• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët dhe Maqedonia e Veriut midis reformimit dhe stagnimit të procesit eurointegrues

March 9, 2026 by s p

Nëse perspektiva evropiane vazhdon të mbetet e bllokuar dhe procesi i reformave i paralizuar nga kalkulimet e brendshme politike, ekziston rreziku që vendi të hyjë në një fazë të re të paqartësisë strategjike dhe të një balancimi të pasigurt midis orientimeve të ndryshme gjeopolitike. Kjo është edhe një provë për përgjegjësinë historike të aktorëve politikë shqiptarë për të mbrojtur dhe artikuluar në mënyrë të qartë parimet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i shtetit.

Nga Prof.dr Skender Asani

Draft-raporti i fundit i raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, eurodeputetit Thomas Weitz, përfaqëson një moment kritik reflektimi për drejtimin strategjik të shtetit dhe për qëndrueshmërinë e perspektivës së tij evropiane. Dokumenti, i cili pritet të diskutohet dhe të amendohet në kuadër të procedurave institucionale të Parlamentit Evropian dhe në kontekstin më të gjerë të politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian, artikulon një kritikë të thellë ndaj stagnimit reformues, mungesës së vullnetit politik dhe dobësive strukturore që vazhdojnë ta mbajnë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të zgjatur pezullimi në procesin e integrimit. Përtej formulimeve diplomatike që zakonisht karakterizojnë dokumentet e zgjerimit, raporti përfaqëson një sinjal të qartë alarmi për rrezikun e humbjes së momentumit historik të integrimit dhe për degradimin gradual të kredibilitetit ndërkombëtar të shtetit.

Megjithatë, një lexim më i thellë i përmbajtjes së raportit dhe i kontekstit politik në të cilin ai është prodhuar sugjeron se kriza e integrimit nuk është vetëm rezultat i stagnimit të reformave teknike apo i polarizimit të brendshëm politik. Në një nivel më të thellë, ajo lidhet me transformimin gradual të arkitekturës politike dhe kushtetuese të ndërtuar pas vitit 2001 mbi parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo marrëveshje, e cila përbën bazën e stabilitetit ndëretnik dhe të konsensusit politik në shtet, kishte për qëllim ndërtimin e një sistemi institucional të balancuar që garanton përfaqësim të drejtë, barazi substanciale dhe mekanizma të ndërsjellë kontrolli midis komuniteteve kryesore të shtetit. Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit sugjerojnë se disa prej komponentëve themelorë të kësaj arkitekture po relativizohen gradualisht në praktikën institucionale dhe në kulturën politike të qeverisjes.

Në mënyrë paradoksale, ndërkohë që institucionet evropiane insistojnë në avancimin e standardeve të mbrojtjes së komuniteteve dhe në përmbushjen e Kriterereve te Kopenhagës, realiteti i brendshëm politik në vend tregon një prirje të heshtur drejt dobësimit të disa prej mekanizmave që garantonin balancën ndëretnike të sistemit. Në vend që Marrëveshja e Ohrit të zhvillohej në drejtim të thellimit të politikave të barazisë substanciale dhe të mekanizmave të diskriminimit pozitiv për komunitetet jo-shumicë, një pjesë e ligjeve bazë që përbëjnë shtyllat funksionale të kësaj marrëveshjeje po përballen me procese relativizimi, zbehjeje apo edhe suprimimi gradual në praktikën legjislative dhe institucionale. Ky zhvillim krijon një kontradiktë të dukshme midis diskursit formal të integrimit evropian dhe realitetit të transformimeve të brendshme politike.

Në këtë kuptim, stagnimi i procesit të integrimit nuk duhet interpretuar vetëm si një problem teknik i harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por si një simptomë e një krize më të gjerë të funksionalitetit institucional dhe të kulturës politike në vend. Reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e drejtësisë vazhdojnë të mbeten të fragmentuara dhe pa efekt transformues real, duke prodhuar një perceptim të vazhdueshëm të brishtësisë së rendit juridik dhe politik. Në këtë kontekst, stagnimi i integrimit evropian shfaqet si reflektim i mungesës së një konsensusi strategjik të elitave politike për drejtimin afatgjatë të shtetit.

Pikërisht për këtë arsye, faza aktuale e diskutimit të draft-raportit në Parlamentin Evropian përfaqëson një moment të rëndësishëm politik dhe diplomatik. Deri në fazën përfundimtare të miratimit të raportit, subjektet politike shqiptare në vend mbajnë një përgjegjësi të veçantë historike dhe institucionale për të ndërmarrë një mobilizim të koordinuar politik, akademik dhe diplomatik me qëllim që në procesin e amendimit të dokumentit të pasqyrohen në mënyrë të argumentuar devijimet që kanë ndodhur në zbatimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Një qasje e tillë nuk përbën internacionalizim të debateve të brendshme politike, por një kontribut legjitim për një kuptim më të plotë të realitetit institucional të vendit nga ana e institucioneve evropiane.

Një mobilizim i tillë bëhet edhe më i domosdoshëm në dritën e qëndrimeve të qarta që kanë artikuluar institucionet e Bashkimit Evropian dhe partnerët strategjikë të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në diskursin euro-atlantik ekziston një përkushtim i qartë që marrëveshjet e arritura në rajon të cilat kanë qenë rezultat i proceseve të ndërlikuara të ndërmjetësimit ndërkombëtar të trajtohen si elemente themelore të stabilitetit institucional dhe të mos relativizohen përmes kalkulimeve të brendshme politike.

Në këtë perspektivë, raporti i Thomas Weitz nuk duhet të lexohet vetëm si një dokument teknik vlerësimi mbi progresin e reformave, por si një mundësi strategjike për të hapur një debat më të thellë mbi drejtimin institucional të shtetit. Nëse në procesin e miratimit përfundimtar të raportit nuk adresohen edhe dimensionet që lidhen me degradimin gradual të arkitekturës konsensuale të ndërtuar pas vitit 2001, ekziston rreziku që analiza evropiane të mbetet e pjesshme dhe e paplotë. Për këtë arsye, artikulimi i qartë i devijimeve nga parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe i procesit të zbehjes së mekanizmave të barazisë substanciale duhet të bëhet pjesë integrale e debatit evropian mbi progresin demokratik të shtetit.

Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ky moment përkon edhe me një fazë të ndjeshme të konkurrencës së ndikimeve strategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Stagnimi i reformave dhe paqartësia strategjike e orientimit politik krijojnë kushte të favorshme për depërtimin e ndikimeve alternative gjeopolitike, të cilat shpeshherë nuk e shohin integrimin evropian si prioritet strategjik. Nëse perspektiva evropiane vazhdon të mbetet e bllokuar dhe procesi i reformave i paralizuar nga kalkulimet e brendshme politike, ekziston rreziku që vendi të hyjë në një fazë të re të paqartësisë strategjike dhe të një balancimi të pasigurt midis orientimeve të ndryshme gjeopolitike.

Prandaj, draft-raporti aktual duhet të interpretohet si një paralajmërim politik me peshë për të ardhmen institucionale të shtetit. Ai nuk është vetëm një dokument vlerësimi mbi progresin e reformave, por edhe një mundësi për të rikthyer në qendër të debatit evropian respektimin e kontratës politike ndëretnike që ka garantuar stabilitetin e vendit për më shumë se dy dekada. Pa një rikthim të qartë të vullnetit politik për reforma reale, pa respektimin e plotë të parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe pa një orientim strategjik të pakontestueshëm drejt Bashkimit Evropian, procesi i integrimit rrezikon të mbetet i bllokuar për një periudhë të gjatë. Në këtë kuptim, momenti aktual përfaqëson jo vetëm një test për kredibilitetin e elitës politike të Maqedonisë së Veriut, por edhe një provë për përgjegjësinë historike të aktorëve politikë shqiptarë për të mbrojtur dhe artikuluar në mënyrë të qartë parimet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i shtetit.

Filed Under: ESSE

Roli i gruas në shoqërinë e sotme

March 8, 2026 by s p

Nga Eneida Jaçaj/Nju Jork/

Festa e 8 Marsit nuk është thjesht një ditë kur gratë gjejnë kohë për t’u shkëputur nga realiteti i përditshmërisë së tyre, për t’u mbledhur së bashku, për të biseduar dhe për t’u argëtuar për disa orë. Nuk është thjesht një ditë kur vallëzohet, kur tingujt e muzikës i mbajnë larg për disa minuta nga problemet, peripecitë dhe sakrificat e jetës. Nuk është vetëm një moment për t’i shpëtuar përkohësisht detyrave si nëna dhe gra, për të gjetur pak kohë për veten, e më pas tik-taku i orës t’i rikthejë sërish në rutinën e përditshme. Në kohën e komunizmit në Shqipëri, 8 Marsi festohej kryesisht si dita e nënës dhe kishte një ideologji tjetër, ku theksoheshin sakrificat e nënave në rritjen e fëmijëve dhe kontributi i tyre në punën për shtetin. Ndërsa sot, në mbarë botën, kjo ditë festohet si International Women’s Day dhe përfaqëson një koncept më të gjerë dhe më modern.

8 Marsi simbolizon emancipimin e gruas në shoqëri, zhvillimin e saj personal dhe profesional, dëgjimin e zërit të saj në vendime të rëndësishme publike, rritjen në karrierë dhe ekuilibrin mes jetës profesionale dhe detyrave familjare. Ai përfaqëson gjithashtu të drejtat dhe liritë e gruas në shoqëri dhe respektimin e zërit të saj në vendimmarrje. Një grua e pavarur, e arsimuar dhe e investuar në dije dhe karrierë, zëri i së cilës dëgjohet në familje dhe në shoqëri, është një arritje e madhe për njerëzimin. Forca e saj në edukim dhe kulturë fillon që në djep, kur ajo rrit dhe edukon fëmijët e saj, duke i dhënë shoqërisë një të ardhme më të ndritur.

Në këto dekada duhet theksuar se është arritur shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Krahasuar me 30 vite më parë, gruaja sot ka një peshë shumë më të madhe në jetën publike. Ajo është zhvilluar në karrierë dhe merr pjesë në institucione të rëndësishme publike, në politikë, në biznes dhe në sipërmarrje të ndryshme. Përveç detyrave familjare ndaj fëmijëve dhe bashkëshortit, gratë sot arrijnë të gjejnë kohë për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të qenë të suksesshme në profesionet e tyre. Edhe pse ende duhet punuar shumë për të drejtat dhe liritë e grave, sidomos në zonat rurale dhe jo vetëm, ku në shumicën e rasteve, gruaja është e shtypur, skllave e punës dhe mungesës së fjalës së lirë, ku shumë gra përballen me dhunën dhe madje shumë prej tyre fatkeqësisht nuk jetojnë më midis nesh, mund të themi me bindje dhe krenari se sot gruaja është më e pavarur dhe, në shumë raste, shumë e suksesshme krahasuar me dekada më parë.

Gruaja sot është politikane, drejtuese shteti, lidere institucionesh të rëndësishme, drejtuese mediash, biznesmene dhe profesioniste në fusha të ndryshme. Ajo është gjithashtu një psikologe në familje, pasi di të komunikojë me fëmijët e saj, t’i edukojë me vetëbesim, t’i mësojë të rriten pa frikë dhe të jenë të guximshëm në vendimet e tyre. Sepse njeriu mëson nga gabimet dhe bëhet një version më i mirë i vetes së tij.

Roli i gruas në arsim dhe dije

Përveç rolit në familje dhe në punë, gruaja ka një rol të pazëvendësueshëm edhe në edukimin dhe zhvillimin e dijes në shoqëri. Si mësuese, pedagoge, shkencëtare apo studiuese, ajo kontribuon në formimin e brezave të rinj dhe në ndërtimin e një shoqërie më të arsimuar dhe më të drejtë. Investimi i gruas në dije dhe arsim nuk është vetëm zhvillim personal, por një investim për të ardhmen e gjithë shoqërisë.

Roli i gruas në shoqëri përfaqëson forcë, guxim, dije, arsim dhe vetëbesim. Kur fëmijët rriten brenda vlerave të lirisë, përkushtimit, drejtësisë dhe respektit, ata bëhen qytetarë të denjë për shoqërinë. Fatmirësisht, sot në Shqipëri dhe në mbarë botën kemi shumë gra të njohura që janë bërë simbol i emancipimit dhe fuqizimit të gruas në shoqëri. Duke filluar nga Rosa Luxemburg, që është simbol i 8 Marsit, aktiviste marksiste, mbështeste fuqimisht të drejtat e grave dhe barazinë sociale. Aktiviteti i saj me lëvizjen punëtore evropiane lidhet me frymën e 8 Marsit, si ditë për emancipimin e grave; e duke vazhduar me figura të ditëve të sotme, si Angela Merkel, ish-kancelare e Gjermanisë, Kamala Harris në USA, apo aktivistja për të drejtat e vajzave, Malala Yousafzai, kanë treguar se gratë mund të arrijnë majat e suksesit dhe të ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Edhe kombi shqiptar ka dhënë figura të jashtëzakonshme si Mother Teresa, simbol i humanizmit në mbarë botën, apo lidere të rëndësishme politike, si Vjosa Osmani. Këto gra janë shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe dëshmi se fuqia, mençuria dhe përkushtimi i gruas janë thelbësore për përparimin e shoqërisë. Një shoqëri që respekton dhe fuqizon gruan është një shoqëri që ndërton të ardhmen e saj mbi dije, barazi dhe zhvillim. Sepse aty ku gruaja ka zë, ka drejtësi; aty ku gruaja ka mundësi, ka përparim për gjithë shoqërinë.

Filed Under: ESSE

𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢

March 7, 2026 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Shumë kërkime shkencore në arsim tregojnë se një mësues frymëzues ndikon në vendimet e jetës, karrierën dhe suksesin e nxënësve kur ata dalin në jetë. Studimet dëshmojnë se njerëzit e suksesshëm kanë patur mësues e profesorë frymëzues gjatë rritjes dhe edukimit te tyre.

Një studim nga University of Cambridge zbuloi se nxënësit që morën kurajë dhe mbështetje nga një mësues kishin shumë më shumë gjasa të bëheshin profesionistë të dalluar dhe se marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësit është një motor i fortë për sukses dhe mobilitet social.

Gjithashtu, ekonomisti i arsimit Eric Hanushek analizoi ndikimin e cilësisë së mësuesve në arritjet e nxënësve dhe arriti në përfundimin se cilësia e mësuesit është faktori më i rëndësishëm në suksesin akademik.

Shumë studime të tjera konkludojnë se motivimi dhe mbështetja e mësuesit apo profesorit formojnë mënyrën si nxënësit e shohin veten dhe aftësitë e tyre.

Kësisoj, “mësuesit frymëzues” i bëjnë nxënësit të besojnë te vetja, të krijojnë mundësi të larta për sukses, mundësojnë rritjen emocionale, ndikojnë në vendimet e jetës, karrierën dhe suksesin.

Studimet na e bëjnë qartësisht të ditur që nuk ka nxënës e studentë të paaftë por mësues e pedagogë që nuk frymëzojnë, duke mos e përmbushur misionin profesional.

Fjala “mësues” rrjedh nga lashtësia: didaskalōs (διδάσκαλος = mjeshtër) dhe pedagogue (παιδαγωγός = shërbëtor). Kësisoj mësues do të thotë “mjeshtër shërbëtor,” dy atribute që kërkojnë nga cilido edukator të kultivojë së pari veten e të thellohet në dijen njerëzore në nivelin më të lartë, duke arritur ekspertizën sublime dhe profesionalizmin kulmor, e më pas të gjithë mjeshtërinë t’ua shërbejë të tjerëve, duke qenë njëkohësisht mjeshtri i parë i një fushe të jetës dhe shërbëtori i parë ndaj të gjithë njerëzve duke frymëzuar e duke udhëhequr me shembull. Ndaj edhe ky profesion është fisnik sepse është një jetë skajesh: lartësi dhe përulësi.

Të nderuar edukatorë lartësohuni në rritjen vetjake dhe përuluni ndaj të tjerëve, ndaj vëllazërisë sonë njerëzore, dhe frymëzoni brezat e rinj, sepse nuk ka krim më të madh ndaj shoqërisë se të jesh një mësues i keq por nuk ka privilegj më të madh të jesh një edukator i vërtetë, një shërbëtor i përulur, frymëzues e në dobi të brezave.

Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mjeshtërve shërbëtorë të vërtetë të këtij vendi.

Filed Under: ESSE

Pse Josip Broz Tito nuk i dha Kosovës statusin e Republikës, por vetëm autonomi?

March 2, 2026 by s p

Në kuadër të Jugosllavisë Socialiste Federative, shqiptarët e Kosovës, pas dekadash diskriminimi politik, ekonomik dhe kulturor, si dhe pas protestash të vazhdueshme për barazi, arritën një nga sukseset e tyre më të rëndësishme politike me miratimin e Kushtetutës së vitit 1974. Kjo kushtetutë i garantoi Kosovës një autonomi të zgjeruar, duke i mundësuar vetëqeverisje substanciale në fusha kyçe si ekonomia, arsimi, kultura dhe administrata, si dhe përfaqësim të drejtpërdrejtë në organet federale të Jugosllavisë.

Në praktikë, gjatë periudhës 1974–1981, Kosova funksionoi pothuajse si një republikë, ajo kishte institucionet e veta politike, Akademinë e Shkencave, Universitetin e Prishtinës dhe një rol të barabartë në Presidencën Federale. Megjithatë, pavarësisht këtyre kompetencave të gjera, Kosovës nuk iu dha kurrë statusi formal i Republikës, gjë që mbeti një nga çështjet më të diskutueshme të politikës federale jugosllave.

Një nga arsyet kryesore për këtë vendim ishte kundërshtimi i fortë i qarqeve nacionaliste serbe, të cilat e konsideronin Kosovën pjesë të pandashme të Serbisë. Si republika më e fuqishme brenda federatës, Serbia ushtronte presion të vazhdueshëm politik dhe institucional për të penguar avancimin e mëtejshëm të statusit të Kosovës. Tito ishte i vetëdijshëm për këtë realitet dhe për rrezikun që një Republikë e Kosovës do të sillte për stabilitetin e brendshëm të Jugosllavisë. Dhënia e statusit republikë Kosovës do të përceptohej nga Serbia si humbje e rëndë territoriale dhe politike, duke rrezikuar përplasje serioze brenda federatës. Për më tepër, Tito kishte frikë se një Kosovë Republikë mund të hapte rrugën për kërkesën e bashkimit me Shqipërinë. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë dhe të politikës së brendshme jugosllave të balancimit etnik dhe territorial, një zhvillim i tillë konsiderohej i papranueshëm për udhëheqjen federale. Si rrjedhojë, Tito zgjodhi një zgjidhje kompromisi, t’u jepte shqiptarëve të Kosovës autonomi të gjerë dhe të drejta të konsiderueshme politike, por jo statusin e 

Republikës. Kjo strategji synonte të qetësonte kërkesat shqiptare, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin politik brenda federatës dhe duke shmangur një konflikt të drejtpërdrejtë me Serbinë. Në këtë kuptim, autonomia e Kosovës nuk ishte rezultat i barazisë së plotë politike, por një instrument për ruajtjen e stabilitetit të përkohshëm. Pas vdekjes së Titos, u bë e qartë se kjo zgjidhje nuk kishte adresuar thelbin e problemit. Mungesa e statusit republikë dhe e barazisë së plotë politike kontribuoi në shpërthimin e krizave të viteve ’80 dhe ’90, duke dëshmuar se autonomia pa barazi strukturore nuk ishte e qëndrueshme në afat të gjatë.

Në këtë kontekst, politika e Titos mund të interpretohet si një orientim pragmatik që, në mënyrë të tërthortë, favorizoi interesat serbe në kurriz të aspiratave politike të shqiptarëve të Kosovës. Ai zgjodhi stabilitetin afatshkurtër të federatës përballë drejtësisë politike dhe vetëvendosjes së plotë të shqiptarëve.

Sa i përket rolit të Shqipërisë, udhëheqja e Enver Hoxhës kishte mundësi të kufizuara për të ndikuar drejtpërdrejt në çështjen e Kosovës. Shqipëria ishte e izoluar ndërkombëtarisht dhe e kushtëzuar politikisht, ekonomikisht dhe gjeopolitikisht nga marrëdhëniet e ndërlikuara me Jugosllavinë dhe fuqitë e mëdha, gjë që e kufizonte ndjeshëm veprimin e saj në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.

Në përfundim, vendimi për t’i dhënë Kosovës autonomi dhe jo status republikan ishte produkt i një llogaritje politike të kujdesshme, por afatshkurtër. Historia tregoi se ky kompromis nuk e zgjidhi çështjen shqiptare në Jugosllavi, por vetëm e shtyu konfliktin për një periudhë të mëvonshme. 

Autor: Asad Sadiku, Politolog

Filed Under: ESSE

NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET

February 28, 2026 by s p

Harallamb Fandi/

Të bësh një portret, aq me tepër të një poeti, nuk është gjë e vogël. Për të duhen shumë gjëra dhe kjo më nxiti të kërkoj në disa drejtime. Nuk jam duke bërë një portret të vizatuar me mjete e shkathësi si piktorët e afirmuar, po diçka tjetër, diçka ku fjala dhe mendimi sjellin nga ato lloj gjurmësh të cilat, veç të përbashkëtave, kanë edhe të veçantat e tyre. Poeti Kastriot Fetahu është një inxhinier rritur midis naftëtarëve, por që në kohën kur ishte gjimnazist u kultivua, madje arriti të shquhet dhe në krijimtarinë letrare. Me talentin që ka s’mund të mos krijonte vlera të qëndrueshme mes radhëve të poetëve dhe shkrimtarëve. Pas diktaturës, si shumë të tjerë, emigroi në SHBA. (Ai e di pse dhe si e ngarkoi mbi supe peshën e mallit). Çiikagoja, qyteti i vlimit të fantazive dhe i realizimeve gjithashtu fantastike, i dha mjaft gjëra që i duheshin dhe në këmbim, si shumë emgirantëve, edhe i mori plot të tjera, po mallin dhe dashurinë për gjithçka që la përtej oqeanit nuk ia preku, madje ia shtoi. Dhe s’ke si të mos e thuash këtë të fundit, sepse poezia e tij duket menjëherë që mbart e zbulon të njëjin mall si t ë mjaft eemigrantëve…

Njohja ime me Kastriotin filloi kur ai në Çikago e unë në Bari, komunikuam gjatë vlerësimit të disa poezive nëpërmjet facebook-ut , duke filluar nga këto vargje, që tashmë më janë bërë pjesë e pandashme e vetes:

“…në dheun e huaj ndihem i pangopur,

askënd nuk po gjej,

askush s’më kërkon…”

S’kisha shumë që kisha lexuar vargjet e mësipërme, shkruar nga poeti ndoshta në një nga baret e Çikagos, i ulur atje pas endjeve në rrugët e qyteit të madh gjithë lëvizje e zhurmë kur u ndesha ne Yuu tube me një video ku një pianiste po shoqëronte recitimin e një poezie titulluar “Ringjallje”, që Kastrioti e kishte shkruar së fundi. Dëgjoja dhe nuk më shqitet nga mendja eleganca e duarve të pianistes, që e prekte tastierën me një butësi tepër ledhatuese. Kur mbaroi recitimi i poezisë dhe pas recitimit edhe muzika, të vinte keq për ato duar që po tërhiqeshin pa dëshirë prej tastierës me një lëvizje që sado e hijshme, nuk e fshinte dot dhimbjen e shkëputjes pas mbarimit të muzikës. Fjalët e poezisë kishin gjithashtu po atë butësi e shrtirje si ajo e muzikës të bërë një me to.

Nuk është për t’u çuditur që u harrova krejt pas videos. Harrova vërtet çdo gjë tjetër duke parë e dëgjuar ato pamje dhe pa kuptuar Iu riktheva dhe një herë shikimit të tyre. Lexova dhe rilexova vargjet te ekrani, shoqëruar nga një muzikalitet i larmishëm, harmonizuar bukur. Nuk po bëj ndonjë zbulim teksa po shprehem kështu, sepse ai e ka theksuar disa herë në intervista e biseda që poezitë e tij janë shkruar duke patur në veshë muzikën e Bahut, Beethovenit dhe kompozitorëve të tjerë. Dhe ja se sa natyrsheëm zbulohet kjo te poezia për “Universin e nënës”:

“Magjike, me ngjyrë blu,

Nëna…

..Edhe valsi më i bukur

“Danubi Blu”,

ka vetëm ngjyrën

e saj…

..Engjëjt

këndojnë me zërin e saj…

dhe Zoti drejton orkestrën.

Paqja buron

në luginën e kujtimeve,

lotët : ashti i muzikës….

Dashuria këtu duket si simfoni e pambaruar sepse nëna është ringjallur. Asaj… edhe “dy jetë nuk i dalin” Po as poetit nuk i dalin dy jetë. Me këtë poezi të “tjetërllojtë” ai ka treguar se sheh dhe e dëgjon nënën bashkë me “Danubin Blu” në çdo Vit të Ri te salla madhështore e Koncerteve të Vjenës.

Në mjaft raste poezia e Kastriot Fetahut sjell imazhe të tjera, shpesh piktorike ku, gjithsesi nuk mungojnë nuancat filozofike:

Endem i pashpresë, ashtu i vetmuar,

nuk di ç ‘pamje kam, hije a njeri?

Rrugëve të qytetit me emër harruar,

më mungojnë të gjithë, mungon edhe ti…

…në Çikago bie shi…

Duke qënë i përfshirë me dhe pa vetëdije në rrjedhat e jetës së qyteteve metropolitane, mendimet e ndjenjat nga njëra poezi te tjetra ndryshojnë befasisht:

“jam gjithmonë dy botë“

shprehet ai te “Autoportreti”, ku zbulohet qartë që është unikal ( me sa kam parë e lexuar s’njoh poet tjetër që ta ketë”pikturuar” veten në një autoportret). Në të autori thekson që është “antiestablishment” : synues i vendosur i ndryshimit të “satus quos”, gjëndjes aktuale të problemeve të shoqërisë. Herë është i vetëdijshëm e herë i pavetëdijshëm, herë realist e herë i ëndërrt: onirist surreal, në disa raste metafizik. Ka dhe poezi ku shfaqet transcedent, pra tejpërshkues e diku tjetër i zhytur në ekzistencilizëm, shpesh metaforik duke qëndruar i distancuar nga hermetizmi. Në shumicën e rateve në poezitë e Kastriot Fetahut zbulohet empatia depërtuese në shpirtin e njerëzve, nëpërmjet të cilës emocionet e të tjerëve poeti i shpreh lirshëm si të ishin te tijat.

Të papriturat filozofike e estetike që shfaqen nga njëra poezi te tjetra më sjellin ndër mend fjalët e filozofit e sociologut francez, 104 vjeçarit Edgar Morin, në librin e tij “Një jetë shekullore”, përkthyer me dashuri e dinjitet në shqip nga Prof. Ilia Lëngu:

“Çdo jetë është një lundrim

në një oqean pasigurie.”

E ky lundrim ridimensionohet herëashere edhe ngaqë poeti, do s’do, gjendet brenda vorbullave të shumta të jetës amerikane:

“Në rrugët e Çikagos,

unë, një atom që lëviz

në orbita të thyera

me shpejtësinë e dritës pa dritë.

Në starbakse,

një filxhan më shumë

që thyhet hera herës

apo një gotë plastike

shkruar me emrin tim,

e shtrydhin

bashkë me kafen.

Në markete

pak dollarë që udhëtojnë si tram

pa stacion dhe pa rrugëkthim…

…Në teatrot e Çikagos,

jam hija ulur në karriget e buta

që nuk e ka të zotin me vete.

Al Kapone më përshëndet,

stampuar në mbulesat e furgonëve

gjithmonë me bojë të zezë

e me puron e pambaruar.

Bluzi më ndjek nga pas

dhe këndon “Çikago Çikago”,

si për të më kujtuar që jam

një flluskë tingulli pa sipërfaqe…

…Një pulëbardhë e trishtuar

te liqeni

më lyp ushqim,

unë

“Çikago Çikago… “

Në një mjedis të tillë s’ka se si si të mos diktohesh fuqishëm në krijimtari. Në të duket qartë që filozofinë Kastriot Fetahu e ka pasion simbiotik me poezinë. E kur flasim për poezinë, kemi parasysh që ajo është e pandarë nga motivet njerëzore, mbartur në qënien e tij nga vendi i lindjes e i rritjes, krahas me vrullet e gjithëkohëshme dashurore.

Përvijimet e derikëtushme duket se më thonë që jam afër përfundimit të portretit, që gjithsesi më jep përshtypjen e veprave që piktorët i quajnë “non finita” (të pambaruara). Dihet se në to mund të shtohen penelata të tjera, nxitur jo vetëm nga leximi , po edhe nga rileximi i vargjeve të tilla si këto:

“Lufthansa do të fluturojë me një njeri më pak.

Nuk e preva biletën e avionit , si zakonisht, në çdo Mars…”

…

“Do të udhëtoj në rrugën e klorofilit të Belshit”…

…

“ Kam harruar zogjtë

që kompozojnë me tingujt e një flauti…”

…

“ Melodia që nuk mbaron

ka ngjyrën e gushës së pëllumbave”

…

“ Vera nuk do të jetë e lehtë,

dimrat i kam larguar jashtë mendjes,

ndërsa një mimozë nuk ndalon të verdhën

prej pranverës së fundit, të palarguar…”

…

“ …nuk i flisja askujt,

më dukej sikur do të më merrnin hapa

që nuk më mjaftonin për të dashurën time.”

…

“Dimri loton shi nga inati

se nuk pushton dot dhomën tënde…”

… ku “gishtat flasin me tastierën e pianos

me një gjuhë që vetëm ditët e mia me ty e njohin.”

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT