Nga Eugjen MERLIKA/
“Ne të lutemi o Zonja jonë, o shpresa e jonë ! Ti që je Ylli i detit na ndriço ne, të përplasur nga stuhia në detin e jetës ; Na ndriço në molo e n’orën e fundit na mbro me ngushëllimin e pranisë tënde, që të mund të arrijmë të gëzuar lumturinë pa fund.Këtë nder të na dhurojë Ai që ti e mbajte në prehërin e bekuar dhe i dhe qumështin me gjirin Tënd të Shenjtë. Atij nder dhe lavdi në shekujt e përjetshëm. Amen!”
Lutje Virgjëreshës Maria nga Shna Ndou
Që nga thënia e Marksit “Feja është opium për popullin” e deri në vetëshpalljen e Shqipërisë si i pari dhe i vetmi shtet ateist në planet, kaloi më shumë se një shekull. Qe një shekull që punoi për të realizuar, nëpërmjet luftërave botërore, sistemin komunist në botë. Një nga pikat më nevralgjike të strategjisë së tij qe lufta kundër besimevet fetare. Në Shqipëri ajo u shfaq në përmasa e mizori të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Evropës. Martirizimi i klerit shqiptar, sidomos i atij katolik, nuk i pati zili aspak Neronit, mbasi i tejkaloi në cilësi e sasi mizoritë e tij.
U mbyllën të gjitha objektet e kultit, klerikët u përndoqën, herë herë edhe me çmimin e jetës së tyre dhe dy breza shqiptarësh e këmbyen emrin e Zotit me atë të Enver Hoxhës. Objektet e kultit u kthyen në pallate sporti, në shtëpi kulture socialiste apo stalla lopësh e një pjesë e mirë e tyre u shemb, duke groposur veprat artistike. Mbas 1990 ato u ringritën e shqiptarët rifituan të drejtën të luteshin hapur. Pas komunizmi nuk u tregua dorështrënguar me rivendosjen e besimeve fetare, sepse ata nuk rrezikonin perspektivat e paracaktuara mbizotëruese në jetën ekonomike e politike të Shqipërisë demokratike për kastën e komunistëve të rinj.
Ndërmjet kishave, të shembura nga furia djallëzore e organizatave të Enverit, qe edhe ajo e Shna Ndout në Sebaste, Laç. Nga ajo kishë kishte mbetur vetëm një shkëmb i lëmuar nga buzët e njerëzve. Ai vënd u kthye në një simbol të shpresës e të qëndresës. Pushteti i komunistëve i përdori të gjitha format e trysnive për të zhdukur nga përfytyresa e shqiptarëve atë vend të shenjtë dhe nga zemrat e tyre atë figurë madhështore të botës së krishterë. Por asgjë, as propaganda, as kërcënimet, as policët e ushtarët e rrjeshtuar, nuk qenë në gjëndje të ndalonin vargun e gjatë e të pashkëputur të shqiptareve e të shqiptarëve që, çdo 13 qershor, shkonin për të nderuar kujtimin e Shenjtit e për të kërkuar ndihmën e Tij. Studjuesit e kësaj dukurie, unike në sistemin terrorist të Shqipërisë komuniste, ende nuk kanë përcaktuar motivin e vërtetë të thyerjes së regjimit përballë vullnetit të një populli, për të shfaqur haptas besimin në një nga shenjtët më të shquar në gjithë historinë e Kishës katolike. N’atë dështim të regjimit gjakatar, sigurisht, ishte fryma hyjnore që shfaqej, në gjithë shkëlqimin e saj, e që shprehej nëpërmjet mrekullive të “Shenjtit të mrekullive”.
Shna Ndou i Padovës (kështu njihet Ai në letërsinë kishtare) kishte lindur në Lizbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195. Dita e lindjes së Tij, nga një familje fisnikësh, përkonte me festën e Ngjitjes në qiell të Virgjëreshës Mari, Nënës së Jezu Krishtit. Maria Teresa Tavera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, një dhuratë të Virgjëreshës dhe që së vogli e edukoi atë me kultin e saj. Fëmija i lutej çdo ditë Virgjëreshës e, në moshë të vogël, i premtoi asaj virgjërinë, për të qenë një adhurues i saj i përhershëm. Që herët u shfaq fuqia e Tij për të kryer mrekulli. Ai u rrit mes librave e lutjeve, duke patur në qendër të shpirtit të tij dashurinë për Jezu Krishtin dhe Nënën e Tij.
Tre parimet, mbi të cilët mbështetej formimi i mbrendshëm i Fernandit, ishin : përvujtëria, dlirësia dhe mëshira, të njëjtat mësime kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15 – vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe u fut në një monastir të agostinianëve, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Në qetësinë e tij, djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studjuar veprat e Tij, por edhe vëllimet e Biblës, komentet e thella të Etërve të Kishës mbi to, veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.
Simbas njërit prej biografëve të Tij, Rigauld, “ atje Fernandi bëri përparime të shpejta në përsosmërinë dhe në studimin e Fesë, në të cilën arriti në majat më të larta. “ Në kronikat e abacisë Fernandi “ishte një njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme.”
Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre Ai u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u vranë në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhërin e Fretërve minorë. Përballë jetës akademike të kanonikut agostinian Fernandi parapëlqeu atë të thjeshtën të Sh. Françeskut, duke ndërruar emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e eremitit të madh e Shenjtit me të njëjtin emër, që kishte jetuar në kuvendin e Oliveras. Por edhe qëndrimi në këtë kuvend qe i shkurtër dhe Antoni 25-vjeçar vendosi të largohet nga atdheu e të niset për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malarjes, nga të cilat u shërua mbas disa muajsh.
Mbas shërimit u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi anijen të zbarkonte në Siqili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna, në të cilët Ai shpalosi gjithë pregatitjen e Tij fetare e intelektuale, duke marrë titullin “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Montfort, arqipeshkvi i Boulogne-s. Të gjitha predikimet e Tij shoqëroheshin shpesh edhe me mrekulli të papara, që kishin krijuar tek njerëzit e thjeshtë një adhurim e besim të jashtzakonshëm. Madje vetë Shën Françesku, krijuesi i Urdhërit të ri të Kishës n’atë periudhë, e quante atë “më të diturin e bijve të Tij” dhe e dërgoi me mision në Francë më 1224, ku herezia kundër krishterimit ishte përhapur shumë.
Në Francë Ai shpalosi dijen, përkushtimin e talentin e Tij të spikatur në mjedise të molepsura, duke kundërshtuar herezinë e mungesën e besimit që kishte pllakosur Francën e jugut, duke predikuar në Montpellier, në Tuluzë, në Velay, në Lingadoca, Limoges, Arles. Në Limoges vuri në dukje edhe njëherë aftësinë e Taumaturgut, kur një furtunë e madhe po detyronte njerëzit e shumtë, jashtë kishës të largoheshin. Por Doktori i shkencave i siguroi se ata nuk do të lageshin, dhe ashtu ndodhi. Mbas tre vjetësh pune të një dobie të jashtzakonshme për ripohimin e doktrinës dhe kthimin në rrugën e drejtë të shumë heretikëve, Ai u largua nga Franca e cila, së bashku me Shën Dominikun, e konsideron ende një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues të jashtzakonshëm.
Në kthim Atë Antoni zbriti në Siqili e mandej, në udhëtimin drejt Umbrias, u ndal në Romë, në javën e Pashkës. Predikimet e Tij në kryeqytetin papnor u dëgjuan me shumë entuziazëm nga mijra pelegrinë, madje edhe nga vetë Papa Gregori IX, që e quajti Atë “Arka e gjallë e Biblës”. Pastaj Ai u shpërngul në veri-lindje të Italisë e ushtroi veprimtarinë ungjillore në gjithë bregdetin e Gjirit të Triestes, që nga Aquilea, Venediku, Gorizia dhe Udine. Në Vareze themeloi kuvendin, ndërsa në Ferrara, në një ceremoni kishtare, kreu një mrekulli që mbeti si një nga kryeveprat e Tij. Një grua fisnike, bashkëshortja e patricit Obizzi, akuzohej për tradhëti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkoi ndihmën e Taumaturgut. Ai, që i besonte asaj, “mbasi i dëgjoi të dy, mori fëmijën në krahë, ngriti sytë nga qielli dhe tha : N’emër të fëmijës hyjnore të përgjërohem o vogëlush, të thuash publikisht, me fjalë të qarta e pozitive, se cili është autori i ditëve tuaja.
Atëherë fëmija, edhe se ishte në shpërgënj, u kthye nga i ati dhe shqiptoi qartë këto fjalë : Ja babai im!” Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të Donatellos dhe në nje reliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit. (Eugenio Pilla : “Il Santo” F. 172)
Atë Antoni u dërgua në Firence për të paqtuar guelfët e gibelinët, kaloi në Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti që zgjodhi për jetën dhe fundin e saj, ishte Padova, në të cilin mbylli sytë më 13 qershor të vitit 1231, në moshën 36-vjeçare, mbasi kishte përballuar një tiran gjakpirës si Eselino III da Romano, duke bërë t’i bjerë në gjunjë e duke i treguar se nuk i trëmbej asnjë pushteti tokësor. Ai la edhe disa vepra të shkruara si “Panegjirikët e Shejtëvet”, “Bisedë mbi psalmet”, “Biseda mbi kohën”. Pa mbushur njëmbëdhjetë muaj nga ndërrimi jetë, Papa Gregori IX, me kërkesën e fuqishme të besimtarëve, e shpalli Shenjt Antonin e Padovës.
Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, që u dha atyre kurajon për të përballuar vështirësitë e jetës, ndërmjet tyre edhe për të sfiduar diktaturën më mizore. Ajo kurajë e kishte zanafillën në vargun e mrekullive që i Plotfuqishmi, Jezui dhe Virgjëresha i jepnin mundësi Atij të kryente për njerëzit, mrekulli që vazhduan me shekuj në të gjithë botën, fatmirësisht edhe në Shqipërinë tonë. Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë një nga përbërësit më të rëndësishëm të jetës fetare e shpirtërore të popullit tonë.
Kisha e Shna Ndout në Sebaste u ndërtua rreth vitit 1300 dhe u shkatërrua më 1971. Në të shërbyen shumë rektorë e meshtarë, ndër të cilët emra të shquar të kishës e kulturës shqiptare si Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Mons. Robert Ashta, Atë Zef Pllumi etj.
Prandaj ajo kishë e bukur, e rindërtuar në kodrën e Laçit nuk resht kurrë së prituri njerëz të gjitha besimevet, duke pohuar në vazhdimësi gjithësishmërinë dhe përjetësinë e mesazhit hyjnor.
Qershor 2015Eugjen Merlika