• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Meditime urbane 2016

August 22, 2016 by dgreca

“Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”/

Proverb i vjetër popullore/

Shkruan:  arch. Ylber Vokshi-Ylli/

I ngujuar në dhomën e punës, po analizoi se si po ballafaqohemi me pasojat e dukurive natyrore, të reshurave atmosferike,ato në të shumtën e rasteve janë normale, duke mos përjashtuar as rastet e rralla ekstreme të fatkeqësive natyrore,që shumë rrallë kanë ndodhur në hapësirën shqiptare,në shekullin e ri.Meditoi se ku është katandisur kjo shoqëri,deri kur do të lejohen këta keqbërës të hapësirës tonë të veprojnë,a kanë limite apo kufi veprimet e tyre. Me siguri jo nëse ende vazhdon kjo mos përgjegjësi,mos dhënie llogari për veprimet e tyre të bazuara vetëm në interesat e tyre personale, pa iu frikësuar sado pak anës ligjore të veprimeve të tyre. A e dinë këta se ku do të përfundon kjo mënyrë e punës, ku pasojat do të bien te të gjithë banorët e Kosovës,ata po janë viktimat e një grupi keqbërësish që shfrytëzuan situatën e krijuar pas luftës, me veprime që askush nuk ka mundur ti imagjinoi pas robërisë disa shekullore osmane dhe sllave.

Jemi dëshmitar të shtatëmbëdhjetë(17) viteve të pas luftës ku rroli i profesionistëve është margjinalizuar në ekstrem,gati në të gjitha fushat e jetës në Kosovë,posaçërisht në fushën e planifikimit hapësinor,urban dhe arkitektonik, gjegjësisht në ndërtimet që ndodhën në shekullin e ri XXI në Kosovë. Si rezultat i një politike urbane tërësisht të gabuar në këto vite, arritëm të kemi një degradim shqetësues të tërë hapësirë tonë që na rrethon.

Të jemi të qartë,në rastet e fatkeqësive natyrore,njeriu me organizim të mirë në të gjitha aspektet duhet të tentoi që pasojat të jenë sa ma të vogla,ku siguria dhe jeta e njerëzve duhet të jetë primare. Duke u nisu nga veprimet tona vandalistë ndaj natyrës, ekzistojnë dilemat e arsyeshme sa është fuqia e atyre dukurive natyrore,ku pasojat e një shiu ma të madh,bore,ere ma të fortë,rrëshqitje e dheut, po kanë pasoja të mëdha në paralizimin e jetës,të mirave materiale e në rastin e fundit si në rrethinën e Shkupit edhe me viktima në njerëz që nuk munden të kompensohen.

Vërshimet në periferi të Shkupit me 6 gusht 2016, ku pati edhe viktima në njerëz ( mbi 20 veta) treguan atë se nuk mundesh të ndërton ku të ju teket, por territorin duhet planifikuar,urbanizuar e pastaj ndërtuar, duke respektuar disa rregulla që i njeh deri me sot njerëzimi. Kështu gjithnjë do të jetë në rrezik banori i thjeshtë që lejohet të ndërtoi afër zonave të liqenit,zbrazja e të cilit shkaku i shirave të mëdha,pati pasoja të mëdha për jetën e atyre banorëve dhe dame materiale të mëdha nëpër shtëpitë,të mbjellat dhe në të mirat tjera materiale. Do të formohen grupe formale punuese për të gjetur shkaqet e kësaj katastrofe të shkaktuar edhe nga dora e njeriut. Do të ketë kompensime materiale por traumat dhe jeta e njerëzve që vdiqën nuk mundet të kthehet.

Ma dëshpëruese është informimi nga tereni se shkaktari kryesor i kësaj tragjedie ishte faktori njeri me mos mirëmbajtjen,mos pastrimin e rrjedhave ujore të lumenjve,     proçkave,kanaleve ujitëse,lëshimi i pa kontrolluar dhe i pa paralajmëruar i ujit nga diga, me pasoja të mëdha me humbje jetësh të njerëzve. Tmerri dhe traumat e përjetuara atë natën e ferrit nuk munden të harrohen kurrë apo të fshihen nga memoria e atyre qe e përjetuan atë tmerr, të ndihmuar nga dora e njeriut dhe shtetit jofunksional.

Situata hapësinore dhe urbane aspak nuk është ma e mirë as tek ne në Kosovë, për fat të mirë pos dëmeve të mëdha materiale në prona private dhe shoqërore, numri i viktimave në Kosovë është minimal vetëm falë asaj se të reshurat e shiut nuk ishin të intenzitetit si në Maqedoni,e jo se ne i kemi kushtuar kujdes preventives apo kemi mirëmbajtur mjedisin që na rrethon.

Trajtimi i hapësirës tonë pas luftës ishte dhe është skandaloz,edhe se e kemi në dispozicion tëre logjistikën teknike. Një proverb i vjetër popullor thotë “Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”. Kjo çka ndodhi në Hasanbeg duhet ë jetë vërejtje alarmante për vendimmarrësit tonë që urgjent të marrin masa parandalimi për rreziqet eventuale që do të iu nënshtrohen banorët e Kosovës, pasi distanca ajrore në mes të atyre dy zonave është shumë e vogël.

Ma në fund Qeveria e Kosovës me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave (AME), duhet të fillon të merr hapa konkrete për të sanuar situatën e sigurisë të krijuar, me mos veprimin tonë në harmoni me dokumentet hapësinore dhe urbane. Kjo kërkon me nda mjete milionëshe nga buxheti i ster-ngarkuar i Kosovës, apo marrja e kredive komerciale pasi asnjë donator i huaj nuk do të na financon mos-punën tonë.

Se përpilimi i projekteve,revidimi,aprovimi,realizimi dhe shfrytëzimi i ndërtimeve është i një rëndësie të veçantë,po e tregon realiteti ynë i zymtë kosovar. Siguria e banorëve,zvogëlimi rreziqeve, evakuimi i tyre, është obligim i të gjithë atyre të cilët janë të kyçur në këto procese. Ata janë të obliguar të iu përmbahen normave,standardeve të projektimit,ndërtimit,zbatimit dhe shfrytëzimit të gjithë objekteve dhe hapësirave publike dhe private,çka në rastin e Kosovës nuk është duke ndodhur në shekullin e ri XXI.

Po jemi dëshmitar të asaj se çka po ndodh në Prishtinë kur po bien ndonjë shi ma i rrëmbyeshëm, si ndodhi dy herë kohët e fundit, dhe ajo mu në mes të verës në korrik dhe gusht. U përmbytën shumë zona banimi,komunikimi dhe biznesi dhe u shkaktuan shumë dëme materiale të cilat dikush duhet ti kompensoi,

Banorët e Prishtinës po punojnë dhe veprojnë me trauma permanente pasi kjo po iu ndodh sa herë që po bie shi. A duhet dikush të jep përgjegjësi nga ata që kanë kontribuar të kemi këtë situatë të krijuar. Ata që kanë lejuar ndërtime pa leje,edhe ato me leje, të ndërtuara me projekte të pa kontrolluara (reviduara),të pa mbikëqyrura,të pa pranuara teknikisht,me gabime teknike trashanike, që sot në eksploatim po na sjellin dame të mëdha e që po duhet ti paguajmë të gjithë ne e posaçërisht shfrytëzuesit aktual të atyre hapësirave. E mos të mendojmë për qasjen te objektet, në rastin e ndonjë fatkeqësie natyrore si janë tërmetet potenciale pasi Kosova konsiderohet si zonë tektonike,me rrezikshmëri të lartë.

Është dëshpëruese si “bulevardi i pavarësisë”po na kthehet në”lum”artificial i cili i mungon Prishtinës pasi “kokat e mençura” i kanë mbulua-mbyllur dy lumenj aktiv të kryeqyetit, pa i llogaritur pasojat që i ngërthen një veprim i tillë për gjeneratat e ardhshme. Përgjegjësi aktual i Komunës arsyetohet më shkaktarët që po e krijojnë këtë situatë të pa pranueshme,në numrin e madh të ndërtimeve pa leje,në “gypat problematik” të kanalizimit atmosferik të cilët nuk janë dimensionuar për të bartur prurjet e ujërave atmosferik nga pjesët tjera të qytetit,në domosdonë e pjertësisë natyrore për ujërat sipërfaqësor etj. Për krejt këto “marifete” ne si banorë të kryeqytetit ma së pakti jemi fajtor që po pësojmë,a duhet të filloi ma në fund të zbatohet përgjegjësia individuale apo kolektive për atë çka ka ndodhur,çka po ndodh dhe çka do të ndodh në Prishtinë dhe  Kosovë në të ardhmen ?

Nën ato hapësira ekziston shtrati i lumit Vellusha i mbuluar dhunshëm, i cili akuzon dhe po na hakmerret,po vërtetohet ajo thënia e vjetër “natyra duron por dinë edhe të dënon” për veprime të gabuara. Qëndrimi im është se tërë kjo që tani po na ndodhë është rezultat i degradimit urban të kryeqytetit të cilin vet e kemi bërë. Do të duhen vite të tëra dhe miliona euro për të bërë rehabilitimet urbane, gati në tërë Prishtinës. Ato para ekstra do ti paguajmë vet ne, në anën tjetër kualiteti i jetës urbane me dekada do të jetë i varfër, duke paguar veprimet e pa përgjegjshme të vendimmarrësve tonë të fillim shekullit të ri.

Deri kur ne shqiptarëve na duhet një imponim i detyrueshëm për tu “vetëdijesuar” dhe për të kuptuar se kështu nuk bënë ma,jemi duke jetuar në shekullin 21,mos respektimi i principeve hapësinore dhe urbanë po na hakmerret me humbjen e jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale,e çka është ma tragjike me këto veprime-ndërtime gjithnjë do të jemi cak këtyre dukurive natyrore, që bota e civilizuar në suazat e të mundshmes po i lufton me sukses.

*arkitekt i pavarur- Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: ESSE Tagged With: 2016, arch. Ylber Vokshi Ylli, Meditime urrbane

4 SHTATOR 2016: POPULLI SHQIPTAR NË FESTË…

August 22, 2016 by dgreca

AFROHET  DITA  MA  E  BUKUR ! SHEJTNIMI I NANËS TEREZA (1910 – 1997)/

 “Jeta e Saj, nuk don komente,/

I thonë: – Nanë! Pesë kontinente!”/Zeqir LUSHAJ 1988/

Nga Fritz RADOVANI/

 As njëqind meter larg shtëpisë sime, në rrugen Badra, në Shkoder, ka banue Nana dhe motra e Nanës Tereza, perballë shtëpisë së Frano Lleshit… Erdhën nga robnia në robni!

Drandja e Kolë Bojaxhiut kishte perveç vajzës Age, që jetonte me Te, edhe një tjeter që ishte murgeshë dikund kah India…Ndersa, djali, Lazri flitej se asht në Itali. Ganxhia

niset nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928 shkëputët një meteor i cili, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Me emnin e ri Tereza vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit tue u ndalue në një prej mbretnive të vorfnisë, pranë botës së panjohun të Hindisë, ku, shpati i Himalajave pushon i zhytun në një skam të tejskajshëm e gropë sëmundjesh të mënershme për njerzimin. Bengal e Kalkuta, janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948, arrinë me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihët ndër kuvendet e Evropës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Tereza, në vitin 1949 asht shtetase Indjane dhe ka formue Kongregatën “Misioni i Dashunisë”, që edhe u miratue nga Vatikani tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin, gati askush nuk i besonte! Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as, ndeshkim..!”

Ishte viti 1961, kur murgesha e njohun Nanë Tereza e Kalkutës u ba e gjallë! Qeveria e tiranëve katilë nuk e lejoi me ardhë me takue Nanën e vet dhe, as motren në Tiranë.

Ndër të parët njerëz që arrinë me kuptue Nanë Terezën asht Xhon Kenedi, të cilit, Ajo, i kërkoi nderhymje me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi E. Hoxha nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës, se, “…mbrenda 24 orëve mund të urdhnohet Tirana për me hy Ju, por, për Ju, unë nuk Ua këshilloj këtë veprim…” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe…

Ishte viti 1961, ajo kohë kur India e largët vlerson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru i jep shpërblimin “Padna Shri”, në emen të Qeverisë Indjane…

Ndersa, Grueja që la gjurmë të pashlyeshme në histori Indira Gandi, i tha gazetarve për Nanë Terezen: “Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij!”

Sekretari- Gjeneral i Kombeve të Bashkueme Javier Pérez de Cuéllar e ka cilsue kështu Nanë Terezen: “Ajo asht Kombet e Bashkueme. Ajo asht Paqa në Botë.”

Me datën 22 Gusht 1968, u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine…shkruen zonja Franca Xambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqen… Aty, Ajo, kërkoi korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga prirja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Jezusit!”

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf i V: “Po, përsëris Madhni, abordi asht një vrasje!”

Dhe, pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe, ndjeva në zemër që prej tij, kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’…”

Me datën 2 Qershor 1985 Presidenti Reagan, në Shtëpinë e Bardhë i dorëzon Nanë Terezës “Medaljen e Lirisë”…Kur Atdheu i Saj vazhdonte t’ ishte i robnuem…

Papa Gjon Pali II, asht ndër Ata pak njerëz që arrinë me kuptue kenjen Shejtneshë të Nanë Terezes, qyshë se Ajo asht në mes të njerzve të kësaj Botë, pikërisht, kur Ajo me duert e Saja mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmurët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashunia asht me të vërtetë një dhuratë”, pikërisht, Aty, ku tue dhanë Shpirtë, në mes t’atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes… Kur Papa Gjon Pali II, vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha: “Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës sime!…” (4 Shkurt 1986).

Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban…?”…Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushojnë për asnjë çast…

Papa, përgjegjet: “E din Nanë Tereza, që shkon në Liban atë punë, e din edhe pa studjue shumë libra. E din pse kjo i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj…”

Mbas 24 orësh, porsa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim!!..

Ishte viti 1989, ma në fund vjen edhe në Shqipni…ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Dueni anmikun tuej…!”, Ajo, ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist…

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shenon në memorjen tonë ata çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II dhe, bashkë me Té, asht edhe Ajo që tashma gjithë Bota e quen Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza, për të cilën, Papa tha: “Prej përsonit të Nanë Terezës, Shqipnia asht e nderueme gjithmonë. Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej… E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të varfërit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda Saj hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare…”.

Presidenti Amerikan Bill Klinton, nё qershor tё 2002 u shpreh: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bani ta due Kombin Shqiptar dhe tashti unë ndihem shumё krenar, që plotsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё Lirisё në Kosovë”.

E, nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mrekullia e Nanë Terezes, janë miljona njerëz të mjeruem…Që, kanë provue e provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!

E koha do të provojë se e Shejtnueshmja Nanë Tereza asht Guri i Parë i thëmelit të Lirisë së Shqipnisë dhe Kosovës, nga pushtuesit shekullorë…

            Melbourne Gusht 2016.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: I NANËS TEREZA, Nga Fritz RADOVANI, SHEJTNIMI

Sa KUQEZI jemi ne vërtet?

August 21, 2016 by dgreca

NGA LINDITA KOMANI/*

Duhet thënë. Një komb shqiptar që mendohet se po bëhet duke numëruar se cili futbollist po vjen nga Kosova apo diaspora shqiptare, andej ku ajo ndodhet e pandarë nga kufij, që t’i bashkohet kombëtares kuqezi, në fakt nuk është duke u bërë. Kombi nuk bëhet me futboll, as duke luajtur futboll e as duke bërë tifozllëk futbollistik. Mania kuqezi sado sinqerisht e natyrshëm të dalë nga shpirti e sado mirë të orkestrohet e inskenohet në mënyrë të organizuar, mbaron me mbarimin e ndeshjes së radhës dhe me 3 ditët e famshme që sikurse e parashtron edhe mençuria e popullit, mjaftojnë për të harruar çdo gjë. Kombi mbetet zvarrë në mes këtyre ditëve ndeshjesh që janë aq të rralla sa të rralla janë eliminatoret për kampionatin europian apo botëror.

Jetojmë fatmirësisht në sistemin e njeriut të lirë i cili me aftësitë që zotëron, ka të drejtën të lëvizë kudo që mendon se vlerësohet dhe trajtohet me dinjitet. Futbollisti ashtu si edhe shkencëtari, artisti, profesionisti në fusha të tjera dhe njeriu i thjeshtë që kërkon një të ardhme më të mirë për familjen e tij, mund të lëvizë kudo. Për sakrificat që ai bën, nuk do t’ia dijë njeri, ato i njihen dhe i përfliten vetëm kur bëhet figurë aq lart në rendin e publikes shqiptare sa të ketë vëmendjen e të gjithëve. Por, nëse për artistët e shkencëtarët madje edhe emigrantët që punojnë punë më pak të dukshme, nuk thotë gjë njeri se pse zgjedhin të punojnë në një vend të caktuar, për futbollistët duket sikur kalohet në ndërkryerje për t’i bërë të ndihen keq se pse kanë zgjedhur një skuadër tjetër e jo atë kuqezi. Forma madhore të panjohura më parë duket se po merr ky lloj sulmi me rastin e kalimit të një pjese të futbollistëve shqiptare me origjinë nga Kosova, në skuadrën e futbollit të këtij shteti.

Në vend që tani të ishim duke folur për çështje të kombformimit, si: rrugë, ekonomi, kulturë, kufij, politikë, zhvillim të përbashkët me Kosovën, dhe këto t’i shihnim si tema të përditshme në rubrikat e lajmeve, në mediat e shkruara dhe ato televizive, lexojmë e bëhemi pjesë emocionalisht e sulmeve të rënda që po bëhen mbi futbollistët. Eshtë për t’u zhgënjyer rëndë që burim për këto sulme bëhen analistë, të cilët pikërisht edhe për shkak të pozicionit të privilegjuar që kanë në shoqëri, në vend që me tema të qenësishme t’i paraprinin debatit të kombformimit që nuk ka ndodhur e nuk po ndodh, merren me futbollistët dhe i hedhin benzinë zjarrit fashisto-komunistoid që është ndezur për të stisur një imazh kombëtarizmi i cili synon të mbulojë e kompensojë defiçite të tmerrshme në çdo fushë të shtetit tonë, e pse jo të gjenerojë të ardhura të pamata për grupin që e manaxhon futbollin këtu.

Futbolli shqiptar nuk do të kishte ndarje, nëse drejtuesit e tij të zgjedhur këtu në Shqipëri do të ishin aq vizionarë sa të hapnin dyert dhe të mirëprisnin drejtuesit e futbollit shqiptar edhe përtej kufijve shtetërorë; të punonin të gjithë në mënyrë të koordinuar tyre e pa parë kufij, për të krijuar një federatë mbarëshqiptare e cila mban si krerë të saj përfaqësues nga të gjithë territoret shqiptare, e cila punon për të zgjedhur talentet më të mirë e për t’i ndihmuar të bëhen për vete e shembull frymëzues për të tjerë. Edhe nëse është zhvilluar ndonjë debat televiziv për temën e kombëtares së futbollit e ndonjë analist jo detyrimisht futbolli është shprehur mbi temën e organizimit të përbashkët mbarëkombëtar të futbollit, reagimet nga analistë të tjerë kanë qenë ose rrëzuese ose zhurmuese. Moderatorët mund të mos kenë insistuar më tej, ashtu sikurse publiku do të kishte dëshiruar që të ndodhte e gjithçka ka mbetur si një temë e parrahur mirë deri në fund.

Kush duhet të jetë nismëtar për federatën mbarëkombëtare? Tifozat Kuqezi kanë vite që janë vetorganizuar në mënyrë shembullore, pa kërkuar e harxhuar fonde shtetërore, por thjesht duke investuar kohën, vullnetin, paratë e tyre. Pa bujë e se ua ka dashur zemra e mendja, ata kanë krijuar e rritur atë që pa frikë mund ta quash Federata Mbarëkombëtare e Tifozëve. A mos ka ardhur koha që tifozat kuqezi të bëjnë përpara e të kërkojnë me vullnet të plotë të organizojnë një federatë mbarëkombëtare e cila të ngrinte në tjetër nivel diskutimin e paçuar deri në fund? Nuk është për t’u habitur që nëse ata merrnin përsipër ta nisnin e drejtonin, ata jo vetëm të arrinin ta organizonin në mënyrë perfekte, por të mundësonin një frymë tërësisht të re dhe të nevojshme për krejt sportin shqiptar.

Nëse dalim jashtë futbollit, duke parë arritjet e olimpistëve nga Kosova dhe problemet e lidhur me ekipin e olimpistëve nga Shqipëria, me shaka ose jo është për t’u propozuar që gjithë sportistët shqiptarë, të garojnë nën organizmat respektivë sportivë të Kosovës. Duke pasur konkurrencë direkte nga shqiptarë që e kanë me zemër mirorganizimin dhe zhvillimin e sportit si dhe trajtimin me dinjitet të sportistëve dhe sakrificës së madhe të bërë prej tyre e familjeve të tyre, ndoshta drejtuesit e organizmave sportive këtu në Shqipëri do të ndëgjegjësoheshin që nuk kanë monopol mbi shpirtin sportiv shqiptar dhe si ata ashtu edhe qeveria shqiptare që buxhetin e sportit duket se po e harxhon vetëm për futbollin, do të detyroheshin të bënin një ndryshim rrënjësor në përqasjen e tyre ndaj sportit dhe riformulimin e politikave shtetërore në këtë drejtim.

Ndërkohë duke kapërcyer kufijt e temave sportive: kush duhet të kujdeset për debatet që shkojnë në linjë me temën e kombformimit? Në nivel individësh e grupesh që përgjithësisht nuk bien në sy, sepse nuk janë nën dritën e mediave, ka mjaft përpjekje për t’u afruar e bërë realisht një. E kjo ndodh në çdo fushë të jetës. Njerëzit e thjeshtë në këtë aspekt janë shumë më përpara se drejtuesit e zgjedhur apo të pazgjedhur të tyre, shumë më përpara se analistët të cilët çdo ditë kanë platformën e duhur për të bërë çdo gjë e që nuk e bëjnë. Por përpjekjet e tyre nuk mediatizohen mjaftueshëm ose edhe nëse kjo ndodh, ndodh atëherë kur ata që bëjnë përpjekjen kanë miqësi me gazetarët dhe gazetarët e bëjnë për hir të miqësisë mbulimin mediatik. Sigurisht që këtu janë për t’u përmendur edhe rastet kur për mbulimin mediatik kërkohen tarifa të majme reklame. Kjo është në linjë me kombformimin? Në këtë këndvështrim, një propozim konkret për mediat e gazetarët si burimi njerëzor që i mban ato në këmbë do të ishte: përse nuk bëni edhe ju një akt konkret në axhendën e mundshme të kombformimit, si për shembull të krijoni një organizatë të përbashkët përtej kufijve për të mbrojtur veten tuaj dhe gazetarinë shqiptare nga pushtetet autoritare që na drejtojnë? Për të mbrojtur e edukuar brezat e rinj mbi cilësinë e të shkruarit e përdorimin e gjuhës shqipe në shkrime e diskutime mediatike që aktualisht e dini edhe ju vetë mirë se në ç’nivel është? Kështu do të jepnit edhe ju shembull konkret ndërtues organizmash mbarëkombëtare që mund të jetë në linjë me një axhendë kombformimi shqiptar. E meqë këto ditë po flitet për një takim në Nish të kryeministrit të Shqipërisë me homologun serb, të ushtrohet trysni me opinionet tuaja që në këtë takim kryeministri të mos guxojë të bëjë marrëveshje në emër të Kosovës apo që ndikojnë direkt e indirekt mbarëvajtjen e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, kur ai është nuk është i zgjedhur prej shtetasve të saj.

Po në këtë këndvështrim, edhe një propozim konkret për opinionistët më të rinj, të gjithë që si adoleshentë apo edhe më të rinj se kaq kemi përjetuar afrimin me Kosovën që nga koha e luftës pas mesit të viteve ’90 e deri më sot: Shfrenojeni fantazinë, të dashur bashkëmoshatarë. Ju jeni të përgatitur më së miri dhe jeni rritur më shumë me frymën e të përbashkëtës mbikufitare sesa brezi paraardhës që njeh ndasinë, kufijtë dhe mungesën e informacionit e për këtë arsye edhe krijimin e stereotipeve të gabuar në mendje. Shkruani më shumë në platforma elektronike, jepini peshë mendimeve tuaja të formuara me frymë perëndimore, dhe shtroni ato tema të kombformimit që të rriturit një Zot e di pse nuk guxojnë t’i shtrojnë e trajtojnë në mënyrë të plotë e pa komplekse.

Gusht 2016

  • Redaksia e Diellit e falenderon autoren Lindita Komani qe e ndau kete shkrim me lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: jemi ne vërtet?, Lindita Komani, Sa KUQEZI

ENIGMA E GJALLË FAIK KONICA

August 20, 2016 by dgreca

 

1 faik Konica

Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/

Fletore koniciane nr. 22./

Nga Fotaq Andrea/

Enigmat koniciane janë mbushulli. Nisin me vitin e tij të lindjes dhe përfundojnë me testamentin. Shpesh, vetë ai jep të dhëna biografike që herë-herë përplasen dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën, siç ishte vetë jeta e tij, plot stuhi e stihi, me një vepër të drejtpërdrejtë, por edhe alegorike e ironike. Dhe gjithnjë me të panjohurat e veta. Enigmë e gjallë, Faik Konica është sa kompleks e i ndërlikuar, aq edhe poliglot e poliedrik, klasik e modern njëherësh. E jetoi kohën e vet me intensitet, por edhe e tejkaloi atë. Është nga të rrallët rilindës modernë shqiptarë me intelektualitet e europianitet të epërm.

Rinia e tij, me diapazon të gjerë hapësiror (Konicë-Shkodër-Kostandinopojë-Francë-Belgjikë-Angli-Amerikë), dhe falë studimesh të thelluara, si themel njohurish për eruditin e ardhshëm, me shpërthim ndjenjash të dashurisë së parë e të kulluar, kur do piqej e burrërohej para kohe, me harbim e haralisje luadheve të artit e të kulturës botërore, me etje e mbietje për të renë dhe modernen, kjo rini e tij, detyrimisht do njihte labirintet e veta, duke çuar nga e papritura në të papritur, por gjithnjë drejt një thesari të ri konician.

Tek njohu që herët gjendje atipike e jo statike dhe i detyruar të marrë në dorë fatet e jetës që në moshën njëzetvjeçare, tek ndoqi me dinamizëm koniunkturat socio-politike në periudhën e fundit të perandorisë osmane, ai diti, mbi gjithçka, me nuhatje të rrallë, të projektojë e themelojë kryeveprën e tij revistën “Albania”, po aq edhe kryevepër e Rilindjes shqiptare. I bëri kësisoj atdheut një shërbim patriotik të pavdekshëm, duke bërë në të radioskopinë e thellë të shoqërisë shqiptare në përgjumjen anadollake, duke i rrokur fuqimisht realitetet e ashpra dhe duke i goditur rreptë me pallë-penën e tij. Konicës, më mirë se kujtdo rilindësi tjetër, i përshtatet shprehja e popullit “ai ha bukë veç” në histori, sepse nuk përkëdhel me lajka e lulka patriotike, me ninulla romantike a emfatike.

Shumë studiues të sotëm të veprës së Konicës kanë ngulmuar në “të panjohurat” apo “dilemat” e tij – siç janë quajtur -, sidomos gjatë periudhës së rinisë, duke hedhur dritë në më tipiken, më të fuqishmen, më të bukurën dhe më patriotiken e përfaqësuar te figura e tij. Dhe as që do donim të depërtonim në jetën intime e private të Konicës djaloshar, kur bashkëkohës të tij, që u orvatën ta bënin, hëngrën drunë e merituar me shkëlqimin e penës koniciane. Veçse, kur Historia, të njeh statusin e nderuar të Rilindësit, kur objektiviteti dhe koha krijojnë distancën e nevojshme për gjykim të pjekur, pa pasion të drejtpërdrejtë, kur intimja dhe personalja, sidomos ndjenja e dashurisë dhe tiparet e karakterit, ndikojnë fuqimisht në veprën e shkruar, domosdo nuk mundet assesi të gjykojmë me rregullat e zakonshme të moralit, të tipit dualist “bardhë e zi”, “negativ a pozitiv” apo “mirë a keq”. Pale më keq, kur ndoca studiues të sotëm shkojnë gjer aty sa – tek e shkëpusin Konicën nga konteksti historik e polemik -, vazhdojnë t’i ngjisin lloj-lloj epitetesh si “sherrxhi”, “anarkist”, “bohem”, “pijanec”, “donkishot”, “qejfli” etj., pikërisht atij fshikulluesi të shkëlqyer e “bon vivant” që ishte Faiku, “që të jepte drunë e që s’ia hante qeni shkopin”; shkojnë gjer aty sa e paragjykojnë figurën e tij për turpin e tyre, tek mbajnë ndër sy e majë koke veshoke kali e gomari, brumëzuar e bymyer siç janë me mbetje të ideologjisë së djeshme komuniste gjithë totalitarizëm të dhunshëm mendor dhe me të vetmen armë të të gjitha kohërave: shpifjen, sharjen, denigrimin, negativizmin dhe poshtërimin. Të shkretët ata, që duan të mbulojnë malin me pështyma! Sepse kush e njeh mirë, në thellësi, veprën gjigande të atij gjeniu të paarritshëm, e kupton se me thesarin që la, Faik Konica na shfaqet mbi gjithçka si Njeriu-Epokë, njeriu vizionar, simbol i shqiptarit që evoluon fuqimisht në botëkuptim, ndryshon dhe përparon përherë me kohën. Shumëpërmasor e novator në të gjitha fushat e mendimit dhe të Letrave, por mbi të gjitha, ideator dhe themelues kryesor i shqipes letrare, kur edhe sot, nesër e pasnesër do vazhdohet të flitet gjuha e pastër shqipe standarde për të cilën ai luftoi, për t’u marrë vesh përherë gegu me toskun, “për të folur shqip e qartë”, Konica është dhe mbetet mendja e shkathët super e paarritshme, që zbukuron e fisnikëron shpirtin shqiptar, me të vetmin qëllim të madh final në jetën e tij: modernen shqiptare, evropianizimin shqiptar. Sepse me të drejtë Noli theksonte që më 1922 në Parlamentin shqiptar : “Korrim drithën që ka mbjellë Faiku. Faiku ka punuar më tepër e më përpara se të gjithë ne. Kur të tjerët rrinin, Faiku në Londër e në Bruksel punonte. Kur të tjerët hanin bukën e Baba Dovletit, Faiku shkruante, mundohej, shkonte bibliotekë më bibliotekë…” (J. Kastrati, “F. Konica-monografi”, Gjolekaj Publishing Campany, N.York, 1995, f.214). Por edhe ne, sot e mot korrim e do korrim drithën koniciane!

Po le të hyjnë drejt e në thelb të çështjes, në zbërthim të disa të panjohurave të djaloshit Konica që kanë qenë e janë në qendër spekulimesh, polemikash e kundërshtish, bazuar në të dhëna të reja që japin si dokumentet arkivore, ashtu edhe autorë bashkëkohorë, sidomos të huaj, që e kanë njohur nga afër rilindësin dhe vatranin virtuoz.

Pyetja e parë që shtrohet: në ç’vit ka lindur Faik Konica, më 1875 apo 1876? Vetë Konica, në të dhënat e tij biografike i jep të dy këto vite lindjeje të tij (shih biografi në vetën e tretë, Vepra, 1993, f. 8 dhe E. Dodona, viti i regjistrimit të Konicës në  Havard: 1876); madje ai shkon edhe më tej, kur jep si vit të lindjes “vitin 1877” në “New York Passenger list 1820-1957”, në të cilën emri i Faik Konicës figuron katër herë, dhe po katër herë figuron si vit lindjeje edhe viti 1877, konkretisht: kur ka udhëtuar për në Boston më 14 tetor 1909; kur është larguar nga New Brunswick më 21 dhjetor 1912 për në Liverpul (me emrin Frank Konitza – ka këtu një analogji me pseudonimin e tij Thrank); më pas, kur shfaqet me emrin “Saik Konitza”, 30 tetor 1928; dhe më në fund, me emrin e tij Faik Konitza, 29 janar 1929, tek shkon nga Anglia (Southampton) për në New York. Pra Faiku, sikur don që jo vetëm të zvogëlojë qëllimisht moshën në udhëtimet e tij Europë-Amerikë e vice-versa, por edhe të mos japë përherë emrin e saktë (sikur ruhet, tek ndjek parimin se në kohë turbullirash, duhet rënë sa më pak në sy!) Veçse, një gjë është më se e qartë: viti i saktë i lindjes së tij duhet të jetë viti 1875, kur ai vetë e jep më 1922 (në moshë të pjekur) në biografinë e pjesshme (Vepra, f. 5-10, 1993). Besojmë se dy vitet e tjera 1876 dhe 1877, janë shënuar si vit-lindje nga vetë Konica nisur ndoshta nga rrethana koniunkturale, për të zvogëluar moshën qoftë si student, qoftë si pasagjer. Nga ana tjetër, nuk mendojmë se viti i tij i lindjes 1875, të jetë vit “artificial” regjistrimi në regjistrat osmanë (në është sigurisht i regjistruar?!) për të zmadhuar qëllimisht moshën e fëmijës nga prindërit me qëllim shmangieje të shërbimit të ardhshëm ushtarak, siç ndodhte rëndom në shoqërinë shqiptare të perandorisë osmane.

Pyetje tjetër që shtrohet herë-herë : a ka qenë i martuar Faik Konica? Në fletoret tona koniciane, bazuar në hulumtime arkivore, jemi përpjekur të japim një përgjigje sa më objektive, duke theksuar se nuk kemi rënë gjer më sot në ndonjë dokument gjendjeje civile që të vërtetojë se Faik Konica ka qenë i martuar (i kurorëzuar apo celebruar) dhe se, për mendimin tonë, ai vetëm sa ka bashkëjetuar një pas një me dy mikeshat e tij të zemrës: fillimisht, me francezen Sophie Joséphine Annette Hugon, gjatë viteve 1894-1899 (Dizhon-Paris-Bruksel), me të cilën ai pati edhe një djalë – Henrik Lohengrin beg Konitza Schischgo, lindur 1897, në bazë të dokumentit arkivor që disponojmë dhe letrës së vetë Henrikut dërguar Fan Nolit (janar 1922, të cilën e kemi bërë tashmë publike); më pas, ka bashkëjetuar me një mikeshë tjetër, Antonia … (?), me kombësi gjermane nga Eks-la-Shapela, në vitet 1902-1908, gjatë qëndrimit në Londër, me të cilën ai duhet të jetë njohur në muajt e fundit të qëndrimit në Bruksel (F.A. “Fletore koniciane nr.3” dhe I. Shema, “Veprimtaria e F. Konicës në Bruksel”). Përderisa nuk duhet të ketë qenë i martuar zyrtarisht, por ndoshta i vetëshpallur si i tillë mes miqsh, e mbase edhe administrativisht, domosdo që nuk ka qenë i detyruar të bëjë divorc, tek e shihte veten të lirë në çdo kohë për shkëputje nga bashkëjetesa, ashtu sikurse do të ndodhte në të vërtetë kur u detyrua të largohej përfundimisht nga Brukseli për t’u vendosur në Londër së bashku me mikeshën belgo-gjermane Antonian. Megjithatë, bashkëjetesa e tij disa vjet si me mikeshën e parë Sofinë, ashtu dhe me mikeshën e dytë, flet mbi të gjitha për seriozitetin e marrëdhënieve personale të Faikut djaloshar, i lidhur me to me një ndjenjë të pastër dashurie, aq sa në pamje të parë ai jepte vërtet përshtypjen si i martuar. Dhe fakti është se vetë Faiku i ka përjetuar keq të dyja shkëputjet nga miket e zemrës. Për lidhjet “familjare” me Sofinë (e cila iu largua më 1899 për t’u martuar me një piktor belg), ai bën aluzion te vepra “Mbi Edukimin” (1898), kur e pranon tërthorazi se ka djalë tek shprehet: “… nga përvoja ime personale, fëmija…”  dhe më pas: “… grindjet mes çiftit bëhen shkak për keq rritje dhe për keq edukim të foshnjës së lindur…”. Po prapë, në letrën e 23 nëntorit 1905 drejtuar Apolinerit, pyetjes së drejtpërdrejtë të këtij të fundit: “A jeni baba?” (pasi përmend emrin e Gaspër Jakovës, i cili, siç dihet, e sulmoi Konicën dhunshëm në jetën personale, ashtu si më pas edhe Ali Këlcyra), Faiku i përgjigjet tërthorazi, duke e devijuar pyetjen në aktualitetin që po përjetonte, pa përmendur aspak të shkuarën: “Përshtypja juaj, i përgjigjet Konica poetit frëng, është për fat të keq e gabuar. Antonia dhe unë do të dëshironim një fëmijë; por ndoshta duke dashur për njëfarë kohe të kundërtën, po ndodh të mos arrijmë të kemi tani atë që dëshirojmë. Nuk e di nëse do të qëndrojmë ende gjatë në Chingford”. Ja një përgjigje që flet shumë, me fjalë të pakta e të matura, kur Konica në çdo rast di ta peshojë e kontrollojë fjalën me kandar farmacisti, për të mos u hapur kurrsesi në çështje personale delikate (muret kanë veshë!), qoftë edhe mes miqsh të besuar si Apolineri, duke ditur po ashtu fare mirë se “e vërteta” e hidhur dhe pa dorashka shfrytëzohet nga keqdashës dhe shndërrohet në arrogante, arbitrare, naive, vrastare e asgjësuese shpirtërisht, tek e humbet kuptimin e saj si “e vërtetë relative”, sidomos kur kemi të bëjmë me ndjenja të holla e figura të larta.

Nga ana tjetër, në të dyja rastet kur shkëputet nga mikeshat (shkak me sa duket bëhen sherret, por dhe vështirësitë ekonomike), gjendja e tij e rënduar shpirtërore shfaqet drejtpërdrejt apo tërthorazi në veprën e shkruar: i shkëputur nga Sofia, në shkurt-mars 1899, ai boton tek “Albania” shkrimin “Të drejtat e grave edhe mendimtari Shopenhauer”, tek e nis shkrimin me një citim: “Gruas, me sa duket, i erdhi koha”. Po ashtu, boton në mënyrë tepër domethënëse vjershën “Fitova moj zëmbër”, tek shkruan: “Fitova, fitova, fitova, fitova moj zëmbër / Ah mos derth lot, ah mos derth lot / Nga zgjedhë e dashurisë shpëtova sot. / I flaktë i verbër gjer sot un’i gjori / E desha djallushen lumi mënt më mori… Tani është thyer zinxhiri i mërzitshëmë / Që më mbante të lidhur porsi skllav të frikshëmë”. Kujtojmë gjithashtu, se edhe Apolinerit, ai i ka hapur zemrën në një letër që i shkruante për vuajtjen nga “sëmundja” e dashurisë dhe se aluzioni i lidhjes së tij me bashkëjetesë nuk mungon as tek vepra “Dr. Gjilpëra”, ku flet për dy ish të dashurat e Dr. Gjilpërës, Vera dhe Ingrida, që personifikojnë në fakt Sofinë dhe Antonian.

Po ashtu, edhe shkëputjen nga e dashura Antonia ai e përjeton shumë keq, tek përkthen në atë kohë nga Niçja me pseudonimin “Pesimisti” (“Albania”, shkurt-mars 1909), si dhe rubrikën “Mendime të zgjedhura për gratë” (gusht 1908), ku përkthen nga filozofi Montenj: “Kam njohur qindra gra të cilat mund t’i bëje më lehtë të kafshojin hekur të ckuqur se sa të hiqnin dorë nga një mendim që i kishin zënë në zemërim e sipër”. Apo: “S’ka gra fare të shëmtuara, as fare të bukura”. Apo më tej: “Mvrojtësia e të dashurave të mërzit, po e vërteta është se lehtësia dhe dobësia e tyre të mërzitin edhe më tepër”. Në gjendjen e tij të trazuar shpirtërore, para se të merrte një vendim të prerë për të shkuar përfundimisht në Amerikë, duket sikur ai kërkon përherë ngushëllim në penën e tij dhe tek filozofët e tij të parapëlqyer, sa herë bëhet fjalë për gratë dhe temperamentin e tyre. Në fakt, në atë fazë të fundit të qëndrimit të tij në Londër, ndërrimi i banesës nga periferia brenda në qytet, për një hyrje me qira më të vogël, hermetizmi gjithnjë e më i madh i tij që e bënte gati-gati “të pakapshëm”, si dhe përmendja rrallë e më rrallë e Antonias në korrespondencën që vazhdon të mbajë me Apolinerin, dëshmojnë për ndryshime të mëdha që priten të ndodhin në jetën e tij, me përfundimin e misionit të revistës “Albania”. Më 1908-9 – i ndodhur kësisoj në udhëkryq për të marrë një vendim, i zhgënjyer e frustruar siç ishte për tërë atë punë kolosale që kishte bërë, i përballur – pa u epur – me intriga, thashetheme e  mosmirënjohje nga mjaft bashkëkombës, i sulmuar egër për libertinazh e anarkizëm nga kundërshtarë të tipit “gasparina” a “çaushina” siç i quan ai, (kujtojmë edhe logon e tij kuptimplote me dhjetë gjarpërinj të “Ex Libris”: “Flasin keq e do vazhdojnë të më përgojojnë, por mua aq më bën”) -, dilema e tij për të qëndruar në Europë apo për të shkuar në Amerikë, fillon e merr zgjidhje tek vendos përfundimisht të zgjedhë “profesionalen” si redaktor i ardhshëm i “Diellit” dhe “patriotiken” si kauzë fisnike rilindëse para “personales, karrierës dhe jetës private”, tek i jep fund kësisoj edhe bashkëjetesës së tij me të dashurën Antonia. Sigurisht, çdo largim është një zgjidhje, dhe çdo zgjidhje bëhet me dhembje, për më tepër për enigmatikun Konica, që ruan me fanatizëm, në thellësi të shpirtit, gjithçka që i ndodh në jetën private, pa ia hapur zemrën kurrkujt, por duke i besuar veç penës së tij të tërthortë për shtjellat e shpirtit me “ironitë e fatit në jetë”. “Fati im në punëra të Shqipërisë, shkruante Konica në mars 1909 krejt i vetëdijshëm, duket se qenka të vë përpara mendime të cilat më bëjnë mijëra kundërshtarë, në mos armiq” (“Albania” numri i fundit).

A është konvertuar në katolik Faik Konica gjatë qëndrimit të tij në Francë? Megjithëse edhe këtu nuk mungojnë shkrimet objektive e serioze për këtë çështje, përsëri vazhdojnë spekulimet në mediat, thirrjet për konvertim e kthim në fe të të parëve “nën shembullin e Faikut” dhe në emër të “patriotikes” a “përparimtares”, kur çështja e fesë, dhe sidomos fanatizmi fetar me ekstremizmat e veta janë shndërruar sot në thembrën e Akilit të shoqërisë së përparuar dhe të shpirtërores së shenjtë të besimtarëve. Me të drejtë analisti M. Nano vë në dukje se nuk është zbuluar gjer më sot ndonjë dokument që të vërtetojë konvertimin e Konicës në katolik (gjë që edhe mund të ketë ndodhur!), dhe se emri “Dominik” me të cilin ai firmos disa letra shfaqet më shumë si një pseudonim më tepër i tij se sa si emër që të vërtetojë katolicizmin e tij. Në Fletore koniciane nr. 3, “Konica, dilemat, mëkati”, ne, nga ana jonë, jemi përpjekur të paraqesim gjendjen e rëndë shpirtërore të Faikut djaloshar 19-20 vjeç, kur befas, në kulmin e mbarimit me sukses të maturës (çmimi i parë në Rhetorikë) dhe si bashëlor në Letrat klasike, mëson se e dashura e tij Sofia ka mbetur shtatzënë. Ta shihte veten aq shpejt baba i ri në moshë, tek ëndërronte t’i hapeshin krejt dyert e jetës e të vazhdonte studimet në Universitetin e Ienës “për t’u vënë pesë a gjashtë vjet nën drejtimin e Ernst Haeckel-it”, filozofit gjerman, siç i shkruante Konica në atë kohë Apolinerit, kjo për të ishte një goditje e fuqishme psikologjike që do ta sëmurte keq. Dhe në tërë atë përpëlitje shpirtërore, ai kërkon – me sa duket – udhën e shpëtimit në vetëdënim, për të larë “mëkatin” duke dashur të mbyllet në katër muret e qelës e të bëhet murg në manastirin e famshëm “Grande Chartreuse” pranë Grënoblit. Ishte i bindur se shpëtimi shpirtëror gjendej në misticizëm e teologji. Por zhgënjimi në manastirin e lashtë, mes “murgjve-kamerierë”, do të ishte aq i madh për të, sa shpejt do ndërgjegjësohej për të fituar pozitat e ateizmit dhe të objektivitetit shkencor, me një ndjenjë të theksuar respekti për të gjitha llojet e fesë: “Gjatë kësaj periudhe misticizmi, i shkruan Konica Apolinerit, fitova njohurinë e teologjisë, një mrekulli e mendimit njerëzor, në gjininë e vet, pa qenë vetë gjini e mrekullueshme”.

Sikurse ndodh shpesh me pseudonimet e shumta të Konicës, që kanë në thelb diçka simbolike, me konotacion historik a rrethanor për kohën që jetoi, pseudonimi “Dominik” nuk shfaqet krejt i rastësishëm nën penën e tij, pikërisht në atë periudhë kur do çelte “Albania-n” e do lidhej me patriotin Nikolla Naço dhe shqiptarët e Rumanisë. Në fakt, duke studiuar teologjinë dhe shenjtorët e mëdhenj, ai duhet të jetë joshur nga shumësia e shenjtorëve dominikanë të njohur si nga kisha katolike, ashtu dhe nga ajo ortodokse, e më tej edhe nga bashkësia anglikane. Pra, të tre kishat kanë Shën Dominikët e tyre dhe më i njohuri ndër ta është vetë themeluesi i dominikanëve Shën Dominiku i Guzmanit i shekullit XII. Nga ana tjetër, ky shenjt, që kur ishte student në universitetin e Palencias, shiti tërë librat e tij dhe fali tërë pasurinë në kohën e urisë në Kastijë për t’u shkuar në ndihmë të varfërve. A nuk bëri po këtë gjë edhe Konica për shqiptarët e uritur për dije, në bazë të dëshmisë së Apolinerit, që sakrifikoi kamjen e vet për të blerë shtypshkronjën më të mirë për revistën “Albania”? Sepse vetë ai e thotë: “Nuk mjafton që një libër të jetë i mirë, duhet të jetë edhe i shtypur bukur; me një fjalë, të jetë i dobishëm për mendjen, i pëlqyeshëm për syrin, “utile dulci”, siç thotë vjershëtori romak”. Fakti është se, në bazë të studimit që kemi bërë për artin tipografik përdorur tek revista “Albania”, Konica ka përdorur këtu mbi dymbëdhjetë lloj germash platini, nga më të bukurat e të pazakontat për kohën dhe mbi pesëdhjetë simbole tipografike nga bota e faunës dhe florës që shkojnë nga shenja e kalli-grurit dhe e lulediellit, te shenja e dallëndyshes, dragoit dhe e shqiponjës, pa harruar okeliot e tij të famshme me shqiponja, me lule-shëngjergji për nder të Skënderbeut, apo tre pemët e mollës “Albania”, etj. okelio këto të rralla e kuptimplote, porositur te artistë me emër si Paul Nocquet e Alfred Bastien. Më në fund, lidhur me dominikanët, ishte po ai Shën Dominiku i Guzmanit që u përball me lëvizjen kathare dhe me herezinë albizhuaze, ku binte në sy bogumilizmi si pararendës i lëvizjes kathare në të cilën bënte pjesë edhe kisha shqiptare e shekujve 12-13 “Ecclesia Albanensis” (shfaqet po në këtë kohë edhe kapela e famshme mesjetare “albanua” që do të mbahet mbi krye nga stradiotët shqiptarë të gardës skënderbejane dhe më pas nga mbretërit e Francës Henri II dhe Henri IV), kur dihet që djepi i bogumilizmit në Mesjetë ishte pikërisht Ballkani në zonën e Maqedonisë së dikurshme.

Me një fjalë, emri Dominik përfaqësonte diçka të veçantë tek Konica, aq sa ai e bëri edhe një ndër personazhet kryesorë e simpatikë të romanit “Sotiri e Mitka”, personazh plot virtyte dhe cilësi morale e shpirtërore, si një shqiptar i përparuar i kohës.

Enigmë tjetër koniciane që shfaqet herë-herë : çfarë ka ndodhur me Faik Konicën 19-20 vjeçar,  cilësuar si anarkist revolucionar? Vetë Konica në biografinë e tij të vitit 1922 shkruan për vetveten në vetën e tretë: “Po në Paris, Faiku u trazua në qarqet socialiste dhe kryengritëse, dhe u ndodh përpara dy zgjidhjeve të problemit social: zgjidhja fetare, e cila e sheh shpëtimin e botës në vëllazëri e durim; zgjidhja socialiste, e cila e sheh shpëtimin vetëm në kryengritje ose në kundërshtim të organizuar…. Faiku pëlqen zgjidhjen kryengritëse dhe disa muaj bashkëpunoi në disa gazeta ekstremiste të Parisit. Më i qetësuar pastaj, Faiku, kur iu hoq mendja, erdhi në përfundimin që socializma mund të vlerësohet vetëm me një zhvillim të ngadalshëm… Dhe mënyra më e mirë që të shpejtojë dita është [që] çdo popull të përpiqet të çlirohet, të qytetërohet, të përparojë për hesap të tij… Me këtë mënyrë Faiku lidhte logjikisht socializmën me patriotizmën” (Faik Konica, Vepra, f. 9 – nënvizimet tona, F.A.). Çuditërisht, “aventurën” e tij anarko-revolucionare të Parisit, në kapërcyell të viteve 1895-1896, Konica nuk e përmend aspak në parashtrimin e biografisë së tij të pjesshme në shkrimin “Tërbimi i Zaptieve” (“Albania”, qershor 1902, nr 5), ndonëse flet me detaje për studimet në Francë, tek ndalet posaçërisht në studimet filologjike në Paris (1895), për të mësuar “mot-mot sanskritishten edhe hindustanishten në “Collège de France”, [ku] edhe nisa hebraishten me mikun tim Z. Louis Benloew”. Pas këtyre pohimeve të tij, në mënyrë  të përmbledhur, Konica ndalet pasandaj në fillimet e “Albania-s”.

Në fakt, lypset të nënvizojmë këtu se në dy biografitë e mësipërme që jep Faiku, shfaqet një dualitet i dukshëm: nga njëra anë Faiku që kërkon qëllimisht të vërë në dukje më 1922 qëndrimin e tij “revolucionar” (por jo “anarko-revolucionar” siç cilësoheshin më 1895 përkrahësit e lëvizjes anarkiste si një rrymë e filozofisë politike të shekullit XIX); dhe nga ana tjetër, Faiku që e fshin krejt që më 1902 këtë pozicion “anarko-revolucionar” të tij. Të njëjtin qëndrim dualist ai mban edhe në dy raste të tjera: më 1897, ai shkruan konkretisht e filozofikisht bukur në shqip e frëngjisht përzier: “Shqiptarët nukë do të jenë zotërit kurë të bëjnë gjëkafshë, në mos dalçin nga udhë e gomarisë… Il faut des moyens violents, le salut est dans la révolution, … il faut des journaux, des comités et de la propagande révolutionnaire.” [Duhen mjete të ashpra, shpëtimi është në revolucion… duhen gazeta, komitete dhe propagandë revolucionare] (Vepra 4, f. 22-23). Po ashtu, i shkruan I. Temos në mars 1898, po me terma shqip e frëngjisht: “Në je Zo-të “révolutionnaire”, unë jam ca më tepër: rojta në Paris tre viet nat’e ditë me njerëz “révolutionnaires” dhe di si bëhet një “révolution”. Me fjalë dhe lëvdata s’ngrihet dot një popull, duhet më parë të kuptonjë secilido ç’është komp, ç’është liri, ç’është anadrsi… Zo-të, ti thua të punojmë për autonominë; ne themi të punojmë “pour développer le sentiment nacional des Albanais” [të punojmë për zhvillimin e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve]” (po aty, f. 50-51). Veçse, ja ku na shfaqet edhe një Faik “tjetër”, dhe tepër pallë-rëndë, kur duan ta denigrojnë me të shkuarën e tij “revolucionare”: “Thotë [Gaspër Jakova], se unë në Bryksel kam pasur të bëj me pakryetarë, do me thënë me arnaçistë, a, si thotë Gaspari… me anarkikë (Ki-ki-kiu! Ki-ki-kiu!) Ah, ç’zuzarë, ç’vagabondë jeni ju!… Ju kam vënë prush në shalë, ju kam përvëluar kurrizin! Sot jam vllah, dje grek, javën e shkuar konservator i tërbuar, këtë javë “anarkik”” (Vepra 3, f.139).  Më në fund, sipas një raporti të policisë belge (shtator 1901), një zonjë pasanike – Macay Rodhna Forbes – denoncon Faik Konicën si “anarkist revolucionar”, se kishte qenë “redaktor i një gazete po ashtu anarkiste me titullin “Le Scandale” (I. Shema, “Veprimtaria e Faik Konicës në Bruksel”, Vepra 5, F. Konica, f. 335).

Si cituam sa më sipër të vetmet raste ku vetë Konica përmend periudhën e tij “revolucionare” në krejt shkrimet e botuara (katër raste gjithsej nga ai vetë), le të ndalemi konkretisht se ç’përfqëson konkretisht kjo periudhë në jetën e tij, sa domethënëse është dhe sa ndikuese ka qenë në botëkuptimin e tij socio-politik e filozofik.

Së pari, më 1922, kur Konica thekson të shkuarën e tij revolucionare në moshë të re, duhet pasur parasysh se revolucioni dhe socializmi ishin që pas Luftës së parë botërore në qendër të vëmendjes jo vetëm në Europë e në botë, por edhe në Shqipëri, ku Noli dhe Gurakuqi, tek përfaqësonin opozitën apo krahun e majtë demokrat e progresist në parlamentin shqiptar, mbanin fjalime me peshë në luftën për demokraci e përparim shoqëror. Pra Konica, sikur don t’i mëshojë qëllimisht kësaj ane biografike të tij, duke u paraqitur “si me përvojë” në lëmin e revolucionit. Për mendimin tonë, në këtë çështje (por edhe në çështje të tjera, sidomos politike!), ai në të vërtetë shfaqet koninktural, praktik e pragmatik, duke iu përshtatur ngjarjeve në zhvillim e sipër dhe duke mos mbetur asnjëherë pas me kohën.

Së dyti, në kërkim dhe në gjetje të vetvetes (“devenir soi”, siç thotë shprehja frënge), “mëkati” rinor i dashurisë – në atë fazë të parë të jetës madhore të Konicës në fund të shek. XIX -, e çoi atë nga teologjia, si rrugë shpëtimi shpirtëror, në ateizëm e filozofi, dhe nga anarkizmi-revolucionar si filozofi drejt e në Letrat dhe filologji, e deri tek vetë “Albania” (1896). Le të shpjegohemi: “aventura” koniciane anarko-revolucionare ishte faktikisht në modë për rininë e kohës së tij, dhe kryekëput në përshtatje me frymën e kohës që ushtronte ndikim të fuqishëm tek inteligjencia evropiane, konkretisht te ajo parisiane, kur anarkizmi, si rrymë dhe filozofi politike e shekullit XIX përfshinte një tërësi teorish e praktikash anti-autoritare dhe për barazi shoqërore. Në atë kohë, të ishe anarkist, do të thoshte të ishe libertar, i çlirët, pa komplekse. Dhe më tej, të ishe edhe një dandy revolucionar, për një shoqëri pa sundim e pa shfrytëzim, mbështetur mbi solidaritetin shoqëror. Veçse anarkizmi, në kuptimin negativ të fjalës dhe për borgjezinë e kohës, ishte edhe sinonim i anomisë, simbol i çrregullit shoqëror, i dhunës e i propagandës në veprim, që sjell turbullirë të rendit publik. Këtë dallim të madh djaloshi Konica e bënte për bukuri, tek njihte veprën e Prudonit si themelues i anarkizmit, si dhe sistemin e tij të kontradiktave ekonomike. Andaj dhe në tog-emrin “anarkizëm-revolucionar” ai përmend në mënyrë të njëanshme dhe tepër rrallë vetëm termin “revolucionar” dhe asnjëherë “anarkizëm”. Përse? Thjesht sepse Konica gjithë jetën e tij, dhe që në rininë e hershme, ka qenë absolutisht kundër dhunës (individuale e kolektive), kundër terrorit, atentateve, asasinatëve (janë të shumta shkrimet e tij te “Albania” në këtë drejtim). Por ama ishte, për një kryengritje popullore të organizuar, me frymë të gjerë patriotike, çlirimtare dhe emancipuese.

Së treti, më 1895-1896, ndonëse vetë Konica shprehet në biografinë e tij se “Faiku u trazua në qarqet socialiste dhe kryengritëse” dhe se “disa muaj bashkëpunoi në disa gazeta ekstremiste të Parisit”, duhet vënë në dukje që grupimet dhe grupëzimet anarkiste numëroheshin në Paris e Francë me mijëra dhe gazetat anarko-revolucionare me dhjetra-qindra, tek lindnin dhe vdisnin pa jetë të gjatë, për më tepër që duke filluar nga viti 1894, në Paris kishte një rënie drastike të lëvizjes anarkiste dhe një riorganizm të saj me sindikata (punëtore a proletare). E megjithatë, një dëshmi e re për këtë periudhë koniciane na vjen së fundmi nën penën e simbolistit të shquar amerikan Stuart Merril, për të cilin kemi folur tashmë në Fletore Konicane nr.15. Ky poet, që shkruante drejtpërdrejt në frëngjisht si Konica, me penë po aq të talentuar sa dhe shqiptari tjetër simbolist Jani (Jean) Morea, në korrespondencën e tij me shkrimtarin Edmond Pilon, përmend Faik Konicën gjatë kohës kur kishte shkuar në Bruksel më 1896. Dhe konkretisht, ai shkruan: “Një post-scriptum të thjeshtë për t’ju vënë në dijeni për praninë në Bruksel të … Tepelenit; e kini parasysh, miku i Chatel-it. Është Verhaeren që më futi në binarë tek po më fliste për një princ shqiptar si i njohuri i tij, drejtues në Bruksel i një gazete xhonturke. Mendova se ky lajm do t’ju interesonte. Mësoni gjithashtu me kënaqësi se jini i njohur e i dashur edhe nga miqtë tanë belgë. José Hennebicq më foli gjatë për ju, ashtu si edhe Verhaeren”. (sipas Clement Pieyre, “Dhjetë letra të Stuart Merill, poetit simbolist e anarkist”, NAF – departamenti i dorëshkrimeve, Biblioteka Kombëtare e Francës). Në shënimin nr. 54 të botimit të këtyre letrave, lidhur me pseudonimin “Tepeleni” shpjegohet se është fjala për “Faik Konicën (1875-1942), që ishte në Bruksel i aktivizuar nën këtë pseudonim”.

Ja ku kemi këtu një dëshmi të shkurtër, por tepër, tepër të vyer, për Konicën tonë djaloshar të njohur në qarqet e larta letrare dhe intelektuale të Parisit e Brukselit që në vitet 1895-1896. Përmenden në këtë epistolar emra shumë të njohur të Letrave si shkrimtari belg flamand Emil Verhaeren, i përafërt me simbolistët e anarkistët në rininë e tij, ashtu sikurse edhe shkencëtari Elisée Reclus, gjeografi i famshëm libertar, komunard, militant dhe teoricien i anarkizmit, mik i Konicës dhe botues i “Hartës së parë të Shqipërisë etnike” në gjuhën shqipe (1900).  Por mbi të gjitha, bie këtu në sy emri i militantit anarkist Charles Chatel, si njeri i letrave (1868-1897) dhe si mik e shok i Konicës, i cili kishte filluar të botonte që më 1893 në revistat “Revue Anarchiste” dhe “La revue libertaire” e sidomos në të përditshmen parisiane “La renaissance” (dhjetor 1895-korrik 1896), ku me siguri duhet të ketë shkruar edhe Konica me pseudonimin “Tepeleni”. I implikuar në procesin e “të tridhjetëve” (gusht 1894) së bashku me Sebastien Faure e Félix Fénéon, propagandistë e gazetarë të njohur anarkistë me famë ndërkombëtare, ai do të shpallet “i pafajshëm për mungesë provash” dhe do të lidhet (më 1895) me djaloshin dendy Konica apo “princin e ri”,  “snobin romantik të sërës së lartë fisnike shqiptaro-ballkanike” siç e mbanin. Por Chatel, miku i ngushtë i Konicës do të vdiste në Paris shumë i ri nga turbekulozi, ndërkohë që vetë Konica do të shkonte në Bruksel, ku do lidhej me qarqet e larta intelektuale të kryeqytetit belg, me miq të rinj si filologun Henri Bourgeois dhe skluptorin Paul Nocquet. (Në parantezë, meqë sot guxojnë e trimërohen për të na e nxjerrë Konicën si “Don Kishot që luftonte me mullinjtë e erës” – kur, për fat të keq, nuk e kanë haberin me kë kanë të bëjnë! – ja ku po u themi “trimoshëve antikonicianë të pas pilafit” se djaloshi Faik stërvitej rregullisht e seriozisht në sportin e skermës, ku ka “thyer dhjetëra shpata me Nocquet-in” e aventurës aeronaute, siç i shkruan Apolinerit, duke u përgatitur kështu për duele të rrezikshme që ishin tepër në modë, me qëllim që të mbronte dhe të vinte në vend nderin e tij – Nderi mbi gjithçka! -, duele këto, që siç dëshmon Historia, kishin marrë aq shumë jetë njerëzish të shquar në tërë kohërat).

Në fakt, “aventura” djaloshare koniciane me frymëzim anarko-revolucionar pason drejtpërdrejt, do thoshim, “aventurën murgëtore” të Faikut në përplasjet e “tallazeve të tij shpirtërore”, për të “harruar” njëfarësoj telashet dhe realitetin personal që përjetonte; dhe veç lidhjeve të ngushta intelektuale që krijon me njerëz të shquar të Parisit, veç frymëzimeve të hovshme revolucionare në kuptimin bazik të fjalës si “risi” – dhe jo thjesht në kuptimin politik -, e gjithë kjo “aventurë” i jep atij mundësinë të njohë nga afër qëndrimet konservatore të borgjezisë së kohës, si dhe të nxjerrë mësime të përjetshme kundër dhunës e terrorit. Por mbi të gjitha, kjo përvojë tepër e pasur i jep Konicës mundësinë të njohë parimin e auto-veprimit dhe të vet-administrimit (si parim bazë i anarkizmit-revolucionar), lirinë për të botuar ai vetë gazetën e tij, dhe jo gazetë dosido, por “Albania-n” me jetëgjatësi 13-vjeçare. Dhe do jetë vetë “Albania” dhe vetëm “Albania” që do ta qetësojë, do ta shtrojë, do ta pjekë, do ta burrërojë atë gjeni që dinte mbi gjithçka t’i thoshte vetes Shqiptar! Dhe Shqiptar jo dosido!

Së katërti, krahas aktivitetit të ethshëm anarko-revolucionar, Konica, gjatë gjithë vitit 1895, duket sikur kërkon të qetësojë disi mendjen e nxehtë rinore, përvëluese e të përflakur, edhe me studime tepër të thelluara filologjike, tek rrëmonte gjithçka për Shqipërinë e shqiptarët bibliotekave të Parisit dhe tek ndiqte ethshëm kurse si dëgjues i lirë në Akademinë franceze (Collège de France) ku ligjëronin profesorë e akademistë me emër. Pikërisht në këtë kohë, krahas shokëve dhe miqve të rinj parisianë, ai lidhet ngushtë edhe me “pleqtë” intelektualë të njohur të Parisit, si gjuhëtarin dhe eruditin Louis Benloew (mik i ngushtë i De Redas) dhe orientalistin Léon Cahun, që njihnin nga afër Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Duket sikur urtësia e “pleqve” akademistë ishte bërë posaçërisht për qetimin e mendjes të djaloshit Konica, i cili do të ndiqte këshillën e urtë të tyre që të linte “mënjanë” filozofinë me harbimet rinore dhe t’i hynte Letrave dhe gjuhësisë për të cilat kishte prirje të veçanta tek zotëronte tanimë gjuhët bazë të lashta (greqisht, latinisht, persisht, sanskritisht, hindustanisht, hebraisht etj.) përfshirë këtu edhe shqipen që e njihte në thellësi si Kristoforidhi, në toskërisht e gegërisht bashkë, si rrallë shqiptarë të kohës, dhe duke shtuar edhe një duzinë gjuhësh të tjera moderne, gjithsej rreth gjashtëmbëdhjetë gjuhë të huaja njohur prej tij. Ishte në këtë fushë i paparë e i paarritshëm, gjë që e vërtetoi jo vetëm me përkthime të drejtpërdrejta, me studime themeltare për shqipen letrare, por edhe me studimin kryevepër në frëngjisht “Ese për gjuhët natyrore dhe gjuhët artificiale”.

Së pesti, siç kemi vënë në dukje, Faik Konica nuk e ndau asnjëherë nga emri i tij titullin fisnikëror “beg”, “bej”, “be”, dhe ishte i vetëdijshëm për përkatësinë e tij klasore nga derë e madhe me tradita të lashta e të larta patriotike, aq sa këtë titull e ruajti nga fillimi gjer në fund tek “Albania”. E jo vetëm kaq, por e ruajti titullin ‘beg” edhe në pseudonimet e veta: “Trank Spiro Beg” apo “Thrank Siproberg”,  (Trank nga Frank a Frang – L. Cahun), deri edhe te emri që i vuri të birit në pranverë 1897: Henrik Lohengrin Beg Konitza Schischgo. Vetë numri i parë i “Albania-s” hapet pikërisht me pseudonimin Trank Spiro Beg dhe po ashtu, shumë letra të tij mbajnë këtë titull, për të cilin Konica ndjehej me të drejtë krenar si një ofiq i së shkuarës fisnikërore të familjes së tij. Konica, as më shumë e as më pak, përfaqësonte në vetvete, në mënyrën më të hapur e të pastër, të djathtën e moderuar shqiptare, me synime të larta për progres e emancipim të shoqërisë shqiptare.

Nga ana tjetër, në vitet ’20-30, kur “socializma” dhe “komunizma” filluan të jenë në modë, kur u shfaq në skenën botërore një “e majtë” që konsiderohej ideologjikisht si shpresë e ardhme e shoqërisë “së lulëzuar” dhe pa antagonizma, por që do vinte duke e ashpërsuar egër tonin klasor me “luftën e klasave”, kur shumë intelektualë të shquar evropiane ishin deri edhe anëtarë të partive komuniste, shohim Faik Konicën të mos e përdorë më ofiqin “beg”, dhe tërë shkrimet e tij tek “Dielli” e deri në vdekje të tij nuk do ta kenë më termin “beg”, term që e kishte bërë tanimë punën e vet fisnike!

Më në fund, enigmë e rrallë koniciane, mbetur “jetime”: a la apo nuk la testament Faik Konica? A ishte vërtet i trilluar “testamenti” i tij? Apo ka në të një bazë të fuqishme besueshmërie? S’ka pse pra, të kufizohemi këtu thjesht dhe vetëm në amanetin që ai i la me gojë Nolit si amanet i fundit i tij për t’iu prehur eshtrat në mëmëdhe.

Tekefundit, është thënë, ç’është thënë, me dyshime, pohime e mohime – dhe prof. Nasho Jorgaqi ka kontributin e vet në këtë drejtim – le të paraqesim konkretisht në termat e veta testamentin e plotë konician, ashtu si na ka ardhur gjer në ditët tona dorë pas dore, pa redaktim dhe siç e bëri për herë të parë publike prof. N. Jorgaqi : ” I shumëndrituri Noli, Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë dhe ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet”.

Ky testament është përfolur shumë si jo i vërtetë. Veçse një gjë të bën menjëherë përshtypje në këtë mes: përderisa Konica ka lënë me gojë një amanet tek Noli, përse të mos ketë lënë po me gojë, a makar edhe me shkrim, këtë testament tek një person tjetër i dytë dhe tepër fort i besuar? Faktikisht, në testamentin e mësipërm, përmenden dy persona konkretë si më të besuarit e Konicës: Fan Noli dhe Lamja i Vogël. Por… (të mos harrojmë!) edhe çdokush tjetër që i thotë vetes shqiptar dhe që di e respekton një amanet e sidomos një amanet konician! Kjo është me shumë rëndësi për të ruajtur e trashëguar një amanet e testament si gjënë më të vyer. Veçse, për fat të keq – dhe tepër për fat të keq -, ky testament hidhet poshtë me të vetmin argument se ç’punë ka Lamja i Vogël (Sejfulla Malëshova) në këtë mes. Madje ç’punë ka edhe familja e motrës së Sejfulla Malëshovës që na paska pretenduar se ka pasur dhe ka ruajtur origjinalin e këtij testamenti! Në fakt, si gjithmonë, lepuri fle gjetiu dhe Lamja ka punë, dhe shumë në këtë mes! Konica enigmatiku, hermetiku, aritmetiku, përherë ka ditur ç’të thotë e ç’të bëjë, për më tepër kur është fjala për të lënë një amanet e testament me qartësinë e gjeniut. A nuk ishte Konica ai që në korrik 1937 shkruante tek “Dielli” në rubrikën “Të vëna re” për Naim Frashërin duke theksur: “Të prurët e eshtrave të Naim Frashërit në Shqipëri është një çap i duhur dhe i hiëshëm. Nuk është vetëm një drejtësi për shqiptarin e vdekur; është edhe një mësim për shqiptarët e gjallë: se nderimi për shërbime të shkuara stërvit dhe lartëson shpirtin”. Pra Konica e dinte fare mirë ç’do të thotë simbolika më e fuqishme e Jetës: Të të prehen kockat në dheun mëmë e atë!

Por, le të parashtrojmë një pyetje paraprake: pse Sejfulla Malëshova mbante nofkën “Lamja i vogël” dhe kush ia ngjiti këtë nofkë? Fakti është se më 1922, Sefjulla Malëshova ishte 22 vjeç dhe “u punësua” si sekretar i Fan Nolit 40 vjeçar, kur ky mbante postin e Ministrit të jashtëm në kabinetin e Xhafer Ypit. Dhe fakti është po ashtu se më 1924, Sejfulla Malëshova do të bëhej sekretar i përgjithshëm i qeverisë së kryesuar nga Noli. Pra logjikisht, duhet të jetë Noli në këtë mes ai që e ka mbiquajtur me përkëdheli Malëshovën përmetar “Lamja i Vogël”. Themi këtu “përmetar” sepse në këtë mesele testamentare janë pleksur edhe përmetarë të Amerikës e Shqipërisë.

Veçse, ja ku, më 1922, djali i Faik Konicës, Henriku, do martohej dhe, me këtë rast, do vihej atëherë në kërkim të t’et, humbur që prej njëzet vjetësh, duke i dërguar letër të posaçme Ministrit të jashtëm të Shqipërisë: Fan Nolit. Dhe detyrimisht letra kalon në duart edhe të Fan Nolit, edhe të Sejfulla Malëshovës, të cilët vihen befas, që të dy, përpara një të Papriture të Madhe: Konica ka djalë, dhe të padeklaruar në opinion! Lypsej atëherë që të çështja të kalonte doemos nën rrogoz e të mbahej e fshehtë. Sidomos në atë kohë kur Konica kishte arritur kulmet e personalitetit të tij të madh si patriot e rilindës i flaktë, si drejtues i Vatrës famëmadhe aq aktive në atë kohë vrulli demokratik.

Edhe pse e kemi botuar letrën e Henrik Konicës që ndodhet në AQSH me nr. rendor F.14, V. D.110, fl. 3. (Fletore koniciane nr.1), përsëri, e shohim të arsyeshme ta ribotojmë këtu për rëndësinë madhore që ka në zbulimin e enigmës më të fundit koniciane: Testamenti i tij.

Saint-Claude, më 16/1 – 1922

Zoti Ministër,

Ju drejtohem juve plot siguri, për të më dërguar, falë dashamirësisë suaj, disa të dhëna lidhur me anëtarë të familjes sime.A mund të më thoni nëse Zoti Faik bey Konitza është kthyer në Shqipëri?

Lindur Shqiptar, pasi u largua prej vendit të tij tek s’duronte regjimin turk, ai kreu studimet në Paris dhe i përfundoi në Bruksel (Belgjikë) ku, që andej botonte më 1901 një Revistë letrare titulluar “Revista Shqipëria”, që kishte për qëllim mbrojtjen e kombit shqiptar. Politikan i guximshëm, ai ishte me emër në Belgjikë.

Në ju jap tërë këto hollësi, kjo, për të vetmin qëllim që t’ju lehtësojë ndjekjen e gjurmëve të tij, apo ato të vëllezërve dhe motrës së tij. Kishte një vëlla që ishte konsull në Shqipëri [Turqi – gabim në origjinal –F.A.] më 1901, nëse nuk gaboj.

Pra, Zoti Ministër, ju lutem të kini dashamirësinë e madhe për të më dhënë, në është e mundur, adresën e Zotit Faik Bey Konitza, ose në mungesë të kësaj, atë të familjes së tij.

Por do të isha shumë i lumtur të kisha të dhëna më të zgjeruara lidhur me personin e parë, të cilit do doja t’i përcillja lajme të domosdoshme (nënvizuar në dorëshkrim).

Në pritje me padurim dhe me shpresë të një përgjigjeje të favorshme, dhe me falënderimet e mija të çiltra, pranoni Zoti Ministër, sigurinë e konsideratës sime të veçantë.

Firma :  Henrik bey Konitza

Henrik bey Konitza, Café des Sports

Saint-Claude- Jura.

Pas kësaj letre, ipso facto, ngjarjet do rridhnin me shpejtësi. Konica vihet në dijeni, organizohet, të themi, “fshehtësia” zyrtare dhe Faiku ia beson këtë mision dy njerëzve më të besuar të tij, pikërisht Nolit dhe Lames së Vogël, të cilët ishin të parët që u ndodhën në zotërimin e një dokumenti sa “komprometues” për Faikun zyrtar (me “fëmijë të jashtëligjshëm”, siç do thoshin – kur ai, në fakt, e kishte pagëzuar vetë të birin!), aq edhe “konfidencial” e “intim” për Faikun njeri! Konica, në të vërtetë, nuk e priste një gjë të tillë, sepse në vetvete “i kishte vënë kryq” kësaj ane personale familjare, kur Sofia e kishte braktisur atë bashkë me fëmijën motak. Veçse Faiku do ngazëllehet në kulm. Dhe jo vetëm kaq, por do t’i kërkojë Lames së Vogël që edhe ta njohë nga afër e të vihet në kontakt me Henrikun, birin dhe mishin e tij. Dhe kështu do të ndodhte, kur më 1925, Sejfulla Malëshova emigron në Francë ku, sipas të gjitha gjasave, duhet të ketë marrë kontakt me Henrikun dhe duhet t’i ketë çuar lajme qetësuese e të ngrohta edhe Faik Konicës për të birin. Nga ana tjetër, do të ndodhte që Sejfullai, për të dytën herë do të shkonte përsëri në Francë (Grënoblë dhe Paris në vitet 1939-1943) me mision nga Kominterni. Në Grënoble – pikërisht aty ku e kishte pasur dikur qendrën Faiku dhe po aty pranë ku ndodhej edhe vetë Henriku.

Duke pasur parasysh tërë këto rrethana, hamendësojmë se qëkurse Faiku u vu në dijeni të pranisë së djalit të tij, madhuar e burrëruar, shpirti i tij nis e trazohet, tallazohet, ngazëllohet. Dhe me siguri, enigmatiku Konica do dijë të shfrytëzojë edhe kanale të fshehta për t’u lidhur e mbajtur lidhje të herëpashershme me të birin në vitet 30-40. Jo, ai s’mund të mohonte kurrë gjakun e vet, pikërisht ai Konicë që aq shumë i donte të rinjtë, botën dhe botëkuptimin e tyre. A nuk ishte Konica ai që u lidh, mbajti afër dhe u kujdes për piktorin djaloshar Theohar Gjinin? Apo më vonë, fotografin po prapë djaloshar Gjon Mili, të cilin e këshilloi edhe të mos e ndryshonte emrin Gjon? Dhe po ashtu, ai ishte përkujdesur atërisht edhe për dhjetëra shqiptarë të tjerë të rinj që i priste në Bruksel e i përcillte gjer në Ostende për në Amerikë tek kishin nisur të emigronin në masë.

Në bazë të dokumenteve arkivorë, Henriku na rezulton të ketë pasur edhe një gjysmë motër nga nëna më 1911, (Jeanne Joséphine Catherine Arschoot) e cila do të ndërronte jetë në maj 2007. Kurse Henriku do martohej më 1922 me Marthe Suzanne Sieg nga Montbeliard, emri i së cilës çuditërisht na del në Amerikë me zanatin piktore në vitet 50. Gjurmët e vetë Henrikut përfundojnë ndoshta në takimin e fundit që mund të ketë pasur me Sejfullain. Ose pasandaj Sejfullai mund të ketë mësuar ndoshta ndonjë hata, ndonjë lajm makabër që mund t’i ketë ndodhur Henrikut më 1942, pikërisht atëherë kur qëndresa franceze (partizane), sidomos në departamentet qendrore të vendit ishte e rreptë ndaj hordhive naziste që kishin pushtuar Francën. Dhe pikërisht atëherë kur edhe Konica lë testamentin e tij për dy vetë: për Nolin dhe Lamen! Dhe më në fund, pikërisht atëherë kur Konica krejt papritur ndërron jetë me sytë nga Lamja në Paris! Nga Lamja që i ishte shndërruar në bir të dytë!…

Misteri mbetet i thellë!… Ndoshta i varrosur përfundimisht me besën dhe betimin që bën shqiptari i vërtetë për të ruajtur deri në fund një sekret të shenjtë… Të atij sekreti konician të njohur nga Noli e Sejfullai përmendur në testament, amaneti i të cilit do të vihej në vend vetëm në vitet e para të demokracisë.

Në përfundim, duke dashur të përcjellim një mesazh, do thoshim se mendjet e cekëta dhe të mbrapshta, që s’kanë vajtur një herë në arkiva e biblioteka të huaja, por turren me donkishotizëm për të sharë Konicën duke spekuluar me gjoja të dhëna “lart e poshtë”,  këto mendje, të cilave u ka mbetur sahati në vitet ’80, nuk kanë për ta njohur kurrë dhe kurrsesi Faik Fisnik Konicën, pararendësin e Shqipërisë moderne.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: ENIGMA E GJALLË, Faik Konica, Fotaq Andrea

BEAU JOE BIDEN, GUXIM, PREMTIM E NDERIM AMERIKAN

August 17, 2016 by dgreca

2 bajden familja

Nga Ramiz LUSHAJ*/

   1.Beau Biden i përngjante shumë babait të tij në gene jete e në hapa udhe, aq sa ata të cilët e kishin njohur nga afër si dhe ata që ia kishin dëgjuar famën prej nga larg, e shihnin dhe e prisnin si një “Joe Biden i ri”. Kaherit, qyshce në korrik 2003, e pohonte një fakt të tillë Shannon Canton tek gazeta “Delaware Today”. Presidenti Amerikan Barak Obama, në maj 2015, e cilësonte “Beau Biden, njësoj sikur baba i vet, njeri i mirë, zemërgjerë, katolik i devotshëm, me besim të madh fetar”, që i kreu të njëjtat shkolla si i ati, iu përkushtua veprimtarisë publike si i ati, etj.

Beau Biden ishte e mbetet një realitet i mirë amerikan, një profil i lartë i politikanit, juristit e ushtarakut bashkëkohor amerikan, një udhëtar i përjetshëm i idealeve amerikane, një ëndërr e madhe amerikane.

Erin McPike, në nji shkrim më 9 nëntor 2012, e cilësonte Beau Biden: “një tjetër yll Biden në ngjitje në Partinë Demokratike” i cili “po shkëlqen në politikën kombëtare”.

Ai, Beau Biden, ndonëse ndrroi jetë 445 ditë ma herët, nuk është një meteor politik, por ende mbetet një yll në horizont të kohërave, ende vjen drejt nesh i nderuar, i paharruar, guximtar, qëndrestar, shembëlltarë.

2.Vjet 18 dhjetori ishte e premte, por Nënpresidenti Amerikan Joe Biden e bani pushim. Si gjithmonë në këto 43 vitet e fundit. Kjo datë, kjo ditë, i kujton tragjedinë e parë ma të madhe në jetën e tij. Ishte 18 dhjetori 1972. Gruaja e tij 30 vjeçare, Neilia Hunter Biden me tre fëmijët e saj, po shkonin për të marrë në treg dhurata e shumçka tjetër për Krishtlindje. Rrugës pësuan aksident të randë. Fatal. Vdes nana e re Biden me vajzën e saj të vogël, Naomi mbi një vjeçare, ndërsa dy djemtë e saj, Beau Biden – rreth 4 vjeç e Hunter Biden rreth 3 vjeç morën plagë të randa.

Në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në fundgushtin 2008, në Denver – Kolorado, kur u shpall Joe Biden Nënpresident i Amerikës, ishte aty dhe 39 vjeçari demokrat Beau Biden – një nga përfaqësuesit premtues të brezit të dytë të politikanëve të Amerikës, Prokuror i Përgjithshëm në Delaware, një nga ushtarakët rezervë vullnetarë për të shkuar atë vit në Irak. Ai, Beau Biden, në atë Konventë, foli për aksidentin familjar tragjik të vitit 1972, për humbjen e nanës e të motres së tij, foli për virtytet e vlerat e larta të babës së tij, Joe Biden, si një prind i rrallë, i përkushtuar, njerëzor e gjithçka tjetër ndaj fëmijëve të tij në rritje jetimë, foli për humanizmin e “nanës së dytë” të tyre (prej vitit 1997) dr. Jill Jacobs Biden, Zonja e Dytë e Amerikës. Gazetari John M. Broder, në një shkrim në “The New York Times” të gushtit 2008 theksonte se fjala e Beau Biden i përloti shumicën e delegatëve në sallën e Konventës të Demokratëve.

Joe Biden, i nominuar për Nënpresident i Amerikës, ky njeri i dimensioneve të mëdha amerikane e simbol i vlerave të larta amerikane, foli aq mirë në Konventën e gushtit 2008 sa që delegatët mbetën shpeshtas me duartrokitje e brohoritje, salla e madhe dukej e përflakun. Ai iu drejtua djalit të tij të madh, politikan në rritje i kohës amerikane: “Beau, të dua. Jam shumë krenar me Ty. Jam krenar me Ty për burrërinë që ke brenda teje. Jam shumë krenar me Ty, je baba i përkryer!” Ai iu drejtua familjes së tij të mbetur e zonjës së tij të madhe, akademikes, Jill Jacobs Biden:  “Jam po aq krenar edhe me birin tim, Hunter, dhe me bijën time, Ashley’n. Dhe me gruan time Jill, e vetmja që më lë edhe pa frymë edhe pa fjalë në të njëjtën kohë”. Ai foli dhe për dy prindërit e tij, babën Joseph Robinette Biden, Sr. (1915-2002) dhe nanen e tij, Catherine “Jean” Eugenia Biden (1917-2010): “Babai im kishte një shprehje. Ai thoshte: Një baba e di që ka pasur sukses, kur e kthen kokën prapa, dhe e sheh të birin e të bijën e tij dhe e di se ata ia kanë dalë në jetë më mirë se ai. Jam një sukses…Do të doja që ta kisha babain këtu, por ai s’është më me ne. Por jam mirënjohës që nëna ime, Catherine Eugenia Finnegan, është këtu me mua. Të dua nënë”.

Kur Joe Biden doli për të dytën herë Nënpresident i Amerikës, në Konventën Kombëtare të Demokratëve, në Charlotte të Karolinës së Veriut, në atë fillim shtatori 2012, ishte aty delegat dhe djali i tij i madh, Beau Biden, 44 vjeçar, i cili kësi herit mbante dhe statusin e lartë “Veteran i Luftës”. Ai, në atë Konventë, me një fjalë të pazakontë foli për Amerikën e idealeve e shanseve të mëdha, për babain e tij të jashtëzakonshëm, për Presidentin Barak Obama në mandatin e dytë dhe me misione presidenciale të traditës e të reja. Ai, si major i luftës e paqes në Irak, i dha vlerësimet e tij për vizitën e papritur dhe nderuese të babës së tij, Joe Biden – Nënpresident i Amerikës, me 4 korrik 2009, në kampin e atyshëm amerikan “Victory”. “The Huffington Post” e 6 shtatorit 2012 e botoi të plotë fjalën në atë Konventë të politikanit me të ardhme, Beau Biden, e cila përmbyllej me thanien nderim madhor: ”Babai im, Heroi im, Joe Biden !”

3.E cekëm në kryerradhë se, Beau Biden, sikurse i ati i tij, Joe Biden, i ndoqi Archmere Academy të Universitetit të Pensilvanisë dhe Syracuse University College of Law në New York. Emrat e të dyve, babë e bir, janë të skalitur publikisht e përhershëm në historinë e këtyre shkollave.

E, nuk kishte si të ndodhte ndryshe për të mos ecur në gjurmët e tij, pasi i ati, senatori Joe Biden, e merrte shpesh me vehte në udhëtime e veprimtari të ndryshme në Delaware e shtete të tjera të Amerikës, qyshce kur Beau Biden ishte mbi 4 vjeç.

Çdo prind e don fëmijën e vet, por Joe Biden e shihte me plot besim djalin e tij të madh, Beau Biden, se ai do të ecte shpejt, larg e lart në karierën e tij politike, juridike e ushtarake.

Beau Biden në moshën 25 vjeçare filloi detyrën e gjyqtarit në qytetin Concord në New Hampshire të Amerikës, në vitet 1994-’95. David Brooks teksa shkruan tek “The Telegraph” i Amerikës, citon fjalët e gjyqtarit të njohur  Steven Mcaliffe : “Ai ishte djalë i veçantë, e donin të gjithë pa përjashtim, me të vërtetë. Edhe ata që nuk pajtoheshin me të, nuk mund ta urrenin atë”.

Beau Biden, më 1995-2004, punoi në Departamentin e Drejtësisë të SHBA në Filadelfia, fillimisht si këshilltar i Zyrës të Politikave të Zhvillimit dhe më pas si prokuror federal në Zyrën e atyshme të Prokurorit të SHBA.

Gjatë kësaj kohe, Beau Biden, shkoi nga Filadelfia e Amerikës në Europë, në Kosovën euro-atlantike të pasluftës, si këshilltar i lartë ligjor i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ku shërbeu me dinjitet e efektivitet, la gjurmë e mbeti emër i nderuar.

Beau Biden në vitin 2004 ishte një partner dalëzotas në studiot ligjore të njohura  “Bifferato”, “Gentilotti”, “Biden & Balick”, derisa u zgjodh në detyrën e lartë të Prokurorit të Përgjithshëm të Delaware.

Kjo përvojë e gjatë në Filadelfia i shërbeu atij gjatë gjithë jetës së shkurtër e me kontribute të mëdha.

Gjithnji, i ati, senatori Joe Biden, e shihte djalin e tij – Beau Biden, si dhe zonja akademike Jill Biden e shihte nipin e vet – Beau Biden,  si guxim amerikan, si premtim amerikan.

4.Beau Biden ishte një ushtarak i mirë, në rezervë, i përkushtuar, i guximit, i aksionit, i sakrificës.

Në vitin 2003 ai iu bashkua Gradës Kombëtare në Delaware. Ai e shihte se që të jesh një politikan i aftë në udhën e tij për të ardhmen amerikane duhej medoemos të ishte dhe një jurist i zoti, të mësonte për historinë amerikane. kontinetale e atë globale, por dhe të çmohej si një ushtarak i mirë.

Ndaj shkoi për rreth dy vite në front, në Irak nga tetori 2008 deri nga fundi i vitit 2009, ndonëse ishte djali i madh i Joe Biden, Nënpresidentit të Amerikës, ndonëse kishte angazhime të mëdha politike, juridike e civile në Delaware, duke lanë gruan e tij të re, zonjen e nderuar e të përkushtuar Hallie Olivere Biden (2002-2015) në Delaware të përkujdesej e vetme si nanë e çmuar për dy fëmijët e tyre të vegjël Natalie – katër  vjeç dhe Hunter Biden II – dy vjeç.

Majori e juristi i njohur Beau Biden shërbeu në Brigadën Signal 261. Ai dha atje në Irak dhe me fjalimet e tij në Konventën e Demokratëve Amerikanë, në disa veprimtari në SHBA, një shembull frymëzues për Amerikën, për të gjithë ata që shkonin në Irak. Ai ishte guxim e premtim amerikan. Një shemull i mirë i traditës ushtarake amerikane.

Pjesmarrja e major Beau Biden nga fronti i Irakut në Betimin e të atit, Joe Biden si Nënpresident i SHBA më 2009, ishte një nderim amerikan për babë e bir, për kontributet e atributet e tyre të larta.

Beau Biden, për kontributet e tij në Irak mori vlerësime të larta meritore.

U nderua nga vendi i tij, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Medaljen Ylli i Bronxtë për merita e arritje heroike në shërbimin e tij në Irak.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes në SHBA i dha majorit Beau Biden dekoratën “Legjioni i Meritës” për arritje të randësishme dhe sjellje meritore gjatë veprimtarisë ushtarake në Irak.

Shefi i Shtabit të ushtrisë së SHBA, gjeneral Raymond  Thomas “Ray”  Odierno, pjesmarrës në Luftën e Gjirit Persik e në Irak, duke e dorëzue dekoratën “Legjioni i Meritës” deklaroi botnisht se “Beau Biden zotëronte tiparet që i dëshmojnë vetëm liderët e mëdhenj”.

5.Beau Biden (Joseph Robinette “Beau” Biden III) “si jurist me përvojë të begatshme dhe i përgaditur gjithanshëm, kishte shprehur dëshirën për të shërbyer në Kosovën e pasluftës, ende pa u shpallur Pavarësia e saj.

Ai qëndroi mbi një vit në harkun kohor 2001-’02.

Kësokohe, pas studimeve në Hollandë, shkoi në Kosovë për disa vite dhe i riu jurist e poltikan, Lulzim Basha, kryetari demokrat i Opozitës së sotme Parlamentare, i cili shërbeu në detyrën Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara, Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut, Këshilltar Special për Tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut drejt një Ministrie të Drejtësisë të Kosovës dhe është “Qytetar Nderi” i Prishtinës, i Mitrovicës e Deçanit.

Kryeministri aktual Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë (8 qershor 2016) dha vlerësime të larta për juristin e ri amerikan Beau Biden, duke theksuar se: “Ai shërbeu si këshilltar i lartë në OSBE, konkretisht u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, me ç’rast ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal në Kosovë”. Beau Biden, si jurist, ushtarak e politikan klas, si rrallëkush, ndonëse pati një jetë të shkurtër 46 vjeçare, kontribuoi në tri kontinente: në Amerikë, në Kosovë dhe në Irak.

Beau Biden është nderuar me dekoratën ma të lartë të shtetit Delaware, me dekoratën e kryqit për shërbime të veçanta, për kontributet e meritat e tij, për heroizmin e tij, për kryerjen e detyrave në lartësitë e kohës.

Beau Biden, më 4 nëntor 2015, u dekorua (pas vdekjes) me Çmimin e Lidershipit “Albert Schweitzer”, nderimi ma i lartë i dhanun nga Hugh O’Brian Youth Leadership (HOBY) për aftësitë e tij si lidership, “për shërbimet e tij për njerëzimin”.

Beau Biden edhe vdekjes i qëndroi si një hero i vërtetë në mbi dy vite të përballjes me sëmundjen e fshehtë, me kancerin në kokë. Ai ishte një hero i heshtur dhe mbetet i tillë. Si heroi të tyre e shihnin dhe vllai Henter Biden dhe motra e tij nga baba, Ashley Biden. E kanë pohuar dhe në masmedia një fakt të tillë. Si hero e ka vlerësuar shumkush që e ka njohur gjatë jetës së tij në gjallje, si kur kryente detyrat juridike në Amerikë, në Irak e në Kosovë, në gjithato raste, në vazhdimësi. Vdekja e parakohshme e Beau Biden ishte një tjetër tragjedi, e dyta, tejet e randë, fort e madhe, që e goditi Jo Biden dhe Familjen e Tij Biden dhe, njiherash, ishte një humbje e ndjeshme dhe për vet Amerikën pasi humbi nji nga njerëzit premtues të saj në fill shek. XXI, në politikën amerikane, për kohën amerikane.Kosova e ka nderuar Beau Biden duke i dhënë  emrin e tij rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj, në afri të Kampit amerikan paqeruajtës Bandsteel, çka është një nga vlerësimet meritore për veprën e tij në tre kontinente, dhe në Kosovë. Pjesmarrja në ceremoninë e 17 shkurtit 2016 të babës së tij, Joe Biden – Nënpresident i Amerikës, mik i madh i Shqiptarëve, i dr. Jill Biden – Zonja e Dytë e Amerikës dhe e familjes së nderuar e të çmuar Beau Biden – dy fëmijët e tij, Natalie e Hunter, është një nderim amerikan për Kosovën dhe për krejt Kombin Shqiptar

 6.Beau Biden ishte një investim amerikan genetik familjar e shtetëror ndër breza të kaluar e të tijët, një premtim amerikan në kohën amerikane e për brezat e rinj të Amerikës.

Ai pati një jetë të shkurtër, por emri e veprimtaria e tij do të jetojnë gjatë. Si histori. Si mirënjohje. Si frymëzim. Si kujtim. Si nderim.

Ai lindi e u rrit në një familje amerikane aristokrate, kombëtare, politike. Nga të dy krahët, nga linja e gjakut dhe e qumështit, prej kryehere, në shek. XVIII, janë anglo-sakson, të origjinës irlandeze, të cilët kanë ngritur dhe biznese, kanë ba karrierë në strukturat politike, ushtarke, ekonomike e shoqërore në disa shtete të Amerikës si Maryland, Pennsylvania, New York, Delaware, Filadelfia, e deri në Washington D.C. Historia e Biden-ëve është si vet Historia e Amerikës në shekujt e fundit.

Këta, Biden-ët, erdhën në Amerikë, Baltimore (MD), në shek. XVIII, aty nga viti 1790, me të parin e tyre shtetas amerikan, William Biden.

Në shek. XIX vijnë në vargni breznitë e tyne genetike: Joseph J. Biden, George T. Biden, Joseph H. Biden.

Në shek. XX: Joseph Robinette Biden Sr. (1915-2002), Joseph Robinette “Joe” Biden Jr. (1942, përndryshe: dy vite ma i madh se ish presidenti e ish kryeministri shqiptar, Sali Berisha) dhe Joseph Robinette “Beau” Biden III (1969-2015).

Në shek. XXI kemi dy fëmijët e Beau Biden: vajzën Natalie (Natalie Paige Biden) 12 vjeç dhe djalin Hunter ( Robert Hunter Biden II) 10 vjeç, të cilët janë shpresë e mirë në udhën amerikane lavdiplote të të atit (babait) dhe të gjyshit të tyre.

Aristokracia e Familjes të Madhe të Biden-ëve të Amerikës duket dhe tek emrat e tyre trashëgimtar. Emra fisnikësh. Dinastor. Joseph Robinette Biden Sr. (gjyshi i Beau Biden), Joseph Robinette “Joe” Biden (babai i Beau Biden) dhe Joseph Robinette “Beau” Biden III apo siç thirrej ndryshe “Joe i riu”, për nga pamja fizike, shkollimi, udha politike, etj.

Beau Biden ishte politikan amerikan i të ardhmes, për të ardhmen amerikane. E parandjenin të tillë të gjithë ata që e njihnin, kushdo që kishte nuhatje politike, gjithësecili që synonte lartësitë federale në politikën e lartë amerikane.

Sigurisht, të jesh Prokuror i Përgjithshëm i Delaware, i një shteti amerikan me 6.452 km2 e rreth 1 milionë banorë, nuk është pak, pasi dhe historia, kultura, ekonomia, turizmi, etj. e tij kishin një peshë e randësi të veçantë.

Beau Biden u lind më 3 shkurt 1969 në qytetin Wilmington, që është në afri të kryeqytetit Dover të të parit shtetit amerikan federal Delaware. Përndryshe, qyteti Wilmington, për nga sipërfaqja, është mbi dy herë ma i madh se territori etnik shqiptar që Kosova po don me ia dhanë Malit të Zi me Marrëveshjen e keqe të Demarkacionit.

Në kulminacionin elektoral të Zgjedhjeve Presidenciale Amerikane – 2008, kur senatorët Barak Obama dhe Joe Biden po ecnin drejt fiores së sigurtë, Beau Biden u konsiderua si kandidatura ma e mirë për të zënë vendin e të atit senator në shtatë mandate (1973-2009). Shkroi dhe gazeta prestigjioze “The New York Tajms” e gushtit 2008. Asokohe, Ted Kaufman doli senator i përkoshëm (16 janar 2009 – 15 nëntor 2010). Në tetor 2009 Beau Biden lëshoi një deklaratë për mundësi konkurimi si senator i SHBA në shtetin Delaware. Po Beau Biden u tërhoq, pasi iu kushtua çështjeve të drejtësisë dhe rikandidoi më 2010 për Prokuror i Përgjithshëm i Delaware dhe fitoi me 79.8 për qind të votave.

Beau Biden, Prokuror i Përgjithshëm i Delaware, dy vjet ma herët e kishte shfaqur objektivin e tij politik vizionar për të kandiduar në nëntor 2016 për guvernator i shtetit Delaware. E kjo ishte mjaft e randësishme, pasi Delaware ishte një nga 13 kolonitë e Revolucionit Amerikan, e për ma tepër, ishte shteti i parë që e ratifikoi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 7 dhjetor 1787. E, prej kësaj, qysh atëherit, Delaware e fitoi statusin e shtetit të parë të Amerikës.

Ai e kishte të sigurtë fitoren. E para, ishin kontributet e atributet e tij disa dekadore dhe në dy mandate (2007-janar-2015) Prokuror i përgjithshëm i Delaware. E dyta, aktualisht, shteti Delaware është bastion i fortë i demokratëve të Amerikës, si bashkia e Tropojës për demokratët e Shqipërisë. Aty, guvernatori Markell, në dy elektoriada mandatore ka fituar me dy e deri tre fishin e votave, si më 2012 me 69.1 për qind ndaj 28.6 për qind ndaj kandidatit republikan. Aty, kanë fituar senatorët demokratë Joe Biden, Tom Carper e Chris Coons, kongresmeni demokrat John Carney. Aty pritet të fitojë dhe kandidate demokrate për Presidente e Amerikës, Hillary Clinton, mike e madhe e shqiptarëve. E treta, komuniteti ma i madh në Delaware është ai i irlandezëve, etj.

Pra, sikur Beau Biden të ishte i gjallë fizikisht, ai pa mëdyshje, prej nëntorit 2016 do të ishte Guvernator i shtetit Delaware. Jo vetëm kaq. Përndryshe, ai do ia niste karierës së lartë politike kombëtare në legjislativ apo ekzekutiv nga Delaware , sikurse dhe  i ati, Joe Biden, që hyri në politikë nga senator  në senatin e shtetit Delaware (1972) dhe po në Delaware u zgjodh në shtatë mandate (1973-2009) senator i Senatit të Amerikës.

7.Prognoza politike parashihnin se në elektoriada të ardhshme (ndoshta) Beau Biden do të ishte një konkurent dhe rival dinjitar për postin lidership botëror të Presidentit të Amerikës. Ndoshta, do ia kalonte të atit, Joe Biden. E, kësisoj, familja e tyre politike, në brezni kariere politike, do t’iu përngjante dinastive politike amerikane Ruzvlet,…Bush, Clinton. Do të ishin Dinastia Biden.

Presidenti amerikan Barak Obama është shprehur me vlerësime të veçanta në maj 2015 për figurën e lartë të Beau Joe Biden, si njeri i mirë, i vërtetë, që bani gjithçka mundi për Amerikën kur të tjerë nuk arrijnë t’i bajnë as në 146 vjet.

Askush ma mirë nuk e ka portretizuar Beau Biden në udhën e tij politike, juridike, ushtarake, në gjallje të tij fizike, se sa Matt Miller, me shprehjen aksiometrike: “Qielli është kufiri i tij”.

I shquari jurist, ushtarak, politikan amerikan, Beau Joe Biden, mik i mirë i shqiptarëve, me kontribute në tre kontinente, ishte e mbetet investim, guxim, premtim e nderim amerikan, i kohës amerikane.

*Drejtor Ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike

Tiranë, 17 gusht 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: BEAU JOE BIDEN, E NDERIM AMERIKAN, GUXIM, PREMTIM, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • 354
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT