• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1 shtator 1928 – 1 shtator 2018- 90 vjetori i Mbretërisë Shqiptare

September 1, 2018 by dgreca

Shpallja e Monarkisë domosdoshmëri kombëtare dhe e ligjshme/

1-Martesa-e-Zogut-300x131

Këtu e 90 vjet më pare, pikërisht me 1 shtator 1928, ora 09.12, Asamblea Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”./

foto per email

Nga Ekrem Spahiu/

Kalimi i Shqipërisë në sistemin monarkik të formës së regjimit, ishte në fakt kalim në një sistem më afër tradicionales dhe më të pranueshëm për shqiptarët, se sa sistemi republikan. Mbretërinë e instaloi i njëjti personalitet, i cili tre-katër vite më parë kishte instaluar Republikën dhe ishte shpallur President i kësaj Republike. Ky akt është pritur dhe vlerësuar me kundërthënie nga më të ndryshmet. Vlerësimi më radikal ka qenë se monarkia e instaluar nga Ahmet Zogu nuk ka qenë e ligjshme dhe ishte thjesht shprehje e ambicieve personale të Ahmet Zogut.

Një vlerësim tjetër është se instalimi i mbretërisë nuk ka qenë i ligjshëm, por një akt politik i domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Një vlerësim i tretë është se instalimi i mbretërisë ka qenë domosdoshmëri kombëtare dhe është bërë në mënyrë krejtësisht të ligjshme.

Nga pikëpamja juridike, të treja vlerësimet meritojnë vëmendje, për më tepër që mbretëria, si sistem politik e ka në rrënjë mbretërinë e ligjit si sistem juridik. Atëherë, le të ndalemi tek disa aspekte të instalimit të mbretërisë në Shqipëri.

Sikurse e thamë, i njëjti personalitet që drejtoi vendin për rreth katër vjet në cilësinë e Presidentit dhe Kryeministrit, po ai u shpall edhe Mbret i Shqiptarëve. Nëse kjo do të ishte çështje vullneti apo ambiciesh politike, atëherë çfarë apo kush mund ta ndalte Ahmet Zogun që ta instalonte Mbretërinë qysh më 1924, ku u rikthye në pushtet? Autoritetin e kishte. Vlerat drejtuese i kishte shprehur edhe më parë, madje  në një  post  mjaft delikat  si  ai i  Ministrit  të Brendshëm.  Kundërshtarët politikë të udhëhequr nga Fan Noli, që erdhen në pushtet në rrugë jolegjitime nuk gëzuan asnjë njohje ndërkombëtare dhe u larguan pas gjashtë muajve nga pushteti (24 dhjetor 1924). Shqipëria nuk kishte një traditë politike dhe në këto kushte mund të bëje si të doje. Atëherë përse nuk e bëri Ahmet Zogu qysh në fillim këtë akt të shpalljes së Mbretërisë? Për hipokrizi?

E vërteta është krejt ndryshe. Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri nga Republikë në Monarki, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me proçesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e proçedurave kushtetuese e ligjore.

Ahmet Zogu nuk mund të bënte një hap politik që do të ishte në kundërshtim me të drejtat e trashëgimisë. Sikurse është e njohur, në Konferencën e Ambasadorëve 29 korrik 1913, midis të tjerash, ishte vendosur qysh në pikën 1 të Deklaratës se: “Shqipëria konstituohet si një principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme sipas rrjedhës së paraardhësve të një gjaku, nën garancitë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Princi do të caktohet nga gjashtë Fuqitë e Mëdha”. Po ashtu, dimë se menjëherë pas Konferencës së Ambasadorëve, u caktua edhe trashëgimtari që do të ushtronte këtë funksion, princi me origjinë gjermane Vilhelm Vid, i cili nuk mundi të qëndrojë më shumë se sa rreth 6 muaj (7 mars-3 shtator 1914) për të ushtruar pushtetin princëror të tij.

Princi Vilhelm Vid, edhe pse i larguar, asnjëherë nuk pati shpallur abdikimin për të liruar rrugën, qoftë për mbret apo princ pasardhës, qoftë edhe për të hapur rrugën ndryshimit të regjimit. Në këto kushte, më 1924, Ahmet Zogu nuk mund të shpallte vijimin e rrjedhës mbretërore/princërore, sepse kjo i takonte vetëm Princit Vilhelm Vid. Atëherë, Ahmet Zogu zgjodhi rrugën e dytë: shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të vetes së tij President dhe Kryeministër.

Por e pashpjeguar mirë në historiografinë e Shqipërisë deri tani, është se përse Ahmet Zogu nuk u shpreh ekskluzivisht dhe paralelisht se “Nuk njeh mbretërinë”, kur ai e shpalli Shqipërinë “Republikë” dhe veten “President dhe Kryeministër”? Mendoj se pikërisht këtu qëndron çelësi i shpjegimit dhe jo sikurse e shpjegojnë një kategori historianësh, të cilët shprehen se me shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të Ahmet Zogut si President të saj, u suprimua plotësisht forma monarkike e qeverisjes në Shqipëri.

Ahmet Zogu, në vitin 1925, kur erdhi në krye të Republikës si President, shpalli një lloj regjimi që të ishte i pranueshëm dhe në dobi të popullit e shtetit shqiptar, një regjim të tillë që do të vendoste në rrugë institucionale, funksionimin e gjithë shoqërisë dhe të politikës shqiptare, të cilat prej 13  vjetësh nga  shpallja  e pavarësisë,  kishin  qenë në  kaos  të plotë. Ndërkohë, me këtë akt, Ahmet Zogu nuk shpalli mosnjohjen e mbretërisë. Përkundrazi, ai la hapur mundësinë e vijimësisë mbretërore.

Sapo Zogu e forcoi shtetin në masën e mjaftueshme për të qenë i aftë të marrë dhe të administrojë pushtetet e veta, atëherë ai shkoi përsëri në origjinën politike të njohur apo të deklaruar edhe nga Fuqitë e Mëdha: mbretërinë e trashëgueshme. Për të kaluar këtë “prag politik”, mbetej vetëm një pengesë: Princi Vilhelm Vid ishte gjallë dhe ai ende nuk qe shprehur nëse vijonte të pretendonte fronin mbretëror apo abdikonte prej këtij froni, duke ia lënë dikujt tjetër mundësinë ta trashëgojë. Në këtë kuadër, shumë historiografë e kanë deformuar apo nuk e kanë lexuar si duhet referimin për deklaratën e Princ Vidit të datës 24 gusht 1928, të cilën po e citojmë me korrektesë siç është sjellë nga autori i paanshëm Ouen Pearson, në librin e tij “Shqiperia dhe Mbreti Zog” (faqe 292-293), “Ish Mbreti Vilhelm, Princi Vidi, i cili kurrë nuk kishte abdikuar, lëshoi një deklaratë me të cilën shpallte se ai i pretendonte për veten dhe për trashëgimtarët e tij të gjitha të drejtat për fronin e Shqipërisë, megjithë aspiratat e Ahmet Zogut për të qenë mbret. Ai i qëndronte mendimit, besimit, se shumica e shqiptarëve e mbështesnin akoma atë, por ai ndjente se kthimi i tij i menjëhershëm nuk mund të diskutohej, përderisa nuk ishte e mundur të zhvillohej një referendum i lirë dhe i pandikuar në atë kohë. Ai deklaroi se ai ishte i lirë nga ambiciet e tij personale dhe se kurrë nuk kishte ndërmend të provokonte mospajtime midis shqiptarëve, pasi bashkimi, përparimi dhe prosperiteti i të cilëve kishte qenë dhe ishte akoma synimi i vetëm i tij. Kështu ai do të shmangte vështirësitë politike të brendshme dhe të jashtme, duke pritur momentin e përshtatshëm për t’u kthyer në Shqipëri, e cila do të parakuptonte domosdoshmërisht një dëshirë unanime të popullit”.

Deklarata është bërë, sikurse e thamë më lart, në datën 24 gusht 1928. Ndërkohë, dihet që Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë – Mbretëri në datën 1 shtator 1928. Atëherë, cili është leximi që duhet konsideruar si themeli i proçesit të ligjshëm?

Shpallja e Shqipërisë – Mbretëri u bë pasi u deklarua Princi i ligjshëm i saj, Vilhelm Vid. Por tashmë ish Princi, në deklaratën e vet, u shpreh se ai kurrë nuk kishte abdikuar, gjë që do të thotë se, në një farë mënyre, ai e pranonte se ekzistonte edhe mundësia e abdikimit. Ish Princi, pranon gjithashtu se ky abdikim do të mund të ishte i arsyetuar pas mbështetjes ose jo të popullit shqiptar, të cilën ai mendonte se e kishte. Ndërkohë, ai ndjente se mbështetja duhej “lexuar” përmes një referendumi, ku populli të shprehte vullnetin e tij. Këto labirinte arsyetimesh, nxjerrin në pah se, për shumë arsye, Princ Vidi e kishte humbur besimin dhe ndoshta të drejtën për të vijuar mbretërimin. Të mos harrojmë se ai ishte larguar prej 14 vjetësh nga Shqipëria, duke mos ushtruar asnjë atribut.

Tani vijmë tek momenti vendimtar që përcakton llojin dhe përfaqësuesin e një regjimi legjitim: mbështetja popullore.  Cili ishte vullneti i popullit që kërkonte Vidi? A nuk e përfaqësonte Asambleja Kushtetuese vullnetin e popullit? A premtonin ato kohë të trazuara që të organizohej e të zhvillohej një referendum klasik sikurse e kërkonte Princi që kishte “humbur”?

Atëherë, në thelb, e gjithë deklarata e ish Princit mund të interpretohet pak a shumë kështu: “Mbretëria duhet të vazhdojë. Unë (ish Princi) jam njeri prej atyre që mund ta pretendojnë këtë fron, por për këtë duhet pyetur populli”. Sikurse është e njohur, populli, me fuqinë e Asamblesë Kushtetuese u shpreh, se Mbretëria duhet të vazhdojë. Gjithashtu, po në emër të vullnetit të popullit shqiptar, Asambleja përcaktoi edhe Mbretin – një Shqiptar të Madh, i cili e ka treguar veten se di të realizojë atë dëshirë e synim fisnik të vetëm që kishte edhe ish Mbreti Vilhelm Vid – bashkimin, përparimin dhe prosperitetin e shqiptarëve.

Pavarësisht nga deklarata e Princ Vidit më 24 gusht 1928, Zogu në këtë çeshtje tregoi kujdes të veçantë, se i trembej gjetjes së ndonjë hapësire tjetër ligjore nga Fuqitë e Mëdha për rikthimin e Vidit në fronin e Shqipërisë. Si rrjedhim, lëvizjet e tijë për të fituar kurorën mbretërore shqipëtare gjatë periudhës së parë të aktivitetit politik në krye të shetit shqiptar ishin kryesisht të ngadalta dhe shumë të matura. Zogu dhe ndihmësit e tij mendonin se ishte e domosdoshme fillimisht të bënin përpjekjet maksimale për të bindur Fuqitë e Mëdha si dhe për të siguruar mbështetjen e tyre në arritjen e këtij synimi madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe të tij.Pikërisht për këtë çeshtje historiania Valentina Duka, në librin “Monarkia Shqiptare 1928-1939” shkruan: “Më në fund, diplomacia britanike dhe ajo europiane në përgjithësi, të bindura edhe nga diplomacia italiane, tejet aktive në këtë mes, si dhe të etura për të parë një Ballkan të qëndrueshëm, u pajtuan për t’i hapur dritën e gjelbër ndryshimit të formës së qeverisjes në Shqipëri”.

Edhe pse arriti ta bindë faktorin ndërkombëtar, Zogu e kuptonte se një ndryshim i tillë kushtetues kërkonte domosdoshmërisht përgatitje të shumta edhe në planin e brendshëm. Duke qenë kurdoherë mjaft i kujdesshëm për ruajtjen e formës legale, ai u përpoq që ky ndryshim të bëhej brenda një kuadri kushtetues të rregullt.

Meqenëse, juridikisht, Asamblesë nuk i njihej e drejta që të ndryshonte Kushtetutën, u vëndos rishikimi i përgjithshëm i Statutit (Kushtetutes) dhe për ketë, ishte e domosdoshme që deputetët të votonin një ligj organik. Në atë kohë, në vendin tonë ishin dy Dhoma, njëra e Deputetëve dhe tjetra e Senatorëve. Më 7 qershor 1928, u mblodhën dy Dhomat në një mbledhje të përbashkët dhe për të qenë në përputhje me shkronjën dhe frymën e Statutit, vëndosën një shtojcë të nenit 141 me këte përmbajtje: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket vetëm Asambles Konstituente”.

Kur vëndoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit, dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndame dhe dekretohen zgjedhje për Asamblen Konstituente.

Më 17 gusht 1928, u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe asamblistat e dalë nga populli në këto votime, filluan mbledhjet më 25 gusht. Më 1 shtator 1928, ora 09.12, Asamblea Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”.

Në një mënyrë shumë domethënëse për një vend me disa besime, Zogu bëri betimin mbi Bibël dhe Kuran: “Unë, Zogu, mbret i shqiptarëve, me rastin e marrjes në duart e mia të fuqisë mbretërore, betohem para Zotit të plotfuqishëm se do të ruaj unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shtetit. Unë do t’i përmbahem me besnikëri Kushtetutës dhe do të veproj në bazë të akteve të saj dhe ligjeve në fuqi, duke mbajtur gjithnjë parasysh vullnetin e popullit”.  Në bazë të statutit të ri të Mbretërisë, Asambleja Kushtetuese u transformua në Parlament dhe e filloi mbledhjen e vet të parë me këtë cilësi të re, më datë 10 dhjetor 1928.

Përgatitja e opinionit publik shqiptar për kalimin nga republikë në monarki dhe zgjedhjen e Ahmet Zogut – Mbret të shqiptarëve, ishte shumë i domosdoshëm përpara se ky veprim të ekzekutohej. Stafi pran Zogut i kushtoi një rëndësi të madhe sensibilizimit të opinionit publik për këtë ngjarje historike kombëtare, ku u bë me të gjitha mjetet e duhura, por kryesisht nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar dhe të huaj. U organizuan manifestime dhe mitingje, ku populli kërkonte ndryshimin e formës së regjimit dhe shpalljen e Zogut – Mbret.  I pari telegram që mbërrin në Tiranë ishte ai i zgjedhësve të Skraparit, dërguar më 17 gusht, ku kërkohej zgjedhja e Ahmet Zogut si Mbret. Si Skrapari vepruan edhe prefektura dhe nënprefektura të tjera. Ky organizim dhe kjo atmosferë festive kulmuan me një miting të madh më 30 gusht në Tiranë.

Sigurisht që faktori ndërkombëtar ishte i informuar dhe i kishte dhënë Zogut mbështetje të plotë për këtë proçes. Njohja zyrtare e Mbretërisë u bë në fillim nga Italia dhe në vijim, nga Hungaria, SHBA, Greqia, Jugosllavia, Uruguaji, Austria, Bullgaria, Franca, Holanda, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, San Marino, Ekuadori, Egjipti, etj.

Këto ishin pra kushtet dhe rrethanat, por edhe fazat e kalimit të proçesit ku u vendos dhe u legjitimizua monarkia në Shqipëri. Çështja e legjitimitetit është një çështje madhore që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare. Kjo formë qeverisje, erdhi edhe si vlerësim i përgjithshëm i situatave reale që kishte dhe po kalonte vendi, por edhe si domosdoshmëri, për të dalë mbi forcat e ndryshme politike dhe mbi krerët lokale, pasi rreziku i grindjeve partiake dhe individuale për të ardhur në pushtet me çdo mënyrë, shihej si një problem i madh kombëtar.

Periudha nga viti 1912 deri në ardhjen në fuqi të Monarkisë, ka qenë periudha më e destabilizuar e vendit dhe, rrjedhimisht, më e prekshmja për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Në këto kushte, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh të energjive, përpjekjeve dhe forcave të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Me shpalljen e Shqipërisë Mbretëri, u krijuan kushte të favorshme për tu ushtruar plotësisht pushteti dhe qeverisja në të gjithë teritorin e vendit dhe dhënien fund të intrigave dhe prapaskenave, në dëm të interesave të vendit. Gjithsesi, kjo mund të vlerësohet edhe si një mundësi për të ndikuar personalisht në zgjidhjen e problemeve kombëtare, në kushtet e klanizimit të politikave të brendshme shqiptare.

Formula dhe betimi mbi Kuran dhe mbi Bibël, u konsiderua faktor i rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e punëve shtetërore. Ai materializoi idenë e bashkëpunimit me të gjitha institucionet fetare, duke bërë hapa konkretë për të siguruar faktorë të rëndësishëm mbështetës e gjithëpërfshirës në çështjet e sigurisë kombëtare, ndër të cilët bashkëjetesa e feve të ndryshme, konsiderohej themelore.

Shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve shënoi fillimin e fazës më të rëndësishme të realizimit të vizionit të tij për konsolidimin e shtetit dhe të gjithë instrumenteve që i japin kuptim qeverisjes moderne të tij.

Si përfundim, duhet thënë se gjendja e Shqipërisë përpara vendosjes së monarkisë, ka arsye të ndahet në dy periudha: në periudhën 1912-1925 dhe në atë të viteve 1925-1928. Të dy periudhat i ndan fakti se, në të parën, Shqipëria, edhe pse bëri “kapërcimin e ylberit”, d.m.th., kaloi nga gjendja e pushtimit 500 vjeçar në gjendjen e të jetuarit si komb më vete, nuk arriti, prapëseprapë, të formonte një shtet për të qenë, një shtet serioz që të kishte forcën e vet brenda vendit dhe fjalën e vet jashtë vendit. Sistemi politik qe i mjegullt dhe shumë i paqëndrueshëm.

Në kushtet e ndarjeve krahinore e fisnore, si dhe për shkak të ndikimeve të interesave të ndryshme të brendshme e të jashtme, në një periudhë prej vetëm 7 vjetësh pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, do të vinin e do të largoheshin plot 14 qeveri me kryeministrat: Myfid Bej Libohova, Fejzi Bej Alizoti, Turhan Pashë Përmeti, Esat Pashë Toptani, Sulejman Delvina, Iljas Bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Omer Pashë Vrioni, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci dhe Fan Noli. Madje në dhjetor të vitit 1921 për shkak të ambicieve personale dhe konflikteve të vazhdueshme ndërmjet grupimeve politike, në vetëm 18 ditë, si pasojë e kësaj situate u ndërruan tre kryeministra, qëndrimi i të cilëve në qeverisje u mat me ditë: Qazim Koculi për një ditë, Hasan Prishtina për 5 ditë dhe Idhomeno Kosturi për 12 ditë.

Sikurse duket qartazi, Shqipëria, në këto vite, ka qenë në vakum pushteti, me mungesë stabiliteti dhe rrjedhimisht, e prekur edhe në sigurinë e vet kombëtare. Kjo paqëndrueshmëri politike në vend u pasqyrua edhe në takimet kryesore zyrtare evropiane ku vendoseshin fatet e vendit tonë. Elementi zyrtar shqiptar, në më të shumtën e rasteve, nuk ka qenë i pranishëm. Por edhe në rastet kur ka qenë i pranishëm, ai ka qenë i përçarë, sikurse ishte Konferenca e Paqes së Parisit në 1919– shembulli më kuptimplotë.

Në këto kushte, Shqipëria nuk ishte thjeshtë e përçarë dhe e izoluar, por thuajse e lënë pas dore nga bota dhe, në rastin më ekstrem, e rrezikuar për të humbur edhe sigurinë kombëtare. Vendi ishte zhytur në varfëri. E vetmja zgjidhje ishte emigracioni, i cili, në ato vite, jo vetëm filloi, por edhe u masivizua si kurrë ndonjëherë.

Përkundrazi, në periudhën e dytë (1925-1928), që jo rastësisht lidhet me emrin e Ahmet Zogut, edhe pse brenda një kohe fare të shkurtër, Shqipëria u fut në rrjedhën e individualitetit të shtetit, të forcës dhe të fjalës së tij. Shqipëria filloi të pyetej në arenën ndërkombëtare, madje t’i dëgjohej edhe fjala sikurse ishte rasti për Çamërinë. Shteti, pothuajse u plotësua në infrastrukturën e vet politike. Gjithsesi, ajo që i bashkon të dyja periudhat është varfëria përgjithësisht e skajshme e vendit, infrastruktura e dobët, sistemi arsimor jo i zhvilluar, sistemi ligjor jofunksional dhe përfaqësimi diplomatik në botë jo i plotë.Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin tepër të rëndësishëm se, pikërisht në ato vite, situata e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë po shkonte drejt përkeqësimit, atëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh energjish, përpjekjesh dhe forcash të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Një përvojë të tillë të përqendrimit të pushtetit politik në kohë rreziqesh të mëdha për sigurinë kombëtare e kanë përjetuar shumë kombe, pavarësisht se në çfarë forme është bërë ky përqendrim. Kështu pat vepruar dikur Gjermania nën “Monarkun” Bismark. Kështu patën vepruar edhe fqinjët tanë më të afërt, Serbia, Greqia, etj. Shqipëria nuk kish pse bënte përjashtim nga ky rregull. Përndryshe ajo do të vijonte të bëhej objekt lakmish të egra. Kalimi nga regjimi i Republikës në regjimin e Mbretërisë ishte, jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i ligjshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një qeverisje legjitime është guri i themelit të stabilitetit politik dhe sigurisë kombëtare. Këtë legjitimitet, Ahmet Zogu e fitoi me mjete të ligjshme dhe me kontribute të spikatura të udhëheqësit të pranuar dhe të mbështetur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Se çfar arritën shqiptarët dhe Shqipëria nën drejtimin e Mbretit Zog I gjatë 11 viteve të Mbretërisë, është temë në vehte dhe duhet trajtuar në një shkrim të veçantë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 90 vjetori, Ekrem Spahia, i Monarkise Shqiptare

KU JANE 1648 TE HUMBURIT E LUFTES ?

August 30, 2018 by dgreca

Kosova 1648 të pagjetur, 19 vjet pas lufte/

1 te humburit

-Në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur/*

7 Haradinaj

 PRISHTINË, 30 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë u shënua sot Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur – 30 Gushti.Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat familjare të të zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare të angazhuara në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, organizuan Marshin Përkujtimor.

Marshi Përkujtimor në Prishtinë filloi nga sheshi Zahir Pajaziti, vazhdoi me ecjen gjatë tërë Bulevardit Nënë Tereza deri te Përmendorja dedikuar personave të zhdukur, para Ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Marshi Përkujtimor përfundoi me ceremoninë e vendosjes së luleve pranë Përmendores dedikuar personave të zhdukur, në nderim dhe përkujtim edhe të 1648 personave të zhdukur, ende të pagjetur, mësë 19 vjet pas luftës në Kosovë.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të KFOR-it, përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë dhe qytetarë të shumtë.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, gjatë luftës në Kosovë të përfunduar para 19 viteve, në qershor 1999, forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

 Mbi 90 për qind e të zhdukurve ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi, ku u gjetën e kërkohen edhe të tjerë në varreza masive.Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur nga familjarët  në rrethojat e Kuvendit e qeverisë kosovare./b.j/

*Per me shume foto shkoni ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: 1648 te humbur, 19 vite pas Lufte, Behlul Jashari, kosova

KULLA EME NUK ASHT E VETME

August 30, 2018 by dgreca

ATJON V. ZHITI*/                                                                                                                                                                23 Atjoni, veper e piktorit Gjergj Kola,KULLA EME NUK ASHT E VETME /                                                                                                                                           – gegërisht nga vetë autori –                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             (Botohet me rastin e datëlindjes së 23 të Atjon Zhitit, në 30 gusht, studentit të Filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore në Milano, që la pas një libër me ese, një album me piktura të fëminisë dhe të adoleshencës, ndërkaq ai ishte anëtar i Parlamentit Europian Rinor dhe një rrugë në Tiranë tani mban emrin “Rruga e Atjonit”, ndërsa Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çmimin “Atjon Zhiti”.               Për Atjonin janë shkruar poezi e kritika letrare, janë bërë portrete e ikona, ekspozita dhe koncerte, etj.                                                                         Për atë ishin të çmuara, dëshmojnë ata që kanë njohur, dashuria, vendi, – Kosovën nuk e ndante nga Shqipëria, – dhe gjuha. Dhe iu bashkua trinisë së Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë”).                                                                                                                                                                                                                                                                                                                        Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë  mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.                                    Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.                                                                                                                 Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.                                                                                                      

Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.                                                Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.

Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.                                                    Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.                               Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi.                                           Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.                                               Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.                                                 Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.                                                     Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…

Ne Foto:Portreti i Atjonit, vepër e piktorit Gjergj Kola, e ekspozuar pranë Luvrit në Paris.

Marrë nga libri “Për atë që dua(m)”

Filed Under: Featured Tagged With: Atjon V. Zhiti, E VETME, KULLA EME, NUK ASHT

STUDIUESI THANAS GJIKA VIZITOI VATRËN

August 29, 2018 by dgreca

Studiuesi Thanas Gjika i dhuroi kryetarit të Vatrës me dedikim personal librin e tij “Mosdënimi i krimit është krim i ri”, libër me artikuj, ese, biseda, kujtime etj,/

1 thanasi grup1 drit Thanas.JPG1 ok dera

Mesditën e së hënës, 27 gusht 218, studiusi Thanas Gjika, njëkohësisht sekretar i degës së Vatrës në Worcester- MA ,vizitoi selinë e Federatës VATRA. Ai u prit nga kryetari i Vatrës Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij. Z. Gjika shoqërohej nga anëtarët e Këshillit të Vatrës, biznesmenë dhe aktivistët e  komunitetit, Sergio dhe Sabit Bitici. Në takim morën pjesë edhe arkëtari dhe anëtari i kryesisë Marjan Cubi, anëtari i kryesisë Zef Balaj, editori i Diellit, ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati dhe gazetari Ilir Buçpapaj.

Studiuesi Thanas Gjika i dhuroi kryetarit të Vatrës me dedikim personal librin e tij “Mosdënimi i krimit është krim i ri”, libër me artikuj, ese, biseda, kujtime etj, për botimin e të cilit kanë dhënë kontribut dhe Federata Vatra, ndersa gazeta Dielli e nderoi me cmim ne Konkursin”2016-Viti i Faik Konicës”.

Gjatë bisedës u diskutua edhe rreth librit të autorit Gjika”Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut”, ku Prof.as.dr. Thanas Gjika mbron tezën se krishtërimi në Iliri është përhapur nga goja e vet apostujve të Krishtit. Sipas tij, trojet shqiptare duhet të jenë patjetër në hartën e Vatikani dhe ai ka skicuar hartat e udhëtimit të apostullit Pal. Deri më sot kjo tezë është përjashtuar edhe nga vete Vatikani, por Gjika, sjell fakte të reja për jetën dhe veprën e Shën Palit.

Autori synon që këtë libër ta botojë në gjuhën angleze të përmbledhur duke i kushtuar vëmendje veçanërisht hartave dhe për këtë qëllim kërkoi që Vatra të shohë mundësitë për kontribut financiar, pasi libri në gjuhën angleze do të ketë efekte pozitive për identitetin e shqiptarëve.

Diskutimi i lirë i pjesmarrësve debatoi dukuritë e fundit në trojet shqiptare, ku vihet re një agresion i theksuar kulturor,veçanërisht nga kultura turke dhe rrymat eksteremiste fetare.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Studiuesi, Thanas Gjika, Vatra

MAGJIA E FESTËS PËR DASHURINË DHE JETËN ….

August 28, 2018 by dgreca

40226665_2215762101786052_115787550886461440_nAIDA & ARBEN BEJTE, 25 VJET PAS CELEBRIMIT, NJË “DASËM” E MAGJISHME NË CLEARWATER, FLORIDA.(Kliko fotot te prekesh magjine, lexo tekstin te marresh mesazhin.., )/40277197_2215759171786345_5665216087109664768_n

Nga Dalip GRECA/40219599_2215761795119416_7355330411515346944_n

Celebrimi zyrtar i dashurisë së Aida Lumi nga Peqini me Arben Bejte nga Lushnja para nëpunësit të gjendjes civile, që i njohu si burrë e grua, ndodhi 25 vite të shkuara, në vitin e largët 1993.Ata bashkëjetuan në Tiranë për disa vite duke pritur momentin për dasmën, por me sot me nesër, ai moment vonoi….

40267473_2215759981786264_2330127742147756032_nErdhi viti i mbrapshtë ’97-të për Shqipërinë, një javë para se të mbylleshin ambasadat dhe aeroporti i vetëm, çifti emigroi në Toronto- Kanada, ku Aida pati fituar aplikimin e Lotarisë kanadeze…e perbashket
Kanë kaluar 21 vjet nga ai fillim i vështirë emigrimi, ku ish studentja e shkëlqyer e fakultetit Ekonomik të Tiranës, provoi dhe punë fare të rëndomta, por më pas shkëlqeu duke u ngjitur në majën e suksesit…. Mbështetja e parë ishte shoqja e saj e fakultetit Alma(e pranishme në festë), ku Aida dhe Arbeni, nisën të ngrenë “folenë ” e tyre. Së bashku kapërcyen sfida të vështira,fituan beteja, por edhe u gëzuan me dy fë mijë si ëngjëj, vajzën Redina, sot studente në Universitet dhe djalin Erlind, që sivjet nis shkollë n e mesme.

hamiti MajaFesta e dashurisë, që nuk mund të bëhej 25 vite të shkuara, u organizua me familjen dhe një grup të kufizuar miqësh, përfshirë dhe katër shoqet e Universitetit të Tiranës dhe bashkëshort t e tyre,- në Clearwater, Florida, me 25 gusht 2018, duke nisë nga ora 4 e 30 të ditës së shtunë. Të ftuarit ishin bërë bashkë në një kompleks buzë ujit, në Sand Dollar Resort, 18500- Gulf Boulevard- Indian Shores, FL 33785. Aty buzë ujit ishte improvizuar edhe ceremonia e festës së dashurisë , përvjetorit të 25-të. E koncepruar si festë e jetës dhe dashurisë, dasmës, nuk i mungoi asnjë element tradicional, por dhe as rregullave traditave të vendeve ku jetojmë, SHBA dhe Kanada.Ka ardhur dhe përfaqësuesi i bashkisë së qytetit, për të udhëhequr ceremoninë e celebrimit në 25 vjetorin e martesës.

Pyetjeve të përfaqësuesit të Bashkisë për mbajtjen e premtimeve të dashurisë apo të vazhdimësisë së dashurisë, Aida dhe Arbeni, u përgjigjen me”PO” të fortë dhe me buzëqeshje rrezellitëse.
Prindërit e Aidës Hamit dhe Maja Lumi,vëllai David me bashkëshorten e fëmijët, motra Lira me bashkshortin Juli e fëmijët,shoqet e afërta universitare të Aidës që kanë ardhë, jo vetëm nga Toronto, por edhe nga Alberta,nga skajet e Kanadasë , duke udhëtuar 7-8 orë me avion, të gjithë ndjehen të emocionuar, ashtu si dhe fëmijët e tyre, nipër dhe mbesa. Unë së bashku me Xhemilen, Latifin dhe Almën, provojmë një ndjenjë krearie emotive, kur Arbeni na vecon:- Ju jeni përfaqë suesit e mi të vetëm sonte në festë për shkak të largësisë. Ju faleminderit që keni ardhë ! Së bashku me Aidën dhe fëmijët, Ju jemi shumë mirënjohës!
Ceremonia është e mbushur me emocione. Shiu i rrëmbyshëm si për ta bekuar këtë përvjetor nuk ia prishë magjinë kësaj ceremonie; shiu rreshti për pak kohë, pikërisht në momentin e fillimit të ceremonisë. Pamja është shumë romantike. Bluja e thellë e detit,lulet me ngjyrën e dashurisë, kështjella imagjinare në rërë, , që qendisin mjedisin ranor, me bardhësinë e vellos së nuses-Aidë,përzihen në njëra-tjetrën dhe reflektojnë nën rrezet e diellit, që nxjerr syrin e kuqerremtë përmes reve… Në korridorin ceremonial, të improvizuar bukur, kalojnë çiftet; të vegjël e të rritur. Sa shumë dashuri rrezatoi kjo ceremoni. Fotografët dhe kamerat televizive fiksojnë çastet magjike: betimin, vendosjen e unazës, zemrat e bashkuara, puthja…. Kush nuk e dëshiron një foto me çiftin?..Të gjithë nxitojnë ta kenë një foto me ciftin….madje dhe pushues të rastësishëm që ndjekin ceremoninë.
…Më pas autobuzi i ka marrë mysafirët së bashku me çiftin për t’i dërguar në anijen, ku do të organizohet”dasma”- darka e përvjetorit të 25-të . Edhe pse shiu ka nisë sërish, asgjë nuk e zbeh gëzimin dhe shkëlqimin e kësaj feste të mrekullueshme.
Darka e përvjetorit në anije ishte një mrekulli më vete, ku ceremonia, përcjellja e mesazheve nga Aida dhe Arbeni, nga vajza e tyre Redina dhe djali Erlind, krijuan emocione drithëruse.Veçanërisht Aida,na bëri që të lotojmë përmes mesazhit njerëzor. Ajo pasi falenderoi pjesmarrësit, që ia kishin zbukuruar këtë festë të dashurisë dhe Jetës, i përloti të pranishmit me mesazhin për jetën, dashurinë dhe fisnikërinë e shpirtit :- Miqtë e mi, jeta është aq e shkurtër dhe e pamjaftushme,sa nuk e marrim me mend.Ta duam njëri-tjetrin dhe t’i falim njëri-tjetrit vetëm dashuri njerëzore! Jo urrejtje, jo zemratë, vetëm dashuri dhe sinqeritet! Jeta jonë ka pasur dhe trubulenca, por ne kemi qëndruar. Ju duam fort! Faleminderit që keni ardhë në festën tonë të dashurisë, në festën e Jetës sonë! Kaq, zëri nuk i bindet për më shumë! Kaq mjafton! Faleminderit Aida! Edhe Arbeni përmes emocioneve shpreh dashurinë për Aidën dhe fëmijët, për jetën…dhe falenderon secilin prej nesh që jemi bërë pjesë e kësaj feste.
Ndërsa Redina dhe Erlindi, në mesazhin e tyre përçuan fisnikërinë e prindërve dhe gjyshërve, që kanë ditur t’i edukojnë. Redina, kujton çastet më të lumtura të rritjes së saj nën përkëdhejlet e përkujdesjen e prindërve, të cilëve-veçanë risht Aidës, jeta i ka dhënë shumë dhimbje për më shumë se një dekadë, por dhe kurajo dhe vullnet për të përballuar të keqen…pastaj solli ndërmend ardhjen në jetë të vëllait, Erlindit, që së bashku përbëjnë një ekip që shkojnë shumë me njëri-tjetrin, dhe rezatojnë dashuri e fisnikëri. Edhe Erlindi me fjalë shpirti shprehu krenarinë dhe dashurinë për prindërit.
Prindërit e Aidës ndjehen tepër të emocionuar. Hamit Lumi, babai i saj, më tregon se ndjehet shumë krenar për bijën e tyre Aidën, që është bërë Engjëll mbrojtjës për të gjithë familjen, ndërsa vetë Familja e madhe Lumi, ka dhënë gjithçka për t’ia lehtësuar sado pak jetën.
Më thoshte Hamiti gjatë darkës në anije :- Kurrë nuk e mendoja se një ditë do të pë rjetoja çaste kaq të gëzuara këtu në Amerikë. Kjo është një mbrëmje magjike. Kurrë nuk mendoja se familja ime do të mund të shkonte lirshëm në Perëndim, e jo më të festonte një përvjetor të tillë.
Hamit Lumi në kohën e diktaturës mbahej njeri me biografi të prishur, jo të besuar, problematike, ai kishte emrin e Hamit Lumit, Gjyshit të famshëm,menaxherit të Diellit, një ndër dishpujt e Faik Konicës, i cili kur erdhi gjatë vizitë s së fundit në Shqipë ri më 1928, solli me vetë një dhuratë të Mbretit Zog për Hamit Lumin, një ndër vatranët e parë dhe me peshë të Federatës Vatra.
…..Për më shumë se tre orë nuk e ndjemë fare lundrimin.Menuja e pasur dhe pijet e zgjedhura, ishin pakufi. Gjithçka e ka përballuar Familja. Aida në ftesën që na përcolli, kërkoi me këmbëngulje që t’i respoktonim dëshirën e saj dhe të Arbenit: Ju lutem mos sillni dhurata,asnjë shpenzim. Na mjafton ardhja Juaj në festën tonë!
Gjatë darkës u krijuan çaste të bukura, që prodhonin emocione, vallëzimi i çiftit, kombinimi me pridn rit e Aidës, apo mbesa e vogël Loriana, që kërcente aq bukur, hedhja e luleve nga nusja për “beqarkat”, imitimet muzikore të Beni dhe Aidës, na dhuruan një gazmend të pafund!
Një përvjetor fantastik, një mbrëmje plot magji- Nusja e mrekullueshme dhe dhëndri po ashtu, një çift ideal, që na dhuroi aq shumë energji pozitive…Shkëlqeu Aida e mrekullueshme, fisnike me shpirtin e bukur. Siç shkroi dhe një e ftuar: Aida & Arben- Ju jeni të bukur brenda shpirtrave dhe rrezatoni fisnikëri!
Urime Arben & Aida!
Ta gëzoni përvjetorin e 25-të ? E paçit të gjithë jetën Tuaj të gëzuar si ky Përvjetor i 25të,si Festën për Jetën dhe Dashurinë!
Zoti Ju ruajtë Ju dhe familjen Tuaj!
JETË TË LUMTUR!

***
Këtyre shënimeve të hedhura shpejt e shpejt natën e pasfestës, po ju shtoj një fragment të vogel nga një intervistë të botuar në vitin 2013 në gazetën Dielli:
***

DY BETEJAT E FITUARA TË AIDA (LUMI) BEJTE

Historia e shqiptares me karakter të fortë në Toronto,që fillimisht i ofruan pozicionin e një pastruseje në një Institucion financiar, por që me vullnet dhe pasion shkollimi ajo i gjeti “çelsat” për të hapur kështjellën e mbyllur kanadeze. Pozicioni më i fundit i vajzës nga Peqini:Drejtoreshë e Financës për Amerikën e Veriut në një kompani me buxhet rreth 200 milion dollarë.
Nga Ruki Konda & Dalip Greca/
Aida Bejte (Lumi), vajza nga Peqini, që jeton në Toronto(Kanada) është një grua me karakter të fortë, që nuk di të tërhiqet në përballje me jetën, edhe kur ajo, jeta, përpiqet ta sfidojë. Fillimi i saj në Toronto ishte paksa ironik, asaj, ish studentes së shkëlqyer të Ekonomikut, i duhej që të bënte punët e pastruses në një institucion financiar, ku paguhej sa për bukën e gojës. Kërkesave për një punë më afër profesionit, i përgjigjeshin”Je e mbikualifikuar”, ose ”Nuk keni eksperiencë kanadeze”! Po ku ta merrte eksperiencën kanadeze Aida, në Shqipëri? Por ajo nuk u tërhoq, krahas punës së rëndomtë, fillimisht ndoqi kurse shkollimi dhe kualifikimi për konvertimin e diplomës, që të njihej e barabartë në nivelin e “Bachelor of Commerce” me universitetet Kanadeze. Pastaj ndoqi studimet e mëtejshme dhe fitoi titullin/ licensën për kontabilist i pavarur në fushën e Kontabilititetit Drejtues (CMA-Certified Management Accountant designation). Beteja për shkollim nuk mbaroi aty. Ajo nuk ndjehej e plotësuar në profesion pasi që kur ishte në Tiranë e kishte ëndërr të kryente një Master në një Universitet prestigjoz. Dhe kështu aplikoi dhe pati fatin mes shumë konkuruesve të pranohet dhe të kryejë studimet për Master Ekzekutiv (Executive MBA – Master of Business Administration) në një nga shkollat më te mira te bisnesit ne Kanada, tek “Ivey School of Business”. Dhe ajo, vajza me shumë ëndrra, që iu afrua pozicioni i pastruses në një institucion financiar, falë zotësisë, vullnetit dhe pasionit për shkollim,e gjeti çelësin si ta “pushtonte” kështjellën kanadeze. Pozicioni më i fundit që ajo ka kapur është ai i Drejtoreshës se Financës për Amerikën e Veriut për një kompani me buxhet rreth 200 milion dollarë.
Beteja tjetër me të cilën u përball Aida ishte përballja me sëmundjen. Ishte pothuajse 35 vjeç kur në një ditë të bukur Gushti, një ditë para se djali t’i bëhej 4 vjeç, shkëputet nga puna për një takim te zakontë tek mjeku gjenekolog. Dhe aty mësoi se në trupin e saj kishte kancer, po, po, kishte atë sëmundjen e tmerrshme, por sërish nuk u dorëzua. Ndiqni intervistën që i morëm Aidës:
Pyetje: Aida, si do ta prisje intervistimin nga gazeta më e vjetër në botim e botës Shqiptare”Dielli” që botohet Amerikë ?
Aida Lumi Bejte– Thellësisht e nderuar dhe njëkohësisht ndjehem shumë e vogël krahasuar me dritën e Diellit dhe ngrohtësinë e Vatrës.
– Çfarë e lidh Aidën me Vatrën? Keni pasë dikë që ka pasë aktivitet në organizatën më jetëgjatë shqiptare”Vatra”?
Aida– Më lidh emri i tim ati, Hamit Lumi. Gyshi im i mënçur, ndjesë pastë, Kadri Lumi, në kujtim dhe nder të xhaxhait të tij, patriotit Hamit (Çela) Lumi ia vuri këtë emër babait tim. Hamit (Çela) Lumi, i lindur në Vermik të Vlorës në vitin 1869, dhe më pas diplomuar në Janinë, pasi u kap dhe u burgos nga perandoria Osmane për shkak se jipte mësim shqip ku të mundej, ne fshatra të Vlorës, në qytet, madje dhe në burg (me abetaret që ia sillte miku i tij Hasan Prishtina), më 1912 u largua për në Boston ku deri në fund të jetës së tij u bë pjesë e pandarë e Diellit dhe Vatrës duke lëvruar çështjen shqiptare.
(Intervista e plote gjendet ne gazeten Dielli online dhe Diellin e printuar, Gusht 2013.)

Filed Under: Featured Tagged With: Aida & Arben Bejte, dalip greca, MAGJIA E FESTËS PËR DASHURINË DHE JETËN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 397
  • 398
  • 399
  • 400
  • 401
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT