






Foto: “Noli Tv”/
Vatra “Long Island” dhe Shkolla Shqipe “Gjergj Fishta” – New York, festuan 1 vjetorin e themelimit. Një vit historie suksesi dhe rrugëtimi frymëzues në shërbim të gjuhës shqipe, komunitetit shqiptar në Long Island, kulturës, historisë kombëtare dhe identitetit shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një atmosferë të gëzueshme e frymëzuese në respekt dhe nderim të vlerave tona kombëtare, atdhetare e komunitare, me prezantimin e z.Klaudio Turkaj, fjalimet përshëndetëse të veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe programi artistik i fëmijëve të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” emocionoi të gjithë të pranishmit me këngë kushtuar atdheut, kombit, gjuhës shqipe e figurave të shquara kombëtare.
Kryetari i degës së Vatrës në Long Island dhe themeluesi i shkollës shqipe Dr. Paulin Marku në fjalën e mirëseardhjes theksoi se Vatra Long Island lindi si një ide për të bashkuar komunitetin, për të ruajtur vlerat atdhetare e historike, të të parëve tanë me në krye Fan Nolin, Faik Konica, Kristo Floqi e shumë e shumë intelektualë shqiptarë, gazetarë e atdhetarë të flaktë që kontribuan gjithçka për të ndihmuar në Pavarësinë e Shqipërisë, Pavarësinë e Kosovës, në ruajtjen nga coptimi i trojeve shqiptare, ndihmuan financiarisht vendlindjen dhe mbi të gjitha ngritën edhe marrëdhënie të shkëlqyera me vendin mik dhe krenar për aletatin tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në momente kritike të ekzistencës tonë si shtet – komb, Amerika u gjend në krahun e popullit shqiptar, dhe jemi me fat që ky vend i lire e demokratik na jep mundësinë të shprehemi e të veprojmë lirshëm konfort rregullave e ligjeve amerikane, theksoi Dr. Marku.
Në këtë frymë bashkëpunimi komunitare lindi ideja e themelimit të degës “Vatra” Long Island me iniciativën time dhe me mbeshtjen e Federatës “Vatra” me në krye z.Elmi Berisha e kryesisë së Vatrës dhe të atdhetarëve shqiptarë të Long Islandit. Iniciativës për themelimin e degës iu bashkuan David Turkaj, Besnik Bajraktari, Afrim Gega, Kismet Domi, Klaudio Turkaj, e më pas iu bashkuan iniciativës komunitare, Prend Ndoja, Enard Qepuri, Karafil Bilali, Feim e Altin Durra, Artan Domi, Valdrin Mulaj e shumë e shumë bashkatdhetarë të tjerë. Shkolla shqipe, “Gjergj Fishta” New York me iniciativë të Dr. Paulin Marku dhe mësuese Fabjola Gjinaj Marku u themelua për ti shërbyer fëmijëve të komunitetit shqiptar për të mësuar gjuhën, historinë, kulturën dhe traditat shqiptare. Qëllimi të njohim fëmijët rrënjët shqiptare, ti kultivojnë dhe të ndihen krenar për origjinën e prindërve të tyre.
Emri i kësaj shkolle lindi si një mishërim i njeriut të madh të kombit shqiptar, pjesëmarrësit e drejtuesit të kongresit të Manastirit ku mbrojti me besnikëri alfabetin e gjuhës shqipe, poetit, shkrimtarit, klerikikut, politikan e atdhetarit shqiptar që zemra e tij rrahu për shqiptari pa dallime krahinore por me një qëllim të vetëm për ti shërbyer atdheut, tha ndër të tjera Dr.Marku i cili në fund të fjalës së tij falenderoi vatranët, prindërit e shkollës “Gjergj Fishta” dhe çdo kontributor që ka ndihmuar e bashkëpunuar përgjatë këtij viti të suksesshëm.
Editori i gazetës Dielli theksoi se Vatra Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – New York me punën e shenjtë atdhetare, edukative patriotike dhe komunitare po lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e mërgatës shqiptare të Amerikës. Profesionalizmi, dedikimi dhe përkushtimi i Dr. Paulin Markut e Fabjola Gjinajt janë frymëzues për komunitetin, asete dhe vlera të çmuara që promovojnë dhe kultivojnë vlerat e shenjta e të shtrenjta të kombit tonë.
Në fjalën e lexuar nga Borana Coka, gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës” z.Frank Shkreli thekson se: nxënsit e shkollës “Gjergj Fishta”, teksa mësojnë gjuhën shqipe, mbeten të ndërgjegjshëm dhe të vetdijshëm ndaj rrënjëve të tyre etnike, megjithëse do rriten dhe do të jetojnë në një botë të huaj por të lirë në krahasim me botën e prindërive dhe gjyshërve të tyre. Në këtë oqeanin e madh që e quajmë Amerika jonë e dashur ku ky brez i ri shqiptaro-amerikanësh, përveç gjuhës dhe kulturës shqiptare po brumosen nga ju, njëkohësisht, edhe me ndjenja kombëtare të orgjinës, por si qytetarë të denjë të këtij vendi me të drejta, liri dhe përgjegjësi të barabarta, thuhet në mesazhin e z.Shkreli.
Prozatori dhe poeti z.Prend Ndoja në fjalën e tij emocionale dhe patriotike apeloi për prindërit që të sjellin fëmijët në shkollën shqipe “Gjergj Fishta” si një rrugë të sigurtë drejtë ardhmërisë sonë si komb e komunitet shqiptar. Z. Ilir Cubi përshëndeti aktivitetin atdhetar në emër të kryesisë së Federatës Vatra dhe iu drejtua fëmijëve me një mesazh emocional që të vazhdojnë të bëjnë krenarë prindërit me përkushtimin dhe dashurinë për gjuhën shqipe.
Themeluesja e shkollës shqipe “Skenderbej” znj.Adelina Lacaj në fjalën e saj profesionale theksoi rritjen e nivelit të shkollës shqipe, profesionalizmin e drejtuesve Dr.Marku e Znj.Gjinaj, rolin e shkollës si bazë zhvillimore për shoqërinë dhe rolin e integrimit të komuniteteve përmes shkollës si pasuri dhe sukses komunitar.
Programi muzikor dhe recitali i nxënësve të shkollës shqipe ‘‘Gjergj Fishta’’ New York përgatitur me pasion, dedikim e përkushtim nga znj.Fabjola Gjinaj e
prezantuar nga nxënësit Alisia Durra e Alex Qepuri emocionoi e përloti të pranishmit me ndjenjën e interpretimit, këngët patriotike, magjinë e fjalës, energjinë dhe fuqinë që buron nga shpirti shqiptar.
Programi artistik: 1.Kënga “Rrjedhë me këngë e ligjërime” – Emeli Marku, 2. Vjersha “Shqiponja” – Ajla Durra, 3. Vjersha “Atdheu ynë i shtrenjtë” – Arnisa dhe Arnisi Muçaj, 4. Kënga “Mora fjalë” – Uarda Bilali, 5. Vjersha “Harta”- Wendi Bilali, 6. Kënga “Duaje atdheun tënd” – Ajla Durra, 7. Vallja e Çamërisë, 8. Vjersha “O malet e Shqipërisë ”- Alex Qepuri, 9. “E kam emrin kosovar” – Bora dhe Parta Loxha, 10. Vjersha
“Gjuha shqipe” – Aron Domi, Bojken dhe Era Bajraktari, 11. Vjersha “Atdheut tonë” – Uarda Bilali, 12. Kënga “Jam djalë Dukagjini” – Alex Qepuri, 13. Vjersha “Atdheu ynë” – Kamila Marku, 14. Vjershat nga Dritëroi, Albini dhe Shqiptar Mulaj, 15. Vjersha “Valle shqiptare” – Alisia Durra, 16. Kënga “Xhamadani vija-vija” – Vincent Marku dhe Alex Qepuri, 17. Vjersha “Pranvera” – Parta Loxha, 18. Vjersha “Shqipëria ime” – Emeli Marku, 19. Kënga “Fol Shqip” – Alisia Durra dhe Arnisa Muçaj, 20. “Kënga e nënës” – Wendy Bilali, 21. Vjersha “Abetare” – Bora Loxha, 22. “Këndoj shqip se jam shqiptare” – Emeli Marku, 23. “Ty të ka baba sa shtatë djem” – Klea Bilali, 24.“I dashur atdhe” – Vicent dhe Anton Marku, 25. Kënga “Kosovë-Shqipëri” – Arnisa dhe Arnis Muçaj.
Themeluesja Fabjola Gjinaj në përfundim të programit artistik shprehu falenderim e mirënjohje për pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë, vlerësoi punën e shkëlqyer e bashkëpunimin e prindërve e në veçanti Dorina Durrën për mbështetjen e pakursyer. Ceremonia festive u kurorëzua me shpërndarjen e certifikatave dhe bluzave të shkollës “Gjergj Fishta” për të gjithë fëmijët.
Federata “Vatra”, gazeta “Dielli”, shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – New York e kombi shqiptar rrofshin e qofshin përjetë e mot.





