• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPERIA SI M’U DUK

December 9, 2016 by dgreca

NGA FAIK KONICA/

…Me qe binte shi dhe dita ish ne mbrem` e siper, kopshtin e Pallatit, te zbukuruar me shume lule, nuk munda ta keqyr e ta shikoj, kete here te pare. Pastaj as kisha nge te veja re gjesendi i dalldisur sic isha ne mendime te perziera, te cilat mblidheshin te gjitha mbi pyetjen, valle c`ndryshime ka prure koha ne dukje e ne mendime te Mbretit? Ne Rome, me 1919, dhe prape me 1920 ishim pjekur, por per nje kohe te shkurter,- kurse ne Vjene kishim shkuar bashke dy vjet te tmerrshme, ne mes te zhurmes e te mjerimeve te luftes se Perboteshme, me nje ngushellim te vetim: muziken. Nga koncertet klasike qe jipnin te dy orqestrat simfonike me fame te Vienes, besoj se s`lam asgje pa degjuar; i degjuam disa here simfonite e Bethovenit, dhe mbaj ment me mallengjim, ne Opera te Oborrit, nje cfaqeje te cuditshme te “Fyellit te Hutuar” (Zauberflote) te Mozartit.
Asi kohe , Beu i Matit nuk ishte vec se nje djale i ri njezet e dy vjec; po q`atehere zotesia e tij mendore cfaqej ne cdo rast: te folur te pake, te degjuar shume dhe me kuptim, gjykime te shkurtera e te thella qe shtijne nje drite te re mbi ceshtjet e biseduara,-keto jane ca nga shenjat e tij qe me cuditjein. Miku yne i perbashket, Fazlli be Frasheri, nje nga kombetaret me te kthejellet e me te thelle qe ka Shqiperia, me permendi kete rradhe ne Tirane nje fjale qe i kisha thene dikur ne Vien: “Kemi ketu nje fytyre fare te jashtezakonshme; Ahmed Beu me duket i shenuar nga Fati qe te loze rolin me te math ne histori te Shqiperise”. Keto ishin fjalet e mija ose fjale te tjera ne kete kuptim,-dhe Fazlliu duke m`i kujtuar thosh se ishin fjale profetike.
Ay djale i ri, ne mes te zjarrit e te luftes e te tradhetive e te rreziqeve pa numer, arriti ne pkae vjet` e siper ta bashkoje Shqiperine, ta vere nene fuqine rregullonjese te Kanunit, t`i shtrengoje te tere armet e te zere parmenden, dhe sot ri ne Fronin e Skebderbeut. Po te hapurit e nje dere me zgji nga mendimet. Nje nga oficeret e obborit foli emerin tim, dera u mbyll prapa meje, dhe e gjeta veten time perpara Mbretit.
Ne kisha patur ndonje dyshim te vogel qe te ndruarit e cuditshem te shkolles do kish prure edhe nje te ndruar ne qendrim te tij, kuptova menjehere se kisha parashikuar liksht. Cdo njeri, i arrire ne pake vjet e siper ne nje fron, do kish humbur ballancen, do t`i ishin marre mentte-dhe s`do te kish kush te drejte te ja quante faj. Po mbreti i shqiptareve, me nje force te rralle shpirti qe mund te pritej-vetem nga nje filozof eshte gjith`ay qe pata njohur me pare ne Vjene: i dashur ne fjale, i rende-dhe i matur kur e do puna, buzeqeshur dhe plot ” sense of humor” kur vjen rasti, i shpejtem ne te hyret ne nje ceshtje te re te shtruar perpara, i zoti ne te gjetur anen e mire dhe anen e dobet te nje theme.
I vetmi ndryshim qe i pruri kurora e mbreterimit, eshte nje ndryshim per te levduar: shija e tij u hollesua me teper dhe u be me fisnike. Ne qofte se, si gjithe djemt e rinj, i pelqente, kur ish kryetar i Republikes, nje luks me ndgjyre te tepert ne veshje e ne rreth, sot i pelqen me teper bukuria mee madhe e mosdukjes.Hoqi dore nga uniformat e ckelqyera, perdor per vete nje uniforme fare te shuar e te mvrojtur dhe u ka dhene oficereve dhe ushtareve te Gardes veshje qe s`terheqin aspak verejtje shtetit te mbahen. Te shtruarit e Pallatit cfaq perseri shien per nje mosdukje fisnike: Asnje xhixhellim te tepert ne nghjyrat e fronave ose te mureve.
Nga pikepamja e dukjes se trupit , u habita ta gjej mbretin ashtu sic e pata njohur nen kohet e shkuara: Te shkathet po pa thatesi, syte te kulluara,ngjyren e faqeve te fresketa-njepikture shendeti per te cilen cdo njeri mund te kete zili. Kisha degjuar jashte fjale te ndryshme, sikur vuante, sikur po tretej dhe shkrihej. Kundershtare te paguar nga guverna te huaja qe duan te prishurit e Shqiperise, cfaqin nga koha ne kohe shpresen se jeta e Skenderbeut te ri nuk do te zgjatej shume. Shqiptaret e mire dukeshin te trembur. Mua qe diten e pare, si shpresat e tradhetareve ashtu edhe friket e atdhetareve m`u duken pa nonje themel. Nje njeri qe punon pa reshtur qe ne te gdhire te dites e gjer ne te perenduar te diellit, pervec kesaj defren nje pjese te nates me miqte, dhe prape te nesermen ngrihet qe n`agim i forte dhe i fresket, nuk mund te jete i semure. Keto peshtypje ua bera te njohur perseri e perseri moqve. Dhe kur dy mjek me fame arriten nga Viena dhe zbuluan se Mbreti s`kish tjeter vec nje semundje te lehte te shkaktuar nga te piret duhan te tepert, gjithe fjalet e kota muarne funt. U duk se Perendite e vjetra t`Ilirise vezhgojne shendetin e atij qe vetem ka qene i zoti ne kohet moderne t`i jape bashkim dhe paqe popullit shqiptar, filizi i funtme te lisit te madh ilirian, i cili nje here mbulonte ne deget e tij dhjete here me teper vend se sa Shqiperia e sotme.
Nje njeri me zotesi te mesme, passi te kish arrire ne shkallen me te larte te vendit tij, do t`ish kenaqur me aqe, do te kish qendruar ne clodhje e te gezonte jeten pa u munduar me tej. Po per nje burre shpirtmadh si Mbreti Zogu, perpara cdo gjeje tjater qendron me letra te zjarrta fjala Detyre. Kuroren nuk e quan si nje zbukurim ne bvalle te tij,-e quan si nje barre qe ta lulezoje kombin shqiptar. Pa frike dhe pa mburrje, me nje deshire te thelle ne fund te zemres tij, thote qe tani qe Shqiperia u bashkua dhe u shigurua, vepra qe mbetet eshte t`ijepet kombit nje fryme e re gjallesie dhe perparimi. Veper aq e veshtire sa esht e madhe. Ne qofte se vete mbare, fytyra e Zogut do te shtjere ne histori nje hie me te madhe se hieja e Skenderbeut.Perkrahjet per kete veper herkuliane jane te shumta; pengimet jane edhe me te shumta se perkrahjet….(Dielli-arkiv)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, shqiperia, si m'u duk

Homazh për atdhetarin e diplomatin e shquar, Gani Azemi

December 5, 2016 by dgreca

1 enver Bytyci

Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/

gani-azemi-ibrahim-rugova

Në historinë tonë kombëtare brezat kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim Gani Azemi, një personalitet politik, diplomat, gazetar, veprimtar i shquar dhe pse jo edhe krijues e poet i talentuar. Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër. Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së. Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit. Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë). Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye. – Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues. – Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai. Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes. Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës. Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut. Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit. Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre. Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë. Kam pasur fatin ta njoh Gani Azemin, të bisedoj me të, madje në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”, kam vënë disa vargje të poemës që ai i kushtoi presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Me këtë dua të përmend faktin se Gani Azemi nuk ishte thjesht një politikan dhe diplomat, ishte gjithashtu poet, eseist, gazetar dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: diplomati, Enver Bytyci, Gani Azemi, homazh

Mbi artin poetik të Faslli Halitit (në ditën e Lindjes)

December 5, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/*

Individualisti/1-faslli-haliti-2Mbi artin poetik të Faslli Halitit/

                 Koment/h

Për shkak të mos përgatitjes së tekstit, duke patur parasysh se në atë kohë (1996-’97) kishte një mungesë të theksuar syresh, në provimin e komentit letrar u paraqita me vjershën Mehmetit tim të poetit turk Nazim Hikmet, shkruajta në mënyrën time dhe çuditërisht pedagogu me vlerësoi me notë maksimale. Këtë ia tregova si kurozitet Faslliut kur po pinim kafen e mëngjesit tek bredhi i Buçit dhe ai më tha midis të tjerave se, kisha fituar nga që pata folur me çiltërsi. Ashtu duhet bërë komenti, të flasim për atë që shohim atë që dëgjojmë dhe atë që prekim, tha ai. Ndofta nga ajo kohë këshilla për komentin u kthye në një lloj makthi, pasi në versionet pedagogjike struktura, ritmi, kadenca, përfshi edhe figurat stilistike, duket sikur e ngarkojnë teorinë e letërsisë. Qëllimi nuk është të mohojmë komponentët përbërës, por të rrëfejmë në një mënyrë ndryshe, pra si me thënë të ndërtojmë një koment me prioritet ndjesinë e përftuar nga konstatimi lirik i Oktavio Paz-it (Octavio Paz) kur thotë se, Unë shoh me mollzat e gishtërinjëve/ atë që prekin sytë e mi.

Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore le të mbeten thjesht element funksional, të cilët doemos do të na ndihmojnë të ullukuzojmë afshin e ndjenjave, në mënyrë të atillë që të jemi gjakftohtë dhe jo të përciptë në interpretimin e poezisë.

Në këtë aspekt Faslli Haliti na jep mundësinë e madhe për shkak të individualizmit të tij, jo vetëm në formën strukturore por edhe në përmbajtje; mënyra se ai shprehet, afeksioni poetik merr paraqitjen arkitektonike të ndjenjës, si me thënë se frymon edhe guri, betoni, abstrakja, etj., përshembull …

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha. 

Unë e di mirë dhe besoj se të mendosh e gjykosh me zemër të madhe, për fatet e njerëzve të tu, me përpjekjen e tyre që afrojnë dritën, siç thotë Pol Eluar-i,(Paul Eluard’) do të thotë ta radhitësh veten në një front me ndryshimin. Kjo është normale për artistin dhe anormale për njeriun e thjeshtë, artisti e mban pezull atë tërësi vlerash që ka trashëgimia qytetare në të gjitha drejtimet, Faslliu provincën e ktheu në vëmendje dhe punën me kulturën në një akademi.

Pas luftës së dytë botërore krahas hoveve shumplanëshe që pati treva e Myzeqesë, risia kulturore qe një bum në aspektin e arritjeve, emra të tillë si Vaçe Zela, Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Vath Korreshi, Pavlina Mani etj., shënuan fillimin e një epoke të shkëlqyer për historinë kulturore të qytetit të Lushnjes. Nga ajo kohë tashmë mes gjithsecilit ka mbetur në mes vetëm pesha e mallit, se rrugicat e kalldrëmta, qiparisët, pjergullat, avllitë, nuk ekzistojnë më. Rendi ushtarak i krijoi një tjeter fytyrë qytetit. Pas gati tridhjetë e kusur vitesh piktori Zoi Shyti, do të vizitonte Lushnjen për tu nderuar. Ai deklaroi me keqardhje atë që vërejti, Po kjo nuk është Lushnja ime. Liceisti Faslli Haliti jeton me tempin e kohës, madje nisur nga vështrimi i tij intilektual e poetik, mpreh lapsin  dhe vizaton vesin, pikturon huqin, flet për priviligjenin, për meritën që bëhet antimeritë, degradimin për të drejtën antiuniversale të luftës së klasave nën diktaturën e proletariatit. Dhe kur, atëhere kur poetit i duhej në fakt të përshtatej me atë detyrë që i kishin caktuar, siç shkruan R. Elsie në Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417. Frymëzimi i Faslliut kthehet në shmangie nga deviza e mësipërme partiake, për shkak të trajtëzimit, shpërbërjes së tij me talentin, pra të njeriut me krijuesin. Po sipas R. Elsit nga Historia e Letërsisë Shqipe, fq. 417., dy radhë më sipër nga paragrafi që cituam, vetvetiu, nga natyra, poezia mbetet individuale dhe shpesh është e vështirë të përputhet me shoqërinë e planifikuar.

Ai që e njeh Faslliun nga afër nuk e ka vështirë të kuptoj thelbin e kësaj, pasi Faslliun nuk e ndan dot nga poezia. Ai dhe poezia janë një lloj njëjtëzimi prej kohe dhe uji, vesi i tyre është keqardhja, po edhe poezia e tij (përshtypja ime kjo), është e gjitha një keqardhje. Dhe kjo zakonisht ndodh me krijuesin e frymëzuar. Një keqardhje që tingëllon fine deri në çeljen e ngjyrave të natyrës, emocioneve njerëzore.

E kam të vështirë të jap një gjykim përmbledhës për poezinë e tij, ku edhe qënia ime është lëndë poetike, po deri këtë diell dite këtu në Florida, në tokën e Oskeolës dhe të Seminollëve, gjykoj se keqardhja poetike e këtij trajtëzimi ka sjell një individualist model në Letërsinë Shqipe.  Në konteks me këtë, sintetizimi i lirikës shqipe në aspektin universal tek Faslliu merr vërtetësi, formë dhe ekzistencë. Pse? Sepse ka një gërshetim të përsosur të tingullit, trajtës, vesit, dhe absurdit. Pra le ta quajmë lirikë unikale e sensit social, sintezë të identitetit; gjithsesi me prirjen që të ndihmojë njerëzimin, përpjekjen për të lartuar shpirtin. Ndofta nga kjo na krijohet përshtypja se poezia e tij si flutura prek gjërat në mënyrë rrethanore, sa lirika me tipare sociale shpallet si fryt i dashurisë me tokën. Është një lloj lirizmi enumerativ i tipit Faslli, shkallëzues fët e fët, i ngjyrtë, i akuarelt, me aromë Myzeqeje, plisi e kallami.

*Fëshfëritja si habi në vend të klithmës së munguar.

                Nëna

Si më the ashtu në çastet e fundit

-Mbylle lesën, mbylle lesën…

Derën e apartamentit mbylla unë

Më çove në fëmijëri,

Më çove në ato vite,

Kur më thoshe në muzg

”Shko mbylle lesën Çaçi!”

Pse vargu është ndjesor dhe jo deklamativ…, sepse ka brenda habinë njerëzore të drejtpërdrejtë në efektin intim të keqardhjehabisë. Si më the ashtu…., nën një drithërim personal me muzikalitet të përftuar nga konstatimi. Nëse poeti do të shprehej se, Ti, në çastet e fundit më the…., tërësia e përcaktimit të mësipërm do humbte trajtën, për faktin se në rastin e dytë kemi deklamim, diçka që thuhet pa praninë tëndë. Po le të kthehemi në komentin e variantizuar mësipër, pra të flasim për atë që shikojmë, të themi atë që që konsiderohet idiomë e ndjesisë përfytyruese të tipit Paz-it (Octavio Paz) kur thotë: unë shoh me mollzat e gishtave/ atë që prekin sytë e mi.

Vargjet Më çove në ato vite/ Kur më thoshe:/ Shko mbylle lesën Çaçi!., bëjmë digmën ku afërmendja flatron me sy ëndërrimtar kopshtijet fëminore. Aty bredh nje djal, i cili për sytë e kalimtarin po kryen thjesht një veprim, po mbyll lesën e oborrit. Në Myzeqe lesë quhet porta e thurur, një lloj porte që ka më tepër funksion detaji sesa fortifikimi, lesa me rakita është një e tillë. lesë thuprash.

Vrapoja une në muzg;

Lesën e oborrit mbyllja me vrap,

Lesën e madhe thurur me rakita,

Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,

Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Përveç vargut metonimik Vrapoja unë muzg vargjet e tjera janë krejt të zhveshura nga figurat, po tablloja e paraqitur përmes tyre është mirëfilli një kompozim ku bredh ndjenja, ankthi, trembja. Djali që kthehet me kokën prapa, të mugtit që mvaret nëpër gjethnaja, rrugica gardhesh.

*Inversi si metodë por jo si qëllim.

Dheu

Ha gjithçka.

Dhëmbët, që hanë s’i

Ha.

Çfarë shohim…, fytyrën e vërtetë të ironisë ku pa gajle mund ta vizatojmë edhe ne, gjithsejcili prej nesh, padiskutim, mjafton të mbyllim sytë dhe masiviteti i dheut me fytyrën e Shrekut, përpinë gjithçka. E bluan, e nxjerr, jashtëqitje, produkt, quajeni si të doni, vetëm të jeni mëse të sigurtë që në fund ka kocka, ka eshtra, ka dhëmbë. Pse?! Po…, Dheu/ Ha gjithçka/ Dhëmbët, që hanë s’i ha.

*Dinjiteti si ndjesi, jo strategji…, performancë e kumtit njerëzor ku bën pjesë Njerëzimi i madh, pra përcaktori alla Nazim Hikmet.

 

Vdiq babai.

Bota s’i uli flamurët,

Dhe ne qefi s’na mbeti 

(Nuk kishte përse,

Bota të ulte flamuret).

Ne keq nuk erdhi aspak

Që bota babanë nuk e qau,

Por mirë na erdhi sa s’ka

Që babanë se shau.

Përfytyrimi njerëzor rrok një tablo allasoj, ku paralelizma midis Njerëzimit të madh dhe individit të madh, në rastin e tragjedisës njerëzore, fatkeqësisë, sjell nuancat e keqardhjes. Pra paralelizma e klithmës vdiq babai me vargun parabolik bota s’i uli flamurët, nxjerr një mllef mbi mospërfilljen. Pastaj kthjelltësinë, qetësinë…, atë qetësinë që përfton përroi kur shtrohet në fushë, e cila në vetvete trajtëzohet ose trupëzohet, në natyrën e vërtetë të Njerëzimit të madh. Ka edhe dhimbje po edhe habi, ironi, preteks, mbrojtje ose një farë spjegimi sepse çështja e të të përsosurit është e përjetshme. Po fondamentale për poetin është aftësia, ndjeshmëria pa të cilat ne s’mund ta përfytyrojmë Njerëzimin e madh. Tek strofa e dytë, metonimë e vargut të parë e zgjidh shkakorja e vargut të dytë, dhe atë të të tretit e zgjidh ajo e të katërtit. Pra…ne keq nuk na erdhi aspak/ që bota babanë nuk e qau, por mirë na erdhi sa s’ka/ që babanë se shau.

*Struktura tekstore ……….,  si risi, një prurje më vete… (Shumë krijues tentojnë, eksperimentojnë, në këtë aspekt Faslliu vetoi qysh në krye).

Zhurmë

Futu në turmë

Bërtit me të madhe,

Bëj

Zhurmë!

Ç’pret më?

Sot kërkohet zhurmë

S’ka nevojë për zë!

Nëse leximi do të ishte rrafshor, horizontal, përftesa ishte një fjali e thjeshtë urdhërore; futu në turmë, bërtit me të madhe. Bëj zhurmë, ç’pret më? Sot kërkohet zhurmë, s’ka nevojë për zë! Po, shkallëzimi strukturor i jep një tjetër pamje verbit, që i gjithi, është një parabolë. Përfytyroni, ti ecën mes gjindjes, je brënda poteres, afshit, rrëmujës. Paradoksi, ironia, pasi sipas poetit, sot kërkohet zhurmë/ s’ka nevojë për zë!.*Aforizma në shkallëzim …,  si pjesë e origjinalitetit të mësipërm.

Ligji

Ligji

Eshtë se qeni,

S’e ha të zotin.

Qentë po hanë popullin.

 Në fakt bëhet fjalë për një ligj moral atë që populli e përmbledh në krijimtarinë e vete kolosale në atë që, qeni s’e ha të zotin…, po pse duhet të hanë popullin?!. Inversi poetik, zhvendosja kuptimore, sipas tonalitetit përshkallëzues poetik, ngre një pikëpyetje të madhe. Në të njëjtën kohë, shohim një konstatim. Kurse ritmi sjell shfrym, pakëz inat, apo ironi.

*Enumeracioni në përshkallëzim….,  kollajllëku lëviz volumin.

Mosmirënjohje

Gjithë

Peshat e rënda

Peshat vigane

Peshat sa një mal Tomorri

Sa një mal Korabi

Me levën time i ke ngrirë

Me levën time vazhdoni t’i ngrini.

Çudia është se poezia ka në strukturën e saj përsëritje, peshat tri herë, mal dy herë, togjet me levën time dy herë dhe nuk krijon bezdi aspak. Përfytyrimi na jep një botë të pa   imagjinueshme emocionesh si lëvizja e maleve, zhvendosja, kollajllëku. Pavarsisht se Arkimedi nuk përmendet, poeti na ka dhënë shancin të të jemi ne Ai, Arkimedi. Dhe…, nën përemrin e munguar vetorin Ti, le të ndihet kush nuk përfytyron dot, ai që nuk kupton se edhe sendi e ka një ëndërr.

*Epilogu.

(Disa radhë për Faslliun, një vizatim, a, portret, në akuarel, në përfytyrim). I shkurtër në shtat (kujtoni poezinë e tij në formën e gërmës N me diagonalen e mezit të këputur në krye, mes Fatbardhit dhe Visarit), kur ecën duket sikur i tërheq këmbët zvarrë, vishet bukur dhe gjithë kohën është i pastër. Ka flokë të grinjtë, dendës, disi të gjatë, buzëqesh. Mban syza optike të cilat i shkojnë aq shumë sa të duket sikur ka lindur me to. Nuk mund të kuptohet xhepi i këmishës së tij pa një stilolaps, ashtu siç nuk mund të kuptohet dora e tij pa ndonjë gazetë a dorëshkrim. Kur ecën në profil ngjan me një pinguin, me vështrimin lart, sikur kërkon t’i gjejë të tjerët përmes syve. Ai që e shikon për herë të parë nuk e ka të vështirë të zbulojë tek personi i tij, poetin, piktorin, mësuesin dhe intelektualin…., tituj që i gëzon edhe shkresërisht.

_____________________________

Shkëputur nga përmbledhja eseistike

Hiret e Letërsisë Moderne Shqipe,

Botoi Manifestimi Letrar Ditet e Naimit,

Tetove 2016.

  • Redaksia e Gazetes Dielli ne SHBA uron poetin, piktorin, me rastin e Ditelindjes.
  • Faslli Haliti ka lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut.

Filed Under: ESSE Tagged With: (në ditën e Lindjes), Ilir Levonja, Mbi artin poetik, të Faslli Halitit

Letër “Vatrës” me rastin e Ditës së Pavarësisë

December 1, 2016 by dgreca

Në Emër të Zotit/

1-ismail-bardhi

Shkruan: Ismail Bardhi, Shkup/

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga themelimi i një lëvizjeje, organizate mbarëkombëtare si “Vatra”, është për t’u lavdëruar dhe për t’u gëzuar me këtë emër që ka njëdomethënie tepër të lezetshme dhe të rëndësishme për të gjithë ne. Qëllimi i “Vatrës” gjithsesi ka qenë që të gjithë të jemi rreth Vatrës dhe për Vatrën. Se a ka ndodhur diçka e tillë, me keqardhje duhet të pranojmë se jo, sepse hapësira shqiptare në atë kohë kur është themeluar “Vatra” ka pasur një tablo shumë të dhimbshme, sepse vatrajonë ka qenëdisi e zbrazët: nga shkronjat, nga letrat, dhe nga kultura. Pavarësisht nga e kaluara e tillë, ne për fat të keq mbi atë të kaluar kemi mbështetur edhe një ardhmëri pa ardhmëri. Kjo nuk do të thotë se mundohem ta kthej të kaluarën, ngase ajo nuk kthehet dot dhe nuk duhet të kthehet, por shqiptarët nuk do të kenë mundësi asnjëherë t’i përgjigjen një pyetjeje shumë të rëndësishme: çfarë i sollën vetes për vetveten, respektivisht për Vatrën!?! Përpos pakënaqësisë dhe frikës – asgjë! Të gjithë fituan, krijuan shtete, përpos shqiptarëve, të cilët vërtet krijuan shtetin, por si e bënë këtëështë shumë e vështirë të flet gjuha e shtetësisë dhe kulturës shtetërore.

Ky naivitet është bërë, për fat të keq, një “forcë” e madhe dhe me apo pa dashje i ka keqpërdorur edhe kulturën edhe mendjen e shëndoshë; keqpërdorim ky që u dëshmua me diplomacinë e dobët, me organizime të atentateve të ndryshme, me “krijimin” e një historie kundërthënëse, e deri te ateizmi i paparë në botë. Edhe monizmi edhe pluralizmi në vatrën tonë u treguan me një model të veçantë që nuk u përputh as me fjalorin e fqinjve përreth Shqipërisë, e të mos flas për më gjerë. Është fakt se po në këtë të kaluar ndodhën gjëra që për fat të keq as ne “nuk” i dimë, ngaqë i kemi harruar dhe i harrojmë, sepse thuajse gjithçka e bëjmë në mënyrë folklorike, larg kritikës së duhur dhe organizimit të mirë. Për shkak të kësaj dobësie, ne përdorim vrazhdësinë e mendjes, fjalorin e frikës, organizime dhe tubimepër ndarje e deri te kërcënimet fizike, dhe jo vetëm kaq.

Për të gjithë këtë e kemi fotografinë e dy shteteve tona: njëri me një flamur e tjetri me tjetër. Ja tani është duke u shkuar edhe nga ajo që të kemi edhe dy kombe, jo një. Nuk flas për “si”-në dhe “sa”-në e tyre, edhe pse të gjitha njoftimet dëshmojnë se “paria” janë futur thellë në kriminalitet, në naivitet, janë futur thellë në shkatërrimin e kulturës së tyre, ndaj ne sot nuk dimë për të kaluarën e një qyteti, fshati, lagjeje tonë, e lëre më për personalitetet e shquar. Fjalori politik që përdoret brenda hapësirës së shteteve tona është larg çdo dimensioni. A e dini përse?! Për arsye se nuk mbështetet fare mbi mendjen shqiptare dhe vatrën shqiptare. Të gjithë vrapojnë me të madhe që t’i pëlqejnë Perëndimit, Lindjes, Jugut, Veriut… edhe NASA-s. Është për t’u habitur se nga buron kjo forcë e shëmtuar? Gjërat për të cilat jemi bërë copë për njëçast ndryshojnë;kemi ardhur në asi derexheje që një deklaratë e një diplomati e ndryshon diskursnin e “politikës” tonë, dhe vendimet e kuvendit dhe qeverisë. Besoj se jemi të ndërgjegjshëm se çfarë do të thotë kjo: kjo do të thotë se gjendemi mes dilemës të jemi apo të mos jemi.

Nëse në mënyrë serioze shikojmëse ç’janë duke bërë partitë shqiptare, çfarë do të shohim: në Maqedoni u dëshmua se partia “e madhe” shqiptare çdo veprim të vetin, duke filluar që nga organizimi “kryengritës” dhe pas kësaj,e ka bërë në marrëveshje të plotë me “dushmanët” e shqiptarëve. Shqiptarët “e mençur” e hëngrën këtë lojë, e pranuan shumë mirë dhe u desh të kalonin vite e vite që ta kuptonin se kanë qenë të mashtruar. Ja sot nuk kanë mundësi të hapin gojën ngaqë janë zënë në flagrancë. E njëjta gjë ndodhi edhe me partitë politike shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Dita-ditës po zbulohen fshehtësitë që nuk janë fare në interes të tokës, kombit, mendjes dhe kulturës shqiptare: politikë pa parime, pa perspektivë, plot “pendime” dhe plot kundërthënie.

Në hapësirën e Ballkanit ne shqiptarët me shumicë nuk mendojmë asgjë tjetër, përpos se si t’i braktisim trojet tona dhe jemi tepër të interesuar për vizat e shengenit dhe të SHBA-ve. Përpos atyre që merren me politikë! Është shumë interesante se edhe individë që janë jashtë vendit, nëse kanë pak ambicie për politikë dëshirojnë të kthehen: nuk e di pse, a për të ndihmuar apo pse për momentin kjo është e vetmja hapësirë që mundëson pasurim brenda nate (mandati) dhe pa u djersitur. Pas gjithë kësaj, habitem me fjalorin tonë: “patriot shqiptar”!?! Fjala më denigruese për momentin.

Besoj se, duke pasur parasysh atë që u tha më sipër, është koha për t’i ringjallur atë forcën e shenjtë dhe qëllimet fisnike të “Vatrës”, për ta riaktivizuar atë si forcë qëdo t’i ndryshonte gjendjen, tablonë dhe mendësinë shqiptare për një organizim dhe riorganizim që do të mendonte për një shtet modern shqiptar. “Vatra” ka nevojë të bëhet një forcë shumë e rëndësishme, sepse është themeluar në një shtet shumë demokratik që ka respekt ndaj popullit shqiptar dhe “shteteve” shqiptare, ndaj nuk guxon ta keqpërdorë këtë përkrahje të madhe. Besoj se ka pasur kohë të mjaftueshme për ta menduar dhe rishqyrtuarçështjen shqiptare, shtetin shqiptar. Ajo nuk guxon t’u nënshtrohet kërkesave të individëve, “komandantëve” të ndryshëm me fytyrë e pa fytyrë, të cilët që të tregohen se kanë ndikim dhe forcë kanë përdorur mënyra të ndryshme dhe të cilët thuajse të gjithë kanë dëshmuar se nuk e kanë vrarë fare mendjen për çështjen shqiptare. Mjaft ka qenë organizimi, strategjia e shqiptarëve e ndërtuar nëpër restorane e kafene; kultura e kafeneve nuk duhet të jetë kultura jonë.

“Vatra” duhet ta mbrojëçështjen shqiptare, kulturën shqiptare nga shumë gjëra dhe ta kritikojë gjendjen aktuale të shqiptarëve. Sidomos çështja e harmonisë fetare ështënjë çështje me rëndësi që nuk duhet reduktuar në debatin se kjo apo ajo fe është moderne/jomoderne, perëndimore/joperëndimore. Ne e pamë fotografinë e sllavëve që vetëm për arsye se diku ishin shumicë, zhvilluan një luftë të ashpër, të tmerrshme madje edhe kundër atyre që flisnin gjuhën e njejtë, por që i takonin një feje tjetër, e të mos flas për ata që flisnin gjuhë tjetër. Me dinakëri dhe plot mashtrim kjo po mundohet të futet edhe brenda indit tonë shqiptar, dhe atë nga “patriotët” shqiptarë. “Vatra” besoj se është e kujdesshme ndaj kësaj çështjeje shumë të rëndësishme. Ne kemi nevojë që “Vatra”, me forcën që duhet ta ketë, ta pastrojë mendjen shqiptare nga vetë lojërat “shqiptare”; ta krijojë forcën e pavarësisë së mendjes shqiptare kur bëhet fjalë për kombin dhe shtetin; të mundësojë zhvillimin e metafizikës së shëndoshë të fesë qëështë plot dashuri, qetësi e shpëtim. Fjala do të ishte më e padjallëzuar për “Vatrën” vetëm atëherë kur ëndrrat tona do të konstatohen ashtu siç duhet.

Për fat të keq, inteligjencën tonë, të cilën jemi duke e dëshmuar nëpër shumë universitete prestigjoze të botës, si dhe në trojet tona, pa marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe jostabilitetin politik, nuk na lejohet ta vëmë në shërbim të së mirës, duke ditur që kemi të talentuar që kanë mundësi të luajnë rol të madh në ndërtimin dhe rindërtimin e kulturës, shkencës dhe politikës shqiptare. Të gjitha këto keqpërdoren vetëm për arsye të patriotizmit të rrejshëm dhe politikës shtetshkatërruese dhe katundareske të njerëzve që nuk dinë gjë tjetër, përveç “çallëmit” dhe llumit që kanë nëpër mendje dhe trup. “Vatra” ka mundësi të fillojë një riorganizim për mbrojtjen e popullit të vet në nivelin akademik, përndryshe do të bëhemi lodër dhe gaz i botës. Shpeshherë e kam thënë: ne jemi ata që jemi në brendësinë tonë; brendësia jonë është dëshmi e së jashtmes sonë; ndërsa e jashtma/paraqitja jonë është dëshmuar se nuk harxhon për din e iman e vatan asgjë, përpos një leku, dollari, euroje, denari… D.m.th. për momentin aq vlejmë: një lek, një dollar, një euro, një denar…

Letrën po e përfundoj me lutjen: O Zot që Ty të besojmë, kemi nevojë për mëshirën Tënde; kemi nevojë për dashurinë Tënde; jemi të ethshëm për dijen Tënde. Ndihmona që të jemi të udhëzuar, na e forco shtetin tonë; na e pasuro dhe zbukuro kulturën tonë; na e ndriço rrugën tonë si në këtë botë ashtu edhe në botën e amshuar.

Ju faleminderit.

Ismail BardhiShkup, 28 nëntor 2016.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Bardhi, leter Vatres, Në Emër të Zotit

Fjalet e gjuhes se zjarrte nder shekuj

December 1, 2016 by dgreca

1-derada-frasheriNGA SADIK ELSHANI*/

Shpallja e pavaresise se Shqiperise me 28 nentor te vitit 1912 eshte ngjarja me e madhe dhe me e rendesishme ne historine shumeshekullore te kombit tone. Eshte kurorezimi i suksesshem i te gjitha perpjekjeve, i te gjitha lufterave qe ka bere populli yne gjate gjithe historise se tij te lavdishme. Kjo fitore perfundimtare u arrit vetem atehere kur te gjitha forcat politike, intelektuale, shoqerore, ushtarake u bashkuan dhe vepruan si nje force e vetme dhe e fuqishme. Prandaj 28 Nentori na sjell gjithmone nje porosi te madhe: ate te bashkimit kombetar.

Nje rol te rendesishem e te pazevendesueshem ne ngritjen e ndergjegjes kombetare, ne zgjimin kombetar e kane luajtur edhe poetet, publicistet, aretistet, studiusit qe me vargjet, veprat e tyre i ndriconin rrugen dhe i prinin popullit. Me angazhimin e tyre te drejtperdrejte ne rrjedhat e Levizjes Kombetare Shqiptare per liri e pavaresi dhe me veprimtarine e tyre te gjithanshme letrare, kulturore, arsimore, atdhetare ata u bene embleme e kesaj levizje vendimtare ne zgjimin e ndergjegjes kombetare dhe fuqive te fjetura te popullit tone, duke i kujtuar atij te kaluaren e lavdishme e heroike te bijve te arbrit, Periudhen e lavdishme e mitike te Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Rilindesit tane mendjendritur u perpoqen me mish e shpirt, me pushke e pene per ta mbajtur gjalle shpirtin e arberit, identitetin dhe qenjen shqiptare. Ky ishte misioni i shenjte qe Rilindesit tane i kishin ngarkuar vetes dhe vepres se tyre atdhetare. Disa madje e flijuan edhe jeten e tyre per lirine e Shqiperise. Ata e ndien si nevoje shpirterore, si detyre atdhetare qe me vargjet, rreshtat, kenget e tyre ta zgjonin popullin nga agonia, nga gjumi i rende i roberise shumeshekullore.

Poezia ishte ajo forma letrare e artistike qe depertonte me lehte e me thelle ne shpirtin, zemren e shqipareve. Kangjelat e De Rades u perhapen si kandila te ndezur neper trojet dhe ngulimet (kolonite) shqiptare dhe u ndriconin atyre rrugen per liri e pavaresi. Poetet e Periudhes se Rilindjes sone Kombetare i kendonin me dashuri natyres se bukur shqiptare, burrave te medhenj te kombit tone, gjuhes shqipe dhe ngrenin lart virtytet, vlerat e larta e te cmueshme te popullit tone: burrerine, besen, mikpritjen, etj. Me sa dashuri e adhurim poetet dhe atdhetaret tane: Naim Frasheri, Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta e shume te tjere, vargjet me te bukura ia kushtuan gjuhes shqipe, gjuhes sone te embel e te dlire, sepse ata e dinin fare mire se gjuha pasqyron kombesine, eshte identiteti i nje kombesie: pa gjuhe shqipe nuk ka shqiptare dhe pa shqiptare nuk ka gjuhe te gjalle shqipe. Vargjet e Naimit: “O mallet e Shqiperise e ju o lisa te gjate! / Fusha te gjera me lule, q’u kam nder ment dit’ e nate!” e shume vargje te tjera u perhapen ne te gjitha trojet shqiptare. Disa madje u ben edhe kenge. Cajupi u kujtonte shqiptareve se: “Memedhe quhet toka / ku me ka rene koka…” Madje ai u bente thirrje te drejtperdrejte gjithe shqiptareve qe t’i rrembenin armet e te ngriheshin kunder turkut: “Shqiperine e mori turku, i vu zjarre / Shqipetar mos rri, po duku shqipetar”.

Vjersha “O moj Shqypni” e Vaso Pashes padyshim eshte vjersha me popullore e me me ndikim e shkruar ndonjehere ne gjuhen shqipe. Eshte kjo nje thirrje prekese dhe emocionuese per zgjimin kombetar, per te ngjallur dashurine dhe krenarine e shqiptarit per Shqiperine, dikur “Zonje e Rande”. Besoj se nuk ka shqiptare qe nuk i di permendesh vargjet emblematike: “E mos shikoni kish e xhamija, / Feja e shqyptarit asht shqyptarija!” Jane keto vargje, eshte kjo shprehje mjaft domethenese qe e vulosi tolerancen tone nderfetare, qe zuri vend ne mendimin e luftetareve kombetare shqiptare gjate Periudhes se Rilindjes e qe per fatin e mire te popullit tone, vazhdon edhe sot. Shume atdhetare e studiues te asaj periudhe iu kishin perveshur punes per ta vjelur pasurine gojore, folklorike te popullit tone. Te tjeret po hartonin abetare e libra shkollore per shkollat shqipe. Ndersa Sami Frasheri me shkrimet e tij historike, filozofike, enciklopedike, sidomos me vepren e tij te njohur, Shqiperia cka qene c’eshte e cdo te behet”, po projektonte Shqiperine te cliruar nga turqit, po projektonte Shqiperine e enderrimeve te Rilindesve dhe popullit tone.

Mund te permend ketu edhe dhjetera poete, shkrimtare, folkloriste, studiuese e publiciste te tjere dhe mund te citoj me qindar vargje te tjera, por porosia do te ishte e njejte, perfundimi do te ishte i njejte. Vargjet qe thuren keta poete, veprat qe hartuan keta shkrimtare e atdhetare, jane fjalet e gjuhes se zjarrte qe rrezatojne dashuri per atdheun, kombin tone, jane vargje e vepra qe u ben kushtrimi i lirise. Muza e tyre ishte dashuria e pakufijshme per atdheun, popullin e shumevuajtur dhe perpjekjet e tij per liri e pavaresi.

Ndoshta cilesia e krijimeve te poeteve tane nuk mund te krahasohet me krijimet e poeteve te shekullit te XIX te epokes se ashtuquajtur “belle letters”, por ajo eshte nje rast i rralle ne letersine boterore ku poezia i prin popullit, ku vargjet ngjhallin nderrgjegjen kombetare, ku poezia ka nje mision te shenjte, me te larte se ai i mirfillte letraro – artistik. Te mos harrojme se pjesa dermuese e popullsise shqiptare te asaj kohe ishte analfabete, por ata i dinin permendesh keto vargje. Ato perhapeshin goje me goje.Periudha e Rilindjes Kombetare hodhi themelet per zhvillimin e letersise, publicistikes, artit dhe kultures shqipatre ne pergjithesi.

Edhe brezat e mevonshem te poeteve e shkrimtareve tane, sidomos atyre te Kosoves, e vazhduan traditen e Rilindesve tane. Kosova dhe viset tjera shqiptare mbeten jashte kufijve shteteror te Shqiperise, prandaj popullsia shqiptare e ketyre trojeve po ballafaqohej me te njejtat sfida qe u ballafaquan shqiptaret gjate sundimit turk. Dikush duhej t’i dilte ne mbrojtje, t’i printe atij populli. Dhe perseri ishin poetet dhe intelektualet qe e moren persiper kete barre. Kjo me se miri dhe ne menyren me te drejtperdrejte e me te qarte paraqitet te poeti dhe intelektuali, Esad Mekuli dhe poezia e tij “Popullit tim”: “Deshta, shume kam dashte deshirue / Qe me kange te trimnoj / Me fjalen tande te ndrydhun / Te ngreje fuqite prej gjumit…”   Vargu  poetit, Ali Podrimja, “Kosova eshte gjaku im qe nuk falet” u be burim frymezimi, u be thirrje per te gjithe shqiptaret qe u perpoqen dhe luftuan me pushke e pene per lirine e Kosoves.

Nje rol po aq te rendesishem lujaten edhe kenget atdhetare (patriotike), si: “Per Memedhene”, Dalengadale po vjen behari”, “Vlora, Vlora” e shume te tjera qe u kenduan nga luftetaret e lirise, nga populli liridashes dhe u shnderruan ne himne te lirise.

Poezia, muzika, arti ne pergjithesi shpreh ndjenjat me te holla, ndjenjat me te thella te nje populli. Eshte shpirti i nje kombi dhe e fisnikeron shpirtin, qenjen e njeriut. Rilindesit tane dhe pasardhesit e tyre me vone, me mjeshteri e vune artin e tyre ne sherbim te ceshtjeve madhore te kombit. Ata u ben shembull per brezat e ardhshem dhe jane misherim i rolit qe intelektuali duhet te luje ne castet vendimtare historike te popullit te vet.

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjalet e gjuhes, nder shekuj, Sadik Elshani, se zjarrte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 328
  • 329
  • 330
  • 331
  • 332
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT