• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U shua Fadil Hasa …e vrau shteti përmes injorimit

July 20, 2018 by dgreca

In Memoriam Fadil Hasa: Seriale turke & shtet kriminal ndaj Artit, Artistëve e Kulturës Shqiptare!/1 elida FadilNga Elida Buçpapaj/

U shua edhe një tjetër yll i humorit shqiptar i mbuluar nga heshtja dhe harrimi.

E vrau shteti përmes injorimit!

Na bënte të qeshnim e të harronim hallet e diktaturës dhe tranzicionit.

E qeshura thonë të zgjat jetën!

Edhe kur e ke barkun bosh, kur qesh e sfidon të keqen!

Fadil Hasa ishte lënë në harrim qëllimshëm nga shteti shqiptar, i cili po na shkombëtarizon, duke na kthyer në një kope bagëtish, pa identitet.

Në Shqipëri janë me dhjetra televizione, disa syresh të ashtuquajtura edhe kombëtare në të cilat ditën e natën shfaqen serialet turke, ndërsa s’ka vend as për historinë dhe as për kulturën shqiptare.

Nëpër televizionet e Tiranës shfaqen në mënyrë invaduese live oligarkët e politikës dhe serialet turke. E njëjta situatë edhe në Kosovë.

Qendrimi im nuk ka të bëjë me asnjë lloj ksenofobie apo turkofobie, por me të drejtat kushtetuese të një vendi, shteti i të cilit ka për detyrë që të përhapë dhe mbrojë kulturën, artin dhe historinë kombëtare.

Ekranet e Tiranës na japin nonstop seriale të historisë së Sulltanëve, të perandorisë turke prej ngjizjes, të haremeve, të sulltaneshave, eunukëve. Këto seriale Turqia i prodhon për turqit kryesisht, por që ka interes të bëjë invadim kulturor aty ku mund. Dhe mund në Shqipëri e Kosovë, ku qeveritë janë të kapura, dmth antishqiptare!

A do të lejonte zoti Tajip Erdogan që nëpër televizionet turke të shfaqeshin natë e ditë serialet shqiptare, ku nëpër këto seriale të vihej në epiqendër vepra heroike e Skënderbeut, se si ai i mundi dhe e shpartalloi hordhitë turke, se si e shpartalloi Sulltan Muratin e Sulltan Mehmetin duke i dhënë për çerek shekulli goditje mu në zemër Perandorisë Otomane ?!

Jo nuk e lejon.

Unë nuk them të veprojmë si Presidenti Erdogan. Unë them që vendin e kulturës shqiptare nuk duhet ta uzurpojë kultura dhe historia e një vendi të huaj.

Natyrisht që shqiptarët kanë të drejtë legjitime të shohin prodhimet më të mira të kinematografisë dhe televizioneve botërore, ku nuk përjashtohen as prodhimet turke, por jo kësisoj, një invadim të vërtetë në dëm të kulturës shqiptare, artit dhe artistëve shqiptarë.

Brezi i ri shqiptar nuk e njeh fare Fadil Hasen, nuk e njeh as historinë, nuk i njeh as krimet e diktaturës apo kulturën kombëtare, por harxhon orë të tëra duke parë seriale turke trash që shiten për dy lira ose që jepen falas!

Fadil Hasa deri sa e dha frymën e fundit kishte të drejtë që të ishte i pranishëm në skenat apo përmes ekranit në vatrat tona, por atij iu mohua kjo e drejtë.

Tri ditë përpara Fadil Hasës u shua operatori i shquar Ilia Tërpini i lënë po ashtu në harrim dhe i kujtuar veç ditën kur iku nga kjo botë! Kështu edhe me poetët, shkrimtarët. Kujtohen vetëm dy-tre të kohës së diktaturës dhe të tjerët varrosen edhe si kujtesë. Prandaj ky shtet është kriminal.

Edi Rama për shembull nuk ka harruar që t’i vejë emrin e të jatit Kristaq Rama rrugëve në Durrës dhe shkollave të Tiranës, ndërsa Poetin Kombëtar Gjergj Fishta e ka varrosur shtatë pashë përmes injorimit!

Ju lutem kërkoni emrat e Fadil Hasës në google dhe po ashtu të kryepolitikanëve shqiptarë të këtij tranzicioni kriminal. Do të gjeni miliona fajle, foto e video të kryepolitikanëve tanë që nuk vlejnë asnjë grosh ndërsa nga Fadil Hasa do të gjeni disa video krejt të një cilësie të mjerë.

Fadil Hasa ishte Mik në familjet tona, Mik i mirëpritur, por i larguar me dhunë nga shteti shqiptar. Prania nëpër shtëpitë tona e Artit, Artistëve dhe Kulturës shqiptare është e drejta jonë si spektatorë, teleshikues, qytetarë dhe shqiptarë.

Shikoni se çfarë qytetarësh na kanë katandisur! Ne na e mohojnë të drejtën e edukimit me historinë, artin dhe kulturën kombëtare, ndërsa përfaqësuesit e kulturës dhe Artistët i trajtojnë si skllevër, si lypsa ose i poshtrojnë përmes injorimit, ndërsa këtë boshllëk kombëtar e mbushin me seriale të rëndomta turke.

Turqia është vend mik i shqiptarëve. Erdogani përsërit shpesh “populli vëlla shqiptar”! Nuk e kuptoj se në çfarë konteksti, ndofta se në Turqi jeton një komunitet prej 20 milionësh shqiptarë, kryesisht mjerisht të asimiluar, apo se Qemal Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne ishte shqiptar apo se shqiptarët kanë luajtur një rol parësor në jetën e Perandorisë, pasi në Perandorinë Otomane ka patur të paktën 28 sadrazemë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare ?

Turqia është vend anëtar i NATO-s dhe padyshim ne jemi aleatë, por duke patur në themel respektin reciprok bilateral pa qene e nevojshme aspak që vendin e kulturës shqiptare ta zenë mallrat turke me shumicë.

Kultura shqiptare duhet të kthehet vendi që i takon, mohuar nga një klasë politike me banditë, si ky kryebanditi me atlete që ka 20 vjet që i ka shkrepur të shembë Teatrin Kombëtar duke i konsideruar Artistët shqiptarë askusha, kur është vetë hiçi i hiçit!

Në vend të buqetës me lule për ty i dashur Fadil Hasa, në vend të lotëve, po i shkruaj këto rradhë për t’i kujtuar shqiptarëve se ata janë stërnipat e Skënderbeut, se Skënderbeu bëri gjithçka jo që të pushtojë të tjerët, por që të mbrojë vendin e Arbërit!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Fadil Hasa, shteti

Shpirti i tij me siguri prehet mbi libra

July 18, 2018 by dgreca

1-ok-Marjana-Bulku

NGA Marjana BULKU/

E përjetova me dhimbje lajmin e ndarjes nga jeta të Moisi Murrës. Studjues dhe publikues , historian por mbi të gjitha një mik besnik i librit dhe një prej të shumtëve dibranë që ato mure bibliotekash do ti mbajnë mend përjetë.

1 Moisi Murra

Vitet e demokracisë pavarësisht turbulencave janë vitet që zbuluan shpirtin e vërtetë të shqiptarit. Atë shpirt që koha shablone e fshihte nën parrulla masash për të uniformizuar , mohuar e neglizhuar të vërtetat e lira. Në kushtet e kësaj lirie kur libri përfundonte nëpër thasë , shitoreve të byrektoreve, për karton apo edhe më keq akoma, fillova punën si drejtore e komanduar pranë Bibliotekës Publike Peshkopi, një institucion që kishte histori emrash dhe pune me Tefë Krroqin, Ulvi Shehun , Kudret Hoxhën por që në kushtet e lirisë ra në duar që nuk ia dinin apo donin vlerën asaj (lirisë) . Pikërisht në këto kushte ndihmën e parë ia kërkoj Moisi Murrës, njeriut që ia njihte të gjitha skutat bibliotekës, që e çelte atë portë libri bashkë me Lirien, punonjëse dhe restauruese libri dhe ikte bashkë me ne.

-Nga t’ia filloj ?! – e pyes?

Kjo bibliotekë ka pasur emër dhe na ka rritur?

Moisiu ishte i gatshëm t’ia nisnim me inventarizimin e librit, -kanë humbur shumë tituj, libri është nëpër thasë e shumë prej tyre kanë vlerë, nuk janë për karton.

Është e pamundur ti kujtoj të gjitha ditët mbi libra pasi sejcila prej tyre është e mbushur si vetë fletët e tij por unë dua të kujtoj aktet e një njeriu të zakonshëm që sot nuk rron më e ndofta edhe këto akte nuk ka kush ti shkruajë.

Biblioteka ishte e ftohtë , pa ngrohje, ishte sistemuar në ndërtesën më të re dhe të bukur të qytetit por kishte humbur kartelizimin, inventarizimin, sistemimin , gjithçka që e mbante në këmbë atë.

Pas ngritjes së Këshillit Konsultativ të Bibliotekës dhe planit të përmirësimit të saj puna nisi të rridhte në drejtimin e duhur sepse konsulta me intelektualët dhe dashamirësit e librit ishte hapi i parë dhe i sigurt ta normalizuar atë.

Ideja e Moisiut për të krijuar një pavion me Antikuare zuri menjëherë vend në katin e sipërm të godinës , aty ku dielli do i jepte jetë atyre dokumenteve të vjetër që Moisi Murra dhe miku i tij i përhershëm Iljaz Kaca kujdeseshin me aq qetësi e përkushtim duke garantuar një shërbim ekstra , atë që rrallëkush mundet dhe din ta ofrojë.

Dita me librin niste thjesht me një kafe dhe përfundonte me pluhur por duke  shtegtuar nëpër ngjyra e labirinthe mendimesh , duke projektuar jo pak mbi si mundej ajo bibliotekë të ishte për çdo brez ; histori të lexuara në anglisht, sillte çdo të mërkurë nxënës në tryezën ovale, Këndi i autorëve dibran intensifikoi promovimet, ndërsa Marathona e leximit e nxorri nga thasët librin dhe dëshirën për ta.

Ishin vetëm dy vjet të vrullshme pune ku bashkë me koleget zonja ne kishim në krah edhe punën e jashtzakonshme të Moisi Murrës i cili përveçse historian dhe studjues, publikues dhe autorë i shumë librave mbi historinë e Dibrës do të mbetet dhe një kontribues i pashembullt i mbajtjes në këmbë të atij tempulli me dije siç është Biblioteka.

Shpirti i tij u prehtë në paqe!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: e Moisi Murres, Marjana Bulku, Vdekja

Nuk e mbytën dot lirinë e shpirtit!

July 14, 2018 by dgreca

1-leonora-laci

Nga Leonora Laçi/

Më e vështirë është ta mbash lirinë sesa ta fitosh atë do thoja unë, ne po e mbajmë me dhëmbë, fitorja ndaj komunizmit nuk ishte një triumf shqiptar ashtu siç nuk ishte dhe ardhja e tij, jemi të vegjël për të diktuar politikat e arenës ndërkombetare. E vetmja meritë shqiptare është mbajtja e regjimit komunist me fanatizëm të sëmurë, saqë ia kaluam dhe shpikësve të tij.

Mbajtja e Shkollës Verore “Komunizmi dhe trashëgimia komuniste në Shqipëri” në këto ditë të nxehta korriku nga data 9 deri me 13, nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji me mbështetjen e OSBE për të dytin vit rradhazi, ishte një nga ato gjëra që neve na duhen, studentëve, studiuesve për të reflektuar mbi të shkuaren dhe për të mos harruar.

Dhe ky ishte synimi i shkollës verore, te mos e lërë harresën të bëj vend tek ne. Shkatërrimi i vendeve të vuajtjes e shpejton procesin e harresës, njerëzit po vdesin, por librat mbesin, rrëfimet, kujtimet e tyre e percjellja duhet të jetë mision i yni.

Këto ditë pata peshtjellime idesh, kundër-idesh të gjitha kishin emërues të perbashkët vuajtjen e një populli. Pikëpyetje ngrihen perpara, si mundet të ekzistojë kaq gjatë një regjimi që kundërvuri vëlla me vëlla, prishi familje, mbyti dashuri, mbyti të vërteta, mbyti jetë, bëri spiunë fëmijën ndaj prindit, tjetërsoi njeriun, shkatërroi besimin, e kur mungon ai, njeriu është i aftë për gjithçka, frikë Zotin nuk e ka… ?! Sistem i ngritur mbi kufoma shqiptarësh!!

Shpirtin më gërvishtin filma me metrazh të shkurtër, dokumentare që kishin në qendër  terrorin komunist, njohjen me të, por dhe ligjerimet e studiuesve të ndryshëm; historianë, arkitekt, artistë, shkrimtarë etj.

Komunizmi shqiptar ka nevojë te kujtohet jo për bemat e tij por për të errtën e tij. Brezi i ri ka nevojë për një urë lidhëse me të kaluaren jo shumë të largët që nuk e njeh as nuk e përfytyron. Jo vetëm ata por edhe të tjerët po harrojnë dhe amnezia kombëtare është vetëvrasje.

Kemi nevojë ta njohim komunizmin ndryshe, përveç rrenojave të uzinave e fabrikave që duket sikur dëshirojnë të na paraqesin Shqipërinë e sforcuar si vend industrial që mbështetet në forcat e veta, as Shqipërinë e bunkerve, por Shqipërinë tjetër, atë të njerëzëve të deklasuar.

Ashtu siç njohim heronjtë e festat kombëtare, të njohim dhe përkujtojmë datat e revolatave antikomuniste, të dimë se përsekutimi bashkëjetoi me komunizmin.

Komunizmi ishte shpikës i “njeriut të ri”, Shqipëria nuk kishte vetëm bllok, bunkera, industri, miniera por edhe njerëz të shkolluar në perëndim që punonin galerive, mbetnin nën to, e të tjerë përmbi ta, e sistemi krenohej me mineralet e nxjerra e jo me heronjtë që i sollën ato, as sakrificën e tyre.

Filmat me metrazh të shkurtër, dokumentarët  më krijojnë një gjëndje dobësie. Vetem kaq mendoj, jemi të lirë, JEMI…

Shpesh kur shohim njerëz që nuk i qesh buza, nuk ndalemi të mendojmë se ai nuk ka arsye për të qeshur thjesht e kalojmë si diçka pa rendësi dhe madje i paragjykojmë që nuk e shijojnë jetën si ne. Kur shohim njerëz me vraga ndër duar, rrudha të thella në ballë, nuk ndalemi te pyesim se sa gojë ka ushqyer ai njeri, sa vuajtje mund të ketë mbajtur mbi shtat.

Kur shohim njerëz që me vetën flasin, nuk pyesim se mos ndoshta s’ka  pasur se me kë të ndajë dy llafe se komunizmi i mori gjithçka e la në mjerim e  demokracia i dha të shtyrë.

Një Shqipëri kaq e vogël por që gjëmen ia bënë kaq te madhe. U munduan ta ngujojnë shqiponjën që është mësuar të fluturojë e lirë, por nuk munden dot, përkundrazi liria u bë mision më vete për poetet, gjithçka nuk e patën ata e përfytyruan.

Por tek ne vazhdon të jetojë frika, nje popull i rritur me frikë, bashkëjetues të pandashëm.

Ende fatet e tyre nuk i kanë marrë në dorë, ndjehen të dobët, të lodhur, i forcuan torturat nëpër burgje dhe demokracisë iu dorëzuan. Menduan se liria erdhi por liria nuk ishte ajo çfarë ata dëshiruan, besuan, shpresuan, kërkuan.

Urrejtja ka sytë e saj, sytë  e diktaturës komuniste shqiptare, sy pa ngjyrë, te thellë, të ngulur, sy gjakatar, sy vigjilent, sy superior, sy që nuk qeshin pasi nuk dinë edhe sikur të duan, sy të ngrirë.

I vetmi faj i femrave ishte që nuk mohuan dot burrat, familjet, nuk i mbytën dot femijët për hir të partisë, u sakrifikuan për nje familje që nuk i kishte mbetur as streha as bashkëshorti pranë, as paja e stolia, vetëm rrobat e trupit dhe femijët pranë që qëllimi i tyre u bë mbijetesa nëpër kampet e internimit. I vetmi faj i femijëve është se linden në kohën e gabuar.

Po intelektualët?! Po, këta patën plotë faje, ishin armiqtë serioz të pushtetit, ishin kercenimi numër një, ata e dinin çfarë bënin, nje kryengritje e tyre prishte shumë punë. Por këta patën vetëm shpirtin e lirë, me ta ose duhej bërë kompromise ose duhen asgjesuar, rrugë të mesme s’kishte, kompromise nuk bënë. Ata preferuan vuajtjen e minierave përpara vuajtjes tjetër të qënit spiun i mikut, shokut, babait, nënës, vëllait e familjes, kjo ishte vuajtja e vertetë të bësh të tjerët të vuajnë e jo vuajtja personale. Burgu ishte vendprehja e shpirtave të lirë, vendfrymëzimi i poezive më të bukura, përkthimeve më të arrira, krijimtarisë në terësi, vendtakimi i kolosëve të letërsisë, ishte biblioteka. Intelektualët dolën triumfator edhe pse shume vdiqën, por krijimtaria e tyre doli e rrahur mirë sepse burgu ishte vendi më i lirë në komunizëm, aty kishte pak ajër të ndotur toksik, nuk kishin nevojë te shtireshin nëpër parada të partisë.

Le t’i japim vendin e merituar në histori e letërsi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonora Laci, lirinë e shpirtit!, Nuk e mbytën

ABSURDITETI QË RRETHON TEATRIN PA SHTËPI

July 14, 2018 by dgreca

3-xhevair-lleshi-zyre-300x167Nga Xhevair Lleshi/

1 APOLOGJIA

Shtëpia e teatrit? Po, mor, ekziston, si jo. Askujt nuk i shkonte mendja se teatri mund të ishte edhe plaçkë lufte. Përndryshe do ta kishin paketuar me kujdesin më të madh si për ta ruajtur diku, ndoshta në ndonjë nga garazhet e vjetër të ushtrisë së re. E, duke qenë plaçkë lufte e lanë të gjente lirisht një strehë dhe ai i ndërroi tri shtëpi dhe pastaj mbeti në mes të rrugës. Kështu që e fjeti mendjen: do ta gjente një garazh çfarëdo, me hupulít, një dhuratë e mëkëmbësit të mbretititalian në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sido që të vinin punët. Edhe në këtë moshë të shtyrë përsëri do ta gjejë strehën. Kemi, fjala vjen Turbinën. Gjë e rrallë! Jo,s’është romantike, por bën siç i thonë, bën. Dhe të dukej se syri i bashkëfolësit tënd lëvizte syrin e djathtë, të madh e aq magjepsës, që s’të ndahej e të bënte për vete. Teatri i madh për një vend të vogël, duhet të jetë jo me shumë vende, por mjaft komod, dhe të tillë e bëjnë kullat,dëgjomë mua, ato do jenë qershia mbi tortë. Mrekulli të reja shqiptare! Po pse nuk e bëjnë këtëqë thonë andej nga bulevardi i ri? Bashkëfolësi im, edhe ai i dhënë pas teatrit si puna ime, po më shihte pak me të keq. Nuk ta hiqte atë sy aq ngacmues e të ëmbël, gati foshnjarak, por për femrat, e dija, ishte vërtet një tundim tronditës. Teatri, thoshte ai, do të na marrë më qafë. Shoh diçka të keqe. Unë nuk mbroj kullat, e di, por më vjen të pëlcas se si nuk kuptojnë që me atë sebep bëjmë të riun, me tri salla dhe me tre kate, nën hijet e kullave, sigurisht! Askujt nuk i shkonte ndërmend që ky të binte në dashuri me fjalët e tij dhe pa përmendur aktorët fare, merrej me anën e jashtme, të lodhur, jo ngashënjyese, trëndafilshkulur, siç shpreheshin aktoret më të vjetra, ngaqë s’hiqnin kurrë dorë nga thumbat. Ja, miku im, më thuaj një, një të vetëm, që t’i bëjë apologjinë teatrit. Se mos më thua për Mirush Kabashin, me që ka bërë Apologjinë e Sokratit! Se nuk është njëlloj apologjia e teatrit me Apologjinë e Sokratit! E di, vetëm emrin Sokrat të ndryshosh dhe në vend të tij të vendosësh teatërdo të shohësh, pa pritur e pa kujtuar do shtrohesh në një klinikë urgjence dhe s’të riparon dot kush, gjersa një ditë të heqësh shpirt! Mirëpo, ke parë ti? Atë ndërtesë të vjetër, natyrisht jo e vjetër sa bota, sikur e mbron një fuqi djallëzore, me gjithë rrapëllimat dhe shtërzimet e tokës që kanë qenë gati të mbysnin dynjanë! Ajo rri atje, kryeneçe. E mua më bëhet se po kalon Kadri Roshi dhe me dy khe-khesikur jep frymën e tij. Gremisu Kadri! Prapë me teatrin ti? Tani ka dalë ai, aktori i Vlorës dhe thotë gjëra të mëdha, ai, pra, Bujar Asqeriu? S’të vjen në mendje? Lëre më mirë, të rrufisim kafenë, të heqim athëtirën pushtetore, të zhdukim mpirjen sociale, jo prej ndonjë pakënaqësie, po gjithnjë nga dashuria. E kush nuk e do aktorin e madh Reshat Arbana, ai me zërin e tij të gjëmimtë është gati të tundë nga themelet tërë dynjanë! Se kjo puna e zërit është punë e madhe! Vetëm zëri bën çudira! E ku do vesh pa zë, të gjen si ai që e fik atë të shkretë zë në kulmin e thirrjes dhe njerëzit tremben se iu duket si një kedh. Le të jetë sado bukurosh e i krekosur, pa zë kthehet në zhelan. Aktorët, miku im që edhe në festa e në vdekje, shkojnë e vijnë me rrobat e punës, janë tjetër mall! E kështu të fikin derën! E pse? Sepse puna e tyre është Fjala!   I pëlqente kjo gjë më fort se gjithçka, ndaj dhe del në protestë. Edhe unë do vij në protestë or mik! Të jem aty. Se edhe unë e dua teatrin si puna jote. Kemi qenë, ohu, denbabaden, me teatrin ne, kur të tjerët i binin maces me lugë! Një famë e bukur na rrinte pranë me një lloj zilie të trembur, se ai ishte gati të bënte që të gumëzhinin ëmbël nga fyti gjenial i të mëdhenjve një kushtrim lirie. Dhe kjo e bënte gjithë sheshin të ushtonte, duke qenë gati ta ngrinte zërin në kupë të qiellit për t’i dhënë frymë shoqërisë. E pse të mos shquhej një fije? Thirrje, përshtypje dhe bulevardi merr pamjen e një skene të jashtëzakonshme. Kanë ardhur zërat e fuqishëm. Le të jenë pak. Nesër vetvetiu bëhen shumë dhe si ai lumi që vjen janë gati të vënë përpara gjithçka sepse ky hall nuk është dot kurrë më i rëndë se fama…

Tiranë, më 12 korrik 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: ABSURDITETI QË RRETHON, TEATRIN PA SHTËPI, Xhevair Lleshi

Homazh për tim vëlla

July 8, 2018 by dgreca

Në tetëdhjetepesëvjetorin e lindjes/1 vellai ReshatNga Reshat Kripa/Im vëlla, Besnik Kripa, lindi më 9 korrik 1933 në Vlorë. Shkollën 7 vjeçare e kreu në qytetin e Vlorës dhe atë të Tiranës. Pastaj vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin ‘ Ali Demi “ të qytetit të Vlorës. Si të gjithë pjestarët e tjerë të familjes tonë, ishte një nxënës i mirë. Në fillim të prillit të vitit 1950, në moshën 17 vjeçare, së bashku me dy shokë të tjerë të klasës, Lavdosh Beqon dhe Alajdin Alemin krijuan një organizatë të fshehtë e cila shkruante dhe shpërndante trakte me përmbajtje antikomuniste në shkollë. Por shoqata u dekonspirua nga nje shokë i klasës së tyre që kishte dijeni,

Kështu në mbrëmjen e 15 prillit të vitit 1950, ndërsa shkonte në një mbrëmje vallzimi të organizuar nga klasa e tyre, arrestohet dhe mbyllet në qelitë e sigurimit. Ne nuk dinim asgjë për sa kishte ndodhur. Tërë atë natë dhe tërë ditën e nesërme, prisnim të shqetësuar kthimin e tij. Lloj lloj variantesh na shkonin ndër mend, por nuk besonim kurrë që mund të ishte arrestuar dhe aq më tepër për një çështje të tillë si krijimi i një organizate antikomuniste.
Në mbrëmjen e 16 prillit në shtëpi erdhën dy oficera të Degës së Punëve të Brendëshme që na njoftuan se e kishin arrestuar pasi gjoja kishte provokuar një vajzë. Kontrolluan librat e tij dhe morën disa fletore të shkruara nga ai. Ne nuk e besuam variantin e servirur prej tyre dhe aq më tepër babai që shprehu mendimin se diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur. Po ashtu u arrestuan edhe Lavdoshi me Dinon. Atëhere u bindëm për shkakun e arrestimit. Aq me tepër vëllai i madhë, Agimi që kishte lexuar një trakt të hedhur prej tyre.
Pas gjashtë muajsh hetimi dhe torturash u zhvillua gjyqi nga gjykata ushtarake e Gjirokastrës. Babai zgjodhi një avokat të njohur të qytetit, Fadil Llagamin nga Tirana. Por me gjithë mbrojtjen e tij, gjithçka ishte vendosur që më parë. Besniku u dënua me 20 vjet burg, ndërsa Lavdoshi me Dinon me nga 15 vjet, Gjykata e Apelit ia ktheu dënimin në 15 vjet.
Kështu filloi kalvari i gjatë i burgjeve dhe kampeve të ndryshme. Nga burgu i
Vlorës, u end nëpër kampet e Nizhavecit të Maliqit, Gosës së Vogël të Kavajës, Urës
Vajgurore. Ndërkohë isha arrestuar edhe unë për një aktivitet të ngjashëm më atë të tim vëllai. U takuam bashkë në kampin e Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. U përqafuam me një mall të paparë. Na dukej sikur ishim kthyer prapë në familje. Më pyeste për gjithçka, në mënyrë të veçantë për familjen megjithse unë kisha më shumë se një vit që isha ndarë nga ajo. Pastaj vazhduam së bashku në Vlashuk dhe Shtyllas. Atje u ndamë përsëri, kësaj rradhe për të mos u bashkuar më gjatë qëndrimit tim në burg. Unë shkova në Bulqizë, ndërsa ai në Rinas. Prej andej, pas gati një viti, më dërgoi një letër ku më këshillonte se si duhej të veproja pasi të lirohesha së shpejti. Në atë letër shkruhej:
“Vëlla i dashur!
Sot u takova me nënën. Kishte ardhur për takim. Ndjeva një kënaqësi të madhe.Prej këndej do vinte për të takuar ty Mendova sakrificën që ajo bënte për ne bijtë e saj. Katër ditë udhëtim për të mos na lënë të vetmuar.Po t’i shkruaj këto rradhë, pasi e di se ty tashmë të kanë mbetur edhe pak muaj për t’u liruar.Do të të porosisja që ashtu siç ke qëndruar gjithmonë, të vazhdosh të qëndrosh edhe kur të dalësh. Qëndroju pranë dhe mos u nda prej tyre.Ata tashmë janë pleq dhe kanë nevojë për ne.Boll telashe u kemi shkaktuar. Unë kam për të kryer edhe shumë vite të tjera. Megjithatë ndjej një kënaqësi të madhe kur mendoj se do të shkosh pranë tyre së shpejti.
Të përqafoj dhe puth me mall së largu!
Vëllai yt i shtrenjtë.
Besniku”.
U lirua në dhjetor 1961, mbas 11 vjetësh dhe 8 muajsh burg.
Pas lirimit qëndroi disa kohë pa punë për të mbledhur veten. Bëri edhe një vizitë të kujdesshme tek bashkëvuajtësi ynë doktori i paharruar Isuf Hysenbegasi, që në atq kohë banonte në Vlorë, i cili i bëri edhe një konsultë me specialistë, pasi vuante nga zemra. Kështu e mblodhi mirë veten dhe mundi të rregullohej me punë pranë Postë – Telekomunikacionit me detyrën e fillorojtësit. Ishte një punë relativisht e mirë, megjithse i duhej që brenda ditës të endej brenda dhe jashtë Vlorës ku kalonin linjat telefonike. U bë shpejt specialist për këtë punë. Po atë vit filloi edhe vitin e dytë të gjimnazit të mbrëmjes, të cilin e mbaroi në vitin 1966.
Kështu vazhdoi për gati një vit. Një ditë ishte me shërbim në Ujin e Ftohtë, pranë vilave të udhëheqësve. Ndërsa punonte vjen një oficer dhe i kërkon të shikojë linjën e telefonit të vilës, pasi nuk vinte sinjali. Besniku i tha se nuk kishte autorizim për të hyrë në vilë dhe se tekniku i linjave nuk ishte aty, por oficeri i tha që ta rregullonte se nuk priste puna dhe nuk prishte punë në se kishte fletë-hyrje apo jo. Shkoi dhe pas pak e rregulloi. Por atje e pa oficeri i Degës së Punëve të Brendëshme, Xhevdet Beci, i cili që të nesërmen urdhëroi drejtorinë e postë-telekomunikacionit që ta pushonin nga puna. Kështu u bë dhe ai ngeli pa punë. Pas disa muajsh mundi të gjejë punë në fabrikën e tullave, ku e caktuan të punonte në furrat e tharjes së tyre. Ishte një punë mjaft e vështirë dhe me gazra dhe tymra sa kur dilte nuk njihesh se kush ishte po të mos bënte banjo. Kështu vazhdoi për tridhjet vjetë në këtë punë të rëndë për pesëmijë lekë në muaj. Edhe një gjysëm litri qumësht që i jepnin për antidot, nuk e pinte por ua sillte fëmijve se nuk mundeshin dot të blinin qumësht në treg.
Në vitin 1965 u martua me Kreshnike Mezinin, bijën e Selamet Mezinit nga familja e njohur me këtë mbiemër në qytetin e Vlorës. Kreshnikja punonte si normiste në kombinatin e peshkut dhe frutave “Ernest Telman “. Por martesa e saj me të ra shpejt në sy ndaj e hoqën nga puna si normiste duke e bërë punëtore. Biografia e burrit shkarkohej mbi gruan e tij. Ajo duhej të paguante të kaluarën e burrit të saj. Si rezultat i martesës lindën dy fëmijë, Myneverja më 29 tetor 1966, që mori emrin e nënës që kishte vdekur katër muaj më parë më 10 qershor 1966, dhe Ariani më 30 mars 1970.
Me ndryshimet demokratike që ndodhën në vitin 1990, u aktivizua në rradhët e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë që sapo u formua dhe në Partinë Demokratike, antar i së cilës u bë që në ditët e para duke u zgjedhur edhe antar i kryesisë së degës së Vlorës. Në zgjedhjet lokale të vitit 1992, ashtu si babai në vitet 1937-1938, u zgjodh antar i Këshillit Bashkiak të qytetit. Këto detyra i ushtroi deri në vitin e mbrapshtë 1997.
Ishte një tip i veçantë dhe jashtzakonisht i ndershëm dhe besnik. Nuk kishte fjalë, por ato që thoshte peshonin shumë. Shoqërinë e vazhdonte më tepër me Lavdoshin dhe Dinon, dy shokët e burgut.
Në gushtin e vitit 2006 pësoi një hemoragji cerebrale që e paralizoi në shtrat. Porsa mora lajmin u nisa dhe në mesnatë u ndodha në spitalin e Vlorës, ku ishte shtruar. Ishte në gjendje të rëndë. Fëmijtë kishin emigruar në Itali. I lajmëruam dhe erdhën të dy të nesërmen. Qëndroi në këtë gjëndje për tre muaj. Nuk i mungoi asgjë, që nga kurat që ia sillnin nga Italia dhe deri tek shërbimi për të cilin angazhuam edhe një grua me pagesë. Por çdo gjë kishte marrë rrugë. Më 26 nëntor 2006 mbylli sytë përgjithmonë. Atë ditë munda të shkoj në Vlorë për t’i qëndruar pranë vëllajt tim, me të cilin kemi kaluar vitet më të vështira të jetës. U bë një varrim madhështor, ku u mbajtën edhe fjalime përkujtimore. Lidhur me këtë i kushtova poezinë e mëposhtme:
VËLLAIT

Çfarë të të kujtojë, i dashur vëlla,
Jetën që kaluam, tmerr dhe brenga plot,
Bashkë e përshkuam, bashkë të pandarë,
Mendja s’e kupton, pena s’shkruan dot.
S’shkruan se ndjen dhimbje, dhimbje të pamasë,
Për rininë e humbur burgjeve të shkretë,
Burrërinë e vjedhur zemrën në lëngatë,
Shpirtin copëtuar rrjedhëve në jetë.
Kurrë nuk u theve, kurrë nuk u mposhte,
Qëndrove me nder në dallgë e stuhi,
Me fëmijtë gëzove, jetën e ndërtove,
Me vaj e mundime por me dashuri.
Dhe tani që jeta filloi të lulëzonte,
Kur dhimbja mizore ishte flakur tutje,
Tani që dhe zemra filloi të gëzonte,
Përse të dënoi? Përse më nuk duke?
Oh, ky fat i hidhur në shtrat të mbërtheu,
Por ti prapë qëndrove si titan legjende,
Kokën nuk e ule, dhimbja nuk të theu,
I përhershëm mbete, simbol rezistence.

Filed Under: ESSE Tagged With: homazh, për tim vëlla, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 280
  • 281
  • 282
  • 283
  • 284
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT