• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aktori Gjosho Vasia, simbol i vuajtjes, qytetarisë dhe humorit …

May 29, 2016 by dgreca

Komunistët më nxorën prej deret, e unë ju hina prap prej dritares…/

Një shkrim biografik për Gjosho Vasinë/

Nga Pjeter Logoreci-Vjene/

Edhe pse kaloj shumë kohë nga kontakti me familjen e Gjosho Vasisë, për të marrë informacione mbi jeten dhe aktivitetin e tij, për të shkruar këto rreshta biografike, u desht që të „mendohem mirë “. Përsonazhi im, burri i shumë talenteve Gjosho Vasia, përvec madhështisë shpirtërore dhe njerzore, ishte një Titan i humorit të kulturuar shkodran, por edhe atij të zgjedhur shqiptar. Vasia ishte një figurë përfaqësuese e shtresave qytetare e atdhetare që u përndoqën, përfaqësues i lobbyt të humoristëve të talentuar që dolën nga „jeta“. Sic do lexojmë më poshtë, diktatura komuniste, nuk e desht këtë njeri të madh, me vizion dhe u mundua të  ja cungojë gjymtyrët që në rini. Megjithatë, Gjosho-ja, shpesh “luante me zjarrin”, duke ironizuar linjën e kuqe të partisë apo imituar personazhet qesharake të makinerisë së diktaturës.

…me gjithë përndjekjen, arrita të bëj dicka, të jem dikush, e madje arrita të njihem prej të gjithë shqiptarve…. Komunistët njëmije herë më nxorën prej dere, por unë njëmijë herë u futa prej dritares…, ka shkruar humoristi shkodran Gjosho Vasia në kujtimet e jetës së tij.

Gjosho Vasia lindi, në qytetin e Shkodres me 28 tetor 1931, në një familje me tradita të larta atdhetarie e qytetarie. Babai Jaku dhe nëna Angje, patën tre femijë, ndër to dy djem dhe një vajzë.  Rruga Vasiej, ku lindi dhe u rrit artisti, kish marrë emrin e familjes së tij, shtëpia e së cilës ishte nder të parat të ndërtuara në rrugicën pranë katedrales së Shkodres. Krejt lagjja Serreq, pjesë e së cilës ishte dhe rruga Vasiej, ishte qëndra e familjeve qytetare, të cilat i përcollen vlera të papërsëritëshme kulturës shkodrane. Pasi mbaroj mësimet fillore dhe të mesme në shkollën e jezuiteve në Shkoder, në shtator të vitit 1949, duke parë nevojat e kohës për mësues, punësohet si arsimtar në zonat e thella të Mirditës.

Ndër kohë, një ngjarje e padëshëruar ndodhi në Shkoder, ku disa të rinj antikomunist protestuan ndaj veprimeve të policisë sekrete. Sigurimi filloj raprezaljet duke vrarë disa prej tyre. Shumë u burgosën, të tjerët arritën të arratiseshin e ndër to edhe i vëllau i Gjoshos, Lec Vasia.

Pas tre muajsh pune, ndër ditët që priste inspektorin nga seksioni i arsimit, me 23 nëntor 1949, në derën e klasës së mesuesit Gjosho Vasia, trokasin dy policë të cilët “Në emër të Popullit”e arrestojnë atë. Ashtu i lidhur me hekura, mbi një kamion të ngarkuar me gurë, dërgohet në internim në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë, ku fillon kalvari pesë vjecar i mundimeve, i atij që kish lindur artist.

…Tepelena më priti me “krahë-hapët”, kujton Gjosho Vasia. Tremijë të mjerë në atë kamp përqëndrimi, tremijë skelete të dhimbshëm që nxirrnin vaj e ofshama, krizma nofullash e hekurash, ….ndër to fëmijë të stërkeqtë që nuk njohën qumështin e nënës…, u bënë miqtë e mi. …Oh! Tela të hekurta, “burrni” komuniste, poshtërsi që të lindi e të rriti injoranca e kuqe, ti …mur rrethues i këtij kampi shfarosës, rrasë e këtij vorri të pamëshirshëm, perde e zezë e thurur në tezgjahun e djallit, kulshedër me jargë sllavizmi, gjarpër që helmon pafajsinë, …..qofsh mallkue përsa të jetojë padrejtëia në botë….

Por jo vetëm lotë, mundime dhe vdekje në kampin fatkeq të shfarosjes. Aty, Gjosho mundohej që me sharmin e humorin e tij të lindur, tu jepte ngjyra jetës së përditëshme të banorëve. Shpesh, spijunë, informatorë, policë, kapterrë apo personazhe të ndryshëm, bëheshin “frymëzim” i lojrave e humorit të tij. Aty edhe pse në mes vuajtjesh dhe i rrethuar me tela me gjëmba, ai arriti të gjejë dhe “gjysmën tjetër” të tijën, dashurinë e vërtetë, shoqen e jetës Berinën.

Berina, një vajzë fisnike që komunizmi ja mbylli rininë në kampin e Tepelenës, vinte nga familja tiranase me tradita e Kaceleve. Ajo rritej jetime, pasi babai i saj, tregtari Jonuz Osman Kaceli, u asgjësua në vitin 1951 së bashku me një grup intelektualesh të pafajshëm me akuzën e vendosjes së bombës në ambasadën sovjetike. Sipas familjarëve, nuk u vërtetua kurrë nëse Jonuzi u pushkatua, vdiq ndër tortura, u varros i gjallë, apo e hodhën nga dritarja e burgut.

Le të ndjekim përsëri linjën e zhvillimeve të jetës së personazhit tonë Gjosho Vasia, i cili pas 5 vitesh të egra, lirohet nga internimi dhe kthehet në Shkoder. Fillon pa shpresë të kërkojë punë, pasi nga statusi i tij “i internuar” i mbylleshin të gjitha dyert. Për arsye që të mos “kujtoheshin” për internimin, ai detyrohet të deklarojë se kishte qënë ushtar dhe arrin të fillojë punë në Ndërmarjen e Pasurive të Shtetit si ndihmës bojaxhi, ku lyente me gelqere muret e rrugicave të Shkodres.

Gjatë kësaj kohe, Gjosho mëson autodikakt instrumentin e kitarrës dhe fillon të jetë pjesë e ndonjë evenimenti kulturor në qytet. Paraqitet për të parën herë në një skenë të improvizuar amatorësh në qëndër të qytetit, natyrisht i panjohur, me kupletin Plak me Marak të autorit të famshëm Pjeter Gjini. Të mahnitur nga zëri i tij, Gjoshon, fillojnë ta ftojnë në mbremjet e argëtimit  që organizoheshin nga rinia në ndërmarrjet e ndryshme. Suksesi dhe fama e tij në qytet, u bë shkak që ai të humbasë punën si bojaxhi, pasi e njohën dhe e paditën si i internuar e si “element armik”.

Pas një periudhe të veshtirë, në vitin 1957, i propozojnë që të punojë në fermën Perlat Rexhepi në repartin e riparimit të arkave, por me kusht që të drejtojë dhe grupin amator të fermës.

Atë vit, Gjosho i përvishet punës me pasion për të krijuar dhe drejtuar grupin artistik të ndërmarrjes dhe paraqitet me sukses në festivalin e estradave, ku arrinë të fitojë cmimin e parë, të cilin e fiton edhe në vitin 1958-tën për të dytin vit radhazi.

Në vjeshtën e vitit 1958, artitsti ynë Gjosho Vasia, thirret ushtar dhe dërgohet në një repart pune në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Në repart, ai krijon një grup artistik duke aktivizuar dhe civile nga zonat për rreth e ndër to edhe këngëtaren e re Vace Zela. Në këtë periudhë, përvec se drejtues grupi, atij i duhet të shkruaj tekstet, të aktroje dhe të shoqërojë me kitarrë këngët e repertorit.

Pas viteve 1960, ai ishte shumë aktiv në skenë dhe arrin të bëhët një humorist i njohur dhe mjaft popullor. Bëhet mjeshtër i interpretimit të skeceve humoristike, i parodisë, prezantues i pashoq, por fillon të njihet dhe si bejtexhi duke i dhënë dasmave dhe festave familjare një kënaqësi të papërshkruar. Sic pohon ai vetë: ….vargun popullor shkodran (Bejten) pata fatin ta dëgjoj qysh fëmijë nga gaztori i madh Zef Hile Gega.  Vargu tetërrokësh, AB- AB ose rrima, u përdor shumë në Shkoder prej Osos së Falltores, Hilës së Files, Kasem Xhurrit, Tuk Vasisë e mikut tim Pjeter Gjinit….

Njihen duelet në bejtë të Gjoshos me talente të tjerë të humorit si Pjeter Gjinin, Mergim Muhjen, Muharrem Nurjen, Gjok Vatën, Njazi Burginë, Mark Kaftallin e me kushrinjtë e tij Simon e Kolec Pepa.

Duke shfletuar shënimet e Gjoshos, lexoj që në vitin 1962, punësohet si punëtor, në Fabrikën e Cingareve të Shkodres, ku i kërkohet të krijojë grupin artistik, i cili u bë shumë i njohur për humorin dhe lojën e mrekullueshme të aktorve. Aktorët Gjosho Vasia, Muharrem Nurja dhe Gëzim Kruja,  që ishin themeli i grupit, si dhe këngëtarët Fatmira Puka, Gjokë Vata, Tonin Tërshana, njiheshin në të gjithë republikën.

Në vitin 1967, Gjosho-ja krijon grupin shumë të njohur të Hidrocentralit të Vau Dejës me të cilin del në turne në të gjithë republiken. Bashkëpunon me aktorin brilant Zef Deda duke u bërë dyshja me simpatike e skenave të humorit shqiptar. Një vit më vonë, në 1968-tën, Gjosho dhe grupi i tij i hidrocentralit nderohet me Flamurin e Festivalit të Estradave të Ndërmarrjeve si dhe merr Medaljen e Artë në takimin e estradave profesioniste në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, Gjosho Vasia, arrin të shpalosë të gjithë talentin e tij të shumëanshëm. Ai ishte autor, rregjisor, poet, kompozitor,  parodist, prezantues, imitues. Ai lot në kitarrë,  por edhe imiton me goje vegla të ndryshme muzikore si dhe zëra përsonazhesh të ndryshëm. Në një aktivitet të dendur artistik, humoristi Gjosho Vasia dallohet për ironinë dhe realizimin me mjeshtri të figurave “problematike” për shoqërinë e kohës. Ai sjell në skenë, me një interpretimi brilant, një galerie rolesh si :…  të kopracit, dembelit, hajdutit, matrapazit, rrencakut, burokratit, mendjemadhit, punëtorit pararoje, fshatarit medioker…

 

Po ashtu është shumë aktiv së bashku me humoristin Zef Deda në TVSH, në programet e ndryshme, që nga ai i fëmijëve deri në formatet e mëdha  të vitit të ri që organizonte radiotelevizioni.

Në vitet 1970 – 74, kur arti dhe kultura pat një “fllad” të lehtë modernizimi dhe demokratizimi, Gjoshon e pranojnë si aktor profesionist në Estradën e Shkodres. Kjo ëndërr nuk i zgjatë shumë, pasi fillon fushata e “ashpërsimit të luftës së klasave” me pleniumet e radhës. Ai e kupton që duhet të largohet nga ky institucion që ishte nën kontrollin e rreptë të partisë dhe jep dorëheqjen, ….“që ma pranuan me gjithë qejf”, tregonte ai.

Aktori Gjosho Vasia, me personalitetin e talentin e tij të pashoq, u ndi mirë gjatë interpretimeve në skenën profesioniste, por duhet përmendë që përjetoj edhe momente të vështira nën trusninë e disa “kolegëve me parti” të cilët e sulmonin për “hijet në biografi”. Pat ndonjë aktor të “famshëm” të estradës, që për xhelozi profesionale apo servilizëm partiak të devotshëm, kërkonte viktimën te Gjosho Vasia.

…Une kam dy Gjosho mbrenda meje, i shprehej aktori miqve të afërt, …Gjoshon që flet, qesh e këndon, hin e del nëpër skena…e Gjoshon që hap gojën vesh më vesh, por ka zemrën që i kjan me lot gjakut…

Pas statusit të “profesionistit” në teatër, ai fillon punën në Uzinën e Telave në Shkoder me statusin e përditshëm “të punëtorit”. Në të vertetë, në organike figuronte si punëtor, por krijoj dhe drejtoj grupin artistik nga ku sfidoj me profesionalizëm shumë artistë të mëdhej të skenës. Ai arrinë të zërë vendin e tij të respektuar në plejaden e humoristëve më të permendur shqiptar, si dhe të fitojë respektin dhe miqësine e tyre. Aktorët të cilët e njohën atë nga afër si P. Preka, S. Sallaku, Z. Deda, F. Hasa, A. Prodani….etj. janë shprehur me superlativa për Gjosho Vasinë njeri dhe aktor.

Ndërsa në lagjen e tij, Gjoshon e mbajnë mend për kanconetat italiane që këndonte sidomos kur mblidhte miqtë për të pjekur rakinë. Komshitë cuditeshin me aftesitë e Gjoshos për të bërë të gjitha zanatet. Në rindërtimin e shtëpisë së tij, falë një fiziku prej sportisti, ai bëri hamallin, muratorin, karpentierin, marangozin, bojaxhinë e mekanikun. Gjosho njihet edhe si kompozitor i disa këngëve të muzikës së lehtë e për fëmijë të cilat shpesh i këndonte në mes miqve e shokëve. Ai është autori i këngës se njohur “Unë dhe Kombinoshet”, të cilën pasi nuk ja pranuan në festivalin e fëmijëve në Shkoder, fitoj cmimin e parë në festivalin kombëtar të pionierve në Tiranë.

Por Gjosho ishte dhe sportist i mirë. Ai garoj disa herë në garat e atletikës ne disiplinen “kërcim së larti”, duke pasë rezultate të shkëlqyeshme e duke marrë vendet e para. Në kampionatin rinor kombëtar të atletikës në vitin 1949, shpallet i dyti në kërcim së larti si dhe në  Spartakiaden e parë Kombëtare të vitit 1959 në Tiranë, ai shpallet kampion i kërcimit së larti. Falë këmbënguljes së B. Dizdarit e F. Bilalit, ai ishte aktiv edhe me ekipin e Vllaznisë, ku stervitej tre herë në javë në stadium  dhe njihej si kampion lokal i kërcimit së larti.

Në vitin 1990, kur filluan levizjevet për demokraci, Gjosho Vasia kërcënohet me burg nga një instruktor i partisë së Shkodres, pasi kishte “Llapen e Madhe” e bënte “agjitacion e propagandë”, “tallej” me partinë…. Në këto rrethana, ai vendosë gjënë më sublime, të arratiset prej atdheut.

Pasi shet cdo gjë që i perkiste trashëgimisë 300 vjecare të familjes Vasia, blen dy bileta avioni dhe fluturon për në  Kanada. Por atje nuk ndjehet mirë dhe vendosë të jetojë në qytetin e  Triestes deri sa vdes me 21 nëntor 2013. Më vonë,  emri i tij, Gjovalin Jak Vasia u gjet ndër listat  zeza të ministrisë së mbrendëshe me numrin 40, së bashku me shumë të tjerë të pregaditur për tu eleminuar në rast raprezaljesh.

Në vitet e demokracisë, në nëntor të 2008-ës, Gjosho Vasia u vlerësua nga këshilli bashkiak në Shkoder me titullin MIRENJOHJA E  QYTETIT dhe  me 16.3.2010 u vlerësua nga Presidenti Republikës Bamir Topi me urdhërin MJESHTER I MADH me një motivacionin që është rezultantja e jetës së tij:

…Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti ti rezistojë me fisnikëri përndjekjes së eger të diktatures komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve në të gjithë vendin. …

 

 

Vjene, me 23.5.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Aktori Gjosho Vasia, qytetarisë dhe humorit ..., simbol i vuajtjes

DUKE KUJTUAR “HOMERIN E BALLKANIT”

May 28, 2016 by dgreca

Me rastin e 150 vjetorit të lindjes së Avdo Mexhedoviqit, “ Homerit “ të Ballkanit/

Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikëve janë cikël këngësh epike heroike legjendare. Ato radhiten ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve. Eposi i Kreshnikëve është jehonë poetike disa shtresore e jetës së përbashkët (sh.VI-VIII), por edhe e konflikteve disa shekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllavë të jugut në Iliri (Ballkan). Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV, ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve. Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958) pajtohet se këto këngë «rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth vjetëve 700-800». Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore.

Shkruan: Ismet Azizi/

Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te Shqiptarët por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut siç ishin Avdo Megjedoviq, Salih Uglla (Uglanin), Murat-agë Kurtagaj (Kurtagić) Husë Qorri Husoviq (Ćor Huso Husović), Ashir Qorraj (Ćorović), Kasum Rebronja, Xhemail Arnautoviqi, Ibro Musiqi, Xhyl Bahu (Bahović) etj.
Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry, për disa vite rresht ka botuar libra (1933, 1934 dhe 1935), kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake. Milman Parry-it i është bashkuar edhe Albert B. Lordi dhe së bashku kanë mbledhur materiale jo vetëm në Sanxhak por edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Te ne në Kosovë dhe Shqipëri, përveç profesorit Zymer Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka ngritë zërin për ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që ka bërë Universiteti i Harvardit, përpjekje tjera nuk ka pasur .

Në këtë analizë po i paraqesim dy lahutarët më të famshëm të cilët ndikuan në përhapjen dhe kënduan këngë epike në Sanxhak, Avdo Megjedoviqi dhe Salih Uglla (Uglanin).Avdo Mexhedoviqi (nga fshati Obrov në afërsi të Bijello Poles, 1875-1953) ishte një këngëtar lahutar nga Mali i Zi. Mexhedoviqi është një nga poetët epik më të mëdhenj të Sanxhakut por edhe më gjerë. Poema e tij epike “Martesa e Mehë Smailagiqit” e cila ka 12.311 vargje, aq sa kanë së bashku Iliada dhe Odisea. Shkencëtari amerikan Milman Parry, studiues dhe profesor në Universitetin e Harvardit në gjysmën e parë të shekullit të XX, Avdon e ka quajtur “Homeri ballkanik”.

Duhet theksuar se Mexhedoviqi nuk ka vijuar as shkollën fillore. Në moshën madhore ka shërbyer nëntë vite në ushtrinë osmane. Gjatë kësaj kohe zotëroi mirë gjuhën osmane dhe atë turke kurse në Selanik përfundoi shkollën e oficerëve të marinës. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak është kthyer në Obrovë, në vendin e tij të lindjes, ku hapi një fermë dhe punoi në dyqanin (mishtore) familjar në Bijello Pole. Me lahutën u mishërua që në fëmijërinë e hershme ndërsa aftësinë e ekzekutimit e mësoi nga babai i tij Huseini, i cili ishte një lahutar i shkëlqyer dhe më i njohuri i asaj kohe. Në sajë të talentit të jashtëzakonshëm dhe aftësisë që posedonte, me kalimin e kohës arrin të bëhet këngëtari dhe lahutari më i kërkuar në trevën e Sanxhakut dhe më gjerë.

Hulumtuesi i njohur i krijimtarisë epike ballkanike Milman Parry , gjatë vitit 1935, regjistroi në pllakë speciale fonografe me 80.000 vargjet epike të Avdo Mexhedoviqit. Në bazë të këtyre studimeve Parry ka shpikur teorinë moderne të letërsisë gojore dhe homerologjinë moderne. Lordi Albert Bates, gjithashtu profesor në Universitetin e Harvardit, vazhdoi punën për mbledhjen e krijimtarisë epike nga viti1950 deri më 1951 dhe regjistroi edhe 18.000 vargje të Avdos. Në këtë mënyrë është kompletuar një koleksion mbresëlënës prej rreth 100.000 vargjeve të Avdo Mexhedoviqit.Mexhedoviqi i ka rrëfyer Perry-it se “të parët e tij kanë ardhur para 200 viteve nga Nokshiqi apo Nikshiqi,( nga inqizimi i dobët nuk dëgjohet mirë për cilin vend bëhet fjalë saktësisht). Ata kanë dyshuar në identitetin e tij, por nuk u ka shkuar mendja se ai mund të jetë shqiptarë. Profesori Perry një vit ka qëndruar në Beograd për ta mësuar gjuhën serbe. Perry ka qenë bartës i projektit, ndërsa Lordi ka qenë asistent i tij. Profesori e mësoi serbishten por gjithnjë duke menduar se kjo zonë është sllavo folëse” – thotë mes tjeras prof. Zymer Neziri..
Avdo nuk ka lënë vargje në shqip, por fjalë po. Neziri potencon se kur është përgatitur poema “Martesa e Mehë Smailagiqit” (Zhenidba Smajlagiq Mehe), poema më e gjatë me mbi 12 000 vargje, kanë hasë në fjalë të cilat nuk i kanë kuptuar, atëherë është kërkuar ndihma e Qamil Sijariqit, i cili i ka përkthyer fjalët shqipe.

I panjohur dhe i papranuar, Avdo Megjodoviqi vdiq në vendlindjen e tij Obrovë në vitin 1953. Sulejman Zatriqi në vitin 2011 ka prodhuar emisionin filmik për jetën dhe veprën Avdo Megjedoviqit.

Ragip Sijariqi, nga fshati Shipovicë, në të cilin fshat me lahutë është kënduar nëpër ndenja dhe janë treguar tregime sipas traditës në kontuinintet nëpër gjenerata dhe në kohën e Avdo Mexhedoviqit janë mbajt edhe gara për lahutarë. Duke folur për lahutarin Xhyl Bahon (Bahović), thotë: “Lahutë në Sanxhak mos kërko, sepse pothuajse çdo shtëpi ka dhe i ruan si hajmalitë. Ato ruhen në vende të veçanta, në ballë të oxhakut në rafte me libra të vjetra dhe të shenjta”.

Në Peshter, të gjithë banorët i punojnë me mjeshtri dhe dashuri lahutat me të cilat ekzekutojnë shkëlqyeshëm këngët e “reja dhe të vjetra”. Në kontekst të këtij referimi potencoj se në shkurt të viti 2005 në Velepole të Tutinit kam prezantuar në një këndim epik boshnjak, në një shfaqje lokale në të cilën, me programin e tyre morën pjesë lahutarët popullor dhe këngëtarët e këngëve heroike, duke ekzekutuar me kavall dhe duke kënduar këngë “Dy nga dy”, edhe at vetëm meshkujt- sipas melosit të vjetër peshteras ( shqiptar v I. A).

Avdo Mexhedoviqin në Bihor të gjithë e kanë njohur dhe me dëshirë e ka dëgjuar tërë popullsia e Sanxhakut – nga Bijelo Pola deri të Pazari i Ri. Në fshatra, posaçërisht në dimër, janë organizuar ndeja. Njerëzit janë tubuar nëpër oda në shtëpi të familjeve imune ku vinin lahutarët dhe ku këndohej edhe deri në mëngjes. Më së shumti janë tubuar në fshatrat Shipovicë, Godijevë (në shtëpitë e Sijariqëve), në Koritë (në shtëpitë e Mekiqëve, Mehajve dhe Alihoxhajve), në Cërhal, Dashqarijekë, Vrbicë, në disa fshatra të Rozhajës, Tutinit dhe Senicës.

Bazë e tematikës epike e këtyre këngëve kanë qenë këngët për luftërat e këngëtarëve të Plavës e Gucisë për ruajtjen e integritetit gjeografik dhe kulturor, lirinë dhe të drejtat për pavarësi. Pra, në mesin e dytë të shek. XIX dhe gjatë shek. XX, posaçërisht në lidhje me ngjarjet nga viti 1912 dhe deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

“Oj qikë me fistan të bardhë!

Inshaallah peshterasit vijnë me të marrë”!

Peshteri prej kohësh ka qenë çerdhe dhe thesar i lahutarëve. Deri në fund të shekullit të XVII ky rajon është karakterizuar me homogjenitet etnik, të cilin më vonë do të ndërpresin vendosjet gjithnjë e më të shpeshta, trazirat dhe migrimit masive. Migrimet janë intensifikuar veçanërisht pas formimit të Sanxhakut të Pazarit të Ri (1877), gjegjësisht pas shkëputjes së tij nga Vilajeti i Bosnjës dhe bashkimit me Kosovën. Kështu, rezulton në Peshter përzierja e kulturës lokale dhe shpirtërore me atë të të ardhurve nga Hercegovina, bregdeti malazez dhe nga muhaxherët tjerë boshnjak që arritën nga vendet e okupuara nga Serbia në vitin 1878.

Kjo lëvizje e popullsisë ka shënuar ndikim të madh në fushën e kulturës gojore epike që gradualisht depërtoi në shtëpitë e popullsisë lokale shqiptaro-myslimane. Prandaj është i justifikueshëm vlerësimi i Husein Bashiqit: “Nuk ka pothuajse trevë në vendin tonë në të cilin në një hapësirë kaq të vogël të ketë ndodhur depërtim më intensiv i shprehjes shpirtërore të shumë popujve ” (boshnjakëve, malazezëve, serbëve dhe shqiptarëve).

Peshterasit në shaka por shpesh edhe me përbuzje, për disa lahutarë të cilët kanë qenë në gjendje jo të lakmueshme ekonomike, kanë përdorë një thënie të njohur: „Takum pasha, hall magjupi“ (I veshur si Pashë, ndërsa gjendja ekonomike e familjes shumë e keqe).

Prof. Neziri, bazohet në katër pika në shpjegimin e prejardhjes shqiptare të Avdo Megjedoviqit: 1. plisi, të cilin nuk e mban ndonjë etnitet tjetër përveç shqiptarëve; 3. fjalët shqipe që i përdorë në këngët e tij epike; 3. deklaratën e tij para profesorit Perri kur thotë se ne rrjedhim nga gjaku i Ferizit, jo Ferizoviqit (citoj: “Mi poticemo od krvi Ferizi”), dhe 3. sintaksa e tij.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: "HOMERIN E BALLKANIT", duke kujtuar, Ismet Azizi

DUKE KUJTUAR BEKIM FEHMIUN NE 80 VJETORIN E LINDJES

May 27, 2016 by dgreca

 Në kuadrin e 80 vjetorit të ditëlindjes së aktorit të madh,  BEKIM  FEHMIUT/

“ Artisti që preku qiellin dramatik, filmik, identifikoi talentin shqiptar dhe krenoi origjinën”/
Nga Kristaq F. Shabani/

“Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”vepër e gazetarit të mirënjohur FAHRI MUSLIU/

Hyrësi çelësi për të hapur Portalin/

Analitika reale e kualifikuar gjithmonë nxjerr në pah forcën apo irealen, ndriçimin apo errësimin, në këtë kontekst forcën apo dobësinë, krenimin apo uljen e kokës , lulimin apo vyshkjen , mbetjen apo vdekjen e një vepre…
Vërtetësia dhe madhësia gjithmonë shpalosen me një trajtë tjetër, me një metodë tjetër shprehëse, domethënëse, nxitëse, kulmuese, tunduese, lëvizëse, siparuese, thelluese, risore, kur kryeprotagonisti nuk duron dot formën gjeometrike të rrethit, apo lartësinë kubike, pa le, mandej, kur ky kryeprotagonist është kryezë violine, kryeinterpretues skene, filmi, pëllumbim qiellor, dallandyshe sjellse lajmi pranvere, trompetë lajmëse për aureola madhore, statujëzuar në zemër të Perandorisë aktruese, në thelbin e saj me një cilësi kualitative të paparë, tepër të ndjerë, ku zëri i dalë nga shenjtëria është triumfal, i spikatur dhe me fuqi qiellore. Shkëlqimi është një veti e cilësuar, një kualitivitet i talentuar, por domethënia e ecjes varet katërcipërisht nga forca e shprehisë praktike, buresë e një individualiteti realizator teorik. Krijuesi e, në këtë rast, gazetari i sprovuar me përvojë, Fahri Musliu, autori i disa librave të suksesshëm, pati besim të palëkundur në veten dhe në vetveten e tij, në këtë harmoni duet, për të ndërmarrë paraqitjen e një figure dimensionale, habitse e intepretimit të moderuar, sikundërse ishte figura horizonto- vertikale – gjerësore e Aktorit befasues dhe të talentuar, Bekim Fehmiu, i njohur nga miliona njerëz, për shkak të shkallinës së tij në Perandorinë e Aktrimit. Në këtë kontekst, shkalla e vështirësisë të trajtesës së kësaj figure ka qenë me shkallë të lartë koeficenti “mortal”, për vetë faktin se autori duhej të peshonte veten dhe të drejtpeshohej përpara shkallës së njohjes dhe triumfalizmit të Kryprotagonistit. Por, njëkohësisht, autori duhet të ishte shumë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm në fokusimin e kryefigurës së Aktorit homerik e mitik, magjik Beki Fehmiu.
Duke lexuar këtë vepër me peshë të rëndë, jo nga madhësia dhe rëndesa e njësisë matëse, por nga vlera e substratit, të vijnë natyrshëm pyetjet retorike: “Përse kjo veçanti përzgjedhje? Ku buronte dëshira e autorit për të rrokur një temë të tillë kaq të bujshme, ku galeria e tipave me profile të ndryshme është prezente dhe aktive?”
Autori ka përcaktuar edhe gjininë lëvruese “monografi”, por ky format është jashtë formatit klasik, por një formë e re, e cila i ngjan një romani jetësor , plot personazhe, të cilat rrëfejnë, analizojnë, deduksionojnë, thelbojnë, profilizojnë, marrin role vlerësuese dhe kritikuese, por përbashkohen në gjenialitetin interpretues dhe plotëformin aktrues të Bekim Fehmiut.

Tensioni i aktit flijues, një skenë e karakterit “dramë”

Një paraqitje e tillë kërkonte, pa dyshim, një kompozicion të natyrshëm, origjinal të veprës. Një kompozicion i tillë, i cili fillesën e ka te drama e veteliminimit tip “Fehmiu”, i titulluar “Vetëvrasja, si akt personal”. Lajm tronditës dhe habitës, i parrokur nga mendësia bashkëkohore, atë ditë 15 qershori të vitit 2010; lajmi i figuruar, si bombë, nëpër media për largimin e mjeshtrit të aktrimit, vdekjen, fikjen e yllit, tragjizmin e aktorit, vetëflijimin tragjik, shuarjen e ikonës së filmit, shkuarje e beftë, e pabesueshme e legjendës-mit, i cili ishte nga të vetmit që aktroi në Perëndim nga vendet e Lindjes, për dy dekada. Teksti i padeshifruar, i cili u finalizua përsëprapthi, ku Misteri, Fshehtësia, Magjia e aktorit, merr flakë dhe zjarr nga lënda iniciale e një shpirti…, duke përsjellë një gjendje shoku. Eliminohet sinonimi i artit filmik, ngritja deri në lartësi “Mojsiu”; ngushëllimet përvijohen me nota të mëdha dëshpërimi për humbjen, e cila, mbi qiellin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Trojeve shqiptare, mbi të gjithë botën e filmit që njohën Odisenë, ranë vranësira të pakuptuara, pikëllimi ngriti shtatin , dëshpërimi i rritur në disa fuqi gjeometrike. Gazetarë, aktorë e aktore , dramaturgë, regjisorë, këngëtarë e këngëtarë, artistë, figura e personalitete, intelektualë nxjerrin fjalën si llavë… Në këto momente shndrit e lartësohet në atë kufi, ku duhet të ishte figura e këtij aktori polidimensional, shumëkahësh. Heshtja sfumohet nga njerëzit, por Kuvendi i Kosovës hesht institucionalisht dhe e kalon shkarrazi nderimin për Bekim Fehmiun. Beogradi i jep lamtumirë triumfale aktorit te madh shqiptar. “Nyje gordiane”, një antitezë dhimbëse, ku, në këtë rast, identiteti, origjina nuk pi “ujë” …
Bistrica do të ketë trupin e hirëzuar të Bekimit… Një gjest testamentar mitologjik i Bekimit. Një përtej jete – jetë me lumin, me detin , me oqeanin!
Pikëllimi prizrenas përshëndetet me duartrokitje frenetike për lartvlerësimin. Prishtina “harron”ritualin, po ashtu… Një zëvendësim i lotit dhimbës me duartrokitjen nderuese… Tetova hap librin e zisë. Komente, përshtypje, dhimbje, pikëllim marrarendës e marramendës… Familja e Bekim Fehmiut falenderon. Këtu bie sipari i pjesës së parë të librit, një pjesë e ngjeshur me domethënie.

Teksualitet i ilustruar

Pjesa tjetër është e përplotuar me teksualitetin e ilustruar, e cila “lakon” në formate dhe këndvështrime të ndryshme ndjesitë, përshtypjet, qëndrimet, kontaktet, bisedimet , trajtesat, këndvështrimet, pas ikjes tragjike të Aktorit. Flasin protagonistë takimesh dhe të mediave të ndryshme, aktorë filmash, regjisorë, gazetarë e tjerë.
Vetë titullimet, midis syresh: “Shndritshëm dhe tmerrshëm: Bekim Fehmiu” i Shkëlzen Maliqit; “Vdekja tragjike e aktorit” i Dragan Radoviq (lakmi dhe admirim); “Ikja e zotërisë së madh” i R. Radosavljeviq (artist i formatit botëror), “Bekim Fehmiu, mit dhe realitet” i Reshat Sahitaj, ku autori citon se aktori Bekim Fehmiu është aktor që, pa të cilin, nuk mund të shkruhet historiografia e Filmit shqiptar.
Në shkrimet e tjera që radhojnë, në këtë pjesë, preken gjëra të qenësishme, të cilat kanë të bëjmë me pyetje të shtruara për përkimin e kinematografisë, për ëndërrimin e interpretimit të Skënderbeut, për aktorin interpretues të Odiseut, për “Mbledhësin e Puplave”, për portretin shqiptar mes yjeve të trashëgimisë kulturore botërore. Rreshtohen njëri pas tjetrit lajmërime, shkrime të medias së shkruar, duke rrokur histori e bëma dramatike filmike, jepet lamtumira, por të bën përshtypje dhe kategorizime të një simboli princërues. I gjithë ky informacion, gjithë ky “bum” përshtypjesh dhe analitika të shkurtra në këtë përbashkim e ndërvartësi njëra me tjetrën, të lidhura me natyralitet, duke shmangur me profesionalizëm krijojnë profilin real të Aktorit të madh, i tej dashuruar ndaj Artit, dhe befasisë të të qenurit shqiptar, i pasionuar ndaj Atdheut të tij dhe Kombit. Në këtë profilizim, sipas një sensi e zgjidhje original, shfaqet dhe një nga pikat kryesore dhe esenciale. Në këtë pjesë dalin në pah, zanafilla, ecja e rrugëtimit dramatik, duke i kushtuar shumë rëndësi manifestimit katërcipëror të zotit të vendit. Zbulohet me mjeshtëri rrallësia, jo vetëm e aktrimit dhe e sfilimit gjithëbotëror, por edhe bota e brendshme e aktorit reagues e me shpirt të ndjeshëm; ndjesia e tij për vendin e origjinës, reagimet e tij ndaj genocidit dhe akteve barbare, krenimi i tij për të qenurit shqiptar, por edhe moskuptesa e tij “kodi” dhe hedhja e “gurëve “ ndaj madhështisë së tij. Janë pasqyruar mjaft mirë në vepër lidhjet, uljet, ngritjet, frazimet, thashethemnajat e keqësisë, madje dhe aktive, të cilat burojne egër, gjithmonë, nga shpirtligësia dhe mediokriteti, zilia dhe kanë synim e kërkojnë “bombardimin” e figurave që bëjnë histori dhe dalin nga orbita e mendjengushtësisë. Fakti i tërheqjes nga skena për shkak të popullit të vet që po torturohej, e madhështon figurën e këtij heroi “eposik”, i cili jetoi shndritshëm dhe tmerrshëm (një antitezë marramendëse, refuzues i interpretimit para fytyrave të vrastarëve). Tipizimi “Vdekja e dytë e Fehmiut”, është një përkufizim gjetës, por a mund të vdekë simboli?! Vështirë se po, pavarësisht se, ngandonjëherë, mediokriteti kërkon vdekje fatale të simbolit. E gjetur edhe shprehja se Bekim Fehmiu nuk ka nevojë për lot krokodilash i Elida Buçpapajt. Shpërthimet poetike për Bekimin kanë qenë gjatë gjithë rrugëtimit të tij nderues, por dhe vetë ai ishte një mjeshtër interpretues dhe i kësaj sfere të ndjeshmërisë ekstreme të shpirtit të madh poetik.
Niveli i Bekim Fehmiut arriti kufirin e legjendës. Ai ishte i pari shqiptar që preku qiellin Hollivudian. Ai interpretoi me partner dhe partnere diva të artit skenik botëror si: Ana Gardner, Candice Bergen, Robert Show, Shirli Meklejn, Olivera Katarina, Olivia de Havilland, Claudicia Cardinale e tjerë.
Një jetë homerike, një aristokrat dhe asket me botë depresive, i cili e privoi veten nga jeta, ama krijoi imazhin e një legjende të artit dramatik.

” E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme “

Pjesa e tretë është shumë interesante, pasi ka të bëjë me një pjesë të grupuar, të përzgjedhur nga libri Autobiografik ” E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme “ një libër dy vëllimësh, libër autobiografik i Bekim Fehmiut
Prologim: Djali i Bekimit, aktori, i cili vijoi traditën e të atit, në artin interpretues, Uliksi, thekson:” Ai ka thënë se i ka shkruar për ne, të dimë. Por unë jam i bindur se kanë lindur nga nevoja e thellë që të vazhdojë të flasë edhe pse hoqi dorë nga fjala e aktorit”.
Pra ky është një shpjegim esencial i një synimi. “E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja” shtrihet në një hapësirë kohore dyvëllimësh, i pari që prej lindjes e deri në vitin 1955 dhe vëllimi i dytë prej vitit 1955 deri në vitin 1989, ku ai në vëllimin e tij të dytë trajton zhvillimin e ngjasive njerëzore dhe rrugëtimin aktorial, suksesimin e këtij ylli legjendar dramatik e filmik në evente të mëdha interpretuese.
Bekimi, sikundërse e shpjegon autori, Fahri Musliu, e ka titulluar më këtë titull librin e vet, duke u nxitur nga një fjali e gazetarit, shkrimtarit, publicistit dhe novelistit francez Abert Kamy. Bekimi të dy vëllimet i ka shkruar në serbokroatisht, mirëpo vëllimin e parë e ka përkthyer vetë në gjuhën autentike shqipe të asaj kohe, që flitej në Prizren, por ai ka përdorur edhe gjuhën letrare.

Përmbajtësore (Substancive)
Pjesët e përzgjedhura nga libri i Bekimit të pasqyruara në këtë libër shquhen:
për forcën shprehëse narrative, rrëfenjën e bukur, për fjalën me art, për substratin e jashtëzakonshëm, duke u ndalur në kohë pikante, në moment jetësore tërheqëse dhe vendosëse, në dukurinë e shfaqjes së talentit, në rrugëtimin e kulturimit, në spikatjen e aktrimit në rolet e para; në fluturimin aktoresk brenda dhe jashtë vendit. Një galeri tipash lëviz, të cilët të përshtypëzojnë me origjinalitetin e tyre dhe me mënyrën intrigante dhe çiltërore të rrëfimit të ngjarjes. Diagrama e rritjes plot peripeci të bukura demonstrohen në këtë libër : Bekimi i vogël , Bekimi nxënës, Bekimi i shfaqur si talent, Bekimi student, Bekimi aktor, Bekimi shkëlqim brenda vendit, hapat e para të triumfit, Bekimi prek triumfin, natyralizohet si aktor i shkëlqyer ndërkombëtar, duke prekur Perëndimin dhe Hollivudin, përmasa e tij e njohjes në sistemin dramatik dhe filmit merr frymëmarrje, prekja e sukseseve njëra pas tjetrës, por dhe rrugëtimi jetësor, lidhja me bashkëshorten e talentuar, Branka (kurorëzimi i tyre i ndodhur në Romë të Italisë, viti 1968) fëmijët e tij Uliksi dhe Hedoni, marrëdhëniet me vëllezërit dhe motrat. E spikatur figura e babait Ibrahim, marrëdhëniet dhe dashuria e madhe ndaj nënës Hedije (të dy këto personazhe them se janë shumë të spikatur nga mënyra, se si përshkruhen ), por edhe vëllezërit dhe motrat, të cilat, së toku, përbëjnë një plejadë Fehminiane të spikatur në kulturim dhe profesione, shëmbëlltyrë e nivelit tipik të avancuar emancipues shqiptar të asaj kohe, por mos të harrohen edhe marrëdhëniet me figurat e njohura të teatrit dhe të filmit botëror, marrëdhënie tipike, karakteristike, profesionale, të spikatura, një shkollë e rëndësishme në fushën aktrore të filmit , kinematografisë. Përshtypëzim : 11 filma për një kohë të shkurtër prej tre vitesh!)
Qëndrimi ndaj filmit “ Mbledhësit e Puplave”, i cili i hapi rrugën drejt kinematografisë botërore; kujtimet për aktoren Olivera Vuço, Irena Papas, aktorja e talentuar arvanitase, partnerja e Bekimit në serialin televiziv “ Odiseu”,
i cili tregoi superioritetin e këtij ylli shkëlqimtar në hapësirën e kinematografisë; përshkrime fantastike njohjet me: Kendis Bergen, Ana Molfo, Xhon Hjuston, Ernest Borgnine, takimi me Brizhita Bardo, Ava Garnder ( një rrëfim mjeshtëror e çiltëror) janë spikatje.
Plot ndjesi rikthimi në teatër, pritjet kudo të motivura për artistin në Itali, Shqipëri e kudo… Ngjarje, ngjasi, skicime, përshkrime dhe një tërësi e plotë filmike pasqyrohet në ekranet e trurit te lexuesve, teksa përfundon këtë pjesë, e cila mbyllet natyrshëm me një frazë: Dita është shurdhuar. Dhe pikërisht në Prishtinë, më 22 gusht 1989, ora 03.17

Katra, pjesë e këtij libri pasqyron shkrime për Bekimin gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij aktive

Nëpërmjet vetëm këtyre fjalive të përbashkuara mund të nxirret një botëkuptim , një karakter, një personalitet dhe tërësia e proceseve volitive të artistit të madh:

 “More ai është i marrë(e pabesushme) “ – bërtiti regjisori Luis Gilbert.

”Politika ime është arti, “- shprehet Bekimi. Shprehësitë e gjetura e diktojnë qartazi këtë që theksuam më lart: “Kopracëria e fjalëve në jetën private”, “Refuzimi i ndërrimit të emrit”, “Njeriu i sojit të Bekimit duhet të arrijë sukses të jashtëzakonshëm”, ”Mburrje pa paragjykime”, “Shikimi vetëm përpara”, “Të dish të jetosh kohën”, “Premiera e madhe seksit në ajër” (Aventurierët) … Një tërësi shkrimesh, të cilët të rrëmbejnë.

Veçantia e intervistave, shprehësi të realitetit, të konkretes dhe të madhështisë

Vend të rëndësishmë në vepër zënë intervistat e Bekim Fehmiut, në të cilat zbulohet bota e tij e madhe shpirtërore, kompleksi tij inteligjent, intuitativ, profesional, marrëdhëniet me aktiven dhe superaktiven.
Të bie në sy aftësiae tij për të kapur dhe trajtuar magjishëm gjithmonë thelbin, zgjerimi i thelbit nëpërmjet një arsyetimi model dhe një psikologjie të përparuar, ku zbulohet e vërteta, konkretja, inspirimi, dëshira majë dhe dëshirat e vogla, profesionalizmi, teknika, protesta, revolta, bukurimi skenik, serioziteti, dilema e tjerë. Dhe të gjitha këto nëpërmjet një figurimi, që çdo krijues serioz do ta kishte zili.
Titujt e mëposhtëm çkodifikojnë botën dhe misterin e saj, fshehtësinë e bukur:
“Rolet i pres i përgatitur”, “Mizat e vogla dhe kali në vrapim të zjarrtë”, “Emri im është trashëgimi dhe detyrim”, “Bekimi pushton Amerikën”, “I dua femrat e bukura”, “Do të jem një “klan” me ata, me të cilët mendoj ngjashëm” (Unë aktroj dhe kritikët kritiojnë), “Nuk ka të pamundshme, po s’duhet fluturuar”(Mos harresa nga është dhe mos harrimi i vetvetes), (Talenti? Por me gjithatë jam i bindur se në karrierën e aktorit më së shumti ndikon puna), “Pa pezëm tutje”, “Bekimi zbut bishat”, “Unë flas kështu, sepse kështu mendoj”, “U tregova të gjithëve se njerëz me “bishta” nuk jemi”, “Provat janë akti më i bukur i Teatrit”, “Aktrimi si terapi”, “Bekim Fehmiu apo kapërcimi i Ylberit”, “Të gjithë i kemi kaluar kufijtë, që nuk guxohen të kalohen” e tjerë.
Këtu flitet me gjuhë të zjarrtë talentore dhe mendje të mprehtë .
Jeta e tij një jetë shkathtësi mendjeje, shkathtësi lëvizjeje, shkathtësi aktruese deri në magjizëm…

Ekspozimi tekstual dhe ilustrativ

Një kujtesë e bukur është pjesa e këtij libri, ku ilustrimi zë vend parësor, ku ekspozohen dhe përshkruhen tekstualisht gjithë veprimtaria në skenë dhe në film e aktorit të famshëm, duke nismuar që viti 1953 me interpretimin e rolit, si gjimnazist, në filmin “Fëmija e Komunës”, 1955. Këtu, në këtë fillim pjesë, bëhet një jetëshkrim profesional për interpretimet e Bekimit prej zanafillës. Lexuesi merr një informacion të hollësishëm për dramat dhe për filmiografinë, duke filluar në paraqitje me filmin hapës të rrugës së madhe “ Mbledhësit e Puplave” e duke vijuar me “Odiseun” Bekim Fehmiu Uliksi, Irena Papas Penelopa Samson Burke – Ciklopi si dhe Barbara Bah dhe Gerhard Herter. Historia e Odise – Uliksit, e cila është e zhvilluar në faqen e librit është shumë e domosdoshme për njohuri për të gjithë ata që dëshirojnë ta dinë. Vijohet pastaj me paraqitjen e filmit “Aventurierët”, “Dezertori”, “Bora e fundi e pranverës” , “Libera , dashuria ime”, “Leja për vrasje” , “E gatshme për gjithëka” , “E diela e zezë”, “Gjethi është i gjërë”, “Nën qiellin e njëjtë” , “Kurthi për Gjeneralin” e tjerë.
Një panoramë filmike e përmbushur me ngjyra jetësore. Regjisorët, me të cilët bashkëpunoi, apo u drejtua, aktori gjatë filmimeve, pa dyshim, ishin shumë të njohur sikundërse: Aleksandër Petroviq, Franko Rosi, Mario Bava, Luis Gilbert, Burt Kennedy, Cyril Francel, Tinto Brass e tjerë. Në këtë pjesë bien në syndritshëm titujt dhe çmimet e akorduara Bekim Fehmiut.

Dy sentenca për dy pjesë të librit

Pjesa e shtatë e Monografisë pasqyron moment jetësore të aktorit, një album familjar si dhe diçka paraqitëse nga arkivi i tij, duke shprehur dhe talentin e tij për pikturë.

Në pjesën e tetë dhe të fundit pasqyrohen disa krijime të disa krijuesve nga Ali Podrimja e deri te Riza Dreshaj, ku krijuesit dhe krijueset janë munduar të shprehin me stilin, aftësinë dhe metodën e tyre ndjesitë për figurën e Bekimit. Natyrisht , këto krijime kanë zënë vend në këtë monografi, si përjetime vetjake të krijuesve, duke tentuar për arritur ndonjë shkallinë poetike.

Përfundesë dritimi

Ky libër monografik i përcaktuar nga ana ime, si roman jetësor, është një vepër, e cila duhet të jetë në fondin kryesor përfaqësues të librit shqiptar për vetë faktin e evidentimit të një jete plotësi ngjyrore dhe përfaqësuese në kinematografinë botërore të Bekim Fehmiut, i cili mund të kishte dhe titullin “ Bekim Fehmiu, Odiseu i Kombit”. Ky libër ka nevojë të shndërrohet në një libër universal, duke u përkthyer sidomos në anglisht. Madje, është një libër , i cili duhet të lexohet nga aktorët, dhe ata që duan të përfitojnë nga një përvojë e madhe, pasi kjo përvojë është një pasuri kombi. Duhet të shërbejë dhe të hyjë në programet e Arteve të Bukura. Duhet të jenë organizmat e specializuara, të cilat duhet të tregojnë kujdes për evidentimin dhe publikimin e figurave të këtyre përmasave. Po kështu figura e këtij personaliteti të ndritshëm duhet të nderohet nga instancat më të larta, jo vetëm në Kosovë , por edhe në Shqipëri për të larë një borxh të madh ndaj tij. Në lidhje me këtë duhet të pushojë heshtja e memecërisë nderuese. LNPSHA “PEGASI” ALBANIA në bashkëpunim me aktorët e tjerë ndërmori hapin madhor  për të realizuar një prezantim analitik në Butrint, duke patur gatishmërinë dhe përkrahjen e Bashkisë së Sarandës, Drejtorisë së Parkut Kombëtar të Butrintit si dhe të autorit të veprës.

Filed Under: ESSE Tagged With: DUKE KUJTUAR BEKIM FEHMIUN, e lindjes, Kristaq Shabani, NE 80 VJETORIN

NJË PROTOKOLL ME “PATERICA!”

May 27, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

“Nëse helbete në Maqedoni, shihni ndonjë njeri të buzëqeshur, apo të lumtur, qëndroni larg tij. Bën vaki që ky të jetë i rralluar nga truri…” tha Skënderi, vëllai i avokat Naserit, nga Shkupi. Edhe unë kohë pas kohe buzëqesh. A thua vallë edhe unë jam rralluar…, mbase bën vaki, jo inshallah, jo tani në vigjilje të muajit të bekuar të Rama-zanit!?

Sa herë që kam bërë përpjekje të ndërtoj shkrime a opinione (di-sa ndër ethe) për gazeta, aq herë jam paragjykuar nga ca njerëz të cilët nuk kanë fare haber nga kjo sferë dhe, lëre që nuk kanë idenë se ç’është shkrimi, por edhe hiç nuk bëjnë përpjekje të tjerrin lesh të eksportuar nga kontinenti i kangurëve!? Sa herë që janë lexuar a edhe rilexuar shkrimet e mia, aq herë (padrejtësisht) janë kontestuar. Sa herë që jam munduar të mos marr “tarafe” a anë, aq herë ma kanë goditur “tarafllëkun”. Sa herë që kam tentuar të “llafos” ndryshe, aq herë më kanë dështuar a më kanë shkuar huq mendimet dhe ca ide të tjera, sa herë që kam heshtur, aq herë më kanë akuzuar për oportunizëm, sa herë që nxirrja britma të zgjatura, aq herë më kanë “denoncuar për autizëm”, sa herë që jam munduar ta humanizoj qoftë edhe në një masë fare të vogël fjalën e lirë, aq herë më kanë thënë se je duke shpikur fjalë të paqena, sa herë që kam mëtuar ta emancipoj mendimin ndryshe, aq herë më kanë thënë kinse ushqej urrejtjen e tërbuar, inatin dhe neverinë ndër shqiptarë, sa herë që kam shkruar për të vërtetat shqiptare, aq herë më kanë konceptuar si narcisoid, megaloman, somnambul, makiavelist, gjumash, diletant dhe provincialist, sa herë që kam shkruar “mes reshtash”, aq herë më kanë thënë se jam i paqartë, sa herë që në shkrimet e mia kam devijuar nga standardi i gjuhës së sotme shqipe, aq herë më kanë thënë se turqizmat i “ke për xhan”…, sa herë që në shkrimet e mia predikoja për paqen shpirtërore, aq herë më kanë akuzuar për laicizëm…, sa herë kam shkruar për mbeturinat e moralit të së kaluarës si dhe për moralin fetar, aq herë jam kundërshtuar nga ana e pronarit të shtëpisë publike! Dhe, kur dikur (herën e parë dhe të fundit), u përpoqa të njihem me “abetaren e politikëbërjes shqiptare”, miqtë e mi të mençur dhe të mirë më thanë: “…, ik dhe sikterise politikën…, sepse ti nuk je për politikë dhe nëse do vendosësh të ngelësh aty, atëherë lëre që djalli do ta rrëmbejë arsyen, por ndoshta një ditë do të detyrohesh të “veshësh së prapthi brekë Stambolli pa llastik!” dhe, së fundi, hesapet do të dalin si puna e qelqpunuesit nga Gazi Baba e Shkupit, në punëtorinë e të cilit futet elefanti ashtu pa e ftuar!?”. Unë me atë inatin tim homerik, kundërshtova këshillat dhe sugjerimet e miqve. Toptan me axhamillëkun tim u shndërrova në dele të zezë dhe ashtu duke u ndarë nga vatha e dhenve, degdisa në gojë të “ujkut” të uritur!?… dhe “ujku m’i hëngri edhe ato pak mend që i kisha dhe ca gjëra të tjera”…, në fund, puna më vajti ters…, njësoj si hesapet e shefit për protokoll të një ministri si dhe truprojës së tij (se ishte truprojë ushtarake a edhe truprojë e kryetarit të shteteve të Obamës, një dreq e di), të cilët disa ditë më parë rastisa t’i takoj në një eveniment të organizuar “me a pa sebep”, diku në hapësirat e shkollës së dajallarëve të mi. Para se të vazhdoj ta ndërtoj këtë paragraf gazete, më duhet ta lakoj një fabul të cilën gjyshi im na e shpjegonte me ëndje…, njësoj si mësuesit e Dibrës dhe Elbasanit, ku thoshte se dikur “dovleti” e kapte lepurin me qerre…, e kapte ashtu toptan edhe për veshi, edhe për bishti, edhe për…, asnjëherë nuk e përfundonte fabulën në fjalë, sepse sipas tij kaptina e fundit e fabulës qenka shumë denigruese për moshën tonë prej kalamajsh.

Sot, mua më duhet të parashtroj një pyetje paksa lakonike, si vijon: Kush është ai bir nëne që mundohet ta kapë me qerre protokollin e ministrave dhe kryeparëve të partive politike shqiptare…, më intereson të di se cili është ai “ideator” provincialist që ndërton protokollin e ministrit, jam kureshtar të di se cili është ai njeri, që ndërton praptazi agjendën e vizitave të ministrit dhe deputetit, dua të di se kush është njeriu që prokuron a këshillon kryeparin e partisë politike, se si duhet ai të lëviz në hapësirat diplomatike, në hapësirat e mëhallës së tij, në hapësirat e kasabasë a fshatit të tij…, pse duhet ta mbrojnë politikanin e zgjedhur me votën deliberative të popullit, të fshatarit, bujkut, mësuesit, të motrës e të nënës shqiptare, të bariut, të akademikut e të tjerëve. Cili është ai kokëkrisur që e udhëzon politikanin, po edhe ministrin, se si nuk duhet ta përshëndesë ish-mësuesin e tij, se si “(nuk) duhet të futet në turmë”, se si “nuk” duhet të ulet pranë fshatarit për të qarë bashkë hallet, se si (nuk) duhet t’i përcjellë një përshëndetje premtuese studentit a nxënësit, pse këta “protokollistë” nuk e lejojnë politikanin të ulet në një sofër me hallexhinjtë, pse nuk i lejojnë që t’ia shtrijë dorën fshatarit dhe fukarait, pse këta “truproja”, orë e çast i rrinë mbi kokë politikanit a ministrit, edhe kur pinë ujë e kur hanë bukën e popullit, pse i rrinë mbi kokë edhe kur bëjnë a lexojnë duanë në varrimin e familjarit…, pse i rrinë mbi kokë edhe kur falet, pse i rrinë afër edhe kur vallëzojnë në dasma…, pse nuk i lënë rehat politikanët dhe ministrat tanë të lëvizin lirshëm dhe natyrshëm mes miletit, pse prej tyre “krijojnë karaktere krejt ndryshe”, pse na detyrojnë që pa nevojë t’i paragjykojmë e t’u ngjisim bishtin e dhelprës dhe çakallit, pse nuk i lënë rehat edhe kur shkojnë atje ku “mbreti shkon në këmbë”, pse gjithë kjo mendjemadhësi e truprojave analfabetë të ministrave dhe politikanëve tanë, pse gjithë ky cirk për fëmijë, pse gjithë ky cirk i panevojshëm shëtitës, pse krijojnë antipati, neveri e madje edhe primitivizëm, provincializëm, anadollizëm, bolshevizëm, enverizëm, stalinizëm e tjerë. Pse e frikësojnë politikanin a ministrin tonë të sinqertë, pse prej tyre “krijojnë haxhiqamilista”, pse e ushqejnë atë proverbin popullor ku, pos të tjerash, thuhet: “Në nuk je fajtor, unë të bëj me faj!?” Pse nuk krijojnë dhe nuk ofrojmë imazhe më humane dhe më emancipuese sa i përket politikanit dhe  ministrit tonë…, pse nuk u mundësojnë që ata të ndihen komod…, a mos vallë e gjithë kjo është një sajesë e radhës…, apo pjellë e mendjes sime të rralluar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, ME “PATERICA!”, NJË PROTOKOLL

PORTA «MIHAL ENGJËLL KOMNENI« – SHENJTORI I GJASHTË

May 26, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
Po ta kishe shtëpinë te Vangjel Dollani në Kala me siguri do ta mbaje frymën te Porta e madhe, pastaj te porta e dytë që është si tunel dhe je brenda në sheshin e madh. Aty mund të ngjitesh sipër, mund të hysh tek topat e mëdhenj, mund të endesh sipër bashkë me rojat e vjetër të pavdekshëm, mund të vëzhgosh sa të ngopesh gjithë fushën që të përpin, të sogjetosh Biftën dhe kalanë e saj, të ngopesh me Shëndëlliun, Lisin e Beçit, lagjen e poshtme, hapjen e gjerë të Osumit, grykën e Velabishtit dhe Shpiragun. Aty ndien se kënaqësia jote ka krahë të tjerë. Në sheshin e madh e kupton menjëherë se manastiret, kishat dhe shtëpitë janë bërë një trup i vetëm dhe dëshira jote bëhet gati e padurueshme, pasi kërkon rrugicat, shtëpitë e mëdha, dritaret e njëjta dhe që herë i mbajnë sytë hapur dhe herë të tjera mbyllur. Aty të vijnë në mendje thirrjet e nënave, sa te njëra portë tek tjetra, sa te njëri çardak te tjetri, të përhumbura në punët e tyre të dorës, terezitur në qafë dhe në prehër. Muhabeti bëhej edhe më i kripur kur puna vijonte në duar. Çudi e madhe, asnjë grua nuk shihje në Kala pa punët e dorës: në sofatet e portave ku mblidheshin dhe i bën gjyqin «botës», merrnin në gojë të tjerët dhe si i mbaronin gjithë kumtet, ngriheshin dhe futeshin në shtëpi. E kishin pirë kafenë aty ku shtronin shkorsat e leshta, aty ku hidhnin edhe ndonjë qilim të vogël gjunjëve, të mirëpritura e buzagaz. Pa këtë dukje s’mund ta përfytyrosh Kalanë. Po ky model zbriste edhe poshtë në qytet, herë duke u futur nga portat e fshehta anësore nga perëndimi e lindja, herë duke dalë në bash të vendit tek Porta e Madhe. Aty fillonte tjetër jetë. Dhe patjetër, sapo largoheshe pak, do të ktheje kokën pas, sepse menjëherë të dukej se po i ikje magjisë që të mbante mbërthyer me zor…
Mirë se erdhët në Kala! Ky është urim që nuk shkruhet në asnjë vend, por ty të puth në ballë një aromë tjetër, më e këndshme se gjithë mjedisi që të mban mbërthyer. Kjo është aroma e veçantë që kanë nënat kalaresha dhe një lloj kënaje e hedhur flokëve që dukeshin ndryshe, krejt ndryshe sa hiqnin gati me tërbim shamitë e bardha, ose shamitë e zeza. Ato nuk qenë kurrë të pranishme aty te Porta e Madhe, por ty të bëhej se aty ishin, të përqafonin e të dhuronin aromën e shtëpive, të trëndafilëve, dorëzonjave, hindërshasë, borzilokut që «vinte shpesh pas faqes», të thërrimeve që i ruanin për pëllumbat, të cilët merrnin karafilat dhe i mbillnin shtëpi më shtëpi. Në një prej këtyre dy ditëve e gjeta Vangjel Dollanin me Kostandin Bojaxhiun. I pari besnik i Kalasë dhe i dyti i fshehur pas emrit të saj dhe duke u marrë vetëm me gjuhët e huaja. Kur merrnin përpjetë Kalanë ata murmurinin vargjet e Virgjini Miles apo të Hyrie Saraçit dhe prisnin pak përballë shtëpisë së Kolovanëve, më tej vinin duart mbi gjunjë përballë rrugicës së Picinanëve, në krye të Mangalemit, për ta parë rrugën e thepisur, Përroin që zgjatej herë si Holek dhe herë si Atik, hidhnin sytë nga «Lëmi i Shamatasë», lëshonin një urim të bukur dhe ngadalë-ngadalë (ngëc-ngëc) gjendeshin te Porta e Madhe. Aty prisnin turistët, të cilët asnjëherë s’i kanë munguar Kalasë, herë të ardhur kokrra-kokrra më këmbë, të djersitur por mjaft të gëzuar dhe të tjerë zbrisnin në sheshin e jashtëm, aty ku këputeshin rrugët për në Shëndëlli, Burdullias, Delibegë, Urë, Qytet dhe Kala. Ky ishte një tjetër sinjal që merrje: ishe edhe jashtë qytetit, edhe brenda tij. Aty fillonte mbretëria e bezgës dhe e Ullinjve që përhapeshin shekullorë në gjithë hapësirën e kodrave. Mbi të gjitha bënte majë Bifta e famshme, ato kohë e trazuar nga repartet ushtarake. Por kësaj radhe në vizitën time me mua ishte Jorgji Doksani, përkthyesi i famshëm i Dostojevskit, Çehovit, Tolstoit, Shollohovit, Pasternakut… Kësaj radhe s’do të merremi me letërsinë, por me Kalanë. Te Vllaherna e bukur dhe e mbushur me veprat e artit e ka pasur shtëpinë, sepse sa mbaroi shkollën e mesme, fluturoi në Moskë dhe si ujët e pakët e mbajtën në Universitetin e sapoçelur në Tiranë. Dhe ai mbeti në Tiranë. Çdo ditë perëndie në gojën e tij është qyteti i Beratit, të cilit i është edhe si Qytetar Nderi, ashtu si i takon edhe gjithë vendit ky Mjeshtër. Mirëmëngjesi profesor! Dhe ai buzëqesh. I hapur. Shpirt njeriu, i kthjellët, i qeshur. Dhe ja tek jemi ulur në pjesën më të bukur dhe më eprane të qytetit: kompleksi i portave hyrëse. Aty s’mund të hysh me makinë. Aty je i mirëseardhur vetëm në këmbë. Presim biletat hyrës, se në Kala s’mund të hysh pa paguar. (Në Venecia gjatë prillit të këtij viti, në vizitën e fundit, nuk mund të hyje pa paguar në dhjetëra vende, por ama të hyje me autobus duheshin paguar 423 euro!) Dhe venedikasit e vjetër që rrinin në Durrës e në Shkodër, në Rodon e në Vlorë, shpesh këputeshin e vinin sa në Berat sa në Bylis dhe kërkonin. Vazhdimisht kërkonin. Por Pierr Battifol-i frëng thotë se kërkonin ca emra të vjetër për hazinenë më të madhe të Perandorisë Bizantine, të fshehur diku në gji të këtij «mali». Ndoshta, kur thuhet mal, mbahet parasysh jo kodra e Kalasë, por i vërteti, Tomori i magjishëm, që i dërgon erërat e tij të përqafohen në Kala me ato të detit e të Shpiragut. Ja, e sheh, thotë profesor Jorgji. Lexoje mbishkrimin, emrin e ndërtuesit dhe vitin. Mihal II Engjëll Komneni. Sundimtari i Mesjetës. Zot i vendit. Historiografët e përshkruajnë njeri të drejtë dhe jo aq të fuqishëm, sepse ka qenë i pakët dhe shëndetlig. Se ne, vëllaçko trimat i përfytyrojmë si lis me dega, trupmëdhenj, me zemrën në shkëmb, me forcë Herkuli dhe ashtu mbetet përjetë i fiksuar në kujtesën tonë operante, saqë me atë gjuhë flasim dhe me atë gjuhë ua përcjellim brezave më tej. Të fshehtat Kalasë ia di vetëm Nikolla Ikonomi dhe Myslim Hotova, ish-drejtori i muzeumeve. Nikolla ndreqte repetitorin e antenave televizive, sepse po të prishej kjo Berati mbetej pa sinjal. Jo Kalaja, kuptohet, por Berati i mbyllur në gropë. Të nesërmen ziente te sheshi, po edhe te «Lëmi i Shamatasë». Apo jo, profesor. Jorgjit i ka hipur një nur i përveçuar. Mirëmëngjesi Gaqi! Paske ardhur? Sikur ma zuri veshi mbrëmë. Nuk e dija saktë se do vija të të gjeja, të sillja pak karafil për aromë jastëku! Mos more, pse paske akoma? Si jo! Ajo nuk harrohet kurrë. Ja tek dalim tek e fshehta e parë e madhe e Portës së Kalasë. Ky mister ka mbetur në gojët e njerëzve, i pashkruar dhe i pakuptueshëm. Ma thuaj troç se ç’qenkej fara e karafilit. Bën sfidë kudo. Të zë gjumi kur e do, të vjen erë e mirë goja, bëhesh si më i bukur, tjetërsohesh. Hidhja ujit në gjymin e vogël dhe laji sytë me të mëngjeseve. Le ta kishe këmishën me arna, s’kishte rëndësi, por ama e finjosur, e larë mirë, e hekurosur dhe e spërkatur me aromë karafili dhe e ruajtur si palë trëndafili, atëherë do ta kuptoje menjëherë se kishe ardhur në Kalanë e Beratit. E pra, këtu të prisnin me farë karafili, të nderonin. Mos ishte ajo aroma kur hyra në fillim dhe mu te Porta e Madhe të puthte në ballë? Dhe kjo aromë s’ka humbur. Mund ta provokosh veten dhe të futesh te shtëpia e parë, te Vangjel Dollani, ose tek i vëllai, Luçi. Djem të mbarë. Profesori ndien se i dridhet shpirti nga malli. Qenkej mall i tjetërfartë ky i vendlindjes dhe të shfaroste me gjithsej, të bënte të bije në gjunjë dhe të luteshe për diçka të shenjtë… Se shenjtëri më vete qenkej Porta e Kalasë!
Profesori do, e kërkon me ngulm të bëjë guidën. Ja, këtu ku jemi. Si e rindërtoi Portën dhe gjithë kompleksin e saj, muret rrethuese, muret e Akropolit, hapsanën e madhe me shufra hekuri atje pranë Tabies, një nga pikat më të larta, në një rrafsh me Xhaminë e Kuqe, ashtu e kërrusur, pasi gjysma e minaresë i ka mbetur rrugës mbi shpinë, duke parë e llahtarisur muret e larta, mjaft të larta, të Akropolit. Xhamia ku faleshin ushtarët, që hidhte e priste sinjale me Xhaminë e Bardhë, xhamia e zotërinjve, në anën tjetër e Kalasë. Ne dilnim te pragu, mbanim sehir këngën dhe sa hap e mbyll sytë, u vidheshim syve të prindërve, i shkonim brinjas Katedrales së Onufrit, si quhet sot, dhe këtu mblidheshim, te porta: herë bënim roje, herë çukitnim si pëllumbat, herë na bënin shoqëri laraskat dhe pastaj rrinim pezull si skifterët! Ajo kohë sigurisht që ka vdekur, po për të mbetej e gjallë. Si rrallë kund në botë. Unë, miku im, do të zbuloj edhe një thesar tjetër: trëndelinën. E di ç’bëri Mihali i Dytë këtu? I mbushi themelet e mureve me trëndelinë. Ja, vëri re dhe eja pranë meje. Mbaj frymën. Tani merr frymë pranë gurëve. E ndien? Ende, pas qindra vjetësh vjen kjo erë e mrekullueshme, një magji më vete. Ai ndoshta solli këtu një mit nga të parët e tij që jetonin larg, por ama këtu mbeti. E ke parë që kur hedhin themelet e reja të shtëpive njerëzit vënë një dorë trëndelinë? Të mbyt aroma e saj përjetësisht. Trëndelinë Shëndëllie dhe Shpiragu, trëndelinë mali dhe fushe. Ah, ç’kënaqësi! E rrallë! Ndërsa tani, në kohët e reja, ka ndryshuar shumëçka mirëpo, më thoshte Pinguli, miku im që ndërton, se pa u dukur ai kudo që është i bën ritet një më një, ta dish. Kjo do të thotë se, edhe pse jemi në kohë të tjera, përsëri nuk është keq ta vëmë një dorë trëndelinë. Po pse? Pse ndodh kjo? Ç’punë ka trëndelina me rrojtjen e kohëgjatësisë së mureve! Sekretin e thotë Ana Komnena në historinë e Bizantit dhe kuptohet edhe të Beratit, si pjesë me emër e Perandorisë, atëherë kur quhej Pulcheriopolis! Pulkeria e famshme i vuri emrin e saj Belgradit shqiptar që do të vinte më vonë. Dhe ajo vinte erë trëndelinë! Si të gjitha femrat e asaj kohe. Por ku e ku t’u hedhësh themeleve, që atëherë në të gjitha muret e Kalasë së lashtë mbijnë çdo pranverë trëndelinat. Sa rrojtkan këto farëra? Pa fund. Ja, pra, a nuk është ky një mister? Koçi Bojaxhiu, kampioni për erërat e nuhatjeve që rrinte-rrinte në Qereshnik dhe klasifikonte lulet shumëllojëshe që i duheshin Vangjel Dollanit për herbariume. Por ata nuk e njohin historinë me trëndelinë! Dhe kështu nuk njohin shenjtërinë e Portës së Madhe…
Po e treta? Ti nuk e beson. Por Mihal Engjëlli i Dytë i Portës, ai emri i gdhendur aty, ndonëse truppakët e shëndetlig, qe një gjahtar i madh, i palëkundur në vendimet e tij. E thoshte një fjalë dhe betohej për të. Vinte përsëri dhe ulej në një gur, duke përvijuar një buzëqeshje të sinqertë. Ç’buzëqeshje! Dinte t’i bënte për vete njerëzit. Dukej se i jepte buzëqeshje gjithë Kalasë dhe Pulcheriopolisit, shoqëruar me një shprehje të përmbajtur, po edhe me egërsi e brishtësi delikate prej zonjash të modës së lartë, një mister i shenjtë dhe hir tokësor!… E dinte se do të bënte një kurban. Dhe çfarë zgjodhi? Dhelprën. Një dhelpër? Po, shoqëruar me një fshehje dhe joshje të mistershme, gjersa të shfaqet madhështia. Kurrë s’ka ndodhur që ujku apo çakalli, rrëqebulli apo ariu të vihen me trup e gjak në dheun e themelit! Po edhe dhelpra, kunadhja etj.? As ato. Po shembullin e dha Mihali II Engjëll Komneni. Ai e kapi vet dhelprën me çark, një çark i argjendtë, diku në pyllin me lisa mbi Goricë, që fillonte mbi Sheshin e Dosave dhe mbaronte në dyert e Tozharit e të Terpanit. Ia bëri ceremoninë ja, këtu, te Porta e Madhe. E shqeu me dorë dhe kokën nuk ia preku. Pse? Ashtu e dinte ritin ai! Dhe e vuri në themel. Kjo kështjellë nuk mund të merret kurrë me dhelpëri. Portat do t’i hapë çdo mëngjes pa feksur drita, do të mbyllet vonë në mbrëmje, do të mbahen ndezur gjithë natën fenerët dhe pishtarët. Gjithë Kalaja dhe gjithë rrugët e rrugicat e qytetit. Drita të shkëlqejë, siç ia kërkon emri Pulcheria. E puthi dhelprën në ballë, ia mbylli sytë dhe e la përjetësisht në themelet e Portës, që ngrihet mbi gurët ciklopikë të Ilirisë. Kështu do të mund të rronte më gjatë, madje pa fund. Në buzët e tij me afsh të zjarrtë. Një herë sa njëmijë herë ai ndjente mekjen e frymës. Duhej të përfitonte enigmën e shenjtërisë, ashtu siç e e këshillonte një zë i fshehtë. Themelet prej gjaku dhe eshtrash dhelpre do ta ruanin përjetësisht të paprekshme. Kur hyri komandanti austrohungarez për herë të parë gjatë Luftës së Parë Botërore, u tha të afërmve të tij me anë të një letre se kishte ardhur aty për një gjë të rrallë, se, siç e dinte ai, aty kishte libra të shenjtë të vjetër. I kam parë në shkrimet e gazetave të Vjenës, ku thuhej edhe për kurbanin e dhelprës! Dhe kjo ka qenë e saktë. Ndonëse ia donte shpirti t’i vinte nën zotërim, kujdestarët e kishave në Kala e kishin ruajtur betimin dhe librat e shenjtë nuk u gjetën kurrë, vetëm kur Aleks Buda, një lexues me nam i kronikave dhe dosjeve vjeneze, do t’i shtinte në dorë falë faljes dhe përkujdesjes së një burri kalari me emrin Nasi Papapavli. Po kjo është histori tjetër… Edhe një shenjtëri tjetër.
Profesori merr frymë thellë. Qëndron pezull në një përhumbjeje tronditëse habia. Vallëzon e bindur për suksesin e jashtëzakonshëm era. Në lojën e instinkteve ngrihet njeriu. Një pritje ëndërrimtare kjo, e mbushur me shpresë, ndonëse sytë të shohin dy gurë të kreut hequr, dhera hedhur nga lartësitë e anëve, dy shembje masive në perëndim e lindje, daljet që të detyrojnë të mbash hundët me duar… Pse, pse kështu? Ku vajti zjarri shkrumbues i dashurisë? Ku u fsheh era që zbret nga malet dhe pyjet? Ç’tërbim fshihet pas fjalës? Një ngazëllim trullosës krejt i veçantë. E vërteta do të përplaset gjëmshëm përtokë dhe këtë e dinë të gjithë. Sepse atje ngrihet madhërishëm e kaluara e thellë bashkë me zërat që vijnë pëlleshëm nga nëndheu… Aty është kufiri i parë i trëndelinave, aty ruhen farërat e karafilave, aty lëkundet magjishëm maja e barit…
A mund të ngriheshim dhe të merrnim rrugët e Kalasë? Pse jo? Ai e quajti të pam¬baruar punën dhe kishte plot për të thënë. Nga porta e parë në portën e dytë. Aty mund të futen katër kalorës njëherësh. Dhe gjithë ushtria rreshtohej në sheshin e madh, përanash manastirit të mbetur pa krye. Aty përmblidhen të gjitha dijet e botës dhe pastaj e kupton se të vjen dëshira për të folur. Dhe harron gjithçka tjetër, si për të treguar se asgjë s’ka mbaruar. Ka të fshehta të tjera, sigurisht. Dhe njëra prej tyre është muzika. Ai, Mihali i Dytë e mbante në gojë Johan Kukuzelin. E gjeti lirën dhe e gdhendi në gur. Lira binte vetë netëve dhe përkundte ëndrrat e vashave duke ujitur lulet e llojllojshme aty në penxheret me hiret e tyre të ndriçuara në profil prej dritës së mekur aq provokuese! Aty kërcehej në dritën e qirinjve dhe vallet i ktheheshin me fytyrë Tomorit! Po mbrëmjeve nën dritën e hënës? Kanë qenë kohë të arta ato, kur pushtuesi nuk e dinte që ishte i tillë, kur vendësi jetonte pa e ditur e pa e kuptuar nga kush vinte. Traditë e mbërthyer dorë më dorë. Dhe Ana Komnena betohet për muzikën e Kukuzelit dhe punën e bukur të shqiptarëve. Dukej sikur ato kohë nuk ekzistonte urrejtja.
Profesori i dinte të gjitha.
Mihali i Dytë Engjëll Komneni, kur Berati i përkiste Despotatit të Epirit, që e komandonin Komnenët, e donte pikturën dhe e zbuloi atë te mjeshtrit dhe artizanatet. Vetë nuk ua ktheu kurrizin, por sikur ta dinte se aty do të lindte një piktor i madh, më i madh se të gjitha kohët, një piktor i jashtëzakonshëm që do t’i bënte epokë Shqipërisë dhe do t’i bëhej legjendë ikonografisë. Ikona mbante edhe Mihali i Dytë. Ndoshta lutej për shëndetin e tij të munguar. Piktura dhe ikonat të mbajnë gjallë thotë Puzanova dhe këtë ta dëshmon edhe Jorgji Doksani.
Mihali i Dytë Engjëll Komneni u bë keq kur perandori bizantin u ul dhe pa portretin në ikonë. U ligështua edhe zoti i Pulcheriopolisit, si atëherë kur erdhi dhe u fal aty mbreti serb Stefan Dushani, që deshi të gdhendte shkronjat cirilike në portën e Kalasë. Por nuk e lanë dhe i thanë se aty në themele kishte reptilë që buronin vetvetiu. Dhe iku nga sytë këmbët serbi, që u trembej reptilëve edhe po t’ia zije ngoje! Punë besimi, ndoshta, se edhe perandori bizantin që erdhi përkrah Mihal Engjëllit u shty më tej si të blasfemohej. Buzëqeshja e mekur u përdrodh në buzë si një pamundësi e egër. Dhembja mund të nxirrej jashtë bashkë me misteret e pafundme të kësaj porte që nuk u shemb më kurrë as nga tërmetet e fuqishme, as nga bombardimet, as nga dhuna e egër e pafuqisë njerëzore. Se s’ka më të dhunshme sesa mungesa e fuqisë! Dhe ra sëmurë. Mihali i Dytë u kujdes për perandorin, sepse e dinte që Pulcheriopolisin e mbrojti edhe kur anzhuinët u zgjatën me ushtri nga Durrësi deri në Kostur. E mbajti edhe shprehjen e çuditshme në buzë, rrethuar me një besnikëri të sojme për vete edhe atëherë kur vdiq.
Ceremonia u bë në Akropol por korteu doli dhe hyri sërish në Portën e Madhe, duke lënë pas një kod të fshehtë sa qe gjallë dhe bash për këtë ai nuk vdes! Cili është ky kod? Buzëqeshja e fshehur nga sytë e të tjerëve, sapo e sheh në sy teksa hyn aty. Shihet vetëm njëherë të vetme. Mërmërima e zërit që sjell era vjen tek ti: Për qiell e perëndi, ja, më në fund unë po vij aty. Dhe drita, edhe kur dielli mungon, bie mbi fytyrën e bukur që fsheh buzëqeshjen e mistershme.

Filed Under: ESSE Tagged With: – SHENJTORI I GJASHTË, PORTA «MIHAL ENGJËLL KOMNENI«, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 367
  • 368
  • 369
  • 370
  • 371
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT