• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hahn kërkon ta zgjidhë Çështjen Çame, Rama ta vrasë

February 23, 2018 by dgreca

…Çështja Çame dhe Çamëria nuk janë jetime apo në duart e vasalëve të Athinës, gjithnjë në momente të rëndësishme shqiptarët kanë ditur t’i dalin zot çështjeve kombëtare, prandaj sot duhet të përkrahim Çështjen Çame nga Kosova, Maqedonia e diaspora që historia mos të na gozhdojë në shtyllën e turpit si vasalë e tradhtarë./

2 rama Hahn

Nga Arben Llalla/

Në Samitin e KE dhe BE që u mbajt në Sofje të Bullgarisë nga 15-16 shkurti, ku qe i pranishëm komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn u shpreh shqetësimi që nazionalizmi i tepruar grek është duke u kthyer në një kërcënim për Europën. Këtë e bën me dije Princi i Litejshtejnit Mikael.

Qeveria greke ka nxitur gjithashtu mosmarrëveshje me Shqipërinë mbi depozitat e naftës e gazit në detin Jon, por edhe për kthimin e komunitetit çam, një minoritet etnik shqiptar, të cilin e detyruan me forcë të shpërngulej nga trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas këtij raportimi, stabiliteti i rajonit për vendet e Ballkanit Perëndimor është në rrezik, për shkak të veprimeve të fundit të Greqisë. Kjo është hera e dytë brenda pak kohëve që Çështja Çame rrëfehet si një problem që duhet zgjidhur në prani të komisionerit Johannes Hahn.

Por, në të njëjtën kohë qeveria e Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i jashtëm Ditmir Bushati janë të gatshëm ta varrosin Çështjen Çame duke pranuar urdhërat e Greqisë së Tsipras dhe Kotzias. Nikos Kotzias ka urdhëruar Bushatin që brenda qershorit fjala “Çamëri” dhe “çam” duhet të hiqet nga librat shkollorë të Republikës së Shqipërisë. Greqia ka propozuar se është e gatshme që tekset e mësimit të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë t’i përgatisë dhe t’i shtypë Athina.

Komisioneri Hahn nuk është zëri i vetëm në Bashkimin Europian që ngre problemin e Çështjes Çame, që kërkon një zgjidhje midis Greqisë dhe Shqipërisë. Një vit më parë ishte eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, i cili deklaroi se Çështjet historike duhet të diskutohen mes dy vendeve për të shkuar drejt zgjidhjes. Ai pati thënë: “Jam shumë dakord me atë çfarë tha komisioneri Johannes Hahn, që Çështja Çame i përket dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë si pjesë e bisedimeve mes dy qeverive të tyre.”

Pikërisht, tani që Çështja Çame është në majat e saj, qeveria e Edi Ramës bashkë me ministrat e tij Bushati, greken Drilos, kërkon ta zhdukë atë nga faqja e dheut, mundësisht ta kthejë në pikën e turpit. Të zhdukësh emrin “Çamëri” që të të njohë greku patentat, është të mbulosh diellin me shoshë.

Të njohësh minoritetin grek në Himarë, kur nuk ta lejoi kurrën e kurrës askush që nga Zogu e deri tek mësuesi i idealeve, Enver Hoxha, është të falësh tokë dhe të ushqesh idenë e Vorio Epirit. Heqja e emrit “Çamëri”, marrëveshja e detit, ndërtimi i mijëra varreve bosh dhe shpallja me status e minoritetit grek në Himarë, ku nuk ka këmbë greku askund, do të thotë të plotësosh aspiratën shoviniste greke të Epirit të Veriut dhe Magalo Idesë, gjë që mbetet veç formalitet të shpallet në tokën shqiptare. Madje, Edi Rama dhe Ditmir Bushati duhet të marrin pjesë në ceremoninë e shpalljes së Vorio Epirit, sepse atë që nuk e bënë nazistët e Agimit të Artë, po e bëjnë komunistët internacionalistë të Tiranës.

Por, Çështja Çame dhe Çamëria nuk janë jetime apo në duart e vasalëve të Athinës, gjithnjë në momente të rëndësishme shqiptarët kanë ditur t’i dalin zot çështjeve kombëtare, prandaj sot duhet të përkrahim Çështjen Çame nga Kosova, Maqedonia e diaspora që historia mos të na gozhdojë në shtyllën e turpit si vasalë e tradhtarë.

Filed Under: Featured Tagged With: ceshtja came, Edi Rama, Johannes Hahn

ZËRI I AMERIKËS DHE RRËZIMI I MONUMENTIT TË ENVER HOXHËS

February 21, 2018 by dgreca

1 elezNGA DR. ELEZ BIBERAJ/*
DREJTOR DIVIZIONI I EUROAZISË -ZËRI I AMERIKËS/1 elez Panel

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës paraqet një moment kyç në tranzicionin e vështirë të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një sitem shumë-partiak. 2 elez Berisha besnik

Kjo ngjarje gjithashtu paraqet një nga mbulimet më të rëndesishme të zhvillimeve në Shqipëri nga Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës.
Në shkurt te vitit 1991, Zëri i Amerikës ishte në një pozitë të veçantë për t’i mbuluar ngjarjet në Shqipëri. Me mbulimin e zhvillimeve kryesore gjatë vitit 1990, Zëri i Amerikës kishte nxitur elementët reformatorë dhe kishte arritur deri dikund t’i jepte formë debatit politik që po zhvillohej në vend. Si rrjedhim, Zëri i Amerikës kishte fituar popullaritet si një burim i besueshëm lajmesh.
Në Perëndim dominonte mendimi se për shkak të natyrës së ashpër të regjimit shqiptar, shanset e një tranzicioni paqësor në demokraci ishin, në rastin më të mirë, të vogla. Për ne ishte parësore që në emisionet tona të mos kishte nxitje dhune. Ne ishim të kujdesshëm dhe përmbajtja, gjuha dhe toni i transmetimeve tona ishte në përputhje të plotë me standartet më të larta të Zërit të Amerikës. Përmes raportimeve, intervistave, deklaratave zyrtare të qeverisë amerikane dhe analizave tona ne theksonim nevojën për ndryshime paqësore dhe bënim thirrje për qetësi. Besoj se Zëri i Amerikës ka luajtur një rol moderues gjatë atyre situatave jashtëzakonisht të tensionuara.
Ndërsa Zëri i Amerikës përpiqej të ishte një vëzhgues objektiv i zhvillimeve në Shqipëri, programet tona kishin synime të qarta: mbeshtetjen e kërkesave të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Ne ishim shumë të interesuar që lëvizja studentore të çonte në krijimin e një sistemi demokratik, që do të respektonte plotësisht të drejtat e njeriut, dhe që Shqipëria më në fund t’i bashkohej familjes së vendeve të lira.
Mënjëherë pas ngjarjeve të dhjetorit 1990, çështja se si duhej trajtuar figura e Enver Hoxhës dhe trashëgimia e tij u bënë çështje kontestuese në marrëdhëniet mes qeverisë, e cila ishte e vendosur të mbronte trashëgiminë e diktatorit, dhe opozitës, që kërkonte de-Hoxhaizimin e vendit.
Partia Demokratike, në Programin e saj Minimal, të botuar me 12 dhjetor dhe të transmetuar në tëresi nga Zëri i Amerikës me 19 dhjetor, ishte zotuar të realizonte programin e saj në rrugë parlamentare, paqësore, dhe demokratike. Me gjithë kërkesat për de-politizimin e forcave të armatosura, të organeve të sigurimit dhe të drejtësisë, fillimisht Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare mbanin një qëndrim të kujdesshëm. Të shqetësuar nga mundësia e përplasjës me forcat konservatore komuniste, që kontrollonin ushtrinë, policinë dhe Sigurimin, udhëheqësit e rinj opozitarë ishin të kujdesshëm, që të mos provokonin forcat e vjetra dhe kërkonin ndryshime graduale.
Ky qëndrim i opozitës pasqyrohej ne intervistat që Zëri i Amerikës zhvilloi – pas 12 dhjetorit e deri nga fundi i janarit – me udhëheqësit opozitarë, përfshirë Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Azem Hajdarin, Arben Imamin, Besnik Mustafajn, Sabri Godon si dhe me intelektualë te shqyar, përkrahes te ndryshimeve demokratike, si Ismail Kadare, Dritero Agolli, Neshat Tozaj, Arben Puto, etj.
Një muaj pas krijimit të Partisë Demokratike, ne zhvilluam intervistën e parë të plotë, për një gamë të gjerë çështjesh me Sali Berishën. Intervista u transmetua me dy pjesë, më 12 dhe 13 janar 1991. Kryetari i Partisë Demokratike dhe ndihmësit e tij kryesorë ende nuk e kishin kritikuar publikisht Enver Hoxhën.
I pyetur drejtpërdrejtë se si e vlerësonte figurën e Enver Hoxhës, Berisha dha një përgjigje të kujdesshme, siç duket me synim për të kënaqur si komunistët ashtu edhe anti-komunistët. Berisha e cilësoi Hoxhën si një figurë komplekse që kishte udhëhequr Luftën Nacional Çlirimtare, dhe se nën udhëheqjen e tij Shqipëria kishte shënuar “arritje të pamohueshme.” Njëkohësisht, ai e cilësoi Hoxha si një diktator, që me politikat e tij të luftës së klasave dhe të izolimit i kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha Shqipërisë.
Por ndërsa udhëheqësit e Partisë Demokratike mbanin një qëndrim të kujdësshëm ndaj figures së Enver Hoxhës, një grup aktivistësh dhe ish të burgosurish politikë, mbanin një qëndrim më të ashpër, duke kërkuar hedhjen poshtë menjëherë të Enver Hoxhës dhe kritikonin ashpër opozitën zyrtare pse nuk po tregonte angazhimin e duhur për de-Hoxhaizimin e Shqipërisë.
Më 11 janar, 1991, ne transmetuam një intervistë me Edi Rama, në atë kohë pedagog në Institutin e Arteve. Rama kishte organizuar një peticion, i cili u nënshkrua nga 480 vetë dhe iu dërgua Kuvendit Popullor, me anë të cilit kërkohej ndër të tjera rivlerësimi i Enver Hoxhës. Në intervistë për Zërin e Amerikës, Rama kritikoi ashpër Ramiz Alinë dhe Partinë e Punës dhe theksoi se, “Pa një rishikim të plotë e të saktë të së kaluarës nuk mund të bëhen hapa përpara.” Duke iu përgjigjur kritikëve, Rama tha:

“Ka shumë opinione këtu që thonë se janë disa njerez që duan të hedhin baltë mbi figurën e Enver Hoxhës. Unë desha vetëm të shtoj një frazë në atë që ne nuk duam të hedhim baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, por duam të heqim baltën që na ka hedhur Enver Hoxha neve.”

Më 20 Janar 1991, ne zhvilluam një intervistë me shkrimtarin disident Kasëm Trebeshina, i cili kishte kaluar 17 vjet në burg. Trebeshina theksoi se nuk kishte pranuar të merrte pjesë në aktivitetet e atëhershme politike pasi partitë e reja politike nuk kishin programe të qarta, strategjike dhe “nguronin të preknin kultin e Hoxhës.” Në intervistë Trebeshina tha:

“Këto parti nuk mund ta kuptojnë se duhet një program strategjik për ta çuar vendin përpara, por merren me particizma edhe ngurojnë qe të prekin direkt kultin e Enver Hoxhës, kufoma e tij që qëndron si një arkivol përpara në rrugën e popullit shqiptar edhe nuk e le të eci përpara drejt demokracisë. Po nuk u hoq ky arkivol nga rruga dhe të flaket, populli shqiptar nuk mund të eci përpara.”

Udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike, të cilët në atë kohë ishin përfshirë në një luftë të ashpër për kreun e partisë, u përballën me kritika të ashpra, që po tregoheshin shumë të butë lidhur me çështjen Hoxha.
Ne e trajtuam këtë çështje në një intervistë me Azem Hajdarin, të transmetuar më 8 shkurt 1991, pesë ditë para se Berisha të zgjidhej kryetar i partisë.
Qëndrimet e Hajdari ishin më të afërta me ndjenjat anti-kuministe të popullsisë dhe ai kishte prirjen të mbante qëndrime më ballafaquese se sa Berisha ose Pashko. Hajdari u pyet të përgjigjej për kritikat se Partia Demokratike nuk ishte një parti e vërtetë opozitare dhe se ishte krijuar me nismën ose propozimin e Ramiz Alisë. Ai bëri thirrje për dënimin e Enver Hoxhës, dhe shprehu mbështetje pa rezerva për Berishën dhe Pashkon. Ai e cilësoi Berishën si “flamurtari i pluralizmit politik,” dhe Pashkon si të parin që kishte bërë thirrje për ekonomi tregu dhe që kishte mbështetur Kadarenë kur shkrimtari kërkoi strehim politik në Francë.
Ndërsa gjendja e përgjithshme politike dhe ekonomike po përkeqësohej, Presidenti Alia vazhdonte t’u rezistonte thirrjeve për një ndarje të qartë me të kaluarën. Pas shtimit të sulmeve kundër simboleve të diktaturës, me 22 janar 1991, Alia miratoi një dekret për gjoja mbrojtjen e monumenteve të figurave kombëtare shqiptare, por që qartazi synonte t’u jepte fund sulmeve ndaj monumenteve të Hoxhës.
Berisha, Pashko dhe Hajdari menjëherë e dënuan dekretin e Alisë, por nuk kërkuan shkëputje të qartë nga e kaluara. Udhëheqja e Partisë Demokratike në atë kohë ballafaqohej me sfida më të ngutëshme e më të mprehta se ajo e Hoxhës: anti-mitingje të organizuara nga forcat komuniste no zona te ndryshme të vendit, frika e humbjes së kontrollit mbi lëvizjen e opozitës dhe shqetësimi që grupe dhe udhëheqës më radikalë mund të siguronin përkrahje popullore.
Pas shpalljës së dekretit të Presidentit Alia, gjendja politike dhe e sigurisë u përkeqësua me shpejtësi, u shtuan trazirat, grevat, sulmet ndaj zyrave të partisë komuniste, dhe në Durrës policia u përlesh me qytetarë të dëshpëruar që donin të shkonin në Itali. Studentët në Kamëz dhe në Tiranë u hodhën në grevë. Kërkesa kryesore e studentëve në Tiranë ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Pasi qeveria nuk i mori parasysh kërkesat e studentëve, më 18 shkurt 1991 mbi 700 studentë, përfshirë rreth 200 studente, si dhe pedagogë, filluan një grevë urije.
Ngjarjet që të çonin në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, i dhanë Zërit të Amerikës, një mundësi të jashtëzakonshme, që ne e përdorëm deri në maksimum, për t’i dhënë zë lëvizjes së studentëve dhe forcave demokratike dhe për të theksur se përpjekjet e Presidentit Alia për të mbrojtur trashëgiminë e Hoxhës dhe për të ngadalësuar proceset demokratike do të deshtonin.
Ne mobilizuam githë burimet tona, zgjeruam mbulimin e ngjarjeve në Tiranë dhe praktikisht thyem monopolin e regjimit mbi informacionin.
Mbulimi ynë u përqëndrua në tre aspektet kryesore:
• Ne arritëm të vendosnim një lidhje të drejtpërdrejtë komunikimi telefonik me studentët grevistë, ç’ka na krijoi mundësinë të kishim njoftimet më të fundit për situatën dhe për të shpjeguar natyrën e kërkesave të tyre.
• Ne transmtuam intervista ose përmbledhje intervistash me personalitete të njohura shqiptare, të cilët gëzonin autoritet moral, si dhe me udhëheqës opozitarë, që shprehënin mbështetje të plotë për studentët.
• Ky mbulim u plotësua më tej me komentet dhe analizat tona, me reagimet e zyrtarëve dhe ekspertëve të huaj si dhe me përmbledhjen e artikujve të shtypit amerikan dhe atij të Evropës Perëndimore.

Më 18 shkurt 1991, ditën e parë të grevës së urisë, në një analize, unë sugjeroja që Alia kishte vetëm një mundësi realiste: të pranonte kërkesat e studentëve.

“… Klima e re politike e bënë të lëhtë që Presidenti Alia t’i jap fund njëherë e përgjithmonë trashëgimisë së Enver Hoxhës për të mirën e Atdheut. Në kushtet e pluralizmit politik, i cili lindi si reagim i diktaturës së trashëguar nga Enver Hoxha, nuk mund të ketë vend për kultin enverist… Me Enver Hoxhën mund të mburret Partia e Punës, por jo populli shqiptar, i cili aktualisht po ballafaqohet me krizën më të thellë në këtë gjysëm shekulli, pikërisht si rrjedhim i politikës dritëshkurtër të diktatorit.”

Më 19 shkurt 1991, një ditë para rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, të dy emisionet tona, pas lajmeve ndërkombëtare, iu kushtuan tërësisht grevës së studentëve. Emisioni i orës 18, emisioni ynë kryesor, përmbante një raport të posaçëm dhe u hap me lajmin se pleniumi i Komitetit Qëndror, që ishte mbledhur atë ditë, kishte mbështetur vendimin e qeverisë për të hedhur poshtë kërkesat e studentëve. Lajmi u pasua nga intervistat me drejtuesit e studentëve Ridvan Peshkëpia dhe Arben Lika. Peshkëpia theksonte se studentët kërkonin dialog, por ishin të vendosur të vazhdonin grevën deri në plotësimin e kërkesave. Arben Lika shprehu të njejtat ide duke shtuar:

“Nuk jam mirë akoma. Do të jem mirë vetëm atëherë kur ta marrim vesh saktësisht që është hequr emri i Enver Hoxhës nga universiteti jonë, vetëm atëherë do të kem të drejtën morale që t’i them vetes të hyjë në dyert e këtij universiteti. Vetëm atëherë do të kem të drejtën morale që t’i kërkoj edhe kombit tim paksa qetësi, paksa admirim, paksa admirim për këtë rini kaq të mrekullueshme, për lirinë universitare, për shokët e mi që bënë një sakrificë kaq sublime.”

Ndërsa në fillim opozita dukej se nuk u kishte dhënë mbështejtje të fortë studentëve potestues, tani udhëheqësit e Partisë Demokratike, në intervista me Zërin e Amerikës, i mbështetën plotësisht kërkesat e studentëve. Gramoz Pashko, me një ndjenjë alarmi, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe të parandalojë një gjenocid të mundshëm. Ndërsa Berisha deklaroi se, “Do të ishte tragjike që kulti i individit të Enver Hoxhës të bëhej shkak për një dramë të madhe kombëtare.”
Napoleon Roshi, drejtor i Radios së Jashtme të Tiranës, në një intervistë të drejtpërdrejtë telefonike nga Qyteti Studenti kritikoi autoritetet për manipulimin që po i bënin opinionit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë atij në Kosovë, dhe bëri një thirrje emocionale për mbështetje ndërkombëtare për demokratizimin e Shqipërisë.

“Po të flas nga Qyteti Studenti, ku 720 bijë dhe bija nga më të mirët e Shqipërisë, ajka e rinisë shqiptare, janë në një grevë të drejtë urije. Kërkesa e studentëve është që t’i hiqet emri Enver Hoxha sepse nuk mund të ketë depolitizim të universitetit po që së nuk i hiqet emri që përfaqëson një parti. Më shqetëson një gjë. Më shqetëson manipulimi i opinionit ndërkombëtar, heshtja e opinionit ndërkombëtar në një kohë kur 700 bijë dhe bija të Shqipërisë bëjnë grevë urije për një kërkesë të drejtë… Nuk mund të ketë demokratizim të jetës pa u plotësuar kjo kërkesë elementare e studentëve.”

Në emisionin e orës 20:30 më 19 shkurt, ne transmetuam të rejat e fundit. Cituam burime nga Tirana që vinin në dukje se forcat policore dhe ushtarake kishin rethuar Qytetin e Studentit, studentët këmbëngulnin se nuk kishin ndërmend t’i jepnin fund grevës së urisë, dhe se ata gëzonin mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Por segmenti më i rëndësishëm i emisionit ishte një intervistë me Ismail Kadarenë, i cili shprehu mbështetje pa asnjë mëdyshje për studentët. Shkrimtari i shquar tha se studentët po luftonin për “dinjitetin e Shqipërisë” dhe shtoi se, “Asnjë shqiptar nuk duhet të vuajë, të dënohet këtej e tutje për shkak të emrit të Enver Hoxhës.” Kadare më pas i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të fuqishme Presidentit Alia:

“I bëj thirrje Presidentit Ramiz Alia që të mos dëgjojë këshilltarët e tij të keqij, por të dëgjojë zërin e studentëve shqiptarë. Ata e duan Shqipërinë më shumë se këshilltarët e keqij. Në qoftë se Presidenti Ramiz Alia dëshiron që bota përparimtare ta përkrahë aksionin e tij të pajtimit kombëtar e të demokracisë, në qoftë se ai e dëshiron më të vërtetë këtë pajtim, e unë shpresoj se është kështu, ai duhet të mbledhë mendjen njëherë e përgjithmonë se përpara interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve s’mund të qëndrojë asgjë dhe askush, asnjë doktrinë, asnjë emër, asnjë parti, e asnjë shef partie. Shpresoj shumë që zëri i arsyes të dëgjohet në Shqipëri.”

Menjëherë pas emisionit mora disa telefonata kërcënuese dhe tepër armiqësore, disa besoj nga Shqipëria dhe të tjera nga vende të Evropës Perëndimore, me akuza se transmetimet tona po e çonin Shqipërinë drejt një lufte civile.
E mërkura, 20 shkurt 1991, do të sillte zhvillime dramatike. Në mëngjes përmes telefonit kontaktova burimet tona të Tiranë. Njoftimet ishin alarmuese: mijëra njerëz ishin mbledhur në Sheshin Skëndërbej, tanket kishin dalë në qytet, dhe dukej se Shqipëria ishte në prag të një ballafaqimi të rrezikshëm.
Por pak para fillimit të emisionit, morrëm lajmin se mbi 100,000 njerëz, të mbledhur në sheshin qendror të Tiranës, kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës.
Zëri i Amerikës e filloi emisionin duke njoftuar se simboli më i rëndësishëm që kishte mbetur ende nga komunizmi në Shqipëri më në fund kishte rënë. Por kriza nuk kishte përfunduar: qeveria ende nuk i kishte pranuar kërkesat e studentëve.
I gjithë emisioni atë ditë iu kushtua zhvillimeve në Shqipëri dhe përmbante intervista me përfaqësues të studentëve dhe disa personalitete të shquara, mes tyre Profesor Rexhep Qosja, Sali Berisha, Ridvan Peshkëpia, Arben Demeti, dhe disa studentë grevistë.
Gjatë dy ditëve të fundit, nga Prishtina kishte sinjale të ndryshme. Ndërsa studentët atje, ishin në solidaritet me vëllezërit dhe motrat e tyre në Tiranë, disa figura të njohura në Kosovë u kishin bërë thirrje publike studentëve ta ndërprisnin grevën e urisë. Deklaratave kritike ndaj protestuesve të ish udhëdheqësit të partisë komuniste Mahmut Bakalli dhe të profesorit të njohur Mark Krasniqi, u ishte dhënë rëndësi e veçantë nga shtypi i kontrolluar nga qeveria në Tiranë.
Profesor Qosja gëzonte mbështetje nga të dyja palët në Shqipëri. Ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e qëndrimit të Kosovës ndaj Kadaresë, kur ai u largua nga vendi dhe gjatë demonstratave të dhjetorit të studentëve. Në të dyja rastet, ai e kishte bërë të ditur qëndrimin e tij në intervista me Zërin e Amerikës. Demokratët, nga ana tjetër, kishin marrë një shprehje të Qoses gjatë një intervistë me Zërin e Amerikës, më 13 dhjetor 1990, për t’i vënë titullin gazetës së tyre Rilindja Demokratike. Berisha, në intervistën e tij të parë me Zërin e Amerikës, më 12 dhjetor 1990, i pyetur për sfidat e pajtimit kombëtar, ishte përgjigjur duke cituar Qosen: “I përmbahemi asaj që thotë Rexhep Qosja: në luftë me vëllaun kërkush s’fiton”.
Qosja ishte një mbështetës i hapur i Presidentit Alia dhe unë nuk isha i sigurtë se çfarë qëndrimi do të mbante. Qosja i bëri thirrje Presidentit Alia të pranonte kërkesat e studentëve, duke shtuar se “e drejta është në anën e tyre” dhe se “është e palejueshme që për shkak të një emri të vdekur të bijë qoftë edhe një pikë gjaku në Sheshin e Skëndërbeut!” Qosja i bëri një thirrje emocionale Ramiz Alisë: “Studentët po kërkojnë t’i hiqet emri Enver Hoxha këtij universiteti. Le t’i hiqet! Universiteti është i popullit, i Shqipërisë, e jo i partive. Nuk jetohet prej namit të të vdekurve e sidomos nuk jetohet prej namit të atij që ka vdekur dyfish: edhe si njeri, edhe si simbol. E ka vdekur dyfish sepse ishte diktator.”
Në intervistën e tij, Sali Berishën bënte thirrje për qetësi dhe u kërkoi përkrahësve të mos binin pre e provokimeve të komunistëve: “Levizja studentore është një lëvizje demokratike ose më drejtë, pararoja e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Ajo nuk synon aspak në destabilizimin e gjëndjes, provokimin e akteve të dhunës, apo përleshjeve sociale. Përkundrazi, ajo ka si qëllim kryesor vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri… Vetëm një Shqipëri demokratike, me qytetarë të lirë, me qytetarë që gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e individit do mund t’u dalë zot dhe të mbrojë interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ata janë.”
Ridvan Peshkëpia and Arben Demeti përshëndetën rrëzimin e monumentit, por theksuan se greva e urisë do të vazhdonte deri në plotësimin e kërkesave të studentëve. Ne po ashtu transmetuam komente të shkurtëra nga një dëshmitare që kishte parë rrëzimin e monumentit dhe tre studente të reja që ishin në grevën e urisë.
Brenda dy orësh, kur i erdhi koha emisionit tonë të radhës, në orën 20:30, nga Tirana kishte lajme të mira: qeveria kishte ndryshuar qëndrim duke pranuar që emri i Enver Hoxhës t’i hiqej Universitetit të Tiranës, ndërsa studentët njoftuan se do t’i jepnin fund grevës së urisë. Ne transmetuam materiale që përshkruanin atmosferën festive në kryeqytet përmes intervistave me dëshmitarë.
Rrëzimi i monumentit të Hoxhës çoi në një acarim të rrezikshëm të gjendjes, Shqipëria dukej se ishte shumë pranë një lufte të gjithashme civile, dhe për disa ditë emisionet tona iu kushtuan pothuajse tërësisht mbulimit të trazirave.
Alia personalisht mori përsipër kontrollin e vendit, emëroi një këshill presidencial prej nëntë anëtarësh dhe zëvendësoi kryeministrin Adil Çarçani me Fatos Nanon. Po ashtu, ai arriti një marrëveshje me partitë e opozitës sipas së cilës ato ranë dakord të pezullonin gjithë veprmtaritë që lidheshin me emrin dhe monumentet e Hoxhës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 31 marsit 1991. Gjatë një fjalimi drejtuar vendit më 23 shkurt 1991, Alia u premtoi përkrahësve të vet se çështja e monumenteve të Hoxhës do të vendosej nga parlameti i ri, ose me referendum mbarëkombëtar pas zgjedhjeve.
Mirëpo, pas zgjedhjeve, vendi u përball me çështje më të mprehta dhe çështja Hoxha kurrë nuk u bë objekt i një diskutimi serioz nga elitat politike te vendit.
Njëzeteshtatë vjet pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës, shqiptarët ende nuk janë shkëputur nga e kaluara e tyre e errët komuniste dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të dyzuar rreth figures së Hoxhës. Mungesa e një konsensusi për figuren dhe trashëgiminë e Enver Hoxhës vazhdon të prodhojë polarizim dhe debate të pafundme.
Fryma dominuese e vitit 1991 – që dënonte krimet e së kaluarës komuniste – duket së është zëvendësuar nga një frymë alternative:
• që nxjerr në pah rolin e Enver Hoxhës gjatë luftës
• vlerëson arritjet gjatë sundimit të tij por pa dënuar me vendosmëri terrorin e ushtruar nga Hoxha
• dhe arrinë deri aty sa të vendosë, në mënyrë të pamoralshme, shenja të barazisë mes qëndrimeve komuniste dhe atyre anti-komuniste.
Kujtesa e krimeve të Enver Hoxhës nuk është më pjesë e rëndësishme e debatit publik. Ajo është lënë mënjanë dhe me ikjen e brezave të vjetër, kjo kujtesë gradualisht mund të fshihet.
Ndoshta kjo gjëndje është pasqyrë e përpjekjeve të vështira të Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë. Sidoqoftë, mendoj së shqiptarët dhe elitat e tyre kanë një përgjegjësi morale që të përballen publikisht, të dënojnë çmenduritë e së kaluarës komuniste, dhe të përpiqen të kapërcejnë traumat e trashëguara nga regjimi i Enver Hoxhës.
Është me rëndësi që kujtesa historike të mbijetojë, në mënyrë që aspekte të asaj periudhe të tmerrshme, të mos përsëriten kurrë më!

*Fjalim në Konferencën “Rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës në Pasqyrimin e Shtypit Ndërkombëtar”
Fondacioni Konrad Adenauer
Tiranë, 20 Shkurt, 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Elez Biberaj, rrezimi i monumentit, TË ENVER HOXHËS, zeri i amerikes

10 VJETORI I PAVARËSISË, ÇMIMI I LIRISË DHE SHQIPTARËT E NJU JORK-ut

February 20, 2018 by dgreca

1 Policet OK1 Mark

-MANIFESTIM MADHËSHTOR I ORGANIZATAVE TË BASHKUARA NË NJU JORK PËR 10 VJETORIN E PAVARËSISË/

IMG_0830

NGA DALIP GRECA/*

Përvjetori i 10-të i Pavarësisë së Kosovës i gjeti të bashkuara pjesën më të madhe të organizatave të komunitetit shqiptar. Këshilltari i Nju Jork-ut, bashkëkombasi ynë Mark Gjonaj, pas një takimi, darkë pune me Kryetarin e Vatrës me 19 dhjetor 2017, z. Dritan Mishto, u bëri thirrje organizatave të komunitetit që ta festonin së bashku Përvjetorin e 10 të Pavarësisë Kosovës. Vatra dhe 15 organizata u bënë bashkë, duke ia lënë nderin e përshëndetjes organizatës më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, Vatrës 105 vjeçare dhe kryetarit të saj aktual z. Dritan Mishto.
KRONIKA: Festimi i Pavrësisë së Kosovës u organizua në restorantin luksoz Marina del Ray nën shoqërimin e borës që binte prej orës 5 pm. Bora nuk i zmbrapsi bashkatdhetarët, edhe pse një pjesë prej të cilëve udhëtonte nga Nju Xhersi dhe Kënektikat. Në një mjedis festiv të dekoruar në rezonancë me ngjyrat e flamurit të shtetit më të ri në Botë, me një ndriçimin flourishent, më shumë se 700 bashkatdhetarë kanë festuar së bashku. Në moderimin elokuent të Drilona Bajramit dhe Dardan Gjonbalaj, dhe masave të shkëlqyera të vullnetarëve që kanë përgatitë manifestimin, festa ka ruajtë ritmin nën një organizim perfekt, ku mbizotëruan emocionet.
..Festohet, gëzohet, por edhe kujtohet. Çmimi i Lirisë erdhi nga mbështetja e fuqishme e Amerikës dhe aleatëve Europianë, por mbi të gjitha nga sakrificat sublime të qytetarëve të Kosvës dhe kontributi i pazëvendësueshëm i Diasporës. Është kjo arsyeja që në faqen e katërt të programit që ishte mbi tavolina shkruhej: Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës- Le të kujtojmë çmimin e Lirisë!
– Mbi 13,000 vetë u vranë.
– Mbi 1,400 fëmijë u vranë.
– Mbi 20,000 vajza dhe gra u përdhunuan.
– Mbi 700.000 njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
– Mbi 100.000 shtëpi janë shkatërruar dhe dëmtuar.
– Mbi 1.200 kosovarë janë ende të zhdukur…
A mund të harrojmë? Kurrësesi!
Ne kurrë nuk do të harrojmë…
Është kjo arsyeja që kjo festë ishte koncepruar ndryshe pasi nuk është si gjithë të tjerat; ka formatin njerëzor të sakrificave sublime, ka amanetin e të rënëve, ankthin e të humburve, psherëtimat e të përdhunuarave, ndaj duhet të jetë një Festë-Apel; një Kujtese në çdo përvjetor: Politikanët dhe shtetarët e Kosovës duhet që para se të nisin punët ditore, të sjellin ndërmend çmimin e Lirisë, të mendojnë se në karriget ku ulen dhe bëjnë karrierë, është një shpirt që dhemb; është një jetë e humbur, të mos vrapojnë pas pasurisë e privilegjeve, korrupsionit, amoralitetit, por të çojnë në vend amanetin e të rënëve dhe të humburëve të pakllur. Kujdes, mos e zhbëni shtetin, që nuk është merita juaj!
***
Le të kthehemi tek Festa e së shtunës, 17 Shkurt 2018, në Restorantin Marina Del Ray: Restoranti duket se hyri në rezonancë me hapat marshus të policëve shqiptaro-amerikanë,të grupuar në Shoqatën e tyre me emrin e lashtë arbëror”Illyria”. Të veshur me uniformën e policisë amerikane ata i dhanë solemnitet ceremonisë të ngritjes së Flamurit të Shtetit të Kosovës. Salla duket e mbërthyer nga emocionet në ato momente solemne. Të gjithë janë çuar në këmbë dhe kanë përcjellë ceremoninë, duket se për një çast janë ndalur frymëmarrjet…
Solemnitet dhe në përcjelljen e Hymneve Kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë nga Jesicca Raja, ndërkohë që kolona muzikore e Hymnit të Kosovës e përmbyll pjesën e ceremonisë solemne, për t’i lënë vend fjalimeve dhe kujtimeve.
I pari i festës, Këshilltari i Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, përmes fjalës përshëndetse, përcjell urimet për festën e Pvarësisë, mesazhet, jo vetëm për festën, por edhe edhe për programin e së nesërmes për komunitetin e bashkuar shqiptar për ruajtjen e identitetit Kombëtar dhe rritjen e krenarisë shqiptaro-amerikane.
Programi që ai synon të arrijë me bashkatdhetarët të mbush me shpresë se pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Shën Terezës, shqiptarët-Ilirë, do ta ruajnë identitetin e tyre Kombëtar, duke filluar nga fëmijët e vegjël e rritur në SHBA. Për këtë arsye ai synon futjen e mësimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në shkollat amerikane. Dhe ky nuk është projekt i largët, por program që nis prej shtatorit të 2018-ës, duke filluar me parashkollorët në Shkollën Publike 105 në Bronx.
Një investim tjetër do të jetë ai për figurat-simbol të Kombit, siç është Shenjtëresha me gjak shqiptar-Shën Tereza. Për një shesh me emrin e saj në Pelham Parkway, kryeqendrën shqiptare në Bronx, do të investohen 500 mijë dollar.Ka dhe më…
…Me shqiptarët duket se është familjarizuar edhe Presidenti i Bronksit z. Ruben Diaz Jr. i cili i ka uruar shqiptarët për celebrimin e 10 vjeorit të Pavarësisë së Kosovës dhe i ka dorëzuar Konsulles së Përgjithshme të Kosovës, kryediplomates kosovare në Nju Jork, zonjës Teuta Sahatçija, Proklamatën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Konsullja e Përgjithshme Sahatçija, ka mbajtur një fjalim emocionues, ku ka përshkruar rrugëtimin e Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë.
Z. Dritan Mishto, Kryetar i Vatrës, ka përcjellë një përshëndetje të ngrohtë e të duartrokitur, jo vetëm në emër të vatranëve, por në emër të gjithë organizatave pjesmarrëse.
Z. Mishto, tha se kjo është e vetmja diasporë në rruzullin tokësor, që fëmijët e saj u lindën dhe u rritën në Amerikë, por kur atdheu ishte në rrezik, ata morën armët në dorë dhe të rreshtuar në radhët e Batalionit”Atlantiku” marshuan drejt Kosovës, duke bërë sakrifica sublime.
…..A nuk ishin të lindur në SHBA tre vëllezërit Bytyçi, që lanë Amerikën, dhe u bënë dëshmorë të lirisë?
A nuk ishte i tillë kampioni i Europës, dëshmori i Kosovës, Vezir Ademaj, që la rehatinë e kampionit në Zvicër, dhe dha jetën për Kosovën e Lirë?
…Historia përsëritet; dikur, në fillimet e vitit të largët 1920(shkurt), bijtë e shqiptarëve të Amerikës, linin rehatinë personale dhe nën rreshtat e Trupave Vullnetare të Federatës “VATRA” dhe Bandës Muzikore”VATRA” shkonin t’i shërbenin Shqipërisë, që kërcënohej nga fqinji jugor, Greqia. Dhe në fund të shekullit, bijtë e shqiptaro-amerikanëve, linin familjet dhe shkonin t’i sillnin Lirinë Kosovës!
…..Më pas z. Mishto ka prezantuar folësen kryesore të mbrëmjes, ”Yllin e darkës” Kapitenen e Ushtrisë Amerikane, oficeren e lartë, të dekoruar me shumë medalje, madje edhe nga Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, oficeren e shtabit të Ushtrisë amerikane në Europë, Yllka Cana, që erdhi në SHBA në moshën 10 vjeçare. Vetë Kapitenia Cana, plot emocion, ka rrëfyer rrugën nëpër të cilën eci deri tek suksesi. Ajo ishte folësja kryesore e darkës.
Emocione u krijuan tek pjesmarrësit në momentet ku u kumtuan çmimet e nderimit pas vdekjes të tre prej më të shquarve: Tahir Kërnaja, Ali Lajqi dhe Ibadete Thaqi.
Organizatorët sollën përmes ekraneve përshëndetjet e amerikanëve të shquar, miq të Kosovës dhe Kombit Shqiptar: Presidenti Bill Clinton, Gjenerali Wesley Clark dhe ambasadorja në Kombet e Bashkuara Nick Haley. Bashkatdhetarët të ngritur në këmbë i përcollën me duartrokitje këto përshëndetje me mesazhe shprese.
Një atmosferë të veçantë festive sollën artistët amatorë të Ansamblit Rugova, të cilët nën ritmet e Tupanit, kërcyen e hodhën valle karakteristike rugovase. Vajzat dhe djemtë, artistë, ruajnë traditat e shquara të Rugovës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Grupi muzikor” 4 Yjet” me Shqipe Kastratin, Nadin si dhe Ludmilla Baballëku, i argëtuan pjesmarrësit, të cilët nuk e lanë bosh pistën e vallëzimit. Një festë për t’u mbajtur mend.Edhe shumë përvjetorë të tjerë festofshim së bashku!

  • Për më shumë fotografi shihni në facebook

Filed Under: Featured Tagged With: 10 Vjetori i Pavaresise, cmimi i Lirise, dalip greca, kosova

VATRANËT NË DARKËN E 10 VJETORIT

February 19, 2018 by dgreca

2 Yllka drit

VATRANËT NË DARKËN E 10 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NJU JORK-ME PJESMARRJEN E KOMUNITETIT SHQIPTAR NEN DREJTIMIN E KESHILLTARIT MARK GJONAJ/*

Në darkën solemne me më shumë se 700 pjesmarrës, që u organizua nga Komuniteti shqiptar i Nju Jork-ut i bashkuar rreth Këshilltarit të Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, morën pjesë rreth 150 vatranë nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Kënektikat.
Sic e kanë zakon vatranët përgjatë të gjithë historisë 105 vjecare së bashku me familjet e tyre u bënë pjesë e kësaj feste. Falenderime te vecante për të gjithë ata vatranë që u bashkuan në këtë darkë festive që i kushtohej përvjetorit të 10-të pavarësisë së Kosovës. Një falenderim të veçantë Familjes Mrnaçaj, së cilës i printe Marash Mrnacaj, që në simbolikë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kishte vënë një kapele me stemën e UÇK-së,… tre breza të kësaj familjeje ishin të pranishëm në këtë festë. Me vatranët ishin bashkuar edhe familja Çabej, studiuesi i pasionuar Nelson R Çabej me zonjën Nikoleta, me Familjen Aliko, Familja Brogi e Lleshi me miqtë e tyre nga Nju Xhersi.
Falenderime për të gjithë vatranët që iu bashkuan kësaj ngjarje, ndërkohë që u kujtojmë të zgjedhurëve në strukturat e vatrës, si dhe anëtarësisë së Vatrës, se në veprimtari të organizuara nga federata VATRA duhet të kontribuojnë të gjithë, së bashku me pjesmarrje të tyre dhe familjeve.
***
Me duartrokitje u prit përshëndetja në emër të vatranëve dhe të gjithë organizatave të komunitetit, e kryetarit të Vatrës z. Dritan Mishto. Është nder, tha z. Mishto, që në emër të komunitetit shqiptar, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës, organizimit më të hershëm të shqiptarëve të Amerikës, që prej105 vitesh, t’ju uroj për festën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është rrugë e gjatë e shqiptarëve të Kosovës deri në pavarësi; është derdhur shumë gjak, janë bërë shumë sakrifica, për të ardhur deri tek dita e Pavarësisë, tha Mishto..
Ta gëzojmë festën e Pavarësisë, ka uruar Kryetari i Vatrës.
Më pas z. Mishto ka paraqitur para publikut kapitenen Yllka Cana, e cila u prit me duartrokitje. Tek e prezantoi ushtaraken që ka arritë suksese në ushtrinë amerikane, z. Mishto tha se kapitenia ka arritur të shënojë një rrugë të shkëlqyer suksesi në radhët e ushtrisë amerikane.Ajo u lind dhe e kaloi fëmijërinë në Kosovë. U largua nga vendlindja kur ishte vetëm 10 vjeçe. Deri në moshën 15 vjeçe u rrit dhe u edukua në Pensilvani. Pikërisht në këtë moshë ajo iu bashkua Programit të Trajnimit të Ushtrisë. Yllka u diplomua në Shkencat Politike dhe Sigurinë Kombëtare në Universitetin DeSales dhe Sigurinë Kombëtare, si dhe në Universitetin Lehigh, u diplomua në Shkencat Ushtarake.
Pas Diplomimit në vitin 2011, ajo kishte fituar graden Toger i Dytë, ndërkohë që u promovua Togere e Parë në vitin 2013 gjatë vendosjes së saj në Operacionet Paqeruajtëse në Ballkan.
Yllka Cana ka shërbyer në Kore dhe është përzgjedhur për të udhëhequr operacionet gjatë misionit të KFOR-it në Kosovë, vendin që e pat lënë kur ishte 10 vjecare.
Kapitenia Yllka Cana aktualisht është e vendosur në Shtabin e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Ajo u gradua Kapitene pas vitit të saj të parë dhe tani është zyrtare në ngarkim të Operacioneve Strategjike në të gjithë Evropën.
Kapitenes Yllka Cana është dekoruar me medaljen e NATO-s nga Sekretari i Përgjithshëm, me Medaljen e Lavdërimit të Ushtrisë, Medaljen e Arritjes së Ushtrisë, Medaljen e Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes dhe shumë medalje të tjera.
Z. Mishto në fund të prezantimit tha se duke ju prezantuar Kapitenen Shqiptare Yllka Cana, shpresoj se ajo do të jetë e para Gjenerale në ushtrinë amerikane.
Vetë oficeria shqiptare ka bërë një përshkrim emocionues rrugëtimit të suksesshëm të jetës dhe karrierës së saj.(dg-Fotografite i gjueni ne Facebook)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 10 Vjetori i Pavaresise, dalip greca, Kosove, Mark Gjonaj, Vatra

Ngjyrat e Festes, Kosova festoi, 10 Vjet shtet

February 18, 2018 by dgreca

1 Rita Ora-Në festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi në seancë solemne, parakalim i Forcës së Sigurisë e Policisë, koncert i Rita Orës, e cila  është dekoruar nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi…/1 Parakalimi
1 Engel 1Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/1 Tribuna

   PRISHTINË, 18 Shkurt 2018/ Shënimi i 10 vjetorit të  shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ishte pika e vetme e axhendës së seancës solemne të Kuvendit të Republikës, në të cilën merrnin pjesë  edhe personalitete të shumëta ndërkombëtare dhe kombëtare, nga Shqipëria presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, i cili edhe ka mbajtur një fjalim, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ish-presidenti e ish-kryeministri Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e të tjerë, të cilët në hapje të seancës u përshëndetën nga kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli.

1 flet Thaci rama ne krah Në seancën e hapur me Himnin Shtetëror të Kosovës merrnin pjesë edhe drejtuesit më të lartë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë dhe kori  diplomatik.

1 Kuvendi Kos

    “Orientimi politik i shtetit tonë është autokton, perëndimor: Integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Raporte të ngushta e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aleanca me shtetet e botës së lirë – është qenësore për ne.Ne duam dhe jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësinë që na takon në sfidat globale: në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe rreziqeve tjera kundër paqes e sigurisë në botë”, tha në fjalën e hapjes kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.1 engel 3

     Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Rama, me fjalën e të clit është përmbyllur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës në 10 vjetorin e pavarësisë, theksoi: “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada me përfaqësi diplomatike të njëjta. Pse jo një President, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”.  Mes pjesëmarrësve ishte edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, i cili sot ka ditëlindjen, në ditën kur para 10 viteve SHBA-të e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në orët e para pas shpalljes. Kongresistit Engel iu dha fjala në seancën solemne të Kuvendit, pas fjalës hyrëse të kryeparlamentarit kosovar Veseli. “Kongresisti  Engel e ka sot ditëlindjen”, tha kryeparlamentari i Kosovës dhe të gjithë e uruan edhe me duartrokitje.

    “Dëshiroj Kosovën ta shoh në Bashkimin Evropian, dëshiroj Kosovën ta shoh në NATO, dëshiroj ta shoh Kosovën duke përparuar…”, tha kongresisti nga SHBA, i cili është shprehur se e don popullin e Kosovës dhe e uron edhe në këtë 10 vjetor të pavarësisë.Kongresisti Engel, ka qenë në Kosovë shumë herë, dhe një nga vizitat ishte në qershorin e vitit historik 2008, kur në 16 1 kuvendi 1qershor duke folur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, i duartrokitur shumë here, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-të në ditën e ditëlindjes së tij ishte dhurata më e mirë që e kishte fituar ndonjëherë.

     “Kur u deklarua pavarësia me 17 Shkurt, unë u preka aq shumë duke shikuar në televizion festimet në Prishtinë dhe Kosovë.  Isha posaçërisht i prekur nga fakti që me mijëra shtetas tuaj e valëvitnin flamurin Amerikan në rrugët e Kosovës.  Ditën tjetër kur ishte edhe ditëlindja ime, Shtetet e Bashkuara e pranuan Kosovën. Kjo ishte dhurata më e mirë që e kam fituar ndonjëherë për ditëlindje”, është shprehur Engel në seancën solemne të Kuvendit kosovar të mbajtur për nder të tij.

    Në ditën e parë pas shpalljes në 17 Shkurtin historik 2008 pavarësinë e Kosovës e ka njohur edhe Shqipëria, si dhe Mbretëria e Bashkuar, Franca, Turqia, Afganistani dhe Kostarika.

    Kosova në prag të ditës së 10 vjetorit të pavarësisë mori edhe njohjen e 116-të nga shtetet anëtare të OKB-së, nga Barbadosi.

    Kosova përmbyllë sot festimet 10 ditëshe në 10 vjetorin e pavarësisë, në një ditë që, sipas axhendës zyrtare,  ka nisur me mbjelljen e 115 pemëve në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, për të vijuar me Konferencën ndërkombëtare “Një dekadë pavarësi-Rruga evropiane e Kosovës”, me Seancën Solemne të Kuvendit, parakalimin e Forcës së Sigurisë dhe Policisë në sheshet “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”, me  “Libri i Pavarësisë” për deputetët që e kanë shpallur pavarësinë  dhe me pritjen shtetërore të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

    “Si presidenti i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij dhe atë sa më shpejtë që është e mundur”, tha ai duke folur për FSK-në në parakalim.

    Shumë njerëz në Prishtinës kanë festuar edhe gjatë natës së kaluar në sheshe, ku ka kënduar shqiptarja e famshme në gjithë botën Rita Ora në koncertin që është pasuar me shumë fishekzjarre që kanë shëndritur kryeqytetin e Kosovës.

    Rita Ora është dekoruar nga presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, me Medaljen Presidenciale Jubilare të 10 vjetorit të pavarësisë për kontributin në promovimin e Kosovës në botë.

    “Në këto dhjetë vjet pavarësi, Rita Ora ka qenë imazh i Kosovës kudo në botë. Ajo karrierën e zhvilloi bashkë me emrin dhe flamurin e Kosovës. Performimi i saj para mbi 300 mijë qytetarëve mbrëmë ishte një rikthim i gëzimit dhe emocioneve të 17 shkurtit 2008.

    Për kontributin e saj të pazëvendësueshëm në promovimin e Kosovës nëpër botë, unë mbrëmë e kam dekoruar Rita Orën me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë. Faleminderit Ritë. Jemi krenarë me ty”, ka shkruar presidenti Thaçi.

   ***

FSK-ja parakalon në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës3 FSK-Në tribunë ishte edhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Timothy Orr/2 FSK 1PRISHTINË, 18 Shkurt 2018- Gazeta DIELLI/ Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:

Në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot, (18.02.2018) në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, u mbajt manifestimi qendror, ku parakaluan edhe kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

1 FSK 1

Në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në tribunë ishin prezentë edhe ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjenerali Timothy Orr dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë dhe oficerë madhor të FSK-së.

Manifestimi filloi me intonimin e Himnit shtetëror të Kosovës nga Orkestra frymore e FSK-së.

Më pas, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrrahman Rama, raportoi para presidentit Thaçi, për gatishmërinë e Forcave të Sigurisë së Kosovës për parakalim.

Në fjalën e tij, presidenti i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe komandant suprem i FSK-së, Hashim Thaçi tha se, “bërja e këtij shteti dhe çlirimi i Kosovës i ka bashkuar breza të tërë të cilët flijuan gjithçka për të bërë realitet shtetin sovran dhe demokratik, e cila para 10 viteve pikërisht, më 17 shkurt, që ishte  dhe do të mbetet ngjarja më e rëndësishme e popullit tonë. Herën e fundit kur kishim një parakalim të FSK-së, ishte para katër viteve. FSK-ja i kishte kryer të gjitha përgatitjet për t’u transformuar në Forcë të Armatosur të Kosovës, fatkeqësisht ne si politikë e Kosovës, nuk ishim në gjendje që t’i përcjellim si duhet në hapa Forcat e Armatosura të Kosovës, por tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë.

Si president i Kosovës jam i vendosur që shtetin e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e tij, dhe atë sa më shpejt që është e mundur”.“FSK dhe Policia e Kosovës të cilat janë më të mirat në rajon, janë edhe fuqia e shtetit dhe garancia më e mirë e sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë, prandaj momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur.Partnerët tanë strategjitë dhe NATO janë duke e përkrahur plotësisht këtë proces të ushtrisë së Kosovës, sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, tha më tej presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.Pas fjalës së presidentit Hashim Thaçit, parakaluan kuadratet e FSK-së: Trupa Frymore, Njësia Ceremoniale dhe shtatë kuadratet e FSK-së, si dhe pesë kuadrate të Policisë së Kosovës.

Në manifestim ishin të pranishëm udhëheqësit shtetëror të Kosovës, si dhe dhjetëra delegacione shtetërore, burrështetas, presidentë, kryeministra, ministra, mysafirë të shumtë nga trupa-diplomatike, KFOR-it, si dhe mijëra qytetarë të Kosovës dhe trojeve etnike./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosova feston, shtet 10 vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT