• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën

June 22, 2015 by dgreca

Fletore koniciane nr.5./

Nga Fotaq Andrea/

Viti në vazhdim 2015, dhe konkretisht gjashtëmujori i parë, përkon me tre përvjetorë të shënuar: 610 vjetori i lindjes së Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, 140 vjetori i lindjes së Faik Konicës dhe 50 vjetori i vdekjes së Fan Nolit. Ndonëse njohim me saktësi datën e lindjes së Konicës, 15 mars 1875, ndonëse njohim po ashtu edhe datën e vdekjes së Nolit (13 mars 1965), jemi të detyruar të ngremë supet për datën e saktë të lindjes së Skënderbeut, përderisa nuk është gjetur gjer më sot asnjë dokument për të na e vërtetuar. E megjithatë, ja ku na vijnë në ndihmë, simbolikisht e me mjaft kuptim vetë Konica e Noli për të përcaktuar 6 majin 1405 si datën e lindjes së Gjergjit të Madh të Arbërisë! E më tej, si datën e festës kombëtare të Shqipërisë!

Nisur ndoshta nga tradita ortodokse që emri i pagëzimit të fëmijës vihej sipas emrit të shenjtorit që kremtohej atë muaj, Konica e Noli duket sikur e lidhin organikisht këtë datë me ditën e Shën Gjergjit, martirit të krishtërimit, pajtorit të kalorësisë dhe fitimtarit të çdo beteje, që mposhti dragoin, duke simbolizuar ngadhënjimin e së mirës ndaj së keqes. Konkretisht, në numrin 3, XI/1907, të Albania-s së tij (çuar për shtyp në qershor 1908), Faik Konica, në shkrimin Skënderbeu prej të përndriturit Fan S. Noli, do të vinte në dukje në paragrafin hyrës : ” Më 6 të Mait, ditën e Shën Gjergjit, e cila po njihet ngadalë për e kremtia kombëtare e gjithë Shqiptarëve, sikundërë ka qenë kurdoherë e kremtia vendore e myslimanëve dhe e krishterëve të shumë viseve të Shqipërisë së mesme e së poshtme – i Përndritshmi Fan S. Noli, përpara piktyrës së kuroruar me tyle të mbretit të pavdekshëm t’onë Gjergj Kastriotit, tha një fjalë të bukur, tekstin e së cilës jemi fat-mirë që mundim ta botojmë in-extenso këtu më poshtë. Dr. [Drejtori]”.

Për mendimin tonë, ky paragraf i Konicës në hyrje të fjalës së Fan Nolit për Skënderbeun në Kishën Shën Gjergji të Bostonit, si dhe pasqyra në gjuhën frënge e veprimtarive të organizuara në Amerikë me rastin e 6 majit 1908, botuar tek i njëjti numër i Albania-s – përmendim si veprimtari atë të shoqatës shqiptare në Jamestown, ku mbajti fjalën e rastit ish kryetari i saj S.A.Baldwin – janë tepër domethënëse në disa drejtime. Para së gjithash, ato dëshmojnë për një bashkërendim përpjekjesh paraprake Noli-Konica përqendruar rreth figurës së Kastriotit të Madh për t’i dhënë kësaj figure një përmasë të re frymëzimi kombëtar. Dhe në fjalën e tij panegjirike Skënderbeu (Fan Noli, Vepra, vëll. V), nga më spikaturat në Letrat Shqipe, Noli shkëlqen jo thjesht si prift i emëruar rishtas në krye të Kishës Ortodokse shqiptare në Amerikë, por mbi të gjitha e para së gjithash si atdhetar i flaktë e si veprimtar aktiv për çështjen shqiptare të shtruar për zgjidhje. Me fjalë poetike në gojë, plot emocionalitet, me thirrje nga shpirti në emër të Perëndisë dhe të “Nënës së dhembshëruar Shqipëri”, me këngë e vajtim njëherësh, Noli shfaqet madhërishëm në rolin e rilindësit pararojë, tek ndez në zemrat shqiptare kujtimin e “Babait të Kombit” siç e quan ai Heroin kombëtar, atë “trim mbi trimat”, atë “Mbret të Nënës Shqipëri”, atë “Aleksandër të Madh”, “Yll të Shqipërisë, shndërruar në diell”.

Nëse liturgjia e parë e Nolit 26 vjeçar në Boston (22 mars 1908) synonte kryekëput fjalën e goditur shqipe me psalme të përkthyera prej tij, që të kujtojnë pas pesëqind vjetësh robëri, formulën e pagëzimit po në shqip të Pal Engjëllit, liturgjia e tij e dytë (6 maj 1908, ditën e Shën Gjergjit) është himn për Skënderbeun, duke shënuar kështu simbolikisht datën e rilindjes apo të ringjalljes së kujtimit të tij, pikërisht në altarin e Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare të Amerikës, që do mbante emrin e nderuar “Kisha Shën Gjergji”. Sepse shihej tashmë si nevojë e domosdoshme shpirtërore, për krejt Rilindjen Shqiptare të fillim-shekullit XX, të lidhej ngushtë, brenda një date të vetme, 6 majit, figura e Gjergj Kastriotit me Shën Gjergjin, kalorësin e hershëm ushtarak të krishterimit, apo, pse jo, edhe të njësoheshin të dy figurat në mënyrë emblematike, për vetë bëmat e larta kalorësiake në misionin e tyre fisnik. Dëshmon kështu medaljoni i Kishës Ortodokse shqiptare me figurën e Shën Gjergjit, rreth të cilit janë të shënuara fjalët: Albanian orthodox church of Amerika. Knights of Saint George (fig.1).

Dhe këtu, është më se e qartë se kalorës të Shën Gjergjit (knights) janë tërë besimtarët ortodoksë shqiptarë, po ata kalorës pasardhës të vetë Gjergj Kastriotit, përkrah tërë besimtarëve të tjerë, katolikë, muhamedanë e bektashinj, që e njihnin Kastriotin e tyre të Madh për Hero Kombëtar.

Në fakt, drejtori i Albania-s, e kishte bërë paraqitjen e Nolit të ri urdhëruar prift që në numrin paraardhës të revistës (Albania 2/XI, 1907 – botuar në prill 1908), ku kishte botuar jo vetëm një foto të posaçme realizuar bukur artistikisht (me diçiturën “I përndershmi Fan S. Noli”), por edhe një shënim hyrës në rubrikën Fleta e Dreqtorit, tek jep këtë cilësim për të: “I Nd. Fan S. Noli, i holli shkronjësi t’onë, prift-i-xgjedhur i Shqiptarëve të Amerikës…”. Po në të njëjtin numër të Albania-s, konkretisht në hyrjen e fjalës së Nolit titulluar “Kisha shqipe ortodokse”, Konica gjen rastin për të theksuar: “Të zgjedhurit e të Nd. Fan S. Nolit prej Shqipëtarve t’Amerikës dhe t’urdhruarit e tij si prift prej kryepeshkopit rus të New-Yorkut është një e ngjarë për të vënë ‘re, rëndësirën e tërë të së cilës bota do ta kuptojnë më mirë në disa vjet. I kërkova të dashurit atdhetar një “message” a lajmërim për Kombin dhe më dërgoi këtë që po botoj me gëzim më poshtë. Hoqa kryeartikullin që t’i bëj vend”. Kurse, tek Albania nr. 4 (1907), Konica vë në dukje (në frëngjisht): “… Z. Fan Noli, që shkruan një shqipe gjithë nerv e muskuloze, dhe që është për më tepër një njeri me kulturë të madhe…”.

Kësisoj, Albania, në vitin e parafundit të saj, shndërrohet në dy numra radhazi në tribunë për Nolin dhe për krejt veprimtaritë e zhvilluara në Amerikë me rastin e ditës simbol të Shën Gjergjit, gjë që shfaqet, për mendimin tonë, si një prelud i veprimtarisë së përbashkët atdhetare Noli-Konica që do realizohej me vajtjen e këtij të fundit në Amerikë më 1909.

Është e njohur se si Konica, si Noli nuk reshtën së shkruari për figurën e Skënderbeut, me penë të mprehtë plot frymëzim, sikurse gjithë rilindësit e tjerë. Konica jo vetëm solli dhe shpalosi në epokën e rizgjimit kombëtar flamurin e Skënderbeut, mbuluar nga pluhuri i historisë, jo vetëm i rindriti armët dhe përkrenaren e kryetrimit duke vajtur vetë në Vjenë për t’i kundruar, studiuar e për t’u frymëzuar, jo vetëm studioi toponiminë e fushatave të Skënderbeut, por ai krejt Albania-n e tij e bëri tribunë për tërë penat e ndritura të Rilindjes. Që më 1899, Konica 24 vjeçar shkruante me pendë të lehtë vargjet lapidar të poezisë “Flamuri”: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte. /  Ish e fortë, ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë. / Një shqiponjë me dy krerë / Ai lirisht hapej në erë…”.

Po ashtu Noli, krahas studimit madhor Histori e Skënderbeut dhe një mori shkrimesh poetike kushtuar Heroit kombëtar, vetë “Himnin e flamurit” e sheh të lidhur ngushtë me emrin e Kastriotit të Madh, tek shkruan : “O Flamur gjak, o flamur shkabë, /  O vënd e vatr’ o nën’ e babë, / Lagur me lot, djegur me flagë, / Flamur i kuq, flamur i zi… / Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove.”

 Veçse Konica, të cilin me të drejtë Noli e quante “Ustai”, i kishte dhënë tashmë shenjat e para të binomit Gjegj Kastrioti-Shën Gjergj që në ilustrimet e revistës së tij Albania. Sepse kur i kërkoi në fillim të vitit 1898 mikut të tij të ngushtë, skulptorit dhe piktorit belg Paul Nocquet, – me të cilin kishte thyer sa e sa shpata gjatë ushtrimeve në skrim, siç e pohon edhe vetë në letrat drejtuar Apolinerit –, të ilustronte kryeveprën Albania, mjeshtri belg, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, realizoi, mbi bazën e ideve të Konicës, jo vetëm koren (ballinën) e saj të mrekullueshme (fig. 2) me portretin e Skënderbeut si emblemë të shqiptarit veshur me fustanellë, por edhe figurën e fuqishme të farëhedhësit shqiptar, si dhe një mori vinjetash (zbukurimesh) tipografike (fig. 3, 4, 5) të cilat nuk janë marrë asnjëherë në analizë, por që janë tepër domethënëse, tek shohim në to lulen shëngjergji (Convallaria majalis), simbolin e festës popullore të verës në mjaft vende të Europës (mygetat franceze të 1 majit), përfshirë edhe vendin tonë. Kjo lule është e përhapur edhe në pyjet e Shqipërisë e të Kosovës, siç na mësojnë specialistët e bimësisë pyjore Ferdin Liçaj e Përparim Çarçani, dhe njihet gjithashtu me emrin lot zoje, zambaku i luginave, lule me këmborë, ndërkohë që te keltët e lashtë njihej si lulja e fatit. (Sa për anekdotë, lulja shëngjergji u quajt edhe lulja e lumturisë kur mbretit Karli IX iu dhurua për t’i sjellë fat. Dhe që nga ajo kohë, në ballot e Europës, zonjave u dhurohej lule shëngjergji, duke simbolizuar dashurinë, djemtë tek e mbanin në thile të xhaketës dhe vashat në fustan të bardhë).

 

fig. 3, 4, 5 Lulja shengjergji (e çelur dhe e paçelur) në revistën Albania paraqitur në formë vinjetash.

Kur shkruante prozën poetike Dita e Verës, Konica e dinte fare mirë se në këtë festë popullore të hershme shqiptare nderoheshin jo vetëm perënditë e luleve që sillnin mirësi, por edhe kujtimi i të parëve dhe i kryetrimit shqiptar. Disa rubrika të Albania-s, sidomos në frëngjisht (Dokumente mbi folklorin shqiptar, Letërsia gojore shqiptare, etj.), trajtojnë ndër të tjera zakonet e lashta shqiptare, simbolet pagane me kafshë, shpendë, lule, të cilat Konica i ka me shumicë te Albania e tij në formë simbolesh tipografike, që nga kalliri i grurit në ballinë (me kryerubrikën Billni që të korrni), gjer te tërfili, luleshqerra, fluturat, dallëndyshet, shqiponjat, etj. etj. si dhe krejt pema e lulëzuar Albania apo vazoja plot lule Albania pasqyruar grafikisht nga Nocquet, si një bri i lulëzuar i bollëkut. Konica e njihte fjalën e Gjergj Kastriotit nën penën e Barletit kur iu drejtua krutanëve për herë të parë me thirrjet për bashkim e qëndresë dhe kur ndezi zemrat e tyre tek u tha që vetë Shën Gjergji i qe shfaqur atij në ëndërr për të mbrojtur Arbrin; se ky Shën Gjergj i Barletit ishte mbrojtësi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve; e dinte se vetë dita e Shën Gjergjit, 6 maji, është Dita e Verës për shkodranët; se kjo festë popullore kremtohej që nga koha e Ilirëve, tek të cilët ishte i përhapur “kulti i hyjnisë kalorës luftëtar” (Medaurusi tek Japodët); se mjaft kisha në Shqipëri e Kosovë (Fier, Vithkuq, Voskopojë, Korçë, Prizren, Ulqin, etj.) kanë mbajtur e mbajnë emrin e Shën Gjergjit, ashtu sikurse edhe vetë fshati Shëngjergj në Elbasan. Flet ai vetë aq bukur për ditën e verës, kur djem e vasha varin në qafë me pe të kuq kungullin e egër, lahen te burimi rrëzë shelgut a në ujët e kulluar të lumit, lozin e harbohen mes gjelbërimit të luadheve, bëjnë kurora me lule, ndezin zjarre, ngrenë shilarthe në pemë, teksa në ara lulëzojnë të lashtat e mbjella.

Jo rastësisht edhe Lkeni i Hasit (At Shtjefën Gjeçovi) boton te Albania (prill-maj 1902), poezinë “Pse ?!”, duke nderuar Ditën e Shën Gjergjit në Krujë, Ben, Shkeret, Nënujë (Nnuâj), Marshiq e në rrethe të tjera, tek shkruan: “Pse, un pves [pyes] me aq t’ madhe lumnii / Dit’n e Sh’Gjergjit Kruja é nnéeron,… / Mret i Shqypniis Gjergj Kastrioti /N’jeet kaa bajtun kët émn t’nnéerue…” . Nga ana tjetër, Konica na mëson, përmes një episodi të bukur  (Albania, 15, 1-15 korrik 1898), se malësorët dibranë festojnë Shën Gjergjin dhe jo Bajramin. “Në thelb, shkruan Konica në shkrimin e tij në frëngjisht Shënime rreth Kombësisë Shqiptare, malësorët tanë ende nuk dinë mirë se ku qëndron konkretisht feja myslimane dhe po ashtu, nuk dinë ç’është krishterimi. Ata vetëm dinë se një ditë e vitit quhet Bajram, dhe se atë ditë duhet dëfryer e bërë festë. Është e vërtetë se ata kremtojnë edhe Shën Gjergjin; dhe më kanë rrëfyer dikur lidhur me këtë çështje një anekdotë të bukur. Dihet se festat muhamedane nuk kanë datë të caktuar, por rregullohen sipas hënës. Mirëpo qëlloi që Bajrami dhe Shën Gjergji ranë në një ditë. Habi, siklet, rrahje mendimesh nga ana e malësorëve dibranë. Më në fund, ata vendosën të kremtojnë Shën Gjergjin, “sepse kjo festë, thanë ata, është e caktuar dhe serioze, ndërsa tjetra vjen e shkon, pa u ndalur kurrë…”.

Duke iu rikthyer emblemës së Shën Gjergjit, nuk ka si të mos përmendim personazhin e dytë të saj, dragoin e mposhtur, atë qenie mitologjike që është bërë historikisht burim frymëzimi për shumë shkrimtarë e artistë të shquar, madje edhe për disa urdhra kalorësiake të mirënjohura në Mesjetën europiane, që njihen si Urdhër i Dragoit, sidomos gjatë shekullit XV. Albanologu Auguste Dozon, në raportin e tij të dytë drejtuar Akademisë franceze më 15 nëntor 1872 (Deuxième Rapport sur une mision littéraire en Macédoine…), thekson se miti i Olimbisë molose që u ngjiz me një dragua-gjarpër (vetë Zeusi i metamorfozuar) për të lindur Aleksandrin e Madh, do përsëritej “njëmijë e shtatëqind vjet më vonë lidhur me Shqiptarin e Madh George Castriota…” (Archives des missions scientifiques… t. 1, f.204, Paris, 1873). Është fjala për ëndrrën e Vojsavës kur do lindte Skënderbeun: kësaj iu shfaq në gjumë një gjarpër aq i madh, thotë Barleci te Histori e Skënderbeut sa mbulonte me trupin e tij gjithë Arbrin dhe Epirin. Po ashtu, nuk është rastësi që një letrinë nga vepra e Barletit paraqet pikërisht simbolin e dragoit dhe ilustrimi i Historisë së Skënderbeut të Barlecit nga gravuristi i shquar gjerman Jorg Breu jep, ndër të tjera, edhe ëndrrën me dragoin-gjarpër të Vojsavës shtatzënë (fig.6).

Pas Barlecit që përdor mitin e dragoit-gjarpër te Histori e Skënderbeut, do të jetë Frang Bardhi, më 1636, që do ta cilësojë Kryetrimin shqiptar me epitetin Kulshedra e Arbënit, gjë që e përmend edhe Pukëvili në fillim të shekullit XIX në veprën e tij Udhëtim në More, Kostandinopojë e në Shqipëri kur flet për Heroin shqiptar. Sigurisht që ka dallim mes figurave mitologjike të dragoit, gjarprit, kuçedrës shqiptare apo lubisë, dhe Konica termin dragua e përdor si në kuptim pozitiv: ” Aj, Noc Kola trim drague” (Albania, nr. 4, 1904) dhe në kuptimin negativ: “Le të luftojmë turqit e rinj, shkruan ai në një artikull në frëngjisht, se sot ata personifikojnë dragoin”. Dhe si sinonimi të fjalës “dragon” në frëngjisht, ai ka vendosur në shqip mes kllapash termin “koudchedra” (Albania XII, nr. i fundit 1909).

A. Luka në studimin e tij “Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu, me epitetet gjarpri, dragoi, kuçedra”, e bën bukur fort dallimin e tërë këtyre figurave mitologjike, ndonëse shpesh në gojëdhëna

fig. 6. Jörg Breu, Endrra e Vojsavës , 1533.

 

këto qenie i shohim të pleksen me njëra-tjetrën në rolin e përbindëshit; veçse në thelb, të tëra shfaqin Kimerën e Homerit që villte zjarr nga goja dhe përhapte gjithandej tmerr, duke simbolizuar kështu forcën, fuqinë, guximin.

Një “Shën Gjergj shqiptar” që mposht dragoin e shohim konkretisht edhe te albumi me vlera të rralla i prof. Ferid Hudhrit Shqipëria dhe shqiptarët në vepra të piktorëve të huaj (Tiranë, 1987), ku autori na shfaq historinë e luftëtarit arbëresh Giorgio di Prenta Albanese (1470) që u rikthye në Shqipëri për të luftuar pushtuesin osman dhe që ra në fushën e betejës. E veçanta e kësaj tabloje (fig. 7) është se mban vulën e piktorit të shquar të rilindjes italiane Carlo Crivelli dhe se është porositur nga Salvatore de Prenta, ndoshta i biri i Giorgio Albanese për famullinë Porta San Giorgio, një fshat pranë qytetit Fermo banuar edhe nga arbëreshët.

Mitin e dragoit e jep bukur në frëngjisht Faik Konica që në fillim të Albania-s së tij (nr. 2, 1897) kur flet për Dy rapsodi shqiptare. Vasha (apo virgjëresha) po i këndon ëmbël në vesh djaloshit që fle mbi gjunjë të saj, i dërrmuar nga betejat, kur befas, shfaqet nga pylli përballë dragoi (kuçedra), gati për t’i përpirë. E tmerruar, vasha mundohet të zgjojë trimin në gjumë të thellë, por më kot; dhe veç “dy pika loti rrodhën nga sytë e saj turtulleshë e i bien trimit në vesh”. Kreshniku zgjohet, tendos harkun, vret kuçedrën. Pikërisht, kjo gurrë e pashtershme popullore, së cilës Konica i rikthehet aq shpesh te Albania, do të jetë edhe burimi kryesor që do ta frymëzojë e drejtojë atë natyrshëm drejt idesë së shkëlqyer për binomin Gjegj Kastrioti-Shën Gjergji, duke njëzuar e barazuar figurën e Kryetrimit Gjergj me Shenjtin Gjergj. Vite më vonë, më 1936, Noli, tek do përkthente Hymnore për kor të përzier, do të shqipëronte bukurisht edhe troparin e Shën Gjergjit: “Si çlirimtar i robërve dhe mbrojtës i të vobekëve, mjeku i të sëmurëve dhe përluftar i mbretërve, dëshmor i math Shën Gjergj trope-prurës, nërmejto te Krishti Perëndia jonë, të shpëtohen shpirtet tona”.

Është e njohur fotoja e Konicës veshur me fustanellë kur shkoi në Boston më 1909, ashtu sikurse shkrimet e tij për kostumin shqiptar “si pjesë e veshjes kremëtore”, tek larton para së gjithash figurën e Bajronit me këtë veshje. Autorë të huaj dhe piktorë me emër nuk kanë munguar të flasin për kostumin shqiptar dhe konkretisht për fustanellën shumëpalëshe nën gjunjë si një simbol i fuqishëm historik i popullit tonë përhapur nga Jugu në Veri të vendit. Janë mjaft domethënëse në këtë drejtim dy ikona të shekullit XIX që ndodhen në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar me “Shën Gjergjin e Janinës” siç emërtohen, veshur me fustanellën tipike shqiptare (fig. 8). Por po kaq kuptimplote dhe e rrallë është edhe një gravurë e vitit 1862, Skënderbeu me fustanellë, në librin Skënderbeu apo Heroi i Krishterë, i abatit Charles Guenot (fig. 9). Pra, është në këtë rast, fustanella shqiptare që bashkon Shën Gjergjin me Gjergjin e Madh Kastriot.

 

fig 8 fig 9

Më në fund, na e ka ënda ta mbyllim këtë shkrim me një portret tepër të rrallë, në të cilin studiuesi amerikan i artit oriental F.R.Martin (The Miniature Painting and Painters of Persia, India and Turkey from the 8th to the 18th Centry, London, Holland Press, 1912)  sheh portretin e Skënderbeut (fig.10). Edhe pse ky portret i realizuar ndoshta nga piktori fjorentinas Antonio Pollaiulo (më 1460) mban shënimin “Il gran Turco”, Martin vërteton se si portreti, si vetë shënimi nuk kanë të bëjnë aspak me Mehmet Fatihun, ngadhënjyesin e Kostandinopojës, i njohur me epitetin Turku i Madh. Për të, shënimi është shtuar shumë vite më vonë dhe nuk ka kurrfarë ngjashmërie me portretet e njohura të Mehmetit II, realizuar nga piktorët e Rilindjes Italiane, si veneciani Giovanni Bellini (fig.11). Në takimet tona (maj 2013) me specialistë të Topkapi Sarayi Müzesi Istanbul (që disponon këtë portret edhe me ngjyra), si dhe me miqtë tanë në Stamboll na u ripohua se portreti në fjalë nuk ka kurrfarë ngjashmërie me atë të Mehmet Fitimtarit. Ne nga ana jonë, shtruam si argumente jo vetëm dallimin në paraqitjen e hundës dhe të krejt portretit, por edhe faktin që simboli i dragoit në kapelën karakteristike të këtij portreti ishte

 

Fig. 10 Skënderbeu, sipas  F.R.Martin,

 

fig. 11. Mehmeti II.                           fig. 12

disi pa vend për një portret të fesë myslimane, që nuk pranon zbukurime nga fauna, por vetëm zbukurime florale, sikurse ndodh me ornamentet e institucioneve të kultit mysliman. Nga ana tjetër, ka specialistë që këtë portret e lidhin edhe me një medaljon të Pisanello-s (fig.12), ku është paraqitur perandori bizantin Joani VIII Paleolog (në vitet e mbretërimit të tij 1425-1448); por përsëri duket qartë që mungon ngjashmëria mes dy portreteve. Sa për kapelën e admirueshme me dragua të këtij portreti, mendohet se ajo “pasqyron njëfarë mode të kohës”, kur përkrenaret, në radhë të parë, zbukuroheshin ndër të tjera edhe me dragonj, “pa simbolizuar domosdoshmërisht ndonjë urdhër dragoi”. Për mendimin tonë, nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një zbukurim kape, sipas modës së kohës, sepse një gjë e tillë rrezik të thuhet edhe për përkrenaren e njohur të Skënderbeut me kokën e dhisë, kur në fakt, tek figurat e shquara, simbolika nuk mund të shmanget kollaj. Nga ana tjetër, dimë se shqiptari Millosh Kopiliqi që vrau sulltan Muratin I, brenda në çadrën e tij gjatë betejës së Kosovës (më 1389), kishte krijuar Urdhrin e fshehtë të Dragoit dhe mbante në përkrenare, së bashku me përkrahësit e tij, pikërisht simbolin e dragoit. Dimë gjithashtu se përkrenarja e Pirros së Epirit kishte figurën e dragoit, figurë të cilën e gjejmë të qëndisur edhe në xhubletën shqiptare që daton nga Lashtësia. Kemi të drejtë në këtë rast të shohim një vijueshmëri dhe lidhje tradicionale në simbolin e dragoit, sidomos një lidhje simbolike midis dy arbërve, Kopiliqit dhe Kastriotit, që të dy në luftë të paepur kundër Osmanëve. Dhe, në përfundim, do thoshim se nuk është aspak i rastësishëm vetë shënimi “Il Gran Turco” mbi portret, që zbulon njëfarësoj enigmën. Sepse, përderisa është shtuar si shënim vite më vonë në fund të tablosë dhe përderisa nuk i përshtatet aspak portretit të Mehmet Fatihut, e kundërta mund edhe të pranohet, duke qenë se i shkon për bukuri Atij me të cilin vetë Mehmeti II kaloi vitet e rinisë më të bukur, Atij që do të bëhej i barabarti dhe kundërshtari i tij më i rreptë, që do t’i ndalte rrugën drejt pushtimit të Europës, Atij që është cilësuar, siç vumë në dukje, “Kulshedra e Arbërit” dhe që fare mirë do mund t’i thoshin: “Il Gran Albanese”.  Pra, duke pranuar mohimin “Il Gran Turco” për të parin, do kishim në këtë rast tërthorazi një pohim të nënkuptueshëm për të dytin. Dhe dialektika e pranon: gjatë kalimit të vet nëpër mohim, pohimi arrin tek e vërteta. Nëse do pranohej që ky portret është ai i Skënderbeut (i fantazuar apo i porositur rreth vitit 1460, sikurse ndodhte shpesh me veprat e artit të kohës, për ta paraqitur si figurë heroi kreshnik me kapë të veçantë – a nuk ishte e veçantë vetë përkrenarja e Skënderbeut! – që po i bënte ballë Turkut të Madh), do kishim në këtë rast portretin e parë për Heroin tonë Kombëtar, kur dihet tashmë se pesë vjet më vonë më 1465, te kodiku De Romanorum Magistratibus, do të na shfaqej portreti i tij në miniaturë (këtë herë i realizuar me shumë gjasa në natyrë si portret origjinal, që është botuar për herë të parë nga prof. Sh. Sinani (bardhë e zi – fotokopje) në frontispicin e veprës së tij Beratinus, Argeta LMG, Tiranë 2004), portret që me të drejtë konsiderohet si i pari portret më pranë figurës së vërtetë të Heroit Kombëtar (I.S. Karanxha – fig.13).

Në përfundim, Skënderbeu, siç shprehet F. Konica, ky “Trim i pavdekshëm që Shqipëria e njeh si Kryeprinc dhe bota me gojën e Papës e quajti Mbret”, Skënderbeu, “Një nga fytyrat më të larta e më të bukura të Historisë së përbotshme” (E. Reclus, Albania, nr. 4, 1905), vjen e bashkon këndshëm me hiret dhe bëmat e Shën Gjergj Martirit dy korifenjtë e Rilindjes shqiptare, Nolin e Konicën, themeluesit e Vatrës përherë të ndezur të shqiptarizmës. / Qershor 2015.  

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq andtrea, Noli-Konica, Skenderbeu

Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për Doktor Halim Kosovën …!

June 18, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa*/

Në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore për pushtetin lokal, para syve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi pinjollët e tyre janë sot në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur. Por mos harroni edhe sharlatanin dhe karrieristin Ilir Meta, figurën më të urryer të politikës shqiptare dhe të ashtuquajturën parti të tij, një parti mafiozësh dhe të inkriminuarish, që kanë zaptuar politikën shqiptare.

Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë, sepse ishte ky koalicion që në legjislaturën e parë të tij 1992-1997, realizoi përmbysjen e regjimit totalitar, që u dha lirinë ish të dënuarve politikë, që shkolloi me mijra bij tanët që regjimi i kishte lënë në errësisrë, që punësoi me mijra të tjerë në të gjitha rangjet e administratës, duke filluar nga drejtorët e institucioneve shtetërore dhe deri në krye të parlamentit dhe partive politike.

Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.

Mos harroni, por votoni për Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë, pasi ishte ky koalicion që i rezistoi me vendosmëri dhunës së kuqe dhe që solli, në vitin 2005, përsëri në pushtet Partinë Demokratike dhe këtë koalicion.

Por mos harroni edhe Partinë Socialiste e koalicionin e majtë por shikoni se si ka vepruar ajo gjatë këtyre viteve. A nuk ishte ajo që, me urdher të Edi Ramës, i nxorri jashtë nga parlamenti deputetët e saj kur votohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, “Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit”? A nuk ishte ajo që, kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, po me urdhër të Edi Ramës i nxorri deputetët nga salla? A nuk ishte ajo, kur diskutohej amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq, përsëri me urdhër të Edi Ramës, i nxorri deputetët nga salla, madje pati edhe ndonjë, si ish kryeministri i zbardhur para kohe i socialistëve, Pandeli Majko, t’i quante ata “Plehra”? Cilët ishin plehra, zoti Majko? Mos vallë vullnetarët e batalionit 4000 të NATO-s që vinin në Shqipëri për ta çliruar atë nga thundra komuniste? A nuk ishte, më së fundi, Partia Socialiste ajo që, me urdhër të kryetarit të saj, Edi Rama, doli përsëri jashtë kur dikutohej ligji i ri i lustracionit që do të flakte jashtë politikës më shumë se gjysmën e socialistëve të Shqipërisë. Dhe, çuditërisht sot këta kameleonë derdhin lot krokodili pët të përndjekurit politikë dhe kandidati i tyre grumbullon një grusht renegatësh që në të kaluarën nuk ishin gjë tjetër veçse një grup hajdutësh apo përdhunuesish të familjarëve të tyre dhe që pushteti i atëhershëm, qëllimisht, i futi në rangun e të përndjekurve politikë.Mos harroni, por votoni Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë sepse ishte ky koalicion që e futi Shqipërinë në Këshillin e Europës qysh në legjislacionin e parë të tij, që e futi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat me Bashkimin Europian, në legjislacionin e dytë. Votoni për Doktor Halim Kosovën dhe Partinë :Dermokratike e koalicionin e djathtë që ndërtoi Autostradën e Kombit, rrugën që bashkoi dy shtetet shqiptare me njeri-tjetrin, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradat Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, mijra kilometra rrugë rurale dhe rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Votoni Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë për ngritjen e mirëqënies së vendit tonë, për zhvillimin e bujqësisë moderne shqiptare, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Së fundi, votoni Doktor Halim Kosovën dhe Partinë Demokratike e koalicionin e djathtë se është e vetmja forcë politike në Shqipëri që do të zgjidhë brenda një kohe relativisht të shkurtër problemet e të përndjekurve politikë duke filluar nga dëmshpërblimi deri në kërkesat e tjera të tyre.

Filozofi Friedrich Nietzsche, qysh në vitin 1906, shkruante në librin “Vullneti për pushtet”:

“Kam fatin që kam gjetur, pas mijra vjetësh aberacioni dhe konfuzioni, rrugën që të çon te një “jo” dhe te një “po”.                                                                                                                    

Unë ju mësoj që ti thoni “jo” gjithçkaje që ju bën të dobët, që ju ezauron.    

Unë ju mësoj që t’i thoni “po”çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës.”

 

Ndaj, t’i themi “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.

Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i thermi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.

Ndaj, le t’i flakim tutje të gjitha mospërputhjet e mendimeve që mund të kemi me njeri-tjetrin dhe të bashkuar të votojmë për kandidatin e Partisë Demokratike doktorin e nderuar Halim Kosova dhe partitë e koalicionit të djathtë, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë realitet ëndrrën tonë shekullore për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe moderne. Përndryshe, nesër do të jetë shumë vonë.

Përpara drejt fitores!

*Mbajtur në takimin e zhvilluar me Kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Zotin Halim Kosova, me të përndjekurit politikë të kryeqytetit.

Filed Under: ESSE Tagged With: mos harroni, reshat kripa

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI,NUK KANË FLAMUR TJETËR PËRVEÇ ATIJ KUQ E ZI

June 18, 2015 by dgreca

Nga Xheladin ZENELI/

Paraqitja me flamurin shqiptar e pjesëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve “Rumia” dhe pjesëtarëve të shoqatave të tjera,me rastin e ekspeditës së tyre tradicionale në malin e Rumisë, me 7 Qershor 2015, në rend të parë, nxiti reagimin e gazetës “Dan”,e njohur me reagimet e saja denegruese ndaj shqiptarëve.Një akt i paprecedent në etikën dhe normat e informimit bëri gazeta “Dan” kur lajmëroi organet policore në Mal të Zi dhe kërkoi nga ata që të hetohet “incidenti” i ngritjes së flamurit shqiptar në Rumi si dhe të hetohet ligjëshmëria e përdorimit të tij ( pra, flamurit shqiptar) në vende publike (!?) . Ky është një rast i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë i një shteti që e quan vehten “demokratik” ku një medium informativ vihet në shërbim të organeve policore dhe duke kërkuar intervenimin e policisë, tejkalon dukshëm kompetencat e veta dhe sjell në pikëpyetje ate se cili është misioni i vërtetë i këtij mediumi  dhe për ke punon gazeta “Dan” !?.

Tani t’i kthehemi pak ligjëshmërisë së përdorimit të flamurit shqiptar në Mal të Zi.Kur gazeta “Dan” kërkon hetimin e ligjëshmërisë së (mos)përdorimit të flamurit shqiptar në vende publike,nga  organet e sigurimit, ato arsyetohen me Ligjin për Rendin dhe Qetësinë , aprovuar nga Kuvendi i Malit të ZI, në vitin 2011,përkatësisht neni 23 i këtij Ligji i cili dënon përdorimin e flamurit apo  simbolit kombëtar të një “shteti tjetër”,në vende publike,pa lejen e autoriteteve përkatëse.Ironia më e madhe është se ,sipas Ligjit famëkeq në fjalë, shpalosja e flamurit shqiptar ,në mënyrë paqësore, në majën e malit Rumi konsiderohet si “prishje e rendit dhe qetësisë ” (!?). Kurse djegja  flamurit shqiptar në mes të sheshit të qytetit të Tivarit nga tifozët vendas e ekipit të hendbollit  të Serbisë, (para fillimit të ndeshjes kundër Malit të Zi ),me 10 Qershor, nuk iu prishi qetësinë  autoriteteve malazeze dhe  as që nxiti ndonjë  reagim të gazetës ” Dan”.

Thelbi i problemit qëndron në ate që  Kuvendi i Malit të Zi ,i cili aprovon ligje të tilla absurde, konsideron flamurin kombëtar shqiptar si flamur i “shtetit të huaj”, dhe jo flamur i një popullate autoktone siç janë shqiptarët në këtë republikë. Ligji për Rendin  dhe Qetësinë është Ligj antikushtetues dhe neni 23 i këtij Ligji duhet të anulohet. Vetë Kushtetuta e Malit të Zi, pjesa e saj ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni  79 ,alineja 2 ),thotë:

“Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave  kombëtare”.

 

       

                   

                     Një liri e kufizuar është një liri e mohuar

            Që  flamuri shqiptar nuk gëzon përdorimin e lirë dhe të plotë të tij në Mal të Zi, dëshmojnë jo vetëm ngjarjet e fundit : ajo në malin Rumi apo ndëhyrja policore me 1 Maj 2015 në Budvë ku nxënësve shqiptar iu ndalua përdorimi i flamurit të tyre kombëtar por edhe raste të tjera të mëparshme ku veçohet ai i vitit 2012 , me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,atëherë kur në pragun e SHM ” Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, u muar në polici nxënësi shqiptar i kësaj shkolle,vetëm sepse shpalosi flamurin e popullit të tij dhe këndoi këngën “Xhamadani vija,vija…”.

Edhe Ligji për zgjedhjen,përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale ( i vitit 2013),gjithashtu kufizon përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar në Mal të Zi.Neni 9 i këtij Ligji përcakton përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale “në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë përbëjnë popullatën shumicë ,në ditët e festave nacionale të popullit pakicë,para objektit të vetëqeverisjes dhe administratës lokale,krahas simboleve shtetërore,shfaqen edhe simbolet nacionale të popullit pakicë e cila përbën mbi 15% të popullatës së kësaj vetëqeverisje lokale …” ( !?). Pra, një e drejtë e cila përkufizohet me përqindje nuk e është e drejtë e plotë por është e drejtë gjysmake dhe si e tillë nuk përmbush kriteriumet apo standardet e lirive të mirëfillta demokratike

Qeveria e Malit të Zi dhe organet e saja vendim-marrëse,si duket nuk e kanë  të qartë apo së paku pretendojnë që të mos e kuptojnë faktin se flamuri shqiptar ,për shqiptarët  në  Mal të Zi,nuk mund të trajtohet si flamur i një” shteti tjetër” ,por flamuri i tyre kombëtar. Shqiptarët në Mal të Zi janë pjesë e ndarë e një populli i cli ka një gjak, një gjuhë ,një histori dhe NJË FLAMUR : flamurin kuq e zi me shqiponjën dykranare. Po ky flamur, është dhe do të jetë simboli i tyre i identifikimit kombëtar pa marrë parasysh se në cilin vend jetojnë ata dhe nga i cili shtet administrohen, pra duke përfshirë  edhe  shqiptarët në Mal të Zi.

S’ka dyshim se fobia ndaj flamurit dhe simboleve shqiptare është në rritje e sipër në Mal të Zi dhe kjo e ka burimin tek  institucionet e shtetit të Malit të Zi siç është Qeveria dhe Kuvendi i tij ,të cilat aprovojnë  dhe zbatojnë ligje antikushtetuese,antidemokratike dhe ligje kundër të drejtave të një populli i cili për nga gjuha,kultura,historia dhe për nga simbolet e tij kombëtare,është i veçantë dhe dallohet nga popujt e tjerë që jetojnë në Mal të Zi.

Me qëllim që në të ardhmen t’ju  shmangët inskenimeve të panevojshëme të

” incidenteve me flamurin”, duhet që menjëherë të ndryshohen ligjet e lartëpërmendura në at mënyrë që t’ju  mundësohet shqiptarëve në Mal të Zi e drejta elementare dhe e natyrshme e përdorimit të lirë dhe të pakufizuar të flamurit dhe simboleve të tyre të  kombëtare.

Sepse një e drejtë e kufizuar  është një e drejtë  e mohuar.

 

Xheladin Zeneli

17 Qershor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: FLAMURI KUQ E ZI, Mali i Zi, xheladin Zeneli

Mallkimet

June 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

I kemi ndër vete. Me shumicë i kemi. Nuk ju ka rastisur. Përditë mallkojmë njëri-tjetrin. Mallkon babai, mallkon nëna. Ose mallkon burri, mallkon gruaja. Vëllai, vëllain. Motra, motrën. Vëllai, motrën. Dhe motra, vëllain. Fqinja, fqinjën. Punëtori shefin. Ose shefen. Nxënësi mësuesen. Mësuesi nxënësin. Nëxënësen etj.  Dhe me që jemi tek shkolla. Më njoftonte një kolegu im, që asistonte në provimet e shtetit. Këto ditë qershori dhe fushate. Ishte përpjekur me dëshirën e mirë të ndihmonte një grup studentësh nate. I thoshte, rrënja katrore e dyshit…, ata të përpiktë. Rrënja  katrore e dyshit, por me fjalë. U thoshte iksi në katror. Ata shkruanin x por brenda një kutie.. Në fund …, sa të pafat që ishin. Mallkonin fatin e mbrapsht që nuk kapën notën maksimale.

Këtë bën njëriu ynë. Mallkon fatin. Mallkon vetveten.

Keni dëgjuar burra që mallkojnë ditën kur lindën? Plot gra, nëna, motra, bija etj…, kur mallkojnë fatin e tyre të zi. Mallkojnë ditë më ditë, veten.

Mallkojmë tokën, bagëtinë, kullotën. Mallkojmë lumin që na përmbyt. Mallkojmë detin që na mbyt. Mallkojmë qiellin që na jep shi. Mallkojmë minierat që na shëmben e na zënë brenda. Mallkojmë vendet fqinje që na përbuzin zjarrin tonë patriotik. Që nuk janë aq patriotë sa ne.

Kemi fjalorin më të pasur të mallkimit. Më fantastikun. Më magjikun. Por edhe më të shëmtuarin. Më përbuzëzin. Jo me tendenca, por i pastër si drita e diellit, diskriminues.

Kemi një begati leksikore që me keqardhje e them, si i ka shpëtuar vemëndjes dhe punës së ndonjë mbledhësi. Ndonjë punëtori të faunës së leksikologjisë sonë.

Kemi mallkim edhe frazeologjik. Si…, të hyptë vetja në qejf. Apo, bylmeze gjeje vet rrugën e çarkut. E të tjera.

Më kujtohet një komedi me një akt nga koha, kur personazhi kryesor mallkonte veten. E quante kaq të pa fat, kaq të mjerë. Sepse nuk dinte asnjë gjuhë të huaj. Kur filani apo fisteku, dinte tre a katër të tilla. Dhe ai mallkonte fatin e mbrapsht. Fatin e keq që kishte lindur ashtu. Njeri pa një gjuhë të huaj.

Nga ana tjetër ne e dimë se mallkimi, në kulturën fetare, është gjynah. Eshtë mëkat. Megjithatë ne nuk e kemi për gjë të mallkojmë. Qofshim myslimanë, qofshim orthodoksë, katolikë apo paganë.

Së fundi i dëgjuam edhe në fushatë. Thua i kishim mangut t’i dëgjonim nga burrat e shtetit?! Njëri nga Konispoli. E tjetri nga Korça. Në një fushatë ku kandidatët bëjnë mirë të sqarojnë derë më derë projektet. Por ata nuk e bëjnë. E bëjnë flamujt që valviten. Ekstaza e brohoritjeve. E bëjnë liderët me mallkimet e tyre.

Mallkuar qofshin të gjithë ata që i japin frymë kësaj politike primitive dhe barbare, që në Shqipëri nuk mund t’i mbijë dhe t’i rritet fara kurrën e kurrës. Edi Rama në Konispol, 14 qershor 2015. Në delir ne. Në delir edhe Shpëtimi i çamëve.

Kur është kështu, me kurrën e kurrës, aga. Pse mallkon? Do e pyeste një gjyshe, Edin. Ndërkohë nuk e kuptoj pse edhe tek-tuk në shtypin shqiptar, sidomos të majtin flasin akoma me nuannca triumfi të tipit propogandë diktature.  Për mbarimin e një kohe me parrulla greke në fushatë.  Fitore e madhe? Aspak, një disfatë. Enver Hoxha u bërtiste grekëve se, na u prish gjiza neve që ju kështu e ashtu. Rezultati, disa vite pas vdekjes së tij, shqiptarët gjizëprishur pushtuan Greqinë. Ndërruan fe, emër. Mbushën arkat e Bankës së zbrazur shqiptare. Ndërtuan shtëpi e pallate. Vila dhe hotele etj.

Atje jetojnë edhe sot. Atje po lindin. Atje po arsimohen etj. Edhe pse Enverit nuk i prishej gjiza.

Kemi një këmbëngulje kaq primitive ndaj minoriteteve, sa bëjmë vetëm zhurmë.

Nuk ia ndërron kufijtë Shqipërisë, ekzistenca e disa fshatrave, apo e disa njerëzve që janë grekë. Që ndihen grekë. Që duan të jetojnë e të flasin si grekët. Ne nuk mund t’i bëjmë shqiptarë me mallkime. As duke u përplasur derën e patriotizmit tonë. As duke u treguar besimin fetar. Jo, asesi!

Lideri tjetër. Lulëzim Basha. I plaçin sytë atyre që nuk e shohin varfërinë. Korçë 15 qershor 2015. E  trishtueshme. Mund të justifikohesh nesër se i adresohesh iksit apo ypsilonit etj. Por si njëri i fjalës, mua më duket se ia adreson popullit. Qoftë ky i majtë apo i djathtë, apo i lëkundur. Ai është batalioni që pret të udhëhiqet nga ty. Ndaj kjo nuk është etike. Eshtë me plot gojën vulgare. Dhe nuk e kuptoj se si po rriten këta liderë ku edhe për shkak të moshës, duhej të reflektonin një kulturë tjetër nga paraardhësit. Megjithatë, një ndalim, pak rikujtim etj…, nga koha si Berisha, si Nano, nuk mbaj mend të mallkonin. Etiketonin, por jo mallkonin. Kurse këta, edhe po etiketojnë, edhe po mallkojnë. I plaçin sytë atyre që nuk e shikojnë varfërinë. Kështu flet një lider bashkëkohor? Që aspiron të çojë vendin e tij në Europë? Asnjëherë.

E thënë thjesht zoti Basha. Që njerëzit nuk e shohin varfërinë për shkak të ambjemtimit me ‘të. Si ta shohin?. Lindën të varfër. Po jetojnë të varfër. Po vdesin të varfër. Pse? Sepse jeta e tyre nuk ka se si të përmisohet me britma, as me mallkime. Keqardhje!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, MALLKIMI

EMI, POETJA NGA BURRELI, QË NUK MUND TË RINGRIHET NE KËMBË….

June 15, 2015 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/

Kjo në foto është Emrie Krosi nga Klosi i Burrelit një vajzë mjaft e fortë, intelektuale e zonja por historia e saj është tregues i qartë i vajzës, të cilën vetëm shpresa e madhe e ka bërë atë të rrallë. Më ka bërë shumë përshtypje perfoemanca e saj në një aktivitet të një shoqate në qytetin e Durrësit disa ditë më parë. Teksa shpërndaheshin çmime të poezisë të këtij aktiviteti Emi siç dhe e thërrasin miket e saja ashtu me pak mundim ka preferuar të zërë podiumin e konferences së poezisë për të dërguar urimet për nderin që vlerësuan poeten nga Burreli. Me disa flajë që asaj i buronin nga thellësia e shpirtit ajo është ndërprerë nga duartroktitjet e të pranishmëve. Kjo ishte meritë e vajzës 35 vjeçare që sot banon në kryeqytet ndërsa dhe kafenë në mëngjes e shoqëron duke lexuar libra të shkrimtarëve vendas dhe të huaj, sigurisht atyre të dëgjuar. Jam befasuar nga kjo panoramë që Emi ka sjellë tek aktiviteti kulturor në Durrës, ndaj vendosa që të bashkëbisedoja me këtë poete dhe në një pasdite pranë një Bari në kryeqytet Emi kishte preferuar të më rezevonte këtë takim duke perzgjedhur panoramën e bukur tek ky bar të rrethuar nga hijeshia e luleve. Një kafe dhe ujë ishte porosia e saj sakaq kjo e shoqëruar me një cigare. Menjëherë unë ndërhyra ” pini duhanin? Po vetëm tre cigare në ditë dhe kështu do të vijonte dhe historia e saj që në vogli.

Jam rritur thuajse jetime pasi mamaja  është ndarë nga jeta kur isha vetëm pesë vjeçe. Ndërësa si tërë shoqëria varfëria është shtuar akoma, sidomos nga humbja e nënës, ndërsa ishim tre fëmijë të vegjël. Babaj duhej të martohej sërish për këtë fakt ka menduar më shumë gjyshi ynë  Halili  ishte njëri shumë i zgjuar, punëtor shumë besimtar, por dhe paksa i ashpër. Kështu një tjetër nënë duhej të na rriste. Kjo nënë e dytë lindi plot gjashtë fëmijë të tjerë dhe shtëpia jonë është mbushur plot. Njerkën nusja e dytë e babaj e kemi vlerësuar si motër, pasi mosha e aj shumë e re kur erdhi në shtëpinë tonë, ndaj bashkë me gjyshen rriten plot dymëdhjetë fëmija.Pasi kam mbaruar shkollën tetë vjeçare më nota të shkëlqyera mundësitë për të vijuar arsimimin ishin minimale, pasi duhej të punonim për të ushqyer motrat dhe vëllezërit më të vegjël. Për të ndjekur shkollën e mesme vajzës i duhej të udhëtonte shumë rruga deri në qytetin e Klosit. Kjo nuk ja vështirësonte iniciativën Emit, dhe do të ndiqte shkollën me shumë vështirësi, nga kushtet ekonomike të familjes. Katër vite duke ndjekur arsimin e mesëm nëpërmjet shumë vështirësive sidomos nga rruga e gjatë në stinën e dimrit. Gjuhë- letërsia ishin pasioni më i madh, sigurisht pa lënë menjanë lëndët e tjera. Për të studjuar në shtëpi kushtet më mungonin, pasi duhej të merresha me shumë punë dhe koha për të ndjekur librat ishte pasi të gjithë të flinin dhe unë të vijoja mësimet. Në pjesën më të madhe të kohës ndonëse nuk isha vetëm 15 vjeçe do të gatuaja, të merresha me bagëtitë duke u kativizuar me punët e shtëpisë. Gjyshi nganjëherë me jepte më shumë liri që unë të merreja me librat, dhe për mua ishte shumë e vështirë të ndërtoja jetën në të tilla kushte familjare. Por vendosmëria dhe ndihma nga gjyshi unë arrita të përfundoja shkollën e mesme pedagogjike për t’u mundësuar të ndiqja një punë në arsim. Unë isha e sigurtë se do të përfaqësohesha një dikushi dhe nuk mund të harroja një mësues nga Tirana që më vlerësonte madje më ndihmonte sepse dhe unë kërkoja më shumë njohuri tek lëndët mësimore.

Përfundimi i arsimit në shkollën e mesme më mundësoj të nisja dhe një punë në shkollën e fshatit me ciklin e ulët. Ishin fillimet e zhvillimeve demokratike në vendin tonë, unë një mësuese pa përvojë për me bindje të forta se fëmijët kërkonin impenjim ndaj unë i kërkoja vetvetes të përkushtohesha punës me shumë pasion. Nuk kanë kaluar as dhe tre muaj nga nisja e punës në shkollë ndërsa një grup kontrolli do të vlerësonte punën e çdo mësuesi. Unë mësuesja më e re rezultova me sukses dhe kam ndier kënaqësi, por dhe drejtori i shkollës….. tregohej vlerësues për detyrën time.

AKSIDENTI

Ishte muaj nëntor i vitit 1992 vetëm tre muaj punë si mësuese teksa shoqëroheja me një tjetër kolege për të arritur në shkollë do të kalonim pranë një ure disa të gjatë por shumë e lartë. Rreziku ishte për të gjithë banorët nga amoritizimi i saj dhe atë ditë më gurgullonte brenda kraharorit tim dhe nuk ndihesha mirë. Dhe kolegia ime nuk shprehte besim tek kjo urë me dërrasa të kalbura dhe pak nga akulli nga temeparturat e ulta që mbart kjo zonë në fundin e këtij nëntori. Unë vendosa që të kaloja mbi këtë pasarelë, sapo kam arritur pak metra një dërrasë e thyer do të bëhej dhe shkaku të rreshqisja duke rënë poshtë urës në rreth tetë metra poshtë në gurët e lumit. Mësuesja tjetër që shoqërohej me mua lëshoj zë të lartë dhe një burrë që ndodhej me shtëpi aty pranë më ka ardhue në ndihmë duke më dërgua në spitalin e Burrelit. Mungonin mjekët specialsitë, medikamentet, por ç’është më e keqja nuk më dërguan për trajnetim më të specializuar në një nga spitalet e Tiranës. Mjekët në Burrel ende nuk përcaktonin diagnozën e saktë ndonëse kaluan plot tre javë dhe gjedja ime përkeqësohej. Gjedja fizike dhe shëndetësore ishte drejt rënjes, prindërit nuk kishin mundësi të nënin ndërhyerje tek mjekët nga mungesa e të ardhurave. Për mua po humbinin shpresat mbase dhe për të jetuar, dhe mosha ime vetëm 18 vjeçe dhe askushi nga bluzat e bardha të merrnin ndonjë mundim për të më shëruar. Pas tre javësh jam trajtuar në një siptal në Tiranë duke menduar se është zbuluar diagnoza  e saktë pas aksidentit që pësova pranë objektiti të dijes, por dhe këtu mjekët dështuan. Nuk e kam mësuar që nga viti 1992 dhe deri më sot përse mjekët nuk zbuluan diagnozën. Vetëm një fjalë  tregonin ata ka thyer shtyllën kurrizore dhe nuk mund të rikuperohet. Këtë lajm mjekët ma komunikuan dhe mua por unë nuk besoja tërësisht. Dhe unë kërkova tek vetvetja një eksperimentim për t’u ngritur në këmbët pa ndihmë e asnkujt. Kjo ishte shumë e vështirë, ndërsa tek krahët kisha shumë forcë dhe kjo me më inkurajonte për kë tej.

Kjo vajzë e fuqishme nga 15 vite është zhvendosur nga fshtrat e Burrelit  pranë kryeqytetit në ëndrrën e saj të sigurunte një punë, ndonëse dyert e institucioneve janë hapur për Emin por asnjë nuk i ka siguruar ndonjë vend punë edhe pse ka kryer arsimimin e lartë gjuhë letërsi,  ka mastër shkencor,  dhe pret të ndjekë dhe doktoraturën. Sakrificë për këtë vajzë e cila endet në gjetjen e një pune, por nuk ka mundur dot dhe shkaqet Emi nuk po i zbulon.

Por kjo vajzë e rrallë ka një dritë jeshile pas kaq vitesh në një operacion në një klinikë italiane ku asaj i kanë premtuar sukses. Atë që nuk arritën mjekët tanë prej 23 vitesh nga aksidenti premtimet i vijnë nga kjo klinikë italiane e cila pret një dhuratë në përmirsimin e plotë të asaj që e mundon nga kaq vite Emin e cila ka sjellë për lexuesit disa poezi.

Disa ditë më parë bashkë me Emin ishi\m në fshatin e saj të lindjes, ajo solli kujtimet që nga fëmijria ndërsa ëndërra nuk u vijua ashtu siç e kishte menduar kjo vajzë por beson sërish kjo vajzë që duhet të marrë vemendjen e shteti.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zani, Emrie Krosi, Poetja nga Burreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 461
  • 462
  • 463
  • 464
  • 465
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT