• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA

April 6, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Një bllok i vogël kapak-zi me logon e AFC-së në tavolinat e bardha të sallës së gjimnazit Boston College High School u bë një simbol të dyfishtë – dije dhe origjinë – në pasditen bashkëbiseduese për gastroenterologjinë të nikoqirëve nga Albanians Fighting Cancer (AFC) dhe mjekëve të ftuar të Shoqatës Gastrointestinale Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Gastrointestinal Association AAGA) me komunitetin shqiptar, ditën e shtunë, më 4 prill, në Boston. “Efekti anësor i prezantimeve” të specialistëve ishte paraqitja e temave në gjuhën amtare, gjë që, për tre prej mjekëve në panel, të ardhur në Amerikë në moshë shumë të njomë, ishte përvojë e re. Anëtari i Bordit, mjeku Agim Aliaj, në cilësinë e moderatorit, u ndal tek mesazhi prekës i videos hyrëse të takimit për të shpjeguar zanafillën e AFC-së. Duke e lidhur videon me konceptin e “afërsisë me njëri tjetrin” në momente kyçe të jetës, ai udhëhoqi bisedën dhe diskutimin, duke e ruajtur dhembshurinë njerëzore si boshtin qendror të pasdites.

Projektori gjigand në faqen e murit përballë, podiumi, stendat anash panelit me logot e secilës shoqatë, flamurët, tavolina e sponsorëve aty pranë, vazot me buqeta të freskëta në sallën me rreth 120 pjesëmarrës përfshirë edhe studentë të interesuar për fushën e mjekësisë ishin si shenjëza mirëseardhjeje në një takim ku prisje të merrje njohuri, por edhe të ishe pjesëmarrës në bisedë.

Shoqata gjashtëvjeçare AFC, e krijuar dhe drejtuar nga Roberta Panariti Nashi, dhe Shoqata e Gastrointensinale Shqiptare Amerikane AAGA, krijuar vitin e kaluar nga Dr. Zana Nikolla, u bashkërenduan, dhe në sajë të grupit të punës të Anilës, Zanës, Elisës, arritën një bisedë të nivelit të një seminari mjekësor. Për sa i takon rritjes së ndërgjegjësimit, Dr. Nikolla përmendi se muaji mars i kushtohet vetëdijesimit për kancerin kolorektal. Sindroma e zorrës së irrituar (IBS) dhe aciditeti i shtuar përfshirë GIRD, prezantuar nga Dr. Lidia Spaho nga Çikago, shkaqet dhe shqetësimet e konstipacionit diskutuar nga Dr. Ergen Musa nga Nju Hampshire, njohuritë dhe studimet më të reja për hepatitin dhe mëlçinë sjellë nga Dr. Zana Nikolla nga Nju Jorku dhe paraqitja shumë e detajuar e endoskopive të avancuara nga Dr. Manol Jovani nga Florida vunë theksin tek dy gjëra: kujdesi proaktiv dhe depistimi (testimet). Dr. Olga Ndoci Ndreko, DPT nga Usteri, me shumë këmbëngulje, theksonte se për shumicën e çrregullimeve të sistemit tretës, që lidhen me fundin e legenit: “Terapia fizike duhet të jetë ndalesa e parë, jo e fundit!”

Udhëzimet e mjekëve për shëndetin e sistemit tretës fillojnë nga dieta, në veçanti marrja e fibrave përmes një konsumimi të pasur me fruta, perime, bishtajore dhe drithëra integrale që është jetik për prebiotikët të cilët ushqejnë bakteriet e mira, stili i jetesës që ndikon thellësisht në mirëqenien e sistemit tretës, hidratimi dhe ngrënia me vetëdije, menaxhimi i stresit, boshti zorrë-tru është një sistem komunikimi me dy-kahe, reduktimi i stresit që përbën një element jetik për të lehtësuar problemet funksionale gastrointestinale si IBS, dhe rëndësia e aktivitetit fizik ditor.

Mesazhi kryesor: Sistemi tretës nuk është thjesht një kombinim organesh për procesimin e ushqimit, por një ekosistem kompleks i lidhur me shëndetin metabolik dhe atë imunitar, meqenëse rreth 70% e imunitetit tonë gjendet në zorrë. Pas prezantimeve, që vazhduan rreth dy orë, vijuan pyetjet për mjekësinë konvencionale dhe atë të modernizuar, vendi që pritet të ketë AI në diagnostikimin mjekësor etj., edhe më tej me biseda “tek e tek” me mjekët e ftuar. Më pas, në pjesën tjetër të sallonit, nga krahu i dritareve të larta nga-toka-në-tavan, ishin shtruar tavolinat me specialitete shqiptare nga Maria’s Trattoria dhe Shkodra Byrek, të sponsorizuara nga TissueCypher krijuar prej kompanisë Castle Biosciences, Inc.

Roberta Nashi shprehu mirënjohje për bujarinë e mjekëve dhe sponsorëve si edhe të gjithë pjesëmarrësve në bashkëbisedimin e së shtunës. Ajo theksoi se “fondet e këtij takimi do përdoren për ecurinë e nismës sonë për të kompletuar pavijonin onkologjik të Spitalit Rajonal të Korçës, që sapo e pajisim me aparatura dhe që do vijojmë ta furnizojmë me pajisje të tjera të nevojshme.”

Foto nga Artan Malaj

Filed Under: Featured

Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago

April 3, 2026 by s p

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois (AACI)/

Më 1 prill, Komuniteti Shqiptar në Chicago shënoi një moment të rëndësishëm me paraqitjen në United Center, para ndeshjes Chicago Bulls vs Indiana Parcers, duke sjellë për herë të parë një performancë të organizuar të kulturës Shqiptare në një nga arenat më të mëdha të qytetit.

Ky aktivitet u realizua nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois (AACI), në bashkëpunim me disa nga grupet më aktive kulturore dhe arsimore në zonë, me qëllim përfaqësimin dinjitoz të kulturës sonë përpara një audience të gjerë dhe ndërtimin e një modeli bashkëpunimi për iniciativa të ardhshme.

Realizimi i performancës kërkoi koordinim të konsiderueshëm ndërmjet grupeve dhe pjesëmarrësve. Drejtimi kreativ dhe koreografia nga Altin Naska – koreograf me përvojë ndërkombëtare dhe aktualisht pronar dhe drejtor i Plainfield Dance Academy – luajti një rol kyç në unifikimin e programit në një paraqitje të strukturuar dhe profesionale.

Në këtë paraqitje morën pjesë:

Shqiponjat e Çikagos

Grupi Arbëria Chicago

Shkolla Shqipe “Kongresi i Manastirit”

Gurra Foundation

Përveç këtyre grupeve, një numër i madh individësh nga komuniteti kontribuan në mënyrë vullnetare në procesin e përgatitjes dhe realizimit të performancës.

Një aspekt i veçantë ishte pjesëmarrja e Gurra Foundation, e bazuar në Milwaukee, e cila udhëtoi për të mbështetur këtë iniciativë – një shembull i bashkëpunimit ndërkomunitar Shqiptar në rajon.

Programi artistik përfshiu valle dhe elemente nga disa treva shqiptare, duke reflektuar pasurinë e traditës sonë përmes kostumeve, koreografisë dhe muzikës.

Një element vizual i veçantë ishte edhe dizajni i logos së “Benny the Bull” me plis shqiptar, realizuar nga Chicago Print Studio – kompani e drejtuar nga Jona Siko, e cila vazhdimisht mbështet iniciativat e komunitetit.

Kontributi muzikor live ishte një komponent i rëndësishëm i programit:

Camilla Nameti në vokal

Olti Vata në çifteli

Ilir dhe Adem Hasani në tupan

Ndërkohë, përpunimi dhe miksimi i audios nga Gjaneto Harusha siguroi cilësi teknike të përshtatshme për një ambient si United Center. Ai është ish-President i Bordit të AACI dhe një nga donatorët kryesorë të komunitetit, duke mbështetur vazhdimisht iniciativat si në angazhim, ashtu edhe financiarisht.

Një falënderim i veçantë shkon për Konsullatën e Republikës së Kosovës në Iowa dhe Shefin e Misionit, Drilon Zogaj, për praninë dhe mbështetjen e tyre në këtë event. Pjesëmarrja e tij ishte një vlerësim i rëndësishëm për komunitetin tonë dhe një dëshmi e lidhjes së fortë ndërmjet institucioneve dhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Ky aktivitet demonstron kapacitetin e komunitetit Shqiptar në Illinois për të organizuar dhe realizuar iniciativa të përbashkëta në një nivel të lartë, duke krijuar një bazë të fortë për projekte të ardhshme dhe rritjen e prezencës sonë në skena të rëndësishme.

AACI shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit që kontribuan në realizimin e këtij momenti.

Në veçanti, falënderojmë anëtarët aktualë të Bordit të AACI dhe vullnetarët tanë për punën, përkushtimin dhe kohën e tyre në organizimin dhe realizimin e këtij eventi. Ky rezultat është drejtpërdrejt fryt i angazhimit të tyre.

Bordi i Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois:

Edon Shaqiri, Kryetar i Bordit – Lugina e Preshevës

Klemens Kuqi, Nënkryetar – Shqipëria

Saranda Asanoski, Sekretare – Maqedonia e Veriut

Liridona Hoti, Arkatare – Kosova

Adelsa Hoti – Çamëria

Samir Xhurreta – Mali i Zi

Muharrem Abazi – Lugina e Preshevës

Fatos Brahimi – Kosova

Fiorela Pazolli – Shqipëria

Arman Zumberi – Maqedonia e Veriut

Ardian Bardhi – Mali i Zi

Vullnetarë dhe kontribues kryesorë:

Ani Murati

Elton Ademi

Emiliano Abedini, Drejtor i Medias

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ne Illinois (AACI) është një organizatë jofitimprurëse dhe e drejtuar nga vullnetarë, që synon të bashkojë dhe përfaqësojë Shqiptarët nga të gjitha trevat -Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva dhe Çamëria – duke ndërtuar një platformë të përbashkët për zhvillim kulturor, profesional dhe komunitar. Bordi ynë drejtues është i veçantë, pasi përfshin përfaqësim nga të gjitha këto rajone dhe është ndërbrezor, duke sjellë së bashku përvoja, perspektiva dhe energji të ndryshme në shërbim të komunitetit.

Filed Under: Featured

Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar

April 3, 2026 by s p

#AShSh

#BandaVatra

Në prill të vitit 1920, banda kombëtare “Vatra” mbërriti në Shqipëri për të marrë pjesë në zhvillimet vendimtare të kohës, në mbështetje të përpjekjeve për çlirimin e vendit, së bashku me “Trupin vullnetar” të drejtuar nga Aqif Pashë Përmeti (1884–1945). Para angazhimit të saj në Luftën e Vlorës, kjo bandë zhvilloi një sërë koncertesh në qytetet kryesore të Shqipërisë, si Korça, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Berati, Durrësi dhe Tirana, gjatë muajve prill–maj 1920.

Këto veprimtari artistike përçuan një frymë të lartë optimizmi dhe gjallërie, duke ndikuar ndjeshëm si në moralin e popullsisë, ashtu edhe në vetë anëtarët e bandës. Mbështetja e federatës “Vatra” për çështjen kombëtare u shpreh jo vetëm në këtë aspekt kulturor, por edhe përmes ndihmës së vazhdueshme financiare.

Pjesëmarrja e bandës në Luftën e Vlorës nuk u kufizua vetëm në kontributin simbolik: përmes muzikës së saj, ajo u shndërrua në një instrument të fuqishëm mobilizimi dhe frymëzimi. Siç dëshmohet nga burimet e kohës, pjesëtarët e saj shkonin disa herë në ditë në front për të interpretuar për luftëtarët shqiptarë, duke mbajtur lart moralin e tyre.

Dokumentacioni fotografik dhe burime të tjera historike konfirmojnë praninë e bandës “Vatra” në Vlorë në ditën e çlirimit, së bashku me rreth 250 vullnetarë nga qarku i Korçës, ndër të cilët edhe 120 të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtypi i kohës evidenton rolin e rëndësishëm të kësaj bande në zhvillimet e luftës. “Gazet’e Korçës”, në numrin e datës 4 shtator 1920, përshkruan ndikimin e saj në betejën e Drashovicës, ku përmes marshimeve patriotike u rrit ndjeshëm fryma luftarake e forcave shqiptare. Në çastet kulmore të fitores, ngritja simbolike e flamurit u shoqërua me tingujt e himnit kombëtar, interpretuar nga banda “Vatra” dhe banda “Afërdita” e Elbasanit, duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë ceremonial dhe kombëtar.

Veprimtaria e bandës “Vatra” në Vlorë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë në historinë kulturore shqiptare. Përmes krijimtarisë së Thoma Nasit dhe veçanërisht kompozimit të këngës-himn “Vlora-Vlora”, me tekst të Ali Asllanit, kjo bandë kontribuoi në formësimin e identitetit simbolik të Luftës së Vlorës si një luftë kombëtare e mirëorganizuar. Anëtarët e saj nuk ishin thjesht muzikantë, por përfaqësues të një misioni të qartë kulturor dhe atdhetar, në përputhje me idealet e kohës për një Shqipëri të lirë dhe të zhvilluar.

Në vitet 1920, falë veprimtarisë së Thoma Nasit dhe bandës “Vatra”, roli i muzikës dhe artit në shoqërinë shqiptare njohu një zhvillim të ri. Një ndër arritjet më të rëndësishme ishte krijimi i orkestrës së parë simfonike në Shqipëri, me qendër në Korçë, koncerti premierë i së cilës u zhvillua në prill të vitit 1924. Ky hap u parapri nga një vizion i qartë teorik dhe organizativ, i shprehur nga Nasi në artikullin “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” (1923), duke dëshmuar kapacitetet artistike dhe institucionale të vendit.

Banda “Vatra” ishte gjithashtu pjesë aktive në ngjarje të rëndësishme shqiptaro-amerikane. Në prill 1922, ajo mori pjesë në ceremoninë inauguruese të Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë (Shkolla e Fultzit), si dhe në ceremonitë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 1925, banda u transferua në Tiranë dhe u shpall “Bandë Presidenciale” e shtetit shqiptar, ndërsa në vitin 1928 mori statusin “Bandë Mbretërore”. Ndikimi i saj u shtri në të gjithë vendin, duke shërbyer si katalizator i zhvillimeve kulturore dhe artistike. Ajo kontribuoi në themelimin e jetës muzikore në qytetet shqiptare, në futjen e edukimit muzikor në sistemin arsimor dhe në nxitjen e botimeve muzikore në Shqipëri.

Në vitin 2021, Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi veprën “Banda kombëtare ‘Vatra’: një histori unike shqiptaro-amerikane” të akademikut Vasil S. Tole. Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 dhe rolit të tyre në forcimin e ndjenjës kombëtare, në një periudhë vendimtare për konsolidimin e shtetit shqiptar, pas Kongresit të Lushnjës dhe gjatë përpjekjeve për mbrojtjen e sovranitetit territorial të vendit.

www.akad.gov.al

Filed Under: Featured

“VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ

March 16, 2026 by s p

Sokol Paja/

Hartsdale, New York, 15 mars 2026 – Federata Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Onufri” dhe Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, promovuan romanin “Brenga” të autorit Dr. Pashko R. Camaj. Përveç se një vepër e shkëlqyer letrare, “Brenga”, me parathënie nga Visar Zhiti, në vetvete është një dëshmi e krimeve e torturave të regjimit komunist mbi shqiptarët e pafajshëm dhe një homazh për qëndresën, guximin, dinjitetin njerëzor, moralin dhe shpirtin e pathyeshëm shqiptar. Me pjesëmarrjen a aktorëve kryesorë të komunitetit shqiptar, veprimtarëve, studiuesve e atdhetarëve të mërgatës shqiptare në New York e më gjerë, u promovua një letërsi si dëshmi e vërtetësi historike, përgjegjësi kombëtare, kulturore e atdhetare.

Famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj në fjalën e tij përmendi kontributin komunitar e vlerat atdhetare të Tonin Mirakajt, qëndresën e shqiptarëve në regjimin diktatorial, vuajtjet e paimagjinueshme të shqiptarëve gjatë regjimit komunist dhe rolin e dëshmive historike për të pasuruar kujtesën njerëzore e kombëtare.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha theksoi se personazhi kryesor, i ndërtuar nga ngjarje reale te familjes se Tonin Mirakajt, mbart një “brengë” të përhershme, që është simbol i dhimbjes kolektive të shqiptareve që u detyruan të braktisnin atdheun nen sistemin komunist. Vlera morale dhe historike e romanit është ruajtja e kujtesës historike në një kohë kur e vërteta rrezikon të zbehet. Kur autori flet për “kujtesën historike”, ai e sheh romanin si një mjet për të dokumentuar atë që tekstet zyrtare të historisë shpesh e anashkalojnë: përjetimin njerëzor, dhimbjen dhe të vërtetat e pathëna. Në një kohë kur propaganda ose kalimi i viteve mund ta “zbehin” të vërtetën, romani shndërrohet në një arkiv të gjallë që mbron identitetin e një populli apo të një epoke, theksoi Dr. Berisha.

Poetja Luljeta Lleshanaku në fjalën e saj tha se romani “Brenga” i zotit Camaj, është një provë për rëndësinë e qëndrueshme që fiton një ngjarje historike përmes rrëfimit letrar. Autori ia ka dalë që të shndërrojë përvojën historike në histori njerëzore, duke i mundësuar audiencës të përjetojë ngjarjet në vend që thjesht të mësojë rreth tyre. Autori ia del të menaxhojë mjeshtërisht dramacitetin nga njëri kapitull në tjetrin, duke e lënë për në fund shkarkimin, klimaksin: ritakimin e dy shokëve Tonini e Marku, si përballje e dy epokave! Ky është një nga episodet më emocionues, që gati të lë pa frymë. Ky roman, nuk është thjesht një roman mbi komunizmin në përgjithësi, por mbi një aspekt shumë specifik, që është: përndjekja e bazuar në linjën e gjakut, klasës dhe lidhjeve shoqërore në regjimet komuniste. “Brenga” na ndihmon për të kuptuar brengën e madhe të gjyshërve dhe baballaravë tanë të cilët u detyruan në braktisnin atdheun si emigrantë politikë, duke lënë pas familjet dhe të afërmit e tyre, miqtë e tyre, të cilët iu nështruan një kalvari të pashembullt vuajtesh nëpër kampe dhe burgje për 47 vjet me radhë, theksoi ndër të tjera poetja Luljeta Lleshanaku.

Diplomati dhe gazetari Virgjil Kule u shpreh se romani “Brenga” rrjedh si një lumë i rrëmbyeshëm empathie per të vuajturit pa faj. Dy shokë të ngushtë të cilët, në një moment të caktuar të jetës së tyre rinore, detyrohen të ndahen. I pari i jep fund anktheve dhe pasigurisë sociale e fizike duke ndërmarrë një udhëtim rokambolesk arratisjeje në Perëndim, ndërsa i dyti fillon kalvarin e vështirë të stigmës politike dhe burgjeve te diktaturës në vendlindje. Të rrethuar nga mjedise të ndryshme të dy pësojnë transformime thelbësore në mentalitet dhe në këndvështrimet ndaj fatit dhe fatalitetit. Në fjalët e personazhit Mark, autori Camaj i bën jehonë fjalëve monumentale të Tomas Xhafersonit të integruara në deklaratën amerikane te pavarësisë: “E drejta për të kërkuar lumturinë është një e drejtë fondamentale e patjetërsueshme e cdo njeriu.

Ajo nënkupton realizimin personal, begatinë shpirtërore dhe mirëqënien materiale pa ndërhyrjen e shtetit, me kushtin e vetëm që të mos shkelë të drejtat e tjetrit”. Autori bën kështu letërsi për lirinë. Albert Kamy thotë se arti dhe letërsia shpallin lirinë edhe kur ajo duket e pamundur. Në veprën e Pashko Camaj bashkjetojnë si liria e fituar ashtu edhe pamundësia për ta pasur atë. Tonini dhe Marku, dy zogj që ëndëruan qiellin dhe diellin, i cili për ta nuk ndriçoi sipas ligjeve të natyrës por sipas ligjeve të shpirtit të tyre. Te personazhi Mark unë psikologjis diçka nga vetë autori, empathinë, ndjeshmërinë, paqedashjen dhe urtësinë e gjykimit, të cilat duket seai i ka në doza të larta, tha ndër të tjera diplomati Kule.

Gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës” z.Frank Shkreli deklaroi se “Brenga” është një dëshmi morale dhe historike për një epokë që ka lënë plagë të thella në shpirtin e Kombit shqiptar. “Brenga” vjen para nesh si një zë që flet për dhimbjen e sakrificën por dhe për përvojën e një kohe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë shqiptarëve. “Brenga” është një rrëfim i thellë njerëzor dhe një dëshmi e fuqishme e kujtesës sonë historike theksoi z.Shkreli. “Brenga” është më shumë se një rrëfim letrar, është një kujtesë e gjallë e dramës njerëzore që përjetoi populli ynë në një periudhë të vështirë të historisë së tij, theksoi ndër të tjera z.Shkreli.

Dr. Ardiana Mici në fjalën e saj theksoi se romani “Brenga” hedh dritë mbi përvojat e dhimbshme të individëve gjatë periudhës së diktaturës komuniste, përvoja që për një kohë të gjatë mbetën të pazëshme. Letërsia e realizmit socialist nuk përcillte vërtetësi, kështu që këto dhimbje kanë qenë të kycura mes vuajtësve dhe shkaktarëve të tyre. Romani Brenga kontribuon në ndërtimin e një letërsie të kujtesës, e cila synon të ruajë të vërtetën, të nxisë reflektimin dhe ti shërbejë kombit që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Romani në thelb është një homazh për qëndrueshmërinë njerëzore, për aftësinë e njeriut për të ruajtur dinjitetin dhe vlerat edhe përballë një sistemi të ndërtuar për ti shkatërruar ato. Në letërsinë që trajton temat e identitetit, emigrimit dhe traumës historike, “Brenga” zë një vend të çmuar si dëshmi artistike dhe njerëzore e një periudhe nga më të vështirat e historisë shqiptare, theksoi ndër të tjera Dr. Mici.

Gazetari i shquar z.Gjekë Gjonlekaj shprehu vlerësim e falënderim ndaj shtëpisë së famshme botuese “Onufri” për botimet cilësore të librave të Martin Camaj e Pashko Camaj dhe përmendi të kaluarën e hershme historike të familjes Camaj. “Brengën” z.Gjonlekaj e cilësoi një vepër të shkëlqyer letrare që depërton thellë në jetën personazheve.

Gazetarja e shquar e “Zërit të Amerikës” znj.Laura Konda në fjalën e lexuar nga Meri Camaj shprehet se “Brenga” i ngjan një skenari filmi, që shpalos skena tragjike për syrin e lexuesit. Autori përshkruan paralelisht e me ngjyra reale dy kalvare: nga njëra anë rruga plot peripecira e arratisjes së familjes së Toninit dhe e dy familjeve të tjera. Ata kaptojnë male, lumenj, në mes të të ftohtit të netëve e shiut, të uritur e të rreckosur.

Autori përshkruan paralelisht kalvarin e Markut, që e torturojnë me forma nga më çnjerëzoret për ta detyruar të pohojë se ka bashkëpunuar me Toninin për arratisjen. Përmes personazhit të Markut, autori shpalos një ide themelore të romanit, humanizmin. Të burgosurit, edhe pse të rraskapitur, të sakatuar fizikisht e të uritur, nuk e humbën ndjenjën e humanizmit. Historia njerëzore është e mbushur me kapituj të errët, ku pushteti, apo ideologjia kanë tentuar ta zhbëjnë thelbin e qenies njerëzore. Procesi i këtij dehumanizimi nuk synon vetëm dhimbjen fizike, ai synon asgjësimin e identitetit dhe mbi të gjitha, moralit. Por në shumë raste, individi, ndonëse i zhveshur nga çdo liri e jashtme, refuzon të dorëzojë lirinë e tij të brendshme, thekson në analizën e veprës “Brenga” gazetarja Laura Konda.

Gjon F. Ivezaj prezantoi jetëshkrimin, formimin dhe kontributin komunitar, letrar e atdhetar të Pashko Camajt duke bërë edhe një analizë kritike të romanit “Brenga”.

Personazhi i gjallë i romanit “Brenga” z.Tonin Mirakaj në fjalën e tij analizoi veprat e Dr.Pashko Camajt, theksoi pandëshkueshmërinë e dënimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri, persekutimin, burgosjen e torturat ndaj familjeve fisnike antikomuniste në regjimin monstruoz e primitiv në komunizëm.

Botuesi i “Brengës” z.Bujar Hudhri në fjalën e tij vlerësoi Vatrën legjendare për vlerat historike dhe ruajtjen e shqiptarisë, vuri theksin se në diktaturë nuk kishte dhimbje e dashuri njerëzore, një kohë ku për krimet e komunizmit nuk kërkoi askush falje. Libri përmban dramat e dhimbshme të arratisjes së shqiptarëve dhe shoqëria shqiptare që nuk u ndërgjegjësua kurrë dhe nuk u vë në vend morali, jetët e shkatërruara e dinjiteti njerëzor. Z. Hudhri analizoi me detaje veprat letrare të Camajt ku historia personale e njerëzore bëhet pronë e të gjithëve në një vepër për të cilën ka interes shoqëria, institucionet, letërsia e historia.

Skenografi e piktori i komunitetit shqiptar në New York, artisti Astrit Tota vlerësoi personalitetin e Dr.Pashko Camajt dhe i dhuroi një portret punuar enkas për këtë ditë.

Autori i romanit “Brenga” Dr. Pashko R. Camaj në fjalën përmbyllëse e falenderuese u shpreh se vepra e tij u jep zë atyre zërave të heshtur dhe të shuar që kurrë nuk u dëgjuan në diktaturë. Në përfundim të promovimit shtëpia botuese “Onufri” shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit. Promovimi i “Brengës” shënoi një ngjarje kulturore që bashkoi shqiptarët e Amerikës në një festë libri që përkujton, lirinë, guximin, shpresën e dinjitetin njerëzor.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK

February 23, 2026 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 shkurt 2026 – Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës u përkujtua në New York në një sesion shkencor të organizuar nga Fondi Humanitar “Trieshi” në “Tesoro D’Italia Restaurant” dhe me pjesëmarrjen e studiuesve, gazetarëve, historianëve e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Aktiviteti kulturor për të nderuar Dr.Athanas Gegajn si shembull i patriotizmit, shkencës dhe publicistikës me kontribute të qenësishme në shkencë, gazetari, fe e kulturë shqiptare u prezantua denjësisht nga Kolë Cacaj.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Fondit Humanitar Trieshi z.Gjon Gjokaj theksoi se Dr. Athanas Gegaj, një nga figurat më ikonike të kulturës dhe nacionalizmit shqiptar të shekullit të 20-të. Sipas z.Gjokaj, nga arritjet e mëdha të Dr. Athanas Gegaj dhe veprave të tij letrare në fusha të ndryshme të dijes teologjike, publicistike, politike dhe kulturore, dëshirojmë t’ju kujtojmë se emri i tij sot lidhet kryesisht me studimin monumental mbi historinë e “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, një vepër e konsideruar nga shumë studiues si gurëthemeli i albanologjisë dhe historiografisë mesjetare të Shqipërisë.

Gazetari Gjekë Gjonlekaj diskutoi rreth kontributit të Gjon Gjekës Lucaj për hapjen e shkollës shqipe në Triesh, tezën e Gegajt se Kosova është e Shqipërisë dhe Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë. Ai ishte një rilindas besnik i atdheut, gjuhës shqipe dhe popullit shqiptar, persekutimin e Gegajt nga fashistët, bashkëpunimi me Mbretin Zog dhe miqësinë me Nolin e aspekte të veçanta të veprimtarisë dhe jetës publike e private.

Diplomati Virgjil Kule theksoi se e veçanta e Gegajt është se ndryshe nga ne të tjerët që kemi marrë si pikënisje Barletin, ai është bazuar në veprën e hershme të Anonimit ngaTivari për të shkruar në frëngjisht disertacionin e tij “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin XV). Vlerësimet e para shumë pozitive i erdhën Gegajt nga miku i tij i çmuar, i madhi Fan Noli i cili tha se vepra e Athanasit në frëngjisht mbi Skënderbenë ishte më e mbaruara që kishte parë dritën e botimit gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare. Po atë vit Noli kishte përfunduar veprën e tij mbi Skënderbeun. Po përse këta figura komplekse të historisë intelektuale të popullit shqiptar janë interesuar dhe kanë shkruar për Skënderbeun? Përgjigjen për këtë pyetje na jep vetë Gegaj kur thotë në një intervistë të tij: Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Ai është heroi i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV-tin shekull. Për më tepër Skënderbeu është ai personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar, tha ndër të tjera diplomati Kule.

Editori i Diellit Sokol Paja analizoi veprimtarinë e Dr. Athanas Gegajt si editor i gazetës Dielli. Dr. Gegaj si editor dhe funksionar i Vatrës ruajti ndershmërisht balancat në Federatën Vatra e gazetën Dielli, promovoi kulturën, vlerat dhe idetë amerikane në jetën e komunitetit shqiptar, promovoi kulturalisht historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar, luftoi pa mëshirë diktaturën, tiraninë dhe regjimin shtypës të Tiranës, bashkoi, promovoi, zhvilloi dhe integroi komunitetin shqiptar në Amerikë, shërbeu si urë lidhëse e përbashkues i intelektualëve shqiptarë në Amerikë e Europë, lëvroi teza historike dhe identitare në dobi të kombit, atdheut dhe historisë kombëtare. Në shkrimet editoriale të Diellit, Dr. Gegaj synonte bashkimin e shqiptarëve përtej ndarjeve politike, krahinore apo ideologjike, qëndrimeve ndaj historisë apo periudhave të caktuara, duke e konsideruar unitetin kombëtar si vlerë themelore të shqiptarëve kudo vepronin e punonin. Editorialet informuese, argumentuese, bindëse e analizuese të Gegajt jo vetëm që informuan e ndikuan komunitetin por edhe e drejtuan dhe organizuan atë.

Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën e tij theksoi se Dr. Athanas Gegaj është një figurë e rëndësishme në

historinë e Vatrës, veçanërisht, në profilin e tij si editor i gazetës Dielli për periudhën 1963-1971. Ai kishte profil të spikatur në diasporë sepse ishte aktiv në jetën komunitare shqiptare tē diasporës dhe në lëvizjet politike si (Blloku Indipendent, sekretar dhe redaktor i gazetës L’ Albanie Libre, organizator në Ballin

Kombëtar, punoi pak kohë për Komitetin Shqipëria e Lirë dhe në shtator të vitit 1963 zgjidhet editor i gazetës “Dielli”, cili kishte jetuar më parë në Itali, deri në vitin 1960, pastaj emigroi në Francë ku qëndroi për dy vite, deri në 1962, dhe pastaj u largua për në Amerikë. Dr. Marku ekspozoi një letër shpirtërore e patriotike të Dr. Gegajt drejtuar Gurazezit: “unë do të kryej detyrën deri në pikën e fundit, dhe nuk do

të veproj, në asnjë mënyrë, që organizata të pësojë përçarje. Sot jam, nesër nuk jam më. Por Vatra duhet të vazhdojë, sepse është gjëja më e bukur që ka komuniteti ynë. Është një trashëgimi madhështore, për ne të gjithë. I vetmi trashëgim, tha Dr. Marku.

Historiani Zef Ujkaj analizoi veprat “Albania”, të autorëve Athanas Gegaj dhe Rexhep Krasniqi, një botim i emigracionit politik, publicistik dhe intelektual, duke synuar të informojë dhe sensibilizojë opinionin ndërkombëtar mbi realitetin politik, historik e shoqëror e Shqipërisë së bashku, por edhe për rrjedhat historike të saj. Historiani Ujkaj theksoi se në kumtesën e tij “Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit”, kapitulli i parë paraqet një analizë të përmbledhur të përmbajtjes dhe sinimeve kryesore të veprave “Albania”. Kapitulli i dytë fokusohet në jetën dhe veprimtarinë e autorëve Gegaj dhe Krasniqi. Kapitulli i tretë i trajton rolin e Asamblesë së Kombeve të Robëruara e Evropës, si organizmi që mundësoi botimin dhe shpërndarjen e kësaj broshure mbi Shqipërinë, duke e vendosur atë në kuadër të veprimtarisë antikomuniste dhe lobimit politik në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu analizon veprimtarinë së Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” si strukturë politike e emigracionit shqiptar që bënin pjesë Krasniqi dhe Gegaj dhe prej nga u iniciua dhe u botua vepra “Albania”.

Veprimtari Lulash Palushaj në kumtesën “Veprimtaria patriotike e shkencore e Athanas Gegajt” shpalosi vlerat akademike të Dr Athans Gegajt, formimin e tij si njohës i shumë gjuhëve të huaja, aspekte të veprimtarisë atdhetare në Amerikë, në Europë dhe profilin e tij si studiues i veprës së Skënderbeut etj.

Gazetari Zef Pergega në kumtesën “Origjina e Skenderbeut ne vepren e Athanas Gegajt” theksoi se Dr. Athanas Gegaj na tregoi se malësorët, si arbëreshët shqiptar në Itali, dhe jo arbëreshët e Italisë, janë esenca oigjinale e painfektuar e palcës kombëtare. Ai na mësoi se fatkeqësia e kombit tonë është se hyjnë në historinë e tij, njerëz nga politika, për të cilët u duhet njohur AND-ja, dhe dalin me brryla dhe arkivole, njerëzit që kanë merita! Të gjithë e

duam lirinë, por, pak vetë dalim, për ta mbrojtuar atë. Ka ardhur koha të mos e gremë flamurin e armikut dhe mos guxojë kush ta mbulojë fytyrën e Kastriotit në shesh të kombit. Ai na mësoi se s’ka si bëhet Shqipëria, kur braktiset nga dituria, se historia e Shqipërisë, nuk mund të shkruhet pa shqiptarët e botës së lirë dhe ata që jetojnë padrejtësisht në shtetet fqinjë dhe se pa malësorët s’ka komb me traditë

origjinale autoktone. Ai e konceptonte Gjergį Kastriotin si babai i kombit, por qeveritarët, nuk e pranuan si të tillë. Familjarë të Gjergj Kastriotit i gjen në Amerikë dhe në Kanada, që në fillim të shek. 17-të, madje në këto dy shtete, 400 prej tyre mbajnë mbiemrin Scanderbeg.

Ua kam shpjeguar se ky mbiemër, nuk është skocez, por shqiptar, tha ndër të tjera z.Përgega.

Gazetari Rafael Floqi, në kumtesën e lexuar nga Helena Lubonja Ujkaj shprehet se Athanas Gegaj nuk i besoi Biemmit nga naiviteti, por nga bindja se historia e Skënderbeut nuk mund të ndërtohet mbi një zë të vetëm. Debati mes Biemmit, Babingerit, Marineskut dhe Frashërit pasqyron rrugën e gjatë të historiografisë shqiptare: nga miti drejt dokumentit, nga rrëfimi heroik drejt analizës kritike.

Gazetari i shquar Frank Shkreli në kumtesën e lexuar nga Driton Sinishtaj shprehet se figura të larta të kombit si Athans Gegaj duhet të kthehen, njëherë e mirë dhe për hir të së vërtetës historike, në qëndër të debatit shkencor dhe akademik, jo vetëm si një përgjegjësi morale — por edhe si një detyrim akademik dhe kombëtar. Margjinalizimi zyrtar i figurave kombëtare anti-komuniste si Dr. Athanas Gegajt, një nga historianët më seriozë shqiptarë të shekullit XX, ishte një padrejtësi e madhe historike e regjimit komunist.

Nikollë Gegaj, nipi i Dr. Athanas Gegajt përshëndeti me një letër të pranishmit mbi rëndësinë e aktivitetit ndërsa nipi tjetër i Dr. Gegajt, Zef Volaj mbajti një fjalë falenderuese dhe emocionale. Gjithashtu, Ded Camaj njohës i Dr. Athanas Gegaj tregoi aspekte të veçanta të takimit me Dr. Gegajn në Itali kur organizohej festa e flamurit kombëtar.

Gjek Gjonlekaj apeloi në fund të aktivitetit që Shqipëria dhe Kosova duhet ti bëjnë nderimet më të larta Dr. Athanas Gegajt si personalitet i shquar kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky sesion shkencor ishte një aktivitet i shkëlqyer patriotik e kulturor ku u nderua Dr. Athanas Gegaj një ndër personalitetet më të shquara të Vatrës, Diellit e të shqiptarëve të Amerikës në vitet 60-të – 70-të.

Filed Under: Featured Tagged With: Athanas Gegaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 904
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VINÇENC PRENNUSHI – NJË JETË MES FJALËS, BESIMIT DHE LIRISË
  • Kur Kristo Dako dhe Mihal Grameno i kërkuan Wilsonit të mbronte Shqipërinë
  • Demografia dhe gjeopolitika e Vilajetit të Kosovës në prag të Konferencës së Paqes në Paris (1919)
  • Triumfi kujtesës mbi diktaturën
  • Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë
  • NËNË TEREZA, SIMBOLI I BASHKIMIT TË SHQIPTARËVE
  • “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”
  • “Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë… e njeriut të ashpër dhe zemërmirë…”
  • FROM GONXHE OF SKOPJE TO THE UNIVERSAL MOTHER TERESA
  • “NJË ÇARJE NË PERDEN E SHQIPËRISË”
  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT