• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E kaluara historike në shërbim të së tashmes dhe udhërrëfyese e së ardhmes

February 11, 2016 by dgreca

Nga Prof. dr. Asllan Hamiti/
Prof. dr. Nusret Pllana “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” (botimi i gjashtë i plotësuar), Arkivi Shtetëror i Kosovës, Sektori i Arkivit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prishtinë, 2015
Duke shikuar fotografitë e duke lexuar tekstin e librit e kishim shumë vështirë të shkruanim pak rreshta për promovimin e librit enciklopedik të krimeve monstruoze serbe ndaj shqiptarëve, hartuar nga luftëtari i lirisë, zëdhënësi i gjenocidit serb, prof. Nusret Pllana.
Libri enciklopedik “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” botimi i gjashtë i plotësuar (versioni në gjuhën angleze) ka gjithsej 770 faqe. Në 92 faqet e para intelektualë të shquar shqiptarë japin vlerësimin e tyre për veprën (të përkthyera në disa gjuhë). Ky libër me fjalë e me mbi 900 fotografi autentike dëshmon bindshëm dhunën, masakrat, terrorin, helmimet, gjenocidin e shfrenimet shtazarake individuale e institucionale të vazhdueshme të pushtuesve serbë e të kishës ortodokse serbe ndaj shqiptarëve për një shekull e gjysmë.
Kjo encilopedi faktografike ka vlera të shumëfishta:
a) Dëshmon kanibalizmin shekullor serb ndaj shqiptarëve dhe njofton gjithë botën për këto të këqija të papara që janë ushtruar ndaj shqiptarëve. Me këtë të vërtetë historike të dhimbshme, por krenare të popullit tonë, duhet të njihen jo vetëm shqiptarët, por gjithë njerëzit e rruzullit tokësor.
b) Ky libër hudh poshtë gënjeshtrat serbe dhe propagandën antishqiptare se gjoja shqiptarët nuk janë autoktonë, se Kosova ka qenë, është e duhet të mbetet në kufijtë e Serbisë së sotme.
c) Libri i përkthyer në tetë gjuhë e i përhapur në shumë shtete të botës arsyeton luftën për mbijetesë e për liri të shqiptarëve, arsyeton ndihmën e aleatëve për çlirimin e Kosovës, formimin e shtetit dhe njohjen ndërkombëtare të tij. Nga ana tjetër, ky libër ndikon për të formuar bindjen e botës së qytetëruar se shteti i ri i Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi duhet përkrahur vazhdimisht që të mëkëmben e të gëzojnë lirinë.
Viktimat e shfrenimeve serbe, njerëzit e masakruar, të djegur, të prerë, të përvëluar e të zhdukur nga terrori serb, të shënuar me emra e mbiemra, të dhënë edhe me fotografi e dëshmi të tjera janë bërë të pavdekshëm jo vetëm për familjarët e farefisin, por edhe për gjithë kombin si dhe në përmasa evropiane e botërore. Ky libër paraqet një përmendore kolektive me fjalë e fotografi, e sakrificës, e qëndresës, e vujatjeve dhe e luftës së shumë brezave shqiptare për liri e pavarësi.
Po të mos regjistrohen në letër ose në ndonjë material tjetër të qëndrueshëm, shumë ngjarje të rëndësishme të historisë me kalimin e kohës do të harrohen ose do të humbasin përgjithmonë. Në këtë kuptim, autori i librit prof. Nusret Pllana ka mbledhur e paraqitur në letër një nga krimet më të egra të njrëzimit, shfrenimet e hordhive serbe ndaj popullit shqiptar që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në mbarim të shekullit XX.
Pas përfundimit të luftës së nxehtë (me armë) nis lufta e ftohtë (me fjalë, lufta diplomatike). I vetëdijshëm për këtë, autori Nusret Pllana, me një punë mbi 20-vjeçare mblodhi fakte e të dhëna të tjera autentike, i sistemoi në një libër enciklopedik, i botoi e i ribotoi në disa gjuhë dhe po i përhap nëpër botë.
Kur mungon e vërteta, gënjeshtrat zënë vend, por kur del në shesh e vërteta, gënjeshtrat harrohen. Pushtuesit serbë, nga njëra anë janë përpjekur të shlyejnë nga faqja e dheut shqiptarët, por nga ana tjetër kanë përhapur informata të rrejshme për shqiptarët se nuk janë atuktonë, se janë të egër, të paqytetëruar e me tipare nga më të këqijat e njerëzimit. Me këtë libër, prof. Nusret Pllana dëshmon të kundërtën.
Shoqëria shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni është duke kaluar nëpër procesin e integrimeve lokale, makrorajonale e globale. Ripozicionimi në fushën politike, ekonomike e kulturore karakterizohet nga përpjekjet për promovimin e ekonomisë së tregut të lirë, për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për integrimet evropiane dhe në NATO.
Në procesin e globalizimit, çdo popull duhet të shfaqet e të garojë me të tjerët me vlerat që ka. Ne shqiptarët kemi vlera të mirëfillta morale, njerëzore, paqësore e intelektuale për t’u prezantuar para të tjerëve. I kemi dhënë njerëzimit mendje të ndritura, udhëheqës, artistë, luftëtarë të lirisë, humanistë dhe njerëz të tjerë të mëdhenj në përmasa evropiane e botërore.
Në këtë kontekst, e vërteta për terrorin shekullor serb ndaj shqiptarëve duhet dalë në shesh. Prof. Pllana në këtë libër na shfaqet si faktograf i gjenocidit serb mbi shqiptarët, ambasador i luftës sonë për liri dhe zëdhënës i përkrahjes së përgjithshme të shqiptarëve për pavarësi si dhe për përmirësimin e padrejtësive shekullore që i janë bërë kombit tonë.
Atë që Nëna Terezë e bëri për përhapjen e bamirësisë nëpër botë, atë po e bën prof. Nusret Pllana për përhapjen e të vërtetës për terrorin shekullor serb ndaj shqiptarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: Prof. Asllan Hamiti, Prof. Pllana, Terrori i Serbise pushtuse

DY GRA TË DASHURUARA ME ENVERIN, TREGOJNË

February 11, 2016 by dgreca

Nga Pellumb KULLA/
Edhe duke e qortuar ashpër veprimin e gazetares Xhunga, unë nuk kisha si t’i ktheja kurrizin ekranit. Desha të shihja me kënaqësi saktësinë e parashikimit tim.
Dua t’u drejtohem atyre njerëzve të mirë që m’u kundërvunë duke më tundur para syve epërsinë e demokracisë dhe lirinë e fjalës, atë liri që Nexhmija nuk e ka dhënë as më parë dhe as tani. Bile as Xhungës. Duke e pasur të lehtë, pasi Xhunga nuk e ka dashur kurrë. Dhe në fakt rezultoi një tregim dashurie dhe veneracjoni, treguar nga dy gra të dashuruara me Enverin, që plotësonin njëra tjetrën.
Të dashur miq! Edhe unë pranoj ta dëgjoj atë grua e cila, ndryshe nga gjithë ne të tjerët, është e dënuar të na flasë vetëm politikisht. Ose të kërkojë ndjesë pas pendesës, gjë që nuk i ka dhënë kurrë shënjat, ose të dalë të mbështesë tërë bëmat monstruoze të saj, të të shoqit dhe të atyre pak shokëve që u shpëtuan pa vrarë. Kjo ishte dhe gjëja që ka bërë në këto 70 vjet dhe unë uroja që të mos gjendej ndonjë kamikaxe me mikrofon në dorë. Pra ajo grua nuk mund t’i lajë duart nga politika dhe historia politike.
Dhe sidomos isha i revoltuar nga preanuncimi i zhurmshëm dhe apeli për t’i mbledhur gjithë shqiptarët para ekranit, mbledhje për të cilën ndihmova dhe unë me shkrimin tim. Por jam i sigurtë se edhe sikur të shtatë miljon shqiptarët ta kenë ndjekur – ata që e urrejnë atë figurë alucinante, nuk janë pakësuar por kanë mbetur aq sa ishin. Dhe ata që mbajnë medaljonet e Nexhmies dhe të shoqit në gjokse, nuk janë shtuar. Kanë mbetur po aq.
E çfarë u pa dhe u dëgjua? Një histori dashurie e shpifur, e lëmuar, me lakuna të shumta. Një histori banale që mallëngjente ato dy gra që e tregonin në një duet të përsosur, dhe mbase ka përlotur gjysmën e shqiptarëve që as duan t’i bashkohen kujës sonë për median e vendit dhe për enverizmin gjithnjë e më sypatrembur. Histori dashurie? Ishte kjo më e bukura? Ia vlen më mirë një poezi brilante e Petrit Rukës! A lipset një histori dashurie nga fillimi i viteve dyzet? Ka Mustafa Greblleshi të tilla dhjetë herë më të bukura se kjo! Ishte një love story në ilegalitet, siç në fakt bëjnë dhe shumica e dashnorëve që fshehin edhe sot dashuritë e tyre ilegale.
Në ato dy orë një kriminele zëëmbël solli paturpësisht kujtime për të tëra shoqet që ka vrarë. Kujtoi fjetjet dashurore nëpër shtëpitë e atyre që pas dy-tre vjetësh do t’i vinte përpara skuadrave të pushkatimit, Syrja Selfon, Bahri Omarin. Foli për popullin që dyzetepesë vjet në fuqi, vendoste për gjithëçka dhe Enveri me shokë u vinin pas. Gënjeu për nismat rinore për prishjen e kishave dhe ndëshkimin e shërbesave fetare; për jetën proletare të bllokut. E ndjeshme ishte kur foli për letrat që zonja Hoxha ruan të dërguara nga Mehmeti, Hysniu, Ramizi, një tregim paqësor, ku Mehmeti nuk ishte më poliagjent dhe Koçi Xoxja, teneqexhi i mirë që ndihmonte shokët. Një Shqipëri e paqtë, ku sa gjalloi Nexhmija nuk ndodhi asedhenjë histori makbethjane. Dhe pastaj vuajtjet shpirtërore të të shoqit “shumë të prekshmit Enver,” kur merrte vesh për pushkatimet dhe internimet që bëheshin për arsye shtetërore.
Është arritje e demokracisë shqiptare kjo! Ishte punuar shumë mbi këtë shou. Dhjetra vetë, gazetarë, kameramanë, ndriçues, operatorë të zërit, ditë dhe javë të tëra kishin bërë montazhe, muzikë, kishin riregjistruar frazat që zonja i kish thënë shtrembër. Ishte një vepër voluminoze që duket se është bërë e nevojës së pare në Shqipërinë e sotme. Dy portrete letrare, ëngjëllorë, me emra të njohur- për një palë të urryer e për një palë, të shtrenjtë, sidomos për ata që në ‘92 e fshihnin gazetën Zëri i Popullit thellë në xhep dhe dilnin rrallë nga shtëpia. E tani, për ditë e më shumë ngrenë lart portretin e diktatorit, mu në mes të Tiranës, gjë që nuk u pa asedhe një herë në vitet ‘92-93! Kam dëshirë t’i siguroj dhe ata pleq të mirë me shalla të kuq, se dita që ëndërron Nexhmija për të rivendosur monumentin e rrëzuar si pjesë e skenarit, po afron. Jo për mburje por e kam të shkruar në artikuj të mij të para dhjetë vjetëve. Edhe përmendorja e Zogut, për t’i hapur rrugën asaj të madhes, të Enverit, u bë. Ne i kemi qejf balancat.
Kështu pra, zonja Xhunga e bëri fora, si veteranët. Me shallin e saj të kuq në qafë, doli përpara nesh dhe për gati dy orë na tundi para syve portretin e saj të Enverit.

Filed Under: ESSE Tagged With: DY GRA TË DASHURUARA ME ENVERIN, pellumb Kulla, TREGOJNË

Me ikjen e Faik Konitzes u-çduk nje yll i shkëlqyer në qiellin e Shqiperise

February 10, 2016 by dgreca

Nga Refat Xh Gurazezi*/
Rasti i ceremonisë fetare që dha më 25 te Jenarit shkuar Shoqëria Myslimane Shqipëtare në Detroit për Kutjtim te Faik Konitzes, i cili bëri dhjetë vjet që ka vdekur, me shtyri te shkruaj këtë artikull te shkurtër. S’ka bisedim se me vdekjen e Faik Konitzes u-çduk nje yll i shkëlqyer në qiellin e Shqiperise, i cili jipte dritë mi Kombin Shqipëtar.
Këtu flas me fakte, pa shtuar e pa shtrembruar asnjë gje pa mbajtur hatër e pa shkuar ner mënt asnjë urrejtje. Faik Konitzen e pata mesonjes dhe bashkepunova një kohe mjaft te gjatë me të, ashtu pata rastin e mirë dhe njoha më tepër shpirtin e tij.
Faik Konitza që zemerbardhë, që shpirtmath, që teper fisnik dhe kish siellje bujare, tamam sikundër i meritonte një njeriu të lartë të shkallës së tij. Nga zemerbardhësia e tij, Faik Konitza besonte shumë shpejt, dhe kur nonjë “mik” ose “shok i besuar” e kallzonte për keq kundër një miku ose shoku tjater, i vinte keq, merte inat, dëshperohesh teper, dhe nga dëshperimi muntë të thosh fjalë t’ashpera. Po inati i tij ish për një copë here, nuk mbante kurrë zëmrim, dhe kur e mesonte se ato kallzime ishin çpifje të bëra me qëllim te keq për të prishur punë, i jipte prapë dorën atij njeriu me te cilin e kish prishur miqësinë nga shkaku se ish kallzuar liksht prej njerësve ziliqarë.
Mi ketë pike, kujtojme ketu nje anekdote: Ne vitin 1924, ca “miq” i thane Faik Konitzes se nje axhent vaporesh ne Boston, i qojtur Nikolla Noçka, bente propagande te keqe kundre tij. Nga ay shkak, Konitza kish disa muaj qe nuk e veshtronte me sy te mire Noçken. Diten e Pashkeve, Nokça mbushi xhepat me vezë të kuqe dhe vajti në zyrat e Shoqërisë “Vatra.” Pasi i gostiti me nga një ve te kuqe zyrtarët dhe puntorët e shtypeshkronkes, pyeti sekretarin Z. Pandeli Çeco se a ish kryetari brenda. Z. Çeco i tha: “Është në zyren e tij, po mos e hap derën, trokellit më pare.” Dhe ashtu bëri. Kur hapi deren e zyres Faik Konitza, pa se mysafiri qe i vajti ish Noçka! Natyrisht e ftoj brenda, dhe e gostiti me një cigarete. Z. Noçke i tha: “Z. Kryetar, t’uroj per shumë vjet gezuar Pashket, urdheroni keto dy veze te kuqe per kujtim te dites se sotme si pas zakonit t’onë, dhe lutem me jepni leje te shkoj se kam per te bere shume vizita te tjera.” Dhe dolli jashtë.
Pake minuta më pas, Faik Konitza hapi derën e zyrës së tij dhe pyeti sekretarin: “Z. Çeco, a ke pakez kripë aty të hame këto vezët qe na solli Z. Noçke?” Pasi mori kripën nga sekretari, e qiroj një ve, e hengri ate, dhe nisi te qeronte tjatren. Atë çast, tha: “Mor ky Noçka nuk është njeri i lik, po mua me kanë marë më qafë shokët qe me kallzojnë për keq, dhe unë i besoj fjalët e tyre !” Sekretari, per te bere shaka ose me qellim per te prishur pune, i tha: “Kemi te drejt ne në Shqiperi kur thomi se ju Shqiptaret Muhamedane genjehi me nje ve te kuqe.” Ahere Faik Konitza mori inat, i hodhi vezen dhe kripen ne shportet, dhe i’u drejtua sekretarit: “Po ja se ku e provon vete qe keshtu si ti jane ata njeres te cilet me prishin mua me miqt’e e mij; ti nuk je i kenaqur kur me shikon mua t’armiqesuar me nje njeri vetem, me te cilin ti munt te kesh nonje meri personale, po perpiqesh qe si munt te me besh armik me te gjithe vellezerit Shqipetare te kershtere!” Pastaj hyri prape ne zyren e tij, e hoqi deren me force, dhe nuk i foli sekretarit per nje jave.
Eshte fare e vertete qe shoket e liq e patne mare me qafe Faik Konitzen, jo nje here, po kurdohere. Per shembull, nga fundi i motit 1935, dy “shoke” ziliqare ne Boston, miqt’e mij dhe te Faik Konitzes, e kallzuan kundre meje: i than se gjoja une u’bera “mik i ngushte” me dy njeres te cilet ishin denuar nga kuvendet e “Vatres,” dhe i urrente teper Faik Konitza, jo per gje tjeter po i kish provuar më shume se njer here si njeres te shtrember, te paqendruar, grindavece, etj. Goditi qe ata dy njeres u shkrojtne anetare te “Vatres,” dhe sido qe ne mbledhjen e komisionit une votova qe atyre dy njeresve t’u ktheheshin te hollat e kesteve dhe te mos pranoheshin per anteare, kundershtaret e mij i thane Konitzes se une “pata gisht” n’ate mes. Nga ay shkak erdhi perçarja, – u mbyll “Vatra” – dhe borxhliu zaptoj shtypeshkonjen e “Diellit” per nje borxh prej nja 2,300 dollaresh. Pas asaj ngjareje te shemtuar, une dolla neper kollonite shqipetare per te biseduar me Vatranet mi punet e “Vatres.” Me 20 te Jenarit 1936, qendrova ne Ëashington dhe vajta ne Legaten e Shqiperise qe vizitova Faik Konitzen. Nuke vajta per te mbrojtur veten t’ime nga çpifjet e renasheve, po vajta se kisha nje adhurim te veçante per te, per Faik Konitzen, i cili, sido qe ish i kallzuar shume keq nga kundershtaret e mij, me priti me fisnikerin’e tij te zakoneshme. Ne bisedim-e-siper, me tha: “Kudo qe te vesh, me shkruaj letra dendur, po letrat te jene te shkruara me dore, jo te shtypura ne maqine, se miq ishim, dhe prape miq jemi, vete, shoke s’jemi me si me pare.” Nj’a kater vjet më von, e zgjodhi te verteten qe ato akuzime kundre meje ishin te rema.
Faik Konitza që Shqipetar i kulluar, i pajosur me te gjitha cilesit’e mira te gjysherve t’ane; pandehte pastaj se çdo Shqipetar esht i kthiellt, nuke genjen e nuke çpif, perandaj besonte shpejt çdo njeri me maske Shqipetari, – dhe e merjin me qafe “shoket” e liq.
Po le t’i leme gjer ketu cilesit’ e larta personale te tij, dhe le te thomi pak fjale mi Faik Konitzen si burre Shteti e si nje nga beresit e Shqiperise, mi Faik Konitzen si zbulonjesin e Flamurit te Skenderbeut e si kryeleronjesin e gjuhes shqipe; mi Faik Konitzen si apostullin e Shqipetaresise.
Faik Konitza lindi ne Konice (Shqiperi) ne Prillin 1875, dhe vdiq ne Ëashington (Kryeqytetin e Shteteve te Bashkuara t’Amerikes) me 15 te Shen-Endreut 1942. Familia e bejlereve te Konices, nga e cila lindi Faik Konitza, eshte nje nga më te parat e më te nderuarat familie te Shqiperise. Faik Konitza kish mesime teper te larta, ish i graduar nga Univeresitete me rendesi e te degjuar te botes; veçan kesaj, e kish bere natyra njeri te mentshur.
Kur u-kuptua sheshit ne vjetet e funtme te Shekullit shkuar se Karta e Turqise do te ndryshohej nga themeli, the u-duk se perandoria e Osmanit do te mirte funt, kombesit e tjera te Ballkanit derguan menjehere ne Perendim udheheqes te zott te cilet shtruan perpara botes te drejtat e tyre kombetare. Vetem zeri i kombesise shqiptare nuk u-degjua n’ate kohe per te kerkuar te drejtat e Shqiperise. Munt te thomi se LIdhja e Pizrenit pati fryme kombetare; e besojme q’ashtu eshte, po, ne mos gabohemi, qe n’ate kohe dhe gjer me 1896, – nje kohe miaft e gjat, – nuk u-be nonje levizje serioze per te zgjidhur fatin e Shqiperise. Si më pare ashtu dhe pastaj, puna e kombesise shqipetare kish mbetur ne heshtje, ne nje heshtje si te vdekjes. Ishin n’ate kohe miaft Shqipetare qe e kuptojin rezikun e Shqiperise, po ose nga frika, ose nga ftohtesia e zemres, ose nga interesat e tyre personale, nuke nxuarne ze fare: te gjithe ishin shtruar ne çanakun te mbushur me pilaf prej Sultaneve te Turqise.
1896: – I vetemi ze qe dolli per te kerkuar te drejtat e kombesise shqiptare, që zeri i Faik Konitzes. Djal’ i ri nga mosha, vetem 21 vjetsh, po i pajosur me dituri te gjere e me ideale te larta kombetare, me 1896 Faik Konitza botoj rivisten “Albania: ne Bryksel te Belgjikes, nje riviste kombetare shqip dhe frengjisht me rendesi te veçante politike dhe letrare. E vazhdoj botimin e asaj riviste gjer me 1909, kur erdhi n”Amerike.
Zeri i Faik Konitzes per te drejtat e kombesise shqipetare u’degjua papushuar, an’-e-mb’-ane te botes, qe me 1896 dhe gjer ne diten e fundit kur vdiq. Me zotesin’ e tij te pashoqte, me penden e tij te mprehet, dhe me diturin’ e tij te pakufishme, Faik Konitza e beri çeshtjen e Shqiperise nje çeshtje politike te gjalle.
1899: – Po nje komb nuk munt te dale perpara botes si njesi politike pa patur nje shenje kombetare. Ashtu punoj pareshtur gjer sa e gjeti shenjen e bashkimit kombetar: me 1899 Faik Konitza zbuloj Flamurin e Skenderbeut, i harruar qe me 1467. Passi e nxori nga harrimi, passi i fshiu pluhurin e shekujve, Faik Konitza, pa pertuar e pa u- lodhur, e valoj atë flamur perpara zemrave te Shqipetareve. Me zbulimin e flamurit, Faik Konitza i dha botes se huaj ta kuptoje se Shqiperia kish jo vetem nje te shkuar politike dhe nje gjallesi kombetare, po dhe nje flamur historik: nje flamur me qindera vjete më te vjeter nga flamuret e kombesive te tjera te Ballkanit. Q’ahere u’be batalle fjala e Bismarck-ut qe tha se s’ka Shqipetare dhe qe Shqiperia nuk eshte gje veç nje emer gjeografik.
1909: – Faik Konitza erdhi n’Amerika me 9 te Vjeshtes Dyte 1909 qe mori redaksin’ e “Diellit” ne dore, i cili botohej prej shoqerise “Besa-Besen” dhe gjer ahere drejtohej prej Fan S. Nolit. Posa shkeli n’Amerike, Faik Konitza u-perpoq per themelimin e nje shoqerie te madhe kombetare, ku rreth saj te mblidheshin gjithe Shqipetaret e Amerikes. Me perpjekjet e Faik Konitzes, te Fan Nolit dhe te disa shokeve te tjere, ne dunt te Marsit 1912 u-themelua ne Boston Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikes.
Ketu kemi vene re me habi se ca “shkrimtare” te rinj njohin Sotir Pecin si “themelonjes te Diellit e te Vatres,” edhe per gjithe aktivitetet e Shqipetareve te kurbetit! Sotir Pecin e çmojme si Shqipetar te mire dhe patriot, te kulluar, po ay s’pati gisht fare ne themelimin e “Diellit” e te “Vatres;” ndothta atij nuk i qe shtire as n’endre nje shoqeri e madhe dhe e forte si Federata “Vatra.” Sotir Peci ndenji n’Amerike fare pake kohe, nxori gazeten “Kombi” per nje kohe te shkurter, me 1907 shkoj prape ne Shqiperi, e la gazeten ne duar te huaja, e cila u’mbyll pas pake muajsh.
Ja dhe nje tjeter shaka te bukur: Nj’a dy vjet te shkuar, kur u festua Dita e Flamurit, nje flete shqipe tha se flamurin qe ngriti Ismail Qemali me 1912 ne Vlore, “ish i qindisur prej Zonjes Korça”! Po ku e gjeti atë flamur ajo zonje e nderuar? Perse fleta shqipe i dha rendesi më teper asaj qe e qindisi dhe jo Atij qe e zbuloj flamurin, nga urrejtja qe kish per të, apo nuk e dinte historin’ e flamurit? Keta te vete-thene “shkrimtare” ose jane dembele dhe pertojne te bejne remime mi historin’ e ringjalljes te Shqiperise, ose kane merira te vjetera dhe duan te mbeten budallenj per inate personale.
Nga Shqipetaret e kurbetit, – ose te “mergimit.” – qofshin te Misrit, te Rumanise, te Bullgarise e te Turqise, vetem Shqiptaret e Amerikes bene sherbimet më te mbedha e më të vyera per Shqiperine, dhe ato sherbime i bene nene udheheqjen e Faik Konitzes e te Fan Nolit.
N’ate kohe qe shtronte te drejtat e kombit shqipetar perpara botes se huaj, n’ate kohe qe perpiqej per te stervitur Shqiperine ne pune shoqerore dhe qeveritare, n’ate kohe Faik Konitza i jipej dhe lerimit te gjuhes shqipe, e cila, gjuhe e vjeter dhe e bukur, kish mbetur e paleruar. Asnjë njeri nuk e kupton e nuk e do frymen e shqipes se kthiellt aqe sa e kuptonte dhe e donte Faik Konitza, i cili kurre nuke pushoj dhe nuke ndjeu lodhje duke kerkuar udhe te re per fjale te vjetera gjer sa i dha gjuhes shqipe fuqine qe i mungonte ne te çfaqur mendimet dhe ndienjat. S’ka asnjë dyshim se shkrimet e Faik Konitzes jane per nxenesit shqipetar nje shkolle e veçante ku perparimi ne te shvilluar te gjuhes s’one duket çap pas çapi. Kur bisedoje me Faik Konitzen mi gjuhen shqipe, mi zakonet e bukura te gjysherve t’ane, mi historin’ e vjeter te Shqiperise e mi te pritmen e saj, te dukej sikur fjaloseshe me perendin’ e Shqipetareve dhe te vinte keq kur qasej koha e gjumit qe do te ndaheshe prej tij.
Faik Konitza qe njeri shumë i lartë për Shqipetarët. dhe këtë gjë e kanë çfaqur disa te huaj, njerës të ditur. Sikur të kish lindur n”Amerike, n”Ingli, ne France, a në Gjermani ose n’Itali, do t’ish sot më famë të përbotshme dhe do t’i kishin ngritur shtatë prej brunzi. Po lindi ne Shqipëri, në një komb të vogël, ne mes te Ballkanit, ku veprat e njerësve të ditur nuk çmohen.

[1] Ky artikull wshtw i botuar edhe ne Dielli, edhe ne “Jeta Muslimane Shqiptare” vol.IV, nr.1, janar -mars 1953,f.5
* Ribotohet me rastin e -2016, Vitit i Faik Konices shpalle nga Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA

Filed Under: ESSE Tagged With: Me ikjen e Faik Konitzes, në qiellin e Shqiperise, refat Gurrazezi, u-çduk nje yll i shkëlqyer

Ç`më tha Elena Kocaqi për Albanët?

February 10, 2016 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Kombi është krenar me gra krenare . Fat i madh kombëtar që e kemi Zonjën Elena Kocaqi- Levante, me të cilën kur bisedosh e ke para vetit botën shqiptare ashu siq ishte; bisedon me të parët tanë ashtu siq e zotëronin të kaluarën historike të Europës e më gjerë. Një bisedë virtule me miken Elena Kocaqi është nderë; është krenari kur në bashkëbidedim e ke një personalitet të lartë të mendjes së ndritur, e ke një grua e cila ka përfunduar studimet në fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë për histori me Medalje të Artë. Ajo ka studjuar edhe drejtësi pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë. Ka kryer studime pas-universitare, Mastër për Studime Historike dhe Mastër për Shkenca-Politike. Ajo zotëron disa gjuhë të huaja.
Pra, një grua komplete që i duhet kombit e në rastin e sotëm historiografisë shqiptare ; një elaboruese të mrekullueshme të para- dhe historisë shqiptare e cila i bën ballë me fakte edhe shtrembëruesve më të mëdhenj të çështjes sonë aq të diskutuar me dëshirë mohimi dhe humbjeje në harresën e pa kthyeshme .
-Zonja Elena , për bisedën e sotme e zgjodha “Albanët me famë në mijëravjeçarë” , një libër që i then të gjithë mashtruesit historik të huaj por edhe shqiptar . mu në rrënjë .
-“ Krijimin e popujve të Europës lidhet me lëvizjet e popujve të qytetëruar të kohës që janë trojanët. Populli që doli nga përmbytja e madhe. Pasardhësit e Noes u vendosën në Europë. Legjenda e ardhur nëpërmjet Apianit thotë se “Këtë emër (Ilir) ky vend (bëhet fjalë për Ilirinë – Linda) e mori nga Iliri i biri i Polifemit. Bijtë e ciklopit Polifem dhe Galatës të quajtur Keltë, Ilirë dhe Galë lanë Siçilinë dhe bënë sundimtar mbi fiset të cilat nga emrat e tyre u quajtën Kelt, Ilir dhe Galë” Pra, legjenda tregon se keltët, ilirët dhe galët janë vëllezër. Dhe këto vëllezër populluan Ballkanin, Anglinë dhe Francën.”- dhe vazhdon ; “Një lëvizje tjetër popullsie që ndikoi në krijimin e popullsive të Europës është ajo pas Luftës së Trojës. Heronjtë e Trojës me fiset e tyre, që shpëtuan nga shkatërrimi, u shpërngulën për në Europë. Ene Dardanidi u vendos në Itali, ku pasardhësit e tij themeluan Romën dhe më vonë Perandorinë Romake. Kurse i nipi i tij, Briti, u vendos në Angli. Por atje gjeti popullsinë, e të njëjtit gjak të tij, që kishte krijuar Albionin, siç quhej Anglia e lashtë. Kurse Briti i dha këtij shteti emrin e tij, Britani dhe ndërtoi Londrën, nën shembullin e Trojës, duke e quajtur Troja e re. Popullsia anglo-saksone përbën lëvizjen e tretë të popullsisë, që u shpërngul në Angli. “Për të qenë sa më të qartë, – – dyndjet e popullsive në Britani janë kryer në disa valë, por më të rëndësishmet kanë qenë dy. Së pari, dyndja dardane e shekullit të XI p.k. dhe së dyti, dyndja anglo-sake në shekullin e VI-VII të erës së re. Bashkimi i këtyre dy popullsive krijoi kombin britanik.” “
Zonja Elena , ju thuani : “Fiset kryesore, të cilat formuan kombin francez, anglez, gjerman, skandinav, janë frankët, teutonët, gotët, anglo-saksët, normanët, langobardët etj. Të gjitha këto fise kanë ruajtur në historinë e shkruar nga vetë ata faktin e emigrimit, se nga ku, dhe si emigruan, luftërat që kanë bërë dhe vendet ku u vendosën. Ajo që ka ruajtur një popull në traditën e tij, është shumë herë më e vlefshme, nga ajo që thonë të tjerët për të. ‘ ?
-Po “Troja u shkatërrua, dhe u dogj, por nuk mori fund qytetërimi i saj i lavdishëm. … fiset trojane emigruan në Itali, Britani, Irlandë, Francë dhe themeluan mbretëritë trojane atje, … Nuk ishte rastësi që Evropa Perëndimore ngriti qytetërimin dhe kulturën më të lartë që ka njohur njerëzimi, sepse ata ishin njerëz me kulturë të lashtë, ishin trojano-dardano-albano-ilir. Trojano-ilirët nuk vdiqën, ata janë të gjallë dhe sot më të fortë se kurrë, pasi kanë ngritur qytetërimin dhe shtetet më të forta të botës së sotme si ato amerikano-veriorë, anglezë, gjermanë, francez, skandinavë etj -me fakte bindëse dhe krenari prej historiani pergjigjet Zonja Kocaqi
Përse romakët e quajtën gjithë Ballkanin Ilirik. ? Sepse ata e njihnin këtë rajon dhe ishin një popull me ilirët dhe prandaj i gjithë Ballkani u quajt Ilirik sepse i tillë ishte.
Si spjegohet që gjithë ajo popullsi ilire u asimilua nga dyndjet barbare sllave, kur iliri ishte i gjithë Ballkani. ? Pra fiset ilire të qytetëruara të Ballkanit u shpërngulën për në Europën perëndimore, për t’u shpëtuar dyndjeve barbare sllave. Ata qytetëruan dhe zhvilluan Europën, për t’u kthyer një ditë dhe për të zhvilluar përsëri këtë vend, nga kanë dalë paraardhësit e tyre.
Zonja Kocaqi ju librin e ndërtoni mbi studimin që ekeni bërë në lidhje me rrënjët e shqiptarëve, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë botërore.”?
-Unë shqiptarët i shikoj si krijuesit dhe drejtuesit e perandorive të mëdha, që nga Aleksandri i Madh, Perandoria e Romës, e Bizantit dhe Osmane. Këta perandori thotë Elena “janë në thelbin e tyre perandori të krijuara dhe qeverisura nga shqiptarët, apo nga paraardhësit e tyre, pellazgo-ilirët. Ata në rolin e qeveritarëve, i kanë dhënë botës zyrtarisht fenë njëzotëshe dhe janë arkitektët dhe financuesit e veprave të kultit më të vjetra dhe më të famshme të botës. Shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre për krijimin e disa shteteve moderne si të Egjiptit, Turqisë, Greqisë, Rumanisë, Italisë etj.”
“Shqiptarët janë gjyshërit e kombeve dhe gjuhëve të Europës si dhe krijuesit e qytetërimit më të lashtë etnik evropian dhe nuk meritojnë të trajtohen siç janë trajtuar, sidomos në shekullin e XX. Bota duhet të dijë të shfrytëzojë dhe të kanalizojë aftësitë e shqiptarëve në drejtimin e duhur, për të kontribuar për të mirën e njerëzimit dhe, për ta bërë këtë, ajo duhet të njohë historinë e vërtetë të këtij kombi.”
E falemnderova historianen Elena Kocaqi , për këtë bisedë virtuale .
Lexuesve të sinqertë por edhe atyre mohues , iu bëjë me dije se librin e madh “Albanët ……” mimd ta shkarkojnë nga këto lidhëse interneti “
– http://libriyt.weebly.com/…/elena-kocaqi-albanet-me-fame-mi…
– http://scbks.blogspot.com/…/albanet-me-fame-ne-mijevjecare-…
(Biseda e imagjinuar me Zonjen Elena Kocaqi eshte i bazuar ne shkrimin e
Majlinda Camit ‘Albanët me Famë në Mijëvjeçarë’ (Nga Troja e Lashtë Deri në Ditët Tona)
Gjakovë

Filed Under: ESSE Tagged With: Ç`më tha Elena Kocaqi, Fahri Xharra, për Albanët?

Selam Çollaku mendohet një orë për mbrojtjen…

February 10, 2016 by dgreca

ese nga Xhevair Lleshi/
Priti të vinte dreka dhe ta mblidhte veten. Dukej sikur nga çasti në çast do të përmbysej mbi tryezën e punës. Erdhi ora, mendoi. Tani do të filloj. Urdhri është i prerë: një orë në ditë duhet të mendohemi për kuponin tatimor! Një orë! Nuk është si shumë? Hm, kjo më sjell ndërmend një kohë tjetër. S’të kujtohet? Jo. Selam Çollaku, mo! I ati i Petritit! Ah, po, e kam shok Petritin. Eh, ikën koha, e tmerrshme. Po, hë si është historia e Selamit? Histori, si të gjitha ato të tijat! I ka të bukura dhe për më tepër, i shkonin shumë. Ja, shikoje këtë që e imiton, nuk duket skifo? Gjë e dobët. Ka vënë gishtin në tëmth dhe duket që mendohet. Por në të vërtetë e ka me « sikur» dhe kjo ia bën muu! Pastaj nuk e ndërton dot krahasimin: atëherë mendoheshin nga një orë në ditë për gjithçka, sipas fushatave, kurse sot vetëm për kuponin tatimor… Do ta tregosh atë për Selamin? Posi, jo! …
Ditë e zakonshme me diell. Selam Çollaku kishte dalë në oborrin-lulishte të kryesisë së kooperativës bujqësore të Plashnikut. Plashniku vetë, ngjitur në sup me Tepelenën, domethënë me rrethin e Tepelenës. Andej rrjedh lum tjetër, Luftinja, ka miniera qymyri, sot sigurisht të braktisura, ndërsa këtej buron nga rripat e rrjepura të kodrave që do të duhej të quheshin male, përrenjtë e Plashnikut. Një vend ku pula ha gurë dhe grill, ku edhe vezën e bëjnë në ngjyrën e grillit. Përrenjtë e Plashnikut kishin qenë me nam. Edhe në ato vite vinin ca makina të rënda dhe thoshin se kërkonin naftë… Nejse. Selami doli në oborr. Kërkoi me sy rojën e kryesisë, një burrë i shkurtër, në fytyrën e të cilit binin në sy një palë mustaqe të holla si bisht miu. Fytyra e gjerë, buçkane, e vrarë nga dielli dhe e tymtë nga hijet, ishte e veçanta e atij burri. Dukej që rruhej përditë, në mëngjes a në darkë nuk dihet. Më kujtohet parulla e atëhershme: po të rruheshe në mëngjes e bëje për të tjerët, domethënë për gratë e tjera, ndërsa po të rruheshe në darkë e bëje për tënden, domethënë për gruan tënde. Në mensën e kooperativës, roja hante drekën dhe darkën. Pastaj mbështillej në kolibe. Kurrë nuk i afrohej kryetarit. Nuk ia pëlqente humorin. Se të bënte për të qeshur Selam Çollaku…
Edhe vetë roja e dinte historinë e famshme me një nga sekretarët e komitetit të partisë të rrethit, i vinte inat e sa s’pëlciste nga zemërimi i çastit. Se trupin e kishte të vogël roja, po zemërimin e kishte goxha të madh! Sidoqoftë, i kujtohej historia dhe e dëgjoi me veshët e tij.
«Ke frikë?» – e pyeti sekretari i parë.
«Ç’ne unë të kem frikë? Pse kot rri këtyre gërxheve, për të pasur frikë?»
«Jo, kot, të pyeta.»
«Kot nuk e the. Por, ta dish, unë frikë nuk kam as nga Enver Hoxha dhe as nga Mehmet Shehu, po ama frikën ia kam Haxhi Lleshit!»
«Ou, na dole trim i madh tani!»
«Dëgjo, sekretar, atë frikë që kam unë e kanë dhe shumë të tjerë! Dhe e di pse? Jo. Se i këput një vijë (dhe shkeli tokën fort) këtu dhe ky vendi këtu nesër gdhihet Tepelenë! More vesh? Ja, kjo ndodh dhe pastaj unë ku të futem? Më duhet të kem miq ata të Tepelenës pastaj se ndryshe, naaa, s’ka më kryetar!…»
Dhe qeshte me një fishkëllimë të lehtë grykore, shoqëruar me një gërricje të këndshme. Nuk mendohej shumë për ta thënë batutën. E kishte me goditjen e parë, siç i vinte, si ata futbollistët që, sa u vjen pasi e gjuajnë me të parën dhe nuk mendohen dy herë. Dhe këtu i buronte suksesi. E dinin se Selami rrinte në Plashnik. Kthehej rrallë në shtëpi dhe me që rripat e Plashnikut s’para prodhonin gjë për të qenë, më mirë preferonte të ishte atje, i pranishëm. Aso kohe ishte gjë e madhe prania, ndenjja, merrej si begenisje, si sajdi. Dhe fshatarët kështu të nderonin. Po edhe miqtë e gjenin shesh dhe bënin përshesh. Selami kurrë nuk dehej. I dinte pikat e dobëta dhe xhonglonte me rakinë që i duhej të pinte. I kishte vegla të sajuara me kohë. Vishte xhaketën e duhur, vinte aty enën që do të mbante rakinë e koçimares dhe priste si gjahtari me çiften e bërë gati. Kë nuk dehu dhe i përgjërohej te koka. Ia numëronte të gjitha kokës së dehur, një e nga një, sikur bëjnë gratë me trimat teksa i vajtojnë dhe u numërojnë bëmat. Se Selami ishte vajtojcë e klasit të parë. E ngrinte në vend bejten ndaj të dehurit. Ti ke qenë burr’i mirë o shok,/ edhe je nga der’e parë, / ndaj të kam mik për kokë, / djal’ o sekretar i parë! Le të kishte dhe ndonjë për ta kthyer këngën. Se Selami nuk dinte të këndonte. Ai mërmëriste fjalët, tjetri i kthente dhe afronte me ato që shpërthenin nëpër dasma e ziafete. Nuk vononte shumë dhe harrohej zjarri bubulak, shpuza dhe kërcunjtë e djegur të lisave, harroheshin të ngrënat e të pirat dhe fillonte dremka. Të nesërmen ishte harruar edhe kënga e këndesit, kishte filluar kakarisja e pulave dhe blegërimat e dhenve nëpër lëndinat me zhur e me grill të Plashnikut, të plasnin shpirtin vërrimat e dhive dhe lodrat e kecave. Kryesia kishte mbetur batall, bosh. Miku i lartë këndonte përmes gërhimash të hatashme dhe Selami e shihte me keqardhje për naivitetin e tij, për mosnjohjen e hileve të rakisë. Le ta dije botën edhe në pëllëmbë të dorë, kur s’dije si t’i dredhoje rakisë, turp e faqja e zezë, mjerë për kokën tënde. E, këto ia mbanin kokën lart Selam Çollakut. Ore, ai s’pyeti dhe ia plasi në sy kryeministrit, Mehmet Shehut, e dini?…
Bëhej seminar në Dyshnik, që ishte sektor i kooperativës së dëgjuar të Lapardhasë. Kishte ardhur i deleguar Mehmet Shehu, kryeministri me famë i Shqipërisë, që të fuste shtatë pashë në dhé kur të shihte. Ka pasur hije të rëndë ai. Dhe, dikur nga mesi, kur vizitonin stallën e viçave, Mehmet Shehu e pyeti Selamin, të cilin e njihte që herët, ia kishte parë tymin.
«Hë Selam, si të duket?»
«Mirë, shoku kryeministër!»
«Mirë apo shumë mirë?»
«Notat i vini ju shoku kryeministër!»
«Lëri Selam, po më thuaj për stallën, or mik!»
«Oho, ajo dihet, më mirë viç në Dyshnik se kryetar në Plashnik!…»
Plasi e qeshura si shpërthimi i Fierzës. Nuk mbaheshin njerëzit. Kryeministrit desh i ra të fikët. Hajt ma gjej një burrë si Selami sot, të kam rixha, që ta bëjë kryeministrin tonë, Edi Ramën për të qeshur sot! S’ka burrë që ta bëjë! Kurse Selam Çollaku bëri për të qeshur atë që s’qeshte kurrë, mor jahu! Dhe mbeti seminari aty, sepse ata seminare pa skenografi ishin, aty mbylleshin. Se ato mote kishte stalla viçash, stalla derrash, kishte fabrika, uzina, parqe, hekurudha, ferma, kooperativa. Kishte, paçka se mjerimi për shkaqe që dihen ishte edhe asaj kohe i ulur këmbëkryq. Por ama që të shtrosh këmbëkryq fjalët në seminar kjo as ishte parë e as ishte dëgjuar ndonjëherë. S’ka më viça Dyshniku, e kam fjalën për viça kooperative. Prandaj dhe e qeshura e atij seminari mbeti si një përrallë e bukur. Këtë e shkaktoi batuta e Selam Çollakut. Vetëm me Enver Hoxhën nuk këmbeu ndonjë fjalë. Dhe në vend që të shtronte muhabetin me të tregonte se i kishte shkruar një letër ku i shkruante për Ali Pashain e Janinës, pashain e Tepelenës, hajdutin e famshëm të shtatë kazave dhe mbretin e shtatë mbretërive. Kishte kuptim ajo që rrëfente Selam Çollaku. Po, vajti Pashai të priste majat e flokut, të mjekrës, të mustaqeve dhe brisku t’i shkonte në fyt, përfund mjekrës për të hequr të tepërtat. Dhe i thotë berberi:
«Pasha, t’u bëfsha kurban, hë të kam në dorë?»
Pashai e pyeti si me të qeshur:
«Për çfarë?»
«Po ja, brisku, gryka juaj… he?»
«Po, e di,» – shtoi Pashai dhe u ngrit.
Iku në saraje. Dhe u tha rojeve: «Ma sillni shpejt berberin, të lidhur, këtu, tani!»
Fluturuan rojat dhe u kthyen me berberin, duke e tërhequr zvarrë. Më në fund e plasën te këmbët e pashait.
«Hë? Si ishte puna e briskut në fytin tim?
«Shaka, Pasha!»
«Shaka me zarar kjo, efendi! Roje, merreni dhe prijani kokën!»
«Shaka ishte, Pasha!»
«Edhe unë shaka po bëj efendi!» Dhe u bëri shenjë rojave t’i prisnin kokën…
Pasi e tregon Selam Çollaku vë re se është zverdhur. Megjithatë vija e të qeshurës e rrethon portretin e tij të shkëlqyer. Më në fund belbëzon me një fije zëri. «Ku kishte shaka me ta! Të mbytej fjala në grykë! Ta kini prej meje djem! Para të madhit, prapa kalit dhe para dhëndrit të ri mos dilni. Të shkelin me këmbë ose ta fusin me shkelm!» Sigurisht, ai ishte bir i të qeshurës.
«Po ajo si ishte, Selam?»
«Cila?»
«Ajo që i tha atij budallit, që e ndiqte pas?»
«Eh, i ziu djalë! I thoshte: Sa e mirë je, moj! Sa e mirë je, moj! Më në fund ajo i hodhi fjalë. Kurse ai, çakmaku, i tha: A flemë një natë të dy? Ajo, e bukura, e pa në sy dhe i ka dhënë përgjigjen më për të qeshur në botë: Çuno, për të fjetur kam burrin unë! Dhe mbetën këto fjalë në histori…
Po le të kthehemi te roja i kryesisë që ditë natë gdhihej e ngrysej tek selia e kooperativës së Plashnikut, një shtëpi përdhese me katër dhoma, një banjë dhe me një kthinë ROGL-je sa për të t’u mbajtur mend. Ato, po, mendonte roja, ato me ROGL ishin histori! Të shkuleshe. Se vetëm ato e bënin për të qeshur rojën e kryesisë! Nejse, ç’i do fjalët e tepërta. I thotë kryetari rojës: «Ej, çun, kujdes, nga ora 12.00 deri në orën 13.00 unë jam në zyrë duke u menduar për mbrojtjen e atdheut! More vesh?» «Mora, kryetar!» Dhe si ndenji pak shtoi: «Pse, kush ardhka sot?» «Fillove ti? Rrufjan! Mbylle gojën! Dhe shiko, sakën se lë ndonjë të futet në kryesi. Shtrëngoje fort belxhikun! I thonë mbrojtje, birko!» U fut brenda Selam Çollaku. U rehatua mirë në karrigen me shilte gjithë lulka dhe po shihte me vëmendje mbi tryezë. Ca letra çarçaf të hapura përsipër të tjerave mbi tryezë. Lapsa me ngjyra dhe dy stilolapsa të mëdhenj,. Një broke plot me ujë dhe gota e kthyer përmbys sipër saj. Një shishe e bukur rakie si kitarë e vogël pa tela. Shishe e çmuar, ndonjë kujtim i dikujt, ose një dhuratë e harruar e dikujt tjetër. Të rrije aty një orë ishte sakrificë e madhe dhe mjaft e mundimshme. Por, ia bënte hallall të gjitha. Të mendoheshe në atë farë feje për mbrojtjen si thoshin shaka. Duhej të zgjidhje probleme të mëdha. «Armiku» sulmonte për shembull nga Rabia dhe pas dy orësh në këmbë ishte aty. Beratin, pastaj, e bëje zap prej asaj gryke. Se zbrisje me vrap dhe zije zallin e Molishtit dhe fushëtirën e Gjerovenit dhe të Velabishtit dhe hop në Berat. Një vrap pele! Pale të kishe makinë, një xing-fu për shembull! Zot, o Zot, si ia këndoje këngën! Pastaj vinte çeta territoriale e fshatit, zboristët, lajmërimet për alarm, adresat, korrierët. Për këtë punë ishin ata të ROGL, mësuesit, infermierët, agronomët, veterinerët, zooteknikët… Vinin pastaj palë-palë oficerët, të cilëve u digjej xhani të gjenin kryetarin aty në kryesi. Darka darkë, rakia raki, e ngrëna e ngrënë, kënga po këngë, hokat po hoka, ç’të them. Të gjitha me masë, po në çdo rast ai donte se s’bën një «dëshmor», një kurban! Vuri mirë gishtin tregues në mendje. Punë e vështirë, mendoi.
Papritur dëgjoi zhurmë. I krisi përbrenda e qeshura. I doli fjala kryeagronomit, që i kishte thënë duke ngrënë mëngjesin. «Më duket se sot na vjen kryetari i komitetit.» «Ç’thua!» «Po, po, vjen, s’i përton mendja atij!» «Eh, i ziu kryetar, ia ngrofsha mendjen në zjarr!» – e lëshoi krismën Selami. E, pra, ja tek erdhi dreqi. Le që mirë e ka, sa të dëgjojë pordhët në Berat, më mirë hop në fshat. Evá tjetër, ajër, punë, një piliç në drekë dhe pastaj mirë u pafshim. Mendje, mendje! Ta pifsha dollinë o kryetar. Por, hm, këtë radhë më gjeti në orën kur mendohem për mbrojtjen e atdheut. Iku marsi, hyri prilli, filloi këngën bilbili… «Kryetar!» Po ky ç’dreqin ka që thërret. Dhe dëgjoi: «Ja, s’përgjigjet fare. Duket, se më tha vetë, po mendohet për mbrojtjen e atdheut!…» Mirë i thotë, belbëzoi Selami. T’i bëhet mësim, se na çau veshët: mendohuni një orë ditë për mbrojtjen e atdheut! Na tani! Duro edhe ti një orë sa të mendohem unë. Të ishte i mençur e gjente ai, e gjente. Futej në mensë, rrinte atje, bënte llogje dhe mua këtu ma nxinte. Por s’është nga ata, i ziu! Derdimeni i gjorë rri e llafoset me rojën!… Hi, hi, hi! Dreq o punë. Por,… s’i kam faj. Dhe përsëri dëgjoi: «Kur filloi të mendohej?» «Aty nga ora dymbëdhjetë e një çerek…» «Ou, paska edhe treçerek ore! Ah, more Selam! Pse sa herë vij unë mendohesh për mbrojtjen ti?…» Dhe Selami e shihte me sytë e mendjes teksa ai vej e vinte në oborr përballë rojës që përngrihte belxhikun dhe mustaqet si bisht miu. Mbushur me fishekun në gojë belxhiku dhe fliste si gjithnjë nën buzë roje-ziu. I kishte ardhur fati në derë atij: llafoste me një njeri të paktën. Apo s’e ngiste llafin! Tirrte e tirrte dhe i bënte lëmshenjtë e fjalëve sa një top futbolli. Kushedi sa topa me fjalë kishte fshehur në hangarët këtej rrotull ky derdenek!… E donte rojën Selami. E pëlqente si tip. A i ruante fjalët që dëgjonte si mallin, këtë nuk e shpjegonte dot, por ama kështu në dukje të linte përshtypje të mirë. Të paktën nuk do mërzitej kryetari. Kjo sidoqoftë kishte rëndësi. Sepse rregulli mbetej rregull dhe ai këmbente ndonjë fjalë… Po edhe vetë nuk po e shtynte dot. U mërzit. Nuk kishte ç’të mendonte më tej. I zgjidhi gjithë situatat luftarake, vajtje-ardhjet, emrat e korrierëve, gjendjen e çangës së alarmit, shufra prej hekuri që rrihte çangën (se bënte vaki që humbiste. Por… helbete… «E, mo, vajti ajo e shkretë ore?» – dëgjoi kryetarin e komitetit teksa pyeste rojën. «Zotrote ke orë, unë e mas me hije.» «Epo, vajti ajo hija jote?» «Hija ime, kryetar, s’ka lëvizur nga vendi. Edhe dielli akoma nuk është kthyer mënjanë.» Selami qeshi me vete. E ndjeu gurgullimën. Befas iu soll ndërmend si klithmë gjëmimi dhe vuri duart te sytë sikur pa dritën e vetëtimës. I theri në zemër. Kjo, po, ishte për t’u menduar. Qe e tmerrshme. Kooperativistët, ose më mirë me thënë fshatarët e Plashnikut, të «burgosur» në fshatin e tyre, merrnin 1 lekë e 30 qindarka pagë për ditë pune. Në realitet u takonte minus 3 lekë, por manovrat e Selamit i bënin ballë më të keqes, që ata, njerëzit e vuajtur, të kthenin në arkë diferencën. O Zot, po si ia dilnin mbanë? Mirë që qenë zonë malore dhe zotëronin diçka nga toka që mbanin si kopsht dhe ndonjë bagëti për të mbajtur frymën gjallë. U zhyt në të thella Selami. Ia vlente të mendoheshe për fatin e njerëzve. Si do të dilnin këtë vit? Ç’do të merrnin njerëzit për fund viti… Dëgjoi rrahjen e derës me pëllëmbë.
«Hë, mo, e mbarove të menduarit?»
«Po, shoku kryetar. Ja erdha.» U ngrit dhe u afrua te dera e hyrjes. I hoqi llozin dhe me pamje të trishtë, i zgjati dorën. «Faleminderit, kryetar… Faleminderit që durove duke më pritur. Por ta dish, kemi halle të mëdha në Plashnik…»
Kryetarit të komitetit iu lidh gjuha. Nuk e kishte parë kurrë aq të trishtuar Selamin. I ngarkuar sa më s’bëhej, iu afrua edhe më dhe ia plasi:
«Po vazhdon të tallesh me mua? Edhe kaq sa bëre meriton një ndëshkim të pamendueshëm, more vesh?!… (Heshtje e ngarkuar e që ndihej fort.) Më plase shpirtin. Jam kryetar komiteti dhe më le një orë jashtë! Mos vallë do të më thuash se u mendove për mbrojtjen vërtet? E ha unë atë kokërr ulliri? Si thua ti?…»
Selami lëvizi krahun. «Kryetar, më dëgjo. Lëre të menduarit tim mënjanë. Unë vërtet u mendova për mbrojtjen por aty nga mesi m’u kujtua buka e fshatarëve të mi. S’ka më kokërr gruri kryetar. Na duhet të sigurojmë edhe nja shtatë muaj. Dhe duhet ta kem që tani, ndryshe do të vdesin nga uria… Këto po t’i them me zë të ulët, por më dëgjo…»
«Po sikur…?»
«S’ka sikur. Edhe sot për drekë s’ka bukë. Unë edhe ti s’kemi thërrime buke. Por, s’kemi ç’bëjmë, do marrim diçka, do pimë dhe një pikë raki… Si thua?…»
Dhe ecën të dy drejt mensës, duke u menduar tashmë të dy jo më për mbrojtjen, po për bukën e gojës…

Tiranë, më 09.02.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Ese, Selami Çollaku, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 389
  • 390
  • 391
  • 392
  • 393
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT