nga Marjana Zeneli BULKU/
Nëpër rrugëtimin e gjatë në kohë dhe hapësirë, individit si pjesëz shoqërore i është dashur të përjetojë ;sisteme,konflikte,situata me armiq imagjinarë dhe reale. Dhe si në cdo terren ku kaosi apsurd prodhon ‘’botën pa jetë’’,dikush arrin në fund të rrugës, dikush e humb atë, dikë tjetër e hedhin tej ,dikush kërkon,humbet një tjetër,vdes nga uria, thërret si ai fëmija e vogel që ‘’prindi i papergjegjshem’’- shtet e la vetëm pa ia mësuar mirë ‘’hapat’’ e domosdoshëm. Ky është individi dhe fati i tij përherë i brishtë,gjithmonë ‘’ i vogël’’duke tentuar cdo cast ‘’të rritet’’ në ‘’botën e pa jetë’’ ku ligjet e shkruara mbeten jo pak herë nëpër letra, ndërsa ato të pashkruara bëjnë ligjin. Për ta sjelle në jete ,nga ‘’asfiksia’’e gjatë këtë lloj bote ku sistemet thuren dhe shthuren nga roli i Njëshit( theksoj roli,jo nga njëshi personalisht, pasi jemi vete ne ato që amplifikojmë atë) nuk mjafton vetëm liria,por edhe rregullat, nuk mjafton vetëm dis/informacioni,por edhe sistemimi dhe edukimi me të,nuk mjafton vetëm ajri,por edhe cilësia e tij. Mjaftueshmëria dhe pamjaftueshmëria shfaqen në një përballje të vazhdueshme; Kemi mjaftueshem parti,por pak liri (duke nënkuptuar edhe rregullin këtu), Mjaft premtime,por pak realizime,ka mjaft pushtetare,por sa pak eficence,mjaft slogane gjithpërfshirese,por sa pak shtrëngime të sinqerta duarsh me mikun,kolegun,kundërshtarin. Dicka tepër e rëndësishme ka humbur nëpër këtë rrugëtim edhe pse ndryshoi modelin , asnjëhere thelbin e vet.Eshtë fjala për një lloj tjetërsimi që ndodh në kushtet e dhunimit të karakterit nga poseiduesit e fuqisë që ndodhi gjate…aq gjate sa nuk po di ta fiksoj kalendarisht,as te parashikoj fundin për fat të keq. Di vetëm se ky lloj individi urren dhunën që e ka tjetërsuar dhe rebelohet në forma të tërthorta ndaj saj dhe asnjëherë nuk shpërthen ndaj dhunuesit të vet ,duke viktimizuar të tjerët ndërkaq.Mungesa e durimit dhe tolerances, mungesa e dialogut dhe komunikimit dhe prirja për revansh jane FYTYRA e vërtetë e metamorfozës së shpirtit të individit që totalitarizmi e përcudnoi. E nëse plaget mjekohen,injektohen,mbyllen, shpirtrat e plagosur i gërryen dhembja… KUJDES me ta! Fenomeni i tjetërsimit të individit në kushtet e dhunimit të karakterit nuk e prodhon vetëm sistemi politik,por edhe ai kulturor,ekonomik dhe shoqëror.Ky tjetërsim shfaqet si : -mbijetesë dhe si-interes në t% dyja rastet me pasoja negative pasi të privon nga bota e gjallë e vetvetes. ‘’Loja’’ me individin i ngjan asaj me maska ku rolet nuk jane pjesë e karakterit (ai është nën trysni të vazhdueshme) .I brishti,tolerant ,rebeli,agresivi, ,,nën fytyra maskash dhe kur kjo bie ,ai i brendëshmi karakter shpërthen. Nuk jetoi vërtetesisht,i privuar nga vetvetja dhe të tjerët në një realitet ku vetëm shpresa se rregulli është mbi cdo lloj lirie është garanci. Dhe ndoshta akoma shpreson apo pret që E DREJTA të orientoje tregun e gjerë të padrejtësive.E ndërsa individi përfshihet në luftën mes këtyre të dyjave mos vallë është detyruar të tjetërsohet për të ‘’përfituar’’ një të drejtë më shumë në botën që mund të bëhet gjithnjë e më e padrejtë nëse nuk funksionojnë disa rregulla?! Të drejtat e minoriteteve, të drejtat e homo…,etj,etj,etj….Po për të DREJTAT e të DREJTEVE a do kujtohet kush ne botën që vrapon?! Mos ndoshta duhet të tjetersohen edhe këto në të padrejte e të hyjnë në rreshtin e gjatë të përfituesve?! Vështirë të ketë shoqëri perfekte,kjo tashmë dihet por mbikqyrje kujdesi ndaj saj duhet të ketë në mënyrë të vazhdueshme,madje në cdo qelize(familje,institución). Rreshtojmë mënyrën e tyre të të votuarit,por kurrë problematikat që gjeneron një shoqëri e për më tepër e dhunuar e që cdo ditë imiton atë. 1.Mbikqyrja ekonomike dhe 2. Mbikqyrja sociologjike janë dy nga sfidat e rëndësishme për të strukturuar atë që shpesh herë duket e pamundur ;INDIVIDIN. Personalisht këmbengul që përmes procesit te EDUKIMIT pse jo edhe atij fetar mund te iket nga tjetërsimi .Vetëm përmes edukimit mund të iket nga kompleksiteti provincial,nga frika se e panjohura është errësire e pakapercyeshme,iket nga TOTALITARIZMI. Dua të sjell në vëmendje Frojdin (ashtu sic bej zakonisht) dhe kompleksin e tij të Edipit ikja prej të cilit bëhet përmes edukimit nënë-bir/bije.Apo Ikja nga kompleksi i Rozafes që sipas Fugës, bëhet po nëpërmjet EDUKIMIT pasi themelet e forta nuk kanë nevojë për kurbane jete ,por për cilësi dhe perfeksion,planimetri dhe parametra bashkëkohor. Ikje nga tjetërsimi i individit nëpërmjet CLIRIMIT të tij! (Botuar te gazeta REPUBLIKA 24 tetor 2012)
Amerika që na bashkoi ,e kaluara që na ndau
Nga Marjana BULKU/ New York/
Festat familjare mbartin gjithmonë gëzimin dhe emocionin e takimeve të përmallta me miq të familjes, të njohur dhe të panjohur. Po po , të panjohur, sepse ndodh që edhe pse të një gjaku të mos njihesh. Tingëllon apsurde në fakt,por apsurdi e pushton shpesh botën tonë reale që e mbështjellë me këtë lloj tisi ,bëhet e huaj, e largët e ftohtë , si ndonjë planet tjetër që pret ta shkelësh edhe pse nuk guxon dot me kërshërinë e një fëmije që nuk rritet dot atje larg pa rrëfimet e largëta të gjyshes…
Nuk më kishin munguar ato,,,më rrëfenin ende që ja :” ajo kodra e gjelbër atje që duket më mirë nga këtu , kur është natë dhe dritat atje vezullojnë më fort,,,ishte Shqipëri, flitet ende shqip, kemi shumë të afërm atje,por nuk i njohim, nuk na njohin,nuk mund ti shohim sepse…
Arsyjet nuk i kuptoja dot, isha vetëm një fëmijë,por rrugën për të parë dritat që vezullonin Dibrën e Madhe e gjeja lehtësisht, nuk di pse kisha mall, dëshirë ,kureshtje për të njohur atë pjesë tonën të familjes që dukej kaq e përgjysmuar…dhe vetëm me ca vezullime të largëta dritash më shfaqte emra pa imazhe, Remzi, Ismet,Sofi, Kujtime….e plot të tjerë emra.
Duke udhëtuar drejt Staten Island, New York, në një gëzim familjar m’u duk se do” zbuloja” atë”botë” të panjohur të familjes që prej dekadash jeton këtu në SHBA dhe pjesërisht atje në Dibrën maqedonase. Nuk isha më ai fëmija i vogël me kujtesën brilante,por kërshëria ime kishte mbetur ende fëmijë . Salla është plot dhe gëzon e tëra duke festuar dibrance ardhjen në jetë të dy vogëlushëve binjakë. Ritme të njohura muzikore, hapa të njëjtë vallesh, veshje të bukura plot shije e delikatesë, burra që i nderojnë dhe respektojë gratë, për pak m’u duk se jam në Dibrën e përtej kufirit të cilën që prej pas viteve 90 -të e vizitonim shpesh…
Akujt e distancave ,ngrohtësia e gjakut të përbashkët i shkrin lehtësisht, jemi ata të Dibrës së Shqipërisë dhe kaq mjafton për tu shtrënguar,përqafuar, pyetur … Këtu rrëfimet e gjyshërve dhe prindërve vlejnë,,,nuk ke nevojë pyesësh për emrat kur din historitë për ta, nuk ke nevojë të dish e kujt është Marjana, ajo i ngjan kaq shumë Sofijes, Kizes dhe ata të rrethojnë me pyetje, dashuri ,mall, edhe lotë.
Stërgjyshja, gjyshja, nëna e tyre Sofi ishte martuar në Dibër , që më pas ishte e andej kufirit dhe kur kishte ndërruar jetë , i kishin ”zgjedhur” si banesë të fundit një copë vend nga ku Zerqani, vendlindja e saj dukej qartazi…madje edhe varret e nënës , babait, njërit vella,,,ndërsa tjetri, ah tjetri në Norvegjinë e largët…E kaluara jonë ka kaq shumë padrejtësi saqë duket se na ka paralizuar të ardhmen. Të flasësh për të këtu do të thotë të mos shijosh asgjë nga ky organizim i bukur dhe i kushtueshëm që është realizuar me kaq shumë punë. Por e ndjen thellë se ajo është aty në këtë sallë, ka shtegëtuar me ne, shtegëton me ne, atje,këtu, gjithmonë.
Nuk kishim kohë të pëfshiheshim në biseda të largëta në kohë, as të pëloteshim për njerëz që i kemi larg,ka kaq shumë gjallëri,rini, bukuri dhe freski ,saqë pyetjet rreth këtij brezi të tretë që po rritet këtu nuk mbarojnë kurrë…
Dibranët festojnë bukur, dhe kur lindin fëmijë bëjnë dasëm ku traditat e veshjes,gatimit, arredimit, higjenës shembullore,respektimit të tjetrit ,duket se nuk shuhen asnjëherë.
M’u duk se kalova një mbrëmje atje te vendi ku pasi binte nata dhe dritat ndizeshin ,unë ”takoja” ata që dikur ishin mister me emra të përvetshëm ,,,ndërsa tani, mes tyre këtu në Amerikë, ata janë kaq të afërt ,kaq të dashur, kaq të pandashëm nga ne. E kaluara që na ndante kur ishim vetëm 30 minuta larg dhe gëzimi që na bashkoi këtu në Amerikën e largët, sa afër janë ndonjëherë: një cast meditimi,një akt reflektimi,një valle gëzimi dhe një takim paharrimi!
Marjana BULKU (korrik 2014)
Nënë Tereza në Republika Srpska
Nga Uk Lushi/New York/
“Të gjithë sa ishim të ulur në karriget e teatrit të Banja Llukës- boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë- brofëm në këmbë dhe filluam të duartrokasim të ngazëllyer. Sikur të kishe qenë me ne, do ta kishe provuar atmosferën e mrekullueshme vetë miku im i dashur. Një sukses i madh i Nënë Terezës!”— po më thoshte ambasadori shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë, Flamur Gashi, përmes Viber-it; unë në New York, e, ai në Sarajevë.
Ambasadori Gashi, një diplomat yni i klasit të parë, e kishte fjalën për shfaqjen “Majka Tereza- Svetica Tame” (Nënë Tereza- Shenjtëresha e Errësirës), e cila pas një premiere të jashtëzakonshme në Teatrin Popullor të Sarajevës me 19 qershor, ishte ftuar të paraqitej edhe para publikut të kryeqytetit të Republika Srpska me 15 korrik 2014. Drama e frymëzuar nga jeta e bamirëses me famë është një produksion i Shoqërisë Kulturore “Napredak” me regji të kroatit nga Bosnja Gradimir Gojer, bazohet në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski dhe në të interpretojnë aktorë nga Bosnja-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova. Rolin e Nënë Terezës e luan Kostadinka Velkovska, artiste e njohur e teatrit Kerempuh në Zagreb, ndërkaq ekipi realizues një rol i ka dhënë edhe aktorit shqiptar nga Prishtina Ilir Tafa. Projekti multinacional, multikonfesional dhe multikulturor prej nisjes së tij është mbështetur nga ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë në Bosnje- Hercegovinë. Të dyja premierat, si në Sarajevë ashtu edhe në Banja Llukë, janë parë nga personalitete kulturore, diplomatike dhe intelektuale. Pritet që pjesa teatrore për fituesen shqiptare të Nobelit për Paqe do të nisë së shpejti një turne ballkanik dhe mbase do të inskenohet edhenë Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në tetor të vitit 2011 në teatrin beogradas Bitef u dha performansa postmoderne “Patriotic Hypermarket”, një pjesë teatrale e përbashkët e artistëve ballkanas nga Beogradi, Prishtina, Shkupi dhe Tirana. Brenda dhe jashtë ndërtesës ishin të pranishme forca të shumta policore të cilat u desh të siguronin trupën teatrore nga sulme të mundshme prej radikalëve nacionalistë serb. Në fakt, në dy raste — me 2008, gjatë ekspozitës së veprave të artistit shqiptar Dren Maliqi, dhe— me 2013, gjatë ekspozitës së dëshmive të vrasjeve të familjes Bogujevci nga paramilitarët serb “Škorpioni”në Podujevë me 1999, policia u detyrua të ndërhynte për të zbythur egërshanët dhe vandalët. Në ekspozitën e Maliqit ata shqyen një punim ku portretizohej Adem Jashari, kurse në ekspozitën që rrëfen vizualisht masakrimin e 14anëtarëve të familjes Bogujevci nga perspektiva e përjetimeve të pesë të mbijetuarve, shovinistët provuan ta digjnin godinën.
Fatmirësisht shfaqjet apo prurjet kulturore serbe apo tjera ballkanike që janë paraqitur para publikut shqiptar, (kudo në trojet tona), nuk janë pritur me kanosje dhune. Shumica e tyre kanë arritur dhe vajtur pa marrë vëmendjen e merituar dhe tek-tuk iu është hedhur ndonjë sharje nacionaliste primitive. Duke e pas përjetuar pushtimin serb dhe diskriminimin e disa popujve sllav që na kanë bërë shqiptarëve me dekada, e kuptoj shumë mirë hezitimin dhe zemëratën e bashkëkombësve tonë kur vjen puna te shkëmbimet dhe qarkullimet e vlerave me popujt joshqiptar në gadishullin tonë, e posaçërisht me serbët. Kjo u pa sidomos me rastin e paraqitjes së një muzikanti serb në një televizion të Tiranës para ca muajsh, paraqitje kjo redaktoriale e dështuar ndërsa u vendos që serbi të këndonte në një emision dedikuar melosit shqiptar, mirëpo, në anën tjetër, prezantimi i artistit serb është plotësisht i arsyetueshëm nga aspekti i njohjes kulturore të tjetrit. Si shpesh herë, disa hamulitës shqiptarë nuk elanë pa e shfrytëzuar precedentin dhe bile tentuan të nxisnin urrejtje duke përhapur gënjeshtra mbi gjoja dallimet e shkallës së patriotizmit midis Tiranës dhe Prishtinës. Padrejtësitë që na janë bërë shumicës dërmuese nga ne duhet të dritësohen duke ndjekur rrugët legale dhe duke kërkuar shpagim financiar për dëmet materiale dhe humbjet e dhimbshme njerëzore, ama ndërshkëmbimet me kombet tjera nuk duhet të ndalen.
Ka mjaft radikalë edhe në popullin tonë të cilët dëshirojnë dhe barabar punojnë që të mbyllemi nga marrje- dhënia me popujt tjerë. Veçimin ata e arsyetojnë zakonisht ose me argumentin e ruajtjes së “pastërtisë” së kulturës dhe civilizimit shqiptar, ose me argumentin se popujt tjerë ballkanik nuk na i duan vlerat tona sa ne të tyret dhe së këndejmi, sy për sy e dhëmb për dhëmb, edhe ne duhet t’i refuzojmë të tyret.
Kjo mënyrë e të rezonuarit është edhe e paleverdishme edhe shenjë inferioriteti pikësëpari për kombin i cili vendos ta praktikoj atë. Pjesëtaret e një kombi të ditur duhet të orvaten të jenë prodhues të sa më shumë vlerave, siç duhet të jenë kërkimtarë të jenë edhe konsumues të vlerave të veta dhe të të tjerëve. Duke qenë edhe krijues edhe nevojtarë të vlerave, kombet e zgjuara e dinë që vlera fisnikërohet kur vihet në ballafaqim me vlerat më inferiore apo superiore të të tjerëve. Kombet moderne bashkëpunojnë me të tjerët sepse ashtu e ngritin cilësinë e vlerave të tyre ndërsa konsumojnë madje edhe vlerat, që, për arsye të përparësive krahasuese apo çfarë do qofshin arsyet, nuk i kanë apo nuk mundi krijojnë. Dikush mund të thotë, po, ja filan kombit ballkanik nuk i interesojnë vlerat tona. Mirëpo humbja është e atyre që nuk interesohen, ngase ti ja njeh avantazhet dhe disavantazhet tjetrit dhe gjithsesi do të përfitosh nga kjo njohje, kurse ai nuk i njeh tuat. Nuk duhet ndier i frikësuar e as inferior për t’u hedhur në logun e vlerave dhe dallimeve rajonale dhe globale. Secili komb ka diçka të shkëlqyeshme për të ofruar dhe secili komb ka nevojë për të marrë diçka të shkëlqyeshme nga të tjerët. Dallimi se ku gjendet një komb në rangimin e arritjes përcaktohet shumë nga pranimi i këtij ligji të pashkruar lidhur me dobinë e shkëmbimeve kulturore, shkencore, sportive…, e deri gjenetike.
Para 86 vitesh, që të kthehemi te fillimi, me 1928, një vajzë e ndruajtur 18 vjeçare e quajtur Agnes Gonxhe Bojaxhiu vendos të lëshojë Shkupin e saj, të lë prapa nënën e ve dhe të niset për Irlandë në Misionin e Motrave Loretto për të mësuar mbi jetën. Një vit më vonë ajo shkon për herë të parë për të shërbyer në Darjeeling të Indisë ku nis përkushtimin e saj të devotshëm për t’i ndihmuar të varfrit e botës dhe fillon të njihet si Nëna Tereze. Brenda 68 vitesh, bija e brishtë shqiptare e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut shndërrohet në simbol planetar i të tashmes dhe ardhmes njerëzore. Ndonëse tërë jetën përballë errësirës, Nënë Tereza kishte hapur shpirtin dhe mendjen kundrejt njerëzve tjerë dhe duke shkëmbyer vlerat e saj me të tjerëve, ajo mbërriti t’i jepte kombit shqiptar një vlerë universale të përhershme. Prandaj, “Majka Tereza- Svetica Tame”, me 15 korrik natyrisht që do të ngriste në këmbë së bashku boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republika Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta, e jo paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë është e mundshme të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta,një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare.
“Lente” për sytë
(sipas mikes sime,M. L.)/
Pështjellim letrar/
Nga Përparim Hysi/
Nuk ka gjë që më “ngacmon” më shumë se sa sytë kur shoh një femër. Ky verb “ngacmon” duhet marrë pak me koificent korregjimi: më sakt duhet të shprehesha kështu: “… djalërisë sime ndodhte kështu”. E humbja prej syve. Kështu ka ndodhur me mua në dashurinë e parë dhe kështu ka vazhduar deri sa sytë e mi “që mos i paça”, zënë e kërkojnë një palë sy. Tani sytë e mi e kanë humbur atë “sensin” e gjuetisë si puna e atij zagarit të vjetër që humbet nuhatjen, e , megjithatë, sa shoh një palë sy që të “verbojnë” lëshohem hergjele. Punë huqi, sigurisht. Se huqi del me shpirtin. Por këtë “pështjellim” nuk e shkruaj për vete. Jo. E shkruaj për një mjek (as mos prisni që mjekun ta lakoj me emër), që, ashtu si unë djalërisë së largët, e humbi nga një palë sy.
***
Mjeku i kish parë ata sy kalimthi dhe kish thënë me vete:- Kot thonë që është ngjallur veç Krishti! Se kjo që pashë ( e kish fjalën për sytë e saj), a nuk i ka sytë aq të bukur si Elizabet Tejlorit? Të tillë i ka,- ngulmoi mjeku,- se o është ringjallur diva e madhe e Holliwoodit o nuk jam unë në vete! Dhe,ashtu mëdyshur në hamëndësinë e tij, mjeku kish ngrirë si një statujë mu tek dera e spitalit. Ai kish “ngrirë” dhe me sy ndiqte “Tejllorin” e ringjallur. Kur dëgjoi që kjo”Sytejllori” po pyeste për repartin e okulistikës, mjeku “shkriu” siç shkrin dëbora nga dielli dhe nxitoi të bëhej ai “Ciceroni” apo siç thuhet në popull, kallauzi që t’i tregonte pavijonin e syve. Sado që nxitoi, u sëmbua kur një infermiere ( si në ato garat” më i shkathti, më i shpejti” e ndihmoi “Tejllorin” që të gjente pavijonin që kërkonte. “Dhija mish e cjapi tavë”,- lëshoi një proverbë kënaqësie mjeku i syve. Jam me fat,- përkëdheli veten. Kur qe në qejf, mjeku okulist, qe makazinë proverbash. Nuk kish nevojë të mendohej shumë. I thoshte ato jo ashtu “tymëse”, por qenë si gozhdë trari të tilla që mund t’i ngulje pa frikë dhe në mur.
” Nuk shkoi Muhameti tek mali, por vjen mali tek Muhameti”. Duke menduar se nuk kish se pse të hallakatej, ngjiti shkallët tërë shend dhe hyri në kabinetin e vet. “Tejllorin” e pa, por nuk duhet ta vinte re. Thëllëza do vinte vet: drejt e në kafaz. Për pak, gati t’ia merrte një kënge. Ashtu, në zë, si për vete, ia tha: ” Syçkat si ato të tuat/ nuk gjenden në dynja”. E dinte mirë se si vazhdonte kënga dhe, tek priste që “Tejlori” i ringjallur të hynte brënda, bëri si bëri dhe i tha dhe dy vargje të tjerë: “lum ai që i ka shijuar/ frikë nga vdekja më nuk ka…
* * *
Trokiti dera dhe hyri thëllëza. Mjeku që, tanimë, i “kish shijuar ata sy”, u bë serioz dhe hyri në lëkurën e profesionit.
-Përse jini munduar?
– Për sytë. Ndjej dhimbje, sidomos, kur lexoj,- u ankua pacientja.
Mjeku,pasi e kish ulur në poltronën e vizitave, filloi vizitën. Qëndroi për një kohë goxha të gjatë, duke u sjellë dhe risjellë, pranë atyre syve dhe, sikur veç këtë kishte për të vizituar tërë ditën mbarë, po e “ngiste makinën e memories” si “afolio” për të bërë një studim sa më preçiz.
Ajo, shtrirë si një pafajësi e bukur dhe e dlirë si dëbora në një majë mali ku nuk e arrin kush, dhe doktori që “vete e vjen” nëpër këtë dëborë virgjine. Si mbaroi këtë vizitë “made in maratonë”, tha mjeku me vete,- filloi t’i shpjegonte pacientes.
– Ju kini nevojë për lente,- tha doktori.
– Për lente!- përsëriti pacientja.
– Janë të domosdoshme dhe mirë që kini ardhur me kohë.
– Doktor,- tha “Tejlori”, po dua të di çmimin,se…
-Çmimi është i diksutueshëm,- tha doktori.
– Si i diskutueshëm?- ndërhyri pak e skuqur.
– Jemi vërtet privat, por, para së gjithash, jemi dhe njerëz. Edhe ne jetojmë në tokë.
***
Kur shkoi për së fundi, doktori i tha:
– Këtë “operacion mjekësor” e ke falur nga unë.
-Doktor, të lutem, mos më bëj që të skuqem.
– Jam unë që po skuqem,- pohoi doktori. Jam mahnitur nga sytë tuaj. Më mjafton që i pashë dhe ky” vizion” imi për sytë tuaj, është “haraçi” që do paguani. E zënë si në çarg nga ky pohim kaq i çiltër,”Tejllori” sikur po thyhej. Ai e kundronte si një fajtor pa faj dhe, për të qetuar veten, kujtoi ca vargje të një kënge “… epo mirë,atëhere puthmë/ pa marr leje fola unë”. I kujtoj ai, po vallë a kish dëgjuar “Tejllori” për një këngë të tillë? Sa mirë do të qe!
– E mira pret,- u dha fund hamendësive kur u nda me sytë e “Tejllorit”.
Tiranë, 3 korrik 2014
I PAPËRSËRITËSHMI I SKENËS SË TEATRIT TË SHKODRES ARTISTI ZEF JUBANI 1910-1958
Nga Fritz RADOVANI/
Artisti i madh i skenës së teatrit të Shkodres, aktori i papërsëritëshem i Shek. XX, Zef Jubani, ka lé në Shkoder në vitin 1910 dhe ka vdekë në vitin 1958.
Aty nga viti 1952, ishe fëmijë kur një shok i imi Nikolin Prendushi na çoji në një shtëpi të vjeter shkodrane, në rrugicen e kinema Verorës, tek Cin Jubani. Pritja e asaj familje bujare na dha shkas me shkue edhe herë të tjera… Shtëpia kishte një oborr të madh dhe me pemë frutore. Kalonim orë tue luejtë n’ atë ambjent të bukur e terheqës.
Një ditë porsa mërrijtëm na doli tek dera axha i Cinit, aktori i teatrit Zef Jubani, dhe na drejtoi nga një pemë e madhe me fiq… Poshtë kishte ndertue Ai vetë disa vija uji, ku kishte vue edhe disa anije të vogla prej druni që dukeshin se po lundronin nder ata vija lumejsh mbi të cilat, me shumë kujdes ishin vendosë edhe dy ura. Nga një cep i atyne vijave Zefi hidhte ujin me një kovë dhe kalimi nder kthesa tue marrë me vete edhe anijet e vogla, krijonte një lojë aq të kandshme per moshat tona, sa Zefi na dukej se edhe Ai tashti, ban pjesë në shoqninë tonë. Ishte knaqësi e madhe kur qeshej me shpirtë!
Gjithnjë mendonte per një tjeter lojë të panjohun prej nesh! I dashtun, i pritun, i palodhun dhe dashamirës tej mase e shpesh, edhe “moshatarë” me né!
Mbas pak vitesh, mërrijta me kuptue se kush ishte në skenen e teatrit Ai Artisti që lonte tre ase kater vjet perpara me ne fëmijët në oborrin e shtëpisë së Tij! Shfaqja e parë që e kam pa në skenë Zef Jubanin, asht kenë “Koprraci” i Molierit… As atëherë, as sot, nuk mund të pershkruej emocionet që u sillte gjatë shfaqjes spektatorëve shkodranë!
Ndoshta, pershtypjet tona që nuk kishim pa shka bahet nder skenat jashta vendit tonë, asnjëherë nuk do të percaktojnë kush ishte aktori Zef Jubani? Ndersa, nga shumë intelektualë të njohun si Profesorët Simon Rrota, Gasper Ugashi, Kolë Ashta, Don Mark Hasi etj., që kanë pa edhe skenat e teatrit t’ Italisë, kam ndigjue pothuej nga të gjithë se: “Po të ishte artisti Zef Jubani nder skenat e tyne, dhe të lonte rolet që ka luejtë si aktor në Shkoder, Ai do të lente gjurmë të Pavdeksisë së Tij edhe nder skenat e tyne atje!”
Vlersimet per rolet dhe interpretimet e Zef Jubanit, pothuej nuk kanë mungue…
Po, nuk besoj, se mund të kishte ngja në një tjeter vend t’ Europës, që dy ditë para se të inaugurohej një teater i ri nder ata qytete, me vdekë në skenën e atij teatri një artist kaq i madh sa Zef Jubani, dhe mbas dy ditësh teatrit të rij me i vue emnin e një prej shkrimtarëve që nuk besoj se ka mendue me kenë ndonjëherë “artist”!?
Migjeni si shkrimtar ka vlerat e veta, dhe as nuk kam nder mend me i analizue ata, po, në skenen e teatrit të qytetit të Shkodres, nder ata “germadha” që kanë mbetë deri nder ditët tona, janë krijue vepra të mëdha, janë interpretue dhe kanë lanë gjurmë aty artistë që nuk i vijnë kurrma Shkodres, janë trashigue brez mbas brezi të gjitha ato vlera që nuk po persëriten asnjëherë, dhe mbi të gjitha edhe pse temelet e artit teatral në Shqipni ishin të vueme mbi Gurët e Rozafës Ilire, prapseprap “antishkodranizmi” i terbuem nuk u denjue me nderue me Emnin e Zef Jubanit, as teatrin e ri… Kjo nuk asht pakujdesi ase imponim, po asht injorancë e shartueme me fanatizem!
Ata ngjarje që po “lulzojnë” në Shkoder, janë shumë tronditëse!
Po Rinia Shkodrane, a do të pajtohet neser me veprat e baballarëve të vet?!
Nuk besoj! Bashkia e Shkodres nuk asht “hotel”…
Zgjohuni! Veni Emnat e Nderuem aty ku duhet!
Melbourne, Korrik 2014.
- « Previous Page
- 1
- …
- 487
- 488
- 489
- 490
- 491
- …
- 533
- Next Page »