• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kristo Kirka, Bashkëthemeluesi i VATRËS, u shua në Burrel me 28 Prill, në ditëthemelimin e VATRËS

April 28, 2014 by dgreca

NGA URAN BUTKA/
Kristo Kirka(1883-1955), patrioti shqiptar, një nga themeluesit e Federates “Vatra” në SHBA, bashkëpunëtor i Nolit e Konicës, deputet i Parlamentit shqiptar (1921-1924), konsull në Nju Jork, zv.prefekt i Bilishtit, kryetar i Bashkisë së Korçës, më pas nënprefekt i Korçës, gjatë pushtimit fashist e nazist, nacionalist, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me komunistët dhe të vihej në krye të Frontit Demokratik, u shua ne burgun e Burrelit. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burgim. Vdiq pasi kishte kryer 10 syresh në Burgun e Burrelit në moshën 72-vjeçare. Nuk dihet se ku i prehen eshtrat. Ndërkaq, i biri 19-vjeçar u dënua me 8 vjet burg, ndërsa gruaja e vajzat u persekutuan.
GJYQI
Kristo Kirkën e gjykoi dhe e dënoi Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 17.12.1946, me trup gjykues kryetar Gjon Banushi, major, ish-partizan dhe prokuror ushtarak, kapiten Petrit Hakani, i njohur për egërsinë dhe dënimet ekstreme politike të qytetarëve në të gjithë Shqipërinë. Kristo Kirka u përfshi në një gjyq politik bashkë me të pandehur që s’i kishte parë e njohur kurrë: Fatbardh Kupin, i biri i Abaz Kupit, Dule Kuke, bujk, Nuredin Koxhej, bujk, Ded Gjon Marku, i biri i Gjon Markagjonit, Skënder Dine, i biri i Fiqri Dines, Nikolla Mole, komisioner, Loro Kubini, ish-oficer, nako Labi, tregar, teki Mezini, ish-partizan, Abdulla Ceka, Bujk, Rexhep Ceka, Bujk.
Organi i akuzës kishte hartuar një akuzë në terma të përgjithshme për 12 të pandehurit, të cilët nuk i lidhte asnjë veprimtari apo kontakt me njëri-tjetrin. Ndërsa akuza e veçantë për Kristo Kirkën, si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit”, përpiluar nga prokurori ushtarak Petrit Hakani, ngrihej mbi tri “faje të rënda” të Kristo Kirkës, që Gjykata i mori si të mirëqena: “I pandehuri Kristaq Kirka, gjatë kohës së okupacionit fashist ka qenë si nënprefekt në Bilisht dhe ka raportuar nëpunësa me rastin e largimit të tyre nga okupacioni fashist, ka shtypur popullin tue e akuzue përpara autoriteteve fashiste, me rastin e luftës italo-greke. Me qenë se i pandehuri më vonë është emëruar kryetar i Bashkisë Korçë, tue mbajtë nji qëndrim antipopullor dhe antikombëtar dhe në interes të fashizmit, veprimtaria e të cilit provohet me nji varg shkresash që ndodhen në dosjen e tij përkatëse… Mbas kapitullimit të Italisë dhe me okupimin e Shqipërisë prej nazizmit, i pandehuri merr pjesë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, duke u bërë anëtar i Komitetit qarkor dhe më vonë emërohet zv.prefekt i Korçës. I pandehuri, me anë demagogjie, ka gabuar njerëz duke i futur në radhët e kësaj organizate… Mbas çlirimit të Shqipërisë, me rastin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, i pandehuri, duke qenë në lidhje me Kol Rodhet etj. Dhe të gjithë së bashku në lidhje me reaksionin e jashtëm janë munduar për të sabotuar zgjedhjet për të përmbysur pushtetin popullore me ndërhyrjen e jashtme”.
Gjykata Ushtarake e dënoi Kristo Kirkën, më 17.12.1946, me 20 vjet burgimi. Nuk kishte rëndësi për Gjykatën nëse ishin apo jo të vërteta akuzat, nëse pranoheshin apo jo nga të pandehurit. Rëndësi kishte që ata të dënoheshin si armiq dhe, në emër të popullit, të mbushnin burgjet e kampet e përqendrimit të punës së pranguar si dhe t’u sekuestroheshin pasuritë. Natyrisht Kristo Kirka i kundërshtoi dhe i rrëzoi akuzat e pathemelta në ngarkim të tij dhe pranoi me sinqeritetin që e karakterizonte, veprime apo lidhje shoqërore reale, edhe pse mund ta dëmtonin. Në gjyqin e inskenuar dhe të zhvilluar vetëm në një seancë të shkurtër formale, Kristo Kirka mbajti qëndrim dinjitoz. Në fjalën e fundit, sinqerisht, sepse thoshte të vërtetën, por edhe njerëzisht, sepse i dhimbsej jeta tha: “Në jetën time nuk kam bërë ndonjë send për kundra popullit. Kërkoj nga trupi gjykues mëshirë dhe të vendosë me një ndërgjegje të pastër”. Familja Kirka dhe Harizi ishin të shqetësuara për fatin e Kristos. Por, edhe miqtë dhe bashkëluftëtarët e tij, brenda e jashtë Shqipërisë. Djali i Petro Harizit, Dhimitri, emigrant në SHBA, i shkroi Fan S. Nolit nga Worcester-i për të ndërmjetësuar pranë qeverisë shqiptare që ta shpëtonte mikun e tij të ngushtë. Natyrisht, nuk mund t’i shkruanin pjesëtarët e familjes Kirka nga Shqipëria, sepse letrat e tyre censuroheshin nga regjimi dhe nuk shkonin në destinacion. Fan S. Noli u interesua menjëherë pranë qeverisë shqiptare dhe i ktheu këtë përgjigje me telegram Dh. Harizit: I dashur Tako: Sipas letrës suaj, shkrova menjëherë atje ku duhet për çështjen e Zotit Kirka. Kam shpresë që lutja ime t’i hynjë në punë dhe t’ia lehtësonjë gjendjen. Me bekimin prej zemre, mbetem Uronjësi juaj me Krishtin Pshkop F.S. Noli Të bën përshtypje përdorimi nga Noli i emrit të shkurtuar Tako, siç i thërrisnin Dhimitrit në familje, gjë që tregon për marrëdhëniet intime të tij me familjet Kirka dhe Harizi. Por, as letra e Nolit nuk ndryshoi gjë në atë sistem të paarsyeshëm e të pandjeshëm. Kristoja u kthye nga një njeri, në një numër në Burgun e Tiranës, mandej në atë të Burrelit. Një muaj pas arrestimit të tij, i vunë hekurat të birit.

VDEKJA E KRISTO KIRKES

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë 10 vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe ta lironin babanë. Bile, e kishte parë edhe në ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjesin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar në Burrel. “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, por jepja të burgosurve të tjerë”, më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit. Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe të birin, Xhelalin, më vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë… U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, por ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata të lustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është i sëmurë dhe nuk mund ta takoj. Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!”. Ai ngriti kokën dhe këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!” Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmjet së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje. Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina, i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba, e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lot. Ai ishte gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte asnjë njeri, veç rojës që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?, pyeta. A ka doktor këtu? Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjigj. Atëherë dola nga burgu, me mendimin që të gjeja ndonjë mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’kishte babai dhe ç’ilaçe duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për tek axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkuloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të mbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”. Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në Burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka. Të nesërmen, më 28 prill, pa gdhirë ende, shkova tek burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babi kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej kur të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët. Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra-tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët”, i thoshte ajo përmes ngashërimës. Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre tek Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot nuk e dimë se ku i ka eshtrat(Marrë nga Monografia”Kristo Kirka” Lauruar me cmimin”Penda e Argjendët)

ELEGJIA

Ish bashkevuajtesi i tij, poeti Arshi Pipa, i tronditur nga vdekja tragjike e rilindasit shqiptar i kushtoielegjine Kristo Kirkes:

Vdiq flamurtari i moçem!
Si rrojti vdiq me nder,
I paster, i devoçem
E pa u perkule njehere

Nder qela u sos t’Burrelit
me dhunen e tradhetarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehte ankoi:
“Per flamur!… Per atdhe!”

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: Bashkëthemeluesi i VATRËS, Burrel, Kristo Kirka, me 28 Prill, në ditëthemelimin e VATRËS, u shua në

Arratija e dhimbëshme në emër të lirisë

April 27, 2014 by dgreca

Përsiatje rreth monografisë “ Udha e ëndrrës së thyer” me autor, shqiptaro-amerikanin Halit Nezaj/
Shkruar nga Raimonda MOISIU*/
Në një mënyrë apo tjetër, realiteti i jetës nuk mbetet thjesht metafora që dëshmon kujtesën apo historinë, mërgimin dhe atdheun, jetesën e mbijetesën, për të prekur vlerën apo mungesën e tyre, atë e përcakton koha që ne jetojmë, përvojat jetësore, të cilat na bindin dhe inkurajojnë, për të arritur më të mirën e të mundshmen, -pra metamorfozën e përballjes me realitetin. Duke sjellë në kujtesë të kaluarën, ne qartësojmë të tashmen dhe i hapim udhë së ardhmes. Vetë jeta e njeriut, individët, eksperiencat dhe përvojat e jetës, motivet e ndryshme, ambiciet dhe sfidat, në kohë e pakohë, flasin shumë, dhe personazhet e tij kanë konceptin dhe botëkuptimin e tyre, se si mund të rrëfehet historia, përmes bashkërendimit të fakteve në muret socialë e historikë të ekzistencës njerëzore. Është filozofia dhe sfida e përballjes me realitetin, domethënien e tij, me zhgënjimet, vetminë, ankthin, shqetësimet, streset dhe mosmarrëveshjet, të izolimit shpirtëror e fizik, ndërgjegjes individuale e kolektive, kombëtare e historike, represive dhe shpërfillëse, tragjedia kombëtare dhe fati kolektiv i shqiptarëve, i të ikurve drejt së panjohurës, luftrat, genocide, varret e të parëve dhe varret e të humburve, kondradiktat, pasojat dhe mentalitetin e shoqërisë, në të cilën jetonin e jetojnë. Secili prej nesh, dëshiron të japë dicka nga koha e kujtesa, të banojë brenda “vorbullës” së saj, të jetë i barabartë mes të barabartëve – për të ngritur diskursin e mirëfilltë të shoqërisë, nga një tjetër realitet, jo i largët i shekulli të kaluar, të 20-të, në udhëtimin e dëshirave të ndaluara dhe ëndrrëve të thyera, për të jetuar jetën, në një shoqëri më të avancuar, të lirë e demokratike, ku të drejtat e njeriut vlerësohen më shumë se kudo, ku ato ngrihen nën kauzën dhe aureolën e vlerave të lirisë e jetës, të mbijetesës, përpjekjeve, kalvarit të dhimbjeve e sakrificave, që në emër të jetës e për jetën, pergatiten për sfidën e re, -atë të mërgimit nga toka e tyre drejt “atdheut imagjinar”. E ka quajtur librin e tij “ Udha e ëndrrës së thyer”, një rrëfim modest me krenarinë e shqipes, me zellin e tij të spikatur intelektual, qytetar dhe atdhetar, për të kultivuar e ruajtur kulturën, traditën, gjuhën, vlerat dhe identitetin kombëtar. Patriot, shqiptar i mrëfilltë në gen dhe ndërgjegje, modest, i pabujë, pavetmburrje dhe fisnikërinë e moshës, -autori Halit NEZAJ, -me punën e kontributin historik e krijues, duke ja lënë kohës, ka arritur të dëshmojë raportin mes kujtesës e historisë, filozofisë dhe eternitetit, vazhdimësisë së jetës dhe mbijetesës, -autenticitetin, që i përket ardhmërisë dhe brezave. Madhështia e një kombi dallohet nga përfaqësuesit më të shquar të saj dhe kjo madhështi arrihet nëpërmjet mendësisë, urtësisë, erudicionit të kockës intelektuale, kulturës, qytetërimit, mëncurisë, rrethanave historike, ruajtjes e promovimit të vlerave më të mira, shpalosjen e tyre në njërën formë apo tjetër, të bukur e emocionuese, në rrafshin e ndryshimeve të epokave për trashëgiminë ndër breza të kontributit social, patriot e atdhetar të tyre. Do ta kisha të vështirë apriori, për të dhënë figurën e një historiani, mësonjësi, udhërrëfyesi, patrioti , burri i vendit e kuvendit, atdhetarin, mikun, prindin, gjyshin, intelektualin, historianin nga Malësia e Gjakovës, tropojanin fisnik, Halit Nezaj, po të mos e kisha lexuar këtë libër monografik, kronologjinë e fakteve historike, tragjedive dhe dhimbjes njerëzore. Ky libër fokusohet në veprimet individuale, në të kaluarën e të tashmen dhe efektet e tyre kolektive, hedh dritë ndaj fakteve e të vërtetave historike, mite e legjenda, trima dhe luftëtarë, burrat e kombit të dalë nga fisi i dëgjuar Nezaj, jo vetëm në historinë e Tropojës, por që nga Malësia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit, Kosovës, -pra në krejt Dardaninë. Individët dhe personazhet historikë të tij kanë një perceptim të vecantë të identitetit e kujtesës, përjetimeve rrënqethëse të tragjedive, luftërave për liri e pavarësi, vështirësitë, sfidat gjatë rrjedhës së jetës, copëtimin e atdheut, instalimi i ideologjisë komuniste, arratia nga vendlindja, por me sytë nga toka mëmë, për t’i shpëtuar përndjekjes së egër ndaj nacionalistëve të vërtetë atdhetarë, persekutimi i të afërmëve të tyre, genocidi shekullor serb dhe zinxhirët e makinës vrasëse sllavo-komuniste. Teksa lexon librin, në përfytyrimin tonë vijnë emra trimash e luftëtarësh, që kanë bërë historinë, këngët për trimat ushtonin bashkë me vajin e dhimbshëm e krenar të nënave në kullat e djegura dhe elegjitë vajtuese nënzë nga zanat shamibardha, që qanin në heshtje dhe larg syve kureshtarë, fatin e burrave të tyre trima. Pinjolli i derës së Madhe të Nezajve, Halit Nezaj, në këtë libër negocion me lashtësinë dhe kujtesën, me epokat historike në analogji me emrat e të parëve të tij, varret e humbura dhe kullat e rrënuara, njerës të vrarë e të pushkatuar , të kallur të gjallë e vdekur burgjeve, por që lanë gjurmë, bënë historinë dhe lanë emrin e mirë të shqiptarit, jo vetëm për trashëgiminë ndër breza, por edhe për kujtesën e ndërgjegjen kombëtare.
Autori e fillon librin duke na dhënë historinë e derës së madhe të kullës së Nezajve të Epërm, burra trima dhe me emër në Malësinë e Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, nga ku do të lindnin trima, heronj, mite e legjenda. Kjo familje me tradita patriotike e atdhetare shtohej nga viti në vit me trima e luftëtarë, që duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, i bënë ballë me dije e pushkë, hordhive serbo-sllave, rregjimit komunist të instaluar për 50 vjet-që përpiqeshin me të gjitha mënyrat e format më barbare e makabre psikollogjike e fizike, për ta zhdukur fisin nacionalist të Nezajve, dhe jo vetëm kaq- psikollogjiken e njerëzoren e kombit. Burrat e derës së Nezajve, së bashku me burrat trima e të urtë të Tropojës, Gjakovës dhe Kosovës, pritnin e përcillnin me dyert gjithmonë hapur trimat e luftëtarët shqiptarë, që vinin nga mali, fusha e bjeshkët. Aty në kullën e ndaluar të lashtë e historike të Halit Qerimit të Nezajve dhe birit të tij të vrarë nga rregjimi komunist, Shpend Haliti. Aty vinin e strehoheshin, mjekonin dhe shëronin plagët e betejave në male, luftëtarët, clodheshin dhe përsëri rroknin armët, për të mbrojtur trojet dardane. Me këtë frymë patriotike e atdhetare, u rrit e u edukua, pinjolli i derës së Madhe të Nezajve, autori Halit Nezaj, djaloshi vigan e energjik, i patrembur, i cili në krye të kolonës së pafund, u priu burrave dhe djemëve, që për shkak të persekutimit të egër komunist u detyruan të arratiseshin fillimisht në ish-Jugosllavi dhe më pas mërguan drejt SHBA-ës. Libri, që unë me plot gojë do e quaja një “Monografi” të fisit të Nezajve, është shkruar në kapituj, ku më një fjalor të pasur, tema e subjekte, e bëjnë jo vetëm tërheqës për lexuesin, por edhe informues, duke u përqëndruar dhe argumentuar me fakte dhe foto. Ajo që na mban në jetë dhe na bën shoqëri kur jemi të vetmuar, netëve pa gjumë, që na ushqen dhe na mundëson t’i zbrazim ndjenjat tona, të bashkëudhëtojmë nëpër histori, nëpër fatet e pafatet e popullit dhe dëshirat e ndaluara të vetë autorit, -është kujtesa dhe rrëfimi. Në kapitujt pasardhës mbresëlënës, autori Nezaj ka shtjelluar në forma të ndryshme akademike e modeste, duke e filluar librin me të dhëna të vecanta në aspektin historik, të traditës, mbi njerësit e urtë e të mencur, trima e luftëtarë, krenarë e të admirueshëm, të derës së madhe të Nezajve. Autori Halit Nezaj, mes psikikes, shpirtërores dhe njerëzores, përpos angazhimeve individuale në sinkron me angazhimet kolektive, ndërmjetëson në bazën thelbësore të rrëfimit, për zhvillimin e kompleksit shoqëror, atdhetar, kombëtar, qytetar, intelektual dhe krijues letrar e publicistik. Me mjeshtëri filozofike dhe vizatimin realist letrar të ngjarjve e personazheve, ai ngulit në mendjen e zemrat e brezave të ardhshëm, dashurinë për atdheun, u rrëfen kalvarin e dhimbjeve e sakrificave, të vuajtjeve dhe sfidave, historinë e popullit tonë nën zgjedhën sllavo-komuniste, që askush nuk e ka përjetuar më keq se populli shqiptar.
Në vitin 1968 autori i librit, intelektuali dhe qytetari, malësori fisnik Halit Nezaj mërgoi në SHBA-ës, ku gjeti mbështetjen e bashkëkombasve të tij. Ai integrohet shumë shpejt në punët e ditës, krijon familjen dhe sot, ai dhe bijtë e tij, drejtojnë bisneset e tyre në jetën e përditshme, pa harruar asnjëherë – identitetin e tyre shqiptar. Duke jetuar në Amerikë, për më shumë se katër dekada, autori Nezaj, na rrëfen me kujdes e sqimë aspekte të vecanta të jetës së vërtetë, vështirësive që hasen në mërgim, mësimin e gjuhës angleze, komunimkimin e përditëshëm, punësimin dhe të tjera, për të qënë qytetarë të kulturuar dhe të emancipuar, respektues të ligjeve e zakoneve të atdheut të tyre të dytë. Realitetin, që ai ka përjetuar dhe vazhdon ta përjetojë, Nezaj e vendos atë në disa kufij, që në zanafillën e mërgimit të tij drejt tokës së premtuar. Autori Nezaj na rrëfen se si ai dhe familja e tij, por edhe bashkëkombasit e tij, përvec angazhimeve në jetën e tyre të përditëshme nuk harrojnë kurrë origjinën, krenarinë e tyre e të qënit shqiptar, por sa herë e kërkon koha dhe historia, ngrejnë zërin në favor të cështjes shqiptare, sensibilizimit të cështjes së Kosovës, asaj të Camërisë dhe të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, deri në instancat më të larta demokratike në qarqet amerikane dhe më tej. Autori Halit Nezaj nuk nguron t’i përmendë edhe me emra të gjithë ata bashkëkombas , vatranë dhe aktivistë të cështjes kombëtare, që përbëjnë atë që sot quhet -Diaspora shqiptare. Nezaj është përqëndruar edhe në përballjen e mërgimtarëve shqiptarë, me vështirësitë, me dështimin dhe suksesin, me jetesën brenda mundësive dhe aftësive, në dilemën mes dy botëve, -të botës nga vinte autori, nga një rregjim krejtësisht totalitar, të mohimit të vetvetes, sepse nuk mundje të shpalosje aftësitë në një realitet aq të ashpër, të mbyllur brenda kufijve, që shpesh herë i detyronte bashkëkombasit e tij, të arratiseshin e kalonin kufirin, disave u ecte, disa prej tyre edhe u kapën, u burgosën apo u vranë në telat e klonit, apo me plumba, disa vdiqën burgjeve, disa u zhdukën dhe mbetën pa varr. Tani që libri u shkrua, ai mundi të komunikojë me botën shqiptare, duke na thënë se ne pamvarësisht se jetojmë këtu në Amerikë, nuk e harrojmë vendin tonë, ai është me ne kudo e në cdo gjë shpirtërisht. Dhe në mbyllje, dëshiroj të them se autori Halit Nezaj, në këtë libër ka shkruar realitetin e fatit të individit në analogji me fatin kombëtar të mërgimtarëve, na ka dëshmuar realitetin historik jo si në fotografi, por në formë e përmbajtje, të dëshirave të ndaluara në udhën e ëndrrës së thyer dhe arratinë e dhimbëshme në emër të lirisë.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Prill 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Arratija e dhimbëshme, Halit Nezaj, në emër, Raimonda Moisiu, të lirisë

“Vetëtimat” që lëshon Xhevua…

April 25, 2014 by dgreca

Libri me poezi “Vetëtimë” i Xhevahir Spahiut/
(esse)/
Nga Përparim Hysi/Nuk ka përkim më të bukur: si emri ashtu dhe vepra. E kam fjalën për Poetin e bukur Xhevahir Spahiu. Poezia e tij është e tillë që jo vetëm e rreshton autorin në shkallë të epërme të Poezisë Shqipe ,por dhe më tej si një poet që pëlqehet në të gjitha ato gjuhë ku është përkthyer.
Unë e kam dashur poezinë e Xhevos që nga fillimet e tij dhe, kur u vu në kryq nga vet Enver Hoxha, jo vetëm më erdhi keq, por u ula dhe shkrova duke e marrë në mbrojtje poetin, Xhevahir Spahiu. Shkrova… po nga e thëna në të bërë, shkon e vjen një det i tërë. Shkrova dhe, sado kjo qe vetëm protestë imja vetiake, autocensura e frikës më ktheu nga rruga, pasi i kisha bërë nja dy km për në shkollë. Se nuk ishte shaka e vogël për atë kohë. Se qeveria,- thotë Xha Myrtja, një personazh i tregimit tim,- as turp dhe as frikë nuk të ka. Enver Hoxha e akuzonte Xhevon se po shkonte në gjurmët e Zhan Pol Sartrit me atë poezi ekzistencialiste dhe kaq mjaftonte që ta përzinin nga gazeta ku punonte. Se pas Enver Hoxhës ia hoqi korën e plagës edhe Mehmet Shehu, atëkohë kryeminisër i Shqipërisë. Kështu që, për të qenë idrejtpërdrejtë me lexuesit, u ktheva dhe grisa ç’kisha shkruar. Nuk qeshë aq trim dhe nuk mund të rrah gjoksin. Këtë lloj “grisjeje” e kam bërë dhe për një shkrim, të aty të përatyshëm, për artistin e madh, Kujtim Spahivogli, kur e ndesha tek vuante “golgotën” e gulagëve të kohës. Sado që në vitet e demokracisë, ju ktheva asaj rrëfenjës për Kujtim Spahivoglin me titullin e atëhershëm “Hamleti në Mbrostar-Ura”, po jam i ndërgjegjshëm, se shkrimi i dytë nuk kish atë”vlagën” e atëhershme. Unë jam fshatar dhe e di mirë: përsheshi i parë nuk është si i dyti. Nga ana tjetër, kur merr të rishkruash diçka që ke shkruar dikur, të jesh i sigurt: diçka ka “rrjedhur” në vrimat e shoshës së kujtesës. Artilierët janë më të saktë se krijuesit. Ata porosisin:- Kurrë një predhë artilerie nuk bie në gropën ku ra njëherë. Dhe për të marrë “dekoratën e vërtetë të trimërisë sime” ja tek pohoj: jo vetëm kam djegur letra dhe krijime, por kam djegur dhe libra. Nga letrat që grisa kam ndjerë dhimbje të veçantë për letërkëbmimin që kam patur me poetin Genc Leka. Më kujtohet mirë që ka ndodhur pas atij botimi të poezisë së bukur të tij “Nxënësve të mi”, botuar,veç tjerash, dhe tek gazeta “Mësuesi”.
E sa për Xhevon – se ky është objekti i shkrimit tim- e kam “qarë” tri herë. Së pari, për “prerjen e veshit” nga Enver Hoxha e kryeministri që, mandej, vazhdoi deri tek kryetari i frontit të lagjes siç tregon poeti. Qe kohë e vështirë që një poet trim si Xhevoja diti t’i bëjë ballë.

* * *
Së dyti, kam qarë (tani dhe unë isha bërë trim,se kish ardhur demokracia) në vitin e mbrapshtë 1997. Qe koha e revoltave dhe ndërsa Vlora po digjte barotin e revoltave kundër qeverisë (epo kush tjetër dinte ta digjte barotin më mirë se sa Vlora?), poeti Xhevahir Spahiu nuk mund të fuste kokën në rërë si struci,siç bënë plot shkarrashkrues, “se ç’po ndodhte atje, nuk kish të bënte me ta”, por shkoi atje dhe “kapuçinët e zinj” desh i morën jetën. Poetin e bukur e shpëtoi Vlora. Unë atëherë shkrova poezinë kushtuar poetit me titull: “Xhevahir Spahiu”. Tani kisha dalë nga “vrima e frikës” dhe jo vetëm e shkrova, por dhe e botova në gazetën e asaj kohe dhe e përfshiva në librin tim me poezi ” Rektimat e dashurisë”. Poezinë po e sjell për lexuesit se, dhe në nuk ka vlera letrare, por e jep si në pëllëmbë të dorës rrezikun real të jetës së autorit.

Xhevahir Spahiut
XHevahir Spahiu! Xhevahir Skrapari!
Në një anë Poeti, në tjetrën:luftëtari!
Në një anë Poeti,në tjetrën Njeriu
Me gërmë të madhe: XHEVAHIR SPAHIU!

I përbuzje dredhat, mbroje veç të drejtën
Në rrugën e sheshtë,kërkoje përpjetën
Ndaj u “rrebelove”,shkove në Vlorë
Nuk të trëmbi ndjekja s’pyete për terror.

Kupol e Mesjetës dërgoi kapuçinjtë
Të rrahën me grushte, varda ranë shkopinjtë
Të goditën, Xhevo,me grushta barbarisht
Ty që ishe ëngjëll; qe Budë apo Krisht!

Krisht për fjalë të lirë,pa shtypje e dhunë
Që të rrojmë të lirë,si ti edhe unë
Farën e urrjetjes mbolle për pushtetin
Dhe e le rehatin,se zgjodhe Poetin!

Pa gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke

pranverë 1997.

* * *
Në vitin 2000 kur mora rrugën për tek im bir, në Amerikë, një valixhe tepër të madhe me mbi 250 libra (atëherë s’kish kufizim për bagazh) kisha dhe dy libra të Xhevos “Kohë e krisur” dhe “Nesër jam aty”. Kjo e dyta ( e sillja dhe e risillja sa herë nëpër duar) sikur më bënte apel për t’u nisur dhe për të qenë aty: aty, në mëmëdhe. Mjerisht këtij apeli iu përgjigja pas 12-vjetësh, ama iu përgjigja me mëndje të kthiellët. Vërtet që jetova larg SHqipërisë për afro 12-vjet, po asnjë ditë nuk kam qenë larg saj. Interneti – shpikja më e bukur në botë,- ta jepë Atdheun me vete. Dhe unë “me vete” e pata. Pse e kisha me vete “Atdheun”, e ndiqja në gjithë dinamikën e vet dhe, ja tek marrë vesh një lajm që më sëmboi keqas. Erdhi ministrja e kulturës dhe tek gjen kshilltar të kësaj ministrie, Xhevon, e pushon. Ou!- vura alarmin unë. Po nuk qeshë i vetmi. Nga Kanadaja shpërthente një poet e prozator me vlerë si Faruk Myrto dhe thotë pak a shumë: ministrja të shkojë kshilltare dhe Xhevoja-ministër. Dhe kish të drejtë. Unë gati shkrimin në mbështetje të Xhevos, por ma dogji shkrimin Xhevoja që tha tek e intervistonin: – Po vure kuzhiniere bythën, prit që t’i hashë mutin !!! E,sa para do bënte një shkrim imi? Ikën socialistët dhe sa m’u bë qejfi: sado që pushtetin e kish marrë e djathta, Xhevahirin e zgjodhën Akademik. E meritonte dhe u mbusha me frymë, se jam një nga ata mijëra që e duan Xhevon. Por nuk shkoi shumë dhe ja lajmi tronditës: Xhevoja goditet nga një ishemi cerebrale. Ka ndodhur në prill të vitit 2009 dhe unë e “qava” prapë Xhevon me një poezi”Lutje Zotit”. Poezinë e kam shkruar më 27 prill të vitit 2009 dhe e kam përfshirë atë në librin tim “Njerëz që dua”. Për të mos i mërzitur lexuesit, nuk po e risjellë edhe këtë poezi këtu, por, në vija të trasha, i lutesha Zotit që ta kthente Poetin e bukur në jetë. T’i kthente fjalën,se fjala është “oksigjeni” për çdo poet apo krijues dhe, fjalën le “t’ua heqë politikanëve që e thinjën këtë popull”.
Pas të vrëjturit, dihet që kthiellet. Zoti, siç duket, më dëgjoi mua dhe mijëra dashamirës të Xhevos që ta kthejë Xhevon në jetë dhe gëzimi im është më buçitës për t’ju thënë: çdo ditë në ora 11.00 Xhevon e gjeni tek kafe “Evropa” ku ka 23 vjet pa e ndrruar vëndin. Unë, pothuaj, një herë në muaj pi kafe me të.

* * *
Xhevahir Spahiu jo vetëm ka poezi me vlerë, por është dhe prodhimtar. Shumë poezi të tij, për arsye subjektive dhe objektive, kanë mbetur sirtarëve. Se Xhevoja vërtet e ka kapërcyer atë “atak” kundër shëndetit, por ende nuk ka arritur riaftësimin për të shkruar siç shkruante. Lexoj,- më pohoi,- por ende nuk shkruaj. Vërtet që ky është një “handikap” i përkohshëm që Xhevoja do ta kapërcejë, po pikërisht, në këtë kohë relativisht të vështirë, tak dhe del një dorë kujdestare: dora aq e ngrohtë e një poeti të bukur që quhet Arian Leka. Arian Leka duke nxjerrë në dritë lbrin me poezi të Xhevos “Vetëtimë” sjell një prurje “vetëtimë”, veç është një vetëtimë e bukur. Arian Leka për Xhevon ka bërë atë që dikur ka bërë Mitrush Kuteli që solli “Lasgush Poradecin” apo ca më vonë edhe “Ligjëron Fan Noli”. Po në fund të fundit, kush më bukur se Arian Leka do redaktonte dhe do bëhej alter egua i Xhevahir Spahiut? E dëgjova Arian Lekën tek fliste për Xhevahirin me superlativa. Shkëmbej edhe ndonjë kafe me çiftin Leka aty pas klinikës 9 të Tiranës dhe, tek po e falnderoja për atë që kish bërë për Xhevon, ai më sfidoi duke më dhënë librin “Vetëtimë”. Natyrisht, gëzimi im qe i madh.
Duke lexuar, më dukej sikur dhe Xhevon e kisha përballë dhe gëzimi mbrrinte në apogjenë e tij.
* * *
Arian Leka librin e ka titulluar “Vetëtimë”, kurse unë duke ia marrë “tapitë nga dora”, them: “Vetëtimat ” e Xhevos. Ka poezi sa të shkrutëra,aq dhe të bukura. Ngjajnë me shkrepjen e një vetëtime, por që lënë gjurmë. Natyrisht, që unë nuk do merrem me gjithë poezitë e vëllimit, por për disa që më kanë lënë mbresa të veçanta, edhe do ndaloj. Të shumtat nuk kanë titull, por Poeti (po këtu qëndron dhe madhështia e tij) grish lexuesin për ta bërë pjesëmarrës aktiv të krijimit të tij. Më ndiqni:
Natë pa yll
Humbellë pa skaj
Zot, si rri fill?
Qaj…
A ka se si flitet më shkurt? A ka se si mund të grishet më bukur lexuesi?
Ose…
A ka gjëkundi ndonjë shitore
A ndonjë tezgë kot më kot
të ble me ca qindarka qorre
jo bukë, po pak durim, o Zot?
Shkurt, po rreh gjatë. Mesazhi i madh. I lexueshëm. Të blesh durim? Po pse me të vërtetë durim?
Ja dhe një “vetëtimë” tjetër:
Edhe… Edhe…
Kur më shumë besoja e më pak dyshoja,- e p ë s o j a;
Kur më pak besoja e më shumë dyshoja,- përsëri e pësoja.

Shumë mbresëlënëse janë dy poezitë e poetit kur qan për ndarjen me prindërit. Babanë e ka përejtsuar me poezinë “Loti”.
Një fjalë.
Vetëm një:
-A erdhi?

Dhe koka iu var..

Fjeti përgjithmonë
babai.
Në cep të syrit
Një pikë loti
Dhëmbje pa gjumë.

Loti i tij i fundit
isha unë.
S’ka poezi më prekëse. Dhe në vargje ka një detmalli në raport të barabartë: prind e bir. Për t’u vënë në kornizë apo si një leksion psikologjie për adoleshentët në ciklin “Etër e bij”. Amplituda e mallit bymehet e zgjerohet kur këndon për nënën: “Dy fjalë, një dhimbje/ nëna ime!… deri “… fjalët më dalin si një psherëtimë/nëna ime!, poeti sikur e ka shtrydhur mallin që del nga shpirti. Psherëtimat rrënjët i kanë në thellësi të shpirtit.
Dhe mund të vazhdoja me “Hajket” e tij aq të bukur, (nuk dallohen nga ato japoneze) dhe ca më shumë me “shkurtinat” që flasin aq bukur dhe aq “gjatë”.
Por jo të gjitha mund të përfshihe në një shkrim.

* * *
Xhevahir Spahiu është Akademik. Është Mjeshtër i madh. Është “Nderi i Skraparit”, por, mbi të gjitha, ky Poet i bukur është nga më njerëzorët. Në një intervistë e pyetën Xhevon:- Si është e mundur që të duan kaq njerëzit? Dhe ai u përgjigj:- Mos vallë ndodh që unë i dua shumë njerëzit?
Dhe unë, tek e mbyll, uroj që Xhevoja sa më parë të kthehet në “Botën e Poezisë” për të lëshuar të tjera vetëtima!

Tiranë, 25 prill 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: "Vetëtimat" që lëshon Xhevua..., perparim Hysi

PAPA GJON PALI II… PËRBALLË GJERGJ KASTRIOTIT…25 PRILL 1993…

April 24, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
25 Prill 1993… Shkodra Ringjallet!/
Një varg i pafund njerëzish lidhë aeroportin e Rinasit të Tiranës me Kishën Katedrale të qytetit të Shkodrës së rindërtueme/
Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve, Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruajtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithe së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt …., këtu mblidhuni,…bre Burra…kushtrim!
Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:
“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”…
Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:
Asht Papa Gjon Pali II….
Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464…
Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërhiqen me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia….
U realizue andrra e shekujve të shkuem!…
Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.
Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës…
Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun…tue i Bekue!
***
Vjen muzgu i asaj dite të lume… Yjët kanë fillue me shndritë….
Në sheshin ma të madh të Shqipnisë, mu në qendrën e Sajë mes brohoritjeve e duertrokitjeve të Fitorës, sande, si t’ishim një shkamb që s’thërmohet ma thërrasin mbi 150.000 Katolikë, Myslimanë, Ortodoksë, të gjithë vëllazën të një truelli Arbënor:
Rrnoftë Papa Gjon Pali II-të!..
E, qé, pra,…. Erdhi Ajo Ditë e shumëpritun e Historisë!
Takohën Dy Burra!
Njeni me shpatë të futun në kllef e, Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!

Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem! E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë me 12 Dhetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë! E dora e rame mbi gjoks tash 500 e sa vjet, ngrihët naltë!…
“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli i em Shqiptar! E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!…Edhe unë dikur…
Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”.
Bije një heshtje në nderim të pritjes së fjalës së Mikut Shekullor! “Shqiptarët, dikur, kur përmendej Emni i Tij u çonin në kambë dhe hiqnin kësulen”….Po, sot? – Sot, Ata kanë në Shtëpinë e moçme Ilire Atë Trim që me fjalën e Tij trandi Botën mbarë….E, prap, sot në kambë!…
Shqiptarët e të gjitha trojeve Arbënore me sy të përlotun e shpresë të sigurt, prap sot ndigjojnë porosinë e këshillen Tande, Atë i Bekuem:
“Zotni President!
Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe.
Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës.
Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!
Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës.
Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:
Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.
Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohtë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës.
Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërinjtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.
E gjithë kjo ndodhte në njëkohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
Ju sot keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun. Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri drita e shpresës.
Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë, sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
Populli Shqiptar, – dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit. Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.
Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju.
Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashjetesë tek Ju. Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm. Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”.
Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun. Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.
Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Sajë asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.
Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyeve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.
Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit! Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës. Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar. Lé ti ndrisë hapat e Tua dashunia për familjën, shpirti i vëllazënimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare.
Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës. E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…
Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot. Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës. Lus Zotin, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.
Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruajtë Atdheun Tuaj! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171, viti 1993.
University of San Francisco, USA.
Shenim nga Fritz Radovani: Material ii plotë asht marrë nga dorshkrimi i pabotuem F.R.:
“GURËT E THËMELIT” Melbourne 2004.
Melbourne 2014, 25 Prill.

Filed Under: ESSE Tagged With: 1993, Papa Gjon Pali, shkoder

Pashko Vasa Mendimtari i Parë Republikan i Rilindjes sonë Kombëtare

April 24, 2014 by dgreca

Rreth Librit “Burgimi im”- (La mia Prigionia”) të Pashko Vasës/
(Vepër autobiografike që hedh dritë mbi rrethimin e Venecies dhe arrestimin e lirimin e autorit.)/
Esse nga Aristotel Mici/
Libri “Burgimi im” është vepra e parë e Pashko Vasës e shkruar më 1850, kur ishte rreth 25 vjeç. Vetë kopertina e librit na e bën të dituir:

BURGIMI IM
Episod historik nga rrethimi i Venecies prej PASHKO VASËS nga Shkodra e Shqipërisë. Oficer i Shtabit Madhor të Ushtrisë Venetikase- Vëllim i vetëm, Konstantinopol, Tipografia e A. Domenikinit – 1850*

( LA MIA PRIGIONIA) Episodio storico dell’ assedio di Venezia di PASCO VASSA da Scutari d`Albania, Ufficiale allo Stato Maggiore dell’ Armata Veneta, “Volume unico”-Constantinopol , Tipografia di A.Domenichini – 1850 )
Libri “Burgimi im” (La mia Prigionia) është vepra e parë e Pashko Vasës. Ky libër i shkruar italisht, kish mbetur i panjohur për masën e lexuësit shqiptar për afro 140 vjet.
Në vitin 1987, duke studjuar për veprën letrare të Pashko Vasës, pata rastin të gjeja në skedarin e Bibliotekës Kombëtare një skedë me të dhëna për librin “La Mia Prigionia” të këtij autori të Rilindjes. Kërkova ta merrja për ta lexuar, po nuk ma dhanë me një herë, sepse ishte vetëm një copë në italisht, dhe për më tepër ishte fotokopje. Kur tregova arsyen se isha duke studjuar dhe duke mbledhur materiale për veprën letrare të Pashko Vasës, ma dorëzuan po vetëm për ta përdorur në sallë.
Qysh në leximin e parë kuptova se kisha të bëja me një libër shumë interesant, i
cili, jo vetëm që duhej të përkthehej sa më shpejtë e më mirë, po edhe të futej me doemos edhe në botimin serial të këtij autori.. Më tërhoqën vëmendjen veçanrisht idetë republikane të Pashko Vasës: Despotët nuk mund të kenë mendime të larta – Mbret e liri janë dy gjëra të papajtueshme. – E ardhmja është e popujve”.
Për të gjetur një përkthyes sa më të aftë shkova në fakultetin e gjuhëve të huaja, pikërisht në katedrën e italishtes. Pedagogu i parë tek i cili kisha varur shpresa për bashkëpunim, si me hamendje më tha se vepra në fjalë duhej të ishte një imitim i një libri të shkrimtarit Italian Silvio Peliko. Ai nuk donte të më kuptonte se kishim të bënim me një vepër krejt origjinale të Pashko Vasës. Nuk u mora vesh me atë dhe dola nga fakulteti i mërzitur….Tek po prisja te stacioni i autobusit urban, pashë të vintë aty edhe dijetari i shquar i kulturës shqiptare, njohësi i shkëlqyer i italishtes, studiuesi i pasionuar i traditave letrare e historike, Prof. Injac Zamputi. U gëzova që e takova se kishja miqësi me të, nga që ai kishtë qënë profesori i parë i italishtes për femijët e mi. Duke udhëtuar me autobus drejt qendrës së Tiranës, i shpreha dëshirën për bashkëpunim me redaksinë e botimeve të traditës dhe të merrte konkretisht për përkthim librin “Burgimi im” të Pashko Vasës. Me gjithë dëshirën time ai nuk qe i gatshëm. “Jam shumë i zënë më tha – Aleks Buda dhe Dhimitër Shuteriqi më kanë sjellë në shtëpi ca fotografi të një shkëmbi të gdhendur me shkronja latine. Kam arritur të deshifroj se bëhet fjalë për vendbanimin a po qytetin e Progonit, Gjinit dhe të Dhimitrit në Mesjëtën e Principatës së Arbërit. Ata ma kërkojnë shumë shpejtë këtë punë…”
-Po nga ne nuk ke asnjë ngutje, – i thashë. Dhe ashtu, më në fund ai pranoi. Pas ca ditësh, kur i vajta në shtëpi, për ta takuar dhe për të marrë vesh se si po i dukej vepra, i ndjeri profesor Zamputi më priti i ngazëllyer. “Është vepër e bukur, -më tha, – e shkruar me një stil tërheqës dhe me një italishte të ngritur si në shekullin ë XIX, ku ndihet dialekti venecian. Do të përpiqem të bëj më të mirën e mundëshme, sepse e njoh mirë italishten si edhe dialektin e Venecies, ku kam kryer studimet universitare.”Dhe vërtetë Profesor Injac Zamputi punoi me pasion dhe përkushtim, duke arritur një përkthim të përsosur, që u fut në botimin serial të veprës letrare të Pahko Vasës.
Vepra “Burgimi im” e ndihmon lexuesin për të mësuar shumë gjëra rreth këtij autori të Rilindjes sonë Kombëtare, për të njohur më mirë një përiudhë të jëtës së këtij personaliteti dhe mbi të gjitha për të kuptuar realisht mendimet e tij politike dhe idetë liridashëse.
Këtë libër Pashko Vasa e ka shkruar jo shumë kohë pas ngjarjeve që përshkruan, të cilat kanë ndodhur nga viti 1848 deri nga mesi i vitit 1849. Pashko Vasa , i frymëzuar nga ndjenja të sinqerta patriotike dhe demokratike, nga idetë e luftës kundër monarkive, në emër të një republikanizmi radikal, nuk ngurron të hidhet e të shkojë si vullnetar në Venecia, të radhitet si officer krahas luftëtarëve italianë, të cilët luftonin në atë kohë për idealin atdhetar, që të shporrnin nga vendi tyre pushtuesin austriak dhe të krijonin bashkimin politik të Italisë me një shtet të vetëm.
Kjo kohë është një nga përiudhat më të ndritura të historisë italiane, atëherë kur Italia e përçarë në mbretëri, republika dhë principata të ndryshme, e shtypur në një pjesë të madhe nga zaptues të huaj, ngre krye dhe e udhëhequr nga figurat e shquara si Mazini, Garibaldi, Kavuri , arrin të shkund zgjedhën e okupatorëve, edhe të dalë si një shtet i bashkuar politik më vete.
Duhet të kihet para sysh se lëvizja kombëtare italiane u krye nën shtytjen e ideve patriotike dhe sociale të Mazinit. Demokratët italianë të ndikuar prej tij, kërkonin jo vëtëm çlirimin e vendit, por edhe të krijonin një shtet me qeverisje republikane, që të ishte sa më pranë masave popullore. Këmishëkuqët e Garibaldit ishin në pjesën më të madhë bijë fshatarësh, që shpresonin të fitonin bashkë me lirinë kombëtare edhe tokën si bujq, pra të arrinin një reformë agrare, që do te kryhej në dëm të feudalëvë (I baroni) dhe në dobi të fshatarëvë. Kjo ëndërr i radhiti edhe arbëreshët tanë nën flamurin e Garibaldit. Për këtë pjesëmarrje të arbëreshëvë për krah lëvizjës Garibadine, le të përmendim edhe solidaritetin e poetit Zef Serembe, i cili i frymëzuar nga kjo luftë, do të shkruante në poezinë “Për Lirinë e Venetisë”:
Garibaldi trim më fletë
Skandërebegut tonë i ngjet,
Se kur rreptas shpatën nxjërr,
Si rrufeja djeg e shqerr

Po ngjarjet rrodhen ndryshe. Ndikimi i dinastise mbretërore të Savojës bëri që të mposhtet vrulli shoqëror i kësaj lëvizjeje, të pakësohëshin forcat republikane dhe të merrte epërsi ideja e një monarkije (Monarkia e Savojës), e cila do të bashkonte të gjitha krahinat e vëndit. Për hir të bashkimit të Italisë, për hir të kësaj ideje do të nënshtrohej atëherë edhe Garibaldi.
Kjo atmosferë politike sundonte në Itali, kur Pashko Vasa u bashkua vullnetarisht me forcat e revolucionit çlirimtar të Venetikut. Akti heroik i këtij shqiptari revolucionar që shkon e lufton për lirinë e një vendi tjëtër, të kujton një cilësi të lartë të popullit shqiptar, i cili nuk ka lakmuar kurrë të pushtoj treva të huaja, që nuk i takojnë, përkundrazi, ai ka dhënë ndihmesën e vëtë fisnike për lirinë dhë pavarësinë e vendëve të tjera me anë të bijëvë të tij, siç ndodhi me revolucionin grek për pavarësi, ku u shquan më dhjëtra shqiptarë për trimëritë ë tyrë; po kështu Naum Vëqilharxhi shkoi e luftoi në revolucionin rumun më 1821, po atë rrugë ndoqi edhe Siri Toptani me pjësëmarrjën ë tij në rëvolucionin frëng të vitit 1848.
Vepra “Burgimi im “ ka karakter autobiografik mbasi flet për pjesëmarrjen e autorit si vullnetar në revolucionin çlirimtar të Venetikut, në luftën kundër okupatorëvë austriakë gjatë viteve 1848-1849. Pashko Vasa lufton krahas popullit venecian i shtyrë nga dëshira që ka për të ndihmuar një popull që vuan padrejtësinë dhë shtypjen e robërisë si edhe nga ideja për triumfin e republikës veneciane..
Po më tepër se për historinë e revolucionit të Venetikut, vepra “Burgimi im” ka interes të madh për historinë e mendimit revolucionar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, po edhe për rrugën e formimit patriotik të Pashko Vasës.
Ka rëndësi të nënvizojmë se në shumë faqe të këtij libri spikatin qartë edhe idetë demokratike e republikane të autorit. Dhe kjo është një nga vlerat më të mëdha të kësaj vepre autobiografike. Gjithë libri përshkohet nga mendime liridashëse. Pashko Vasa i urren e i shan mbretërit. Ai nuk ka asnjë lloj simpatie për monarkinë në përgjithësi dhe për mbretin në vëçanti….”mbret e liri janë dy gjëra të papajtueshme” (vizimi ynë AM) f.8). Me këto fjalë duket qart se Pashko Vasa , duke qënë kundër mbretit dhe monarkisë, ka qënë një ideator dhe përkrahës i republikanizmit që me fillimin e Rilindjes, gjë që duhej thënë si nga studjuesit e biografët e tij, ashtu edhe nga historia e letërsisë .

Sado që vepra qe shkruar italisht, ajo flet për ide të guximshme të autorit, për ide dhe dëshira republikane. Kjo vepër e Pashko Vasës dëshmon se Rilindasit tanë krahas lirisë kombëtare, dëshironin edhe një formë qeverisjeje demokratike republikane. Dhe i pari që e dëshmom me vepër këtë pikëpamje është Pashko Vasa me librin e tij “Burgimi im” (La mia prigionia) qysh në vitin1850. Pashko Vsa mban qendrim kritik në libër ndaj Karl Albertit të Savojës, për veprimet e tij antirepublikane, për mashtrimin ndaj popullit se gjoja do të luftonte Austro-Hungarezët, dhe nga ana tjetër e lë fushën e betejës, duke i braktisur kryengritësit në mëshirën ë forcavë armike. Me keqardhje autori shkruan: “Populli që më parë kishte thirrur: Rrpoftë R epublika! Iu desh të mësohej të thoshte: Rroftë Karl Albërti!”
Si republikan i vendosur, Pashko Vasa ishte edhe kundër despotizmit në shoqëri….”despotët nuk mund të kenë mendime të larta, sepse sikur të kishin mendime të larta, më i larti mendim dhe i pari për t`u realizuar do të ishte që ata të heqin dorë nga forca shtazore dhe nga korrupsioni”.
Libri nis me një kushtim që autori i drejton konteshës Ilda Vimerkati, për të cilën shkruan gjatë trajtesës dhe së cilës i tregon edhe arsyen se pse e kishte bërë atë shkrim të gjatë autobiografik. Autori i drejtohet asaj konteshe me një ndjenjë adhurimi: “Mikpritja e këndëshme dhe kujdeset bujare me të cilat më rrethuat në Venetik, – kur unë po luftoja për kauzën shumë të bukur të atdheut tuaj, kaq thellë kanë lënë gjurmë në zemrën time, sa që s` ka largësi as kohë që të mund t`ua shlyej kujtimin e të ngadalsojë atë miqësi të gjallë edhe atë mirënjohje intime që më keni frymëzuaër…. Ky është një homazh që, nga brigjet e Bosforit, po i dërgoj virtutit tuaj dhe ndjenjave tuaja bujare (f.3).
Pas kësaj letre mirënjohëse, autori nis rrëfimin e ngjarjes , duke treguar se si ia punuan poshtërsisht me akuzën e sajuar për tradhti, duke trilluar një intrigë të poshtër për këtë luftëtar të vetëdijshëm. Ky tregim shtrihet në tre kapitujt e parë. Libri hapet kështu me ngjarjet e natës së 6-7 korrikut 1849, kur, i urdhëruar nga komanda e armatës, ai ia la vëndin një oficeri tjetër në krye të baterisë dhe niset për inspektim në vijat e para të frontit. Siç kuptohet nga përshkrimi dhe parashtrimi i ngjarjeve, këtu kemi të bëjmë me një kurth të kurdisur, pasi jo më kot Pashko Vasën e shpjen në një pikë, ku armiqtë atë natë, të ndihmuar edhe nga tradhtia e një oficeri, do ta pushtonin për një farë kohë pa sanjë qendresë një shesh.. Tradhtarët e revolucionit të Venecias donin që me zevëndësimin dhe zhvendosjen e shqiptarit të shpëtonin lëkurën e tyrë dhe të akuzohej për tradhti vullnetari shqiptar. Plani dinak zbatohet me përpikëmëri. Sheshi zaptohet përkohësisht, pasi venetikasit ngrihen dhe e çlirojnë prapë. Dyshimi i Shtabit Madhor bie doemos te oficeri që ishtë caktuar për inspektim. Ngjarjet që vijnë më pas deri te kapitulli i tretë kanë të bëjnë me ditët edhe netët e burgut.
Kështu pra, përmes një intrige të rafinuar, Pashko Vasa u vu në pozicion të vështirë para Komandës së Lartë. Për momëntin ai ishtë një viktimë pa asnjë mbrojtje. Arrestimi i tij që bërë i mundshëm me akuzë të trilluar. “Komiteti i Vigjilëncës Publike, – shkruan autori, – kudo kishte mbledhur deponiome, dëshnmi të rreme, pyetje e procesverbale që ta ndërlikonte çështjen….” Mirëpo hetimet që bëheshin nxirrnin për herë e më qartë mungësën e plotë të provave. Mëgjithatë Pashko Vasa mbahej ende në burg dhe nga dita në ditë pritej pushkatimi i tij. Në atë mënyrë shtabi do të justifikonte edhe mungesat e veta në mbrojtje të qytëtit. Vëtëm ndërhyrja ë miqve të mëdhënj të Pashko Vasës, e njerëzve me peshë në qytet, si i madhi Nikolo Tomazeu, bëri që aktet të rishqyrtoheshin dhe të dilte qartë pafajësia e tij. Atëherë, pasi vuajti disa ditë të rënda burgimi, u la i lirë. Këto ditë vuajtjeje dhe mundimi autori do t`i përshkruante me realizëm në kapitullin e tetë të vëprës.
Pashko Vasa është treguar dhe një mjeshtër i mirë i penës në përshkrimin e ambjenteve të ndryshme edhe të analizave psikologjike. Tek ndodhej brenda burgut, ai ndjehej tej mase i brengosur dhe do të shkruante për atë gjendjen e tij të trishtuar “….në çast mendimi, që deri atëherë ishtë i topitur, më fluturoi drejt atdheut, drejt prindërve, drejt vëllezërve .Oh se çfarë dhimjbe ndjeva atëherë, kur mendova se sa do të vuanin të dashurit e mi, kur të mësonin se unë ishja burgosur! Sillja ndër mend nënën tek vuante ,e dëshpëruar, duke qarë dhe më bëhej se në mes vajit të nënës dëgjoja edhe emrin e tim ati”.
Siç e treguam edhe më lartë, luftëtari vullnetar shqiptar u lirua nga denimi që po vuante padrejtësisht, po duhet të nënvizojmë se as kur e futën në burg dhe as kur e nxorën nga burgu, atij nuk iu bë ndonjë process gjyqësor. Kjo gjë tregon edhe një herë arbitraritetin që sundonte në instancat komanduese të armatës së Venecias, si edhe për tradhtinë e disa krerëve të Shtabit Madhor, ku ishin futur edhe shumë krerë monarkistë, që më shumë se sa armikun e huaj kishin frikë njërëzit e thjeshtë kryengritës.
Për kohën, kur qe i liruar nga burgimi, Pashko Vasa do të shkruante në kapitullin e njëmbëdhjetë të këtij libri, kështu :”..desha t`i paraqitesha kryegjeneralit, por kreu i shtatëmadhorisë së tij kolonel Françesko Fontana i doli punës para një për një me këto fjalë: – As perëndia nuk mund të bëjë që të mos ekzistojë padrëjtësia që të është bërë. Ju jeni i pafajshëm. Kjo mjafton për ju. Çfarë mund të bëj për ju gjenerali, veçe t`u thotë: jeni i pafajshëm”.
“Prandaj- thotë më poshtë Pashko Vasa në atë gjendje,- vendosa të jepja dorëhëqjen. Po as kjo nuk m’u lejua! Të gjithë miqtë më këshilluan të kundërëtën.!… të mos e braktisja një kauzë për të cilën kisha vuajtur. Që të më mbushnin mendjen, më bënë që të kisha parasysh se, sikur unë tani të paraqitja dorëheqjën, shumë vëtë do të besonin se veproja, ashtu sepse më kishte lëshuar zemra e sepse kisha frikë. Po ai që më bindi të kthehesha përsëri në vëndin tim dhe të përballoja rreziqe të tjera më të zëza, qe Nikolo Tomazeu, i cili m’u lut që t’ia falja mllëfin tim rrethanave më të larta që po mundonin të mjerin Venedik dhe unë veprova kështu me kënaqësi, sepse e kisha më për zemër atë kauzë se sa jëtën time. U ktheva përsëri në komandën e rrethit të parë të mbrojtjes dhe mora rregullisht shërbimin tim.”
Pashko Vasa vazhdoi të luftonte deri në fund së bashku me revolucionarët venecianë, pa ua zënë në gojë direkt emrat e keqbërsëve të tij. Megjithatë lexuesi nuk e ka të vështirë në f. 16 të librit të bëjë aluzion dhe të kuptojë se cili duhej të kishte qenë kapiten Moreli.
Në kapitujt e fundit të librit jepet qendresa e venetikasve në çastet e rrethimit. Këtu autori gjen rast të flasë me frymëzim të ndjerë për lirinë dhe luftëtarët e lirisë, për nevojën e heroizmit për të fituar pavarësinë. Përshkruan gjithashtu vuajtjen dhe qen- dresën heroike të popullit ndaj pushtuesve austriakë” Tri të katërtat e banorëve të Venedikut qenë të detyruar të braktisnin shtëpitë…. Gratë vraponin me foshnjat në grykë nën qiellin e hapur të sheshit S.Marko…..gratë, ndërsa braktisnin shtëpitë e veta për të shpëtuar bijtë, thërrisnin dhe u jepnin guxim ushtarakëvë… dhe përsërisnin parullën:”No monstri,quel che vole, ma qui no se ghe mete el muso” (Jo përbindsha, bëni ç’të doni, po këtu nuk futet turiri)…. Askush nuk shperthente në ankim, sepse donin më parë të vdisnin se sa të kthheshin nën despotizmin austriak.”
Autori tregon shembuj të admirueshëm nga heroizmi, përkushtimi dhe solidariteti i popullit të Venetikut për qellimin e shenjtë. Kush ia frymëzonte idenë vajzës së varfër që të priste flokët e bukur dhe, me shumën e vogël që nxirrte prej tyre, të shtonte mjetet e rezistencës.? Kush më në fund e shtynte nënën e martirëve Bandiera që, në mungesë të gjërave të tjera, të vendoste te ai altar pallton e Atilios, ndoshta i vetmi objekt që i kishte mbetur nga i biri i saj trim, i cili qe pushkatuar nga austriakët si kryengrites tok me të vëllanë në vitin 1844. Pashko Vasa e admiron qytetin dhë madhështinë e tij…Ai është i pavdekshëm si Roma. Dhë më një stil patetik, me epitete e frazë lakonike, tregon për Venedikun:”Qyteti ishte i qëtë, i përmbajtur, deri në dhimbjen e vetë!”.
Po ”kur ushtria austriake do të shtinte në dorë të raskapiturën mbretëreshë të Adriatikut (të Adrias), – shkruan në faqen e fundit të këtij libri Pashko Vasa ,- unë më 28 të gushtit u nisa në shoqëri të të tjerëve në Ankona, më qellim që prej andej të shkoja në Konstandinopol.
Edhe pse republikat italiane të Romës edhe të Venetikut më 1848- 18949 e patën jetën të shkurtër, edhe pse lëvizja revolucionare republikane italiane fatin e simotrave evropiane po pësonte nga kërcënimi i restaurimit monarkist, Pashko Vasa në librin e vetë mbetet optimist. Ai shpreh bindjen e tij së në Itali dhe në Evropë kishte ende forca republikane që mund t’u kundërviheshin sundimeve monarkiste. Bindja e thellë prej luftëtari republikan e bën autorin që ta mbyll këtë libër me shprehjen e guximshme:”E ardhmja është e popujvë”që është parullë aktuale e të gjitha kohërave.
Kështu, nga leximi i librit “Burgimi im” kuptojmë se Pashko Vasa qysh në rininë e tij ishte një republikan i ndërgjëgjshëm, luftëtar i lirisë, internacionalist i bindur, antidespotik, dhe fshikullues i intrigave mbretërore, tipare këto të personalitetit të tij që do të reflektoheshin dhe më vonë në krijimtarinë e vet. Si konlkuzion me veprën e tij “Burgimi im”, qysh me 1850, që me zanafillën e Rilindjes sonë Kmbëtare, Pashko Vasa del si mendimtar i parë i ideve republikane dhe antimonakiste

Filed Under: ESSE Tagged With: Aristotel Mici, mendimtar i pare Republikan, pashko Vasa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 575
  • 576
  • 577
  • 578
  • 579
  • …
  • 605
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT