• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EPITAFI

March 5, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

E kisha bërë zakon që çdo vit në datën e përvjetorit të vdekjes së prindërve të mi, të shkoja në varreza dhe të vendosja një tufë me lule mbi varroshin e tyre. Ulesha pranë tyre, vështroja fotografinë e stamposur në porcelan dhe filloja bisedën me ta. U tregoja për gjithçka kishte ndodhur në familjen tonë. Ndonjë herë kur kisha vështirësi u kërkoja edhe mendim dhe më dukej sikur ata më përgjigjeshin dhe unë e ndjeja veten të lehtësuar.

Aty pranë tyre ndodhej edhe një varr tjetër. Ishte një varr i thjeshtë fare, vetëm me bordurat anësore që i vendoste ndërmarrja komunale dhe një pllakë në krye ku ishin shkruar emrat e atyre që preheshin aty. Ishte varri i mikut tim Agronit. Ai prehej aty së bashku me familjen e tij tragjike. Si mbaroja vizitën te prindërit e mi, kthehesha edhe nga miku im, për të vendosur edhe atje një tufë me lule për kujtim. Ishin lulet e vetme që vendoseshin mbi atë varr.

Kështu veprova edhe atë ditë marsi të vitit 1993, në ditën e njëzetvjetorit të vdekjes së tim eti. Bleva dy buqeta me lule dhe shkova të bëja ritin e zakonshëm. Në fillim u gjunjëzova në varrin e prindërve. Vendosa tufën e luleve dhe vazhdova bisedën si zakonisht. Pastaj u ngrita dhe u drejtova nga varri i mikut tim.

U habita pa masë kur pashë se në vend të varrit të thjeshtë që kisha lënë para një viti, tani ngrihej një varrosh madhështor. Në pllaken e mermertë të tij lexohej:

AGRON         CANAJ           1930 – 1987

LUMTURI     CANAJ           1932 – 1974

IRIDA            CANAJ           1959  – 1974

Në mes të pllakës, mbi emrat e tyre ishte vendosur një fotografi e bukur porcelani e të gjithë familjes, ndërsa poshtë tyre ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:

‘’ NË   JETË   NUK   PATËT   GËZIM,

NJERËZIT  JU  KISHIN   HARRUAR,

POR      ZOTI     ME     PËRDËLLIM,

JU    DHA   LIRINË   E    AMËSHUAR! ‘

U habita kur pashë një varrosh të tillë. U ula me respekt pranë tij, vendosa buqetën e luleve dhe vështroja fotografinë dhe epitafin e shkruar. Atë fotografi e kisha parë në albumin e Agronit. Kishin dalë një vit para se t’i vdiste e shoqja. Ishte fotografia e tyre e fundit.

– Ky varr ka shumë dhimbje! – u dëgjua një zë prapa meje. U ktheva dhe pashë specialistin që merrej me ndërtimin e varrosheve.

– Kush e ka porositur këtë? – e pyeta.

– E porositi i vëllaj që banon në Tiranë. Ka ardhur disa herë qe ta vizitojë. Ato lulet që kanë filluar të vyshken ai i ka sjellë.

Veshtroja epitafin e shkruar aty dhe para syve me dilte ngjarja e hidhur që kishte ndodhur para njëzet vjetësh. Ishte një ngjarje e dhimbëshme nga ato që nuk mund të harrohen kollaj dhe që rasti e kishte bërë qe unë të bëhesha dëshmitari i vetëm i saj.

*   *  *

Isha në zyrat e sektorit së bashku me mikun tim Astritin, që ishte teknik i sektorit, kur trokiti porta.

– Hyni! – foli Astriti.

Në dhomë hyri një burrë rreth të pesëdhjetave, me trup mesatar, sytë bojë qielli të mëdhenj, ballin të gjërë dhe flokët bjond që kishin filluar të zbardheshin. Kishte veshur një palë pantallona doku ngjyrë gri dhe një këmishe bojë qielli me vija të bardha. Vështroi nga ana e jonë si me frikë, pastaj u afrua dhe pyeti:

– Këto janë zyrat e sektorit te investimeve?

– Po. – u pergjigj shkurt Astriti.

– Më   kanë   dërguar   të   punojë   në   sektorin   tuaj. –  vazhdoi  ai  duke  zgjatur   një

letër qe ia kishte dhënë shefi i kuadrit. Astriti mori letrën dhe mbasi e lexoi i tha:

– Çfarë profesioni keni?

Burri u mendua pak si i zënë ngushtë pastaj u përgjigj:

– Punëtor, megjithse kam punuar në shumë profesione, por nuk kam asnjë kategori

– Ku keni punuar? – e pyeti përsëri Astriti.

Burri  heshti sikur donte të mendohej në se duhej ta thoshte atë fjale apo jo. Më në fund foli me një gjysmë zëri:

– Kam një muaj që  jam liruar nga burgu. Kam punuar nëpër kampe të ndryshme.

Unë dhe Astriti pamë njëri-tjetrin në sy.

– Përse keni qënë të dënuar?

– Agjitacion dhe propagandë

Një heshtje pasoi fjalët e tij Pastaj për të ndërruar temën e bisedimeve Astriti e pyeti:

– Çfarë njerëz keni në familje?

– Vetëm nënën time plakë.

– Nuk jeni i martuar?

– Kam qënë dikur. Kam patur edhe fëmijë.

Unë dhe Astriti menduam se do e kishte ndarë e shoqja kur ai ishte në burg. Por ai vazhdoi:

– Tani ato ndodhen në qiell.

– Më falni! – i tha Astriti dhe vazhdoi – Si ju quajnë? – Por aty për aty u kujtua për letrën e shefit të kuadrit. E mori atë dhe pasi hapi librin e personelit shënoi:

‘’ Agron Bexhet Canaj, punëtor kategoria e parë, datëlindja 15 mars 1930, banues lagja 24 maj, rruga Transballkanike, pallati 526, nr. 13 Vlorë.’’

– Mirë atëhere, nesër do të filloni nga puna në pallatin që ndërtojmë në hyrje të qytetit – dhe i tregoi vendin ku ndodhej pallati – Në orën 6.30 takohemi atje. Do të njiheni edhe me shokët e tjerë të punës.

– Faleminderit! – u përgjigj burri dhe pasi na përshëndoshi u largua duke mbyllur pas vetes portën e zyrës.

Mbetëm për një farë kohe pa folur. Prania e këtij personi na kishte habitur. Nuk e njihnim. As emrin nuk ia kishim dëgjuar. Por sidoqoftë me atë pak bisedë që bëmë me të mësuam se diçka e dhimbëshme i kishte ndodhur.

– Merreni si ndihmësin tuaj dhe mundohuni të zbuloni ndonjë gjë për personin e tij – tha Astriti.

*   *  *

Të nesërmen e gjetëm duke na pritur.

– Eja të pimë nga një kafe. – foli Astriti.

Ngurroi por këmbëngulja e jonë e detyroi të pranonte. Porositëm tre kafe dhe tre raki  të cilat i solli kamarjeri.

– Më falni, por unë nuk e pi rakinë! – tha Agroni

Kamarjeri e mori përsëri rakinë e tij. Pinim dhe bënim muhabete të ndryshme. Mundoheshim që të mos bënim biseda që do ta lëndonin. Si mbaruam u ngritëm dhe shkuam te pallati ku ishin mbledhur edhe shokët e tjerë.

– Agron Canaj është një punonjës i ri i sektorit tonë. – tha Astriti – duke filluar që sot do punojë në brigatën tuaj.

– Le të punojë me mua. – thashë unë.

Kështu që atë ditë ai filloi punë si ndihmësi im. Ishte një tip i mbyllur. Fliste fare pak, vetëm kur i drejtoheshe atij të përgjigjej fare shkurt, pastaj humbiste në vetminë e tij.

Në punë ishte shumë i rregullt. Me siguri kjo vinte nga disiplina e hekurt e kampeve ku kishte qënë. Unë mundohesha t’i qëndroja pranë, por vija re se ai më shmangej. Disa herë e kisha ftuar për të shkuar në kinema apo ndeshje futbolli, por shumë rrallë kishte pranuar. Dukesh sikur e kishte humbur kuptimin e jetës. Vrisja mendjen të gjeja shkakun e kësaj gjendje. Mos ishte burgu i gjatë, apo humbja e familjes shkaktari i këtyre gjërave? Këtyre pyetjeve nuk mund t’u jepja përgjigje.

Një ditë ndërsa pinim kafe qëllimisht i tregova për jetën time. I tregova se edhe unë kisha qënë në burg, se kisha vuajtur njësoj si ai, por isha përsëri i gjallë. Isha martuar dhe më kishin lindur edhe fëmijë. I bëra thirrje edhe atij të gjente forca dhe të fillonte një jetë të re

– Jeta ime e re është vetëm varri! – u përgjigj me gjysmë zëri.

Që atë ditë shoqëria e jonë u bë më e dukshme. Dilnim vazhdimisht së bashku dhe bisedonim për gjëra të ndryshme. Shpesh herë i tregoja ngjarje nga jeta e burgut me shpresë se edhe ai do të fillonte të më tregonte të tijat. Por ai vazhdonte të heshte. Megjithatë unë e kisha atë durim që të prisja kur të vinte momenti i volitshëm dhe të më tregonte vetë.

*     *

Një ditë takova Besimin, një mikun tim të burgut që mbasi kishte bërë 28 vjet burg, ishte liruar para një viti.  Biseduam gjërë e gjatë për probleme të ndryshme. Së fundi e pyeta edhe për mikun tim të ri

– Nuk di ç’të  them! Kemi qënë bashkë në kampin e Spaçit. Në mos gabohem ai ka ardhur atje rreth vitit 1974.  Ishte një tip i mbyllur, i çuditshëm, pak i shoqërueshem.

Mbasi u mendua pak vazhdoi përsëri:

– Shokët e grupit të tij e kishin abandonuar. E akuzonin se i kishte tradhëtuar në sigurim.

Ky lajm sikur më tronditi. Megjithatë e pyeta:

– Po ti ç’mendim ke për të?

– Gjithmonë e kam parë me një sy dyshimi  një  gjë  të  tillë,   sepse    ai   nuk   kishte  asnjë  shenjë  spiuni  si  ata  që  njohim  ne.  Rrinte vetëm,  nuk provokonte kurrë njeri. Punonte në galeri dhe kur ktheheshim hiqej mënjanë dhe lexonte ndonjë libër. Kur ishte në kamp i vdiq gruaja dhe vajza. Ndoshte ishte ky shkaku që qëndronte i shkëputur nga të tjerët. Ka mbaruar studimet e larta për inxhinier elektrik.

Unë mbeta i habitur. Kisha disa muaj me të dhe nuk ma kishte thënë një gjë të tillë. Besimi ndezi një cigare të cilën e thithi thellë dhe pastaj vazhdoi:

– Me gjithë llafet e hapura, unë i qëndroja pranë. Kisha përshtypjen që ai ruante diçka të rëndë brenda vetes të cilën nuk kishte kurajo t’ja tregonte njeriu. Por jo se ishte spiun. Për këtë u binda më tepër  kur i tregova gjoja për disa shokë të cilët kishin vendosur të arratiseshin, bile i tregova edhe datën e caktuar  prej tyre për këtë qëllim. Këtë e bëra për ta provokuar. Por ai nuk i tregoi njeriu. Asnjerin prej shokëve nuk e gjeti gjë. Së fundi ja thashë dyshimin tim. Ai buzëqeshi dhe më tha:

– Atë opinion e kam peshqesh nga shokët e mi më të ngushtë.

Besimi hodhi poshtë cigaren e ndezur dhe pyeti:

– Kur është liruar?

– Para tre muajve. Ka filluar punë në sektorin tonë.

– Mbaje pranë. Kam përshtypjen se ka nevojë për njerëz të mirë  që ta ndihmojnë të kthehet në jetë.

Atë mbrëmje pothuajse nuk fjeta fare. Mendimet më fluturonin nga një ekstrem në tjetrin. Inxhinier ndërtimi që as  e përmendte fare, sot punëtor i thjeshtë. 10 vjet burg. Shokët e akuzonin për tradhëti. Gruaja dhe vajza të vdekura njëra mbas tjetrës. E pra të gjitha këto e kishin një shkak që unë nuk mund ta gjeja dot me mendjen time.

Të nesërmen ngjarjen ia tregova Astritit  që u habit më tepër se unë. Megjithatë vendosëm të ruajmë shoqërinë me të dhe t’ia lemë kohës qe ta zgjidhë këtë mister.

Mbas disa muajsh Agronit i vdiq e ëma. Lajmërova Astritin, por ai nguroi të vinte se kishte frikë mos e hiqnin nga puna si teknik ndertimi. Besimi erdhi menjëherë. Të dy shkuam për ta varrosur. Në shtëpi gjetëm Agronin, të vëllanë që banonte në Tiranë dhe disa të afërm të tjerë. Gjithsejt jo me shumë se 10 veta. Trupin e së ndjerës e vendosëm në varrin e të shoqit. Pranë tyre ishin dy varre të tjerë. Mbi pllakat e betonit të vendosura në bordurat e tyre ishin shkruar me bojë të zezë emrat e gruas dhe vajzës së Agronit. Ishin vendosur edhe dy fotografi ku kishin dalë të dyja të qeshura si vetë jeta. Vështrova Agronin. Sytë e tij ishin të mbushura me lot. Po qante pa zë duke parë fotografitë e tyre.

E lashë të shfrente mirë e mirë dhe pastaj i futa krahun dhe e tërhoqa duke i thënë:

– Eja të ikim tani.

U larguam nga ai vend i trishtuar.

*     *

Ditët rridhnin njëra mbas tjetrës dhe bashkë me të edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar më shumë se tre vjet nga dita kur u njoha me Agronin. Tashmë kishim formuar një shoqëri të vërtetë. Takoheshim çdo ditë. Natyrisht më shumë shkoja unë në shtëpinë e tij, mbasi banonte vetëm atje dhe ishim të lirë për të biseduar për lloj lloj temash  Por më tepër biseda shtrihej mbi letërsinë që e kishte shumë për zemër.  Më  tregoi  se  kur kishte mbaruar shkollën e mesme për në universitet kishte kërkuar për letërsi, por nuk ia kishin dhënë.

Në shtëpi kishte një etazher shumë të pasur që e ema e kishte ruajtur të fshehur gjatë kohës kur ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Aty gjeje që nga ‘’ Prometeu i lidhur ‘’ i Eskilit deri te ‘’ Viti 93 ‘’ i Hugoit, që nga ‘’ Lufta dhe Paqja ‘’ e Tolstoit deri te ‘’ Makbethi ‘’ i Shekspirit, që nga ‘’ David Koperfildi ‘’ i Dikensit deri te ‘’ Tre shokët ‘’ e Remarkut. Aty gjeje edhe letërsi shqipe që nga ‘’ Historia e Skënderbeut ‘’ e Naimit deri te          ‘’ Albumi ‘’ i Nolit, që nga ‘’ Vargjet e Lira ‘’ të Migjenit. deri te ‘’ Per mbrojtjen e atdheut ‘’ të Foqion Postolit, që nga ‘’ Qyteti i fundit  ‘’ i Petro Markos deri te             ‘’ Keshtjella ‘’ e Ismail Kadaresë. Në një kënd të fshehtë të tij gjeje vepra të Niçes, Frojdit, Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos. Në atë dhomë gjeje kënaqësinë më të madhe që mund të provoje në ato kohëra.

Ishte një ditë shtatori e vitit 1986. Shkova në shtëpinë e mikut tim pasi kishte tre ditë që nuk kishte ardhur në punë. Kur e pashë m’u duk pak si i ndryshuar.

– Sa mirë bëtë që erdhët ! – më tha – Ju prisja. Kisha nevojë të bisedoja me dikë.

Mori dy shishe birrë dhe i vuri në lavapjatë dhe hapi çesmën që të ftoheshin.

– Përse i nxorre ato? – e pyeta unë – Ti nuk ke pirë asnjëherë.

– Sot ndjej nevojën për të pirë. – u përgjigj dhe nxorri nga dollapi pak djath dhe sallam si dhe vuri dy kokra vezë që të zjenin.

– Pardje isha te mjeku. Kam disa kohë qe ndjej një shtrëngim në stomak. Ai më dha të bëja të gjitha analizat. I bëra dhe sot mora përgjigjen.

– E si të dolen?

– Kancer – u përgjigj i qetë. – Doktori nuk donte të më tregonte, por kur unë këmbëngula duke i thënë se nuk kam njeri, më tregoi të vërtetën. Nesër do të shtrohem në spital në Tiranë në onkologjikun.

Unë mbeta si i shastisur. Lajmi ishte shumë i rëndë. Nuk gjeja fjalë për t’i thënë. Megjithatë e mblodha veten nga hutimi i parë dhe  fola:

– Me siguri kanë gabuar. Bëji analizat përsëri dhe do të shohësh që do të dalin mirë

– Jo, jo nuk janë gabim. Erdhi koha të shkoj te të dashurit e mi.

Vendosi në tavolinë shishet e birrës dhe si mbushi gotat e ngriti njërën dhe më tha:

– Gëzuar!

– Gëzuar dhe një shërim sa më i shpejtë!

– Kemi mbi tre vjet që njihemi. – më tha – Më ke treguar gjithçka për veten tënde, ndërsa unë kam heshtur. Çdo kujtim e kam mbajtur të mbyllur brenda vetes time. Sot dua të flas. Deri më sot kam menduar se ishte më mirë që sekreti të vdiste bashkë me mua. Kurse tani që po e ndjej vdekjen të më afrohet mendoj se duhet t’ia them dikujt. Nuk kam njeri të afërm të familjes. Vëllaj i vetëm largohet nga unë si djalli nga thimjami. Ndaj dua të ta tregojë ty. Ti je miku im më i afërt.

Kisha kohë që e prisja tregimin e tij, por momenti i zgjedhur nuk m’u duk i përshtatshëm.

– E lëmë për ndonjë herë tjetër. – i thashë – Ke për të parë që do të shkosh në Tiranë dhe ata do të  kthejnë përsëri.

Ai u ngrit, u drejtua nga etazheri dhe nxorri prej andej një libër. Ishte libri ‘’ Idetë filozofike të shekullit të njëzetë dhe katër ese për lirinë ‘’ të filozofit Izajah Berlin, botuar në vitin 1969 në gjuhën angleze.

-Shiko se çfarë shkruan Berlini – dhe filloi të lexojë – Dëshira ime si njeri është që jeta e ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti  im dhe i askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjëshme. Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marr vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua, të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo  njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qënie njerëzore.

Mbylli librin dhe e vendosi mbi tavolinë.

– Kështu isha dhe unë. Doja të isha dikushi dhe jo askushi. Por ky sistem në të cilin po jetojmë nuk të lejon të bëhesh dikush. Ai kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askushi. Kjo gjë ndeshi me karakterin tonë. Ishim tre shokë. Kishim mbaruar universitetin së bashku. Mendonim se ishim intelektualë me personalitetin e tyre. Por shpejt mësuam se këto ishin vetëm iluzione. Ne e ndjenim që para nesh qëndronin dy alternativa, ose të ruanim personalitetin tonë ose të ktheheshim në lakej që gëzonin frutet e servilizmit të tyre. Ne zgjodhëm të parën. Donim të ruanim dinjitetin tonë. Donim ne, ëndërronim për këtë. Ishim në qiell, kurse në tokë gjërat ishin ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.

Agroni pushoi së foluri, ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua pa folur dhe pastaj vazhdoi:

-Ishte një natë tetori. Ora po shkonte dymbëdhjetë. Një trokitje e fortë në portë na zgjoi nga gjumi i thellë në të cilin kishim rënë. Nëna u ngrit dhe mbasi pyeti se kush ishte hapi portën. Ishte Ilia, operativi i degës së punëve të brendëshme me një grup policësh. Përmendën emrin tim. Ndërkohë unë isha ngritur dhe dola para tyre.

– Do vish pak me ne – tha ai – Kemi nevojë për disa sqarime.

U vesha dhe dola me ta. Gjatë rrugës nuk folëm fare. Vrisja mendjen përse të më kishin marrë. Kur mbërritëm në degë më hoqën rripin e pantallonave, orën e dorës dhe disa sende të tjera që kisha me vete dhe më mbyllën në një qeli të errët. Nuk e di sa ndenja atje mbasi nga errësira e përjetëshme nuk kuptohej në se ishte ditë apo natë.

Më në fund më thirri Ilia në zyrë. Më kërkoi që të nënshkruaja një deklaratë. E lexova. Ishte një deklaratë bashkëpunimi. Natyrisht që nuk pranova duke i thënë se nuk e ndjeja veten të aftë për atë punë. Atëherë ndërroi taktikë. Filloi të më akuzojë për komplot kundër pushtetit popullor, për agjitacion dhe propagandë. Më përmendi edhe emrat e dy shokëve te mi. Më tregoi edhe disa deklarata të firmosura prej punonjësish të ndërmarrjes, ku sipas tyre unë dhe shokët e mi paskëshim folur kundër partisë dhe qeverisë. I mohova të gjitha në mënyrë kategorike. I thashë se ato janë shpifje të njerëzve pa moral. Atëherë nisën torturat e tmerrshme për të cilat nuk do të flas pasi ti i ke provuar vetë.

Mori përsëri gotën e birrës, piu pak dhe hodhi vështrimin rreth e rrotull si pa vëmendje. E mora me mend se ajo që do të tregonte ishte shumë e dhimbëshme ndaj i thashë:

– E vazhdojmë nesër bisedën?

– Jo, dua ta mbaroj sot. Të thashë që nesër do të shkoj të shtrohem.

Heshti dhe pak, pastaj vazhdoi:

– Kishin  kaluar  më  shumë  se  dy  muaj  nga  dita e arrestimit. Isha fare i  cfilitur,   por

nuk kisha pranuar asgjë. Një natë ndërsa flija në qeli, dëgjova zërin e rojes që më ftonte të ngrihesha. Më shpunë në zyrën e Ilias. Bashkë me të ishte edhe hetues Demiri, një egërsirë tjetër si ai.

– Hë a u mendove? Çfarë do të na thuash?

– Asgjë. Gjthçka që kisha për të thënë ju a thashë.

– A e ke menduar mirë?

– Po.

Demiri bëri nje shenjë nga Ilia. Ai doli jashtë dhe pas pak u kthye duke sjellë pas vetes gruan dhe vajzën time. Një drithtërimë më përshkoi trupin. Ç’kërkonin ato në atë ambjent. Çfarë kishin ndër mend të bënin. Ilia mori prangat dhe më lidhi duart nga prapa dhe pastaj me ndihmën e një litari më lidhi pas kaloriferit të zyrës. Pastaj filloi të më qëllonte me egërsi. Gruaja dhe vajza qanin dhe ulurinin.

Si u lodh me mua, ai u drejtua nga gruaja dhe duke i shkuar duart në gjoksin e saj i tha:

– Gjinj të bukur paske moj bukuroshe! Të shohim në se je kaq e mirë edhe në atë punen tjeter.

Ndërsa Demiri iu drejtua vajzës dhe duke i zbërthyer bluzën i tha:

– Po ti moj vogëlushe, a e ke provuar ndonjëherë?

Ato kundërshtonin me forcë, por ata vazhdonin punën e tyre.

– Lëshojini egërsira! – thirra unë i lidhur në qoshkun tim.

Ata vazhdonin punën e tyre.

— Babi, ndihmona Babi! – thërriste vajza e tmerruar.

– Agron, Agron! – foli gruaja e lemerisur.

Në atë kohë nuk durova dot më. Logjika nuk kishte më forcë.

– Lëshojini! Do të them çfarë të doni ju.

U tërhoqën menjëherë. Gruan dhe vajzën i nxorrën përjashta. Me to iku edhe Ilia. Demiri u ul në tavolinën e tij, nxorri disa fleta letre, mori penën dhe tha:

– Fillojmë!

Dhe unë fillova. Isha bërë një send pa vlerë që manovrohesh nga të tjerët. Me pak fjalë isha bërë askushi. Aty kuptova që rrethanat më detyruan të humbas dinjitetin tim. Të nesërmen arrestuan dhe shokët e mi. Pas disa muajsh dolëm para gjyqit. U dënova me dhjetë vjet burg. Njeri nga shokët e mi u ekzekutua., tjetri me dymbëdhjetë vjet  Prej andej na shpunë në burg. Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të unë isha një tradhëtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan ta bëja një gjë të tillë. Atëherë u mbylla brenda vetes time dhe nuk shoqërohesha më me njeri.

Ngriti gotën e birrës, e përplasi me mua dhe e piu deri në fund.

– Mos ju bezdisa me historinë time? – më tha.

– Jo, – u përgjigja – vazhdoni, po ju dëgjoj me vëmendje.

– Mirë atëhere, po vazhdoj. Tani jemi afër fundit. Pas disa ditësh  na dërguan në kampin e Spaçit. Porsa mbërrita atje i shkruajta familjes se ku ndodhesha . Ditët kalonin dhe askush nuk po vinte të më takonte. As edhe një letër nuk po më vinte. Kështu kaluan rreth gjashtë muaj. Kur një ditë tellalli thirri emrin tim për takim. U nisa me vrap drejt gardhit me tela.  Pas  tij  pashë  vetëm  nënën  time  të  plakur  jashtë  mase.  E  pyeta  për vajzën dhe gruan, por ajo nuk u përgjigj. Këmbëngula përsëri dhe më në fund më tha me një zë te dridhur:

– Mbaje veten more bir! Ato tani ndodhen në qiell.

Një ngërç i madh më pushtoi zemrën. Fillova të qaj si fëmi. Nga ana tjetër e gardhit me gjemba, nëna qante gjithashtu.

— Mos qaj bir! – tha ajo duke fshirë lotët – Më ke mua dhe të dy do t’i bëjmë ballë çdo gjëje.

– Takimi mbaroi . – foli roja që na shoqëronte.

U ndamë duke lotuar. Kisha mbetur fare i vetëm, pa shokë dhe pa familje. Si ishte e mundur të vdisnin të dyja? Mendja më shkoi te nata e sigurimit dhe nuk e di sepse e lidha vdekjen e tyre me atë natë.

Dhimbjen  ma  shtonte  më  shumë  vetmia në të cilën ndodhesha.  Të paktë ishin ata që

erdhën dhe më ngushëlluam. Shokëve të mi nuk u mjaftoi as vdekja e më të dashurve të mi për t’u afruar me mua. Vetëm Besimi dhe nja dy tre shokë të tjerë  m’u ndodhën pranë. Por kjo ishte fare pak për zemrën time të copëtuar.

Pasi kreva dhjetë vjet burg u lirova. Në shtëpi më priste nëna plak.

– Nuk mund të vdisja pa të pritur ty! – më tha.

Nëna më tregoi momentet e fundit të gruas dhe vajzës.

– Atë mëngjes që u kthyen nga sigurimi, ato ishin si të çoroditura. Irida kishte humbur gojën, ndërsa Lumturia më dukej sikur fliste përçart. I pyeta se çfarë kishte ndodhur, por fjalët që thanë as i kuptova fare. Pas disa ditësh vizituam Iridën te mjeku. Ai na rekomandoi ta shtronim në spitalin psikiatrik. Pas disa ditësh na erdhi lajmi i kobshën që vajza ishte hedhur nga bollkoni. Kaluan disa muaj. Një ditë erdhi te unë Lumturia dhe pasi më dha një letër që e kishte mbyllur në zarf më tha:

– Këtë letër ruaje dhe jepja Agronit kur të dalë nga burgu.

– Po ti ku do ikësh moj bijë? – e pyeta unë

– Nuk m’u përgjigj. Të nesërmen kur hyra në dhomën e saj e gjeta të vdekur në shtrat. Pranë saj gjeta një shishe me helm. Këto di nëna mor bir. Merre letrën që të ka shkruar Lumturia. Ajo të drejtohet ty.

E mora letrën me duart që më dridheshin. E hapa dhe lexova:

 ‘’ I dashur Agron!  Në çastin që po të shkruaj këto rradhë kam pirë lëngun vdekje prurës.  Fuqitë po më lënë. Në momentet e fundit dua të  tregojë shkaqet e veprimit tim. A e mban mend natën e sigurimit? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë pre e akteve  shtazarake  të  atyre  dy  banditëve.  Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmendur, ndërsa unë isha e çoroditur. Vajzën u detyruam ta shtrojmë në spitalin psikiatrik ku i dha fund jetës së saj të njomë

            Pas disa muajsh vura re se në barkun tim po rritej fëmija i një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndjej për të  dalë  para syve te tu më  detyruan  të marrë vendimin e vetvrasjes.

            Të puth me mall për vete dhe për Irideën!    

                                                                           E jotja: 

                                                                        Lumturia “

Agroni heshti për një çast pastaj vazhdoi:

– Kjo është historia e ime. Besoj se tani e kupton shkakun pse qëndroja i vetmuar. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të bëhem gati për të shkuar te të afërmit e mi.

Nuk dija  çfarë t’i thoja. Nuk gjeja fjalë për të  qetësuar shpirtin e tij të trazuar.

Të nesërmen miku im u shtrua ne spitalin onkologjik në Tiranë. Pas disa muajsh ai ndërroi jetë. Trupin e tij e vendosën në një varr të përbashket me gruan dhe vajzën.

 

*     *

Një ditë takova rastësisht të vëllanë në Tiranë. Më perqafoi dhe më tha: – Ju faleminderit për sa keni bërë për vëllanë tim! Unë nuk e bëra dot një gjë të tillë. Dhjetë vjet burg dhe unë nuk i vajta asnjëhere. Kisha frikë se mos humbisja punën dhe familjen. Edhe kur u lirua, përsëri i qëndrova larg. U tregova i dobët. Tani ndjej se po me vret ndërgjegja për veprimin tim. Ndaj mendova që për të shlyer sado pak fajin tim t’i ndërtoj një varrosh madhështor. Shkoj shpesh herë atje dhe vendos ndonjë tufë me lule. Më duket sikur ndjej një lehtësim nga një veprim i tillë.

Vura re se pendimi i të vëllajt ishte i sinqertë. Megjithatë ai nuk e dinte historinë e vërtetë. Atë e dija vetëm unë, por atij nuk i thashë gjë. E  mbajta  të  fshehtë  deri  më  sot  kur

vendosa të shkruaj për të. Nuk dua që ajo te humbasë bashkë me mua.

U interesova edhe për dy kriminelët që u bënë shkaktarët e kësaj tragjedie. Mësova se vazhdonin të jepnin leksione për demokracinë..

Ky ishte paradoksi i kohës në të cilën jetonim.

Vlorë,  më  10   maj   2003

Marrë nga libri me tregime: “Një tregim për mikun tim”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Canaj, Epitafi, Irida Canaj, Lumturi Canaj, reshat kripa

Homeri, Dante, Servantes, Shekspiri dhe Kadare

March 4, 2016 by dgreca

Nga Suzana Tahiri/
Çdo popull apo komb krenohet me mendjet e tij të ndritura që lindin në epoka të caktuara dhe mbeten përjetësisht të tillë në universin botëror.
Fatin e grekëve, të italianëve, të spanjollëve, të anglezëve, e kanë edhe shqiptarët me shkrimtarin e tyre më të spikatur, Kadare.
Këtë fat gjithashtu e ka edhe kontinenti i vjetër Europa me pesë personalitete, çka nuk ka ngjarë me kontinente të tjerë.
Dhe jo se në ato territore nuk ka pasur kulturë, nuk ka pasur letërsi, por sepse personalitetet e tyre të shquara kanë mbetur brenda kontinentit apo kanë qenë përfaqësues të një gjuhe që shpesh shtrihej edhe në më shumë se një shtet.
Homeri, shekulli IX para Krishtit, autori i kahershëm i antikitetit grek, me dy librat e tij “Iliadën” dhe “Odisenë” shenjoi shtyllën e parë të gjeniut të pavdekshëm.
Dante Aligeri, 1265 -1321, pararendës i Rilindjes Europiane, me “Komedinë hyjnore” do t’i ngrinte italianët në panteonin e letërsisë së përbotshme, duke përvijuar shtyllën e dytë të një gjeniu të papërsëritshme.
Afërsisht tre shekuj më vonë dy bashkëkohës mendjendritur, Servantes i spanjollëve (1547-1616) dhe Shekspiri i anglezëve (1564-1616), i pari me një grup veprash në prozë që kulmojnë me “Don Kishotin e Mançës” dhe i dyti me një korpus dramash, arritën të rreshtohen në shtyllën e tretë dhe të katërt të një pasurie botërore që lexohen dhe rilexohen brez pas brezi.
Midis shekujve XX-XXI, pikërisht në atë periudhë kur ka filluar edhe dhënia e çmimit Nobel për letërsi, një shkrimtar i përmasave të katër të parëve, është autori shqiptar Ismail Kadare, ndër më të përkthyerit sot në botën modern dhe i mirënjohur në gjuhët më të mëdha.
Me përjashtim të Homerit, kur ende nuk ka një përcaktim të saktë të vitlindjes dhe vitvdekjes, të katër shkrimtarët e tjerë, janë në këpërcyell të dy shekujve, por pavarësisht kësaj rastësie, gjenia e tyre e papërsëritshme, e pangjashme, i ka shndërruar në pesë shtylla bazë të letërsisë botërore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dante, Homeri, Servantes, Shekspiri dhe Kadare, Suzana Tahiri

GENC XHEVAT KORTCHA, SHQIPTARI I MADH I MICHIGAN-it

March 4, 2016 by dgreca

“Shpirt i njeriut sa i ngjan ujit ! Fat i njeriut sa i ngjan erës”/

Johann Wolgang Goethe/

Shkruan: Eugjen MERLIKA/Itali/

Ka vetëm pak ditë që u nda nga familja, rrethi shoqëror e miqësor, por edhe nga bota shqiptare, Genc Xhevat Kortsha (Korça). Keqardhja është e madhe tek familjarët e tek miqtë e shumtë, të shpërndarë në të gjithë globin, të një jete, lavdi Zotit, të gjatë e në lëvizje. Por keqardhja dhe dhimbja janë të përmbajtura, sepse respektojnë një rend gjërash që është thelbi i filozofisë  së të qënit tonë në këtë botë, atë të ardhjes dhe ikjes prej saj pa vullnetin tonë. Genci, mbas furtunave të kaluara në Vendin e lindjes, prej të cilit u largua pa mbushur tridhjetë vitet, e në të cilin la prindërit dhe vëllanë më të vogël, gjeti në “tokën e premtuar”, në SHBA-s sendërtimin e personalitetit të tij profesional e njerëzor në të gjithë përbërësit e tij. Ai mori me vete qetësinë dhe prehjen shpirtërore që burojnë nga ndërgjegja pa hije në gjykimin e fundit dhe besimi se shkon në amëshim, në një tjetër botë ku rrezaton ngado drita e Krijuesit, një bindje që mbeti e palëkundur në gjithë rrjedhën e jetës së Tij.

Duke hedhur e zezë mbi të bardhë  këto pak fjalë të thjeshta, kam para meje një tufë letrash që, fatmirësisht, kam shkëmbyer me Të në këta vite të një jete të zakonshme, por pa prangat e padukëshme që ndrydhën mendimin dhe qënien tonë për gati gjysëm shekulli…. “Ky letërkëmbimi ynë është si biseda midis dy brezavet me përvojë të ndryshme, un pjesë e brezit që u formua para dhe gjatë luftës së dytë botërore, ti brez i pasluftës. Të përbashkët kemi përvojën komuniste, tëndja shumë më e thellë se e imja, e pastaj kemi të përbashkët përvojën dhe vitet në mërgim. Kemi mjaft për t’i thënë njëri tjetrit dhe letrat e tua i pres dhe i lexoj me gëzim…” Kështu më shkruante miku i familjes më 28 tetor 2001.

Në vitet e fundit nuk shkruanim më letra të gjata, por mbaheshim gjithmonë në kontakt telefonik, apo nëpërmjet njoftimesh të shkurtëra elektronike. Sot që dij se nuk do t’a dëgjoj më zërin e Tij, ndjej një zbrazësirë të madhe në zemër e në mëndje. Do të më mungojë një njeri i dashur me të cilin ndaja dertet, jo vetëm familjare. Ai ishte bërë një bashkudhëtar i shqetësimeve të mij, një bashkëbisedues i urtë për Vendin tonë, problemet e tij, rrugën e tij, të shkuarën ku përfshiheshin edhe fatet e veprat e të parëvet tonë, për të cilët ndjenim dhimbjen e thellë por edhe krenarinë e ligjëshme. Do të më mungojnë komentet e Tij mbi shkrimet e mij, gjykimi i thellë dhe analiza e hollë lidhur me çdo temë të bisedës, inkurajimi atëror, fjala e Tij e ngrohtë si një fllad përkëdhelës….

Sikur t’ishte vetëm për t’afërmit e familjes apo për miq si un e të tjerë zbrazësira që la i ndjeri, nuk do t’i shkruaja këta rreshta. Genc Kortsha ishte një pasuri shqiptare, jo në mall e gjë, por në mëndje, atdhedashuri e karakter. Ishte një nga ata, për  të cilët kombi ynë mund të krenohet me aftësitë dhe sukseset në rrugën e tij.

I ardhur në SHBA-s kur i kishte kaluar tridhjetë vitet, si shumë bashkatdhetarë të Tij, i u vu punës me ngulm e zell për të vazhduar studimet e ndërprera më se dhjetë vite të shkuara. Studjoi duke punuar. Nuk vazhdoi mjekësinë, që ishte pasioni i Tij i rinisë, mbasi afatet e diplomimit ishin të gjata, por zgjodhi Kiminë industriale, që do t’i hapte rrugën e karjerës administrative në Vendin në të cilin askush nuk ndihet i huaj e, në të cilin, aftësitë të bashkuara me fuqinë e karakterit, gjejnë shpejt a vonë fushë veprimi e rrugë të hapura. Kështu edhe Genc Kortsha, në sajë të studimeve serioze të kryera në Wayne State University, u diplomua me përfundime maksimale, aq sa të meritonte “Çelësin e Artë”, një vlerësim epror ndërmjet 10.000 të diplomuarve amerikanë t’atij viti. Në sajë të punës së Tij cilësore e të ndershme mundi të përparojë në karjerë, deri sa të zerë vëndin e njërit nga Drejtorët ekzekutivë, atë të të Higjenës Industriale në General Motors, një gjigand botëror i industrisë së automobilëve dhe segmentëve të tjerë si mbrojtja ushtarake, telekomunikacionet, satelitët ekonomikë etj. Për 13 vjet mbajti këtë funksion e roli i Tij spikati edhe përtej Shteteve të Bashkuara, mbasi ndihma e Tij qe shumë e rëndësishme në funksionimin e institucioneve të tilla simotra në Vende si Britania e Madhe, Italia etj. Madje në këtë ndihmesë zyrtare që Ai i dha Italisë, lindi edhe miqësia vetiake me Vittorio Prodin, Drejtorin e Higjenës Industriale për Vendin e tij, e cila u ruajt përgjatë gjithë kohës.

Me vullnetin, përkushtimin e fuqinë e mëndjes arriti të jetë titullar i një istitucioni të rëndësishëm të Vendit me ekonominë më të përparuar të planetit, President i Akademisë së SH.B.A-s të Higjenës Industriale. Pak shqiptarë, ndoshta asnjëri, kanë arritur në lartësi të tilla në jetën e tyre profesionale. Por jeta e Tij intelektuale është e pasuruar me librin autobiografik “Shtegëtimet e një njeriu drejtë LIRISË”, me studimin e thellë historik “Histori apo ideologji”, me shkrime e artikuj të ndryshëm, kryesisht të profilit historik.

Duke folur për shkollimin e sukseset në punë e karjerë të Genc Kortshës, më kujtohet një fragment i një letre të Tij të qershorit 2001 : “…. Më pat thirrur Tonin Jakova, kur ishte sekretar i parë i partisë në Shkodër, për të më përgëzuar se munda të zhduknja tifon e morrit brënda tre muajvet. Kur i thanë që të më jepte bursë për të shkuar në universitet, të kryeja mjekësinë, u zgërdhí (si thotë Shkodra) dhe tha se mua do të më vinte rradha të shkonja për mjekësi kur të ndërtohej universiteti në Trush!” Zoti desh që ndihmës mjeku i talentuar të mos priste “universitetin e Trushit”, por të diplomohej në një universitet amerikan, duke i lënë sekretarit të parë dhe kastës së kuqe të kolegëve të tij në Shqipërinë komuniste turpin e një epoke të qelbur, e cila flijoi në altarin e marrëzisë ideologjike, që njihej me dyfjalëshin “luftë e klasës”, mijëra talente shqiptare në gjysëm shekullin e saj të kataklizmës njerëzore.

Do të ndalem në pak çaste të jetës së Tij, të rrëfyera nëpërmjet letrave vetiake që janë, për mendimin tim, matësi më i saktë i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut, sepse shkruhen jo për konsum publik, por për një shok të zemrës apo mendimevet. Ja si kujton mbas 65 vitesh, një jetë njeriu, një nga periudhat më të rëndësishme, më vendimtare e më mallndjellëse të jetës së Tij Genci, në një letër të datës 24 janar 2007 :

“Në Fiume isha i huaj. Megjithatë në shkollë shkoja mirë dhe, megjithëse na rrethonte një konflikt global, ne të rinjtë jetonim në një flluskë sapuni fosforeshente që na jepte ndjenjën e paprekshmërisë. Mesatarja 8 më siguronte bursën universitare dhe prisja nga vetvetja të merrnja nota të mira e pra, në fund të 6 vjetëve të dilja mjek. Fortuna e jetës desh ndryshe. Nuk e vijova dot mjekësinë, dhe m’u desh të arratisesha nga Shqipëria që Babai më kishte mësuar t’a doja me gjithë zemër….”

Ai ishte pjestar i atij brezi, mes dy luftërave botërore, që provoi rrënimin e ëndrrave dhe të projekteve për jetën, si pasojë e luftës së dytë. Por nëse shokët e shoqet e liceut të Fiumes vazhduan një jetë deri diku normale, në tërësinë e vështirësive të mëdha të pasluftës, Ai u kthye në Shqipëri, ku e përfshiu vorbulla e luftës civile. Babai, Xhevat Kortsha, që 17 vjeçar luftëtar me armë në dorë në çetën e Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit, ish studenti i shkëlqyer i Universitetit të Vjenës, më pas Drejtori i parë i Gjimnazit shtetëror të Shkodrës, ishte një pjestar i rëndësishëm i Mërgatës antizogiste të viteve 1924 – 1939. Në mërgimin e gjatë kreu falas përkthimet e rreth 5000 faqesh të dokumentave të arkivave të Ministrisë së Jashtëme Austro – Hungareze, që lidheshin me Shqipërinë, duke i bërë një shërbim të paçmuar historiografisë dhe diplomacisë shqiptare. Vetëm ajo punë kolosale do t’i mjaftonte për të patur një vend nderi në Panteonin shqiptar, por Ai u burgos sepse kishte marrë pjesë në Qeverinë e mikut të Tij të zemrës, Mustafa Krujës, në rolin e Ministrit t’Arsimit, për të përhapur shkollën shqipe në “Tokat e lirueme” e për të hequr italishten, si gjuhë e detyruar, në shkollat fillore shqiptare, kusht ky i vënë për të pranuar postin e Ministrit.

I kthyer në Shqipëri, Genc Kortsha, studenti i liceut klasik të Fiumes në dy vitet e fundit të tij, mbasi kishte filluar shkollën në Gratz të Austrisë, mori pjesë me rininë e Ballit Kombëtar në veprimtarinë politike. Ja një episod, i përshkruar prej Tij, në një letër të datës 1 mars 1999 :

“Kur u vra në Tiranë Aziz Çami, luftëtar i Luftës së Vlorës, atentator kundër Zogut në

 Austrí dhe udhëheqës i Ballit, ne, një grup të rinjsh, shkuam në Komitetin Qëndror të Ballit. Aty gjetëm Hasan Dostin. I paraqitëm një listë komunistësh dhe kërkuam lejë që t’i vrisnim. Na foli me insistim dhe ashpërsi, duke na treguar se si një akt i tillë do të na kthente ne, t’ardhmen e Shqipërisë, në kriminelë, kur Shteti kish polici, gjyqe dhe ligje, të cilëve u takonte t’i zinin e t’i dënonin vrasësit e Aziz Çamit. Atëherë kërkuam që këta emra t’i a jepshim policisë. Kësaj rradhe na foli edhe më ashpër. Si kish mundësi që ne të bëheshim spiunë, ne ajka e rinisë ? Dualëm të bindur se, po të vriteshim nga komunistët, kërkush nuk do të na e merrte hakun. Hasan Dosti, jurist i dalluar, njeri me ndërgjegje e me nder, por në krye të një organizate që po luftonte për vdekje kundër komunistëvet ? ”

Është dëshmia e një episodi, domethënës për të kuptuar dinamikat e ngjarjeve të luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e tyre mbi zhvillimet e mëvonëshme që njihen. Nuk dua të bëj këtu interpretimin e episodit, që mund të jetë i ndryshëm e i varur nga këndvështrimi i përceptimit, por më duket se pyetja, që bën autori i letrës, është  kuptimplote për të gjithë. Do të vazhdojë veprimtarinë e Tij me armë, këtë herë në një tjetër front, n’atë të qëndresës së Kosovës së bashkuar me Shqipërinë. Ja çfarë më shkruan në një letër të datës 12 maj 2011 :

“Nuk e di nëse e din ti se një batalion vullnetarësh ballistë (Batalioni Besnik Çano) luftoi në Morinë të Kosovës gjatë verës 1944. Edhe un bëja pjesë në  këtë njësi. Isha ndihmës mitralier dhe përgjegjës për çështjet shëndetësore… Pak muaj më vonë, erdhi në Tiranë në burg një fis i familjes Dani (Mynir Tirana) dhe më mori në hetuesi. Më pyeti nëse do të kisha vajtur vullnetar në Kosovë, po t’i kisha ditur lidhjet e ngushta dhe të ngrohta që na lidhnin me shokun Tito dhe me popullin jugosllav. U mendova. T’i thosha  se nuk do të kisha vajtur, do të ishte gënjeshtër dhe përulje nga ana ime. T’i thosha se “po”, sigurisht, do të m’a zgjaste qëndrimin në burg. I thashë “po” dhe bëra edhe pesë muaj të tjerë… “

Rreth nëntë  vite më mbrapa, i arratisur nga Shqipëria, mbasi kishte ndenjur në malësitë e Pukës, i ndjekur nga forcat e mbrojtjes, mbas peripecish të mëdha, Genc Kortsha kalon  në Jugosllavi e, prej andej, kapërcen kufirin me Austrinë, gjithmonë si i arratisur. “Mua kur u arratisa nga Jugosllavia e dola n’Austri më muarën në pyetje anglezët. Një toger më tha se isha tradhëtar me që, gjatë luftës kisha luftuar kundër komunistëve që ishin aleatë me Perëndimin. I thashë t’i ruante ato fjalë për ndonjë ushtar anglez se detyra ime ishte t’i ndiqja interesat e Vendit tim e jo t’Anglisë. Nëse ai e bëri se donte të më trondiste nuk e di, por edhe sot e kësaj dite jam i bindur se e meritonte përgjigjen.” Kështu e përshkruan, në një letër të datës 1 mars 1999, përballimin e Tij me një tjetër hetuesi, jo me atë të Sigurimit të Enver Hoxhës, të Koçi Xoxes e të Mehmet Shehut, por me atë të “aleatëve” të tyre të kohës së luftës. Të gjitha këto ndodhí, përtej kontekstit të çastit politik në të cilin zhvillohen, dëshmojnë një karakter të fortë, i cili përbën bazën kryesore, mbi të cilën ngrihet godina e personalitetit të individit, që ndikon më pas edhe në qëndrimet e familjeve, të rrethit miqësor e familjar, të vetë shoqërisë.

Në një fragment të një tjetër letre të Tij përshkruhet një episod kujtese migjeniane, që hedh dritë mbi formimin e brëndshëm të personazhit, por edhe mbi të vërtetën e “parajsës socialiste”, që ende sot kujtohet me “mall” në disa nga shkruesit e shumtë dhe pa emër të rrjeteve sociale.

“ Kam edhe disa kujtime që më janë rrënjosur në mëndje. Isha në punë të detyruar. Bukën e ndaja me nënën që s’kish triska e kur më zinte urija hanja pak  bukë që mbanja në xhep. Një ditë një grua që punonte në gropën e gëlqeres kish sjellur tre fëmijtë me vete. Dy çupat loznin me guraleca, ndërsa djali trevjeçar i shikonte me sy bosh, pa shprehje. Atë ditë un punonja me karrocë dore. I lypa leje s’ëmës dhe e vura djalin e vogël në karrocë dhe e shëtita disa herë rreth oborrit. Nuk buzëqeshi. Atëherë i dhashë bukën rezervë nga xhepi. E mori dhe e shikoi nënën, gjene pa shprehje. Për t’a fshehur sa isha prekur nga kjo foshnje që s’kish më forcë as të gëzohet, i thashë s’ëmës : “Po ky djalë a s’di të buzëqeshë?” “Duhet të jesh beqar” m’u gjegj. “Fëmijtë e uritur nuk qeshin. Akoma s’e ke kuptuar?”

Shpirtmadhësia e bujaria ishin tipare thelbësore të karakterit të Genc Kortshës, ndoshta edhe shtysa të fuqishme, për  të përqafuar fenë e Krishtit, së cilës i qëndroi besnik deri në minutën e fundit të jetës tokësore.

“Karakteri i jep shkëlqim rinisë dhe përnderim lëkurës së vyshkur dhe flokëve të bardha.” Këto fjalë të filozofit e poetit të madh amerikan Ralph Waldo Emerson i shkojnë për shtat edhe Genc Kortshës, që fitoi respektin dhe vlerësimin më të madh në të gjitha mjediset, ku studjoi, jetoi, vuajti, punoi e kaloi vitet e Tij, në Vende të ndryshme të botës, gjithënjë duke ruajtur në zemër dashurinë për Vendin e lindjes dhe shqetësimin për fatet e tij. Në këtë drejtim, n’atë të konsideratës së mirë që gëzonte, madje deri në sferat e larta të Shtetit amerikan, besoj se vlen të vihet në dukje fakti i pranisë së tij në një delegacion të  nivelit të lartë të Ministrisë së Punës, i cili më 1992 erdhi në Shqipëri me urdhër të Sekretarit të Shtetit, Xhejms Baker.

N’Itali kthehej herë pas here për të takuar shokë e shoqe të shkollës e të njohur të vjetër, mbasi “Vjetët kalojnë, distancat janë të mëdha dhe miqtë bëhen gjithënjë e më të dashur”, më shkruante në gushtin e vitit 2002. Në këtë Vënd të thesareve kulturore e të viteve të rinisë kish krijuar një lidhje pune e më pas një miqësi të sinqertë me familjen Prodi e Bolonja, vënd banimi i saj, përbënte pothuaj se gjithmonë një ndalesë të itinerarit të Tij, siç qe edhe Latina, vënd banimi i familjes Merlika. Me Romano Prodin, ish Kryeministër i Italisë dhe ish Kryetar i Komisionit Evropian, Genc Kortsha ka shkuar në një takim vetiak edhe te Papa Gjon Pali II, edhe ky një tregues i prestigjit të madh që gëzonte shqiptari i njohur i Michigan-it në botë.

Nga mezi i tetorit 2001 Ai u ftua në St. Petersbourgh (Florida), në një miting të Akademisë Amerikane të Higjenës Industriale, për të tërhequr Çmimin Henry Smith 2001, për merita si ish President i asaj Akademie. Fjala e Tij u prit me shumë interesim dhe një profesor i Universitetit të Michiganit e mori tekstin në fjalë për t’a përdorur si tekst leximi për studentët e tij. Përkonte ky veprim me përvojën e Tij të gjatë  si profesor nw General Motors Institute, nw Wayne State University, në University of Michigan, madje edhe deri në të famëshmin Universitet të Harwardit.

Me pak penelata ky qe portreti i Genc Kortshës, Shqiptarit të madh të Michiganit, që plotësoi rrethin e Tij tokësor më 18 shkurt 2016, sapo mbushur moshën e respektueshme të 92 viteve. Duke perifrazuar Plutarkun e madh, po i mbyll këto shënime me shprehjen : “Anija e Tij mbërriti në port”.

Shkurt 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Genc Xhevat Kortsha, i michiganit, Shqiptari i madh

MBI TË GJITHA POLITIKANËT DHE HISTORIANËT DUHET TË JENË ATDHETARË DHE TË MORALSHËM

March 3, 2016 by dgreca

(Ese për analistin ing. MËRGIM KORÇA)/
Nga Thanas L. GJIKA/
Ing. Mërgim Korça, në letrat shqipe, është një nga analistët vërtet të lirë të periudhës paskomuniste, i cili me veprat e tij ka zgjeruar dhe zgjeron horizontin e lexuesve, ka hapur dhe hap rrugë të reja për zgjidhje problemesh të mbetura pezull para shoqerisë sonë të djeshme e të sotme. Ai ka shkruar shumë artikuj nëpër forume e gazeta të ndryshme, shumicën e të cilave i ka botuar dhe në tri përmbledhjet e mirëpritura Histori të Pashkruara (268 f, 2005), Hedhje Drite Rreth Shtrembërimesh Historike (247 f, 2008) dhe Çështja Kolaboracionizëm e të tjera, t’i Gjykojmë (515 f, 2014). Po ashtu ai ka mbajtur në TV Miçigan biseda dhe intervista të ndryshme, kumtesa në sesione shkencore, si dhe disa DVD me intervista të kryera prej tij me z. Seit Demneri, ish shok klase i Ramiz Alisë në gjimnazin e Tiranës, etj. Në këto vepra bëhen përpjekje këmbëngulëse për të sqaruar faktin se cili ka qenë morali dhe atdhetaria e figurave kryesore të Luftës Antifashiste Shqiptare dhe e drejtuesve të regjimit komunist shqiptar në vitet 1944 – 1992. Mësimi themelor që transmetojnë shkrimet e këtij analisti, moto e tyre, është: Politikanët dhe historianët e pamoralshëm kanë qenë dhe janë të dëmshëm.
Për vlerat e Mërgimit si analist kanë shkruar pena të spikatura si profesor Ardian Ndreca, shkrimtari i shquar Visar Zhiti, etj.
Ingjinieri i talentuar Mëgim Korça, është djali i vogël i Dr. Xhevat Korçës (1893 – 1959), një intelektual e atdhetar i pavlerësuar ende. Xhevati, mbasi mbaroi gjimnazin në Janinë, më 1911 doli malit si komit me çetat e Rilindjes sonë Kombëtare të Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit. Më 1917 u dërgua për studime në Austri, ku më 1922 doktoroi me një studim për jetën dhe vlerat e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndërtuar si përgjigje ndaj tri pyetjeve. Mbas kthimit në atdhe, disa muaj më vonë u dërgua prej qeverisë shqiptare të themelonte Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës, punë të cilën e kreu me sukses. Në vitin 1925 u largua prej Shqipërisë si antizogist, dhe po atë vit, prof. Barich e emëroi lektor në Universitetin e Beogradit. Më 1928, mbasi Ahmet Zogu dërgoi atje dy herë njerëz për t’i bërë atentat, u largua prej Beogradit dhe shkoi në Austri, ku jetoi si emigrant deri më 1936, vit kur kaloi me gjithë familje në Fiume të Italisë. Në gusht 1939 u kthye në atdhe, dhe kur miku i tij Mustafa Merlika Kruja e ftoi të bëhej Minister i Arsimit, Xhevati pranoi pasi u aprovua kerkesa e tij për heqjen e italishtes nga të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë, si dhe për lirimin nga burgu dhe nga internimi në Itali i të gjithë arsimtarëve të dënuar si kundëritalianë.
Më 17 nëntor 1944 atë bashkë me djalin e madh, forcat komuniste e arrestuan duke e cilësuar “profashist, armik të popullit”. Në prill 1945 bashkë me shumë të dënuar të tjerë, e nxorrën para Gjyqit Special me kryetar të trupit gjykues Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, i cili në pretencën e tij kërkoi dënimin me vdekje me pushkatim të Xhevat Korçës si fashist. Në fjalën e tij të fundit Xhevat Korça, duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, tha : “Zoti kryetar mos i dëgjoni se ç’thotë prokurori. Unë ju them : Gjemani një fjalë të thënë publikisht në favorin e fashizmit, ose një fjalí të shkruar kësisoji dhe pushkatomëni !”. Mbrojtja burrërore që Xhevar Korça i bëri vetes, e detyroi trupin gjykues ta ndërronte dënimin në dënim me burgim të përjetshëm. Në gusht të vitit 1959, për të shprehur protestën e vet ndaj dënimit që i ishte dhënë pa të drejtë dhe ndaj gjendjes së mjerueshme të të burgosurve të Burelit, Xhevat Korça i dha fund jetës me grevë uríje, rast i rrallë, në mos i vetëm deri atëhere në burgjet e kampit komunist.
Ndihmesa e tij në fushën e letrave është e panjohur ende. Fillimet e shkrimeve të tij dokumentohen në revistën Djalëria që botonin studentët shqiptarë në Austri. Por këto shkrime si dhe të tjera të botuara në organe të tjera shtypi nuk janë mbledhur. Rëndësí të madhe padyshim paraqet i gjithë dokumentacioni i marrë në arkiva të ndryshëme europiane, i përkthyer prej tij dhe i titulluar Akte dhe dokumenta Austro – Hungare lidhur me Shqipërinë. Gjithashtu Xhevat Korça përktheu nga gjermanishtja veprën e amerikanit John Reed 10 Ditë që tronditën Botën (gjermanisht: 10 Tage DieDie Welt Erschutterten).
Djali i madh, Genci u lind në Shkodër më 1924 dhe u detyrua që foshnjë të merrte rrugën e mërgimit bashkë me babain dhe nënën. Ky djalë emigranti filloi të merrte formim në shkolla austriake dhe italiane deri më 1943, ku mbaroi edhe vitin e parë të mjekësisë, u kthye për pushimet verore dhe mbeti në Shqipëri. Endërra e Gencit ishte të mbaronte studimet për mjekësi, por nuk mundi ta realizonte për shkak të rrethanave. Më 17 nëntor 1944 ai u arrestua bashkë me babain dhe u lirua, për mungesë faktesh mbas 13 muajsh, pa qenë i dënuar nga asnjë proces gjyqësor. Ai punoi për të mbajtur familjen si ndihmësmjek në Shkodër, por pas ndonjë viti e dërguan me punë në zonën malore të Dukagjinit, ku ai u lidh me disa atdhetarë antikomunistë, me të cilët pas peripecish të ndryshme mundi të arratisej në Jugosllavi në tetor të vitit 1952. Mbas disa muajsh ai mundi të arratisej edhe prej Jugosllavisë në Austri e prej andej shkoi në Greqi, prej ku më 1955 shkoi në SHBA. Këtu vijoi formimin e tij në Wayne State University, Detroit MI në degën Kimi Industriale në profilin Higjenë Industriale. Për rezultatet e larta studentore iu dha një simbol i Universitetit si studenti më i shkëlqyer i vitit. Aty dha leksione për disa vjet. Më tej punoi si ingjinier në kolosin amerikan të industisë, në General Motors Detroit MI, ku për 13 vitet e fundit, derisa doli në pension, ishte Drejtor i Higjenës Industriale për të gjithë Korporatën e General Motors.
Në vitin 2009 Genci botoi në anglisht vëllimin me kujtime One Man’s Journey to Freedom (Rruga e një burri drejt Lirisë), të cilën e vlerësoi po në anglisht në gazetën Dielli Dr. Gjon Buçaj, kryetari i Shoqërisë Vatra. Kjo vepër të tërheq për rrëfimin e thjeshtë të peripecive që kaloi djaloshi dhe burri Genc në mërgim e në atdhe dhe sërisht në mërgim. Ai u martua më 1958 me z-njushen Margaret dhe ka sot dy djem e një vajzë dhe tetë nipër e mbesa, një bletë e plotë, si themi në Shqipëri. Genci është një nga shqiptaro-amerikanët e pakët që është pritur prej Papë Vojtila, John Paul II.
Nga treshja e familjes elitare Korça, djali i vogël i familjes, Mërgimi, të cilit ia kushtoj këtë ese të shkurtër, shkëlqen për veprën e tij analitike. Ai, që në rininë e hershme u detyrua të punonte e të shkollohej për të mbijetuar me nder e për të pleqëruar nënën, të përvuajturën e madhe të familjes. Kjo zonjë ishte një nga kurajozet e pakta që votoi kundër rregjimit në zgjedhjet e vitit 1945, duke e lëshuar sferën (votën) në kutinë e “armikut”, kuti e pashtruar me kadife gjë që shkaktoi zhurmë dhe zbuloi sekretin e votimit kundër…
Mërgimi e piu të plotë gotën e hidhërimeve gjatë kohës së diktaturës dhe mbas shkërmoqjes së saj u përshtat për bukuri në atdheun e ri, në ShBA, ku krahas punës së paguar për të siguruar jetesën e tij e të familjes, filloi luftën si intelektual me ndjenja të spikatura qytetare për sqarimin e karakterit negativ të diktaturës shqiptare dhe të personaliteteve politikë e shkencorë të saj.
Mërgimi, si e tregon vetë emri, u lind jashtë shtetit, në 30 dhjetor 1932, kur familja e tij ndodhej në mërgim, në Grac të Austrisë. Në vitet e diktaturës, si bir i një të dënuari me damkën “armik i popullit”, dhe vëlla i një të arratisuri, pra për shkak të biografisë, Mërgimit nuk iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta. Por duke përfituar nga një “zbaticë” në luftën e klasave si edhe nga mbështetja që i dha Ndërmarrja Rruga-Ura ku shquhej si punëtor i mirë, ai mundi të ndjekë studimet për Ingjineri Mekanike në kurset pa shkëputje nga puna, (kurset e mbrëmjes), nëntë vite mbasi e kishte mbaruar shkollën e mesme. Mërgimi arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe t’i imponohej qeverisë diktatoriale e cila ishte shumë e varrur nga mekanika bujqësore. Këto suksese ai i arriti përmes punës së tij intensive e këmbëngulëse për të projektuar e zbatuar projekte origjinale për makineri bujqësore, ku spikati talenti i tij prej projektuesi e konstruktori mekanik.
U bënë shumë të njohura makineritë e projektuara dhe krijuara prej ing. Korçës, si makina për rrallimin e pambukut, (për të cilën i kishte urdhëruar vetë Enver Hoxha drejtuesit e rretheve Lushnjë edhe Fier që patjetër ta zgidhnin atë problem duke ngarkuar ingjinierët më të aftë për atë punë, sepse industria tekstile detyrohej të importonte sasira të mëdha pambuku nga që rendimenti i prodhimit të pambukut ishte shumë i ulët).
Ing. Korça e idéoi, e projektoi dhe e ndërtoi agregatin për drenazhimin e tokës me hapje të mekanizuar tuneli me diametër 10 cm. në thellësí 70 cm. nga sipërfaqja e tokës dhe të mbushur automatikisht me zhavor të larë e të fraksionuar në vend të tubave qeramike. Vënja në zbatim e kësaj metode drenazhimi e ulte koston e drenazhimit dhjetë herë krahasuar me vendosjen e tubave qeramike. Gjithashtu ajo e shpejtonte këtë proces nga një hektar që drenazhonte një brigadë prej 10 vetash gjatë një muaji, në katër hektarë në ditë.
Gjithashtu ing. Mërgim Korça projektoi dhe ndërtoi një tjetër makineri për hapjen e vijave kulluese, të cilën vetë Kryeministri Mehmet Shehu kishte vite që ua kërkonte uzinave të Mekanikës Bujqësore. Kjo, sepse makineritë e sjella nga importi dhe që dispononin S.M.T.-të dhe Fermat Bujqësore, e hapnin vijën kulluese me gjerësi në sipërfaqe mbi një metër. Nisur nga ky fakt Kryeministri i kishte dhënë Sekretares së Parë të Lushnjës, Lenka Çukos, një skicë me porosí që t’ia jepte ing. Korçës ku përmasat e vijës kulluese ai kërkonte të ishin në sipërfaqen e arës 45 cm., në thellësí 45 cm. si dhe gjerësí të bazës së vijës 10 cm. Vënja në punë e kësaj makinerije i kurseu ekonomisë bujqësore dhjetra mijëra hektarë toke krahasuar me vijat që hapeshin deri atëherë me makineri të importuara.
Doemos projektimi si edhe ndërtimi i këtyre makinerive në rrethin e Lushnjes bënte të rritej konsiderata e drejtuesve të këtij rrethi nga ana e udhëheqjes së partisë. Por, nga ana tjetër, edhe Dikasteri i Bujqësisë nderohej nga të tillë rezultate. E për pasojë, rritej edhe konsiderata e drejtuesve të vëndit ndaj ing. Korçës. Nuk mund të mos vihet në dukje se si vetë Kryeministri Mehmet Shehu vajti për t’i parë si rralluesen e pambukut edhe agregatin e hapjes së vijave kulluese, (me ç’rast qëndroi mbi pesë orë dhe kryesisht duke diskutuar me ing. Mërgimin). Po kështu, të ngarkuar nga Kryeministri, agregatin e drenazhimit me zhavor, të shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, shkuan dhe e ndoqën në punë e sipër dy nga zv/Kryeministrat.
Megjithatë, pavarësisht nga arritjet si projektues e krijues makinerish, atë kurrë nuk e afruan të punonte në institucionet qendrore të mekanikës në Tiranë, as i dhanë tituj e grada shkencore. Por për rezultatet shumë dobiprurëse të punës së tij, Mërgimit iu akordua titulli i lartë shkencor Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast e shkeli parimin e luftës së klasave i detyruar nga nevojat e mëdha që kishte bujqësia për mekanikën bujqësore, por doemos edhe i prirë nga informacionet që merrte rreth rëndësísë së agregateve të ndërtuar prej këtij ingjinieri. Ky titull nuk shoqërohej me rritje rroge a privilegje të tjera.
Jetën nën diktaturë, pavarësisht nga sukseset, Mërgimi e jetoi nën shpatën e Demokleut, si shumica e bijve të familjeve të dënuara prej regjimit komunist. Ai fillimisht u muar me punën e tij si punëtor krahu, më tej si teknik e ingjinier mekanik, duke treguar me punë të ndershme aftësitë e veta, pa lajka e servilizëm. Mërgimi punoi me gjithë forcat e veta mendore e fizike, natyrisht jo për forcimin e diktaturës, por sepse ishte edukuar në familje të punonte me përgjegjësi e ndershmëri dhe sepse e ndjente se vetëm duke arritur që të ishte shumë i nevojshëm, mund të mbijetonte, si dhe mbijetoi pa pasojat shkatërrimtare të biografisë së keqe.
Në vitin 1990, Mërgimi, ashtu si babai i tij dikur, mori rrugën e mërgimit, po kësaj radhe për shkaqe të tjera: bijtë e familjeve me biografi antikomuniste, udhëheqja komuniste në fuqi, për të zbatuar planin Katovica për Shqipërinë, nuk i donte t’i kishte në Shqipëri këta bij të ish opozitës së vërtetë të PKSh/PPSh-së, me synimin që proceset e pluralizmit t’i kryenin shërbëtorë besnikë të PPSh-së, ish sigurimsa e ish komunistë të fshehur si antikomunistë… Kështu, familjes Korça, bashkë me shumë familje të përndjekura, në vitin 1990 “iu krijuan kushtet” për të shkuar jashtë shtetit pranë të afërmve të tyre. Mërgimi me familjen e vet shkoi tek vëllai i tij, që jetonte prej vitesh në Detroit MI, USA. Kur mbërriti në Amerikë iu fut studimit të anglishtes, të cilën e përvetësoi shpejt dhe mirë ndonëse ishte 59 vjeçar. Përvetësimi i anglishtes, kësaj gjuhe të vështirë për moshën e tij, u bë i mundur në saje të kujtesës së fuqishme dhe zotërimit në nivele të lartë të gjermanishtes dhe italishtes. Njëherazi ai punoi për përvetësimin dhe përdorimin e kompjuterit, për t’u përshtatur me psikologjinë dhe mënyrën amerikane të të menduarit, hapa këto që e ndihmuan të punësohej fillimisht si nëpunës në një zinxhir restorantesh McDonald ku pronari Z. Ekrem Bardha e punësoi se ishin njohur duke qenë ushtarë në Repartin e Punës para se Z. Bardha të arratisej nga Shqipëria, e në vazhdim pastaj si përkthyes për tri gjuhët që ai zotëron, punë të cilën e vijon dhe sot.
Me të tilla arritje Mërgimi me familjen e tij filloi të bënte një jetë modeste, por komode, në ardheun e ri. Mirëpo brumi atdhetar e intelektual i trashëguar prej familjes së tij Korça nga babai e Angoni nga nëna gjirokastrite, nuk e lejonte që ai të bënte jetën e një njeriu të vetëkënaqur. Ai ia nisi punës shtesë për të ndihmuar zhvillimin e mendësisë së popullit shqiptar duke shkruar artikuj e kumtesa, duke mbajtur biseda e intervista, duke botuar libra. Deri në moshën 59 vjeçare, edhe pse dinte mirë disa gjuhë të huaja, Mërgimi nuk kishte shkruar asnjë artikull në Shqipëri, nuk i ishte dhënë mikrofoni të fliste para dëgjuesve, por ai i kapërceu me sukses të tilla pengesa psikologjike në saje të aftësive të tija të lindura.
Ashtu si në vitet e Rilindjes sonë Kombëtare, arbëreshët e Italisë e të Greqisë, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Pashko Vasa, etj, etj edhe Mërgim Korça bashkë me veprimtarë që punojnë sot në diasporë, janë dëshmi e gjallë e faktit se njeriu mund ta ndihmojë atdheun pavarësisht se ku jeton e punon, se largësia nuk e pengon askënd që të japë ndihmesën e vet në të mirë të popullit të cilit i përket. Njësoj sikur të jetonte në atdhe, Mërgimi jeton me hallet e popullit të tij, shpenzon kohë, energji, shkurton orët e gjumit, lexon materiale të ndryshme në internet dhe me kurajon e vet, pa pyetur se kush janë ata që përpiqen ta mbajnë në vendnumëro mendësinë e popullit shqiptar, sulet me shpatën e tij, me “penën” e intelektualit të pakompromis.
Ish pushtetarë të regjimit komunist, si Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia, Liri Gega, Liri Belishova, Rahman Parllaku, etj. i vuri në shënjestër për bëmat e tyre të turpshme e kriminale, duke zbuluar mendësínë e tyre çnjerëzore të shfytyruar prej ideologjisë komuniste. Në anë të kundërt me të tillë politikanë, ai portretizon dhe ish kryetarin e grupit komunist të Shkodrës, Zef Malën, me të cilin pati rast të njihej më 1954, pasi ai kishte dalë prej burgut. Komunisti Malaj kishte njohur në burg kundërshtarë të ideve të tij politike, klerikë dhe antikomunistë si Xhevat Korça. Mbas bisedave me ta, ky ish komunisti i hershëm u kthjellua dhe kuptoi thelbin antinjerëzor të doktrinës komuniste, gjë që nuk mundën ta bënin shumica e ish komunistëve të dënuar prej diktatorit, si Koço Tashko, Liri Belishova, Todi e Liri Lubonja, Fadil Paçrami, etj, etj.
Dëmi më i madh i ideologjisë komuniste që zbatoi diktatori Hoxha, sqaron analisti, ishte krijimi i njeriut të ri socialist, një qenie e pamoralshme, e paskrupull, që ta bën të keqen dhe nuk kërkon kurrë të falur, qënie që ka marrë pushtetin në Shqipëri dhe nuk pyet për hallet e popullit, por si e si të pasurohet për vete. Edhe Dritëro Agolli, poeti i talentuar e shumë i lëvduar në kohën e diktaturës dhe të tranzicionit, i mbiquajturi “Patriarku i Letrave Shqipe”, kritikohet për mungesën e zgjerimit të këndvështrimit të mendësisë së tij, për mungesën e moralit. Në kongresin e X-të të PPSh ky deputet kritikoi ashpër “katër fajet e rënda” dhe disa bëma të partisë së tij, por si anëtar i K.Q. të saj, ku kishte milituar me vite, ai nuk kërkoi të falur për ato që kishte bërë vetë gjatë diktaturës dhe për më keq u kthye në vitet e tranzicionit në një mbrojtës i politikës së PS-së bijës së PPSh-së, pra mbeti një penë që punoi për lëvdimin e politikës së gabuar të partive PKSh / PPSh / PSSh. Në të njëjtën kohë Mërgimi nuk ka lënë pa kritikuar dhe gabime të pushtetarëve të paskomunizmit, si Presidentët Alfred Mojsiu e Bamir Topi, Zv/Kryeminist-rin e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, etj.
Vlerat e Mërgimit analist nuk qëndrojnë vetëm në analizat kritike. Ai është po aq i mprehtë dhe tërheqës edhe kur vlerëson shkrimtarë të shquar si Gjergj Fishta, Visar Zhiti, shkencëtarë si Dr. Edor Kabashi, këngëtaren Ermonela Jaho, burra shteti e atdhetarë të përkryer si Luigj Gurakuqi, dhe të mëvonshëm si Safet Butka, Prenk Cali, etj, etj. Shkrimet e Mërgimit të ngjallin respekt e simpati për bijtë e familjes princore të Mirditës, si Gjon Markagjoni dhe djemtë e tij, dhe për më të vuajturin midis tyre, Gjon Markagjonin e Ri, të cilët ai i vlerëson me shumë respekt për ndershmërinë, moralin e pastër shqiptar, burrërinë e tyre. Respekt e dashuri ngjallin te lexuesi edhe shkrimet ku ai vlerëson klerikë martirë si Pater Anton Harapi, Pjetër Mëshkalla, Patër Fausti, etj. Në këtë vazhdë është edhe shkrimi recensional i publikuar këto javë në media prej Mërgimit për vëllimin me kujtime, shkruar më 1966 prej Xhelal Staraveckës “Përpara Gjyqit të Historisë”, botuar më 2015 prej djalit të tij Naim Staravecka. Mprehtësia e artikullshkruesit shfaqet këtu përmes zbulimit të kundërvlerave të vëllimit ku ai tregon mungesën e vlerave të të droguarit prej ideologjisë komuniste, ish komunistit Xh. Staravecka, i cili ngre lart figurën e Enver Hoxhës për vlera të paqena, sikur të ishte një ideolog e strateg i madh dhe jo siç ishte në të vërtetë, shërbëtor i Josif Broz Titos e Stalinit.
Një nga figurat më të dashura e më të respektuara për Mërgim Korçën është ajo e Baba Rexhebit (1901 – 1995), klerik mysliman i arratisur prej Shqipërisë diktatoriale, themelues dhe drejtues i Teqesë Bektashiane në Taylor, MI, USA. Ai e vizitonte rregullisht familjarisht dy herë në javë Babanë e nderuar. Intelektuali Mërgim nuk druhet të tregojë se në botëkuptimin e vet ka ndikim të ndjeshëm prej predikimeve të këtij Babai, sidomos prej mësimit themelor, sipas të cilit egoizmi është burimi i gjithë të këqiave njerëzore. Baba Rexhebi ishte një nga të përndjekurit e diktaturës komuniste shqiptare, i cili duke vijuar jetën e një kleriku të ndershëm në USA kishte arritur dhe në disa mendime të vetat për të dëshmuar thelbin e së keqes që i erdhi Shqipërisë. Së pari, thoshte ai, prej krimeve të përbindëshme që filluan që gjatë Luftës Antifashiste, pastaj prej luftës së paprincip kundër besimeve fetare dhe më tej prej ngritjes në kult e bindje të verbër ndaj udhëheqjes personale të diktatorit. Kur humbet ndjenja e moralit, theksonte Baba Rexhebi, u hapet rruga gjithë të këqiave të kësaj bote.
Si një moto për mentalitetin e sejcilit, i vlerëson Mërgimi fjalët e këtij predikuesi: “I ndershëm ësht’ ai që i ndryshon mendimet e tij për t’i njësuar me të vërtetat. Kurse i pandershëm ësht’ ai që i ndryshon të vërtetat për t’i njësuar ato me mendimet e tij… Mua nuk më takon gjë tjetër veçse të mëshiroj dhe të fal, kurse shoqërisë i takon të gjykojë në bazë të së vërtetës e të vendosë duke u bazuar në drejtësi.”
Fusha ku shkëlqen me dritë verbuese mprehtësia analitike e Mërgim Korçës është fusha e historisë së Shqipërisë e periudhës së L2B dhe pas saj, përmes një vargu polemikash me profesorë e akademikë, pra me përfaqësuesit e niveleve të larta të shkencave historike shqiptare. Pa pasur formimin shkollor të një historiani, por duke ecur në rrugën e tij autodidakte përmes leximesh të shumta në gjuhët që zotëron, ndihmuar prej logjikës së tij të fortë, ndershmërisë dhe bindjeve solide demokratike, Mërgimi hartoi një varg analizash polemike me akademikët Kristo Frashëri e Arben Puto, me profesorin Paskal Milo, etj. Ai vë në dukje se vlerësimet që këta personalitete dhe të tjerë kishin dhënë gjatë kohës së diktaturës për ngjarjet e ndryshme të popullit shqiptar, ishin të gabuara për shkak të politizimit. Kurse vlerësimet që po këta persona vijonin t’u jepnin atyre ngjarjeve edhe mbas vitit 1992 njësoj si në kohën e diktaturës, për Mërgimin dëshmonin se ata kishin mbetur skllevër të mendësisë komuniste, se u mungonte kurajua për të pranuar se dikur kishin gabuar. Kur fakte të rinj ishin bërë të njohur dhe kur ishin botuar interpretime ndryshe, qëndrimi i njëjtë i këtyre akademikëve dhe kolegëve të tyre, në radhë të parë buronte nga mungesa e karakterit, nga prishja e ndërgjegjes, që këta studjues e kishin pësuar gjatë regjimit komunist.
Variantet e Kolaboracionizmit dhe qëndrimi që duhet mbajtur ndaj tyre.
Një nga temat më të rrahura në shkrimet e analistit Korça është çështja e kolaboracionizmit, interpretimi i të cilit e ndan atë prej gjithë atyre që e kanë përdorur dhe interpretuar para tij. Sqarimi i tij për kolaboracionizmin shqiptar përbën një nga sfidat më të mëdha që ky analist u ka bërë studjuesve tanë të historisë së Shqipërisë. Kurse studjuesve të etnologjisë shqiptare, ky analist i ka bërë të skuqen me analizën e hollësishme që i ka bërë kapitullit “VRASA” të Kanunit të Maleve.
Liderët e PKSh-së / PPSh-së, literatura politike dhe ajo shkencore e kohës së diktaturës komuniste dhe pas saj e shpallën dhe e luftuan dukurinë kolaboracionizëm, bashkëpunim me pushtuesin, si të keqen më të madhe të kohës së Luftës së Dytë Botërore, si gogol për të manipuluar popullin dhe për të fshehur bëmat e tyre të ulta.
Veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të cilët shumë e shumë vjet që nga Rilindja punuan për të mirën e atdheut duke rrezikuar jetën dhe duke shkrirë pasurinë e tyre, gjatë L2B për të shpëtuar ç’ mund të shpëtohej nën pushtimin italian, ose atë gjerman, pranuan të bashkëpunonin me pushtuesin duke marrë detyra të larta qeveritare të cilat i ushtruan për një vit, ose dishka më gjatë, por si rregull vetëm në interes të vëndit.
T’i fusësh në një thes qeveritë që u krijuan gjatë pushtimit, si qeverinë e Shevqet Vërlacit (prill 1939 – dhjetor 1941) me qeverinë e Mustafa Merlika Krujës (dhjetor 1941 – janar 1943), apo me Këshillin e Regjencës që krijoi parlamenti shqiptar gjatë pushtimit gjerman (tetor 1943 – tetor 1944) me përfaqësues Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Pater Andon Harapin dhe Fuat Dibrën, është miopí shkencore dhe poshtërsi politike. Eshtë miopí shkencore dhe poshtërsi politike, sepse qeveritë e vërteta kolaboracioniste si ajo e Vërlacit e pranuan bashkëpunimin thjesht për interesa kolltuku, kurse Qeveria Merlika dhe Këshilli i Regjencës e pranuan bashkëpunimin me pushtuesin për të mirën e atdheut dhe jo për interesa kolltuku. Anëtarët e këtyre qeverive, biografinë atdhetare të të cilëve, Mërgimi e shpalos me fakte, dëshmon qartë se ata vunë peng nderin dhe atdhetarinë e tyre për të mirën e kombit dhe jo për përfitime personale.
Mbështetur në fjalorë të ndryshëm dhe në të dhëna historike nga historia e shteteve të ndryshme të Europës si Franca, Danimarka, Norvegjia, etj, që përjetuan pushtimin e huaj gjatë L2B, Mërgimi shtjellon termat kolaboracionizëm dhe kuisling, si koncepte dhe duke u mbështetur në të dhëna konkrete historike arrin të sqarojë se në Shqipëri nuk kemi pasur asgjë të ngjashme me Kislingun e Norvegjisë dhe se në jetën shqiptare duhet të dallojmë dy lloje kryesore kolaboracionizmi:
a. Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut dhe
b. Kolaboracionizëm për interesa egoiste personale pushtetdashëse.
Dhe këtu analisti ynë nuk ka fare parasysh një kolaboracionist të caktuar por, duke u mbështetur në materiale arkivore, në artikuj e fjalime të liderit kryesor të PKSh-së, shpalos qartë e bindshëm se Enver Hoxha me kërkesat e tij për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë shprehur në plenume të PKSh-së dhe me nënshtrimin total ndaj Bashkimit Sovjetik të diktatorit Stalin dhe ndaj Kinës së Mao Ce Dunit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një kolaboracionist për interesa egoiste personale për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e në çdo rrethanë.
Përfundimi i Mërgim Korçës është i kuptueshëm nga të gjithë: historianët duhet t’i dënojnë parimisht të dy palët e kolaboracionistëve, si Mustafa Merlikën, Pater Anton Harapin, Lef Nosin, të cilet rregjimi komunist i dënoi me pushkatim sepse bashkëpunuan me pushtuesit fashistë ose nazistë për të mirën e atdheut, si edhe Enver Hoxën, që bashkëpunoi për 40 vjet thjesht për interesat e tij egoiste pushtetdashëse me Josif Broz Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin duke e vënë Shqipërinë nën diktatin e tyre komunist antishqiptar. Por, e gjithënjë ka një “por”, në analizë të fundit, të nxirren përfundime se kush bashkëpunoi për t’i shërbyer vëndit e kush për interesa fillimisht grupi e në vazhdim për interesa thjeshtë personale !
Disa përfundime
Ing. Mërgim Korça është një përfaqësues i intelektualit shqiptar atdhetar e modern. Dje, me veprat e tij ingjinerike ai i zgjidhi shumë probleme mekanikës bujqësore shqiptare në kohën e vështirë të diktaturës. Sot, duke shfrytëzuar mundësitë që i jep jeta e lirë në ShBA, ai ka krijuar një tërësi veprash me vlerë, rezultatet e të cilave duhet të merren parsysh prej atyre që po rishikojnë dhe do të rishkruajnë historinë e Shqipërisë.
Ky analist bie në sy për njohuri enciklopedike, punë prej studiuesi sistematik, kujtesë te veçantë, guxim, etj; veti që i ka vënë shumë mirë në dukje dhe hartuesi i parathënies së librit të dytë, profesor Ardian Ndreca.
Mërgim Korça, si e ka karakterizuar Visar Zhiti, në parathënien e librit të tretë, “u fut fuqishëm dhe i sigurtë në fushën e shkrimeve analitike me bagazh të plotë dijesh dhe përvojë të njëmendët, jo si një trill i vonë i tij, që ia siguronin kushtet e lirisë, por u ndje i thirrur nga koha për të thënë të vërtetën, aty ku ajo nuk dihej, ishte e mbuluar apo ishte e harruar me qëllim ose jo, të zbulonte të panjohura me rëndësi kombëtare, që i japin dinjitet historisë sonë, atje ku ajo ishte bjerrur.”
Vlerësimi i vëllezërve Genc dhe Mërgim Korça me titullin NDER I KOMBIT, të cilin e kanë merituar prej kohe, do të ishte thjesht një nder që qeveria e sotme shqiptare i bën vetes dhe jo vetëm këtyre bijve të shquar të diasporës sonë.
Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë këto 25 vjet tranzicioni, ka kryer krahas disa punëve të mira edhe një krim kombëtar, një punë antikulturë duke mos treguar asnjë interes për veprat që shkruajnë e botojnë bijtë e shquar të diasporës së re shqiptare, si Prof. Sami Repishti, Mërgim Korça, Eugjen Merlika, Pëllumb Kulla, Lek Pervizi, Ruben Avxhiu, Roland Gjoza, Idriz Lamaj, Andon Dede, Dalip Greca, etj, etj. Sipas meje, ajo duhet të krijojë sa më parë një grup pune për të realizuar një kolanë me vepra të zgjedhura prej penave të spikatura që janë shquar gjatë këtyre 25 vjetëve duke sjellë mendime të rinj për evoluimin e mendësisë shqiptare paskomuniste dhe për të korrigjuar gabime të ndryshme që i janë bërë historisë sonë kombëtare nga të huajt dhe nga historianët tanë të politizuar. Botimi i kësaj kolane në disa mijëra kopje dhe shpërndarja e saj në mbarë vendin do të ndihmnte lexuesin e gjerë, sidomos studentët e degëve të shkencave humanitare për t’i shfrytëzuar si literaturë plotësuese për një formim më të shëndoshë shkencor.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse per Mergim Korca, Thanas L Gjika

Vangjel Zhapa apo Vangjel Zhaba?-Një saktësim nga Faik Konica

March 3, 2016 by dgreca

Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/

 Fletore koniciane nr. 18/

Nga Fotaq Andrea/

Edhe pse ndodh që një emër, për më tepër i shquar, merr historikisht një trajtë të caktuar, gjer edhe të gabuar, përsëri, onomastika, si fushë e studimit të emrave të përveçëm, shfaq mundësitë hulumtuese për të gjurmuar rreth origjinës, kuptimit dhe etimologjisë së atij emri në evolucionin e vet. Nga ky këndvështrim, nxitur nga një shkrim i revistës “Albania” (nr. 11, nëntor 1903) që po e botojmë këtu më poshtë, mund ta paraqesim në një formë të re mbiemrin e filantropit të madh shqiptar: Zhaba dhe jo Zhapa, siç njihet gjer më sot.

Është vetë Faik Konica që, me autoritetin e tij gjuhësor dhe eruditiv, këmbëngul për deformimin fonetik që i është bërë këtij mbiemri. Dhe kjo, thjesht për faktin se ai kërkon t’i japë këtij mbiemri kuptimin e vet të mirëfilltë me ngjyrim tërësisht shqiptar, duke hedhur poshtë mënyrën greke të shfaqjes së këtij mbiemri (Zappas apo Zapas).

Kuptohet se në mbiemrin Zhaba nuk kemi të bëjmë assesi me ndonjë nofkë, as me ndonjë mbiemër me konotacion negativ, e aq më pak fyes. Jo. Vëmë re, do thoshim, dukurinë e shqipes që shfaq një emër fisi apo një toponim nisur nga një element karakteristik natyror, dhe në rastin konkret zhaba e familjes së kafshëve amfibe. Në këtë mënyrë do mund të shpjegohet se toponimi Labova e Zhabës që përcakton Labovën e Madhe në dallim nga Labova e Vogël, duhet të jetë më i hershëm historikisht se vetë emri i Vangjel Zhapës, kur sot e kësaj dite thuhet se është pikërisht kjo figurë e shquar historike, shpallur “Nder i Kombit”, që i ka dhënë emrin fshatit, nga gjiri i të cilit ai ka dalë. Në këtë rast, kemi të drejtë të hamendësojmë se një toponim i tillë shqiptar i kahershëm mund të ketë qenë i përligjur nga vetë relievi gjeografik që favorizonte ndoshta praninë e dikurshme të ndonjë zone moçalore dhe të botës amfibe në të, në luginën midis Drinos dhe malit të Lunxhërisë. Vetë fshatrat përreth, për më tepër, kanë emra toponimikë shqiptarë, Hundëkuq, Kodra, Shkalla e Zezë, Rrëzë, Tërbuq, etj. Në këtë rast, këmbëngulja e Faik Konicës për trajtën mbiemërore shqipe Zhaba dhe jo Zapas gjen, do thoshim, përligjjen e vet.

Jo rastësisht, dhe për herë të parë e të vetme te “Albania”, Konica e firmos shkrimin portretizues “Vangjel Zhaba” me pseudonimin Dushku i Dodonës1, si një përgjigje ndaj pretendimeve greke të megaliidhesë, duke bërë kështu një lidhje mjeshtërore midis Labovës së Zhabës nga njëra anë, dhe Dodonës, si kërthizë e Epirit dhe Çamërisë, nga ana tjetër, që të dyja treva po aq fqinje sa dhe shqiptare, etnikisht e historikisht.

Krejt shkrimin, Konica e ndërton në formë kujtimi, gati si rrëfenjë folklorike vjelë nga goja e një plaku të moçëm. E mbështet mbi një episod konkret nga jeta e Vangjel Zhabës, që shpëtoi nga vdekja vajzën e ish mbretit të Moldavisë Alexandru Moruzi, episod që, me sa duket, ka njohur dy variante: vuajtjet e princeshës së re nga një abces në këmbën e gangrenizuar që rrezikohej t’i pritej, si varianti më i njohur gjer më sot; dhe vuajtjet e saj si pasojë e një abcesi në gji (mastit) kur ajo ushqente foshnjën e vet, si një variant “i ri” nën penën e Konicës, mbështetur në kujtimet e plakut K.P. Ky variant i fundit na duket më i besueshëm, për vetë shkakun e natyrshëm të sëmundjes në jetën plot përkujdesje të oborrit mbretëror dhe për vetë burimin nga është marrë.

Sidoqoftë, Konica ngre lart këtu bëmën e Vangjel Zhabës dhe aftësitë e tij kirurgjikale e mjekësore, mbështetur mbi një traditë të hershme të gjithë zonës së Odrijës, Lunxhërisë e Dropullit, traditë e shtrirë edhe më tej, në krejt zonën e Bregut dhe të Himarës, siç na e vërteton Pouqueville, ish konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës. Sepse, në njihet historikisht që shqiptari ka pasur si zanat e mjeshtëri të tij luftën dhe armët, po aq njihet historikisht edhe tradita e tij në shërimin e plagëve që merrte në luftë. Dhe, nëse do duhej përcaktuar një ditë zanafilla e kirurgjisë shqiptare, këtë duhet ta kërkojmë të paktën që në fund të shekullit XVIII (1798), kur kirurgët shqiptarë të Athinës operonin me sukses jo vetëm plagë të infektuara në shesh të betejës, por edhe apendicite e hernie tek udhëtarët e huaj, si dhe inflamacione nga më të vështirat.

Vangjel Zhaba

Nga Faik Konica

Solli në shqipen e sotme Fotaq Andrea

Në kohë të gjyqit greko-rumun, emri i Zhabës u dëgjua më tepër se kurdoherë, prandaj nuk e shohim të paudhë t’u tregojmë këndonjësve të “Albania-s” se si i ndjeri Vangjel Zhaba (dhe jo Zapas) bëri gjënë e tij.

I lindur në Labovë, si tërë bashkëqytetarët e tij, Vangjeli u dha pas kirurgjisë (xherallëkut), e cila është e vetmja mjeshtëri e atij vendi.

Ndo se puna s’i vente mbarë, ndo se fati e mësoi, Vangjeli la Shqipërinë dhe vate në Vllahi. E bijë e Princit (atëherë Vllahia qe mbretëri), në atë kohë ish e sëmurë prej sisës dhe i kishin ardhur për me e vështru më të mëdhenjtë shëronjës të Austrisë, Gjermanisë dhe Francës. Si e panë, mjekët u mejtuan gjerë e gjatë dhe s’gjetën tjetër shpëtim, përveç t’i presin sisën. Në këtë, u kundërvu e ëma e çupës, për fat të mirë të së bijës dhe të Zhabës.

Na dëgjon dhe Vangjeli për këtë, dhe pa humbur kohë, si zemërfortë që ish, vete në pëllasë [pallat] duke kërkuar të shohë edhe ai princeshën. Ish i veshur edhe me floke. Shëronjësit, kur e panë, qeshën dhe thanë që jo vetëm flokati s’mund të shëronte princeshën, por edhe është turp të vërë dorë mbi të. [Në një mendje] Me ta ish dhe Princi; po Princesha, e ëma e çupës, si u mejtua mirë, e thërret Labovitin dhe i tregon të bijën që dhembjet e kishin mbajtur tri ditë pa gjumë.

Me të parë plagën, Zhaba qeshi dhe i tha:

– Çupa do të jetë mirë pas tri ditësh, dhe pas gjashtë orësh, do shikoni përparimin e mjekësisë sime; por, në qoftë që të mos bëhet kështu, lë kokën time në duart tuaja.

Pa humbur kohë, e mjera nënë mbyll odën e së bijës, që të mos hynte njeri i huaj veç saj, xherahut dhe së sëmurës. Vangjeli zbulon plagën dhe, si ja pa edhe një herë, zu ta thëthinjë me gojë një të katërt ore, sa i nxori një barrë qelb; çupa, e qetuar pak, e vdekur për gjumë kërkoi të flerë, pasi e lanë.

Kur hapën dyert, gjetën Princin në prag, ku i helmuar priste, dhe i mjerë kujtonte [parashikonte] të keqen.

– Si është çupa? – pyet të shoqen.

– Fle e qetuar.

I tërbuar nga gazi, vete u thotë mjekëve, të cilët mbetën të mahnitur…

Si fjeti tri orë çupa, e çuan prapë dhe [ai] ia thëthin sërish ndonjë të katërt ore plagën dhe prapë e lanë të flerë tri orë, dhe prapë e zgjuan. Këtë herë, çupa kërkoi të hajë. I sollën dhe hëngri, ia thëthiu sërish plagën dhe e lanë të flerë.

Tri ditë dhe tri net, as Princesha, as Zhaba s’u ndanë që përmbi krye të çupës. Pas tri ditësh, u hapën dyert që të hyjnë shëronjësit e Universiteteve të Parisit, Vjenës dhe Berlinit ku, të mahnitur, panë të qeshur princeshën e vogël t’i japë sisë foshnjës [së saj] nga sisa e sëmurë… përpara tri ditësh.

Të tërë i shtrënguan dorën Labovitit dhe e uruan.

Princi i dha për pagë dy çifligje dhe Princesha me fisin tjetër i mblodhi 10, 000 mince.

Kjo është historia e vërtetë e fitimit të emrit dhe kamjes prej Vangjel Zhabës. Këtë histori e dëgjova prej një plaku, Zotit K.P., i cili e njihte.

Kur vdiq Vangjeli, la ç’la në Greqi, po prapë s’e harroi të mjerën Labovë. La gjë [pasuri] dhe nga kajti [shuma] i kësaj gjëje, lahen gjithë pagimet e Labovës dhe kështu Labovitët s’paguajnë gjer më sot.

Të tilla histori di shumë dhe jam gati t’i shpall, në iu pëlqen këndonjësve të së ndershmes ALBANIA.2

Dushku i Dodonës.  (Albania, nr. 11, nëntor 1903, viti 7.)

1 Nisur nga gjuha, stili, përzierja e formave dialektore gege e toske, “Dushku i Dodonës” nuk është tjetër veçse një pseudonim më shumë i Faik Konicës te “Albania” e tij.

2 Note [Shënim] – Janë historira për të vënë re. Edhe në qofshin ca pak si folk-lor, prapë kanë vlerën e tyre. “Albania” (Shënim i Faik Konicës).

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, Fotaq Andrea, saktesimi, Vangjel Zhaba

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 392
  • 393
  • 394
  • 395
  • 396
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT