NË VEND TË HOMAZHIT PËR VETERANIN E ARSIMI SHQIP, VEPRIMTARIN MIKEL VESELI (1940-2019) /
Shkruan: Mikel GOJANI /
Këtë fillimshtator, në Ceneriket të SHBA-ve, u shua nga jeta, pedagogu shumëvjeçar, veprimtari dhe atdhetari , Mikel Veseli, duke lënë një zbrazëtirë të pakompensueshme për familjen e tij, për të afërmit, miqtë, komunitetin e diasporës shqiptare në Amerikë etj.
“Kur vdes mësuesi, shkollën e kaplon heshtja”, shprehet një rilindës yni. Mësuesit janë gjithmonë si yjet, ata ndriçojnë atëherë kur është më se e nevojshme. Të tillë ishin mësuesit shqiptarë, të cilët me misionin e tyre prej iluministësh ndriçuan në ato periudha dhe rrethana, kur pushtuesit synonin që t’i pllakosnin rrezet e dritës, ndërsa përmes arsimit mësuesit përpiqeshin që ta davarisnin errësirën dhe të ndritnin mendjen e popullit tonë. I tillë ishte edhe mësuesi Mikel Veseli, i cili me punën e tij të gjatë në arsim, për dekada me radhë edukoi breza të tërë shkollaresh, si në shkollën e vendlindjes në Budisalc, po ashtu edhe në shkollën e Zllakuqanit.
Mikel Veseli u lind në vitin 1940 në Budisalc nga babai Gjoni dhe nëna Marqe. Rrjedh nga një familje tradicionale, bujare, përparimtare dhe atdhetare. Rrethanat e kohës familjes se tij i sollën vështirësi për jetës, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan dhe as nuk u nënshtruan. U lind e kohën kur prindërit e tij me skamje, por me vullnet të fortë e me punë krahu mbanin familjen. Tani familja drejtoi shikimin kah ardhmëria babai dhe dy vëllezërit e mëdhenj, Lleshi dhe Zefi, punonin për të mbajtur familjen duke shkolluar dy vëllezërit e tyre Mikelin dhe Miroshin.
Mikeli Veseli, shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Budisalc, të komunës së Klinës, më pastaj ka kryer shkollën normale. Pas kryerjes së normales, në vitin 1962 filloi punën si mësues në shkollën fillore ish – “Boro Millatoviq”, tash “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës, ku për një kohë punët dhe detyrat e punës të zëvendësdrejtorit të kësaj shkolle. Në këtë shkollë punoi deri në vitin 1982, duke vazhduar punën e mësuesisë në shkollën fillore “Liria” të vendlindjes, pra në Budisalc, ku punoi deri në vitin 1988. Në këtë vit migroi në Amerikë, përkatësisht në Cenericet, ku jetoi deri në fundin e jetës së tij.
Gjatë këtyre viteve të jetës së tij në Amerikë, përpos mbajtjes së familjes, ishte i orientuar për të kontribuar edhe në angazhimet që zhvillonte komuniteti i diasporës shqiptare në Amerikë për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga okupatori. Angazhimin e tij kryesisht e zhvilloi në kuadër të LDK-së, por edhe në kuadër të institucioneve dhe asociacioneve tjera që kanë vepruar dhe veprojnë ë në Amerikë.
E digjte malli për vendlindjen dhe atdheun e tij. Edhe pse jetonte në këtë vend të largët të Amerikës, shpirtin gjithherë e dërgonte atje, në vendlindje, në atdheun e tij, të cilin aq shumë e deshi deri në frymën e fundit të jetës, duke punuar dhe angazhuar pa kursyer asgjë nga vetja.
Pra, mësuesi dhe veprimtari, Mikel Veseli, kishte atribute të larta të një njeriu, sepse rridhte prej një familje me tradita fisnike. Këto atribute ai i sublimoi edhe në orientimin e tij pedagogjik, në punën me nxënës mbëltoi dituri dhe virtyte, duke i dhënë kuptimin e mirëfilltë një profesioni fisnik siç është natyra e arsimit. Gjatë punës në arsim, rezultohet se mësuesi Mikel Veseli rrezatonte vlera njerëzore, profesionale, pedagogjike dhe kombëtare. Këtë e dëshmojnë, të gjithë ata nxënës që patën rastin dhe nderin që të kenë për mësues një korife të arsimit siç ishte Mikel Veseli.
Për nga dukja dhe tiparet e tij krijohej përshtypja sikur mësuesi Mikel kishte ardhur në këtë botë me të gjitha komponentët që e shquajnë figurën e një mësuesi. Pamja e tij të nxiste kureshtjen që ta vështrojë dhe jo vetëm ta vështrojë, por të mbërthente në mendime prej të cilave vështirë që mund të largoheshe pa e dhënë një përkufizim për figurën e tij. Si i ri, isha kureshtar të ndalesha te figura e tij, të fiziku i përmasave mesatare të këtij personaliteti të veçantë.
Në fillimvitet e ’80 (80-82), pata fatin që ta kem koleg në shkollën fillore të Zllakuqanit. Në këtë shkollë ai kishte punuar qysh në fundvitet e 60 dhe ishte formësuar si një pedagog që shquhej dhe dallohej me metodën e tij tepër të veçantë prej një edukatori. Kishte një takt tepër të veçantë me nxënësit. Ishte i afërt dhe shumë komunikativ edhe me kolegët dhe prindërit. Për karakterin dhe angazhimin e tij prej një pedagogu të vyer, pata mësuar edhe nga ish-kolegët e tij, të cilët kishin punuar edhe më herët më mësuesin Mikel. Ata flisnin me admirimin më të madh dhe shprehnin respektin më të thellë. Nxori gjenerata të tëra brezash shkollarësh, që më vonë u bën shumë të zotë në profesione të ndryshme, doktorë, juristë, ekonomistë, inxhinierë etj. Edhe sot pas kaq shumë vitesh ata i janë mirënjohës për kontributin dhe gjithçka çfarë ky pedagog kishte dhënë për t’u ndihmuar në rrugën e jetës. Për ish-nxënësit e tij, mësuesi Mikel ishte shndërruar shembull frymëzuesi dhe udhërrëfyes për ngarendje në rrugën e dijes dhe të diturisë. Nga ndejat e shumta me të, në biseda e gjata që kishim dhe me punën dhe angazhimin e tij tepër të zellshëm në misionin që i kishte përcaktuar vetes, kisha fituar bindjen pozitive rreth personalitetit të këtij njeriu dhe mësuesi të dalluar.
Mësues Mikel ishte një burrë që karakterizohej me një qëndrim serioz . Nuk ishte i rastësishëm serioziteti i tij, jo një seriozitet prej autokrati, por prej një njeriu që vendosmëria i shkonte edhe në harmoni me profesionin që ushtronte. Ishte tepër njerëzor dhe të krijonte relacione afrie, sa që në mënyrë të pahetueshme njeriu krijonte raporte miqësore me të.
Mësuesi Mikel, ishte i gatshëm që të gjejë gjuhën e afër të komunikimit si me gjeneratat e vjetra, po ashtu edhe me brezin e ri.
Më kujtohen raste të ndryshme në ndeja dhe kuvende ku fjala e mësuesit Mikel peshohej me respekt nga të pranishmit. Për shëmbëlltyrën dhe rolin e mësuesit ka mendime të shumta. Figura e mësuesit gjatë historisë se njerëzimit është çmuar që nga njerëzit e thjeshtë e deri të perandorët.
Kështu që, Mikel Veseli, me punën e tij në arsim, gjatë gjithë jetës, ndikoi që shume gjenerata të lartësohen ne nivelin më të lartë të dijes dhe të jenë në shërbim të popullit dhe të vendit të tyre.
Për
një kohë u përball me sëmundjen që e kaploi, por kurrë nuk u ligështua, kurrë
nuk u dorëzua, kurrë nuk lëshove asnjë psherëtimë. Prandaj të gjithë të
dashurit e tij u mësuan me besimin dhe durimin e tij. Mësuesi Mikel ishte një pishtar i jetës e jo
i vdekjes. Pranë tij ishte vetëm dashuria për jetën e Njeriun, dashuria e
pakufi për familjen, arsimin, atdheun
dhe kombin.
Shuarja e tij fizike erdhi pas disa momenteve të rënda që i përjetoi në familje,
pra pas humbjes së vajzës, Besa, vëllezërve Lleshit dhe Zefit, vdekje këto që i
shkaktuan dhimbje të mëdha dhe tepër tronditës. Askush nuk do të mund të
besonte në vdekjen në moshë fare të re të vajzës së tij, apo në vdekjen e dy
vëllezërve që i mori gjatë këtij viti. Ishin këto vdekje shumë të përafërta të
vajzës dhe vëllezërve, që vdekja e pamëshirshme i mori, duke lënë dhimbjet për
ta, por edhe kujtimet të pashlyeshme për brezat e familjes.
Pra, në këtë fillimshtator, kur edhe gjethet e pemëve kanë filluar të veniten, bashkë me to u shua, fizikisht, por jo edhe shpirtërisht, miku ynë, pedagogu dhe veprimtari, Mikel Veseli, i cili iku në botën e amshuar, duke i lënë të pavdekshme kujtimet dhe veprat e tij të shumta dhe të rëndësishme, të cilat do të jenë të përjetësuara.
Mikel Veseli, ky mësues, veprimtar dhe atdhetar i shquar, për të gjallë të tij vetes i siguroi pavdekësinë.
Shpirti i tij që rrezatonte dritë u mishëroftë në qenien tonë.
U prehtë i qetë në botën e amshuar!
Klinë (Kosovë), 5 shtator 2019