Teatër brenda teatrit/
Shkruan: Dr. Ilir Muharremi/
Në vitin 1793 përfundojnë kohërat e revoltës, fillojnë ato të revolucionit dhe shumica e revolucioneve marrin origjinalitetin e tyre në vrasje. Në një aspekt, të gjitha pothuajse kanë qenë vrasëse të njeriut. Disa nga këto kanë praktikuar vrasjen e mbretit apo të Zotit. Origjina e të gjitha revolucioneve ka në thelb “Lirinë”, këtë emër të tmerrshëm të shkruar në karrocën e stuhive. “Vjen një ditë, kur drejtësia kërkon me ngulm suspendimin e lirisë”, shkruan Kamy. Atëherë, nga kjo na del se terrori i madh qoftë edhe i vogël kurorëzon revolucionin. Revolta reflekton nostalgjinë e pafajësisë dhe bënë thirrje përmes qenies. Edhe para 1793 janë vrarë shumë mbretër dhe revolucioni francez hap dyert e kohës moderne njëkohësisht me moralin formal. Autori gjerman Peter Weiss kishte shkruar dramën “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit”, në vitin ’64. Skena e ngjarjeve është revolucioni Frëng, në ditët e korrikut 1793. Shfaqja u krijua në regji të Arben Kumbaros dhe u dha në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Personazhi i Maratit llogaritet si figurë më gjakatare e Revolucionit francez, njëkohësisht edhe orator i shkëlqyeshëm, mik i popullit mbrojtës i interesave të vegjëlisë, kështu fliste ai për veten. Kripa e këtij teksti është ky personazh. Monologët origjinalë të tij jo vetëm se janë shkurtuar, por edhe pjesët e vërteta të traktateve në të cilat është bazuar autori, transformoheshin në debate të thara, aktuale politike të ndikuara nga koha momentale. Aktori në raport me personazhin përpiqet të kap në fluturim ndërgjegjen e tij. Ai e di që ndërgjegjja ecën shpejt dhe mblidhet. Nuk mund ta rrokë në fluturim e sipër. Këtij aktori nuk i intereson asgjë më shumë se vetja. Hervin Çuli (Marati) është tejet radikal me një gjuhë pamflektike ngaqë shfaq në distancë të sëmurin paranojak, apo shtiret mbi imazhin e tij sepse arrin të kap vetëm hijen. Ndoshta është i ngushtë kufiri që i jepet për të krijuar personazhin, atëherë nevoja është te talenti. Personazhi në raport me jetën e tij reale, shprehë të kundërtën dhe forca e transformimit që bartet nëpërmjet gjesteve dhe brenda trupit, apo nëpërmjet zërit që i përket edhe shpirtit edhe trupit, mbetet e tija reale. Nga një vaskë me ujë të ftohtë ai flet për revolucionin, shkruan edhe fjalime për përmbysje të mëdha, një rol që konkretizohet nga kapërcimet e mëdha, veçanërisht në fjalime para turmës, që e do sforcimin e fjalisë dhënien e grimit dhe ngjyrës, patetizimin, për t’i bindur të çmenduritë. Fjala, nuk vjen natyrshëm, dhe kërkon përsëritje të vargjeve, me plotësim të emocionit për bindje të turmës. Ose fjala në teatër e do ekzagjerimin me qëllim të natyralizohet në një hapësirë prej pesëdhjetë metra katrorë skenë. Rol që kërkon shumë energji dhe frymëmarrje të gjatë nga thellësia e diafragmës. E tëra mbetet vetëm në muskujt e jashtëm. Kostumi dhe makijazhi e thjeshtëzojnë, por edhe e ekzagjerojnë nuk shkojnë më tutje se koha e ngjarjes. Kostumi i qëndron për mrekulli, por qëndrimi nuk është në raport me kostumin dhe kohën. Këmbët për asnjëherë nuk i vendos në pozicionin e tretë gjë që është veçanti e kësaj periudhe kohore. Këmbët i mbanë të hapura si një ushtarak modern dhe pjesën e përparme të trupit e kthen ka publiku. Kjo periudhë nuk e duron qëndrimin drejt ka publiku, por aktorit duhet të kthejë pjesën e krahut ka publiku. Apo nëse mbanë qëndrimin në drejt të publikut këmbët pozicionohen në pozicionin e tretë. Ky univers është i dukjes dhe për syrin.
E tërë drama ka një subjekt historik e ndërtuar me një stil aspak tradicional. Ky revolucion po e quaj i Maratit si përballje e njeriut të veprimit markezin de Sad (Viktor Zhusti), njeriun e imagjinatës. I mbyllur në çmendinën Sharënton, Sadi vë në skenë me të sëmurët mendorë përndjekjen apo vrasjen e Maratit. Problemi lind këtu, përpjekja për të ndërtuar teatër brenda teatrit apo siç e quan ai “Revolucion brenda revolucionit”. Jo, zotëri, sëpari është revoltë, me vdekjen e saj lind revolucioni. Në fillim kjo ndjenjë e revoltës është jetëshkurtër. Revolucioni fillon duke u nisur nga ideja. Ndërfutje e idesë në përvojën historike, ndërsa revolta është vetëm një ndjenjë nga përvoja individuale e lindur në ide. Revolta shpesh i vret njerëzit, ndërsa revolucioni i shkatërron njerëzit dhe parimet. Në histori ende nuk ka ndodh një gjë e tillë, një i tillë nëse ndodh atëherë është revolucion definitiv. Këtë nuk e gjejmë në këtë shfaqje.
Markezi De Sad na del kundër çdo norme dhe morali, është cinik dhe individualist. Me një tatuazh në gjoks dhe këmishën e zbërthyer e vëthë në vesh, Zhusti krijon portretin e një horri që nuk sakrifikohet fare për kombin. Loja e tij deri këtu besohet. Do t’i duhet më shumë potencë, pasi ai është regjisor në këtë teatër të “brendshëm”. Ai mundohet politikisht ta përballon këtë figurë, por nuk bënë politikë me të. Kur lëvizë në skenë de Sad, i kthehet lëvizjes së Zhustit, nuk e kundërshton vetveten për të përfituar nga roli. Trupi e mendja bashkohen, por jo nën shpirtin e de Sad-it. Ai nuk heq zinxhirët e këtij shpirti për t’u lëshuar pasionet vrullshëm mbi skenë. Nuk mund të flasin nëpërmjet të gjitha gjesteve. Këpucët bojë kafe të larta shpërqendrojnë kohën në të cilën luhet shfaqja, na kthejnë tre shekuj më pas sepse mu në atë kohë përdoreshin me take. Por, këto këpucë janë të po këtij viti 2015 e që luhatin karakterin ndërmjet përcaktimit të saktë kohor. Revolta shpesh kërcënohet me një mundësi për t’u bërë e kotë dhe revolucionare. Figura e Sharlote Kordei (Luli Bitri) qëndron përballë sfidës dhe ndërmjetësimit të përzgjedhjes së paqëlluar. Monologët valëvitin imazhe të përgjakura të Parisit, kjo aktore i interpreton me një zë të ulët, pa ngjyrë, nuk mund të mbush fjalinë, në shumë situata humb edhe rëndësinë. Tema folëse shkapërderdhet ana kuptimore dhe konteksti i materialit është i vakët. Sipas Grotovskit nuk ekziston vetëm një mënyrë e diksionit, por mënyra të panumërta. Lëvizjet skenike pothuajse janë të kurdisura artificiale, por jo monotone. Vërehet mizanskena dhe në shumë raste ndalon nën urdhrin regjisorial duke pozicionuar trupin pa kurdisje të tekstit. Trupi vepron i pari, pastaj zëri, reaksioni fizik që vepron nën ne. Pastaj, fjala shkrihet me lëvizjen, sepse ky është teatër i fjalës dhe i lëvizjes, të dyja tok hedhin vallen. Ajo vuan nga depresioni dhe është gjithnjë nën ndikim të qetësuesve. Ajo është si një armë me pavetëdije në raport me mision që ka marrë: vrasjen e Maratit. Ajo pati veçse dy situata të sakta të shkurtra dhe jepte aksente logjike të pasakta të fjalive, e që ndërronin kuptimin. Regjisori ia vë maskën e zezë këtij personazhi si simbol i vrasjes duke krijuar montazh të jashtëm të influencuar nga vrasjet e militantëve në ekranet televizive. Dypere (Indrit Çobani) , personazh i çuditshëm surreal, as shpend, as gjarpër e as njeri, kundërrevolucionar, maniak seksual me një vokal të zhvendosur dhe mbjellë dyshimin se a duhet Marati të udhëheq më atë tufë hajdutësh që ka nga pas. Është i vetmi personazh që këmba këmbës ndjek shpirtrat. Ai njësohet me jetën e personazhit dhe në disa raste tepron të folurën, tejkalon teatrin, dhe kjo i shkon për shtati këtij personazhi. Pacientët të vendosur në një kafaz të hekurt, çmendinë-burg, mbyllin shpirtin dhe kufizojnë revoltën, Zoti i tyre ka vdekur, duhet ndryshuar botën, organizuar nga forcat e njeriut-Maratit. Ata në këtë burg ndjejnë lirinë, kjo për shkak gjendjes së tyre. Arritja e ndërtimit të roleve është sfumato, nganjëherë teprimi i ekzagjerimit të fytyrës, pozitave që krijojnë figura-filmike, tallin personazhin dhe nuk jetojnë besueshëm në imagjinatën-fiksionin, por e shfaqin vetëm nga pjesa e jashtme. Skena me këta është mjerim dhe jo më kot regjisori zhvendos narratorin sa në sallë, sa në ballkon për të zgjeruar hapësirën, për t’i dhënë frymëmarrje. Aktorët-këngëtarë: Kukuru (Erand Sojli), Polposh (Egzona Ademi), Kokol (Mateus Frroku), Rozinjol (Flaura Kureta), me zërat e tyre i dhanë estetikë shfaqjes duke plasuar zërin me melodinë, veprimin dhe vallëzimin nën ritmin. Mjuzikli përcjellë shfaqjen, por nuk bëhet pjesë kryesore.
Nga regjisori vepra përpiqej të dukej art e jo pamflet politik, por monologët ishin pamflet politik në formë të aranzhuar. Kjo nuk është negative. Qeveritë revolucionare janë të obliguara të jenë të luftës, dhe shtrirja e revolucionit rrit rëndësinë e investimit që supozon ajo luftë. Kjo shoqëri e asaj kohe luftoj për njeriun dhe Evropën, ndërsa ajo që lindi më 1917 luftoj për dominimin. Ky revolucion lufton për sundim të botës dhe ndoshta fshehtësia e Maratit qëndroj këtu. Vullneti për fuqi.
Xho, heroi im
Ilir Levonja/Florida/
1) Emri i tij është Josef Manfredonia. Pjestari më i moshuar i skuadrës sime. Vjen nga Napoli i Italisë. Fëmijë emigrant i viteve të luftës së dytë botërore. Sa herë që rrëfen ikjen nga lagja e tij poshtë Vezuvit, i shkasin lotët në atë farë feje sa ti që e paragjykon një burrë duke qarë, do befasohesh. Xhosë i shkojnë për bukuri. Ngjan me Jezusin e madh, sidomos pasi heq syzat me skelet të praruar prej ari të bardhë. Tetëdhjetë e pesë vjeç, i drejtë, i pastër dhe i freskët. Gjithë pranverë në fjalët e tia. Nuk lë grua a vajzë pa u bërë komplimente. Nuk lë ditë mëngjesi pa e bekuar. Ka diçka të re për çdo datë. Të ndalon dhe gjithë kënaqësi nxjerr foton e nipit duke kënduar në një nga skenat e teatrove të Miamit. Të mbesës shkenctare. Të djalit apo vajzës në punët e tyre. Dhe prapë bekon Zotin. Dhe prapë loton kur kujton Vezuvin, mbrëmjet e Napolit.
2)Xho’ja apo Xho’xhoja siç i thërrasim ne…, ka punuar si manaxher i estetikës në një nga kompanitë më emër në Amerikë, Mejsi (Macy’s). Eshtë një pensionist i hershëm dhe punon me ne për të mundur ditët e zbrazta. Për të mundur edhe vdekjen. Ose siç thotë ai, për të mos u zënë me gruan në shtëpi. E cila nuk bën asgjë tjetër veç kullohet pas televizioneve italiane. Shan u bërtet politikanëve sikur t’i ketë aty. Unë gajasem kur ai mi tregon dhe i them se edhe ju në Itali bëni kështu. Ai më përgjigjet se Italia është e kalbur nga korrupsioni. Edhe pse ka shpirtin njerëzor më të bukur në botë.
Nge një makinë të madhe të markës Lincoln, ëndërr e hershme.
Ti kthehemi realitetit: ka edhe moshatarë të tij që punojnë për të plotësuar faturat. Dhe ata të thonë shkurt se, mirë që ka mundësi punësimi për moshën tonë. A nuk i del Xhosë pensioni? Pensioni i shtetit jo, por Xhoja ka aplikuar edhe të tjera rrugë. Fondet e pensionimeve private. Nga ana tjetër punën që bën tashmë e quan akoma më vlerë pasi mund ndryshkun e tavolinës ku luhet tavëll ose domino.
Kur flas unë me Xho’n është një dialog që i kënaq të tjerët. Xhoja e di që unë kuptojë shumë mirë italisht. Ndaj më flet në gjuhën e tij. Unë qesh dhe i përgjigjem në anglisht, pasi më ngatërrohen gjërat, mendimet. Të tjerët po ashtu qeshin. Megjithatë Xhoja vazhdon duke plotësuar edhe dëshirën time. Pasi i kam thënë dikur për shkak të mos komunikimit po e humbas italishten. Dhe ai sapo vjen më thotë buongiorno. Më pyet se si janë punët. Si jam unë. Dhe unë i përgjigjem një për një. Ndërsa nga ana tjetër prapë e ka një këshillë. Një frazë që ia vlen të përmendet. Sapo i them se gjithçka në rregull dhe unë nuk ankohem ai më përgjigjet. Nëse nuk ankohesh do të thotëse nuk sheh dhe nuk ndjen asgjë. Qeshim dhe atëhere biseda bëhet më e sinqertë. Prekim problemet e ditës, qejfmbetjet e njerëzve. Dhe Xhoja e ka një këshillë. Veç në fund prapë të thotë, mos bëj plane me mua. Bëj projekte, bëje plane, por jo me mua. Beji me këta të rinj e të reja që ke rreth e rrotull. Unë sot jam, po nesër nuk i dihet. Në vënd që të vi unë në punë, të vjen lajmi që kam shkuar me të shumtit.
Dhe në fakt ka ndodhur disa herë, kemi pritur me sytë nga dera, por ai nuk ka ardhur. Më vonë na kanë telefonuar nga shtëpia që Xhoja ndodhet në spital, një herë hemoragji stomaku, një herë diçka tjetër. Por ai gjithmonë është kthyer, ashtu i qeshur, gazmend duke përshëndetur gjithsecilin. Duke thënë… djema çfarë të bëj, i shkoj asaj viranes në derë por ajo nuk më pranon. Ik tutje më thotë se nuk të ka ardhur radha.
3)Përse Xho është heroi im? Përse…, edhe pse përciptas na shkon mendja tek pensionimet e shqiptarëve. Ja disa përfundime që mund të interpretohen nga vetë lexuesi.
-Të mos injorosh të ardhmen tënde, por të jesh i qartë për ‘të.
-A mendon për të ardhmen tënde aty ku punon?
-Nga ballafaqimi i situatave të trishton një shifër që del nga të dhënat e Zyrës për Çështjet Sociale në Shqipëri. 12 mijëlekshi i pensionimit. I vetmi dhe pa programe të tjera që të ndihmojnë pensionin. Që po sipas kësaj zyre, pas një reduktimi shpenzimesh të domosdoshme si fatura e ujit, e energjisë, e barnave etj. Një të moshuari i mbeten 6 dollarë për ushqim e argëtim.
-A ka ardhur koha që në atë vendin tonë të aplikohen edhe fondet e pensionimeve? Në bazë të punës së individit. Jo nga ato që i sjell një fëmijë, prindit?
Si përfundim:
-Ja arritjet tona.
PRISHTINA MË 24 MARS 1999 – KODRA E DIELLIT
Nga Muhamet Mjeku – New York/*
Dita e 24 marsit 1999 (e mërkurë), ishte caktuar si afat i fundit për Serbinë që ta pranonte marrëveshjen e Rambouillet. Kjo, edhe përkundër ultimatumit të Bashkësisë Ndërkombëtare, s’u përfill nga regjimi i Millosheviqit. Urdhëri i prerë që, nëse nuk do të nënshkruhej dokumenti, do të bombardohej nuk u mor si çështje serioze nga Beogradi, ngqë mendohej se kjo do të jetë vetëm një trysni rasti, siç kishte ndodhur edhe me trysnitë e tjera në luftën e Kroacisë, e sidomos me Bosnje Hercegovinën. Tash ndërkombëtarët, për kaq vjet, ishin mësuar me psikologjinë e Millosheviqit se me fjalë tek ai nuk mund të ushtrohej ndikim. “Ai i bindet vetëm forcës”, theksonin analistët e mediave perëndimore. Ndodhi ajo që shqiptarët shumë kohë më parë qenë lutur për bombardim, ndonëse e dinin se Serbia në shenjë hakmarrje do të dhunonte, do të masakronte, do të dëbonte nga shtëpitë dhe trojet e tyre mijëra shqiptarë të pafajshëm.
Mirëpo, përkundër të gjitha këtyre, 24 marsin e merrnim si ditë shpëtimi. Njerëzit në Prishtinë përpiqeshin të furnizoheshin me artikuj ushqimorë. Nëpër rrugë shihje shumë shqiptarë duke bartur artikuj ushqimorë, që i blenin gjithandej qytetit, aty ku i gjenin e aq sa kishin mundësi. Disa shitore kishin mbetur bosh, kurse blerësit ua kishin mësyer magazeve të kompleksit në Shtëpinë e Rinisë që atëherë quhej “Boro e Ramizi”, ku këto i mbanin biznesmenë serbë e shqiptarë. Radhët e njerëzve në pritje për të blerë gjëra ushqimore ishin të pafund. Rrallë kush shihej në rrugë që bisedonte me dikë tjetër, secili ngarende dikah që t’ i kryente punët para se të ketë rënë muzgu i mbrëmjes. Nga pamjet që shihja në qytet, fitoja përshtypjen se diçka e rrezikshme po vinte, ashtu sikur njerëzit përballë të një stuhie shkatërruese të natyrës. Përfaqësuesit e OSBE-së dhe ndërkombëtarët e tjerë qysh më 20 mars kishin braktisur Kosovën dhe më s’kishte mbetur kush të jipte informacione për veprimet terroriste serbe ndaj popullatës shqiptare. Pra të vazhdonin krimet, pa dëshmi. Kështu ka qenë e tërë historia serbe. Siç thotë anglezja Mis Edith Durham në librin e saj për Ballkanin, se kur vriteshin shqiptaët nga serbët askush s’ i përmendte në Evropë, ndërsa një serb i vrarë nga shqiptarët, e tërë Evropa alarmohej! Një popull jetim.
***
Nga shtëpia dola për të bërë ndërrimin e 200 dollarëve në marka, sepse me këtë valutë të fundit më lehtë mund të blehej ushqim. Konvertimi bëhej në një hapësirë karshi ndërtesës së Gjyqit të Qarkut, në afërsi të tregut të pemëve dhe perimeve, në pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës. Po ecja ngadalë duke vështruar me kujdes situatën për rreth dhe duke u munduar të lë një përshtypje indiferente. Gjithkund vëreheshin forca të shumëfishta policie, të veshur me helmeta, të armatosur me armatim dore dhe tanke. Këtyre okupatorëve mund t’u shihje vetëm një pjesë të fytyrës të pa mbuluar, ku manifestonin egërsinë, mosdurimit dhe neverinë ndaj shqiptarëve. Kjo nuk i bënte përshtypje askujt, ngaqë shqiptarët ishin mësuar me dhunën serb që nga viti 1878, kur u bë spastrimi etnik i Sanxhakut të Nishit dhe Vranjës.
Pjesa e vjetër e Prishtinës, në të cilin tymonin turbullushëm oxhakët e shtëpive përdhese, dukej e errët, plot zgavra e policë të fshehtë dhe të tillë të dalë në skenë. Këtë pjesë të qytetit asnjëherë s’e kisha parë më të zymtë e të kërcënuar.
Me 200 dollarë, të futur thellë në një xhep të dyfishtë, arrita tek pazari i devizave. Në shesh, siç isha mësuar të shihja, nuk kishte njerëz as të tillë që blenin, as të atillë që shisnin! Thashë me vete, po në cilën botë jetukam unë?! Aty, m’u kujtua spitali neoropsikiatrik në Prishtinë dhe shefi i këtij pavioni, Skender Boshnjaku, gjatë një vizite që i pata bërë si gazetar, vite më parë. Thashë se vendi im mund të jetë atje! Megjithkëtë, vendosa të hyja më thellë në disa rrugica, i bindur se ata do të gjendeshin andej pari ngase mund ishin frikësuar nga policia dhe skajuar pas ndonjë muri. Edhe aty s’ kishte njerëz përveç të ndonjërit që kalonte rrugën trupithi me nguti. Tashmë i ndrojtur shpejtova hapat të largohesha nga kjo hapësirë boshe, derisa s’më kishte gjetur ndonjë e zezë nga policia, e cila mund të keqtrajtonte, të burgoste dhe të vriste pa u hamendur. Tek ecja drejt “Qafës” nëpër sokaqe të ngushta, disa tregtarë e zanatxhinj u vënin dryrin duqaneve të tyre në një përpjekje për të nxjerrë mallin fshehtas që kishin në to. Po ku ta çonin…? Në pyetje ishte jeta!
Duke ecur më tej, takova dy shokë që kishin dalë të blenin ndonjë gjë ushqimore, si gjithë të tjerët. Me nguti këmbyem nga dy-tri fjalë se ç’mund të ndodhte brenda 24 orësh në Kosovë. Mendova: 24 orët e ardhshme mund të ndërrojnë historinë e Kosovës për 180 shkallë. A është i mundshëm ky fakt, pas gjithë kësaj pritjeje, që të kapërcehet nga një robëri e gjatë, në liri?!
Në qendër të qytetit pashë dy ekipe televizive amerikane CBS News dhe të CNN, ndërsa afër Hotel Grandit policia kontrollonte një ekip tjetër të gazetarëve The New York Times e Los Angeles Times, që kishin ardhur për të raportuar për ngjarjet në Kosovë. Në këtë pjesë të qytetit që nga viti 1990, e veçmas në hotelin Grand, shumë pak shqiptarë frekuentonin këndej pari. Ky hotel ishte pushtuar nga legjionet e kriminelit Razhnjatoviq-Arkanit.
Mendoja se serbët në shenjë hakmarrje mund të dëbonin dhe të vrisnin masivisht shqiptarët, duke i nxjerrë nga shtëpitë e tyre. Këtë mendim e sforconte fakti se dy javët e fundit në Kosovë ishin sjellë forca të reja dhe ishte shumëfishuar armatimi i rëndë. Millosheviqi s’e donte paqjen, dhunën e kishte të vetmin mjet. I dehur pas nacio-fashizmit dhe dështimit të tij, veçmas në Kroaci, e kishte tërbuar në shkallë të padurueshme ndaj shqiptarëve.
Pas një pritjeje në radhët e gjata që të bleja disa artikuj ushqimorë në bodrumet e depove në “Boro e Ramiz”, pronari i njërës prej depove lajmëroi se malli ishte sosur dhe pritja ishte e kotë. Radhët e njerëzve u shperndanë të dëshpëruar dhe të pasigurt. Në rrugë për në Breg të Diellit, vendosa të ndalesha në pazarin e vogël të pemëve dhe perimeve në Ulpjan. Ndiqja njerëzit që parakalonin rrugët në pjesën jugore të Prishtinës. Para se të hyja në treg, pashë policinë serbe duke keqtrajtuar disa shqiptarë. U ktheva që të dilja në një rrugë tjetër, por edhe ajo kontrollohej. Vendosa të ecja drejt, duke mos lënë përshtypjen e një njeriut të dyshimtë, por të një njeriut hallexhi. Në fakt secili shqiptar për sigurimin serb ishte i dyshimtë. Një polic më pyeti se ku po shkoja? “ Në shtëpi, në Breg të Diellit”, i fola atij. U hamend, por nuk më pyeti gjë tjetër, ndërsa unë po vazhdoja të ecja. Në pazar kishte pak njerëz, gjithashtu, edhe shitës. Mora pak sende ushqimore për ngut, pak djathë dhe ve, që në këto rrethana ishin të domosdoshme. Në dalje të pazarit, në anën e poshtme, ishin vendosur dy tanke serbe, me gjasë për të mbrojtur Postën e Re. Autobusat që qarkullonin në drejtim të Bregut të Diellit, nuk vinin, as nuk shkonin. Aty-këtu vërehej ndonjë taksist që tinëzisht merrte ndonjë udhëtar. Hypja në taksi ishte e rrezikshme për shkak të kontrollit policor. Vendosa që të nisesha këmbë, por as kjo nuk garantonte as gjë më tepër, përveç pasigurisë. Krejt në dalje të pazarit takova një shok timin me 10 copë ve që kishte vendosura në një llastik të tejdukshëm. Ai ngutej, të mos e zinte terri, meqë banonte në periferi te qytetit. Më tha se kishte frikë që mos po u ndodhte fëmijëve ndonjë gjë e papritur?. Të paktën të jem aty. I thashë, mendo vetëm pozitivisht, se kjo është rruga që duhet ndjekur në këtë kohë trazuese.
Duke ecur drejt lagjes sime më ra ndërmend, pse ai s’kishte blerë më shumë ve?. Pse aq pak, pse s’e pyeta? Në fakt, kisha mundësi t’i ndihmoja për më shumë, por tani ishte bërë vonë. Ai kishte ikur me llastikun e bardhë të tij në dorë, i frikësuar se ç’ po ndodhte. I trazuar ndodhesha edhe unë. Kalova afër tre rokaqiejve në Ulpjanë për në Breg të Diellit. Edhe pse kisha kaluar shumë herë këtu-pari, asnjëherë deri në këtë ditë s’e kisha shikuar fasadën e këtyre tre rokaqej që u kishte rënë dhe muret e tyre kishin mbetur të shpluara. Pranë tyre dhe hapësirës që i rrethonte rrallë kalonte ndonjë njeri.
Mbrëmja ishte afruar, ndërsa secili në mënyrën e vet përpiqej t’ i “grabite” kësaj fund-dite diçka që t’ i gjendej në moment krize. Në stacionet e benzinës shihje kolona të gjata automobilash që prisnin për t’u furnizuar me derivate të naftës.Të gjithë këta, pa përjashtim, ishin shqiptarë që përgatiteshin për çdo rast rreziku.
Më bëri përshtypje një banor i Aktashit , i cili kishte blerë një dele dhe tërhiqte zvarë drejt garzhës. Ky rast më dha të kuptoja se unë s’ kisha bërë agjë për furnizim me arikuj ushqimorë, duke mos vlerësuar drejt situatën në të cilën po hynim. Ta them të vërtetën, nuk isha i shkujdesur vetëm në këtë rast. Kisha injoruar thënien e njohur: përgatitu për më të keqen, puno e shpreso për më të mirën.
Në shtëpinë tonë, në Breg të Diellit, gjatë verës dhe vjeshtës 1998, u strehuan disa familje të të afërmve tonë nga Shipitulla, të miqve dhe dy tri familje të tjera nga Drenica. Në dimrin e vitit 1998-1999 qe strehuar edhe familja e Muharrem Bashotës nga Komorani, të cilën e gjeta aty kur u ktheva nga Amerika. Familja Bashota pas shumë peripecive nëpër malet e Berishës, më në fund, kishte arritur të strehohej te ne.
Më 24 mars 1999 kur u ngrys, të gjithë hymë në shtëpi dhe, prisnim minutat e fundit të skadimit të ultimatiumit, gjithnjë në pritje se a do të fillonte fushata ajrore nga forcat e NATO-s?!. Ta them të vërtetën, ende kishim dyshime, hamendje se a do të ndodhte kjo mrekulli. Vëllai kishte ndërtuar një bunker të vogël prapa shtëpisë në një objekt të vogël ndihmëse. Ai zinte katër pesë veta, por nuk kishte ndonjë forcë të duhur mbrojtëse. Gjatë ditës kishte dërguar disa plafa dhe sende të tjera që të strehoheshim aty, nëse do të kishte nevojë. Ai besonte se do të jetë një strehë mbrojtëse, por në fakt ishte i mashtruar.
Në orën 8 e 15 minuta në mbrëmje filloi bombardimi. Të gjithë ishim të gëzuar, të gjithë bërtisnim “ Fundi i Serbisë në Kosovë”… Nga presioni i bombardimeve, kisha përshtypjen se luajti e tërë toka. Ne, nga Bregu i Diellit, nga kati i dytë i shtëpisë pamë flakën andej kah aeroporti i Prishtinës dhe një tym të zi që ngrihej lartë përtej Veternikut. Ne na dukej se së pari u sulmuan depot e ushtrisë jugosllave në Hajvali dhe ato mes Bardhit (Bellaqevcit) të Madh dhe të Vogël, ku ishte vendosur armatimi i sjell nga Maqedonia, pasi kjo ish Republikë jugosllave shpalli pavarësinë. Maqedonia ishte e vetmmja që, në kuadër të Federatës jugosllve, kishte fituar pa luftë. Kryetar i saj i parë Kiro Gligorov, një mik i vjetër i serbëve, i cili në Jugosllavi kishte pasur, për kohë të gjatë, pozita të larta shtetërore e politike. Po ky funksionar kishte deklaruar se në rast të ndonjë lufte në Kosovë, Maqedonia do të hapte një koridor për refugjatët shqiptarë nga do të përcilleshin në vendet tjera të perëndimit. Dhe kjo s’ishte kurrfarë befasie. Shqiptarët në Maqedoni, në kohën e komunizmit, kishin përjetuar të gjitha format e segregacionit, më shumë se të gjithë të tjerët në Jugosllavi.
Vëllau, fill pas nisjes së bombardimeve nëpër terr, meqenëse ishte ndërprerë elektriku, po zbriste shkallët, ndërsa në dorë mbante një sëpatë të rëndë me një bisht të gjatë ahu.
“Ç’do me këtë”, e pyeta!
“Nëse tenton dikush të futet brenda, të mbrohemi”, më tha. I përkujtova se na paska marrë djalli! Po si të mbrohemi nga huliganët serbë? Nduersa ai mue tha:
“Njëherë po i çoj fëmijët në bunker kurse unë e ti po vendosemi në mbrojtje në dy qoshet e shtëpisë, nëse dikush do të tentojë dhunshëm të hyjë në shtëpi”. Në fakt ne, s’kishim kurrfarë mundësish të përballeshim me terrorin serb.
Një orë pas fillimit të bombardimeve në njërën prej dhomave ku kishim lëshuar perdet e errta në dritare që të mos depërtonte nga jashtë drita e zbetë e qirit, me Muharrem Bashotën që ishte i strehuar në shtëpinë tonë, ngritëm nga një gotë me raki rrushi, duke u lutur që, më në fund, do të fitonim lirinë. Ishte një lutje në mes shpresës dhe frikës. I thashë mikut Bashota, të mendojmë me optimizëm se e mira ka për ta mundur të keqen, ashtu siç e drejta, të padrejten historike ndaj nesh. Por, në rrethana të tillë, ishte shumë vështirë të mos e mendoshe edhe të keqen, që rrinte varur në kulmin e se cilës shtëpi shqiptare.
Jashtë dëgjoheshin të shtëna nga policia, ushtria dhe civilët serbë. Ata shtinin drejt lagjeve shqiptare për t’ i frikësuar që të braktisnin sa më parë Kosovën. Derisa të tjerët rrinin brenda, me të vëllain, në dy qoshe të shtëpisë, filluam të bënim roje. Kur nisi të agojë dita, hymë brenda. Nuk dinim asgjë se ç’ kishte ndodhur gjatë asaj nate në Prishtinë, përveç që kishim dëgjuar krisma armësh dhe kishim parë flakët e mëdha të djegies së dyqaneve shqiptare nga serbët dhe objektet ushtarake e policore të bombarduara nga NATO. Nga lajmet e mëngjesit të Radio-Tiranës dhe qendrave tjera evropiane mësuam për shumë ekzekutime që kishin ndodhur gjithandej Kosovës, e edhe në Prishtinë. Ndërkaq, agjensia Rojter thoshte se ishin ekzekutuar shumë shqiptarë, ishin plaçkitur, djegur e shkatërruar shumë dyqane në qendër dhe periferi të qytetit, si dhe ishin vrarë njerëzit që kishin dalë në mbrojtje të pronave të tyre.
Shtatë orë pas fillimit të bombardimeve, kryetari SHBA, Bill Clinton nga zyra e tij Oval (Oval Office) deklaronte :” Mbyllja e kësaj tragjedie, gjithsesi, është imperativ moral”. Ky theksoi se bombardimi po bëhet për të ndaluar dhunën brutale të regjimit të Millosheviqit mbi civilë. Nuk duam të përsëritet Bosnja.
Në bombardime hynë shtatë anëtarë të NATO-s, përfshirë SHBA, Anglinë dhe Gjermaninë. Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, aeroplanët gjermanë inkuadrohen në një front lufte përkrah NATO-s. Mbi qiellin serb arriti edhe aeroplani amerikan B-2 që është më i shtrenjtë në botë, si edhe F-117.
Një mëngjes i bruzët, por me shpresë të madhe, po zbardhte. Në lindje-një peizazh i kuqërremët në qiellin mbi Prishtinë, tregonte metaforën simbolike të rrugëtimit të lirisë në këto hapësira.Të gjithë ne në shtëpi, me pak përjashtime, s’kishim bërë gjumë. Secili ishte nën presion, sidomos kur edhe BBC gjatë ditës bëri publike vrasjet e intelektualëve dhe veprimtarëve shqiptarë, që ishin kryer gjatë natës në Prishtinë, Fushë Kosovë, në Mitrovicë, në Gjakovë e qytete të tjera të Kosovës. Ky ishte skenari serb i Millosheviqit, i mbështetur dhe i projektuar nga akademikët dhe intelektualët serbë, projektues edhe të shumë elaborateve në të kaluarën për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Raportohej se mes natës 24 dhe 25 marsit disa policë dhe paramilitarë me forcë kishin hyrë në shtëpinë e avokatit Bajram Kelmendi që ndodhej në rrugën “Vellusha” në Prishtinë. Ata dhunshëm kishin nxjerrë nga shtëpia atë dhe dy djemtë e tij, Kushtrimin e Kastriotin. Të nesërmen kufomat e tyre ishin gjetur afër një stacioni karburantesh në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë. Gjithashtu, raportohej se në Mitrovicë ishin vrarë Latif Berisha, profesor i Universitetit të Prishtinës dhe kryetari Degës së LDK, kryetari i sindikatave të Mitrovicës Agim Hajrizi me djalë dhe nënën e tij. Një ditë më vonë, forcat e sigurimit serb në sy të shoqes së tij, kishin vrarë mjekun e njohur Izet Himën, në Gjakovë.
Vrasjet e këtyre intelektualëve dhe veprimtarëve ndikuan drejtëpërdrejt në ikjen masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky s’ ishte skenar i ri nga Serbia.
Afër kishim një familje serbe, ku jetonin tre vëllezër me disa fëmijë, nënën dhe gjyshen. Origjina e kësaj familje ishte nga rrethina e Prizrenit, kurse babai i tre djemve, Jordani kishte vdekur me herët. Ai shprehte një urrejtje të fshehur ndaj shqiptarëve, sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Mirëpo, ishte kohë tjetër dhe, atë urrejtje nuk kishte mundësi ta kurorëzonte me veprim. Djalin e madh e kishte të sëmurë dhe, kryesisht, qëndronte në një spital çmenduri në Nish, e ndonjëherë vinte edhe në shtëpi të tij. Nga ai ruanim fëmijët e vegjël. I dyti, që u shfaq si nacionalist serb, ishte bërë drejtor i hotelit “Grand” në Prishtinë nga një kamerier, pasi qenë përzënë shqiptarët nga puna në vitin 1990. Kur filloi lufta në Kroaci dhe Bosnjë, fqinji ynë, sallat e këtij hoteli i lëshoi për tubime të vullnetarëve serbë, që nga Kosova përcillsheshin me zhurmë të madhe në zonat e luftës. Shihej në shoqëri me njerëzit më të afërm të Arkanit dhe Sheshelit, ndërsa i vogli, Sllavku kishte një natyrë pak më të butë, ishte më i shoqëruar dhe fliste edhe shqip. Pra, ky ishte fqinji ynë serb që shtëpia e tij nuk kishte distancë më shumë se dhjetë metra prej tonës. Jo fort larg, në anën tjetër, ishin edhe dy familje serbe që shqiptarët e kësaj lagje kishin pasur probleme të natyrave të ndryshme më herët, sidomos me familjen e Zhikës që ishte pronar i një shtëpie afër rrugës kryesore, pothuaj përballë Shkollës Fillore “Ismail Qemaili”.
Ja si e përshkruan hotel Grandin e Prishtinës James Pettfer, shkrimtar, gazetar, publicist dhe analist nga Londra, kur ishte drejtor fqinji ynë Zorani, në librin etij “Ekspresi i Kosovës”:” Kulla komuniste prej betoni dhe e shëmtuar e Grandit ishte diçka e veçantë në mënyrën e vet, një vend i përshtatshëm ku mund të vihej makina e terrorit shtetëror të Arkanit. Pamja e jashtme ishte e tmerrshme, por brendësia kishte poezi, poezinë e rrezikut të vërtetë të frikës. Gjithçka ishte e zezë në këtë hotel varr. Dyshemeja ishte e zezë, muret e zeza, orenditë të zeza, perde të zeza dhe kamerierët mbanin pantollana dhe xhaketa të zeza…në jehonën e muzikës gjatë mbrëmjeve të egra në katin e nëndheshëm të Grandit, ku rendet e gjata të serbëve kërcenin horo-n, mbërmje me një qind të ftuar, që organizohen sa herë që dikush ikën për të hyrë në ushtri. Kjo botë e zhdukur dhe e humbur shtrihet në kujtesën time me turmat e vajzave të gjata e hollake serbe, që e shihnin rekrutin ndoshta për herë të të fundit. Salla në të cilën kërcenin ishte e gjatë, e errët, e zymtë, njësoj si mbrëmja e lamtumirës në kazerma… Jeta ishte luftë në Prishtinën e Millosheviqit e të Arkanit. Ishte një luftë, të cilët serbët besonin se nuk mund ta humbisnin”. Ky fragment i përket luftës në Bosnje, në prag të tjetrës, në Kosovë.
Gjatë luftës, në disa shtëpi të lagjes sonë, ishin vendosur refugjatë, sidomos nga rajoni i Drenicës. Dy vëllezërit, Zorani dhe Sllavku kanë kërkuar nga fqinjët të mos pranojnë asnjë familje refugjatësh. Mu për këtë kanë fyer dhe kërcënuar fqinjët shqiptarë. Ka pasur raste kur kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në oborrin e familjeve tona me pretekse të ndryshme. Në këtë familje serbe ushtarët e Arkanit hynin, si të ishte shtab lufte. Në fakt kjo ishte bërë depo armësh e mallrash të plaçkitura, ku nuk përjashtohej mundësai edhe e dhunimeve.
Një bez i zi në derën e shtëpisë së dy vëllezërve serbë për shkak te vdekjes së nënës së tyre, kohe më parë, ishte hequr dhe qe vendosur një shenjë tjetër që nga larg s’ishim në gjendje ta identifikonim. Lidhjet e Zoranit me kriminelët e Arkanit mund të kërcënonin seriozisht jetën e shqiptarëve në lagje. Mjaftonte vetëm ta drejtonte gishtin kah ndonjëra familje, asgjë nuk duhej më shumë.(* E dergoi per Diellin gazetari Beqir Sina)
GJIMNAZI “PARTIZANI” DHE VITI I KRISUR 1967
SHKRUAN:EGLANTINA MANDIA/
KRYQËZIMI/
Po troket çekani/
Po kërcet mejdani,/
Dor’ e këmb’ i çpon,/
Krishtin kryqëzon./
Me tërbim goditin/
Me gjëmim e ngjitin/
Turma ulërin,/
Nëna blegërin./
Çdo peronë plagë /
Përvëlon si flagë /
Çurka gjak` buron /
Fryhet dhe pikon. /
Kryqet ngulen, shtisen,/
Tallen, qesëndisen; /
Sipër kryqe tre,/
Tri Mari përdhe./
FAN S. NOLI/
GJIMNAZI “PARTIZANI” DHE VITI I KRISUR 1967
Dita e parë
Mbledhja Nr. 1
Shkolla “Partizani” ndodhet në Tiranë, në trekëndëshin që krijohet nga prerja mes tri rrugëve. Pika qendrore orientuese për të dalë tek kjo godinë, është Selvia e famshme, nga e cila duhet të largohesh jo më shumë se 100 metra, për t’u gjendur tek godina e shkollës, e cila ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1964 dhe po atë vit, filloi të funksionojë shkolla 8-vjeçare që mori emrin “Partizani”.
Ndërsa Gjimnazi u krijua në vitin 1966, pra në shtator të atij viti, u bashkua shkolla “Çajupi” me “Partizanin”.
Gjimnazi “Partizani” është gjimnazi më i ri i kryeqytetit, në rrugën e Pishës, përballë shtëpisë së Tafajve, një bllok më poshtë se rruga e Xhamisë së Zajmit, ku ka qenë shtëpia e fëminisë sime.
Po atë vit, u transferova nga gjimnazi “Sami Frashëri”, te gjimnazi “Partizani”.Në fillim e ndjeja veten si të shkëputur, si të huaj.
Më mungonin mikeshat e mia të dashura të shkollës “Sami Frashëri”, që për çudi, u shpërndanë rreth e rrotull, si zogjtë e pulës.
Më vinte inat, që i doli fjala tim shoqi, i cili më thoshte me shaka: “Si shumë qejf po bëni ju mësueset e Samiut, do ju shpërndajnë, se nuk u pëlqejnë “intelektualizmat” tuaja.
“Aman për kokën tënde, mos na ndill tersllëqe, se jemi shumë mirë!”
“Pikërisht, pikërisht të qenit shumë mirë, është një mbeturinë borgjeze, ende nuk i ke kuptuar ca gjëra te qenësishme, moj çupë e mbarë.”
Çdo mëngjes, për t’i rënë shkurt, kaloja nga rruga “Ali Demi”, te rrugica e vilës së shokut tim të klasës, Ferik Ferra. Pastaj nga farmacia e qoshes, kapërceja me vrap, rrugën “Hoxha Tahsin” dhe rrugën “Qemal Stafa”, futesha te rrugica: “Ali Pashë Gucia”, dilja në krah të kishës së Shën Ndout.Këtë kishë e mbaja mend qysh nga fëminia, kur kalamanjtë camarrokë të rrugës së Xhamisë së Zajmit, luanim luftërash me ata të rrugës paralele të Kishës së vogël, ku përherë dilnin disa tinguj harmoniozë organoje e disa murgesha të mira, të urta, që organizonin lojërat tona e shpesh na mbanin për drekë me: “çka u kish dhanë Zoti”.
Sado që dukej e pabesueshme, shpejt u miqësova me Dritën e vogël, një zonjushë imcake, me sy jashtëzakonisht të mençur, mësuese e historisë dhe Lidën, që ishte thuajse një dekadë më e re e sapo kishte mbaruar fakultetin në Degën e Matematikës.Pastaj qe edhe mësuesja e gjuhës frënge, Milla Kajana, me një histori të trishtueshme: burrin e saj doktor kirurg ia patën vrarë në spitalin ushtarak, në ditët e para të çlirimit, disa të krisur, duke e lënë Millën me dy foshnja të vogla jetime, që i pat rritur vetë.
Më 17 Janar të vitit 1967, Nekie Demi, mësuesja tjetër e historisë dhe fqinja ime e shtëpisë, pranë maternitetit, organizoi vajtjen në Krujë të maturantëve të parë të kësaj shkolle.Koloneli ushtarak strategjist D. D. na shpjegoi taktikën e luftës së Gjergj Kastriotit me osmanllinjtë, në terrenin e tij, pikërisht nga kalaja e pamposhtur 25-vjecare.
Dukej se jeta e gjimnazit të ri po hynte në hullinë e zakonshme të punës, por erërat e stepave aziatike arritën menjëherë pas fjalës së 6 shkurtit të udhëheqësit të Partisë.
Me ardhjen e baletit “Detashmenti kuq i grave”, me balerina gjysmë ushtarake, (të stërvitura nga Chiang Ching, gruaja e Kryetarit Mao), që të raportonin, po të guxoje të bëje ndonjë pyetje mbi “jetën personale”.
“Ç’janë këto pyetje me tendenca borgjeze!”, hakërroheshin balerinkat.
“Si mund të ketë një jetë personale, Detashmenti i kuq i grave?”
Në Shqipëri të moshuarit e quanin atë periudhë kohe: “koha e Cini ma Cinit”.
Pra, ne u gjendëm në atë shkollë të mesme të përgjithshme, me një emër, që siç duket, u piketua që në fillim, për të filluar revolucionin kulturor me ndihmën e disa fjalimeve dhe fletë-rrufeve, që u shfaqën nëpër mure, dyer, stenda në qendër dhe në periferi të kryeqytetit, apo qyteteve të vogla, ku shkruhej me germa të mëdha: “Secili të thotë pa frikë atë që mendon për vete dhe për të tjerët!”
Të flisje pa frikë, kur frika u kishte hyrë në palcë të vegjëlve dhe të mëdhenjve!? Megjithatë, gjimnazi “Partizani” hyri pikërisht në ato ditë shkurti në histori, kur filloi gjyqi i nxënësve, apo thjesht, i Organizatës së Rinisë, me fletë –rrufenë kundër drejtorit të shkollës, Marko Vito.
Te dera e zyrës së tij qe vendosur një FLETË- RRUFE, që zinte gjithë derën me germa të mëdha dhe shkruar pa frikë, ashtu siç porosiste UDHËHEQËSI në Fjalimin e 6 Shkurtit.
Sekretari i Rinisë, një djalosh shulak, me ca sy të hirtë e idhnakë, me mbiemrin Bajraktari, u hodh në betejë me tërbim.
Të gjithë e dinin se skenarin e asaj zallamahije e drejtonte, Komiteti i Partisë së kryeqytetit, me përfaqësuesin e vet, një trashaluq, thuthuq, me vetulla të trasha alla Brezhnjev, me veturën e tij ngjyrë qumështi, i shoqëruar nga kryeredaktorët e gazetave të Partisë dhe Rinisë.
E kështu u ndodhëm dashur pa dashur, në vorbullën e gjeratores.
Mësueset u stepën, se sulmi ishte tepër personal dhe i papritur.
Fletë – rrufeja e maturantëve kundër drejtorit të shkollës, lidhej direkt me fenë. Nxënësit bënin pyetjen retorike se si ishte e mundur që ai që jepte lëndën e marksizëm-leninizmit, të mbante në shtëpi ikona të shenjtorëve dhe të besonte te Zoti?!
I shkreti njeri, që s’e kishte as shtëpinë e tij, dhe jetonte te vjehrri, dhëndër brenda! Si mund të ndalte besimin një plaku, në ditët e fundit të jetës?
Dikur i vjehrri pat qenë një mësues letërsie, nëpër gjimnazet më me zë të Tiranës. Profesor Eftimiu e quanin. Ai pat jetuar me nder dhe me respekt, gjithë jetën e tij, e tani po e shpallnin “armik të klasës”, këta picirukë?
Dëgjoja dhe s’dëgjoja, më dukej krejt pa kuptim i gjithë ai mllef kundër Markoziut.
Po ky qe vetëm fillimi, më të thella e më të rënda do të vinin!
Fjalimi kërcitës i thuthuqit ishte vërtet patetik.
E gjithë republika i paskësh sytë nga kryeqyteti. Se pas kësaj, do fillonin marshimet e mëdha në prishjen e objekteve të kultit, që s’na paskeshin qenë gjë tjetër, veç fole gjarpërinjsh.
Në të gjithë teritorin, fshat më fshat, qytet më qytet, me një aksion me goditje të përqendruar. Rinia, që ka qenë në ballë si në luftën për çlirim nga nazifashistët edhe tani do të digjte me hekur dhe zjarrin e saj si flakadan çdo mbeturinë fetare. Shkolla Partizani na qenkësh pika e vlimit revolucionar, një shembull, që do kishte me vete LAVDINË E FILLESAVE TË PAHARRUESHME.
Kur u ktheva në shtëpi ishte në të ngrysur dhe po binte një shi i imët nga ata që të futeshin në palcë bashkë me të dredhurat e një parandjenje, që populli e quan: “MOS O ZOT, MË KEQ!”
Gjithashtu, dihet se edhe e keqja vetë, s’ ka fund.
FUSNOTE,AT Z.PËLLUMBI/
“Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?”, klith në një çast dëshpërimi, Z.Pëllumbi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shëmbeshin nga turma të pandërgjegjëshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë cast, si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurije. Ai mundohet ta kalojë këtë prove, çdo ditë të ferrit të tij të dhimshëm, në marrëdhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata, që deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij.”
DITA E DYTË/
Mbledhja Nr. 2/
Mëngjesi i asaj dite u gdhi i mbarsur me një tis mjegulle dhe pas pak, filloi një shi i imët, si i ngrirë që u kthye në floke të rralla bore. Im bir ende i përgjumur, bëri pyetjen e zakonshme të mëngjesit:
“Mami, sa është ora?
“7 pa pesë, çohu zemër të bëhemi gati për shkollë!”
Gjatë kohës që përgatisja mëngjesin me një shije shumë të hidhur në shpirt, im shoq përpiqej ta kthente disi me shaka këtë valë të re, që po ngrihej.
“Kjo është një tymnajë dashakeqe në kalim, një imitacion, apo mutacion gjenetik i Revolucionit Kinez Antikonfucian, me djegjie librash e partiturash kompozitorësh gjenialë.
Po ne jemi në Europë dhe nuk e djegim dot Bethovenin, ndaj dhe i jemi vërsulur profesorit 90-vjeçar .
“Bravo biri im, sa shpejt u bëre gati sot!”
“Ba, po bie borë borë, do të lozim me topa bore?
“Sigurisht!”
Djali rrëmbeu çantën me vrap e u nisën të dy babë e bir, shumë të gëzuar si çdo mëngjes e bënin atë rrugë dhe flisnin “si burri me burrin”.Vraponin nëpër urën e vjetër prej dërrasash, që ishte e hershme, vizavi me Urën e Tabakëve.Vogëlushi flokëverdhë me sy të bukur larushë, e babi me pardesynë e gjatë dhe çadrën e madhe që i mblidhte nën vete.Bora ishte kthyer në llohë, kur po i përcillja te dera fillova porositë, se djali do të kthehej i vetëm, me çelësin të varur në qafën e tij të brishtë!
“Gjellën do ta lë të ngrohtë mbi sobë. Kij kujdes, mos trazo fare plitkën me korent! Mbylle mirë derën me kyç nga përbrenda dhe mos u rrëmbe nga topat e borës dhe mos u harro rrugëve!
Kujdes kur të kalosh urën se i janë prishur parmakët!
Ec në mes, se përroi është i rrëmbyer! Në mes, vetëm në mes! Dëgjove?
Djali ngriti dorën e vogël dhe më përshëndeti: “Mos u mërzit o ma!”
Ndërsa im shoq qeshte nën hundë, me mua, që nuk i harroja asnjë herë porositë e mëngjesit, veçanërisht, kur binte shi a llohë bore, e lagështia të futej thellë në trup, kur ktheheshim në shtëpitë e ftohta, siç qenë shtëpitë tona, që të fusnin trishtim.U vesha edhe unë dhe shkova me vrap nëpër rrugicat e mia të famshme.
Nxënësit ishin dendur në palestër dhe po këndonin: “Revolucioni marshon, marrshon, marshon!” I kishte zënë amoku të gjithë!
Pas fletë-rrufesë, që ishte vendosur ditën e parë te dera e drejtorit tonë fatkeq, i cili u kthye të nesërmen me sy të buhavitura, dhe dukej që s’kish vënë gjumë në sy i gjori njeri! Po ku pyet revolucioni për njeriun?
Gazetat më në zë, qenë mbushur me artikuj bombastikë për rininë, të ardhmen e vendit, për zjarrin dhe hekurin, në të cilin si në ferr, do të digjeshin të gjitha mentalitetet e mykura dhe paragjykimet fetare, bashkë me ikonat, fenë, kishat, xhamitë e çdo vjetërsirë, për të cilën do të jepte llogari jo vetëm Marko Vitoja i molepsur, po edhe i gjithë Këshilli Pedagogjik, me heshtjen e të cilit, do të merreshin atë ditë, një e për një.
Kështu që fletë- rrufeja ndaj nesh, ishte me tone kërcënuese, si bashkëpunëtorë në krim, se ne duhet të qenkeshim të parët që të mbështesnim ata nxënësit tanë të iluminuar, në vend që t’i bëheshim krah një kundërevolucionari.
Ky ishte me të vërtetë, një shkallëzim i paparë i ngjarjeve, i cili na futi frikën në palcë, jo vetëm për veten, por edhe për familjet tona…
U ngritën me radhë mësueset ca si belbëzake, që nuk e patën kuptuar menjëherë këtë erë të re revolucionare, ca me fjalime patetike, si artikujt e gazetave të mëngjesit dhe ca që heshtën me kokëfortësi, po jo pa u vënë re dhe pa u shënuar në kartelat tona te biografive nëpër zyrat e kuadrit, apo gjetkë, nga të plotfuqishmit e syrit vigjilent të Sigurimit të Shtetit.
Unë heshta sigurisht dhe gjithë kohën e kisha mendjen ç’do të bënin me kishën e vogël apo Xhaminë e Zajmit, të foshnjërisë sime?
Po murgeshave me organon plot tingujt të trishtuar, si do u vinte halli të gjorave?
Çdo njeri ka një jetë për të jetuar, një copë udhë të shkurtër apo të gjatë, për të bërë në këmbë, me makinë, me tren apo aeroplan, një zot e di të vërtetën.Gjithë kjo rrapëllimë që u ngrit ndaj qiellit në këtë cep të humbur të botës, në një pikë aq të vogël, në oqeanin e madh të teatrit të botës.Ky rebelim kundër qiellit, një çmenduri kolektive vetëvrasëse.
Ishin këta fanatikë që rrëmbyen flamujt e u nisën me një hakërrimë hakmarrëse kundër çdo lloj kulti, pikërisht më 14 shkurt, ditën e të dashuruarve.Paradokse shqiptare që nuk i gjen në asnjë vend të botës!
FUSNOTE/
Emrin e Theofan Popës u munduan ta linin në harresë, ta denigronin dhe madje ta poshtëronin, por nuk mundën dot. Theofani dha një kontribut të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e kishave, për mbrojtjen e kulturës së vendit tonë, si edhe për mbledhjen dhe ruajtjen e ikonave, kësaj pasurie të rrallë, e cila dëshmon për krishterimin, besimin dhe devotshmërinë e popullit tonë. Duke u përpjekur t’i ruajë ato, ai ishte i ndërgjegjshëm se po ruante një pjesë të shpirtit të popullit tonë, pa të cilin asnjë popull nuk mund të jetojë. Duke i mbledhur dhe duke ruajtur ato, ndonëse shpesh me rrezik, ai ruante atë pak dritë, që kishte mundur të shpëtonte nga stuhitë e tmerrshme që kanë fryrë vazhdimisht me tërbim mbi vendin tonë, atë dritë kaq të nevojshme për ne. Populli ynë kishte nevojë për dritë, më shumë se çdo vend tjetër, sepse këtu edhe errësira ishte më e madhe. Njerëz si Theofani, si edhe miqtë e tij të dashur, motrat Cico, Atë Kozmai, më pas Episkop Kozmai, Petro Zheji, Petraq Fundo e shumë të tjerë, secili sipas aftësive dhe mundësive që kishin, dhanë një kontribut të madh për ta ruajtur këtë dritë në shpirtrat e tyre. Duke e ruajtur në shpirtrat e tyre, ata e shpërndanin atë kudo, sepse drita nuk mund të fshihet dot. Sa më e madhe të jetë errësira aq më shumë ajo ndriçon. Në qiellin e errët ateist, këta ishin yjet e paktë që rrezatuan dritë, atë dritë aq të domosdoshme për jetën e njeriut.
Këta do të mbeten gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë.
Më kujtohet entuziazmi dhe shpresa e tij e madhe edhe në çastet kur çdo njeri do të kapej nga dëshpërimi i thellë. Kur u mbyllën kishat, ai e mbajti përsëri shpresën, kur i arrestuan djalin e tij Dhimitrin, ai përsëri u mbështet tek Perëndia dhe nuk u dorëzua asnjë herë, edhe në çastet e fundit të jetës.
DITA E TRETË/
Mbledhja Nr. 3/
Makina bezhë e sekretarit të partisë nuk po i ndahej shkollës sonë. Nxënësit të eksituar, si të kishin pirë hashash, u sulën nëpër kishat e xhamitë, për t’i rrafshuar e për t’i bërë pluhur e hi, paskëtaj erdhën edhe heronjtë e aksidenteve në transhetë e hekurudhave, apo dallgëve të detit, që im shoq i quante: “Heronj të sajuar, si në kohën e Hitlerit”.
Rinia nisej në marshime në shi e në furtunë në këmbë Tiranë-Durrës, etj., etj. Disa arritën deri në Laç, në kishën çudibërëse, së cilës i lanë vetëm rrënojat.Thonë se në vitin 1981, një grup ushtarësh nga Toga e Rojës në Laç shkuan për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit, në Kishën e “Shën Ndoit”, në Laç.
E para shembje kishte ndodhur në vitin 1967.Edhe pse një pjesë e godinës ishte shembur pjesërisht, besimtarët gjatë viteve shkonin ende.Ushtarët morën urdhër të asgjesonin muret, në mënyrë që askujt të mos i shkonte në mend për të bërë pelegrinazh.
Pasi rrëzuan një pjesë të rrethimit, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme. Disa ushtarë u dërguan për kurim në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët në Spitalin Ushtarak, të Tiranës.Të gjithë mbetën me pasoja, duke u ngritur në këmbë vetëm pas një trajtimi intensive, shumë të gjatë. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm dhe u vesh me mister.Nuk dihet ne se kjo histori është një legjendë urbane, apo një fakt i vërtetë, po kjo vërteton edhe një herë sa false dhe boshe qe ajo lufte absurde me kultet dhe fenë.
Kësaj here, makina bezhë na solli një kuqalashe me Shkollë Partie, që zëvendësoi drejtorin Marko Vito, si dhe një analizë reflektuese për këshillin tonë pedagogjik, të tulatur dhe pa vrullin e duhur revolucionar.
Ndërsa kontrollet punëtore dhe qukapikset, si drejtoresha jonë e re, bënin përpjetë në karierë.
Në këtë mbledhje të re ndodhi diçka e paparë dhe e padëgjuar.”Vetullbrezhnjevi”, bëri një ballafaqim të çuditshëm me kolegun tonë të gjuhës frënge, Astrit Lekën.
Ai e pyeti nëse kishte parë Astriti një dramë për luftën, në teatër.
Astriti iu përgjigj, se s’kishte fare nevojë të shkonte në teatër për të parë luftën, se luftën e kishte bërë vetë.
– Po atje, është një spiun, që tradhëton shokët, – i tha buçkani, – Dhe ai spiuni je ti!
-Vërtet? Po përse të jem unë e nuk je ti vetë, lum miku? – iu përgjigj luftëtari i vjetër, pa ia bërë syri tër.
Ne të gjithë mbetëm pa frymë.
Milla Kajana, sa s’u fut nën bankë.
– Ç’ke? – e pyeta unë me pëshpërimë.
-U pu, pu, ç’do na shohin sytë! Sigurisht, që policia po pret në korridor, të arrestojë Astritin! – më tha ajo e tronditur.
Astritin nuk e burgosën, por i hoqën të drejtën e profesionit të mësuesit dhe e çuan të edukohej në “gjirin e klasës punëtore”.
FUSNOTE/
MË KATOLIK SE PAPA/
(Dëshmi e Mufit Mushit)/
“… Në gusht të vitit 1967, pikërisht në kulmin e Revolucionit Kulturor Kinez, qemë dëshmimtarë të një ngjarjeje të jashtëzakonshme në Pekin.
Ishim dy përkthyes shqiptarë, që u thirrëm në një takim të fshehtë me kryetarin e Partisë Komuniste të Kinës, Mao Ce Dun.
Shkuam, në një rajon të fshehtë të Kinës Jugore, pranë Shangait, ku jetonte Kryetari.
Të shumtë janë shqiptarët kanë vizituar Republikën Popullore të Kinës, por të paktë janë ata, që kanë mundur të kenë një takim sekret prej 90 minutash, me liderin e Kinës Komuniste, Mao Ce Dun.Takimi ishte aq i papritur dhe i paparashikuar, në të cilin, unë dhe kolegu im mbetem krejt të habitur për çka dëgjuam nga Mao Ce Duni se citatet e tij, të cilat kishim muaj që po i përkthenim, “nuk i hynin fare në punë popullit shqiptar”.
Në vazhdim të bisedës, ne i shpjeguam edhe një herë, se ishim dërguar në Pekin me porosi të Enver Hoxhës, për të botuar në gjuhën shqipe, librin me citatet e tij.
“Ç’ju duhen juve citatet e mia?”, – na pyeti Mao Ce Duni.
“Ato kanë vlerë të madhe për vendin tonë”, – iu përgjigja unë.
“E ç’vlerë mund të kenë për popullin shqiptar citatet e mia, të cilat bazohen mbi jetën, praktikën dhe kushtet e Kinës? Për ju, ato s’kanë asnjë vlerë”, – replikoi ai.
Mund të imagjinohet situata e vështirë që krijoi një reagim i tillë, i paparashikuar tek ne.
Për një çast, menduam se po na hidhej poshtë e po na shkonte kot, gjithë ajo punë disamujore dhe kështu që unë vendosa ta “mbroj” mendimin tim.
“Partia jonë u jep shumë rëndësi atyre, – shtova unë, – Për ato, është interesuar personalisht shoku Enver. Madje mund t’ju them se fillimisht, tirazhi i tyre qe caktuar në 20 mijë kopje, por ditët e fundit, Tirana kërkoi që ky tirazh të rritet deri në 100 mijë ekzemplarë dhe kjo, për shkak të interesit që paraqesin edhe për Shqipërinë”.
– Po ua them haptas, – vijoi Maoja pas përgjigjes time, – Unë kam dhënë porosi të prerë të mos botohen as në Kinë citatet nga fjalimet e mia, por të botohen citate të zgjedhura nga veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit, mirëpo këta, ja ku është shoku Jao Ven Juan, këta nuk i kanë zbatuar porositë e mia.
Ai i hodhi një vështrim qortues Jaos, i cili, i ndodhur ngushtë, nuk e hapi fare gojën.
Dëshmimtarë të historisë së revolucioneve të përgjakura!
Manekinë, në duart e prestigjiatorëve fanatikë e hipokritë botërorë, si kryetari i Kinës së Madhe, i fshehur nëpër xhungla dhe udhëheqësi Shqipërisë së vockël, të vockël, sa një pikë në oqean!
Gargantua dhe Liliputë të përjetshëm!
“Dhembin degët e shqyera” të poetit Albert Habazaj
Vëllim me elegji të spikatura/
Nga Laureta Petoshati/
Kur më ra në dorë libri me poezi “Dhembin degët e shqyera”, m’u krijua ndjesia se kisha një libër me urtësi popullore të sinqerta dhe të vërteta deri në qelizë. Është një libër poetik, ku autori ka në vëmendje që me anë të vargjeve të bëjë një analizë historike dhe sociale. Ai nuk kërkon të zhytet thellë në shekuj, por ai zhytet thellë në mjedisin real bashkëkohor dhe të bashkëkohësve të tij. Në këtë libër ai lëvron një mori temash që si mozaik na japin mjedisin social të cilit i përket autori Albert Habazaj. Ai librin e fillon me poezinë kushtuar Vlorës të titulluar “Prelud për detin”, si simbol i dashurisë së tij për Vlorën, të cilës i kushton vargje siç thotë dhe vetë “vargjet për ty burojnë ujëvarë, / i vemë kurorë një gjethe ulliri”. Pra Vlora shihet si një perëndeshë, që për poetin përbën thelbin dhe tharmin e muzës së tij, por dhe të poetëve të tjerë si Fatos Arapi, që ai i ka për zemër, sepse Vlora është dashuria e tyre e përbashkët. Jo më kot ai këtë poezi e mbyll me emrin e tij, në vargjet me sfond metaforik: “Krijojmë e ndezim diellin si Fatos Arapi,/ Si zogj furtune në buzë të detit,/s’është gjë takimi i mbretit me mbretin/ para takimit të poetit me poetin!”
Duhet përmendur fakti se poezitë e vëllimit poetik “Dhembin degët e shqyera” janë të karakterit shoqëror dhe me dëshirë njohëse e respekt për njerëz të veçantë që përbëjnë familjen dhe shoqërinë e poetit. Me një brishtësi dhe shumë takt, ai i thur vargje shoqes së tij të jetës, Mejos për 50 vjetorin e lindjes, ku duket sikur bëhet një Lasgush i dytë, kur shpërthen në vargje lirike tepër të ngrohta e gurgulluese: “Nektari i puthjeve nga buza në buzë/ Si lëngu i shegës së çarë në tetor./ O gëzim, o fat, o dinjitet, o shpuzë,/ Mbretëritë në dorë!”
Po ta shikosh me vëmendje vëllimin poeti i këndon me dashuri shumë njerëzve, të cilëve u vë emra konkretë si për shembull poezia “Arkeologu i Poezisë” që i kushton Moikom Zeqos
në vend të kartolinës, për 60 vjetorin e lindjes, por ai i këndon pa me kaq patos edhe mjedisit, peizazhit, deri dhe gurëve. Kjo dukuri ndjehet fuqishëm te poezia “Marshi i Tërbaçit”, ku poeti kalon në dalldi poetike për një dashuri të pamasë për fshatin e lindes kur thotë: “Në – trojet spërkatur/ me dritë dashurie,/ o Tërbaç i dashur,/ o vëlla me yje!”
Ka shumë poezi në këtë vëllim ku poeti Albert Habazaj u këndon jo vetëm vlerave demokratike dhe antifashiste, por mbi të gjitha atyre njerëzore dhe njerëzve që i bartën këto vlera si te poezitë “Malli për çlirimtarët”, “Kurora e Nderit”, etj. Ngaqë autori flet me emra të përveçëm, herë- herë i gjithë vëllimi poetik duket si një roman historik i shkruar në vargje për persona konkretë.
Krahas këtyre poeti Albert Habazaj ka thurur dhe disa poezi për përditshmërinë në vendin e tij, që në vetvete janë thelbi i një realiteti të dhembshëm, i përshkruar me tone të forta të një denoncimi social, por dhe një shpirtbutësi për të përvuajturit. Hera-herës në poezi të tilla si “Kombi dhe unë”, “Rilevim”, “Toga e lypsarëve dhe unë”, “Shqipëria sot”, etj, qëndrimi i poetit është denoncues, madje dhe ironik. Ka një ironi melankolike midis asaj që ndodh në realitet dhe asaj që ndodh në shpirtin e poetit. Kjo gjë shprehet fuqishëm te poezinë “Kombi dhe unë”, ku me anë të konotacionit thotë shprehimisht: “Ti, zotni fryhesh si bollë, / Unë – si zogu mbi cipal;/ Shihma kërcirin e hollë,/Si unë kombi është në hall!”
Ironia që karakterizon labin nuk ngelet me kaq në poezinë e Albert Habazaj. Ai ka raste që kalon në sarkazëm, ku kjo e fundit merr nota tepër të theksuara në poezinë “Unë dhe shteti” ku në mënyrë lakonike me sarkazëm dhe sinqeritet tregon marrëdhënien e shtetit me qytetarin e vet. që është vetë poeti: “Shteti im – çapaçul,/ Unë të dua, / ti ma ngul!”
Po me nota therëse me një denoncim social për ligësinë dhe njerëzit pa karakter është dhe poezia “Mostra”, e cila të sjell ndërmend poezitë e Nolit apo dhe të Ali Asllanit për nga notat e protestës dhe të sarkazmës. E kush nuk do të qeshte me përkufizimin që i bën njeriut “Mostër” Albert Habazi kur thotë se: “Të gjithë e dinin që ishte / Shok i ngushtë i Tartufit./ Të gjithë e dinin që ishte / Kushëri i parë i bufit…” Por ato që spikasin më shumë në këtë libër janë elegjitë. Duket se një vaj, një qarje e brendshme, shkruar me një delikatesë tregon bukurinë e kujtimeve personale si një rekuiem për të gjithë ata që nuk janë më në jetën tokësore. Thuhet se njeriu vdes vërtetë jo kur ai kalon në përmasën tjetër, por kur ai harrohet dhe nuk kujtohet kush për të. Ndërsa poeti Albert Habazaj i ka vendosur ata në vargje për ti sjellë si të gjallë pranë nesh, aq sa herë pas here të duket se po lexon ndonjë epos si ai i kreshnikëve. Duket sikur diellin e vargut të këtij eposi “shumë po ndrin ky diell e pak po nxeh” poeti Albert Habazaj e ka dhënë në mënyrë krejt origjinale në vargjet e poezisë “Mbi re diellon Teuta”, e cila është një elegji për zonjushën Teuta B. Shkurtaj: “Kisha kohë që kisha ikur,/prapë në parajsë u futa,/dielli m’u duk i mitur,/se diellonte Teuta.” Madje duket sikur kemi një varg dantesk, i cili bëhet më drithërues tek elegjia e dytë për po këtë vajzë nën titullin “Nëna qan vajzën e re” ku thotë se “do të të vinte nëna,/me pesë lekë të mbështjella /në fund të xhepit,/me një trike leshi të thurur/ syth më syth/me kokrrat e lotit.”
Është hera e parë në jetën time që lexoj një vëllim poetik me kaq shumë elegji që më duken si boroitje e mirëfilltë Labërie. Këtu mund të përmendim elegji të tilla si “Baladë për gjyshen”, “Baladë për Badenë”, “Elegji për një mik të mirë” kushtuar kujtimit të paharruar të intelektualit veprimtar Njazi Hamzaraj, “Përshpirtje për Kujtimin”, në nderim tëKujtim Gjondedës, “Në udhë të dritës” kushtuar mësuesit Labë Beqiraj, “ Pëshpëritje për ëndrrën” kushtuar martirit të Mathauzenit Rexhep Bani, “Elegji për medaljen e artë” kushtuar Kujtim Peçit, “Flakadan princëror” elegji për Mësuesin e Popullit- Profesor Kristaq Shtëmbari, “Homazh për vëllain tim poetik Anastas Bita”, “Loton një gjethe mali” për Lako Gjokën, “Edhe varri sot po tundet” kushtuar Ruzhdi Hitës, “Baladë e vogël për një shpirt të madh” kushtuar Sose Dardhës, “Epitaf” si lule fati për Musa Koshenën, ej.
Të gjitha këto poezi janë të ndërtuara me vargje të puthitura ose të gërshetuara, por ka dhe vargje të lira. Poeti Albert Habazaj ka përdorur shumë figura letrare të cilat theksojnë mesazhin e tij poetik dhe flasin për një ndjenjë të thellë njerëzore.
- « Previous Page
- 1
- …
- 488
- 489
- 490
- 491
- 492
- …
- 617
- Next Page »