• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IMZOT VINÇENC PRENNUSHI: In memoriam

March 18, 2014 by dgreca

FALI, ZOT, NUK  DIJNË  ÇKA  BAJNË…- Prof. Arshi PIPA/

 E kam njohë Imzot Prennushin në burgun e Durrësit gjatë periudhës 1948 – 49. Ai u suell aty nga Seksioni i Sigurimit të Durrësit, mbasi qé torturue ma parë. Kur e prunë, mezi mbahej në kambë. E kishin dërmue tue e rrahë me shkopinj e mandej e kishin varë, lidhë kambësh e duersh, “si nji dash në çengel kasaphanëje”, thonte ai vetë tue ba buzën në gaz.

            Imzot Prennushin e vendosën në dhomën nr. 8, që kishte shërbye dikur si xhebehane dhe ku banojshin ma të rrezikshmit: 18 vetë. Unë qillova ngjat tij dhe pata kështu rastin të miqasohesha me té.

            Kur gjyqi ushtarak zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qé: “Nuk i kam dashtë kujt të keqen. Jam mundue me ba mirë”. Në nji qelë të posaçme ngjitun me xhebehanen ishte ndry Don Anton Zogaj, famullitar i Durrësit. Ai kishte qenë dënue me vdekje, gja që e trishtonte shumë Imzotin. Nuk kam harrue ngazullimin e tij kur nji shok i dorëzoi kapsat e petkut fetar të Don Antonit, lanë dëshmi e martyrizimit të vet.

            Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermjerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermjerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermjeri Don Jul Bonattin, famullitar i Vlonës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Imzoti tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet.

            Përveç se prej asmës, Imzot Prennushi vuente nga nji hernia e randë. Nji ditë rojet e ngarkuen me bajtë trungje prej rrugës poshtë te kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti n’ udhën e Kalvarit, ai u përpoq tri herë me rradhë. Por u rrëzue të trija herët, pa shprehë ankim.

Imzot Prennushi vdiq në Mars 1949. Kur i mbylla sytë e etshëm per dritë – ai më pat çekë njiherë frazen e Goethe-s “Mehr Licht !” – kuptova se çfarë drite ai kishte nder mend. Ka njerzë qi besojnë në Pavdekshmëninë e Shpirtit dhe ka të tjerë që nuk besojnë në té. Por asht vështirë me pranue se gjithçka merr fund me vdekjen e trupit kur mendon se ka njerzë qi vdesin per Ideale!

                                                                                    Arshi PIPA

Tiranë, 28 Shkurt 1995.

Kopjue nga origjinali që Autori Prof. A. Pipa, i ka dhurue Fritz Radovanit.

Melbourne, Mars 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arshi Pipa, Imzot Vincenc Prenushi

Treporti ishte qyteti me pozicion ndërmjetës e ndërlidhës midis zonave të brendshme dhe bregut

March 17, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia*/

Parathenie/

Emërtimi i sotëm për qytetin Treport është :Kalaja e Treportit dhe muri antik në det. Nga ky listim prej dy shifrash  ku gjëndet kalaja dhe në ç‘sipërfaqe shtrihet murri rrethues në det? Frymëmarrja e fundit e këtij qyteti nuk është regjistruar në memorien shekullore, por gjykohet se nga shekulli i III pas Krishtit të ketë ndalur “ora “e këtij qyteti dhe ekzistenca  e vet, qytetit. Trandje historike megjithë  gjatësinë e shekujve të tyre kanë datime. Shekujt e IV-V si në të gjitha qytete antike,që ka Vlora  si Olympia,Cerja dhe Triporti të ketë si bazë zhvillimin e jetës  pikërisht në këta shekuj si dhe të ketë dominuar  në të gjitha zhvillimet historike, qytetare,ekonomike,në zonën e vet. Mjegullinat megjithë cirnosjen e tyre kanë  si epilog harresën. Në të vërtetë Triporti u gjet vonë. Muret e tij mbetën nën errësirrën e kohës dhe nën valëzimin e ujërave të detit.

Treporti sot

Aktualish aty ku zinte fill murri janë ndërtuar  dy godina të mëdha 4-5 kate bar restorante , gjatë qeverisjes së kaluar, të cilat duken se kanë cënuar pjesë të murrit.Nëse bankina ishte gjuhë e ngushtë  për 200-300 m në thellësinë e detit ,rrënoja mund ti shikosh me sy të qetë nga kodra ku dikur ishte pjesë e një garnizoni ushtarak. Shkembinjte e gjuhes, që ngrihen 0.5-1 m mbi uje, luajnë rolin e një valëthesi natyral, i cili krijon një zonë të qete të mbrojtur mjaftë mirë prej dallgëve.Në të vërtetë këta shkëmbinjë, që thyejnë dallgët ngjasojnë me ca nëndetse të vogla, gjysmë të zhytura nënë suprinën e ujit.Gjurmët e kohëve te hershme gjënden fare pranë bregut  dhe kodrës  prej matëriali shtufi, që zbret thikë në det.Cfarë ndërtimi i kohëve të vjetra i përket një ndërtesë   me përmasa të rregullta katrore,që shquhet jo më shumë se 30m nga bregu  në brendësi të ujit?Një barrierë e madhe prej blloqesh në distancë prej 500-600 m nga bregu shquhet nga përplasja e dallgëve përmbi barrierrë.Kjo barrierë, që mund të ketë qënë pjesë e portit mund ta ndjekësh në fare pak sekuenca kohe ,ndërsa shuhen dallgët për tu rikrijuar ose në ditët kur moti është i qetë dhe deti ska valëzim. Gjithë hapësira e madhe e këtij kepi tregon se përmasat e tij edhe sipas mendimit të studiuesve kanë qenë  ndër më të mëdhat për kohën e vet.Kur është gërmuar për herë të fundit në Treport?Ka 20 vjet kohë, që nuk janë dukur më këtej arkeologët për të gërmuar në tokë dhe në det.Sa për server mund të  jenë kryer,gërmime  kurrsesi.Treporti sot është në pritje të kohës së vet për të nisur  gërmimet.

1.Ku shtrihej qyteti i  Triporti dhe kalaja e tij?

Tre- porte si mund të quhet ky qytet që gjëndet në afërsi të Vlorës. Një distance rreth 7-8 km ,për tu gjendur në  gjirin e Vlorës  .Gjiri i Vlorës është i rrethuar nga brigjet e sheshtë, me thellësi të vogla, ndërsa është mbyllur nga shpatet e  malit Lungara dhe gadishullit  me lartësi rreth  840 m.Triporti: është një rrip toke, në forme istmi qështrihet 8 km në veriperëndim të Vlorës. Triporti:është një rrip toke shkruan në planin e zhvillimit të saj Komuna Qëndër, në forme istmi që shtrihet për 8 km në veriperëndim të Vlorës,midis lagunës së Nartës në lindje dhe detit në perëndim. Relievi i këtij rripi toke krijohet nga kodrina të ulëta që shkojnë deri në 80 m. Në zona të tjera rripi i tokës ështëshumë i ulëtdhe përbëhet nga një rërë e hollë edhe e bardhë (zona e Kavalonësnë lindje të Nartës). Nëtë kaluarën lidhja e lagunës së Nartës me detin realizohej nga tre hyrje nga të cilat sot funksionon vetëm një. Në pjesën me tëgjerë e më të lartë të Triportit gjendet fshati i Zvërnecit, në pjesën jugoretë së cilës që zgjatet drejt detit janë zbuluar mbetje të një porti antik.Komuna Qendër ka një sipërfaqe prej 12,000 ha nga të cilat  42 km katror janë të përbëre nga pasqyra ujore e Lagunës së Nartës. Komuna Qendër ka nën administrimin e saj një vijë bregdetare prej rreth 10.5 km në detin Adriatik.Pjesa tjetër e territorit shtrihet në lartësitë e kodrave, që rrethojnë qytetin e Vlorës në pjesën verilindore dhe lindore.Komuna kufizohet në jugperëndim nga Bashkia Orikum dhe në veri verilindje nga komuna Novoselë.Ishulli i Sazanit dhe Laguna e Nartës. Laguna e Nartës është e njohur në nivel ndërkombëtar për shkak se përmbush kërkesat e Ramsar-it. Laguna mbyllet me kepin e Triportit, i cili sëbashku me kodrën e pyllëzuar përbën një kompleks natyror mjaft të bukurturistik.

2.Gjiri i Vlorës dhe kepi i Treportit?

Gjiri i Vlorës   i përcaktuar me këto përmasa:19 km i gjate dhe 16 km i gjere.Fillon  me Kepin e Triportit dhe perfundon me Kepin e Gjuhezes.Kepi i  Treportit ndodhet në lagunën e Nartës.

3.Treporti në listën e qyteteve antike.

Vlora ka 5 qytete antike: Amantia, Olympia, Cerja, Orikum, Treporti . Ka qytete antike apo qendra të fortifikuar si Olympia, Cerja,Treporti.

a-Studiues të huaj  kanë bërë këtë emërtim për këtë qytet pak të njohur. Në zonën bregdetare në jug të Apolonisë dhe në shpinë të Orikumit, një qytet tjetër,shtrihej territori i fisit të amantëve, me qendrat e tij të fortifikuara. Qendra e këtij fisi ishte Amantia. Që nga Vjosa deri në malet Akrokeraune, ku shtrihej territori, i këtij fisi, ndodheshin një sërë kështjellash dhe qytetesh të fortifikuara.Lugina,qafa dhe vendkalime të tjera natyrore lidhnin zonat e brendshme malore me bregdetin. Në bregdet ose në një pozicion ndërmjetës e ndërlidhës midis zonave të brendshme dhe bregut, ishin kalaja e Treportit, (skelë) e Kaninës, e Himarës (Himera) dhe qyteza e Borshit. Më në brendësi ndodheshin kalaja e Mavrovës (Opympa), Amantia dhe Qyteza e Ceries. Kjo e fundit zotëronte një zonë blegtorale dhe kontrollonte rrugën, që lidhte territorin Amant  me Kaoninë.

b-Neritan Ceka :Një qytet tjetër, prapë në Gjirin e Vlorës, më pak i njohur,por shumë irëndësishëm, ishte dhe Triporti, i zbuluar nga Karl Paç në vitin1904, një mur i çuditshëm që zgjatet nga kodra në drejtim të bregut. Ka ngjallur gjithmonë diskutime, pasi ishte një rrugë që lidhte qytetin e vogël në kodër me pjesën tjetër, duke menduar se ka patur një lagunë, apo mund të kishim një skelë. Gjatë gërmimeve të viteve ‘70 u sqarua se ishte një murr rrethues që je pidenë e një vendbanimi shumë të madh, një qytet të rëndësishëm.

c- Dr. Moikom Zeqo: “Shkenca faustiane e arkeologjise nënujore”. Ka disa legjenda siç është p.sh. ajo e Kepit të Treportit në Vlorë. Këtu me të vërtetë kemi gjetur trakte muresh të një ndërtimi urban antik. Legjenda se ekzistonte një qytet i mbytur verifikohet dhe ndoshta në këtë rast kemi të bëjmë me një pozicion më të hershëm ose të një qyteti tjetër ose të vetë qytetit të Vlorës.

4.Treporti-pozicioni dhe rëndësia e kalasë

A.Bace:Treporti në skajin verior të gjirit të Vlorës në Treport gjendet një varg i ulët kodrinor, që vazhdon prej veriut në jug, shtrihet deri në buzën e detit. Në veri të tij gjendet liqeni i Nartës, në perëndim dhe në jug deti, ndërsa në lindje, ndërmjet tij dhe një vargu që vazhdon paralel me të, por pa e aritur bregun, gjendet një truall rreth 1 km i gjate dhe 0.5 km i gjerë. Kodra më jugore e vargut në lindje, ku gjenden dhe disa burime uji të pijshëm, bie me pjerrësi 30-35, ne veri ku një qafë e bashkon me vargun, ka një pjerresi më të butë, ndërsa nga anët e tjera thepiset me shkembinj të lartë.

Qyteti i fortifikuar dhe skela përmenden prej Çelebiut, ku sipas tij “në perëndim të fshatit Zvernec, në një shkëmb në buze të detit, gjendet keshtjella e Jengjeçit, prej se ciles ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh. Me gurët e tyre Sulltan Sulejmani ndërtoi fortesën e Vlorës. Fakti që muret e kalasë së Vlorës janë ndërtuar me blloqe të thyera, të periudhes antike, na shtyu të vëzhgojmë më me kujdes zonën e mësiperme. Gjurmët që u gjetën nga sondazhet treguan se linja e mureve ndiqte kodrën 2/3 e lartesisë së saj, duke rrethuar një siperfaqe prej 3 ha. Blloqet e murit identike me me ato që qenë përdorur në kalanë e Vlorës, është demtuar ne menyre sistematike edhe me vone, duke sherbyer si gurore për ndërtimet që kryheshin përreth. Megjithkëtë poshtë pasqyrës se ujit dhe në pjeset e saj të fillimit, ruhen ende gjurmët, të cilat se bashku me disa sondazhe dhe një skice të K. Paçit, na japin mundësinë që të rindërtojme në vija të pergjithshme planimetrine e saj. Bankina nis në rreze të kodres, atje ku ajo vazhdon si gjuhë e ngushtë për 200-300 m në thellësinë e detit. Shkembinjte e gjuhes, që ngrihen 0.5-1 m mbi uje, luajne rolin e një valëthesi natyral, i cili krijon një zone të qete të mbrojtur mjafte mire prej dallgeve.Bankina vazhdon ne vije të drejte për 650 m duke qënë kështu një nga më të medhatë e kohes. Kjo gjatësi jepte mundësi të ankoroheshin shumë anije. Trualli ndërmjet dy vargjeve kodrinore që përmëndem më sipër është i mbushur me gjurmë ndertimi dhe fragmentesh qeramike, togjet me skarcitete dëshmojnë për pranine e punishteve në afersi të shpatit të kodrës së fortifikimit.Lind pyetja: nëse Kanina, qytet bregdetar, në një zone të përshkruar prej korentesh të fuqishme ekonomiko – politike i ka shpetuar vemendjes se historianeve dhe gjeografeve antike? Siç dihet në këtë zonë përmendet vetëm një qytet me emrin Amantia, me kordinata që përkojne mjaft mirë me ato të Kaninës. Pozita e tij e kushtëzuar nga lidhja e njëkohshme me detin, në një zone të përshtatshme për qëndrimin e anijeve dhe hinterlandin Amantin( luginën e Lumit të Vlorës), në një vend që kontrollon kalimin nga pjesa jugore e gjirit, e zene prej Orikut në atë veriore të zene prej amantëve, dëshmon mjaft mirë se këtu kemi të bejme me një qytet amant. Zhvillimi i Amantias ne shek. IV-III p.e.s dhe kthimi i saj ne një nga qendrat me me rëndësi të bregdetit të poshtëm të Adriatikut sigurisht që kerkonte një qender buze detit për kryerjen e tregtise detare, qender që sipas nesh ishte pikerisht Kanina. Vete emri mendojme se do të kete mbetur i fshehur nen emrin e fisit dhe qytetit meme Amantie.Përsa i përket qendres tjetër Straboni, ndërmjet Orikut dhe Apolonise ne bregdet vendos Bylliakin ndërsa Ptolemeu pas Apolonisë rreshton Aulonen (qytetin dhe rrënojat e Treportit) është jashte dyshimit, pasi asnjë qëndër tjetër nuk i përgjigjet me mirë përkufizimit të Ptolemeut.Por në këtë zone sic e pamë më sipër gjendet vetëm një qytet bregdetar ai në Treport, duke u nisur nga kjo Tomashek hedh mendimin se ndoshta Aulona fillimisht ka qënë Bylisi.Ky supozim na duket i drejte pasi një qytet i vetmuar pa lidhja të forta me hinterlandin, si ekonomike ashtu edhe ushtarake do të që eliminuar me kohe prej Apolonisë fqinje e cila duhet të ndiente mirë konkurencën e saj tregtare.Për më tepër vetë emri i përvecëm vendas, sç do të pritej për një qytet ilir, por një emër grek, që për me tepër me vonesë, kur tutela e Bylisit ndaj qendrave të tjera ishte dobësuar së tepërmi

5.Cila ishte e folura e banorëve të gjirit të Vlorës?

Një ndër studimet më me vlera për krahinën tonë është ajo për gjuhën se çfarë gjuhe amtare përdorej në Gjirin e Vlorës gjatë shekujve. Prania e vendbanimeve të lashta në gjirin e Vlorës ka  gjetur si burim argumentimin shkencor të akademikut Demira,j që ti vrojtoj me lupën  e tij shkencor. 2 qytet antike, Oriku dhe Treporti,Aulona më tej në gji me 18 km gjatësi dhe 16 km gjerësi. Ç’gjuhë kane folur banoret e gjirit te Vlorës gjatë shekujve?Kjo  pyetje,natyrisht parakupton që të sqarohet më parë nëse ata banore gjate shekujve kane folur një apo me shumë se një gjuhë në rrjedhë të kohës.  Këtu është fjala për gjuhët e folura pas ardhjes së tribuve indoeuropiane ëe Gadishullin Ballkanik, sepse gjuhet jo-indoeuropiane te folura para ardhjes se tribuve në Ballkan dhe në Evropë në përgjithësi janë sot të panjohura për ne, me përjashtim të gjuhës së Baskeve, që flitet në viset kufitare midis Spanjës dhe Francës. Sqarimi i pyetjes se mësipërme edhe për periudhën pas ardhjes se tribuve i.e. në viset e banuara sot nga shqiptaret paraqitet bukur, i vështire, sepse jo vetëm për kohërat e hershme, por edhe për periudhën e Mesjetës nuk mund te flitet për popullsi krejt të papërziera, jo vetëm ne gjirin e Vlorës dhe në viset e banuara nga shqiptaret, por edhe në Gadishullin Ballkanik e me gjerë. Mjafton të kujtojmë dy periudhat e sundimit te mbretërisë Bullgare gjate shekujve IX – XIII dhe të mbretërisë Serbe të nemanjideve gjatë shekujve XII – XIV, që kanë lënë gjurmë të shumta jo vetëm në fjalorin e gjuhës shqipe, por edhe në emrat e vendeve, gjurme këto që të lënë përshtypjen e një kolonizimi të pjesshëm të viseve shqiptare nga ana e pushtuesve sllave. E njëjta vërejtje vlen edhe për periudhat më të hershme, sidomos për periudhën e sundimit te gjate romak,që solli si pasojë romanizimin e një pjese të mire te popujve te Ballkanit, si edhe për periudhën më të hershme të themelimit të kolonive greke në brigjet e Mesdheut, të Adriatikut e gjetkë. Si rrjedhim i këtyre ngjarjeve historike për periudhën e lashtësisë dhe të mesjetës, është e vështirë të flitet për një popullsi krejt homogjene në  viset e banuara nga shqiptarët, duke përfshirë edhe vendbanimet e gjirit te Vlorës.Në lashtësi dhe në mesjetë, në mungesë të dhënash, të dokumentuara me shkrim për periudhat e hershme, mund te ndriçohet kryesisht nëpërmjet të dhënave të tërthorta, që mund të nxirren nga analiza e disa fakteve të gjuhës amtare, që flitet në këto vise, në periudhën e dokumentuar historike. E në këtë rast, shqipja si gjuhe amtare e vendbanimeve të gjirit të Vlorës, nuk mund të veçohet nga gjuha amtare e banoreve te Shqipërisë Jugore në përgjithësi. Mençuria e akademikut Demiraj shfaqet qartësisht tek teza që ai përfshinë në këtë studim kur thotë se : Gjithsesi, mendimi qe, Shqipëria Jugore ne përgjithësi dhe i ashtuquajturi Epir në veçanti, ishin te helenizuar në lashtësi, nuk ka asnjë mbështetje dhe për këtë arsye është kritikuar me të drejtë edhe nga një studiues specialist i kësaj treve, siç ishte dijetari anglez N.G.L Hammond, i cili ne faqen 423 te Vëllimit te Pare te veprës se tij madhore Epirus (1967) shkruan: “Dëshmitë arkeologjike tregojnë se, kultura Greke, siç shfaqet ne poçeri dhe objekte te tjera, nuk depërtoi ne Epirin e brendshëm me përjashtim te Dodonës dhe atje vetëm ne një mase te kufizuar deri ne Shekullin IV. Dëshmitë historike ne përgjithësi dhe përshkrimi i tribuve të Epirit te brendshëm si barbare (d.m.th jo Greke – Sh.D) nga Tukidi janë ne harmoni me dëshmitë arkeologjike. Prandaj, nuk mund te merret seriozisht ideja, qe gjuha greke u përhap prej qyteteve greke ne bregdet dhe zëvendësoi një gjuhe jo greke gjate shekullit V ose VI. Iliria qendrore ishte gjeografikisht shume me e hapur për depërtim nëpërmjet Epidamit (=Durrësit ), Apolonisë dhe Bylysit, por gjuha greke nuk e zëvendësoi gjuhen ilire atje ne shekullin IV ose me vone”. Gjithsesi, arsyetimi i mësipërm është një argument ex silentio. Prandaj, ne këtë rast është e nevojshme te parashtrohen edhe disa te dhëna konkrete, që do te dëshmonin për një prani te hershme dhe te vazhdueshme te popullsisë autoktone ne Shqipërinë Jugore në  përgjithësi dhe ne vendbanimet e Gjirit te Vlorës ne veçanti.

6.Treporti dhe hebrenjtë e ardhur nga Spanja

Treporti është një qytetet dhe port  i lashtë i Mesdheut.Kepi i  Treport ,ka rëndësi arkeologjike. Hebrenjtë e  ikur nga  Spanja në vitin 1492 mbritën aty për në Vlorë. Anna KohenPresidente e Komitetit shqiptaro-izraelit, Nju Jork, Shoqëria “Motrat Qiriazi”,ka shkruar:Mijëra kilometra më në perëndim, në anën tjetërtë Atlantikut, shtrihet Kepi i Triportit në Vlorë. Pikërisht aty, më 1492 zbarkuan qindra hebrenj sefardikë që ishin larguar nga Spanja për t’i shpëtuar përndjekjeve të inkuizicionit. Ata u ngulën në Vlorë dhe rindërtuan jetën e tyre duke u mbështetur në mikpritjen, mbrojtjen dhe harmoninë e popullit vlonjat. Breza të tërë izraelitësh sefardikë jetuan për disa shekuj në Vlorë, deri sa u shpërngulën drejt Beratit dhe viseve të tjera të Arbërisë kur Vlora u pushtua nga Venediku. Gjatë shekullit XIX dhe XX dhjetëra familje hebrenjsh romaniotë u zhvendosën nga qytetet e Greqisë së pavarur dhe u vendosën në Janinë dhe Vlorë.Kur Janina ra nën Greqinë, shumë izraelitë të Janinës u shpërngulën për në Vlorë. Një prej tyre ishte edhefamilja e ime. Ne jemi krenarë që u lindëm e u rritëm në Vlorë. Mikpritja, vëllazëria dhe dashuria e popullit vlonjat do të mbeten të paharruara për gjithë hebrenjtë. Por këto u demonstruan sidomos gjatë Holokaustit, kur Vlora, Kavaja, Tirana, Berati dhe qytetetë tjera të Shqipërisë u kthyen në qendra të vërteta të strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve hebrenj,vendas si dhe të ardhur nga Greqia, Maqedonia,Serbia etj. Por kryeqyteti i parë i Shqipërisë moderne i ka hapur dyert e tij edhe për të përndjekur të tjerë.Gjatë viteve 1913-16 në ullishtat e Vlorës dhe nëTriport gjetën strehim mijëra fshatarë toskë që ishin larguar nga shtëpitë e tyre të djegura e arat errënuara për t’u shpëtuar masakrave dhe krimeve të përbindshme të kryera nga administrata ushtarake greke e të ashtuquajturit Epir Autonom.Po ashtu, mijëra banorë të Çamërisë, që arritën t’i shpëtojnë gjenocidit të bandave fashiste të Zervësmë 1944-45, u vendosën në Kume dhe Çole të Vlorës, fare pranë Kepit të Triportit.Dhe do të vinte viti 1999 kur Vlora plakë do të hapte sërish dyert e saj, kësaj here për të shpëtuarnjë pjesë të gjysëm milioni kosovarësh që u shpërngulën dhunshëm prej regjimit shovinist serb. Për vlerat e mëdha dhe të njëjësishme të tij, Kepi i Triportit, duhet të kthehet në një Park Historik[Kombëtar ose Ndërkombëtar] për Nderimin e të Përndjekurve në Mesdhe. Do të ishte mirë sikur në hyrje të Parkut Historik tëTriportit të gdhendeshin fjalët e zonjës Irene Grünbaum,gruas me prejardhje hebreje të cilën shqiptarëte strehuan dhe i shpëtuan jetën gjatë pushtimit fashist e nazist të vendit. Pasi i tha lamtumirë gruas së Ekrem bej Vlorës dhe mikut të saj Myqerem Janina dhe tek avioni ngrihej nga Rinasi atë pasdreke të vitit 1945, ajo do të shprehej:“Lamtumirë, Shqipëri. Ti më dhe mua kaq shumë: më dhe mikpritje, strehim, miq si dhe ngjarje me plot të papritura. Lamtumirë, Shqipëri! Një ditë unë do t’i tregoj gjithë botës se sa trima, sypatrembur, tëfortë dhe të besës janë djemtë e tu; se si vdekja dhe e keqja nuk mund t’i trembin ata. Po të jetë nevoja,unë do të tregoj se si ata mbrojtën një grua refugjatedhe se kurrë nuk do të lejonin që ajo të cënohej,edhe sikur kjo t’u kushtonte jetën. Dyert e vendit tuaj të vogël mbeten të hapura, o Shqipëri. Qeveria tuaj mbylli jo njërin por të dy sytë, kur ishte e nevojshme, me qëllim që t’u jepte njerëzve të varfër e të përndjekur një shans tjetër për të mbijetuar në luftën më të tmerrshme të të gjitha luftrave. O Shqipëri,ne e mbijetuam rrethimin prej humanizmit tuaj. Të qofshim falë!” [Ikje nëpër Ballkan, Vetëjetëshkrimii Irene Grünbaum, University of Nebraska Press, f. 139].

*Msc.Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdia, qyteti ndermjetes, Treporti

FAN NOLI – DIPLOMATI

March 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Fan S Noli dhe udheheqesit e komuniteteve te tjere ne SHBA me Presidentin Amerikan Woodrow Wilson me 4 Korrik 1918/

Dyzet e nëntë vjetë më parë, më 13 mars, 1965 ndërroi jetë në shtetin Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  shqiptaro-amerikani i madh, Peshkop Fan Noli,  ndërsa 15 Marsi shënon përvjetorin e normalizimit të marrëdhënjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në vitin 1991.  Fan Noli ishte promovuesi dhe  vazhdon të jetë simboli kryesor i këtyre marrëdhënjeve të ngushta e miqësore midis dy kombeve.  Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënjeve, mbi të cilat ndërtuan  edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten trashëgimia e tij.   Noli ishte udhëheqës kishtar, diplomat, burrshteti, politikan, autor e poet, orator dhe komentator, madje, ndër të tjera, edhe muzikolog.  Këta dy përvjetorë  janë një rast që të  mos harrohet  roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e  diplomacisë, jo vetëm midis dy kombeve tona, por edhe në fushën ndërkombëtare, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Në kuadër të aktiviteteve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u fol për rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur presidentin amerikan Woodrow Wilson që të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Ai ia doli të siguronte mbështetjen e Woodrow Wilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se “Një zë do të kam në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.  Ishte ky një angazhim i presidentit Wilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit në fushën e diplomacisë. Megjithëse arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare janë të shumëta dhe të mëdha, roli i tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetsimi i tij me Presidentin amerikan Wilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe roli i tij dhe sidomos elokuenca që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet, besoj se eventualisht do i njohë historia si kulmore të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar.   Gazeta angleze London Daily Mail  kishte venë re në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe e kishte cilësuar atë si burrshtetasin më të aftë të Ballkanit.

Ndërsa, gazeta amerikane New York Times e datës 16 Mars, 1965 në njoftimin për vdekjen e Fan Nolit në Florida,  duke shkruar për jetën dhe arritjet e tija gjatë jetës, mbi të gjithë veprimtarinë e tij, në mënyrë të veçantë thekson rolin që Noli luajti në krye të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.   Gazeta e njohur amerikane shkruante në lajmin nekrologjik për vdekjen e Nolit se ai kishte habitur delegatët në atë konferencë me një fjalim të ashpër dhe kritik ndaj vet Lidhjes së Kombeve duke e cilësuar veprimtarinë e saj si “flluska që i merr era”.   New York Times shënonte se, pasi foli për veprimtarinë pesë vjeçare të Lidhjes, Noli kritikoi Lidhjen duke u thënë delegatëve se “Sekretariati i Lidhjes së Kombeve ishte si një varr ku vdesin të gjitha idetë konstruktive.”

Në pjesën tjetër të fjalimit para delegatëve të Lidhjes së Kombeve, përfaqsuesi shqiptar, Fan Noli foli nga një pozitë morale, që kur të merret parasyshë situata e sotëme në botë, e bën atë fjalim aq aktual sot, sa ç’ishte edhe 90-vjetë më parë.  Fan Noli iu drejtua delegatëve të botës së atëhershme me porosinë se paqa në botë fillon në familje. Ai iu drejtua delegatëve duke theksuar se “Ne duhet t’i mësojmë fëmijtë tanë se vrasjet në masë janë njësoj si vrasja e një individi.  Ata duhet të mësohen se “zotërat” e fiseve tona janë burimi i të gjitha të këqiave që kanë munduar e torturuar njerëzimin gjatë shekujve. Ata duhet të mësohen se ekziston një Zot i vetëm e i vërtetë, Zoti i gjithë njerëzimit, i të gjitha fiseve.  Ata duhet të mësohen që të bëhen qytetarë të ndershëm të Supershtetit që bashkon të gjitha fiset….Kur fëmijt tanë të kenë mësuar këto të vërteta themelore… atëherë ne do të kemi bashkpunim të vërtetë midis të gjitha racave, për një botë në paqë,  të përparuar dhe me begati ndërkombëtare.” (Cituar nga portali Frosina)

Ndërsa me rastin e vdekjes së Nolit, 49 vjetë më parë, profesor Ernest Koliqi  kishte shkruar një nekrologji të gjatë në 3-4 të revistës së tij Shëjzat e vitit 1965, mbi veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit dhe veçanërisht mbi, atë që Koliqi e cilëson si “fytyrën vigane të Emzot Nolit nepër kumbim të ligjiratës së Tij historike n’Asamblenë e Lidhjes së Kombeve”.  Ernest Koliqi shkruante se përfaqsuesi i Serbisë në atë konferencë, i përkrahur nga përfaqsuesi i Greqisë, duke përdorur  “një frëngjishte të dobët e çaluese, paraqitëte nji grumbull arsyenash për t’i bindë përfaqsuesit e shteteve pjesmarrëse për të mos pranue Shqipninë”.   Përfaqsuesi serb dhe ai grek, sipas Koliqit, paraqitnin ”nji ndër arsyenat ma të rrezikshme”, se Shqipërisë duhej t’i mohohej antarësia, “mbasi Shqiptarët në shumicë ndiqshin besimin muhamedan, do t’u krijonte me shtet shqiptar, nji Turki e re midis Ballkanit, në të cilin të krishtënët do të psojshin salvime.”  Për të hedhur poshtë pretendimet e Serbisë dhe të Greqisë, shkruan Ernest Koliqi, para Konferencës së Lidhjes së Kombeve, “Ngrihet Emzot Noli, me kamilaf në krye e me veladon të zi episkopal, ku vezullonte nji kryq i madh ari….. që vetvetiu rrëzonte pohimet e të dërguemvet serb e grek.”

Ernest Koliqi vazhdon duke shkruar për rolin diplomatik të Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, se ai ishte “Një prelat shqiptar, i krishtënë, që kërkonte nji Shqipni të lirë dhe të hynte dorëzanë, se ndjeksat e tri besimeve (në Shqipëri) do të rrnjoshin vëllaznisht në harmoni të plotë vullnetesh e qellimesh. Prania e Tij ishte nji përgnjeshtrim i akuzave t’anmiqvet”, të kombit shqiptar, shkruante Ernest Koliqi.  Koliqi vazhdon duke thënë se të pranishmit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve nuk e pritshin një ligjëratë të peshkopit shqiptar, i cili përdorte një anglishte klasike me plot argumenta e fakte historike dhe me një përgatitje të jashtzakonshme kulturore.  “Si mos me pranue nji shtet që nxierte njerz me gjith ato veti të rralla”,si Fan Noli, pyet Profesor Ernest Koliqi, dhe shton se, “Atë ditë Shqipnija, për hir të zotsisë së Emzot Nolit, siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë.  Kurrgja tjetër mos me pas ba Noli për atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjoftjen e përjetshme të Shqiptarvet”, përfundon Ernest Koliqi.

 

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqsve më të dalluar të jetës politikës dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara ai shërbeu si një zëdhënës dhe përfaqsues i denjë i të të drejtave të Shqiptarëve kudo.  Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar, i cili  me veprat e tija kombëtare, në vazhdimësi nderon kombin shqiptar dhe  sipas një komenti të gazetës britanike, Manchester Guardian të vitit 1924, kujtojmë “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënse në Gjenevë.  Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike.

Ndërsa, Profesor Sami Repishti në vlerësimin e jetës dhe veprimtarisë së Nolit, në një shkrim botuar në gazetën Dielli me rastin e 100-vjetorit të lindjes, ka shkruar se Noli ishte një person shumë dimensional, i cili i kalonte kufijtë e botës shqiptare, duke u përpjekur të ngrejë subjektin e vet në horizonte më të larta, në nivelin e njerëzimit mbarë, duke kërkuar, thotë Profesor Repishti, që  vlerat universale të jenë gjithashtu pikësynime edhe për kombin shqiptar. Sami Repishti shkruante se Noli u përpoq të hapte portën nepër të cilën Shqiptarët, ende të vetmuar e të izoluar, të hyjshin në familjen e madhe njerëzore, trashigimtare e qytetërimeve të kaluara dhe ndërtuese e botës së re, përfundon Profesor Sami Repishti.

Kjo “portë” për hapjen e së cilës punoi aq shumë Fan Noli pothuaj gjatë gjithë jetës së tij, fatkeqsisht mbetet ende e mbyllur për Shqiptarët dhe për aspiratat e tyre të integrimit, kjo më pak për arsye të kundërshtimeve të të huajve dhe ma shumë për arsye të një politike përçarse në radhët e vet klasës politike shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluar.    Në vend të përpjekjeve për të hapur “portën” drejtë integrimit europian dhe realizimit shumë shekullor të aspiratave të shqiptarëve, sot diplomacia shqiptare fletë shumë për “partneritete strategjike” me një numër vendesh të ndryshme, një politikë kjo të cilës, fatkeqsisht, i vjen era interesa ekonomike dhe financiare, në kurriz të partneriteteve vërtetë strategjike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, të provuara gjatë historisë.  Kur një vend shprehet për marrëdhënje të partneritetit strategjik me aq shumë vende, atëherë ai vend s’ka partneritet strategjik me asnjë.  Fan Noli kishte një politikë konsekuente diplomatike të interesave të kombit shqiptar.  Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën shumë ngusht, me shumë armiq të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin, por pa shumë miqë, në krahasim me situatën e sotëme. Por,  fatbardhësisht Shqipëria atëherë  mbijetoi, falë atdhedashurisë dhe  patriotizmit pa interesa, të  burrave si Fan Noli, të cilët mbronin interesat e vërteta të kombit dhe lidhjet e ngushta me partnerët, historikisht të sprovuar strategjikë.  Sepse, Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të kombit shqiptar, i cili synonte edhe për shqiptarët zbatimin e vlerave dhe standardeve universale.  Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica kishin vendosur Bostonin — kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme  patriotike dhe diplomatike shqiptare — në të njëjtin nivel me qëndrat e lëvizjeve patriotike shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin.  Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku ti mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet.

Filed Under: ESSE Tagged With: diplomati, fan noli, Frank shkreli

ADASHI

March 15, 2014 by dgreca

Skice/ Nga Avdulla Kenaci/

E kam pësuar disa herë, por përsëri nuk zë mend. Ajo psikologjia shqiptare për të dalë çdo ditë për kafe, më ka përcjellë edhe këtu në Kanada. Mesi i dimrit. Dita më e ftohtë e vitit. Kështu pohonin të gjithë, ama ishte vërtetë një ditë shumë e kthjellët, ajër më transparent nuk kisha parë. Dritë dielli nga të katër anët e horizontit, ajër i pastër, bardhësi bore që ndërpritej nga kryqëzimet e rrugëve. Një qetësi e frikeshme mbretëronte ngado. Stacionet e autobuzëve bosh, asnjë njeri nuk të zë syri të dalë më këmbë. Bukuri që vret! Me të drejtë, stacionet metereologjike kishin lajmëruar qëkuri se lëkura e duarve apo fytyra nuk duhej të ekspozohej jashtë, më shumë se pesë minuta. I ftohti mund të të kafshonte indet. Megjithatë, unë bëra si bëra dhe përfundova në kafe. Qetësi e shurdhër, si në një ditë varrimi. Por brenda kafenesë bënte ngrohtë, aq më tepër që muri i saj në të djathtë nga isha ulur unë, ndahej me një furrë buke. Lexova dy-tri gazeta opozitare nga Shqipëria nëpërmjet Iphone, piva kafen e përditshme ekspres dhe instiktivisht ngrita kokën nga ekrani i televizorit për të ndjekur temperaturat. E pabesueshme, minus 27 që ndihej si minus 38 gradë celcius. Kur mendoja se ç’mot mbizotëronte jashtë, nuk më bëhej të dilja prej andej. M’u kujtua Tirana, kur në mot të kthjellët, në një ditë si kjo, mund ta pije kafenë dhe në hapësirat jashtë lokalit. Kur ja, papritur tek dera u shfaq një njeri i zhytur në një xhup të trashë, që mezi i dallohej fytyra. U afrua tek banaku, hoqi kapuçin dhe porositi shpejt e shpejt një kafe të shoqëruar me një gotë grapa. Si në Shqipëri, mendova unë. Kam dymbëdhjetë vjet në Kanada dhe nuk kam ndeshur në një ditë si kjo, – i tha banakieres. Janë rryma të të ftohtit polar, ikin shpejt, e shumta 24 orë,- e qetësoi ajo. Pastaj ai u kthye nga unë dhe më tha në anglisht: – Shumë, shumë ftohtë! Po ndjek lajmet dhe po shoh që ka shumë aksidente në autostradë, -iu përgjigja unë.

– Foli shqip ! Ai është shqiptar, – ndërhyri banakierja, si për të ngrohur atmosferën. Ai nuk priti më shumë, por pa pyetur, la kafen dhe gotën me raki në tavolinën time dhe m’u hodh në qafë.

-Po ku je, more vëlla! Si të quajnë ? Unë e kam emrin Avdulla.

-Edhe mua ashtu më quajnë, -i thashë unë.

-Vërtetë? Po qenkemi adashë! Po si ia bën sepse unë kam gjetur belanë. Kur më pyesin si e ke emrin, unë u them Doll.

-Doll? Po doll i thonë kukullës në anglisht. Se mos e marrin për tallje, – i thashë unë.

-Jo, nuk e marrin hiç ! Madje nuk ma harrojnë kurrë.

-Banon familjarisht këtu? – e pyeta unë. Ai ndali pak, psherëtiu dhe tha:

– Jo, nuk kam mundur t’i marr, kam 12 vjet që bëj gjyqe. Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, më ka pikur malli. Nuk do më njohin kur t’i takoj. Kam tre fëmijë, vajzën e madhe e kam lënë 9 vjeçe dhe tani është studente, e shoh vetëm në fotografi. Presin që unë të marr letrat dhe ta fejojmë, ka një të dashur.

-Po kaq shumë vjet dhe nuk ke mundur të marrësh letrat?! – i fola ca si me qortim.

-Histori e gjatë! Erdha tek baxhanaku me një pasaportë italiane të vjedhur. Ai u bë sebep. Eja, -më tha, se këtu ka lekë. Erdha. Tek ai banoj, në bodrum, në bejzment, fillova edhe punën me të në ndërtim. Më vonë formuam një skuadër me shqiptarë, baxhanaku krijoi një firmë të tijën, është djalë i zoti, hapi shumë fronte pune. Mirëpo, unë gjysmën e rrogës ia kam dhënë avokatit, gjysma tjetër më mbetet për vete dhe për ata në Shqipëri. E pyes përsëri:

– A të ka mjaftuar rroga? Dhe ai u përgjigj: Sikur ta kisha të gjithën për vete, tani do të isha bërë këtu me shtëpi timen.

-Po atyre në Shqipëri, u ke dërguar gjë? – e pyeta unë.

-Po me se mbahen ata, tha ai. Asnjeri nuk punon. Nuk ka punë. Janë katër shpirt. U kam blerë apartament në Tiranë, dy dhoma e një kuzhinë. I kam hequr nga Librazhdi, jetojnë aty që kur vajza nisi shkollën e lartë. I bëra pyetjen tjetër:

-Po si ia bëni, ju në gjysmën e vitit nuk mund të ngjiteni mbi çati? Pastaj ai treti vështrimin përjashta në hapësirën e bardhë dhe tha:

– Këta kanadezët po, aq pushojnë, por ne shqiptarët vetëm tre muajt e ashpër të dimrit nuk ngjitemi mbi çati. Më pas vijojmë, non stop në punë. E vura re me kujdes, trupvogël, thatim dhe i zeshkët në fytyrë; një fytyrë e rrahur shumë nga erërat. E pyeta sërish:

-Të është rrezikuar ndonjëherë jeta mbi çati, se më kanë thënë që shqiptarët nuk lidhen kur hipin lart? Pse e bëni këtë, që të dukeni trima?! U mendua pak me sytë ulur tek gota e rakisë, pastaj ngriti kryet e tha:

– Kush pyet këtu për trimërira, po i lidhur nuk ka duk puna, mezi lëviz. Unë kam fluturuar dy herë nga çatia, por jam i shkathët, jam mbajtur në momentin e fundit pas ullukëve. Po ti ke të drejt! Vjet na u vra një portugez, ra nga tetë metra lartësi, goditi kokën në trotuar. Vdiq në vend ! Ishte trup i rëndë. Kishte dy fëmijë.

Nuk dija çfare t’i thosha! Nuk dija si t’i jepja pak kurajo. Midis hyri vdekja.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ADASHI, Avdulla Kenaci, skice

LAMJA PO IKËN

March 15, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/Sa u ndava nga Lame Fandi dhe ndofta për shumë kohë. Ai do shkojë për të banuar gjatë në Itali, ku ka djalin dhe ku ka siguruar dhe ca kushte më të veçanta përkujdesjeje jetësore e shëndetësore.Kam shkruar dhe tjetër herë se Lamja (Harallamb Fandi) është miku im i dashur, i adhuruar dhe i respektuar. Mik e bir miku, djali i vetëm i Koços, që ka vdekur ka shumë vjet, për të mos u harruar kurrë, se shumë nga cilësitë e tij të optimizmit, humorit dhe njerzillëkut, ia ka lënë të paprekura trashëgim Lames, birit të tij edhe më të ditur e më të shkolluar. Lamja ynë, është i mirënjohur, jo vetëm në Vlorë ku lindi dhe u burrërua, po edhe në Tiranë, ku kaloi shumë vite dhe ku u ndërthur edhe me karrierën akademike dhe të biznesit farmaceutik. Lamja,  trupmadh dhe tërheqës si i ati, në vizionin e çdo të njohuri, sidomos në qytetin e Vlorës, shfaqet po si ai, burrë i shkathët dhe tepër human, model çiltërsie dhe sakrifice, i gatshëm për të ndihmuar dhe mësuar nevojtarët, që ta kalojnë sa më lehtë çdo lloj vuajtje e halli.Lamja, gjithnjë i qeshur dhe optimist, u bë qysh në të ri, një veprimtar i shquar shoqëror, dhe shpejt u shqua si letrar i pasionuar pas prozës poetike dhe dialogut ekspresiv, si dhe piktor e kritik arti.. Ai studioi dhe përfundoi “Shkëlqyeshëm” Universitetin e Tiranës për farmacist, duke ndjekur njëkohësisht edhe Liceun Artistik për pikturë. Ishte piktura, që e nxiti për të kryer dhe studimet pasuniversitare për kritikë arti. Me punën e bërë ai u shqua jo vetëm në profesionin e tij bazë, po edhe si studiues arti e shkrimtar, sidomos me artikujt kritikë, tregimet dhe dramat, për të cilat është nderuar edhe me çmime në shkallë kombëtare. Harallamb Fandi është dhe autor i të parit libër të botuar në vendin tonë për përdorimin e barnave në shtëpi, si dhe i mjaft teksteve profesionale, mësues dhe pedagog universiteti i shumë brezave farmacistësh, Drejtues Kulture në rrethin e Vlorës, Kryeredaktor i revistës “Farmacisti“ në Tiranë dhe Anëtar Nderi i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

Pasi përballoi me sukses një sëmundje dhe operacion të vështirë, që e kreu në Itali, Lamja ynë i dashur, e kaloi me sukses periudhën e rehabilitimit, midis shokësh fëmijërie, këtu në Tiranë.

Takoheshim shpesh me Lamen për të pirë kafe e për të biseduar lirshëm probleme nga më të ndryshmet, ashtu si grupohen pensionistët nga mbarë vendi, që vitet e fundit u ndodhën apo u bashkuan në kryeqytet, më shpesh të ndarë sipas vendlindjes, për të kujtuar vitet e fëmijërisë apo rinise se hershme. Në grupin tonë me Lamen bashkohet ingjjnieri Petraq Karaja, aktori Andon Qesari, matematikani Petraq Truja, mësuesi Milto Shuka, gjeologu Axhem Gjonaj, kritiku  dhe historiani i fotografisë  shqiptare Qerim Vrioni, etj.

Më shumë bisedat sillen rreth ngjarjeve familjare të njeritjetërit, te shqetësimet shëndetësore dhe jepen mendime për lehtësimin e vuajtjeve, halleve, sëmundjeve, dietës, etj., sipas përvojave dhe njohurive të secilit, apo kurioziteteve dhe rrugëzgjidhjeve të mësuara nga interneti. Këto ditët e fundit u bisedua gjatë dhe iu dha shumë shpresë ujit, për vetitë dobiprurëse në përmirësimin e deri kurimin e disa sëmundjeve, po të pihet në sasi te madhe deri ne katër gota njëherazi, herët në mëngjes, duke qenë i vaktë dhe ndalimin e pirjes se tij dy ore pas buke. Po kështu u qëndrua gjatë te dobia e lëvizjeve dhe ecjes ditore me hap të shpejt dhe mbi gjysmë ore çdo ditë. Këtë temë e trajton shpesh me kompetencë Lamja.

Një tjetër temë, thuajse e përditshme janë “shakatë vlonjate”. Janë të famshme “barsoletat shkodrane”. Këtë e pranojnë të gjithë pjesëmarrësit e grupit tonë dhe ato zënë unanimisht vendin e parë. Po, vendin e dytë, nuk e lëmë dhe ndonjëherë, ashtu si në futboll, Vlora del barazim me Shkodrën. Si më kompetent në këtë “zhanër” paraqiten  Petraq Truja dhe Milto Shuka. Vetëm për argument mund të paraqes sot (për mos ta rënduar këtë ditë dhe për t’i lenë radhë ditëve të tjera) vetëm një shaka të treguar, nga më i riu prej nesh, pedagogu kolonel në lirim, Petraq Truja:

Së pari, me lejoni të shpjegohem: pse përmendet grada kolonel dhe ku e gjeti këtë “pllakë” kaq të madhe ai? Grada përmendet, se, kur flasim për vlonjatë, grada është natyra e dytë e tyre dhe natyrisht i paraqet më të rëndësishëm. Petraqi gradën e mori kur e caktuan pedagog të fizikës dhe matematikës në Shkollën e Lartë për Aviator në Vlorë. Atë fillimisht e bënë toger, po, si dihet ajo rritet me kalimin e viteve dhe u mbyll në vitet e fundit si kolonel.

-“Nashua”, nisi shakanë koloneli, ishte vështirësuar nga gjendja ekonomike dhe as që i ushqente dot 5 fëmijët e tij të vegjël, që kokë më kokë, ishin nga 5 deri 15 vjeçar. Më së shumti në sofër shtrohej vetëm bukë thatë. Një shoku i tij që punonte në “Ullishte” i sugjeron që fare lehtë dhe me pak shpenzime, bukës së thatë, mund t’i shtoheshin ca ullinj, që për fat ai i kishte me shumicë të grumbulluara çdo ditë, se i transportonte të fshehura në çizmet e tij kastën të stërmëdha. E mori me çmim të ulur kontingjentin e parë të ullinjve, u hoqi bërthackat, që të ishin më të shijshme, i kripi dhe i kaloi në procedurat e njohura mirë nga vlonjatët, deri sa i përgatiti në ëmbëlsinë  dhe me dozën optimale të hidhërimit. Fëmijët, atë ditë dhe deri sa i mbaruan krejt ullinjtë, që i hanin me grushte, jo vetëm u kënaqën, po nuk kishin të ngopur. Në  fund të javës ullinjtë, që mendohej se do mjaftonin për gjithë muajin, kishin mbaruar, ndërsa ishte ngrënë, sipas hesapit të Nashos edhe dy herë me shumë bukë.

U konsultua Nashua me gruan dhe vendosen që kontingjentin tjetër ullinjve mos t’u hiqet bërthacka, po vetëm sa të çahen për kriposje. Kjo e pakësoi konsumin, se fëmijët vonoheshin, deri sa të ndanin tulin nga berthackat. Megjithatë pas dy javësh edhe kontingjenti i dytë i ullinjve mbaroi, për gjysmën e kohës së llogaritur.

Rrinte e mendonte Çifti varfanjak dhe më në fund e gjetën zgjidhjen: Nuk i çanë ullinjtë me thikë, po i shtypën mbi tavolinë me çekan, duke thyer njëkohësisht e dhe bërthackën e tyre. Tani fëmijët, e kishin të vështirë të pështynin bërthackat e thyera, që në përpjekje për t’i nxjerrë nga goja, u ngelnin midis buzëve dhe dhëmbëve dhe kështu e pakësuan sasinë e ullinjve të konsumuar.

-Do ta mbaj mend këtë ngjarje, tha  Lame Fandi. Nesër nisem për Itali dhe do t’ua tregoj kolegëve të mi pensionist italian, po nuk e di a do më besojnë.

Sa keq që na ikën Lame Fandi, epiqendra e shoqërisë sonë. A thua do mblidhemi sërish për të dëgjuar “shakatë vlonjate”?Këtë do ta shohim, po tani le t’i urojmë shokut tonë të dashur e të pazëvendësueshëm : Udhë të Mbarë, Shëndet e Lumturi!

Tiranë, më 14.03.2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamja po iken, Luan Cipi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 594
  • 595
  • 596
  • 597
  • 598
  • …
  • 613
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT