*Shaban Cakolli ike në atë botë, por veprat tua na mbetën të kujtojmë për jetë!/
Nga Asllan DIBRANI/
sha në vlugun e punëve të përditshme i molisur nga një vapë e asaj dite kur mësova për vdekjen e bashkëpunëtorit ,poetit dhe veprimtarit Shaban Cakollit. Me shumë pikëllim e përjetova humbjen e kësaj pene që vargësi shumë vargje poetike ,portrete dhe artikuj publicistik për atdheun , kulturën artin dhe sfidat e këtij populli. Vet ai gjithnjë i kishte në shënjestër kritike të metaltat në shoqërinë kosovare e ma gjerë. Urtësia , kultura ,bujaria dhe ndërtimi njerëzor i tij ishte i një rangu të lart.Vdekja e tij me theu shpirtërisht mua dhe krijuesit tjerë familjen dhe farefisin .Nga kjo humbje e mikut tim pa prit masë na i ndërpreu cingirrimat e telefonit, bisedat ,dhe kujtimet e së kaluarës edhe si bashkëvendës ne krijimtarinë e mëtutjeshme.
Nga kjo humbje dhe mungesë të tij nuk munda ndryshe ta ngushëlloj veten, pos ta përmbush këtë boshllëk për mes këtij artikulli me përkushtim, për te ndjerit Shanan Cakollin . Kujtimet do t’i filloj nga dita që u njohëm me rastin e themelimit të “Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani” . Mik i dashur Shaban do të mbetesh përherë në zemrat tona , duke i kujtuar gjithmonë rrezet e dielli të mëngjesit në Gollakun tonë të shtrenjtë! Përmes bisedave kujtoj Gollakun e bukur aty ku linda edhe unë. Përmes teje i kujtoj krojet , rrugët me kalldrëme .Poezi e Shaban Cakollit kushtuar vendit të vet:
VENDI IM
Natë për natë shëtis
nëpër kozmosin me hënë
buzë lumit të atdheut
pranë arave dhe kopshteve
malli s´ikën nga unë
as kur hëna ikën
prapa gjelbërimeve
Përmes këtyre vargjeve tua e kujtoj cicërimën e zogjve , ylberin shume ngjyrësh , që i zbukuronte fushat dhe malet tona. I kujtoj bisedat për kulturën dhe zakonet tona. I kujtoj edhe vuajtjet e asaj ane nga barbaria serbe që u përpoqëm se bashku t’i vëmë te gjitha qe i përmenda në letër , andaj kam obligim instiktiv të përkujtoj për lexuesit edhe Malësinë e Gollakut, që linde edhe ti i madhi Shaban Cakolli. Malësinë e Gollakut për nga peizazhet, malet, thyerjet, lartësitë e pyjeve dhe regjioni hynë në rangun e bukurive të natyrës me pamje mahnitëse. Edhe përkundër rrethanave të pafavorshme për të jetuar atje, braktisja e banorëve e ka bërë të veten, nga e cila shumë vendbanime janë shpopullzuar, pas furtunave dhe përndjekjeve të vazhdueshme nga pushtuesit sllav në shekujt e fundit. Ajo anë , fatkeqësisht u harruar edhe nga pushtetet e ma vonshme, po edhe të këtyre aktuale!
Malësia e Gollakut – Krahinë kjo që shtrihet në pjesën verilindore të Republikës së Kosovës , shënon vijën kufitare me shtetin e Serbisë fqinje . Territori gjeografik i kësaj Malësie , administrohet nga këto komuna: Prishtina, Podujeva, Novobërda, Kamenica, Bujanoci, Vraja dhe Medvegja .
Që nga mbirjet e para të popullit autokton shqiptarë mbi këto troje etnike , kjo Malësi ka shërbyer nëpër shekuj si beden i gjallë , në mbrojtje të kësaj popullate nga luftërat, sulmuesit dhe armiqtë e shumtë, që pareshtur iu vërsulen këtyre anëve me popullatën ma bujare , me një popullatë ma besnike e sinqertë dhe trime .Ata jetuan dhe mbijetuan nën kushtet më të rënda për ekzistencë, por asnjëherë nuk u zhgënjyen dhe nuk u gjunjëzuan para okupatorëve , plaçkitësve, grabitqarëve dhe kasapëve të etur për gllabërimin e kësaj ane shqiptare!Në këtë krahinë kanë lindur , janë rritur dhe kanë vepruar shumë talent , krijues,interpretë , humoristë dhe instrumentistë popullor.
Nga këta krijues ishte edhe Shaban Cakolli ,njëri ndër të shkolluarit e parë që ndoqi arsimin edhe të lartin. Vendlindja e tij është fshati Krilevë që i rezistoj deri e fundit shpërnguljeve. Shtrihet po në atë pjesë të Gollakut (Gallapit)në rrethin e Dardanes ish (Kamenicë) dhe Prishtinë me pamje piktoreske dhe të bukura me rrugën gjarpërore që lidh fshatrat Strexoc, Gllogovicë ,Dabishec, Kremenatë ,Prapashticë , Keqekollë ,Grashticë, Makoc dhe Llukari qe përkufizohet me Prishtinën.
– Shaban Cakolli, lindur më 1958 në Krilevë. Mosha fëmijërore e gjeti të inkuadruar në aktivitete të lira dhe letërsi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ishte i pasionuar mbas letërsisë me çka edhe la gjurmë kudo që ishte.
Shkrimet nga Shaban Cakolli
Me shkrime vazhdoj të merret qysh në moshës fëmijërore duke shkruar për mësuesit ,nënën , bukuritë e natyrës , heronjtë dhe e mundonte gjithnjë pozicioni i shqiptarëve nën pushtimin serbo-sllav .Nga kjo gjendja jo e favorshme për të jetuar në Kosovë Shabani emigroj në Gjermani .
Në Gjermani edhe se u përpoq të ambientohet në një vend të zhvilluar kurrë se gjeti qetësinë e shpirtit , po gjithnjë e kishte në barrë, Kosovën dhe sfidat e saj për çlirim. Edhe shkrimet qe i kishte pasion te përhershëm i ndërlidhte me aktualitetin e saj . Shkruante poezi, prozë ,publicistikë dhe reportazhe . Shkrimet e tij janë botuar në gazeta, revista periodike dhe në portale informative për art, kulturë dhe politikë. Ka bashkëpunuar me gazetat: “Zëri i Kosovës”, “Bota Sot”, “[Rilindja (gazetë)|Rilindja”, “Emigranti”, “Kosova e Re” si dhe revistat “Zëri “, “Republika”, “Fjala e lirë”, “Rruga e jonë”, “Doruntina”, etj. Portalet në bashkëpunim ishin Zemra shqiptare ,Alb-Emigrant, Dielli , Tribuna shqiptare ,Filial,Revista Drini etj.
Një poezi nga Shaban Cakolli për poetin:
POETI
Nuk e di
nëse trupi i pikon gjak
por e di,brenda tij
kallet një oxhak
Në mes mallit e dhembjes
urnë që kallet
digjet në heshtje-bëhet prush
dhembjet e tij
s´i kupton askush!…
(Elegji për poetin Shaban Cakollin nga Agim Gashi )
U ngrys qielli e Karadaku
Gjëmoi bjeshka edhe Gjoli,
Sot po niset që përgjithmonë
T´kthehet n´atdhe Shaban Cakolli.
O Shaban lulja e mërgimtarit
O poeti i fjalës së bardhë,
Kthimi yt në tokë dardane
I përloti shumë shqiptar.
II
Çka që qajnë sot yjt e dielli?
Pse po qajnë dhe sytë e mi?
Miku i t´gjithë po largohet,
Nuk na tha as lamtumirë!
Qajnë librat në vitrina
Qajnë vargjet në poezi,
Po e qajnë Shaban Cakollin
Po e qojnë të vdekur n´shpi.
III
Në vend të huaj i mërguar
Kurrë su ndale për atdhe,
O Shaban Ti nuk ke vdekur
I gjallë do t´jesh gjithmonë për ne.
Sot udhëton për në Krilevë
Të pret fisi e të pret miqësia,
Me të përcjell n´banesë t´gjithmonshme
Në atë vend ku e rrokë freskia.
IV
Ti jetoje me shpirt t´përvëluar
Në varre miqve vargje dërgoje,
Me freskinë e mërgimtarit
Edhe varret ua ndriçoje.
Lamtumirë o miku i vjetër
Që e doje aq shumë sharkinë,
Lotët faqeve për Ty po rrjedhin
Ujisin këngën dhe melodinë.
30.07.2014
Düren
U shua një yll në qiellin e albanologjisë
Nga Kolec Topalli/
Më datën 16 gusht ndërroi jetë njëri nga albanologët më të shquar të ditëve tona, prof. Besim Bokshi, anëtar i dy akademive shqiptare, në Kosovë e Shqipëri, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, autor i shumë veprave shkencore e letrare, njëri nga aktivistët më të spikatur për lirinë e Kosovës dhe vendosjen e demokracisë, deputet në Kuvendin e Kosovës, përfaqësues i denjë i kulturës, shkencës dhe letërsisë shqiptare në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. Mbarë Gjakova ku kishte lindur e Prishtina ku jetonte, tërë Kosova e Shqipëria, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë, e ndjenë humbjen e thellë që la largimi i këtij dijetari, shkencëtari të mirëfilltë, poeti e veprimtari. Jeta e tij qe një përpjekje e vazhdueshme për të ngritur gjithnjë e më lart shkencat albanologjike, vullneti i tij ishte një shembull për të gjitha ata që la pas.
I lindur në Gjakovë më 1930, u shkollua në Tiranë, në vendlindje, në Prishtinë e Beograd. Dha kontributin e tij në fushën e arsimit e të shkencës, si profesor gjimnazi dhe drejtor i tij, në shkollën e lartë Pedagogjike, në Institutin Albanologjik si punonjës shkencor, pedagog i historisë së gjuhës në Universitetin e Prishtinës. Në Akademinë e Shkencave dha kontribute të mëdha në fillim si anëtar korrispondent, pastaj anëtar i rregullt, më vonë si nënkryetar dhe kryetar i saj. Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në Kosovë e jashtë saj, në universitete e qendra shkencore të Europës. Në fushën politike si kryetar i Partisë Socialdemokrate, qe luftëtar për të drejtat e njeriut, për lirinë e demokratizimin e vendit të tij. Si poet shquhet për elegancë, figuracion e meditime të thella. Por kontributin më të madh e ka dhënë si shkencëtar albanolog në fushë të historisë së gjuhës, duke studiuar sistemin emëror e nyjor, vetor e foljor me vepra të thella për nga përmbajtja, të plota për nga argumentet, të sakta për nga shembujt. Veprat e tij i kapërcejnë kufijtë e albanologjisë duke dhënë kontribute të vlefshme në fushë të ballkanistikës, romanistikës, sllavistikës dhe indoeuropianistikës. Kultura e gjerë, njohja e shumë gjuhëve të huaja, këmbëngulja për të zgjidhur probleme të vështira e të ndërlikuara të historisë së gjuhës shqipe e vënë këtë dijetar në radhën e më të mirëve të kohës sonë. Veprat e tij, si: “Ndryshimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (1971), “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” (1980), “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike” (1984), “Pjesorja e shqipes” (1998), “Për vetorët e shqipes” (2004), “Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes” (2010), si edhe një shumicë artikujsh shkencorë, janë një kontribut me rëndësi të veçantë në fushën e historisë së gjuhës shqipe.
Sot ky dijetar i përmasave jo të zakonshme, nuk është më. Ai prehet i qetë në tokën e lirë të vendlindjes, për të cilën punoi aq shumë, shpeshherë në kushte të vështira. Pranë varrit të tij prehet një kolos tjetër i albanologjisë, prof. Selman Riza, daja i tij, prej të cilit mësoi shumë ai dhe të tjerë, që vazhdojnë rrugën e tyre. Por vdekja nuk mund të mposhtë njerëz të përmasave të tilla. Ata mbeten të gjallë përmes veprave të tyre dhe kontributeve, që e çojnë shkencën përpara. Besim Bokshi do të përmendet sa kohë të ketë albanologji, sa kohë të ketë shqiptarë.
LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH ZEF DOÇIT TË LURËS
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Me një “Centaur” 32 tonësh të markës angleze me shofer një djalë nga Vlora u nisa nga kantieri i prodhimit nr. 2 tek vinçi “katërmeterkubshi” tek “Ura e Telit” në Bujan për në Dushaj të hidrocentralit të Fierzës. Aty zhdripa për me shkue tek shkolla e mesme profesionale me degët ndërtim, elektrike e mekanike, e cila kualifikonte ndërtimtarët e veprës së dritës për nevojat e saj të ditës e përspektivës. Tue ec rrugës u takova me një burrë të shtatshëm e të pushtetshëm, trupadrejt si lis, mjaft i afërt në bisedë po folke me “qitje të largët”. Ishte Llesh Zef Doçi i Lurës, njëri nga ata burra të lartë që kishte vend e rend për mirë në “Universitetin popullor të Dibrës” me pleqnitë, me filozofitë e veta. Nga permendja e vargjeve e kuptoja se e njihte mirë edhe të madhin Gjergj Fishta, gjeniu i letrave i ndaluar nga shteti monist. Koha përballëse i shkruhej në rrudhat e ballit. Në dritën e syve rrezatonte mirësi. Në meditimet e të foluren e tij vrellonte mençuri.
Tek shkolla e Fierzës nxanësit e mbasdites ishin në mësim pa shkëputje nga puna, po roja e derës na e dha të drejtën e hymjes brenda pasi Lleshi ishte mik i ardhun nga larg, nga Lura, i mbajtun fort aq sa me ra në sy me veshjen e të folunit e tij autoritetar. Ai po donte me e takue djalin e vet… Ai ishte njeri zotërues në komunikimin me të tjerët.
-Asht’ baba i Dod Doçit… – i thashë rojes së shkollës, i cili u çel në fytyrë e i foli do’ fjalë të mira për Dodën. Ato fjalë ishin aq lëvdata saqë si thuhej asokohe në politikë: “Po don’ me e pranue në parti” apo si i thoshin në traditë: “po don’ me e ba dhandërr”. Natyrisht, i riu luras, Dodë Llesh Zef Doçi, i katërti brez në atë shkollë të njohur të hapur para tre vitesh, ndërtimtar i përkushtuar i veprës së dritës, veprimtar i shquar i rinisë në Fierzë e rrethin e Tropojës, i meritonte ato fjalë, edhe tek ajo derë e në atë ditë.
Atëherë Llesh Zef Doçi i Lurës e ndali hapin dhe e kqyri rojen ngultas e fytyrëqeshur. Ndoshta deshti me e dit’ a janë fjalë ajri apo ari. Po roja nuk i la shumë kohë për me folë prapë Lleshit pasi ia tha e dha atë fjalën që ia ngroh shpirtin secilit prind: “Paska pasë kujt me i nga (ngjaj) djali yt…”. Atij i mbeti veç me fjalathanë “Faleminderit” me atë qytetarinë e tij e me shtue diçka dlirtas e ngucamë për mirë me humor, tue fol si luras, si dibran, nga filozofia e vet urtnore. Të tre qeshëm bashkarisht. Ecëm të dy…
2.Llesh Zef Doçi i Lurës para e unë mbas tij, i sy kaluam me plot ndalesa stendat në korridoret e mëdha e të gjata në tre katet e shkollës së Fierzës. I kisha pa edhe herë të tjera, ndaj më dukej sikur kishim shkue “për inspektim” aq me vëmendje i shihte ato. Gaboja asokohe. Sigurisht, përngutje. Lleshit nja 50 vjeçar ende i rrinte zgjuar pasioni i detyrës fisnike të mësuesit, prej së cilës ishte nda’ përgjithmonë prej saj, pasi kishte krye detyra të ndryshme shtetërore në Lurë e qytetin e Dibrës, në Sllovë, Kastriot, etj. Tani, në dekadën ’70, ai kishte kalue dy vite sfidë, ndoshta nga ma të vështirat në jetën e tij krenare, elitare. E kishin luftue padenjësisht në karierë, po nuk e kishin mposht në zemrën e shpirtin e tij dinjitar.
Si djalosh 20 vjeçar e dveta në tepri: “A e dinë fëmijët e tu e të vllaut (Markut)… për ardhjen tuaj në Fierzë?!”. Po ai m’u gjegj qetësisht se ua kishte përcjellë lajmin po nuk iu kishte njoftue datën. Kjo, jo për ndonjë pakujdesi të Llesh Zef Doçit të Lurës, pasi edhe hapin e hidhte për mos me e kthye kryet mbas, për me iu dal punëve prijas e ballas, po e kishte pas’ nji parim të jetës së tij, një rregull të pashkruar e të ligjëruar: me i lanë fëmijët me e ba punën e vet. Ai nuk donte me i vnue në pritje e lëvizje për ardhjen e tij. Ai, edhe pse atëherit, fëmijët e nipat i kishte fort të rinj, siç më pat thanë vet, nuk iu sanksiononte as obligime financiare si të tjerët. Ai i porositke që me të ardhunat e veta me i krye punët e veta në banesë, në frontet e punës, në shkollë, në shoqëri, në aso mënyre sa me kenë dinjitar, mos me mbet’ kurrkushi po me u ba dikushi për mirë, për mbarë. Ai donte që leku me iu dhanë forcë për mirë e mos me i ligshtue për keq. Natyrisht, deshtën të gjithë sëbashku: Llesh Zef Doçi i Lurës, Zoti e vetvetja – secili prej tyre, dhe fëmijët iu banë për shtëpi, për me e mbajt lart, fort e gjatë emrin e kullës së vet e të Lurës.
Ai kishte ardhë tek Doda…, po mendjen e kishte edhe tek djali tjetër, tek ma i madhi, tek inxhinieri gjeolog, Prenga. Ai mbetej i mendimit se Doda i kujtonte rininë e tij dhe Prenga ma shumë “pleqërinë” e tij. E hante meraku që fëmijët e tij mos t’i rritke jeta para kohe, as me i vnue jeta përpara, as mos me i lanë jeta mbrapa, po me ecë rrugës së gjatë me hapa e shpirtin e vet, me krahë hapët për fis e miq, me i pri’ vet punës së vet. Me i ndjet’ kohës drejt e pa i pushue punës…
I pazakonshëm ishte Llesh Zef Doçi i Lurës për mend e kuvend. Ndoshta edhe i jashtëzakonshëm. Ai ishte një “universitet popullor”, në “katedrën” e tij ishte vet dekan e shkuar dekanit. “Leksionet” e tij i kanë qëndrue kohës.
3.Disa herë ia përserita fjalët: A ta thërras Dodën… nga ora e mësimit?
Llesh Zef Doçi i Lurës nuk hapte udhë. As unë nuk arrija ta konceptoja atë njeri të fismë, i ardhun nga Lura në Fierzë tek pritke në korridoret e shkollës tue pa stendat e shumta e nuk e thirrke djalin e vet pa e mbarue orën e mësimit. Pas pak dolëm tek dera kryesore e shkollës. Mbas pak minutash e mora vesh se ai kishte qënë dikur mësues. E tashti po lexoj në libra se e ka lanë emrin e vet në breza nxanësish.
Aty kishte ardhë edhe shoferi vlonjat i Centuar-it për me marrë leje një mujore nga shkolla për dikë të vetin, pasi në punë e kishte gjet’ zëvendësuesin, dhe i ecte rroga pa kanë aty. I shkruhej emri në bordero. Unë kisha marrë përsipër t’ia kryeja kit’ kërkesë të tij në atë mënyrë që pothuaj mos me iu rregjistrue asnjë mungesë. Sikur të ishte në shkollë. Mugesat e shumta sillnin moskualifikim simestral ose vjetor, mbetje për vjeshtë apo përjashtim nga shkolla.
Tek dera e shkollës u veçuam pak prej Llesh Zef Doçit të Lurës dhe ia kallxova shembullin e tij. Atypëraty hoqa dorë nga premtimi për një “leje një mujore pa mungesa” në shkollë për njeriun e tij. Ai, djaloshi vlonjat, u merzit bajagi prej meje e më tha se malësori nuk e ka fjalën kështu. Për me e shlye sadopak (jo)gabimin pata shkrue në gazetë për mirë për atë shofer vlonjat që punonte për vitet që vijnë, ecte ma shpejt se koha.
Ai leksion i Llesh Zef Doçit të Lurës asaj dite m’u duk se “më la në klasë”, po ishte një provim që më vlejti tanë jetën, veçmas përsa kohë isha i emëruar një ndër instruktorët e rinisë për shkollat e rrethit të Tropojës, kur shkova student në Tiranë, e, tevona si drejtor i Qëndres Kulturore të Fëmijëve (Shtëpisë së Pionierit). Më kujtohej shenjtëria që kishte Llesh Zef Doçi i Lurës për shkollën, për vendin e dijeve, njerëzit e dijes, për profesionin e tij.
4.
Rrugës për tek kafja i thashë Llesh Zef Doçit të Lurës se kam me shkruejt në gazeta për kit’ vizitë të tij në veprën e madhe të dritës, në Fierzë, e cila asokohe kishte deri mbi 10 mijë vetë në frontet e saj. Nisa ka e dveti për Lurën e Fierzën… Ai po ecte pa e thanë kurrnji fjalë. Pa astenji përgjigje. E ndali hapin. U kthye prej meje. M’i lëshoi sytë sikur po më lexonte ma shumë apo do më thoshte diçka ma tepër.
-Kush a’ peshku ma i mirë i lumit të Valbonës? – më pyeti pa m’i nda’ sytë.
-Trofta – i thashë me merziti, pasi ma ndrroi temën e bisedës.
– A e din se trofta, megjithëse asht’ peshk i mirë, ecë lumit të Valbonës përpjetë, kundër rrjedhës së lumit të vet të pastër.
Çka me i thanë?! Po e ndijsha për herë të parë kit’ fakt. Ish kanë e vërtetë. Pas shumë vitesh kam mësue se edhe në Lurë rritej trofta, ndaj e dinte kit’ zakon të saj.
E pa se nuk isha ka i bie kurrkund në ta alegorisë së tij e më futi ma andej në thelluta filozofike të odës dibrane, të universitetit popullor të Dibrës, të urtive – pleqnive të tij.
-A e ke parë Valbonën e kthjelltë se aty, pak më andej ku bashkohet me Drinin e turbullt ecë gjithë atë rrugë, qindra metra, duke e ruajtur pastërtinë, kaltërsinë e bukurinë e vet. Dy lumenjtë kanë gjithë jetën që e bëjnë detyrën e vet. Drini vjen i turbullt. Valbona don me mbet’ e kthjelltë. Prej aty ku Valbona e humbet kthjelltësinë ajo nuk thirret lumi Valbona, po lumi i Drinit. Në këtë jetë, në brezat e vet, njerëzit është mirë me mbetë Valbonë. Po gjatë jetës ka me u dalë punë edhe me Drinin. Duhet me luftue si Valbona me Drinin e prapë duhet me mbetë Valbonë…
Atëherit, tue pasë para vedit një djalë 20 vjeç, që shkruante me pasion me dhjetra artikuj nëpër gazeta e revista të kohës nga Fierza në Tiranë, që merrej masivisht e aktivisht me rininë, Llesh Zef Doçi i Lurës nisi me më dhanë “leksionin” ma të thjeshtë: më tha se “ishte i prekun”… I kishte ra pikës. E dija çka domethanë kjo fjalë. Edhe në vendlindjen time, në ma të bukuren e botës, Tropojë, dikë që shteti i kohës nuk e shihte me sy të mirë, për mos me e rëndue me terma politik e ideologjik të ditës, i fokusonin e deshifronin të gjitha në një fjalë të vetme: “i prekun”…
Asokohe pata folë bukur shumë e gjatë me Llesh Zef Doçin e Lurës e më pati lanë në memorien time një respekt tejet të madh për ditunitë e tij në sjellje e në të folune, në praktikat e filozofitë e tij. Ai e kishte ngrit’ dekanatin e tij prej brezash, prej atëherit, për sot e për nesër. Ngaqë baja shumë shkrime në gazeta, nganjëherë edhe dy a tri në një numër gazete të Tiranës, të lypshin me iu dhanë ndonjë pseudonim. Një prej tyre ishte Rali Lura. Emri i parë kishte inicialet e emrit, emrit të babës e mbiemrit tim, kurse të dytit, si mbiemër, e lashë “Lura”, në respekt të atij burri të fismë e të ditur, Llesh Zef Doçit të Lurës. Prej asaj kohe e deri më sot, gazetari e regjisori i TVSH, Ilir Buçpapaj, më thërret me kit’ emër. Po kjo ka edhe një histori tjetër: edhe në gazetën lokale “Shkëlzeni” të Tropojës, gati në çdo numër të saj, prej shkrimeve të shumta të miat, disa më duhej t’iu vnoja emrin (pseudonimin): Rali Lura, derisa një ditë pati telefonata dvetjeje nga Dibra e KQ i PPSH e ndokund tjetër për me e dit’ se “kush është ky autor?!”. M’u desht me e ndërpre kit’ emër për një kohë të gjatë. Prej asaj kohe, shpesh herë e kam dvet veten: kur pa hak e hile interesohen për kit’ emër, për mue, deri në Tropojë, sa mund të kenë hjek ndonjë burrë i karierës e i vlerave prej Lurës, prej atij vendi të bekuar, si Llesh Zef Doçi i Lurës, tashti shpirtndritun me emrin, jetën e veprimtarinë e tij.
5.
Atë ditë, kur hymë me Llesh Zef Doçin e Lurës në një kafe të madhe në Dushaj, aty afër shkollës së mesme, lëvizën gjithato karrike e njerëzit u ngritën në kambë. Disa njerëz në tavolina deshën me na e lëshue vendin. A i njef – e dveta. Jo – më tha. E kuptohej: ai ishte njeri stoik e magnetik edhe kur hidhte hapin e lëvizte dorën, le më kur folke apo qeshte: burimonte dritë.
Prej aty u kthyem prapë tek “shkolla e natës”. Po mbaronte ora e dytë e mësimit. Do të takonte Dodën… Ndërkohë fjalalajmi u end edhe për të tjerët. Lisi Llesh Zef Doçi i Lurës do të takohej me filizat e kullës e trollit të vet…
Tek dera e jashtme e shkollës së Fierzës, në të djathtë të saj, pa hy’ brenda territorit, ishin shkoq dy gurë të murit të jashtëm e kishin ra në trotuar. I kapi me dorë herë njanin e herë tjetrin e i ndoi në vendin e vet. Gurët zunë vend. Shkuen ku duheshin, po nevojiteshin materiale e mjete pune për me i rregullue si e don mjeshtria e ky vend i dijes.
-Ç’ka je ka ba, bre burri i dheut? – i thashë. Edhe ndonjë tjetër foli sikur une.
Llesh Zef Doçi i Lurës u kthye prej meje e po i vinte keq me më qortue, po ndoshta nuk pati as kohë se ra zilja e përfundimit të orës së dytë të mësimit. Ai veç më tha: Një gurë e rrëzon një mur, një gur e ngren një kullë”. Ia dhamë dorën njani-tjetrit me falmeshendete e u ndamë si dy miq të njoftun prej kohësh, ndërkohë që kishim ndejt veç pak orë sëbashku në Dushaj të Fierzës.
Para disa kohësh më ra rruga andej nga shkolla e bashkuar në Dushaj të Fierzës dhe, pas 38 vitesh, në murin e jashtëm, në të djathtë të derës së shkollës, kishin ra mbi dhjetë gurë që i ngritën ndërtuesit e veprës së dritës. Muri po dëmtohej edhe në anë të majtë të derës. M’u kujtuan ata dy gurët që i rivuni Llësh Zef Doçi i Lurës…!
Historiani, publicisti e poeti i mirënjohur mirditor Nikollë Loka e ka shkrue një monografi “Llesh Zef Doçi i Lurës – forca e mendjes, pesha e fjalës”, ku më ftoi edhe mue të jem recensent i kësaj vepre me interes shkencor historik. Edhe djemtë e Lleshit e të Markut ishin dakord. Iu faleminderit. Një promovim nderimtar, dinjitar, elitar, iu ba kësaj monografie me 300 faqe, më 31 maj 2014, në fshatin turistik “Lura” tek Gjiri i Lalzit. Veprimtaria ishte një nderim i lartë për një prind të lartë, për një personalitet meritor, për një njeri me vlera kontributive… Aty mësova një fakt të madh, një të vërtetë për kohën e brezat: kjo “Lura” e dytë, një fshat turistik i madhërishëm mes pishave, pranë detit, afër kodrave, i ka themelet tek Llesh Zef Doçi i Lurës, i Derës së Parë të Lurës. Lartësi e dritë i dhanë fëmijët e vet me familjet e tyre. Të dy Lurat i bajnë nder njana-tjetrës, i ngjajnë njana-tjetres, kanë histori të përbashkët në lartësi të maleve e në breg të detit.
Shqipëri Etnike, 19 gusht 2014
IMAM VEHBI ISMAILI, PATRIOT, NJERI I FESË DHE DISHEPULL I TRADITËS SË TOLERANËS FETARE NDËR SHQIPTARËT
Nga Frank Shkreli/
Siç është njoftuar më heret, Papa Françesku do të vizitojë Shqipërinë të Djelën më 21 shtator. Gjatë këthimit të tij me aeroplan nga Seuli për në Romë të hënën, Papa zhvilloi një seancë me gazetarët që e kishin shoqëruar në vizitëne tij Koresë së Jugut. Ndër pyetjet e shumëta të gazetarëve që kishin të bënin me gjëndjen aktuale në botë, udhëheqsi i Kishës Katolike u pyet edhe se pse kishte zgjedhur të vizitonte Shqipërinë në shtator. Në përgjigje të pyetjes, Ati i Shënjtë — sipas Radio Vatikanit — nënvijoi se ai nuk po vizitonte Shqipërinë, siç kanë supozuar disa, se sipas tyre, është në stilin e Papës për të filluar në “periferi”. Radio Vatikani njofton Papa u tha gazetarëve, se ai po viziton Shqipërinë për dy arsye të rëndësishme:“e para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamizmit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo tha Papa është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.” Papa Françesku u tha gazetarve se arsyeja e dytë me rëndësi se pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër kushtetutës” së regjimit komunist, u tha Papa gazetarëve të huaj. Sipas Radio Vatikanit,gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhëshme në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjenë si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik, është cituar të ketë thënë Papa.
Duke u bazuar në prononcimet e Vatikanit dhe të deklaratave të vetë Papa Françeskut, është e qartë se njëra prej arsyeve kryesore që ai ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë si vendin e parë në Europë pikërisht në këtë moment të historisë, ka të bëjë me vlerësimin e madh që Selia e Shënjtë i kushton harmonisë dhe tolerancës fetare ndër shqiptarët.Është kjo një traditë me të cilën shqiptarët kudo, me të drejtë, mburren.Por kjo harmoni nuk ka pikur nga qielli, por ka tani dhe ka pasur mbështetsit dhe promovuesit e saj, pikëspari në radhët e udhëheqsve fetarë të tri besimeve kryesore, tani dhe në të kaluarën, si mbrenda trojeve shqiptare ashtu edhe në mërgim.
Njëri ndër ta në mërgim ka qenë Imam Vehbi Ismaili, një udhëheqës i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe i atij mysliman në veçanti.I njohur mirë mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare, i përndershmi Imam Vehbi Ismaili, i lindur në Shkodër, kashërbyer për disa dekada si udhëheqësi i Qendrës Islame Shqiptare në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si udhëheqës fetar dhe atdhedashës i dalluar, gëzonte një respekt jashtzakonisht të madh nga i mbarë komuniteti, pa dallim feje e krahine.Jeta dhe veprimtaria e tij është shumë e pasur në shumë fushë, por për qëllimet e këtij shkrimi modest dhe për kohën që jetojmë, e kujtojmë Imamin e ndershëm, sidomos për kontributin e tij të madh dhe të pashkyeshëm në harmoninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve pa dallim feje — në vigjilje të vizitës së njoftuar të Papës në Shqipëri, siç duket si njëra prej dy arsyeve kryesore që ai po viziton shqiptarët. Tradita e harmonisë fetare midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme simbolizohej më së miri nga jeta dhe veprimtraia e Imam Vehbi Ismailit. Ai ndërroi jetë më 2008, por trashëgimia e tij në fushën fetare dhe kulturore është gjithnjë frymëzuese për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve, dhe jo vetëm në Amerikë. Ai gjithë jetën e kaloi në shërbim të fesë dhe të Atdheut, si promovues i harmonisë fetare dhejo vetëmnë radhët e shqiptarëve, por edhe më gjërë. Ky qendrim i tij vihej në dukje kurdoherë që fliste.
Një rast i tillë që ende mbahet mend nga pjesmarrlsit, ishte pothuaj 30 vjetë më parë, më 1985 kur Qendra Katolike Shqiptare për Informim, në San Francisko të Kalifornisë pat organizuar një ceremonipërkujtimore me rastin e 40-vjetorit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste. Ironikisht, por ndoshta simbolikisht, diktatori Enver Hoxha, shtypësi i fesë dhe i të drejtave dhe lirive bazë të njeriut, vdiq në vigjiljen e mbajtjes së Përkujtimores, tema e së cilës ishte paqa dhe pajtimi dhe njëherazi u bë thirrje për një përpjekje të shërimit të plagëve kombëtare. Në këtë ceremoni përkujtimore pat marrë pjesë edhe Imam Vehbi Ismaili, i cili me fjalimin e tij bëri që i gjithë kongregacioni të ngrihej në këmbë me duartrokitje. Në atë fjalim, përmbajtja e të cilit rezonon aq fuqishëm dhe është profetizues edhe për ditët tona, Imami shqiptar iu drejtua pjesmarrësve, ku përveç shqiptarëve kishte edhe shumë amerikanë dhe përfaqsues të kombësive të tjera, duke thënë se, “Jetojmë në një botë, të rrezikshme – në një botë ku forcat e errëta të fanaticizmit – politik, fetar dhe racial –kanë ndërmarrë një sulm frontal kundër vlerave morale dhe shpirtërore, të cilat janë pjesë e përvojave tona, kryesisht e trashëgimisë sonë fetare. Luftërat e ashpëra dhe primitive” tha ai,“konkurojnë me urinë dhe sëmundjet për të zënë vendin e parë, në një garë që po kërcënon themelet bazë të jetës dhe të shoqërisë tonë.Lufta midis të keqës dhe të mirës ka arritur proporcione të pashembullta” theksoi ai.“Nuk është kjo një luftë e një feje kundër tjetrës, por është vetë feja që po kërcënohet që të zhduket nga faqja e dheut.Feja është bërë objekt sulmi i forcave të verbëta të së keqës dhe të shaktërrimit”, tha Imam Vehbi Ismaili, 30-vjetë më parë në fjalimin e tij në San Francisko të Kalifornisë.Duke falënderuar organizatorët e ceremonisë së përkujtimit të persekutimeve fetare në Shqipëri për ftesën që i kishin bërë, Imam Vehbi Ismaili tha me atë rast se kishte dy arsye se pse ai e ndjente si një detyrim të ishte i pranishëm në atë ceremoni. Njëra arsye për pjesëmarrjen e tij, shtoi ai, si udhëheqës fetar ishtee shënjtë dhe “arsyeja e dytë ishte njerëzore, e cila ka një vlerë njerëzore universale.” Ai theksoi se, “Të gjithë ne, pa përjashtim jemi krijesa të Perëndisë, të një familjeje të madhe dhe unike…Si mysliman” vazhdoi ai, “unë e ndjejë veten pjesë e kësaj familjeje njerëzore, të një familjeje të vetme dhe të pandarë… vëllëzer e motra , pjesëtarë të races njerëzore”. Imam Vehbiu vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se , “Vrasja e një prifti të krishtërë ose të një imami mysliman në Shqipëri ose në Kinë, ose të një të burgosuri shqiptar në Jugosllavi, ose të një hebreji të torturuar në Bashkimin Sovjetik, ose vrasja e një zezaku në Afrikën e Jugut…të gjitha këto janë plagë të pashërueshme që brengosin dinjitetin tonë njerëzor dhe si të tilla duhet të kundërshtohen me të gjitha fuqitë dhe pa marrë parsyshë pasojat…ne duhet të shohim, të dëgjojmë, dhe të flasim me qëllim për të ndaluar, në të ardhmen, holokauste kundër njerëzimit. Çdo gjë më pak do të ishte baraz me tardhëtinë kundër njerëzimit”, ka thënë Imam Vehbi Ismaili.
Duke folur për harmoninë dhe tolerancën fetare, që siç tha ai është një subjekt shumë afër zemrës dhe veshit të tij, ai u shpreh se, “Ndoshta shëmbulli më i mirë i bashkpunimit dhe tolerancës midis feve dhe besimeve të ndryshmemund të gjëndet këtu, në këtë shtet të bekuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pikërisht në radhët e besimtarëve shqiptarë në këtë vend.70-vjetë më parë kur ortodoksit shqiptarë morën iniciativën për të ndërtuar kishat e tyre në Amerikë, myslimanët shqiptarë”, tha ai, “kontribuan bujarisht për ndërtimin e faltoreve ortodokse shqiptare.35-vjetë më parë kur myslimanët shqiptarë filluan ndërtimin e xhamisë së parë në Detroit, ortodoksit shqiptarë ndihmuan gjithashtu bujarisht.Dhe kohët e fundit2 vazhdoi Imam Vehbiu, “kur vëllezërit dhe motrat tona katolike shqiptare filluan fushatën për ndërtimin e kishave të tyre në New York dhe në Detroit, në xhamitë tona u mblodhën fonde për ndërtimin e kishave katolike në Amerikë.Kjo është Amerika! Kjo është Shqipëria në liri.Kjo është ndërgjegjia më e lartë njerëzore”, përfundoi Imam Vehbi Ismaili fjalimin e tij 30-vjetë më parë, me rastin kujtimit të 40-vjetorit të fillimit të persekutimeve fetare në Shqipërinë komuniste.
Ky ishte Imam Vehbi Ismaili, shembull fetari dhe patrioti, i cili së bashku me Imzot Fan Nolin dhe me klerikët katolikë shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef Oroshin dhe Don Prenk Ndreavshajn, ndër të tjerë, njëkohësisht si patriotë dhe fetarë që ishin, ata e dalluan veten si bartës të traditës shqiptare të tolerancës dhe harmonisë fetare ndër shqiptarët, duke mos humbur kurrë dashurinë e tyre për atdheun.
Jetën dhe veprimtarinë e Imam Vehbi Ismailit e përmblodhi më së miri redaktori i Shtëpisë botuese Logos-A në Shkup – e cila ka botuar përmbledhjen prej disa vëllimesh të veprave të Imam Vehbi Ismalit, Z. Afrim Gashi i cili duke pasqyruar, në një intrevistë me Zërin e Amerikës, vlerat fetare dhe patriotike të Imam Vehbiut, u shpreh se, “Ajo që na dallon ne shqiptarëve nga popujt e tjerë, është edhe mënyra si e praktikojmë ne Islamin, sepse tek shqiptarët Islami nuk është përplasur me kulturën shqiptare, kështuqë feja dhe kultura shqiptare kanë bashkëjetuar mes tyre. Veprat e Imam Vehbi Ismailit, jeta dhe veprimtaria e tij në Shtetet e Bashkuara është tregues se Islami te shqiptarët dallohet nga ai te kombet e tjerë”, tha Z. Gashi.
Kontributi i Imam Vehbi Ismailit, me shmbullin e tij dhe me shkrimet dhe veprimtarinë e tij, mbetet tepër i madh edhe gjithnjëmbahet mend si klerik dhe patriot i dalluar në radhët e shqiptarëve të gjitha feve, si promovues i harmonisë, tolerancës, bashkjetesës dhe respektit ndaj njëri tjetrit, pa marrë parasyshë dallimet fetare ose krahinore që mund të ekzistojnë. Ai është mishërim i i dashurisë së tij për fenë dhe për Atdheun. Ai është cituar të ketë thënë me një rast se, “Një klerik i ndershëm, nuk e tradhëton kurrë atdheun.”
Nderim dhe respekt për trashëgiminë e traditës së harmonisë fetare ndër shqiptarët dhe për kontributin në këtë fushë të Imam Vehbi Ismailin, kësaj figure të shquar atdhetare dhe fetare të kombit shqiptar, të kësaj tradite dhe trashëgimie ndër shqiptarët, për të cilën edhe Papa Françesku u prononcua para botës sepo shkon në shtator në Shqipëri për të adhuruar këtë traditë tolerance dhe harmonie fetare dhe njëkohësisht, siç u shpreh ai vet, që me praninë e tij në Shqipëri, t’u thotë,“të gjithë popujve se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”
Nga dosja e krimeve komuniste: PLAGET TONA
RIVARRIMI I NËNËS/
Nga Teki dhe Memisha Gjonzeneli – Tragjasi/
Qysh vdiqe moj nëna ime,/
Me një det me hidhërime,/
Me burgje dhe internime,/
Ajo çika zemër trime./
T e k i u /
Më datën 5 gusht 2014, arritëm të rivarrosëm në vendlindje, Tragjas, prindërit tanë të dashur. Me shumë vonesë, pasi më 5 gusht të vitit 1990, ne emigruam nga atdheu për në Shtetet e Bekuara të Amerikës, për t`i shpëtuar vuajtjes së pa fund që kishim provuar në atdheun tonë.
***
Unë Tekiu, arrita së fundi të hedh një grusht dhe, mbi varrin e nënës sime të dashur, sepse kur ajo dorëzoi shpirtin e saj të bardhë dhe të vuajtur, më 15 prill të vitit 1982, unë nuk u ndodha pranë saj, pasi vuaja në burgun komunist të Ballshit, për idetë e mia.
E kujtoj si sot, se atje ku isha, në skëterrën komunistë, atë natë pashë një ëndërr që më tronditi jashtë mase: M`u bë sikur u ndërpre lidhja telefonike me nënën. U besoj ëndërrave dhe prandaj menjëherë i nisa nënës një telegram. Pasi nuk mora përgjigje të nesërmen nisa një telegram tjetër, por përsëri asnjë përgjigje. Në përgjigje të telegramit të tretë më shkruhej: ”Personi që kërkoni ka vdekur. Në fund të telegramit ishte shënuar dërguesi:Posta”.
Me telegramin në duar që më dridheshin pa fund, nuk e durova dot dhimbjen dhe ulërita si fëmijë. Shumë më vonë, mara vesh se kjo përgjigje ishte kthyer nga Zonja e nderuar, bashkëshortja e të ndierit Leka Kruta, që punonte në postë.
Vdekja e nënës, ndodhi në kohën kur kisha vetëm 5 ditë që kisha dalë nga labirinthet e skëterrshme të Sigurimit të Shtetit, ku vuajta 5 muaj hetuesi çnjerzorë, tmerr, që besoj se helmoi dhe përshpejtoi vdekjen e nënës sime të dashur e të vuajtur.
Në gjendjen që u ndodha, bashkëvuajtësit në burg, Safa Çeloaliaj dhe zotrija që sot më nderon në këtë ceremoni përkujtimore Dilaver Çeloaliaj, brenda pak minuatve shtruan një batanije në fund të kapanonit me dërrasa, ku ishte ulur Faik Margaritari, një i moshuar i burgosur rreth të tetëdhjetave, mik i familjes time por më fatkeq se unë, i cili më përqafoi dhe pasi fshiu dy pika loti, drodhi një cigare dhe ma tha:
– Djalë bëhu i fortë! Pasi heshti pak e hoqi në zemër vazhdoi:
– Mua më dënuan pa asnjë faj 25 vjet, më pas më pushkatuan djalin, ndërsa djali tjetër vdiq nga vuajtja dhe mungesa e barnave në burgun e Spaçit dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto tmerre,- më pushkatuan edhe dhëndërrin: Sezai Çeloaliaj dhe prapë bëj durim dhe bëhem i fortë.
Kështu filluan bashkëvuajtësit e mi, të vinin e të më ngushëllonin, atje tek batanija e shtruar për tokë duke më hedhur edhe nga një cigare dhe duke treguar sejcili historinë e tij.
Njeri më thoshte unë kam qënë në Burrel me babanë tuaj, një tjetër më tha jam shok i Muratit, vëllai jonë që vuante në burgun e Spaçit dhe për çudi ndryshe nga të tjerët më dha dy cigare: një për mua dhe një për vëllanë tonë Muratin, pasi nuk kishte se ku e gjente dhe ta ngushëllonte edhe atë për vdekjen e nënës.
Pastaj erdhi duke qarë Sherif Merdani, ai këngëtari i famshëm, Sherua siç i thërrisnim ne, me të cilin kisha qenë edhe ushtar në repartin e punës në Dushk- Lushnje. Edhe ai duke qarë bashkë me mua, më tha: ”Po mbi një batanije, në burg, i priti cigaret për babanë, edhe vëlli juaj dhe shoku im, Murati. Ishte 29 qershor i vitit 1976, atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Në se një ditë do të hapen dosjet e diktaturës komuniste, drama e familjes tuaj do t`i tronditë shqiptarët!”
Miku i familjes tonë Pipi Konomi erdhi bashkë me një mikun e tij: një burrë të gjatë me trup të drejtë, i cili më dha dorën dhe më tha:
– Burrat nuk qajnë! Unë u befasova, kur Xha Faiku më tha se ai ishte komunisti Andon Sheti nga Vunoi i Vlorës. Vuajtja dhe burgu ia kishin zbutur zemrën këtij komunisti…
Kështu të dashurit e mi, këta që përmënda dhe shumë të tjerë, më ngushëlluan për vdekjen e së mirës nënës sime.
Të nesërmen i nisa një letër Finlandës, bashkëshortes sime, e internuar në fshatin e Tragjasit, të cilën e porosisja që të mbante afër fëmijët dhe ta duronte dhimbjen, siç ishte mësuar edhe ajo t’i duronte dhimbjet, kur i kishin pushkatuar babanë, kur ishte arratisur xhaxhai, dhe kur e kishin internuar familjen e saj.
Në fundin e asaj letre i shkrova një elegji për nënën:
Qysh vdiqe moj nëna ime,
Me një det me hidhërime,
Me burgje dhe internime,
Ajo çika zemër trime.
***
Ne u njohën me komunizmin që fëmijë dhe që athere kuptuam, se ai sistem nga luga e floririt që premtonte do ta shpinte popullin të hante me lugën e drurit! Ishte 24 dhjetor i vitit 1944, kur dy partizanë erdhën në shtëpinë tonë, në lagjen Skelë, buzë detit, dhe arrestuan babanë. Ne, katër vëllezër, ende fëmijë, iu qepëm nga prapa babait duke qarë, por komunistët e pa shpirt na shtynë me urrejte, me qytat e pushkëve duke shfryrë:
– Kulishët e ballistit! Fjalë që ne nuk arrinim t`i kuptonim asokohe…
Kurrë nuk mund ta harrojmë nënën tonë të dashur, e cila edhe ajo duke qarë dhe mallëkuar, na mblodhi rreth vetës si zogj shqiponje duke na thënë se babai do të kthehej shpejt, ndofta edhe ajo, nëna jonë, besonte se ai, babai jonë do të kthehej me të vërtetë. Por babai u kthye në shtëpi pas dhjetë vjetësh, kur ne në vuajtje e mjerim, tashmë ishim rritur…
Kjo e keqe na ndoqi gjithë jetën. Pas babait, vëllai jonë Qamili u hodh në det nga brigjet e Sarandës dhe doli me not në Korfuz. Më pas Memishahu, në moshën 16 vjeçare përfundoi në burg. Pas Memishahut radhën e kishte Murati i cili vuajti në burgjet komuniste mbi 18 vjet të jetës së tij dhe i fundit isha unë Tekiu…
Finlanda bashkëshortja e Tekiut e tregon kështu ditën e arrestimit të tij: “Pas arrestimit të Tekiut të Vlorë, ia behën në shtëpi 5 oficerë të Sigurimit të prirë nga i famshmi Xhebro Shalari… Ata do të kontrollonin shtëpinë e armikut të popullit tashmë të arrestuar, por edhe do të terrorizonin një grua pa mbrojtje dhe fëmijët,- më i madhi vetëm 14 vjeç… Në largim Xhebro Shalari i drejtohet Finlandës, me një krenari prej krimineli:
– Ku e ke Tekinë ? Dhe ajo si grua vërtetë shqiptare iu përgjegj:
– Sa herë që Tekiu vinte në Vlorë ne dilnim në shkallë dhe e prisnim. A do të kthehej, apo do arrestohej? Tani që ju e morët nuk kemi se ç`farë të presim më. Na i pakësuat vuajtjet, shtoi ajo me një qëndrim burrneshe… „
***
Që nga 24 dhjetor i vitit 1944, familja jonë kishte vuajtur e provuar kalvarin çnjerzor komunist. Vuajtjet shpirtërore ndofta as varri nuk do t`i shërojë, por u ndamë nga vuajtjet fizike, 24 vjet më parë, pikërisht në një ditë si sot më 5 gusht të vitit 1990, kur u lartguam zemër djegur nga atdheu ynë që na kishte bërë të vuanim aq shumë.
Atë ditë kisha hipur në traget i përcjellë nga tre- katër miq, ndërmjet tyre edhe profesor Bejkush Birçe, që më ka nderuar edhe sot me praninë e tij në rivarrimin e nënës…
Ndërsa trageti u nis, hodha sytë me mallëngjim në brigjet e Adriatikut, atdheut tim të dashur, po mendimet e mia m’i ndërpreu Finlanda, bashkëshortja ime dhe im bir Fatmiri, athere 11 vjeç të cilët më thanë:
– A ke forca ta fillosh jetën nga e para?
Përgjigjia ime ishte: Po!
-Athere, më thanë ata në nje gojë, ne do ta gëzojmë jetën dhe sot e tutje nuk do të guxojë njeri të na diskriminojë e të na fyej si komunistët e Tragjasit. Jeta nën diktaturën komuniste na mësoi si të duronim dhimbjen fizike e shpirtërore.
Në varrimin e babait morën pjesë vetëm 15 vetë…
Kur dola nga burgu, nje njeri i mirë nga lagjja Llonxhë ku banonte nëna, me ftoi për një kafe dhe më tha: „Kam qënë këtu, ulur, kur është përcjellë nga kjo lagje, në përjetësi nëna juaj vetëm me 7 vetë. Në fund ishte Beshiri, varrmihësi, por edhe ai u ndalua nga një anëtar i Këshillit Popullor, sepse gruaja që përcillej ishte e veja e një Ballisti, dhe grua që kishte lindur vetëm armiq të popullit të cilët partia i kushte burgosur… „
***
Një familje e tërë, e dënuar mizorisht: Babai, Muhamet Gjonzeneli (1907 – 1978) i dënuar me 30 vjet burg, Qamili, djali i madh, i arratisur jashtë shtetit,Tekiu i dënuar me 8 vjet burg, Memishahu i dënuar me 6 vjet burg, Murat Gjonzeneli dënuar me 20 vjet në burg.
Zonja (1908 – 1982), nëna e katër djemëve të dënuar, ajo grua heroinë që e kishte kalur gjithë jetën nëpër dyert e burgjeve dhe që i kishte larë udhët e Shqipërisë me lot, duke ndihmuar sado pak bijtë nëpër burgje dhe kampe e qante të shoqin me lot hidhërimi:
Muhamet e varfëra,
Po e keqia s`tu nda,
S`të qan motër, as vëlla
As fis as akraba.
Për ta kuptuar dhimbjen e kësaj nëne, për ata që nuk e jetuan atë kohë, sqarojmë se Muhameti si shumë të tjerë në atë kohë ishte njeri i braktisur nga njerëzit, më të afërt, nga fisi dhe miqësia sepse ishte “armik populli”! Edhe në përjetësi ai burrë i rëndë u përcuall nga një grusht njerzish.
***
Më 5 gusht 2014, ne bijtë e atyre prindërve të vuajtur arritëm që prindërit tanë t`i rivarrosim në vendlindjen e tyre në Tragjas, në baltën që i kishte lindur, rritur dhe vuajtur pa fund, pranë të afërmve dhe të dashurve të tyre nga të cilët ishin ndarë në gjallje dhe ndofta Perëndia i bashkonte në atë jetë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 559
- 560
- 561
- 562
- 563
- …
- 613
- Next Page »