• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ferid Bala,si autor, pedagog dhe specialist i muzikës

October 25, 2015 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci/
Vlerësimi i personave me kontribute të shquara në fusha të ndryshme, mos lenia e tyre në harresë, respekti ndaj tyre, vendosja në piedestal apo stimulimi në mëndyra të ndryshme për cfarë ato dhanë e bënë për vendin, është detyrë e shtetit por edhe e cdo njërit nga ne. “Shfrytëzimi” i PERLAVE, njerzve të shquar, të cilët pamvarsisht nga mosha apo gjendja ekonomike, vazhdojnë të jenë aktiv dhe të japin pa u kursyer eksperiencën e tyre të vyer për brezin e ri, duke e shkruar nder libra atë cka dijnë e cka jeta i ka mësuar, duhet të terheqë vemendjen e institucioneve dhe organeve të ndryshëm.
Një nga këto perla të cmuara që kemi, është Profesori i kantos dhe muzikologu Ferid Bala.
Prof. Feridin e njoha personalisht nga afër në auditorin e universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodres, me rastin e prezantimit të librit të tij – Kënga dhe Këngëtarët Shkodranë -. Atë ditë salla universitare ishte e mbushur plot me qytetarë, këngëtare dhe muzikantë të njohur, disa nga të cilët ishin nxënësit e tij apo zbulimet e tij. U fol shumë për Ferid Balen, aktivitetin e tij, librat e tij, ndihmesën e dhënë në formimin e talenteve të reja, por shkaku që më ngacmoi për të shkruar këto rreshta është vendosmëria e tij (edhe pse në pension) për të punuar dhe për të ndihmuar sa mundet në fushën dhe specialitetin e tij.
Shpesh herë, statusi i pensionistit, e pengon Feridin për të bërë realitet daljen në dritë të librave që shkruan dhe që i mbesin gjatë në dorëshkrim. Këmbëngulja dhe përpjekja e panderprerë për të kontaktuar persona që i “japin një dorë” për të cuar në fund projektet e botimit të dorëshkrimeve, kontaktet, takimet në kafe apo telefonatat për këtë punë janë të shumta. Një ditë pata fatin edhe unë të jem “i ftuar” i Feridit, por që e shfrytëzova edhe për të nxjerrë në dritë këtë shkrim.
Kush është Prof. Ferid Bala?
Feridi lindi në një familje qytetare shkodrane me 12 prill 1934. Nëna e tij Naxhija ishte e bija e Ahmet Boricit, bir nga familja e përmendur e Daut Boricit. Ajo pat 6 femijë, tri vajza dhe tre djem. Babai i saj Ahmeti ishte drejtor i doganave shqiptare në Tiranë deri sa në mospajtim me politikën e Zogut, u dorëhoq nga detyra.
Babai i Feridit, Nuhi njihej si pronar i madh tokash në Shkodër. Fisi i tij, si origjinë, vinte nga Pecajt në malësinë e Dukagjinit. Nga familja dhe fisi i Feridit ka pasur shumë arsimtarë të njohur për ndihmesën e tyre në arsim si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ndër vellezërit e Feridit, Vehbiu, ishte profesor i gjuhës shqipe dhe njihet si themeluesi i degës për gjuhë e letërsi në universitetin e Shkodres (atë kohë instituti i lartë padagogjik). Ai ishte mesues i popullit, deputet si dhe i lauruar me cmimin republikës së klasit të parë. Ndërsa Nazmiu është i njohur si administrator dhe krijuesi i idesë së parqeve të mallrave në zonën e veriut.
Shkollën fillore Feridi e bëri në Shkodër në mësonjëtoren 24 Maji ku mësues muzike pat kompozitorin Prenk Jakova. Që në atë kohë Prenka e klasifikoi Feridin, së bashku me Enver Dibren, si një nga zërat më të mirë të shkollës dhe e aktivizoj nëpërmjet Shtëpisë së Pionierit, në melodramen Dasma Shkodrane. Aty djaloshi shkodran bie në kontakt me këngëtarët e njohur File Gjeloshi, Bik Ndoja, Leo Prela (Bariton). Për shkak të zërit të bukur e të vecantë ai zgjidhet së bashku me Klotilde Shantojen, Florinda e Ndrek Gjergjin, nga specialistët rus të muzikës për tu dërguar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Bukuresht. Ky aktivitet, ku morën pjesë 100 koriste nga Shqipëria, të gjithë të veshur me kostumet e bukura shqiptare, pat si drejtues artistik muzikantin e njohur Gaqo Avrazi dhe u vlerësua me cmimin e 3-të. Duke parë dëshirën dhe talentin e Feridit, piktori Foto Stamo nguli këmbë që ai të futet në Liceun Artistik të Tiranës ku në vitin 1953 filloj të studiojë për kanto nën kujdesin e vazhdueshëm të këngëtares Marie Kraja. Në fillim punon me tenorin Maliq Herri e më vonë me sopranon Jorgjie Truja. Një ndër mësueset që pat ndikim të madh tek Feridi ishte pedagogia bullgare Vasilika Bakerxhieva e cila atë kohë ishte edhe mësuesja e këngëtares Vace Zela. Me mbarimin e liceut në 1957-tën, së bashku me Cesk Zadejen e Gaqo Cakon janë ndër të parët që themelojnë dhe punësohen në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë, ku Feridi ndejti vetëm tre muaj pasi u thirr në shërbimin ushtarak.
Ministria e mbrojtjes e përzgjedh atë, jashtë dëshirës së tij, për ta dërguar me studime si ingjinier në sherbim të flotës ushtarake shqiptare, në Bashkimin Sovjetik (Leningrad, sot Petërsburg). Nga këmbëngulja e tij për të qëndruar në Shqipëri, ai lejohet të jetë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë. Pas periudhës ushtarake, emrohet si shef muzike në Klubin e Rinisë – Herojt e Vigut – ku ishte bashkëpunetor me kompozitorin Zef Leka, i cili e mbështeti shumë në punën e tij. Në janarin e vitit 1962 fillon studimet e larta në konservatorin e sapo krijuar të Tiranës në degën e kantos. Ishte bashkëstudent me këngëtarët e njohur Gaqo Cako, Luisa Cako, Irena Gjergo, Kirstaq Paspali. Me mbarimin e studimeve univetsitare u emrua si këngëtar në TOB ku pat disa koncerte vokale si dhe disa role në opera të ndryshme(1). Nën veshtrimin e ndikimin e luftës së klasave u transferua në Shkoder në Klubin e Rinisë si shefi i muzikës ku qëndroj deri në 1970-tën.
Në vitin 1971, fillon punën në degën e sapo krijuar të kantos në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Shkoder, ku nxori maturantët e parë apo zbuloj talente si: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Enriketa Kuqani, Valentina Hasani, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Frano Lufi. Në shkollë merret me krijimin e programeve mësimore si dhe jep eksperiencën e tij metodike në hapjen e shumë shkollave analoge në të gjithë vendin. Si pedagog dhe specialist i muzikës, Feridi merret me punime shkencore, shkruan artikuj të ndryshëm problemor të mësimdhënies në kanto në shtypin shqiptar apo merr pjesë në emisione televizive. Në këtë vit dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të III-të. Që nga viti 1886-të, Feridi mban titullin – Mësues i Dalluar -. Cmimin Naim Frashëri të Klasit të II për arritje të larta në procesin mësimor, e merr në vitin 1990 dhe në 2011-tën nderohet nga Bashkia e Shkodres me titullin “Prenk Jakova”.
Ferid Bala ka një veprimtari të gjërë didaktike dhe është autor i disa librave për shkollat e mesme të muzikës, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, etj. Së bashku me shokë të tjerë muzikantë themelon në Shkoder shoqaten Artistike “Dashamirët e Këngës Shkodrane” duke organizuar aktivitete të ndryshme koncertore dhe shkencore. Si cdo shqiptar, mbas daljes në pension në vitet 1990-të, provon emigracionin në SHBA dhe në Kanada nga ku kthehet rreth vitit 2000. Po këtë vit boton librin kritik “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarve popullore shkodranë”, në vitin 2009 boton librin “Fjalor muzikor i komentuar”, në vitin 2011 (me rastin e 50 vjetorit të shkollës së muzikës Prenk Jakova), boton librin “50 vjet Art e Kulturë” dhe librin “Këshilla për këngëtarët”. Në vitin 2012 nxjerr në treg një libër “Përmbledhje pjesësh popullore” që është bashkëpunim i autorit me shumë kompozitor dhe krijues shqiptarë. Së fundit në vitin 2014 nxjerr monografinë “Kënga dhe Këngëtarët shkodranë, pjesa e parë” e në 2015 pjesën e dytë të këtij libri.
Si këngëtar lirik dhe si solist i Ansamblit Amator të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Feridi, u shqua për interpretimet e tija me nivel të lartë në aktivitete e konkurse të ndryshme kombëtare, ku u vlerësua me cmime, diploma dhe medalje të ndryshme.
Gjatë takimit për të intervistuar Prof. Balen, më bëri përshtypje të madhe energjia e tij pozitive dhe dëshira për të nxjerr në dritë krijimin e tij të ri, një libër mbi historikun e muzikës klasike shqiptare, të cilën ai sapo e kishte formatuar në kompjuter. Dëshiroj tu bëj të ditur lexuesve të këtij shkrimi si dhe dashamirësve të muzikës, që të kontribuojnë në botimin e këtij libri të përmasave mbarë kombëtare, që vendosë një gurë me shumë në themelin e kulturës shqiptare. Prof. Ferid Bala me ndihmesen dhe profesionalizmin e tij në fushën e muzikës është dhe do të mbetet një nga PERLAT e cmuara në gjerdanin e intelektualve e atdhetarve shqiptarë.

Shenime:
Role te realizuara ne opera:
Gjini, te opera Mrika e Prenk Jakovës
Plaku, te opera e Rahmaninovit
Mbreti, te Macoku me Cizme e Korsakov
Sparofucili, te opera Rigoleto e Verdit
Selimi, te opera Dritë kudo Dritë e Mark Kaftallit
Gjergjin, te opera Celula e Kuqe e Gjon Kapedanit

Fotot dhe shenime rreth tyre:
Foto 1: Ferid Bala
Foto 2: Ferid Bala me studentat e diplomuar ne vitin 1985
Foto 3: Ferid Bala me Marie Krajen, Visar Balen dhe Rita Ndocin
Foto 4: Ferid Bala ne koncert
Foto 5: Ferid Bala me koleget, Marie Kraja, Odise Paskali, Vehbi Bala
Foto 6: Urdheri Naim Frasheri i Kl. II
Foto 7: Prenk Jakova dhe kori i shtepise se kultures ne koncert ne vitin 1950
Foto 8: (nga e majta ne te djathte) Kolec Hila, Ferid Bala, Tonin Ljarja , Henrik Daragjati, Petri Karamitri, Fred Serreqi ne vitin 1953
Foto 9: Titulli Prenk Jakova i akorduar nga bashkia Shkoder

Wien, 19.10.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Ferid Bala, i muzikës, pedagog dhe specialist, Pjeter Bala, si autor

Ç’PO ZJEN?

October 25, 2015 by dgreca

Kur armiku i jashtëm i kërcënohet Atdheut, pasionet reshtin dhe kombi shqiptar paraqitet i bashkuar në një trup./
(Deklaratë me rëndësí e zotit Mustafa Kruja)/
… Ka disa muaj që po flitet me të ngulun kâmbë se Serbët i janë përveshun nji aventure të ré kundër Shqipnís. Dhe thonë se ksi shtegu kukulla qi do të veshë maskën e kryekomandarit të fuqivet revolucjonare(!) (këndo mercenare) ka me qênë Gani beg Kryeziu, i zoti me mbledhun rreth vetit me fuqín e arit, të cilin Beligradi kurrë s’e ka kursye për mos me lânë të mëkâmbet e të marrë frymë Shteti shqiptar, gjithsa elementa të çoroditun, të hunit e të litarit, qi mund të nxjerrë fara e jonë në njânën anë e në tjetrën të kufînit. sht krejt nji punë e sigurtë e e dokumentueme qi Gani begu këta elementa ka fillue t’i ndjellë e t’i kojë qyshë të nesërmen qi kapërceu kufînin e Shqipnís, në prendverën e këtij vjeti, e duel në tokën jugosllave, n’atdhenë e vet të vërtetë. Gjenerali sërb Kataniqi, komandar i patundshëm i Prizrendit e mâ i madhi specialist për organizimin e bandavet mercenare kundra Vêndit t’onë, âsht, mbas kurtinet, auktori i vërtetë i tragjikomedís qi përgatitet.
Ç’âsht në kët rasë qëllimi i Dorës së Bardhë qi sod sundon zyrtarisht mbretnín jugosllave me Kral Aleksandrin në krye? S’âsht aspak nevoja qi t’a lodhim mênden me hipoteza të kota dhe të thata për t’i ramë në tê. Historija e ksokohshme dhe faktet e gjalla të jetueme prej brezit të sodshëm flasin açik.
Plot nji shekull para këndej Mustafa Pashë Bushatlija, veziri i Shkodrës, tund e mënderon Stambollin me pesëdhjetmijë shqiptarë kryengritës prej të tâna visevet të Shqipnís s’epër e sidomos prej Kosove, qi mbërrîjnë deri n’Edrenè, dhe vetëm mungesa e nji shpirti të fortë në tê lên pa u themelue qysh at herë nji mbretní shqiptare të pavarme me kufîjt ethnikë. Ku ishin Sërbët aso kohe e ç’bâjshin? Aty, me Princ Milosh Obrenoviqin në krye, tue i shtrimë dorën Sulltanit nga Beligradi e tue e sigurue se janë “rajë besnike” të tij dhe të gatshëm me u mbëshue shqiptarvet mbas krahve! Pse? Se duhej pritun me çdo mjet e mënyrë themelimi i nji Shteti shqiptar. Kjo âsht tradita e politikës sërbe qi vijon deri në ditët t’ona e qi ndiqet sistematikisht prej Beligradit.
Lufta turko-ballkanike krijoi nji gjymsë Shqipnije të pavarme tue lânë nën sundim të fituesvet, sidomos të Sërbvet, mâ se gjymsën e vllazënvet t’onë. Por Sërbvet u duhej toka pjellore e këtyne, vetëm. Se kush flet gjuhën shqipe âsht për ta gjarpni në gjî, nji anmik qi duhet zhbîmë. Dhe kështu bânë. U përpoqën me mish e me shpirt qi t’a dlirin vêndin Shqiptarësh. E vërtetë se s’âsht punë e lehtë me shue popullata kompakte. Por ata, për hesap të tyne, s’lanë kusur për t’i a mbërrîmë këtij qëllimi. E deri diku edhe i a kanë mrrîjtun. Sod në Kosovë, mbrênda nji kohe gjashtëmbëdhetë vjeç, kemi mângut dyqindmijë Shqiptarë, të zhdukun, apo të shpërngulun andej e këndej për të shpëtuem nderin e jetën. Se mâ për pasuní të tyne nuk bâhet fjalë.
Shteti shqiptar âsht i vogël, i vorfën, i ri foshnje, ka nevojë të zânë rrânjë e themel, të përparojë në lâmë të kulturës, t’ekonomís, të qytetnís. Por për Sërbët edhe ky bân hije. sht mâ mirë mos të jetë aspak, a nemose të rrojë gjithmonën’agoní, n’alem të shpirtit, në konvulsjone të padame. Pse? Se u duhet i gjithë bregu linduer i Adriatikut, a së paku deri në Vjosë. Dhe se, mandej, nji Shqipní e lirë e e lumtun , sado e vogël qi të jetë, do të bâhet Meka, Jerusalemi i Shqiptarvet të mbetun robën përtej kufînit politik. Mund të bâhet, me kohë, nji Pjemont i vogël, por i rrezikshëm. E atë herë na nji varg trazimesh, t’organizueme me paret e armët, me ushtarë dhe oficera të Sërbís.
Shqiptarët s’kanë lânë asnji rasë me kalue pa u mundue me u a mbushun mênden shovinvet e imperjalistavet të çëmendun të Beligradit se s’kërkojnë kurrgjâ mâ tepër e mâ mirë se me jetue në paqe e në harmoní, e bile në miqsí me ta jo mâ pak se me çdo fqî tjetër. Ç’mund të dëshirojë tjetër nji popull i vogël si i yni, i cili, posë qi âsht i vogël, ka nevojë me fillue rishtas gjithça i duhet për jetën e ré qi posa e ka fillue? Të tâna qeverít qi kanë ardhun e shkue, gati të gjithë politikanët t’onë i kanë bâmë këto prova dhe s’kanë pasun veçse çândrrimet mâ të dëshprueshme. Po atëherë a ka vênd me u çuditun fqîjt t’anë të Veriut sepse deri miqt e tyne mâ të provuem, prej Shqiptarvet, u kthejnë shpinën dhe pështeten në fuqí tjera? Un kujtoj se jo vetëm nuk duhet të çuditen, por mâ tepër duhet edhe të mësojnë diça prej këtyne ndodhive. Ata lypset të kuptojnë, se kombi shqiptar nuk sakrifikon asnji qime të pavarsís së vet në favor të të cilitdo të hueji, derisa mos të ndîej prej tyne rrezikun e humbjes së krejt Shtetit, rrezikun e nji jete të padurueshme prej turbullinash qi s’po prâjnë tue na përtrimë ata në vênd t’onë. Në qoftë se patriotat shqiptarë tolerojnë sakrifica, qofshin edhe të vogla e të tërthorta, prej pavarsís së Vêndit të tyne, kjo rrjedh vetëm e vetëm prej tmerrit qi na kanë futun Sërbët, prej bindjes qi na kanë ngulun në shpirt ata se s’mund të jetojmë në paqë e në qetí pa nji pështetje të fortë qi të na sigurojë nga rreziqet e ardhuna prej sish.
Nuk dihet a ka për t’a vue në zbatim Beligradi planin e ngrehun jashtë me Gani Kryeziun. Bota gjindet në nji fazë tepër delikate të jetës ndërkombëtare për me u lejue trazimtarvet të përjetshëm të Ballkanit edhe nji aventurë gjaku të ré. Por sido qi të jetë âsht mirë, bile e nevojshme, qi t’a dijë si populli shqiptar si edhe kushdo qi interesohet në punët t’ona, se lëvizja e pregatitun s’ka të bâjë në kurrnji mënyrë me çâshtjet t’ona të mbrêndshme, me kundrështime mêndimesh e personash ndërmjet Shqiptarvet. Mue, si për vete ashtu edhe n’emën të nji tok refugjatësh qi janë të nji mêndimi e ndjekin po nji drejtim politik me mue, më përkitte detyra me e shpallë kët të vërtetë sheshit. Nji tjetër grup refugjatësh edhe e ka shpallë para meje për hesap të tij me organin e vet zyrtar. sht për t’u gzuem fort qi deri dhe ay grup politik, i cili siç duket, s’i ka premë èdhe të tâna shpresat nga sinqeriteti i miqsís së Sërbvet kundrejt Shqipnís, grupi i refugjatvet të mbledhun nën emnin “Bashkimi Kombtar”, ka ndenjun dorjashtë n’aventurën e Gani Kryeziut
Zara, 3 Shën André 1929 Mustafa Kruja
Marrë nga gazeta “Shqipëria e Re” e Konstancës , Rumani, 8 dhjetor 1929

Filed Under: ESSE Tagged With: Ç’PO ZJEN?, Deklaratë me rëndësí, e zotit Mustafa Kruja

KUVENDIM LETRAR DHE FESTË KULTURORE NË LLOGORA

October 24, 2015 by dgreca

– Me një bërthamë krijuesish të Principatës Letrare mes gjelbërimit të pishnajës-/
NGA MSC. Albert HABAZAJ/
Kryetar i Shoqatës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë/
Ka disa veprimtari letrare të bukura, që bëhen pa bujë, të thjeshta, të pastra, me shpirt e të larta. Kalojnë kohë e mbresat që festa të tilla kulturore lënë në vetëdijen tonë, në vend që të zbehen deri në venitje, bëhen më të pashlyeshme, me gjurmë dritërimi të thella dhe mesazhe më të qarta, më gjurmëlënëse në mirësinë e tyre dhe shoqërisht të dobishme. I tillë qe dhe takimi letrar i papërsëritshëm në strukturën e organizimit në kohë, në hapësirë dhe me personat realizues. Nuk qe një takim si shumë e shumë të tjerë të kësaj natyre. Qe ndryshe. Në rrafshin kohor, gushtovjeshta ende nuk e kishte marrë stafetën e freskisë dhe të begatisë tradicionale. 24 Gusht 2015. Festë letrare kulturore në Llogora. Kishte ardhur nga Durrësi shkrimtari, poeti, studiuesi dhe kritiku Vladimir Muça. Nga Fieri kishin ardhur: poeti emblematik dhe dramaturgu enciklopedik Maku Pone, shoqëruar me rebelin e vrullshëm të vargut qytetar, me poetin, mësuesin, këngëtarin, gjurmuesin e folkorit burimor dhe gazetarin Gentjan Banaj. Nga Vlora ishin Princesha e Letrave Shqipe, ringjallur si Krishti, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe; shkrimtari lakonik, publicisti i mprehtë dhe veprimtari i dalluar shoqëror Ahmet Demaj; baletmaestri shpirtpalodhur për artin dhe kulturën emancipimprurëse Fitim Haxhiraj; poeti i spikatur lab Dero Murataj, që të paktën për këtë poezi disktik: “Kur të vdes dua dy varrre/ një për vete, një për halle” do të mbahet mend. Vetëm me këto dy vargje amanet, Babushi (kështu i flasin Deros në familje e në shoqërinë letrare të Vlorës) e la gjurmën e tij, aq sa, ashtu si (sikur dhe hiç mos të botojë më), kur të tjerë e jo pak me kollaro e me para botojnë e botojnë nëpër furrat e botimit, nëpër furriqet e shtypshkrimit metro kub me fletë të shtypura e të lidhura, por nxjerrin vetëm fullufice. Në takim qe dhe një miku ynë, Arsim Canaj, jo shkrimtar, por qenkesh një njohës i jashtëzakonshëm i letërsisë dhe kishte një humor të admirueshëm. Kuptohet që në atë takim shkëlqimtar në ngrohtësinë e tij isha dhe unë, Albert Habazaj, që po shkruaj këto radhë respekti e vlerësimi për shoqëri të tilla letrare kulturore, që i bëjnë mirë shëndetit tonë letrar. Ne ishim mbledhur me fjalën e lirë demokratike qytetare, me dëshirën e mirë të kuvendonim letrarisht, me nivel të lartë artistik, për fjalën e lirë letrare, me nivel të lartë artistik dhe mesazhet tona, për veç shtypit të shkruar si “Tirana Observer”, përçohen edhe përmes faqes së internetit me “Fjalën e lirë” dhe shtypit elektronik si “Dielli”, “Tribuna Shqiptare” etj. Qe fat për ne vizioni i Fitimit “skenaristit” të këtij takimi, që aktiviteti pati kurorën e dafinës, (të shprehem më saktë e në konkekts) pati bredhin e gjelbër të kurorës së festës: Dr. Terziun. Nga Londra kishte ardhur poeti, prozatori, botuesi dhe kulturologu Dr. Fatmir Terziu, të cilin gjejmë rastin ta urojmë edhe publikisht për fitimin e merituar të “Pendës së Artë” nga Klubi Krijuesve Jonianë, Akademia Letrare, 26 Shtator 2015. Më pëlqeu shumë mendimi i poetes së talentuar Fatime Kulli, saqë më duket se fjalët e saj uruese janë dhe të miat: “Askush më parë se Fatmir Terziu nuk e meriton këtë çmim! Jo vetëm për vlerat që posedon në krijimtarinë shumëdimensionale të tij, por, edhe si një kontribues i madh, i palodhur për kulturën shqiptare në Londër”. Takimin e bëmë në natyrë. S’kishte më bukur. Kujtuam vargjet brilante të Naimit për natyrën shqiptare, recituam vargjet e Çajupit tonë për Labërinë tonë të dashur. E ç’është takimi i mbretit me mbretin para takimit të poetit me poetin?! Na dukej vetja si në ëndërr. Natyra mrekullore e Llogorasë e eklipsonte disa herë magjinë përrallore të çakmakut të Andersenit!… Filluam të diskutonim me njëri- tjetrin për kulturën në tërësi, për etnokulturën, për letërsinë e sotme, për krijimtarinë e njëri – tjetrit. Poeti durrsak Vladimir Muça u dhuroi miqve të kësaj feste letrare librin e tij më të ri “Ekuinoks” me poezi (tanka), (2015) dhe krijuesit, duke shfletuar librin, recitonin vjershat e shkurtra dhe të këndshme si luleshqerre, lakonike, moderne, me musht metaforik, që hera – herës ngjanin si shpata të mprehta me flakë vetëtimash. U fol pastaj për poezinë e të talentuarit Gentjan Banaj. Ajo u quajt poezi e re e fateve njerëzore; një poezi qytetare që përgjithëson hollë, që ka shtrirje, se është një poezi filozofike, e mendimit, e cila pa sherbetin e ndjenjës, sajdisur me nikoqirllëk nga autori, nuk do të qëndronte aq hijshëm krahas poezisë më të mirë të Principatës Letrare, që, sot për sot, shtrihet në hapësirën Vlorë, Fier, Lushnje, Berat deri në Rrogozhinë. Sa mirë e ka thënë poeti nga Mitrovica, Sabit Idrizi, që poezia e Gentit është përpjekje sizifiane e autorit për të dalë nga nata dhe për t’u futur hullive të pafundme të dritës. Në vargjet e tij ne prekim sublimen letrare, për hir të humanizmit universal, për hir të dashurisë. Ka kontraste të fuqishme dhe të freskëta poezia e tij, ka ngjyra, ka lëng të shijshëm poetik. Bashkohem me cilësimin që bën shkrimtari, kritiku dhe poeti i mirënjohur ndërkombëtarisht Petraq Risto, kur thotë se në poezinë e Gentian Banajt “dashuria dhe urrejtja kanë dritën e plagosjen”. “Drita shuhet./ Një puthje ftohet/ Nga mirupafshim në lamtumirë./ Pas kodrës dielli ngulet/ Mbi një qiparis…/…Dhe nata varros diçka” me kitarë “Një tel këputet/ Kitaristi shpohet në sy/ Nota vdes, gjysmë kitarist/ Gjysmëvarr kitara”!- shkruan dhe këndon Genti, i cili, interesant, qysh në pamje, edhe pa e njohur, të jep imazhin e poetit lirik, si një bulëz mesdhetare e Eseninit. Gentian Banaj udhëton me dashurinë. Është kudo me të. Edhe kur u jep mësim nxënësve; edhe kur bën montazhin në “TV Apolon”, edhe kur përgatit emisionet televizive “Poeticum” e “Art- Folk” aq cilësore, krijuese, plot supriza e të mirëpritura; edhe kur shkel çdo vatër etnofolkorike për kulturën shpirtërore dhe materiale të banorëve, fshatarave dhe krahinave; edhe kur filmon orë e orë të tëra me kamera, edhe kur krijon; kudo Genti është me Hyjneshën shoqëruar, me Dashurinë. Ai më duket si sinonim i saj. Deri në dhembje. Deri në rebelim. E pranveron dashuria. Si duket, si gjithë poetët. Me nderim të veçantë folëm sidomos për krijimin e pashtershëm poetik të Maku Pones, që, me gjasë, poezia e bukur që krijon, e mban aq të ri dhe fisnik. (Poeti Maku Pone është 76 vjeç, ta takosh sot, ngjan sikur është 46). (Vërtet të tillë magji paska poezia?!). Unë kam botuar një shkrim për kontributin letrar të Maku Pones, kështu që s’kam ndërmend të bëj prezantim letrar për të, por dua të ndalem tek mbresat që përjetuam me profesorin e vargut në festën e Llogorasë. Të gjitha fjalët tona për krijimtarinë e tij të begatë rezononin me vlerësimin e arkeologut të letërsisë shqipe, Prof. Moikom Zeqos: “Lirika e Maku Pones është universi i gjithçkaje. Tek Maku mungojnë tonet patetike, xhestet tribunale, madhështitë e jashtme, por jo një fill inkoshient i dramacitetit të jetës, fatit, bëmave të njeriut”. Poezia e tij gëzon një dimension universal, ndërtuar me elementë mikrokozmikë, gati të padukshëm, por që i japin frymëmarrje e larushi krijimit. Edhe unë shpreha mendimet e mia për veprën letrare të M. Pones, ku ndër të tjera thashë: Shtylla vertebrale, që mban në këmbë konstruktin e fortë poetik të Pones është drita e bardhë e artit të fjalës së kulluar, sa hënore, aq tokësore. Dy këmbët, që mbajnë harmoninë e urës poetike nga koleksioni klasik i letërsisë së sotme shqiptare në poezinë bashkëkohore, janë ndjenja me “gjak dashurie në rrënjë” dhe mendimi filozofik, që fqinjësohet me “rrufetë” e perëndishme, si “vizion brirësh a eshtrash”. Libri më i ri “Dritësi e terr”, (2014) është pjesë e dytë e trilogjisë poetike të autorit të njohur fierak, që ka pararendës vëll. 1 me titull “Në kërkim të fytyrës” dhe vijon me vëll. 3 të trilogjisë me titullin metaforik “Zjarr i hidhur”. Spunton për këtë vëllim poetik, autori e ka marrë nga shkrimtari dhe diplomati i njohur grek Vassilis Vassilikos (18. 11. 1934), trajtuar, kuptohet, sipas këndvështrimit të tij poetik. Libri më i ri “Dritësi e terr” i poetit Maku Pone është një gëzim letrar për ne, lexuesit e vëmendshëm të librit të mirë dhe përdoruesit e dobishëm të penës. Në këtë kohë, ende të pakthejlltësuar letrarisht, kur gufosemi nga lukunia barbare e librabërësve, që unë po i cilësoj vandak me bezga të njoma, që s’ndezin as në palcë të korrikut [shprehje frazeologjike, mospërf. njeri i trashë nga mendja], libri me poezi “Dritësi e terr” i Maku Pones, vjen si thërrime diellore, që na ngroh bukurisht me fisnikëri botën tonë shpirtërore, duke na përmirësuar në ndjenjë, në mendim dhe në shijet estetike. Në takim u fol edhe për krijmtarinë time letrare, sidomos për dy librat me poezi “Mërgata e Luleve” dhe “Dhembim degët e shqyera”. Realisht, Opusi letrar i Vilhelme Vranari Haxhirajt qe lajtmotivi takimit. Sipas traditës dokesore të Vlorës e Labërisë po themi që nderi iu bë mikut më të largët, shqiptarolondinezit shpirtbukur e mendjeflori. Në fakt ai na nderoi ne me pjesëmarrjen e tij, me fjalën e tij, me veprat e tij letrare e studimore që na dhuroi. Doktor Terziu 15 tituj ia dhuroi Bibliotekës së Universitetit të Vlorës. Si shkrimtar vlonjat e kryetar i shoqërisë Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, por sidomos si drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, plotësova për shkrimtarin dhe studiuesin e njohur elbasanas që na nderon në botë Falënderimin e meritueshëm me motivacionin:”Ju shprehim falënderimet tona më të përzemërta për librat që i dhuruat bibliotekës sonë për pasurimin e fondit të saj. Veprimi juaj është një akt fisnik, human dhe qytetar. 15 titujt e monografive tuaja që na dhuruat: monografi shkencore: “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, pjesa e parë (2009); “Elbasani në arkivat britanike”, studim (2015); krijimtari letrare: “Mos hesht”, poezi (2000, 2013); “Djalli i Argadasit”, tregime (2002); “Misteriozja”, tregime (2009); “Lumenjtë e ëndrrave”, poezi (2012); “Grykës”, roman (2010); “Bunari”, roman (2012); “Borxh ajrit”, poezi (2013); “Miriapodë”, poezi (2013); “Kojrillat”, roman (2013); “Blirët e Pejës”, roman (2014); “Xhungël mendimesh”, poezi (2014); “Fijet e barit të thatë”, roman, (2015) dhe “Era nuk jepet me qera”, poezi (2015) janë kontribut konkret, që ne e vlerësojmë. Edhe një herë faleminderit! Krijimtaria letrare – studimore e Dr. Fatmir Terziut u bë pronë e Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë. Pena dritë, mik i nderuar!” Edhe opinioni qytetar bëhet më i ndjeshëm pozitivisht nga veprime të tilla që shpërndajnë kulturë e qytetari ndër njerëz. Ja si shprehen dashamirësit e letërsisë: Niko Seferi: “Vepra të tilla vijnë era qytetari. Bravo njëmijë herë! Kështu duhet për gjithë shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj, veprat e tyre të bëhen pasuri e popullit tonë, e bibliotekave dhe e çdo qytetari. Vetëm kështu do ecim”. Poeti dhe përkthyesi Hajdar Kullafi, që jeton në Itali shprehet: “Një akt bujarie, që nderon shkrimtarin largpamës dhe universitetin e Vlorës”. Ndërsa Sadie Kryeziu shkruan: “E meriton, sepse krijimtaria juaj [e F. Terziut] është thesar i çmuar i letërsisë shqiptare. Këtë shembull duhet ta ndjekin edhe biblioteka të tjera Universitare, se vetëm kështu një komb ecën përpara paralel drejt integrimit të diturisë”. Ka shumë vlerësime për Fatmir Terziun si studiues i ditur, i qetë, i qartë e i guximshëm, si poet i mirë universal, i mendimit të lirë, i lirisë qytetare, që shpesh herë e krahasojnë dhe me Lorkën. Mbi të gjitha, Terziu është një njeri me shumë vlera njerëzore, intelektuale dhe shumë fisnik. Është një krijues që po i jep frymëmarrje letërsisë shqipe, si model i shëndetshëm, për dijen, kulturën dhe artin e letërsisë. Fatmir Terziu është një studiues këmbëngulës e shembullor, që vjen nga palca e traditës qytetare të Elbasanit me rrënjë të pashkulshme dibrane dhe e mbjell në Europë e në botë farën e krijimit bioshqiptar. Ndërsa ne diskutonim me zjarr e çiltërsi, zogjtë maleve të Vetëtimës cicëronin hareshëm nga gëzimi se në shoqërinë e tyre ishin shtuar dhe poetët. Ndërsa pishat e larta e të drejta qasnin këndshëm drejt nesh gjethet halore përherë të blerta, nën atë fllad jetëgjatë me jod deti dhe erë mali, sipër në Llogora. Donin të merrnin pjesë në diskutimin tonë?! Donin të recitonin tok me ne?! Donin të na mbushnin këngët tona me hijeshinë e tyre?! Donin të na bekonin?! Ndoshta, për të gjitha bashkë. Me vërtetësi dhe dashuri, ne vlerësuam kontributin e Fatmir Terziut në publicistikë, në eseistikë, në poezi dhe në prozë. Folëm dhe për studimtarinë e tij të vyer, nga e cila, deri më sot, ka botuar dy vepra për dy dashuritë e tij të mëdha: Elbasanin dhe Letërsinë. E nderon Elbasanin autori, sepse ai qytet u bë udhejeta e tij e familjes së tij, e prindërve të dashur, e njerëzve të zenmmrës, sepse Elbasani u bë vendi ku u forcua personaliteti dhe përkushtimi i tij intelektual. Nga vepra e Terziut mësojmë se Elbasani në arkivat britanike është qysh herët. Emri i tij përmendet i ndërlidhur me mjaft faktorë ballkanikë, shqiptarë e më gjerë. Është emër që pason qytetërimin mes Rrugës Egnatia, është vetë ardhja e tillë e shenjtë që në udhëtimet e Shën Paul. Por emri i tij është një referencë qëndrese, identiteti dhe force. E hasim në mjaft korrespodenca, letra, shkëmbime diplomatike, gazeta e materiale të tjera arkivore. Emri i tij fatmirësisht në pak raste është deformuar, ndërsa qëndron i pastër dhe mjaft konkret në gjetje. Me të lidhen mjaft emra të huaj, emra shqiptarë të fushave të ndryshme që në kohë të hershme e deri në ditët tona. Për këtë është dhe ky studim, që ka plotësuar një mangësi të dukshme në gjetjen e gjërave të sakta që lidhen me fatin e kësaj treve me contribute për historinë dhe qytetërimin shqiptar, emërdëgjuar dhe etnologjikisht. Sipas Dr. Terziut, në arkivat britanike është edhe ekzemplari me titullin origjinal: “Elbasani” dhe me skicimet bardhë e zi në kopertinën e tij kryesore nga autori çek Stanislav Kostka Neumann (1875- 1947), gazetar, përkthyes, skicues dhe poet. Me monografinë “Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, autori nuk e shikon krijimtarinë të përhershme dhe as kohëpakët, port ë përqëndruar historikisht, në mënyrë sociale, intelektuale, shkruar dhe lexuar në kohë të caktuar, me një synim të caktuar, nën kondita të njohura historike, me synim historic, kulturor, personal, racor, seksor, klasor dhe në gjithfarë perspektivash. “Nëpërmjet krijmtarisë ne shohim ideologjinë në operim”, nënvizon studiuesi dhe kritiku Terziu. Për këtë studim ka vlerësime nga poeti i njohur Agim Shehu, (sot në Zvicër): “I adhurueshëm për energjinë e veçantë në të shkruar, harmonizuar kjo me pjekuri mendimi e mprehtësi fjale. Nuk di ku e ka burimin kjo, në gjenetikë, në përvojë, apo në sedër fisnike për të shkarkuar grumbullimet në kohë të mendimit dhe ndjenjës së shtypur dikur!”. Naim Berisha e vlerëson kështu librin: “Kritikë dhe analizë me bazë. Kjo e bën studiuesin bashkëkohor Fatmir Terziu një kompleks në fushën e krijimtarisë dhe medias…”. Dr. Heather Nunn nënvizon: “Aspektte e trajtuara nga Terziu janë më shumë se një riprezantim i kulturës në rrafshin e saj krijues”. Dr. Charlotte Crofts përdor një sentencë të lakmueshme: “Shoh diçka më tepër se rëndësia për të lexuar”. Ndërsa Prof. Dr. Michael Chanan vëren: “Duket se bagazhi i njohurve të autorit sjell mjedis të lexueshëm dhe interesant”. Unë do të shtoja se vlerësimi dhe mendimi kritik i Dr. Terziut është si ajo bisturia e mjekut, vërtet e mprehtë, por që të krijon besim të plotë në shërim dhe në shëndet letrar të veprës që Terziu ka në dorë. Më duket se mendimi kritik i tij ndikon pozitivisht tek autori i veprës letrare, që kritiku ka kaluar në operim, sepse, përveç promovimit, mbart në vetvete një magji inkurajuese. Më duket se e përmirëson edhe autorin, edhe lëndën që poeti, eseisti a prozatori ka prodhuar; e përmirëson artistikisht, qytetarisht, krahasimtarisht me standartet e kohës, duke realizuar kështu një harmoni këndëshëm të pranueshme letërsi – qytetar. Emri i Fatmir Terziut njihet në disa fusha, nga të cilat po përmend kontributet e tij, përveç se në letërsi, edhe me librat studimorë, me esse e studime, kontributet në konferenca e simpoziume; është vlerësuar për disa filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë, për referate dhe kapituj në libra dhe në revista akademike. Në fushën e letërsisë dhe të filmografisë ka marrë vlerësime dhe çmime të ndryshme. Më ka bërë përshtypje dituria e tij dhe qetësia e të folurit, përherë e pranvertë. Ai shkruan me kompetencë shkencore dhe me origjinalitet për humanizmin që larëson krijuesin, për postmodernizmin, për estetiëk në “luftën “krijues – lexues”, për raportet krijimtari- media, media e vjetër- media e re, për Shekspirin e T. S. Elliotin, për Pjetër Budin, Frang Bardhin e Pjetër Bogdanin, për kodin etik të Kadaresë, shkruan për Dritëroin, Fatos Arapin e Azem Shkrelin, për veprën e Vilhelme Vranari Haxhirajt, të Rozi Theoharit, Mimoza Ahmetit, Fatime Kullit, Iliriana Sulkuqit, Luljeta Lleshanakut, Beatriçe Balliçit, të Jusuf Gërvallës, Teodor Laços, Agim Shehut, Petraq Ristos, Stefan Martikos, Primo Shllakut, Pëllumb Kullës, Naum Priftit, Lazër Stanit, Agron Tufës, Rudian Zekthit…Ai shkruan për poetin dhe folkoristin e shquar Spiro Dine, që na la thesarin e gurrës popullore të shkruar në “Valët e detit” (1908). Ai shkruan dhe për poetin e ri vlonjat, të talentuarin Andi Meçaj. Dr. Terziu është një mjek i letrar për kritikën dhe analizën e veprën letrare bashkëkohore. Aq sa është erudit, aq është dhe i thjeshtë me bashkëbiseduesit. I shikon si të barabartë njerëzit, me dashuri. Kjo ia rrit më shumë vlerat këtij njeriu me virtyte, pagëzuar nga dielli. Dëshiroj të theksoj dhe vlerësimin që bën shkrimtari ynë me emër, përkthyesi vlonjat Faruk Myrtaj: “Terziu është një krijues i mirëfilltë në disa zhanre: shfaqet usta me fjalën në poezi dhe prozat e tij, por i tillë është edhe me figurën e mendimit në filmat e tij”. Për poezinë e Fatmirit ka mendime të bukura. Pavarësisht moshës që ka (e çfarë është për poetin një gjysmë shekulli e pak?!), Fatmiri si çdo poet është rini, një rini që poezia e shpreh të përjetshëm, “ambasador” lirik të çdo zemre që dashuron. Vetëm një shpirt i thellë e i hollë e ruan të tillë erotikën në zemër për t’ua rikthyer të rinjve te vargjet e tij. Si në mbyllje, zemra e tij u thërret nga do që janë lexuesve me shpirt poeti pasi bota e meriton pagjumësinë e njeriut me shpirt të hollë poezie: “Zgjohu edhe natën, njeriu im”! edhe nëse poeti një ditë mbyll sytë, poezia e tij rri zgjuar si te yjet që pikojnë dritë, apo te mimozat që lëshojnë lule me ngjyrë yjesh. E thotë tejdukshëm e bukur i madhi Agim Shehu, se Fatmir Terziu edhe në publicistikë të le përshtypjen se ke të bësh me një penë që është poetike. Një poet, ku ndjenja përçohet përmes mendimit dhe figura ka shtrirjen moderne të saj. Ka shumë poezi të autorit, ku lexuesi ndalon për të shijuar figurën, gjetjen e bukur të saj, sa poetike dhe të qartë. Ato tregojnë se ke të bësh me poet të mirëfilltë. Kush ndërton një poezi a një figurë, di të bëjë gjithçka tjetër, mjafon të punojë me kujdes e përgjegjësi letrare sipër letrës. Fatmirësisht këtë ka realizuar Fatmiri ynë. Në takimin festiv të Llogorait, që mori dhe formën e një kuvendi poetik, u evidentua nga folësit se në poezi Fatmiri shkruan rrjedhshëm, me gjuhë të pasur, i saktë në sintaksë, i kompozuar mjeshtërisht dhe rrëmbyes deri në vargun e fundit, aq sa kur e mbaron poezinë e Terziut ke dëshirë ta lexosh sërish. Poezia e tij është një pemë “hijemadhe” në pyllin e madh letrar dhe ai është një krijues i analizës artistike, ku dallon brishtësia e shpirtit të ndjeshëm deri në dhimbje. Poezia e Terziut është së pari poezi e shpirtit, e ndjenjës së madhe, poezi e thëllimave dhe e gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese e drithëmojnë. Në betejat e përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut dallon si poezi e pjekur, kuptimplote. Për prozën letrare të F. Terziut kritika letrare ka vlerësime pozitive. Me prurjet e tij në gjininë e prozës së shkurtër (tregimit) dhe të prozës së gjatë (romanit) Terziu shfaqet tashmë si një figurë e lartë letrare e ndërgjegjes estetike. Spikat roli i tij letrar, dituror e didaktik në ringritjet nga harresat historike dhe kujtesës sociale etnike, duke rimbjellë në letrat e sotme shqipe romanin etnologjik, si dikur Petro Marko me romanin “Ultimatumi” (1972, 2002), etj. Herë – herë, shkrimtari e fut lexuesin në një botë që duket jo reale. E pakryer vërtet. Perfekte deri në qelizë. Ashtu si një rreth që kur rritet pafund, nuk është më rreth por vijë e drejtë. Tregimi i Terziut është tregim psikologjik, rrëfim nga zona midis botës reale dhe asaj imagjinare, ku njeriu ndalet, si në kufi, përpara së panjohurës, por me vështrim prapa. Mendimi i tij stepet, si një makinë që ndryshon marshin, para se të marrë rrugën drejt kryqëzimit të paradoseve për të gjetur zgjidhjen; aty ku perceptimi dhe arsyeja takohen, tregimi i Terziut është një ngjarje shqiptare e kohës sonë, ku gjithëkush përpiqet të shërojë plagët e shkaktuar, nga anonimët sigurisht, sepse të gjithë ankohen se kanë vuajtur. Por personazhet e kapshëm, që Terziu krijon, janë viktima të ostracizmit shoqëror e politik disa dekadash, dhe që tani përpiqen të integrohen. Ka edhe të tjerë sia at që enden natën; shohin, shkelin e lenë gjurmë të thella, por nuk shihen. Shkrimtari Fatmir Terziu përdor stilin konciz e dinamik. Dialogje të shkurtra si frymëmarrjet e ndërprera nga ankthe të ditës. Autori është një mjeshtër i romanit aksion, intrigues, në lëvizje, me tematikë aktuale, ku lirikja e dramatikja brenda librit duken si në një simbiozë të plotë. Në prozë autori përdor shkathët gjuhën filmike, kjo falë përvojës në fushën e filmografisë. Terziu ka siguri në të shkruar. Ka kontroll të përpiktë fjale. Veti prozatorësh të pjekur. Përgjegjësi fjale. Një nga temat e preferuara që rrok pena e tij është makutëria, grykësia, pangopja deri në përbindshmëri, vese këto që kanë lënduar shoqërinë, me plagët që i kanë shkaktuar, që dhembin e rrjedhin në realitetet shoqërore. Kritiku Vladimir Muça, i ftuar nderi në këtë takim, së bashku me Terziun, u ndal me dëshirë tek romani “Bunari”. Ndër të tjera, ai na tha se jo vetëm në gojën dhe mendje e personazheve, por dhe në mendjen dhe shpirtin e vetë autorit arrihet që fjala “Atdhe” të përdoret si lajtmotiv, si ndërgjegje, si një ëndërr e kahmoçme, si një dhembje e ngurosur në thellësi të bunarës së shterur e që loton gjak si në mitet e legjendat e kahmoçme të Motit të Madh, si një realitet po kaq i dhëmbshëm i ditëve tona. Romani jetësohet nën obsionet e një kataklizmoje të një mutacioni njerëzor, natyror, mes një deti hamëndësimesh të pashpresa, ku përmes spaciove poetike autori risjell me mjeshtëri mitikën legjendare të mbijetesës, si një spirancë jetësore. Çdo gjë fillon nga humbëtirat historike nga virusi i harresës me një diksion të pastër poetik. “Poezia është vërtetë një dhuratë nga Zoti” – na thotë Fatmiri fjalëqeshur mendimthellë, duke e quajtur veten të privilegjuar që u vlonjatizua aq shpejt në Principatën Letrare të Llogorasë. Ky është intelektuali që rrezaton dinjitetin dhe identitetin e botës shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, me të cilin kaluam një ditë të bukur në një kuvend letrar me një festë krijuesish në Llogora. E lashë për në fund rrëfimin për Princeshën e Hijshme të Letrave. Psenë do ta them në mbyllje që këtij shkrimi që do të vijojë pa fund, sa të rrojë krijmi i miqve të mi të mirë, sepse jemi miq nga letërsia, jo letrarë nga miqësia. Në fakt, Opusi letrar i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj – Heroinë e shkrimtarisë ishte sinqerisht në çdo fjalën tonë të shprehur apo të pathënë. Edhe kur flisnim për të tjerët, (brenda rrethit tonë letrar), emri dhe vepra e Princeshës përmendej, ishte i pashmangshëm. Numri i regjistrimeve të gjetura në Bibliotekën Kombëtare të librave të Princeshës është 32 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është 32. Ka të tjerë në prodhim. Ëshët gurrë krijimi. Kontributi i saj është gati në të gjitha gjinitë letrare, si romani, skica tregime, novella, poezia, në letërsinë për fëmijë, sidomos me romanin fantastiko-historik për fëmijë, fabula e gjëegjëza, përralla historiko-fantastike, përrallëza dhe tregime për vogëlushat deri në tetë vjeç, në letërsinë etnologjike dhe folkoristike, studime etj. Nuk do të ndalemi sot me profilin e saj letrar, sepse do t’i kushtojmë një shkrim të veçantë. Dy fjalë do të shkruaj për romanin më të ri “Loja e fatit”, që autorja na fali me bujari hyjnore atje, lart mes gjelbërimit të freskët e frymëzues të pishnajës, në sofrën poetike, në natyrë, si në mbretëri. Në 170 faqe libër, Mjeshtrja e Madhe e Punës Vilhelme Vranari Haxhiraj, me gjasë, ka derdhur tërë arsenalin letrar dhe kulturor, akumulim i përvojës së gjatë artistike, i gjenezës fisnike dhe emancipuese, i krahasimtarisë sipërore që autorja ka si parim. “Loja e fatit” befason deri në tronditje letërsinë e sotme. Princesha, me veprën e saj, ka dëshmuar dhe dëshmon se, falë vullnetit balzakian dhe talentit yllësor është shkrimtarja më prodhimtare, më e ndjeshme, më afër dhe zëfortë ndaj shqetësimeve socioshqiptare këtë çerek shekull, mbi të cilin ecim. “Loja e mëkatit” nga Dr. Terziu u cilësua si një roman i shkruar me stilin e Xhejms Xhojsit (irlandezit me famë boërore James Joyce, 1882-1941). Autorja në të gjitha veprat e saj i ka kënduar me shkronja shpirti si lule shqipe lirisë, dashurisë, emancipimit, të bukurës, të vërtetës. Ashtu sikurse Xhojsi tek “Uliksi”, që në kërkimin e tij madhor estetik e eksperimental montoi “strukturat e thella” të fjalës, me një punë “inxhinierike” mbi trajtat e errëta të komunikimit gjuhësor, nga strukturat e anglishtes dhe preku rrënjët arkaike të të folurit, edhe shkrimtarja shqiptare me origjinë nga Kont Vrana i Kaninës, ka një prurje moderne në kuptimin e plotë të fjalës, veçse, nuk “monton” si Xhojsi, por i burojnë së brendshmi, vetvetiu “strukturat e thella” të fjalës, buisur në Shqipëri, në Vlorë, në Kaninë, në Llogora, bekuar nga Pisha Flamur. Siç shkruan Terziu, me “Lojën…” nis me një narrativ linear, të tendosur, me një stigmë që kapërcen det, tokë, dritë, ajër, bunker dhe izolim, madje shterpëzon konceptin njeri në itinerarin jetë- vdekje, liri- bunkerizim…, duke sfumuar në këtë gjysmë ferr fate njerëzish, madje edhe të një foshnjeje të braktisur që bëhet më pas ulërimë e kontekstit. Narrativi i strukturuar bukur e thjesht, në një formë sa të kapshme e po aq të pastër dhe të pasur në gjuhë e në lexim…, pasi plagët që shëron Vranari, kanë qenë, janë dhe do të mbeten debat i kudogjendshëm”. Ndërsa kritiku Vladimir Muça shtoi: “Nga një ngarkesë e tillë estetike, mëkati…ka marrë përmasat e universalitetit nga pena mjeshtërore e Vilhelmes si: mëkat moral, shoqëror, ekonomik, ndërshtetëror e institucional”. Të ngelet në mendje simbolika e personazheve, tipologjia strukturore, vizioni vranarian i realitetit, risia e narracionit, eksperimentet stilistiko- gjuhësore që na sjell letrësia e Vivrës (Vilhelme Vranari Haxhiraj)… Me pjesëmarrësit në këtë festë letraro – kulturore u zhvillua dhe konkursi i recituesve me repertor nga krijimtaria poetike e Princeshës. Qe vërtet një mrekulli realizimi aq emocional, ndjesor dhe me nivel artistik, gati sikur poetët e Llogorasë të ishin aktorë profesionistë. Në fakt poetët janë artistë. Kryeartistë janë. Në fund juria bëri vlerësimin dhe shpalli fituesin. Vendin e parë për recitim me nivel të lartë interpretativ dhe emocional e meritoi (me vota të hapura) poeti fierako – kaninjot Gentjan Banaj. Gjithë mikrofestivali artistik pati një udhëheqës artistik, një regjisor patjetër. Improvizimi, krijimi, investimi dhe regjia qe e mjeshtrit altruist Fitim Haxhiraj. Fitimi është emblema e sakrificës për letërsinë dhe artin në Vlorë. Vilhelmja dhe Fitimi kishin 50 vjetorin e martesës. E festuan me më të dashurit e tyre: me nipat e mbesat, që lulëzojnë freskët si lule maji dhe me ne, miqtë e krijmit. Festa dhe dreka me këtë rast qe tamam për mbret. Në Llogora. Pranë Zotit të Vetëtimave, afër Perëndisë së Krijimit. Çika sipër na flladit e na rreh ballin me erë mali, dhe Joni poshtë na mjekon e na shëron këmbët me jod deti. Për udhëtim. Për udhëtimin tonë letrar të pandërprerë…

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, kuvendim letrar, Llogara

Për poezinë dhe poetin

October 24, 2015 by dgreca

Zëri unik i poetit Xhevdet Bajraj në vëllimin “Copa ime e qiellit”/
NGA VIOLETA ALLMUCA/
Shkrimtare/
Në çdo kohë poeti gjithnjë vështron diçka të padukshme brenda e jashtë qenies së tij. Pastaj ai e zbulon botën nëpërmjet fjalës, ëndrrës, kohës, endjes, dashurisë, vetmisë, kujtesës apo metaforës duke e bërë botën të dukshme. Në qiellin e madh poeti Xhevdet Bajraj kërkon hisen e tij. Në zgjim, vargjet pothuajse melankolike i lindin pa pikëpyetje, i rrjedhin si mollët e pjekura, i qasen si atdheu, e përgjumin mbi një cigare të fikur. Në tymin e saj është liria, helmi, rrezet e fshehura të diellit. Aty është edhe poeti, koha dhe hapësira e tij poetike. Më herët kam lexuar disa poezi të Xhevdet Bajrës dhe jam befasuar. Në thelbin e tyre kam zbuluar, se autori që kishte ardhur nga një qytezë e vogël e trojeve shqiptare shkruante më shumë për dimrin e vendlindjes se sa për verën djegëse të Meksikës. Pra Bajraj i ishte nënshtruar poezisë po aq sa i është nënshtruar paqes, vendlindjes, emocioneve, jetës e realitetit. Xhevdet Bajraj është një profet i artit të fjalës dhe na bën ne të flasim me poezinë, me botën, me kohën duke krijuar hapësirën e tij artistike. Teksa përdor figurat letrare për të ngjizur vargun, ai u jep atyre jetë dhe zë për të komunikuar me njeriun. Poeti kërkon vetëm një udhë, aty ku shkohet tek vargjet, ku gjen frymëzimin, dhimbjen, shpresën edhe kur ka pezm. Prandaj poezia e tij ka peshën e fjalës, si aleatin më të mirë të krijuesit. Çka është më e veçantë, Bajraj i bindet poezisë po ashtu siç edhe poezia i përulet poetit. Secili ka trashëgiminë e tij. Gjatë ditënatës ata kanë diellin dhe hijen e tyre. Mëngjeseve fjala kryqëzohet nëpër imazhet e fytyrës së njeriut, atij njeriu që nuk i mungon asgjë, përveç hapat në një tokë ku ka lënë peng shpirtin. Ai bën dialog me vargjet duke përdorur ndjenjën e brendshme për të kërkuar të vërtetën filozofike, kundër së keqes, ose monolog me veten kundër konfliktit njerëzor. Duke urryer luftën ky poet i lirë është i dashuruar me lirinë. Kurrë nuk kam pranuar që një shkrimtar ta krahasoj me një të ngjashëm si vetja e tij, pasi nga ngjashmëritë nuk duhet të përfitojë askush. Poetët nuk mund t’i zgjidhin problemet e globit por mund të shkojnë tek krijimi nëpërmjet lirisë së fjalës. Vetja e vërtetë e këtij poeti krijon një fluks paralel me botën e madhe përreth lirisë njerëzore. Ja çfarë shkruan ai tek poezia: “Në këngën time”: Nëse në këngën time hasni një njeri, në ditën me diell, tek pi ujë në lumë, me gjunjët mbi gurë, e lini të qetë, ai u lind i lirë. Të gjithë poetët i këndojnë lirisë, por me zërin tokësor poeti Bajraj shkruan për lirinë e munguar të atdheut të vërtetë. Secili i këndon lirisë sipas kultit të tij! Liria nuk ka hapësirë. Është e pafund. Pse Bajrës i rikujtohet atdheu? Sepse ai sigurisht i mungon. Pa atdhe sipas gjasave nuk mund të ndjehesh i lirë. Mund të zenë dhimbjet, të shfaqen sëmundjet, të shohësh ëndrra dimri. Kjo është pastaj një zhgjëndër e vërtetë. Le të shohim përsëri vargjet e tij. Në poezinë “Maja e vetmisë” poeti shkruan: Diku në dhe të huaj, në emër të lirisë, bredh nëpër botë, apo në poezinë: “Valle me Fyell” poeti thotë: Lumi i gjakut doli nga shtrati, Ç’ves, dikush jeton përditë, e unë përditë vdes! Në poezinë “Paqe” Xhevdet Bajraj revoltohet nga mëkatet kundër lirisë: Botën e përzë nga dhoma me të mbyllur dritaren, flamurin kuqezi e ruaj për varr. Një poet me kulturë universale me ide e një stil po aq universal në boshtin e origjinalitetit të tij poetik sjell atë, që në poezinë e sotme njihet si çlirim i shpirtërores. Çdo varg i këtij poeti ka një metaforë. Ky frymëzim magjik me ndjeshmëri të thellë, me fuqinë e fjalës, realisht i bën vargjet që t’i përshkojë një rrymë e brendi dashurie të cilat na bëjnë ta konsiderojmë këtë poet, një vlerë të madhe të poezisë shqiptare. Tek lexoj me emocione poezinë “Diku Përtej Oqeanit” më lind pyetja: pse shamija e dhimbjes ndjek diellin dhe pëllumbi ulet mbi një gur varri, si plis i gjallë, ku diku përtej oqeanit, një burrë qan shqip. Sa madhështi ka poeti në këtë poezi meditative veshur nga metaforat! Kush qan përveç një poeti kaq të talentuar? A nuk i ka poeti ëndrrat, pëllumbat, varret, simbole poetike dhe pse ëndërron vetëm shqip? Pse ëndrra kthehet në vargje për një copë Shqipërizë? A është Xhevdet Bajraj një poet që burim frymëzimi ka atdheun dhe që ende bën lutje shqiptare? A ka poezia e Bajrës reflekse surrealiste? E kam menduar edhe këtë! Ai shkruan për ëndrrat e njeriut shqiptar, ashtu siç shkruan edhe për botën, pasi trualli i tij poetik lutet për paqe! Krijuesi e ka fituar betejën me poezinë duke e mbushur atë me jetë. Tipizimi universal i spektrit krijues përshkohet nga mesazhe të thella ku emocioni dhe perceptimi i dedikohet një ëndërrimtari të përjetshëm të shpirtit njerëzor. Tek profili i tij krijues janë ngjizur bashkë nëpërmjet ideve filozofike, talenti artistik dhe identiteti poetik. Është mesazhi që vjen nga gjuha e shpirtit e cila është gjuha e të gjitha poezive që të magjepsin me shprehësinë dhe vizionin e lirisë universale e cila harmonizon energjinë e krijuesit me vargun e lirë, formën dhe figuracionin. Tematika poetike e ndjeshme për lexuesin e gjerë do ta bënte këtë poet të mrekullueshëm të udhëtonte me lexuesin në ballë të poezisë shqipe dhe më gjerë. Ai është padyshim sot njëri nga poetët më të mirë që ka krijuar përmasën e tij të veçantë artistike, një mjeshtër i vargut të zgjedhur me fuqinë e shprehjes letrare, me një ndjeshmëri të thellë dhe gjuhë të pastër shqipe e cila latohet e sjell tingullin poetik. Ai e shndërron ëndrrën në një himn poetik. Ja një poezi që më ka mbetur në mendje “Ëndërrime“: I strehuar në një shpellë të fildishtë, lëpij plagët në hijen e kujtimeve, O Zot, më fal që ëndërrova aq shumë, dashuria ishte tepër larg, e jeta ishte tepër e shkurtër. Ai e kthen në shpresë e dritë të pafundme ndjenjën e prekshme rrezatuese, të bukurën e dhembjen si një vlerë estetike me frymë. Ta bësh këtë nëpërmjet vargjeve është një akt përpos artistik edhe njerëzor. Është si ta pushtosh botën dhe njeriun pa luftë, por me dashuri. Këtë mund ta bëjë vetëm një poet unik që na ka pushtuar të gjithëve duke ëndërruar dhe kënduar shqip në universin e madh të poezisë.

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: “Copa ime e qiellit”, i poetit Xhevdet Bajraj, Violeta Allmuca, Zëri unik

KATER TE URTET E QYTETIT TE BARDHE

October 23, 2015 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/
Ai qytet kundrejt Tomorit e Shpiragut hijerëndë, struket afër e prapa mureve të Kalasë, ku rreh era e rreptë e fëshfërimës, prej kohësh të zhdukura nën pluhur rrënojash e arkivash. Edhe sot ditë e natë lumi, mbledh përrenjtë që zbresin nga malet,i ngjesh në kenionet e thepisur, pastaj i derdh në pellgje e zallishten e gjerë, herë-herë e përgjakur pas krismave dhe kalon qetë-qetë përmes qytetit e poshtë një urë me shtatë harqe që u rrëfen valëve ndodhi të dhimbshme. Më tutje shtyhet drejt një dige e nën një urë betoni, që bashkon veriun me jugun e hapet sërish drejt brigjeve e maleve të përgjumur. Atje merr djathtas e takohet me një lum ujëplotë. Së fundi të dy tok zbresin në breg, zhyten ndër dallgë dhe treten në detin e lirë.
Në atë qytet sokakët, portat, muret, çatitë, dritaret, pemët e hijet, flasin me larminë e ngjyrave,ndërsa tempujt e faljeve me shkrimet e shenjta. Dikur rrugët e sheshet, gjallëronin nga ardhja dhe ikja e karvanëve me fshatarë e kafshët e ngarkuara me mallra. Papritur gjëmonin armët nga Kalaja dhe mbi urë dukej tek vraponte vargu i ushtarëve.
Ndryshe nga çdo qytet,për shkak të vjetërisë që humbet në terrin e shekujve, nuk është gjetur e vërteta e emrit të këtij vendbanimi të çuditshën,me shtëpi të kapura fort në shkëmbinj humnerash.Thonë,se ai është krijim mjeshtrash artistë e piktorësh të panjohur, i sunduar nga perandorë, mbretër, princesha e pashallarë, përballë kapedanëve e rilindësve me flamurin kuq e zi. Dijetarët kërkojnë kuptimin e emrit të qytetit, lumit e maleve përqark. Mendimet përplasen njeri me tjetrin.Shumë syresh ngulin këmbë, se vetëm emri ilirian me ato zanore kumbuese, Partha, i gdhendur në mermerët e zbuluar, ngjan me emrat Bardha ose Berat, për të cilin mijëra të ikur për shkaqe nga më të ndryshmet, kanë mall, edhe për gurët e sokakut. Por jeta, rrjedh si lumi me valë, Osum, ditën nën diell, kur ngrihen themele e çati, natën me hënë, kur shemben mure e harqe portash. Legjendat e përrallat e frikshme vijojnë në qytetin e dritareve-yje,me ato pamje mahnitëse në kaltërsi, apo nën retë e zymta, i njohur dikur për këngë e festa gjithëfarësh, për kishat e xhamitë, teqetë e tyrbetë, kambanoret e minaret, sahatët, urën me shtatë harqe; për pazaret e dyqanet, hanet, përmendoret, parqet, puset, bahçetë mbi shkëmb e buzë lumit, remën e çikrikët e vaditjes. Kujtesa ringjall emra e shprehi të harruara, si „Bishti i Urës,“„Hani i Fëshfërimës“,“ Shkëmbi Çek Beni“,“Shpella e Memecit,“ „Hani i Nushit“, „Ku dridhen qerret“,„Sarajet e Pashallarëve“, „Lëmi i Shamatasë“, „Lëmi i Plygut,“„Rruga e Kazanxhinjëve,“ „Zarizana“ e shumë të tjerë. Edhe pse, gjatë viteve të regjimit socialist, u dëmtua dhimshëm, sot kush ka fatin ta kalojë natën në ato shtëpi plot ajër e murmurima ujrash, as fjetur e as zgjuar, ndihet sikur prehet në qiell. Pavarësishit nga niveli ekonomik e kulturor nga këto shtëpi kanë dalë burra e gra, të cilët i bashkonte shpirti romantik dhe dashuria për qytetin me tërë bukuritë dhe njerëzit e vet.Shumica, me nderim për çdo fe, bujarë e mikpritës,mësues të përkushtuar, të aftë për letërsi, art e shkencë,zejtarë-artista të palodhur, guximtarë në tregti,të urtë në mendime,të ftohtë ndaj politikës.
Katër nga ata të urtë jetonin në anën nga bie dielli, në mahallën e qetë me sokakët e paharruar, pranë Sarejeve-rrënoja, ku natën trembej gjithkush nga ajo vetmi.
* * *

Xha Avdyli
Më i urti nga banorët e asaj mahalle ishte xha Avdyli, me takie, i zeshkët, i qeshur e misterioz. Na pëlqente ta përshëndesnim udhës kështu:
-Mirëmëngjesi, pep Dydyl!
Ai na përziente flokët e përgjigjej:
-Mirëmëngjesi, trimat e Dylit!
Avdyli jetonte në një shtëpi të heshtur, pak larg nesh, me plakën e mirë, xho Gjylen. I biri punonte vozaxhi në pazar.Në çastet kur hapej porta e vogël,dukej shtëpia përdhese e bardhë, oborri me kova e shtëmba për ujë, shporta e kosha për kapjen e ngjalave, litarë e rrjeta për peshkim. Rrëfenin se ai, pat ndërruar, siç thonë në atë qytet, tre zanate, nga samarxhi në nallban, së fundi e mbylli si vozaxhi.
Sapo u largua nga punishtet, Avdyli nisi të merret me punë të tjera. Në shkurre buzë lumit priste me sëpatë e nagaçe degë të gjata. Në shtëpi i gdhendte hollë e hollë për thupra.Pastaj deri në orët e vona me to thurte kosha për ngjala dhe shporta për peshk. Me spango e litarë përgatiste rrjetat e grepat për peshkim. Kur dëgjonte uturimën e lumit linte çdo punë e nxitonte për në breg. Atje, futej deri në bel në rrymën e turbulluar e kapte me shportë peshqit gojëhapur që dihasnin në sipërfaqen e lumit. E shihnim Avdylin mbi shkëmb tek hidhte grepat në pellgjet e thella. E shihnim buzë lumit tek hapte krahët e hidhte rrjetën ndër valë. Avdyli ishte edhe druvar i shkathët. Ai nuk shkonte për dru në asnjë pyll. Miku i tij bujar, lumi, kur vinte i egërsuar nga grykat e maleve mbulonte kumsallën me llum, drurë e shkarpa. Avdyli përgjonte ditë e natë ushtimën e tij. Aty nga ora pesë e mëngjesit, merrte triciklin, ecte duke e shtyre nëpër sokak, kalonte urën e vogël afër Teqesë së rufaijve, ku kryhej riti i faljes me shisha apo shtiza e thika e hyntenë kumsallë. Sapo vinte re, se lumi qe tërhequr në shtratin e vet, ecte nëpër zallishten e mbushur me degë e trungje këputur nga pyjet. Pastaj si djalë i fuqishëm i mblidhte poshtë e lartë, i priste me sëpatë e nagaçe e së fundi i ngarkonte në tricikël. Ndërsa punonte ia merrte këngës‚ „o këndo moj qyqe se po vjen behari…“
I mësuar me peshk e ngjala, iu shkrep të kapte mbi ujë e nën gur, edhe nëpërka. Ashtu siç qenë, i mbështillte në disa shami të bardha, i fuste nëpër xhepat e këmishës e të xhaketës dhe ecte udhës. Një ditë tek kthehej nga peshkimi, me shportë në dorë, e rrethuam dhe iu lutëm të shihnim se ç‘kishte zënë. Ai u ndal, nxori një shami nga xhepi i këmishës dhe e hapi. Ç’të shihnim! Një nëpërkë e frikshme me sy të ndritur, duke lëvizur kokën djathtas e majtas dhe trupin e lakuar e të bukur, u ngrit mbi pëllëmbët e tij. U zbrapsëm të tmerruar, krisëm e ikëm në pikë të vrapit. Tre gra të mëhallës tek fshinin para portave, flisnin edhe për punët e fshehta të Avdylit.
-Mirë, peshqit e ngjalat i zë dhe i nxjerr në pazar, po nëpërkat kujt ia shet?- tha e para.
– Ku ta dish, beqma i çon në spital- ia ktheu e dyta –
-Unë them- pëshpëriti e treta- ia çon një plake në Palikësht, që merret me magjira…
Qysh atëhere, atë njeri me nëpërka në gji, kur e hasnim udhës, kalonim anash me dridhmë, por nuk harronim përshëndetjen:
-Mirëmëngjesi, pep Dydyl!
Ai përgjigjej buzagaz:
-Mirëmëngjesi, trimat e Dylit!
Një ditë u përhap një lajm i hidhur, se Xha Avdyline pat pickuar keqas një nëpërkë jeshile. Që nga ajo ditë e trishtuar, nuk e pamë më të dilte në breg të lumit. Thanë se kishte shkuar në botën tjetër.

Xha Hekurani

S‘më del nga mendja as xha Hekurani, një burrë i pakët nga trupi, por me muskuj çelik. Jeta, përveç të shtunave, në darka e saze me miqtë e vet, i kaloi nga shtëpia në punë, nga puna në shtëpi. Fjalëmbël, si askush, rruhej me kujdes e qethte flokët zero. As pinte, as nxehej, as shante njeri.Në lagje ushtronte dy punë. Në orë të caktuara të çdo jave, ai hynte pa trokitur në çdo shtëpi dhe pastronte gropat septike.Çdo darkë e shihje te furra pranë fushës së druve, tek nxirrte tavat dhe tepsitë, me pula e gjela deti, mish qengji, byrek, bakllave e kadaif. Ndërkohë merrej, edhe me bukët e simitet. Çunat, nga ata të Mejdanit, që s’linin dy gurë bashkë, kohë pa kohë,hynin në furrë dhe e ngacmonin xha Hekuranin e mirë:
-Xha Hekuran, ai ke larë ato duart e qyrekut të zi, para se të ngacmosh thelat në tavë?
Ai kthente kokën me sytë e ndritur nga flaka në grykën e furrës e përgjigjej urtë duke qeshur:
-A i biri Sadushes, shih po s‘i thashë sat‘ ëme, nesër në mëngjes!
Banushi
Për zemërbardhë njihej nga shumë vetë, sidomos Banushi, i dalluar në shkollë mbi të gjithë në matematikë. Disa nga ata, që nuk u mbyllej goja, e fyenin prapa shpine. Kur dikush e pyeste, se nga ç’vend ishte, ai përgjigjej krenar: „ne jemi stërnipat e luftëtarëve nga Egjypti i lashtë.“ Banushi ky djalë gjatosh, tip sportiv, punonte në kovaçanën e Dalipit në rrugën e zhurmëshme të kazanxhinjëve, ku kalimtarët merreshin vesh duke bërtitur me zejtarët ose ndërmjet tyre. Ai vinte në punë e kthehej me biçikletën e markës gjermane „Nauman,“ me goma pothuaj si të motoçikletës, me dy zgara të mëdha, njera përpara e tjetra prapa. Me këtë dyrrotak të hekurt, që lëvizte pa pikë benzine, me arka druri në çdo zgarë, të shtunave shkonte në fshatrat rreth qytetit e blinte kallinj misri të njomë për tezen e cila i shiste të pjekur në hyrje të parkut. Banushi në kohë të lirë me biçikletë, sillej rrotull nëpër sokakët me kalldrëm të lagjes. Rreth tij mblidheshin kalamajtë e mëhallës për të parë nga afër biçikletën e madhe.
-Hipni çuna!- u thërriste më të vegjëlve.
Ata tureshin me zhurmë drejt tij:
-Të hipi unë?
-Po unë?-
-Po mua?
-Të hipi dhe unë?
-Po ne?
Pastaj „Naumani“ merrte pamjen e një kali asgan që vraponte me tetë kalamaj mbi shpinë, tre në zgarën prapa, dy në zgarën përpara, një mbi timon, një mbi hekurin e mesit e tjetri kalaqaf. Prapa tyre sulej turma e fëmijëve me thirrjet:
-Jepi Banush! Jepi Banush! Nadal o Banush!
Pas disa muajsh Banushin nuk u pa më me biçikletën e rëndë. Disa thanë se punonte tek një tregtar nga Gorica,shofer kamioni me ullinjë të Biftës, në rrugën Berat-Korçë dhe Berat- Gjirokatër.Në kohën e luftës i la të gjitha punët e doli maleve.Aso kohe ëndërronte ta mbanin kapter në transportin e ushtrisë, por deri më sot nuk dihet më asgjë për fatin e tij.

Mësues Llazi
Por njeriu më i dëgjuar në tërë qytetin, qe mësuesi ynë i fillores, në klasën e parë, z. Llazi. Aso kohe qe një vit i shqetësuar, kur bota digjej e tronditej nga luftimet në tokë e ajër, në dete e oqeane. Para se të hynim në klasë,këndonim të rreshtuar këngën e higjenës të krijuar nga mësues Llazi. Me atë trup të bëshëm, të prerë shkurt, i veshur pastër, me kostum, kravatë ngjyra-ngjyra, këpucë të lustrosura për bukuri, ai dukej në shkallën e tretë të shkollës, ngrinte dorën dhe ne këndonim gjallërisht. Nga ajo këngë e çuditshme më kujtohen vetëm dy vargjet e para: „Përherë mësuesi na thotë, /për pastrimin kush e do…“/ Mësimi i shkronjave ngjante me orët e këndëshme të vizatimit dhe këndimit të librave me përralla. Për çdo shkronjë mësues Llazi rrëfente një përrallë dhe vizatonte në tabelën e zezë, djalin me top mbi kokë, për shkronjën „i“, vajzën e lulen, macen e qenin, e kështu me radhë. Kurse në orën aritmetikës ndryshonte mënyrën e shpjegimit. Nxirrte nga xhepi katër lekë metalike, qasej tek një bankë dhe i kryente veprimet mbi pëllëmbën e nxënësit:
-Një lek edhe një lek, bëjnë dy lekë; dy lekë edhe dy lekë, bëjnë katër lekë. Pastaj nxitonte për në tabelën e zezë, merrte shkumësin, shkruante dhe na pyeste:
-A e kuptuat nxënësit e mi?
Ne i përgjigjeshim njëzëri:
-Pooo!
Mesues Llazi me një nxënës që kuptonte numrat vetëm në greqisht, veprimet i kryente kështu:
-Ena lek, qe ena lek, kanun dhio leka; dhio leka qe dhio leka, kanun tesera leka.- Pastaj e përsëriste ne shqip.
E kështu më në fund nxënësi i hutuar nga ky përkthimi paqartë mezi e mësonte atë farëaritmetike.
Pa le kur mësuesi ynë, rrefente përrallat!Me librin mbi tryezë, ulur në karrike, teksa lexonte, njërën nga duart e lëvizte, sa majtas e sa djathtas. Na pëlqenin sidomos përrallat: „Lepuri e lakrat e kopshtit“, „Dhelpra, pulat e koteci“, „Ujku, gjingjat e bariu.„
Mësues Llazi punoi edhe në vitet e para të pasluftës, kur ndihej një frymë e re, që nisi të hynte dhunshëm në jetën e sjelljen e shumë vetëve. Me bilbilin varur në qafë, ai stërviste nxënësit për ecjen rreshtore. E shihje tek vraponte nga kreu i rreshtit, në mes,e në fund, me urdhërin e prerë:
-Një-dy! Një-dy! Ndal! Prapa kthehu!
Ditën e parakalimit të shkollave,i shqetësuar përqendrohej i tëri me gjallërinë e një plaku në prag të pensionit.Njëzetë metra përpara tribunës, kalonte nga urdhëri, një-dy, në urdhërin, kini mendjen!- kini mendjen!
Neve më shtatgjatët nga fundi i rreshtit, ngrinim zërin e përgjigjeshim:
-Mendjen e kemi!…Mendjen e kemi!

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Xh Deshnica, E QYTETIT TE BARDHE, KATER TE URTET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 428
  • 429
  • 430
  • 431
  • 432
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT