• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova medalje post-mortem për Beau Biden

August 1, 2021 by dgreca

-Sot u mbajt  ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden.Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett/

PRISHTINË, 1 Gusht 2021-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë sot, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u mbajt ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden. Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett.

 ***.   

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e dekorimit post-mortem të Joseph Robinette “Beau” Biden III

I nderuar President Joe Biden dhe e tërë familja Biden!

Mirëmbrëma nga populli më proamerikan në botë

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, 

I nderuar kryeministër Kurti,

I nderuar Ambasador Kosnett,

Të nderuar të pranishëm,

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pati thënë: “Ju nuk jeni këtu vetëm për ta bërë të mundur jetën.  Ju jeni këtu për t’ia mundësuar botës të jetojë më lirshëm, në një të ardhme më të ndritur, në frymën e shpresës dhe të arritjeve të mëdha. Ju jeni këtu për të pasuruar botën dhe do të varfëroheni nëse e harroni detyrën”.

Me këtë thënie, presidenti Wilson, veprimet e të cilit sollën paqe në të gjithë botën, i referohej shërbimit të individit për vendin e vet. Edhe unë fuqimisht besoj se nuk ka asnjë kauzë më fisnike sesa të shërbesh.

Janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.

Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë.

Sundimi i Ligjit, siç e dini, nuk është vetëm temë e rëndësishme për mua, por diçka së cilës ia kam kushtuar gjithë karrierën time profesionale. Kërkimi i drejtësisë dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm një lëndë abstrakte teorike apo akademike; kjo është një temë kaq e rëndësishme për mua ngaqë besoj se duhet të jetë synim i yni i përhershëm e t’i përcaktojë veprimet tona, meqë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Unë besoj se sundimi i ligjit është parakushti themelor për suksesin tonë si vend.

Krijimi i institucioneve dhe trajnimi i  gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës. Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj  është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë. 

Përveç marrëdhënieve personale dhe mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të ndryshëm nga SHBA-ja në tri dekadat e fundit, unike mbetet edhe lidhja dhe dashuria e vërtetë që dy vendet tona kanë për njëra-tjetrën.

Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota. Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona.

Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur.

Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës – kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tonë.

Sa i takon Beau, mund ta themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën. 

Presidenti Biden njëherë tha se “Beau ishte shpirti im”, është e qartë se puna dhe  angazhimi i Beau vazhdon ta frymëzojë edhe vetë Presidentin Biden. Ai vetëm pak kohë më parë më shkroi: ”Kosova ka një vend të veçantë për familjen Biden, për nder të kohës që djali ynë i ndjerë, Beau Biden, kaloi atje, duke punuar për të siguruar paqe, drejtësi dhe sundim të ligjit për të gjithë njerëzit e Kosovës.”

Ndërsa, gjatë një vizite të mëhershme në Kosovë, në kujtim të djalit të tij, Presidenti Biden tha: “Beau e donte këtë vend, Kosovën. Këtu ai nisi t’i donte njerëzit, kishte një ndjenjë të fortë të lidhjes me ta”.

Siç e dinë shumë mirë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Kosova është një vend i vogël, por me zemër të madhe. Shumë, nëse jo të gjithë, bien në dashuri me vendin tonë, njerëzit tanë dhe traditat tona, kur u jepet mundësia të kalojnë kohë këtu.

Prandaj, në emër të popullit të Kosovës dua t’ju siguroj se, sikur që Kosova zë vend të veçantë në zemrat e familjes Biden, edhe familja Biden dhe populli amerikan zënë vend të veçantë në zemrat tona.

Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë.

Ndërsa, më vonë, kur Kosova u përball me sfidën e saj më të madhe të pasluftës, kur ne po përgatitnim deklaratën tonë të Pavarësisë, Presidenti Biden tha se ishte “besimi i fortë i Beau-t, të cilin e kishte bartur nga prania e tij këtu, që  në thellësitë e kohëve shumë të vështira që bëri të sigurt se thirrja për pavarësinë e këtij vendi të mirë ishte gjëja e duhur, të cilën duhet ta bëja”.

Kur e vizitoi Kosovën, në vitin 2009, në Kuvend Presidenti Biden foli fjalë që vazhdojnë të bëjnë jehonë gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme për t’i mbrojtur lirinë tonë dhe për ta forcuar pavarësinë  e vendit tonë. Ai tha: “Pavarësia juaj është e pakthyeshme … absolutisht e pakthyeshme”. Punën e Presidentit Biden e frymëzoi djali i tij për aq sa qe gjallë, por jam e sigurt, vazhdon ta frymëzojë edhe sot.

Sot e kësaj dite, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të tregojnë respekt dhe dashuri të thellë për njerëzit tanë. Edhe në kohën më sfiduese për botën, gjatë një pandemie globale, Amerika i ka dhuruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave Pfizer Kosovës. Edhe një herë, zoti President, ne jua shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt.

E dashur familje Biden! 

Humbja e një fëmije është tragjedia më e madhe. Por, ta gjesh forcën dhe aftësinë për ta kthyer dhimbjen në motiv për të ndryshuar botën për të mirë, është diçka që duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë ne. Angazhimi i Presidentit Biden ndaj vendit të tij, si dhe puna e tij për ta bërë botën vend më të mirë jetese, është i pakalueshëm.

Para se të shikojmë video-mesazhin e  Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se “njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve”.

Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë.

I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës.

Zoti President, 

Si Presidente e Republikës së Kosovës, ju siguroj se puna e Beau-t dhe e kolegëve të tij amerikanë nuk do të shkojnë kurrë kot. Ne do ta bëjmë Kosovën vend me të cilin do të krenohemi, ngase ka potencial të jetë i tillë. Ne do ta bëjmë Kosovën vendin të cilin e meriton populli ynë. Zoti President: ne do t’ju bëjmë krenarë.

Për gjithçka që bëni për njerëzit e këtij vendi të dashur, faleminderit!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Le të pushojë në paqe shpirti i Beau dhe uroj që trashëgimia e tij të na udhëheqë përherë në drejtim të asaj se çfarë është e drejtë dhe për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit tonë me dinjitet dhe nder.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I përjetshëm qoftë kujtimi për Beau Biden!

Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Beau Biden, kosova, medalje Post-mortem

Kryeministri Kurti: Për çka do të jetë “Ballkani i Hapur”?

August 1, 2021 by dgreca

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti: “Ballkani i Hapur”, tendencë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës, si dhe oligarkëve e kriminelëve të luftës/

PRISHTINË, 1 Gusht 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  

Pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit 1981, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në bashkëbisedimin me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj në Teatrin Kombëtar, me ç’rast edhe u promovuan librat e tij: “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Vrasja e Mushkonjës”.

Më pastaj, në pyetjet e gazetarëve mbi takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në Shkup, ku u riemërtua iniciativa e Novi Sadit (e ashtuquajtur Mini-Schengen) në “Ballkani i Hapur”, kryeministri Kurti shtroi pyetjen se për çka do të jetë i hapur ky Ballkan? 

Ai tha se përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën, si dhe i hapur për autokraci, oligarkë e kriminelë lufte, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Ballkani I hapur, Panairi

NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE

July 31, 2021 by s p

Shkrimtari Ag Apolloni paraqet para publikut romanin e tij më të ri dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra , dhënë Editorit Sokol Paja, shkrimtari Ag Apolloni shprehet se ky roman dokumentar flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

“NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE”

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda strukturës gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, nëpërmjet figurës së Elie Ëiesel-it (i cili i vizitoi shqiptarët në kampe dhe bëri një raport mbi ta për Shtëpinë e Bardhë) vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës. Nga Ministria e Kulturës në Kosovë dokuromani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është shpërblyer si romani më i mirë i vitit 2020.

ZONJA PREJ ZJARRI, GRUAJA PREJ GURI

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij. 

PASHKA E DOGJI VETEN DHE E DOGJI VDEKJEN

Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura.    

LARG SHKREPSË, KA ENDE SHPRESË

Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthi-min e bijve dhe bijave, mund ta humbin duri-min, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë!  E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë. Kësaj here emrat e tyre ua përcaktuan fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes kaloi oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përkohshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti ferdane, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato mbetën si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?

KUSH  ËSHTË AG APOLLONI?

Ag Apolloni (1982) është shkrimtar nga Kosova. Ka kryer studimet për Dramaturgji në Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku ka doktoruar më 2012. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re, ndërsa nga viti 2013 është kryeredaktor i revistës kulturore Symbol. Po ashtu, është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008.  Veprat: Zomb (poezi, 2009), Historia e një koleksionisti të syve (drama, 2010), Parabola postmoderne (studim, 2010), Paradigma e Proteut (studim, 2012), Ulurima e Ujkut (roman, 2013), Zazen (roman, 2014), Koferi i Konicës (ese, 2016), Hamleti simbas Horacit (dramë, 2017), Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (dramë, 2018), Mesjeta ime (autobiografi, 2019), Commentum 1, 2, 3 (ese, 2019 ), Sandalet e Senekës (poezi, 2020), Një fije shprese, një shkrepëse (roman, 2020). Shpërblimet: “Libri më i mirë poetik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”; “Libri më i mirë kritik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”; “Romani më i mirë i vitit” (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”; “Drama më e mirë e vitit” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”; “Romani më i mirë i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.  

Filed Under: Featured Tagged With: Ag Apolloni, Sokol Paja

ISH-KONGRESISTË AMERIKANË PESË DITË NË KOSOVË

July 30, 2021 by s p

PRISHTINË, 30 Korrik 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

 Ish-kongresistët Amerikanë Peter Roksam e Nick Rahall kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, ku janë pritur në takime nga drejtues institucionalë e politikë. Pjesëmarrja e tyre në një seancë plenare të Kuvendit të Kosovës është përshëndetur edhe me duartrokitje. Në takime janë shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

KRYEMINISTRI KURTI PRITI NË TAKIM ISH-KONGRESISTËT AMERIKANË, NICK RAHALL DHE PETER ROSKAM

 Dy ish kongresistët amerikanë, z.Nick Rahall dhe z.Peter Roskam, janë pritur në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe nga kryetarja e Komisionit parlamentar për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis e planifikim hapësinor dhe infrastrukturë, Fitore Pacolli. Kryeministri Kurti i njoftoi ish-kongresistët me prioritetet e programit qeverisës dhe rezultatet e arritura në njëqinditëshin e parë të qeverisjes. Në takim u diskutua për investimet e nevojshme të bizneseve nga diaspora dhe atyre amerikane në Kosovë. Kryeministri tregoi hapat që ka ndërmarrë qeveria për përmirësimin e klimës për investime. Ai falënderoi ish-kongresistët për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Ata shprehën gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në fushën e mbrojtjes së mjedisit, investimeve në energji dhe infrastrukturë. Ish-kongresistët kanë qëndruar për pesë ditë në Kosovë, me ftesë të komisionit parlamentar që e udhëheq deputetja Pacolli, në kuadër të programit “House Democracy Partnership”.

KRYEKUVENDARI KONJUFCA PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E INSTITUTIT REPUBLIKAN NDËRKOMBËTAR

 Kyetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), në përbërje të ish-anëtarëve të Kongresit të SHBA-së, Peter Roksam e Nick Rahall, dhe stafit të zyrës qendrore të IRI në SHBA e Kosovë, Nesti Gjeluci, Maggie Stewart, Erin McMenamin, Marta Onorato dhe Betime Hoxha.  Anëtarët e delegacionit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, pasi shprehën ngushëllime për viktimat e aksidentit tragjik të së dielës në Sllavonski Brod të Kroacisë, e njoftuan kryekuvendarin Konjufca lidhur me veprimtarinë dhe projektet e këtij Instituti, me fokus të veçantë organizimin e aktivitetit pesë-ditor me kryetarët e grupeve parlamentare në kuadër të programit House Democracy Partnership (HDP). Kryekuvendari Konjufca e çmoi lart kontributin e IRI në avancimin e reformave të legjislativit të vendit dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit. Instituti Republikan Ndërkombëtar është themeluar nga Kongresi Amerikan në vitin 1983 për të mbështetur konsolidimin e demokracive dhe sundimin e ligjit në botë.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Glauk Konjufca, kosova

LAMTUMIRË GJERGJ BALAJ

July 29, 2021 by s p

Sokol PAJA- DIELLI

New York, më 28 Korrik, mes lotësh, dhimbjes së madhe, trishtimit të thellë dhe brengës në shpirt, qindra miq, familjarë, patriotë, vatranë e autoritete fetare përcollën për në banesën e përjetshme shqiptaro-amerikanin Gjergj Balaj. Një njeri i respektuar dhe i dalluar në komunitetin shqiptar në New York dhe më gjërë. Një ikje e parakohshme, një vdekje tronditëse, një ndarje pikëlluese që lë një boshllëk të përjetshëm tek familja, miqtë e afërm dhe bashkëpunëtorët e ngushtë. Me ikjen e Gjergjit iku një pjesë e secilit nga ata që e njohën dhe ndanë emocione të mëdha siç dinte ti falte vetëm i paharruari Gjergj Balaj.

Energjik, pasionant, patriot i flaktë, katolik i devotshëm, njeri i respektuar dhe zemërbardhë, fisnik i pakrahasueshëm, prind i dashur, bashkëshort shembullor, mik besnik e atdhetar i flaktë, Gjergj Balaj do të mbetet përjetë në memorien e të gjithë atyre që e njohën dhe gëzuan emocione të veçanta nën shoqërinë dhe fisnikërinë e tij. I dashur, i qeshur, sfidues, këmbëngulës, i fortë, Gjergj Balaj ishte për të gjithë ata që patën fatin ta njohin një shumbull i fortë dhe model i shëndoshë në shoqëri dhe kudo. I kudogjendur, i kudondodhur, Gjergj Balaj e jetoi jetën në çdo moment, shijoi shpejt çdo pasion si për të na treguar se do ikte shpejt prej nesh, përgjithmonë. Gjergji gjithmonë ishte i kudogjendur dhe jepte gëzim dhe shpirtin e tij për miqtë e familjen, këtë herë ai na befasoi, ashtu si vdekja e tij e befasishme. Një ikje që na lë të shtangur e të vrarë, por besimi në jetën e pasosur dhe ngjalljen prej së vdekuri na jep motiv se me Gjergjin do takohemi një ditë shpejt. Gjergji ishte gjithmonë kudo i pari, ndërsa në ceremoninë mortore të organizuar në Kishën Zoja e Shkodrës, ai erdhi i fundit.

Në arkëmortin e bardhë si shpirti i tij i madh dhe i bardhë, mbështjellë me pelhurën e paqes si simbol i jetës e veprave të bardha e të mira të Gjergjit, ai u ndal për të na përshëndetur për herë të fundit. Edhe këtë herë kishte shumë njerëz e miq të panumërt rreth vetes, ashtu siç Gjergji ishte i rrethuar gjithmonë nga miqtë e shokët e tij. Në Kishën Zoja e Shkodrës, në vendin ku ulej gjithmonë Gjergji familjarisht, dje ishin ulur miqtë e tij nga Vatra dhe Imami Gaz Aga, një mik i çmuar i Gjergjit. Në predikimin e lamtumirës Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, miku më i ngushtë i Gjergj Balës, tha se askush në këtë botë nuk e kishte menduar se Gjergj Balaj do na kishte mbledhur në funeralin e tij. Gjergji na mblidhte veç për gëzim, veç për moment të bukura. “Nuk është e lehtë me gjet fjalët për ikjen e një njeriu të jashtëzakonshëm si Gjergj Balaj. As në imagjinatën tonë më ekstreme nuk mund ta kishim mendu se sot do ishim mbledhë për vdekjen e Gjergj Balës. Nuk do kisha dashtë kurrë me e ba këtë predikim sot. Do donim të gjithë që kjo të ishte një andërr dhe ta shihnim Gjergjin teksa merrte avionin për në Shqipëri e ta shihnim bashkë me Aidën duke iu ngjitur maleve të bukura të Shqipërisë dhe duke shkelur dheun e të parëve që aq shumë e deshi. Jo vetëm miqtë e tu të panumërt o Gjergj, por edhe alpet, shtigjet, bjeshkët, malet, bora e pa shkrime e tyne, rrjedha e Drinit, ujëvarat, liqenet, deti i Sarandës, Pogradeci, Korça, sot po qajnë për ty o Gjergj. Kur mendojmë se hapat e tu s’kanë me i shkel ma kurrë, s’do jetë kurrë ma si më parë për të gjithë ata njerëz që të kanë dashtë o Gjergj. Do jetë e vështirë për Aidën, djemtë dhe të gjithë ne që të njohëm. Janë të shumtë njerëzit që janë trondit nga ikja jote o Gjergj, janë nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, nga Kosova, Mali i Zi, Italia, Belgjika, Kanadaja, Amerika. Dhe sikur të kishe qenë udhëheqës shteti apo Ipeshkv s’do kishe qenë kaq i dashur e i respektuar si ti o Gjergj Bala. Kudo keni shku bashkë me Aidën dhe keni dhanë shembull të një familje të bukur, të qeshur, dhe të lumtur. Na fal o Gjergj nëse ndonjëherë nuk të kemi kuptuar plotësisht. Lutju Zotit për ne, ashtu siç ne po lutemi për ty sot. Kaq shumë miq dhe kaq shumë lot që derdhen për Gjergj Balën sot duhet të bëjnë krenar Aiden dhe djemtë e tij për kaq shumë dashuri e respekt që ka mbjellur Gjergji kudo ku ka shku. Sot ne ia besojmë shpirtin e Gjergjit Zotit, dhe Aidën e djemtë Agron, Martin, Dardan, kujdesit të hyjit dhe dashurisë së njerëzve. Qofsh i parajsës o Gjergj Balaj dhe Zoja e bekuar të shoqëroftë në lumninë e engjëjve e të shenjtërve” përfundoi fjalën prekëse Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, miku më i ngushtë i Gjergjit. Djali i i madh Gjergj Balajt, Agroni dhe mbesa e tij Sofia në fjalën  e lamtumirës përveç betimit për ta dashur e përkujtuar gjithmonë, ata theksuan dashurinë dhe madhështinë e Gjergjit si familjar, mik e shok i veçantë. Në funeralin e lamtumirës në varreza miku i ngushtë i familjes Balaj, Simon Qafa falenderoi në emër të familjes dhe kujtoi vitet plot emocione të forta dhe miqësinë e veçantë me Gjergjin e familjen tij. Në drekën e lamtumirës shtruar nga familja e Gjergjit në nder të kujtimit për të dhe përshpirtshmërisë ndaj tij, familja ndezi qiriun e shenjtë si simbol i dritës, pavdekësisë dhe përjetësisë. Gjergji fluturoi drejtë qiellit dhe dritë e shpirtit të tij fisnik do të ndriçojë përjetë familjen dhe miqtë e tij. Lamtumirë Gjergj Balaj, Zoti të pastë në parajsën e tij, në mbretërinë e ëngjejvë dhe të shenjtërve.

Filed Under: Featured Tagged With: Aida Balaj, Gjergj Balaj, Imzot Gjergj Meta, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT