• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shi në Nju Jork

September 18, 2016 by dgreca

(Mbresa )/

Nga Albana Lifschin*/

Ditë stuhie në Nju Jork. Erë e rrëmbyer dhe shi bashkë.

E para që e pësoi ishte çadra. Iu thyen  telat, u mblodh e pastaj u var si një plaçkë pa vlerë. M’u kujtua buzagazi i Lumes në Tiranë kur i thashë se do të marr edhe çadrën me vete.” “Vërtet, do të  duhet  çadra në Nju Jork?”

Kur niset njeriu prej andej për të ardhur këtu, përcillet nga vështrime lakmitare, si për në parajsën e ëndërruar që jo gjithkush e ka për fat. Varfëria e madhe, trysnia psiqike prej kohësh i ka shtyrë njerëzit të ikin, të ikin… duke e  menduar Amerikën si stacionin e fundit të prehjes, të qetësisë së shumëdëshiruar. Mjerisht edhe pas fitores së Demokracisë, ky mendim i përbindshëm që i rrëmben nënës fëmijën, familjes babain, gruas burrin, motrës vëllain, është ende prezent.

Stuhia vazhdon. Televizioni i këtushëm transmeton lajme e  pamje përmbytjesh, makina të zhytura në ujë, njerëz të futur në ujë deri në gju, por pa viktima si në Lezhë, Malbardhë në Shqipëri. Spikeri paralajmëron njerëzit të mos dalin nga shtëpia, vetëm në raste të domosdoshme. Nuk di pse padashur buzëqesh me vete. Televizioni ynë në Tiranë nuk bën përkujdesje të tilla. Tek ne kur ka shi dridhen xhamat dhe era e fortë shkakton një farë frike. Njerëzit vështrojnë vrundujt e erës që pështjellin lagjen, shtëpitë, çatitë. Shiu hyn nga dritaret jo të puthitura mirë, duke krijuar shpesh herë rrëkera uji. Më e tmerrshme është kur ke ndonjë xham të thyer. Kurse këtu nga nga dritarja, stuhia shihet, por nuk ndihet. … Përgatis një kafe me qumësht. E shoqëroj me “Stella d’oro”-një mëngjes i lehtë si kundër i thonë këtu. Janë ditët e para dhe sa herë ulem për të ngrënë, mendja më shkon tek njerëzit e mi në Shqipëri. Po ata çfarë kanë ngrënë sot? Të ketë ardhur vallë rracioni i sheqerit që kanë dy muaj pa e parë me sy?

Televizioni flet tani për Somalinë. Somalia, Somalia, Somalia. Skelete anatomike që zgjasin gavetat për të marrë pak ushqim.  Zë fytyrën me duar.  Ruajna o Zot!

Radioja   jep lajme në gjuhën shqipe ; “ Janë sulmuar dy italianë, pronarë të fabrikës së këpucëve… Nuk ka drita… “ Familja ime banon po në atë rrugë ku banom edhe presidenti Berisha. Është një rrugë fare e thjeshtë, por ne ishim më të privilegjuarit se nuk kishim gjithnjë errësirë. Dritat tek ne qëndronin më gjatë se të tjerët. Këtu  mungesa e dritave dhe e energjisë elektrike është një absurditet, diçka e pakonceptueshme.

Këpus disa kokrra rrushi të verdhë. Tek ne dikur ky quhej rrush tajg. Dikur, pasi prej kohësh nuk e ka parë njeri me sy. Rrush i blerë në “Little Italy”, në Bronks. Përmasat e frutave, kokrrat e genjtenjave, arrat e stërmëdha( sa shumë i kërkojnë këto muaj në Tiranë per të bërë bakllavanë e vitit të ri) të portokalleve, bollëku i paimagjinuar i ekspozuar nëpër vitrina e tegzat jashtë dyqaneve, këto forma fantastike më bëjnë ta ndjej veten sikur më kanë hedhur këtu për të jetuar përallën e Shllafarisë. Kur ishim të vegjël e kishim shumë qejf këtë përallë, pasi na dukej se kullufitnim njëherësh të gjitha llojet e ëmbëlsirave, frutave e gjithë të mirat e kësaj bote.

Këtu ndodhet edhe  redaksia e gazetës shqiptaro-amerikane  ILLYRIA. Gazetarët e Ilirisë janë mjaft të interesuar  për gjendjen në Shqipëri. Pyetjet e tyre janë të panumërta. Të interesuar, të shqetësuar, të përmalluar. Ç’tu them për një mbijetesë të dhimshme atje! Demokracia do ende punim,durim, tolerancë. Ajo nuk e gjen rrugën të shtuar me lule. Dhe biseda mbyllet me fjalët optimiste: “Do të rregullohet.” Dhe vështrojnë njeri-tjetrin në sy. Dhe përbrenda meje  mbetet varur e shqetësuese pyetja: Po kur vallë?

Dhjetor,1992. Botuar tek gazeta ILLYRIA

Filed Under: ESSE Tagged With: Albana Lifschin, Shi në Nju Jork

O SHAKO XHAKË TËRBAÇI-I SHQIPËRISË ISH ILAÇI…

September 17, 2016 by dgreca

  1. -portret për luftëtarin e shquar kundër shovinistëve grekë-1854…
  2. 1-idajet-jahajNga Idajet Jahaj/  
    Historia e Tërbaçit ( në Lumin e Vlorës) është si një pyll i dendur me trima e kapedanë, ashtu si e gjithë Labërisë. Por muza popullore veçon disa prej këtyre trimave. U ka kënduar atyre më shumë, ka thënë për ta cilësorë më të zgjedhur.
    Një i tillë trim-ka qenë edhe Shako Xhakë Tërbaçi.
    Ai ka shkëlqyer në luftimet kundër grekërve, në Mecovë, në vitin 1854. Në krye të forcave të Vlorës, bashkë me kapedanë të tjerë si : Selam Hasan Velçën, Sokrat Lekë Qeparoin, etj. Ata i përzunë andartët që nga malet e Vlorës e deri poshtë, në kufijtë jugorë të vendit.
    Në Mecovë u bënë luftime të ashpra kundër forcave të gjeneral Grivës.
    Në vijën e frontit shqiptar komandonte Mahmud bej Vlora ( i ati i Ismail Qemalit), së bashku me vëllain e tij-Selim Pashë Vlorën, Halit bej Frashërin (i ati i Naimit), Çelo Picarin,  Hasan Çakon  nga Kurveleshi, etj.
            Shako Xhaka-trim i lartë,
            Gjezdis nëpër rigatë,
         Kërkonte kufij të saktë.1)
    Sapo mori vesh invadimin e grekërve në jug, ai lëshoi kushtrimin:
     
    Kush doli në breg i pari?
    Shako Xhakë bajraktari,
    Pisqollë, jatagan-lari,
    Në çdo vend kordhëtari,
    Sokëllin sa tundej mali!
     
    Në ç’breg? Ka një breg në Tërbaç, i cili quhet “Bregu i alarmit”. Ai ka qenë vendi tradicional i kushtrimeve. Këtë herë armiku u shfaq larg në jug, por atdhetarët e japin kushtrimin që këtu, në malet e Labërisë. Bile Shako Xhaka “sokëllin në çdo vend”, me zërin e tij buçitës.
    “Shako Xhakë bajraktari”, dmth. se ishte flamurtar, prijës i një formacioni luftëtarësh popullorë. Ai dallohej nga pisqolla (koburja), jatagani, kordha, dhe zëri i tij i fortë në lugje e male.
    Kush u hodh Proto Mecovë?
    -I shkreti Mahmud bej Vlorë,
    Selami, një vetull-hollë…
     
    Por përkrah tyre ishte edhe:
     
    Shako Xhakë e Mahmud beu,
    Lumin përpjetë ç’e ktheu,
    Luftojnë sa tundet dheu.
    Shako Xhaka-ujk shëndreu,
    Brenda në armiq kërceu!…2)
     
    Imazhi i ujkut! Pasazhe madhështore të muzës së popullit.
    Sërish në Mecovë:
     
    Shako Xhakë bajraktari,
    Në Mecovë u hodh i pari;
    Ky Shako Xhakë Tërbaçi,
    I Shqipërisë ish ilaçi,
    Ilaçi i Shqipërisë,
    I vjen rreth e rreth kufisë,
    Për udut të Shqipërisë.1)
     
    Vetëdija kombëtare shkëlqen në shumë vargje për këtë trim, i cili lufton për idealin e madh të atdheut te vet. Ashtu si tek trimi i madh Zenel Gjoleka më parë:
     
    Pse lufton, a derëzi,
    Sos për mua a për ti,
    Po për gjithë Shqipëri!
     
    “SHQIPËRIA”-emri flamur që u gurgullon gjakun luftëtarëve.
    Dhe këta luftëtarë bëhen bllok kundër armikut që donte të zhvaste toka të atdheut tonë:
     
    Me jataganë në brez,
    U lidhë me besa-besë,
    Që t’i venë fre Moresë…2)
     
    Kështu shkëlqyen trimat e Vlorës e të jugut atje në Mecovë:
     
    Korak’ e shkreta Korakë,
    Kush u hodh e u bë kajkë?3)
    Tepelenas e vlonjatë,
    Që rrojnë me bukë thatë,
    Me mish të pjekur në napë.
     
    Në të gjitha këto prita e sulme ka marrë pjesë edhe Shako Xhaka. Për të nderuar emrin e tij atë e thirrën me emrin e fshatit “Shako Xhakë Tërbaçi”. Luftëtarët vlonjatë, thotë kënga, “e mbodhën Grivën sa dora”:
     
    N’ato zjarre e beteja
    E shpunë Grivën te reja.
     
    24 vjet më vonë, sërish trimi i Tërbaçit, Shako Xhaka, në bllok me luftëtarët e Lumit të Vlorës e të Bregdetit, i doli përpara grekut, në Lëkurës e Sarandë. Atje Shakua u mësoi luftëtarëve si të hapnin llogore e të ruheshin, ndërsa armiqve t’u jepnin dërmën:
    O Shako, ç’e bëre mirë,
    Ngrite tabjet4) në Muzinë,
    Një natë me suferinë,
    Ç’e përzunë gjiritlinë,
    Kapetan Kosta Forinë,
    Mbenë xathur, pa opingë,
    Si derrat në përcëllimë,
    S’e pa i pari të dynë,
    Lanë vrapin në Athinë…
    Në këtë betejë trimi Shako ishte 52 vjeç. Kujtesa e brezave i bën portretin: “Një trup i gjatë si bredh: i shkathët, mjeshtër i armëve; flinte edhe në borë. Ishte një shënues i rrallë. Merrte shenjë në llami”-siç thotë kënga për trimin e mëparshëm- “Beqir Labi gunëzi”, i 1847-ës. Muza i jep trimit Shako maksimën patriotike:
     
    “I Shqipërisë ish ilaçi”…
    _________________
    1)H.Skëndaj, “Gurra popullore e Tërbaçit”, T.2002, fq.17
    2)M.Kokalari, “Trima të kryengritjeve Popullore”, T.1979, fq.198  
           1)udute-kufi
    2)Greqisë
    3)theror
    4)llogoret

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, SHAKO XHAKË TËRBAÇI

Suzana Shkreli

September 17, 2016 by dgreca

Suzana Shkreli- A first generation American and outstanding public servant/

Suzanna Shkreli is a first generation American, born and raised in Michigan. Her parents are Albanian immigrants who came to the United States in search of a better life, and they taught Suzanna and her siblings the values of hard work and giving back. Suzanna worked her way through college and law school with student loans, and chose a career of public service as a Macomb County prosecutor, prosecuting homicide, drug crimes, assaults, and domestic violence.  She currently serves in the Child Protection Unit, where she prosecutes crimes against children involving physical and sexual abuse. Suzanna is an advocate for victim rights and has represented the United States Department of Justice in training law enforcement agencies on victim rights abroad. In Congress, Suzanna will take on tough fights to expand economic opportunity and to give all Michigan families a fair shot.

A champion for women and families

Suzanna has taken on tough fights in the courtroom and works tirelessly to help Michigan women and families get ahead. When elected, she will be a champion for working families in Washington. Suzanna is an advocate for the most vulnerable members of her community, supporting the Macomb County Warming Shelter and St. Jude Children’s Research Hospital, and helping her family carry on a Thanksgiving tradition of preparing and delivering hot meals for senior citizens in their community. Suzanna’s family came to the United States in search of educational and economic opportunity, and in Congress she will fight to break down barriers so that all Michiganders have a fair shot.

A vulnerable Republican incumbent in a swing district

Suzanna understands that the stakes couldn’t be higher for Michigan women and families in 2016. “This election is different,” Suzanna has said, and she has stepped up to fight for Michigan working families who need a new voice in Congress. Suzanna is running in a swing district against vulnerable incumbent Congressman Mike Bishop. Bishop has repeatedly put his extreme agenda ahead of what’s best for women and families, including opposing the Paycheck Fairness Act, voting for a national abortion ban, and cosponsoring legislation that would ban common forms of birth control. In January, EMILY’s List put Bishop “On Notice” for his outrageous record. Michiganders are ready to hold Bishop accountable, and Suzanna is running a strong campaign to bring new leadership to the district — but she needs the full support of EMILY’s List to flip this seat in November. Let’s all chip in to help Suzanna take her fight for Michigan women and families all the way to Washington.

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: - A first generation, American, Suzana Shkreli

NJË PLIS POETIK ME JETË BIBLIKE

September 16, 2016 by dgreca

 ZYRA AHMETAJ,NJË PLIS POETIK ME JETË BIBLIKE/
Nga Ramiz LUSHAJ/
 1.“Lahuta e Malcisë” është i pari libër jashtëshkollor i kënduem nga Zyra Ahmetaj në të ritë e vet, në kullen e saj trekatëshe, e cila para djegies shkrumuese nga gjermanët i ka pasë dy katet e sirme me frengji për përballje luftarake. Kjo ceket publikisht në “Dy fjalë për autoren”, tek i dyti vëllim poetik i saj: “Alfabeti Ynë”, i promovuem në dy kryeqytetet shqiptare: në Qendra Kombëtare e Artit dhe e Letërsisë “Nacional” në Tiranë dhe në Biblioteka Kombëtare e Universitare në Prishtinë. Ajo çka nuk thuhet në atë kryefjalë hyrëse të librit të saj ka të bajnë me faktin se kjo vepër homerike e Fishtës ishte në një cep e djegur nga flakët e zjarrit të gjermanëve në operacionin luftarak të kodifikuar “Junikafer” (“Valixhja e Qershorit”), në qershor 1944, kur e kthyen Bytyçin në nji “Borovë të Dytë”, pasi e “Gjithë krahina e Bytyçit–Paci, Vladi, Zherka, Kami, Zogaj, Kepeneku,Viliqi ishin djegur e bërë shkrumb e hi” (AQSH i RSH. Nr. 2/209, dt. 27.06.1944). Poetja Zyra Ahmetaj njihet për pasionin e madh të leximit të librave, gazetave e revistave. Përndryshe, krejt familja e saj prej kaherit, ndër brezni, prindrit e saj, katër vllaznit e motra e saj, janë të dhanun pas librave të dijes, kanë ecur mirë në jetë. Avnia është inxhinier gjeolog, Nuredini–kontabilist i lartë, Besniku me dy të larta: për veterineri e Akademinë e Rendit, Hysnia–shofer e me lokalin “Sylbica”, Xhevahirja–infermiere. Pra, nuk është e tepërt me thanë se kanë jetue në dy shpia njëherish, në atë me mure guri dhe në atë me libra.
Kësokohe, në “Operacionin e Verës”, gjyshin e poetes Zyra Ahmetaj, malësorin 39 vjeçar, Sejfulla Ramë Ahmetaj, i thirrun shkurt “Sefa”, për veprimtarinë e tij atdhetare e arrestojnë gjermanët dhe e dërgojnë në Kampin nazist të Prishtinës. Pas torturave tipike të atyshme, më 11 gusht 1944, e varin në litar tek Kulla e Lumës në Kukës, sëbashku me kepenekasin tjetër, kusherinin e tij, Rrustem Uk Mulaj (“Dëshmor i Atdheut”), argatin Agush (puntor krahu përkohor nëpër Kepenek) dhe dy pejanë. Pushtuesit këtë akt ekzekutimi e kryen për terror në popullin dardan të krahinave përrreth. Sejfulla Ramë Ahmetaj është i shpallur “Dëshmor i Atdheut” (v.1979). Ai kishte zgjuarësi natyrale. Ishte punëtor tradite, trim kohe. Mbeti nji emën që i rri lavdisë. Ai, në nji kuptim të caktuem, në vitet e komunizmit, ishte dhe nji “engjëll mbrojtës” i kullës së tyre të fisme nga zigzaket e ngritje-uljet e luftës së klasave. Ai i la pesë fëmijë jetimë. Një prej tyre, Brahim Sefa, baba i poetes Zyra Ahmetaj, i cili ishte dije-nxanës i shkëlqyer i brezit të vet në vitet e pasçlirimit, i zoti në shkencën e matematikës dhe në matematikën e jetës, i përkushtuar në mësimdhënien e edukimin tërësor e përditsor të fëmijëve të tij elitar në shkollime dhe në shkollën e kohnave. Ai, sikur vetëm “modelin Zyra” t’na e linte, e ka të kryeme detyrën e vet.
Sylë Osmani, i pari i vllaznisë (barkut) Ahmetaj, stërgjyshi i poetes së sotme, Zyra Ahmetaj, ishte mjaft i përmendun për trimnitë e tij, pasi nga lufta frontale e përgjakshme me malazezët në Moraçë u kthye në vendkuvendin bytyças në Breg të Pacit me një krye shkau (sllavi) agresor të lidhun në jele të kalit të shalës, sipas nji akti barbar që e banin ndër beteja pushke shqiptarët, serbët, malazezët e turqit në shekujt e kaluem. Asokohe, për akte të tilla, jepeshin shpërblime, dekorata e grada, ndaj Syl Osmanit i dhanë parillek (funksion) në fshatin e tij, pasi ishte i të parit djalë të Memë Lekë Gjonit, ndërsa Gjoni ishte i dyti djalë i Bibë Lekës (Leka ishte i pari i fisit të Bytyçit).
Aty nga viti 1874 Binak Alia (Mulosmanaj) i derës së bajrakut të Krasniqes, i cili ishte kryepleqnar rajonal, i pari i Neslihatit (për pajtimin e gjaqeve në Malësi e Rekë), kishte “unazen e valillekut” të Valiut (bejlerbeut) të Rumelisë, fisi i vet për vrasjen e tij duhej të merrte 24 gjaqe, etj. e bani ndamjen e bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës. Kësokohe, dhe në Kepenek u gjallnue çështja e kufijve, ku ndërhyrja energjike e Halil Ahmetit (djali i Syl Osmanit), stërgjysh i poetes Zyra Ahmetaj, ishte vendimtare për caktimin e kufinit administrativ në Majen e Fushave, tue u pleqnue dhe në Kuvendin e fisit të Bytyçit dhe atë të Malësisë së Gjakovës.
Mus Zeneli i Ahmetajve, vllai i Ajdin Zenelit, “mixhok” brez mahershëm i poetes Zyra Ahmetaj, ishte pjesmarrës në “Lëvizjen Kryeziu”, Lëvizje antifashiste e antinaziste, e lidhun me Anglezët, në luftë me sllavët pushtues e aneksues të Kosovës, ndaj e masakruan dhe e hodhën në bunar në Hereç të Deçanit vet të 23-tin luftëtarë në janarin e ftohtë të vitit 1945. Musa i la pas vetes dy fëmijë jetimë. Këta, të gjithë, të “Masakres së Hereçit”, janë martirë të Kombit Shqiptar, por ende kanë mbetë “viktima” të LDB, pasi asnji prej tyne nuk janë shpallë “Dëshmor i Atdheut” si bytyçasit Mus Zenel Ahmetaj, Selim Malë Hoxha, Brahim Muzi Demaliaj, Sali Shpend Muja, Rexhë Mehmet Tutaj, Shpend Zeqir Përgjoni, Sali Shpend Përgjoni, Uk Arif Përgjoni, Mus Avdyl Neza, Ali Miftar Zhuta, Ahmet Ali Mehmetaj, Zenel Miftar Zhuta, Imer Halil Përgjoni, si dhe të tjerë nga Berisha e Brigjeve (në ish-komunën e Bytyçit), nga Gashi i Malësisë së Gjakovës, etj. Kjo është një padrejtësi historike në mbi shtatë dekada, e cila duhet ndrequr moralisht e zyrtarisht nga shteti shqiptar duke iu dhanë titullin meritor “Dëshmor i Atdheut”
Ahmet Zenel Ahmetaj, pas çlirimit, në kohën e ashpët të kontrollit e grumbullimit të armëve, u torturue keq. Ky aksioni i armëve ishte dhe shtysë jugosllave, ishte një genocid shtetëror shqiptar, pasi në të dy anët e kufinit aleancor të atëhershëm kishin frikë nga përdorimi i armëve, nga ndonji kryengritje lokale apo rajonale, si ato të Postribës apo Drenicës. Kësokohe, në këtë valë torturash e arrestimesh, patë vdekë dhe Demush Plak Zeqiri i Sadikajve, djali i vetëm i Hajre Tahires (i “Nanës Hajre”) që i ndante nji gardh i vetëm e kishin nji rrugë të përbashkët me kullën e Ahmetajve, kusherinj ndërveti në të shtatin apo tetin brez genetik. Nga kjo derë e njohur e Sadikajve të Kepenekit është dhe bashkëshortja ime, Servete Avdyl Sadikaj. Pra, Sadikajt, janë miqtë e mij të mirë, çka do të thotë se dhe me poeten e njohur Zyra Ahmetaj biem të afërt. Ahmetin, pas arratisjes të vllait të tij, Ajdinit, në Kosovë (ish Jugosllavinë e Dytë Avnjoiste), e patën arrestue sëbashku me gruan e tij dhe me vajzën e mitun, Xhbane Ahmetaj. Kësiherit, edhe baba i Zyrasë, Brahim Sefa që ishte në bjeshkën e Sylbicës dhe sidomos mixha i saj krejt i ri, Haxhia, që ishte në vrri, tek kulla e vet, patën probleme keqtrajtmi prej shtetit. Ahmet Zenel Ahmetaj thuhet se vdiq në vitet ’50-të duke i lanë fëmijët jetima. Kështu, tashti, tek Ahmetajt e Kepenekit, tri familje mbetën me fëmijë jetima, në vështirësi rritjeje, por udhë-ecun në jetë.
 E thënë ndryshe: Zyra Ahmetaj nuk është vetëm e penës, por dhe nga nji kullë e pushkës, nga nji fshat i pushkës, ndaj në poezitë e tre vëllimeve të saj poetike ka aq shumë atdhetari kombëtare, ka shumë heronj e dëshmorë, ka histori me lavdi lufte. Po, dhe vet Zyraja është shenjtare e mirë pushke verimeve në bjeshkën e Sylbicës, në bangot e shkollës, në udhët e jetës. Ajo është shenjtare e mirë dhe në poezitë e saj. Me pushkë e me penë qëllon mirë, në rrathët e shenjestrës. Me mendjen e shpirtin e saj. Me sytë e dorën e saj. Me idealet e hapat e saj. Me talentin e punën e vet.
 2.Kepeneku, vendlindja e Zyra Ahmetajt, është një fshat i vogël i Bytyçit e i Malësisë së Gjakovës, po ka emra të njohur të poezisë, të artit, të kultures e të fesë.
 Ajdin Zenel Ahmetaj është njani prej tyne. Njeri i ditun, i shetitun. Mendtar prej Zotit e me shkollime. Klerik i shquar. Ishte me gradën fetare: kryemyfti. I aktivizuar me Lëvizjen ANÇ. Ishte njeri pleqnar, sikurse dhe nji paraardhës i tij, Ali Haxhia. Ajdini ka ba pajtime gjaku në vitin 1943: dy në Zherkë dhe një në Kam të Bytyçit. Në vitet 1945-‘46, nga tri tubime në qendrat e nënprefekturave të Lumës (Bicaj), Kukësit (Kukës) dhe Tropojës (Tropojë) u miratuan komisionet e besës për këto njësi administrator, për: a) Lidhjen e një bese të përbashkët për të mos strehuar e ndihmuar të arratisurit; b) Pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave. Antar i Komisionit të Besës për Qarkun e Kukësit u zgjodh Ajdin Zeneli i Kepenekit, sëbashku me Shukri Bulicën, Malë Rexhepin e Gjyriqit, Ismail Arifin e Kolgecajve, Hysen Selmanin, Ibrahim Didën, Haziz Muratin, Osman Halitin, Mustafë Imer Agën, Nexhip Ahmetin, Isuf Groshin e Kërrnajës, Nuhi Spahiun, Gani Shaqirin, Latif Jatën, Musë Domin. Ky Komisioni i Besës së Qarkut (Prefekturës) miratoi dy vendime të titulluara: “Për Besën” (Itifakun) dhe “Për Pajtimin e Gjaqeve” (20 janar 1946), etj.
Ajdin Zenel Ahmetaj ishte njeri i botës së librit. Lexues i madh i librit. Ai kishte krijue një bibliotekë të madhe, të pasur, të çmuar, me libra historik e letrar, fetarë, në gjuhë të huaja. Kur iu dogj nga gjermanët kulla deri në muret e gurta, i patën pshtue “Lahuta e Malcisë” (çka iu fola ma nelt) dhe disa libra fetarë. Nga lartësimi i personalitetit të tij në ato vite, prej dashakeqësisë, xhelozisë, cinizmit, pabesisë, e pësoi ma së shumti Ajdin Zenel Ahmetaj, ndaj të cilit u ngritën disa akuza, intriga, kurthe, që e dënuen padrejtësisht me pesë vite burg, por me apelime e miqësi iu ulë dënimi fillestar. Ai bani pak shlyrje dënimi. U kthye në kullën e tij. Iu prish biografia. Iu ba e vështirë jeta e jetesa nga trajtesa të këtilla. Prej nga bjeshka e Sylbicës iku në Kosovë (ish-Jugosllavi). “U arratis”, si i thoshin atëherit. “Tradhëti e lartë ndaj Partisë e Shtetit…”, cilësohej në atë kohë të monizmit. Ai “ua prishi biografinë” gjithë vllaznisë Ahmetaj, dikujt ma shumë e dikujt ma pak. Kjo “njollë në biografi” i ndoqi gjithë jetën, iu doli në prita, i goditi në udhë, iu shfaqej si shantazh politik, iu prish jo pak punëra në hapa lumturimi e lartësimi të jetës së breznive Ahmetaj në kohën e komunizmit.
Selim Ahmetaj, djali i Musë Zenelit, mixhoku i Zyrasë, njeri me oratori, ka qënë i pasionuar pas letërsisë. Ai kishte një bibliotekë të pasur me libra gjithfarësh. Nga raftet e saj merrte gjithato libra për lexim dhe poetja Zyra Ahmetaj në fëmijërinë e rininë e saj. Ramiz Sadikaj ka nji bibliotekë vetjake të pasur me libra të shumkohshëm, aq sa dhe shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli i patë lanë një përshtypje për mirë gjatë nji nate mikpritëse në vitin 1986 në shtëpinë e tij, në shtëpinë e tre burrave të sojshëm të Bytyçit, Avdyl, Kadri e Daut Sadikaj.
 Një tjetër personalitet kepenekas është Ali Mula–‘’Mjeshtër i Madh’’, humorist, instrumentist, kompozitor, veprimtar kulturor, mjek dentist, i cili e ka botue librin e tij: “Paçi Faqen e Bardhë” (ShB “Emal”. Tiranë, 2003) dhe, të tjerët, Hasan Buçpapaj, Isa Breçani, Ali Syla, e kanë botue librin për të: “Ali Mula në penën e humoristëve” (i financuem nga Shkëlzen Berisha e Kristal Hykaj, ShB “Kristalina-KH”. Tiranë, 2014). Sot, Ali Mula është 88 vjeçar. Po kap të 90-tat. Ai udhëton në kambë Alpeve, aq sa nuk e di: ai ngjitet tek Alpet apo Alpet ngjiten tek ai. Poeti i shquar, Hamit Aliaj – “Mjeshtër i Madh” e portretizon si “një ndër personazhet më të çuditshëm për një letërsi të madhe…me flokë plotësisht të zeza. Njeri pa kalendar. Koha ka ndalur tek ai. E sheh dhe të jep përshtypjen e një 50 vjeçari…”.
 Valltari i shquar, Hazir Rrustem Avdullahi, i njohur ndryshe në popull “Haziri i Kepenekit” i ka lanë fondit të artë të koreografisë tropojane e panshqiptare një kërcim të veçantë, aq sa është pagëzue me emnin e tij: “Kcimi i Hazirit”, për të cilin valltari e studiuesi gashjan Skënder Haklaj, prof. dr. Ramazan Bogdani, prof. dr. Skënder Selimi, Agron Aliaj – Artist i Popullit, kanë dhanë vlerësime të larta.
Gazetari Patrik Sadikaj është një zë i mirënjohur i ekranit televiziv shqiptar dhe vet, ai, Patrik Sadikaj është një ekran i pastër i kohës, por dhe nji zë poetik i talentuar me profilin e tij poetik. Ndër zërat poetik të rinj në vllazninë Sadikaj e në Kepenek janë dhe Blerta Sadikaj – psikologe e Enidon Sadikaj – shkollar, mbesa e nipi i bashkëshortes time, Servetes, të cilët, ndoshta, së afërmi apo tevona, do të dalin dhe me librat e tyre të parë poetik, pse jo, dhe studimor.
Mjekja emën mirë Mire Hysenlekaj e Kepenekut është një ndër kangtaret e njohura në Malësinë e Gjakovës.
Ramiz Sadikaj në Kepenek ka nji bibliotekë vetjake me libra të shumkohshëm, aq sa dhe shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli i patë lanë përshtypje për mirë gjatë nji nate mikpritëse në vitin 1986 në shtëpinë e tij, në shtëpinë e tre burrave të sojshëm të Bytyçit, Avdyl, Kadri e Daut Sadikaj.
Në Kepenek, në vendlindjen e poetes e artistes Zyra Ahmetaj, duhet të jesh në ndonji dasëm e të thuash të gjitha janë valltarë, duhet të jesh në nji veprimtari kulturore e të thuash të gjithë janë poetë, apo shumë sish, kangtarë. Kjo ndodh gjithandej në Malësinë e Gjakovës, pasi i rritë vet toka, historia e kultura e saj.
3.Zyra Ahmetaj është nji veprimtari atdhetare aktive, e kahershme, e pandalun. E ka dëshmue vetëveten si e tillë dhe në vitet e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, të atij eksodi të detyruar nga dhuna e spastrimi etnik serb millosheviçian në vitet 1998-‘99. Ajo, ndonëse paraplegjike, në këto dy vite kalendarike ka pritë me sojninë bytyçase një familje të larguar nga Kosova.
 Ajo, pas Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, i ka parë me sy e penë qytete e fshatra në vise të Kosovës dhe disa shoqata e klube e kanë zgjedhur “Antare Nderi”.
Ndërvite, ka takuar e biseduar me breza luftëtarësh të UÇK-së, me invalidë të Luftës së Kosovës, I ka ndjerë dhimbjet e tyre në plagët e gjakut, në kullat e djegura, në varrezat e martirëve, në djepet e fëmijëve…I ka shprehur ato dhe tek poezia e gjatë “Fluturojnë engjëjt”- fituese e Çmimit të tretë në “Ora e Poezisë, 2012”, poezi e cila i ka dhanë titullin vëllimit poetik të parë të saj, nga e cila po iu përcjellim këtë fragment poetik:
 “E sfilitur ngrihet Nënë Kosova
me trupin që i digjet flakë,
me plagët që i kullojnë gjak,
me varret në gji të ngrira-kallkan;
përkulet dhe vajton
mbi djepat e fëmijëve të vrarë:
-Oh, e mjera unë për këta fëmijë,
të porsalindur, pa asnjë faj!
Toka është e ftohtë, e lagësht,
toka është me prush.
E si ?!
Si mund t’i varros këta trupa
kaq të njomë ?!!!
Janë engjëj,
po ngriten në qiell,
botës anembanë,
me lotin të ngrirë në sy,
me gjakun të ngrirë në plagë.
Në buzët që kërkonin sisë,
Tregojnë
se, veç plumba kanë marrë.
Janë engjëj,
bij të Nënës Terezë…”.
 Vëllimi poetik “Fluturojnë engjëjt” nuk ka kalue pa vlerësime. Poeti, publicisti e studjuesi Avdyl Sula, ish përgjegjësi i bibliotekës së rrethit të Tropojës, theksonte se “prej kohësh është bërë libri më i lexuar nga rinia e qytetit verilindor” (v. 2010). Poeti e publicisti Lulzim Logu, kryetar i klubit të shkrimtarëve e artistëve të Tropojës, shkruante se ky libër poetik “Lexohet se përcjell mezazhin e dashurisë për jetën. Nuk janë thjesht vlerat artistike të vargut, por mesazhi që ato përcjellin, aq më tepër që këto mesazhe përcillen nga Zyraja” (v. 2010).
4.E thashë në kryerradhë, fjalë të parë: poetja tropojane Zyra Ahmetaj ka nji lidhje të veçantë me librat. Nji lidhje të përjetshme. Është rritur me librat. Jeton me librat, përndryshe: jeton dhe për librat e saj, për poezitë e saj, për krijimtarinë e saj.
E ndesha këtë fakt dhe tek nji poezi kushtimore e Zyra Ahmetajt, e shkruar para disa ditësh në facebook, tek faqja “Tropoja Poetike”. Ajo ishte e frymëzuar nga nji poezi e mësuesit e poetit Zeqir Lushaj: “Kurrë nuk jam vetëm”, e shkruar nga Zeqiri në vjeshtën e vitit 1979, botue tek i mirëprituni vëllimi i tij poetik “Hija e vendindjes”, poezi e ribotueme në VOAL Online–Zëri i Shqiptarëve në Zvicër, më 28 gusht 2016:
“Unë të shoh dhe në një spital,
Një tufë libra i ke në dorë.
Ashtu i dashur dhe buzagaz
Më sillje gjithë botën në atë dhomë.
Kur iknit me Mehmetin e Nadiren,
Babai ju përcillte gjer në oborr.
Mua më linit te koka dritën.
Ju ndoqa mësues, dhe unë t’ju shoqëroj.”
Kjo poezi me dy strofa e Zyra Ahmetajt, sikurse tjetra “Dobi e kënaqësi” tek vëllimi poetik “Fluturojnë engjëjt”, flasin për 41 vite ma herët, kah gjysma e dytë e vitit 1975, atëherit kur poetja e sotme ishte maturante aksioniste teksa pësoi nji aksident tragjik. Autobuzi me rreth 70 aksionistë të shkollës së mesme “16 tetori” të Tropojës (së vjetër), i nisur nga hekurudha e Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, me Flamurin e Shtabit Qëndror të këtij Aksioni Kombëtar, në kthesa të Shpalit të Mirditës, pranë nji shkambi skej rrugës nacionale, u rreknue përgjakshëm teposhtë. Aty vdiqën tre aksionistë shkollarë: Drane P. Pjetërnikaj nga Shëngjergji i Nikaj-Mërturit, Hasan S. Qeliaj nga Shipshani dhe Hatixhe R. Mulgeci nga Geghyseni i Krasniqes, të cilët ende kanë mbetë viktima, apo si due me iu thanë mirësisht “martirë”, po kurrkush në rrokada sistemesh e qeverish nuk i ka shpallë “Dëshmor i Atdheut”(!)
Ndër të plagosurit randë ishte dhe 19 vjeçarja, malësorja pishëdrejtë e jetëlartë, Zyra Ahmetaj, e cila pësoi damtime në shtyllën e saj kurrizore. Aksionistëve tropojanë iu dhanë ndihmen e parë në Shpal dhe i çuen në spitalin lokal të Rrëshenit të Mirditës dhe në Spitalin e madh Civil (sot, QSU “Nanë Tereza”) në Tiranë. Ende as sot, poetja me tre libra poetik, Zyra Ahmetaj, nuk ka aq qejf me ia përmend këtë aksident të ’75-ës, po, me që ra fjala (thotë ajo) mos e le pa folë për ndihmen e parë të shpejtë e të çmuar të mirditorëve, të cilët janë mbledhë përplot oborri për me na dhurue gjak. Ishte nji solidaritet e humanizëm i papamë.
 Atëherit, i pata përjetue vet këto në ditët e para të gushtit 1975 në kryeqytetin Tiranë, pasi nga shërbimi im dhanë nga kryeredaktore e gazetës “Zëri i Rinisë” për në Kombinatin Metalurgjik u ktheva me 1 gusht 1975 në QSU në Tiranë, ku qëndrova aty për tre-katër ditë. Isha i ri, 20 vjeçar, shkruaja në shtypin shqiptar dhe punoja në veprën e madhe të dritës (në KP nr. 2 në Hidrocentralin e Fierzës), isha veprimtar i rinisë në Tropojë, ndaj gjithçka rreth kësaj ngjarjeje më shfaqej si në filma, Shqipëria më dukej përtej imagjinatës time. Ishte nji tragjedi, solidaritet, sfidë mbijetese…
Aty, atëherë, vetëm nji fjalë të thojshe: “Jam nga Tropoja” e të hapeshin të gjitha dyert e spitalit të Tiranës. Të gjithë të gjendeshin pranë me ndihmen e tyre të pakursyer. Në çdo çast. Për çdo rast.
 Ishte ngritë i gjithë shteti shqiptar në kambë për jetët e aksionistëve tropojanë. Ato ditë ishte i interesuar lartësisht vet kryeudhëheqësi i asaj kohe, Enver Hoxha, që në marrjen e lajmit të shpejtë për aksidentin tragjik, atij i çohej informacion i shumanshëm e i shpeshtë për ngjarjen e për aksionistët e, përtej të zakonshmes së tij, ai merrte e dvette disa herë në telefon drejtues të Partisë e të Pushtetit e të besuar të vet në Tiranë, Mirditë e Tropojë. Këto fakte m’i ka pasë thanë në pasditen e 2 gushtit 1975 vet motra e Enverit, e mira Sano, e cila jetonte në shtëpinë e vllait të saj, tek Vila 31, tek ajo vilë ku edhe sot liderë të Pluralizmit, Tranzicionit e Demokracisë bajnë pritje, takime e festime tejet të randësishme. E pata takue Sanon tek pallati i Librit Universitar, në familjen e të nderuarit e të ndjerit Jovan Antoni, kuadër në Brig. XXV-S e të III-S, diplomat i njohur, i cili kishte për grua motrën e Gogo Nushit, mbi të gjitha ishte e mbetet në brezni mik i familjes tonë Lushaj. Aty, në dhomën e pritjes, ku ishte dhe motra fisnike e Jovanit, Leonora Antoni (e cila punonte në nji detyrë të caktuar, të besuar e të përhershme në KQ të PPSH, ishte shoqe lufte me Nexhmije Hoxhën, që në vitet e rinisë) kishte shkue për vizitë rastësore dhe Sano Hoxha, e cila përtej politikave të djehit e të sodit, më dukej se rrezatone njerëzillek, mirësi, kulturë. Iu pata folë asiherit për aksionistët e Tropojës, që nga përcjellja në nji autobus të vetëm nga Kombinati Metalurgjik; për jehonën e aksidentit tragjik në Elbasan e në Tiranë; për mosdhanien si lajm nga asnji gazetë, as Radio “Tirana”, as TVSH (e citoj sot, jo për disidencë); për kujdesin e jashtëzakonshëm ndaj aksionistëve në Spitalin Civil e atë Ushtarak të Tiranës; për të veçanta të mira nga bisedat e mia me djemë e vajza të aksidentuar: Zyhra Ahmetaj, Hasime Mërturi e të tjerë; për qëndresën sfidë e mirënjohjen reale të aksionistëve e të prindërve, vllaznëve e motrave e të afërmëve të tyre që përkujdeseshin në spitale për ta, etj. Ndoshta, biseda udhëtoi asaj nate në ditë të ardhshme, por unë heshtnova me rrëfime e shkrime në të dy kohët, deri në të 41-tin vit të sodit.
 E, prapë, po i rikthehem poezizë së Zyra Ahmetajt, pasi i duhen shtue disa fakte që t’i dijnë lexuesit e kohët: Poeti Zeqir Lushaj ishte mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme bujqësore të Tropojës në vitin akademik 1973-’74. Aty kreu stazhin pasuniversitar. Nga aty u thirr’ në Tiranë, në misionin e shenjtë të gazetarit, tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe, sot, është autor i 12 librave me poezi e publiçistikë. Pra, në atë vit, njeriu i veçantë, Zeqir Lushaj, ishte dhe mësuesi i poetes së njohur Zyra Ahmetaj.
Poezia e Zyra Ahmetajt e ka nji varg: “Kur iknit me Mehmetin e Nadiren”. Janë dy emra nderimi e mirënjohjeje. Mehmet Elezi nga Tropoja, asokohe gazetar elitar e tevona dhe drejtues kryesor i KQ të BRPSH (poet, shkrimtar, shkenctar, diplomat), për të cilin Zyraja thotë se i vizitonte shpesh në spital atë dhe aksionistët e tjerë tropojanë. Nadire Caka (Kokonozi) nga Dibra, nji dibrane e rrallë, gazetare tek “Zëri i Rinisë”, të cilën Zyraja e përshkruan në librin e saj të parë: “Një vajzë me xhaketë me kuadrate/e bukur, me sytë e zi /” dhe më thotë faktin e ditun prej meje se ndër vite kanë pasë letërkëmbim ndërveti. Tani ajo, Nadirja, ndodhet diku jashtë shtetit, në Europë. Në çdo rast kur vinin në Tropojë, gazetarët e rinisë: Nadire Caka, Zeqir Lushaj, fotoreporteri Petrit Omeri, e të tjerë gazetarë e kuadro të rinisë, nuk largoheshin pa kuvendim apo vizitë në shtëpitë e aksionistëve si të Zyra Ahmetajt, Hasime Mërturit e disa të tjerëve. Njejtësisht vepronin dhe disa kuadro të rinisë nga Tirana.
 Aty, në këtë poezi, Zyraja nuk e cek për vet lidhjet e saj familjare genetike nji emër të madh të kohënave shqiptare: Sali Berisha. Kjo ka të bajnë me atë modestinë e tepërt që kemi ne malësorët (ndër ta dhe unë) në dy anët e Valbonës, të Drinit, të Moraçës, të Limit…Asokohe, mjeku i njohur 30 vjeçar Sali Berisha, vazhdimisht, disa herë në ditë, i vizitonte me sy e biseda, ua shihte gjendjen shëndetësore në kontrolle e konsulta me mjekët e pavioneve e të spitalit. Ai ishte nga të paktit tropojanë me banim në Tiranë. Ishte i njohur për nxanësit e shkollës së Tropojës, sepse kulla e tij dhe shkolla e tyre ishin afër. Ata, pothuaj të gjithë, e njihnin Sali Ram Berishën në vrri e në bjeshkë, për fytyre e në biseda me ta; e shihnin siç ishte realisht – nji personalitet në rritje; ia dinin historinë atdhetare kombëtare kullës së tij në Viçidol e ma herët në Tropojë (të vjetër); ia njihnin prindrit, vllain – mësues Selimin, motrën e tij, mixhën Zeqir Halil Berisha, kusherinjtë. Shumçka e gjithçka. Kjo lidhje i bante aksionistët e aksidentuar të ngroheshin nga vizita e Sali Berishës në pavionet e tyre. Ai ishte njerëzor, fisnik, i fismë…Nji humanist i madh. Nji mjek i zoti. Përndryshe, mbi të gjitha, në ato ditë: ishte nji “hero”. Po, po. Ato ditë kishte shumë “heronj”. Sali Berisha ishte nji tropojan, nji qytetar, nji intelektual, nji mjek “hero”. Para vizitës së tij, tek pavionet, ndihej jehona: “Po vjen Sali Berisha”. Të gjitha këto sa i them i pata parë vet ato ditë të para të gushtit 1975. Poetja Zyra Ahmetaj më shton, kujton e përploton në bisedën e saj të këtyre ditëve: “Na ka vizituar shpesh vetë Sali Berisha dhe ka qajtë për mua, për gjendejn time shëndetësore. Ka investuar përkujdesje në çdo pavion për secilin nga ne. Mua më pyetën infermieret se çfarë e ke dr. Saliun. Ju thashë që e kam dajë”.
Zyraja më flet dhe për aksionistë të tjerë të aksidentuar, për Sejdi Berishën e Tropojës (vllai i Fatbardha Laukajt), për Nurie Kortoçin, çika e Brahim Ukës të Tropojës, kujdestare e konviktit të shkollës së mesme bujqësore të Tropojës, etj. Zyraja më rrëfen se pothuaj të gjitha lekët që ia çonte familja e saj në shkollën e Tropojës i blente libra artistik…Ajo, thotë, se lexonte shumë, nganjiherë deri natën vonë, ku shpesh rrinte në shoqëri dhe me rojen e natës, me Isuf Zenelin, nji invalid i vjetër në moshë, i nderuar nga të gjithë të rejat e të rinjtë e shkollës, nji burrë vakti.
5.Zyra Ahmetaj ishte personazhi kryesor i aksionistëve shkollarë të mbijetuar në Spitalin e Tiranës. Për shumçka, për gjithçka: Për gjendjen e saj shëndetësore, ajo ishte dëmtue rëndë në shtyllën kurrizore. Për intelektin e saj të lartë. Për bukurinë e saj femërore, çikë malësie, çikë Bytyçi. Ajo e zotëronte veten denjësisht. Tregohej qëndrestare. Ishte e vetëdijshme për çka e kishte gjetur në fizikun e saj aq të hijshëm. Shfaqte optimizëm të veçantë për jetën. Ajo i printe të ardhmes së vet ende pa dalë nga dera e spitalit.
Maturantja aksioniste e paciente, Zyra Ahmetaj, ditë-natën e parë të aksidentit e kaloi në reaminacion në Spitalin e Tiranës, ndërsa ditën e dytë në spitalin nr. 2, tek pavioni 8. Kishte dhomë më vehte. E ka pasë mjek Arian Xhumarin. Plagët iu patën mbyll pa infeksione, pa problematika të mavonshme.
Ajo çka më bante përshtypje asokohe ishte fakti se personeli mjekësor i atyhit përlotej kur flitej për të shkëlqyeren Zyra Ahmetaj. Ato thoshin se është vajzë e bukur, me vullnet të madh, mbahet e fortë, ka kurajo të lartë, etj.
Poetja Zyra Ahmetaj tek vëllimi poetik “Fluturojnë engjëjt” e ka skalit vet këtë situatë e realitet qëndrese sfidë, plot shpresë, krejt sakrifica e arritje të deristome:
“…Nuk mund të pranoja fatkeqësinë,
se shpirtin e kisha plot dritë.
Sa doja të jetoja rininë,
megjithë gjallërinë dhe bukuritë!…”
 Unë kisha lexue shumë libra të vjetër e të rinj, ndigjue gjithato histori e legjenda alpine, po askund nuk kisha has’ ndonji personazh femër të tillë që të përballej ngadhnjuese me vdekjen dhe ta mposhtte kësisoj atë heroikisht gjatë gjithë jetës së saj. Ajo nuk ishte si motra e legjendës së Gjergj Elez Alisë që mjekonte plagët e vllait të saj para dyluftimit me bajlozin e zi. Ajo ishte çika malësore Zyra Ahmetaj që mbijetonte qëndrestare me forcën e moralit të saj. Ajo, prej atëherit e derimë sot, po ecën në jetë me shembullin e saj të veçantë, si sfinks në jetën e përditshmërisë, me rrezatim në kohë-udhët e saj.
Unë, për herë të parë, Zyranë e njoha aty në Spitalin e madh të Tiranës. Aty, kishte nji përkujdesje të lartë nga familja e saj, të cilët i rrinin tek kryet dhe tek dera e dhomës në spital. Ata ishin të sojshëm, të ditun, me kulturë. Malësorë tipik.
Kujdesi familjar, shoqëror e shtetëror ndaj Zyra Ahmetajt, e aksionistëve të tjerë të aksidentuar, ishte tejet i lartë. E vështirë me e përshkrue realisht e krejtësisht.
Pacienten, maturanten aksioniste, Zyra Ahmetaj, pasi qëndroi tre muaj në Spitalin e Tiranës, e çuan katër muaj për fizioterapi në Hungari. Atje, kjo çikë shqiptare nga Bytyçi i Tropojës, shquhej ndër të shtruarit dhe në atë spital të Budapestit. Personeli i atyshëm, ekipi i saj mjekësor, e shihnin si të veçantë. Për shumçka. Përditë e ma shumë, ma mirë. Pacientja e poetja Zyra, ato ditë e deri më sot, i kujton e i zbaton porositë e mjekëve hungarezë: “Ju nuk jeni të sëmurë, por të pamundur për të lëvizur “, Jetën duhet ta merrni vetë në dorë”, “Nuk duhet të thoni për asgjë: Nuk mundem, por të thoni gjithnji: Po e provoj”, etj.
Zyraja paciente, kur i shkonin për vizitë ministri i Arsimit e i Kulturës, Thoma Deliana; ministri i Bujqësisë, Pirro Dodbiba; ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, e kushdo tjetër funksion lartë i Partisë, i Pushtetit, i Rinisë, iu thoshte se “kishte hedhur kërkesën për studime të larta dhe donte të shkonte në Universitet”, etj. Po, atëherit, ishte e pamundur për vet gjendjen e saj shëndetësore, etj. Diçka e veçantë iu bante përshtypje të gjithëve: dashuria e saj e pazakontë për shkollën, për librat, për jetën, për të ardhmen e vet.
Zyra Ahmetaj, dhe pas daljes nga spitali e kthimit në fshatin e lindjes, në Kepenek të Malësisë së Gjakovës, në pesë vite ka ba shumë fizioterapi derisa është ngritë në kambët e veta me ecë me dy shtaga për 24 vite. Ajo e theu nji herë kambën e saj. Përgjatë përpjekjeve sfidë për t’u ringritë dhe ecë në përditshmëri me kambët e saj e ndihmuar nga dy shtagat e saj, e theu tri herë të tjera kambën e vet. Ajo tash 6 vite ka mbetë në karrocë invalidi. Ajo ende udhëton kahmos, gjithkahit. Deri në malin e Dajtit, deri në bjeshkën e Sylbicës, deri në Prishtinë. Ajo, më thotë: edhe kështu ndihem plotësisht aktive për të shkruar, për të udhëtuar, për të punuar, për të kontribuar për kohën e për Kombin. Ajo, shton në mënyrë deklarative: “Unë në asnjë moment nuk kam qajtë fatin tim dhe nuk kam lejuar që të më qajnë ndokush për së gjalli”.
Poetja Zyra Ahmetaj, “Krenaria e qytetit Bajramcurri”(shpallur më 20.07.2005) dhe “Nderi i komunës Tropojë”(shpallur më 29.06.2012), ka kontribue në Shoqata Paraplegjike dhe Tetraplegjike e Shqipërisë (sekretare në degën e Tropojës), në Shoqata “Shpresë dhe Dashuri” (kryetare për degën Tropojë), në Shoqata “First Step” (kryesuese në Tropojë), me Shoqatën e Invalidëve Intelektualë të Shqipërisë, për t’iu ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, të grupimeve me paaftësi të ndryshme, për të lehtësuar gjendjen e tyre fizike dhe gjallërimin e jetës së tyre me aktivitete artistike dhe argëtuese. Ajo është e lidhur me disa klube e shoqata në Gjakovë me rrethina dhe në treva të tjera të Kosovës dardane. Ajo e don Tropojën si Preshevën, Kosovën si Çamërinë, Plavë-Gucinë si Shkupin. E thotë tek vepra e saj për fëmijë, “Alfabeti Ynë”: “Një komb, një flamurë/një Hero Kombëtarë/një histori, një gjuhë/nga shekuj të lashtë/një tokë e ujitur/me gjakun shqiptarë/njomur me lot të hidhur/nga nënat pa ndarë.” Dhe, tek kjo vepër poetike, vjen tjetra poezi e saj atdhetare: ”Çamëri, o lule / buzë detit me valë /kurrë nuk u përkule /çmendurisht të vranë…”
Zyraja është e besimit musliman tradicional, por ajo nuk është aq konservatore, veçmas kur bahet fjalë për punë të mira, ndaj (siç thuhet tek libri “Alfabeti Ynë”) ka pasë bashkëpunim me Zyrën Rinore të KOASH duke zhvillue një aktivitet të dobishëm në mënyrë vullnetare në përgatitjen e nxënësve nga një apo dhe dy grupe nxënësish në vit, me njohuri të gjuhës Angleze. Gjithashtu, e investuar nga KOASH, që nga viti 2004 gjer në vitin 2011, krijoi edhe një grup artistik, me të cilin zuri vendin e dytë (Dhjetor, 2007) në Festivalin e 10-të Kombëtar të Rinisë Ortodokse Shqiptare.
Zyraja është stiliste e rrobave kombëtare të zonës së saj, duke krijuar nji arsenal të tërë me kostume të të gjitha masave trupore dhe duke ua veshur dhe dhënë grupeve artistike të klasave të ndryshme në shkollë, valltarëve, e të tjerëve. Ajo, me kostume të saj kombëtare, ka marrë pjesë në disa panaire (ndër)kombëtare. Në këto veshje duket shpirti e fryma e saj kombëtare shqiptare.
Zyra Ahmetaj nga Bytyçi i Tropojës, sikur të mos ndodhte aksidenti tragjik i 31 korrikut 1975, ndoshta do të ishte ministre e Bujqësisë apo ministere e Arsimit, me profilin e saj krejt të veçantë. Ajo, edhe sot, paçka është 60 vjeçare me karrocë invalidi, mund të ishte në nji detyrë të lartë shtetërore në vendlindjen e saj apo në metropolin shqiptar. A nuk ishte i verbër ministri i Financave dhe i Brendshëm në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, i nji prej shteteve ma të fuqishëm të botës prejce nga Mesjeta e Vonë. Po, në Shqipëri, dhe në këtë rast shembëlllimi: Demokracia Blu duhet ta mësojë ma mirë se çka është Demokracia dhe Rilindja Rozë duhet ta kuptojnë ma mirë se çka është Rilindja.
6.Krijimtaria poetike e Zyra Ahmetajt është e kahershme, pasi ajo gjithnji ka shkrue për qejfin e saj, në fletoret e saj, por në dy dekadat e fundit të shekullit të ri, ia ka nisë publikimit të tyre në gazeta e revista, në tre libra poetik. Vepra të tjera ka në duar, gati për botim. Dy vëllime poetike. Është në fillesat e nji tjetri në prozë.
 Pas vëllimit poetik “Flutuojnë engjëjt”, e dyta është tjetra vepër poetike e saj: “Alfabeti Ynë”. Mund ta quaj dhe “monografi poetike”. Nji vepër për fëmijë që tregon se sa shumë e sa mirë është rritë Zyraja si poete. Natyrisht të shkruash për fëmijë është ma e vështirë, po sprova poetike e Zyra Ahmetajt na ka dhanë nji vepër të nji lloji e vlere të veçantë, nji visar poetik.
 Poeti e gazetari Agim Xheka i ban nji skaner letrar kësaj vepre, nji prognozë vlerësimesh, jep diagnozë vlerash:”Poezitë e këtij libri janë të thjeshta dhe të bukura si vetë dashuria e Zyrasë për gjuhën dhe kombin aq edhe për fëmijët që janë të eturit e parë që pinë në këtë gurrë të pashtershme dhe kaq të bukur. Këto poezi lënë shije të mirë edhe për të rritur, pasi i përshkojnë plot ide, sa patriotike edhe panoramike në përshkrime me ngjyra ngjarjesh dhe veprimesh të jetës së përditshme dhe të vlerave të së shkuarës; trashëgimisë tonë të pasur. Poezitë janë si vetë gjuha, gjithëpërfshirëse për kombin tonë dhe më gjerë. Në poezitë e saj sjell nji kujtesë historike të pasur dhe të bukur, me dashuri dhe mirënjohje, të shtrirë siç është vetë Historia e Kombit tonë, në të gjitha trevat, me përfaqësime dinjitoze të figurave më të fuqishme të kombit, si dhe monumenteve historike që përbëjnë pasaportën e lashtësisë tonë”. (Nga Parathania e tij tek “Alfabeti Ynë”).
 Poeti e studiuesi Tahir Bezhani i Gjakovës ka shkrue në shtypin e kohës për veprën ‘Alfabeti Ynë” duke iu dhanë autores e librit vlerësime meritore: “Poetja Zyra Ahmetaj, e njohur në mbarë vendin tonë, jo vetëm si poete, por edhe si humaniste, koreografe, përsonalitet i paepur në vështirësi jete, fituese e disa mirënjohjeve nga rrethi ku jeton e vepron, e më gjërë, këtë radhë në tabanin poetik ka nxjerrë nga thellësi shpirti tërë dashurinë njerëzore , siç din vetëm ajo, për t’ua kushtuar gjeneratave, luleve të ardhmërisë sonë, shpresave tona të përbashkëta”.
 Poetja, qytetarja, veprimtarja, artistja, Zyra Ahmetaj, i këndon me pasion këngët e Eposit të Kreshnikëve të shoqëruara me lahutë, si dhe ka kontribuar në evidentimin e përhapjes së tyre. Ajo ka shumçka në vetveten e saj nga ky Epos alpin i Malësive të Veriut, i Tropojës e i Bytyçit të saj. Zyraja artiste, vjet dhe sivjet, ka debutuar me Grupin e Gjakovës me kangën e moçme, tradicionale, të re: “Hoj-dado-hoj”. Ky është një tjetër dimension i saj, i vlerave të saj, i arritjeve të saj.
7.Sivjet, më 28 gusht 2016, isha në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Festën Kombëtare “Plisi i Bardhë”, nji veprimtari tradicionale e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” me kryetar av. Agron Isa Gjediaj. Një ndër sponsorët e saj të përhershëm, ma i veçanti, është biznesmeni humanist Ram Geci i Bytyçit, pronari i vetëm i “Hotel Tirana International” dhe president i firmës së njohur “Geci”, që ka ndërtue segmente (lote) në “Udha e Kombit”, Unaza e vjetër dhe e re e Tiranës, rrugët nga Qafa e Morinës drejt Fierzës dhe nga qyteti alpin i Bajramcurrit drejt Valbonës, etj. Sivjet, një ndër kontributorët ishte tjetri biznesmen humanist, Muhamet Malo në Tiranë, pronari i Teleferikut të Dajtit e i “Ballkoni i Dajtit”, aty ku u organizue kjo veprimtari panshqiptare “Plisi i Bardhë”.
 Aty, ma mirë se askund tjetër, Zyra Ahmetaj po promovonte poemën e saj “Plisi Shqiptar”, me parathanie nga poetja tjetër bytyçase e tropojane, Xhane Sherif Imeraj (botimet “ADA”, Tiranë, gusht 2016). Botimi ma i ri. E treta vepër e saj. Ajo kishte ardhë aty me plis të bardhë, si malësoret e vaktit, si në Dardaninë Antike Alpine, si në Eposin e Kreshnikëve, si në Luftën e fundit të Kosovës. Përndryshe, dhe e gjithë krijimtaria e saj poetike më ngjan si nji plis poetik.
Tek poema “Plisi Shqiptar”, në 54 faqe tekstor të saj, në 229 strofa, në rreth 1.000 vargje, poetja Zyra Ahmetaj flet për figura të shquara të kombit shqiptar, për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu; për Lekë Dukagjinin – prijtar e kanunar i famshëm; për Gjon Buzukun e “Mesharit” në shqip; për Gjegj Fishten e Lahutës së Malcisë; për Abdyl Frashërin e Ali Ibër Nezaj të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; për Mic Sokolin e grykës së topit; për Selam Musain e Labërisë; për Ismail Qemalin e Isa Boletinin e Shpalljes së Pavarësisë; për Shote e Azem Galicen e Drenicës martire; për Çerçiz Topullin e Gjirokastrës; për Mbretin Ahmet Zogu; për heroin legjendar Shaban Polluzha; për presidentët shqiptar kombëtar – Sali Berisha e Ibrahim Rugova; për Azem Hajdarin e “Lëvizjes së Dhjetorit ‘90”; për Anton Çettën e Pajtimit të madh të Gjaqeve në Kosovë; për Shën Nanë Tereza nobeliste; për Ahmet Zherkën e Bytyçit e Adem Jasharin e Prekazit; për Presidentin Amerikan Bill Klinton – mik i madh i Shqiptarëve; për personalitete të reja në shek. XXI –Majlinda Kelmendi, Laora Mesini Houghton, Ermonela Jaho e Luan Krasniqi.
Poetja Zyra Ahmetaj, me talentin e saj, me figura të gjetura artistike, poetizon e portretizon mjaft bukur në vargjet e kësaj poeme: “Plisi i bardhë, i lashtë / …Plisi ynë i shenjtë /…Plisi ynëi Nderit/ …Plis i fisnikërisë/ Plis i ardhmërisë/…Plis i Atdheut Tim/…ënd me fije bese/…ënd me rreze drite/…ënd me fije geni/…ënd me fije shprese/të paqes, begatisë/larë me lumë djerse/…përskuqur me gjak/shkruajte historinë/në ballë, si bajrak”. (fq. 7-8).
Poetja Zyra Ahmetaj në vargninë e poemës “Plisi Shqiptar” e sjell krejt Shqipërinë Etnike më madhështitë, bukuritë e veçantitë e saj. Të gjithë janë aty. Alpet, “Atje ku plisi/ merr rrezet e diellit/Atje ke mundësi/ të kapesh pas qiellit”, atje – ku “malet kësulbardhë” e kanë nxitë traditën që “plis të mbajnë shqiptarët” (fq. 12). Aty vjen “Berati plisbardhë/ Kodikët-flori/që nga mijëvjeçarë/I mbajti në gji”/(fq. 19). Aty flitet: “Në Kongresin e Manastirit /mendjendriturit, plisbardhë/ shkronjat i rënditen/ si yjësi të rrallë” (fq. 22). Aty vijnë dhe “djemtë suljotë” (fq. 26), “kësulat dibrane” (fq. 29), Lushnja fushëgjerë”, ku “Burrat plisbardhë/…mendjedritë, penartë” ban Kongresin e Lushnjes (fq. 32). Aty flitet për “Masakren e Tivarit”: “I mbytën në det’/I vranë në Tivar/Det-gjaku i shenjtë/I burrave plisbardhë”/.Nanë Tereza me “plis të bardhë/Dhe një shallë alfabeti”/(fq. 48). Aty, autorja, flet për vendlindjen e saj, për fisin e vet: “Mes luftrash i gjendur/Bytyçi me plis/Tre herë i djegur/Prapë ngrihet – Feniks” (fq. 34).Ajo flet dhe për Çamërinë: “Plumbat veç në ballë/ aty ku rrinë plisat/ I marrin djemtë çamë/ siç përherë bien trimat” (fq. 26).
Në kryerradhë e në përmbyllje të poemës autorja Zyra Ahmetaj përcjell mesazhin e madh të kohërave e për kohërat: “Kësul, feste, kapuç, qeleshe/në secilën krahinë/të bardhë si buzëqeshje/zemrat mbushin gëzim/ çfarëdo forme kanë/ ata janë të njejtë/ Janë Plisa Shqiptarë/ të bardhë dhe të shenjtë” (fq. 28).
“Plis i vargut tim”, thotë shpesh autorja Zyra Ahmetaj në poemën e saj, po ne i themi ndryshe asaj: ti vet je nji plis poetik me veprat e tua poetike, në udhën tande dritë sacrifice e lartësi jete.
Poetja Zyra Ahmetaj është nji plis poetik i kohës, me jetën e saj biblike.

Filed Under: ESSE Tagged With: ME JETË BIBLIKE, NJË PLIS POETIK, Ramiz Lushaj, Zyra Ahmetaj

POLIFONIA FEMERORE

September 16, 2016 by dgreca

Grupi i Vajzave të Tërbaçit/

Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i etnologjisë dhe folkorit/

3-polif

4-polifonia

2-polifoniaDy fjalë hyrëse/

 Folkori femëror po e pasuron dhe e zbukuron hijshëm folkorin tradicional, me zbatimin e normave të traditës, si dhe duke mbajtur mirë parasysh parimet specifike, ato “ligjet” e pashkruara, që e bëjnë folkorin lloj të veçantë artistik. Folkori femëror po rishfaqet guximshëm, mes sfidash, ballafaqimesh e konkurencash, por edhe mes miqësirash, qokash e hatëresh. Turbullohet folkori nëpër llagëmet e “turbofolkut” ende. Dhe përsëri shfaqet i vërtetë, i qartë në dritë të diellit dhe në furtuna të vetëtimave. Veçse një gjë nuk e kuptojnë si duhet apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë si duhet shkruesit e mëdhenj e me kollare të shkrimeve të rënda e me goxha vëllim për folkorin, specialistët e jurive, vlerësuesit e notavënësit e krijimtarisë folkorike në tërësi dhe të këngës labe në kuptimin më të ngushtë të këtij punimi. Krijimi folkorik i këngës labe, sikurse folkori shqiptar apo dhe folkori i popujve të tjerë, mik ka ka vetëm natyralitetin dhe origjinalitetin e tekstit të poezisë popullore, muzikën, instrumentet (kur dhe ku përdoren, si tejtëhu), vallëzimin popullor (vallen), krahas veshjes, mjedisit, kohës dhe hapësirës së praktikimit. Ka mik vetëm nivelin artistik, cilësinë e lartë, shndërrimin në krijimtari folkorike nëpërmjet qarkullimit folkorik të një bashkësie të caktuar, jetës që bën në komunitet, pëlqimit apo shpërfilljes nga banorët dhe asgjë tjetër. Një nga figurat më të njohura të folkoristikës shqiptare sot, prof. dr. Agron Xhagolli përmend veçoritë e folkorit, ato “ligjet” e pashkruara të magjisë hyjnore, të cilat na rrëmbejnë në gjirin e Mbretësisë së Këngës labe, ndër të cilat, profesori përmend: “karakterin e tij sinkretik (të folkorit- shën. im: AH); përhapjen gojore; improvizimin; prirjen ndaj së bukurës, sublimes; lidhjen e së bukurës me të dobishmen; pasqyrimin e atypëratyshëm apo menjëherë pas ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme; zgjidhjen e çështjeve të shtruara nga pozita e bashkësisë apo të komunitetit; kontrastin e prerë; dinamizmin estetik; përgjithësimin tipologjik; parimin e zbukurimit; koncizitetin; simbolimin nga pozitat e bashkësisë etj.”. (Xhagolli, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, Vlorë, “Triptik”, 2017, f.17). Folkori, në rrjedhat e kohës, pëson ndryshime, deri edhe transformime, por asnjëherë nuk mund të shkëputet prej traditës, kritereve të krijimit e të funksionimit të vetë folkorit. Edhe kënga labe. Në vitet 1970 mbahet mend grupi i vajzave të Dhërmiut, (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë) që u mirëprit si një dukuri e re folkorike në rang kombëtar. Po në atë kohë u paraqit në hapësirat lokale të Mesaplikut e Lumit të Vlorës edhe Grupi i Vajzave të Tërbaçit (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë).  Sot, mbi bazën e traditës së Grupit të vjetër të Vajzave të Tërbaçit shfaqet Grupi i Ri i Vajzave të Tërbaçit, si një risi cilësore e polifonisë labe.

Tërbaci, historia, kënga. Tërbaçi i Labërisë ka emër të mirë në histori për liri, dituri e kulturë. Krahas burrave të shquar në rrjedhat e kohës, fshati ynë, që duket si fole shqiponjash mbi luginë të Mesaplikut, me kontributin e gruas dhe vajzës tërbaçiote në luftërat për pavarësi, liri, emancipim shoqëror, dinjitet dhe përparim, i ka dhënë kujtesës kombëtare thesare të çmuara. Miro Tëbaçja me histori fluturon në këngë dhe legjenda. Trimëresha e Tërbaçit, Legjenda Miro u rrit bonjake, pa nënë e pa babë, dhe, siç e këndon kënga “hasmit pashallarë,/ i vranë vëllanë”, pabesisht e padrejtësisht. Kështu realiteti shndërrohet në legjendë … Miro Tëbaçja ngrihet si heroinë popullore, që doli nga gjiri i këtij fshati, u vesh e u ngjesh si djalë dhe ormisi (vrau) pashain e Beratit, sepse tërbaçiotët s’mund të duronin më t’i jepnin haraçe hordhive barbare gjatë pushtimit feudal ushtarak të Perandorisë së vjetër osmane.  

Siç ka bërë emër në histori, Tërbaçi ka emër të lartë dhe në folkorin shqiptar me vallen dhe këngën hijerëndë labe tërbaçiote. Falë birit të fshatit tonë, dragoit të këngës labe, Kujtim Micit të paharruar, më 1966 u krijua i organizuar e i strukturuar grupi polifonik i Tërbaçit, që më vonë u quajt nga të tjerët dhe specialistët Grupi i Madh i Tërbaçit. Ky grup u ngrit mbi bazën e traditës së të parëve, ardhur si stafetë e bukur e trashëgimisë shpirtërore me vargje e melodi karakteristike vendore, që përhapej gojë më gojë nëpër gëzime, dasma e ceremoni familjare.

Kjo majë folkorike nga Grupi i Madh i Tërbaçit u arrit falë tre elementëve të veçantë të Kujtim Micit: talentit të jashtëzakonshëm krijues, dhuntisë së rrallë organizative dhe autoritetit të padiskutueshëm me të gjitha grupmoshat. Ishte vetëm 29 vjeç kur filloi atë punë kulturore titanike në Tërbaç. Kujtim Mici ishte mësues i spikatur, drejtori më jetëgjatë i shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç dhe drejtuesi i vetëm, regjisori, krijuesi i teksteve – perla të gurrës popullore. Ai konceptoi, projektoi dhe realizoi punën e grupeve sipas sistemit zinxhir. Krijoi grupin e burrave për këngë e për valle, grupin e grave, grupin miks, grupin e fatosave dhe të pionierëve të shkollës, siç quhej atëhere dhe, më vonë, grupin e famshëm të vajzave të shkollës së mesme të Bratit, (nga që në Tërbaç nuk pati gjimnaz). Këto grupe funksioninin paralelisht, pa ndërprerje avktiviteti në fshat, në lokalitet, në zonë, në rreth, nëpër festa, ceremoni e festivale, funsiononin si një ansambël i mrekullueshëm ylberor, saqë dhe krijuan stilin tërbaçiot të këngës labe. Tashmë, folkori i mirëfilltë tërbaçiot ngrihet në stadin e folkorit të kultivuar mbi shtratin e traditës, duke i freskuar karakteristikat lokale e duke i pasuruar ato me elementë të rinj. Në këngën polifonike labe të Tërbaçit, sidomos me të pakapshmin Sinan I. Hoxha, ashtu sikurse në këngën e Himarës së meteorit Neço Muka e bilbilit Dhimitër Varfi apo smokthinjoçen qazimademçe, që na e sjell me shkëlqim të qartë Hysen Ruka, dallon tejdukshëm karakeri etnoveçues, po aq sa karakteri etnopërbashkues si pjesë e së tërës folkorike.

Dy fjalë për grupin e grave dhe vajzave. Siç e shprehëm, se ashtu ka funksionuar rregullisht, krahas grupit të burrave, u ngrit dhe grupi grave, po në vitin 1966. Personalisht i mbaj mend edhe fillimet e këngës grarishte tërbaçiote, që të organizuara e të regjistruara në Radio Tirana nisën me njësinë folkorike “Tërbaçi, gur’ e përrallë, ma-ja-ve…”, që ia merrte me aq ëmbëlsi, shtruar e qetë, grarishte, ish – mësuesja e mirë Hatixhe Hodo (dtl. 1937, me arsim të mesëm pedagogjik), bijë nga Radhima, nuse në Tërbaç, ia thyente Edie Muho (dtl. 1938, me arsim 7 vjeçar, kthyese e grupit), ia hidhte Farì Skëndaj (dtl. 1936, me arsim 7 vjeçar) dhe ia mbushnin (mbanin iso) disa gra të tjera. Të tria, këto që u përmenda emrin kanë qenë zërat kryesorë të këngës dhe sot janë më moshë të tretë, gëzojnë respekt nga fshati, fëmijët, nipërit e mbesat. Shumë këngëtare të tjera të këtij grupi janë larguar nga jeta. (Qofshin përjetë të paharruara dhe të kujtuara nga brezat e pasëm!) Krahas këtij grupi më të vjetër, krijuesi ngriti dhe një grup me vajza të reja, ku spikatën, sidomos në vitet 1968 – 1972 vajzat e Tërbaçit: Dashuri Hodo (Mehmetaj), Afërdita Demo (Nevraj), Natasha Hoxha (Rrapoj), e paharruara Besie Hodo (Mehmetaj), Lumturi Hodo (Habazaj), Fatbardha Lushaj (Lulaj), Velide Shirokaj, Fatbardha Barjami (Kapo), Bukuroshe Abazi (Ramohito), Pestrova Mehmeti (Abazi), Ferzilete Barjami, Shpresa Abazi (Gjondeda), Nazo Dautaj (Ribaj), Shpresa Kapo (Çelaj) etj., nga të cilat, disa ishin angazhuar qysh me grupin e nxënësve e të tjera, shpesh herë e në vijimësi, këndonin edhe me grupin miks. Shpresa Kapo dallohej (që me grupin e fëmijëve në Gryka) dhe në krye të valles, si më e gjata në trup e grupit elegant dhe hedhëse me ngjyra të pastra e të ngrohta e këngëve të Nazos. Si tekste, drejtuesi u jepte së pari ato të traditës, të krijuara nga Xhebro Gjika, Hamdi Hodo, Sinan Gjondeda, Sinan Mullahu, Puçe Veliko apo pa autorësi (autorë anonimë). U kënduan po ashtu tekste të Kujtim Micit, i cili i ngriti shumë artistikisht si poezi dhe melodi. Grupi i vajzave i ka sjellë stilit Tërbaçiot përherë nota të freskëta e të bukura në këngë. Marrëset kryesore të grupit kanë qenë:

  1. Natasha Hoxha (Rrapoj) me këngët “Dëshmorët e fshatit tonë – Dola në saba’ pa dirë” (teksti Xh. Gjika), “Le t’ja thot’ labi në Jugë” (teksti K. Mici), dhe “Këngë për dëshmoren bonjake Anife Kiçaj” (teksti H. Hodo). Mbahet mend (janë dhe çertifikatat përkatëse si dëshmi) që me këngën “Le t’ja thot’ labi në Jugë” grupi i Tërbaçit fitoi çmmin e parë në Festivalin Krahinor në Brataj, ku u vlerësua edhe marrësja. Nuk këndoi shumë vite me grupin, pasi u largua nga Tërbaçi (martesa puna, largësia, pamundësia).
  2. Dashuri Hodo (Mehmetaj), ka qenë një marrëse me zë të qartë, të lirshëm, që rridhte vrullshëm, sidomos me këngën “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” (teksti K. Mici, 1967), e cila pati jehonë për vitet kur u këndua, u përhap, u pëlqye, u regjistrua në Radio Tirana dhe transmentohej shpesh, sepse dhe motivi i saj qe lufta kundër mbeturinave dhe zakoneve prapanike të kohës së kaluar. Kjo njësi folkorike me ritëm recitativ i dha hov këngës së Tërbaçit. Dashuria jeton në Tërbaç. Janë si familje këngëtarë, (megjithëse në Tërbaç dhe gurët këndojnë labçe).
  3. Afërdita Demo (Nevraj), marrëse nga më të vjetrat e grupit të Tërbaçit, e cila dallohej për shqiptimin e kumbueshëm të fjalëve në melodi, sidomos në këngën “Ju, bijt’ e Tërbaçit plak” (teksti K. Mici), që harmonizohej aq mirë me mbushjen (ison) në krahët e notave liriko-epike të këngës aq të dashur për ne. Dhe Afërdita, sikurse Natasha pak vite bëri me grupin, për arsye se u largua nga fshati.
  4. Bukuroshe Habazaj (Ramohito) (dtl.: 30.11.1953-) u angazhua me grupin në vitet 1971-1973. Ka marrë pjesë në veprimtari të dendura artistike – kulturore në një kohë të shkurtër të aktivizimit të saj me grupin e më gjerë. Në qershor 1973 ishte marrëse e këngës “Flet Halimi, është i gjallë”, me tekst të mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha. Gjatë viteve, që punoi në vendlindje, ishte mësues Zaimi që krijoi këngën shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, figurë demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje thurur nga mësues Zaimi për grupin e shkollës, që kishte ngritur drejtor Kujtimi dhe mësuesi kujtestar, mësues Rexhepi me ne, e, kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë dhe bënim prova me këtë tekst, me marrëse Nazon, për të cilën do të flasim në vijim. Bukuroshja ka qenë heqëse vallesh deri dhe prezantuese e festivalit zonal dhe në shkallë rrethi, (falë timbrit të kulluar të zërit), që u zhvillua në Sheshin e Flamurit, qershor 1973 si pararendës përgatitor për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës të tetorit 1973. Për shkak se u martua, në gusht të atij viti, u shkëput nga grupi dhe shkoi në Shijak me familjen që krijoi.   
  5. Fatbardha Barjami (Kapo), ka qenë një nga marrëset e dalluara të grupit, me rrënjë e degë kënge. U shqua sidomos si prijëse e valles dhe marrëse e valles mikse të kënduar: “Hidhe vallen, Shqipëri” (teksti K. Mici). Kishte një zë melodioz, të fortë, të ëmbël, të lirshëm, që e zotëronte grupin dhe e nderonte këngën. Nuk lëvizi nga fshati, por për arsye të angazhimit me punët e pushtetit dhe drejtimit të komunës, nuk mund të vijonte shumë vite me grupin miks apo atë të grave të fshatit.
  6. Ferzilete Barjami, motra e Bardhës, i dha një impuls lirik të veçantë këngës tërbaçiote. U dallua si marrëse e dashur, me zë trëndeline, sidomos për këngët me motive baritore të dashurisë. Janë të shumta këngët e Ferziletes, ku, ndër të tjera, do të veçonim ato me dy marrës: djalë-vajzë, ku ajo bën rolin e vajzës si marrëse tërësisht tek këngët e Kujtim Micit, si tek: “Dil çoban nga tënda!”, apo tek e famshmja “Bujkesh’, më shkele meranë…” etj., etj. Pati jetëgjatësi me grupin e Tërbaçit, por duke u martuar në Tiranë, vetvetiu do të ndodhte shkëputja.
  7. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) (25.06.1960-) dhe vajzat e Mesaplikut. Qysh në vitet 1967 – 1970, krijuesi zbuloi, përgatiti, inkurajoi dhe realizoi një marrëse fenomenale, bonjaken shembullore Nazo Dautaj (Ribaj), e cila shkëlqeu si marrëse dhe tronditi Festivalin e Tretë Kombëtar të Gjirokastrës më 1978 me këngën lapidare si tekst, melodi dhe interpretim “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” – himn për Brigadën e Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit. Zëri i Nazos magjepsi krijues, kompozitorë, orkestrantë e muzikantë. Ajo s’qe këngë. Ajo qe simfoni labe. Ajo s’qe simfoni. Qe një operë epiko-lirike. Dhe Nazua qe vetëm 17 vjeç, kur filloi provat me këtë këngë. 18 në Festival. Kalamake. Po aq ishin dhe  gjashtë vajzat e tjera. Adoleshente. E pabesueshme, kur e kujton sot dhe e krahason me çupat e kohës që jemi. Çfarë kanë patur në grykë ato vajza që ndezën atë zjarr folkorik të paparë në Kalanë e Gjirokastrës?! Një forcë tronditëse, një interpretim mjeshtëror nga grupi i vajzave të shkollës së Bratit apo i vajzave të Mesaplikut, si u quajt e mori nam atëherë. Një ndërthurje e rregullt dhe e këndshme e shumë tingujve magjikë, ngjyrave ylberore, etj., krijuan atë tërësi të harmonishme të “Shamikuqes Bramyshnjë lëndinë”. Grupi i vajzave kishte 7 veta; katër nga Tërbaçi dhe pikërisht Nazua – marrëse e talentuar, Shpresa Kapo (Çelaj), një hedhëse e përsosur, Vangjelina Gjini (Deda) dhe Shazie Hoxha (Shyti), që mbushnin këngën me iso, së bashku me Dilore Ballën (Arshiaj) nga Gjormi dhe Baire Hasanin nga Lezhani. Khtyese e këtij grupi simpatik vajzash gjimnaziste ishte Fedirete Sulçaj nga Mesapliku. Dhe ku nuk dhanë shfaqje ato thëllëza mali?! Në Vlorë, në Gjirokastër, në Libohovë, në Përmet, te Ura e Përmetit, në Sarandë, në Delvinë…Dhe u pritën si princesha.

Një visar të ri për folkorin tonë solli me zërin e saj brilant Nazua me këngën liriko-elegjiake “Mal’ i Çikës kokën uli”, 1979. Tekstit të viganit Kujtim Mici, zëri i marrëses Nazo Dautaj i dha dinjitet dhe emocion artistik sfidues. Karakterit sinkretik të këngës labe të Tërbaçit i dha krenari. Fjalë e muzikë e interpretim në këtë perlë folkorike ishin në një unitet me të vërtetë harmonik. Pak vite bëri në Tërbaç Nazua, pas mbarimit të shkollës së mesme dhe, detyrimisht, u ndërpre veprimtaria folkorike e saj. Sot jeton në Athinë me bashkëshortin e dashur e fisnik Besnik Ribaj dhe gëzojnë dy fëmijë: një djalë e një vajzë. Takimi rastësor me të, të mërkurën e 3 gushtit 2016, ndërsa bëheshin prova me grupin e grave të Tërbaçit, qe një mrekulli (falë rastësisë që u kthye për pak ditë pushime në Vlorë me familjen dhe mundësisë e takimit që na krijoi Shpresa Kapo Çelaj, shoqja e saj më e ngushtë e fëmijërisë, që në klasë të parë, shoqe e shkollës fillore në Gryka, e tetëvjeçares në Fshat, e së mesmes në Brataj; të pandara në këngë). Kujtuam atë shoqëri aq të pastër, sinqerisht të padjallëzuar e vëllazërore në kuptimin më ideal të fjalës. Kujtuam vitet e lavdishme të këngës. Shpresa, Nazua dhe unë kemi qenë shokë klase nga klasa e parë në Gryka (1967) deri sa mbaruam klasën e tetë sipër në Fshat (1974-’75). Shpresa vazhdoi shoqërinë me Nazon dhe në shkollën e mesme në Brataj. Në tetëvjeçare në klasë me ne qe dhe Hava Çelaj Muçaj, me të cilën ato vijuan udhëtimin në Brataj të tria, ndërsa unë shkova në Tiranë me bursë në gjimnazin ushtarak (ish-Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” (1975-’79) … Qysh në 8 vjeçare, po ravijëzohej profili folkorik i Nazos si marrëse absolute. Më kujtohet kur krijuesi thuri këngën baladeske “Të lutem, o nënë e dashur!” – kushtuar dëshmorit të fshatit Riza Salati, ndërtuar në formën e dialogut midis nënës dhe djalit. Një këngë e bërë me shumë ndjenjë, dashuri e dhembshuri, ndërtuar me ritëm recitativ, me metrikë 8 rrokëshe dhe rimë të kryqëzuar ab ab. Viti 1973. Kemi qenë në klasë të shtatë. Nazua ia mirrte këngës në rolin e nënës, gruas së dëshmorit, ndërsa, në rolin e djalit, ia merrja unë, Albert Habazaj. Largimi nga fshati, që 15 vjeç me shkollë e detyra larg vendlindjes, për kohën nuk mund të më rikthente më me atë grup fantastik, që s’ribëhet më…Nazua mbeti e paarritshme në interpretim, falë zërit të saj, që sikur vinte nga hyjnitë në tokë; po ashtu falë dhe natyrës së saj serioze, thjeshtësisë e karakterit të fortë. Disa e quajnë Vaçe Zela e këngës së Tërbaçit, disa i thonë Inva Mula e këngës labe e disa i flasin Ermonela Jaho e stilit tërbaçiot. Nazua i dëgjon qetë, qesh ëmbël, se e kupton që ia thonë me respekt e dashamirësi njerëzit këto vlerësime, veçse ua kthen: “U faleminderit, po, këtyre hënave, nga jemi ne, sikur nuk i mbamë dot peshat që s’i ngrëmë dot apo që s’na përkasin. Si thoni?-Sikur u kërkon miratimin me qortim për ato fjalë që të sajve, u dalin nga shpirti. -Unë jam Nazua. Thjesht. Më mjafton kaq. Ju e dini që si kam qejf ato superlativat vend e pa vend. Apo na e heq dera euforinë!… Jeni shumë të mirë! Hajt’ të këndojmë tani, se ndaj erdha t’u takoj, se më kish’marrë malli për këngë!…

Grupi i fatosave të Tërbaçit. Qysh në klasë të tretë, Nazua spikati si marrëse e rrallë e këngës labe të Tërbaçit dhe s’iu nda më asaj. Ishte pikërisht viti 1969. Kujtim Mici krijoi grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, me 10 vogëlushë të klasës së tretë, që ishim: Nazo Dauti-marrëse, Krenar Mehmeti-kthyes, Shpresa Kapo-hedhëse, në mbushje (iso) Sulote Kapo, Liri Gaçe, Donika Rroko, Vangjelina Gjini, Kaçandon Çane, Farudin Gjondeda dhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, Albert Habazaj. Duke kërkuar në arkivin personal, gjej disa fletë të zvedhura, shkruar me laps, që mezi lexohen. Për të qenë i vërtetë, unë po e plotësoj këtë shkrim, me shënimet ashtu siç i kam shkruar, pa ua tjetërsuar kuptimin, sepse ashtu ka qenë e vërteta e jetuar. (Unë s’di e s’mund të gënjej, sepse jam përdorues i penës dhe jo shpërdorues i saj). Po shkëpus nga shënimet e vjetra pjesën ku shkruaj për grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, si quhej atëherë: “Kishim grupin miks, grupin e pleqve, grupin karakteristik të burrave, të valleve, grupin e vajzave dhe grupin më simpatik, atë të fatosave [janë 8 rreshta që nuk e dalloj qarët shkrimin] Grupi i fatosave doli në skenë për herë të parë me këngën: “Do këndoj xhaxhi Enverit/ dhe nënës Parti/ për të mirat që na sollën/ ne, brezit të ri/ nëpër kopshte na mësojnë,/ sa jemi fëmi/ dhe në shkolla na dërgojnë/ ne për dituri./ Tani që jemi fatosa/ lule na ke ti,/ kur të rritemi dhe pak,/ ushtar’ në kufi,/ Shqipëris’ i dalim zot,/ kemi zjarr në gji”. Me këtë këngë u bëmë të njohur në Festivalin Zonal të Vranishtit. Më vonë morëm jehonë me këngë të tjera, kur dhamë shumë shfaqje përpara sheshit të Flamurit dhe në sallën e kinoklubit “Perlat Rexhepi”. Kënga e fatosave të Tërbaçit dukej sikur hidhte tufa-tufa në sallë luleborë, lulëkuqe e luleshqerre. Çiltërsia fëminore ndërthyrej me ëmbëlsinë e zërave dhe jepte një kombinim të bukur melodioz që të mbushte me emocion. Dhjetë veta kishte në fillim grupi i fatosave, 6 vajza e 4 djem, [Ky grup shënohet si i pari i këtij formati në Tërbaç (shën. im, i sotëm – AH)]: Nazua, që ia merrte këngës si cicërimë biblili, Krenari, që kur ia kthente kumbonte si trokje buzë shpatit, Shpresa që e dridhte zërin aq bukur e me ndjenjë, Sulotja, Liria, Donika, Vangjelina, Kaçandoni, Farudini dhe Alberti, që bënin iso. Inçizuan dhe në radio disa këngë, si “Zemrën shkëmb e ballin lart”, marrës Alberti, kthyes Krenari, hedhëse Pesa; apo “Gjirokastra heroike”, “Zëra po ushtojnë”, “Kjo kalaja jonë e fortë” etj., marrëse e të cilave ishte Nazua, thyes Kruqi e hedhëse Pesa …

Tani ata janë rritur, disa këndojnë me grupin e fshatit, të tjerë janë nëpër shkolla, ku mësojnë për agromonë, mjekë, oficerë, naftëtarë, për t’i shërbyer Atdheut në çdo skaj. Gjatë pushimeve të verës mblidhen për vit, kujtojnë fëmijërinë e çiltër e ja thonë këngës në hije, te lisi i Bilbilave, si i thonë fshatarët vendit me hije të freskët ku mblidhen artistët amatorë të Tërbaçit. Nazua është marrëse e grupit polifonik dhe zërin e saj e dëgjojmë shpesh në këngët e grupit “Unë shaminë e zezë e preva shqiponjë”, “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” apo në këngën “Kemi një shok më pak, po një amanet më shumë”, kushtuar kujtimit të ndritur të shokut Hysni Kapo. Pasardhësit e grupit të parë të fatosave e kanë çuar më tej traditën. Ata janë valltarë të mrekullueshëm, porsi baballarët. Ja, Mireli, që e heq vallen sikur është burrë serioz e duke dredhur shaminë; pasohet nga Beni, Dashamiri, Andi, Genci, Tori, Arbiri …, serbesë e me sytë që u shkrepin çika stërralli …”. Siç e shpreha më sipër, paragrafët vendosur në thonjëza janë shkëputur nga shënimet e mia me titull: “Këngë që gurgullojnë si gurrë mali”, dhjetor 1979, f. 9-11. Lehtë vihet re atmosfera romantike dhe me ngjyra politike, por ashtu është shkruar në ato faqe, s’mund t’i ndryshoj. Vërehet po ashtu, se poeti i madh liriko-epiko i vargjeve të skalitura për tekstet e këngëve të mëdha të Tërbaçit të madh kishte, tek-tuk, edhe tekste me përmbajtje politike, disa nga të cilat, qëlloi që i kemi kënduar dhe ne, fëmijët, ndër të të cilat, duhet pranuar se kishin edhe tekste të rëndomta, artistikisht të dobëta dhe jashtë botës fëminore, me mjete jo të natyrës së popullit, që denatyralizimin e folkorit kanë finale, sepse janë folkorizma. Mund të themi dhe s’mund të themi: “Ashtu ishte koha. Ashtu kërkohej”. Ashtu bëhej. Lum, kush ruante raportet dhe nuk shkarravitej, aq më keq ekstremisht, si ca të patalentuar, që sot mohojnë ç’kanë shkruar e kënduar dhe na dalin të persekutuar e flasin si pasnesër apo, si i thonë ndryshe, kuvendojnë si kaposhi majë plehut. Mos gënje, qerrata! Është e neveritshme gënjeshtra, sido që të jetë puna, sido që ta keshë patur hallin. Aq më tepër sot, që diktatura iku, vate… Apo i ha hija e saj ca e ca. (Kthehemi në tekst, se mërzita veten, jo më ju, lexues të respektuar, prandaj më falni).

  1. Grupi i sotëm i grave të Tërbaçit që ne pëlqejmë ta quajmë dhe ato ashtu kanë dëshirë t’u flasim me emrin e thjeshtë, të bukur, historik dhe simbolik: Grupi i Vajzave të Tërbaçit (ish-vajzat e viteve 1975-’80)… Ikën kohëra, erdhën kohëra. Rrodhën vitet. “Turbull lumi, turbull-o” thotë një këngë e vjetër. Jeta na vjen si det me lule dhe furtunë. U venit grupi i vajzave, iu harrua emri. Dhe Dragoi i këngës së Tërbaçit u plagos, u sëmur, ra, iku. Por, ai ka qenë. Bëri emër, na dha dhe na la emër. Dhe ne kemi qenë dikur dikush. Bëmë emër. Tërbaçi na lindi, na mësoi, na inkurajoi, na pëlqeu, na vlerësoi dhe na nderoi. Ndodhën ato që ndodhën e që ne i dimë mirë, por s’është e nevojshme të dalin matanë qafës së Shënmitrit, se mërziten e na qortojnë të parët. Të qajmë gjithë jetën, atëhere? Jo! Për nder të Tërbaçit, për paharrim të Kujtim Micit, për dinjitetin tonë do ta ringremë grupin, se s’bën! – Kështu thanë gratë e Tërbaçit, të cilat u organizuan në këtë grup të veçantë, që ka një simbolikë të madhe. Ato janë shoqe që nga fëmijëria, në përgjithësi të ditëlindjes  Gjashtëdhjetë. Janë nëna të nderuara, janë bërë dhe gjyshe të lumtura. Po kush janë këto zonja tërbaçiote, kush janë këto strëmbesa të Miro Tërbaçes, që sikurse Ajo me jatagan, këto me këngë po ia bëjnë forra dhe shënojnë emrin në historinë kulturore të fshatit e hapësirave tutje? Ato janë 9 zonja të respektuara, familjare të rregullta, që kontribuojnë vullnetarisht për vendlindjen dhe pikërisht: Shpresa Kapo (Çelaj), (02.03.1960-), Baftie Dautaj (Xhelili), (07.03.1963-), Hava Çelaj (Muçaj), (02.02.1960-), Shpresa Habazaj (Gjondeda), (25.03.1959-), Lavdie Goxho (Xhaka), (30.11.1958-), Liljana Rrapi (Kapo), (07.08.1961-), Evgjeni Habilaj (Seferi), (01.10. 1964-), Vangjelina Gjini (Deda), (-.-.1960-) dhe Margarita Kapo (Habilaj), (03.10.1965-). Shtatë janë bija Tërbaçi, nga të cilat pesë janë martuar po në Tërbaç (dy Shpresat, Lavdia, Vangjua dhe Rita) dhe tri në fqinjë, (Havaja në Brataj, Baftua në Lapardha, Gjena në Gjorm, ndërsa Liljana, bijë Gorishti, është nuse në Tërbaç). Fillimgushti 2016 është edhe ditëlindja e këtij grupi. Më datat 2, 3 gusht e në vijim, mbasditeve u mblodhën, u organizuan e nisën provat mbasditeve, duke sakrifikuar nga koha e tyre, e familjes, e nipërve dhe mbesave për të përmbushur një misioni shumë fisnik. Me mundësitë e tyre, ende pa mbështetje financiare, këto gra dinjitoze, sedërtare dhe nëna tërbaçote të nderuara u paraqitën për herë të parë me një buqetë me lule këngësh në Festën e Fshatit, në takimin e brezave, të shtunën e 20 gushtit 2016, vetëm me grupin e tyre të pagëzuar “Grupi i Vajzave të Tërbaçit”. Dhe synojnë që “Ditë më të mira paskëtaj të vinë” për promovimin, prezantimin, përhapjen dhe dobinë e këtyre visareve për komunitetin në hapësirë dhe nëpërmjet videoklipeve. Në repertorin e tyre ka këngë tërbaçote të stilit grarisht, ku ndihet se kontakton me një art të lashtë të traditës, po ashtu kërkesat e tyre janë për risi me tekste dhe melodi, të përshatshme dhe të pranuara nga banorët e trevës. Kanë krijuar një grup korret, kompakt, të mirëkuptueshëm, që të japin përshtypjen se janë nëntë motra. Baftua është marrëse. Dhe Liljana. Kthyese Rita, hedhëse Shpresa Kapo. Shpresa bën dhe marrësen. Grupi që mban këngën, që e mbush në vijën e duhur melodike me iso, me Havanë, Shpresa Gjondedën, Lavdien, Vangjelinën e Evgjeninë bën, jep e përhap një jehonë harmonike të konsoliduar. Kanë këngë për Tërbaçin, për sintesën e tij historike, që vjen si himn për folenë e shqiponjave, siç e quajmë ne vendlindjen, një këngë mallëngjimi, homazh për Kujtim Micin e paharruar. Këto zonja fisnike, shoqe dhe motra të mia, kërkuan këshillim me mua, Albert Habazajn, autorin i këtij shkrimi, për t’u organizuar si grup polifonik i grave të Tërbaçit. Unë i ndihmoj aq sa mund dhe bashkarisht kërkojmë të realizojmë të duhurën, se ka kohë që humbi. Kërkojmë ta realizojmë dhe për respekt të kujtimit të paharruar të Kujtim Micit të madh të Tërbaçit. Në repertorin e zgjedhur ka këngë të vjetra, por bazën e përbëjnë këngët e Kujtim Micit. Në festën e Tërbaçit u paraqitën me  këto tri këngë: “Himni i Tërbaçit”, marrëse Liljana Kapo, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; “Elegji për dragoin e këngës”, marrëse Baftie Xhelili, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; dhe “Tërbaçi ynë”, marrëse Shpresa Çelaj, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Baftie Dauti, teksti Kujtim Mici. Në vijim, Grupi i Vajzave të Tërbaçit u plotësua me aktivizimin e dy zërave të fuqishëm Vitore Shiroka (Vera), bijë dhe nuse në Tërbaç dhe Floreta Caca (Lutaj), bijë nga Tërbaçi, nuse në Lapardha. Premton një ndihmesë të çmuar në tekste dhe në vijën melodike mjeshtri i këngës labe, Pelivan Barjamaj, monument i gjallë i lirikës dhe epikës poppullore me aromë trëndeline. Baza folkorike e “Grupit të Vajzave të Tërbaçit” janë meloditë e pasura të gurrës tërbaçiote dhe tekstet e fuqishme të Dragoit të këngës labe, të paharruarit Kujtim Mici. E veçantë është kënga e tij aq mbresëlënëse “Nënat tona shqiptare, nëna moj!”, të cilën këto gra të nderuara e kanë kënduar qysh kur ishin vajza të reja, 40 vjet më parë. Po ashtu, ka dhe këngë të ndryshme lirike, këngë të lindjes, nina-nana (ninulla), këngë zbavitëse, me motive nga puna e përditshme, të përvajshme, këngë festash, ritmike, me ritëm gazmor, shoqërore, dashurore, dasme, gëzimtare, këngë të jetës. Duan të vijojnë gjurmët artistike të Nazos dhe ta nderojnë, sa të kenë zë e shpirt, Kujtimin e Kujtim Micit të pavdekshëm.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Grupi i Vajzave të Tërbaçit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 334
  • 335
  • 336
  • 337
  • 338
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT