• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AFSHI I TOKËS SË SHKELUR

March 8, 2014 by dgreca

Lexim i 10 veprave të Dashnim Hebibit, poet nga Krahina e Mollës së kuqe, Preshevës
Nga Rrustem Geci – Dortmund/
( Çasti për të arritur tek muza, tek shtëpiza e së bukurës, tek sofra e brumit hyjnor të krijimit, e do të jesh me të, dhe brenda saj. Kjo jetë është shumë e gjerë / shtrihet përtej dukjes që sytë shohin / përtej dukjes që shpirti sheh/ dhe përtej shumë vargmaleve të mendimit!..)
Libri i Dashnim Hebibit “Aristokracia e shpirtit”, dhe 9 librat e tjerë, janë angazhimi krijues i poetit të talentuar, Dashnim Hebibit. Komuniteti letrar shqiptar ka kohë që njihet me poezinë e Dashnimit.
Dashnim Hebibi u lind në Preshevë, në vitin 1976. Shkollën fillore dhe të mesmen, Dashnimi i kreu në vendlindje, në Preshevë, ndërsa studimet për gazetari i kreu në Universitetin e Tiranës. Dashnim Hebibi, pas studimeve, ka kryer një master pë gazetarinë, dhe është diplomuar në Akademinë Diplomatike në Tiranë. Jeton në Byllah, qytezë afër Zyrihut.
Vullkani i poezisë sonë, Dashnim Hebibi, sjellë në letërsinë tonë një vepër vërtet të bukur, “Aristokracia e shpirti”. Në ndeshje të kësaj bote / shkruan poeti; një ëndërr e kam të përhershme…/ shumë plagë kam në trup/ por betejat në ëndërr s´ndalojnë /…ëndrrat shtyhen me ëndërrën / shtyhem dhe unë / dua t´i  afrohem të bukurës / por duar të hijeve të pa dukshme s´më lënë!..
 Këto dhe poezitë e tjera të Dashnimit tregojnë për fuqinë e vargut të tij. Në udhën e mërgimit  shkruan poeti, / atdheun e mora me vete / me vete mora dhe gjuhën / që shqip të flet malli /…Poezia e Dashnimit Hebibit është poezi e fortë dhe vet-shpërthyese.
Dashuria për Dashnimin është gjithçka. E bukura tek Dashnimi do të jetoj, e jo të zgarravaqet nëpër bodrumet plot duhma të kësaj bote. Njeri, nga të gjitha ëndrrat / që më erdhën mbrëmë / një ishte e imja, një / dhe ajo një, erdhi e më puthi në ballë/… O vetja ime  e mbyllur, duhet ta fitosh dheun tënd, dhe aty t´i mbjellësh lulet tuaja.
Opusi letrar i Dashnim Hebibit është i gjerë, i thellë, i përtejmë. Ai deri më sot ka botuar këto vepra: 1. Njëqind orë udhëtim2.Hënë e fshehur 3.Dahesti dhe Lerina 4. Lexim i tokës 5. Kosova një zjarr amë 6. Guri i kohës 7. Aristokracia e shpirtit 8. 16 plumbat e fjalës 9. Dialog me gurin 10. Antologjia e shkrimeve të mia.
Tërsia e veprave të  Dashnim Hebibit, është e gjerë, dhe me ngjyra të pasura të kohës. Lufta e të kundërtave shkruan Dashnimi vazhdon prej 4 mijë vjetësh, këtë përplasje vuajtjesh e dhimbjesh, edhe po të dua ta flaki, s´mund ta shmangi as në ditët tona.
Udha nëpër nëndegët e Mollës së kuqe, është epika e vargut tim. E vërteta në në çdo gacë prushi i jep flakë zjarrit. Unë poezinë e shoh si një proces në mua. Gjakoj për të vërtetën, për të bukurën, për thirrjet e ajrit dhe të erës.
Kur ndodhem vetëm me veten i bëj pyetje vetes; sa jam i sotshëm, dhe sa jam i nesërm! Përgjigjja fshihet diku pas pyetjeve. Libri im i dashur, sa herë jam në Preshevë, shkruan Dashnim Hebibi, jo rrallë me zë kënga, pagjumësia, dehja për ma të bukurën dhe më të dashurën. Vargjet kryengritëse në kraharor, bëjnë betejën e tyre.
Dhimbja për Krahinën e Mollës së kuqe, kudo ndjek këngën time. O vetja ime e trazuar, ulu nën hije të kësaj peme të të them diçka; jeta ma dhuroi luftën, por jo edhe fitoren. Shpirt, kam një degëz molle, me aromë të luleve të vendlindjes. Po, po, me më këtë degëz molle unë ruaj veten time, që hija ime të mos tretet e humbet. Sa here më zë malli, degëzen time e përqafojë me një pikë loti në shpirt.
Takimi im me lulet e shkambit është një përjetim i veçantë. Me gurin unë bisedoj si me një mik të gjakut, me të jam i familjarizuar.
Natyrshmëria dhe elementi bisedor  poetik i japin vlerë poezisë së Dashnimit. Në pesazhin poetik të 10 veprave të Dashnim Hebibit, lexuesi do të përjetoj së bashku me poetin, afshin e tokës së shkelur, prerjen e mishit nga gjaku, dhimbjen e çdoditshme të vendlindjes së tij pa liri. Rruste, një lule e reve në oborr të shtëpisë diçka më thotë, por fjalët e saj do t´ua them më vonë.
Loti, shkruan Dashnim Hebibi, mund ta shpojë gurin, por jo edhe dhimbjen. Prandaj, Kjo jetë  edhe kështu si është  krijon shumë mundësi për të arritur tek vetja, tek muza, tek shtëpiza e së bukurës, tek sofra e brumit hyjnor të krijimit!..

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dashnim Hebibi, leximi i 10 veprave, Rrustem Geci

DËNIMI PA AFAT

March 8, 2014 by dgreca

   (Një promemorje për Fishtën e shpërfillur)/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/Berlin/

1.Ndërsa kthehej në shtëpi, tashmë i liruar nga burgjet ku ishte kalbur një jetë të tërë, At Zef Pllumi do të ndalonte një çast mbi një urëz, poshtë së cilës rridhte rrëke uji, e prajshme dhe e vjetër. Dhe i menduar, ofshante me deshpërim: asgjë e re, po ai uji, po ajo botë…O Zot, si ishte e mundur që njeriu të kishte mbetur poaq barbar si tash e 4000 vjet më parë!..

Njëmend, si është e mundur? Dhe si është e mundur, veçanërisht, një barbari e tillë e njeriut shqiptarë! E njeriut që vijon ende ta mbajë në vuajtje dënimi pa afat poetin kombëtar, Gjergj Fishtën: fjalën dhe frymën e tij të amshuar. “Nji kryq drunit, t’kjosha true…” e asgjë më shumë. Madje dhe ai i përdhosur urrejtshëm nga turma flamurtarësh të paemër e hallakatur, të mnirur e inferiorë, të “botës së re”.

Tek fliste për anatemen politike të Poetit dhe riardhjen e tij nga vdekja, Aurel Plasari thoshte bukur se “ jo veç Fishta duhet të gjej vëndin që i takon, por letërsisë shqipe duhet ti kthejmë atë që i mungon..! “Vota e dashurisë” që Aureli kërkonte për traditën letrare, do të jepej e kursyer ose e padrejtë. Ndërkaq tani flasim për njëlloj tjetër pieteti, për një tjetër kujtesë të shkrimtarit të madh. Në botën e emancipuar ngado shihen pllaka përkujtimore sipër muresh e portash, pas të cilash kanë jetuar krijues, dijetarë e prijës të shquar. Ato evokojnë çdo gjurmë, krajatë e dhimbje të tyre, si promemorje nderimi për breznitë që vijnë.

2.

Si u bë, prandaj, që afro tre dhjetëvjetësha të pastiranisë, shtëpia e Homerit të shqiptarëve të mbetet një gurinë gjysmë e rrëzuar?

Kryehershëm, komunistët do ta poentifikonin atë si pinjoll të anës përballëse të barrikadës gjatë Luftës së dytë, kur pat nisur të hidhte rrënjë rendi i tyre. Tevona, rolet sërish do të fortifikoheshin pse, derisa Poeti mallkonte artistikisht dyndjen e re dhe të përgjakur të fiseve sllave në pragjet arbnore, ata shejtorët e së kuqes, tashmë të betuar në faltoren e internacionalizmit proletar, shpallnin dashurinë vëllazërore me bijtë mashtrues e dhuntarë të tyre.

Pas rënjes së dinastëve, kur pritej me ngazëllim rikthjellimi i arsyes, do të përsëdytej gjëma: dënimi vijonte e s’kish të sosur kurrë. Guvernat e pasandejme të agut të quajtur lirak, do t’shpërfillnin të gjitha njësoj Korifeun e ndaluar! Nëse më parë ekskomunikimi i tij ishte i tipit censural, më pas do t’ishte i tjetër forme. Titani braktisej në harrim: me shtëpinë, bibliotekën, gjuhën, varrin…Shurdhimi nuk kje asnjëherë çështje limitesh (donatorët, vullnetmirët…) të arkës së shtetit. Nuk mund të ishte as pasojë e obskurancës shfajsuese. Megjithatë, inercia e mendësisë klasore dhe klanësore, si një ndëshkim i epërm, do t’çojë prapë në përfundimin se kjo, në një kuptim, është eminentisht një klimë dhe gjëndje e përndritjes së vobektë kolektive. Një shkollë e mirënxënë e revanshizmit bolshevik të hatruar e të dyfishtë: politik, për shkak të dogmës dhe kulturor, për shkak të smirës ndaj letrave sipërore të klubit të iluminuar françeskan. Ngjan i habitshëm, sidomos, mohi i së djathtës që kryesoi politikën shqiptare me dorën dhe vullnetin e hekurt për  gati 13 vjet radhas. Më saktë, i shtetarit të saj të parë që do të duhej të kishte ruajtur në konstitucionin e tij shpirtëror zjarrin vullkanik dhe muzikën shungulluese të vargjeve fishtjane apo kulturën e madhërishme të kullave dhe hijerëndën e tyre!..Por, meqë pothuajse të gjithë ishin ngjizur e vinin nga e njëjta epruvetë, aherë në qendër të shpjegimit s’ka si t’mos qëndrojë trashëgimia e moteve të komunizmit, tek shtjellet akoma në trajta e ngjyresa të gjithëfarshme alternuese. Persekucioni i kuq do ti linte, ngadalë, vëndin – heshtjes së zezë dhe mpirjes së verdhë, simbole të dekulturimit paradoksal në epokën e dijeve dhe interferencave globaliste.

Ka tretur shumë kohë, kohë e rikëndelljes kombëtare dhe (si më ka rastisur të lexoj diku) vetëm pasunarët, veç e bashkë, arrijnë të kompensojnë shpejtësisht atë. Qëndrimi ndaj postamentit material të Fishtës është, në fakt, qëndrimi ndaj kulturës, e pra, ndaj vetë kombit dhe finikërimit të tij. Kurse përbuzja e tij e ultë, për pasojë, jep mnerisht atë shenjë qytetnie zhelane ndër shqiptarë që, si do shkruajë Kamy (“Letra mikut gjerman”), kanë humbur keq ekuilibrin mes shpatës e shpirtit në miljeun e gjatëpritur të lirisë, thuase robnia e shekujve i shkonte më mirë e harmonishëm shtatit të tyre.

3.

Gurina e mbetur nga shtëpia e Fishtës është, që këndej, dhe një metaforë e kulluar e përceptimit të Europës dhe refuzimit të saj të fshehtë. Hipokrizia e kastave politike tharmohet, ashtu, në një pozicionim të dyfishtë: fjalamani e bezdisshme me gjuhë e apotheozë epike, për reintegrim në strehën e kombeve të bashkuar të saj dhe, njëherësh, tkurrje autarkike, braktisje e kriptuar e shtegut të largët përmes prishjes brutale të ëndrrës së njeriut të vogël e të pafaj të nënqiellit të tyre. Eshtë e njohur, ndërkaq, se çdo krizë sociale a politike, në imanencën e saj s’është, veçse gjenealogjiksht, krizë etikës. Pikërisht ky rrjedhon të jetë defekti i ndërgjegjës së amullt demokratike dhe i higjienës së munguar nacionale të Shqipërive të shumta lumturake.Porse e keqja fantaziplotë, përveç si makth i përzgjatur i diktatit njëmendimësor, redimensionohet tani në rrafshin tjetër përplotënues, gjithnjë humbës e të lig, në pellgun e dyzimit identitar, që bën kurorën verbuese të saj: duan vallë shqiptarët të rimbyllen në autarki ose, nga skaji i kundërt i absurdit, të katapultohen (si do ti përkufizonte Bassam Tibi) në “hixhra-misionarë”, të programuar? Në përçues e flijues absurd për zemrën e doktrinës së huaj e cila pretendon alternativën e vetme universaliste e mohimtare të “Europës së pafe”?! Apo, si e do interesi dhe mesazhi i lashtë, të bëhen, krejt mirë e natyrshëm, “qytetarë civiliteti”, individualistë e kultivues të lirë fatesh të saj!

Vrujimet përshfaqin çarje e hamendësim orientimor dhe kjo është, definitivisht, krusma e trishtimit të vërtetë: sëmbimi dhe terri i tij i kafshues. Një vetëmohim i çuditshën negativ në dishrimin e egër për zhbërje entuziaste të krijesës amtare!

“Dantja nuk e ka shkruar Komedinë hyjnore për ju, po për ne”, i pat thënë At Pllumi (sipas rrëfimit të Kadaresë) një mikut italjan gjatë një evenimenti letrar në Tiranë, pak para se të ndërronte jetë. Mjerisht, monumenti i gjallë i rezistencës që ishte zotuar të “rrnonte për me tregue”, kishte sërish të drejtë. Shqiptarët që kanë mbuluar Poetin sublim me pëlhurën e qefintë të mosqenies, janë ende brënda, gjithmonë banorë të saj!.. Berlin, fror 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Denim pa afat, Fishta, Rexhep Kasumaj

NËNA IME…

March 8, 2014 by dgreca

Nga Evisa CINA* / Hartford/Të nderuar miq, poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe dashamirës të krijimtarisë letraro-artistike, në Diasporë, Kosovë e Camëri, në tërë Botën shqiptare;

Shumicën nga Ju unë nuk i kam takuar kurrë, por ju njoh po kaq mirë, sa ju njeh nëna ime,e  cila më  tregon për ju dhe lexoj shkrime e poezi, nga ju.Unë jam bija  e Mondës, por jam edhe njëri nga miqtë e saj më të afërt  dhe, nga kjo arsye, prej kohësh kam nisur dhe jetoj edhe unë me shqetësimet letrare të nënës sime, përfshirë në këtë fokus, jetën dhe veprimtarinë letrare dhe publicistike.

Shkrimtarët dhe poetët, këta njerëz që kanë superfuqinë shpirtëore të popullit të tyre që i ka rritur dhe mëkuar,  kanë nevojë nganjëherë për përkujdesje sa ka edhe një fëmijë. Sigurisht në raste të veçanta. Dhe misioni i veçantë për kësi përkudjesjeje i takon njerëzve të shtëpisë, njerëzve më të afërt të tyre, siç jam në rastin konkret unë me vëllezërit e mi, por, sigurisht që jeni edhe ju për njëri – tjetrin.E kam vënë re se sa bukur ndrijnë sytë e nënës sime, sapo dikush i ka telefonuar apo ka shkruar diçka për krijimtarinë e saj në fushat që mami im ka më për zemër.Ashtu si cdo fëmijë si cdo vajze që e do jo vetëm si Nënë por edhe si një shoqe, si një bashkëudhëtare në jetë, në sfidat e të papriturat e jetës,-dhe- shpresoj dhe besoj se Ju e dini se sa shumë iu duam ne fëmijët Tuaj, – vecanarisht vajzat. Jo vetëm për atë se cfarë ajo ka bërë për mua, por edhe se kush ajo është për mua- një mike e vecantë dhe një nënë e mrekulleshme. Të jetosh me Nënën time – Raimonda Moisiun – si Nënë por edhe si poete, shkrimtare  do të thotë : Dashuria dhe Mirësia e fatit që më solli në jetë! Sepse është shumë e lehtë të vështrosh sa shumë ajo ka bërë për mua, për vëllezërit e mij, që nga gjërat e thjeshta e deri më të vështirat. E përkushtuar ndaj nesh edhe kur ajo nuk ka kohë për veten e vet, ajo na dëgjon me vëmëndje e kujdes për cdo problem, edhe më të thjeshtin, biles  edhe tani që ne jemi rritur. E përkushtuar jashtëzakonisht në rritjen dhe edukimin e fëmijëve tanë nipërit e mbesat e   saj.Punon shumë, kujdeset që familja jonë të jetë e gëzuar, e sigurtë dhe shtëpia e mbushur plot me dashuri. Na fal cdo gjë nga shpirti e zemra e saj, sa të mundet.

Por unë e kam vënë re këtë shkëlqim të veçantë të syve të nënës sime  edhe kur ajo është duke shkruar në vetminë e saj. Sikur jeton në një botë tjetër, sikur fluturon përmbi retë e botës sonë të përditëshme, e cila, sigurisht që ka dozën e  vet të rëndesës nga fakti se jemi, që të gjithë, njerëz që rrojmë larg e larg mëmëdheut tonë. Në kësi rastesh, kur kundroj mamin tim ndërsa shkruan, apo kur më lexon se çfarë ka shkruar, kur shikoj mënyrën  se si ajo buzëqesh me vete, tret vështrimin, nevrikoset e mbërthen vetullat dhe zbutet sërish, them me vete diçka. Them : lavdi letërsisë dhe publicistikës, që duke i marrë mamait tim nga orët e saja të gjumit, i marrin gjithashtu shumë e shumë nga barra e rëndë e jetës sonë të përditëshme.

Këtë lloj mrekullie jam e sigurtë që e provoni  secili nga Ju, të dashur miq e mikesha shkrimtarë, poetë dhe publicistë kudo jeni,  që lexoni prozën, poezinë dhe publicistikën e nënës sime të shtrenjtë. Që unë e dua diçka më shumë se sa e don secila bijë nënën e saj, por edhe si një menaxhere e botimeve të saj. E dua se unë, në figurën e nënës sime shikoj edhe diçka tjetër. Shikoj një copë të madhe nga Korça. Mami im është një korçare dhe vetë Korca ia mban të mbërthyer me të dyja duart zemrën e saj të bukur.

Pafundësisht të bukur. Gëzuar Festën e Nënave dhe Motrave Shqiptare kudo, në Botë!

*Esse-kushtuar nënës sime-Raimonda MOISIU

(Ne Foto: Kater breza)

Filed Under: ESSE Tagged With: Evisa Cina, Nena ime, Raimonda Moisiu

NDERIM E KUJTIM, PËR MËSUESIT DHE PEGAGOGËT TANË…

March 7, 2014 by dgreca

Nga MURAT GECAJ/

1.

Sot është data 7 Mars 2014…Sapo u zgjova, më mori në telefon mbesa Dorelë. Ajo ishte e gëzuar, por dhe e emocionuar. Më tregoi se kishte përgatitur një buqetë të bukur me lule të freskëta dhe do t’ia dhuronte mësueses së saj, Almës, me rastin e Festës sonë të përbashkët. Por dhe do të merrte pjesë në koncertin, që do të organizohej, me këtë rast, në shkollën e tyre 9-vjeçare.Ndërsa po fliste Dorela, mendja më “fluturoi” në shumë vite të shkuara. Ishte periudha e pasçlirimit, kur nisa mësimet e klasës së parë. Lokali i shkollës sonë ishte hapur në ish-xhaminë e fshatit Bujan dhe një vit më vonë shkuam në një ndërtesë të posaçme. Mësuesi ynë ishte djaloshi nga Kukësi, Rifat Domi. Nuk do të flas gjatë, por vetëm shënoj këtu se gjithnjë e kam ruajtur nderimin dhe respektin e veçantë për të. Bile, pak vite më parë, mora vesh se biri i tij, Muhameti, ishte drejtor në një shkollë të kryeqaytetit Tiranë dhe kjo vazhdimësi më kënaqi. Më pas, në një veprimtari për Ditën e Mësuesit, u takova me atë dhe i fola me respekt të veçantë për të jatin, i cili ka kohë që është ndarë nga jeta.Në vitet vazhduese, në fshatin tonë Bujan dhe në qendrën e rrethit të Tropojës, Kolgecaj (tani qyteti “Bajram Curri”), ku ishte çelur shkolla 7-vjeçare, patëm disa mësues, të ardhur nga Shkodra, Kruja dhe deri nga Elbasani, misionarë të dritës e diturisë.  Ndër ta, më kujtohen mirë: Liri Turku e Sopot Shehetila, Ali Sahatçia e Selaudin Terihati, por dhe  Ndoc Çurçia, Mark  Temali, Burhan Hoti e të tjerë…Nuk e kishin mbaruar arsimin e lartë, por kishin në gji pasionin e përkushtimin, për të na mësuar dhe edukuar sa më mirë.

2.

Në shtator të vitit 1957,  pas instituteve të larta arsimore, në Tiranë i çeli dyert Universiteti i Tiranës. Në auditorët e tij u ulën qindra djem e vajza, të cilët i kishin pasur prindërit analfabetë, ndër të cilët isha edhe unë. Në leksione e seminare, në degën e gjuhës e letërsisë shqipe, patëm shumë pedagogë e profesorë të njohur. Emrat e tyre na shoqëruan tërë jetën, në punët dhe profesionet tona. Duke kërkuar ndjesë për të gjithë ata, po veçoj këtu vetëm emrat e disave prej tyre. Ne ishim mjaft të nderuar, që na dhanë dituri e kulturë, figura të shquara të arsimit, kulturës dhe shkencës kombëtare shqiptare, si Akademikët e profesorët: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Zihni Sako, Myzafer Xhaxhiu, Bujar Hoxha, Selman Riza, Zija Xholi, Mark Gurakuqi, Jorgji Gjinari e të tjerë. Atyre ua kushtova librin tim modest, “Filologë që nuk harrohen” (Tiranë, 2002). Ndërsa për njërin nga ata, për prof. Bedri Dedjen, vite më vonë përgatita një libër të veçantë, me shkrime e kujtime të disa autorëve (“Bedri Dedja, në kujtesën tonë”,Tiranë, 2010).

3.

Vitet rrjedhin, si ujët e kulluar të Valbonës kaltëroshe. Po kështu, nderimi e kujtimi ynë për mësuesit e pedagogët tanë, mbetet po gjithnjë i freskët. Me sytë e mendjes e të zemrës edhe kur ne u tubuam e festuam, së bashku, 50-vjetorin e mbarimit të studimeve të larta (Tiranë, 2002), përsëri ata i kishim pranë, gjithnjë të paharruar. Kemi besim e shpresë, se këto ndjesi të bukura do t’i kenë e do t’i përçojnë edhe brezat tanë pasardhës. Se mësuesit e pedagogët e përkushtuar, nuk kursejnë asgjë nga vetja e tyre, shkrijnë endergjitë mendore, shpirtërore  e fizike, që nxënësit e studentët e tyre të bëhen më të aftë e më zotë, se ata, për jetën. Kështu, Atdheu ynë i përbashkët dhe të gjitha trojet tona amtare do të ecin në udhën e begatisë e përparimit të sigurtë dhe të pandalshëm, në Bashkësinë Europiane e më gjerë.

…E përfytyroj tani mbesën Dorelë, me buqetën e luleve në dorë, që vrapon drejt mësueses së saj dhe e përqafon atë, me dashuri e respekt. E, qindra e mijëra fëmijë tanë kanë vepruar sot, ashtu si ajo, në Festën e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Tiranë, 7 Mars 2014

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Murat Gecaj, NDERIM E KUJTIM, PEGAGOGËT TANË…, PËR MËSUESIT DHE

NË DITËN E MËSUESIT-7 MARSI

March 7, 2014 by dgreca

…dhe pak fjale per nje mesuese ne diaspore: Miradije Gashi/

Shkruan:Shaban Cakolli/

Dihet mirëfilli se roli i mësuesit është  një rëndësi  e veçantë  në çdo shoqëri,kohë apo vend.Shkollat tona shqipe  luajnë  një rol shumë të rëndësishëm në radhë të parë në stimulimin e atdhedashurisë,nxitëjen e ndjenjave dhe dëshirave për dije,emancipimin,identitetin,si eksperiencën në njohëjen e gjuhës,artit,kulturës e traditës.Mësuesi,familja dhe intelektualët e rrethit,për të fituar  diturinë janë faktorët kryesor.Dihet mirëfilli se shqiptarët të pushtuar ,pushtues pas pushtuesi,kanë  dhënë sakrifica të një pas njëshme në mbrojtëjen e shkollave shqipe.Fillet e arsimit shqip datojnë që moti,diku në shekullin e XVII,ndoshta edhe më herët.Nga këto kemi data shumë të rëndësishme të cilat nuk duhet harruar asnjëherë.Si mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë më 1887,në Kosovë më 1889 në Prizren,shkolla e parë shqipe për vajza më 1891,kur komiteti”Vëllazëria” e ngritën këtë shkollë të vajzave,ku mësueset e para ishin:Sevasti e Parashqevi Qiriazi,Katerina Cilka,Polikseni Dhespot Laurasi, e Fanka Efthim,që ishin mësueset e para shqiptare.Po më herët shkollat të cilat pregadisnin mësues,u hap në Bukuresht më 1892,kurse në Shqipëri  Normalja e Elbasanit më 1909.Pra populli ynë kishte shumë veprimtarë e intelektual të cilët bënë krejt çka ishte e mundur për dritën e kombit.Shpeshherë shkollat e tyre u mbyllën nga pushtuesit,u ballafaquan me presione të ndryshme,por nuk pati armik i cili do të mund të ua ndalonte dëshirat p137r të u arsimuar,pavarësisht sakrificave.Shkollat shqipe i drejtuan veprimtarë e dijetarë të shquar të kombit si:Luigj Gurakuqi,Aleksandër Xhuvani,Salih  Ceka,,Shuteriqi,Guranjaku,e shumë,shumë të tjerë.Për shkollat u punua shumë  atë botë u nxorën  Abetare,e tekste tjera  të gjuhës shqipe,filluar nga Kristoforidhi,Veqilharrxhi.Pashko Vasa,Koto  HOXHI;Gurakuqi,Parashqevi Qiriazi,Xhovani,Shuteriqi,etj…..Qëllimi ynë është që në  çdo 7 mars të shkruajmë për mësuesit,shkollat shqipe,sakrificat e shqiptarëve për  njohuri,të cilën duhet të e kuptojnë dhe mos të e harrojnë kurrë brezat pas nesh.Roli i shkollave shqipe,mësuesëve kanë sjell realitete bindëse për shqipen,nga ajo kohë deri në ditët tona një varg dijetarësh të shquar,historian,arkeolog,gjuhëtarë,kanë punuar dhe sakrifikuar për diturinë,duke e mbrojtur ate qoftë  me penë,qoftë me luftë.Shqiptarët nisën të shkolloheshin vonë,kjo ndodhi për shkak të pengimeve që ua sillte pushtuesi,por në ato periudha shqiptarët e etshëm për dituri i nxënë në hap edhe pushtuesit.Arsimimi i shqiptarëve në Kosovë ishte shumë më i vështirë:Pas vitit 1974,shqiptarët me hapa të mëdhenj ndoqën rrugën e arsimimit,thuajse brenda atyre viteve dolën mësues,historian e doktor,akademik,thuajse baraz me Sërbinë pushtuese,e cila na kishte ndaluar në këtë drejtim afro një shekull.Një gjë dihej:Armiku ynë ishte i vendosur të na zhdukte,e këtë e bënte sa me  zhdukjen fizike,aq me zhdukjen kulturore,që të dyja ishin  të njejta.Nga vitet e tetëdhjeta sllavo-sërbët u treguan krejt haptas se janë kundraj qenies dhe shkollimit tonë.Ata na e siprimuan atë pak autonomi që kishim,na vranë,burgosën e  përndoqën,na i helmuan nxënësit në shkolla,na i mbyllën shkollat,na përndoqën me dhunë nga vendlindjet,e qëllimi ishte i qartë për një zhdukje kolektive të shqiptarëve.Si rezultat i kësaj dhune shumë shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të strehohen në Europë.Ajo çka ishte më e keqja,ata duhej të marrin me vete edhe fëmijët e tyre,të cilët fatkeqësisht dhe pa fajin e tyre,hapërimet e tyre jashtë atdheut i nisën në tjetër rreth,tjetër kulturë,tjetër gjuhë,tjetër traditë.Eh,po këta fëmijët këta engjuj të pafajshëm janë të prirë qysh në fëmijëri për të përvetësuar të huajën qoftë edhe më të keqen.Roli i mësuesëve në diasporën shqiptare është i një rëndësie të veçantëAta kudo në diasporat shqiptare,veçmas në Gjermani,punuan shumë për hapëjen e shkollave shqipe kudo ku kishte shqiptarë,me mbështetëjen e prindërve dhe intelektualëve të rrethit,punuan shumë me fëmijët tanë,andaj kemi shpresa se këta mësues shmangen asimilimin e fëmijëve tanë.Dihet mirëfilli se në ngjarjet historike  femra jonë u gjend krah për krah me mashkullin,duke dhënë kontribut të  çmueshëm në çdo fushë kombëtare.Femrat tona mësuese në shkollat shqipe në diasporë,bënë shumë për të ruajtur shqiptarizmën tek fëmijët tanë të mërguar,duke ua ndezur fëmijëve tanë zjarrin e atdhedashurisë,duke u mësuar gjuhë,histori,gjeografi,art,traditë e kulturë shqiptare.Mësuese që pregaditën fëmijët tanë të mërguar,ka qindra  në diasporë,por ne sot do të bëjmë fjalë për një mësuese intelektuale dhe veprimtare e shquar e kombit,zonjën  Miradije  Gashi.Miradija është krenaria e botës femërore shqiptare e cila me tërë qenien  punoj për  kombin,arsimin,kulturën,ajo është veprimtare,mësuese dhe poete.

Miradije Gashi u lind në fshatin Arllat të Komunës së Drenasit.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmën (Akademinë Pedagogjike) si dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë, ku mori titullin: “Arsimtare e grupit klasor”.

Menjëherë pas diplomimit zuri punë në Shkollën fillore “Emin Duraku” në Arllat.

Qëlloi që pikërisht në këtë kohë fryn e shfryn furtunat e pushtimit dhe ajo, bashkë me shumë kolegë të tjerë, u vu në shënjestër të sundimtarëve serbë, duke e larguar nga veprimtaria edukatovo-arsimore.

Ajo tashti filloi studimet në Degën e Pedagogjisë të Universitetit të Prishtinës, duke i përfunduar me sukses. Ndërkohë u bë anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Arsimit Shqiptar në Republikën e Kosovës.

Po atë vit Miradija u angazhua edhe në Kryesinë e Forumit të Intelektualëve të Kosovës.

Veprimtaria e saj atdhedashëse, në vitin 1991 u bë sërish shkak i pamundësisë për punë në arsim. Madje, disa herë u mor në pyetje dhe u keqtrajtua nga pushteti serb edhe pas lirimit nga burgu.

Duke mos e pushuar aktivitetin lidhur me shkollën shqipe, ajo ndalohet nga policia serbe në Komaran, i konfiskohet materiali arsimor dhe merret në pyetje e keqtrajtohet pamëshirë në polici.

Mu në këtë kohë ajo merr ftesën që sërish të paraqitet në organet e sigurimit në Mitrovicë.

Meqë torturat në organet e hetuesisë serbe ishin si të thuash racion dhe duke qenë nën vëzhgim e përcjellje të vazhdueshme, ajo, në janar të vitit 1994 u detyrua të emigronte në Gjermani.

Sigurisht që edhe në emigrim ajo do ta vazhdojë veprimtarinë e saj arsimore, fillimisht në qytetet e Schwarzwaldit, përkatësisht në “Shkollën e Lartë të Nacionaliteteve” (VHS), në Villingen-Schwenningen. Atje ajo mbajti kurse dhe ligjëroi gjuhën shqipe, jo vetëm për gjermanët, por edhe për të tjerët të cilët interesoheshin për gjuhën tonë.

Miradije Gashi, krahas veprimtarisë arsimore, u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare duke botuar poezi në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, po njëkohësisht edhe duke trajtuar tema të ndryshme nga fushë e pedagogjisë. Më se një herë në paraqitjet e saj ajo kishte përdorur edhe pseudonimin “Fanesha”.

Miradija aktualisht jeton dhe vepron në Stuttgart, ku mban mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë.

Është prezantuar me poezi në disa antologji, si: Busulla e shpirtit, Trinomi i Lirisë, Një shekull drite etj.

Ky është vëllimi i parë i saj me lirika si libër me vete.

Ka dhe një korpus krijimesh në dorëshkrim.Miradije Gashi është një veprimtare me plot energji,ajo kryan obligimet familjare,shkruan krijimtari,mëson fëmijët mërgimtarë në shkollat shqipe,duke u dhuruar njohuri nga atdheu,gjuha,letërsia,historia,gjeografia,krijimtari letrare, art figurativ,e lexim artistik.Ajo gjenë kohë me nxënësit e saj të mbajë edhe aktivitete të lira,të kremtoj festat kombëtare,të gjitha i ka organizuar në mënyrën  më të sukseshme,ku gjithnjë ka shkëlqyar me punën dhe organizimet e saja.Miradija me vite e vite dha një kontribut të pashoq,arsimoj e përcolli gjenerata,kontributi i saj ishte dhe mbetet shtyllë e fortë e shkollës shqipe në mërgatën shqiptare.Kuptohet këto punë nuk janë të lehta dhe nuk bëhen pa sakrifica,por dashuria e saj për punë me rininë tonë të mërguar,historia e lavdishme e popullit shqiptar,sakrificat nëpër cilat kaloj, i dhanë dashuri e përkushtim për punë me fëmijët,për abetaren shqipe,gjuhën,letërsinë,kulturën,historinë,traditën,të i shpëtoj fëmijët tanë nga asimilimi si dhe të i bëjnë ata të ndihen sa më afër atdheut.Andaj çka të themi:Mësueses  Miradije  Gashit,gjithë mësuesëve kudo që ndodhen në hapësirën shqiptare e në diasporë,urime   dita e juaj e mësuesëve  7 marsi.Ju ishit dhe do të mbeteni gjithmonë në kujtesën e popullit,atdheut,në kujtesën e shumë  gjeneratave,ishit të shkëlqyar,intelektual  me vyrtyte të larta njerëzore,që keni përhapur ,e po vazhdoni të  i përhapni  rrezet e diturisë gjithandej atdheut dhe diasporës.

Ne Foto: Miradije Gashi/Shtutgart-Gjermani

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: 7 Marsi, Miradije Gashi, Shaban Cakolli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 596
  • 597
  • 598
  • 599
  • 600
  • …
  • 613
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT