• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Klaudia Malaj, portret i suksesit dhe buzëqeshjes magjike

August 14, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Femrat shqiptare, janë krenaria e përhershme e kombit tonë. Ato shkëlqejnë kudo,në atdhe e jashtë tij,si dhe në të gjitha profesionet që ushtrojnë,në arsim,sport, kulturë, politikë, mediat vizuele etj.
Një emër i ri premtues që shkëlqen në këtë drejtim,është e reja nga Tirana, Klaudia Malaj, të cilës me të drejtë, i është besuar një detyrë e nderuar, që çdo moshatar i saj,do ta ëndërronte dhe kishte lakmi.
Siç i kujtojmë ende me dhembje ,vitet e 90-ta, ishin ndër më të vështirat për popullin tonë, kohë kur shumë familje shqiptare u detyruan të iknin nga atdheu, madje disa edhe për të mos u kthyer më kurrë, në kërkim të mbijetesës nëpër vende të ndryshme të botës,fatkeqësi të cilën e përjetoi edhe ajo me prindër.
Klaudia është fëmija i parë në familje, e lindur më 4 qershor të vitit 1992, në Sarbrücken të Gjermanisë,ku atëbotë ata gjendeshin përkohësisht, për tu kthyer vetëm një vit pas lindjes së sajë, që më1993, përsëri në atdhe.
Prindërit e Klaudias, nëna Pranvera nga kryeqyteti Tirana dhe babai Lavdoshi nga qyteti historik i Flamurit,Vlora heroike, kanë edhe një djalë, 2 vite më i vogël, nga ajo.
Edhe pse e re në moshë, Klaudia është e njohur si udhëheqëse profesionale e emisionit të kulturës në “Radio Tiranë”.
Në veçanti, bie n ë sy për aftësinë në komunikim, thellësinë e mendimit dhe lehtësinë me të cilën trajton edhe temat më komplekse në emision.
Nga të gjithä ata që e njohin, Klaudia cilësohet si një bukuroshe e ëmbël me kaqurrela të gjata, e cila pareshtur ofron buzëqeshje me plotë dashamirësi.
Ajo, çmohet sidomos shumë për sjelljen e mirë, qëndrimin parimor dhe komunikimin familjarë e vllazëror me secilin bashkëbisedues.
Emri i saj, është portret i nderuar i medias dhe kulturës sonë kombëtare,vlerësim ky i cili nuk mund ti atribuohet secilit pretendues, autor apo krijues të sotëm.
Që në fëmijëri, thotë se i pëlqente pa masë aktërimi,kurse nga klasa e shtatë e shkollës fillore nis të shkruaj edhe poezi.
Krijimet e saj, ishin tejet serioze për moshën dhe temë të preferuar kishin dashurinë, ani pse autorja e tyre, ishte ende e re në moshë dhe për këto ndjenja njerëzore, kishte “mësuar” jo në mënyrën më të mirë, nga vërshimi i shumë serialeve të pa seleksionuara televizive, që atëkohë shtëpitë mediatike shqiptare kudo, emetonin me bollëk.
Megjithatë,poezitë e saj, rreth 200 sosh,ishin aq përmbajtësore, sa që ata të cilët i lexonin, jo rrallë ndodhte të mos besonin fare,se ato i takonin kësaj autore prestigjioze.
Madje qysh në atë kohë, poezia me titull “Dilema ime” do të vlerësohej lartë dhe vendosej në tabelë nderi ,në klasën e tetë, të shkollës fillore, ku Klaudia atëherë mësonte;
Dilema ime
Në rrugët e jetës po eci unë tani.
Të zgjedh Atë, apo Tjetër, nuk di.
*******************************
Sa gjëra kërkojmë në jetë
*********************************
Tjetër duam, e tjetër jeta na jep
****************************
U lodha duke dëgjuar premtime pa besë
***********************************
Nuk shohë një dritë jeshile që në jetë të vazhdoj
Por vetëm e kuqja në semafor më ndaloj,
Kjo ishte njëra nga poezitë e pakta të ruajtura nga ato vite,kurse të tjerat,ajo pothuajse do ti griste që të gjitha.
Më 2007-2011, në shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë,Klaudia do të mësonte spanjishten dhe rusishten.
Njëkohësisht, ajo vazhdoi të shkruante përsëri poezi, të cilat edhe pse herë pas here i publikonte në fb. duke mos u ndjerë sa duhet e mbështetur ,nuk do ti ruante as ato.
Në fakultet, në vend të aktrimit që e pëlqente vet dhe dëshirës së prindërve për të studijuar mjekësinë, ajo krejt rastësisht do të vendoste për gazetarinë, të cilën do ta mbaronte në vitet 2011-2014,ani pse, pikërisht atë, nuk e kishte përmend as kujtuar kurrë si profesion të jetës së saj.
Pas,mbarimit të bachelorit për gazetari,të cilin sapo e ka përfunduar, Klaudia fillon “Masterin shkencor për mardhënie me publikun”.
Në fillim të vitit të dytë,ajo nis të shkruaj tek gazeta javore. INTERVISTA….. dhe përreth një vit boton aty.
“Nuk kisha provuar kurrë më parë me komente dhe opinione, por në vit të tretë,shkrimet nisa ti dërgojë tek “Tirana Observer”, ku publikova edhe diplomen time”,… thotë në mes tjerash Klaudia.
“Në tetor të 2014, shkoj për praktikë tek Televizioni Publik Shqiptar., kurse në prill të 2015 kalova në radio,ku kam hapsirën time me intervista, vazhdon Klaudia.” Të them të drejtën i dua që të dyja, radion dhe televizionin. Madje, sa herë dal në terren për një intervistë që më duhet në radio, më merr malli shumë edhe për televizionin.
Në Radio Tiranë, Klaudia bënë një punë të denjë që i sjellë jo vetëm vëmendje por edhe respekt e mirënjohje, derisa ajo vazhdimisht trajton vlerat e elitës krijuese të të gjithë kombit pa përjashtim.
Shumë çuditshëm lindin edhe poezitë e mija, shprehet Klaudia; “kjo (poezi) përshembull lindi kur po fshija pluhurat në shtepi…,:
Heshtja nga unë mësoi të flasë
Piktori mbi pluhur, një portret pikturoi.
I dha sy që të shikoi.
I dha vesh që të dëgjoi.
I dha gojë që me të të bisedoi.
I mësoi fjalët dhe e kompletoi.
***********************************
“Përse më dhè jetë, dhe s’më dhè zemër?” – Portreti i tha!
Nuk ta dhashë, – u përgjigj piktori, – se do lëndoheshe sa më s’ka!.
Dy poezitë e paraqitura në këtë shkrim, janë të vetmet që nuk kam grisur………sqaron autorja.
Opusi krijuesi Klaudias, është i lidhur ngushtë me rolin e gazetares dhe redaktores në emisionet kulturore të Radio Tiranës
Intervistat që udhëheqë Klaudia, shoqërohen me butësinë e zërit të mrekullueshëm dhe buzëqeshjen e magjishme , të cilat i emiton me aq përkushtim e dinjitet para publikut të gjerë mbarëkombëtar.
Pra, siç do të thoshte edhe autori me famë botërore dhe biografi i shquar,Stefan Cfajg: ajo sikur merrë me vete kudo edhe diellin e saj,me të cilin edhe krijimeve tjera nga autor të rinj,u ofron atmosferë sipërore shkëlqimi, u jep atyre ngjyrë tejet vezulluese dhe shije të adhurushme interesimi, deri në pafundësi.
” Diell” ky, i cili ndihmonë atë të ngrohë dhe shkrijë zemrat e krijuesve shqiptar nga të gjitha trojet tona etnike.
Në punën që bënë, ajo është dëshmuar të jetë e zonja të trajtojë edhe tema të arrira me përmbajtje, nocione dhe zhanre të ndryshme krijimesh, që kanë të bëjnë me majat e mendimit ideor dhe kulmet e mjeshtrisë krijuese e artistike nga emra autorësh të cilët, jo rastësisht kombin tonë e bënë të njohur edhe në Botë.
Ndaj, trajtesat e saj, që nga fillimi, marrin dimensionet e kronikës së kohëve,dhe përjashtojnë çdo mundësi kolizioni apo fenomeni të ashtuquajtur të goditjeve të dyfishta; “të shprehjes dhe mendimit” siç do të thoshte i madhi Roland Bart, të cilat me siguri do të mbeten shembulli më sublim edhe për brezat që vijnë në të ardhmen.
Të përgjigjesh në mikrofon para syve shkëlqyes me reflektime aq të thella metaforike të Klaudias, është një sfidë e vërtetë, ngase çdo pyetje, sqarim, plotësim e trajtim faktesh, ajo e shndërron në art, gjatë intervistave të saj të zhvilluara me aq kujdes e përkushtim…”
Njëjtë edhe krijimet e Klaudias, na vijnë si shfaqje të rralla artistike, shoqëruar me polifoni zërash poetikë,e që parë nga cilido këndvështrim, ato përherë spikasin për vlera të larta përkushtimore, si të ishin pjesë të zgjedhura nga shënimet jetësore të kolosit botëror të letërsisë, të famshmit Franc Kafka; në të cilat përkundër moshës së saj të re, dominon përmbajtje e “pjekur” jetësore, interesante dhe autentike.

Kështu, puna, talenti dhe përkushtimi i saj,vërtetë kanë madhëruar në mënyrë meritore,emrin e Klaudias.
Karakteristikë e krijimeve të së cilës, mbetet vargu i shkurtër por tërheqës e domethënës i cili, nga të gjitha grupmoshat e adhuruesve, lexohet me një frymë dhe plotë ëndje e ndjesi:
Rruga bëhet duke ecur
Nuk e dua gjithë jetën si një fundjavë
Nuk dua shpesh festa të zhurmshme
Nuk kam kërkuar vetëm sukses në jetë
*****************************************
Ke edhe dështime
*****************************************
Ka orë që nuk mbarojnë kurrë
*************************************
Tradhëtarët dikur ishin miqt tanë
I donim shumë. …..

Ajo na vie edhe si misionare që zotronë “universin” e lartësuar me frymëzime poetike nga dashuria, si dritë e jetës e cila e shoqëron Klaudian në rrugëtimin e saj kudo:
Në heshtje të kërkova
Nuk di ç’t’i bëj kujtimit që le në dhomën e braktisur.
Nuk të kam, por as harruar në mendjen time nuk je.
************************************************************
Ti ishe aty sërish, me puthje përqafime dhe ëndërrime.
Më ndiqje dhe sot në ëndrrat e largëta që mbetën kujtime.
Me një fjalë,jo vetëm në poezi, por edhe në jetë e profesion, Klaudia është një femër e kompletuar,e cila gjithmonë ka vizion për risi dhe aktivitet të pareshtur kulturor.
Të jesh pjesë e këtij suksesi, sigurisht që nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë sa duket,por kujdesi me kohë dhe për çdo gjë duke mos i lënë asnjë detaj rastësisë,ka bërë që gjithçka të ecën në drejtimin e duhur dhe kthyer Klaudian në simbolikë të punës dhe sjelljes shembullore.
Femrat e tilla,kam bindjen se nuk janë rastësi, ato sikur vijnë të lindura për sukses dhe arritje. Madje ato, shpesh herë dinë të jenë më të zonja se meshkujt, të udhëheqin me shumë elan firma të mëdha, institucione me rëndësi dhe poste të larta shtetërore, duke mundësuar tejkalimin e kufijve të mbetur të ndasive gjinore edhe në shoqërinë shqiptare.
Duke njohur Klaudian, bindemi plotësisht se natyra e butë dhe e padjallëzuar e pamjes së saj,përveç mirësjelljes së përhershme që buron pashtershëm nga kjo fytyrë engjëllore,na njeh edhe me një femër me karakter të fortë,e cila është në gjendje t’i bëjë ballë çfarëdo sfide dhe menaxhojë çdo detyrë të besuar me sukses e përkushtim,për çka ajo dhe nderohet me dhjetëra komente e mirënjohje të ndryshme nga të intervistuarit e shumtë.
Ndaj, në shenjë respekti për punën,përpjekjet dhe angazhimet e saj , përveç mirënjohjes më të madhe dhe falënderimit të veçantë e meritor,për optimizmin, vendosmërinë profesionalizimin dhe kreativitetin që ajo në vazhdimësi sjellë e promovon,mes nesh me aq dashamirësi dhe elan të pafund, me të cilat na bënë të krenohemi të gjithë ne, është i pashmangshëm edhe një urim i përzemërt me dëshirat më të mira për suksese të mëtejme e të gjithanëshme në karrierë, si dhe për shëndet e lumturi të përhershme dhe gjithë të mirat në Jetë,për këtë fenomen të artit e të kulturës radiovizive, portret të suksesit dhe burim origjinal të buzqeshjes magjike, që presim, shpresojmë dhe dëshirojmë me gjithë zemër, të bëhet emër i nderuar në gjithë hapësirën kombëtare,Klaudinë tonë!.
Gani Qarri Cyrih, 13 Gusht 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Gani Qarri, Klaudia Malaj, portret i suksesit

NJOHJA E TË VËRTETAVE HISTORIKE

August 11, 2015 by dgreca

NGA VIOLETA ALLMUÇA/
Para disa ditësh kam njohur një studente shqiptare 20-vjeçare këtu në Strugë që kishte lindur dhe ishte rritur në Turqi. Ashtu si arbëreshët edhe ajo fliste gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të saj. Asgjë më tepër se historia e saj, më shtyu ta pyes: Pse ndodhej në Stamboll ajo me familjen e saj? Përpos që më tregoi që kishin mbi gjysëm shekulli, kur, stërgjyshi i saj kishte shkuar në Turqi, më shkoi menjëherë memoria tek Platformat Famëkeqe të Çubrilloviçit dhe nuk di pse e lidha historinë e studentes shqiptare në Turqi me shpërnguljen e dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta. Ndoshta edhe prindërit e saj mund të mos e dinin të vërtetën e largimit të paraardhësve të tyre nga trojet shqiptare në Maqedoni.
Shumë pak njerëz kishin dijeni për të vërtetën e “Dëbimit të Shqiptarëve” nga atdheu i tyre, megjithëse mund të kishin dëgjuar ndonjëherë prej dikujt se, ishte akademiku serb Vasa apo Vaso Çubrilloviç, i cili hartoi planin më të zi kundër shfarosjes së shqiptarëve, zhbërjes së tyre, nëpërmjet shpërnguljes me dhunë nga trojet e veta shekullore dhe kolonizimit të trojeve tona. Por projektin e tij sigurisht nuk e kanë lexuar pjesa më e madhe e shqiptarëve.
Pas viteve 90-të u fol më hapur dhe dolën në dritë këto materiale sekrete të fqinjëve tanë të cilët në shekuj mund të krahasohen me Hitlerin dhe dhunën më çnjerëzore për zhdukjen e hebrenjëve. Po bëj një analogji me Hitlerin sepse historia e tij tashmë ka dalë e qartë si drita e diellit. Por sigurisht, nuk kam asnjë dilemë, se historia e Çubrilloviçit është e njëjtë sikurse edhe Platformat e tij për shpërnguljen e shqiptarëve. Më në fund vjen këtu sot në gjuhën shqipe Memorandumi mbi masakrat dhe krimet e serbëve për të zhbërë një popull që nuk mundi ta zhbënte as historia e para 600-vjetëve kur ne kishim heroin e epokës shqiptare Skënderbeun. Më së miri këtë e tregon edhe zëri i arbëreshëve që prej 6-shekujsh u vendosën në Itali dhe nuk harruan kurrë, po as do të harrojnë që vendi i tyre është Arbëria. Edhe pse Platformën e parë ia drejtoi mbretit serb më 7 Mars 1937 e cila kishte për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve në masë me anë të brutalitetit dhe dhunës kriminale, kurse Platformën tjetër ia drejtoi Marshallit Tito me 3 Nëntor 1944, mbi shpërnguljen e pakicave, ku ai projektoi se zgjidhja më e mirë ishin luftërat, të dyja këto platforma ishin kriminale. Kuptohet se shpërngulja e shqiptarëve ka qenë një krim i rëndë kundër hapësirës shqiptare. Memorandumet vijnë në shqip nga origjinali ku jepen të dhëna edhe për shqiptarët në Maqedoni mbi të vërtetën e hidhur të shpërnguljes me dhunë. Ky akt ishte antishqiptar në rradhë të parë, pasi Serbia kërkonte dominimin e saj në trojet shqiptare dhe kolonizimin e tyre me ardhacakët sllavë. Edhe pse nuk kemi pranuar kurrë, se Kosova nuk ishte Serbi por atdheu i shqiptarëve dhe po ashtu trojet shqiptare në Maqedoni nuk ishin Maqedoni, shqiptarët janë konsideruar pakica prej fqinjëve tanë edhe pse shqiptarët nuk u ndjenë kurrë serbë, malazezë apo maqedonas. Ata mbetën në shekuj shqiptarë të vërtetë në gjuhën, kulturën, traditat dhe historinë e tyre. Asimilimi i shqiptarëve në përgjithësi ka qenë pothuajse i pamundur megjithë mënyrat dhe metodat e zbatuara nga regjimi sllav. Libri u përgatit për botim nga Zoti Medi Coma Connecticut, SHBA. Në parathënien e librit Zoti Coma na njeh me fakte të gjalla, të shpërnguljes së shqiptarëve autoktonë në Turqi, kur ndaj shqiptarëve në Maqedoni, familjes së tij dhe mijëra shqiptarëve të tjerë, kanë qenë Platformat e Çubrilloviçit, që në fillimet e veta kanë nisur të zbatohen kudo, ku kishte shqiptarë. Po ashtu besoj se paraardhësit e studentes shqiptare në Turqi si të shumë shqiptarëve të tjerë atje, janë viktima të dhunës serbe duke i larguar me dhunë nga trojet e tyre të të parëve. Këtë histori të krimit akademik serb e dinë tashmë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, sepse historitë e kombeve nuk mund të fshihen e të mbeten sekrete të përjetëshme. Është fatkeqësi kombëtare dhe një përgjegjësi historike, se këto platforma ende po gjejnë zbatim në politikën e sotme antishqiptare të Maqedonisë. Më lejoni, t’u lexoj më konkretisht bisedën e Gordana Jankullovskës dhe Sasha Mijallkovit.
Mijallkov: Nuk ka bashkëjetesë me ata! Duhet të pastrojmë hesapet njëherë e përgjithmonë. Nevojitet strategji! Këto janë tezat e shkruara të Çubrilloviçit dhe përmenden me qindra herë në faqet e platformave të tij. Siç dihet kjo shpërngulje funksionoi edhe në qershorin e vitit 1999 kur serbët i dëbuan me dhunë mbi një milion shqiptarë të Kosovës nga trojet e tyre etnike, drejt shtetit amë, një strategji e shkruar në platformën e Vaso Çubrilloviçit të vitit 1937, e cila shkaktoi një tragjedi për të gjithë shqiptarët.
Ja si i përgjigjet Gordana Jankullovska: Edhe unë jam për një zgjidhje të tillë, për hir të së vërtetës. T’i pastrojmë përgjithmonë.
Kur ta lexoni këtë libër jo vetëm do të njiheni aty me platformat për shfarosjen e shqiptarëve, por do të njihni edhe llojin e Jankullovskëve të rinj të cilët vazhdojnë të ecin me këto ide për të pastruar sipas tyre “shqiptarishtat”. Kjo nuk do të ndodhë më kurrë, pasi shqiptarët kanë treguar se do të jenë qytetarë të hapësirës së re Evropiane. Qëllimi dhe publikimi i botimit në shqip të Platformave të Çubrilloviçit është një detyrë e veçantë për brezat e rinj të shqiptarëve të cilët në të ardhmen duhet të njohin realisht të vërtetat historike për kombin e tyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: NJOHJA E TË VËRTETAVE HISTORIKE, Violeta Allmuca

REQUIEM PER HAVZI NELEN

August 11, 2015 by dgreca

Foto e fundit e Havzi Nelës. para varjes .Bërë në hetuesinë e Kukësit/  
 Nga Gjegji Hani*/
Nuk me kujtohet data! Ne burg nuk kishin rendesi oret, ditet, muajt! Vetem vitet kujtoheshin! Viti I arrestimit, dhe viti I lirimit te mundeshem qe mbetej gjithmone diku larg! Mbaj mend qe ishte vere, dhe dicka me shume se nje vit me pare isha riarrestuar e denuar per here te dyte me akuzen e Tradheti ndaj Atdheut e Agjitacion e Propagande. Me prisnin 11 vite te gjate, dhe ngushellimi i vetem ishte mosha. Sapo kisha mbushur te 18-at, dhe po te deshte i madhi Zot, rreth te tridhjetave mund te isha serish jashte. Nuk e di se perse, por te burgosurit politike nuk thoshin kurre, ne burg apo ne liri, por brenda e jashte! Asaj kohe nuk me kishte rene ne sy kjo gje, por me pas, ne vitet qe erdhen, dhe ne kujtimet qe here pas here kerkojne te drejten e tyre per te mbijetuar, me kujtohesh se ne nuk thoshim i lire, por jashte! Dhe jo i burgosur, por brenda! Besoj se nuk duhen shume mend per ta kuptuar se perse! Me kujtohet se bente shume vape, kur zbrita nga birrucat e hetuesise se tiranes ne kaushin e burgut. Nje vit me pare kisha kaluar nje hetuesi te veshtire ne duart e zv. Shefit te hetuesise se rrethit Durres, Agim Ferizit (sot nenkryetar i gjykates se apelit Durres) dhe gjashte muaj me vone isha marre serish nen hetim ne Tirane pasi kishin arrestuar xhaxhain me akuzen e kontrabandes se floririt. Hetuesit te Tiranes i mbaj mend vetem mbiemrin, Melyshi, dhe nje sy cakerr, qe kur te drejtohesh te dukej sikur shikonte ne tavan! E kisha kaluar edhe ate dallge, dhe pas tre muajsh isha serish ne kaush te burgut, ku prisja transferimin me destinacion repartin e riedukimit 313 Qafe-Bar. Tuc. Puke. Nga hetuesia dola me nje dhimbje koke qe se bashku me vapen, tymin e duhanit dhe dendesine e te burgosurve te ngjeshur si sardelet ne nje dhome me tre radhe krevatesh rifuxho, e benin te pa mundur te me zinte gjumi. Kerkova nje valium ne infermieri, dhe infermieri me dha nje kokerr te madhe me ngjyre jeshile te erret dhe pak si te sheqerosur ne shije,( te cilen ma kishin dhene shpesh edhe ne hetuesi) dhe me kerkoi ta pija ne prezence te tij! Te burgosurit nuk benin pyetje! Nese u kerkohej te benin dicka, ose e benin ose jo, por pa kerkuar shpjegime se perse! Edhe une e piva pa thene gje, mjaft te flija. Me vone dikush me tha se ato qe kisha pire per tre muaj rresht ishin kloropromazine 100, nje qetesues per te semuret psiqike. Nuk e njhja Havzi Nelen. Deri ate dite nuk kisha degjuar te flitej per te. Rreth ores kater pasdite, kur te burgosurit ordinere me denime te lehta ketheheshin nga puna ne kompleksin e pishinave qe po ndertohej ne Tirane, ku punonin bashke me shume te burgosur politike-ndonese kontaktet mes tyre i kishin shume te kufizuara- dikush ne korridor hapi sportelin e vogel te ders sone e thirri me sa kish ne koke: “E varen edhe nje tjeter nga ju, armiqte e mutit”! Ai ze me kumbon akoma ne vesh. Kishte nje te qeshur tallese qe shkonte mes cinizmit e gallates! Me vone, nje i burgosur ordiner me te cilin kishim mundesi te flisnim ne mengjes kur ai lante korridorin e ne dilnim ne ajrosje, na tha se kishte qene njeri nga kapterrat e shoqerimit qe na kish dhene lajmin e kobshem, duke u zgerdhire vesh me vesh! Aty per aty, askush nuk ja vuri veshin! Kishim shume provokime te tilla, e nuk na benin me pershtypje. Nuk e di se kur me zuri gjumi! Heshtja e nates thyhej nga gerrhimat e renkimet e te burgosurve ne gjume. Diku, ne te gdhire, nje ulerime e mprehte, therese shqeu vetedijen time te pergjumur. U ngrita ndenjur pa e kuptuar se c’po ndodhte. Flija ne radhen e trete te rifuxhos, ku me te vjetrit nuk arrin te ngjiteshin, ndaj flinin ne rreshtin e pare apo te dyte. Ulerimat perzier me renkime ngjethese vinin nga diku poshte, sikur dilnin nga dheu. Te burgosurit rreth tij mundoheshin ta zgjonin nga ajo ender e lige! Dikur u zgjua, u qetesua e serish gjithcka heshti. Te nesermen me thane se i burgosuri ne fjale ish torturuar aq shume, ngaqe nuk pranonte te dilte ne pune, sa i kishin demtuar edhe organet gjenitale, e qe atehere nuk urinonte dot me ne kembe si te gjithe meshkujt. E kishin sjelle ne kaush per ta transferuar ne burgun e Burrelit pasi nuk e kishin thyer dot, e nuk e kishin nxjerre dot ne pune.
Ate, qe ne fillim e kishim marre per nje provokacion te zakonshem, pak dite me vone na e konfirmuan burime te ndryshme te “radio burgut”! Eshte e cuditeshme se sa shpejt qarkullojne lajmet tragjike! Aty degjova per here te pare per Havzi Nelen. E kishin ekzekutuar me varje ne mes te qytetit. Ata qe e kishin njohur tregonin per te, e perpiqeshin te hamendesonin se c’kish bere qe ta varnin?! Dikush tha per poezite qe shkruante, por logjika nuk mund ta pranonte nje aresye te tille, e kerkonte motive te tjera, me te thella e te komplikuara! Si mund te varesh dike per disa poezi? Atehere nuk e njhja Edvin Ramen. Per te jatin dija qe ishte skulptor. Nuk njihja as Diana Culin, as kisha lexuar ndonje poezi te saj! As qe me shkonte neper mend qe ata kishin firmosur denimin me vdekje te nje mesuesi, poeti, NJERIU! Atehere nuk mendoja se e keqja kish kaq rrenje te thella, e nje fytyre aq banale e emra aq te zakonshem si Kristaq, apo Diana! Atehere mendoja se e keqja si ne perralle rrinte e mbyllur ne shpellen e bllokut, e mbahej ne kembe nga qente e saj me uniforme jeshile e costume gri! Por sot Nebil Cika ma kujtoi, e rashe ne detin e trazuar te kujtimeve, ku u ngjallen zera, fytyra, kujtime, njerez, vende e vite qe banaliteti i se keqes universale perpiqet ti fshije me forcen e heshtjes!  
*Ish i burgosur politik

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjergj Hani, requiem per Havzi Nelen

MARTIRI KUJTIM BEQIRI…”Ylli në Litar”….

August 10, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/*
Te një Esse, titulluar “YLLI NË LITAR”, poeti ynë kombëtar Agim Shehu, tregon e vajton për martirin Kujtim Ali Beqiri, ish student i shkëlqyer i Universitet të famshëm të Vjenës, inxhinier e drejtues i talentuar, varur “dy herë” në litar nga komunistet e Enver Hoxhës, me të vetmin argument të provuar, se fill pas “çlirimit”, i mbante sytë nga Amerika, Anglia dhe nga profesori i tij, Hari Fulci.
Tani, që pjesa më e madhe e shqiptarëve i mbajnë sytë, zemrën dhe gjithë qenien e tyre me adhurim, dashuri e shpresë nga Amerika dhe Evropa, kjo ngjarje makabre, e varjes dy herë në litar (herën e parë ngeli gjallë se litari u pleks me jakën e palltos), duket edhe më e tmerrshme dhe e pa shpjegueshme, qoftë dhe për ndonjë fanatik qorr e admirues të komunizmit dhe të regjimit gjakatar të asaj kohe (përfshirë këtu dhe autorin konformist, ende të pa deklaruar ndryshe, të romanit “Këneta”).
Akuzat e rëndomta sipas shtypit të kohës, ashtu si i ka mbledhur e paraqitur saktë Agim Shehu, janë: “Nuk kanë sjellë ujë të mjaftueshëm për pije e pastrim… nuk shpërndanë çizme llastiku e dezinfektim në fjetore… punëtorët i kualifikonin keq, që t’u ulnin moralin e t’i përçanin… dheu në kanal nuk vihej në brinjë çdo 50 m… ekskavatori u vu jo ku duhej… hidhnin shumë kripë në gjellë të dëmtonin punëtorët…”. Më e vërteta akuzë: “Kishin simpati për Amerikën dhe nderim për Fulcin”.
Dihet një e vërtetë historike: Më 8 Maj 1945 mbërriti në Durrës, nisur nga Bari i Italisë, Misioni Amerikan, që do përfaqësonte Shtetin e Madh Aleat në Shqipëri, me synim për t’u kthyer së shpejti në Ambasadë. Misioni drejtohej nga Hari Fullc, ish drejtori emërmadh, që për shumë vjet krijoi e udhëhoqi Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Në Portin e Durrësit u grumbulluan për ta pritur rreth 50 shqiptarë, midis tyre disa nga ish nxënësit e tij. Për fatin e tij të keq, me ta ishte dhe inxhinieri 30 vjeçar Kujtim Beqiri, që nuk e dëgjoi porosinë e nënës së vet, po ju bind idealit të tij perëndimor dhe respektit prej nxënësi të përmalluar.
Ky Mision Amerikan, u largua i zhgënjyer nga politika njëanësisht komuniste e Enver Hoxhës, pas 8 muajsh qëndrimi në Shqipëri, një javë para gjëmës së madhe vrastare, pikërisht në ditë kur zhvillohej Gjyqi i “Sabotatorëve të Kënetës së Maliqit”. Duket se edhe punimet e këtij gjyqi pompoz e fjalëndyrë, në prezencën e fanfarave titiste, u benë shkaku formal i prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Amerikën e Madhe, përkrahëse të përhershme historikisht të interesave shqiptare nën ndikimin e shqiptarëve të Amerikës, qysh nga Presidenti Yllson,
Duke e parë me syrin e tanishëm, me gjakftohtësi dhe me paanësi këtë ngjarje, do përsëritja po Agim Shehun, që e quan këtë moment si periudhën groteske të gjyqeve të “lemerishme dhe të çmendura”. Si mund të dënohej e të varej në litar një dijetar ndër të rrallët e kohës, kur të tillë duhet të ruheshin me policë, të mbaheshin si ujët e paktë e të përdoreshin në drejtimin e shtetit për nevojat e shumta të popullit të varfër dhe të ekonomisë së dëmtuar nga lufta?
E kush mund ta donte më shumë dhe më mirë Shqipërinë, se sa djali Ali Beqirit, bashkëpunëtorit të Ismail Qemalit qysh në krijimin e Shtetit Shqiptar, një prej drejtuesve kryesor të Komitetit Drejtuesit të “Luftës së Vlorës” më 1920, krahas Osman Haxhiut? Ka të drejte publicisti Kostaq Xoxa kur thotë: “A mund të ishte sabotator një gjeni i tillë i inxhinierisë, si Kujtim Beqiri? Vetëm mendja shterpe e E.H.-s, mund të perceptonte halucinacione të tilla dhe të shfaroste ajkën e inteligjencies profesioniste”.
Është fare e qartë se ajo që ndodhi në ato ditë nëntori të vitit 1946, ishte një skenar i sajuar e i egër ideologjik komunist shqiptaro-jugosllavo-sovjetik kundër Amerikës, që sapo po e organizonte Misionin e vet Diplomatik në Shqipëri, aq të nevojshëm për zhvillimin e saj evropian e perëndimor. U iskenua një komplot gjoja i iniciuar prej Uashingtonit në Shqipëri, një përpjekje armiqësore për të çarë digën në Kënetën e Maliqit dhe për “të mbytur popullin shqiptar”. Sipas kësaj loje të trashë, shqiptarëve do t’u futej pakënaqësia ndaj Amerikës, për të manipuluar edhe opinionin botëror, në kuadrin e Luftës së Ftohtë, të porsa nisur, sipas interesave të Stalinit. Propaganda sovjetike, sa kishte filluar ta akuzonte SHBA-në, ish aleatin e vet antinazist, si “imperializëm gjakatar” dhe “xhandar të popujve”. Dhe kjo, me këtë rast, u bë dhe deri me gjak të pafajshëm shqiptarësh.

Të arsyetojmë dhe më tej: Kujtim Beqiri lindi dhe u rit në një mjedis atdhetar e patriotik si rrallë kush. Babai i tij Ali Beqiri, ky patriot i shquar, ishte kundërshtar i shpallur i mbretit Zog dhe përkrahës i Fanolistëve, ndaj edhe u burgos dhe u dënua bashkë me krushkun e tij Laze Sulejmani nga Vajza e Vlorës (dënuar me vdekje në kryengritjen e Fierit). Kjo krahinë dhe farefisnia e krushqia e Kujtim Beqirit ishin kontribuues me të gjithë rrethin familjar, në luftën Anti-Fashiste, qysh nga orët e para të okupimit italian të 7 Prillit të vitit 1939, me pjesëtarë aktiv, dëshmorë e deri heronj të luftës. Nga ana tjetër, (jo vetëm unë, që kam lidhje krushqie me ta) po të gjithë në Vlorë e dinë, se traktorin e parë për të modernizuar punimin e tokave në krahinë, e solli Ali Beqiri i Velçës, i pasur, i ditur dhe me vizion Evropian.
Duhet të dimë edhe një fakt tjetër: Kujtim Ali Beqiri ishte kushëri i parë (djem dajash e halle) dhe shok i ngushtë me Zini Rexhepin dhe Perlat Rexhepin (djemtë e legjendarit Rexhep Sulejmani nga Vajza, kunati i Ali Beqirit). I pari vrarë me mitraloz në dorë në luftë me fashistet Italian dhe i dyti, heroi i Shkodrës, që u dogj duke luftuar trimërisht dhe pa u dorëzuar, po me fashistët Italian në qytetin e Shkodrës.
Kujtim Beqiri dhe shokët e tij u arrestuan, kur punonin për tharjen e Kënetës se Maliqit me 6 Nëntor 1946, dolën në Gjyqin e improvizuar në Tirane më 8 Nëntor 1946, ditën e themelimit të PK, vendimi i gjyqit u morr në 19 Nëntor 1946 dhe u ekzekutua, po në Kënetën e Maliqit, më 22 Nëntor 1946: Kujtim Beqiri dhe Abdyl Sharra me varje dhe 4 me pushkatim: Vasil e Zyraka Mano, me Mirush Përmetin dhe italianin Eugenio Scaturro.
Edhe momenti para ekzekutimit, kur iu kërkua fjala e fundit, Kujtim Beqiri, që kishte ruajtur me kujdes e zgjuarsi mos cenimin e tij fizik, ndryshe nga të tjerë që ishin goditur, rrahur e plagosur, tha: “Historia do ta tregoj se unë dënohem dhe ekzekutohem pa faj”
Kujtim Beqiri punoi disa vjet edhe në Kosovë, ku investoi dijet e tij inxhinierike, bashkë me patriotët vlonjatë Kudret Kokoshi, prokuror dhe Ago Agaj, prefekt i Mitrovicës, etj., si dhe me shumë intelektual të tjerë shqiptarë mësues e administratorë. Ky kontribut, krahas gjurmëve të pashlyeshme të disa urave dhe ndërtimeve në Shqipëri dhe shkëlqimit si student në Vjenë, ia ngrenë edhe më lart vlerat këtij martiri të pavdekshëm, që deri tani është shpallur nga Këshilli i Qarkut, vetëm Nderi i Qarkut të Vlorës.
Kujtim Beqirit djali i tij Kadriu, mësues e që pak kohë në “Demokraci” punoi edhe si diplomat, ende nuk ia ka gjetur varin. Kur “e rivarrosën” në vitet e “Demokracisë”, pasardhësit dhe “ish të përndjekurit politik”, morën një grusht dheu nga Këneta e Maliqit dhe e hodhën në arkivolin simbolik.

Kujtim Beqiri, si ushtari i panjohur, që përfaqëson simbolin kombëtar të të rënëve për liri, andej, nga atij nuk i dallohen as eshtrat, bënë thirrje për bashkim e përparim, dhe me të mendoj se bëhen një zë të gjithë intelektualët e ndershëm shqiptarë, të dukshëm e tëpadukshëm, se ka ardhur koha të shfaqemi e të bashkohemi, mandej edhe përtej kufijve formalë shtetëror, t’i lëmë interesat e vogla vetjake e partiake, t’i kthejmë sytë plotësisht nga Amerika dhe Evropa dhe mos ta humbasim edhe këtë radhe rastin oportun, për të zënë në Evropë vendin në madhësinë dhe madhështinë që meritojmë.

Tiranë, më 5 Gusht 2015

Më lejoni, me këtë rast t’u paraqes baladën, që kam thurur për martirin pa varr:

MARTIRIT KUJTIM BEQIRI
Nga Luan Çipi

Kishte qenë vlonjati student në Vjenë,
I pari doli në Konkurset Evropiane,
Moisiun dhe Çabejin, me të shpesh i gjeje,
Hartonin projekte, programe dhe plane.

Rrugë të reja hapte dhe ndërtonte ura
Në Dardani dhe në Shqipërinë nënë,
Guximshëm ëndërronin, djelmoshat si burra,
Atdheun e dashur, Evropë shpejt ta bëjnë.

Komunistët, skenar ndryshe kishin thurur,
Shkau, se linte Kosovën t’u ikte,
Shqipes dy krenare, si bisha i qenë turrur,
Aneksim e nënshtrim diktonin ndër vite.

U gjet një sebep për prishjen e madhe,
Për largimin e Amerikës prej Shqipërie:
Ca djem të ditur t’i fusnin në valle
Gjoja sabotonin dhe “ishin hafije”.

U thurën procese, u hap dhe një gjyq:
“Inxhinierët e rinj – të varen në litar!
Janë lidhur me Fulcin. Këneta në Maliq
Duhet të ish tharë ca muaj më parë”.

Laku i litarit, s’mundi ta rok qafën
Si mund të preket ai filiz i butë?
Është krejt i pa faj, korrigjojeni gafën!
Egërsisht Tirani, sërish lakun fut.

-Hiqeni litarin, unë jam i pafajshëm,
Kriminel mesjete, pse po më dënon?
U shua bukuria, me ylber i ngjashëm,
Kujtim Ali Beqiri, emrin ia thonë!

E donte Amerikën, siç adhuronte të parët,
Sepse ishin atdhetarë, fisnikë e luftëtarë.
Përse djemtë i vratë, Kujtimin pse e varët?
Do ishim në Evropë pesëdhjetë vjet më parë!

T’i ngremë përmendore, kurora t’i shtrojmë
Martirit tonë Kombëtar, të rivarur prapë,
“Yllin Vjenez”, për ditë e kujtojmë,
Urti, kudo mbart, dritë e shpresë përhap.

Tiranë, më 30 Mars 2014
*Shkrimi u botua ne Dielli , Mars 2014-Gjendet ne arkiv, por autori ka shtuar poezine, prandaj e ribotojme.Ilustrimi grafik nga Gazeta 55

Filed Under: ESSE Tagged With: Luan Cipi, MARTIRI KUJTIM BEQIRI

ME 13 GUSHT 1983 U SHUA MUSINE KOKOLARI

August 9, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Musine Kokalari, personazh në Romanin “Para Agimit” të Sh.Musarajt/
Besa,Shpresa,Dashuria, ata pra na lartësojnë.Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë.M.K./
Koncepti “ E bukura“, si dukuri estetike në letërsinë e realizmit socialist, kishte karakter klasor.Ta paraqesësh të bukur një personazh në gjithë përfshirjen dhe pastaj ta konsiderosh personazh negativ vetëm pse mendon dhe vepron si jokomunist, këte e bënte vetëm ajo rrymë famëkeqe.
Po jap një shembull të jetuar, për ta bërë më bindës, se sa e vështirë ishte për një mësues letërsie të argumentonte karakterin klasor të dukurive estetike.
Nuk do ta harroj kurrë një vizitë në “Lidhjen e Shkrimtarëve” me një grup maturantësh të gjimnazit “Kristoforidhi”, pasi shkolla ishte pak metra larg kësaj ndërtese.Në ate mbledhje, promovohesh një libër me poezi nga një poet i ri, i cili ndër të tjera lexoi edhe një poezi “Lules”.Kur e mbaroi së recituari dikush nga salla u ngrit e tha:-kjo poezi nuk ka karakter klasor.Shefqet Musaraj që e drejtonte mbledhjen iu përgjegj: kësaj poezie shtoji nje varg: “O moj lulja për merak /Ruhu mos të këpusi ndonjë kulak”Kështu poezia e kaloi testin dhe për mua si mësuese më ndihmoi për ta “kuptuar nxënësit“ate falsitet
Ndërsa për personazhin në fjalë (Ermira Velo) që është, Musine Kokalari, e cila është paraqitur e bukur në pamje,e bukur në shpirt e në mendime, autori Sh.M. nuk gjeti dot një varg të tillë që ta kalonte Musinenë në krahun e “të mirëve”, sepse ajo mbeti deri në fund konsekuente e pikëpamjeve të saj:” nuk jam komuniste”
Musine Kokalari, është një personalitet i njohur i historisë dhe letërsisë shqipe .
Gjatë 50-viteve të diktaturës, është njohur nga rinia shqiptare si armike e popullit .
Fotografia e saj shfaqej herë pas here në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës . Unë personalisht nuk e kam njohur Musinenë por nepërmjet personazhit (Ermira Velo ) në romanin “Para Agimit “, e kam lakuar këtë emër në dhjetra orë mësimi duke e komentuar në menyrë të përsëritur .
Ajo hyri ilegalisht në letërsinë e realizmit socialist me emrin, Ermira Velo, pasi autori e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me te gjatë periudhes se luftës kundër okupatorit. Megjithëse i detyruar nga tendenca për të luftuar pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet ideologjike,autori e ka paraqitur me kurajo figurën e saj reale të mishëruar në emrin e personazhit( Ermira Velo).
Në përshkrimin e portretit të saj autori shkruan :” Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën. Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora .v.1,f.20,”Para Agimit”
“ ..Si mbaroi shkollën e mesme ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare “v.1,f.18”Para Agimit”
…Dhe qe një gëzim i madh për te, kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë,shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj .”v,1,f.21”Para Agimit”
Musineja dhe familja e saj, jane paraqitur në një taban të shëndoshë kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë . Babai i saj gjykatës dhe vëllezërit me profesione: Jurist,profesor,përkthyes,të cilët ishin njëkohësisht edhe shokët e saj .
Ermira Velo (M.Kokalari) shkruan autori kish nje respekt te madh për të vëllanë dhe ushqehej vazhdimisht nga idete e tij” v1,f.18,”Para Agimit”
Familja Kokalari, në të cilën u rrit dhe u edukua Musineja, kishte gjithë potencialin ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte vlera pozitive për formimin e saj intelektual.Falë zgjuarësisë krijuese të saj, vullnetit dhe karakterit të fortë, ajo mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë “dhe më vonë arrinë të bëhet një nga studentët më cilesorë ne Universitetin e Romës ku u diplomua “Doktoreshë në Letërsi”ne vitin 1941, me temën “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.
Në Romë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij Universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur se kontributi i saj i duhej Shqipërisë.
Miqësia e familjes me Mit-hat Frashërin ndikoi direkt në pikëpamjet e saj për të ardhmen e Shqipërisë.
Shumë diskutime bëheshin në familjen e saj lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë Botërore. Cila do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar Musinenë dhe e munduan deri në fund të jetës .Vajza e re universitare, hyri në kuvend me elitën e njerëzve më të mënçur që kishte Shqipëria e asaj kohe dhe për këte Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideraten për të gjithë familjen në terësi:
”Mbi të gjitha Ermiren (M.Kokalari) e entuziasmonte një fakt tjetër që provonte se shtëpia e saj kish për të qëndruar gjithmonë një fole patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh njeriu që nuk është komprometuar asnjë majë thoi gjatë regjimit të zogut dhe që ka një urrejtje të tmerrshme për italianet.” V1,f.67”Para Agimit”
Nje ndikim tjetër tek Musineja, kishte Branko Merxhani,drejtor i Revistës “Përpjekja Shqiptare”.
Kryeartikulli i shkruar prej B.Merxhanit “Pse nuk jam Marksist ,“me anën e të cilit
argumentonte se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme, e kishin bërë Musinenë të mendonte akoma më shumë se bolshevizmi ishte një rrezik për Shqipërinë, prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këte ide,Musineja, e kishte forcuar akoma më shume kur kishte lexuar romanin“Nena “te M.Gorkit, per të cilin kishte thënë: “se s’janë të përshtatshme për në ato gjëra .
Bashkëpunimi me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn,Nexhat Hakiun,Vedat Kokonen e të tjerë, kishin bërë që të njiheshin këto lidhje, të cilat u konfirmuan më vonë nga profesor Nexhat Hakiu në një rreth të ngushtë, se pas figurës se Ermira Velos,është M.Kokalari.
Autori Sh.Musaraj, e ka rritur më shumë figurën e Musinesë në roman,edhe pse e kishte vënë në anën e kundërt të ideologjisë sunduese, si personazh negativ. Figura e saj është vënë midis ideologut të saj Mit-hat Frashërit, nacionalistit dhe demokratit më të madh të kombit shqiptar,(emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman) dhe Branko Merxhanit,pionierit të filozofisë progresive shqiptare, që në roman njihet me emrin, Zoti Bardhi .
Ajo i adhuronte këto dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor dhe mendjen e ndritur, por edhe si njerëz të pa komprometuar nga rregjimi. Ajo veproi si ata,duke ndjekur rrugën antikomuniste dhe luftëtare për çështjen e Shqipërisë Etnike;
veçanërisht për Kosovën dhe për një shoqëri demokratike të tipit evropian.”Pa Kosovë e Çamëri,nuk ka Shqipëri”M.K
Për aktivitetin e saj politik e revolucionar gjatë luftës, është më mirë të theksohen fjalët e saj të cilat i ka deponuar në gjyqin special se sa të jepen fragmente nga romani ku autori nuk mund t’i shpëtonte tendencës klasore.Ndër të tjera ajo pohon në gjyq:
Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si social demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e Gazetës, “Zeri i Lirisë “ në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çeshtjen e Kosovës në bazë të kartës se Atllantikut dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit .

Autori, Sh.Musaraj, e ka dhënë personazhin në fjalë deri në mbarim të luftës por dhe aty e lë për të kuptuar se do të fillojë kalvari i vuajtjeve të saj. Ne gjyq ajo pohoi vendosmërisht :“S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj .Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni Rilindjen “.
Kjo deklaratë e fuqishme, ia shtoi vuajtjet: Burg,internim,punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme e cila ia mori jetën me 14 gusht 1983.
Duke iu referuar epilogut, ajo vete shkruan: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha nje gjyq special .Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndertim. Njoha vetminë e vetëkërkuar,shoqerinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit .Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje “
Me pikëllim të madh ajo e thekson fjalën,Familje,sepse tragjedinë më të madhe e pësoi vatra familjare ku ajo mori ngrohtësinë. Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz, u pushkatuan në nëntor të vitit 1944 pa gjyq .I jati vdiq sapo mori vesh menxyrën qe i kishte ndodhur në familje. Në ato mejtime, kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmeroi se po bashkohej me të dashurit e saj, u kujtua për të lenë diçka nga shpirti i saj bujar që kurrë nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund ajo shkruan:”Ne se vdes në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokasters. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë “
Thesari tjetër i vyer qe la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria letrare e cila e radhiti ate në plejaden e shkrimtarëve të viteve 30.
Në botimet e para “Seç me thoshte Nenua plakë “,”Rreth vatrës “,”Sa u tunt jeta “e deri te botimi i fundit “Sikur të isha një lule “, ajo mbetet një vëzhguese e hollë e realitetit . Ideali i saj për barazi shoqërore, i kalonte kufijtë e klasës së cilës i përkiste, duke mos pasur asnjë pretendim material përpara asaj ideje të madhe që donte të realizonte.
Temën për lirinë e individit, e mbronte haptazi dhe me kurajo duke e përjetësuar që në skicat e para .Për të mbrojtur këtë ide, ajo dha shembullin me të lartë, doli e para në Demonstratat Antifashiste dhe në të tjera aktivitete që tani janë bërë të njohura.Tema që e tërhoqi më shumë ishte ajo për emancipimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore. Që kur ishte studente në Romë u dërgonte mesazhe vajzave shqiptare që të luftonin dhe të merrnin rrugën e shkollimit për t’u bërë forca aktive në progresin shoqëror .
Të gjitha këto e bënë të dalluar Musinenë, si shkrimtare të talentuar, si revolucionare të vendosur në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj demokratike dhe si një intelektuale përparimtare .
Pas viteve 90, ajo është ndër të parat disidente që u dekorua me medaljen “Martir i Demokracisë “ Edhe të mbijetuarit e familjes bënë çmos për rehabilitimin e veprës së saj.
Fondacioni “Musine Kokalari, “kryen shumë aktivitete që e plotësojnë njohjen e saj të ndaluar prej shumë dekadash. Shkolla që mban emrin e Musinesë e përjetëson duke e mbajtur si pishtar drite e diturie.
Nga Piedestali ku e vendosi koha, Musineja u flet gjeneratave: ”Besa,Shpresa,Dashuria, ato pra na lartësojnë .Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë .
p.s.Musine Kokalari u lind me 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë. Në vitin 1921 Familja e saj kthehet në Shqipëri .Në nëntor të 1944 arrestohet për herë të parë. Me 23 janar 1946 arrestohet për së dyti, gjyqi komunist e dënoi 20 vjet heqje lirie Me1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rrëshen.Me 1981 sëmuret nga kanceri ku nuk u tregua aspak kujdes nga shteti komunist,vdes me 1983.

Filed Under: ESSE Tagged With: ditevdekja, me 13 gusht 1983, Musine Kokolari, Pertefe Leka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 448
  • 449
  • 450
  • 451
  • 452
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT