• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NOLIADA

October 27, 2018 by dgreca

1 nOli
Ese nga Namik Selmani/
Ndoshta ka patur plotësisht të drejtë i madhi Noli kur ka thënë autobiogafinë e tij se lindja e tij më 6 janar e kishte shenjtëruar jetën e veprën e tij të kaluar e të mëvonshme. Nëse do të ishte e vërtetë kjo thënie, të gjithë shqiptarët amerikanë do ia ndërronin emrin e tij dhe do i thonin me atë ndajshtim që i vihet para emrit “Shën Noli”. Po, 83 vitet e jetës së tij që nuk janë më pak e as më shumë për të dhënë portetin e një jetë guximtare, talentin, pasionin, dobinë për vete e për kombin që i përket, pse jo dhe disfatat e betejave të 83 viteve. Kërkoi pa fund shpresat e tij Të duket se në udhëkryqet që kalonte kombi ynë (O, sa shumë udhëkryqe ka patur dhe ka kombi ynë në historinë e tij shekullore!) në vitet ku Noli u bë faktor kombëtar, ai kurrë nuk i humbi shpresat e tij dhe në ato kohë kur E keqja i shfaqej shumë herë me një mijë ngjyra natëndjellëse. Mbase për të na dhënë dhe neve bashkëkombasve të tij të 50 viteve më vonë modelin e një luftëtari pa armë me plumba por na dha dhe moralin më të vyer njerëzor. Mbase ai do të ketë lakuar në një zë të përbashkët me të madhin Branko Merxhanin e kohëve moderne thënien mjaft të saktë e të bukur se “Nëse kombi im i humb shpresat, atëherë do t’i jap të miat”. Arti i rrallë poetik i Nolit e rreshtoi atë në aradhën e parë të historisë së letërsisë sonë, me një poezi tribunale, por jo nga ato poezi që harrohen në minutë, por me poezi që mbeten flamuj në kohëra për mesazhin që përcjellin, për forcën shprehëse, për frazeologjinë që përdor.për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë. Është lirika politike që rrallë e kemi parë në autorë të tjerë dhe që bashkë me labin e meçur Ali Asllanin bënë epokën e saj. Nuk e di të vë në peshorën e Kombit tonë Atë kontribut që ka bërë secili prek dritën e gjerdanuar të shekujve për këtë komb, veç dua të them të shkruaj se Fan Noli nuk mund të mbahej mend vetëm për këmbanat e kishës së Shën Gjergjit në Boston ku ai kaloi një pjesë të madhe jetës së tij. Po kur linte pas gjëmimin e butë të këmbanave dhe shkonte në atë hyrje të thjeshtë ku banonte ai niste punë të tjetra të vyera për mbrothësinë e kombit të tij.
…..Kur erdha për herë të parë në Boston në ditët e para të qëndrimit tim, në atë qytet të bukur dhe me kurorë universitetesh që ia jep tradita e madhe sidomos ajo e Harvardit bëra vizitën e parë në Kishën e Shën Gjergjit. Në mënyrë simbolike bëra dhe një fotografi në altarin ku ai ka bërë meshën e tij Në ato ditët një mik imi, Paolo Lako që sot nuk jeton më, më dha një dhuratë të bukur të rrallë. Ishte një disk ku ishte fjalimi i rrallë i Nolit. E dëgjova disa herë. Një fjalim që vë në mendime secilin politikan apo dhe njeri të thjeshtë që quhet shqiptar. Thjeshtësia e jashtëzakonshme e tij në veshje, në sjellje, në marrëdhëniet me shqiptarët e amerikanët kishte përballë pasurinë e madhe të mendjes së tij, kishte gjuhëshumësinë që ai kishte në çdo hap jete dhe që do të na linte me të thesarët më të mëdhenj të njerëzimit. Nuk e di se kush do ta konkurronte në anglishten e tij të saktë poetike Nolin në përkthimet e tij brilante të veprave të Shekspirit. Brenda studimit të historisë së politikës shqiptare dhe asaj botërore ai do të hynte në majat gati të paarritshme me studimin për Beethovenin. Për Beethovenin që do të mbahet mend edhe për sfidën që ai i bëri artit të tingujve me mungesën e dëgjimit të tij me shurdhërinë e thënë pak më shqiptarçe. Kur mbaroi studimin për të ai la pas një thënie të mençur që i shërben të gjithë kohërave të jetuara dhe të pajetuara “Pa karakter të fortë të madh, nuk ka as artistë të mëdhenj” Mos vallë edhe Noli do të ishte me këtë punë të jashtëzakonshme pa asnjë motiv fitimi si bëhen sot në shumë raste në Shqipëri e në Botë një lloj siamezi me atë forcë të me atë ambicje njerëzore që ai kishte në çdo hap të jetës në çdo ditë të saj?? Mos vallë po profetizonte edhe ai pasjetën e tij të mençur, të paharruar që të trazon bukurisht shpirtin dhe imagjinatën, të nxit ambicjen dhe dëshirën për t’i shërbyer kombit tëtij. Në jetën e pasjetën e tij ai merr dhe sot sa e sa vlerësime për atë që ka bërë për atë që ka shkruar për atë që ka menduar ai për kombin e tij
…Ai preku dete dhe brigje që rrallëkush nga ata që kanë qenë prijatarë të mendimit të kulturë s, të politikës së kombit tonë mund ta kenë bërë . Preku brigjet e Mesdheut, të Afrikës, oqeane, dete. I provoi të gjithë kostumet e profesioneve dhe të pasioneve të rralla që ai kishte për të bërë që më vonë ose dhe në gjallje të tij ai të na krijonte një hulli të re që mund ta quajmë pa mëdyshje NOLIADË. Saga e Noliadës ishte dhe mbeti bash si Sagat e Evropës dhe Amerikës që kudo të nxjerrë hiret e saj të muzeve të skulpturave, të tingujve të vetrinave, të mbushura të rrugëve, të tryezave, të universiteteve. Provoi, edhe pse për pak kohë kostumin e një kryministri që e pa popullin e tij nga ajo që ai donte të bënte për të dhe që nuk mundi ta bënte kaq gjatë, kaq mirë . Ishte koha që edhe Evropa kishte hallet e saj të shumta. Provoi kostumin e diplomatit dhe fjalët e tij në Paris e në Lidhjen e Kombeve në shërbim me kaq hire mençurie në shërbim të shqiptarizmit e aq më shumë edhe të anglishtfolësve e anglishtshkruesve që e panë dhe e shohin edhe sot e kësaj dite si modelin të një ligjërimi mrekullor që panë se Noli ishte përkthyesi më i mirë në botë për përkthimin e veprave të Shekspirit në gjuhët e huaja. Provoi e veshi edhe këpucët e baltosura të fshatarit dhe me simbolin e “opingës” do të bënte sa e sa shkrime dhe do të jepte zgjidhjet e tij politike. për këtë shtresë sociale të popullit tonë. Me këtë psikolgji ai e deshi po kaq shumë dhe farën e bimës, flladin e pranverës dhe do i përulej me nderim brazdës së tokës dimrave, pranverave. Atje në tavolinën e tij të punës ai vuri pranë njëri-tjetrit Shekspirin dhe Ibanjezin. Vuri Don Kishotin dhe Hamletin. Vuri mjaltimin e poezisë së Khajamit dhe filozofinë e të gjithë kohërave. Se për të gjitha kishte dhe ka nevojë kombi ynë dhe cdo komb që do mbrothësinë . Ani pse në kohën që ai ngjiste maja përkthimi shqiptarët ishin shumica analfabetë .Ani pse Aleksandër Moisiu i madh do të rizgjonte Hamletin në skenat zvicerane, ruse gjermane, amerikane..e nuk do t;ia jepte magjisë së skenës shqiptare. Madje në kohët e tij ai donte të mësonte hebraishten. Për këtë dikur ai shkruan: “Katër vitet e fundit po mësoj hebraishten me qëllim që të përkthej Dhjatën e Vjetër nga origjinali dhe për këtë po punoj tani..” Dhe të mos harrojmë se ishte viti 1964 vetëm një vit para vdekjes. Për këtë i madhi Dritëro Agolli shkruan më vonë: “Fan Noli e bëri Don Kishotin të ëndërrojë shqip. E bëri Otellon të zemërohet shqip. Hamletin të pikëllohet shqip. Ai e bëri Omer Khajamin të tallet e të qeshë shqip. Me këtë ai tregoi se gjuha shqipe është nga gjuhët që mund të japë gjithë nuancat e fjalëve e tingujve e gjithë shkallët e mendimit njerëzor.”
Në të gjithë vitet e jetës së tij ai do të kishte brenda vetes statusin e emigrantit politik e ekonomik. Në të gjithë botën me shumë gjuhë e me shumë kufinj gjeografikë, emigrantët kanë një status të përbashkët me të gjithë sfidat që ata kalojnë Dhe e provoi bukur mirë bukën e mërgimit në Athinë, në Egjipt, në Evropë në Amerikë e kudo ai ishte dhe mbeti “gur i shkulur”. Jetoi me hallet e problemet që ka çdo emigrant në botë. Kjo i dha një “pasaportë” humanizmi kur fliste për shqiptarët e Amerikës që ishin emigrantë që punonin aq shumë që e donin aq shumë atdheun e tyre. I erdhi shumë mirë edhe kostumi i klerikut të fesë ortodokse shqiptare në Amerikë. Ai kostum që e bënte atë më shqiptar se shqiptarët. E sërish duke ndjekur këto vite nga vetë imzot At Artur Lilon mësuam se ai jetonte në kushte shumë të thjeshta dhe ishte shembull edhe për të tjerët. Dukej se buzëqeshja e tij e ngrohtë rrezatonte në të gjithë cepat e kishës së Shën Gjergjit. E vetëm pak vite ai jetoi fizikisht në Shqipëri e kjo nuk e pengoi atë që të njihte mentalitetin shqiptar zakonet, traditat , gjuhën, kulturën, fenë. Të mos harrojmë se pikërisht në vitin 1924 në Beratin e bukur që mund të quhet edhe “Qyteti i Tolerancës Fetare” do të ishte prijatar i Kishës Autoqefale shqiptare gjë që do ta mbante të ndezur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hyri në Betejën e Shkronjës së Përkthimit si luftëtari më i fortë dhe si fitimtari më i devotshëm. Në një betejë nga më të bukrat e më afatgjata që ka patur e do të ketë njerëzimi dhe që kërkon. Ngado që shkoi e në çdo prag që hapi e në çdo tribunë ku hipi ai kujtonte Ibrik Tepen e tij që kishte kaq pak shtëpi, por dhe kaq shumë shqiptarizëm. Më vonë në brigjet e Atlantikut në Boston e pikërisht në lokalin me famë shqiptarie të mikut të tij Antoni Athanas ai meditonte për një jetë të re, për jetën që kishte kaluar. E në atë restorant që e kishin vizituar presidentë e gjeneralë, milionerë e njerëz të kulturës së mbarë Amerikës që quhej “ Pier Fori” kishte përherë në çdo ditë të vitit një tavolinë të rezervuar për mikun e nderit Fan Noli ku ai pinte kafenë dhe takonte bashëatdhetarët e tij nga e gjithë Amerika. Aso kohe e ishte thënë prej kohësh atë dyvargësh mençuror që bashkonte shpirtërisht dy kombet tona
Mbahu nëno, mos ki frikë.
Se ke djemtë në Amerikë
Ishte përfundimi më i madh që do të bënte me kaq thjeshtë si dhe largpamësi një intelektual të së parë për marrdhëniet shqiptaro-amerikane të asaj kohe e të kohëve që do të vinin.
Noli na la pas një NOLIADË. Një frymë më të ngrohtë që nuk ta japin as zjarret më të fuqishëm të globit, na dha mesazhin e emancipimit social të përkthimit
Noli na la pas një Maratonomak të ri. Shumë më të fortë se ai i lashtësisë Jo një maratonomak si ai i një piste vrapimi që ka një cak ku e nis dhe ku e mbaron udhëtimin e tij vrapues, po një maratonomak që ka kudo pista të hapura me ambicje të madhe me synime të qarta se ku do nisesh dhe se ku do të arrish. Sa bukur të kishim sa më shumë maratonomakë si Noli që na mungojnë e na mësojnë se jeta është sfidë është luftë është përpjekje aq më shumë jeta e një kombi si yni që e ka patur sakfificën pjesë të jetës së tij, të historisë së tij .. gjer sa të vdes Në vitin 1908 ai i dërgonte një letër mikut të tij Thanas Tashkos një letër ku i shkruante për një dëshirë, për një amanet të çuditshëm që rrallë mund ta dëgjosh diku
Dhe do të luftoj.. gjer sa të vdes
Shpërblimi më i mjaftë do të jetë
Një këngë prej labësh dhe
labëreshash kur të vdes”
Përtej këtij amaneti që ai e kishte
bërë më 1908 do ta dëgjonim dhe lexonim një mesazh po kaq të fortë mençuror “të rrojmë me dobi e të vdesim me dobi:” Varri i tij atje në varrezat e Fores Hillit është varri më i thjeshtë nga të gjithë politikanët e kohërave të kombit tonë . Edhe para se të mbyllte sytë e, pikërisht në lutjet e vitit 1960 ai do të shkruante të tjera fjalë monumetale për miqësinë dhe për kontributin e Amerikës në demokracinë e Shqipërisë ‘ Amerika është nëna jonë kombëtare . Ajo na ka dhënë mënyrën amerikane të jetesës, demokracinë dhe barazinë . Zoti e bekoftë Amerikën!”: Është pak të thuash se jemi krenarë me të dhe për të. Për të nuk ka nevojë që të vrapojmë për ta kujtuar, për t’u frymëzuar. çdo ditë e jetës sonë ka nevojë për t’u parë në pasqyrën e Noliadës. Për atë që kemi dhe për atë që duhet të bëjmë. Nuk është nevoja që të shkojmë shpesh në vende të ndryshme të largëta e të afërta për të marrë modele. E kur të gjithë këto modele krijojnë një hulli të re që rrezaton në kohëra atëherë të gjithë duhet të skuqemi në fytyrën e mbushur me dritë ëndrre se nuk ecim në gjurmët e tyre.
Fan Nolin a la pas vetes një VATËR. Një vatër ku në vite e shekuj do të mblidhen shqiptarët e Amerikës të të gjithë krahinave të kombit shqiptar dhe në gjurmët më të lavdishme të të parëve do ruajnë dinjitetin e kombit.
E përtej tërë kësaj sage moderne dhe aq të vyer na duhet që të mbyllim këtë rrëfenjë eseistike me një rrëfim, monolog, quajeni si të doni, që duket se rrjedh edhe më të vrullshme, me fjalë më të mencura, tronditë se, e më farfuritëse se vetë Nili, në brigjet e të cilit ai shkruante këto radhë. Ne që jemi mësuar ta shohim atë në tribuna mentarie, politike, poetike, kishtare, diplomatike, duket se shohim në të romantikun e përjetshëm. Do të kalonin dhe 62 vjet jetë pas këtij rrëfimi. Do të kalonin 115 vjet deri në ditët tona, po ai të godet me mesazhin dhe dridhjen e zemrës noliane. Shohim një NOL-NIL të përjteshëm “ Gjithë këto mendime në trurin tim dhe asnjë në letër. Flë, po flë shpirti im i plogët si Nili, që u mbyll brenda në shkretëtirë .. Ti, o Perëndi shkolite Nilin tim nga shkretëtira dhe hidhe brënda në oqean lëshoji të gjithë erërat. Bë je, o Perëndi shpirtin tim të këndojë e të kridhet në melodinë e detit të egërsuar. Të mbytem në shtrëngatë dashurie..” Dhe vetë Noliada është një Kryedashuri më vete

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, namik Selmani, Noliada

Mos i hani paret e krajlit se shenjë të zezë po i leni djalit

October 23, 2018 by dgreca

1 Nua Oroshi

(turk e shka janë bërë vëlla kundër Gjergj Kastriotit tonë të madh-Nue Oroshi)/

Trojet shqiptare gjatë historisë së përgjakur shumë shekullore e perveç shumë atdhetarëve që u munduan ta bëjnë Shqipërinë dhe që i falën çdo gjë që patën nga pasuria ekonomike, si dhe pasuria mendore dhe fizike e me në fund dhanë edhe jetën , pati edhe shumë prej xuxarëve apo tradhtarëve që përfituan financiarisht në dëmë të popullit dhe shtetit shqiptarë.Në popull nuk është dalur rastësisht shprehja “Mos i hani paret e Krajlit se shenjë të zezë po i lëni djalit!” Kohë më parë nëpër mediumet e shkruara dhe elektronike është përhapur një lajm për financimin e Ministrisë së jashtme greke duke i paguar disa shpirtshitur shqiptarë që të luajnë lojën politike dhe mediatike të Greqisë në Shqipëri. Fatkeqësisht vargu ishte i gjatë i këtyre shpirtshiturve që u shitën tek krajli i Greqisë.Por kjo nuk është e tëra. Situata edhe më keq qëndron në Republikën e Kosovës ku aty janë përzi e po bëjnë kerdi shumë krajli.Edhe me trishtues është fakti se në mesin e këtyre xuxarëve që ishin shitur tek Greku, ishte edhe një Parti e ashtuqujatura Parti që mirret me mbrojtjën e të drejtave të Çamëve duke mos e pranuar këtë fakt me doli përpara Gjin Bua Shpata dhe Pjetër Losha, dy princerit Arbërorë të Principatës së Artës dhe më qortuan shumë rëndë se si është katandisur kështu Çameria, dhe papritmas mu kujtuanë disa vargje të një miku tim poet ku thoshte:”Varret Çameri Varret, duan jetë liri, uratën ,këngën edhe vajin thuaje shqip Çamëri.” Kanë harruar këta xuxarë-tradhëtar eshtrat e çamëve që u masakruan dhe u debuan nga trojet e tyre. Situatë aspak më e mirë nuk qëndron as në Republikën e Kosovës dhe tek shqiptarët e Maqedonisë, ku dikush po i hanë parët e krajlit të Serbisë, dikush po i hanë parët e sulltanit të Turqisë dhe dikush parët e Carit të Rusisë. E disa fatkeqësisht po hanë në të gjithë këta vegsha duke u bërë pjesë e shkatrrimitë të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.Nuk është e rastësishme se në Kosovë kemi milonerë që u pasuruan aq shpejtë sa qelë e mbyllë sytë. Dihet mirfilli se në shtetet perëndimore duhet punuar shumë gjatë një firmë private për të ardhur deri tek kapitali i madh, madje ato edhe trashëgohen nga babai tek djali, dhe çdo njëri e jep nga një kontribut të madh që ta bën rritjen e firmës me këtë të ndërtohen edhe mirëqenien familjare dhe shoqërore, ku paralelisht pasurohet edhe shteti me tatimet që merr nga këto firma.Meqë jemi në vitin jubilarë të Gjergj Kastriotit tonë të madh këtu dëshiroj ta potencoj edhe një fakt .Janë miljona euro që Turqia dhe Serbia kanë futur në qarkullim duke u munduar që ta denigrojnë dhe ti hupin qëndresën heroike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,e para nga inatet dhe mllefi që eshtrat e sulltaneve,jeniçerëve e pashallarëve të vrarë mbetën në Trojet Arberore dhe e dyta nga gjelozia dhe urrejtja patologjike kundër shqiptarëve, si dhe për faktin se nuk ka arritur asnjëherë ta ketë në mesin e tyre një hero të permasave Evropiane që njihet ndërkombëtarisht por vetëm ka pjellur mite dhe mitologji pa asnjë efekt konkret. Ku turk e shka janë bërë vëlla kundër Gjergj Kastriotit tonë të madh. Fatkeqësisht edhe këtu një pjesë bukur e mirë e shqiptarëve kanë ra pre duke marrë mjete të mëdha nga Turqia dhe Serbia për ta denigruar heroin më të madh shqiptarë të të gjitha kohërave Gjergj Kastriotin. E poeti do të shkruante: “Krujë o qytet i bekuar-Prite ,prite Skënderbeun po vjen si pëllumb i shkruar ta shpëtoj mëmëdheun!”E unë do të thoja:”Lezhë o qytet i bekuar, prite prite Kastriotin-se shumë shpejtë do të pretë edhe Prizreni-për ta lutur dhe falur shqip edhe Zotin.”

Filed Under: ESSE Tagged With: bashke kunder, Gjergj Kastriotit, Nua Oroshi, turk e shkja

Poeti Fatos Arapi, fisniku i bukurive të shpirtit

October 13, 2018 by dgreca

1Fatos_Arapi_Traboini– nga Kolec Traboini/

Fatos Arapi ishte dhe mbetet një ndër nga poetët më të shquar e më të veçantë në letërsinë shqipe. Tek ai gjente harmoni të përkryer njeriu dhe poeti. Të gjitha ata që shfryjnë mllefe në këtë dite zie për poezinë shqipe e nuk njohin vlerat e vërteta të një jete krijuese, e kanë paguar dhe vetë haraçin e diktaturës, por kinse janë ndryshe e dalin si vaj mbi lakra. Po kërkojnë të na thonë se kush ka qenë Fatos Arapi (1929-2018) dhe krijimtaria e tij. E kush po ngutet ta përgojojë poetin e vdekur dhe ende të pavarrosur? Bash ata që as e kanë njohur e as e kanë lexuar ndonjëherë poetin e profesorin tonë të nderuar. Nuk ka pasur njeri në Shqipëri që nuk e ka paguar haraçin e vet në diktaturë, por në fund të fundit  siç njeriut i vjen vdekja, vjen peshorja që mat vlerat e ndan grurin nga egjra.

Nuk më pëlqejnë as urra-të e surrogateve komuniste, por as dhe të sharat pa tru në kokë për çdo artist që fati e vuri të jetojë në kohë të keqe. Në fund të fundit kush ka qenë i talentuar ka lënë edhe vlera. Ne flasim për vlerat e jo për plehrat. Mirëpo disa nuk munden ndryshe, veç duke gërmuar ndër plehra. Poetët nuk i krijojnë diktaturat. Përkundrazi poetet janë të parat viktima të diktaturave edhe dje edhe sot. Ky është një mësim historik. Është tragjedi jo vetëm për shkrimtarin, por edhe për popullin, kur regjimet i kthejnë krijuesit në vegla të tyre të verbra.

Fatos Arapi pavarësisht se ka paguar haraç të madh krijues, është një familje patriotesh, ai e donte atdheun e vet, lindi e jetoi dhe vdiq në këtë Atdhe për të cilin ndjente krenari. Lexoni poezinë e tij për atdheun me një dashuri sublime. Po sjell një strofë:

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.

një prill i pikëlluar në shpirt.

atdheu është kryqi, është kryqi.

e mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Edhe atdheu ndjen krenari për të tillë bij. Ai ka qenë një poet lirik me vlera të veçanta që nuk ka mbet për ta vlerësuar disa që as nuk e kanë idenë çfarë është poezia, por telendisën e përpëliten si daci në gaviç në mjerimin e vet mohues e smirëzi. A nuk shpifin edhe për Migjenin kështu, atë gjeni që e ktheu në rrugë të mbarë hullinë e poetikes shqiptare duke e modernizuar atë.

Në një poezi të tij, ndoshta të fundit nga dora e Fatos Arapit, shkruante:

Lexoni heshtjen.

Këtë forcë e qetësi shpirtërore, që me

dorë të saj vendos epoka të tëra para e prapa jush.

Lexoni heshtjen,

Ajo do t’ju tregojë dramën e vërtetë

të një shpirti të papërlyer

me gjakun e ëndrrave hyjnore.

Lexoni heshtjen,

Zbërtheni kodin e moçëm të saj

dhe përshëndetni ditëlindjen e një shprese.

Po ne a nuk po mundemi ta ruajmë kodin e heshtjes pikërisht në ditën e humbjen se madhe të poetikës shqiptare, në ditën e nderimit të fundit për poetin? Një smirë e ligësi e madhe po e shtyn njeriun të flasë pikërisht atëherë kur duhet të heshtë, sepse për analiza poetike, nëse kanë prirje kritizerësh, ka edhe të nesërme. Gjithsesi, edhe nëse i hyjmë një komenti që bëjnë dashakeqësit duke e vendosur Fatos Arapin në rendin e tretë të poetëve të asaj kohe, duhet të dini çfarë mendonim ne studentët që merreshim me letërsi atëbotë dhe botonim edhe ndonjë libër. Treshen në vlerësimin zyrtar e shihnim të përmbysur, sepse e vërteta ishte se ai i treti, pra Fatos Arapi,  në të vërtetë ishte i pari dhe liriku më i mirë i atyre viteve, me pas do te dilnim Frederik Rreshpja, Vehbi Skënderi dhe Ndoc Gjetja e të tjerë.

“E bukura do ta shpëtojë botën” ka thënë Dostojevski. Dhe poeti ynë Fatos Arapi ka lënë perla poetike, çfarë e motivon më së miri dashurinë e lexuesit për autorin. Po citojmë një perlë poetike drithëruese të këtij autori “Si s’të desha pak më tepër”:

Unë e desha përtej vdekjes,

Ashtu dashurova unë

Edhe prap s’ia fal dot vetes:

S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,

T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…

Të gënjejmë mallin që s’shuhet,

Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,

Atje ku nis “ca pak” tjetër,-

Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.

Lirikat e Fatos Arapit janë poezi që mbijetojnë në kujtesën e popullit, në bukurinë shpirtërore të brezave. Nuk i harroj kurrë fjalët që më ka thënë në Athinë në vitin 1995, shkrimtari i njohur ndërkombëtarisht Kosta Valeta, kur po flisnim për letërsinë shqipe: “Padyshim Fatos Arapi është liriku më i madh i poezisë së sotme  shqipe, një poet që ju nderon ndër popuj të tjerë. Them kështu sepse e njoh poezinë e tij.”

Urdhëroni tani e lexoni këto poezi dhe uluni e shkruani të tilla perla, po të keni këllqe, o ju kritizerë. Por pikësëpari duhet ta dini, e nëse nuk e dini ta mësoni para se të uleni e të shkruani me shafran kundër poetit, se shpifja dhe denigrimi nuk kanë qenë e kurrë nuk do të jenë art.

Nderim për poetin lirik Fatos Arapi, këtë fisnik të rrallë të bukurive të shpirtit.

12 tetor 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatos Arapi, fisniku i bukurive, Kolec Traboini, te shpirtit

Fytyra e rreme e përkushtimit

October 12, 2018 by dgreca

1-astrit_lulushi-300x223

…Me fytyrën e përkushtimit, ne bëjmë që djalli të duket engjëll, thotë Shekspiri. /

Nga Astrit Lulushi/

Njerëz të mirë bëjnë gjëra të mira, por mos mendo se ata do ti gjesh nëse ndjek mediat vendase, sepse nuk do ta njihni kurrë të mirën. Portalet nxijnë me lajme për vrasje, dhunë, drogë, korrupsion, skandale. Opozita akuzon pozitën, e cila i kthehet me kundër akuza më të ashpra e padi në gjykata. Me pushtetarë përbindsha e popull të trembur e hutuar, që nuk sheh të ardhme, vendi po ngrihet si një shtëpi e ndërtuar në truall të paligjshëm që pret të bjerë e shkatërrohet.

Ka dy metoda, dhe vetëm dy, me të cilat mund të plotësohen nevojat dhe dëshirat e njeriut: njëra është prodhimi dhe shkëmbimi i pasurisë, ky është mjeti ekonomik; tjetri është përvetësimi i pasurisë së prodhuar nga të tjerët; është mjeti politik, shkaku i rrëmujës së sotme. Pushtetarë të shndërrua kafshë që gjejnë viktima të përjetshme, papritmas bëhen mbrojtës të lirisë, që vendosin rregulla për ata që as nuk lejohen të mendojnë. Me fytyrën e përkushtimit, ne bëjmë që djalli të duket engjëll, thotë Shekspiri.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, e Perkushtimit, Fytyra e rreme

AVNI PONARI, NJERIU I PUNËVE TË MIRA…

October 11, 2018 by dgreca

1 sigal

Nga Dëfrim CANI –publicist/1 avni Ponari
1 Sigal1

1.Duke ju siguruar se vlerësimet për një njeri si Avni Ponari, nuk vijnë nga këmbëngulja publicitare apo njohja që, njëri apo tjetri ka me këtë personazh publik, po nga marrëdhënia që Ponari dhe njerëzit e dimensionit të tij kanë me shoqërinë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, një nga refleksionet e para që i vjen një njeriu të zakonshëm për këtë lloj komunikimi social, vjen nga një fakt i thjeshtë, nga një përvojë e thjeshtë, e njohur nga thellësitë e kohrave për punët e mira që duhet dhe mund të bëjë një njeri në jetën e tij. Njerëzit e “punëve të mira” janë kaq të shumtë në jetën tonë të përditshme sa koncepti duket i hershëm, i zakonshëm dhe që nuk zgjon ndonjë përjetim emocional në dukje të parë. Në të vërtetë nuk është kështu.

Njerëzit e punëve të mira janë fundamentet tona jetike-jetësore që në ditën e parë që ne vijmë në këtë jetë, që në momentin e parë që krijojmë marrëdhënien sociale brenda familjes dhe më gjerësisht se me familjen tonë. Njeriu i parë i punëve të mira është familja, janë nëna dhe babai, të cilët mbartin sakrificën fondamentale të përgatitjes sonë jetësore për të marrë vlerë dhe funksione sociale. Në thelbin e vet, shoqëria njerëzore e ka shtresuar këtë mesazh dhe fundament në raportin dhe detyrën e prindit me fëmijën. Në fund të fundit kjo është një punë e mirë. Pas këtij momenti, çështja e punëve të mira të njerëzve tanë, ato që i njohim dhe ata që nuk i njohim bëhen më të dukshme, më të rëndësishme dhe më reflektare në jetën tonë.

Në historinë e veprimtarisë njerëzore, çështjet e njerëzve të këtyre punëve të mëdha, e kanë ushqyer përvojën njerëzore me shembuj të shkëlqyer, të cilët kanë krijuar jo vetëm shembuj të humanizmit, të shoqërisë në zhvillim, por kanë ngritur sisteme referenciale të zhvillimit njerëzorë. Që në antikitetin e lashtë, në të gjithë kujtesën njerëzore, e cila na ka ardhur përmes burimeve të shkruara dhe të pashkruara, historitë e njerëzve të punëve të mira iu kanë rezistuar kohërave për shkakun e një lloje marrëdhënie universale që ata vendosin me kohën, me njerëzit dhe zhvillimin, si modeli progresiv i pranueshëm.

2.

Shënimet e thjeshta për Avni Ponarin nuk mund të nisin ndryshe, jo për veçanësinë e tij në këtë kohë që po jetojmë, por për shkakun e një modeli të njohur njerëzorë, i cili në thelbin e vet ka humanizmin njerëzorë nga njëra anë, dhe për arsyen e krijimit të këtij modeli në një kohë relativisht të vështirë në vendin më të veçantë të Ballkanit, siç është Shqipëria, me një të shkuar të afërt problematike, por dhe me një të tashme po kaq problematike.

Por përkundër gjithë kësaj problematike bazike të vendit, Avni Ponari ka arritur të krijojë një model emblematik, një shembull valorizues dhe të qëndrueshëm, përmes të të cilit mëson për këtë personalitet interesant, por dhe për një model, i cili arrin të “imponojë” një përvojë praktike- psikologjike, shpresë-dhënëse dhe të dobishme për shoqërinë shqiptare në lëvizje dhe zhvillim. Shoqëritë njerëzore, madje vendet e zhvilluara, më së shumti kanë bërë progress dhe janë zhvilluar mbi modelet e mira, mbi punët e mira të individëve.

Avni Ponari sot njihet mjaft mirë nga të gjithë shqiptarët, në Shqipëri dhe jashtë saj, në Kosovë apo në trevat e tjera shqiptare. Ai njihet si Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQUA GROUP AUSTRIA, një nga grupet më të njohura dhe më gjithpërfshirës të sigurimeve shqiptare. Ka diplomuar në Fakultetin e Marinës në Vlorë dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, duke dëshmuar një dashuri dhe vullnet të fortë për dije dhe kulturë. Në vitin 1999, kur në Shqipëri u liberalizua tregu i sigurimeve, Avni Ponari i besoi intiutës dhe ndërmarrjes së tij private, dhe në shkurt të vitit 1999 krijon Shoqërinë e Sigurimeve “SIGAL”, një ndërmarrje e vështirë, të cilës në Shqipëri i mungonte përvoja. Zakonisht në këto raste, njerëz me aftësinë për të kaluar aktualitetin e tyre, arrijnë të ndërtojnë “projektin” e tyre, i cili kërkon inteligjencë, kurajë dhe guxim. Ashtu siç dihet, “fati” ndihmon më së shumti “guximtarët”.

Jo vetëm në themelimin e SIGAL, por në hapësirën gati 20 vjeçare të tij, ka një të vërtetë të rëndësishme, që lidhet me Avni Ponarin, njeriun më të rëndësishëm dhe më përfaqësues të kësaj kompanie. Avni Ponari pa më të voglin dyshim ka pasur dije të qëndrueshme për ta praktikuar këtë përvojë të njohur në shoqërinë perëndimore, por aspak të lehtë në një vend si Shqipëria, e cila vazhdon të ketë një kulturë të pakët mbi praktika të tilla. Në këtë terren bosh, por dhe të vështirë për ta zgjuar dhe bërë aktiv, punoi dhe kontributori Avni Ponari për të ngritur dhe zgjeruar Kompaninë e Sigurimeve SIGAL. Aftësia për të krijuar besim më së pari, puna dhe transparenca për t’u bërë present dhe i dëgjueshëm tek njerëzit dhe disiplina për të demonstruar korrektësi dhe besim tek njerëzit, kanë bërë që SIGAL të tejkalojë vetveten për t’u bërë present në treguan e avancuar perëndimor, e që nga 13 vjet duke u konsuliduar në këtë treg, duke qenë pjesë e njërës nga kompanitë austriake më të njohura të sigurimeve në Europë.

Në këtë hapësirë 20 vjeçare SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA është shtrirë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, duke qenë present gjithashtu në gjithë Europën. Në këtë hapësirë 20 vjeçare, SIGAL është një nga partnierët më të besueshëm në tregun e sigurimeve me numrin më të madh të produktit të hedhur në këtë treg.

3.

Duke u nisur me një bazë të vogël financiare, rreth 400 mijë dollarë, SIGAL në rrugëtimin e vet 20 vjeçarë ka arritur të jetë një nga kompanitë lidere në tregun e sigurimeve, duke krijuar një marrëdhënie të gjerësishme dhe lamishme të veprimtarisë së vet në këtë treg, por dhe në një investues aktivitetesh dhe veprimtarish me akses kombëtar dhe ndërkombëtar. Siç dhe kuptohet, slogani “Mendo që idetë e mëdha ndriçojnë rrugën”, ka qenë një ide dhe angazhim funksional për SIGAL-in dhe Avni Ponarin, duke i dhënë të drejtë atij në një kohë relativisht të shkurtër.

Duke kthyer kokën pas, Avni Ponari dhe aktiviteti i tij ka vazhduar të rritet, pavarësisht në një klimë të vështirë ekonomike të vendit, të mungesës së një kulture të nevojshme për politikën sociale të sigurimeve, por dhe në një mjedis jo të shëndetshëm ligjorë për këtë lloj veprimtarishë. Gati në çdo rast, në prononcimet brenda dhe jashtë vendit, Avni Ponari ka ngritur shqetësimin lidhur me politikat e munguara të shtetit, lidhur me stimulimin dhe krijimin e një klime optimiste për veprimtari private me përfitim dhe ndikim të drejtpërdrejtë social.

Duke kuptuar thelbin e veprimtarisë që SIGAL ka për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme në progres të vazhdueshëm, Avni Ponari dhe stafi i tij i mrekullueshëm arriti të ketë një terren të konsiderueshëm në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni përmes një mekanizmi të sukseshëm, të cilin Ponari e quan çelësi i punës së tij, për të cilën në një intervistë të tij ai shprehet:”Mendoj që transparenca është çelësi i suksesit të një kompanie sigurimi dhe plotësimi i kërkesave të klientëve me produktet që duan ato”, dhe pse në Shqipëri mund të ketë produkte evropiane pa pasur blerës evropian. Në këtë lloj marrëdhënie funksionale për SIGAL dhe të Avni Ponarit, kompania e tij gjatë kësaj periudhe ka dhënë për shërbimet e klientëve të saj mbi 100 milionë euro dëmshpërblim, duke krijuar një besim të fortë tek klientët e tij.

Në “ballafaqimin” madhorë për të plotësuar kërkesat e klientëve dhe për të diktuar një lloj kulture perëndimore dhe në Shqipëri, kultura dhe orientimi i Ponarit, i cili konsideron se “sigurimi nuk është taksë por investim”, SIGAL tashmë përmes investimit general, Platformës Diçitale (në vigjilje të 20 vjetorit të krijimit), krijon një marrdhënie dhe bashkëpunim të rëndësishëm lidhur me shumllojshmërinë e sigurimeve për makinat, për shëndetin, për pensionet private dhe një sërë sigurimesh të tjera, në të cilat mund të gjejnë vetveten gjithë shtresat sociale të vendit. Larmishmëria e sigurimeve në një klimë dhe në një vend si Shqipëria, është e rëndësishme për t’i përfshirë shqiptarët në një skemë sigurimesh. Ky është një lloj investimi dhe një llojë mundësie, që në vetvete shpjegon dhe një tregues të rëndësishëm të humanizmit të Avni Ponarit dhe të stafit të tij.

Fuqizimin e SIGAL-it e tregon investimi që ai ka bërë gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar dhe një marrëdhënie qytetarie dhe të besueshme që SIGAL ka krijuar me abonentët dhe të interesuarit për të. SIGAL dhe Ponari duket se kanë reflektuar një klimë besimi dhe bashkëpunimi të rëndësishëm në mjedisin shqiptar, të cilët praninë e tyre e kanë sendërtuar në bashkëpunime të të gjithë niveleve.

SIGAL dhe Avni Ponari kanë përdorur mjaft mirë mundësitë që iu ka krijuar klima e mundësisë për të investuar dhe për t’iu ardhur në ndihmë dhe mbështetje, nismave, projekteve dhe nevojave lokale dhe ata me ndikim kombëtarë.

Avni Ponari është president dhe i “Toyota Albania”, ku në sallonin e saj të ri (të kësaj marke japoneze) pjesë e Sigal Businnes Center, me vendndodhje në Autostradën Tiranë-Durrës – km 5, ku gjenden versionet e fundit të Toyotës, që nga Aygo, ato të teknologjisë Hybride deri tek unikja Hilux.

Kështu, Avni Ponari nga viti 2008 e drejton Federatën Shqiptare të Basketbollit, si presidenti i saj, duke i afruar krahas gjithë veprimtarisë së saj dhe mbështetje financiare.

Po ashtu, Ponari dhe SIGAL i ka afruar mbështetje klubit sportiv të basketbollit Sigal Prishtina dhe skuadrës së basketbollit për femra “Flamurtari”.

Është iniciatori i hapjes së Klubit të Artit e Kulturës në Durrës, një klub që promovon artistët e rinj.

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Ponari dhe SIGAL është kontributori i rëndësishëm i prurjes në Shqipëri të armëve të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu, në një moment të rëndësishëm të marrëdhënies të Shqipërisë me Perëndimin dhe me historinë e saj, një histori që shpjegon qasjen perëndimore të shqiptarëve që nga lashtësia.

Avni Ponari ka një kulturë të qëndrueshme në formimin e tij. Vendlindja e tij, treva historike, kulturore, ekonomike, turistike përgjatë luginores lumore ku bashkohet Valbona me Drinin, ku tokë ndodhet rrënjas fisi i Ponarëve– më i vjetri fis në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), dhe Dushajt (fis tjetër i ardhur aty), Raja (Breg Lumi), Tplani, Geghyseni me Arvejë, janë një perlë e natyrës së Veriut Shqiptar, me një traditë kulturore dhe një lloj romantike natyrore, që reflekton në natyrën poetike të kësaj treve, e cila ka lënë brenda tij, Avni Ponarit, një ndjeshmëri poetike në marrëdhëniet dhe refleksin për të dhënë ndihmë dhe kulturë bashkëpunimi.

Kështu, kanë nderimin për Avni Ponarin dhe SIGAL rikonstruksioni i shkollave në Vertop, Lukovë, Lybeshkë dhe projekte të tjera. Do të veçoja shkollen e mesme të Fierzës, të qytetit të dritës ku u ngrit Hidrocentrali i madh i Fierzës me digën e tij nga më të lartat, me dy liqene artificial – të Fierzës e të Komanit; shkollës ku mësuan qindra nxënës nga Ponari e viset rreth tij dhe nga e gjithë Tropoja e Puka, nga e gjithë Shqipëria, ndër ta dhe vet Avni Ponari ishte në bangot e saj. Ai rikthehet aty si një investitor mjaft kontributor, pasi në cilësinë e Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe të fuqisë së tij si biznesmen i sukseseve, e kreu rikonstruksionin e brendshëm të kësaj shkolle, pastaj e ndërtoi nga e para çatinë e shkollës, e– hapi i tretë, pajisja më 20 kompjutera e materiale të nevojshme për klasat e mësimit. Kjo shkollë në rreth një gjysëm shekulli, prej 1 shtatorit 1972 të kohës së hapjes si shkollë e mesme profesionale tredegëshe (ndërtim, elektrike e mekanike) për nevojat e veprës së dritës të Fierzës e prej 1 shtatorit 1982 të kthimit në shkollë e mesme e përgjithshme, nuk kishte parë e ndjerë një investim të tillë proçesor,  tërësorë, kaq efektiv, bashkëkohor. Tani, mbi 400 nxënës të fshatrave të Fierzës, të Rajës (Breg Lumi), Ponarit të Lekës, Dushajt, Tplanit, Degës, Lekbibajt (Nikaj-Mërturit), etj. do të zhvillojnë mësimin në kushte normale në Shkollën e Mesme të Bashkuar Fierzë, falë dhe interesimit e investimit të Avni Ponarit, birit të trevës ku ngrihet kjo shkollë, i kësaj treve luginore dybigore ku bashkohet Valbona me Drinin.

Po ashtu mbështetja financiare e SIGAL-it e Avni Ponarit ka qenë dhe për Festivalin Ndërkombëtar të Gjirokastrës, Festivalin Ndërkombëtar të të Vokalit Operistik “Marie Kraja”,  publikimin e rëndësishëm të veprës monografiko-historiko-psikologjiko-social të At’ Zef Pllumit të titulluar “Rrno për me tregue” dhe “Nata vjeneze e stilistit Eno Peçi”…

Të kthyera në vlera monetare, bashkëpunimi dhe mbështetja e projekteve që SIGAL ka afruar vetëm në Kosovë, kryesisht për krijimin e industrisë në këtë shtet mbi 1.4 milionë euro, pa harruar mbështetjen financiare mbi 1 milionë dollarë për pesë herët kampion të Shqipërisë në Ligën e Basketbollit të ekipit të “Valbonës” të Tropojës, por dhe të ekipit SIGAL Prishtina, me një investim rreth 1.3 milionë euro, si dhe shumë mbështetje të tjera të cilat i kanë ardhur në ndihmë dhe në mbështetje komunitetit dhe njerëzve në nevojë.

 

4. 

SIGAL dhe Avni Ponari janë histori suksesi dhe vlere, e mbështetur kryesisht në punët e mira. Avni Ponari është njeriu i punëve të mira e për këtë shkak ai ka një ndikim shoqërorë në veprimtaritë dhe forumet sociale brenda dhe jashtë vendit.

 I qartë në dinamikën e projekteve të vogla dhe të mëdha, kontribues i projekteve sociale për zonat rurale, veçmas për fëmijët, iniciativat ambjentaliste dhe projektet kulturore, Avni Ponari është nderuar me tituj të shumtë si “Qytetar Nderi” i qytetit të Durrësit; “Qytetar Nderi” i Elbasanit; sivjet dhe “Qytetar Nderi” i Tropojës – vendlindjes së tij; “Personalitet i Vitit” nga gazeta “Telegraf”; “Biznesmen i Vitit” nga gazeta “Koha Jonë”; “Njeriu i Vitit Internacional Who’s”; “ Profili Ndërkombëtar i Drejtuesve më të Mirë”, “Lideri i Vitit” dhe nderime të tjera.

Veprimtaria e tij shoqërore, kulturologjike dhe humanitare reflekton dhe në të qenët themeluesi i Shoqatës së Sigurimeve Shqiptare të Marinës (Shoqatë me të drejta të plota të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve të Marinës, me seli në New York), anëtarë për shumë vite në bordin e FIAA (Shoqata Shqiptare e Investimeve të Huaja) dhe AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve). Nga shumë kohë Avni Ponari është anëtar i Dhomës Amerikane  të Tregëtisë në Shqipëri dhe anëtar i Komisionit të Financës së FIBA  Europë.

Siç dhe kuptohet, veprimtaria për Avni Ponarin, SIGAL UNIQUA Group Austria dhe bashkëpunimet e tjera janë të gjera dhe një tregues absolutisht të një personaliteti të biznesit dhe të veprimtarisë kulturore-sportive-arsimore, të cilat kanë lënë gjurmë dhe shenjat e dukshme, duke qenë në thelb punë të mira. Punët e mira jetojnë gjatë dhe iu shërbejnë të gjithë njerëzve. Për këtë të gjithëve në duhet t’i themi Avni Ponarit –Faleminderit!

Sado të përpiqem të shkruaj bukur, është e pamundur ta bëj një gjë të tillë. Punët e mira të Avni Ponarit janë më të bukura se çdo shkrim tjetër!

 

                                                                                                                                       Dëfrim CANI / Publicist.

   Tiranë, tetor 2018                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Avni Ponari, Defrim Cani, I PUNËVE TË MIRA, njeriu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • 279
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT