• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JORGO BLLACI – ESENINIANI I PAVDEKSHËM

August 23, 2016 by dgreca

Nga cikli «Apostuj të vendit tim»/

Ese nga Xhevair Lleshi/

Ai po më priste në galerinë e Arteve «Eduard Lear» në Berat, mu në buzë të rrugës anësore. Asokohe ishte drejtor Shtëpisë Botuese «Naum Frashëri», i trashëgimisë së saj. I kisha dërguar një ftesë të thjeshtë për ekspozitën e botimeve «Uegen». E vërteta është se ne sa kishim hapur sytë dhe e kërkonim me qiri ballafaqimin me lexuesin. Jorgo Bllacin, poetin dhe përkthyesin, kisha pasur fatin ta njihja pikërisht atëherë kur nuk qe e nevojshme, atëherë kur gjërat s’mbahen mend. Por mua ai fakt më qe ngulitur thellë. Dikur, motrat mësuese që rrinin në katin e parë të shtëpisë sonë të vjetër, me që bëhej një konkurs nga shtëpia e pionierit, më dhanë një vjershë të Eseninit në rusisht që ta mësoja përmendësh dhe me synimin që ta recitoja. Rusisht unë nuk mësoja ende, por ato dinin mirë dhe me që kishin pesë veprat e zgjedhura të Eseninit në rusisht u vinte për mbarë që ta vrisnin kohën e lirë duke recituar lirikun e madh. Dhe unë e mësova lirikën e parë kushtuar nënës, e recitova në konkurrim dhe fitova. Asokohe Jorgo Bllaci (unë sigurisht nuk e dija) ishte mësues në fshatin Lumas, katër orë në këmbë nga Berati po qe se do t’i ngisje mirë atë, ndërkohë edhe kryetar i jurisë. Duket me që kishte lidhje me Eseninin më dha çmimin e parë. U ngrit nga tryeza me beze te kuqe dhe më puthi në ballë. Ai sigurisht s’kishte arsye ta mbante mend, kurse unë po. Më shumë se unë u gëzuan tri motrat mësuese, të cilat të tria e dinin gjithë Eseninin përmendësh. Sa lodhej njëra fillonte tjetra. Ia kujtova Jorgos gjithë atë «alamet ngjarjeje», ai qeshi dhe më tha se ato tri motrat mësuese nga Elbasani, i mbante mend dhe e dinte që e kishin mësuar përmendësh Eseninin. E çuditshme, më tha, të gjitha ndodhitë e kësaj jete, me mua, sikur lidhen vetiu me Eseninin. Ai është jeta ime. Ai më bëri poet, përkthyes, njeri, më dha guxim, forcë dhe dinjitet. Edhe më pak se kaq sa ç’tregova, do të mjaftonin për personalitetin tim. E dua, e kam në shpirt, më ngadhënjen, më bën të ndihem mirë. Edhe unë si ato tri motrat mësuese, të tuat, (Jo të miat, i dashur mik, e ndërpreva dhe ai e kaloi me një buzëqeshje të lehtë) e di edhe sot e kësaj dite përmendësh në rusisht e në shqip Eseninin e madh! Jam gati edhe këtu, te këto shkallë ta nis recitimin. Ai, or mik, të bën të papërmbajtshëm. Po, si, akoma të djeg e puthura ime në ballë? Dhe qeshi ngrohtë, aq ngrohtë sa edhe prilli paradite, teksa ne prisnim të hapej dera e galerisë, nuk do ta duronte dot.

Esenini, filloi sërish Jorgo Bllaci, mbërriti më në fund tek unë si flakë. E përpiva. Doja të kridhesha bashkë me të gjer në thellësi të Jonit, të mbështetesha diku në hijet e dendura të Lunxhërisë sime, apo të fluturoja diku larg bashkë me zogjtë shtegtarë. Pushoi pak dhe sikur po ngacmohej për t’ia nisur sërish, sikur do të merrte një udhë të gjatë. Esenini, vëllai im, duket nganjëherë si plak i ngeshëm që të detyron ta dëgjosh me vëmendje dhe të mendosh që nuk jetoi më shumë se tridhjetë vjet! E ky plak të krijon përshtypjen se e kalon kohën me fjalë, me to sikur të kap nga mënga dhe të pyet me vargje të stilizuara, të ngjall kureshtje të habitshme, të jep gjallëri të paparë. Befas ky plak është kthyer në një djalosh leshraverdhë e sy të butë e të kaltër që të lenë pa mend. Djalosh me mendje plaku dhe me vargje të dashuruar që burojnë nga një shpirt i thekur, i etur, nën pushtetin e një hegjemonie të bukur nënvetëdijeje…

Duhej ta kishe mendjen top e ta dëgjoje i kredhur nën shtypjen e bukur e të adhurueshme të fjalës. Jorgo Bllaci, në fund të buzëqeshjes kishte një tik interesant e të veçantë. Pasthirrma e tij sikur groposej e ai s’mbushej dot me frymë. Me sa duket nga vitet e dënimit. Duhet të kenë qenë të tmerrshme, derisa ia kanë plagosur rëndë të qeshurën, zërin prej aktori të lindur, frymën e ngrohtë që shtrëngonte fort për ta zotëruar kurdoherë situatën. Po, miku im, Esenini të bën për vete që në vargjet e parë. Nuk gjen dot tjetër si ai. Në burg deshën të ma vrisnin Eseninin tim, por me një krahëmarrje befasuese: donin që ta recitoja para të burgosurve. Nuk recitoj dot, u thashë. Nuk di të deklamoj vargje. Unë vetëm ia përsëris vetes. Kaq. Komandanti s’e dëgjoi gjer në fund. Mirë tha, thuaje po jo për vete, si të thuash për vete por me zë! Atë çast pata ndjesinë sikur mendimi po më ndrydhte trurin dhe sa s’më plasi koka. Mund ta futja veten në mijëra shkarëzime truri. Por mjaftonte që dikush të pëshpëriste ca fjalë të pakuptueshme nën buzë dhe unë pastaj të thyeja gjuhën. Jo, thashë me zë të ulët, nuk mundem. Sigurisht kaq duhej. Ata qenë ustallarë të torturës, të vdekjes dhe unë do të duroja deri në fund, duke recituar, domethënë të bëja për ta atë që nuk bëra për shokët e mi! Ia ke parë sytë Eseninit? Ku? Si? Atëherë fillonte gjithçka nga e para dhe unë përpunoja vargjet e tij, pastaj e dija se do të krenohesha me vargjet e gjetura. Ndoshta edhe Esenini atje, para çekistëve bolshevikë të njëjtën gjë kish bërë, derisa ata i morën jetën dhe në mënyrën më brutale të mundur e plasën në dhomën numër pesë të katit të dytë të hotelit «Ingliterra» në Leningrad (Sankt Pjetërburg). Ato që belbëzoja dukeshin si psalmet e ndërkryera, që s’i dëgjon njeri. «Ah, mëmëdhe, ç’u bëra qesharak! / Në vendin tim po ndihem krejt i huaj!» Sa herë i kam pëshpëritur këto vargje, unë e di, më vinte t’ia shkrepja të qarit (jo të dënesja, jo!) si fëmijë ndoshta është pak, pastaj çuditesha me veten time se si arrija të kridhesha aq thellë si te dikush tjetër, pale që të gjitha i mendoja dhe i belbëzoja në një gjuhë të largët. Iku, tha torturuesi, kaq e pati i shkreti! Mendja sa një kokërr gruri është! Dhe pallma e të qeshurës përmbyti të gjitha qelitë e torturave. Por erdhi një çast që isha me veten time, që mund të mendoja kthjellët. Ai, Esenini i mrekullueshëm më futi brenda, ai po më torturonte. Pse nuk thosha poezitë e mia?  Pse ta përjetoja kaq thellë zhgënjimin tim? S’besoj se i kanë përjetuar edhe të tjerë këto tortura, ndaj provova të krijoja diçka timen por kush të besonte? Ç’strofë të hidhur mund të belbëzoja me mendje? Të ruaja muzikalitetin dhe kadencën eseniniane, të jepja frymën e tij, të shtrëngoja dhëmbët e të fishkëlleja, të gjeja dhimbjen time më të sinqertë dhe apoteozën e çiltërsisë ta jepja me shpirtin tim në thellësitë e paimagjinueshme. Por, megjithatë e dija: ata do të bërtisnin: jo, këto nuk janë të tuat! Se, ti, ne dhe gjithë bota e di tashmë, ti malukat, i ke mësuar vargjet e tij përmendësh. Gënjen, po, po, gënjen si bastard që je, duke na hedhur hi syve sikur po krijon vargje të tjera. Ne i dimë të gjitha! Të gji-tha! Merr vesh?… Kështu mbaronte dita, ikte fryma, gjë që mund t’u ndodhte të gjithëve. Poezi përplot dhembje e çiltërsi! Ata nuk kishin si ta dinin se gjuha jonë shqipe është më bujare se të tjerat për t’i thurur po aq bukur sa edhe Esenini im i shtrenjtë! Margaritarë të bukur që ma mbani shpirtin gjallë! Nga thesari i fjalëve që burojnë prej shpirtit po zgjedh vargje të rinj të Eseninit…

O Zot, ai nuk besoi kurrë te komunistët, nuk i dha fytyrë miku, s’e pranoi dot gënjeshtrën dhe nuk qe i gatshëm të lidhte gjëkund qoftë edhe një degëz dafine. Ai kishte për perëndi artin dhe poezinë, nuk u lodh kurrë të kandisej tek të mjerët, nuk arriti t’i shihte, sepse i besonte yllit të vet, asaj që ndiente dhe bredhëronte me iluzionin e bukur të botës së shkretuar nga mjerimi, duke marrë frymë thellë nga makthi që linte pas poezia.  Mirëpo poezia e mbante fort tek iluzioni dhe magjia e figurave, sinqeriteti dhe ndjenja e hollë, e brishtë. Dhe nuk u bë kurrë rob i mjerimit, as i kuturisjeve boshe. Esenini i pakorrigjueshëm e donte gjithçka, edhe shoqërinë, me një finesë aq të hollë sa s’mund ta vije re, por fare mirë mund të shkriheshe në të me një madhështi të pabesueshme. E ndiej, e shoh që ai, mik i njerëzve me zemër të madhe, herë-herë këlthiste me zërin e dashur dhe nervoz, joshës gjer në këputje shpirti. Kurrë nuk u bë cinik, imponues po. Esenini im i shtrenjtë të merrte më qafë duke ruajtur ritmin teksa lexonte me zërin e njohur që të rrëmbente. Askush s’mund ta bënte dot aq bukur. Ju s’mund ta besoni se ç’ngjyrë i jepte vargut Esenini. Vetëm se duhet ta shihni me vëmendje, pastaj edhe duhet t’i njihni mirë ngjyrat, sidomos kur ato thuren në vargje. Po edhe diçka tjetër, Esenini i madh si askush tjetër u jep vargjeve temperaturën e pëlqyer, me ndryshime të befasishme por duke ruajtur me një ndjenjë të rrallë që amplituda të mos vihet re. E ka thënë njeri tjetër këtë? Jo, nuk e besoj. Lajtmotivin e bukur e mbron temperatura që përvijohet pa u dukur dhe gjithnjë e bryllët përshkoi atë bisedë tejet shpirtërore, komentin e mrekullueshëm që i bëri një poezie mjaft intime, kur pas vdekjes poeti do të kthehej tinëz në dhomë dhe ajo, gruaja e dashur, do ta ndiente ëmbël dhe në gjumë. Sa i afërt bëhej Edhe vetë Jorgo Bllaci kur të fliste për intimitete njerëzore. Sidomos poezia e pas vdekjes të mbetet në mendje nga ai takim i fundit me të. Pastaj mund të kërkoje edhe një damar tjetër, ndoshta prej ari te vjershat e tij të nxehta, por, ndërkohë e gjeja si të fshehur nëpër rrugët me pluhur e baltë të fshatit, në ujëra të qeta lumenjsh, në klithma zogjsh, fshehur nganjëherë edhe në mes të entuziazmit të fshehur par tronditjeve të mëdha. Në atë kohë Jorgo Bllaci ngashërehej keq, nuk e bën te dot poetin e njohur, e dëbonte poezinë moderne të Moskës, të huliganëve, të pjetërburgut, të prostitutave, figurat e guximshme e të rrema, sensacionin poetik të turbullut dhe të fryrë që aq shumë pastaj do ta gjeje edhe në poezinë shqipe fasadë, pse jo edhe tek tradicionalizmi i rinovuar me një thjeshtësi të shtirë dhe me dukje të pështirë karakteristike, e ënjtur në frymën popullore. E di, e di mirë që Esenini nuk u fut dot te lirika jonë, sepse binte ndesh me një realitet tjetër. Unë i besoj fort kësaj ideje. Megjithatë poezia e tij më ngadhënjen sepse ai nuk ecën kurrë me vargjet e veta në hije, ndryshe do të dukej sikur binte në mëkat. Ndoshta një mëkat poetik s’përbën problem. Ja, unë që i kam  në mendje lirikat e tij të mrekullueshme sikur do ta doja këtë mëkat, por atë nuk e la kurrë të binte në këtë «humnerë» entuziazmi i tij. S’ka poet pa entuziazëm dhe përjetësisht rinor, por ai e përjetonte këtë edhe si individ në një mënyrë të veçantë. Sepse ai i ka dhënë shpirt të përsosur poezisë, ndryshe nga të gjithë ata që ndiqnin hapat e tij. A nuk e vini re se ky Poet i paimagjinueshëm e ngjesh mendimin brenda butësisë së shpirtit, shoqëruar me freski (të duket sikur fryn briza e malit, të paktën mua më vjen kështu ngaqë jam lunxhiot katërqind karatësh!). Dhe çfarë freskie! Mos harroni se edhe kjo vjen me një spontanitet tejet njerëzor, ndjenjë të pastër, të thellë dhe me ritëm të lartë! E vërteta është se kam lënë mendtë me Eseninin! Jo, s’kam të dytë pos vetes! O Zot, kam kërkuar të tjerë poetë që ta dinin përmendësh lirikën e tij! Nuk kam gjetur. Që herët e doja këtë. Një profeci e heshtur ma shtroi në mendje, atëherë kur u bëmë bashkë një grup të rinjsh dhe përkthyem Eseninin, pa e ditur mirë ç’kolos kishim përpara. Sot unë them se kjo ishte një përpjekje fillestare. Ktheva kokën pas. Ngriva. I thashë vetes: Ky ta rrëmbeu zemrën, të bëri si veten. Asgjë s’të përket ty. Vetëm atij. Ma fali menjëherë veten, më mbushi qenien e padukshme me një instinkt të rrallë e të fshehtë. I thjeshtë ai, i thjeshtë edhe unë, madje më fali papritur e papandehur pamjen e poetit (edhe unë bojë kashte flokët, edhe unë i ngjashëm, madje edhe sytë më bëheshin vetiu blu!), më dha tjetër fisnikëri. Nuk ngurrova aspak: iu dorëzova me shpirt. Ishte i jashtëzakonshëm. Vargje të bujshëm, fshehur në ndjenjën e madhërishme, rrëqethëse.

Jorgo Bllaci u koll. Më pa në sy. Vërtet sytë e tij patën marrë ngjyrën e detit, por me një errësim turbullues. Po, u ktheva tek Sergej Esenin, thuajse 20 vjet pas shqipërimit të poemës «Ana Snjegina» dhe disa vjersha të tjera që amatorët e poetit mund t’i kenë gjetur në librin «Lirika», atij të botuar më 1961. Por këtë radhë u ktheva tek ai «përbindësh» i poezisë për të mos u ndarë kurrë. Dhe kam zbuluar me keqardhje se e kisha njohur fare pak, kisha qenë thjesht i magjepsur pas vargut të tij, po ama pa arritur të kuptoja mirë thelbin, pavarësisht se e dija përmendësh.

Miku im, Esenini, ta dish, ka një përzemërsi të habitshme. Ai t’i zbraz gjithë dertet e shpirtit në duar. Dhe dihet që ti mbetesh pa frymë. Po, kjo është gjuha e vërtetë e poezisë! Lëri mënjanë, sikur thoshte ai, stërhollimet, turbullimet, enigmat, dhe shikoje shpirtin si rrjedh para teje, njëlloj si gjaku, si ujët e ftohtë në zheg. Mos më thuaj tjetër gjë. Ta them unë, Poezia e Eseninit ka në zemër dhembjen. Doni t’ia shkatërroni gjithçka atij Poeti të Madh? Po. Hiqjani dhembjen. Por, a ka dhembje pa shpirt? As mos bëni sikur e harroni këtë gjë dhe as mos e zëvendësoni me atë që quhet «mendim». Do të zhgënjeheni. Do të dështoni me turp…

Esenini ka një univers poetik me përmasa të jashtëzakonshme!

Shpirti i çiltër i Eseninit dhe unë këtë e kam kuptuar mirë, është tragjedia, por edhe pavdekësia e tij. Dhe mos harroni, këtë e sjell dashuria dhe përgjërimi për njeriun, përmes një muzike të përsosur të vargjeve të tij. Guximi i tij gjithnjë ka qenë tronditës, i dashuruar në mënyrë origjinale dhe të mrekullueshme, një mahnitje që bënte majë. Ai Poet filozofonte me metaforën e tij të ndritshme, madje edhe të çuditshme, me det e fushë, me lumenj dhe puhizë.

Vëri re, të lutem. «Ç’të bësh, atdhe! Këtu arriti puna. / Kujtoja se me ty jam shkrirë përgjithnjë./ Po sot s’u dashka arti im, as unë…» Këto ishin vargjet ulërima të Eseninit! Gjarpri e huton njeriun duke e parë sy dhe pastaj e helmon. Demagogji tiranësh që nuk i përfillin poetët, siç ndodhi me mijëra Eseninë në botë, por ua bëjnë jetën skëterrë. Pastaj, pas vdekjes u ngrenë monumente, madje i lodhin e i masakrojnë me nderime e me tallje të përbindshme. Megjithatë poetët e kanë shpirtin det të gjerë. Ja, edhe dy vargje do t’i them, si gjithnjë nën zë: «Të më vishni këmishë ruse,/ Të më vini të vdes nën ikonë»…

Kënga e shpirtit të tij (që iu bë pa jehonë edhe shpirti im!) u shndërrua në një perlë të rrallë, me një xiglim të hollë. Po këto i di mirë veç kokëkrisja e poezisë së tij, frymë e ngrohtë e njeriut të mirë. Dhe përherë më ndal Esenini im, më mban për xhakete, më bën shpesh ta pres, pranë ekstazës së zjarrit, të atij zjarrit shfarues të vjershave të ëmbla, gati të shpërthejë me zulm e bujë, me një ndjenjë të hollë tronditëse, në kufijtë e lirisë. Pyes veten: a jam edhe unë po ky? Profeci e gjallë. E them me një pikëllim të thellë. Ai Poet ma mori jetën dhe më dha Frymën. Vargjet e tij në çdo kohë do t’i recitoj me madhështi. Vështroj tani dhe kurdoherë me Frymën e tij dhe me sytë blu të ndritshëm që më bëjnë gjithnjë pa moshë, duke mbetur përgjithmonë i ri, si Ai! Një takim dashurie, po vetëm me Frymën e tij të fuqishme, me ritmin dhe shpirtin këngëtar. Varg rekuiem? Jo, kurrë! Jeta dhe vdekja pa apokalipsin. Ah, poezia! Esenini im! Amen!

Tiranë, më 20 gusht 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: ESENINIANI I PAVDEKSHËM, JORGO BLLACI, Xhevair Lleshi

At Gjergj Fishta (1871-1940) – ungjill i ngrohtë atdhedashurie

August 22, 2016 by dgreca

“Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes” – Maksimiliam Lamberz

Nga Klajd Kapinova/

Një “curriculum vitae” e shkurtër e Fishtës/

Mësohet nga burimet familjare, se kishte lindur pas tre vëllezërve dhe një motër të cilën e donte shumë. Në moshën 7 vjeçare, nis mësimet e para të edukatës në qytetin e lashtë të traditës kulturore Shkodër në vitin 1878. Dy vjet më pas, vijon mësimet e rregullta në Seminarin e Troshanit (shkollë e klerikëve katolikë).6 vjet më vonë shkon për të ndjekur studimet në Bosnje (në Kuvendin e Sutiekës), ku, merr dijet e qendrushme në degën filozofike, ndërsa në Kuvendin e Livnos, mëson me adhurim në linjën teologjike.Në një ndër ditët e ftohta të 25 shkurtit të vitit 1894, në kishën e Troshanit çon meshën e parë, duke qenë i veshun me zhgunin e sandalet e zbathura të shën Françeskut të Asizit. Në vitet në vijim, ishte kapelan në famullinë e Lezhës, mësimdhënës e meshtar në Kolegjin e Troshanit dhe për 12 muaj gjendet në Gomsiqe të Pukës. Në bashkëpunim me abatin e Mirditës, imzot Prenk Doçi, i jep jetë tek themelon Shoqninë Letrare dhe Kulturore “Bashkimi”, boton artikuj të rëndësishëm e të mprehtë, duke përhapur të vërtetën në një numër sa më të madh njerëzish. Ishte i pari që hapi klasat qytetëse, duke futur gjuhën shqipe në mësim, në kohën që ishte emëruar drejtor i shkollës fillore françeskane. Më pas ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (1908), si dhe themelon dhe drejton deri sa mbylli sytë revistën e njohur kulturore-shkencore “Ylli i Dritës” (Shkodër, 1913).Ai, hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë të shtypit katolik dhe kulturorë në qytetin e Shkodrës. Krijoi lidhje dhe ura bashkëpunimi me të gjithë albanologët e njohur evropian asokohe, duke i pasur si bashkëpunëtorë dhe bashkëtrajtues të shumë temave interesante mbi Shqipërinë, gjuhën, visaret e kombit, traditën, letërsinë dhe krishtërimin e hershëm ndër shqiptarë. Në bashkëpunim me të madhin liberator Luigj Gurakuqin (të cilit i kishte venë në ambientet e Kuvendin Françeskan në Shkodër një dhomë përsonale në dispozicion, ku shpesh Gurakuqi strehohej, sa herë që nga kundërshtarët politikë vihej në rrezik jeta e tij, shënimi im K.K.), themelon “Komisien letrare” (1916) të Shkodrës dhe paralelisht me këtë drejton gazetën e rëndësishme “Posta e Shqypnisë”.

Përvoja e tij e gjërë në zotimin për çështje nacionale shqiptare bëri të mundur që ai me veshjen e fratit, të përfaqësojë Atdheun e vet, në Konferencën e Paqes në Paris, ku kryeson delegacionin diplomatik.Duke përfaqësuar denjësisht alternativën e opozitës, Fishta ishte deputet i Shkodrës dhe zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Me dorën e vet, përuron hapjen e gjimnazit të njohur “Illyricum” në Shkodër, që pas vdekjes do të marrë emrin e tij, por komunistët e suprimojnë menjëherë me të ardhur dhunshëm në pushtet. Në vitin 1924, merr pjesë në lëvizjet politike të kohës, duke qenë përkrah opozitës noliste dhe më pas emigron në Itali.Për kulturën e gjerë që kishte, emërohet Lektor Jubilar në Teologji e Filozofi. Më pas, dy herë është përfaqësues i delegacionit shqiptar në Athinë e Stamboll. Për 3 vjet me radhë zgjidhet si Provinçial i Urdhërit Françeskan në Shqipëri (ky urdhër është ndër më të vjetrat në vendin tonë, së bashku me benediktinët, të cilët janë vendosur për herë të parë në shëk.XII-XIII, shënim im K.K.) dhe një vit para se të mbyllte sytë ishte akademik i Italisë, një ndër titujt më të mëdhenj, që ende se ka fituar asnjë njeri i nacionit të vet deri më sot. Pikërisht për këtë fat dhe nder historiografia komuniste, e anatemoi Fishtën deri në përbaltje për gjysëm shekulli, duke mos thënë asnjëherë arsyen, se ishte një atdhetar dhe kundër shovinizmit pushtues barbar sllav.

5 ditë pas Krishtlindjeve, më 30 dhjetor 1940 mbylli sytë, ai, që i hapi sytë gjithë popullit shqiptar. Fishta varroset në Shkodër, mes lotëve dhe pikëllimit të madh të bashkëqytetarëve, bashkëluftëtarëve të idealeve të senjta të lirisë dhe demokracisë perëndimore, vëllezërve të dashur në Krishtin e Atdheun. Kur eshtrat e tij, ishin pajtuar me lumninë e pasosur, ndodhi ai akti më antinjerëzor, kur zvarroset nga regjimi ateist i Enver Hoxhës, ashtu sikurse kishin vepruar turqit me eshtrat e Pjetër Bogdanit autorit të “Çetës së Profetëve”, serbët me babain e grumbulluesit të zellshëm e kodifikimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” at Shtjefen Gjeçovit dhe së fundi përsëri komunistët eshtrat e Dedë Gjo Lulit fatosit trim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (më 6 prill 1911) të cilat me përbuzje i hodhën në ujërat e ftohta të lumit Drin… Pushtuesit e huaj dhe komunistët trathtarë me gjak e gjuhë shqiptari, kishin një emërues të përbashkët: të shkatërronin sa më themel, çdo vlerë dhe figurë të ndritur të trojeve amtare shqiptare.

6 vjet pas vendosjes së demokracisë, për vlerat e së cilës ai punoi e jetoi gjithnjë, më 28 dhjetor 1996, pas 56 vjetësh rivarroset me një cerëmoni, ku, merr pjesë gjithë hierarkia e klerit katolik, duke i bërë edhe një herë nderim relikeve të rigjetura të eshtarave të tij. Para atyre pak eshtrave që Zoti deshti t’i ruante, u bënë nderime e humazhe në qendër të kishës françeskane dhe filloi puna për të ribotuar serinë e veprave të tij…

Pa Fishtën historia e letrave shqipe do të ishte e mangët

Esencialisht, për të gjithë françeskanët e përvujtur, Fishta, ishte një intelektual dhe klerik i madh.Një njeri me vizione të kjarta. Vepra e tij u bë burim frymëzimi dhe dashurie për Fe e Atdhe dhe përparim, çka në mendjen e Fishtës, ato jetonin në një unitet, duke e ngritur gjeniun në nivele të reja cilësore, që i kanë qendruar kohës edhe sot.

Vlerësime pozitive kishte vazhdimisht sipas këndvështrimeve të ndryshme, për Fishtën e letrat shqipe, si njohës i kthjellët i tërësisë së kulturës së tabanit të lashtë autentik dhe përtej tij. Opinione pozitive kanë shprehur përmes pendës dhe mendjes në kohë dhe në rrethana të ndryshme shumë intelektualë të shquar, albanologë evropianë ashtu dhe bashkëatdhetarët e tij në Veri dhe Jug të Shqipërisë, shkrimtarë dhe studiues të kulturës shqiptare asokohe dhe sot.

Kështu Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa francezët e thërrasin “Tirteu i Shqipërisë”. Albanologu i njohur italian at Fulvio Kordinjano, që punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në Shqipëri, radhiti këto fjalë të ngrohta zemre: “Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji fui të çuditshme ther e pren aty ku djeg”. Ndërsa 5 vjet më vonë, albanologu i shquar italian, Prof. Gaetano Petrotta, me pendën dhe mendjen e tij ka lënë të gdhendur këtë vlerësim shumë domethënës: “Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t’u bërë poezia e kombit të Skënderbeut…”. I madhi për të madhin Faik Konica për at Gjergj Fishtën, në shenjë nderimi dhe respkti të thellë ka lënë si dëshmi të tij vlerësimin konçiz: “Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Prof. Ernest Koliqi, thotë: “Fishta, ishte vravashka e shqiptarizmës, e bashkimit në gjakun dhe gjuhën e përbashkët”.

Për poetin e pendës, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Nacionale, Prof. Abaz Ermenji shkruan: “At Gjergj Fishta, është ndoshta m’i madhi poet shqiptar gjer më sot. Edhe ky pjesën më të rëndëishme të veprave të tij, ia pat kushtuar çështjes nacionale”. Në vitin 1989, At Daniel Gjeçaj (që këto ditë ndërroi jetë), studiues i afërt, (botues i “Lahutës së Malcis” në Itali), jep esencialisht këtë formulim: “…Fishta, këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime”. Poeti i madh i valëve të liqenit të Pogradecit dhe miku i tij Lasgush Poradeci, e pati cilësiar bukur meshtarin françeskan, si: “Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”. Gjykim të mirë ka hartuar edhe albanologu dr. Antonio Baldacci, ku midis të tjerave sintetizon: “At Fishta mund të thirret apostull i Atdheut të vet…”.

Shkurt e saktë, duke bërë paralelizëm në historinë shumëshekullore shqiptare ka lënë të shkruar edhe at Augusto Gemelli, kur vlerëson: “Në historin e Shqypnis, emni i at Fishtes do të rrijë krahas me atë të Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilat janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme”. Prof. Martin Camaj, shkruan: “…Mua më ka bërë përshtypje një gjë në seleksionimin e shkrimtarëve të vendit, janë ndalur shkrimtarë që ishin krejtësisht të talentuar është edhe Fishta, që ishte shumë i kulturuar në pikëpamjet e letërsisë”. Kritiku i sotshëm bashkëkohorë Dr. Aurel Plasari midis shumë konsideratave për jetën dhe veprën e Fishtës ka dhënë edhe vlerësimin e veçantë: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë”.

Dr. Sabri Hamiti, një ndër njohësit më të mirë të letërsisë së traditës dhe bashkëkohores, mbi lirikën dhe poetikën nacionale, renditë edhe këto fjalë në parathënien e lirika fishtiane: “…zotërojnë figurat ambientale dikund edhe figurat historike, por gjithnjë më të freskëta janë krahasimet që dalin nga një botë elementare shqiptare e shkëmbit, malit, fushës, lules, erës; pra një botë e tërë konkrete që don të pavdeksohet e të përgjithësohet në art”. Mbi korpusin e botuar të veprave të Fishtës në Kosovë, të ndara në katër vëllime, shquhet edhe shkrimi hyrës që shoqëron kryeveprën “Lahuta e Malcis”, shkruar me art nga studiuesi i shquar i ditëve tona Dr. Anton Nikë Berisha, ku mund të kundrohet me endeje parathënia me titull kuptimplotë: “Vepër e qenësisë së botës dhe shpirtit shqiptar”, ku ndër të tjera autori Dr. Berisha sintetizon: “Rëndësia dhe vlera e “Lahuta e Malcis” dëshmohet pos tjerash edhe me aktualitetin që ka kjo sot, qoftë si tematikë, qoftë si pasuri gjuhësore shprehëse dhe si kuptimësi: – ruatja e qenësisë shqiptare, forcimi dhe pasurimi i vetëdijes dhe vetëdijësimit kombëtar, për atë qëllimin e fundit thelbësor që del nga gjithë vepra letrare e këtij krijuesi madhor – për mirëqënien tonë të sotme dhe të nersërme”.

Vepra e Fishtës një ungjill i ngrohtë atdhedashurie

Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektu si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit, mbasi si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë.

Pikërisht për këto virtyte të çmueshme, vepra e “poetit nacional” shpaloset me vizione mjaft të gjëra, me vlera të shumta e të një rëndësie të madhe për letërsinë shqipe. Ajo që e dallon më së shumti poetin si gjeni origjinal, midis shumë të tjerave është arsyetimi bindës se: Homeri shqiptar nuk është aspak transplantim i teologjisë a i parimeve të Urdhërit Françeskan, të cilit me devocion ai i përkiste, por ndryshe, ishte më shumë se kaq, sepse ishte gjithnjë një vlerë e re që ripërtërihej e ridimensionohej në një sistem origjinal vlerash, që asnjëherë nuk i kundërvihej kuptimit esencial kristian, në veprat e të cilit identifikohet si një lloj bagazhi i pasur me vlera ripërtëritëse bashkëkohore. Për me tepër, kjo dëshmohet në tërësinë e kulturës solide që kishte pasur fatin e mirë të merrte Fishta, duke përthithur ajkën kulturore botërore e në veçanti atë evropiane dhe e transmetoi nektarin si një trashëgim të denjë brez pas brezi përmes puplës së shkrimtarit.

Pohimi i thjeshtë i autorit, shpjegon dukshëm mesazhin filozofik të tij të shprehur në veprat “Odisea”, “Shën Françesku i Azisit”, “Kryepremja e Shën Gjonit”, të cilat janë respektivisht: ngallnjimi i lirisë, vëllazërimi dhe inifikimi sipas vështrimit të kthjellët të doktrinës kristiane. Gjithsesi mund të pohohet me të drejtën e qytetarisë shqiptare, se kryevepra aq shumë e adhuruar nga shumë breza si një margaritar brilant shkëlqen brenda universit që shpalosë mendja dhe dora e palodhur e shkrimtarit të përkushtuar tërësisht interesave të nacionit shqiptar. Ky prodhimtar i begatë i fushës së letrave shqipe, asokohe me të drejtë ishte përfshirë me të drejtë vlerësimi, në listën e Çmimit Nobël, si i nagjishëm në pendën artistike, çka në këtë mënyrë kishte kaluar kufijtë etnikë dhe i përkiste tashmë edhe fondit të artë të letërsisë botëore.

Si një intektual universal, eruditi i gjërë e i thellë Fishta, ka lënë gjurmë në fusha po aq të vështira sa ajo e letërsisë, ku në mënyrë të dukshme, është shquar si arkitekt shqiptar me shije të hollë.

Disa nga projektet e realizuar nga mendja krijuese e Fishtës janë: balli i kishës së Rubikut, qela e Lezhës. Ndërsa në Dukagjin (Malësi e Madhe) ka mbetur si gjurmë e freskët dora mjeshtërore e tij, që e skicoi në kartë kishën e Prekalit, kishën e “Zojës Rruzare” në qytetin e Shkodrës, ashtu sikurse projektoi kishës së Troshanit. Po ashtu Fishta organizon me vetëinsiativë ekspozitën simbolike me titull kuptimplotë “Rozafat”, ku për vizitorët e shumtë ardashës, ofroi 25 punime të nënshkruara nga dora e frymëzimit të padër Gjergjit.

Kraharori i poetit ruajti tituj nderi e fisnikërie

Fishta i madh nuk mbeti pa u vlerësuar nga qarqet e interesuara të kancelarisë së kulturës dhe të civilizimit evropian dhe nga bashkëkohësit e vet.Ai është nderuar me kurora dafinash argjendi nga Klubi “Gjuha Shqype” i Shkodrës në vitin 1911, “Penda e Artë” dhënë për merita të spikatura në cilësi shkrimore dhënë nga qyteti po aq i Beratit në vitin 1917. Medalja “Mearif” e Klasit II, dhënë nga shteti i Turqisë më 1912, “Rihter-Kreuz” të dorëzuar nga Austro-Hungaria në vitin 1912, “Benemerenza” dhuruar nga Selia e Shenjtë në Vatikan më 1925, medalja me emrin e një zogu mitologjik “Phoenix” dorëzuar nga shteti i Greqisë në vitin 1931, etj.

At Gjergj Fishta, duke u vlerësuar, ka sot një trashëgimi, një mal të tërë me emrin dhe rrymën e pastër gjithsesi të vlerësuara sa dhe si duhet. Ekzistenca e plotë e botimit të tij, do të nxisë kërshërinë e studiuesve letrarë që t’i qasen kësaj vepre dhe t’a vështrojnë atë mbi bazën e studimit të kohës në mënyrë sa më komplekse e më të gjithanshme.

Të rindertojmë Fishtën e gjithshqiptarëve

 

Çdo ditë e më shumë, po zgjohet ndërgjegja kombëtare e gjeneratës së re, në trojet shqiptare dhe diasporë. Ata natyrshëm, po kërkojnë të shkundin qeveritë e papërgjeshme, për indiferentizmin, që kanë manifestuar gjithnjë tash 24 vjet, ndaj figurës së madhe të shpirtit shqiptar At Gjergj Fishtës.Duhen përgëzuar Nismëtarët në rrjetin social Facebook (1 Milion Shqiptarë Që Shtepia e At Gjergj Fishtës Të Rikonstruktohet ose Albanian Genocide – Turkey 1385-1912 etj.), për idenë qëllimmirë, të Rilindjes me Zemër të Poetit të Madh Kombëtar.Ne s’kemi pse të presim deri sa të behemi një milion vete, për të Ngritur një Qendër të Madhe Kulturore, kushtuar Pader Gjergj Fishtës!?

Nuk është tashme fjala të rindërtohet shtëpia e tij (pse është jashtë kohës), por duhet të rikonceptohet Një Qendër e Re e Madhe Kulturore Mbarëkombëtare; të blehet tokë me hapësirë të mjaftueshme apo mbi tabanin e kësaj kulle përdhese dhe perreth ndertesës autoktone, mund të Ringrihet Identiteti Ynë Arbëror, ku,për fat të keq, sot streheza e tij fëminore, është braktisur deri në përdhunim…Arkitektet e “huaj”, që jetojnë dhe punojnë nëpër botë dhe kanë përvoj, sëbashku me ekspertët e urbanistikës në vendlindje, kanë mundësi të hapin një konkurs profesional bashkëpunimi, për një projekt serioz dhe ambicioz cilësorë, plot vlera funksionale, duke respektuar traditën.

Aty mund të pranifikohet të ndërtohen disa dhoma apo salla e komode funksionale, të departamentit të albanologjise, auditore bashkëkohore kumtesash, muzeume moderne, me relike të ndryshme dhe pavione në dy gjuhe shqip-anglisht, një restorant të vetëadministruar nga stafi etj.

Gjithashtu mendoj, se duhet të ketë mirëmbajtës vendas dhe disa cicerone shumë të mirë, të traditës, që të dinë shumë gjuhë të huaja; të ketë numër llogarie bankare të përhershem në vendlindje, për dhurime fondmbledhëse, fotoarkiv, libra të larmishëm dhe dokumente të kontributit të madh të shkollave me ëmër të shquar të Kuvendeve Franceskane dhe Jezuite të Shkodrës, në ndihme të cështjes shqiptare.

Ne, duhet të jemi krenar, për këtë nismë mbarëshqiptare në trojet etnike dhe diasporë, sepse në çdo hap është e gdhendur dukshëm në histori vlera e ndihmës së madhe, për çështjen e mirëfilltë kombëtare të vetë fratit të përvuajtur dhe modest të Shën Françeskut, që ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim Pader Gjergj Fishta.

Ky mendoj, se është një investim i së ardhmes sonë, per të na treguar ne dhe brezave vijimësinë shqiptare dhe një Falënderim nga zemra, për të gjithë eterit e shquar shpirtëror ndër shekuj, të atdhedashurisë për Fe-Atdhe-Përparim.

Të ngrihet me keto fondmbledhje Biblioteka e librave dhe të gjithë kolana të ndryshme të botimeve shqiptare, për dhe rreth veprës së pavdekshme të Fishtës.

Mendoj, se çdo autor shqiptar apo albanolog i huaj, pa problem, mund të dërgoi 5 kopje librash të poetit kombëtar, (sikurse i dërgohen rregullisht çdo botim i ri Bibliotekës Kombëtare në Tiranë dhe Prishtinë, që kthehen automatikisht në pasuri mbarëkombëtare), të cilat në vite e kohë të ndryshme, i janë përkushtuar At Gjergj Fishtës.

Atë e ka dashur dhe e do sërisht (edhe mbas 74 vjetëve të kalimit në amëshim) çdo brez, që ka jetuar dhe jeton në trojet etnike shqiptare.

Shikoni rastin pozitiv të luftëtarit martir trimit Adem Jashari, sa investime dhe kontribut i madh po jepet nga diaspora, për të rindërtuar (me të drejtë) përkujtimin e veprës se tij  heroike dhe përmes kësaj natyrshëm përkujtohen trimat liridashës deshmor të Dardanisë, të renë për liri e pavarësi ndër shekuj…

Kompleksi i Ri Shumëfunksional, i Qendrës Kulturore Kushtuar Pader Gjergj Fishtës, natyrshëm mund të shërbej si vend peligranazhi atdhedashurie, për ne, që jetojme larg vendlindjes në Perëndim dhe Amerikë.

Kudo në botën e civilizuar qendrat kulturore atdhetare, janë muze origjinale të gjalle ose pasaportat e identitetit tonë arbëror ndër shekuj…

Aty mund të hapen disa panaire libri të përvitshëm, komplekse dyqanesh me suvenire apo produkte kombëtare të markës ‘Made in Albania’ nga çdo zonë dhe krahinë të trojeve etnike shqiptare.

Fishta ynë i papërsëritshëm në histori dhe letërsi, është sot për sot shkrimtari më i përfolur me gojë, por dhe më i lënë në harrese me apo paqëllim, sa askush tjetër. Kështu kolana e veprave të tij, tash 24 vjet asnjëherë nuk është rishtypur, nga kujdesi i qeverive, sikurse disa shkrimtarëve të tjerë. Shtëpia e tij dhe banorët e katundit Fishtë, janë lënë mbas dore, sikurse të ishin nga një planet tjetër. Varfëria dhe prapambetja, janë ulur këmbkryq atje.

Fishta shumëdimensional, ka një të veçantë brilante, se vetëflasin veprat e tij të madhe, dhe s’ka nevoj të flas Fishta, sikurse ndodh rendom sot në media, ku, shkrimtarët vetëintervistohen dhe flasin ‘non stop’, për veten e tyre dhe jo të tjerët për librat e tyre.

E pra, për fat të mirë të historisë së djeshme dhe sotme Fishta respektohet nga të gjithë. Ai  adhurohet, dhe mbahet me krenari identitetit shqiptar fotot e shumta dhe kryevepra “Lahuta e Malcisë”, recitohet me mall nostalgjik poezia e tij atdhetare permendesh, permenden me respekt si shembull brilant fjalimet e tij të zjarrta, me nota shpirti të thekshme patritotizmi, në Konferencën e Paqes në Paris, për çeshtjen thellësisht shqiptare.

Kësisoj, Fishta, është tjetër esencialisht si personalitet i kompletuar një njeri me virtyte positive dhe shembull patriotizmi, meshtarë i përvuajtur, që iu gjend pranë grigjës së vet edhe në momentet më tëvështira historike dhe shkrimtarë, i një vlerë dhe cilësie shumë të lartë, mbasi ka hyrë natyrshëm në zemrat dhe familjet e çdo shqiptari, pa dallim feje, krahine e ideje.

Ai, është simboli i shqiptarisë së kulluar, modeli i një njeriu të thjeshtë, të përvuajtur deri në madhështi….

Në Amerikë, bëhen shumë gjëra te bukura positive jo nga Qeveria apo Presidenti Obama, por nga vetë inisiativa e lirë e njerzve të lirë, në një botë të lirë demokratike.

Sot, përmes internetit dhe rrjeteve sociale si Facebook etj., ne mund të komunikojmë dhe bëjme misione atdhedashurie të vlefshme, për vendlindjen, pa pasur nevoj të bëjmë mbledhje rutine të lodhshme dhe stergjata me burokracinë e korruptuar shqiptare.

Këto rrjete po ndryshojnë sot botën dhe po e bejnë atë dhe njerëzimin me transparente, para ngjarjeve dhe fakteve, të cilat shpesh media elektronike e “pavarur”, i ka fshehur dhe ka abuzuar me qëllime kompromentimi me qeveritë dhe sistemet e ndryshme.

Eshtë koha për veprim! Të ngrihet grupi i punës, me përfaqsues nga gjithë trojet etnike shqiptare dhe diaspora dhe hapet llogaria bankare dhe ne i kalojmë atje ndihmat apo kontributet tona.

Komisioni, duhet të jetë transparent, pa futur hundët apo duart qeveritarët parazitë të babëzitur apo sikurse thotë poeti kombetar:

“Ju rrugaça sallahana

vagabonda shakllabana,

rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbe mbi dhè

der kur ju, tu tallë npër ne,

do t’na qelbi fis e atdhè…”

Fishta, ishte dhe mbeti Poeti Mbarëkombëtar dhe projekti, duhet të ketë këtë ide, vizion dhe dimension, me qëllimin fisnik mbarëkombëtarë, për brezat që do të vijnë.

Pamja e zymtë e medaljes shfaqet para nesh.Eshtë fjala për një shkrimtar tjetër shqiptar gegë, por që nga vëllezërit shqiptarë është lënë në harresë me ose paqëllim.

Shtëpitë e Gurakuqit dhe Fishtës, gradualisht po shemben, për t’ia zhdukur qytetit kultudashës Shkodërlocës gjurmët e identitetit dhe historinë e lavdishme ndër shekuj…

Kështu, poeti i ndjenjave shqiptare At Gjergj Fishta O.F.M. (1870-1940), nuk ka varr, ku, mund t’a përkujtojmë me lule dhe lutje, sepse për eshtrat e tij, nuk u kujdesen asnjë nga qeveritë “demokratike“, duke filluar me komunistët, që i vodhen e hodhën në lum me fanatizëm anadollak mbetjet relike dhe deri tek ato të erës “demokratike”, që drejtojne sot me fjalë të bukura përmes “rilindjes”…

Komunistët dhe postkomunistët, me kostume perëndimore sot, si s’mirëzi ia shkatërruan me heshtje varri shtëpinë, u muduan t’i tjetërsonin historinë, gjurmë të pashlyeshme të lavdisë së perkushtimit ndaj Atdheut, Kuvendin shpirtëror dhe kombëtar, arkivat, antikuaret e rralla me një fond të pasur origjinal, muzeun e parë kombëtar, sepse aty françeskanët e Fishtës strehuan liberatorin e madh Luigj Gurakuqin, për të mos e vrarë kundërshqiptarët, ruajten flamurin e Deciqit dhe eshtrat e Dedë Gjon Lulit, duke i varrosur me respekt, në zemër të Kuvendit; ngritën me mund dhe djersë stacionin e parë meterologjik, muzeun filatelik, bandën e parë muzikore të qytetit, sollën në Shkodër topin e parë dhe hapën sportin popullor të futbollit etj.

Në këtë Kuvend shqiptaresh të kulluar, brez mbas brezi françeskanët nder shekuj realizuan me sukses misionin pranë popullit shqiptar nën moton: “Lutu dhe Puno“, duke bërë që Shqipëria (si vijim i Arbërisë krenare të Gjergj Kastriotit) të mos jetë një lagje e vjetër e Turqisë anadollake…

Pse u masakrua Fishta?

‘’Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë, se Shqipnija pa Fishtën, kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme. Këndej del e qartë, se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin, që ai xen në panteonin e Kombit.’’ – Prof. Namik ResuliUniversiteti i Napolit, Itali

Pa koment, po ofrojmë pjesë të fjalës së diktatorit të egër komunist dhe ateist Enver Hoxhës, para një grupi të rinjsh, që morën pjesë në Pleniumin e IV të Rinisë Popullore Komuniste.

“… Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe.Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugoallavia….Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë.Kurdoherë, që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ‑ shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve…Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq…Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë.Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta, me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese.Populli shqiptar dhe sllavët e jugut, me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë si as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi.Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkuar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve.Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së Veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit.Populli shqiptar, ka luftuar së bashku me popujt sllavë të Jugut, kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca.”

Sulmi dhe lufta, kundër klerit katolik në Shqipëri prej 1944-1990, ka qenë e mirëorganizuar nga sistemi komunist dhe veglat e propagandës, që më pas në vitin e zi 1976, shpalli Shqipërinë si shteti i vetëm ateist në botë.Në ndihmë të kësaj lufte katastrofike vdekjeprurëse dhe shkatërruese të vlerave kombëtare, një rol të madh kanë luajtur shkrimtarët dhe artistët e numeklaturës komuniste, që për të fituar poste dhe privilegje apo foto me buzëqeshje para apo në krah të diktatorit Hoxha, shkruan dhe përbaltën sistematikisht patriotin dhe shkrimtarin e shquar françeskan At Gjergj Fishtën O.F.M.

Për të parë poetin fisnik, po ofrojmë një shkrim të shkurtër esencial nga dora e tij, që paralajmëron dhe fton lexuesin, përmes rubrikës së botimit të librave të rinj, daljen në dritë të poezive brilante me titull: “Juvenilia”, të shkruar me dashuri dhe përkujdesje ndaj veprës letrare, të kolegut poet dhe patriotin e madh të papërsëritshëm Dom Ndre Mjedën.

“Literaturë shqype

Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re.

Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje.Por puna âsht krejt ndryshe.

Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme.

Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype.

Në ato kangë, nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë.

Prej këtij libri, shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme.

E shpresojmë, se shqyptarët, kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.

Libri “Juvenilia”, në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet Shtypshkrojës Françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij, që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.”(At Gjergj Fishta, “Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).

Ai na paraqitet në harresë të qëllimshme, pra, në një formë të re të vijimit të persekutimit të ri ndaj poetit tonë të madh Fishta, i cili, kësisoj dretjpërdrejtë del i huaj në tokën shqiptare, sepse nuk ka varr dhe shtepi…

Ndërsa Fishta i pagojë, që nuk është ankuar dhe nuk ankohet, s’ka asgjë, përvec veprave, që populli dhe në vecanti malësorët kreshnikë dhe fisnike, pa ditur shkrim dhe këndim, i dinin permendesh dhe këndonin me lahutë e cifteli plot dashuri në odat e burrave me mijëra vargje të ‘Lahutës së Malcis’.

Kujtoj, se aktori i famshëm malësori dukagjinas Ndrek Luca, tronditi të gjithë shqiptarët, në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Gjuhadol në Shkodër (në vitin 1991), kur recitoi permendesh për 1 orë pjesë brilante nga “Lahuta e Malcisë”, që ishte dhe mbeti kryevepër mbarëkombëtare e Poetit Kombëtar Fishta…

Homeri shqiptar Pader Gjergj Fishta, është monument kulture dhe atdhedashurie mbarëshqiptare.

“Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit komtar mbi mbshtetjen e gjuhës komtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vëgjelë; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh.”, vlerëson albanologu i shquar italian At Fulvio Cordignano, (Shih ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925).

Filed Under: ESSE Tagged With: At Gjergj Fishta, atdhedashurie, ungjill i ngrohtë

Meditime urbane 2016

August 22, 2016 by dgreca

“Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”/

Proverb i vjetër popullore/

Shkruan:  arch. Ylber Vokshi-Ylli/

I ngujuar në dhomën e punës, po analizoi se si po ballafaqohemi me pasojat e dukurive natyrore, të reshurave atmosferike,ato në të shumtën e rasteve janë normale, duke mos përjashtuar as rastet e rralla ekstreme të fatkeqësive natyrore,që shumë rrallë kanë ndodhur në hapësirën shqiptare,në shekullin e ri.Meditoi se ku është katandisur kjo shoqëri,deri kur do të lejohen këta keqbërës të hapësirës tonë të veprojnë,a kanë limite apo kufi veprimet e tyre. Me siguri jo nëse ende vazhdon kjo mos përgjegjësi,mos dhënie llogari për veprimet e tyre të bazuara vetëm në interesat e tyre personale, pa iu frikësuar sado pak anës ligjore të veprimeve të tyre. A e dinë këta se ku do të përfundon kjo mënyrë e punës, ku pasojat do të bien te të gjithë banorët e Kosovës,ata po janë viktimat e një grupi keqbërësish që shfrytëzuan situatën e krijuar pas luftës, me veprime që askush nuk ka mundur ti imagjinoi pas robërisë disa shekullore osmane dhe sllave.

Jemi dëshmitar të shtatëmbëdhjetë(17) viteve të pas luftës ku rroli i profesionistëve është margjinalizuar në ekstrem,gati në të gjitha fushat e jetës në Kosovë,posaçërisht në fushën e planifikimit hapësinor,urban dhe arkitektonik, gjegjësisht në ndërtimet që ndodhën në shekullin e ri XXI në Kosovë. Si rezultat i një politike urbane tërësisht të gabuar në këto vite, arritëm të kemi një degradim shqetësues të tërë hapësirë tonë që na rrethon.

Të jemi të qartë,në rastet e fatkeqësive natyrore,njeriu me organizim të mirë në të gjitha aspektet duhet të tentoi që pasojat të jenë sa ma të vogla,ku siguria dhe jeta e njerëzve duhet të jetë primare. Duke u nisu nga veprimet tona vandalistë ndaj natyrës, ekzistojnë dilemat e arsyeshme sa është fuqia e atyre dukurive natyrore,ku pasojat e një shiu ma të madh,bore,ere ma të fortë,rrëshqitje e dheut, po kanë pasoja të mëdha në paralizimin e jetës,të mirave materiale e në rastin e fundit si në rrethinën e Shkupit edhe me viktima në njerëz që nuk munden të kompensohen.

Vërshimet në periferi të Shkupit me 6 gusht 2016, ku pati edhe viktima në njerëz ( mbi 20 veta) treguan atë se nuk mundesh të ndërton ku të ju teket, por territorin duhet planifikuar,urbanizuar e pastaj ndërtuar, duke respektuar disa rregulla që i njeh deri me sot njerëzimi. Kështu gjithnjë do të jetë në rrezik banori i thjeshtë që lejohet të ndërtoi afër zonave të liqenit,zbrazja e të cilit shkaku i shirave të mëdha,pati pasoja të mëdha për jetën e atyre banorëve dhe dame materiale të mëdha nëpër shtëpitë,të mbjellat dhe në të mirat tjera materiale. Do të formohen grupe formale punuese për të gjetur shkaqet e kësaj katastrofe të shkaktuar edhe nga dora e njeriut. Do të ketë kompensime materiale por traumat dhe jeta e njerëzve që vdiqën nuk mundet të kthehet.

Ma dëshpëruese është informimi nga tereni se shkaktari kryesor i kësaj tragjedie ishte faktori njeri me mos mirëmbajtjen,mos pastrimin e rrjedhave ujore të lumenjve,     proçkave,kanaleve ujitëse,lëshimi i pa kontrolluar dhe i pa paralajmëruar i ujit nga diga, me pasoja të mëdha me humbje jetësh të njerëzve. Tmerri dhe traumat e përjetuara atë natën e ferrit nuk munden të harrohen kurrë apo të fshihen nga memoria e atyre qe e përjetuan atë tmerr, të ndihmuar nga dora e njeriut dhe shtetit jofunksional.

Situata hapësinore dhe urbane aspak nuk është ma e mirë as tek ne në Kosovë, për fat të mirë pos dëmeve të mëdha materiale në prona private dhe shoqërore, numri i viktimave në Kosovë është minimal vetëm falë asaj se të reshurat e shiut nuk ishin të intenzitetit si në Maqedoni,e jo se ne i kemi kushtuar kujdes preventives apo kemi mirëmbajtur mjedisin që na rrethon.

Trajtimi i hapësirës tonë pas luftës ishte dhe është skandaloz,edhe se e kemi në dispozicion tëre logjistikën teknike. Një proverb i vjetër popullor thotë “Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”. Kjo çka ndodhi në Hasanbeg duhet ë jetë vërejtje alarmante për vendimmarrësit tonë që urgjent të marrin masa parandalimi për rreziqet eventuale që do të iu nënshtrohen banorët e Kosovës, pasi distanca ajrore në mes të atyre dy zonave është shumë e vogël.

Ma në fund Qeveria e Kosovës me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave (AME), duhet të fillon të merr hapa konkrete për të sanuar situatën e sigurisë të krijuar, me mos veprimin tonë në harmoni me dokumentet hapësinore dhe urbane. Kjo kërkon me nda mjete milionëshe nga buxheti i ster-ngarkuar i Kosovës, apo marrja e kredive komerciale pasi asnjë donator i huaj nuk do të na financon mos-punën tonë.

Se përpilimi i projekteve,revidimi,aprovimi,realizimi dhe shfrytëzimi i ndërtimeve është i një rëndësie të veçantë,po e tregon realiteti ynë i zymtë kosovar. Siguria e banorëve,zvogëlimi rreziqeve, evakuimi i tyre, është obligim i të gjithë atyre të cilët janë të kyçur në këto procese. Ata janë të obliguar të iu përmbahen normave,standardeve të projektimit,ndërtimit,zbatimit dhe shfrytëzimit të gjithë objekteve dhe hapësirave publike dhe private,çka në rastin e Kosovës nuk është duke ndodhur në shekullin e ri XXI.

Po jemi dëshmitar të asaj se çka po ndodh në Prishtinë kur po bien ndonjë shi ma i rrëmbyeshëm, si ndodhi dy herë kohët e fundit, dhe ajo mu në mes të verës në korrik dhe gusht. U përmbytën shumë zona banimi,komunikimi dhe biznesi dhe u shkaktuan shumë dëme materiale të cilat dikush duhet ti kompensoi,

Banorët e Prishtinës po punojnë dhe veprojnë me trauma permanente pasi kjo po iu ndodh sa herë që po bie shi. A duhet dikush të jep përgjegjësi nga ata që kanë kontribuar të kemi këtë situatë të krijuar. Ata që kanë lejuar ndërtime pa leje,edhe ato me leje, të ndërtuara me projekte të pa kontrolluara (reviduara),të pa mbikëqyrura,të pa pranuara teknikisht,me gabime teknike trashanike, që sot në eksploatim po na sjellin dame të mëdha e që po duhet ti paguajmë të gjithë ne e posaçërisht shfrytëzuesit aktual të atyre hapësirave. E mos të mendojmë për qasjen te objektet, në rastin e ndonjë fatkeqësie natyrore si janë tërmetet potenciale pasi Kosova konsiderohet si zonë tektonike,me rrezikshmëri të lartë.

Është dëshpëruese si “bulevardi i pavarësisë”po na kthehet në”lum”artificial i cili i mungon Prishtinës pasi “kokat e mençura” i kanë mbulua-mbyllur dy lumenj aktiv të kryeqyetit, pa i llogaritur pasojat që i ngërthen një veprim i tillë për gjeneratat e ardhshme. Përgjegjësi aktual i Komunës arsyetohet më shkaktarët që po e krijojnë këtë situatë të pa pranueshme,në numrin e madh të ndërtimeve pa leje,në “gypat problematik” të kanalizimit atmosferik të cilët nuk janë dimensionuar për të bartur prurjet e ujërave atmosferik nga pjesët tjera të qytetit,në domosdonë e pjertësisë natyrore për ujërat sipërfaqësor etj. Për krejt këto “marifete” ne si banorë të kryeqytetit ma së pakti jemi fajtor që po pësojmë,a duhet të filloi ma në fund të zbatohet përgjegjësia individuale apo kolektive për atë çka ka ndodhur,çka po ndodh dhe çka do të ndodh në Prishtinë dhe  Kosovë në të ardhmen ?

Nën ato hapësira ekziston shtrati i lumit Vellusha i mbuluar dhunshëm, i cili akuzon dhe po na hakmerret,po vërtetohet ajo thënia e vjetër “natyra duron por dinë edhe të dënon” për veprime të gabuara. Qëndrimi im është se tërë kjo që tani po na ndodhë është rezultat i degradimit urban të kryeqytetit të cilin vet e kemi bërë. Do të duhen vite të tëra dhe miliona euro për të bërë rehabilitimet urbane, gati në tërë Prishtinës. Ato para ekstra do ti paguajmë vet ne, në anën tjetër kualiteti i jetës urbane me dekada do të jetë i varfër, duke paguar veprimet e pa përgjegjshme të vendimmarrësve tonë të fillim shekullit të ri.

Deri kur ne shqiptarëve na duhet një imponim i detyrueshëm për tu “vetëdijesuar” dhe për të kuptuar se kështu nuk bënë ma,jemi duke jetuar në shekullin 21,mos respektimi i principeve hapësinore dhe urbanë po na hakmerret me humbjen e jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale,e çka është ma tragjike me këto veprime-ndërtime gjithnjë do të jemi cak këtyre dukurive natyrore, që bota e civilizuar në suazat e të mundshmes po i lufton me sukses.

*arkitekt i pavarur- Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: ESSE Tagged With: 2016, arch. Ylber Vokshi Ylli, Meditime urrbane

4 SHTATOR 2016: POPULLI SHQIPTAR NË FESTË…

August 22, 2016 by dgreca

AFROHET  DITA  MA  E  BUKUR ! SHEJTNIMI I NANËS TEREZA (1910 – 1997)/

 “Jeta e Saj, nuk don komente,/

I thonë: – Nanë! Pesë kontinente!”/Zeqir LUSHAJ 1988/

Nga Fritz RADOVANI/

 As njëqind meter larg shtëpisë sime, në rrugen Badra, në Shkoder, ka banue Nana dhe motra e Nanës Tereza, perballë shtëpisë së Frano Lleshit… Erdhën nga robnia në robni!

Drandja e Kolë Bojaxhiut kishte perveç vajzës Age, që jetonte me Te, edhe një tjeter që ishte murgeshë dikund kah India…Ndersa, djali, Lazri flitej se asht në Itali. Ganxhia

niset nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928 shkëputët një meteor i cili, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Me emnin e ri Tereza vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit tue u ndalue në një prej mbretnive të vorfnisë, pranë botës së panjohun të Hindisë, ku, shpati i Himalajave pushon i zhytun në një skam të tejskajshëm e gropë sëmundjesh të mënershme për njerzimin. Bengal e Kalkuta, janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948, arrinë me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihët ndër kuvendet e Evropës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Tereza, në vitin 1949 asht shtetase Indjane dhe ka formue Kongregatën “Misioni i Dashunisë”, që edhe u miratue nga Vatikani tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin, gati askush nuk i besonte! Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as, ndeshkim..!”

Ishte viti 1961, kur murgesha e njohun Nanë Tereza e Kalkutës u ba e gjallë! Qeveria e tiranëve katilë nuk e lejoi me ardhë me takue Nanën e vet dhe, as motren në Tiranë.

Ndër të parët njerëz që arrinë me kuptue Nanë Terezën asht Xhon Kenedi, të cilit, Ajo, i kërkoi nderhymje me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi E. Hoxha nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës, se, “…mbrenda 24 orëve mund të urdhnohet Tirana për me hy Ju, por, për Ju, unë nuk Ua këshilloj këtë veprim…” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe…

Ishte viti 1961, ajo kohë kur India e largët vlerson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru i jep shpërblimin “Padna Shri”, në emen të Qeverisë Indjane…

Ndersa, Grueja që la gjurmë të pashlyeshme në histori Indira Gandi, i tha gazetarve për Nanë Terezen: “Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij!”

Sekretari- Gjeneral i Kombeve të Bashkueme Javier Pérez de Cuéllar e ka cilsue kështu Nanë Terezen: “Ajo asht Kombet e Bashkueme. Ajo asht Paqa në Botë.”

Me datën 22 Gusht 1968, u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine…shkruen zonja Franca Xambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqen… Aty, Ajo, kërkoi korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga prirja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Jezusit!”

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf i V: “Po, përsëris Madhni, abordi asht një vrasje!”

Dhe, pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe, ndjeva në zemër që prej tij, kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’…”

Me datën 2 Qershor 1985 Presidenti Reagan, në Shtëpinë e Bardhë i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e Lirisë”…Kur Atdheu i Saj vazhdonte t’ ishte i robnuem…

Papa Gjon Pali II, asht ndër Ata pak njerëz që arrinë me kuptue kenjen Shejtneshë të Nanë Terezes, qyshë se Ajo asht në mes të njerzve të kësaj Botë, pikërisht, kur Ajo me duert e Saja mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmurët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashunia asht me të vërtetë një dhuratë”, pikërisht, Aty, ku tue dhanë Shpirtë, në mes t’atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes… Kur Papa Gjon Pali II, vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha: “Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës sime!…” (4 Shkurt 1986).

Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban…?”…Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushojnë për asnjë çast…

Papa, përgjegjet: “E din Nanë Tereza, që shkon në Liban atë punë, e din edhe pa studjue shumë libra. E din pse kjo i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj…”

Mbas 24 orësh, porsa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim!!..

Ishte viti 1989, ma në fund vjen edhe në Shqipni…ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Dueni anmikun tuej…!”, Ajo, ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist…

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shenon në memorjen tonë ata çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II dhe, bashkë me Té, asht edhe Ajo që tashma gjithë Bota e quen Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza, për të cilën, Papa tha: “Prej përsonit të Nanë Terezës, Shqipnia asht e nderueme gjithmonë. Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej… E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të varfërit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda Saj hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare…”.

Presidenti Amerikan Bill Klinton, nё qershor tё 2002 u shpreh: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bani ta due Kombin Shqiptar dhe tashti unë ndihem shumё krenar, që plotsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё Lirisё në Kosovë”.

E, nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mrekullia e Nanë Terezes, janë miljona njerëz të mjeruem…Që, kanë provue e provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!

E koha do të provojë se e Shejtnueshmja Nanë Tereza asht Guri i Parë i thëmelit të Lirisë së Shqipnisë dhe Kosovës, nga pushtuesit shekullorë…

            Melbourne Gusht 2016.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: I NANËS TEREZA, Nga Fritz RADOVANI, SHEJTNIMI

Sa KUQEZI jemi ne vërtet?

August 21, 2016 by dgreca

NGA LINDITA KOMANI/*

Duhet thënë. Një komb shqiptar që mendohet se po bëhet duke numëruar se cili futbollist po vjen nga Kosova apo diaspora shqiptare, andej ku ajo ndodhet e pandarë nga kufij, që t’i bashkohet kombëtares kuqezi, në fakt nuk është duke u bërë. Kombi nuk bëhet me futboll, as duke luajtur futboll e as duke bërë tifozllëk futbollistik. Mania kuqezi sado sinqerisht e natyrshëm të dalë nga shpirti e sado mirë të orkestrohet e inskenohet në mënyrë të organizuar, mbaron me mbarimin e ndeshjes së radhës dhe me 3 ditët e famshme që sikurse e parashtron edhe mençuria e popullit, mjaftojnë për të harruar çdo gjë. Kombi mbetet zvarrë në mes këtyre ditëve ndeshjesh që janë aq të rralla sa të rralla janë eliminatoret për kampionatin europian apo botëror.

Jetojmë fatmirësisht në sistemin e njeriut të lirë i cili me aftësitë që zotëron, ka të drejtën të lëvizë kudo që mendon se vlerësohet dhe trajtohet me dinjitet. Futbollisti ashtu si edhe shkencëtari, artisti, profesionisti në fusha të tjera dhe njeriu i thjeshtë që kërkon një të ardhme më të mirë për familjen e tij, mund të lëvizë kudo. Për sakrificat që ai bën, nuk do t’ia dijë njeri, ato i njihen dhe i përfliten vetëm kur bëhet figurë aq lart në rendin e publikes shqiptare sa të ketë vëmendjen e të gjithëve. Por, nëse për artistët e shkencëtarët madje edhe emigrantët që punojnë punë më pak të dukshme, nuk thotë gjë njeri se pse zgjedhin të punojnë në një vend të caktuar, për futbollistët duket sikur kalohet në ndërkryerje për t’i bërë të ndihen keq se pse kanë zgjedhur një skuadër tjetër e jo atë kuqezi. Forma madhore të panjohura më parë duket se po merr ky lloj sulmi me rastin e kalimit të një pjese të futbollistëve shqiptare me origjinë nga Kosova, në skuadrën e futbollit të këtij shteti.

Në vend që tani të ishim duke folur për çështje të kombformimit, si: rrugë, ekonomi, kulturë, kufij, politikë, zhvillim të përbashkët me Kosovën, dhe këto t’i shihnim si tema të përditshme në rubrikat e lajmeve, në mediat e shkruara dhe ato televizive, lexojmë e bëhemi pjesë emocionalisht e sulmeve të rënda që po bëhen mbi futbollistët. Eshtë për t’u zhgënjyer rëndë që burim për këto sulme bëhen analistë, të cilët pikërisht edhe për shkak të pozicionit të privilegjuar që kanë në shoqëri, në vend që me tema të qenësishme t’i paraprinin debatit të kombformimit që nuk ka ndodhur e nuk po ndodh, merren me futbollistët dhe i hedhin benzinë zjarrit fashisto-komunistoid që është ndezur për të stisur një imazh kombëtarizmi i cili synon të mbulojë e kompensojë defiçite të tmerrshme në çdo fushë të shtetit tonë, e pse jo të gjenerojë të ardhura të pamata për grupin që e manaxhon futbollin këtu.

Futbolli shqiptar nuk do të kishte ndarje, nëse drejtuesit e tij të zgjedhur këtu në Shqipëri do të ishin aq vizionarë sa të hapnin dyert dhe të mirëprisnin drejtuesit e futbollit shqiptar edhe përtej kufijve shtetërorë; të punonin të gjithë në mënyrë të koordinuar tyre e pa parë kufij, për të krijuar një federatë mbarëshqiptare e cila mban si krerë të saj përfaqësues nga të gjithë territoret shqiptare, e cila punon për të zgjedhur talentet më të mirë e për t’i ndihmuar të bëhen për vete e shembull frymëzues për të tjerë. Edhe nëse është zhvilluar ndonjë debat televiziv për temën e kombëtares së futbollit e ndonjë analist jo detyrimisht futbolli është shprehur mbi temën e organizimit të përbashkët mbarëkombëtar të futbollit, reagimet nga analistë të tjerë kanë qenë ose rrëzuese ose zhurmuese. Moderatorët mund të mos kenë insistuar më tej, ashtu sikurse publiku do të kishte dëshiruar që të ndodhte e gjithçka ka mbetur si një temë e parrahur mirë deri në fund.

Kush duhet të jetë nismëtar për federatën mbarëkombëtare? Tifozat Kuqezi kanë vite që janë vetorganizuar në mënyrë shembullore, pa kërkuar e harxhuar fonde shtetërore, por thjesht duke investuar kohën, vullnetin, paratë e tyre. Pa bujë e se ua ka dashur zemra e mendja, ata kanë krijuar e rritur atë që pa frikë mund ta quash Federata Mbarëkombëtare e Tifozëve. A mos ka ardhur koha që tifozat kuqezi të bëjnë përpara e të kërkojnë me vullnet të plotë të organizojnë një federatë mbarëkombëtare e cila të ngrinte në tjetër nivel diskutimin e paçuar deri në fund? Nuk është për t’u habitur që nëse ata merrnin përsipër ta nisnin e drejtonin, ata jo vetëm të arrinin ta organizonin në mënyrë perfekte, por të mundësonin një frymë tërësisht të re dhe të nevojshme për krejt sportin shqiptar.

Nëse dalim jashtë futbollit, duke parë arritjet e olimpistëve nga Kosova dhe problemet e lidhur me ekipin e olimpistëve nga Shqipëria, me shaka ose jo është për t’u propozuar që gjithë sportistët shqiptarë, të garojnë nën organizmat respektivë sportivë të Kosovës. Duke pasur konkurrencë direkte nga shqiptarë që e kanë me zemër mirorganizimin dhe zhvillimin e sportit si dhe trajtimin me dinjitet të sportistëve dhe sakrificës së madhe të bërë prej tyre e familjeve të tyre, ndoshta drejtuesit e organizmave sportive këtu në Shqipëri do të ndëgjegjësoheshin që nuk kanë monopol mbi shpirtin sportiv shqiptar dhe si ata ashtu edhe qeveria shqiptare që buxhetin e sportit duket se po e harxhon vetëm për futbollin, do të detyroheshin të bënin një ndryshim rrënjësor në përqasjen e tyre ndaj sportit dhe riformulimin e politikave shtetërore në këtë drejtim.

Ndërkohë duke kapërcyer kufijt e temave sportive: kush duhet të kujdeset për debatet që shkojnë në linjë me temën e kombformimit? Në nivel individësh e grupesh që përgjithësisht nuk bien në sy, sepse nuk janë nën dritën e mediave, ka mjaft përpjekje për t’u afruar e bërë realisht një. E kjo ndodh në çdo fushë të jetës. Njerëzit e thjeshtë në këtë aspekt janë shumë më përpara se drejtuesit e zgjedhur apo të pazgjedhur të tyre, shumë më përpara se analistët të cilët çdo ditë kanë platformën e duhur për të bërë çdo gjë e që nuk e bëjnë. Por përpjekjet e tyre nuk mediatizohen mjaftueshëm ose edhe nëse kjo ndodh, ndodh atëherë kur ata që bëjnë përpjekjen kanë miqësi me gazetarët dhe gazetarët e bëjnë për hir të miqësisë mbulimin mediatik. Sigurisht që këtu janë për t’u përmendur edhe rastet kur për mbulimin mediatik kërkohen tarifa të majme reklame. Kjo është në linjë me kombformimin? Në këtë këndvështrim, një propozim konkret për mediat e gazetarët si burimi njerëzor që i mban ato në këmbë do të ishte: përse nuk bëni edhe ju një akt konkret në axhendën e mundshme të kombformimit, si për shembull të krijoni një organizatë të përbashkët përtej kufijve për të mbrojtur veten tuaj dhe gazetarinë shqiptare nga pushtetet autoritare që na drejtojnë? Për të mbrojtur e edukuar brezat e rinj mbi cilësinë e të shkruarit e përdorimin e gjuhës shqipe në shkrime e diskutime mediatike që aktualisht e dini edhe ju vetë mirë se në ç’nivel është? Kështu do të jepnit edhe ju shembull konkret ndërtues organizmash mbarëkombëtare që mund të jetë në linjë me një axhendë kombformimi shqiptar. E meqë këto ditë po flitet për një takim në Nish të kryeministrit të Shqipërisë me homologun serb, të ushtrohet trysni me opinionet tuaja që në këtë takim kryeministri të mos guxojë të bëjë marrëveshje në emër të Kosovës apo që ndikojnë direkt e indirekt mbarëvajtjen e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, kur ai është nuk është i zgjedhur prej shtetasve të saj.

Po në këtë këndvështrim, edhe një propozim konkret për opinionistët më të rinj, të gjithë që si adoleshentë apo edhe më të rinj se kaq kemi përjetuar afrimin me Kosovën që nga koha e luftës pas mesit të viteve ’90 e deri më sot: Shfrenojeni fantazinë, të dashur bashkëmoshatarë. Ju jeni të përgatitur më së miri dhe jeni rritur më shumë me frymën e të përbashkëtës mbikufitare sesa brezi paraardhës që njeh ndasinë, kufijtë dhe mungesën e informacionit e për këtë arsye edhe krijimin e stereotipeve të gabuar në mendje. Shkruani më shumë në platforma elektronike, jepini peshë mendimeve tuaja të formuara me frymë perëndimore, dhe shtroni ato tema të kombformimit që të rriturit një Zot e di pse nuk guxojnë t’i shtrojnë e trajtojnë në mënyrë të plotë e pa komplekse.

Gusht 2016

  • Redaksia e Diellit e falenderon autoren Lindita Komani qe e ndau kete shkrim me lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: jemi ne vërtet?, Lindita Komani, Sa KUQEZI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • 343
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT