Nga SEJDO HARKA/
Sapo fillon të shfletosh librin me poezi “ Në kopshtin e muzave”,shkruar nga poeti i njohur kosovar Xheladin Mjeku ,e ndjen veten si në një kopsht të bukur ,rrethuar nga muzat.Lexon vargjet e poezisë së këtij vëllimi me të njejtin titull,dhe të duket vetja sikur fluturon kalëruar mbi magjinë e shtojzavalleve , për të shijuar bukurinë e muzës poetike të autorit.Në këtë udhëtim të çuditshëm,përkrah trokut të shtojzavalleve ndjen,herë ngrohtësinë e diellit e herë ftohtësinë e ngricave,herë ankthin e zemrave e herë bukurinë e ëndrrave ,herë magjinë e muzave dhe herë kafshimin e gjarprit. Në shpirtin e trazuar të muzës poetike të Xh. Mjekut bashkëjeton dhimbshëm një antinomi e çuditshme midis bukurisë dhe shëmtisë ,urrejtjes dhe dashurisë humanizmit dhe egërsisë…Nga njera anë lartësohen “dragonjtë” dhe “zanat” ,që me forcën dhe dhe bukurinë e tyre të rrallë mbrojnë dhe konservojnë trojet , gjuhën dhe likinë, zbukurojnë natyrën dhe shpirtrat njerëzorë,ndërsa nga ana tjetër të fanepsen”shtrigat “ dhe “lugatët”,”ulkonjat dhe “katallanët” ,që kërkojnë të shkelin e kafshojnë Kosovën e Shqipërinë dhe të vrasin shpresën dhe lirinë.Por para se të ndalemi te disa nga vlerat e këtij vëllimi ,po ndalemi për të treguar me pak fjalë se kush është Xheladin Mjeku:Ai ka lindur në Prishtinë,në vitin 1961.Ka një krijimtari trë bollshme dhe të larmishme krijuese dhe artistike .Deri tani ka shkruar dhe botuar rreth 10 libra me poezi e prozë për fëmijë ,të rinj e të rritur,disa prej të cilave janë nderuar me çmime të ndryshme.Në vitin 2010 ,poeti Xh .Mjeku,me përmbledhjen poetike”Mëkatet e Orfeut”,është nderuar me çmimin e parë ,nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në botë”Drita” dhe Istituti i Librit dhe Promocionit “Toena”Tiranë. Vitet e fundit ai është prezantuar dhe me disa antologji poetike e libra me kritika leëtrare dhe shkrime të ndryshme publicistike.Është pjesmarrës aktiv në luftën çlirimtare të Kosovës.Prandaj ,disa nga poezitë e tij më të mira janë përjetime të dhibshme nga fronti i luftës për liri.Poezitë e vëllimit poetik“Në kopshtin e muzave”,botuar kohët e fundit , janë përjetime të dhimbshme të poetit për lëvizjet dhe luftrat që janë bërë nga populli shqiptar gjatë 100 vitet e fundit.Në koncepsionin poetik të Xheladin Mjekut trazohen realja me irealen,tokësorja me imagjinaren dhe historia me mitologjinë.Libëri dallohet për larmishmëri tematike dhe mesazhe universale,për figuracion të bukur dhe frymëzim spontan,për vargëzim elegant dhe simbolikë të gjallë. Në poezitë e Xheladin Mjekut ,kombi dhe atdhetaria,gjuha dhe shqiptaria ,shpresa dhe liria duketn sikur janë zënë dorpërdore me shtojzavallet ,për të ndjekur bashkë me lexuesit vallen e muzës poetike.Këto nocione filozofike që janë tjetërsuar në simbole estetike,marin vlera universale,kur ato vishen me vellon e simbolikës poetike,gjë që i bën lexuesit të gjejnë atë që fshihet pas perdes së tekstit. Pas magjisë së muzave fshihet freskia e mëngjeseve dhe bukuria e sorkadheve,ngrohtësia e diellit dhe shkëlqimi i arit.Poezia “Dioptri për zënien e diellit” është një protestë e fuqishme ndaj padrejtësive të shekullit, i cili fatkeqësisht vuan nga mungesa e diellit dhe terri.Për autorin e librit ky shekull është mbarsur me lugetër” dhe “bie erë harbutërie plot kutërbim”.Kjo është arsyeja që hapi i stërmunduar i Kosovës është detyruar të ndjekë udhën e”lëkurës së gjarpërit”,të mbetur gurëve të shkretëtirës.Kjo ka ndodhur sepse drita i i ka ardhur jo nga “dielli i lirisë”,por përmes “rrjetës së merimangës” dhe hiles e errësirës.Xheladin Mjekut i vjen keq ,kur sheh se guximi kosovar,edhe pse ka derdhur shumë gjak, ende zvarritet i trembur.Është kjo arsyeja ,që ai kërkon nga bashkëkombasit e tij “dioptri tjetër për çlirimin e diellit”(10).Në poezinë “Artemida vulgaris”,lexuesi mbërthehet nga antinomia e gëzimit dhe trishtimit,midis shpresës dhe pensimizmit dhe midis ëndrrës dhe flijimit.Lexuesi, në vargjet e kësaj poezie përjeton ndjesinë e “thyerjes së heshtave në lojën e përbindëshave” .Ndërsa pas tymnajës së kësaj loje dëgjon “zërat e harruar të epokës së mashtrimit”.Për poetin ,atje ku mbin Artemisa(Lulja e gjakut),shpirtrat njerëzorë janë më afër njeritjetrit ,për rizgjmin e jetës.Simbolika metaforike e Xh.Mjekut i bën “Muret e pallatit të të shtypurit”,të mbeten gojëhapur,ndërsa”heshtja vrastare e kohës ngre folenë në zemër të kullës”,sepse shekulli shurdhmemec bën sehir me mortjen.Ishte koha kur “myku ngrihej deri në kupën e qiellit”, edhe pse “ shtypja kish dhënë shpirt mbi fletët e zverdhura të flijimit”. -Është kjo arsyeja që kosovarët-shkruan poeti-rendin udhëve të Evropës ,për të kërkuar shpëtimin dhe shpresën e humbur.Si një himn i bukur për atdhedashurinë dhe mërgimin tingëllon poezia “Malli i një mërgimtari” .Mërgimtarin e ka prerë aq shumë malli për vendin e tij ,sa që nuk e kupton në se”Atdheu gëzohej nga kthimi/a gëzimi ishte buzëqeshja e tij” Për Xh.Mjekun historia ,krahas ditëve të vrullshme ,ka dhe ditët e saj të frikshme e të tmerrshme .Ato herë ecin përpara,herë mbrapa dhe herë mbeten në vend.Kur memorja e kombit verbohet,ka të ngjarë që dhe historia të kthehet në pikën zero.Lexuesi ,duke i rënë kryqetërthor “ kopshtit të muzave”,në brendësinë e të cilit bashkëjetojnë frika dhe guximi,shpresa dhe zhgënjimi,ndjen dhimbjen që pëjetuan kosovarët gjatë luftës për liri dhe pavaresi,për të çarë terrin e natës dhe mjergullën e heshtjes,për të vrarë përdhunimin,pabesinë dhe kobin e zi.Heroi lirik i poezive të këtij libri shpesh shkrihet me poetin ,i cili dje ishte “Promete i ri”, që luante me zjarrin e ndjenjave,ndërsa sot s’është gjë tjetër veçse shëmbëlltyrë e kujtesës.Ai është tjetërsuar në “Pegas “në fluturim.Në poezi të tilla ,si ajo me titull”Apollogji”,poeti Xh. Mjeku shpreh dëshpërimin ndaj realitetit të hidhur të kohës ,kur fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite mbretëron i ligu dhe i paafti,i pacipi dhe lajkatari,të cilët i quan”Hutinë që majë plepi ngrejnë foletë”.Për të është koha kur”Shtojzavallet nuk mund të çelin udhë”(30).Varrmihësit e kohës”Hingëllijnë mes psherëtimave të ditës”(*34).Guximi dhe shpresa ringrihen vetëm kur shemben tempujt e idhujve të lavdisë.
Janë të shumta poezitë që e marin frymëzimin nga figura të shquara të artit dhe të letërsisë shqipe si Naim Frashëri ,të cilin ai e quan bilbil të gjuhës shqipe,simbol të shqiptarisë,bukurisë dhe mënçurisë së kombit.Ndërsa për lexuesin ai mbetet burim i ujrave të kristalta , që u shuan etjen me gurgullimat dhe kthjelltësinë e tyre të rrallë.Janë këto disa nga arsyet ,që autori i drejtohet atij me mirnjohjen:”Përulësisht të falemi”!.Në kujtim të poetëve të mëdhenj ,që fatkeqësisht po i kin si gjethet e vjeshtës ,pa u ndjerë e njënganjë,ai shkruan poezinë”Lotët”.Nga heshtja dhe mosvlerësimi,vargjet e e këtyre poetëve,”që shpojnë me majën e shpatës së Demokleut”mortjen dhe skllavërinë,rrebelohen fuqishëm.Në kristalin e kripur të lotëve, ata kanë lënë ëndrrën dhe gëzimin dhimbjen dhe trishtimin,forcën dhe guximin,dashurinë dhe trishtimin.
Një vend të dukshëm në poezitë e këtij vëllimi zënë ato me motivin e dashurisë.Për poetin dashuria është një impuls i fuqishëm ,që e bën njeriun me krahë për të kapërcyer çdo pengesë dhe vështirësi,bile dhe “shtegun e ylberit”.Syri ,edhe në poezitë e këtij autori ,është simbol i sinqeritetit dhe bukurisë,por dhe i dredhisë dhei pabesisë.Në retinën e syrit të dashuruar, lexuesi shijon ngrohtësinë e diellit dhe kthjelltësinë e qiellit,sinqeritetin e fëmijës dhe ëmbëlsinë e sheqerit.Edhe pejsazhi zë një vend të dukshëm në brendinë e shumë poezive të këtij vëllimi.Objekt i këtyre poezive janë natyra nudo dhe stinët e vitit si vjeshta e pranvera ,të cilat bëhen burim frymëzimi për këngët dhe sinfonitë e dashurisë.
Së fundi mund të themi se poezia e Xheladin Mjekut,jo vetëm ka një gjuhë të bukur dhe me simbolikë metaforike ,herë të kthjellët dhe herë hermetike ,por në brendinë e saj mban mesazhe të fuqishme gjithkohore ,me vlera universale.Shumëkuptimshmëria e poezive të këtij autori buron nga leksiku i kërkuar dhe sintaksa poetike e përzgjedhur ,nga figuracioni i gjallë dhe sistemi i papërsëritshëm i vjershërimit.Mbaron së lexuari poezitë modeste të Xheladin Mjekut, dhe të duket sikur shoqërohesh nga tingujt melodiozë të një gjuhe të ëmbël dhe nga troku i një vargëzimi modern.