• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARI QË KALOI OQEANIN ATLANTIK DHJETËRA HERË PËR MORTE NË VENDLINDJEN E TIJ

June 10, 2015 by dgreca

Nga Gjekë Gjonlekaj/New York/
Dyert e shpërnguljeve biblike të shqiptarëve nga Mal i Zi u hapën në fund të viteve 60’ dhe qysh atëherë e sot nuk u mbyllën kurrë. Lamtumira(goodbye) vendlindjes është akt trishtues,sidomos për gra e burra në moshë të shtyrë. Prindërit tonë relativisht të moshuar nuk erdhën në Amrikë për një jetë më të mirë, dhe jo se jo për t’u pasuruar,por për të mos u ndarë nga njerëzit e tyre më të dashur.Kjo periudhë mërgimesh të mëdha meriton studime dhe analiza të shumta nga ekspertët e shoqërisë shqiptare. Rrugët e shpernguljeve nuk ishtin të shtruara me lule,por me lot e dhimbje të mëdha. Historia e mërgimit ishte ndonjëherë edhe tragjike. E tillë kishte qënë për familjen e Kolë Mirit të Hotit. Dy djemtë e Kolës dhe nusja e djalit të madh kishin emigruar nga vendlindja në vitin 1971,dhe ishin vendosur në Itali. Gjatë pritjes për emigrim ata ishin vizituar shumë herë nga të dashurit e tyre. Nëna e tyre Djellushë Lekja i kishte vizituar 9 herë brenda një viti,ngase ajo e përjetonte rëndë mungesën e tyre.Para nisjes së tyre për në Shtetet e Bashkuara,prindërit kishin shkuar në Romë për t’u thënë udhën e mbarë. Pasi kjo bijë fisnike e shtëpise së përmendur të Zek Nikut të Kojës ishte përqafuar e përshëndetur me djemtë e saj aty në vend i kishte rënë pika në zëmër dhe një ditë vonë kishte dhënë shpirt në spitalin e Romës,në moshën 43-vjecare. Ndërsa ata kishin arritur në New York ,nëna e tyre qëndronte e vdekur në morgun e Romës në pritje për t’u kthyer në Hot të Malësisë. Përsëri Kolë Miri “mes dy zjarresh”,do të kishte kënduar rapsodi shqiptar Sali Mani. Kola kishte mbetur qyqe vetëm në rruget e Romës. Për vdekjen e gruas së tij kishte njoftuar menjëherë kushririn e tij besnik Patër Daniel Gjecaj. Ky meshtar françeskan shqiptar shumë i nderuar i kishte qëndrua pranë deri atë ditë që Kola dhe gruaja e tij e vdekur ishin nisur për në vendlindje. Kolë Mirit kjo vdekje i kishte shkaktuar çrregullime që nuk i kishte paramenduar kurrë. Njëra nga ato ishte vendimi për t’u larguar njëherë e përgjithëmonë nga Malësia. Kola nuk e kishte imagjinuar asnjëherë largimin nga ajo tokë.Por pas vdekjes së gruas kishin ndryshuar planet e tij familjare.Nuk shihte rrugë tjetër përveçë bashkimit familjar.Një vit më vonë, së bashku me 4 fëmijet e tij, imigroi në Shtetet e Bashkuara. Ashtu siç e kishin traditë ata punuan ditë e natë dhe pas disa vjetësh u rregulluan shumë mirë në pikëpamje ekonomike. Kolë Miri gëzonte respekt të madhe tek malësorët shqiptarë dhe emëri i tij ishte garanci për shumë suksese të familjes dhe shoqërisë. Ai bënte fushata për ngritjen e qëndrave fetare dhe shoqërore në New York dhë në Detroit. Merrte pjesë aktive në mbledhje e ceremoni të ndryshme dhe vepronte si një misionar për paqë e marrëveshje midis malësorëve kudo. Kolë Miri dhe Mark Miri kishin një të kaluar të lavdishme sepse ishin kryqëzuar në “Kalvarin e Hotit” nga bandat kriminale komuniste të Toger Babës dhe Bajo Stankut. Marku dhe Kola kishin pësuar mundimet e Krishtit për të shpëtuar kapiten Gjelosh Luli nga mizoritë barbare staliniste. Për qëndresën e tyre legjendare flitet sot e kësaj dite. Kolë Miri ishte tepër i sinqertë dhe modest. Ai ishte natyrisht i zgjuar,fliste nga përvoja dhe përjetimet personale. Nuk kishte prirje për dukje as për krye të vendit.Ai ishte natyrisht i mirë dhe besnik. Per mortin e tij para 23 vjetësh me rastin e vdekjes e kisha shkruar se besa e Kolë Mirit ishte më e fortë se Mali i Veleçikut. Për çudi, Kola i kishte mësuar përmendësh lagjet e New Yorkut ku jetonin malësorët. Nuk lexonte dhe nuk shkruante por në aparatin e tij të kujtesës ishin fotografuar pikat kryesore te orientimit.Kur i mbushej mendja Kolës për vizita nuk bente lutje e duva për ndihmë ,por merrte shkopin dhe nisej tek miqtë dhe dashamirët e tij. Pavarësisht se nuk ishte i shkolluar Kolë Miri ishte malësori shqiptar më i nderuar në këtë vend. Merrte pjeë në dhimbjet e mëdha shoqërore,sidomos në morte qofshin ato në Shtetet e Bashkuara ose në Malësi, Prej vitit 1975 e deri në vitin 1990,Kolë Miri kishte kaluar Atlantikun, vajtje e ardhje mbase 100 herë, të gjitha për morte në vendlindjen e tij.Ai mbante titullin e kampionit për udhëtime të kësaj natyre. Asnjë shqiptar ose amerikanë,bile as ndonjë i huaj tjetër nuk mund të ketë bërë aq shumë udhëtime për vdekje jashtë Amerikës. Shumë herë malësorët pyesnin pse nuk po e mbyllim këtë ceremoni cka po presim? Dikush atje më largë përgjigjej po presim Kolë Mirin nga Amerika.Gjatë këtyre udhëtimve Kola kishte përjetuar episode të ndryshme,ngase nuk fliste asnjë gjuhë tjetër përveç gjuhës shqipe. Në një rast në Londër e kishte humbur lidhjen e aeroplanit për New York. Dhe për këtë autoritetet e aeroportit kishin sjellur një përkthyes nga gjuha shqipe në sërbisht,por Kola nuk merrte vesh sërbisht. Pas pak ata kishin prurë një përkthyes shqiptar,por as atë nuk e kuptonte sepse perkthyesi fliste dialektin tosknisht. Mosha e shtyrë dhe vështirësit e komunikimit kishin qënë pëngesë e madhe gjatë këtyre udhëtimeve.Para Luftës së Dytë Botërore,Kola kishte jetuar në Shqipëri në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës. Kishte jetuar atje një çerek shekulli me vëllezër e motra.Ai ruante kujtime të mrekullueshme nga jeta në Shqipëri. Kolë Miri tregonte shumë për Shqipërinë e asaj kohe. Kishte parë e takuar personalitete të larta të shoqërisë shqiptare. Ai e kishte pëlqyer shumë kohën e Zogut. Pavarësisht se nuk merrte pjesë në mbledhje partish politike,Kola ishte zogist i vërtetë. Në vitin 1944 ishte kthyer përgjithëmonë në vendlindjen e tij në Traboin të Hotit në Mal të Zi, ku jetoi deri në vitin 1973. Kolë Miri vdiq me 21 Maj te vitit 1992 në moshën 82-vjecare. Gjatë kohës në spital e kisha vizituar disa herë,duke i thënë fjalë të mira e kurajo se do të bënte më mirë,por ato ditë nuk ishte aspak optimist. Nje ditë më vonë vdiq në Spitalin Lawrence në Bronxville të New Yorkut,në qytetin ku kishin jetuar shumë familje të njohura amerikane,midis tyre edhe Familja Kennedy. Nderimet dhe ceremonitë mortore u bënë për dy ditë me radhë në Memorial Day Weekend. Për Kolë Mirin si për asnjë shqiptar tjetër ishin bërë tri ceremoni mortore. Një në New York, një në Hot të Ri në Shtoj të Mbishkodrës në Shqipëri tek nipat dhe mesat e tij ku kishte jetuar 25 vjet dhe nderimet më të fundit dhe varrimi ishin bërë në Vuksanlekaj të Hotit në Mal të Zi. Historianët amerikanë thonë se për Abraham Lincolnin ishin bërë ceremoni mortore në disa qytete të Amerikës para se të bëhej varrimi në vendlindjen e tij në Illinois.Misioni i Shqipërisë pranë OKB në New York ia dha vizën Kolës së vdekur dhe 32 malësorëve tjerë për varrimin e tij në vendlindje. Ky ishte malësori i parë i vdekur që kaloi nëpër tokën e Shqipërisë pas rënjes së diktaturës.Ky ishte mort i madh dhe ceremonial,që nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe natyrisht kishte pasur shumë gojtarë,vajtore e gjëmtarë. Por një tragjedi shumë herë më e madhe se kjo u përsërit edhe një herë në shtëpinë e Kolë Mirit në New York më 11 Shtator 2001,kur nipi i tij Simon Dedvukaj ra dëshmor në Kullën Binjake(World Trade Center) në Manhattan. Kjo tregonte se rrugët e tyre të mërgimit kishin qënë të shtruara me gjëmba e jo me lule. Por kjo familje fisnike i përballoi të gjitha me nder e faqe të bardhë.Prej Kolë Mirit mësuam të gjthë.Ai ishte mësuesi ynë më i mirë i jetës,sepse fliste nga përvoja personale. Kurrë nuk kam parë asnjë shqiptarë si Kolë Mirin që mund t’i ketë zbatuar aq bindshëm normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe urdhënimet e Tëzot që janë 10. I tillë kishte qënë edhe vellau i tij Mark Miri. Por Markun e kam takuar vetem një herë gjatë një vizite në New York. Mark Miri dhe Kolë Miri kishin një kod të tyre moral të veçantë dhe për këtë meritojnë monument në tokën shqiptare. Ata ishin nderi i kombit,dhe duhet të respektohen si të tillë sot e përgjithëmonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjek Gjonlekaj, kalimi i Atlantikut, Kol Miri, vendlindje

“Pakt me të hënën” i Istref Haxhillarit

June 10, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi/
Zakonisht, për çdo mesditë,e marr një sy gjumë. Është bërë stereotip i pandreqshëm ky”sygjumi” im,sa, po ndodhi që të ma prishë dikush, mos kujtoni se do shpëtojë pa ndonjë mallkim. Se, tek zë e ta shtëlliz më tej këtë lloj çlodhjeje që aq më pëlqen, dua që t’ju them se ka më keq se sa unë. Dhe mjafton të më ndiqni e do shihni mandej: kam apo nuk kam të drejtë në “mallkimin” tim? Në Tiranë paska qenë një Vasil, i moçëm dhe ky si unë, aty nga shtatëdhjetat që aty nga ora 20 e mbrëmjes binte në gumë dhe, mandej, sikur topat e Allemanjës të binin, nuk çohej deri në mëngjes. Rronte me të shoqen dhe, për pesëdhjetë e kusur vjet , kjo ia kish mësuar huqin dhe kurrë nuk ia prishte ajkën.
Mirëpo shiko seç na ndodh. Ky, Vasili, na paskësh patur një vëlla ikur që në kohë të “merhumit” në Amerikë dhe, kur u hapën “portat” dykanatshe, vëllai lajmëroi që do vinte. Prit e prit dhe duket, kur kaloi ora 20, Vasil “Huqliu” fiu dhe në krevat. Aty nga ora 21 mbrriti, pas tridhjetë vjetësh, kurbetliu, Vangjel. E shoqja, po kur e quanin dhe atë Vasilika, drejt e tek krevati:- Çohu Vasil, se erdhi Vangjeli!
-Aha,- tha “Huqliu”,- jam në gjumë!!! Nesër,- i thuaj Vangjelit…
* * *
E solla këtë përqasje , se dhe mua kështu më ndodhi. Desh e bëra, si Vasili, po të lë Istrefi?! Kur them Istrefi,e kam fjalën për prozatorin e bukur Istref Haxhillari. Dhe jo vetëm ai, por dhe mikja jonë e përbashkët, MERI LALAJ. Kjo, pasi më dha dy libra të Istrefit, më mori në telefon dhe më tha:- I ke me kontratë. Romani është për Lidën (Lida Laze)dhe”Pakt me të hënën” është imi. Domethënë, unë qeshë vetëm një “i pajtuar me qera”. M’u kujtua kënga e “Qeraxhiut” që aq bukur e këndon e bukura ELI FARA “… qeraxhi të kam vëlla/ ma sill burrin me qera”. Pra jam pajtuar me “qera” tek Istref Haxhillari. Dhe si “qeraxhi”, po paguaj doganën.
Që është prozator nga më të mirët, Istref Haxhillari, këtë nuk e them vetëm unë, por është dëshmuar me çmime jo vetëm brenda vendit, po dhe jashtë. Unë nuk nisem veç nga këto, por tek mora një “xhiro” me qera “Pakt me të hënën” e përzura dhe atë Vasilin me gjithë huq. E vetmja që u çudit, në këtë prishje stereotipi, është imeshoqe që më tha:-Ç’ të ka gjetur? Ty, dhe kur të vjen çupa me dhëndërrin nga Shkodra, nuk rri pa e marr atë sygjumë.
Hë,- zë e mbrohem,- më ka ardhur një “dhëndërr” me një rigë mustaqe që nuk më lë rehat.
-Po pse,- vazhdon ajo,- nuk pret ai.
-Jo,- i them,- jam vonë. Sot është e mërkurë dhe ai “paktin” e ka filluar që të hënën.
* * *
Më duket se ia hoqa, sadopak, petët lakrorit. Dhe ky,”lakrori” i Istrefit është jovetëm “petërëndë”, por bluar në “mokrra Mokrari”, me miell të bardhë nga grurë kuturli. Tek e lexon, herë ndjen që je nga Pogradeci dhe, ca më shumë, tutje nga Mokrra. Në nuk ke ndjerë deri atëherë për Mokrën, fillo dhe lexo dhe, po nuk u bëre mokrar, unë shpohem në dy sytë. Ka një penë perfide, Istrefi. Tek lexoj faqe pas faqe, zë e meditoj: duket që natyra me larushinë e saj; me terrenin e thyer malor; me pyjet pa mbarim dhe me atë liqenin mitik që pogradecarët e quajnë”Gjol”, sikur kanë një bekim qiellor nga Zoti. Se jo më kot edhe poeti më i bukur, i pavdekshmi Lasgush, por dhe prozatorit më i magjishëm, Mitrushi, kanë “pirë” ujë tek ky”Gjol”. Dhe mos kujtoni se këta të dy dhe nuk ka tjetër: për fat të mirë të Letërsisë Mbarëshqiptare, Pogradeci e ka faqen të bardhë: si në prozë,ashtu dhe në poezi.Sikur, për një çast, të sillja para jush vetëm disa prej tyre, nuk kishit si mos më jepnit të drejtë. Istrefi po; Bujar Balliu është i tillë. Kopi Kyçyku dhe, pema që bie nën pemë, Ardian Kyçyku. Meri Lalaj që lëvron sa prozën,aq dhe poezinë. Veç tjerash, kjo dishepulle e profesor Skënder Lauarasit na ka dhënë shqip Anna Ahamatovën dhe Sergej Eseninin. Po mund të përmend, Misto Markon dhe poeti që vë” Xhindët të kërcejnë polka” që quhet Dhmitër Pojanaku; po Irini Nanushin e Liri Seitllarin e të tjerë.
* * *
“Pakt me të hënën” vërtet që është libër artistik, po, tek e shfleton, duket sikur të bën “pjesëmarrës” në këtë lloj pakti dhe të ndodhë si me atë rrëfenjën e qëmotshme: dha dy groshë e hyri në valle, dha pesëqind e nuk doli dot. Tek “Pakti…” njihesh me ngjarje e figura historike të cilat të bëhen aq të përafërta,sa të vjen keq që të ndahesh me to. Në ndodh kështu, pa dyshim, që merita është e Istref Haxhillari që nuk të lodhë duke zgjatur e stërzgjatur as frazat dhe as faqet. Kur lexon për Nikolla Naçon, Gjergj Pekmezin, Ali Kuçin, Atë Gjergj Fishtën, figura me një peshë relevante të veçantë, nuk ke se si mos ia dish këtij, Istref Haxhillarit.
Një kapitull më vete, por aq mbresëlënëse, është Mokra me gjithë mokrarët e saj: të nderuar e ballëbardhë ndër luftra, por dhe në vitet e paqes. Aq bukur dhe aq “imtësisht” shkruan për Mokrën, sa ti,sado që nuk ke qenë atyre anëve, tak dhe bëhesh vendali. Mua më duket se jam dhe unë nga Dunica. E sa për ata personazhë aq të gjallë, më duket se, po dhanë ballë këtyre anëve, kam borxh t’u dalë përpara dhe t’ju them:- Ç’kemi andej nga Dunica? Po nga Mokra? Ç’ të afërm ka lënë ai Xhaferri i Files? Po Sami Leka? Po Fari Muça? Ai, Flori Slatinja, ç’bën këtej Tiranës apo me trup këtu dhe me shpirt tutje Mokrës?- Ka ardhur ndonjë nga Osnati?
Dhe mund të vazhdoja të pyesja për Trebinjën për Zëmçën, për Llëngën me gjithë Kokoneshë…
Po ku mbarohen mbresat nga një “Pakt…” që e mora me “qera”. Qeraja qe e rëndë,aq sa më prishi gjumin. Po ç’pate, mor Istref Haxhillari? Sado me”qera”, po ia vlejti dhe”dogana”. Mokrar, mos t’u ndryshktë pena!

Tiranë, 10 qershor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Istref Haxhilalri, pakt me henen, perparim Hysi

OSMAN HAXHIU LEGJENDAR

June 10, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Sot, në takimin e përditshëm të “kafes” me shokët e mi pensionist nga Vlora, duke biseduar, fjala na shkoi te Osman Haxhiu, prijësi legjendar i “Luftës së Vlorës”. Dhe pikërisht në këtë objekt bisede, mua mu duk se dikush “shkau”. Shokët e tavolinës tonë te “Bar Kafe Rossi”, përgjithësisht burra të matur dhe të mendimeve të pjekura nga vitet dhe detyrat që kanë kryer në jetë, kanë mësuar se, për diçka që nuk janë të sigurt, më mirë të heshtin. Po, dikush tjetër ardhur përkohësisht, pikërisht kur u hap biseda për Osman Haxhiun, u nxitua të thotë qysh në fillim: “Vërtetë ka merita për kohën, po ai ka bërë sipas mundësisë vetjake dhe deri te kufiri shkollimit të tij fare minimal, ose më mirë të them, si i pa shkollë dhe si pa para”.
Kjo tezë u kundërshtua dhe u përgënjeshtrua njëzëri nga dëgjuesit dhe së fundi u tha se: “ky gjykim është ai i një skeptiku mendjemadh edhe pse mjaftë të shkolluar e të ditur, po me “bëma e mosbëma prej fodulli”. Tekstualisht këto janë fjalët e Eqerem Bej Vlorës”, vlonjatit bashkëmoshatar me Osman Haxhiun, po që e ka gjykuar atë me padrejtësi e ndofta xhelozi, duke u prirë nga mendimi i tij se ”Shqipërinë mund ta bëjnë të lirë e të pavarur, vetëm bejlerët e pasur”. Osman Haxhiu u tha aty, ka qenë i shkolluar relativisht dhe i ditur, trim e i vendosur qysh në rinin e tij të hershme edhe pse ka qenë një qytetar pa pasuri të madhe” .
Osman Haxhiu u lind e u rrit në një familje të mesme qytetare në Vlorë, më, 28 Tetor 1885. Mësimet e para i mori në mejtepin e qytetit e më vonë kreu studimet në “Robert Kollezh”, në një nga shkollat më të famshme të Stambollit. Aty mësoi turqishten, gjermanishten, frëngjishten. Qysh herët zuri miqësi me djemtë e Ismail Qemalit, Et-hem e Qazim Vlorën dhe me ta, që në moshë të re, u radhit në lëvizjen për pavarësi të Shqipërisë.
Në Stamboll, në vazhdim të traditave patriotike familjare, u lidh ngushtë me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mulla Xhaferr Drashovicën etj, që i hapën atij horizonte të reja. Ai ishte një djalosh i shkathët, i zgjuar, sypatrembur, që u ushqye qysh herët me idetë e rilindësve e u njoh si një luftëtar aktiv për ti vënë ato në jetë. Shpejt ra në sy të hafijeve të Perandorisë Osmane e u syrgjynos në Arabinë Saudite. Patriotët Shqiptarë të lidhur me të nga Siria, Egjipti, Libia e Stambolli, e ndihmuan të arratisej prej andej. Arratisja u bë me një anije që transportonte vaj për në Korfuz e më pas shkonte për në Shqipëri.
Ishte nëpunës në Prefekturën e Janinës ku u përfshi në trazirat e atjeshme e kërkohej për t’u arrestuar bashkë me vlonjatë të tjerët. Duke parashikuar këto masa të egra, Osman Haxhiu u arratise doli nga Perandoria Osmane për në Athinë, por i kundërshtuar nga grekët, u detyrua të vendosej në Korfuz e më pas në Bari, Napoli e Romë. Pas lirimit në Janinë të të burgosurve vlonjate, Osman Haxhiu kthehet në Vlorë e më 1911 me ardhjen e mikut të tij, Et-hem bej Vlorës, u ndërmorën biseda e takime, ku ai bashkë me patriotë të tjerë, merrnin këshilla e porosi nga Ismail Qemali, për organizimin më të mirë të lëvizjes kombëtare.
Në Vlorë nisi një aktivitet të ngjeshur atdhetar, në përfshirje të Klubit “Labëria” ku u bë anëtar qysh në themelim dhe pati fatin të bashkëpunojë edhe direkt me Ismail Qemalin.
Pas Kuvendit të kryengritësve malësorë të Gërçes, me fillimin e vitit 1912 edhe vlonjatët, kërkuan nga Porta e Lartë shkëputjen e Kombit Shqiptar, me ato të drejta që kanë kombet e tjera.
Disa ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, komisioni i ngritur, ku merrte pjesë dhe Osman Haxhiu, krijoi një qendër ushtarake në Shkozë të Sevasterit, që do të kishte fuqinë e një Komande Ushtarake, në luftë kundër shovinistëve grekë agresorë.
Pas ardhjes së Ismail Qemalit nga Durrësi në Vlorë, ai u rrethua nga patriotët e Vlorës, midis tyre qe edhe Osman Haxhiu. Më 1913 Osman Haxhiu u caktua Sekretar i Prefekturës së Vlorës. Edhe pse u ngarkua në këtë detyrë, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Mehmet Pashë Dërralla, bashkë me Alem Mehmetin dhe Et-hem Vlorën, gjatë muajve shkurt – prill 1913, qëndruan në bregdet për organizimin e banorëve të krahinave në mbështetje të frontit për marrjen e Janinës. Kur Esat Pashë Toptani i dërgoi ultimatumin Qeverisë së Vlorës, i mbështetur nga Myfit bej Libohova, Dervish Biçaku, Eqerem bej Vlora, që kërkonte prishjen e qeverisë së Vlorës dhe krijimin e saj në Durrës, sipas propozimit te Vienës dhe Romës, iu kërkua Qeverisë së Vlorës që përfaqësuesi shqiptar në KKN (Këshilli i Kontrollit Ndërkombëtar) të ishte Myfit bej Libohova. Përkrahës të Ismail Qemalit ishin Fejzi Alizoti, Ali Asllani, Osman Haxhiu, Ibrahim Avdullahu., që mbështetën propozimin e Ismail Qemali për refuzimin e Myfit Libohovës dhe zëvendësimin e tij me Luigj Gurakuqin.
Kur Ismail Qemali u padit padrejtësisht në përfshirjen e “komplotit të Beqir Grebenësë”, për kundërshtimin e Princ Vidit dhe përkrahjen e princit turk Izet Pasha, prapë Osman Haxhiu e Ibrahim Abdullahu qenë të vetmit që kërkuan takim dhe angazhuan avokatin shqiptar, Kristo Floqi dhe biseduan derisa u realizua pafajësia e Ismail Qemalit. Osman Haxhiu shprehu në atë kohë, në mënyrë proverbiale mendimin e tij, se: “Esat Pashë Toptani ishte një mace e zezë e vatanit në politikë”.
2-Më 22 Janar të vitit 1914, ndër ata që përcollën me besnikëri Ismail Qemalin ishte edhe Osman Haxhiu. Në grupin e delegatëve për pritjen e Princ Vidit në Durrës nga Vlora, u caktuan Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Ibrahim Avdullahu. Ata ngulën këmbë që për pritjen e Princ Vidit në Durrës të ishte prezent dhe Ismail Qemali.
Një delegacion tjetër, ku morën pjesë patriotët e Vlorës Osman Haxhiu, Elmaz Xhaferri Kanina, Ibrahim Avdullahu, u dërguan në Nicë të Francës për t’u takuar me Ismail Qemalin. Ata kërkuan që ai të ishte mes tyre, por kjo nuk u prit mirë dhe u refuzua nga Qeveria e Durrësit. Ministër i brendshëm ishte Esat Pashë Toptani, me këtë rast, urdhëroi prefektin e Vlorës që të arrestonin Ismail Qemalin me t’u kthyer në qytet. Me këtë rast rrethet patriotike me Osman Haxhiun në mes, i dërguan telegram Princ Vidit, ku shprehej hapur protesta e tyre.
Osman Haxhiu i propozoi direkt Princ Vidit ndërmjetësim paqësor me kryengritësit e Haxhi Qamilit, për të evituar gjakderdhjen midis shqiptarëve, për më tepër se, në vitet 1913—14, krahinat viheshin në rrezik për t’u aneksuar nga grekët. Pikërisht në atë kohë bandat e Haxhi Qamilit me thirrjen “dum babën”, dogjën e përvëluan shumë fshatra e arritën në portat e Vlorës. Osman Haxhiu “i hollë e i thatë si purteka, eshtak, po mjaft energjik, autoritar, i mençur më shumë se një i moshuar (ishte vetëm 28 vjeç)”, u vu në krye të komisionit që të bëhej pajtimi me Haxhi Qamilin, edhe falë aftësive të tij në disa drejtime, ndërmori deri manovrime diplomatike, ia arriti qëllimit dhe e shpëtoi pa u djegur Vlorën dhe flamurin e Skënderbeut.
Më 1916, Osman Haxhiu, për popullaritetin e madh që kishte krijuar, emërohet prefekt i Vlorës. Me fakte është vërtetuar që italianët kishin shfaqur synimin për aneksimin e Vlorës. Titullari italian paraqiti një akt skllavërues të kamufluar, (sikur do binte ca punëtorë), Osmani me shpejtësi e grisi aktin në mënyrë demonstrative duke i thënë “këta nuk janë punëtorë, por spiunë”, kjo rrugë të çonte drejtë kolonizimit të Vlorës.
Pas kësaj Osman Haxhiu u përzu nga puna, por asnjëri se përgojoi, përkundrazi në opinion publik figura e tij, dita ditës, ngrihet lart e më lart. Janë bërë shumë memorandume që i dërgoheshin Lidhjes së Kombeve për largimin e trupave italianë nga Vlora. Këto u firmosën nga atdhetarët vlonjatë, me në krye Osman Haxhiun.
Erdhi në Vlorë dhe një delegacion italian për të vëzhguar nga afër situatën. Vlonjatët, me në krye Osman Haxhiun, ishin duke festuar Bajramin në Xhaminë e Tabakëve dhe më pas programuan të demonstronin në rrugët e qytetit me flamur në dorë
Italianët u informuan për këtë demonstratë dhe mblodhën forca të shumta karabinierësh. Një marshall që drejtonte operacionin thirri Osman Haxhiun, e i tha: “Osman, thuaju manifestuesve të mos bëjnë gabim të dalin me flamurin shqiptar, se kjo s’ka kuptim, ju keni flamurin italian e s’ka vend për dy flamuj, ndryshe do të përdorim armët”. Kur manifestuesit dolën nga xhamia, marshalli hoqi flamurin shqiptar dhe ia lidhi në bisht të një qeni që shëtiste nëpër rrugë. Atëherë Osman Haxhiu me bastunin e tij e goditi në kokë. Në fillim italianët e arrestuan, por kur morën në telefon, gjenerali italian, nga frika e zemërimit të demonstruesve, dha urdhër të lirohet. Populli u këndoi:

Nëntori nëntëmbëdhjetë
Osman, ç’e bëre beli
Mu te sheshi i Xhamisë
E more vdekjen në sy

Gjatë muajve që pasuan, pra në gjysmën e parë të vitit 1920, italianët po përgatiteshin në mënyrë
3
të ethshme në të gjithë drejtimin për ta pushtuar krejt Vlorën. Pikërisht, në këtë periudhë, si një
udhëheqës popullor i provuar, evidentohet më shumë se kurrë Osman Haxhiu, që populli, qysh atëherë, e quajti Osman Nuri.
Ai, i ushqyer qysh herët me ndjenja atdhetarie, i kalitur që në moshë të re kundër armiqve e tradhtarëve të vendit, vuri në dispozicion të qëndresës popullore jo vetëm mendjen, por edhe gjithë pasurinë e tij. Me shumë vërtetësi për të kanë thënë: “Ishte më i pasuri kur filloi lufta dhe doli më i varfëri nga ajo”…

Vendimet historike të Kongresit të Leshnjes hapën udhë të reja për të ardhmen e Shqipërisë. Në zbatim të tyre, në mars të vitit 1920, Osman Haxhiu u zgjodh “Kryetar i Komitetit të Mbrojtjes” për Vlorën. Kuvendi i Barçallasë që u mbajt më 28 maj të vitit 1920 me këtë kryetar të zgjedhur, miratoi vendimin për shporrjen e agresorëve. Në mbledhjen e komandantëve të çetave që përfaqësonin 4000 vullnetarë, u mor miratimi historik i tyre, për luftë pa kompromis…
Më 3 Qershor ata i dërguan ultimatum italianeve, firmosur nga kryetari Osman Haxhiu dhe anëtarët e tij: Qazim Kokoshi, Ali Beqiri, Duro Shaska, ku midis të tjerash thuhet: Ne e dimë se një popull i vogël siç është populli shqiptar, s’mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane, sado e fortë që të jetë, s’mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij…
Këto fjalë paralajmëronin një epokë të madhe e të lavdishme që është skalitur me shkronja të arta në gjithë historinë e Shqipërisë. Ka shumë këngë popullore që flasin për këtë luftë, si ajo e Mato Hasanit nga Brati:

Ç’të them për Osman Picar,
agai që mbahet rëndë,
kur shkon kaluar në kalë
flet pak dhe me mënd.

Është ilaç për fukaranë
për krahinë, mall e gjënë
miqtë e tij i ka të rrallë
një flori, tjetri argjendë…

Lufta e Vlorës zgjati 3 muaj, derisa u kthye në një luftë mbarëkombëtare. Ajo mbetet një nga epopetë më të lavdishme të popullit tonë, ku ai tregoi vitalitetin e tij të rrallë e i tha botës mbarë e në mënyrë të veçantë Evropës, se ç’është në gjendje të bëj një popull i vogël, fukara, por atdhetar, qoftë edhe kur lufton kundër një fuqie të madhe 40 milionëshe…
Objektivi u arrit, Italia u hodh në det e kjo dëshmoi se “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e kreu detyrën me Osman Haxhiun në krye, i përkrahur fuqimisht nga Qeveria e Sulejman Delvinës.
Fjalë të zjarrta, plot vërtetësi, plot admirime, simpati, nuk kanë mbarim në dhjetëra apo qindra vargje të pavdekshme popullore për Osman Haxhiun:

Ulu o mali me borë
që të shoh përtej në Vlorë
Osman Haxhiun me forë
që ngrihet Baba Tomor…
4
Fytyra e këtij “vigani” siç shkruajnë bashkëkohësit është gdhendur në vargjet monumentale:

Osmani ç’i hipi kalit
bëri poshtë buzës së malit
seç i foli gjeneralit
dil steresë e jo limanit
breshkamadh i breshkamadhit
të shoç të zotë e vatanit…

Në vitin 1924 Osman Haxhiu vendoset në krah të Fan Nolit dhe Luigj Gurakuqit.

Osman Haxhiu vdiq fare i ri, në moshën 52 vjeç dhe Vlora e përcolli me nderim të madh.

Figura legjendare e Osman Haxhiut dhe “Lufta e Vlorës”, nuk është ngritur asnjëherë në madhështinë që meritojnë:
Në kohën e Zogut nuk u lejua të varrosej në Vlorë, por në çifligun e tij në Picar, disa kilometra larg qytetit, kur Vlora, si e meritonte, e propozoi që ta kishte varrin pranë Ismail Qemalit.
Në kohën e Enverit, u venit paksa madhështia e tij, ndikuar nga qëndrimi politik i djalit të tij Kryetar Bashkie, po dhe si ish aga, e përfaqësues “i klasave të përmbysura”. Menjëherë pas ardhjes në fuqi, komunistët i hoqën emrin e Shkollës Nr. 3 të Vlorës (që quhej Shkolla Osman Haxhiu). Në 50 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u dekoruan me një medalje të thjeshtë “Për Veprimtari Patriotike” që është shumë pak, për çka e meritonte çdo luftëtar i Luftës së Vlorës.
Bashkia e Qytetit të Vlorës që në vitin 1994 e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”, dhe Këshilli i Qarkut Vlorë në vitin 2012 e shpalli “Nderi i Qarkut të Vlorës “, në shtëpinë e tij është vendosur një pllakë përkujtimore bronzi, një rrugë e lagjes “Isa Boletini” dhe një lagje e qytetit të Vlorës ka emrin e tij, Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2005, i akordoi dekoratën “Medalje e Artë e Shqiponjës”, ndërsa Shoqata Kulturore dhe Atdhetare “Labëria” e ka shpallur “Mirënjohje e Labërisë”

Osman Haxhiu, i kalon shumë kufijtë e Vlorës dhe të Labërisë dhe formëson një figurë legjendare të popullit shqiptar. Ai, si rrallë kush, e shkriu rininë dhe pasurinë e tij, për pavarësinë dhe lirinë kombëtare.
Për figurën e tij legjendare atdhetare, jo vetëm që nuk ka asnjë “njollë e damkë”, (siç ndodhi në rastin e asaj bisede nga mori shkas ky shkrim modest), po është një monument historik, me kulmin në fitoren e “Luftës së Vlorës”, që duhet të nderohet e kujtohet sa më shumë nga të gjithë shqiptarët e posaçërisht, nga Bashkia e Vlorës, Akademia e Shkencave dhe deri te Presidenti i Republikës.

Vlorë, më 10.06.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Legjende, Luan Cipi, Osman Haxhiu

Gjekë Marinaj –përkthyesi brilant i Turner-it.

June 9, 2015 by dgreca

Esse-profil Nga Raimonda MOISIU/
Konfident në erudicionin dimensional qytetar, intelektual e krijues të tij, i pari që studio idenë për të formësuar e paralelizuar atë me idetë e të gjitha ngjarjeve, privilegjin për të qenë pjesë e historisë së popullit shqiptar në të dyja kahjet e Atlantikut, me idetë e parardhësve të atyre që shënuan fillimet e bashkësisë etnike të emigrantëve shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e “Vatra”-ës dhe Rilindjes Kombëtare , ishte -Gjekë Marinaj -duke mundësuar kështu vazhdimësinë e integritetit të letrave shqipe me kurajon, forcën dhe mundin e shkrimtarëve të vjetër e të rinj, -Pikën e Bashkimit të Letërsisë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare.Si një metaforë për të kuptuar të kaluarën interesante në kontekstin e trashëgimtarëve të atdhetarizmit e shqiptarisë, penës e dijes, për të përjetësuar vlerat dhe identietin kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane,-duke qartësuar të tashmën dhe hapur udhë të ardhmes. Me idenë e dëshirën e mirë se e ardhmja i përket gjeneratës së re, djaloshi nga Malësia e Madhe, Gjekë Marinaj karakterizohej nga karizma dhe kultura, që maturoheshin nga dita në ditë, për të lëvizur drejt fazës të bashkëpunimit, të natyrës universale, e tashmja me të kaluarën.Si personazh që duket sikur vjen nga Muzeu Historik Kombëtar i kohës, Gjekë Marinaj në vitin 1990-botoi poezinë satirike antikomuniste e titulluar “Kuajt”, poezi që do të ndryshonte krejt rrjedhën e jetës së tij. I ndodhur përballë kufirit izolues dhe arrestimit të pashmangshëm më 12 Shtator të atij viti, Marinaj sfidoi me trimëri liridashëse, arratiset nëpërmjet kufirit shqiptaro-jugosllav në Jugosllavi. Më vonë ai kapërxeu oqeanin dhe u vendos në SHBA-ës. Ardhja e Gjekë Marinaj në Amerikë ishte moment moral, shpirtëror e historik në jetën e tij. Me përpjekje e sakrifica, ngarkesë emocionale, lumë atdhedashurie për Shqipërinë e vendlindjen, me pasionin dhe talentin për letërsinë, ai vazhdoi studimet në Shkencat e Përgjithshme, u diplomua në Brookhaven College. Më pas diplomohet në degën e Letërsisë Bashkëkohore, i akordohet grada shkencore; Magna Cum Laude. Në të njëjtin Universitet mbaroi edhe Master-in në vitin 2008-ë, mbrojti gradën Ph.D. në Letërsi, në Universitetin e Teksasit, Dallas. Sot Prof. Gjekë Marinaj jep mësim gjuhën, komunikimet angleze dhe letërsinë botërore në Richland College. Është autor i dhjetra librave me poezi, studiuese e shkencore për letërsinë bashkëkohore, publicistikë e prozë, i vlerësuar nga Kritika e kohës me Cmime Kombëtare e Ndërkombëtare. Në kapërxyellin e shekullit 21-ë, poeti, përkthyesi, kritiku letrar dhe publicisti shqiptaro-amerikan Prof. Gjekë Marinaj doli me teorinë në lidhje me Letërsinë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare; Grupimin e krijuesve, autorëve, poetëve e shkrimtarëve në ekzil, në Shoqatë apo Lidhje Shkrimtarësh, – ide që pati efekt të thellë dhe mbështetje nga figura të njohura të Letrave Shqipe, mërguar në SHBA-ës, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar,-ide që do të bënte rrotacionin spektakolar dhe historik në letërsi; Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Me këtë rast dua të përcjell emra të tjerë të zërit intelektual e krijues, figura të njohura të letrave shqipe, mbështetës dhe anëtarëve të Shoqatës që me themelimin e saj:poetin martir të Demokracisë Viktor Martini, Prof. dr.Thanas Gjika, shkrimtarin Spiro Gjikondi, poetja Julia Gjika, Genc Leka, poetja bilingual e vlerësuar nga kritika amerikane, Sidorela Risto, Kreshnik Ndreu, poeti i dhimbjes e atdhedashurisë, Lek Gjoka, Marash Mali, Tom Paloka, Nikolin Markaj, Ferhat Ymeri,etj.Të gjithë këta autorë në unitet mendimi e ideje, shënuan kthesën e parë historike në hyrje të shekullit të ri-pikërisht në vitin 2001-themeluan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në përputhje me Ligjet amerikane, shoqatë jofitimprurëse, me President, ideaotorin, i konsideruar tashmë themeluesi i saj, Prof. Gjekë Marinaj e Kryetar i Kryesisë së Parë të SHSHSHA-së, shkrimtarin e shquar Naum R.Prifti, sekretar: Sami Milloshi, publicistin e mirënjohur herët në median shqiptare dhe poet. Me kontribut përkushtues e konstruktiv me opinione dhe mendime, i apasionuar pas letërsisë, vecmas në gjininë e poezisë, Sami Milloshi është autor i disa librave me poezi në shqip dhe anglisht, të vlerësuara nga kritika e kohës shqiptare dhe amerikane. Ndërkohë Milloshi ka hedhur idenë se historia e letërsisë shqipe duhet të rishkruhet mbi bazën e vlerave letrare, ashtu si në botën e qytetëruar. Ja si shprehet poeri, perkthyesi dhe publicisti Muje Bucpapaj per Gjeke Marinaj: “Gjekë Marinaj është një poet i universalizmit të atillë, ku dijenia e jetës dhe e artit japin bashkë pamjen më të përkyer të krijimtarisë. Me librin e fundit “Lutje në ditën e tetë të javës”, ai po sfidon emrat më të mëdhenj të poezisë bashkëkohore amerikane, duke tronditur formalitetin poetik dhe format tradicionale të të shkruarit. Marinaj bën atë që nuk e kanë bërë të tjerët para tij, duke bashkuar imazhe, legjenda, profile e filozofi të popujve, racave e kombeve, dhe e bën me lehtësinë e një poet që vjen nga Ballkani, vend i poezisë, legjendave e miteve. Marinaj, i cili provokoi në rininë e tij regjimin komunist me poezinë “Kuajt”, tani provokon bibliotekën e poezisë botërore, pas shumë vuajtjesh njerëzore, në fillim si emigrant që ka kaluar telat me gjemba, pastaj si student i shkelqyer dhe pedagog i letërisë bashkohore në Universitetin e Richlandit në Dallas të SHBA-ve. Marinaj ka eksperimentuar me një guxim të qartë, duke ndërtuar një kod të ri poetik të sofistikuar, i vlerësuar me shumë çmime letrare në Amerikë. E përpunuar në laboratorin e poezisë amerikane, krijimtaria e Gjekë Marinajt është një majë e poezisë bashkohore, ku rifilllimi i jetës zhvesh pamjen optimiste të poetit prej ëndërrës mashtruese, pasi për atë ka gjithnjë një ditë të tetë, e cila mund të quhet dita e lutjes, mallkimit apo lumnisë së poetit. Autori i përgjigjet me dinjitet nevojës për ndryshime në poezinë shqipe, duke sygjeruar një leksion të shkruari përfekt, si një “autorportret i avancuar” i stilit të poetit dhe jetës së tij, mes imazhit të Atdheut të braktisur dhe gjykimit për dashurinë e botës së pafund. Nëse Walt Whitmani i dha fund imitimit të shkollës europiane të poezisë në Amerikë, duke krijuar vargun i tij biblik e origjinal, edhe Marinaj me “Lutje në ditën e tetë javës” ka krijuar një civilizim të ri për poezinë shqipe, duke ndihmuar jo vetëm vendin e tij, por edhe poezinë europiane. Ndersa Poeti dhe intelektuali i talentuar, autor i dhjetëra vellimeve me poezi e proze, ish Kryetar o Shoqates se shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, Pinjolli i filozofit, Isuf Luzaj, poet ii dhimbjes e dashurise Dalan Luzaj, i cili ka një bagazh njohjeje disi më të zgjeruar me Gjeke Marinaj , eshte shprehur ekzaktesisht; ” Desha të shtoja se Gjeka nuk e la atdheun me një trastë të mbushur me bukë e djathë, por kur u nis, ai e mbushi trastën me libra. Gjekë Marinaj është krenaria e shqiptarëve në Amerikë. Ishim në Çikago në promovimin e një libri, edhe aty kishte shkrimtarë e artistë të ndryshëm. Dikush pyeti, “more djema, a e dini se kush e ka shkruar atë poezinë Kuajt?” Ndonëse unë u thashë se atë e kishte shkruar Gjekë Marinaj, miku im, shkrimtari Imer Çelaj, që ishte në tavoline me mua dhe Pandi Sikun, nxori një kompjuter dore, dhe ashtu doli poezia… Nuk e besoni, por është aq e vërtet sa ç’jemi ne sonte në këtë sallë, njerëzit me ta lexuar filluan ta shkruanin nëpër napkine (shami), nëpër letra e çfarëdo gjetën. Unë në të njëjtën kohë i bëra telefon Gjekës dhe i thashë se edhe pas kaq vitesh po na ve në punë dhe po na jep kënaqësi poezia e tij.”Impresione të rralla këto, që sidoqoftë tregojnë për madhështinë e poetit Marinaj.
Gjekë Marinaj përkthyesi brilant i poetit amerikan Frederick Turner.
Ja cfare thote poeti e studiuesi Agron Tufa, një mik i hershëm i poetit Marinaj, për poezinë e Frederick Turner-it,-përkthyer dhe sjellë në shqip, nga Gjekë Marinaj.
“”Frederick Turner është një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë botërorë, që ka bërë një punë kolosale, siç e ka thënë edhe Gjeka në hyrjen e librit, mbi formulimin e idesë mbi poezinë, si përfaqësues i poezisë në përgjithësi, i zbutjes së lidhjeve të saj me lexuesin, i zbutjes së tonaliteteve të saj me njerëzimin. Duke shfletuar librin disa here unë kam formuar një ide mbi rëndësinë e këtij poeti, pavarësisht se, siç thotë Gjeka, poezitë e tij në këtë libër nuk janë me doemos më të mirat, por gjithsesi ato na mjaftojnë të dimë se çfarë poeti na ofrohet. Ky poet na bashkon me traditat e harruara të poezisë: me poezinë klasike-por me një mbushje të re, apo me poezinë meditative. Nga kjo natyrë poetike na del një ndërgjegje tepër e ndërlikuar, e koklavitur, na del përfytyrimi poetik i një kulture të të gjithë shekujve, dinjiteti dhe mitet moderne, nga religjioni për tek zbulimet shkencore. Pra Frederick Turner është një poet që kërkon një lexues të kualifikuar sepse jo kushdo e ka të mundur përshtatjen e këtij lloj kualiteti artistik. Ky poet i përkthyer me kaq delikatesë nga Gjekë Marinaj, hyn krejt natyrshëm dhe do të bëhet pa diskutim një pjesë e natyrshme e përvojës poetike shqiptare. Ai tashmë është pjesë e paluajtshme e pasurisë së poetikes tonë kombëtare.””
Raimonda MOISIU
Kryetare e SHSHSHA-ë

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Gjek Marinaj, Raimonda Moisiu

ISUF LUZAJ, SHKRIMTAR ANTOLOGJIK DHE PROFESOR FILOZOFIE NË AMERIKË

June 9, 2015 by dgreca

PROFIL HISTORIK-LETRAR NGA ALBERT HABAZAJ/
Isuf Luzaj në Shqipëri: Para viteve ’90 – të të shekullit XX personaliteti i Isuf Luzajt ishte vetëm i errët apo me hije, sepse kishte etiketën e ballistit. Pasi u përmbys ai sistem, pra mbasi u klikua edhe në vendin tonë për demokraci e ajo çeli freskueshëm (por më tej, s’di kush i futi virus dhe ka infeksion edhe sot e kësaj dite) emri i Isuf Luzit u ngrit në piedestal. Shumë u shkrua, u tej shkrua, shumë u lavdërua e shpesh herë vetëm me slogane, me thënie të përgjithshme, pa u futur në një analizë shkencore të profilit të tij të lartë, pa u vlerësuar ashtu siç e meriton mendimi i tij antologjik letrar, kulturor e filozofik, i mirëpritur në qarqet më të larta të botës qytetare në SHBA, si një personalitet shqiptar i mendimit me përmasa univerale.
Kur trajtojmë vlerat letrare të vlonjatëve e të shqiptarëve, mendimi i të cilëve i ka bërë mirë përparimit të Shqipërisë, kur analizojmë letrarisht autorë që mendojnë, shkruajnë e veprojnë artistikisht dhe që veprat e tyre kanë vlera estetike, mendoj se nuk është e dobishme që t’i gjykojmë si njerëz që kanë parë majtas apo kanë mbajtur djathtas, që kanë qenë ballistë apo kanë qenë komunistë. Jam i idesë se është më e udhës, aq më tepër sot, që kur hedhim në letër vlerësime për autorë të ndaluar apo autorë të lejuar, t’i përdorim të gjitha shkronjat, të gjitha ngjyrat që pasqyrojnë realitetin siç ka ndodhur, personazhet siç kanë qenë, me plus minuset e tyre, edhe me vijën e drejtë, edhe me zigzaket e jetës. Synimi është përmirësimi duke përparuar.
Le të paraqesim një jetëshkrim të Profesor Emeritus Isuf Luzaj.
Kthim në kohë dhe retrospektivë letrare: Nuk bëhet fjalë përmendja e emrit të Profesorit shqiptar të Amerikës Isuf Luzaj në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1985. Botimet më të reja të nivelit akademik në Shqipëri i japin vendin e duhur me zërin përgatitur nga Prof. Nasho Jorgaqi: “Luzaj, Isuf (1913-2000). Shkrimtar, veprimtar politik, profesor i letërsisë dhe i filozofisë. Lindi në Kaninë të Vlorës. Kreu gjimnazin e Shkodrës (dega normale), plotësoi studimet e mesme në Francë dhe studioi në Universitetin e Sorbonës (1933-1935). Punoi si mësues i frëngjishtes në Normalen e Elbasanit, në Korçë dhe në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku më 7 Prill 1939 me një grup nxënësish mori pjesë në qëndresën ndaj pushtimit fashist. Për këtë u internua në ishullin Ventotene. Pas lirimit (1942) u aktivizua në drejtimin e organizatës së Ballit Kombëtar, në krahun luftarak të saj, dhe ishte delegat në Mbledhjen e Mukjes. Pas kapitullimit të Italisë mori pjesë në grupin themelues të Partisë Socialdemokrate me Musine Kokalarin etj. Në prag të çlirimit të Shkodrës u largua nga vendi. Punoi për një periudhë në Bibliotekën e Vatikanit. Në vitin 1948 u vendos në Argjentinë, ku mbrojti doktoraturën. Punoi kryesisht si profesor i letërsisë franceze në Universitetin e Buones- Airesit, ku u bë dhe drejtor i Institutit Francez të Studimeve të Larta (1960-1964). Në vitin 1964 u vendos në SHBA; punoi si profesor i letërsisë dhe i filozofisë në Universitetin e Indianës, ku u dekorua nga presidenti R. Regan me urdhërin e lartë “Profesor i Amerikës”. Isuf Luzaj u mor me krijimtari letrare që në rini, duke botuar përmbledhjen “Rrëfimet” (Korçë, 1937). Në Buenos- Aires botoi romanin “Los rios bajan rojos”, 1954 (“Lumenjtë rrjedhin të kuq”), me temë nga lufta antifashiste në Shqipëri. Nga viti 1995 filluan të botohen në Tiranë një numër veprash të tij: poetike, si “Gloria e çmendur” (1995). “Lamtumira e yjeve” (1995), “Topografi labçe” (2001) etj., si dhe “Ekzistenca dhe boshësia” (1996), “Sëmundjet e shekullit tonë” (ese filozofike, 1999), “Përtej së mirës dhe së ligës” (2003), “Rindërtimi i fuqive shpirtërore” (2005), “Filozofia e bukurisë”(2009). Ka lënë në dorëshkrim edhe një varg veprash të tjera. Isuf Luzaj pati letërkëmbim me personalitet të shquara letrare, si Pablo Neruda, Jorge Luis Birges, Fan Noli, dhe politike si Sharl dë Gol, Alçide de Gasperi, Palmiro Toliati, Sandro Pertini etj. Vdiq në Çikago”. [Shih Fjalori Enciklopedik Shqiptar (FESH), Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, f. 3037]. Nuk bëhet fjalë as në historitë e letërsisë shqipe apo në antologjitë letrare të kohës së kaluar të përmendet emri i tij. Përse? Se kishte mendim ndryshe! Punë e madhe se qe shumë i mençur e shumë e vlertë studimtaria e tij e, se Profesorit i peshonte fjala në elitën botërore të arsimit të lartë!…Vetëm Robert Elsi e përmend në veprën e tij madhore në nënkapitullin “Poetë të tjerë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët”, ku shkruan: “… Jusuf Luzaj (l.1913), autor i përmbledhjes sentimentale me 293 faqe “Rrëfimet”, Korçë, 1937” [Shih: Elsie, Robert, “Histori e Letërsisë Shqiptare”, 1997, f.327]. Dhe kaq. Sa pak njihet jeta dhe vepra letraro-shkencore e Profesorit në Kryevendin e Demokracisë Botërore, e Profesorit në Tokën e Premtuar! Dhe ajo pak që njihet sa keq që njihet, e tjetërsuar, e qëlluar, e shpërfytyruar, e shpërfillur,…Injorantërisht! Duke u kthyer në kohë, më bën çudi, se nga aq sa kam patur hapësira të gërmoj nëpër arkiva dhe në literaturën e mundshme të paraçlirimit, emrin e Isuf Luzajt nuk e gjej. Të paktën, drei në vitin 1941, dimë që kishte botuar përmbledhjen poetike “Rrëfimet”, por nuk qe shfaqur si emër letrar. Këtë e verifikojmë duke shfletuar literaturën e kohës. Libri “Shkrimtarët Shqiptarë”, Pjesa II. (Po e citojmë me gjuhën e shkruar në tekstin original të kohës)- Prej Lidhjes së Prizrendit deri më sot, botim i Ministris’ s’Arsimit, Tiranë 1941, XIX”, në 554 faqe trajton në vijë kronologjike 28 shkrimtarë të Rilindjes: Pashk Vasa, Naim Frashëri, Preng Dochi (Doçi), Sami Frashëri, Filip Shiroka, Andon Xanoni, Ndoc Nikaj, Andon Çakua (Çajupi), Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Gaspër Jakova (Merkuri), Pashk Bardhi, Gjergj Fishta, Mihal Grameno, Aleksandër S. Drenova, Shtjefën Gjeçovi, Papa Kristo Negovani, Faik Konitza (Konica), Kristo Floqi, Luigj Gurakuqi, Fan S. Noli, Mid-hat Frashëri (Lumo Skëndo), Aleksandër Xhuvani, Terenc Toçi, Simon Shuteriqi, Ali Asllani, Hilë Mosi e Vinçenc Prenushi. Kuptohet që I. Luzaj nuk mund t’i përkasë rrymës letrare të Rilindjes, sepse ai është i datëlindjes 21 Shkurt 1913. Teksti i cituar vijon me 20 shkrimtarë të tjerë të kohës [kupto, deri në vitet 1940 – shën. im: A. H] dhe merr në shqyrtim letrar autorët Kolë Thaçi, Kolë Kasmi, Mustafa Merlika-Kruja, Marin Sirdani, Anton Harapi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Justin Rrota, Ndre Zadeja, Zef M. Harapi, Lazër Shantoja, Karl Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Vngjel Koça, Etëhem Haxhiademi, Ernest Koliqi, Dhimitër Pasko, Eqrem Çabej, Namik Ressuli, Ismet Toto e Millosh Nikolla [Migjeni, dy vjet më i madh se Luzaj]. Janë trajtuar dhe 11 shkrimtarë arbreshë: Anton Argondizza, Bernard Bilotta, Frano Krispi Glaviano, Kristian Gentilae Mandala, Zef Skiroi, Pal Skiro, Agostin Ribecco, Kozmo Serembe, Gaetan petrotta, Salvator Braile e Rosolin Petrotta. Botues i librit është Namik Ressuli dhe ka 15 bashkëpunues. Ky botim, për Ali Asllanin ka patur Nexhat Hakiun përpilues [Shih: “Shkrimtarët Shqiptarë”, Pj. 2, vep. e cit., f. 325-336]. Përse nuk i përmendet emri Isuf Luzit? Kaq shumë i tmerroka neronët shqiptarë poezia “Neroni” që u botua në “Rëfimet” e Luzajt, saqë ata janë përpjekur ta mbulojnë me heshtje emrin e tij në vijë kronologjike, me harrim. Por mbetet e pamundur, sepse “sorbonasi” i ndritur po shkëlqente matanë Atlantikut si “Medalje e Artë” e Amerikës.
Pak histori: Rikthehemi vijueshëm në kohë: Mbas viteve ’90 është shkruar bollshëm për Isuf Luzin dhe për shkrimtarinë e tij filozofike. Vlen, që për lexuesin e gazetës sonë “Dielli” të prezantojmë pakëz biografi historike, pa u futur në “hisenë” e historianëve. Si burim reference kemi marrë botimin korent më të mundshëm, librin “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, I, 1939 – 1943” me autor Prof. Dr. Paskal Milo, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2014. Nëpër faqet e librit, ndalojmë atje ku përmendet emri i Isuf Luzajt. Së pari, emri i tij përmendet, kur shkruhet për ditën kur antifashizmi shqiptar pas pushtimit u shfaq hapur e në veprim konkret, në ditën e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtyare, më 29 Nëntor 1939. “Si kundërshtarë politikë të regjimit u pushuan nga puna një numër relativisht i madh profesorësh: në Shkodër, Safet Butka, Tefik Gjyli, etj., në Korçë, Selman Riza, Vasil Germeni, Enver Hoxha, etj., në Tiranë mjaft të tjerë, përfshirë edhe Xhevdet Dodën. Një pjesë e mirë e organizatorëve të këtyre manifestimeve antifashiste, si Safet Butka,, Isuf Luzaj, Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, Emin Duraku, etj., në fillim të vitit 1940 e në vijim u internuan në ishullin Ventotene e në ishujt të tjerë të Italisë”. [Shih: Milo, Paskal: “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, I, 1939 – 1943”, vep. e cit., f. 177-178]. Kur trajton formimin e Balit Kombëtar, historiani i njohur, pasi vëren se shumica e nacionalistëve të vjetër ishin përfaqësues të shkollës tradicionale politike konservatore që gjithë veprimin e tyre politik e shikonin brenda institucioneve të regjimit ekzistues fashist, thekson: ‘Kishte edhe disa nacionalistë liberalë e me formim bashkëkohor që kishin ide e pikëpamje më të avancuara, që ishin shquar në vijën e parë të antifashizmit, që ishin antikomunistë, por që ishin të prirur që në emër të luftës kundër fashizmit të bashkëpunonin me komunistët e të kryenin veprime të armatosura. Të tillë ishin Safet Butka, Abaz Ermenji, Hysni Lepenica,, Isuf Luzaj, Skënder Muço, etj.”.[Milo, Paskal: vep. e cit., f. 287]. Më tej, duke folur për “Dekalogun” ose dokumentin programatik të Ballit, historian Milo shkruan: “Shumë kritik për politikën që devijoi nga programi është një nga eksponentët e njohur të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj. Vite më vonë, duke analizuar e reflektuar ai ka shkruar se “politika e Ballit Kombëtar ishte false dhe e pavendosur. Gjatë 2 vjet e tre muaj lufte kundër ushtrisë italiane, kurrë, asnjëherë nuk erdhi direktivë ose urdhër nga Komiteti Qendror…”.[Milo, Paskal, po aty, f. 292]. Referenca e këtij informacioni është libri i Isuf Luzit “Filozofia e bukurisë. Pjesë ditaresh,ese dhe rrëfime për vetveten”, Tiranë, Ombra GVG, 2009, f. 92. Më tej, kur trajton zbarkimin e Aleatëve në Itali dhe rënien e Musolinitt, historiani tërheq vëmendjen se udhëheqja e Ballit u vu në alarm për të lëvizur nga pozitat e politikës së vjetër. “Ajo ishte futur në konflikt me një pjesë të mirë të bazës së organizatës, që ishin për aksione të armatosura kundër pushtuesve dhe drejtonin çeta, si Safet Butka, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Tefik Cfiri, Abaz Ermenji etj”. [Milo, Paskal: po aty, f. 384.]. Kur flet për Konferencën e Mukjes, që u hap më 1 gusht 1943, autori, ndër të tjera, shkruan: “Në bazë të një marrëveshjeje paraprake delegacionet e të dyja palëve do të kishin nga 12 anëtarë të ulur përballë njëri – tjetrit. Delegacioni i Ballit Kombëtar përbëhej nga: Mithat Frashëri, Hasan Dosti, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, Reuf Fratari, Nexhat Peshkëpia, Halil Mëniku, Ismail Petrela dhe Vasil Andoni. Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar kishte për anëtarë: Jahja Çaçin, Myslim Pezën, Abaz Kupin, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan Plumbi, Haki Stërmilli, Gogo Nushi. Përveç delegacioneve, kishte edhe vëzhgues nga të dyja palët. Për Ballin Kombëtar si të tillë ishin edhe Ali Këlcyra, Nuredin Vlora, Azis Çami, etj. Ndërsa nga ana e Këshillit të Përgjithshëm ishin Vasil Nathanaili, Spiro Koleka, Syrja Selfo, etj. Çetat e Ballit dhe të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbyllnin rrethimin e sheshit të takmit”. [Milo, Paskal: po aty, f. 394]. Për këtë informacion autori i librit në fjalë ka shfrytëzuar procesverbalin e mbledhjes së dytë të delegacioneve të organizatave të Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtare në Mukje, 1 gusht 1943. AQSH. Fondi 14/ APL. Viti 1943. Dosja Nr. 21, f. 9. “Ymer Dishnica vazhdon të jetë edhe pas Mukjes “diplomati” dhe negociatori kryesor i PKSH-së në marrëdhëniet me Ballin Kombëtar. Herë me Nako Spirun, herë me Omer Nishanin ai gjatë muajve shtator-tetor 1943, ka takuar e biseduar me Fuat Dibrën, Hasan Dostin, Nexhat Peshkëpinë, Skënder Muçon, Isuf Luzaj, Uan Filipin, madje edhe me Mehdi Frashërin”. [Milo, Paskal, vep. e cit. f. 409].
Botimet e Isuf Luzit në Shqipëri: Nga letërsia e autorit Isuf Luzaj, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë 10 regjistrime të gjetur dhe po aq të shfaqur. Po i paraqesim sipas rendit kronologjik të regjistrimit: “Gloria e çmendjes”, libër me poema, redaktuar nga Prof. Dr. Fatmir Agalliu, gjuhëtari i paharruar dhe shkrimtari i njohur Xhevat Beqaraj. Ky libër është botuar në vitin 1995. Më tej, vjen libri “Ekzistenca dhe boshësia : filozofia dhe shkenca, metafizika dhe metalogjika, shpirti dhe arsyeja”, përgatitur për botim nga i madhi Xhevahir Spahiu e botuar nga shtëpia botuese “Dituria” në vitin 1996. [Ky titull është paraqitur dy herë]. Libri trajton çështje themelore të diturisë e të kulturës, filozofi botërore dhe shqiptare, rrok tema nga materializmi ontologjik. Më hollësisht, një lexues i kualifikuar gjen edhe njohuri për filozofinë e kulturës, sistemet kulturore, teorinë e kompleksve kulturore etj. Po kështu ngjet edhe me librin tjetër vijues me ese filozofike “Sëmundjet e shekullit tonë”, 1999. Ky botim dhe të gjithë të tjerët në vazhdim do të botohen nga shtëpia Botuese “Ombra GVG” dhe do të kenë përpilues, përgatitës për botim e redaktor të mençurin Xhevat Beqaraj, i cili na jep shëmbëlltyrën e urtësisë së florinjtë në thjeshtësinë e tij. Në vijim kemi dy vëllime me poema, “Lamtumira e yjeve” dhe “Topografi labçe”, të dyja botuar në vitin 2001. Më tej vijnë botimet me letërsi shkencore dhe filozofike: “Përtej së mirës dhe të ligës : poezi, esse, mendime filozofike…”, 2003. Në këtë botim vërejmë sistemet dhe pikëpamjet filozofike, botëkuptimet, qëndrimet e mundshme filozofike, tipologjinë e sistemit e shumë elementë të letërsisë shkencore dhe filozofike si gjini letrare në formën e poezisë dhe esesë. Në këtë libër ngjizet letërsia shqipe në poezinë filozofike me histori, filozofi e filozofë dhe bëhet një lëndë letraro – shkencore shumë interesante, tërheqëse dhe e asimilueshme për lexuesin. Në vitin 2005, në serinë e botimeve filozofike, “Ombra GVG” boton librin “Rindërtimi i fuqive shpirtërore : refleksione filozofike”, ku filozofia shqiptare dhe historia me etikën sociale, me filozofinë e moralit, filozofinë praktike janë integruar harmonishëm me njëra – tjetrën, pa eklipsuar shoshoqen, duke qëndruar hijshëm në tekst secila më vete dhe së bashku, si një e tërë. Në vitin 2009 botohet libri “Filozofia e bukurisë: pjesë ditaresh, ese, rrëfime për vetveten”, ku autori me metodologjinë e tij të sukseshme të raporteve midis disiplinavedhe nëndisiplinave shkencore, nën një kvndvështrim krahasimtar paraqet letërsi shqipe dhe filozofi shqiptare origjinale, falë një plotësimi sipëror filozofik perëndimor. Në trajtë antologjike paraqet pikëpamje politike dhe shoqërore, si dhe studime biografike dhe autobiografi në formën e ditarit, kronikës atë burimit letrar. Botimi i fundit i derisotëm, regjistruar në Bibliotekën Kombëtare është libri letrar “Festimi i yjeve: agonia dhe ekstaza: (rrëfime për vetveten, analiza, esse, poezi)” botuar nga “Ombra GVG” në vitin 2013, zgjedhur dhe përgatitur për botim nga Xh. Beqaraj dhe nën redaktimin e Nexhat Myftiut. Nga libri “Ekzistenca dhe boshësia” na tërheqin vëmëndjen disa citime si: “…do të mundohem të sqaroj konceptin tim për problemin e ekzistencës së Zotit dhe të MOSEKZISTENCES së Zotit, që unë e kam quajtur: EKZISTENCA DHE BOSHËSIA…”; “Ekzistencializmi eështë një filozofi që lindi nga angushia e dëshpërimit të Kristianizmit; është një mënyrë mendimi që ka mbajtur METAPSIKOLOGJINË KRISTIANE, ndërsa braktisi METAFIZIKËN KRISTIANE.”; “…Duhet përmendur përkundër disa mendimtarëve të këtij fundshekulli se e ashtuquajtura filozofi ekzistencialiste nuk është domosdo ATEISTE”. Sipas filozofëve katolikë, lumturia bazohet në BESËN dhe vjen nga BESA. Mirëpo, duke i ndenjur besnik logjikës, as besimi as mosbesimi, nuk mund të shpjegohen me anë të BESËS. Vetëm një besimtar i vendosur mund të pohojë që besa e tij mund të japë shpjegim e llogari të eksperiencës së tij fetare. Po ashtu, vetëm ateisti mund të thotë ç’është ATEIZMI dhe ç’është eksperienca e tij logjike që e shpie në kënaqësinë e zbulimit të së vërtetës, të cilën ai e beson”; “Po të studiojmë filozofinë e Historisë, do të shohim qartë se për arësye të relacionit të imtë në mes të shoqërisë dhe të besimit, ateizmi është shfaqur si kundërshtari i besimit, si një besim i përkufizuar mirë, si një armik i besimit në fuqi në atë shoqëri njerëzore, në atë kohë, në atë vend. Ky mendim na sqaron paradoksin aparent që disa nga gjenitë e mendimit botëror qenë akuzuar si ateistë nga shoqëria e kohës së tyre dhe dënuar me vdekje si p. sh. Faraon Akhenaten, Sokrati, Krishti, Muhameti, Mahatama Gandi.”; “Një njeri që jeton për ideale të larta është e pamundur të besojë që të jetë i kënaqur me idenë se jeta nuk ka tjetër përfundim veçse veten e saj: jetë materiale.”; “Në këtë botëkuptim të ri për mua, arrita në zbërthimin elementar të ekuacionit: ateizmi është një fazë neurotike, sëmundje dëshpërimi e njeriut që i tmerruar nga padrejtësitë e jetes dhe nga ideja e varrit, bën kryengritje kundër Zotit.”; “Është e nevojshme të nënvizojmë se Marksi, i cili e konsideronte veten si një njeri shkence, nuk ndjeu detyrimin për të vërtetuar ose për të justifikuar asgjë mbi ç’tha për besimin. Ateizmi i Marksit nuk është shkencor. Ai qëndron vetëm në situacione emocionale dhe duhet shpjeguar më mirë nga psikologjia shkencore sesa nga ekonomia politike që është false.”; “Ndodh që edhe besa fetare që është një nga aktet më autentike të ekzistencës së njeriut, disa herë kundërshton dritën e arsyes së njeriut të qytetëruar. E dimë që as arsyeja nuk është një dritë absolute, ndaj besa fetare është një akt shumë i ndërlikuar. Emocionet disa herë e drejtojnë njeriun dhe arsyen e tij drejt AGNOSTICIZMIT.” Vlerësimet e filozofit të sotëm, Prof. Artan Fuga dhe të intelekualit Shkëlzen Maliqi janë orientuese për të kuptuar më mirë këtë vepër interesante filozofike- teologjike.
Për librin filozofik “Sëmundjet e shekullit tonë” ka patur vlerësime të merituara, po vlen të theksojmë, se autori në tekst ngre lart rolin e poezisë së vërtetë morale në jetë. Kjo vepër ka karakter të theksuar njerëzor. Ideja themelore e saj është: Pa një shpirt fisnik, pa një edukatë dhe karakter të fuqishëm, shoqëria do të mbetet gjithmonë në vendnumëro, apo më keq, do të eci me moton regresiste një hap para, dy hapa mbrapa. Autori është i bindur se vetëm besnikëria ndaj së vërteteës e çon botën përpara. “Shpirti dhe lënda (materia) janë dy parime të bashkuara në të njëjtën qenie, e cila quhet njeri”. Pa shpirt nuk ka qenie njerëzore dhe studimi i personalitetit njerëzor është punë e vështirë. Si duket, autori e njeh mendimin e prerë të Hygoit, sipas të cilit roli i mësuesit në shkollë është që nga nxënësi të farkëtojë një njeri. Zoti i vërtetë është shpirti njerëzor dhe feja e mirë është ajo që ka dalë nga vullneti hyjnor për jetën. Njeriu duhet ta pastrojë shpirtin në luftë me djallin, trurin nëpërmjet gjimnastikës së tij, pavarësisht se nuk e arrin pastërtinë e plotë. Shoqëria njerëzore përmirësohet shkallë-shkallë dhe vetëm nëpërmjet përpjekjeve të mëdha, me ndihmën e të gjithëve dhe sidomos nëpërmjet përparimit të shpirtit dhe të edukatës. Na tërheq vëmendjen pozitivisht, se edhe pse autori në tërësi është një bulëz shqiptare e iluminizmit europian, ve në dukje disa të meta te shqiptarët, të cilat duhet të kihen parasysh, sepse ato kanë lindur gjatë historisë fatkeqe të tyre. Shqiptarët, thotë ai, duke mos e përjashtuar as veten, kanë gdhendur në shpirtin e tyre vese të egra, të trashëguara nga pushtimet e ndryshme: barbare, bizantine, osmane, fqinjëve të egër. Kjo traditë, e mbushur me vese, duhet të krasitet dhe pastaj të zhduket një herë e mirë. Ato vese përbëjnë një virus që duhet pastruar medoemos, në qoftë se dëshirojmë të shkojmë drejt qytetërimit njerëzor. Në këtë libër rëndësi vendimtare i jepet rolit të edukatës, të arsimit, duke patur bindje se shqiptari fare mirë mund të shërohet, përndryshe nuk do të arrihet qëllimi fisnik, i cili nuk është asgjë tjetër, veçse “e mira e përgjithshme”.
Autori ngre lart rolin e poezisë së vërtetë morale në jetë. Sipas Luzajt, poezia e Dantes është e mirë, sepse eshte morale. Ajo përfshin në të vërtetë edhe fisnikërinë e artit. “Poezia ekziston si art kur poema e lexuar na bën të qajmë, të qeshim, të pendohemi, të korigjohemi”. “Parajsa e humbur” e Miltonit, i përmbledh të gjitha cilësitë e poemës:“Virtytin, ekstazën, pastërtinë shpirtërore…edukimin dhe mbi të gjitha muzikën qiellore”. Autori me të drejtë ngre lart Homerin, Hygoin, Getën, Shilerin, Miltonin, Mysenë, etj., por dhe Konfucin, Budën, Krishtin, Muhametin, sepse edhe ata kanë në veprat e tyre poezinë e vërtetë, sepse prekin fort mendjen dhe shpirtin te njeriu. Për autorin, poezi e pastër është ajo që mundohet të shprehë sa më sinqerisht, sa më vërtetësisht mendimet e ndjesitë. Në libër shfaqet bota shpirtërore e Prof. Isuf Luzajt shumë e pasur, e pastër, e çiltër, sepse është bota e kulturës, e edukatës dhe e gjithë cilësive dhe vlerave të shumta humane. E rëndësishme është se autori këto kërkon t’i shikojë te tërë shqiptarët.






Në librin “Përtej së mirës dhe së ligës” autori Isuf Luzaj përmbledh vargjet, që mundohen të reflektojnë hijen e dhembjes së tij. Do të duhej një libër voluminoz pë të shpjeguar kuptimin metafizik të këtyre dy termave, e mira dhe e keqja gjatë udhës që ka bërë filozofia e popujve, si atyre perëndimore, edhe atyre orientale. “Nuk është vendi këtu për ato spekulime filozofike – metafizike, fetare, -shkruan autori në parathënien e librit. Dhe vijon- Këtë studim e kam shkruar si ndërmarrjen më guximtare të studimeve të mia, në librin: “Eksperienca metafizike”. 
Këtu po kufizohem të jap një përmbledhje të shkurtër, në ngjasim të fluturimit të shpendit, që këto dy koncepte kanë pasur gjatë mendimit filozofik – metafizik – fetar, perëndimor, në këta pesë shekujt e fundit të Historisë së mendimit.dhe përfundon substancën e mendimit: “Në arritsha të shpreh në vargje këtë sferë -klimë shpirtërore në lartësinë psikologjike të Historisë së Filozofisë, që përmbledhin këto dy koncepte, atëhere dua të shpresoj që lexuesi të ndjejë në ndërgjegje dhe në mendim diç nga ato ngashërime që kam provuar unë nëpër udhë të mërgimit, udhëtar në të pesë kontinentet, duke pasur të vetmin shok e të vetmen mike: “vetminë”. Sinqerisht më bën përshtypje ky refleksion i filozofit dhe madh dhe poetit e fuqishëm sentimental nga Kanina dhe, interesant, ende pa e lexuar librin “Përtej së mirës dhe së ligës”, dhuruar nga miku im i xhevahirtë Xhevahir Spahiu, pata shkruar një poezi të vockël, me titullin “Vetmia: Që kur u çmend njerëzimi/ Dhe futi në burg drejtësinë,/ I dëshpëruar nga pikëllimi/ U dashurova me vetminë”. Dhe pastaj vazhdoj me një ton entusiast, si për t’i ndezur motorin e shpresës vetes dhe shoqërisë pikëllore nga realiteti i hidhur që na dhuron vertikaliteti drejtues “Vetmia, si vjeshtë varfanjake,/ Venitet, vyshket, vetëm vdes./ Unë, i mbushur me dufet rebelake/ I them të nesërmes: Mirëmëngjes!”. Nuk gjykoj të hedh në botim shumë vargje nga poezitë e autorit Isuf Luzaj, sepse ato i gjen tashmë të botuara dhe online, por ja disa nga ato më të hershmet, botuar tek “RRËFIMET”, në ciklin “Kohë turpi”:“Të gjorët vargjet e mi,/ I dogji dor’ e kusarit,/Turpi i gjorë në histori,/ Kohë polici, dhe xhandari…Kohë e nëmur,/ kohë urie/ Kohë turpi,/ kohë zie,/ Që në kokë e gjer në thua;/ Vdekur zana, vdekur ora,/ Vdekur kombi, kur vdes Vlora,/shurdhër, memecë dhe qorrë;/ Burrat për trastë hauri/ Kërrusur shpina, thyer gjuri,/ Helm në kokë e në thua,/ Shkarrëzyer nëpër llomi,/ Popull, more lum e përrua-/ Turpi i parë në Histori! Edhe poezitë e Luzajt janë të tipit të K. Kokoshit dhe poetëve të tjerë të angazhuar me poezinë atdhetare ndjesore, me të cilët do të njihemi në numrat vijues të gazetës “Tirana Observer”. Kjo lloj poezie është si të thuash një urë midis letërsisë së traditës rilindase dhe asaj vijuese të fillimshekullit të XX dhe periudhës së Pavarësisë. Midis tyre ka një lidhje vazhdimësie të brendshme. Nuk mund të pohojmë dot se në këtë grup poetik të Vlorës apo edhe në rang vendi ndihet hopi cilësisht artistik. Me veçime të rralla. Uniformizmi dhe skematizmi atdhetar, që paraqiteshin ende nën qyrkun e temës së qëndresës së njeriut dhe të popullit tonë përballë sulmeve dhe goditjeve të historisë, nuk mund të shqiteshin kollaj nga fryma e re që natyrshëm, por prapë me vështirësi po fillonte të ndihej në letërsinë e kohës. Patjetër që dhe Profesori nuk mund t’i shpëtonte ndikimit tematik dhe teknik të poezisë atdhetare me natyrën rilindase të të shkruarit. Ndoshta ishte ende koha, që duhej shkruar me atë frymë frymëzuese, kushtruese, mobilizuese, sedërtare, thirrëse, sepse Atdheu kishte nevojë për shpirt furtune. Në librin “Antologji, tregime të zgjedhura të autorëve vlonjatë”, botuar në Vlorë, nga “Europrint”, 2006, janë përfshirë 23 autorë dhe përkatësisht Anastas Kondo, Andrea Varfi, Andi Meçaj, Astrit Hajdini, Astrit Xhaferi, Asqeri Llanaj, Albert Habazaj, Bardhosh Gaçe, Eqerem Canaj, Elma Rama, Fatos Arapi, Fadil Zeqiri, Hiqmet Meçaj, Isuf Luzaj, Muhamet Derri, Pali Shtembari, Petro Marko, Petrit Qejvani, Shevqet Musaraj, Tomor Balla, Vilhelme Vranari, Xhemil Lato e Ylli Bora. Nga Isuf Luzaj hartuesit përzgjodhën prozën poetike, aq të bukur dhe lakonike, veç një faqe e gjysmë me titullin: “Kur bie shi në fshatin tim”. Më 27 dhjetor 2000, shkencëtari, poeti, filozofi dhe atdhetari shqiptar Isuf Luzaj mbylli sytë në Çikagon e largët. Sipas amanetit që la, eshtrat i prehen të qeta në vendlindjen e tij të dashur në Kaninën e bukurive me emër në histori. Në Kaninë prehen dhe eshtrat e humanistes së madhe, Ambasadores së Kombit Nermin Vlora Falaschit, mbesë së Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar Ismail Qemal Vlorës, së toku me eshtrat e bashkëshortit të Nerminit, Renzo Falaschi, ambasador i përjetshëm i Italisë, që aq shumë e donte Shqipërinë, sa prehet në Kaninë përjetsisht. Nga Kanina, Profesor Luzaj bën apel me veprën që na ka lënë: “Të përmirësohemi duke përparuar në ekonomi, në kulturë, në letërsi”.
Vlorë, 09. 06. 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: nga Albert Habazaj, Prifil i Isuf Luzaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 463
  • 464
  • 465
  • 466
  • 467
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT