• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Homazh për Said Demnerin

May 10, 2019 by dgreca

Nga Zydi Ali Turdiu/

            Më 5 maj 2019 mbylli sytë në Windsor të Kanadasë, në moshën 99 vjeçare, njeri nga dishepujt e nacionalizmit shqiptar, bashkëpunëtori i gjeniut te kombit, të madhit Mid-hat Frashëri dhe luftëtari për lirinë dhe demkracinë e kombit shqiptar, Said Demneri.

            Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të shkruaja këto dy rreshta si homazh për të. Nuk besoja, se deshëm ta kishim përjetësisht pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishte nisur qysh në rininë e tij të herëshme, sepse kishim nevojë për praninë e tij, për mendimin e tij, për fjalën e tij të urtë. Por ai iku. Zoti kishte  vendosur ta  merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ai ishe ndër më të mirët.

            Filozofi i shquar Niçe ka thënë:

            “Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku”

            Gjaku nuk i mungonte Saidit. Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Ai i përkiste familjes së njohur tiranase të Demnerve, një familje e madhe autoktone e kryeqytetit. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira dhe ai mbijetoi  sepse  në  venat  e tij rridhte gjak fisniku.           

Lindi në Tiranë më 9 gusht 1920 në familjen Demneri, një ndër më të mëdhatë dhe të hershme tiranase, me tradita tradiconaliste të cilat i kishte trashëguar dhe zhvilluar më tej me dinjitet. Në vitin 1927 në familjen e tij ndodhi një fatkeqësi. Shuhet nëna e tij e dashur duke  lënë  pesë fëmijë: Mehmetin 15, Fitneten 13, Osmanin 11, Saidin 7 dhe Saliun vetëm 3 vjeç. Dhimbja ishte e madhe. Kjo gjë e tronditi dhe i la një boshllëk në shpirt. E kujton fare pak të ëmën. Pas dy vitesh  i ati, Qazimi, detyrohet të martohet përsëri. Saiti do të thoshte:

            “Kam qenë i vogël, vetëm nëntë vjeç, kur kam parë “nusen e tatës” të nesërmen në mëngjes.”

            Kishte një vullnet të madh për të studiuar. Në vitin 1933 përfundoi arsimin fillor në shkollën “Kristoforidhi”. Në vitin 1934, ndërsa vazhdonte mësimet në liceun e Tiranës detyrohet t’i ndërpresë ato për arsye shëndetësore dhe t’i fillojë përsëri në vitin 1936 por nuk arriti t’i përfundojë pasi në vitin 1943 liceu u mbyll për shkak të Luftës së Dytë Botërore që kishte përsfshirë edhe Shqipërinë. Gjatë viteve të studimit në lice ai tregonte një etje të madhe për botimet e kohës, sidomos ato me përmbajtje historike, ideologjike, artistike si dhe ato nga jeta e personaliteteve të shquar të kohës.. Ishte klient i rregullt i librarisë “Argus” që drejtohej nga Mid-hat Frashëri, alias Lumo Skëndua. Botimet e kohës dhe sidomos  takimet e zhvilluara me Mid-hatin,  e bënë të riun tiranas shumë të ndjeshëm  ndaj ndjenjave nacionaliste, të cilat i përvetësoi me bindje duke u qëndruar besnik gjatë të gjithë jetës së tij.  Biblioteka e tij personale pasurohej çdo ditë me botimet e kohës sa që  raftin ku ai ruante me kujdes dhe shije  librat e quanin “Biblioteka e Said-it”.

            Në këto vite Said Demneri, i brumosur me ndjenjat atdhetare nacionaliste, qysh kur ishte në lice, në moshën 20-22 vjeçare, e kishte të qartë se idetë nacionaliste do të ishin alternativa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë si një shtet demokratik me vizione perëndimore, në luftë të pandërprerë me idetë komuniste që po mashtronin popullin e thjeshtë dhe sidomos pas krijimit të Partisë Komuniste nga emisarët serb Milladin dhe Popoviç. Ai lidhet si mishi me thoin me idealet nacionaliste të Ballit Kombëtar, të mishëruar në dekallogun e famshëm të hartuar nga Mid-hat Frashëri dhe intelektualët e tjerë nacionalistë.  Ai e quan liderin e kësaj lëvizje nacionaliste “Gjeniu i Kombit” ne librin e historianit Huran Butka kushtuar këtij personaliteti të madh të kulturës  dhe politikës kombëtare, vazhdues i  nderuar i frashërllinjve të shquar të historisë dhe kulturës.

            Said Demneri ka një meritë të veçantë  në organizimin e batalionit nacionalist “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë përkrah vëllezërve kosovarë për të luftuar serbët si dhe për përgatitjen e batalionit të dytë “ Qeramudin Sulo” që nuk arriti të shkonte. Ja si është shprehur për të miku i tij Islam Lleshi:

            “Saidi ishte guximtar, impulsiv, dramatik, vendimtar dhe konseguent  në mendimet e tij, Ai më parë thyhesh sesa përulesh”

            I udhëhequr nga mendimet filozofike të Mid-hat Frashërit ai deklaronte në fillim të intervistës së organizuar  më 4 korrik 1996:  

            “Partia jonë është Shqipëria! Në roberi puna jonë është lufta, në liri lufta jonë është puna. Për mua nacionalizmi është themeli i një kombi. Nëqoftë se një komb nuk qëndron mbi themele të forta nacionaliste atëhere ai është i destinuar të gllabërohet nga popuj të tjerë, çka përbën një proces të gjatë asimilimi dhe persekucioni fizik dhe moral.”

            Kjo sentencë u vërtetua plotësisht gjatë të gjithë periudhës së sundimit të sistemit totalitar komunist.

            Qysh kur ishte në liceun e Tiranës, organizon dhe u mëson të rinjve  idetë nacionaliste si kundërpeshë me idetë e të rinjve komunistë të drejtuar nga Ramiz Alia, shoku i klasës së tij. Formimi politikë dhe aftësitë e tij organizative  e vendosin atë në strukturat drejtuese  të Ballit Kombëtar për Tiranën. Për nacionalistët po bëhej çdo ditë e më tepër e qartë se rreziku më i madh po i vinte Shqipërisë nga propaganda komuniste dhe mbështetja ndërkombëtare që kishte, falë ndarjes së zonave të influencës që ishte bërë në takimin Rosvelt-Çurçill-Stalin, ku Shqipërinë e kishin lënë nën influencën ruse. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët u pa qartë qëllimi i tyre me zhvillimin e një lufte civile kundër forcave nacionaliste, ku sumdonte parrulla “pushteti buron nga gryka e pushkës” që u bë simbol i komunistëve dhe që solli grabitjen e pushtetit nga ata në përfundim të luftës.

            Në vjeshtën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Shqipëria kishte rënë nën kthetrat komuniste, Mid-hat Frashëri deklaronte:

            “Ne po humbasim, sepse nuk mund të pengojmë komunizmin që mbështetet e përkrahet deri me vendime ndërkombëtare për zonat e influencës, ku Shqipëria është caktuar zonë komuniste, ndërsa në vend komunistët përdorin dhunën, terrorin, krimet që më shumë do të bien mbi kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre.”

            Në kërto kushte, Saidit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të merrte rrugën e emigrimit në botën e lirë. Ai i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonte i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tij. Donte të jetonte në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq, atdheu kishte rënë në një epokë terrori komunist, në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe, në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër, në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje, në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

            Kështu drejtues nacionalistë grumbullohen në Shkodër, rreth 200 vetë, dhe më 14 nëntor 1944, me Mid-hat Frashërin në krye u nisën nga Tivari për në Brindizi, me qëllimin e lartë për të vazhduar luftën për lirinë e atdheut. Mid-hat Frashëri deklaronte:

            “Bota duhet ta di se ne bëmë detyrën karshi atdheut dhe qytetërimit. Nuk po largohemi për të shpëtuar veten, por për të vazhduar përpjekjet tona në vendet e botës së lirë që të përgatisim rrugët e shpëtimit të Shqipërisë.”

            Midis tyre ishte edhe Said Demneri. Kështu filloi periudha e endjes që nga Italia në Egjypt, Australi dhe deri në Kanada. Ai ishte i bindur se lufta e tyre një ditë do të kurorëzohej me sukses, se do të vërtetoheshin idetë e tyre nacionaliste. Ai ishte kudo ku e kërkonte detyra, pa u ndalur nga asnjë pengesë apo vështirësi. Ai do të mbante lidhje të vazhdueshme me drejtues të Ballit Kombëtar në emigracion dhe miq të tjerë, duke dhënë mendimet e tij racionale që vlerësoheshin dhe respektoheshin. Ai ishte i ndjeshëm karshi halleve të jetës që i shfaqeshin, për mallin për familjen me të cilën u nda për gati një gjysëm shekulli  dhe falë karakterit të tij dijti t’i përballonte me sukses me një vullnet shëmbëllor. Korespondenca që kishte shkëmbyer me rreth 100  miq të idealit të tij, është një tregues ku lexohet qartë respekti që bashkëqytetarët e tij ruanin për të.

            Por së fundi kohët ndryshuan dhe ai ishte gjithmonë në rradhën e parë të atyre që e mbështetën me konseguencë demokratizimin e vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Përmbysjen e sistemit komunist në fund të vitit 1990  dhe vendosjen e sistemit perëndimor të demokracisë e përjetoi me një entusiazëm të madh. Tashmë rrugët e kthimit në atdhe ishin të hapura dhe ai nuk mund të priste më tepër.

            Më 2 prill 1992 Saidi kthehet në atdhe. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Së bashku me nënën time, që ishte motra e Saidit, qëndronim pranë shkallëve të avionit duke pritur që ai të zbriste.  Së fundi ai u shfaq. Nëna, me lotë në sy thërriste:

            “Said i motrës…Said i motrës…!”

            Me një veshje me rroba të lehta për një udhëtim të gjatë dhe me në kokë një qylaf me shqiponjën dykrenore në ballë, ai qëndroi për një çast me shikimin lart, sikur i falej Zotit, pastaj zbriti shkallët  me hap të sigurtë. Nëna ra në krahët e tij ndërsa ai e shtrëngonte fort në gji motrën e dashur. Ishin çaste prekëse dhe mallëngjyese të cilat nuk mund t’i harroj apo përshkruaj kurrë.Nga sytë e nënës vazhdonin të rridhnin lotë të nxehtë gëzimi, ai vazhdonte ta shtrëngonte në gjirin e tij pa derdhur asnjë pikë loti. Karakteri i një burri të fortë.

            Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e para që tha:

            “Motër, i falem të madhit Zot që më dha jetë dhe forcë për këtë ditë.E di se keni hequr tepër për shkakun tim. E di se komunistët më kanë quajtur armik, tradhëtar, kriminel. Kam qenë dhe jam nacionalist. Kurrë nuk kam qenë armik, tradhëtar apo kriminel. I falem Zotit të Madhërishëm që ma plotësoi dëshirën dhe u ktheva përsëri në atdhe për t’iu parë dhe takuar juve. Me këtë qylaf me Shqiponjën dykrenore në ballë jam larguar nga Shqipëria dhe me këtë po kthehem përsëri në atdhe. E kam mbajtur dhe e kam ruajtur  me kujdes për gjithë ato vite që isha në emigracion, kudo që kam qenë, me dëshirën dhe shpresën se një ditë do të kthehesha në atdhe me  këtë në kokë.

            Kishin kaluar 48 vjet.  Saidi, i larguar 24 vjeç, kthehet 72. Motrën, nënën time e la 31 vjeç, e gjeti 79. Mua më la 9 vjeç, më gjeti 57. Kështu me rradhë edhe të tjerët. Së bashku me Saidin u kthyen edhe gjashtë emigrantë të tjerë, të gjithë nga krahina e Vlorës. Për njerin prej tyre, i cili ishte invalid në një karrocë me rrota, Saidi na tha:

            “E kemi sjellë nga Windsori i Kanadasë për t’i plotësuar dëshirën që të qëndronte deri në fund të jetës së tij në atdhe.

            Kur Saidi po kryente formalitete zyrtare në sportelin përkatës, njeri nga ata, një burrë i gjatë, më pyeti se çfarë e kisha dhe kur i tregova se e kisha dajë dhe gruaja që ishte në krahët e tij ishte e motra dhe nëna ime, ai më tha:

            Të jesh krenar për dajën tënd!

            Në sheshin e aeroportit kishin ardhur me dhjetra familjarë, miq dhe shokë.

            Në shtëpinë e tij u pritën vizita për dy javë. Pas përfundimit të tyre filluan takimet dhe aktivitetet  me funksionarë të Partisë së Ballit Kombëtar. E shihje në Tiranë dhe në Durrës, Në Shijak dhe në Kavajë, në Shkodër dhe në Elbasan, në Korçë dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Megjithëse, për shkak të moshës, nuk kishte më gjallërinë e dikurshme, por niveli i mendimit politik dhe nacionalist  ishte më progresiv dhe më demokratik, mendime që i kishte përvetësuar nga qëndrimi i gjatë në botën e lirë demokratike  perëndimore për 48 vjet. Tek ai ishin rrënjosur vizionet demokratike dhe aspak ndjenjat hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë. Ndaj ai deklaronte:

            “Historia t’i shërbejë së sotmes dhe jo hakmarrjes. Për botën e kulturuar dhe demokratike, krimi, terrori dhe hakmarrja nuk janë në filozofinë e tyre. Ata që nuk kanë në shpirt  këto parime,  tregojnë moralin dhe karakterin e tyre anti njerëzor, të cilët historia gjithmonë i ka dënuar  dhe do t’i dënojë.”

            Ndaj në mbyllje të këtij homazhi dua t’iu drejtohem gjithë familjarëve të tij:

            . Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Saidi ishte një nga këta burra. Ne humbën njeriun tonë më të mirë.  njeriun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i Madh i Madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes njeriun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

            Qoftë i lehtë dheu që  i  ka rënë përsipër!

Filed Under: ESSE Tagged With: Said Demneri, Zyhdi Ali Turdiu

Mbi mendësinë

May 8, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Nuk ka gjë më sunduese sesa mendësia, ajo nuk shkëputet, por, e mbyll njeriun e rënduar të kërruset në bunker a në një botë të kufizuar.
Edhe Shqipëria vazhdon të vuajë nga plagët e brendshme. Sepse plagët mbulohen. Të gjithë mendojnë se nuk ka shërim më të mirë për një grindje familjare a kombëtare, sesa ardhja papritur e një ngacmimi nga fqinji; kur të afërmit i hanë kokën njëri-tjetrit, një gur i hedhur nga kopshti i fqinjit, krijon një plage të vetme të re, që bëhet gjoja shkaku i shërimit.
Duket sikur popullsia jeton e vepron me mendjen e kohës së shkuar, kur kishte marë natyrën e misrit; për sa kohë që një popull mund të korrej dhe bluhej brenda një vitit, gjithnjë kishte një furnizim të bollshëm për shpatën e diktaturës për vazhduar të korrte koka të tjera në vitin pasues.
Nëse Partia i kishte mposhtur të gjithë armiqtë e popullit, përse i dërgonte njerëzit në zbore e të rinjtë ushtarë?Nëse sukseset ekonomike ishin të jashzakonshëm, pse 2/3 e popullsisë ushqehej me misër? E vërteta është se fitore të tilla ishin të turpshme – ndërkohë që shtypja dhe izolimi i vendit nga bota, ishin të vetmet gjëra reale. Kjo mendësi duhet ndryshuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Mendesia

Heshtja izolon

May 5, 2019 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ S’ka shqiptar, i cili nuk e di a s’ka dëgjuar për tmerret e izolimit të plotë, që fillon me kufizimin e fjalës. Por, afër 30 vjet nga ajo periudhë diktature, dëgjohen zëra nostalgjikë për kthim mbrapa. Me daljen e një brezi të ri që nuk e ka provuar atë kohë, këto zëra do të ndjehen edhe më shpesh. Fjala është për Shqipërinë që nuk gëzon shtyp të lirë.
Kombi mbështetet në diskutimin publik si një nga mjetet e domosdoshme për të arritur zgjidhje korrekte për problemet e mirëqenies sociale. Kufizimi i fjalës e ndërpret këtë diskutim. E gjithë historia njerëzore mëson se përshtatja e marrëdhënieve shoqërore nëpërmjet arsyes është e mundur kur fjala e lirë lejohet. Kur njerëzve u krijohet mundësia të komunikojnë lirshëm mendimet dhe vuajtjet e tyre, të vërteta ose të imagjinuara, pasionet e tyre shpërndahen në ajër, si baruti në sipërfaqe – por të këputur nga tmerret, mendimet punojnë në heshtje, dhe vjen një moment kur shpërthejnë duke shkatërruar gjithçka përpara. Kur arsyeja kundërshtohet me arsye dhe argumenti me argument, çdo qeveri e mirë do të jetë e sigurt. Fjala e lirë është vetë qytetërimi. Madje edhe fjala më kontradiktore, ruan kontaktin – është heshtja që izolon…

Filed Under: ESSE Tagged With: ASTRIT LULUSHI-Heshtja Iluzion

Legjendë, histori e shtyp i lirë

May 1, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Historia është e nevojshme, të paktën për të paralajmëruar lexuesin që të mos ketë shumë besim tek ajo. Një pjesë e historisë sonë, veçanërish e rreth 80 viteve të fundit, është, vërtetë, legendë, legjendë e kuqe, si ajo e 28 mijë të vrarëve, që tregon më shumë për neglizhencë të rëndë të komandës sesa për heroizëm.
Por kështu ka qenë që nga fillimi i qytetërimeve; Lufta e Trojës; Enea që iku nga qyteti i djegur për t’u vendosur në gadishullin italik; Romuli e Remi, ulkonja që i ushqeu, bariu që i rriti, krijimi i Romës e shumë të tjera, të gjitha kanë për bazë krijimin, por gënjejnë kur flasin si u krijuan; Roma u krijua rreth 500 vjet pas luftës së Trojës, por Romuli e Remi, jetimë, thotë legjenda, e kishin ruajtur vetëdijen se Enea kishte qenë parardhësi i tyre. Kështu janë legjendat, pak naive-pak për të qeshur.
Por, edhe vetë fjala Legjendë sikur e jep kuptimin e saj; nga lat. ‘leggere – me lexue’, e ‘leggero’ ‘me ndriçue’; drita mbi një pamje, mbi një natë, apo mbi një mendje, lehtëson shikimin, e bën natën ditë, dhe ndriçon mendjen. Pra, legjenda është diçka që duhet lexuar lehtë, pa e marë shumë seriozisht, sepse njeriut i bëhet zakon ta shpërndajë, përsërisë e shumëfishojë.
Legjendat jane si fjalët e sotme, kur shtypi i lirë mungon, ato fliten rrugëve apo kafeneve dhe përmbajnë pak ose aspak të vërteta. Shtyp i lirë, është shtyp i pastër, i kthjellët, i drejtpërdrejtë, i vërtetë, që i bën legjendat të përhapen si retë në qiell, duke i bërë të dukëshme për t’u lexuar a treguar vetëm si thashetheme e përralla, rreth zjarreve në vatra, për të kaluar kohën

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Legjende-Shtyp i lire

Krijimtari me porosi nga Portofoli

April 24, 2019 by dgreca

Esse/ opinion -nga-Raimonda MOISIU*

Ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshirë në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren-“ shkrimtar, poet, autor dhe  shpërblimet letrare”.

Tjetër, c’ka shqetëson artin dhe letërsinë shqiptare,  janë disa të vetquajtur “shkrimtarë”, ca “krijuesë,”  mitomanë dhe grafomanë, aq të pagdhendur e të paditur, sa edhe kur publikojnë titullin e romanit, me  kokëboshësinë e tyre e shkruajnë gjysmake, analfabetce,  plot gabime ortografike. Sepse, ato  

krijime, nuk janë krijime të tyre,  janë krijime plagjiaturë dhe letërsi artificiale, me porosi nga portofoli, sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën, biles disa prej tyre e argumentojnë vetveten; “Rroftë Paraja”, – nëse je i pasur,- je “Shkrimtar i madh”- në Shqipëri, në trojet shqiptare deri në Kosovë, dhe “Gjeni” best-seller  i Barnes & Nobles në  Amerikë! – dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë! 

Vlerësoj shumë realitetin e jetës kur shikoj shembuj të tillë dritëshkurtër duke trumbetuar krijimet e tyre dhe arrijnë deri aty sa të rrëmbejnë edhe çmime. Me duken të neveritshëm dhe ndjej keqardhje se sa poshtë kanë rënë dhe dyshoj shumë në ndershmërinë e tyre.

Ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin e tyre që mund të përfaqësohen si dy dimensionale: shkrimtarë amatorë apo profesionistë!? Mitomanë apo Grafomanë!? Vlera apo Antivlera!?

  Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske, paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë e talenteve që bindin për të ripërcaktuar karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Dhe është për të ardhur keq se në këtë  corbë të keqe; “Krijime me porosi nga Portofoli”, që është  bërë e modës tashmë, -janë përfshirë krijuesë me emër në letrat shqipe dhe shtëpi botuese me emër në Kosovë  dhe Shqipëri!

Unë i kuptoj fare mirë  ata  krijuesit me emër në letrat shqipe, të cilët shkruajnë bukur e profesionalisht, plot talent e pasion, por janë edhe të varfër dhe aq më tepër duan të botojnë  krijimet e tyre, apo të  pijnë qoftë edhe kafen! Shkrimtarët dhe Poetët janë vërtet të varfër! Pozita e tyre materiale e financiare u ka krijuar varësinë te krijimet me porosi nga portofoli! Tejet e dhimbëshme, e frikëshme, po vetvrasim e vetgjymtojmë letërsinë dhe letrat shqipe!

 “Niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, famë dhe emër të madh si shkrimtarë bashkëkohorë, me egon e sëmurë,  me delirin e madhështisë, krekosjen dhe pompozitetin e Delirantit, Grafomanit e Mitomanit!

 Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi.

Po kërkohet më shumë “nivel monetar” dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kënaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.

Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material, financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Po “vdesin” poetët!!

Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, sepse ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre,  kur ato të vlerësohen nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre.

“Shkrimtari kur shkruan tradhton veten”, -ka thënë Gëtja.

Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë e bëjnë art. Një kategori përbëhet nga lajkatarë, një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, të dyja janë ego vetëgjymtuese e vetëvrasje intelektuale.

Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare, artistike dhe arti nuk duhen paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; Arti i të Shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’ia kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme.

Shkrimtarin e vërtetë e shohim në reflektimin dhe mishërimin midis ndjeshmërisë së vetvetes dhe ndjeshmërisë kolektive, në unitetin e shpirtit të tyre të trazuar, me madhështinë dhe egoisten njerëzore, mes marrëzisë e të bukurës në jetën e përditshme. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari ngjyen penën në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, çlirimin nga ngërçet e shoqërisë dhe ngre kasollen e shpirtit në kufijtë e filozofikes e artistikes. Pjesa më e vështira në artin e të shkruarit për një shkrimtar është kur dhimbjen dhe dashurinë, harenë e gëzimin ta kthejë në fenomen shoqëror apo historik, me eksperiencat e veta në katrahurën e jetës. Është ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore. Sigurisht gjetjet inteligjente dhe idetë origjinale, në për-afrimin e tematikës, e bëjnë më të lehtë për të qenë më pranë botës shpirtërore, mes përjetimeve konkrete, mes realistes e pragmatistes.

Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Ndonjëherë ajo merr gjenerata, por ndryshimi vërehet.

Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një Gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse art dhe njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar, artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij.

Gjithkush prej tyre përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit. Kjo është sfidë e frikshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari, artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike dhe peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik. Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. Dhe po e mbyll me një mesazh shumë domethënës e simbolik të nje publicist te njohur, i cili shprehet: “Artistët, janë kalorës të lirisë, “marothonomakë” vizionesh humaniste, pararendës të emancipimit dhe progresit njerëzor, rrëfyes të shpirtit njerëzor që lufton të Keqen. Shkrimtarët dhe artistët, në çdo kohë, kanë luftuar kundër tiranisë, mashtrimit, shfrytëzimit të njeriut, padrejtësisë, gënjeshtrës, dhunës dhe shkatërrimit. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”. 

*Nga Raimonda MOISIU

Shkrimtare & Gazetare e Pavarur -Ish Kryetare e Shoqates se Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: ESSE Tagged With: Rai, Raimonda Moisiu- Krijimtari me Porosi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 265
  • 266
  • 267
  • 268
  • 269
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT