhe ti, po më fal atë buzëqeshje të dëlirë që vetëm ti dije ta jepje, të pastër si kristali.
Lamtumirë e mira Shpresa! U prehsh në parajsë!
Lamtumirë Shpresa!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha(Celiku)-Lamtumire-Shpresa Berdellima

MEDITIME PER SHEMBJEN E MURIT TE BERLINIT

November 12, 2019 by dgreca

Nga Julika Prifti/

Më 9 nëntor, 2019, u përkujtua 30 vjetori i rënies së murit të Berlinit, që simbolizonte edhe fizikisht ndarjen midis kampit lindor dhe perëndimor. Për më tepër, ai ndante dy sisteme ideologjike, botëkuptime filozofike, si edhe njerëzit të detyruar të jetonin në to. Njerëzit e njërit kamp nuk mund të takoheshin dhe as të shikoheshin me familjarët, me të afërmit dhe as me shoqërinë. Të gjallët nuk shihen më me të gjallët, dhe as të vdekurit nuk mund të vizitoheshin nga të dashurit e tyre në anën tjetër. Familjet ndahen, shoqëritë prishen, e dashuria e respekti për njeri-tjetrin venitet. Muri bëhet ‘marka’ e një kohe tjetër. Simboli i luftës së ftohtë.

Në Shqipërinë e mbyllur përgjatë kufirit me toka shqiptare ndarja ishte po aq reale ngaqë muri u ngrit brenda nesh. Në fillim propagandohej se armiqtë ishin jashtë kufirit me dimensione të njohura e të matshme. Por kur sistemi komunist u konsolidua. Armiq u bënë njerëzit më të afërt, babai, djali, nëna, vajza, miqtë e vjetër. Një ide apo mendim i ndryshëm nga ai i partisë, i organizatës së bashkimeve profesionale, i organizatës së rinisë, së pionierit, të damkoste me vulën armik.  Frika u bë ndjenja zotëruese e atyre viteve pavarësish moshës, gjendjes ekonomike, pozitës profesionale, apo gjinisë. Askush nuk ishte i imunizuar nga frika dhe nga damkosja ‘armik’. Në çdo moment një vulë e tillë mund t’i ngjitej emrit të secilit prej nesh.

Prandaj muri i brendshëm ishte aq real sa edhe muri i Berlinit, ndonëse mund të mos ishte i prekshëm dhe mbi të mund të  mos shkruheshin parulla dhe vizatime, ishte po aq ndarës sa edhe muri berlinez. Pas 29 vjetësh muri u shemb në 1989. Kështu në 2019 ka një vit më shumë i shembur seç qëndroi i ngritur.  Megjithatë numërimi i viteve nuk thotë shumë.

Atëhere shembja ishte një e papritur shpresëdhënëse. E mbaj mend se u ngulitëm para ekranit të televizorit tek RAI (Radio-Televizori Italian) e pastaj në kanalin tjetër që mund të kapte imazhet që nuk kishin nevojë për përkthim. Rradha pafund e njerëzve që prisnin të kalonin në Berlinin Perëndimor. Tensioni përcillej në ekran sepse gjendja mund të ndryshonte në moment e të shtëna e automatikut mund të bënte kërdinë mbi turmën që priste të kalonte në anën tjetër. Ndërsa i ndiqnim imazhet në televizor, neve na rrihte zemra fort sikur të donte të na dilte nga kraharori. Po bëheshim dëshmitarë ndërkombëtar në një episod që se kishim ndjekur më parë, fundin e të cilit nuk e dinim.  

Ne thërritëm nga gëzimi kur turma e gjermano–lindorëve shkeli tokën e Berlinit perëndimor e asnjë e shtënë arme nuk u dëgjua. Diçka e madhe kishte ndodhur e ne ishim spektatorë të një faqeje të re në historinë e njerëzimit.  Në vitin 1987, në fjalimin e tij në Berlin presidenti amerikan, tha frazën e njohur “Mister Gorbachev, tear down this wall”. Po muri nuk u rrëzua atëherë. Ai pengoi bashkimin edhe për ca kohë. Dita e shembjes nuk kishte ardhur ende. Dhe sot, kur dëgjon frazën e presidentit Ronald Reaganit duket se muri u shemb pas fjalimit të  tij, sepse 30 vite janë shumë për të mbajtur mend dhe për të rreshtuar faktet në vendin e dukur. Po, 30 vjet nuk mjaftuan për të sjellë ndryshime të përhershme.

Shembja e murit të Berlinin ishte një gëzim i madh e një shpresë e veçantë për shqiptarët edhe se më në fund do mbaronte ndjarja më shumë se tridhjetë vjetcare me të arfërmit e tyre në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Frikës ia zuri vendin shpresa. Me rrëzimin e murit u duk se bota e kishte gjetur drejtimin e saj. Ecuria drejt një bashkimi e bashkëpunimi ishte stamposur. Muret ndarëse kishin rënë. Ne mund të merrnim frymë lirisht. Ndryshimet do vinin edhe në Shqipëri.

Tridhjet vjet më parë kur muri i Berlinint i ngritur nga komunitët e Lindjes u rrëzua, nuk mund të mendonim se mure të reja do të ngriheshin, dhe se bota do të ishte po aq e ndarë më  shumë se çerek shekulli pas rënies së  tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Julika Prifti-Rrezimi i Murit te Berlinit-Mbresa

Në gjurmë të vlerave….

November 5, 2019 by dgreca

Nga Izet DURAKU* /

E vetëdijshme se letërsia në përgjithësi, libri dhe autorët e tyre veç e veç,  nuk e kanë jetën të gjatë pa lexuesit dhe vëmendjen e kualifikuar të kritikës letrare ndaj tyre, autorja e librit /

“Në gjurmë të fjalës”, Raimonda Moisiu ia ka dalë mbanë të realizojë një vepër voluminoze nga ana sasiore dhe të denjë për nga cilësia e saj. Angazhimi i autores më shumë se prej një “urdhëri akademik” buron nga detyrimet e mëvetësishme të shpirtit të saj krijues.

Libri është një kontribut me vlerë për të tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe dashamirësve të letërsisë ndaj veprave dhe autorëve të caktuar që meritojnë një përkujdesje më të madhe, për t’i bërë sa më të dukshme e të kapshme vlerat e tyre. Libri ka si kryefjalë vlerat. Të gjitha vështrimet i karakterizon besnikëria ndaj kësaj kredoje që trajtohet kurdoherë me besim e dashuri. Në këtë sens mund të thuhet se edhe ky libër e bën më të përshkueshme xhunglën e sotme letrare ku bashkëjetojnë vlerat, jo vlerat e antivlerat. Autorja nuk e përmend ekzistencën e tyre. Meraku i saj qëndron vetëm në zbulimin dhe rizbulimin e vlerave dhe këtë e bën pa kursim duke derdhur të gjithë dritën e energjive të saj shpirtërore. A mund të vështrohen ndryshe autorët dhe veprat e marra në shqyrtim nga Raimonda Moisiu? Padyshim dikush edhe mund t’i shihte në kënd vështrime të tjera. Mund të evidentonte madje të meta dhe mangësi. Përse as dielli, as hana pa niegullazë mbë faqe nuk asht… do të shkruante para 330 vjetësh Pjetër Bogdani.

Por autorja ka zgjedhur me vetëdije të kërkojë, hulumtojë e qëmtojë për vlera të qëndrueshme estetike dhe etike te shkrimtarët e saj të dashur. Më duket një vështrim i arsyeshëm dhe me mjaft vlera për një përpjekje serioze të përcaktimit të një hierarkie sa më të besueshme të produkteve letrare, duke u mbështetur pikërisht te vlera e tyre.

Ndërkohë si një ecuri joproduktive, është e dukshme edhe prania e artikujve të shumtë në median e shkruar dhe atë elektronike, që ngjajnë me qokat familjare. Autorë që shkruajnë për libra autorësh sipas devizës: më lavdërove do të lavdëroj. Po mielli i këtyre artikujve, që rrjedh nga interesa të vogla, shpesh pa proteinën e duhur artistike, nuk mund të mbruhet e të mblidhet në një libër. E në u mbledhtë, buka e tij do të jetë e bajatshme dhe pa shije.

Si një libër serioz, “Në gjurmë të fjalës” përmbledh shkrime për autorë po kaq seriozë që kanë lënë gjurmë ose vazhdojnë të thellojnë gjurmët e tyre në letrat shqipe. Bien në sy vepra të autorëve të afirmuar prej kohësh, vepra autorësh të njohur, më pak të njohur, madje disa prej tyre mund të jenë në fillimet e tyre letrare.  i njohur, i panjohur si terma relative, është e kuptueshme që nuk ngërthen brenda vetes edhe vlerat reale letrare. Sepse dihet që mjaft autorë, ndonëse me vlera të konsiderueshme kanë mbetur jashtë interesimit të kritikës dhe jurive profesionale.

Për të vënë në dukje vetëm një pjesë autorësh veprat e të cilëve janë vështruar siç mund të thuhej sa me akull të mendjes dhe me ngrohtësi zemre, le të përmendim vetëm disa prej tyre: . Nasho Jorgaqi,  Vangjush Ziko, Petraq Zoto,  Flutura Açka, Skënder Rusi,  Ramiz Gjini,  Ali Podrimja, Skifter Këlliçi, Riza Lahi, Aqif Hysa, Namik Dokle, Preç Zogaj, Roland Gjoza, Vojsava Nelo, Dhimitër Pojanaku, Elinda Marku…

Interesimi i autores rrok të gjitha gjinitë letrare sipas klasifikimit të hershëm aristotelian: lirikën, epikën, dramatikën. Atë e tërheq gjerësia e pasqyrimit të jetës me konfliktet, kompleksitetin e mardhënieve njerëzore dhe zhbirimet e thelluara në shpirtin njerëzor te romani, ngrohtësia e ndjenjës bashkë me drithërimat e shpirtit te poezia dhe përplasjet e fateve njerëzore te drama. Në fokus të vlerësimeve të saj janë autorë e vepra që  kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare  dekada më parë, por dhe autorë e vepra që sjellin me fjalën e tyre një kontribut krejt të ri letrar. Shkruhet për vepra të plota, romane, vëllime poetike, drama. Kamera e pasqyrimit vlerë- sues të autores  rrok  një pamje sa më të plotë gjith- përfshirëse. Po nuk mungon as vështrimi më në thellësi duke u përqëndruar te një poemë, a tregim i vetëm. Jo rrallë vlerat e rralla shfaqen qoftë edhe në pak faqe.

Duke respektuar origjinën e saj, është i natyrshëm vështrimi i posaçëm ndaj autorëve korçarë. Lumja ti moj Korçë o lule, ngazëllimi naimjan do të vazhdojë të prekë shumë autorë deri në ditët tona. Është magjia e këtij qyteti, pa parfumin  e të cilit nuk mund të kuptohet trashëgimia jonë letrare e kulturore. Bien në sy gjithashtu interesimi i autores për shkrimtarët që jetojnë e punojnë në ekzil, larg atdheut, ashtu siç është edhe fati i saj krijues dhe jetësor. Zhvillimet politike pas viteve ’90 kanë shkaktuar mjaft trauma. Lëvizjet e brendshme janë shoqëruar me eksode biblike në kërkim të tokës së premtuar. E gjithë kjo tramundanë njerëzore  do të përcillte edhe fatin e autorëve dhe të letërsisë. Historia do të përsëritej. Edhe në prag të pavarësisë së Shqipërisë një pjesë autorësh të rendësishëm që u bënë dhe promotorë të lirisë kombëtare jetonin jashtë vendit. Ndërkohë për një vështrim më të plotë flasin edhe interesimet e autores për vepra të autorëve nga hapësira shqiptare në Ballkan më tej kufijve politik të vendit.

Në mjaft raste në librin “Në gjurmë të fjalës”, hasim edhe botëkuptimin e shëndoshë të autores ndaj letërsisë dhe zhvillimeve letrare në përgjithësi. Sipas autores “letërsia është dashuria për artin e fjalës, në të shprehur dhe në të shkruar, e cila na jep mundësinë ta jetojmë jetën ndjeshëm e natyrshëm në një realitet krejt tjetër, me integritetin e pasionit njerëzor, ambicies dhe sfidës, të cilat lindin energjinë e psikikes dhe shpirtërores, midis ëndrrës dhe realitetit, në jetën reale…”

Gjuha e autores është e kthjelltë dhe plotësisht e kuptueshme. Leksiku i saj ka përjashtuar termat e lodhshëm shkencorë, të cilët për lexuesin e gjerë janë krejt të largët e të pakuptueshëm. Ndoshta kjo ndodh sepse vetë autorja është një krijuese e njohur që ka lëvruar krahas publicistikës edhe gjini të tjera letrare. Dhe mbase formimimi i saj jo akademik letrar, në këndvështrimet e saj letrare nuk ka ndikuar negativisht, përkundrazi. Ajo nuk e vështirëson artificialisht frazën për t’u dukur interesante dhe gjoja erudite dhe e pakapshme, siç vepronte në analizat e veta letrare, kritiku Mitro Karapataqi, personazh i spikatur i romanit të njohur “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit. Frazat e stërholluara me thyerje kuptimore e gjymtime gjuhësore, mbushur me snobizëm barbarizmash shpesh nuk kuptohen as nga autorët, shpesh fillestarë që nxjerrin ende krye edhe sot, siç bënte dikur edhe heroi agollian. 

Ajo shkruan me kthjelltësi dhe emocion. Gjuha e autores vërtetë është e thjeshtë, po jo e thjeshtëzuar.

Vështrimi i autores përpiqet të rrokë thelbin e veprës , të japë aureolën e integritetit profesional, siç shprehet në synimet e saj. Shkrimtarin e sheh jo rrallë edhe me dhunti të tjera artistike si njohës i harmonisë e muzikës, madje edhe si piktor shpirtëror “me inteligjencë e përshkrime të papërsëritshme nga eleganca dhe thjeshtësia”. Ajo shpreh kënaqësinë tek konstaton se si romancieri i saj i preferuar kontrollon; “mjeshtërisht rrëfimin, duke na dhënë përzierjen e absurdes, tragjedinë e thyerjes së brezave me farsën e kompleksitetit moral”. Ndërsa prozën dhe poezinë  autorja e sheh edhe si dialog shumëdimensional e gjithpërfshirës mbi tema të rëndësishme të kohës. Ndërsa aftësitë letrare, përmes mendimit filozofik i sheh “të penetrojnë në vetëdijen dhe dinamiken e farsave sociale të realitetit prej rëre të shoqërisë”. Nuk mungon as vështrimi i imtë në tekstin e veprave të shqyrtuara duke analizuar edhe frazat e gjata e shumë të kalkualuara, të cilat asaj ia kujtojnë; “stilet letrare të Tolstoit, Dikensit e Konicës”.

Për tekstet e Bjelinskit kur analizonte Pushkinin e Lermontovin thuhej se konkuronin me bukuritë e autorëve që merrte në shqyrtim. Madje në disa raste guxonte tua shkonte në bukuri edhe drithërima shpirti. Gjuha e autores së librit “Në gjurmë të fjalës” përpiqet të shkojë krahas me lartësitë e teksteve që shqyrton. Janë shkruar me bukuri shpirti.

Vlerat letare gjenden te Veprat letrare. Ata nuk krijohen nga kritika dashamirëse. Aq më pak nga tendencat denigruese që udhëhiqet nga mohimi dhe asgjësimi i çdo vlere. Vlerat letrare nuk shtohen, as nuk pakësohen. Në një vështrim mund të thuhet se vlerat ekzistojnë objektivisht, pavarësisht shqyrtimeve letrare. Ndërkohë që është i vërtetë edhe pohimi se kritika ndihmon që këto vlera të bëhen më të dukshme e më joshëse për lexuesin e etur për letërsinë e mirë. Në këtë sens duhen parë vlerat më të mëdha të librit “Në gjurmë të fjalës”, e shkrimtares, poetes dhe publicistes shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu.

* Parathënie e librit “Në gjurmë të fjalës”,- Vështrime e Kritika Letrare e autores, Raimonda Moisiu

Filed Under: ESSE Tagged With: Izet Duraku-Raimonda Moisiu-Gjurme vlerash

Vlerësime të disa të huajve për Padër Gjergj Fishtën

November 3, 2019 by dgreca

Zgjedhur dhe përgatitur për botim prej librit “Gjergj Fishta – Jeta dhe veprat” e autorit Pal Duka Gjini, nga Anton Çefa/

Carlo Tagliavini

“Ndër shkrimtarë ende gjallë , vendin e parë e xen Padër Gjergj Fishta, Françeskan. . . . Pader Fishta asht përfaqësuesi ma tipik i literaturës gege.”

Maximilian Lambertz

“Populli shqiptar pat nji fat të madhe fort e krejt të jashtzakonshëm, çka popujve tjerë u ra për hise vetëm mbas qinda vjetësh të lavrimit letrar, pat due të them, të madhin e të lartin e të gjithve, atë që të pështetun krejtsisht në popull e vetëm në gjuhën e tij, që me vjerrsha të veta ndezi flakë zemrat, pat genin poetik të vetin në At Gjergj Fishtën. »

Norbert Jokl

« Atë Fishta, kjo zheni e rranjosun në tokën amtare të popullit shqiptar, që për shkak të njoftimit të kthellë të tij mbi literaturën e popujve klasikë e të jetës shpirtnore të kombeve të tanishme të Evropës, u kap deri ndër majet ma të naltat e kulturës së përgjithtë. »

Ivan Esih

« Fishta asht ma i madhi letrar shqiptar e ma i madhi organizator i kulturës arbënore. »

Luigi Federzoni

« Në Fishtën kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të g jitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mitike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tani e dijmë se vepra e tij ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve. »

Erwin Stranik

«Pader Fishta njihet si vjerrshtari ma popullor i shqiptarëve, si poeti ma i përzemërti i këtij populli. Si këtë kemi edhe nji të madh tjetër: Rabindranath Tagore. Edhe këtë na e çmojmë jo vetëm se asht nji poet prej Indije, por na në te kqyrim e çmojmë jo gjithaq poetin, sa njeriun. E kështu na perket edhe ne me çmue veten e Pader Fishtën të dalun prej ndjenjave të popullit shqiptar, ushqye me kulturën e Evropës së mesme, tue kërkue përplotësim në lidhjen harmonike të këtyne dy poleve.”

Dante Serra

“Fishta asht për t’u njehur në numër të atyne shkrimtarëve të mëdhaj që nderojnë popujt e qytetnuem të Evropës . . . Pa frikë gabimi, Fishta asht ma i madhi Poet që njeh Shqipnia.”

Antonio Baldacci

“Atë Gjergj Fishta asht përtrisi i gjuhës shqipe, apostulli i lirisë së Atdheut të vet, mbrojtësi i emnit e i përparimit të Shqipërisë, ndera e gjallë e popullit të vet.”

Padër Fulvio Cordignano

“Në vargjet e Fishtës unë gjeta poezinë që më donte ma fort zemra. Nëpër këtë poezi unë mujta me shijue gjithçka ishte ma të gjallë e ma të ambël në genin e në muzën e një populli krejt të veçantë.”

Domenico Frannzè

“Fishta . . .Orfeu i Shqipnisë, asht Mësuesi i Madh për mbasardhësa e vazhdues të literaturës shqiptare, . . . ai që zgjedh landën, sajon formën, i jep ngjyrën e vertetë kombëtare dhe i ven në gojë shprehje e fraza thjeshtë shqipe.”

Jozef Zdenjek Rausar

“Fytyra ma e shqueme e literaturës shqipe . . . prandej me arsye shqiptarët e quejnë Fishtën Homerin e Shqipnisë.”

Gaetano Petrotta

“Ndër vepra të Fishtës asht shprehë dhe pasqyrohet në mënyrën ma të thjeshtë shpirti i popullit shqiptar.”

Marie Amelie von Godin

“Zemra e Fishtës asht e ndezun flakë për Atdhe e vetëm çka paraqet vigëm Atdheu ia vlon gjakun ndër dej. Prej buzëve të tija rrjeh nji shqipe e fuqishme që del si bisedat e fatosave, e ambël si gazi i njaj grueje.”

Fr. Lovro Mihacèviç

“Fishta në Zader botoi veprën kryesore “Lahutën e Malcisë”, vepër kjo fort e randësishme, për të cilën mund të themi se asht për shqiptarë ate çka asht për 

ne poema “Luka Vukalović” apo “Osvetnici” i Maritić-it.

Giuseppe Gradilione

“Vepra (Lahuta e Malcisë) fishtiane përveçse asht vepër me vlerë estetike, ka meritën se në te autori krijesës artistike i ka dhanë nji jetë të pavdekshme, në mënyrë që nji popull gjen në te vetvetin si në rrethana ngadhnimi, asht në atë të vuejtjes.”

Paolo Emilio Pavolini

“Fishta shkroi poemë epiko-lirike me argument patriotik, kangë fetare, karme, melodrama dhe vargje satirike, të gjitha të frymëzueme nga nji besim i flakët në të ardhmen e Atdheut.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa-Vleresime te huajve-At Gjergj Fishta

FUQIA E IDESE…

October 28, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
…fuqia e idesë… …/

Natyra është shfaqje e shpirtit. Ligjet që rregullojnë krijimin dhe lëvizjen e gjithçkaje në univers janë natyrore, jofizike. Zanafilla e jetës është jofizike. Mendja dhe vetëdija janë jofizike. Historia, gjithashtu, është shprehje e forcave jofizike; ajo përbëhet nga idetë, aspiratat dhe energjitë e njerëzve në veprim.
Shumë njerëz kanë rrezikuar e rrezikojnë gjithçka – jetën, lënë vendin, shtëpitë e tyre, paguajnë, japin pasuritë e tyre – për të kaluar male, çajnë dete e oqeane për t’u vendosur larg, diku tjetër. Qëllimi i tyre është kryesisht mirëqenia; dëshira për të besuar e ‘u lutur ashtu siç dëshirojnë, për të punuar, begatuar dhe shkolluar fëmijët e tyre. Të gjitha këto, vendi i origjinës nuk i ofron ose nuk do t’ua përmbushë; 50 përqind e shqiptarëve jetojnë sot larg trojeve të tyre, ndërsa qeveritarët duket se janë të kënaqur me dy shtete të vogla, (përça e sundo) sesa me një shtet të vetëm më të madh. Të dihej që në fillim se do të përfundonin kështu, asnjë përpjekje për shtet të pavarur në vitet 1900 nuk do t’ia vlente. Por pavarësia kishte qenë ide e një pakice shqiptarësh të zhgënjyer nga karriera në Stamboll dhe e një kompromisi ndërkombëtar për të kënaqur a shuar ambicjet e vendeve fqinje pas shpërbërjes së perandorisë osmane, ndërsa për të tjerët vendas, pavarësia ishte fjalë boshe.
Por ndërsa motivimet për mirëqenie janë të pranishëm në individë të ndryshëm, ato duket se kalojnë në plan të dytë. Mbi të gjitha, të ikurit marrin me vete frymën e përpjekjes së vazhdueshme për zgjerim, eksplorim dhe liri. Gjithashtu, si faktor kryesor i ikjes nuk përjashtohet menaxhimi shumë i keq dhe qeveritë diktatoriale e autokrate që njerëzit vazhdojnë të provojnë.
Çfarë e nxiti Revolucionin Amerikan për pavarësi nga Britania? A ishte thjesht çështje e taksimit pa përfaqësim? Apo ishte ndjenja e natyrëshme në rritje e të drejtave dhe lirive në mendjet e njerëzve, e cila arriti deri në pikën sa kupa u mbush më shumë se sa mund të mbante. Këto pyetje vazhdojnë të jenë tema debati mes historianëve.
Në histori, vihet re se si motivet dhe veprimet individuale përfshihen a shndërrohen në valë të mëdha kolektive. Në vendet ku respektohen liritë dhe të drejtat, kur arrihet ndonjë gjë e rëndësishme e qëndrueshme, ajo nuk realizohet nga një person, por nga të gjithë njerëzit; ngjarjet e shkëlqyera në histori janë triumfe të idealeve njerëzore. Çdo sukses varet së pari nga fuqia e idesë, dhe pastaj nga numëri i njerëzve.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-...fuqia e idesë...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 256
  • 257
  • 258
  • 259
  • 260
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT