• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOM PJËTER POPAJ: SHQIPTARËT, SI NË SHTËPINË E TYRE TEK VATRA

June 3, 2018 by dgreca

1 dom Pjetri

DOM PJËTER POPAJ: SHQIPTARËT, SI NË SHTËPINË E TYRE TEK VATRA/Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në jetën e saj prej 106 vitësh ka krijuar traditën e harmonisë fetarë. Në shumë prej kremtimeve të saj apo veprimtarivë komunitare apo historike, ajo fton klerikët e tri fevë dhe sipas radhës, njëri prej tyre ose të tre bashkë bëjnë bekimin e darkës. Bekimin e darkës për 106 vjetorin e themelimit të Vatrës e bëri famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.
Fjala e klerikut të nderuar u mirëprit dhe u duartrokit. Në mënyrë të figurshme dom Pjëtër Popaj zbërtheu anën leksikore të emërtesës së federatës, Vatra, dhe solli kujtimet rreth vatrës familjare dukë kaluar në përgjithësimin e simbolikës së vatrës. Lexojeni të plotë:
Klerikë të nderuar
Zoti Kryetar-Dritan Mishto
Vatranë, mysafirë, vëllezër dhë motra: Mirëmbrëma!
Është nder për mua që më jepet rasti të bëj bekimin e kësaj darke dhe t’ju përshëndes.
Sonte jemi bashkuar të kremtojmë 106 vjetorin e themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës me emrin e bukur “VATRA”.
Në vitet 1911-1912 shumë ngjarje i ndodhën popullit tonë. Në pragun e deklarimit të Pavarësisë së Shqipërisë të ngriturit e Flamurit Kombëtar prej Dedë Gjo Lulit në Deçiq dhe të Ismail Qemalit në Vlorë, Vatra themelohët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Populli ynë ka kaluar shumë kriza gjatë dominimit të huaj-ishte koha për tu bashkuar si një popull i një gjaku, gjuhe, kulture. Dhe Vatra themelohet pikërisht për këtë qëllim më 28 prill.
Dikur rreth vatrës uleshin anëtarët e familjes për tu ngrohur afër zjarrit. Më kujtohet si fëmijë ajo kënaqësi familjare në mbrëmjë kur bashkoheshim rreth Vatrës; aty i luteshim Zotit; e thonim Uratën, rruzaren. Aty dëgjonim këshillimet ë prindërve; babai tregonte dhë ngjarje e tregime sikur i kishte dëgjuar prej babait të vet. Ndërkohë ndër vargoj ishte duke zjerë darka e buka duke u pjekur nën kaki.Drita e zjarrit i shëndriste fytyrat tona e ngrohtësia e tij krijonte një sadisfaksion të thellë në brendësinë e zemrave tona; krijohej një atmosferë shpirtërorë që të shpije në përjetim të papërshkruar.
Kur mendoj për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA mendoj këtë gjë; Në një rreth më të gjërë Vatra mbledh bijtë e bijat shqiptare rreth vetes. Zjarri është një gjë simbolikë, psh Lëvizja e flakës është shenjë e Jetës, gjallërisë. Drita e flakës është shenjë e shpresës se njerëzit që jetojnë në dritë jetojnë në shpresë, dhe nxehtësia e flakës është shenjë e dashurisë. Shën Pali në letër drejtuar korintasve thotë se dashuria, është më i madhi virtyt.
Jam i sigurt se qëllimi i Vatrës ka pasur edhe këtë anë tjetër shpirtërorë dukë pasur një prift e pastaj Peshkop, Hirësinë e Tij Fan Nolin si themelues kryesor e Kryetar, ndihmuar prej Faik Konicës, Gazeta Dielli ëtj.
Nga zanafilla, Vatra ka luajtur role të ndryshme për shqiptarët në diasporë por edhe në vendlindje. Këtu në Amerikë ka mbrojtur të drëjtat e shqiptarëvë, duke u ndihmuar në nevojat e tyre. Në vendlindje ka lujtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës së parë botërore, në kohën e fashizmit, në Luftën e II Botërore, gjatë komunizmit si edhe për çlirimin e Kosovës.
Vatra ka qenë gjithëherë pran popullit të vet. Të kqyrësh drejt të gjithë shqiptarët duhet ta ndjejnë veten si në shtëpi te Vatra sepse çdo shqiptar i takon Vatrës dhe çdo njëri duhet ta ndihmojë atë që të vazhdojë misionin për nevojat e tjera që kemi në diasporë. Tani, njëri prej problemevë është asimilimi. Si mundemi ta ruajmë gjuhën e kulturën, traditat e lashta shqiptare pa u shkrirë sikur kulturat e tjera.
Këtu në Amerikë, nuk kemi diskriminime, shtypje dallime prej shtetit e popullit por të kundërtën, lirinë e plotë që bën të ndjehësh sikur vendas. Mirësia e Liria e plotë e bëjnë asimilimin më të shpëjtë. Sikur në fillim që ishtë Besa-Besë” duhet edhe tani që të mbajmë porosinë e të parëve tanë: Mos harro se kush je, se Je Shqiptar!
Vatra është njëra nga shoqatat më të rëndësishmë që mund të ndihmojë shumë ngadalësimin e asimilimit. Nuk mundet të ndalohet krejtsisht por mostjetër të ngadalësohet. Të mësosh anglisht është e domosdoshme, por nuk do të thotë të harrosh shqipen.
Më kujtohet një çift i ri që kishin ardhë për tu përgatitë për martesë. Dhë pas spjegimeve , të gjitha u bënë në rregull, në fund më tha: Kam një kërkesë. A mund të ta vësh Kurorën në gjuhën anglisht sepse e kuptoj më mirë se shqipen?!
E unë i tronditur i thashë, ti akoma nuk i ke mbushë 10 vjet në Amerikë dhe ka harruar shqipen, ne kemi 50 vjet në Amerikë dhë nuk kemi harruar dhe ende nuk e kemi harruar. Bile tani po flasim edhe më mirë. Dhe vazhdova; nuk ka gjuhë ma të bukur se gjuha jonë.Kur e din një gjuhë të huaj është mirë, por të dish të flasësh shqip është e detyrushme.
Në sonte e falenderojmë Zotin që na ka bashkuar si vëllezër e motra shqiptarë. Falenderojmë Vatrën për shërbimin e shkëlqyshëm tash 106 vjet me radhë. Për çdo vjet na ka bashkuar për festën e Pavarësisë sonë, Ditës së Flamurit Kombëtar, e festime të tjera.
E lusim Zotin që të vazhdojë punën e shkëlqyshme dhë që anasjelltas të gjithë ta përkrahim për dobinë tonë si Komb! Falenderojmë kryetarët e Vatrës që kanë shërbyer ndër vite, në veçanti të ndjerin Agim Karagjozi, që tani ka kaluar në amshim. Qoftë mirë në atë Jetë! Dhe gjithë të tjërët, para e mbas tij!

Në veçanti lutemi për drejtusin e ri z. Dritan Mishto që duke u ngja paarardhësve të tij ta drejtojë këtë Federatë me sukses për të mirën e popullit tonë.
Lutemi për ne të gjithë, që mos të harrojmë historinë tonë, të kultivojmë kulturën, gjuhën e traditatat shqiptarë. Të mësojmë të komunikojmë me njëri tjëtrin. Pa komunikim nuk ka bashkim e pa bashkim nuk ka përparim.
Lutemi që Zoti ta bekojë këtë tubim, si edhe ushqimin që po e marrim prej bujarisë së Tij.
Amen!
Zoti na bekoftë të gjithëve,
Zoti e bekoftë popullin shqiptar
Zoti e bekoftë Amerikën
Gëzuar Festa!

Filed Under: Featured Tagged With: Bekimi i darkes, Dom Pieter Popaj, Vatra 106 Vjet

KRYETARI MISHTO:VATRA ËSHTË FEDERATË MBIPOLITIKE*

June 2, 2018 by dgreca

Të dashur Vatranë,/

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,/

Të Nderuar Klerikë,/

Të nderuar përfaqësues të Organizatave të Komunitetit,/

Të dashur bashkëatdhetarë që na ndiqni sot nga gjithë globi,/

1 dritan me salle Kam nderin e lartë dhe privilegjin e madh të uroj secilin prej jush “Gëzuar Ditëlindjen e Vatrës”!

Pas 106 vjetësh punë të palodhur, ne vatranët jemi mbledhur sot si rrallë herë për të festuar jetën e gjatë të Federatës sonë dhe për të qenë më shumë se kurrë krenarë.

Nuk ka fushë të jetës dhe veprimtarisë së kombit shqiptar, ku nuk gjendet prania e  Federatës Vatra: Në art dhe fotografi, në diplomacy, në qeverisje dhe në drejtimin e shtetit, në kontributin për ngritjen dhe forcimin e komuniteteve fetare dhe harmonisë fetare, në arsim, në letërsi dhe në kulturë, në gazetari, në muzikë dhe në shkencë. Etërit e Federatës sonë Konica e Noli, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe drejtuesit e Vatrës ndër vite na kanë lënë pas një trashëgimi të paçmuar, e cila sa më shumë kalon koha aq më shumë merr dimensione të reja. Ne përulemi me respekt sot për gjithë ç’ka është bërë në Federatën tonë dhe shprehim publikisht mirënjohjen dhe respektin për ata vatranë të njohur dhe panjohur që e shndërruan Vatrën në burimin e energjive pozivite për të bërë gjëra të mira dhe të dobishme për kombin tonë në momente vendimtare të historisë.

Të dashur Vatranë,

Historia e Vatrës dhe lavdia e së shkuarës nuk mund të shërbejnë si motivi kryesor I veprimtarisë sonë të tanishme. Çdokush nga ne duhet të ndjejë përgjegjësinë të bëjë diçka, aty ku mundet, të dukshme e të padukshme për Vatrën e sotme. Ne nuk mund të qëndrojmë në hijen e kurorës së lavdisë së shkuar. Koha sot na kërkon të jemi sërish në krye të punëve të mira kombëtare.

Vatra nuk merret me politikë dhe nuk është formacion politik. Por, Vatra është “mbipolitike”.

Vatra ka të gjithë të drejtën historike dhe morale të shqetësohet për bashkëkombasit tanë kudo që ata ndodhen dhe jetojnë.

Ne konstatojmë me dhimbje se gjendja shoqërore në Shqipëri është e rëndë. Shqiptarëve u është vrarë shpresa, e cila është forca thelbesore për ecjen përpara dhe për zhvillim. Emigracioni i pandërprerë, ulja konstante e standarteve demokratike dhe kaosi I brendshëm në Shqipëri na trishtojnë pa masë. Raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera politikëbërëse e politikëzbatuese janë fatkeqësisht të zymta kur flitet për kanabizimit të vendit, papunësinë e të rinjve dhe shtrirjen e korrupsionit në çdo qelizë të administratës.

Por, ajo që na rrit ankthin dhe shqetësimin është cënimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm në pesë vitet e fundit janë konstatuar disa raste flagrante të goditjes së këtyre marrëdhënieve nga ana e Qeverisë Shqiptare, deri edhe rreshtimi i hapur kundër vendimeve zyrtare të Qeverisë Amerikane. Federata Vatra ka reaguar me forcë dhe ka bërë të ditur qëndrimin e saj tek autoritetet amerikane se Ne, pra Vatra, gjithë anëtarësia jonë e madhe, mbështetësit dhe simpatizantët tanë në botë janë me tërë forcën për forcimin e marëdhënieve shqiptaro – amerikane dhe se distancohemi nga çdo tentativë për dobësimin e këtyre marëdhënieve dhe për më tepër rritjen e relacioneve me shtete joperëndimore që shfaqin tendenca diktatoriale. Ne shqiptarët, kemi vuajtur nga diktatura komuniste, e cila edhe sot ka lënë pasoja shkatërrimtare ndër ne, ndaj mbështesim me gjithë forcën politikën e Presidentit Trump për rritjen e autoritetit të Shteteve të Bashkuara në botë, veçanërisht në përpjekjet amerikane për goditjen e qeverivë diktatoriale. Federata Vatra në strategjinë e saj për politikën e jashtme ka vendosur të shpalosë publikisht dhe të mëshojë fort kudo tek shqiptarët në botë se Shqipëria dhe Shqiptarët në Ballkan kanë vetëm një Aleat Strategjik në jetë të jetëve, dhe ky eshtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Me lejoni që në emrin tuaj të falendroj përzëmërsisht Qeverinë e Shteve të Bashkuara dhe Presidentin Trump për gjithë vëmendjen dhe përkushtimin që kanë dhe do të kenë ndaj shqiptarëve.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Federata Vatra gjendet sot e nderuar nga komuniteti shqiptar në SHBA dhe në botë më shumë se asnjëherë më parë. Marëdhëniet e shkëlqyera me institucionet fetare, organizatat dhe shoqatat kulturore, arsimore, krahinore, profesionale, etj janë në nivelin më të lartë dhe do të fuqizohen më tej. Ne po japim ndihmën tonë në fuqizimin e arsimimit të fëmijëve shqiptarë në diasporë, rritjen e aktiviteteve kulturore dhe shtimin e pranisë sonë aty ku nevojitet mençuria, maturia, përvoja dhe fuqia e Vatrës.

Ne respektojmë të gjitha strukturat e diasporës shqiptare në botë, I mirëkuptojmë dhe I nxisim të rrisin autoritetin dhe prestigjin e tyre, dhe ndjehemi mirë që komuniteti shqiptar e sheh Vatrën me respekt e admirim.

Të nderuar Vatranë,

Ky 106 vjetor është një vit i rëndësishëm për Federatën tonë per një sërë reformash që në kemi ndërmarrë për rivitalizimin e saj. Ne kemi afruar kapacitete të vlerësuara kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht duke i dhënë Vatrës sonë të dashur më shumë hapësirë mendimi dhe veprimi.

Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të Vatrës dhe së shpejti do të afrojmë sipërmarrës, bisnesmenë dhe individë të cilët duan ta ringrejnë Vatrën ekonomikisht.

Unë u jam mirënjohës gjithë vatranëve dhe mbështetësve tanë për urimet e tyre, kudo që ndodhen në New York, New Yersey, Connecticut, Michigan, Washington DC, Virginia, Maryland, Jacksonville, Fort Lauderdale, Tampa, Orlando, Kanada, Boston, Uster, California, Texas, Arizona, Maine, North Carolina, Ohio, Pensilvania, Rode Island, por edhe me gjerë në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoni, Itali, Greqi, Gjermani, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Francë, dhe kudo që ndodhen për punën e madhe që bëjnë për të mbajtur të fortë kulturën, traditën dhe virtytet më të mira shqiptare. Dhe I drejtohem të gjithë vatranëve dhe mbështetësve tanë: faleminderit për përkushtimin tuaj, jeni të gjithë të mirë dhe do të bëjmë së bashku vepra të mëdha. Ne kemi bekimin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm në botë dhe këto lutje e bekime na bëjnë të jemi të fortë e të pathyeshëm.

Ne nuk punojmë për historinë, por mekanizmi i historisë i jep vendin e tij çdokujt, ndaj besoj se vatranët do të qëndrojnë në piedistalin e artë të shqiptarisë. Jini krenarë që jeni vatranë.

Të nderuar miq,

Forca e jonë qëndron tek besimi që ne kemi për të ardhmen. Më lejoni të deklaroj publikisht se Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të shtojë më shumë ritmin e punëve të saj duke mbetur qendër e nismave në shërbim të shqiptarëve. Prandaj Vatra ekziston: T’i shërbejë kombit. Do të hasim në vështirësi, por do t’ja dalim mbanë sepse koha është me ne, dhe Koha është fuqia më e madhe. Koha do të thërresë sërish Federatën Vatra në zgjdhjen e çështjeve të rëndësishme dhe Vatra do të jetë gjithnjë aty, në ballë dhe përballë çdo force që tenton të vonojë orën e historisë së shqiptarëve. Vatra do të mbetet Ylli Polar i shqiptarëve në botë.

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA;

Rrofshin shqiptarët,

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

*Fjalimi i Kryetarit te Vatres z. Dritan Mishto ne darken kushtuar 106 vjetorit te Themelimit te Vatres(28 prill 2012) dhe njohjes prej shtetit Amerikan(13 qershor 1912).

*Fotografite i shihni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Mbipolitike, Vatra

PROF.SAMI REPISHTI:SHQIPTARE TE AMERIKES-VATRA NA BASHKON*

June 2, 2018 by dgreca

Sot, unë baj thirrje të gjithëve: anëtarsohuni në Federatën VATRA; ndihmoni Kryesinë e Vatrës dhe editorin e dedikuem të gazetës Dielli; zhvilloni, bashkë me Vatrën, sentimentin tonë të atdhe-dashunisë tradicionale./

1 samiu fletFalemnderit Zonjusha Aida Gashi!

I nderuemi Z. Mishto, kryetar i Federatës VATRA,

Vëllazën e motra anëtarë dhe miq të Vatrës,

Mirëmbrama! Urime me rastin e 106 vjetorit të formimit të Federatës VATRA!

Falënderime për akordimin e certifikatës LifetimeAchievement.Jam mirënjohës, dhe si shqiptaro-amerikan jam krenar!

VATRA ka qenë, ashtë dhe do të mbetet për mue “Shqipëria e dytë në Amerikë”. Që nga ditët e para të emigrimit, unë e kam konceptue Vatrën në këte kuadër dhe e kam respektue, sidomos gjatë 45 viteve të regjimit komunist, kur Shqipëria ishte për ne tokë e ndalueme. Për këte fitore, na falënderojmë vatranët e vjetër që lanë Vatrën trashëgim në duert tona.

Që nga viti 1990, gjendja e re ka krijue kondita të reja. Ajo ma kryesore ashtë emigracioni i madh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Çamëria martire. U formue këtu në Amerikë nji komunitet i madh, aktiv dhe ekonomikisht i fortë. E ardhmja  e Vatrës u sigurue!

Sot, kemi nji Vatër të re, dhe detyra të reja. Sot kemi intelektualë dhe afaristë të suksesshëm. Sot kemi mundësi me ba ma shumë. 

E para: me njohë mirë dhe me dashtë Amerikën, për ne atdheu i jonë. Le të mësojmë historinë e këtij vendi të madh, të respektojmë Kushtetutën dhe ligjët e vendit, si dhe të përvetësojmë vlerat e nalta të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Le të forcojmë lidhjet shqiptaro-amerikane çdo ditë e ma shumë.

E dyta,me ruejtë gjuhën shqipe, traditat e besës, nderit, burrënisë, mikpritjes tradicionale e sidomos dashuninë tonë për trojet shqiptare në Ballkan. Le të hapim shkolla të reja shqipe, të festojmë ditët tona kombëtare, të përhapim librin shqip, të shkruejmë e të flasim për Shqipërinë, dhe të përfaqsojmë komunitetin tonë në organet qeveritare lokale, shtetnore dhe federale. Ka ardhë koha me pasë kongresmenin, senatorin, governatorin me origjinë shqiptare. Z. Mark Gjonaj ashtë nji shembull i mirë!

E treta, me ndihmue shqiptarët në trojet ballkanike ku jetojnë në kondita të vështira. Ata kanë nevojë të madhe për ndihmën tonë.

E katërta, me mbrojtë trojet shqiptare në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova janë vende të vogla dhe kanë shumë anmiq, mbrenda dhe jashtë vendit.

E pesta, me forcue lidhjet tona njeni me tjetrin. Jemi vëllazën, jemi motra, jemi bijtë e bijat e Nanës Shqipëri: nuk na ndajnë dot! Së bashku, na lëvizim malet!

Sot, unë baj thirrje të gjithëve: anëtarsohuni në Federatën VATRA; ndihmoni Kryesinë e Vatrës dhe editorin e dedikuem të gazetës Dielli; zhvilloni, bashkë me Vatrën, sentimentin tonë të atdhe-dashunisë tradicionale.

Falemnderit!

* (Sami Repishti-Pershendetja ne 106 vjetorin e krijimit te FEDERATES VATRA (1912-2018)

*Per me shume fotografi shihni ne facebook (dielli vatra)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 106 vjetori i themelimit, Sami repishti, Vatar na bashkon

NAUM PRIFTI: KJO VATER NUK KA PER TU SHUAR !*

June 2, 2018 by dgreca

Naumi1Të nderuar Vatranë dhe dashamirë të Vatrës,/*

1 Naum me pop

Përpara se të pranoj nderimin që më bëni dua t’ju rrëfej dy episode të jetës sime. E para, letërsinë nuk e zgjodha unë, letërsia më zgjodhi mua. Kur isha nxënës në klasën e pestë, vendosëm të vinim në skenë me rastin e fundit të vitit shkollor komedinë e Çajupit “14 Vjeç Dhëndër”. I bëmë përgatitjet e duhura, ndamë rolet, gjetëm kostumet, vendin e shfaqjes dhe filluam provat. Çdo gjë po shkonte për së mbari deri në momentin kur arritëm në faqet e fundit te librushkes dhe vumë re se aty mungonte akti i fundit. Kërkimet për gjetjen e faqeve nuk dolën me sukses. E gjithë puna do na shkonte dëm. Po shokët e mi nuk ishin nga ata që ngrinin duart lart nga pengesa të tilla. Ata ‘më dhanë urdhër’ të ulesha e të shkruaja fundin se unë isha më i miri në letërsi. Unë e pranova detyrën se e kuptoja fare mirë rëndësinë e këtij akti. Shfaqja doli me sukses e asnjë nga spektatoret nuk protestoi për mbylljen e shkrojtur jo nga Çajupi por nga një nxënës i shkollës shtatëvjeçare të Rehovës. Për fat, nuk i ruajta faqet e krijimit tim të parë e nuk munda ta krahasoja me origjinalin vite më vonë. Atëherë mendoja se vetëm kisha përmbushur një detyrë që u paraqit si domosdoshmëri. Fakti që spektatorët e kishin pëlqyer dhe nuk e kuptuan se fundi i komedisë nuk ‘stononte’ nga aktet paraardhëse, ishte disi inkurajues. Për mua, LETERSIA kishte mbetur e kënaqur dhe prej asaj dite nuk më lëshoi më.

Edhe kur emri im si shkrimtar u bë i njohur, disa gojë filluan të thoshin se Priftët e kanë mirë, Peter Prifti shkruan në Amerikë e Naumi në Shqipëri. Unë megjithatë vazhdova të shkruaj drama që nuk u vunë në skenë, tregime që nuk u botuan, librete që mbetën në sirtarë. Meqënëse nuk isha “i besuar” te lejohesha të vizitoja asnjë vend jashtë kufijve të Shqipërisë derisa u shemb sistemi i vjetër, unë shkela cdo pëllëmbë toke të hapërisës brenda vendit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe kudo mbajta shënime udhëtimi. Njoha fshatarin, punëtorin, policin, ushtarakun, bariun. Shkruajta për vuajtjet e mundimet, këngët e legjendat, humorin dhe tragjedinë shqiptare. Mbi të gjitha njoha shpirtin shqiptar Çka u bë dhe mbeti burimi i krijimtarisë sime.

Kur erdha në Amerikë të njëjtët zëra thanë se Naumi nuk mund të besohet se është komunist. Po LETËRSIA përsëri nuk më la. Unë edhe këtu punova si më parë. Mendimet dhe patosin tim i shpreha në krijimtarinë letrare dhe esete publicistike. Dhe sot pas më shumë se 70 vjetëve krijimtari nuk kam arsye t’i ndërroj veprës sime asnjë fjalë sepse kurdoherë kam qenë në harmoni me veten time.

I jam mirënjohës Vatrës që më jep nderim në këtë ditë të shënuar. Pas ardhjes në Amerikë, unë u shpërngula nga Filadelfia në Nju Jork. Nën drejtimin e Kryetarit të atëhershëm z. Agim Karagjozi pranova postin si Honoris Causa të Sekretarit të Vatrës.

Forca e Vatrës nuk qëndron tek fondet e saj monetare por tek shpirti i njerëzve të përkushtueshëm që udhëhiqen nga idealet e saj të larta atdhetare. Mendoj se në këtë përvjetor Vatra ka provuar se i ka kaluar sfidat dhe sprovat. DHE KJO VATER NUK KA PER TU SHUAR!

Falemnderit për nderimin dhe Gëzuar!  

  • Fjala e mbajtur ne Mbremjen Gala kushtuar 106 vjetorin e themelimit te Vatres.Per me skume fotografi shih ne facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: Naum Prifti, Vatra nuk do te shuhet

TË PREMTEN, MBRËMJA GALA E VATRËS, PJESMARRJE E GJËRË E KOMUNITETIT

May 31, 2018 by dgreca

-Gjatë mbrëmjes do të nderohen figura të njohura si dr. Elez Biberaj, Prof. Sami Repishti, Shkrimtari Naum Prifti, mjeshtri i fotografisë Fadil Berisha etj. Surprizat e tjera do të zbulohen në mbrëmjen Gala, ku performojnë artistë të shquar.-1 elez Biberaj1-Repishti-300x2121 Naum Prifti1 FadilTë premten 1 Qershor 2018, orgnaizohet Mbrëmja Gala e Vatrës kushtuar 106 vjetorit të Themelimit dhe njohjes nga shteti amerikan.

Komuniteti shqiptar i ka dhënë mbështetje të gjërë këtij eventi të Vatrës. Përjashtuar festimin madhështor të 100 vjetorit, kjo është hera e parë që Vatra vendos në kalendarin e përvitshëm festimin e Ditëlindjes së saj.

Përvec pjesmarrjes së degëve të saj, ku udhëheq dega e Vatrës në Queens, NY me kryetar dr. Skënder Murtezani, që ka rezervuar më shumë se 30 vende, si dhe degës së Michiganit, që vjen me një përfaqësim me 10 veta, kanë rezervuar tavolinat edhe dega e Vatrës Hudson Valey, NY, dega e Vtarës në Hartford, dega e Vatrës në Newbourgh , NY, dega e Vatrës në Fort Lauderdalenë Florida, etj. Po ashtu kanë bërë rezervime dhe kanë dhënë mbështetje nga komuniteti: Komunitetet fetare, Zyra e Këshilltarit Mark Gjonaj, Albanian American Community, Orginzata Shqiptaro-Amerikane e Grave “Motrat Qiriazi”, Shoqata Atlantiku, Këshilli Shqiptaro – Amerikan, Shoqata Rugova, Akademia Shqiptare e Shkencës dhe Arteve, Shoqata “Ana e Malit”, Shoqata “Malesia e Madhe”, Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe e Bronksit, Partia Lëvizja e Legalitetit, shkolla shqipe, “Children of the Eagle”,Shoqata Shpresa, Rrjetit i Biznesmenëve shqiptaro-amerikanë etj.

Gjatë mbrëmjes do të nderohen figura të njohura si dr. Elez Biberaj, Prof. Sami Repishti, Shkrimtari Naum Prifti, mjeshtri I fotografisë Fadil Berisha etj. Surprizat e tjera do të zbulohen në mbrëmjen Gala, ku performojnë artistë të shquar.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Gala, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 418
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT