• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AROMË SHKODRE

February 14, 2019 by dgreca

1 I biri Karmeles

Përsiatje vetjake duke lexuar rrëfimet e jetës të muzikantit Karlo Radoja./

Nga Kolec TRABOINI/

Duke e lexuar librin e Karlo Radojës, me të cilin jam moshatar, le e rrit në të njëjtin qytet, ve re se rrethanat e jetës na kanë vu disa herë në të njëjtën hulli pa u njohur nga afër. Karlo ka qenë në Liceun Artistik Tiranë, e në atë konvikt të liceut të vjetër ku një vit ma vonë kam shkuar edhe unë, atbotë në Shkollën Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka”. Kemi qenë në një kohë në shkollë në Tiranë e shumë njerëz që përmend në kujtimet e veta kanë qenë miqtë e koleget e mi, si ta zëmë muzikanti Robert Radoja, apo këngëtari i paharruar Tonin Tershana. Ky i fundit në atë kohë ishte në Shkollën e Kulturës, flitet për vitin 1964, tek kazermat e Ali Rizait, Qyteti i Nxënësve. Banonim në të njëjtin konvikt me Toninin, deri sa një ditë më takoi e me tha, po iki nga shkolla e u kthye në Shkodër.

Në librin me kujtime të Karl Radojës e gjeta Tonin Tershanën në kohën kur ishte në Estradën e Ushtarit, ndërsa Karlo në Orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë. Rrethanat e kanë dërguar Karl Radojën mësues muzike në Tropojë, pikërisht në atë kohë, 1967, unë kam qenë ushtar në atë vend. Ka punuar në Fabrikën e Cigareve ndërsa unë përballë, tek Kombinati i Drurit, krejt saktë Fabrika e Fibrës ku kishim inxhinier të paharruarin Bujar Bedalli.

Shumë nga njerëzit që përshkruan Karlo në rrëfimet e jetës së tij, po e përsëris, i kam njohur, dhe ve re ka arritur me vërtetësi të përcjellë jetën e atyre viteve, veçmas 1970-1990. Janë ngjarje të shumta, e për shkak të shkollimit si muzikant i ka qëlluar të jetë shumë afër në gëzimet e njerëzve, në dasmat e shkodranëve. Jeta e tij me kujton jetën e Kol Idromenos në rini, kur bashkë me motrën Tone shkonte nëpër dasma e gëzimet e familjeve shkodrane; ai, Kola, si instrumentist dhe e motra si këngëtare. Kësisoj jeta qytetare (më vjen ndërmend në këtë çast njeri ndër muzikantët popullore më pikantë, Pjetër Gjini, që përmendet me admirim në këtë libër),  vinte pra me një ripërtëritje nëpër breza duke krijuar një traditë të mrekullueshme në familjet shkodrane. Ndoshta si askund tjetër

Ka ngjarje, kujtime personale e familjare por edhe marrëdhënie me njerëz të tjerë në kushtet e jetës e privimeve së asaj kohe. Mënyra e përshkrimit më pëlqen sepse nuk ka asnjë stisje letrare. I qëndron të vërtetës, janë kujtime të thjeshta e jo biografi e letrarizuara; këtu qëndron merita dhe e bukura në këtë libër.

Ishte e natyrshme që njerëzit që e kanë rrethuar në ato vite të vështira, nuk e kanë pas të gjithë në të mirë, se kemi pas rreth nesh edhe njerëz që, me dashje apo pa dashje, mund të na kenë bërë ndoshta keq. Autori ka shënuar gjithçka që ka parë e ka ndjerë, si ka vepruar dhe çfarë ka pësuar. Kemi në faqet e librit të Karlo Radojes “I biri i Carmeles dhe i Ndocit” një regjistrim nga këndvështrimi i përjetimeve të thella personale. I përpiktë, me ngjarje e emra reale. Dhe mirë ka bërë në këtë drejtim. E kujt i vlejnë kujtimet ku gjithçka mund të duket e mirë dhe e bukur, kur jeta në të vërtetë mund të ketë qenë një ferr plot travajë. Po kjo natyrisht që nxjerr probleme. Se, kur unë shkrova një copëz kujtim mbi kohën e rinisë kur u ktheva nga ushtria, krejt troke e pa strehe, pa asnjë mjet jetese,  një drejtor ndërmarrje me gjithë rekomandimet që kisha nga Zina Franja – të cilës i kërkova ndihmë se të gjitha dyert e jetës i kisha të mbyllura, – ai drejtor pra, nuk më pranoi në punë. Më tregoi derën. Shko ku të duash po jo në ndërmarrjen time. I biri, që bashkë me babain, drejtorin e komunizmit tashmë jeton në Kanada, u ngrit e më kërkoi llogari me pretendimin se, “nuk ka qenë babai im kështu. E respekton gjithë Shkodra “- tha. Po mor zotni, Shkodra e respekton, por pa punë e pa strehë isha unë e jo ti. Pikërisht për këtë hezitojnë të shkruajnë kujtimet e veta artistët apo edhe njerëzit e thjeshtë.

Edhe sikur unë, autori i këtij shënimi,  ti kisha bërë ndonjë të keqe Karlo Radojës, të isha rrahur me të, ta zëmë, si bashkëmoshatarë rrugicash de, e ta shkruante në libër, nuk ka pse të më mbetej qejfi. Them kështu sepse po shoh ndonjë reagim të nxituar që e tejkalon dashamirësinë në leximin e një libri me kujtime personale të Karlo Radojës. Po marr një shembull edhe nga jeta ime, për të treguar se kujtimet nuk shkruhen për ti bërë qejfin këtij apo atij personi, i afërt apo i largët qoftë, por për të thënë çfarë i ka ndodhur në jetë njeriut, çfarë është përvoja e një jete. E në jetë ndodhin gjëra të bukura e të pabukura. Në faqet e librit lexova se mësuesi i letërsisë Ndrek Beni i ka futur një shpullë nxënësit Karlo Radoja, dhe ky i fundit ka shkruar për këtë. Ngjarje shkollash sigurisht. Mësuesit tanë kanë qenë të mirë (edhe unë e kam pas babanë Palok Traboini mësues e krenohem për këtë), ata kanë qenë vërtetë të drejtë e parimorë, por edhe të rrepte dhe e kanë pas dorën e gjatë. Përdornin edhe vizoren, si mësuesi im i pa harrur Kol Alimhilli. Ne i duam dhe e nderojmë kujtimin e tyre, por ashtu siç kanë qenë e jo të sheqerosur nëpër kujtime bajate. A duhet, ta zëmë, ti thonë autorit, pse ke shkruar për këtë apo atë ngjarje apo person në kujtimet e tua? Thashë me lart po zë një shembull edhe nga vetja ime. Krejt ngjashëm me ndodhinë e  nxënësit Karlo Radoja me mësuesin Ndrek Beni më ka ndodhur edhe mua me mësuesen e bukur e admiruar Gita Shllaku.
Mësuesja, për të cilën ende në Shkodër këndohet kënga e Gac Çunit  “Kaçurrelat e tua”,  kur isha në klasë të gjashtë më dha një paravesh, saktësoj, aspak për fajin tim, por të një nxënësi pas meje që me shqetësonte pas kurrizit me një maj pene. Po mësuese Gita nuk e pa atë, ndjeu reagimin tim kur po i thoja trazovaçit pas meje më lër rehat. Pse flet më tha, mësuesja, dil përpara klasës e me futi atë shpullën që me djeg edhe sot. Më tha ulu në bankë por unë dola nga klasa e nuk u ktheva kurrë më në shkollën ku ishte mësuese Gita. Ndoshta Lek Jana apo Luan Burgia, që përmendën në këtë libër, të cilët i kisha shokë klase disa vjet e mbajnë mend. Kjo është histori e vjetër dhe ka vlerë vetëm për kujtimet e mia personale të cilat nuk ka pse të mos i shkruaj. Më vonë kur isha rritur e kam takuar mësuesen në Gjuhadol, e plakur por mrekullisht ende e bukur.  Me pyeti e i thashë se kisha mbaruar Universitetin e tashme punoja ne Kinostudio e jetoja në Tiranë. Mbeti pa mend. Pastaj kemi qeshë të dy dhe më tha se ajo shpulla ime të paska dhanë të mbaren. Tani a duhet ndokush nga të afërmit e mësueses sime të më thotë pse ma përmende njeriun tim? Jo, se janë kujtime personale, e ato nuk kanë qëllim për të denigruar askënd, por për thanë të vërtetën sado vetjake, që fundja nuk i bëjnë dëm askujt.

Kështu edhe me kujtimet e Karlo Radojës, që në disa vende është e hidhur por kjo hidhësi nuk buron nga ai, as nga shpirti i tij, por nga ata që i kishte afër e ndonjë prej tyre ja kishte me të keq. Kam shkruar e botuar mbi tridhjetë libra, nuk më mungon përvoja, por them të drejtën më pëlqen shumë mënyra se si i ka shkruar kujtimet e veta muzikanti Karlo Radoja në librin “I biri i Carmeles dhe i Ndocit”.

Prej çdo libri, sado i thjeshtë e pa pretendime të jetë, mëson diçka, diçka që të nevojitët në jetë, kryekreje për të qenë vetvetja e jo të sheqerosësh realitetin, sepse kujtimet e jetës nuk shkruhen për të bubulluar, as për të çuditur të tjerët apo mikluar njerëz, por për të hyrë thellë në shpirtin e njeriut e për ta zbuluar atë në dritë të diellit. Do të përdorja një shprehje proverbiale latine, mbase e dalë nga goja e Jul Cesarit “Erdha, pashe, fitova!” – kështu ndodh kur lexon një libër të mirë me rrëfimet e jetës së një artisti.

Pasi lexova librin me kujtime të Simon Rrotës, bashkë me librin e Karlo Radojës, u mbusha me Shkodrën time të shekullit që shkoi, plot ngjarje e njerëz që, ani pse kurrë ma nuk kthehen, më erdhën aq pranë e nuk do të ikin prej meje kurrsesi. Kësisoj ndodh kur, një piktor i madh dhe një muzikant i njohur, që dinë çfarë është harmonia e ngjyrave dhe e tingujve, dinë njëjtësisht të përbashkojnë atë harmoni edhe me fjalën e shkruar në kujtimet e jetës së tyre me aromë Shkodre.

Filed Under: ESSE Tagged With: arome shkodre, I biri i Karmeles, Kolec Traboini

SHËN VALENTINI DHE DASHURIA

February 14, 2019 by dgreca

Asllani 21

Nga Asllan BUSHATI/

Të paktën ka më shumë se tri mijë vjet që shkruhen e këndohen këngë  për dashurinë si ndjenja më e bukur njerëzore. Kjo shprehet qartë  në librat e hershëm dhe në këngët popullore (folkun)  e shumë popujve që i rezistuan  asimilimit e zhdukjes. Edhe në këngët tona popullore shqiptare , të herëshme e të ditëve të sotme , ndenja e dashurisë është mjaft e fortë  dhe gjurmlënëse. Mbi këtë bazë (traditë),  është mbështetur edhe kënga popullore qytetare, muzika e lehtë dhe shumë zhanre  të  tjera muzikore.

Kurse për Shën Valentinin si simbolizimi dhe mbrojtësi i dashurisë, të paktën  shkruhen e krijohen thënie, anekdoda, poezi, shkrime etj, këto  njëmijë e shtatëqind vitet e fundit. Në Shqipëri komuniste  të E. Hoxhës, ishte herezi ta përmendje emrin ”Shën Valentini”, por mund të pranohej me gjysëm zëri  vetëm “dita e të dashuruarve” duke parafytyruar vetëm një tufë me lule “mimoze” ose një kartolinë. As që mendohej për dreka, darka e aktivitete  muzikore  si sot, sepse partia shtet kishte futur e ligjësuar në jetën e shqiptarëve , datat e veta.

Unë nuk kam talentin as të shkrimtarit e as të poetit  dhe nuk zotroj mjetet e duhura të të shprehurit  artistik për të dhënë përcaktime  për Shën Valentinin  dhe dashurinë. Por duke qenë se sot është 14 shkurti, i shenjuar në kalendar si dita e të dashuruarve (Shën Valentini), si shumë njerëz të tjerë  në botën shqiptare  e më gjërë, po shpreh disa mendime nga përvoja ime dhe  nga c’kam lexuar e dëgjuar  për këtë temë.

Më përpara martesat (jo vetëm tek ne shqiptarët), kanë qenë objekt interesash dhe shumica nuk kanë patur asnjë lidhje me dashurinë. Kështu kanë vepruar mbretëritë, bajraqet, fiset, shtëpit etj, duke thënë :” kemi zënë një miqësi të mirë, derë fisnike, derë bujare, shtëpi pushke e trimërie, shtëpi e kamur etj etj.

Por dashuria në të vërtetë nuk është interes. Për të ka shumë përkufizime, thënie të qëlluar dhe zbërthime, të cilat vërtetojnë se ajo është ndjenja më e thellë dhe më e bukur  njerëzore  që të jep qetësinë e duhur shpirtërore dhe të motivon për të jetuar me të gjitha të mirat që na rrethojnë. Dashuria është plotësim i shpirtit të boshuar, në ankth ,në  pritje, në  ekstazë, në zemrim, në stres e  trysni,  madje edhe  në rutinën e përditëshme. Pa dashurinë s’do të kishte kuptimin e duhur vetë  jeta, sepse ajo kërkon më së pari të falësh dhe të marrësh dashuri, madje të kujdesesh se mos ajo venitet, dobësohet ose humbet. Humbja e dashurisë është errësirë e madhe dhe boshllëk shpirtëror.

Në gjykimin tim dashuria nuk është gjithnjë në  brendinë e një lidhjeje,( fejese, bashkjetese apo martese). Madje statistikat dhe studiuesit tregojnë se martesa në shumicën e rasteve është vrasëse e dashurisë. Por edhe si e tillë martesa (bashkjetesa), është domosdoshmëri se pa të cilën, ska  riprodhim  të jetës, ska familje si bazë e shoqërisë, ska vijimsi dhe në fund ska edhe dashuri.

Dashuria në një aspekt tjetër, cfaqet edhe si një lidhje  e fortë shpirtërore me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vllezërit , motrat, nipat, mbesat, kushërinjt, gjakun e gjininë, shokët, miqt, kolegët, dashamirët etj. Po ashtu cfaqet edhe për kombin si një forcë e brendëshme  shtytëse për mardhënie të forta e të qëndrueshme  politike, ekonomike, kulturore, etike, estetike, morale, ushtarake, shkencore, sportive etj.

Nuk ka gjë më të keqe për dikë, që nuk dhuron  e nuk pret dashuri. Shpirti i tij i boshtë, ka humbur cdo gjë, përfshi dhe shpresën që thonë se vdes e fundit.

GËZUAR  këtë Shën Valentinin dhe shumë e shumë të tjerë shoqëruar me  një oqean me dashuri.

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati, Shen Valentini

E PARA BIBLIOTEKAT DHE E FUNDIT BIBLIOTEKAT

February 12, 2019 by dgreca

Nga Xhevair Lleshi/

E para është Fjala. Shkruhet në Bibël. Po edhe ka qenë e para, sigurisht. Do të jetë patjetër edhe e fundit. E kur themi Fjala (e folur apo e shkruar, s’ka rëndësi) nënkuptojmë Biblioteka. Mund t’i duket dikujt edhe një çmenduri, por ama të mos harrojmë se gjërat mund të fillojnë kështu: me një çmenduri. Se dihet që brenda është pasioni dhe ky i uruar është vetëm i çmendur. Bibliotekat! Kudo. Në çdo qelizë. Kushdo që ka dëshirë ta bëjë për së mbari këtë vend, duhet ta fillojë e ta mbyll me bibliotekat. Si, si e harruam , ta themi troç dhe qartë, si harruam kohën kur çdo qelizë e jetës shoqërore, e botës së punës dhe e kohës së lirë kishte një bibliotekë. Aty edhe një postë kufitare dhe një anije peshkimi! Nuk ju vjen në mendje, po ja që po jua sjell unë. Mendoni paksa se të kujtuarit e gjërave kurrë nuk ju bën keq. E pra bibliotekat ndokush i ka lënë në prehër të harresës sepse brenda ishte ideologjia marksiste-leniniste, veprat e E. Hoxhës dhe të PPSH, por ama çdo fshat kishte vatër kulture, dhe ato në qendër kishin biblioteka. Po ashtu çdo ndërmarrje shtetërore (edhe në fund të botës të qe) kishte bibliotekë, po ashtu çdo repart ushtarak, çdo institucion, shkollë, burg, spital, anije, pika stërvitore, repart, qendër e rëndësishme (madje edhe e parëndësishme) etj., etj.,… pra edhe një qelizë Shqipërie kishte një bibliotekë dhe ne ishim një nga popujt që lexonim. Po, po, lexonim dhe ushqyem ëndrra të mëdha. Herë tjetër jo në tym e kam thënë numrin e saktë të bibliotekave. Sot jini apo s’jini në gjendje për të ditur numrin e saktë mjafton të kini para syve panoramën e gjerë të shtrirjes së tyre. Dhe nuk bëhet fjalë për nostalgji po thjesht për ta prurë atë realitet në kohën tonë.

Sidoqoftë, si nuk zuri mend kjo Koha e Re, me pretendime aq të mëdha e, njëkohësisht me aq dëngla e premtime të bujshme, si? Kjo kohë do të kishte e ç’nuk do të kishte, aty edhe çeqe të bardhë dhe… me siguri do të na përmbytninbibliotekat. Mirëpo ja, kaluan si pa u parë, gjithnjë nëpër këmbët tona, tridhjetë vjet (dhe nuk janë pak për këtë jetën tonë jo kozmike!) dhe Shqipëria e gjorë nuk ka biblioteka! As me ligj, as pa ligj. Dhe mos i vini re karagjozllëqet e filmuara për biblioteka nëpër lagjet e Tiranës! Ato janë vetë sarkazëm dhe aq, që t’i mbledh buzët dhe ti i përvesh nga zori. Dhe, ta mendosh: është tejet e vështirë ta mendosh Tiranën pa biblioteka! Se vetëm ajo ka 36 qytete shqiptare! Domethënë vetëm Tirana duhet të kishte 36 biblioteka, pa përfshirë bibliotekat e mëdha; kombëtare, shkencore, universitare, akademike, korpuset etj., se në të vërtetë as këto nuk ekzistojnë, duke lënë paksa mënjanë Bibliotekën Kombëtare, e cila nuk ble libra, por ama qahet e lënduar se s’ka ku të çojë librat e shkarrashkruesve shqiptarë.

Pa fjalë të tepërta miq! Është e tmerrshme t’u lësh brezave që vijnë këtë vend kaq të mjerë! Ne kemi gati 2000 shkolla të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe universitetet, kemi mbi 20 mijë biznese të mëdha, pastaj kemi plot institucione, ushtri, spitale, azile, polici, burgje e çfarëdo tjetër dhe kudo nuk kemi biblioteka! Dhe ndërkohë ishte dhe është kaq e thjeshtë sa të humb menjëherë edhe oreksi! Pa pikën e andrallave po me një optimizëm të paparë. Maksimumi Shqipëria jonë nuk do më shumë se tremijë biblioteka. Dhe të mendosh që ato janë të ndërtuara kryesisht në shkolla, për të funksionuar si biblioteka të shkollës dhe të komunitetit. Mbetet vetëm të pajisen me libra. Po ne çfarë, vetëm libra nuk paskemi? Jo, mo libra dhe shumë të mirë ka, por askush nuk i do bibliotekat, sepse pranohet që 40 milionë euro t’i hedhim për 2 km rrugë që sigurisht ekziston, është e ndërtuar (pra, për t’i ndarë me barkun e Shën Mërisë ato para!) dhe ja gjysma e këtyre parave do ta kishte mbushur Shqipërinë që nuk lexon më, përplot biblioteka dhe të ishin çelur kudo nëpër institucione bibliotekat e shkreta! O Zot! Një gjë e mundshme bëhet krejt e pamundur. Dhe mos pasja e tyre vjen nga kryeministra që shkruajnë vet libra, nga politikanë që i kanë mbushur raftet me libra tirazhi dhe jo libra që s’ka ku të shiten, sepse është e pamundur të shiten, në një vend që s’ka librari dhe në pastë ndonjë tek tuk ajo e mjerë nuk nxë dot as gazetat. Me ato pará që hidhen kot (Kot jo, xhanëm, se ato pará duket se janë mirë në xhepa se sa të bëhen libra!) mund t’i ndërrohej faqja vendit duke ngritur 36 biblioteka publike në Tiranë, duke i lejuar urat e Lanës të kthehen në librari të vërteta e të fuqishme që Tirana të mund të cilësohet kudo si kryeqyteti me librari të mëdha prej xhami në urat e një lumi të vogël. Të paktën tani që afron 100 vjetori duhet të arrihet ky projekt i bukur, i pakushtueshëm dhe mjaft qytetar. Po pse, pse, pse, pse, pse, pse nuk i japin, teksa nuk harxhojnë asnjë kacidhe?!

E di që mund të vërsulen dhe të nxjerrin nga goja lloj-lloj palavish, por unë kam këmbëngulur dhe këmbëngul: kthejeni sa më parë urën e madhe midis Taivanit dhe Sky-Tower në qendrën më të madhe të librit. Fillojeni prej këtej! Aty në një ditë venë e vijnë mbi njëqind e pesëdhjetë mijë kalimtarë dhe me probabilitet aty do të marrin kontakt me librin 10 për qind e tyre. Projektin e kam gati. Ejani o zotërinj ta bëjmë. Pse jo! S’ka kurrfarë shkaku për t’u penguar, përveç meskiniteteve. Ia vini emrin si të doni. Dhe ashtu, jo me budallallëk e me mendje për të zhvatur. Kini një mundësi të artë në duar. Tirana, (për shembull Tirana, pra!) nuk do të ketë 36 biblioteka publike që zumë ngoje, por aq biblioteka komuniteti sa shkolla të mesme e shkolla 9 vjeçare ka dhe ky është një numër i konsiderueshëm! Po kështu edhe në të gjithë vendin. Me të njëjtën logjikë. Biblioteka mbi det. Biblioteka mbi lumë. Biblioteka urë. Biblioteka anije. Biblioteka shkollë. Biblioteka repart ushtarak. Biblioteka institucion. Si biblioteka shëtitëse e Lezhës. Bëjeni këtë vend të vogël dhe pa shpenzime! Sepse 20 mijë kompanive të mëdha e të fuqishme, po t’u njihen shpenzimet e bëra për bibliotekat edhe pagesa për tatimet (jo thjesht shpenzime për t’i zbritur nga bilanci) do të fitonit një kredibilitet kulturor të paparë. Dhe sipërmarrja është një çast larg punës nga urdhri juaj i nderuar. Ju lutem mos i quani ëndrra këto! Mos i quani budallallëqe vetëm pse nuk ngrohen xhepat e iksit e të ipsilonit. Jo. Bëjeni Shqipërinë me kulturë të lartë, sepse thjesht do jetë në nderin tuaj!

Nesër do të thonë: vajtëm në Shqipëri dhe nuk gjetëm drogë dhe kriminelë, nuk gjetëm fabrika e kombinate të mëdhenj… por ama gjetëm biblioteka e librari, gjetëm shumë libra! Ejani po të doni, shkojmë bashkë dhe e shohim! Një vend ideal. Dhe një vend që lexon do bëhet se s’bën. Dija të bën. Dhe bibliotekat sigurisht do të mbeten një pasuri kombëtare, sepse të gjitha janë biblioteka të komunitetit… Atëherë do të themi: Po e meritonte kjo e mjerë të ngrihej lart vetëm nëpërmjet LIBRIT. Fjalës. E cila nuk është vetëm e para, po edhe e fundit. Dhe Fjala është Bibliotekë…

Tiranë, më 11. 02, 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: E FUNDIT BIBLIOTEKAT, E PARA BIBLIOTEKAT DHE, Xhevair Lleshi

Krenari pakokë

February 11, 2019 by dgreca

1-astrit-Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Shqipërisë duhet t’i vij turp nga vetja kur sheh njerëz me talente që braktisin vendin dhe e gjejnë veten në shoqëri që krijon mundësi. Ermal Meta, Dua Lipa, Bebe Rexha, Rita Ora e të tjerë janë bërë me famë në botë. Por pse Shqipëria duhet të krenohet? Eshtë turp kombëtar kur vendi ku njeriu lind, që është vendi i vet, nuk krijon mundësi për të jetuar e realizuar shpresat. Shqipëria, shtet mbi 100 vjeçar merret ende me tranzicionin e pushtetit të vet, apo me pagesat me këste për ish të përndjekurit. Vendi duket sikur të ketë dalë nga një luftë civile, që thuhet se kurrë nuk ka patur, ndërsa njerëzit ushqehen me urrejtje të trashëguar. Qeveritë kanë ardhur e ikur sikurt të ishin kuislinge ose grupe a familje mafioze qe kujdesen për llogaritë e veta, vrasin, burgosin, pushojnë nga puna vetëm se kreu është paguar më shumë nga një tjetër. Qeverisja duket prej hajdutësh, njerëz të intrigave, poshtërsive, servilizmash, apo tjesht të hurrit e litarit. Dhe pastaj hedhim sytë përtej detit, gjejmë këtë-atë shqiptar të suksesshëm, mburremi dhe ushqejmë egon e sëmurë e krenarinë kur nuk kemi kokë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, krenari pakoke

Libri “Para-j-sa?! i Petraq Ristos – libër thesar

February 8, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Petraq Para-J-a sacShqiptarët, të pakët në numër, duket se janë të pakët edhe si lexues të letërsisë së tyre. A nuk e dinë se nga mosleximi, një komb bëhet akoma më i vogël e më i varfër në dije, kulturë e në të gjitha? Sepse nuk mund të hidhen tej a mbulohen romane e poezi me vlera të shumta të një brezi bashkëkohorë poetësh. Një prej tyre është Petraq Risto. Poezia e tij përshkohet nga trishtimi, ndjenjë që Risto e vesh me një vello shpotitëse. Vetëm kështu e veshur ajo mund të fshihet e shtrihet thellë në zonën më të thellë të shpirtit, ku bluhet derisa bëhet pluhur e shpërthen jashtë nën presion. Me një stil të rrjedhshëm vargjesh të lira, në librin poetik “Para-j-sa?!”, Risto ndihmohet nga kjo ndjenjë herë-herë pesimiste-zhgënjimi-trishtimi për të krijuar vargje perlash të tilla për t’ia hedhur në qafë si stoli çdo njeriut jo-foshnje apo të gjithë atyre që duan të lexojnë:

“Si të bujtim në të njejtën sofër
me mbrëmjen e lodhur nga pjekja…” (Thelbi i padukshëm)

ose

“Një dorë valëvitet në ajër: flamur përshëndetjeje
Nga që s’merr përgjigje, si re në ajër tretet…)

Por veç njeriut që nuk lexon, është edhe mësuesja që vret veten kur sheh ish nxënësit që ulen thjesht për të lexuar vetëm përmbajtjen e faturave të shpenzimeve që u vijnë një herë në muaj; ky është i vetmi fryt i mësimeve të saj, çdo dije tjerër e ka humbur vlerën:

“E gjetën në rrënojat e qytetërimeve të vjetra me lulëkuqe në tëmth
Me buzëqeshje cinike në gojën e hapur ku vërtitej një bletë e hutuar….” (Mësuesja e historisë vetvritet)

“Para-j-sa?!” përmbledh poezi që Risto i ka shkruar kohë pas kohe në shumë vende të botës ku ka shkuar jo si shetitës por si qëmtues i përvojës së tyre. Ai merr atmosferën e ditës, dhe frymëzohet duke e shprehur në vargje, si këto shkruar në Tiranën e 2016s:

“I fundosur në një det sa një dhomë, me dallgë sa një pasqyrë apo sa një jastëk
Me peshkaqenë sa një mendim, sa një frikë e herëshme, sa një kërcënim..”
(I fundosur…)

“Para-j-sa?!” në rreth 300 faqe përmban edhe nje kapitull me Epitafe:

“Shumë gjëra i mësova gjatë rrugës
Dhe kur arrita në fund të saj
Rruga nisi të qaj…” (Epitaf 407)

apo…

“Jetova në një shkëmb me një skifter: herë e ushqeja, herë më ushqente
Në shkëmbin e madh gdhenda vargje paprerë, dëgjoja recitimin e erërave
U zbut skifteri, mi solli bilbilat në derë….” (Epitaf#103…)

Duket se autori Petraq Risto parasheh se kulturës (por edhe njeriut, shoqërisë) shpejt mund t’i vijë vdekja, mund të shuhet, nëse harron një nga bashkëpuntorët e tij më të mirë, më besnik, më të pashtershëm, i cili është libri që lexohet.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: "para-j-sa?, Astrit Lulushi, liber thesar, Petraq Risto

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 269
  • 270
  • 271
  • 272
  • 273
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT