• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përsiatje rreth librit”Dervish Iliazi” i Gjergj Qafoikut

May 8, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi/
Jam ndodhur para një paradoksi: e mora pak me “rezerva” librin e GJergj Qafokut kushtuar klerikut bektashi, Dervish Iliazi, se vet jam ateist. Nuk kam idhujtari për ndonjë fe dhe as për ndonjë sekt a nëndegë të feve të ndryshme. Në nuk besoj unë, kjo gjë nuk i prish punë askujt. Se siç thotë, filozofi i madh gjerman,Fridrih Niçe: “Një gjë që nuk më vret, nuk më dëmton dhe më bën më të fortë”. Atëherë, përse iu vura punës, pak të lodhshme për statu quon time të shëndetit ( jam duke u kuruar nga sytë dhe nuk duhet të rri shumë para kompjuterit), por ndodh pak a shumë si atë që tregojnë në raportin me hajdutin:
– Baba, kam kapur një hajdut, ta mbaj apo ta lëshoj?
– Mbaje!
Mbaje-mbaje, po një fjalëgoje,se nuk të lë as Gjergji Qafoku, por ca më keq “Dervish Ilaizi”. Ky të merr e të futë në “dollomanë” e vetë dhe të bën as më pak dhe as më shumë: por bektashi. Të jetë vetëm kaq shtysa për ta shkruar këtë ese? Për fat të mirë, nuk është vetëm kaq. Ka kohë që Vërzhezha, një nga fshatrat më të mëdha të Skraparit, vjen e më vërtitet para syve si një inspirim për të shkruar për të. Nisem ta bëj… dhe tak: nuk bitisem. Pse më vërtitet Vërzhezha? Se Vërzhezha është vendlindja e babait tim të ndjerë, që, megjithëse kish pesëdhjetë vjet i larguar nga Vërzhezha, ai vdiq me Vërzhezhën në gojë. Vitin e fundit, për nja tri muaj, imatë vuajti nga skleroza, por thoshte:- Qeshë në Vërzhezhë një copë herë ( e kishim nxjerë për ajrosje aty, para shtëpisë sonë në Mbrostar-Ura të Fierit 100 e ca km larg nga Vërzhezha) dhe gjithë kjo”vrasje e kujtesës së babait” qe ku e ku më e vogël se dashuria për Vërzhezhën. Ky qe si një amanet i tij, apo si një testament dashurie për vendlindjen. Po unë dhe nënën e kam nga Skrapari dhe, pse gjaku nuk bëhet ujë, kam shkruar me dashuri edhe për Vërzhezhën e timeti, po edhe për Nishicën e simeëme! Në vjershën time, përmjet vargjesh, kam thënë: “Vërzhezhën e dua/ se dua babanë/ Nishicën e dua se dua timeëmë/… dhe, me sa mbaj mend (epo kush i mban mend tani ç’shkrova), them:
– Sado që ka lindur në Myzeqe
Skraparin e dua, se është vend i prindërve të mi
………………………………………
Sado që jam myzeqar
Kujdes! Unë jam nip në Skrapar…
Dhe në ndodhtë gjëkundi
Që Skraparin ma shatë
Vij ju mbys se kthehem në xhelat!

* * *
Por është dhe një shtysë tjetër që më lidh me Vërzhezhën. Para ca muajësh, miku im, Duro Mustafai aliaz Duro Mustafa Vranishti, më dha revistën “Hora”. Duro Mustafai është penë e vjetër dhe, sado që i ka kaluar tetëdhjetë vjetët, vazhdon të shkruajë në prozë e poezi dhe, në duhet të marrë Cezari, çfarë i takon Cezarit, unë them që emri i Duro Mustafait duhet shënuar në librin “Gines”: është i vetmi në gjithë Shqipërinë që nxjerr revistën e illustruar me titull “Hora”,se “Hora” është emri i vjetër i Vranishtit dhe kjo degë e”Horës” siç dihet është dhe në Kalabri. Ma kishte dhuruar një numër të saj dhe mbi kopertinë kish vënë emrin tim. Me revistën në dorë, unë shkova në një promovim libri. Kur hyra në sallë (pak nga pak ajo po mbushej plot),para meje qe ulur një burrë pak i thinnjur. Unë e njoha, por ai,sa më pa revistën, m’u drejtua:
-Ç’e ke atë revistë?
– Është revista “Hora” që e nxjerr Duro Mustafai,- u shpejgova unë.
– Duron e kam mik,- foli thinjoshi.
– Meqë e ke mik, merre! Ta kam falur.
Sado që hezitoi me politesë, Thinjoshi zgjati duarët. Pa emrin tim dhe më pyeti:
-Nga jini?
-Jam nga Fieri.
-Po ky mbiemër yti sikur…
-Me origjinë jam nga një fshat i Skraparit.
-Nga ç’fshat?
– Nga Vërzhezha,- u përgjigja ezber
– Pse fshat është Vërzhezha? Mos ta dëgjoj më atë fjalë!
Njeriu që m’i tha këto fjalë, është Profesor-doktori i nderuar, kardiologu, Pandeli Çina.
Dhe, pak a shumë, i thashë të tëra. Pyetja e Profesor Çinës më rrinte mbi kokë si ajo shpata mitologjike e Demokleut. E, megjithatë, kur thoshte e ndjera imë ëmë: nuk ka ardhur koha…”.
Dhe erdhi koha. Si një bekim, më merr në telefon Gjergj Qafoku dhe më kërkon një takim. “Audiencën” e bëmë tek kafe “Ulqini” dhe ai ma dhuroi librin për klerikun bektashi “Dervish Iliazi”. Tani nuk mbante më ujë pilafi. Unë,sado lindur e rritur në Myzeqe, Skraparin e kam patur pazgjidhmërisht në shtëpi. Pra, tek “këmbej tepsitë” me skraparlinjtë, ende nuk e kam humbur atë theksin e Skraparit.

* * *
Sikur e lakova shumë Vërzhezhën. Jo, sikur, por zëre se po shkruaj dhe për të:se Dervish Iliazi, kleriku bektashi, ka qenë nga Vërzhezha. Ka qenë dhe, në është përjetësuar në këtë libër, kam të drejtë që të them: – Gjergj Qafoku! Të lumtë pena! Me penë i ke ngritur monument një kleriku që veç petkut të “tarkikatit” bektashi, është humanitar: është dashamir i arsimit e kulturës; është patriot dhe luftëtar sa herë që e ka dashur Atdheu.
Vërzhezha si fshat i madh ka plot figura që i bëjnë nder, por, siç shoh nga monografia e Gjergj Qafokut, “Guri i Qoshesë” në gjithë Vërzhezhën është ky klerik bektashi,që, sado nuk i arriti as pesëdhjetë vjeçët, ka bërë vepra të tilla që ia laurojnë gjithë portretin fizik e moral të tij.
Parë me një sy vetëm kalimthi, kur të rreshtoj krejt përciptas disa nga veprat e tij, ju do më jepni të drejtë mua dhe kam frikë (frika mo t’ju dalë?!),se dhe ju do futeni në dollomanë e këtij kleriku bektashi, që poeti i bukur skraparli, Xhevahir Spahiu,e ka quajtur “Nënë Tereza” i jugut.
Atëherë, ju lutem, më ndiqni….
Ka lindur më 1875 në Vërzhezhë të Skraparit. Ka shkuar në Turqi dhe ka qenë nxënës i Hoxha Tahsimit; ka patur kontakte me Naimin dhe Samiun; ka shkuar në Egjipt për shkollim dhe ka qenë në Mekë. Ka hapur të parë shkollë shqipe më 1913.Ka qenë bashkëveprues dhe ka mbështetur Çetat e Bajo e Çerçiz Topullit; ka bashkëpunuar me Themistokli Grëmenjin e Sali Butkën; ka qenë nënprefekt si ndihmës i Tehmistokliut; ka qenë kur u ngrit flamuri në Vlorë; ka bërë fushatë aktive për deputetin Ismail Qemal-Vlora në nahijen e Beratit se Isamilin e kish njohur që në Turqi. Sado klerik bektashi,qe aq progresist,sa bashkëpunoi me orthodokisn e shquar,Jorgji Karbunara aliaz Babë Dudë Karbunara. Ka dërguar luftëtarë në luftën e Vlorës më 1920. Ka qenë fanolist dhe ka ndihmuar Nolin… ka qenë…po, ku shkruhen dot në kartë/ fjalët e gjuhës së zjarrtë/- shkruante Naimi. Dhe unë: po ku shkruhen dot të gjitha ç’ka bërë ky klerik gjatë jetës së tij shumëdemisionale?

* * *
Në hyj nën “dollomanë” e këtij kleriku kaq të mirë, jo se më imponohet me petkun e fesë, por ai më imponohet me veprat e tij në dobi të njerëzve. Ky dervish vërzhezhalli,e ngriti teqenë në majë të Kulmakut (1500 m mbi nivelin e detit) dhe kjo teqe u bë strehë e çdo nevojtari që e zinte rruga andej pari. Kjo “teqe” u bë si ai “fari” për marinarët. Dervishi dërgonte një nga të tijtë që deri sa errësira mbretërone, tundej një fener për t’u treguar “portin” ku do strehoheshin.
Ka ngritur me shpenzimet e veta tetë puse ujë, 10 çezma; disa rrugë, disa ura dhe disa sofate për çlodhje në vendet ku mblidheshin njerëz. Ajo që ia rrti karizmën këtij kleriku se, po të duash t’i hedhësh në hartë, gjeografia është tej kuifijve të Skraparit.Ajo shtrihet në fshatrat e Korçës e Kolonjës; në Përmet dhe deri tek ura e Mifolit në Vlorë. Nuk ka qenë as inxhinier as arqitekt dhe as ixhinier hidrik, por u ka dhënë emrin jo si fetar, por kishte dhuntinë për t’u shërbyer njerëzve.
Pse qe i tillë, ai kur vdiq (gjeshtisi,në terminologjinë bektashiane) u përcoll nga qindra e qinndra njerëz dhe u përjetësua në dhjetra këngë që këndohen jo vetëm në trevat e Skraparit, por kudo ku ka vënë këmbën ai. Shumë nga veprat etij, kanë marrë emrin e tij,si:pusi i Dervish Iliazit; çezma e Dervish Iliazit; ura… rruga etjera.

* * *
… dhe vijnë batuat:- Po me urën ç’patën,xhanëm? Kjo batutë më vjen parasysh, se barbarët që nuk njihnin skrupuj, në vitin 1967, e shkatërruan teqenë e Kulmakut dhe ç’është për të vënë kujen: eshtrat e këtij njeriu kaq të mirë, i shprëndan skërkave. Ndodhi si me eshtrat e Fishtës. Mesjeta ish zhvendosur pas dyqind vjetësh. Por ndodhën dashamirë që i mblodhën dhe i ruajtën,se e kishin si simbol të besimit dhe të dashurisë. Paradoksi qëndron në një fakt pak paradoksal: ky klerik bektashi qe dekoruar nga Presidiumi i Kuvëndit Popullor dhe, megjithatë, ia përdhosën varrin.
Në vitet e demokarcisë, Dervish Iliazi aliaz Nënë Tereza e Jugut siç e ka pagëzuar Xhevahir Spahiu, është shpallur “Nderi i qarkut të Beratit” dhe “Nderi i Skraparit”.
Kaq nuk janë pak që të mos të të bëjë për vete një Klerik i tillë. Aq të imponohet sa nuk është pa vend të sjellësh një paralele me atë që i shkruante Profesor Çabej, Lasgush Poradecit:- Më duket se duke u njohur me Fisshtën, po bëhem katolik” dhe, ndaj them:- Po futem në “dollomanë” e tij. Dhe ndjehem mirë!
Ne Foto:Perparim Hysi

Tiranë, 8 maj 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: "Dervish Iljazi", i Gjergj Qafokut

MUGULLIMË E DRITËS

May 7, 2015 by dgreca

Esse me rastin e 70 vjetorit të shkollës shqipe „Metush Krasniqi“ në Roganë/
Nga Rrustem Geci – Dortmund/
Të hapësh tokën me duart tua / të mbushësh atë me aromë farash / të ngresh fytyrën drejt qiellit tënd / të thithësh ajër nga qielli yt / kjo është paqja përgjigjeshin gjyshërit e mi, shkruan në një poezi të tij, poeti, Humberto Ak´abel. Mugullimë e dritës për dijet është e shenjtë. Mësuesi, nxënësi, librat, fletoret, dashuria për shkollën, të gjitha i shërbejnë mësimnxënies, dhe dijeve të kohës. Me këtë dua ti besojë fjalëve të shkrimtarit T.S. Eliotit, „Se prilli është më i egri i muajve, lind zambakët nga tokë e egër“. Kështu, edhe Shkolla e Roganës, për 70 vjet nxori nga gjiri i saj, ( kalli e zambak ) , intelektualë që do ti shërbejnë Kosovës e Atdheut me devotshmëri.

Ngritja nga errësira 6 shekullore Osmane, vazhdon të jetë ende e vështirë. Pushtimi 6 shekullor Osman shkërmoqi Ilirinë, në pjesët ma të ndjeshme të saj. Prandaj, mundja e pushtuesit serbë në Kosovë, ku pakica serbe bënte „ligjin dhe drejtësinë“, ishte luftë Promethiane e shqiptarëve. Nën këtë mugullimë drite të shkollës shqipe, asnjë fqinj i yni dhe asnjë lob përtej fqinjëve tanë në Evropë s´mund t´i pengojë shqiptarët të bashkohen. Ne jemi fjalët dhe shkronjat e një gjuhe dhe të një alfabeti. Atdheu dhe kombi ynë janë të një gjaku, të një gjuhe, të një flamuri. Dashuria për atdheun s´është vetëm fjalë. Se fjalët e shkruara në letër s´janë vetëm fjalë, shprehej i madhi Metush Krasniqi, se fjalët e shkruara kanë shpirt, kanë zemër, kanë duar nga më të fuqishmet. Prandaj, fjalët liri, bashkim, mirëqenie, shpresojnë në pritjen e çastit historik!..

Shkolla Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë, u lind 70 vjet më parë, në vitin 1945, nga intelektuali dhe patrioti nga Disivojca e Dardanës, Xhavit Podina, dhe shokët e tij. Hapja e Shkollës Fillore në Roganë aso kohe ishte një ogur i mirë, për Kosovën e mbërthyer në skamje dhe pranga. Xhavit Podina e kishte hetuar ku mund ta fshehte zërin e pushkës së tij, dhe të dashurisë për Kosovën e lirë. Hapja e Shkollës Fillore në Roganë nga patrioti Xhavit Podima, ishte një përgjigjje kundër shpërnguljes masovike të lagjeve dhe fshatrave të tëra për në Turqi, nga Komuna e Dardanës. Gurthemeli shkollës fillore në Roganë iu vu në vitin 1943. Me atë rast, patrioti Xhavit Podina para fshatarëve të Roganës ku kishte pranishëm edhe kolon serbë e malazez, gjatë fjalimit të tij ndër të tjera kishte thënë: “ Këtu po e hapim shkollën shqipe, sepse këtu përherë kanë jetuar dhe sunduar kapuqbardhët “. Ky fjalim thuhet se i kishte tmerruar pa masë kolonët e kësaj ane, dhe i kishte trimëruar shqiptarët që të mos shpërnguleshin.

U kujtojmë se mësuesi i parë në shkollën e Roganës ishte Xhevat Aliu nga Gjilani. I njëjti mësues mëpastaj qé emeruar drejtor i shkollës fillore në Roganë. Ndër mësimdhënësit e parë në shkollën e Roganës ishin: Sejdi Hoxha, Ndue Nekaj, Babush Tali, Ismet Dërmaku, Selami Masurica, Gani Gashi, Adem Kastrati etj. Në vitin e parë të jetës së saj, Shkolla Fillore „Metush Krasniqi“ ( që atë kohë quhej „1 Maji“ ) grumbulloi 56 nxënës, që ishte një sukses i madh për themeluesit e shkollës. Heroika e Shkollës Fillore në Roganë, ka të veçantën e vet tek kuadrot e forta kombëtare, dhe tek intelegjenca krijuese e nxënësve. Në vijimësi, Shkolla Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë u bë kështjellë tempullore, e dijeve dhe e diturisë. Në këtë Shkollë nxënës të Roganës, Analumit, Dajkocit, Kranidellit, Hodonocit, 2 Karaqevave, Breznicës, dhe aty këtu, të Muhocit dhe Pribocit, mbushnin me shpresë shkollën për një të ardhme të lirë dhe të pavarur të Kosovës.

Nëse populli ynë nuk shpërngulet, nga vendi ku është bimur e rritur, shprehej patrioti Metush Krasniqi, në një mbledhje miqësh në Roganë, Kosova dhe shqiptarët përherë do të jemi bashkë. Prandaj, shprehej patrioti Metush Krasniqi, ne duhet të angazhohemi, dhe të bëjmë çmos që shpërngulja të ndalet. Metushi Krasniqi, Roganën e deshi si vendlindjen e tij. Mbase në Roganë Metushi kishte shumë shokë e miq. Metush Krasniqi, mik të shtëpisë e kishte Sejdi Kryeziun, patriotin e shquar nga Rogana. Metueshi ishte figurë përbashkuese e shqiptarëve. Ai në asnjë çast nuk u zmbraps për t´ju kundëvu „Aksionit famëkeq të grumbullimit të armëve“ të organizuar nga OZNA e xhelatit Rankoviq.

Metush Krasniqi fillimisht në Roganë ishte mësues, dhe mëpastaj u emërua, edhe drejtor shkolle. Kontributi i patriotit Metush Krasniqit dhënë Arsimit shqip të kohës mbetet i madh. Metush Krasniqi me sukses iu kundërvu kundërshtimeve fetare ndaj arsimimit të masave popullore. Udha e mësuesit dhe patriotit, Metush Krasniqit ishte udhë burgjesh dhe vuajtjesh të mëdha. Mirëpo, heroi kombëtar Metush Krasniqi kurrë nuk u dha, as para shtypjes gjenocidale serbe, as para torturave vrasëse në burgun e Mitrovicës. Në vitin e parë të jetës së saj, Shkolla Fillore „Metush Krasniqi“ ( që atë kohë quhej „1 Maji“ ) grumbulloi 56 nxënës, që ishte një sukses i madh për themeluesit e shkollës. Heroika e Shkollës Fillore në Roganë, ka të veçantën e vet tek kuadrot e forta kombëtare, dhe tek intelegjenca krijuese e nxënësve. Në vijimësi, Shkolla Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë u bë kështjellë tempullore, e dijeve dhe e diturisë.

Qytetasit e Roganës dhe të fshatrave përreth e përkrahën hapjen e shkollës, dhe numri i nxënësve fal patriotëve ilegal u shtua shumë, dhe mësimi mbahej në 3 ndërrime. Në këtë shkollë mësim dhanë mësues të nderuar, dhe patriotë të devotshëm. Xhevat Aliu, Babush Tali, Metush Krasniqi, e krejt mëpastaj, arsimtari i parë i diplomuar i gjuhës shqipe, dhe prijës i shumë aksioneve në Roganë, Ramadan Islam Kallaba. Roli i shkollës Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë, qëndron në zhdukjen e analfabetizmit, në emancipimin e femrës shqiptare, në ngritjen e vetëdijes kombëtare, në perspektivën për t´u bërë një ditë të lirë e të bashkuar. Metush Krasniqi ishtë figurë përbashkuese e të gjitha shtresave të popullit në Anamoravën e Hogoshtit e më gjerë.. Hapja e Shkollës Fillore në Roganë, ndaloi shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, dhe rrezatoi dritë, në të gjitha familjet në Roganë, Analum, Dajkoc, Kranidell, Hodonoc, Karaqevë, Breznicë, Muhoc e Priboc. Rogana sot ka përse të krenohet. Sukseset e bëra për 70 vjet, janë për t´ia marr këngës për së mbari.

Bajram Kallaba, drejtor i Shkollës Fillore „Metush Krasniqi“, bir i minatorit Haki Kallaba, prindi i të cilit shkollën dhe kombin e kishte mbi të gjitha.. Hakiu në kohën e monizmit ishte rrjeshtuar pro demokracisë, dhe vepronte në Grupin e Qytetarëve Liberal, kundër LKJ-së. Edhe djali i tij për shkak të prindit, por edhe të vet Bajramit ishte i përndjekur dhe i burgosur i ndërgjjes. Bajrami Kallaba, me pietet flet për historinë e lavdishme të Shkollës, dhe për rolin e saj në të gjitha vitet e punës. Për 70 vjet, më thotë drejtori, Bajram Kallaba, në këtë shkollë u arsimuan dhe u diplomuan rreth 24 547 mijë nxënës të tetëvjeçares, prej tyre, 13 613 mashkuj,, ndërsa 10 915 femra, të arritura vërtetë të kënaqshme. Për këtë armatë nxënësish vazhdon mëtej Bajrami, për 70 vjet të kësaj vatre të dijes, u kujdesën 344 mësimdhënës, 4 administrator, dhe u ndërruan 22 drejtor shkolle, Ndërsa, Bajram Kallaba është drejtori i 22- të i kësaj shkolle të sukseshme. Jeta dhe vepra e Shkollës Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë është dritë për gjithsecilën shtëpi të Roganës, e më gjerë. Shkolla Fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë, ka një hapësirë shkolle prej 2590 metra katror, ka 22 klasë, 355 nxënës, dhe tre cikle nxënësish; parashkollor, të ultë dhe të lartë. Ndërsa, për mësimdhënien e dijeve dhe edukimin arsimor në këtë shkollë vërtetë kombëtare, tani punojnë 45 arsimtarë, dhe administrator.

Drejtori, Bajram Kallaba u lind më 05. 02. 1955 në Roganë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ndërsa u diplomua për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas mbarimit të Fakultetit, Bajram Kallaba punësohet në Gjimnazin “Ismail Qemali“, në Dardanë. Në flakët e terrorit të diferencimeve ideo-politke në Kosovë, në vitin 1985, Bajram Kallaba dhe 8 mësimdhënës koleg të tij, ndëshkohen nga dora gjakatare e pushtetit të pushtuesit. Shtypja në Kosovë aso kohe s´kishte të ndalur. Gjatë Grevës së Minatorëve dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, Bajram Kallaba organizoi një Demonstratë të fuqishme në Roganë, kundër mangësisë së lirisë, dhe kundër mohimit të drejtave të shqiptarëve. Për Demonstratën në Roganë, Bajram Kallaba dënohet me 7, 5 muaj burg. Në burgun e Gjilanit, Bajram Kallaba njihet me shumë shokë e miq patriotë të kohës. Intelektuali, Bajram Kallaba është edhe poet, ka një libër me poezi në dorëshkrim.

Rogana, ky vendbanim i lashtë pellazgo-ilir, është bashkëkohëse e Gurit të Tërrnocit, të Deas Dardane të gjendur në Smirë të Vitisë, bashkëkohëse me rrënojat e lashta të Artanës, bashkëkohëse me monumentet nëntokësore të Krahinës së Mollës së Kuqe. Ky fshat rrëzë kodrës së lashtë të „Brijës“, në antikë quhej, Kryenjeri. Qyteza e Roganës sot ka 450 shtëpi, 200 biznese, 900 hektarë tokë të punueshme, 3 vende arkeologjike të fjetura, dhe pasuri minerale të pahulumtuara. Ky jubile i 70-të i shkollës fillore „Metush Krasniqi“, Roganën e gjen të bukur, të pasur, dhe të shëndetshme shpirtërisht. Për 70 vjet të zhvillimt të arsimit në Roganë, Rogana është shembull i shkollimit të mirëfilltë në Kosovë. Nga kjo shkollë e 70 vjetorit, nga bankat e kësaj shkolle, dolën 6 doktorë shkecash, 17 magjistra, dhe çdo shtëpi tani ka studentë në shtëpi dhe të diplomuar. Është interesant, dhe vlen të theksohet se vetëm në shtëpinë e Prof. dr. Refik Kryeziut, nga Rogana, 3 fëmijët e tij janë me fakultet, dhe të gjithë janë krijues, me nga disa dorishkrime librash në proces të botimit.

Në Roganë u lind mjeku i njohur shqiptar, Prof.doc dr. Shaban Geci. Në Roganë u lind studiuesi, dhe Albanalogu i shquar shqiptar, prof. dr. Bahtiar Kryeziu, autor i 15 librave, Në Roganë u lind historiani, Tefik Geci. Në Roganë u lind Gjeneral Ramadan Qehaja, autori 3 librave nga lëmia e sigurisë. Në Roganë u lind shkrimtari, Xhavit Kryeziu, autor i 7 monografive. Në Roganë u lind piktori i shquar shqiptar, Faik Kryeziu. Në Roganë u lind Prof. Bajram Kryeziu, komandant i UÇK-së, autor i 3 librave në proces të botimit. Në Roganë u lind gazetari i nderuar, i ndjeri, Hevzi Kryeziu, auator i një libri në proces të botimit. Në Roganë u lind mjeku, Prof. dr. Emrush Kryeziu. Në Roganë u lind kompozitori shqiptar, Izet Kallaba, autor i 50 këngëve të komponuara. Në Roganë u lind, Shkrimtari, Rrustem Geci, autor i 17 veprave letrare. Në Roganë u bë e Roganës, shkrimtarja, Hasije Selishta Kryeziu, autore e 10 librave. Në Roganë u lind Xhevdet Kallaba, autor i 3 monografive. Në Roganë u lind poetesha, Kimete Kryeziu. Në Rogana u lind poeti për fëmijë, Selim Geci. Në Roganë u lind piktori i talentuar, shpresa e artit pamor të Kosovës, Naim Geci. Prej Rogane janë dy ambasadorër e Shtetit të Kosovës, Shkëndije Geci- Sherifi, ambasadore në Zagreb, dhe Shpend Kallaba, ambasador, në Sofje të Bullgarisë. Nga Rogana janë dy Regjisorë të Kinematografisë së Kosovë, Arta Kallaba, regjisore e Teatrit në Nju Jork, dhe Durim Kryeziu, regjisor filmash dokumentar e artistik, shpresë e Kinematografisë së Kosovë, me 5 çmime ndërkombëtare. Mirëpo, du ata shkruaj, një sukses tjetër, me prejardhje nga Rogana, për piloten shqiptaro-amerikane, nga Rogana, pjesëmarrëse e bombaerdimeve, me forcat e NATOS, kundër Serbisë në vitin 1999.

Mirëpo, një sukses tjetër, që tejkalon kufijtë e Roganës, dhe është bërë nder i Kosvës, është „Klubi i Atletikës Rogana“, Ky Klub është fitues i shumë medelave të Kosovë, dhe ndërkombëtare. Në zgjedhjen e atleteve më të mirë të Kosoves për vitin 2014 të organizuar nga Federata Atletike e Kosoves: Vijona Kryeziu nga Klubi Atletikes “ Rogana” është zgjedhur Mbretëreshë e vitit 2014. Musa Hajdari është shpallur atleti më i mirë i vitit 2014, i përcjellur nga Astrit Kyreziu seniori i dytë dhe Granit Kryeziu seniori i tretë, si dhe Suad Kryeziu seniori i gjashtë. Te Junioret e para: Majlinda Canaj Ndërsa te Juniorët i dyti: Kreshnik Baxhuku, Trajner i vitit 2014 u zgjodh Zijadin Kryeziu.

Në ditëlindjen e 70 – të, të Shkollës Fillore „Metush Krasniqi“ të Roganës ka shumçka për t´u thënë. Kjo mugullimë drite e Shkollës Fillore „Metush Krasniqi“, është shkëlqimi i dijeve që mund të japë vetëm shkolla. Në këtë ese për jubileun e Shkollës, Fillore, “Metush Krasniqi“ është e pamundur të përmblidhet tërë puna 70 vjeçare e 344 arsimtarëve dhe 22 drejtorëve. Në Roganën patriotike të Kosovës kurrë s´kanë munguar dijetarët dhe luftëtarët. Në çdo luftë të Kosovës Rogana ishte pjesëmarrëse në betejat e atdheut për liri. Në një shekull jete, Rogana i dha Lirisë Kosovës, 75 dëshmorë, 2 Këshilltarë, bashkëpunëtor të Bajram Currit, Murat Kryeziun, dhe Azem Gecin, 2 Kryengritës të dëgjuar; Selman Trenën, dhe Hamdi Behën. Ndërsa në Luftën e 1999-tës, Rogana ishte pjesëmarrëse e UÇK-së, e Luftës ma çlirimtare të popullit tonë. Rogana e pushkës dhe e penës në vitin 1999 Lirisë së Kosovës i dha, 3 dëshmorë; Nevzad Balë Kryeziun, Selver Bajram Kryeziun, dhe Emin Ruzhdi Kryeziun. Po e mbylli këtë ese me një poezi të kënduar nga nëna ime, Naxhije Geci; O zog që këndon në pemë / Udhën mos e humb kah shtëpia / sigurisht edhe ti ke motra e vëllëzër / që të duan dhe janë të përmalluar!..
Ne Foto: Drejtori i shkollës, Bajram Kallaba/
Rrustem Geci – Dortmund, 215

Filed Under: ESSE Tagged With: MUGULLIMË E DRITËS, Rrusstem Geci

Lamtumirë profesor Afrim Karagjozi…!

May 7, 2015 by dgreca

Nga Dorian Koci/
Profil: Prof. dr. Afrim Q. Karagjozi, studiues dhe përkthyes, njohës dhe pedagog spikatës i gjuhës dhe letërsisë angleze, i cili i ka kushtuar gjithë jetën kulturës angleze. Veprimtar i zellshëm, me kontribut të veçantë në fushën e kulturës e të arsimit, të mesëm e të lartë dhe pjesëtar i shumë konferencave e simpoziumeve ndërkombëtare; disa herë lektor në universitetet më të njohura të Europës. Për vite ka pasur funksione drejtuese në fushën e marrëdhënieve me jashtë dhe në diplomaci. Është themelues dhe kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bajronit (1991), si dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Shoqatës Ndërkombëtare të Bajronit.
Jeta është si një stacion ku njeh shumë njerëz, por jo të gjithë mbeten përherë në kujtesë. Kjo gjë ndodh jo vetëm sepse ata shfaqen, duken, ikin ose veniten si çdo gjë rreth e përqark nesh, por sepse jo të gjithë arrijnë të përfaqësojnë atë që quhet frymë dhe që për shumë kohë jeton në kujtesën njerëzore dhe në kujtesën e ajrit. Sepse ashtu si është e njohur për të gjithë, në të vërtetë pak njerëz arrijnë të ndriçojnë përtej kohës së tyre dhe në të njëjtën kohë të jetojnë në bashkëkohësi në kufijtë midis dy epokave. Profesor Afrim Karagjozi, edukatori i shkëlqyer anglofon i kaq e kaq brezave në Shqipëri në gjimnazin e njohur të Tiranës “Qemal Stafa”, bajronistin e përkushtuar që arriti përmes veprës së vet të na e përcjellë të detajuar dhe të plotë, shpirtin e një epoke siç ishte Romantizmi Anglez dhe korifeun i tij, Bajronin në kulturën shqiptare, esesistin dhe studiuesin skrupuloz të udhëtarëve anglezë si Lik, Lear dhe Durham, përkthyesin e Show-ut dhe të Durham në shqip është, në fakt, një personalitet kulturor që përvijohet gjithandej në kulturën tonë të gjysmës së shekullit XX, duke pasuruar atë çka një brez para tij i ofroi kulturës shqiptare. Profesor Afrimi ishte një nxënës dhe një dishepull i profesor Skënder Luarasit që solli për herë të parë në shqip Bajronin dhe kryeveprën e tij “Udhëtimet e Çajld Haroldit”. Janë të pakët momentet në kulturën shqiptare kur nxënësi arrin që të jetë si mësuesi, dhe padyshim profesor Afrimi me përkushtimin dhe studimet e veta rreth Bajronit dhe ardhjes së tij në Shqipëri arriti të krijonte një frymë dhe trend studimesh që e bëri shumë të dashur veprën e përkthyer të mikut e profesorit të vet, por në të njëjtën kohë solli një kontribut shumë të madh për të kuptuar më mirë imazhin dhe portretet e shqiptarëve rreth 200 vjet më parë kur ata po trokisnin në dyert e historisë së re të Europës. Ky imazh, këto portrete, mbresa dhe emocione aq të nevojshme për ne të sotmit, për të kuptuar më mirë rrugëtimin e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor shfaqen si tablo të plota dhe morën jetë përmes fjalëve të profesorit tonë të dashur në një seri veprash albanologjike që i bëjnë nder çdo biblioteke në Shqipëri e jashtë saj për t’u lexuar dhe për t’u shfrytëzuar si burime të para në hartimin e monografive rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në të njëjtën kohë fare natyrshëm, besoj se ato duhet të jenë një literaturë e detyrueshme leximi për cilindo të huaj apo shqiptar që dëshiron të njohë më mirë Shqipërinë, dashurinë e pakushtëzuar të profesorit. Në raftet e bibliotekave tona gjendet dhe një metodë e mësimdhënies së gjuhës shqip për të huajt, pasi profesor Afrimi besonte fort se një komb dhe kultura e tij njihen më mirë kur ata fillojnë e dialogojnë si të barabartë, ndaj pasionin e tij gjuhësor që e ndau për shumë vite me shumë studentë të huaj që mësonin shqip, na e la si monument kulturor për ta përkujtuar gjithmonë se njohja e shqiptarëve nuk mund të mbesë gjithmonë një mister, por të gjithë ata që dëshirojnë të dinë më tepër rreth tyre mund t’i referohen duke studiuar gjuhën tonë. Në këtë frymë ishin dhe botimet e njëpasnjëshme të Bajronit, korrespodencës së tij, studimeve të zgjedhura, poezive rreth shqiptarëve, në dy gjuhë shqip e anglisht si për të na thënë se njohja jonë e parë në Europë u përkiste sa europianëve, po aq dhe neve. I dashur profesor, unë e di që ti u largove me merakun e madh se nuk e realizove dot botimin e kumtesave të dy konferencave shkencore për Bajronin dhe Ali Pashë Tepelenën, por në sistemin e vlerave që kemi krijuar për fat të keq vazhdojmë të mbetemi ende borxhlinj ndaj njerëzve të kulturës dhe artit. Sistemi ynë i vlerave s’ka të bëjë aspak me epokën e kaluar apo këtë të tashmen, por është suigeneris i quajtur idiokraci, ku profesorët që kanë shtatë libra akademikë nuk janë anëtarë të Akademisë së Shkencave, ku për të botuar një punim shkencor u duhet të kërkojnë fonde gjithandej, ku editorialet e gazetave nuk u bëjnë vend për të shkruar opinionet e tyre dhe përkushtimi akademik i tyre shikohet me bezdi. Jetojmë në kohë të çuditshme profesor, ku Bajroni, Durhami që shkruan për Shqipërinë nuk kanë asnjë bust apo përmendore dhe biznesmenë privatë investojnë për spektakle mode. E megjithatë, Eppur si muove, do thoshe Profesor, me buzëqeshjen tënde të zakonshme për të na dhënë kurajë dhe për të besuar se gjërat do të ndryshojnë. Është e vështirë që të ecësh përmes itinerarit kulturor të botës shqiptare dhe botës anglosaksone që krijove me librat e tu, profesor Afrimi, dhe të mos e humbësh fillin e mendimit për të kuptuar më mirë pyetjet tona identitare rreth nesh dhe të tjerëve që na kanë njohur, por jam i sigurt që diku mes bibliotekave, në faqet e librave, në biseda televizive, në artikuj gazete do të frymojë gjithandej fjalët dhe vepra jote për të na nxjerrë nga errësira dhe për të na orientuar drejt dritës, sepse në fakt njerëz të tillë asnjëherë nuk ikin dhe veniten, por në të kundërt na ndriçojnë neve të gjallëve për të na kujtuar se jeta nuk është vetëm një ndodhi e së tashmes por edhe një memorie historike e kulturore e së shkuarës. I paharruar qoftë kujtimi yt, profesor, të qoftë e lehtë balta e Shqipërisë që e deshe aq shumë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Afrim Karagjozi…!, Dorian Koci, Lamtumirë profesor

Gështenjat e qytetit tim

May 6, 2015 by dgreca

Shkruan: Ilir Levonja-Florida/
1) Ne asnjëherë nuk pyetëm se përse po e bëjmë një rrugë: Përse na duhet…, dhe si duhet bërë ajo.? E ngrita këtë shqetësim në një shkrim të para pak javëve me titullin, Pak pudër mbi rrudhat e mia. Këtë në kontekstin e pranverës së fushatës. Ku veç furishëm, hedhim atë ziftin e zakonshëm. Rrugëve, apo bulevardeve. Dhe pas gjashtë muajsh, nuk e kemi për gjë ta çajmë në mes e të ndreqim tubat e kalbur nën dhe’.
Por le të futemi drejt e në temë. 
Ka ditë që në internet, në webe të qytetit të Lushnjes. Madje edhe në youtube qarkullon një video, se si do të jetë pedonalja, apo shëtitorja kryesore në të ardhmen e afërt. 
E parë me planet kompjuterike, apo atë që aq për zemër e kemi ta themi, me high definitione. Duket një mrekulli. E zeza, vijat e bardha, kumbullat e çelura, palmat etj. Mirëpo realiteti natyror është krejt tjetër nga ai kompjuterik. Kjo edhe përballë atij realiteti me faunën apo atë pak histori të atij qyteti. Që ne vdesim t’i ngjisim edhe titujt e Turqisë otomane, si bej apo pasha. 
U vozita edhe unë disa herë. Si qytetar i atij vendi. Si një nga ata që ka orë të jetës nën ato gështenja, në ato qoshe, ku herë i dëshpëruar herë i gëzuar, ndërtova personin tim. Ndofta është kjo aryeja që mbajmë edhe frymën aty. Mbajmë vetveten .
Dhe vetiu më ngelën sytë tek ato palma. Që do zevendësojnë gështenjat kaba. 
Po çfarë është për tu shqetësuar? Përse duhet të na dhëmbi për disa pemë. Për disa qoshe. Apo për një kryqëzim rrugësh etj.? 
2)Kur punoja në Lushnje, në ato aktivitet e mia artistike. E kisha për zakon që të rrija pas kuintave të skenës. Në një nga këto pasdreke shfaqesh, u gjenda ballë për ballë me një burrë të moshuar, flokë thinjur, dhe vështrim artë. Ishim vetëm ne të dy. Tek shkallët mbrapa. Përjashta . Në atë ballkonin e vogël të teatrit. Ai shikonte mëhallën në të mugtë dhe nuk fliste. Por nuk qe vështirë të kuptoje se sa shumë trishtim mbante brenda vetes ai njeri. Unë i thashë se çfarë shikon nuk është më Lushnja jote. Dhe ai veçse psherëtiu, Më rrahu supet dhe iku i vetëm nëpër mbrëmje. Ky ishte i madhi i skenës shqiptare, Ilia Shyti. 
Dhe ata që kanë memorien e freskët, duhet ta kujtojnë më mire se unë, se rruga e kalldrëmtë, shitoret, Ndërtimet karakteristike, qofshin edhe prej Turqie, apo selvitë e larta etj…, janë një humbje e pariparueshme. Eshtë njësoj sikur t’i heqësh sot Shkodrës rrugën e kafes së madhe.
Akoma e kam të gjallë një pijeshitës, kur i vogël shkoja mbushja me raki një faqore qelqi për tim atë. Më vonë ajo botë e kalldrëmtë u përmbys e tëra. Modernia ndrinte, por historia u varros.
3)Si një botë virtuale, me komunikim edhe ndër këto webe ka plot zëra pro dhe plot kundër. Mirëpo vërej se tërësia e debateve qëndron nga kahjet politike. Dhe ne fakt jemi duke rritur breza me theks të dukshëm prirjesh politike. Nuk ka asgjë të keqe. E keqja fillon kur prirja bëhet luftë e ashpër. Deri me sharje e fyrje të rënda. Ndërkohë kur është më e dosdoshme, nga të rinjtë, që të shikojnë njëri-tjetrin si pjesë po e njëri-tjetrit. Jo si demokratë palaço dhe socialistë të kulluar. Apo edhe anasjelltas. Lërjani liderëve aktualë këtë metodollogji politikëbërje. Këtë frymë agresive. Dhe kthejuni botës reale të komunikimit njerëzor. Aq më tepër kur mundësitë janë më të mëdha. Aq më tepër që jemi në kohën e argumentave, jo të çjerrjeve dhe poshtërimit të shoqi-shoqit.
4)Nuk e di se sa do realizohet, se sa i vërtetë është si plan projekt etj. Pasi u mësuam tashmë më këto histori investimesh në kohë fushatash. Por thellë vetes time thashë, ju lutem mos na i hiqni ato gështenja. Janë stinët aty. Janë hapat tona. Shëtitjet. Pritje-përcjelljet. Çdo arkitekti, çdo projektuesi i duhet thënë se, pedonalet, bulevardet, ato qoshe etj. Ndërsa i projekton mendo edhe korifejt. Mendo Ilia Shytin kur ecte në ato rrugë. Mendo Vaçen kur këndonte. Mendo Margaritën, Pavlinën kur recitonin. Mendo poetin. E dini sa poezi ka shkruar Faslliu tek bredhi i Buçit. Vura re se aty ju do ndërtoni një shatërvan. Pemët e Lushnjes janë hinxat katana, koliptet, selvitë, gëhtenjat, blirët. Nuk janë palmat. Nuk ka ecur Ilia nën palma. Dhe nuk e di nga keni rënë në dashuri me këtë pemë tropikale. Që këtu e quajnë pema e dembelëve. Pasi nuk ka nevojë për ujë, nuk ka nevojë për krasitje. I thanë vetë degët, që nuk i duhen më dhe i rrëzon përtokë. Nuk e ndërton dot folenë guguftuja në degët e palmës. Do hinxat, do selvitë, kolipset etj. Kjo është Lushnja. Jo ajo me palmat e reja të Arabisë.
5) Ju që dashuroni sot, që prisni aty një vajzë. Që bëni një shëtitje. Që keni një foto. Ta dini, do ngordhni si qeni nga malli. Kur të shikoni palmat në vend të gështenjave. Dashuritë e juaja nuk do të jenë memoria e vjeshtës me gjethe që bien. Me shira të vonuar. Me gështenja të zhveshura në dimër. Me gjethe të reja në pranverë. Jo, nuk do të jetë. Kësisoj, as qyteti i juaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gështenjat e qytetit tim, Ilir Levonja

PSE 6 MAJ 2015 I REXHEP DEDUSHAJ ËSHTË NJË DATË E RE NË KALENDARIN E KOHËS?

May 6, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Secili ka datat e veta në jetën e tij, po kjo e 6 majit 2015 e shqiptaro-amerikanit Rexhep Dedushaj hyn dhe në kalendarin e kohës, ku prej vitesh janë aty dhe emri e veprat kombëtare të tij për Plavë-Gucinë e Pejën…. Kit’ datë të sotme të këtij historiani atdhetar nuk po e përveçoj privatisht për mirë, por e shenjon vet aktualiteti ynë shqiptar i vështirë. Është një datë që i duhet politikës kombëtare shqiptare, edhe në Kosvë, edhe në Shqipëri, edhe në trevat shqiptare nën Malin e Zi e nën Serbi, edhe në Maqedoni.
Po vjen historiani i njohur vuthjan Rexhep Dedushaj në një kohë dhimbjeje të madhe kur me mijëra shqiptarë të Kosovës po largohen këta muajt e fundit nga toka e tyne genetike. Po ikin nga toka, nga deti, nga ajri. Kahmos. Me gjithçka. Gjithkund. Po ikin nga politika “ku-ku” e Kosovës, nga sofra e unjtë, nga arat e pambjella, nga rrugët papunë…Kjo është një tragjedi, pasi më 1998-1999 shqiptarët e Koosvës i përndjekte Millosheviçi për spastrim etnik e tashti po e përndjekin vetëveten…Realisht sotpërsot Kosova është shteti ma i përndjekur i Europës kontinentale e ishullore. Kontributi i madh i Europës dalëngadalë me qëndrimet e saj vitpasviti po përkthehet tashma dhe ndryshe: në një turp të ri të saj, e për disa shtete të saj si një “orgazmë” politike e shovene…! E nejse, fjalën e kishim tek ikjet eksodike. Tek braktisja e madhe e Kosovës së vogël. Dhe jo vetëm e saj…po edhe Plavë-Gucia e tij nën Malin e Zi.

Po vjen atdhetari shqiptar Rexhep Dedushaj në një kohë të vështirë për Kosovën, e cila – sipas të dhanave të CIA-s në publikime të saj zyrtare – renditet shteti më i varfër i Europës së Bashkuar e Të Ndarë. Përndryshe: një nga 25 shtetet ma të varfëra të botës për vitin 2014. Kosova e ka 53.6 për qind indeksin e varfërisë, 8.3 për qind inflacionin, papunësi e shfrenuar, etj. Nga mërgata e saj në Europë e Amerikë janë pakësue dërgesat deri në 18 për qind të GDP të Kosovës.

2.
Për të gjithë ata që nuk e dijnë po them se Rexhep Dedushaj ka mbi një çerek shekulli në Amerikë. Saktësisht: 27 vjet. Ka shkue 41 vjeç e po kthehet 67 vjeç, pikërisht më 6 maj, në përvjetor të lindjes së tij. E ka përzgjedh datën e kthimit dhe, njëherash, kjo datë e përzgjodhi atë. I vështirë rikthimi: planeti Amerikë i magneton edhe gjermanët me ndejt përjetsisht aty e jo ma shqiptarët në Ballkan, që shumëkush kit’ gadishull (veçmas pjesën perëndimore) i sheh si “apendesit”…e (…eh’) shpeshherë iu ka kthye në “fuqi baroti” për luftra botërore e ballkanike.

Të gjitha ia dha Amerika qytetarit të saj dinjitar Rexhep Dedushaj përveçse Vendlindjen e tij, që është në Qarkun e hershëm të Pejës otomane e përfshinte Pejë, Plavë-Guci, Rrozhajë… Demokracinë e madhe, pasi Amerika është tempull i saj. Lirinë e plotë. Ndejen e mirë. Çekun e majmë. Shoqërinë e afërt e të gjanë, që vetëm disa ia njoh si Avdyl Dedushaj, Idriz Lamaj, Dema Balidemaj, Muharrem E. Hardolli, Naim Dedushaj e shumë të tjerë. Edhe mua tashti do më mungojë diçka jetësore shoqërore, i afërt e afirmativ, në Amerikë: Rexhep Dedushaj. Shpesh kur kujtoja Amerikën më vinte në mendje dhe Rexhep Dedushaj, e ka’i’herë takoheshim nga afër prej së largit, në mure e dritare të Facebook të Mark Zuckerberg. Ka’i’herë edhe i kena dhanë vurmak fjalës ndërveti e shpesh e ma shpesh ishte si një “katedër” për historinë e Plavë-Gucisë ku unë e ngreja dorën për pyetje e i rrija “me laps e letër” në dorë, telefon e facebook, e-mail.

Rexhep Dedushaj kur iku më 1989 për në Amerikë ishte mësues i landës së historisë në shkollat shqipe të Pejës me rrethina e, tashti, po kthehet prej andejna si historian me shumë libra monografik si “Krahina e Plavë-Gucisë në shekuj”(1993) edhe në gjuhën boshnjake, me titull “Plavo-Gusinjska nahija vekovima” (2003),“Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë-Gucisë” (1997), “100 vjet Luftë” (1999), “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës” (2006), “Gjurmë mërgimtarësh” (2009), “Çung Tahiri i Vuthajve” (2013). “Komandanti me plumb në trup” (2014). E kjo ndodh në Amerikë, në vendin e lirive e mundësive të madhe. E kjo ndodh tek njerëz të rrallë si Rexhep Dedushaj, që e shkruajnë historinë e trollit të vet etnik, të Plavë-Gucisë e të Pejës…dhe mërgatës së tyne në Amerikë. Ai vjen me tetë libra me interes panshqiptar, kombëtar. Nuk është pak. Përkundrazi: shumë. Nderim! Mirënjohje!

3.
Edhe atje në Amerikë Rexhep Dedushaj, shqiptaro-amerikan, historian, atdhetar kombëtar, kudo e kurdohë e kishtë Shqipërinë me vete: me Vuthaj, Plavë-Guci, Pejë, Kosovë, Shqipëri, Preshevë, Shkup, Podgoricë, Çamëri…Ai është një nga shqiptarët që në mbi tre dekadat e fundit ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ka dhanë për kombin e vet, ka ndihmue në lirinë e Pavarësinë e Kosovës, ka ngritë zërin për të drejtat historike, etnike e demokratike të Plavë-Gucisë të okuptuar e aneksuar nga Mali i Zi shoven e diktatorial, etj. Shqipëria ishte në zemrën e ndërgjegjen e tij, në sytë e hapat e tij, në penën e veprat e tij, në demonstratat për Çështjen Kombëtare Shqiptare, në takime e biseda me shqiptarët e me personalitete amerikane. E rdëshmon këtë rikthimi i tij në Atdhe pas 27 vitesh, në ditën e lindjes së tij, në ditën e emnit të tij, më 6 maj 2015.
Rexhep Dedushaj, mastër i shkencave historike, është nderue për kontributet e tij gjatë kohëqëndrimit në Amerikë: Ëdekoruar nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës në Tiranë me Çmimin “Pjetër Budi” (më 28 maj 2008). Shoqata Atdhetare “Dibra” i ka dhanë “Mirënjohje” (më 7 mars 2005) si një mësues kombëtar, ndër 12 mësuesit e përzgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare. Njihet e mbetet si një nga veprimtarët e njohur të Federatës Panshqiptare “Vatra” në Amerikë.
Sot, më 6 maj 2015, Rexhep Dedushaj po vjen nga Nju Jorku i Amerikës në Prishtinë të Kosovës me Pasaportë Amerikane, pasaportën e shtetit ma të fuqishëm të globit. Ai e ka dhe pashaporten tjetër: Pashaporten e Kosovës, shtet i ri në hartën e botës, me pasaportën e të cilit del deri në oborr të shtëpisë?! Europa e Bashkuar, që ka ardhë aty në Prishtinë e në krejt hartën e Kosovës në Flamur e deri tek Hymni memec i Kosovës, duhet me e ditë se është aty dhe për Kosovën, dhe për Serbinë…, po nuk duhet ta pranojmë që ta shohin Kosovën me sytë e njerkës, çeker, pasi deri më sot nuk po ia njeh Lëvizjen e Lirë në hapësirat Shengen, etj.?!

Tashti dy pyetje të përafërta ia baj ditës së sodit e kohës tonë shqiptare: Kush dhe Si do ta presin Rexhep Dedushaj në Kosovë?! A e veç njerëzit e gjakut e të pragut, a veç rremat bio-genetik të farefisnisë, a veç do’ shokë të tij të vjetër e të ri’?! Po shteti i Kosovës, shteti i Atifete Jahjagës, i Isa Mustafës, i Hashim Thaçit, i Ramush Haradinajt…a kanë me e prit zyrtarisht, veçmas apo në një ceremony të veçantë? Po Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës apo i vjen diçka nëpër mendje për historianin flokëthinjër e emërmirë Rexhep Dedushaj?! Po komuna e Pejës me kryetar të sotëm, të përkushtuarin Gazmend Muhaxheri, a ka me e prit’, qysh ka me e prit’, a i rri në hatër për mirë dhania e një mirënjohje këtij shqiptari atdhetar që rikthehet pas një çerek shekulli nga Amerika e përtej Atlantikut në Atdheun e tij, në Pejën e lashtë e të re, në Pejën mes Alpeve Shqiptare, ndërkohë që të tjerët, me mijëra, përditë, po ikin nga trojet e veta?! Politika kombëtare e Kosovës duhet ta vlerësojnë këtë akt, këtë veprim e veprimtari të historianit Rexhep Dedushaj, pasi 6 maji 2015 është një datë e re në kalendarin e kohës… E, në përmbyllje: Rexhep Dedushaj nuk po rikthehet si “hero i ditës”, po vjen natyrshëm si një shembull i mirë i kohës që i duhet shumë politikës sonë kombëtare kur eksodi në Kosovë, Luginën e Preshevës, Shqipëri, në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi dhe në Maqedoni ka marrë përmasa të pazakonta. Sigurisht, vlerësimi i këtij shembulli të thjeshtë e me forcë të madhe tregon se politika zyrtare shqiptare nuk është në “ekzil”, po është në tokën e vet, ka punon për kombin e vet. Se nuk udhëhiqet vetëm nga politikanët e lartë me programe afatore, nga policët që bllokojnë eksodet, po dhe nga forca e shembullit të mirë të ditës.
Ne foto: Rexhep Dedushaj ( i dyti – djathtas) me ish-ambasadorin amerikan ne Tirane, Rajersonin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lushaj Ramiz, Rajerson, rexhep dedushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 462
  • 463
  • 464
  • 465
  • 466
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT