• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një libër si leksion për pushtetarët

October 14, 2015 by dgreca

“Shenjtëri të vjedhura” të Naun Kules/
(esse)/

Nga Përparim Hysi/

Kisha shumë arsye për ta lexuar librin e fundit”Shenjtëri të vjedhura” të shkrimtarit Naun Kule. Së pari, jemi nga një “nahije” dhe, së dyti, prej kohësh, dhe kemi qenë kolegë. Naun Kule veç punës si mësues i gjuhë-letërsisë, ka debutuar në fushën e letërsisë, këtu e gati 50-vjet të shkuara. Natyrisht, gama e botimeve të tij, gjatë kohës, jo vetëm është rritur, por dhe është zbukuruar. Tek po nis të shkruaj për të, nuk di pse më vinë ndërmend ca vargje që thuhen për kokrrën e grurit( më thërret geni im i bujkut, den babaden): ” Kokrrë e grurit, piciruke/ ku je fshehur dhe s’po duke/… dhe, për mos mërzitur lexuesin, vargjet vazhdojnë “… ca prej ujit/ ca prej dritës/ unë u rrita/ ditë pas ditësh/. Gjithmonë, bëj analogji dhe, tek flas për grurin, kështu ka ndodhur dhe me Naun Kulen.
Ka filluar të botojë që nga viti 1979 dhe, deri tani, ai ka botuar 11 libra ku veç librave artistikë, ka shkruar biografi të letrarizuara, monografi dhe, të tilla me vlera të pakontestueshme historike, si”Shenjtëri të vjedhura”, të cilat kërkojnë të hulumtosh arshivave dhe dokumenteve që nuk është as lehtë për t’i gjetur dhe, ca më shumë, të ngulësh “bririn” mbi to. Në këtë libër, më tepër se kurdoherë, Naun Kule më afron Demostenin e lashtë ( ai , i mbyllur në atë vozën mitike). qëkur e pyetën, pse qe mbyllur kështu, tha: ” Kam harxhuar më shumë vajë se verë”. As më shumë dhe as më pak, kështu ka ndodhur me Naun Kulen.
* * *
Duke shkruar librin “Shenjtëri të vjedhura”, Naun Kule sikur e ka vënë “kryqin” mbi shpinë. Si intelektual me mizur patrioti, ai është bërë misionar i së vërtetës. Dhe mos kujtoni se, me të vërtetë,është aq e lehtë të thuash dhe të luftosh për të vërtetën. A mos u çuditni: nuk është se po hiperbolizoj, kur shkruaj kështu. Kemi 25-vjet demokraci dhe shtetarët ( të djathtë e të majtë) kanë vënë syze të zeza dhe veshët i kanë zënë me dyllë dhe nuk duan t’ia dinë që, për njezet e pesë vjet me radhë, ia kanë hequr “autoqefalinë” Kishës Ortodokse Shqiptare. Në krye të KIshës Shqiptare qëndron e sot e kësaj dite, MISIONARI GREK, JANULLATOS! Pra, Kishës Ortodokse Shqiptare i kanë hequr skalpin. Dhe jemi para një fakti shumë kokëfortë: ndërsa Zogu gati mbi njëqind vjet më parë , niste me avion të posaçëm At Visarion Xhuvanin në Rumani vetëm e vetëm për pavarësinë e Kishës Sqhiptare, shtetarët e sotëm, bëjnë sikur nuk e vënë re, që kreu i”importuar” nga Greqia nuk psallt shqip.Shkoi me mend aty nga vitet ’30-të, të shekullit të kaluar kur Çajupi shkruan tek vjersha “Misiri” :”… dhe, mbi të gjitha, një efendinë/qeveris vendin nën Anglinë/. A thua t’i dinë këto vargje shtetarët tanë në lidhje me “autoqefalinë” e Kishës Shqiptare? Dhe bërtet Naun Kule:” Hirësi, ZOTIT, i flitet dhe shqip”. E fillova me Janullatosin se ndaj të njëjtin mendim me Naun Kulen dhe me shumë shqiptarë të tjerë!
* * *
Pa modesti të rreme, e heq veten si pak poet. Mbaj mend që në një nga poezitë e mia kam thënë: ” Një vend nuk e prishin njerëzit e ligj/ Se njerëzit e ligj në çdo vend, numërohen me gishta/ Një vend, më shumë se çdo tjetër/ e prish heshtja e njerëzve të mirë. Tek i sjell, në vija të trasha, këto vargje, them se Naun Kule jo vetëm nuk hesht, po e bën zërin kambanë që të shkallmojë “veshët me dyllë” të atyre që kanë më shumë”merita”, sa me shurdhin që bëjnë dhe aq me miopinë proverbiale. Karizma e Naun Kules sa vjen e bëhet më e bukur, kur me fakte e dokumente historike, i heq “zhgunin mitik”, një të ashtuquajturi “shenjt” siç është “Shën Kozmai”. Ky,”Shën Kozmai”, misionar grek i dërguar në vendin tonë në kohën e Ali Pashë Tepelenës, ish aq”shenjt”,sa mallkonte gjuhën shqipe dhe, si i dërguar me mision të posaçëm, e quante të “shenjtë” veç gjuhën greke.
As dua që të merrem me historizma, por dua të theksoj,se,sado që Kozma Etolit iu pre koka, për të u ngrit një manastir në Kolkondas të zonës së Libofshës në Fier dhe u”shenjtërua” duke i veshur një zhgun mitik. Aq u pompua ky”shenjt”,sa “fama” e tij gojarisht u amplifikua deri në legjendë dhe, çudia më banale, qëndron se ai “Shen Kozmai” u personalizua si shenjt deri në popullsinë myslimane, me një përshtatje ndajshtimore, si “Çoban babai!!!!”. Natyrisht, me një padituri ekstreme të asaj kohe, ishte lehtë të “martirizohej” dhe të “shenjtërohej” çdo misionar, por, realiteti që vret, është se dhe, pas dyqind vjetësh,”litari” mbi varr të këtij “pseudoshenjti” qëndron ende. Për të treguar,se i ashtuquajtur “shenjte” e ka varrin “në tokën e tij”, sipas Karlo Papuliasit, ka një domethënie me prapavijë të qartë. Naun Kule nuk është as kundër fesë kristiane,as cilësdo feje tjetër. Rritur në një familje që kishën e kishte si shtëpi të dytë ( i ati kaqenë psallt), ai me guximin proverbial për t’ia zhveshur zhgunin mitik, këtij misionari grek me emrin Kozma Etoli, më kujton një murg rus, Sergei Trufanovin që i zhveshi zhgunin mitik, sharaltanit Rasputin. Sergei Trufanov, pse iu kundërvu, sharlatinn Rasputin, u quajt “murgu i marrë”. Dhëntë zoti,- them dhe shkruaj,- mos quajnë të “marrë” dhe Naun Kulen që si intelektual dhe patriot, ngre zërin dhe thotë një të vërtetë që bën mu.
* * *
Në qëndrova dhe shkrova për Naun Kulen dhe librin e tij “Shenjtëri të vjedhura”, nuk kam si mos shtoj për lexuesin dhe këto: “… shko, gërmo nëpër arshiva dhe, po shkrove mirë për “Shën Kozmanë”, ne do të mbajmë mbi kokë”. Ky është propozimi i sponsorëve grekë. Por Naun Kule në vend të zgjidhte që të qëndronte”mbi kokë”, preferoj të jetë i varfër, por i ndershëm dhe mbi tokë. Nga ky qëndrim, nuk ke se si mos mbresohesh, me të vërtetë, në këtë kohë të mbushur me “patriotë dallkaukë” që bashkë me shtetarët janë kthyer në pragmatistë të kulluar.
S’kam si mos them për Naun Kulen, ato fjalë që ka thënë Presidenti i parë i Amerikës, GEORGE UASHInGTONI
:” Unë më mirë vdes,se sa të shtrëmbëroj të vërtetën”. Dhe Naun Kule veç ka thënë të vërtetën. Vallë, mos ka bërë pak?
Tiranë, 14 tetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Naun Kule, Një libër si leksion, për pushtetarët, perparim Hysi

NE 84-VJETORIN E DRITERO AGOLLIT

October 14, 2015 by dgreca

NGA THANAS L. GJIKA/
Disa zoterinj bene mire qe perkujtuan ne disa gaza ne atdhe dhe ne diaspore ditelindjen e dy krijuesve te shquar te letersise shqipe te cilet me 13 tetor 2015 kishin pervjetorin e lindjes se tyre, te MIGJENIT dhe Dritero AGOLLIT. Artikullshkruesit u njohin te dyve vlera te njejta, i konsiderojne krijues shume te talentuar, gje qe eshte pjeserisht e vertete. Nuk duhet te harrojme se midis ketyre dy krijuesve ka dallime te medha. MIGJENI ishte nje shkrimtar realist dhe opozitar ndaj regjimit ne fuqi, nje engjell qe tregonte plaget e popullit, kurse Dritero Agolli ne vitet 1958-1992 ishte krijues qe shkroi sipas normave te realizmit socialist, per te llustruar bemat e partise shtet. Si i tille ai, si shoket e tij, e shperdoroi talentin e vet duke e vene ne sherbim te pushtetit diktatorial dhe te diktatorit. Natyrisht qe gjate ketyre viteve Agolli krijoi dhe disa vepra qe do te mbeten, sidomos ne liriken shqipe, por nuk duhet te harrojme se ai nuk e kreu detyren e shkrimtarit misionar, nuk u perpoq te zbulonte tragjedine e vertete te popullit tone: tansformimin e ish partizameve nga trima qe ishin gati te jepnin jeten per lirine e demokracine e popullit ne sherbetore besnike te diktatures e diktatorit, pra ne shtypes te popullit te tyre.
Fatkeqesia e ketij krijuesi vijoi edhe mbas shkermoqjes se diktatures. Mbas fjalimit kritik qe ai mbajti ne kongresin e 10 te PPSh-se, kur kjo parti nderroi emrin ne PS. Ai nuk doli si deputet i pavarur, por vijoi te ishte deputet i partise PS, bijes se PPSh-se. Dritero Agolli si njeri e si krijues qe nga viti 1992 nuk kishte nevoje te mbetej anetar i nje partie politike, sepse detyrimet ndaj partise do ta pengonin, si dhe e penguan, evoluimin e tij botekuptimor. Ai vijoi te mbulonte dhe te arsyetonte shume gabime e krime te PPSh-se, te shante Gjergj Fishten, si dhe shume demokrate aktuale. Ai u be nje mbrojtes i shume gabime te PS-se dhe luajti per vite me radhe rolin e nje luftetari te kesaj partie. Ne keto vite ai nuk u perpoq te ndiqte shembllin e Ismail Kadarese per evoluim. Te tilla veprime nuk e nderojne Driteroin dhe e largojne shume prej vlerave te MIGJENIT dhe te krijuesve misionare si Visar Zhiti me shoke.
Natyrisht qe me rastin e 84-vjetorit edhe une i uroj shendet e suksese ne krijimtari, e sidomos nje evoluim te metejshem ne botkuptimin e tij. Une besoj se me pervojen qe ka fituar nga jeta, veprimtaria shoqerore dhe krijimtaria e gjate ai do te arrije, sepse nuk eshte kurre vone, qe te shprehet me perbuzje ndaj lajkave e lavderimeve te tepruara qe shkruajne per te disa kalemxhinj partiake te droguar prej propagandes komuniste e sociliste, te cilet e quajne “PATRIARK I LETRAVE SHQIPE”, “NJERIU I MADH”, “POET VIGAN”, etj. Gjithashtu shpresoj se ai do ta denoje ate pjese te vepres se tij e cila nuk i ka sherbyer ngritjes morale te popullit, por si “poet i oborrit” i ka sherbyer diktatures e diktatorit per ta sunduar sa me lehte popullin shqiptar. Ne vijim te ketij evoluimi ky krijues duhet te denoje edhe gjithe ato shkrime letrare e publicistike qe hartoi ne vitet 1992-2012 si nje propagandist i PS-se duke mbrojtur veprime qe koha tregoi se ishin veprime te gabuara ne dem te popullit, ne zbatim te Katovices shqiptare…

Filed Under: ESSE Tagged With: e Dritero Agollit, NE 84-VJETORIN, Thanas Gjika

LAMTUMIRE ARQILE LICI!

October 14, 2015 by dgreca

NGA PELLUMB KULLA/*
I shtrenjti Leu, i paharruari Arqile!
Jo më larg se para dy ditësh, nuk mund të mendoja kurrë se do të vija për ty në këtë vend të trishtë, o i shtrenjti miku im, dhe do të mbaja këtë fjalë! Dhe jo vetëm unë, por këtë nuk e mendonin as familjarët e tu të dashur, shokët, kolegët, miqtë e tu aq të shumtë anë e mbanë kësaj bote.
Ne po i japim tokës së ftohtë trupin tënd, atë gjë të përkohëshme, që do t’ia japim të gjithë, por tek ata që të njohin e të duan, ti, Leu ynë i paharruar, do të lesh pas shumë:
Mbi të gjitha do të lësh pas, kujtimin e përkushtimit tënd të rrallë në çdo gjë që bëre, kudo që u ndodhe dhe bëre vend, në teatrin dhe estradën tonë të Fierit, në Vlorë dhe në Tiranë, në hartën e gjërë të detyrave civile, apo ushtarake që të besuan dhe t’i vlerësuan, në skenë apo ekran; do të lësh pas kujtimin e pasionit tënd, nervit, gjallërisë karakteristike në çdo punë e vepër, në çdo bisedë, debat, a dialogim; do të lësh kujtimin e përkrahjes që i ofrove çdo njeriu, apo çështjeje, në të cilat ti angazhoheshe pa kursim.
Këtë listë cilësish sejcili nga ne këtu, e përpilon vetë më mirë e më plot se unë në mendjen e tij: gruaja jote e dërmuar nga ikja tronditëse, vajza dhe djali, që do të marrin cilësitë e tu më të mira aq të shumta, motrat e goditura rëndë, Eduardi dhe, sidomos, Samueli i vogël, kjo dashuri e re, e pamatë dhe e pangopur, Lena dhe Kiçua që nuk mundën të vijnë dot, nipërit dhe mbesat, shokët e tu të panumurt, që ende nuk po e marrin veten nga ky largim i papritur.
Një fjalim si ky nuk mund të mos e ketë subjektivizmin e atij që e harton, dhe që lumtërisht përkon me atë të shumë të tjerëve. Prandaj ai bëhet përgjithësues dhe mua më lejohet të veçoj këtu miqësinë tonë të sinqertë, ku ti ishe edhe më i pakursyer se unë, ku ne me time shoqe, që u ndodhëm në këtë ngjarje tragjike, në orët e tu të fundit të jetës, do të të jemi mirënjohës për gjërësinë e shpirtit tënd. Unë, edhe po të desha, nuk do të fshija dot kurrë kujtimet e bukura të bashkëpunimit me ty, që nga roli i parë aq i freskët në teatër e në të gjitha bashkëpunimet e shumta. E kam zor të gjej një mik, një vëlla kaq pasionant, që më bën një borxhli të pa shlyer, që më nxit të ndihem përjetësisht edhe më pranë Klarës, Erës dhe Redionit tënd. Ndjej se kurrë më parë fjalët e mia nuk kanë qenë kaq të paplota e kaq të hidhura. Rrugë e mbarë nëpër kujtimet tona, Arqile. Lamtumirë Leksi im! Të qoftë dheu i lehtë!
*Fjala e lamtumirës, shokut tim Arqile Lici
Tiranë, varreza e Sharës, 13 tetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjala e lamtumirës, pellumb Kulla, shokut tim Arqile Lici

DRITËRO AGOLLI DHE EMIGRANTËT…

October 13, 2015 by dgreca

Në 84 vjetorin e lindjes/
Nga takimet e gazetarit me njeriun e madh të letrave shqipe/
Nga Abdurrahim Ashiku-Athine/
DritëroAgolli, të martën më 13 tetor 2015 mbushi 84 vjet jetë; Jetë e një njeriu që me “Baltën e Devollit” në trastë u ngjit rrugëve të thepisura të jetës, rreshtave partizane për tu bërë pjesë e fitores në Luftën e Madhe Antifashiste të Popujve të Botës, bankave të shkollës që nga Gjirokastra në Leningrad, fushave e maleve të Shqipërisë si gazetar, kalasë së madhe të letërsisë si poet e shkrimtar. Ai, me dashurinë dhe thjeshtësinë e tij karakteristike mbetet mbi të gjitha NJERI…
Me këtë NJERI dua të bisedoj sot nga larg, rrugëtimit tim në takimet me Të në një shtëpi-apartament të thjeshtë në qendër të Tiranës, SHTËPI e cila për mua është dhe do të mbetet Kështjella e Kuvendit Poetik e Njerëzor Shqiptar…
Korrik 1996…
Ishin kohë të vështira, ndoshta më të vështirat e jetës sime. Kishte ndodhë vjedhja më e madhe e vullnetit të popullit, 26 MAJI 1996. Kishte ndodhë rrahja dhe gjakosja më e frikshme e kohës që kalonim, në sheshin “Skënderbe“ përpara syrit të kamerave dhe aparateve fotografike nga e gjithë bota, 28 MAJI 1996. Nuk ka nevojë të bëjë ndonjë koment. Janë dy ditë që flasin dhe do të flasin gjatë në historinë e kohës sonë, dy data që do t’u paraprinin “ DIMRIT TË MADH – 1997 “…
Ditët që pasuan, në atë qosh të hartës gjeografike ku kish bërë rrënjë jeta, i ngjanin një mengeneje që çdo ditë shtrëngohej, i ngjanin një kazme që kërkonte të më shkulte rrënjët…
Një ditë të meskorrikut e ndjeva se po më prisnin rrënjën boshtore të qenies sime. Vendosa dhe ika natën. Në anët tona shprehja “Ikje natën” ka në thelb dhimbjen më të madhe njerëzore, shkuljen nga vendi ku ke parë për herë të parë dritën e diellit me dëshirën ta shohësh edhe për herë të fundit. Për dore kisha djalin që sapo i kishte mbushur të katërmbëdhjetat…
Drita më kapi në Tiranë. Kisha një vizë njëmujore. Më duhej të udhëtoja drejt një vendi që i njihja njeriun e lashtë por nuk i njihja njeriun e ri. Veç kësaj kisha mbi supe edhe barrën e një emri arab që kryeredaktori i gazetës më pat thënë se është i papranueshëm për vendin dhe fenë e atjeshme.
Më duhej një fjalë e ngrohtë, një njeri që të më jepte zemër në aktin e madh të ikjes. I rashë një zileje. Dëgjova një zë të ngrohtë, një mirëseardhje zemre. U ngjita në katin e tretë. Derën e gjeta të hapur. Përballë ishte Sadija. Emrin ma kishte dëgjuar por fytyrën ma shihte për herë të parë. Dy hapa më tej, në këmbë, si një lis rrënjëthellë e degëbardhë nga bora e parë e vjeshtë së dytë, buzëqeshur e krahëhapur ishte Dritëroi. E kisha takuar shumë herë, me nga një gotë raki ballë për ballë e me zemrën njerëzore në dorë. Indriti, djali, e kishte lexuar, e kishte recituar por kaq pranë nuk e kishte parë asnjëherë.
U ulëm në atë sallon të thjeshtë rrethuar me piktura e me libra, në atë sallon që nuk e hiperbolizoj po të them se ka nxënë dhe nxë gjithë vendin, ashtu siç nxë tërë botën zemra e shkrimtarit dhe poetit tonë të madh….
Pimë nga një gotë raki nga ajo që Dritëroi e ka zierë nga mushti i manave jo dy por tri herë në këngët e tij për truallin ku lindi dhe mori vrapin e jetës.
Nuk ndenjëm gjatë. Ikëm duke marrë me vete disa adresa dhe numra telefoni, të Aristidh Kolës në Athinë, të DinoKubatit në Salaminë…kurajën dhe ngrohtësinë njerëzore për të kapërcyer kufirin e një jete në kërkim të një jete tjetër…
… Të nesërmen, më 21 korrik 1996, lamë diellin mbi majën e Dajtit dhe ikëm në dhe të huaj…

13 tetor 1977

…Kaluan muaj. Kaloi edhe “Dimri i Madh“. Kaloi edhe “Pranvera e Mbrapshtë“. U shkatërrua Shqipëria. “Kuota Zero“ shënoi temperaturat më të ulëta në historinë e kombit.
Sa ishte “minimalja absolute“ e dimrit shqiptar? Askush nuk e di, ose më mirë të themi “nuk e thotë“. Dhe as do ta thotë ndonjëherë sado komisione parlamentare e ndërplanetare të formohen…
…Në tetor udhëtova drejt Shqipërisë. Nën frikën e pusive, të pritave, kallashnikovëve. Shqipëria ishte e plagosur. Përpiqej të hiqte fashat e zeza mbi plagët që rridhnin gjak të kuq…
Më 13 tetor 1997 isha në Tiranë. Kisha marrë që nga Athina një shishe të bukur me uzo. E pata menduar që me të në dorë të trokas në derën e DritëroAgollit. Ia kisha një borxh, atë lloj borxhi që të jep këshilla e mirë, fjala e ngrohtë, zemra e çiltër. Ma kishte dhënë një ditë korriku dhe desha t’ia ktheja një ditë tetori. Jo të gjithë, as gjysmën, se borxhi që lidhet me fjalën e ngrohtë dhe këshillën e mirë nuk ka çmim, nuk mund të kthehet kurrë.
…U ngjita në katin e tretë dhe si herën e parë përsëri u gjenda ballë për ballë me Sadijen, njeriun dhe bashkëshorten e mirë në kuptimin absolut të fjalës. Mbi majën e malit të letërsisë shqipe “Dimri i Madh” kishte hedhë shumë borë. Një këmishë rozë e hapur paksa në kopsën e parë, një triko që kishte marrë nga kaltërsia e qiellit, një palë pantallona kafe përbënin veshjen e njeriut që u mat me malet për t’u ngjitur e bërë edhe vetë MAL më vete. Para meje ishte Dritëroi i letrave shqipe, për mua më i madhi, më i thjeshti, më njerëzori….
Nuk kishim zënë ende vend kur ra zilja e dera u hap duke sjellë me vete një këngë devollite, një grup njerëzish të qeshur. Gjashtë ishin, Nga ata vetëm njërin njihja, shokun dhe mikun tim të viteve studentore, gazetarin e njohur FuatMemelli. Ishin përfaqësues të Shoqatës “Devolli“. Kishin ardhur t’i uronin kryetarit të tyre shpirtëror, Dritëroit, përvjetorin e lindjes. Nuk e dija se atë ditë Dritëroi mbushte 66 vjeç. Jetova disa çaste që nuk mund t’i harroj kurrë. Mora pjesë në gazin e tyre, bashkova zërin tim në këngën e bukur devollite, qesha si asnjëherë në takimet me njerëz të zemrës.
Disa ditë më vonë do të udhëtoja përsëri drejt Athinës. Kisha marrë me vete ngrohtësinë shpirtërore të një njeriu që tërë jetën ngrohtësi ka përcjellë dhe përcjell.
Nuk kaloi asnjë muaj dhe në adresën time në Athinë dy fotografi të përcjella nga Fuati do të më përjetonin një ditë të paharruar.. ..

30 prill 2009…

…Kur i bie ziles porta kërcet e zëri i Sadies të fton të ngjitësh shkallët…
Kur ngjitesh në kat dera është e hapur…
Kur bën hapin e parë brenda asaj shtëpie të thjeshtë në modelin e vjetër; përpara, në këmbë, si manat shekullorë të njohur për rakinë devollite, si mal majëborë, përpara ke DritëroAgollin…
Sadia të vë përpara gotën e rakisë dhe filxhanin me kafen e nxehtë…
Me Dritëroin e madh nis kuvendi…
Kërkova në “raftin e kujtesës kompjuterike” dhe nxora prej andej paksa nga floriri i fjalës së tij, biseda për emigrantët dhe emigracionin shqiptar, për Gjuhën Shqipe. Veçova prej tyre disa porosi…

VLERËSIME E POROSI TË DRITËRO AGOLLIT PËR EMIGRANTËT

…Tani mund t’i themi në një kuptim tjetër, Rilindësit e Rinj janë Emigrantët. Ata janë njerëz që janë shkolluar këtu në Shqipëri, por që kanë shkuar atje veçanërisht për arsye ekonomike dhe tek tuk edhe për arsye politike. Ata, nën shembullin e Rilindësve të dikurshëm, kanë zhvilluar një aktivitet të vërtetë në lëmin kulturor, që ju përshkruani me hollësi dhe me ndjenjën e dashurisë, jo vetëm thjesht si sentimentalizëm, por me një ndjenjë përgjegjësie dhe sinqeriteti që këta edhe sot po japin atë ndihmesën në Shqipëri, jo vetëm thjesht në lëmin ekonomik. Me atë punë që bëjnë ata ndihmojnë familjet e tyre, por edhe për të jetuar vetë atje, njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë popullin grek. Ata punojnë atje për të rritur edhe ekonominë e grekëve, përndryshe ata nuk do të ishin atje sepse nuk do të kishte ndonjë interes ai vend ku janë shqiptarët për ti mbajtur. Ata derdhin djersën atje dhe ngrenë nivelin ekonomik të vetë Greqisë ku janë. Faktet tregojnë se është rritur niveli ekonomik i Greqisë me ndihmën e shqiptarëve që janë atje. Siç kanë bërë në kohën e revolucionit grek që një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë qenë në Greqi atëherë kur ishin kufijtë “brenda perandorisë” dhe u bënë udhëheqës të Revolucionit grek si Kolokotroni, Xhavella, Boçari, Bubulina, Miauli… Ata u bënë edhe deputetë në parlamentin e parë grek, bile flisnin shqip…
…Nga këta, që janë kaq shumë, dalin edhe njerëz të atillë që përpiqen për të mos u asimiluar, që të mos harrojnë vendin e tyre. Ky libër me titullin “Rilindësit e kohës sonë” ka si qëllim që ata të mbajnë jo vetëm kujtesën e Atdheut por të përpiqen që mbi këtë kujtesë të jetë veprimtaria e sotshme. Këta e pasurojnë kulturën shqiptare. Duke qenë kjo kulturë e formuar e Shqipërisë sonë këto gati njëqind vjet pavarësi, gjatë gjithë kësaj kulture që është formuar, tashti ajo pasurohet edhe nga ata që janë përtej kufijve. I shtohet edhe një rrjedhë tjetër këtij lumi të madh, i shtohet edhe një përrua dhe kjo e bën më të madh këtë lum sepse lumi krijohet nga burimet. Francezët kanë një proverb “Pika – pika bëhet lumi”. Këto janë ato ndihmesat e mëdha që unë do të thosha, që përveç përfitimeve të mëdha nga ato drejtimet e tjera që thashë, kemi edhe këtë të pasurimit të kulturës sonë, që ne shpesh e harrojmë, sepse me që ende Shqipëria nuk ka arrirë në atë shkallë sa të bëhet një vend me një nivel të lartë ekonomik që të jetë e pakët fare varfëria, se akoma këtu ka varfëri. Kjo na bën që ta harrojmë ndonjëherë atë anën tjetër të kontributit kulturor. Atje ka edhe disa autorë, përveç jush që jeni baras me po këta gazetarë që jetojnë këtu dhe publicistë. Përveç jush ka edhe të tjerë, ka poetë, ka prozatorë të cilët prej andej botojnë libra me poezi, botojnë romane, botojnë përmbledhje qoftë edhe të artikujve të tyre, qoftë edhe të shënimeve, të librave historikë. Të gjitha këto, që edhe këtu në librin tuaj përmenden dhe shkruhen me një gjuhë të pastër po edhe me një informacion të gjerë, jo thjesht fjalë pa fakte. Ju mbi këto fakte arsyetoni se gazetaria është arsyetim mbi fakte. Ju këtë e jepni me një profesionalizëm të bashkuar me sinqeritetin, me dashurinë për njerëzit edhe me atdhetarizëm. Këtu është edhe vlera e madhe e këtij libri.
…Ata të mos lodhen kurrë për vendin e tyre duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes, por edhe të sotshëm, dhe të punojnë për gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, , shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, për tu zhvilluar më tej edhe atje dhe të ruajnë edhe pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos e përziejnë me fjalë të huaja të çdo gjuhe, veçanërisht në këtë globalizëm…
…Thamë që në Greqi janë gjashtëqind apo tetëqind mijë vetë, në Itali janë nja tre-katërqind mijë por edhe në vendet e tjera. Mbi një milionë shqiptarë janë jashtë…
Duhet t’i ndihmojë emigrantët, me hapje shkollash, me libra e mjete mësimore, me gjithçka të nevojshme…
…Rreziku më i madh është humbja e gjuhës nga fëmijët. Ne duhet që në familje të flasim shqip, se ke kohë të flasësh në gjuhën e huaj. Në familje duhet patjetër të flitet gjuha shqipe. Vetë shqiptarët që janë atje të përpiqen që të hapin shkolla…

13 tetor 2015

Edhe NJËQIND DritëroAgolli ! Ky është urimi i emigrantëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: 84 vjetori i lindjes, Abdurrahim Ashiku, Driteri Agolli

13 Tetori – nje date, dy poete vigane: Migjeni dhe Driteroi

October 13, 2015 by dgreca

Reflektim ne ditelindjen e dy poeteve/
Nga Sadik ELSHANI/
Me 13 tetor te vitit 1911 lindi Migjeni, ndersa njezet vite me vone, me 13 tetor te vitit 1931 lindi Dritero Agolli. Eshte kjo nje rastesi e rralle, por ndoshta edhe nuk eshte rastesi, qe dy poete te medhenj te letersise sone te kene lindur ne nje date, kuptohet ne kohe te ndryshme, dhe qe te dy te jene nga me te medhenjte poete te brezit te tyre. Secili ne menyren e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje te reja letersise shqipe. Fatkeqsisht, Migjeni u nda nga jeta ne moshe shume te re, pa i mbushur te njezeteshtatat, por jemi fatlum qe Driteroin ne moshen 84 vjecare ende e kemi ne mesin tone dhe e pacim edhe per shume e shume vite te tjera.
Migjeni pa dyshim eshte njeri nder emrat me te dashur ne tere letersine shqipe, sidomos eshte shume i dashur nga rinia shqiptare. Ai ne tere krijimtarine e tij artistike, si ne poezi, ashtu edhe ne proze, solli dicka te re e te papare gjer atehere ne letrat tona, solli nje stil te ri, nje force te re e te fuqishme shprehese. Me Migjenin fillon nje periudhe e re ne letersine shqipe, ndarja nga tradicionalja dhe romantizmi dhe fillimi i realizmit kritik. Konceptet e reja qe futi Migjeni ne letersine shqipe, teknika, figuracioni, vargu i lire dhe forca shprehese, tematika dhe realizmi me te cilat ai i trajtoi problemet e shoqerise shqiptare te viteve te tridhjeta i hapen letresise shqipe rrugen drejt bashkekohesise, drejt moderrnitetit. Migjeni se bashku me Lasgush Poradecin i dhane letersise shqipe vendin e vet ne letersine dhe kulturen europiane.
Paraqitja e Migjenit ne letersine tone eshte nje dukuri qe rralle shfaqet edhe ne letersine boterore. Me fuqine e tij artistike, Migjeni erdhi si nje meteor ne letersine shqipe dhe vdekja e hershme na e mori si nje meteor, por me krijimtarine e tij mbeti ne qiellin tone letrar nje yll qe do te shkelqeje gjithmone. Dhe sa me shume kohe qe do te kaloje, aq me teper ai do te shkelqeje, sepse ka nje magjepsje me vepren e tij, me jeten e tij te shkurter. Shkoi i ri dhe do te mbetet perhere i ri, i fresket dhe aktual. Kush mund t’i harroje poezite e tij, vargjet: “Perdite perendojne Zotat/ dhe rreshqasin trajtat e tyne neper futyrat tona”, “Pak drite! Pak drite, o shok, o vella!”, “Vjeshte ne natyre dhe vjeshte ne fytyrat tona”, “O, si nuk kam nje grusht te forte!…”, “U vodh kanga nga zemra e kombit”, “Rini, rini, thueja kanges ma te bukur qe di”, e shume e shume te tjere. Kush mund t’i harroje tregimet dhe skicat e tij: “Bukuria qe vret”, “Luli i vocerr”, “A do qymyr zotni”, “Legjenda e misrit”, “Historia e njenes nga ato”, etj. Pastaj eshte ky pseudonimi shume i bukur e shume muzikor: Migjeni. Jane pastaj mendimet dhe pyetjet qe gjithmone ia bejme vetes: “Po c’do te kishte bere Migjeni, c’do te kishte krijuar Migjeni, po c’do te kishte ndodhur me Migjenin sikur te kishte jetuar me shume?” Jane keto disa nga arsyet qe kane ndikuar per ta mbajtur gjalle interesimin dhe magjepsjen tone per Migjenin dhe vepren e tij. Migjeni jetoi, aq sa jetoi dhe beri ate qe beri. Ate qe beri dhe na ka lene trashegim, eshte e shkelqyeshme, e perjetshme dhe gjer me sot e paarritshme, e pakalueshme nga askush ne letersine shqipe. Me 27 vite e mbylli ciklin e jetes se tij, e mbylli krijimtarine e tij brilante.
Edhe Dritero Agolli, se bashku me Ismail Kadarene dhe Fatos Arapin, eshte poeti qe i ka prire brezit te tij. Eshte njeri nder shkrimtaret me te dalluar, me te dashur, me prodhimtar e me me ndikim ne letersine bashkekohore shqipe. Krijimtaria e tij letrare eshte mjaft e pasur ne gjini e lloje te ndryshme krijuese: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenare filmash, reportazhe, etj. Por mbi te gjitha, ai eshte i njohur si poet ne kuptimin e plote te kesaj fjale – mjeshter i vertete i vargut. Qe ne krijimet e tij te para ne poezi, ai u paraqit si nje ze i forte origjinal qe solli nje hov rinor, optimizem e freski ne letersine shqipe. Dritero Agolli krijoi nje model te ri te vjersherimit, si ne problematike, ashtu edhe ne figuracion dhe zhvilloi nje teknike mjeshterore shprehese te ndjenjave, vrojtimeve dhe shqetesimeve te tij. Lidhja e forte me token, natyren, me prejardhjen e tij fshatare e shpuri ne formimin e kredos se tij poetike: “S’jam poet, jam fshatar i jugut”. Vargu i tij kundermon me eren e ugarit nga brazdat e tokes se zeze dhe ne ato vargje shpesh rrjedhe edhe shume raki. Ne vargjet e tij mbisundon bota e gjalle, shenjterimi i natyres, i arave, i bagetise, por edhe dashuria ndaj prinderve, respekti per traditen, te kaluaren heroike dhe shqetesimet e jetes se perditshme.
Me shume mjeshteri e perdor frazeologjine dhe urtesine popullore, duke i gershetuar natyrshem vlerat tradicionale te poezise me menyra e forma te reja te shprehjes poetike. Me vargjet e tij plot frymezim, ai krijoi nje bote te re te tijen – nje bote agolliane, ku thjeshtesia e komunikimit, porosite universale (te pergjithshme) dhe shprehja e hapur e plot ndjenja, jane shtylla te forta ku mbeshtetet poezia e tij. Ngrohtesia njerezore e vargjeve te tij ka bere qe lexuesi qe shijon keto vargje, te njejtesohet (identifikohet) me vete poetin. Ky raport i ndersjelle poet – lexues eshte me teper i theksuar te Dritero Agolli se sa te ndonje poet tjeter ne letersine bashkekohore shqipe.
Kjo fryme poetike eshte mjaft e pranishme edhe ne prozen e tij qe eshte mjaft e suksesshme. Vlen te theksohet, se shumicen e krijimeve te Agollit e pershkon nje fryme e holle e humorit, madje edhe ne situata qe mund te jene shume serioze.
Ne kete date te shenuar te letersise sone, te kujtojme e te nderojme Migjenin tone te dashur, ndersa Driteroit t’i urojme shendet, jete te gjate e te lumtur, pleqeri te qete dhe te na dhuroje edhe shume e shume krijimne te bukura artistike.
Keto pak rreshta jane shkruar vetem per kete qellim dhe nuk metojne asgje me teper.
Gezuar!
Filadelfia, 12 tetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: 13 tetor, dy ditelindje, Migjeni dhe Driteroi, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • 436
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT