-“Është e vështirë të flasësh për diçka të cilën nuk e ke provuar ose nuk ke qenë asnjëherë pjesë e saj.”/PRISHTINË, 12 Prill 2016-B.Jashari/ Në Kososvë, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së (EUICC) në Prishtinë shpërblen finalistët e garës për esenë më të mire. Në një ceremoni dhe koktej rasti, sot, në ambientet e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së u mirëpritën nxënës, prindër arsimtarë të dhjetë aplikantëve më të mirë të gares “Çfarë do të thotë BE për mua”. “Është me te vërtetë një pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur. Është e vështirë të flasësh për diçka të cilën nuk e ke provuar ose nuk ke qenë asnjëherë pjesë e saj. Është sikur një Siberian të flas për një ditë të nxehtë në plazhë, të cilën ka mundur ta shoh vetëm në televizor”. Kështu e kishte filluar esenë e sajë Bardha Çitaku. nxënëse e shkollës “Frang Bardhi” nga Mitrovica, së cilës i takoi çmimi i parë në këtë garë.
Në “kopshtin e muzës poetike “të Xheladin Mjekut
Nga SEJDO HARKA/
Sapo fillon të shfletosh librin me poezi “ Në kopshtin e muzave”,shkruar nga poeti i njohur kosovar Xheladin Mjeku ,e ndjen veten si në një kopsht të bukur ,rrethuar nga muzat.Lexon vargjet e poezisë së këtij vëllimi me të njejtin titull,dhe të duket vetja sikur fluturon kalëruar mbi magjinë e shtojzavalleve , për të shijuar bukurinë e muzës poetike të autorit.Në këtë udhëtim të çuditshëm,përkrah trokut të shtojzavalleve ndjen,herë ngrohtësinë e diellit e herë ftohtësinë e ngricave,herë ankthin e zemrave e herë bukurinë e ëndrrave ,herë magjinë e muzave dhe herë kafshimin e gjarprit. Në shpirtin e trazuar të muzës poetike të Xh. Mjekut bashkëjeton dhimbshëm një antinomi e çuditshme midis bukurisë dhe shëmtisë ,urrejtjes dhe dashurisë humanizmit dhe egërsisë…Nga njera anë lartësohen “dragonjtë” dhe “zanat” ,që me forcën dhe dhe bukurinë e tyre të rrallë mbrojnë dhe konservojnë trojet , gjuhën dhe likinë, zbukurojnë natyrën dhe shpirtrat njerëzorë,ndërsa nga ana tjetër të fanepsen”shtrigat “ dhe “lugatët”,”ulkonjat dhe “katallanët” ,që kërkojnë të shkelin e kafshojnë Kosovën e Shqipërinë dhe të vrasin shpresën dhe lirinë.Por para se të ndalemi te disa nga vlerat e këtij vëllimi ,po ndalemi për të treguar me pak fjalë se kush është Xheladin Mjeku:Ai ka lindur në Prishtinë,në vitin 1961.Ka një krijimtari trë bollshme dhe të larmishme krijuese dhe artistike .Deri tani ka shkruar dhe botuar rreth 10 libra me poezi e prozë për fëmijë ,të rinj e të rritur,disa prej të cilave janë nderuar me çmime të ndryshme.Në vitin 2010 ,poeti Xh .Mjeku,me përmbledhjen poetike”Mëkatet e Orfeut”,është nderuar me çmimin e parë ,nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në botë”Drita” dhe Istituti i Librit dhe Promocionit “Toena”Tiranë. Vitet e fundit ai është prezantuar dhe me disa antologji poetike e libra me kritika leëtrare dhe shkrime të ndryshme publicistike.Është pjesmarrës aktiv në luftën çlirimtare të Kosovës.Prandaj ,disa nga poezitë e tij më të mira janë përjetime të dhibshme nga fronti i luftës për liri.Poezitë e vëllimit poetik“Në kopshtin e muzave”,botuar kohët e fundit , janë përjetime të dhimbshme të poetit për lëvizjet dhe luftrat që janë bërë nga populli shqiptar gjatë 100 vitet e fundit.Në koncepsionin poetik të Xheladin Mjekut trazohen realja me irealen,tokësorja me imagjinaren dhe historia me mitologjinë.Libëri dallohet për larmishmëri tematike dhe mesazhe universale,për figuracion të bukur dhe frymëzim spontan,për vargëzim elegant dhe simbolikë të gjallë. Në poezitë e Xheladin Mjekut ,kombi dhe atdhetaria,gjuha dhe shqiptaria ,shpresa dhe liria duketn sikur janë zënë dorpërdore me shtojzavallet ,për të ndjekur bashkë me lexuesit vallen e muzës poetike.Këto nocione filozofike që janë tjetërsuar në simbole estetike,marin vlera universale,kur ato vishen me vellon e simbolikës poetike,gjë që i bën lexuesit të gjejnë atë që fshihet pas perdes së tekstit. Pas magjisë së muzave fshihet freskia e mëngjeseve dhe bukuria e sorkadheve,ngrohtësia e diellit dhe shkëlqimi i arit.Poezia “Dioptri për zënien e diellit” është një protestë e fuqishme ndaj padrejtësive të shekullit, i cili fatkeqësisht vuan nga mungesa e diellit dhe terri.Për autorin e librit ky shekull është mbarsur me lugetër” dhe “bie erë harbutërie plot kutërbim”.Kjo është arsyeja që hapi i stërmunduar i Kosovës është detyruar të ndjekë udhën e”lëkurës së gjarpërit”,të mbetur gurëve të shkretëtirës.Kjo ka ndodhur sepse drita i i ka ardhur jo nga “dielli i lirisë”,por përmes “rrjetës së merimangës” dhe hiles e errësirës.Xheladin Mjekut i vjen keq ,kur sheh se guximi kosovar,edhe pse ka derdhur shumë gjak, ende zvarritet i trembur.Është kjo arsyeja ,që ai kërkon nga bashkëkombasit e tij “dioptri tjetër për çlirimin e diellit”(10).Në poezinë “Artemida vulgaris”,lexuesi mbërthehet nga antinomia e gëzimit dhe trishtimit,midis shpresës dhe pensimizmit dhe midis ëndrrës dhe flijimit.Lexuesi, në vargjet e kësaj poezie përjeton ndjesinë e “thyerjes së heshtave në lojën e përbindëshave” .Ndërsa pas tymnajës së kësaj loje dëgjon “zërat e harruar të epokës së mashtrimit”.Për poetin ,atje ku mbin Artemisa(Lulja e gjakut),shpirtrat njerëzorë janë më afër njeritjetrit ,për rizgjmin e jetës.Simbolika metaforike e Xh.Mjekut i bën “Muret e pallatit të të shtypurit”,të mbeten gojëhapur,ndërsa”heshtja vrastare e kohës ngre folenë në zemër të kullës”,sepse shekulli shurdhmemec bën sehir me mortjen.Ishte koha kur “myku ngrihej deri në kupën e qiellit”, edhe pse “ shtypja kish dhënë shpirt mbi fletët e zverdhura të flijimit”. -Është kjo arsyeja që kosovarët-shkruan poeti-rendin udhëve të Evropës ,për të kërkuar shpëtimin dhe shpresën e humbur.Si një himn i bukur për atdhedashurinë dhe mërgimin tingëllon poezia “Malli i një mërgimtari” .Mërgimtarin e ka prerë aq shumë malli për vendin e tij ,sa që nuk e kupton në se”Atdheu gëzohej nga kthimi/a gëzimi ishte buzëqeshja e tij” Për Xh.Mjekun historia ,krahas ditëve të vrullshme ,ka dhe ditët e saj të frikshme e të tmerrshme .Ato herë ecin përpara,herë mbrapa dhe herë mbeten në vend.Kur memorja e kombit verbohet,ka të ngjarë që dhe historia të kthehet në pikën zero.Lexuesi ,duke i rënë kryqetërthor “ kopshtit të muzave”,në brendësinë e të cilit bashkëjetojnë frika dhe guximi,shpresa dhe zhgënjimi,ndjen dhimbjen që pëjetuan kosovarët gjatë luftës për liri dhe pavaresi,për të çarë terrin e natës dhe mjergullën e heshtjes,për të vrarë përdhunimin,pabesinë dhe kobin e zi.Heroi lirik i poezive të këtij libri shpesh shkrihet me poetin ,i cili dje ishte “Promete i ri”, që luante me zjarrin e ndjenjave,ndërsa sot s’është gjë tjetër veçse shëmbëlltyrë e kujtesës.Ai është tjetërsuar në “Pegas “në fluturim.Në poezi të tilla ,si ajo me titull”Apollogji”,poeti Xh. Mjeku shpreh dëshpërimin ndaj realitetit të hidhur të kohës ,kur fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite mbretëron i ligu dhe i paafti,i pacipi dhe lajkatari,të cilët i quan”Hutinë që majë plepi ngrejnë foletë”.Për të është koha kur”Shtojzavallet nuk mund të çelin udhë”(30).Varrmihësit e kohës”Hingëllijnë mes psherëtimave të ditës”(*34).Guximi dhe shpresa ringrihen vetëm kur shemben tempujt e idhujve të lavdisë.
Janë të shumta poezitë që e marin frymëzimin nga figura të shquara të artit dhe të letërsisë shqipe si Naim Frashëri ,të cilin ai e quan bilbil të gjuhës shqipe,simbol të shqiptarisë,bukurisë dhe mënçurisë së kombit.Ndërsa për lexuesin ai mbetet burim i ujrave të kristalta , që u shuan etjen me gurgullimat dhe kthjelltësinë e tyre të rrallë.Janë këto disa nga arsyet ,që autori i drejtohet atij me mirnjohjen:”Përulësisht të falemi”!.Në kujtim të poetëve të mëdhenj ,që fatkeqësisht po i kin si gjethet e vjeshtës ,pa u ndjerë e njënganjë,ai shkruan poezinë”Lotët”.Nga heshtja dhe mosvlerësimi,vargjet e e këtyre poetëve,”që shpojnë me majën e shpatës së Demokleut”mortjen dhe skllavërinë,rrebelohen fuqishëm.Në kristalin e kripur të lotëve, ata kanë lënë ëndrrën dhe gëzimin dhimbjen dhe trishtimin,forcën dhe guximin,dashurinë dhe trishtimin.
Një vend të dukshëm në poezitë e këtij vëllimi zënë ato me motivin e dashurisë.Për poetin dashuria është një impuls i fuqishëm ,që e bën njeriun me krahë për të kapërcyer çdo pengesë dhe vështirësi,bile dhe “shtegun e ylberit”.Syri ,edhe në poezitë e këtij autori ,është simbol i sinqeritetit dhe bukurisë,por dhe i dredhisë dhei pabesisë.Në retinën e syrit të dashuruar, lexuesi shijon ngrohtësinë e diellit dhe kthjelltësinë e qiellit,sinqeritetin e fëmijës dhe ëmbëlsinë e sheqerit.Edhe pejsazhi zë një vend të dukshëm në brendinë e shumë poezive të këtij vëllimi.Objekt i këtyre poezive janë natyra nudo dhe stinët e vitit si vjeshta e pranvera ,të cilat bëhen burim frymëzimi për këngët dhe sinfonitë e dashurisë.
Së fundi mund të themi se poezia e Xheladin Mjekut,jo vetëm ka një gjuhë të bukur dhe me simbolikë metaforike ,herë të kthjellët dhe herë hermetike ,por në brendinë e saj mban mesazhe të fuqishme gjithkohore ,me vlera universale.Shumëkuptimshmëria e poezive të këtij autori buron nga leksiku i kërkuar dhe sintaksa poetike e përzgjedhur ,nga figuracioni i gjallë dhe sistemi i papërsëritshëm i vjershërimit.Mbaron së lexuari poezitë modeste të Xheladin Mjekut, dhe të duket sikur shoqërohesh nga tingujt melodiozë të një gjuhe të ëmbël dhe nga troku i një vargëzimi modern.
“Nuk dua të vdes në errësirë”- Mystehak Xhemali
Kur e quaj Mystehak Xhemalin si penë e kultivuar, ky nuk është një nomminim imi subjektiv, por është një vlerësim që ai e meriton.Si prozator, ka dalë para lexuesëve me tri romane: “Fundi i një kryeministri”, “Murgu”,”Trishtim i kolonelit” dhe, meqë me penën e tij shquhet dhe si një publicist, u ka dhënë lexuesëve tri libra me publicistikën e tij: “Shurdhëri dhe verbëri”,”Si e kam njohur Mehmet Shehun” dhe “Enigma e një murgu shetitës”.Veç të sipërmëve, në korpusin e tij të krijimtarisë përfshihet dhe poema simfonike”Mallakastër, Mallakastër!”.
Kur shoh gjithë këtë krijmtari me vlerë të Mystehak Xhemalit, më vjen ndër mend nobelisti francez (i vetmi në botë që i nxori gjuhën çmimit “Nobël”), ZHan Pol Sartër që thotë: ” Po nuk fole për ato që sheh, atëherë ti ke përgjegjësi për gjithçka”. Parë me këtë sy, Mystehak Xhemali jo vetëm flet, por vë dorën mbi plagët shoqërore të kohës. Ai më shumë ka nevojë për “fre”, se sa për “shtirje”. Tek i sheh këto “plagë” të kohës, në të dy sistemet që jeton shoqëria shiqiptare, fshikullon guximshëm mbi shkaktarët duke bërë një akt të madh qytetarie. Duke lexuar tregimet e tij, forcon bindjen që ke të bësh me një shkrimtar që është në opozicion me të gjitha pushtetet: të djeshmin e diktaturës, po se po, por dhe të sotmin që,sado si devizë ka “kostumin e bukur të demokracisë”, mjerisht, siç ka ndodhur dhe po ndodh,e ka bërë pis këtë kostum. Jo vetëm e ka bërë pis, por tek lexon, ligështohesh me ndodhi që, për çudi, edhe ti i ke parë dhe, sado që nuk je ndjerë mirë, ke “ngrohur atë furrikun e ngrohtë tëndin të shtëpisë” dhe ke heshtur. Ke heshtur dhe nuk ke bërë as më pak dhe as më shumë, por, kur thonë në Myzeqe ( më falni për citimin pak në vijë të drejtë): – I ke bërë trragë bythës. E barabartë me atë shprehjen infatile: me”ç’më duhet mua?!!!”.
Por Mystehak Xhemali nuk ndihet mirë, kur shoqëria shqiptare nuk ndihet mirë dhe shpërthen gati si minë e ndahet në cifla, se, edhe demokracia që mezi e pritëm, kthehet në një “mirazh” zgënjyese dhe buzët e zhuritura të “hallkut” as që arritën të lagën në “oazin” e premtuar.
Mbushesh me morrnica (i gjithë turpi të ndizet), kur lexon tregimin (me të drejtë e ka vënë në ballë të librit) ,”Nuk dua të vdes në errësirë”. Sa sinjifikativ është ky tregim, po aq dhe tronditës. Obsesioni i bukur për dritë, nga një gëzim i hareshëm, kthehet në një dramë të dhimbshme. Ç’dramë? Në tragjedi për një familje fshati. Dhe kjo “tragjedi” nuk ka ndodhur larg e larg në kohëra parahistorike, por, mjerisht, në ditët e “bukura” të demokracisë dhe, pikërisht, në kohën e një qeverisje,që nga programi, duhet të jetë afër halleve të popullit. Duke sjell këtë tregim kaq të dhimbshëm para lexuesit, karizma e autorit zë rritet. Zë e rritet,se jo vetëm nuk hesht, por e ngre zërin. Se, kur thotë Mark Twain:” Parajsën zgjidhe për klimën; për shoqërinë zgjidh ferrin”. Dhe kështu ka ndodhur dhe me Mystehak Xhemalin.
Edhe për sistemin që u përmbys ( e kam fjalën atë komunist), autori sjell tregime ku demaskon luftën e klasave dhe mediokritetin ideologjik të asaj kohe. Me tregimet”Amerikani” apo dhe “Admirali”, del mirë e gjithë trysnia që binte mbi familje të tëra për arsye, ndonjëherë, të stisura në “kulisa” mediokrish të vërtetë. Kjo trysni nuk është vetëm potenciale, por krejt reale.
Një tregim shumë domethënës është “Stalini në shi”. Tek e lexoja atë tregim, vazhdimisht, më dukej sikur dhe unë po shoqëroja atë grup të huajësh në atë kooperativë të largët (andej jo vetëm kam punuar për disa vjet, por jam kthyer për nja katër vjet të mira dhe në kohën e demokracisë), por duke i ndjekur ngjarjet deri në fund, në vlerësimin tim, ky tregim ka plot elemente të atij realizmit magjik të Markezit. Buza më shkonte vesh më vesh,tek ndjeja atë ison myzeqare të amplifikuar nga të huajët, që përmjet penës të Mystehakut i zuri as më pak dhe as më shumë “sindroma e Stokholmit”.
Tregimi “Alfonso” është nga më të bukurit; në domethënësi dhe, nëse flitet për shijen time, është antologjik. Bukuria as ka brirë dhe, po kështu, edhe vlera. Merrni me mend: një shtëpi në ikje; me kuç e me maç dhe, në këtë karvan kaq të dhimbshëm ka dhe një fëmijë 5-vjeç që i dhëmbin këmbët, por nuk ka vend për të hipur mbi gomaren e ngarkuar. Dhe në këtë rrugë kaq të gjatë, ja tek gjendet një nga shkaktarët e kasj tragjedie: një italian (pushtues, domosdo) i plagosur, dhe i zoti i karvanit (babai i atij 5-vjeçarit), shkarkon gomarin dhe “vë pushtuesin e plagosur”,Alfonson. Nuk ka se si ngrihen në apogje më mirë se tek ky tregim, karakteristikat e popullit tonë. Alfonsua “pushtues” u bë mik,se të tilë jemi ne, shqiptarët.
Në pjesën e dytë të tregimeve, janë përfshirë një pjesë tregimesh humoristike që janë tipit: “qesh e ngjesh”. Qesh e ngjesh, kur kjo”gjeshja” është e “hipotekuar” për qeverinë dhe gjith aparatin shtetëror. Sa të lexosh titullin, dhe e merr me mend se për kë bien daullet, Të tilla janë”Varr pa leje ndërtimi”,”Kur më ktheu surratin, njoha kandidatin”,” Bombola e gazit dhe frunella e vajgurit” dhe, ca më tej, më domethënësi:” Xhaxha, populli e ha”.
Libri ka dhe grimca të tjera që të bëjnë të qeshësh, nga ato që, po t’i gjykosh mirë, janë “qesh se nuk qaj dot”, se, me të vërtetë, për problemet që trajtojnë, janë për të qarë.
Duke thënë vetëm kaq, mendoj që të them: unë fola dhe portën për t’u njohur me tematikën e tregimeve kaq me vlerë të Mystehak Xhemalit e kam lënë hapur, Hyni atje dhe keni për të mbetur të kënaqur.
Tiranë, 12 prill 2016
AJET RAINCA, USHTARAK I VËRTETË
Nga Qamil S.Llashtica/ Nënkryetar i deges se Vatrës–Toronto/ Kanada/
Ngase kishte përvojë të madhe luftarake dhe ishte atdhetar i dëshmuem, qeveria shqiptare e emroi Ajet Raincën komandant dhe përgjegjës për vijën e frontit Preshevë—Bujanovc , ai këtë sektor e mbrojti me trimat e tij deri në momentin e fundit, derisa ishte e mundshme me trimni, heroizëm dhe sakrifica të shumta. Komandant Rainca , përpos trimnisë dhe shkathtësve luftarake përdori edhe mençurinë për të cilën do t’ia kishte lakmi çdo oficer me akademi ushtarake. Këtu ma poshtë po japim nji rrëfim të cilin e kam ndëgjue sa e sa herë në odat e burrave e i cili flet për nji fitore të shkëlqyeshme të luftarëve shqiptarë nën komandën e Ajet Raincës.
Ishte vjeshta e vitit 1944, shqiptarët po i mbronin heroikisht kufijtë verilindor të Shqipnisë nga barbarët sllavë. Bigada e Ajet Raincës ishte vendosun në fushë përgjatë hekurudhës dhe luftarët thoshin asokohe se ,,nji shin asht yni, nji i tyne” Në anën tjetër të vijës së frontit ishin vendosun serbët dhe kishin kurdisun artilerinë e tyne. Gjatë gjithë ditës luftarët tanë po ndërtonin istikame [llogore] dhe po i përforconin pozicionet ndërsa komandanti mbikqyrte punën e tyne dhe jipte vërejtje dhe udhëzime të nevojshme . Para se të vinte mbramja çdo gja ishte gati dhe në rregull. Dita ishte e shkurtë dhe shumë shpejt ra muzgu . Kur u errësue mirë komandanti dha urdhën të tërhiqeshin 100 e sa hapa mbrapa dhe të ndërtoheshin llogore të reja. Kjo i hidhëroi bukur shumë luftarët; disa banë mjaft zhurmë ndërsa disa të tjerë shfaqën pakënaqësi të hapur. Gjatë natës filloi ndërtimi i pozicioneve të reja. Ende pa u nda nata e dita e ende pa dhanë ferk mëngjesi –gjëmoi kobshëm artileria serbe, këtë po e priste komandanti Ajet Rainca. Ai e dinte shumë mirë se ata gjatë ditës i kishin piketue pozicionet shqiptare. Uluronin topat—bombardim i tmerrshëm dhe i pamëshirshëm ndaj pozicioneve të braktisuna, luftarët tanë po qëndronin në pozicionet e reja të lumtun dhe shumë të gëzuem, ata vetëm tashti po e kuptonin qëllimin dhe madhështinë e urdhnit të eprorit të tyne. Mbasi u zdrit mirë—pushoi artileria serbe, pritej sulmi i tyne dhe pikërisht këtë po e prisnin tashti luftarët tanë. Nuk vonoi shumë dhe sulmi filloi –barbarët vinin me zhurma e me sharje dhe fare të shkujdesun sepse ishin të bindun se aty nuk kishte mbetun kambë shqiptari, nuk e dinin ata se në anën tjetër ishte nji zog shqiptari që ,,e kishte mendjen femën” dhe se ai ,,ta lexonte letrën në xhep”. Të gjithë tashti e mbanin gishtin në kambëz, skondat ishin shumë të gjatë, tepër të gjatë por pa u ndëgjue krisma e komandantit askush nuk guxonte të shkrepte—ky ishte urdhën . Ato skonda që zgjatën me vjet—kaluen, kur barbarët ishin afrue bukur mirë –atëherë jehoi thekshëm pushka e komandantit, si rêja (rrufeja) në të kthjelltë e në pikë të ditës e në midis të verës…dhe o Zot …tmerr… asnji i gjallë nuk mbeti –e kërkuen për qielli dhe e gjetën për toke. Luftarët shkuen dhe ua mblodhën armët se këto u duheshin shumë ndërsa punën tjetër ua lanë korbave, egërsinave dhe shpendëve të malit .
VASILI I MADH
Nga Ilir LEVONJA/
Në ato fillimet e mia rreth shkrimtarisë, ka pjesë të padiskutueshme edhe një njeri. Ai është inxhinjeri kimist Vasil Bozo. Ose Vasili i madh siç e thërrisja ndonjëherë. Me sa mësova së fundi, nuk jeton më. (Një sëmundje e rëndë e ndau para kohe prej nesh) Dhe në raste të tilla, sidomos kur je larg, trishtimi është dyfish.
Çfarë ia vlen t’i kujtojmë… Jam në udhëtim dhe ndërsa shkëmbehem me pyje pa mbarim. Shkëmbehem edhe me portretin e qeshjen e tij. Me ato ndërhyrjet e ”pa takta” që bënte, si e si të rregullonte një poet nga qyteti. Unë përshembull mbaj mend se si ashtu ”pa diplomaci” i kërkoi ambasadorit rumun një bursë për mua, në një drekë poetike në Divjakë për nder të Ahmatovës dhe Blandianës, pikërisht në ato vitet e para të demokracisë. Sipas Vasilit të madh, kulturës rumune i bënte nder kualifikimi im aty. Unë isha një penë me vlerë. Në fakt ato kohë sapo kisha folur me atë për koiçidencat letrare që përfitohen nga krahasimet midis autorëve të rajonit dhe mbarë botës. Kisha prekur poetikën e Ana Blandianës dhe Flora Brovinës. Detaje këto që i kam interpretuar më vonë në një ese të gjatë dhe që tashmë është e botuar në disa organe shtypi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Jashtë meje, kur e gjykoj sot them se Vasili i madh kishte konkluduar brenda asaj shpirtgjerësie që e karakterizonte. Ai ishte shenjti i gjallë, engjulli mbojtësi i yni.
Por unë nuk dua të ndalem tek ai dhe unë. Por tek ai dhe të tjerët… Tek ai, dhe poezia. Tek ai dhe poetët apo shkrimtarët në përgjithësi. Pasi kam përshtypjen se veprat e mëdha nuk janë vetëm ato që duken…., ka edhe memoria plot të tilla. Lum kush ka një memorie kësisoj. Lum kush ka shumë në vetvete dhe i ndan me ne.
Për së pari mbaj mend se si shkrimtari Halil Jaçellari e tregonte kudo se, për hatër të Vasilit ishte bërë me shtëpi. Në ato mbledhjet ku ndaheshin apartamentet drejtori, një burrë kaba që për nga rrëfimet i ngjan peronazheve klasikë të memories së letërsisë botërore. Diku si Zorba dhe diku si koloneli Buendia, i drejtohet kolektivit dhe i thotë. Këtij pesëkatëshi a katërkatëshi, ndajeni e bëni si të doni ju. Nuk u ndërhyj unë…, vetëm hiqmëni mënjanë një hyrje se më hëngri kokën ai im bir. E do për një shkrimtar. Biri ishte Vasili i madh. Më i ndjeshëm se çdo pushtet.
Për së dyti, se si në një nga ato ndërrmarrjet e kohës. Me sa më kujtohet në një fabrikë tullash, ku tashmë ishte vet një kuadër. I dha për shtëpi pa gajlen e pushtetit…, një nga ato barangot e ndërtuesve. I bindur se po bënte një xhest të madh historik, poetit Sherif Bali.
Ishte apo nuk ishte, apo se ishte…, për ‘të qe një çati mbi kokë. Një strehëz për një poet i cili kërkonte të vinte me shtëpi në qytet.
Për së treti, po një tjetër poeti, Baki Nezhës…i siguroi një punë më të mirë. Nuk i besohej që një lirik i fjalës të thyente gurë. Duhej të bënte medoemos diçka. Dhe e bëri…
Për së katërti… Janë shumë të tilla. Dhe Vasili i madh thoshte shpesh, me gojën e popullit. Bëje të mirën dhe hidhe në lum.
Nga mësova edhe një përcjellje e një gazetari të vjetër me emrin Dhimitër Shtëmbari, kohët e fundit Vasili kishte rënë në gjëndje depresive. Me gjithë bukurinë e fjalëve të Dhimtrit. Gjithçka më ngjalli atë efektin e bisedës së burrit me burrin. Ne e kemi të tmerrshme t’ia themi njëri-tjetrit dy fjalë në sy. Por unë po përpiqem.
Ndofta në këtë rrokapjekje jete, njeriu i madh dikujt i duket budalla, dikujt havardar, e jo serioz. E dikujt ndryshe nga këto që unë thashë. Të gjallët e kanë për dreq të dallojnë cilësitë. Thonë se papunësia të hëngri kokën vëlla. Nuk e di. Dhe disa më thanë se ti ishe dhe socialist. Dhe vet ata të lanë pa punë. Eh….., socialistët si ty? Apo si i ndjeri tjetër, shoku yt i mirë Vladimir Çuni! Në këtë virane demokracinë shqiptare ishe nga të paktët që nuk e kishe problem të shoqëroheshe me socialistë, komunistë, ballistë, legalistë, republikanë, socialdemokratë, apo demokratë. Madje tek ty etiketimi nuk e ndante dot njeriun. Nga ata që ti ndihmoje ishin edhe kulakë, apo klasë e përmbysur. Por ti ashtu ishe gatuar, aq sa me mendje tek Tagora, tek filozofitë, tek shekujt, tek qeveritë, dënimet dhe lufta për njëri-tjetrin shkonin si shaka publike. Po kjo virane kështu është mik i madh… I madhi shtrihet për tokë. Dhe konia leshatore leh në parlament. Popujt janë ashtu siç thoje ti, në radhën e kosit.
Dua të them edhe diçka të vogël. Diçka shoku… se poezia rron në shekuj, në saj të ekzistencës së sojit tënd. Këtij soji prej ëngjulli. Askush, asnjëherë nuk e ka dashur, e do, e mbron…, e mbrojtur atë si ty. Me një delikatesë që ka emrin e kristalit. Kimisë së shpirtit njerëzor. Dhe ndjesë që fola kaq pak për ty .
- « Previous Page
- 1
- …
- 379
- 380
- 381
- 382
- 383
- …
- 617
- Next Page »