Nga Ramiz LUSHAJ/
A do të jetë aty dhe Presidentja e Kosovës, Shkelqësia e Saj, Atifete Jahjaga?/
Miku im i mirë Dëfrim Cani më teli dje lajmin se në murin e tij në fb, dr. Islam Lauka, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë e paska publikue një promovim libri më 14 maj 2015, 0ra 11.00, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë të poetes Zyra Ahmetaj. Ai ishte i mendimit ta uroja e ta falenderoja nga largësia Tiranë me zë apo mesazh. E pashë tevona. Sigurisht meriton mirënjohe publikisht. Diçka e pazakontë. Pse?
Shqipëria me dy shtetet e saj, në dy kryeqytetet Tiranë e Prishtinë, ia ka mbrri që dhe ambasadorët e politikës kombëtare shqiptare, si ky shembulli i dr. Islam Lauka në Prishtinë, të merren me organizimin e një promovimi libri deri në detaje, tek lajmtaria në fb, tek sigurimi i pjesmarrjes. Për gjithçka. Shqiptarisht. Shpirtërisht. Po i (ri)kthehemi librit. Po rritemi bashkë me librin. Ndryshe nuk mund t’i kapim lartësitë. Edhe ambasadorët po merren me lartësime të tilla.
Libri poetik “Alfabeti ynë” i Zyra Ahmetaj është për fëmijë. E ceka kit’ fakt se shpesh herë njerëzit që kapin lartësi harrojnë se kanë ecë dhe caca-caca. Apo ndryshe. Ambasadorët që tokin me elokuencë duart me burra të mëdhenj shtetesh e kanë të vështirë të akt-kryejnë sipërmarrje të tilla “të vogla” për një libër për fëmijët e vegjël. Përndryshe: unë s’kam pa e as nuk kam dëgjue në treva etnike shqiptare që një ambasador të organizojnë e të shkojnë në një promovim libri për fëmijë, veçse në libra të të rriturve, të të mëdhenjve, për libra me tema të mëdha të kohës.
E fundit, që mund të ishte dhe në vargni kryefjale, si tjetër e veçantë: poetja Zyra Ahmetaj, autore e disa librave për fëmijë e të rritur, tash 40 vjet është invalide, me aftësi të kufizuara apo me term shkencor “paraplegjike. Më duhet të kujtoj diçka: shumë njerëz të mëdhenj të botës ishin invalid, si presidenti amerikan Franklin Ruzvelt, që nga karroca e tij e invalidit udhëhoqi edhe koalicionin fitimtar treshe në Luftën e Dytë Botërore. Poetja Zyra gjithkahit ecën me karrocë, sikurse dhe më 14 maj 2015, ora 11.00, në Bibliotekën Kombëtare e Universitare në Prishtinë, në promovimin e librit të saj. Më duket sikur libri i saj i paradokohshëm “Flutuojnë engjëjt” i përket së parit asaj që po fluturon lartësive të jetës, të kohës. Ajo, Zyraja, është vlerësuar me titullin “Krenaria e Qytetit”nga Bashkia e qytetit tim alpin, nga bashkia e Bajram Currit. Boll me vend, me plot të drejtë. Prej kohësh, Zyraja është kryetare e dëgës së Tropojës për shoqatën bamirësë “Shpresë e dashuri”. E zgjedhur antare nderi e disa klubeve letrare dhe në Kosovë. Si rrallkush dinë ta qëndisin një kostum kombëtar shqiptar si për hobi nga fëmijëria dhe për të siguruar një jetë sa ma të mirë për veten e saj si, për familjen e saj disa antarëshe. Ka marrë pjesë në disa panaire kombëtare e ndërkombëtare. Ajo, në rininë e vet ma të hershme ishte një volejbolliste e njohur dhe në veprimtari kombëtare. Një lexuese e apasionuar. Qysh atëherit shkruante poezi e mendonte të botonte libra.
Në vitin 1975, në moshën 19 vjeçare, kur autobuzi i aksionistëve shkollarë të Tropojës po kthehej nga aksioni kombëtar në Kombinatin Metalugjik u rrëzue në Shpal të Mirditës. Aty u aksidentua dhe poetja Zyra Ahmetaj. E çaun në Tiranë, në Spitalin Universitar që sot mban emnin “Nënë Tereza”. Ato ditë ndodhesha me shërbim nga gazeta “Zëri i Rinisë” në Elbasan. Kam shkue të nesërmen e aksidentit me dhimbje panshqiptare dhe i kam takue të gjithë aksionistët, pasi asokohe punoja dhe vet me rininë në rrethin e Tropojës. Dhe aty isha me kit, status zyrtar. Ndër aksionistët takoj dhe Zyra Ahmetaj. Ajo i epte trupit të saj të ecte, po nuk mundtte të ngrihej. I dveta doktorrët. Ata më thanë se e ka të pamundur. Infermierë e familjarë i rrinin tek kryet me turne që Zyra të mos lodhej me provat e saj të pafund për t’u ringritur në kambë. Donte të fluturonte… Po ajo eci në jetë. Kahmos ka shkue në klinika të botës.
Tashti ecë me karrocë e ngrihet në kambë me paterica. Ka arritje në jetë. Një prej tyre është dhe libri me vjersha “Alfabeti ynë”. Vet ky promovim është diçka nga alfabeti ynë i kohës. Deshta që aty, më 14 maj 2015, ora 11.00, në kit promovim libri të Zyra Ahmetajt të ishte dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadorë të shteteve të ndryshme të botës të akredituar në Kosovë…Të ishim të gjithë.
Jakov from Israel says
Quhem Jakov Solomon ,me banim ne Israel qysh prej 24 vjetesh kur u larguam nga Shqiperia qe na shpetoi ,na rriti e na burrenoi .Kam botuar dy libra ne Shqiperi dhe kam gati nje te trete vetem ne 120 poezi ,nje pjese te botuara ne gazeten prestigjioze NacionalAlbania .Kerkoje sponsorizimin tuaj per ta botuar kete liber ne gjuhen shqipe ,natyrisht dhe pa patur asnje pretendim financiar ,desheroje qe libri te shperndahet nder shqipfolesit ne SHBA ,Eshte hera e dyte qe ju drejtohem ,por nuk kam marr asnje pergjigje per kete ceshtje .Shpresoje kete here do te me pergjigjeni .Komentoje rregullisht artikujt ne Zeri i Amerikes ku me force ,por me drejtesi ,jam perballur me probleme te ndryshme edhe per gjendjen ne Shqiperi ,por edhe per probleme nderkombetare .Ju lutem me shkruani per problemin e siperpermendur .Ju faleminderit gjithsesi .