• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin

May 15, 2025 by s p

Në një reflektim krahasues, i ndritshëm për nga thellësia dhe sinteza, shkrimtari dhe kritiku amerikan John Updike ndalet te dy figura madhore të letërsisë botërore të shekullit XX: Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez. Ai i vendos këta dy gjigantë të letrave përballë njëri-tjetrit jo për të shpallur fitues, por për të ndriçuar dy mënyra të ndryshme të shkrimit nën pesha të ndryshme të historisë, kulturës dhe pushtetit.

“Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez; të dy tregojnë rreth qyteteve që lëshojnë vezullime magjepsëse dhe mbizotërohen nga klanizmi.”

Në këtë vëzhgim, Updike e dallon ngjashmërinë e dukshme mes veprave të tyre: të dy krijojnë botë që përkunden mes realitetit dhe fantazisë, ku qytetet janë më shumë simbole shpirtërore sesa koordinata gjeografike. Por ai dallon qartë edhe dallimet thelbësore:

“Qyteti prej guri i Kadares duket më pak jashtë botës reale, më pak i panjohur, më pak i paçuditshëm sesa qyteti Makondo i Márquezit, i tëri me ndërtesa të larta me mure pasqyrash…”

Këtu, Gjirokastra e Kadaresë është një vend i konkretësuar, i fortë, me rrënjë në kujtesën historike dhe të fëmijërisë. Ndërsa Makondoja e Márquezit është një laborator i realitetit magjik — vendi ku kohët përzihen dhe muret reflektojnë sa vetveten aq edhe fantazinë kolektive të një Amerike Latine të përmbysur.

Por pyetja më e rëndësishme që ngre Updike është:

“Si ishte në gjendje Ismail Kadare, nën një regjim famëkeq ksenofobik si ai i Enver Hoxhës, të krijonte një art kaq të hollë e të shprehej aq lirshëm?”

Kjo pyetje është thelbi i shqetësimit kritik perëndimor për shkrimtarin që vjen nga diktatura. Në sytë e Updike, Kadare nuk është thjesht një autor që mbijetoi censurën; ai është një krijues që e përdori atë si sfond për të ndërtuar një gjuhë aludimesh, të shtresëzuar e të rafinuar. Sipas tij, ekzistojnë disa mënyra që lejojnë një shkrimtar të mbijetojë dhe madje të lulëzojë nën totalitarizëm:

“Kujtimet nostalgjike të fëmijërisë, sigurisht, përbëjnë strehë mbrojtëse për një shkrimtar, i cili krijon nën regjim totalitar. Mënyra të tjera krijuese për një shkrimtar në kushte të tilla janë përkthimet, tregimet për fëmijë dhe romanet fantastiko-historike.”

Ky përfundim është një analizë e hollë e poetikës së mbijetesës. Kujtesa personale bëhet jo vetëm lëndë narrative, por edhe strategji për të mbrojtur veten nga përplasja direkte me pushtetin. Përkthimi, nga ana tjetër, shërben si një dritare drejt botës dhe si një mjet për të ushqyer gjuhën dhe stilin. Ndërsa zgjedhja e një zhanri si romani historik ose ai fantastik është, në të vërtetë, një mënyrë për të shmangur konfliktin frontal me realitetin politik, duke e zhvendosur mesazhin në të shkuarën, ose në një univers tjetër.

Në këtë dritë, Kadareja nuk është një shkrimtar i dorës së dytë që fati e nguli në një cep të errët të hartës letrare, por një mjeshtër i formës dhe përmbajtjes në kushte ekstreme. Ai nuk është më pak universal sesa Márquezi — vetëm se universaliteti i tij vjen jo nga shpërthimi i imagjinatës tropikale, por nga disiplina e nënkuptimit, simbolikës dhe arketipit ballkanik.

Updike e lexon Kadarenë me një ndjeshmëri të rrallë për lexuesin anglo-amerikan, duke na dhënë një mësim se si letërsia e madhe, edhe kur vjen nga një vend i vogël dhe i mbyllur, mund të jetë universale në ndjeshmëri dhe mjeshtërore në zbatim.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…

May 14, 2025 by s p

Lazer Stani/

Unë jam rritur në një shoqëri aksiomatike, ku të gjitha të vërtetat ishin thënë njëherë e përgjithmonë dhe ty s’të mbetej tjetër, veçse t’i mësoje kokëulur ato të vërteta dhe të bëheshe skllav i tyre. Kryet nuk e kishim për të menduar, por thjeshtë për të nxënë. Këtë e ka thënë Marksi. Është e vërtetë aksiomatike, nuk diskutohet. Këtë e ka thënë Enveri, e vërtetë aksiomatike edhe kjo, nuk diskutohet. Këtë e thotë partia. Kështu është dhe s’ka më as diskutime, as dyshime.

Në adoleshencën time të gjitha rrugët më dukeshin të njohura deri në gurin e fundit kilometrik. A ia vlen të bësh një rrugë që ia di fundin, që e njeh në çdo metër të saj sikur e ke shkelur qindra e qindra herë? Kjo ta heq dëshirën për të udhëtuar edhe me imagjinatë, edhe me trup. Mua nuk më joshnin këto rrugë, përkundrazi, më trishtonin. I shtyrë prej një instinkti të lindur ndoshta, joshesha vetëm nga rrugë të pashkelura më parë, nga rrugë të panjohura. Vetëm duke shkelur nëpër rrugë të tilla, mund t’i provoje të gjitha: ankthin, pasigurinë, frikën, befasinë, çudinë, ndjenjën e të mrekulluarit. Në shkollë isha nxënës i bezdisshëm për mësuesit, ngaqë bëja shumë pyetje, pyetje të cilave mësuesit nuk u përgjigjeshin kurrë, por vetëm ma prisnin shkurt: “Mëso këto që të themi ne!”

Për fat të keq ende kështu më duket shoqëria shqiptare; e ngopur me përgjigje të gatshme dhe e paaftë të bëjë pyetje. Të gjithë duket sikur i zotërojnë të gjitha përgjigjet për gjithçka. Nga kafja më e rrënuar e fshatit në provincën e largët e deri në studiot e televizioneve të kryeqytetit, mbytesh me përgjigje të gatshme, po nuk ndalesh kurrë i hutuar nga një pyetje pa përgjigje.

Filed Under: ESSE

“NEOSHQIPTARIZMI” – RILINDJA E NJË IDEALI KOMBËTAR NË EPOKËN GLOBALE

May 13, 2025 by s p

Prof. Dr. Besim Muhadri/

Libri “Neoshqiptarizmi” i Arian Galdinit është një reflektim i thelluar filozofik, historik dhe politik mbi gjendjen e sotme të identitetit shqiptar dhe nevojën për një doktrinë të re që synon të ringjallë shpirtin kombëtar. Botuar në vitin 2025 nga Botimet Jozef, ky libër paraqet një platformë ideologjike që kërkon të ndërthurë trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare me sfidat e shekullit XXI. Nëpërmjet një analize të kujdesshme, Galdini ndërton konceptin e Neoshqiptarizmit si një domosdoshmëri historike dhe shpirtërore për shqiptarët e epokës globale. Sipas tij, kjo doktrinë bazohet në tri shtylla kryesore:

Rikthimi në vlera – Njohja, respektimi dhe përvetësimi i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare si bazament për ndërtimin e së ardhmes.

Zhvillimi i njeriut dhe shoqërisë – Edukimi, emancipimi dhe fuqizimi i individit si themel i një kombi të qëndrueshëm.

Integrimi modern me ruajtjen e autenticitetit – Shqipëria duhet të bëhet pjesë aktive e qytetërimit perëndimor, duke mos humbur veçantinë e saj historike dhe kulturore.

Autori ngre figurën e Gjergj Kastrioti Skënderbeut si simbolin qendror të Neoshqiptarizmit, duke e parë atë si shembull të përkryer të lidershipit që ndërthur kurajën, vizionin dhe lidhjen e thellë me Perëndimin. Përmes referencave nga studiues të ndryshëm si Fan Noli, Oliver Schmitt, Arben Puto dhe Faik Konica, Galdini dëshmon rolin e Skënderbeut si udhëheqës shpirtëror dhe politik për të gjitha epokat shqiptare.

Galdini i qaset problemit të identitetit shqiptar me një ton alarmues, duke theksuar se mungesa e vetëdijes historike, emigracioni masiv, konsumizmi global dhe fragmentimi social rrezikojnë ekzistencën e shqiptarisë si subjekt historik. Ai argumenton se vetëm një rilindje e re, një “Zgjim i Madh Kombëtar”, mund të shpëtojë shqiptarët nga humbja e tyre në përballje me sfidat moderne.

Në mënyrë të veçantë, libri trajton rolin e figurave të mëdha të mendimit shqiptar si Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Ndre Mjeda, Faik Konica dhe Ukshin Hoti, të cilët për autorin përbëjnë bazamentin intelektual të Neoshqiptarizmit. Këta mendimtarë paraqiten si modelet që shqiptarët duhet të ndjekin për të ndërtuar një shoqëri të ndriçuar dhe dinjitoze. Në aspektin metodologjik, libri shquhet për një stil të pasur retorik, duke kombinuar analiza teorike me citime nga tekstet themelore të historisë dhe mendimit shqiptar. Megjithatë, ndonjëherë Galdini bie në një ton disi emocional, që mund të kufizojë objektivitetin akademik të argumenteve të tij.

Si përfundim, “Neoshqiptarizmi” është një thirrje për vetëdijesim kombëtar dhe për një rinisje të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme të shqiptarizmit në kushte të reja historike. Libri është i vlefshëm jo vetëm për studiuesit e shkencave politike dhe historike, por për këdo që është i interesuar për të ardhmen e identitetit shqiptar.

Autori Galdini arrin të ndërtojë një vizion të qartë dhe frymëzues për rolin që mund të luajë Shqipëria në një botë të globalizuar, duke ruajtur dinjitetin dhe autenticitetin e saj. Ndërthurja e traditës me modernitetin, e vlerave shpirtërore me zhvillimin intelektual dhe ekonomik, është thelbi i mesazhit që Galdini përcjell me pasion dhe përkushtim.

Përfundim

Në një kohë kur kombet përballen me sfida të reja ekzistenciale, “Neoshqiptarizmi” ofron një platformë të re mendimi dhe veprimi për shqiptarët. Libri është një ftesë për reflektim, përpjekje dhe rinisje, duke theksuar se identiteti kombëtar është një vlerë që duhet mbrojtur, ushqyer dhe zhvilluar me dashuri dhe vizion.

Arian Galdini, përmes këtij reflektimi të thellë, na kujton se shqiptarizmi nuk është thjesht një përkatësi etnike, por një mision i përhershëm për ndërtimin e një kombi të lirë, të ndriçuar dhe të përparuar.

Filed Under: ESSE

SKËNDERBEU DHE DRAMA E NDALUAR E PETRO MARKOS

May 7, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Shkrimtari Petro Marko bënë pjesë në plejaden e shkrimtarve moderne të prozës shqiptare dhe është cilesue nga studjuesit e letërsisë si shkrimtari i parë i cili hapi rrugën e modernizmit në letërsinë shqipe. Ai filloi të shkruajë në moshën 20 vjeçare. Tregimet e tij të para u publikuan në gazeta të ndryshme te kohës.

Në vitin 1974 ,veprat e tij censurohen dhe Ministria e Arsimit e përjashton nga Lidhja e Shkrimtarve, i heqin edhe të drejtën e botimit. Në vitin 1973 shkroi një dramë kushtuar Heroit tonë Kombëtar – Gjergj Kastrioti Skënderbeut ,me titull: “Niku i Martin Gjinit”. Ja çfarë shkruan vetë shkrimtari Petro Marko ne kujtimet e tij:

”Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për në Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë, i cili më kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh, ai më thirri dhe më përqafoi: “I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë…”!

Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë këtë dramë, duhej të vinte regjisori Piro Mani nga Korça. Pirro Mani erdhi. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet, sipas aktorëve. Aktori i madh i teatrit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut…!

E kisha paraqitur dhe në konkursin e Ushtrisë, ku fitoi çmimin e parë. Me paratë që mora, shtrova një darkë në shtëpi, me shumë shokë krijues. U dha për botim dhe në revistën “Nëntori” dhe u botua.

Të gjithë aktorët, i kishin marrë me shumë dëshirë rolet, aq sa Naim Frashëri, thoshte se; me këtë dramë, teatri ynë mund të nderohej edhe në Evropë…! Por në kohën kur po ndaheshin rolet, dhe kur filloi punën për dekorin edhe piktori Agim Zajmi, erdhi urdhri nga Komiteti i Partisë i Tiranës, që drama të mos vihej në skenë, se ishte liberale…! Duhej të pezulloheshin të gjitha përgatitjet. Qarkullonte në rrethet tona letrare, mendimi se, nuk mund të vihej në skenë, një dramë e cila, vinte theksin te njëfarë degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (bëhej fjalë për kohën e Skënderbeut), sepse do të tingëllonte, si një analogji me bijtë e udhëheqësve aktualë. Në fakt, urdhri kishte ardhur nga lart. Ky ishte një helm tjetër, që m’u dha ta pija në heshtje, pa zhurmë.”1 Drama “Niku i Martin Gjinit” e Petro Markos sot është pjesë e Bibliografisë: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorve shqiptarë(1480-2023)”, Tiranë, 2023, faqe-75, si më poshtë:

“PETRO, MARKO – 1973 (Skeda në bibliografin e Skënderbeut,f-75)

Niku i Martin Gjinit [Dramë]

Botuar në revistën “Nëntori”, 1973.

Kjo dramë i kushtohet Skënderbeut.

Por historia e krijimit dhe e botimit të saj është tragjike.

Petro Marko, si shkrimtar atdhetar që ishte, u persekutua dhe u dënua nga regjimi zogist, regjimi fashist dhe diktatura komuniste. Por puna e tij në shërbim të atdheut dhe vepra e tij letrare mrekullisht i mbijetoi regjimeve diktatoriale dhe kohërave ku shkrimtari dhe poeti persekutohej për mangësi ideore të veprave të tij artistike.

Drama:”Niku i Martin Gjinit “ u krijua me porosi të Ramiz Alise dhe u botua në revistën “Nëntori” të vitit 1973. Por, pasi kjo dramë u botua te revista “Nëntori”, ne vitin 1973, në muajin dhjetor 1973 u censurua menjëherë nga regjimi komunist i kohës, për gjoja mangësi ideore të dramës, dhe u hoq menjëherë nga qarkullimi. Të njëjtin fat të kësaj drame pësoi edhe gjithë redaksia e revistës “Nëntori” e vitit 1973. U shkarkuan nga detyra: “për mungesën e vigjilencës revolucionare dhe mprehtësisë së punonjësit të shtypit të partise”, kryeredaktori Fatmir Gjata, sekretari i kolegjiumit Andon Kuqali dhe redaktori i dramës Gjergj Zheji.”3

NË KUJTIM TË 620 -VJETORIT TË LINDJES TË GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT PËRSHENDETI VLLEZËRIT SHQIPTARË KUDO NËPËR BOTË ME NJË FRAGMENT TË POEMËS: “SKËNDERBEU”, TË POETIT TONË KOMBËTARË, NAIM FRASHËRI:

A e shihni Skënderbenë

Mbret i mirë, trim e burrë

U përpoq për Mëmëdhenë,

Po s’i vdes emëri kurrë

Skënderbeu është i gjallë

Rron e mbretëron për jetë.

Kjo fjalë s’është përrallë

Ndaj t’urtit është e vërtetë.

Naim Frashëri: Pjesë nga poema: “Skënderbeu” botim i vitit 1898.

Literatura:

1.www.memorie.al

2.Odhise Grillo :

Lexikon: Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872- 1995), f.149

3.Hysen Dizdari:

Bibliografi: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorve shqiptarë(1480-2023)”, Tiranë, 2023, faqe-75

Filed Under: ESSE

𝟓 𝐌𝐚𝐣𝐢, 𝐃𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐃𝐞̈𝐬𝐡𝐦𝐨𝐫𝐞̈𝐯𝐞

May 5, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Shumë gjak është derdhur e sakrifica të pafundme njerëzore janë kryer për të siguruar lirinë që gëzojmë sot!

Nderim dhe respekt të thellë për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët që dhuruan jetën e tyre për lirinë dhe mbrojtjen e integritetit njerëzor!

Sot, ne kemi një flamur të cilin e valëvitim lirisht, një gjuhë që e flasim pa robëri, mendojmë e jetojmë pa kafaze pushtimi, e fluturojmë lart me imagjinatë e ëndrra pa frikë, diktat e censurë, falë atyre që e paguan me gjak, përmes penës, pushkës, besimit dhe ideve, këtë privilegj që bartim sot.

Detyra dhe përgjegjësia jonë është të mos harrojmë, e mbi të gjitha TË DIMË. Të kemi njohuri për domethënien e sakrificës sublime të heronjve tanë pasi mos-dija i zhbën jetët e rëna.

Ndaj mësues edukojini fëmijët siç duhet mbi çmimin e lirisë të paguar prej të parëve. Profesorë frymëzojini studentët ta çojnë më tej stafetën e paqes dhe harmonisë. Prindër ushqejini fëmijët me dashuri për jetën dhe respektimin e të drejtave njerëzore. Politikanë silluni si patriotë e shtetarë duke e dashur popullin dhe atdheun. Intelektualë investoni në ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe rrëzimin e mureve të ndasive. Bashkëatdhetarët e mi shqiptarë e bashkëqytetarët e mi të botës, jini vigjilent e qëndroni zgjuar në mbrojtje të lirive të njeriut, sepse, siç na mëson historia, mjafton një dremitje e vogël që t’i humbasim menjëherë liritë dhe vlerat që na bëjnë të jemi qenie njerëzore.

Dëshmorët e djeshëm janë ata që sakrifikuan jetën për lirinë tonë, heronjtë e sotëm janê ata që punojnë, mendojnê e kontribuojnë në mbrojtjen e kësaj lirie.

Nderim përjetë dëshmorëve të lirisë 🇦🇱

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT