• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PEDAGOGU, VEPRIMTARI DHE ATDHETARI I DEVOTSHËM QË MBETET I PËRJETËSUAR

September 5, 2019 by dgreca

NË VEND TË HOMAZHIT PËR VETERANIN E ARSIMI SHQIP, VEPRIMTARIN MIKEL VESELI (1940-2019) /

Shkruan: Mikel GOJANI /

Këtë fillimshtator, në Ceneriket të SHBA-ve, u shua nga jeta, pedagogu shumëvjeçar, veprimtari dhe atdhetari , Mikel Veseli, duke lënë një zbrazëtirë të pakompensueshme për familjen e tij, për të afërmit, miqtë, komunitetin e diasporës  shqiptare në Amerikë etj.

 “Kur vdes mësuesi, shkollën e kaplon heshtja”, shprehet një rilindës yni. Mësuesit janë gjithmonë si yjet, ata ndriçojnë  atëherë kur është më se e nevojshme. Të tillë ishin mësuesit shqiptarë, të cilët me misionin e tyre prej iluministësh ndriçuan në ato periudha dhe rrethana, kur pushtuesit  synonin që t’i  pllakosnin rrezet e dritës, ndërsa përmes arsimit mësuesit përpiqeshin që ta davarisnin errësirën dhe të ndritnin mendjen e popullit tonë. I tillë ishte edhe mësuesi Mikel Veseli, i cili me punën e tij të gjatë në arsim, për dekada me radhë edukoi breza të tërë shkollaresh, si në shkollën e vendlindjes në Budisalc, po ashtu edhe në shkollën e Zllakuqanit.

Mikel Veseli u lind në vitin 1940 në Budisalc  nga babai Gjoni dhe nëna Marqe. Rrjedh nga një familje tradicionale, bujare, përparimtare  dhe atdhetare. Rrethanat e kohës familjes se tij i sollën vështirësi për jetës, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan dhe as nuk u nënshtruan. U lind e kohën kur prindërit e tij me skamje, por me vullnet të fortë e me punë krahu mbanin familjen. Tani familja drejtoi shikimin kah ardhmëria babai dhe dy vëllezërit e mëdhenj, Lleshi dhe Zefi, punonin për të mbajtur familjen duke shkolluar dy vëllezërit e tyre Mikelin dhe Miroshin.

Mikeli Veseli, shkollën fillore e kreu në vendlindje,  në fshatin Budisalc, të komunës së Klinës,  më pastaj ka kryer shkollën normale. Pas kryerjes së normales, në vitin 1962 filloi punën si mësues në shkollën fillore ish – “Boro Millatoviq”,  tash “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës, ku për një kohë punët dhe detyrat e punës  të  zëvendësdrejtorit të  kësaj shkolle. Në këtë shkollë punoi deri në vitin 1982, duke vazhduar punën e mësuesisë në shkollën fillore “Liria” të vendlindjes, pra në Budisalc, ku punoi deri në vitin 1988. Në këtë vit migroi në Amerikë, përkatësisht në Cenericet, ku jetoi deri në fundin e jetës së tij.

Gjatë këtyre viteve të jetës së tij në Amerikë, përpos mbajtjes së familjes, ishte i orientuar për të kontribuar edhe në angazhimet që zhvillonte komuniteti i diasporës shqiptare në Amerikë  për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga okupatori. Angazhimin e tij kryesisht e zhvilloi në kuadër të LDK-së, por edhe në kuadër të institucioneve dhe asociacioneve tjera që kanë  vepruar  dhe veprojnë ë në Amerikë.

E digjte malli për vendlindjen dhe atdheun e tij. Edhe pse jetonte në këtë vend të largët të Amerikës, shpirtin gjithherë e dërgonte atje, në vendlindje, në atdheun e tij, të cilin aq shumë e deshi deri në frymën e fundit të jetës, duke punuar dhe angazhuar pa kursyer asgjë nga vetja.  

Pra, mësuesi dhe veprimtari, Mikel Veseli, kishte atribute të larta të një njeriu, sepse rridhte prej një familje me tradita fisnike. Këto atribute  ai i sublimoi edhe në orientimin  e tij pedagogjik, në punën me nxënës mbëltoi dituri dhe  virtyte, duke i dhënë kuptimin e mirëfilltë një profesioni fisnik siç është natyra e arsimit. Gjatë punës në arsim, rezultohet se mësuesi  Mikel Veseli rrezatonte vlera njerëzore, profesionale, pedagogjike dhe kombëtare. Këtë e dëshmojnë, të   gjithë ata nxënës që patën rastin dhe nderin që të kenë për mësues një korife të arsimit siç ishte Mikel Veseli.

Për nga dukja dhe tiparet  e tij krijohej përshtypja sikur mësuesi Mikel kishte ardhur në këtë botë me të gjitha komponentët që  e shquajnë   figurën  e një mësuesi. Pamja  e tij të nxiste kureshtjen që ta vështrojë dhe jo vetëm  ta vështrojë, por të mbërthente në mendime prej të cilave vështirë që mund të largoheshe pa e dhënë një përkufizim për figurën e tij.   Si i ri, isha kureshtar të ndalesha   te figura e tij, të fiziku i përmasave mesatare të këtij personaliteti të veçantë.

Në fillimvitet e ’80 (80-82), pata fatin që ta kem koleg në shkollën fillore të Zllakuqanit. Në këtë shkollë ai kishte punuar qysh në fundvitet e 60 dhe ishte formësuar si një pedagog që shquhej dhe dallohej me metodën e tij tepër të veçantë prej një edukatori. Kishte një takt tepër të veçantë me nxënësit. Ishte i afërt dhe shumë komunikativ edhe me kolegët dhe prindërit. Për karakterin dhe angazhimin e tij prej një pedagogu të vyer, pata mësuar edhe nga ish-kolegët e tij, të cilët kishin punuar edhe më herët më mësuesin Mikel. Ata flisnin me admirimin më të madh dhe shprehnin respektin më të thellë. Nxori gjenerata të tëra brezash shkollarësh, që më vonë u bën shumë të zotë në profesione të ndryshme, doktorë, juristë, ekonomistë, inxhinierë etj. Edhe sot pas kaq shumë vitesh ata i janë mirënjohës për kontributin dhe gjithçka çfarë  ky pedagog kishte dhënë për t’u ndihmuar në rrugën e jetës. Për  ish-nxënësit e tij, mësuesi Mikel ishte shndërruar shembull frymëzuesi dhe udhërrëfyes për ngarendje në rrugën e dijes dhe të diturisë. Nga ndejat e shumta me të, në biseda e gjata që kishim dhe me punën dhe angazhimin e tij tepër të zellshëm në misionin që i kishte përcaktuar vetes, kisha fituar bindjen  pozitive rreth personalitetit të këtij njeriu dhe mësuesi të dalluar. 

Mësues Mikel ishte  një burrë që karakterizohej me  një qëndrim serioz . Nuk ishte i rastësishëm serioziteti i tij, jo një seriozitet prej autokrati, por prej një njeriu që  vendosmëria i shkonte edhe në harmoni me profesionin që ushtronte. Ishte tepër njerëzor dhe të krijonte relacione afrie, sa që në mënyrë të pahetueshme njeriu krijonte raporte miqësore me të.

Mësuesi Mikel, ishte i gatshëm që të gjejë gjuhën e afër të komunikimit si me gjeneratat e vjetra, po ashtu edhe me brezin e ri.

Më kujtohen raste të ndryshme në ndeja dhe kuvende ku fjala e mësuesit Mikel peshohej me respekt nga të pranishmit. Për shëmbëlltyrën   dhe rolin e mësuesit ka mendime të shumta. Figura e mësuesit gjatë historisë se njerëzimit është çmuar që nga njerëzit e thjeshtë e deri të perandorët.

Kështu që, Mikel Veseli, me punën e tij në arsim, gjatë gjithë jetës, ndikoi që shume gjenerata të lartësohen ne nivelin më të lartë të dijes dhe të jenë në shërbim të popullit dhe të vendit të tyre.

Për një kohë u përball me sëmundjen që e kaploi, por kurrë nuk u ligështua, kurrë nuk u dorëzua, kurrë nuk lëshove asnjë psherëtimë. Prandaj të gjithë të dashurit e tij u mësuan me besimin dhe durimin e tij.  Mësuesi Mikel ishte një pishtar i jetës e jo i vdekjes. Pranë tij ishte vetëm dashuria për jetën e Njeriun, dashuria e pakufi  për familjen, arsimin, atdheun dhe kombin.
Shuarja e tij fizike erdhi pas disa momenteve të rënda që i përjetoi në familje, pra pas humbjes së vajzës, Besa, vëllezërve Lleshit dhe Zefit, vdekje këto që i shkaktuan dhimbje të mëdha dhe tepër tronditës. Askush nuk do të mund të besonte në vdekjen në moshë fare të re të vajzës së tij, apo në vdekjen e dy vëllezërve që i mori gjatë këtij viti. Ishin këto vdekje shumë të përafërta të vajzës dhe vëllezërve, që vdekja e pamëshirshme i mori, duke lënë dhimbjet për ta, por edhe kujtimet të pashlyeshme për brezat e familjes.

Pra, në këtë fillimshtator, kur edhe  gjethet e  pemëve kanë filluar të veniten, bashkë me to u shua, fizikisht, por jo edhe shpirtërisht,  miku ynë, pedagogu dhe veprimtari, Mikel Veseli, i cili iku në botën e amshuar, duke i lënë të pavdekshme kujtimet dhe veprat e tij të shumta dhe të rëndësishme, të cilat do të jenë të përjetësuara.

Mikel Veseli, ky mësues, veprimtar dhe atdhetar i shquar, për të gjallë të tij vetes i siguroi pavdekësinë.

Shpirti i tij që rrezatonte dritë u mishëroftë në qenien tonë.

U prehtë i qetë në botën e amshuar!

Klinë (Kosovë), 5 shtator 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: Mkikel Gojani-Hoamzh- Mikel Veseli

..botë rreth

September 4, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Çdo gjë është e mundshme, nëse ecet drejt. Por njeriu shkon në të kundërtën e rrugës. Kështu, shumë gjëra bëhen më të largëta, gjithnjë e më të pa-arritshne. Dhe Zoti a Natyra qëndrojnë si të ishin komedianë përpara një publiku që ka frikë qeshë.
Botë e hutuar. Çdo gjë sikur është krijuar që njeriu të humbasë mendjen dhe të tërhiqet deri në fundin e tij. Nëse Toka është e rrumbullakët, çka është, atëherë edhe jeta në ‘të duhet të jetë e tillë, rreth, cikël, dhe jo një vijë me fillim e mbarim. Kjo çështje mbetet mister, siç ka qenë dikur forma e Tokës.
Shumë kultura antike besonin se Toka ishte e sheshtë. Ideja për një Tokë sferike u shfaq nga Pitagora (shek. VI p.e.r.). Megjithëse shumica e periudhës para-sokratike (shek. 5 p.e.s) ruajti modelin e Tokës së sheshtë.
Në fillim të shekullit të katërt p.e.s. Platoni shkroi për një Tokë sferike, ndërsa më 330 pes, nxënësi i tij, Aristoteli dha prova për formën sferike të Tokës, duke u mbështetur mbi baza empirike.
Në shekullin, Claudio Ptolemeu (100-168) botoi Gjeografinë e botës, ku toka paraqitej në formë rrethi. Më parë ai kishte botuar Megisten, në greqishten e vjetër (koine) “megiste”, “më e madhja””, emër që qëndron prapa latinishtes Almagest, përkthyer nga arabishtja “al-majisti” në shekullin XI.
Ptolemeu në shkrimet e tij përmend (për herë të parë në histori) edhe emrin e fisit ilir, Albanoi, diku në Shqipërinë e mesme. Disa thonë se pikërisht kjo faqe e librit, sot mungon.
Një përkthim në frëngjisht në dy vëllime i Gjeografisë u botua në vitin 1813 dhe 1816 nga Nicholas Halma, me komente të hollësishme historike në një parathënie prej 69-faqesh. Librat janë në dispozicion të plotë në bibliotekën kombëtare franceze Gallica.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-..botë rreth

…harrimi i borxhit

August 31, 2019 by dgreca

…harrimi i borxhit
Astrit Lulushi

Sokrati u bë filozof, kur pranoi se nuk dinte asgjë. Kjo ndodhi gjatë vizitës së tij në Tempullin e Delfit. Atje ai doli fitues në debat me të tjerët dhe Orakulli e shpalli njeriun më të mençur. Sokrati e dinte që nuk dinte asgjë, por çdo person tjetër mendonte se dinte gjithçka dhe kjo është arsyeja pse Sokrati dinte më shumë se ata. Këtë paradoks, Sokrati e menaxhoi me aftësi e shkathtësinë e fjalës dhe mendimit. Argumentet e tij të zgjuara e hutonin kundërshtarin dhe fitonin përkrahjen e dëgjuesve të debatit.
Politika e sotme shqiptare i ngjan një simpoziumi të Sokratit, por, ku secila palë, duke përdorur dinakërinë e shantazhin, përpiqet të fajësojë tjetrën, pa thënë gjë për veten. Sokrati nuk synonte pushtet, ndërsa politikanët shqiptarë bëhen copë për ‘të. Këto 30 vitet e fundit tregojnë se s’mund të gjesh vend më të mirë sesa arka e shtetit për të vjedhur e pasuruar, kur ajo të besoher për ta ruajtur.
Me debatet e tij, Sokratit i mjaftonte të vërtetonte se kundërshtari e kishte gabim dhe jo që ai (Sokrati) kishte të drejtë. Pasi ushtria athinase u mund nga Sparta, kjo e fundit filloi të kontrollojë qytetin përmes Tridhjetë Tiranëve për të shtypur popullin athinas për të shtruar rrugën për epërsinë spartane. Kjo ishte diçka e vështirësi për Sokratin; ai nuk mund të lejonte që spartanë të shtypnin popullin, sepse mendonte se ishte e gabuar moralisht dhe nuk mund të lejonte spartanët të kishin të drejtë, sepse ai nuk lejonte askënd të kishte të drejtë! Ky qëndrim i shkaktoi atij shumë probleme, dhe kur elita e humbi durimin, solli pasoja tragjike, dënimin e tij me vdekje.
“Gjeli është i Asclepius. Mos harroni borxhin”, ishin fjalët e fundit të Sokratit

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Harrimi i borxhit

24 MESAZHE NGA ATJON ZHITI, QË SOT DO TË ISHTE 24 VJEÇ…

August 30, 2019 by dgreca

                                Mesazhet e një të riu si gjykime të forta të vetë rinisë. Kritika dhe mençuri,shpresë dhe vizion, guxim dhe dashuri…                                                             Është datëlindja e Atjon V. Zhitit, do të mbushte 24 vjeç sot, Shokët dhe shoqet , të gjithë ata që e kanë njohur, që e kanë lexuar apo i kanë parë pikturat e tij nëpër libra apo albume, që kanë qenë së bashku pjesë e veprimtarive të ndryshme deri dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Giffoni” si dhe në Parlamentin Europian Rinor, etj, e kujtojnë me dashuri, me atë dashuri që dhe ai i donte.

          Atjoni u buzëqesh plot dritë të gjithëve nga Qielli tani dhe fjalët e tij të mençura ende emocionojnë dhe thonë shumë.                                                         Ai studionte për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano dhe nisi të botojë shkrimet e para. Libri i tij “Për atë që dua(m)” u prit mjaft mirë nga lexuesi dhe u rishtyp duke patur jehonë dhe në media, po kështu dhe ekspozita e tij me piktura në “Universitetin “Polis” në Tiranë. Më pas u botua albumi dy gjuhësh shqip dhe italisht, “Opera Atjon”. Nga esetë e tij janë botuar dhe në rumanisht, po kështu dhe citate në kalendarë, jo vetëm në shqip, por dhe në gjuhët italisht dhe anglisht

          Portreti i Atjonit në pikturë është ekspozuar në një galeri pranë Luvrit në Paris dhe janë dhënë koncerte për violinë dhe piano në Romë.

          “Studenti i përhershëm” e kanë mbiquajtur..

Me emrin “Atjon Zhiti” jepen dy çmime ndërkombëtare, një për jurinë për fëmijë në Festivalit e Filmit “Giffoni” dhe tjetri poetit më të mirë nga “IWA BOGDANI”, shoqata e shkrimtarëve me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel.

          Në Tiranë tashmë është pagëzuar dhe “Rruga e Atjonit”.

          Aq sa do të ishte mosha e tij sot, po botojmë 24 thënie të Atjonit, me kumbim të fortë aktual.

TIRANIA:

1- Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…         

2- Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit.

Shtetari pa shtetasin është një hiç.

3- Tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por është një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.                                                     

4- Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla, ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.

LIDERI:

5- Lideri ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.

A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

          KORRUPSIONI:

6- Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.                                                                        7- Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë.

8- …korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.                                                                                       9- Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.

 PËR “OPININON-IN”                                                      

10- Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.

11- Spektakli nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real.

12- Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.

13- Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në sajë të kthimit të mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.

14- Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit, zëvendësohet nga dukja.

PËR SHKOLLËN:

15-  …ndjej një antipati për shkollën. Më duken orë të humbura. Mos ma përmend fjalën shkollë. E urrej shkollën dhe librat që na jep për të lexuar…   16- Shkolla ime nuk më stimulon, nuk më mëson gjë të re, nuk mendon në nivelin tim, më fal(ni) për modestinë…

17- …Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori.

PËRGJEGJËSIA PËR NDRYSHIMIN:

18- Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi…                                                                                          

19- Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.

20- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

21- Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë…

22- Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.      

LIRIA:

 23- Liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?                             

24 – TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT. (Kortezi-Panorama)

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon Zhiti-24 mesazhe-24 Vjec

Shqipërinë, si e duan

August 30, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Mania për të patur një vend e ta bēsh si do vetë, vetëm tek ne shqiptarët mbizotëron. Postet e detyrat shiten e blihen, majtas e djathtas, me para në dore a ndere reciproke. Që me shpalljen e pavarësisë, Shqipëria nuk u çlirua nga ndonjë pushtues, perandoria osmane u shndërrua në Turqi, dhe osmanllinjtë 500 vjeçarë mbrenda kufirit shqiptar, mbetën, u bënë pari e vendit, morrën poste drejtuese dhe sunduan duke u futur frikën njerëzve. Ata që bëheshin pengesë dëboheshin, burgoseshin a vriteshin, gjithmonë duke u vënë damkën e tradhtarit që e bën dënimin të përjetshëm. Shqipëria asnjëherë s’ka qenë. Populli i shtypur u bë shprehje abstrakte. Shqipēria që donin atdhetarët mbeti vetëm utopi. Përpjekja për përdorinin e gjuhës shqipe u ndesh në konflikt të ashpër. Ishte fat që fuqitë perëndimore, si Austria, nuk donin nje gjuhë ose alfabet osman. Këtë rast e shfrytēzuan atdhetarët jashtë, dhe gjuha shqipe flitet sot si gjuhë zyrtare. Por maniakët shqiptarë të pushtetit janë edhe sot, ata vazhdojnë në rrugën plot baltë të baballarëve të tyre. Shqipërinë si e duan, thonë, dhe ashtu e kanë bërë.

Filed Under: ESSE Tagged With: si e duan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT