Sylë Osmani, i pari i vllaznisë (barkut) Ahmetaj, stërgjyshi i poetes së sotme, Zyra Ahmetaj, ishte mjaft i përmendun për trimnitë e tij, pasi nga lufta frontale e përgjakshme me malazezët në Moraçë u kthye në vendkuvendin bytyças në Breg të Pacit me një krye shkau (sllavi) agresor të lidhun në jele të kalit të shalës, sipas nji akti barbar që e banin ndër beteja pushke shqiptarët, serbët, malazezët e turqit në shekujt e kaluem. Asokohe, për akte të tilla, jepeshin shpërblime, dekorata e grada, ndaj Syl Osmanit i dhanë parillek (funksion) në fshatin e tij, pasi ishte i të parit djalë të Memë Lekë Gjonit, ndërsa Gjoni ishte i dyti djalë i Bibë Lekës (Leka ishte i pari i fisit të Bytyçit).
Selim Ahmetaj, djali i Musë Zenelit, mixhoku i Zyrasë, njeri me oratori, ka qënë i pasionuar pas letërsisë. Ai kishte një bibliotekë të pasur me libra gjithfarësh. Nga raftet e saj merrte gjithato libra për lexim dhe poetja Zyra Ahmetaj në fëmijërinë e rininë e saj. Ramiz Sadikaj ka nji bibliotekë vetjake të pasur me libra të shumkohshëm, aq sa dhe shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli i patë lanë një përshtypje për mirë gjatë nji nate mikpritëse në vitin 1986 në shtëpinë e tij, në shtëpinë e tre burrave të sojshëm të Bytyçit, Avdyl, Kadri e Daut Sadikaj.
Ndërvite, ka takuar e biseduar me breza luftëtarësh të UÇK-së, me invalidë të Luftës së Kosovës, I ka ndjerë dhimbjet e tyre në plagët e gjakut, në kullat e djegura, në varrezat e martirëve, në djepet e fëmijëve…I ka shprehur ato dhe tek poezia e gjatë “Fluturojnë engjëjt”- fituese e Çmimit të tretë në “Ora e Poezisë, 2012”, poezi e cila i ka dhanë titullin vëllimit poetik të parë të saj, nga e cila po iu përcjellim këtë fragment poetik:
E ndesha këtë fakt dhe tek nji poezi kushtimore e Zyra Ahmetajt, e shkruar para disa ditësh në facebook, tek faqja “Tropoja Poetike”. Ajo ishte e frymëzuar nga nji poezi e mësuesit e poetit Zeqir Lushaj: “Kurrë nuk jam vetëm”, e shkruar nga Zeqiri në vjeshtën e vitit 1979, botue tek i mirëprituni vëllimi i tij poetik “Hija e vendindjes”, poezi e ribotueme në VOAL Online–Zëri i Shqiptarëve në Zvicër, më 28 gusht 2016:
Aty, atëherë, vetëm nji fjalë të thojshe: “Jam nga Tropoja” e të hapeshin të gjitha dyert e spitalit të Tiranës. Të gjithë të gjendeshin pranë me ndihmen e tyre të pakursyer. Në çdo çast. Për çdo rast.
Poezia e Zyra Ahmetajt e ka nji varg: “Kur iknit me Mehmetin e Nadiren”. Janë dy emra nderimi e mirënjohjeje. Mehmet Elezi nga Tropoja, asokohe gazetar elitar e tevona dhe drejtues kryesor i KQ të BRPSH (poet, shkrimtar, shkenctar, diplomat), për të cilin Zyraja thotë se i vizitonte shpesh në spital atë dhe aksionistët e tjerë tropojanë. Nadire Caka (Kokonozi) nga Dibra, nji dibrane e rrallë, gazetare tek “Zëri i Rinisë”, të cilën Zyraja e përshkruan në librin e saj të parë: “Një vajzë me xhaketë me kuadrate/e bukur, me sytë e zi /” dhe më thotë faktin e ditun prej meje se ndër vite kanë pasë letërkëmbim ndërveti. Tani ajo, Nadirja, ndodhet diku jashtë shtetit, në Europë. Në çdo rast kur vinin në Tropojë, gazetarët e rinisë: Nadire Caka, Zeqir Lushaj, fotoreporteri Petrit Omeri, e të tjerë gazetarë e kuadro të rinisë, nuk largoheshin pa kuvendim apo vizitë në shtëpitë e aksionistëve si të Zyra Ahmetajt, Hasime Mërturit e disa të tjerëve. Njejtësisht vepronin dhe disa kuadro të rinisë nga Tirana.
Zyraja më flet dhe për aksionistë të tjerë të aksidentuar, për Sejdi Berishën e Tropojës (vllai i Fatbardha Laukajt), për Nurie Kortoçin, çika e Brahim Ukës të Tropojës, kujdestare e konviktit të shkollës së mesme bujqësore të Tropojës, etj. Zyraja më rrëfen se pothuaj të gjitha lekët që ia çonte familja e saj në shkollën e Tropojës i blente libra artistik…Ajo, thotë, se lexonte shumë, nganjiherë deri natën vonë, ku shpesh rrinte në shoqëri dhe me rojen e natës, me Isuf Zenelin, nji invalid i vjetër në moshë, i nderuar nga të gjithë të rejat e të rinjtë e shkollës, nji burrë vakti.
Kujdesi familjar, shoqëror e shtetëror ndaj Zyra Ahmetajt, e aksionistëve të tjerë të aksidentuar, ishte tejet i lartë. E vështirë me e përshkrue realisht e krejtësisht.
Pacienten, maturanten aksioniste, Zyra Ahmetaj, pasi qëndroi tre muaj në Spitalin e Tiranës, e çuan katër muaj për fizioterapi në Hungari. Atje, kjo çikë shqiptare nga Bytyçi i Tropojës, shquhej ndër të shtruarit dhe në atë spital të Budapestit. Personeli i atyshëm, ekipi i saj mjekësor, e shihnin si të veçantë. Për shumçka. Përditë e ma shumë, ma mirë. Pacientja e poetja Zyra, ato ditë e deri më sot, i kujton e i zbaton porositë e mjekëve hungarezë: “Ju nuk jeni të sëmurë, por të pamundur për të lëvizur “, Jetën duhet ta merrni vetë në dorë”, “Nuk duhet të thoni për asgjë: Nuk mundem, por të thoni gjithnji: Po e provoj”, etj.
Poetja Zyra Ahmetaj, “Krenaria e qytetit Bajramcurri”(shpallur më 20.07.2005) dhe “Nderi i komunës Tropojë”(shpallur më 29.06.2012), ka kontribue në Shoqata Paraplegjike dhe Tetraplegjike e Shqipërisë (sekretare në degën e Tropojës), në Shoqata “Shpresë dhe Dashuri” (kryetare për degën Tropojë), në Shoqata “First Step” (kryesuese në Tropojë), me Shoqatën e Invalidëve Intelektualë të Shqipërisë, për t’iu ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, të grupimeve me paaftësi të ndryshme, për të lehtësuar gjendjen e tyre fizike dhe gjallërimin e jetës së tyre me aktivitete artistike dhe argëtuese. Ajo është e lidhur me disa klube e shoqata në Gjakovë me rrethina dhe në treva të tjera të Kosovës dardane. Ajo e don Tropojën si Preshevën, Kosovën si Çamërinë, Plavë-Gucinë si Shkupin. E thotë tek vepra e saj për fëmijë, “Alfabeti Ynë”: “Një komb, një flamurë/një Hero Kombëtarë/një histori, një gjuhë/nga shekuj të lashtë/një tokë e ujitur/me gjakun shqiptarë/njomur me lot të hidhur/nga nënat pa ndarë.” Dhe, tek kjo vepër poetike, vjen tjetra poezi e saj atdhetare: ”Çamëri, o lule / buzë detit me valë /kurrë nuk u përkule /çmendurisht të vranë…”
Zyraja është e besimit musliman tradicional, por ajo nuk është aq konservatore, veçmas kur bahet fjalë për punë të mira, ndaj (siç thuhet tek libri “Alfabeti Ynë”) ka pasë bashkëpunim me Zyrën Rinore të KOASH duke zhvillue një aktivitet të dobishëm në mënyrë vullnetare në përgatitjen e nxënësve nga një apo dhe dy grupe nxënësish në vit, me njohuri të gjuhës Angleze. Gjithashtu, e investuar nga KOASH, që nga viti 2004 gjer në vitin 2011, krijoi edhe një grup artistik, me të cilin zuri vendin e dytë (Dhjetor, 2007) në Festivalin e 10-të Kombëtar të Rinisë Ortodokse Shqiptare.
Zyraja është stiliste e rrobave kombëtare të zonës së saj, duke krijuar nji arsenal të tërë me kostume të të gjitha masave trupore dhe duke ua veshur dhe dhënë grupeve artistike të klasave të ndryshme në shkollë, valltarëve, e të tjerëve. Ajo, me kostume të saj kombëtare, ka marrë pjesë në disa panaire (ndër)kombëtare. Në këto veshje duket shpirti e fryma e saj kombëtare shqiptare.