Me rastin e 93 vjetorit të vrasjes/



Nga Fotaq Andrea/
Me shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit të ri shqiptar, Shqipërisë nuk do t’i mungonin njerëzit e mëdhenj, ata që do përkushtoheshin në veprën e shenjtë kombëtare dhe që e meritojnë katërçipërisht epitetin e lartë “burrë-shteti”. Sipas studiuesit Jean Serisé, “burrë-shteti” i vërtetë është ai që “nuk pasurohet falë pozitës së tij, përthith me shpejtësi realitetin e gjërave dhe i përshtatet rrethanave për t’u ngritur përtej ngjarjeve, në kërkim të përhershëm të së mirës së përbashkët”. Në këtë kuptim, një burrë shteti ka një të shkuar të pasur me veprimtari atdhetare, vepron aktivisht për të realizuar detyrën e lartë shtetërore të ngarkuar dhe përgatit të ardhmen e vendit, qoftë edhe duke “gërmuar varrin e vet”, sipas shprehjes së Serisé-së. Mes burrave të hershëm të shtetit shqiptar që nuk i kanë shpëtuar këtij fati tragjik dhe krimit të egër politik renditet edhe Luigj Gurakuqi, të cilit i njihen me të drejtë aftësi e cilësi të rralla: njeri i kulturës e i shkencës, politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, patriot i madh, bashkëthemelues i shtetit, liberator atdhetar, liberal-demokrat, e më në fund sipas shprehjes së Nolit “pionier i qytetërimit perëndimor në Shqipëri, shqiptar i flaktë që thithi me themele kulturën e Perëndimit, njeri që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri”. Dhe jo vetëm kaq, por edhe më.
Në dhjetor 1921, Elise Aubry, gazetare, publiciste, veprimtare franceze mjaft aktive për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, që mbante lidhje të ngushta miqësore dhe bashkëpunimi me figura të shquara patriotike të vendit, si Noli, Fishta, P. Evangjeli e Luigj Gurakuqi, i shkruante këtij të fundit pas pranimit të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve: “Shqipëria u bë! Ja kryesorja pas tërë atyre luftërave dhe sprovave… Do të ndjeja kënaqësi të madhe personale t’ju shihja Ministër. Sepse askush më mirë nga ju nuk është aq i kualifikuar për të drejtuar vendin tuaj në hapat e tij të parë… Natyra juaj aq e përzemërt dhe e buzëqeshur do t’i sillte menjëherë shumë miq vendit tuaj të dashur… Shqipëria u njoh. Por tani duhet mbështetur prestigji i saj europian, – duhet zhvilluar [nënvizuar nga autorja], duhet që ajo të zërë vendin e saj të vërtetë midis shteteve të tjera ballkanike”.
Dy tipare të veçanta këtu që dallon Elise Aubry te personaliteti i fuqishëm i Luigj Gurakuqit: i kualifikuar për të drejtuar vendin dhe natyra e përzemërt dhe e buzëqeshur. O Zot sa shumë nevojë kemi sot për një çikëz ngrohje zemre, kur politikarucë e palo shtetarë aktualë japin shembullin e egërsisë e të dhunës verbale e gjestikulare, shembullin e mashtrimit dhe korrupsionit, tek janë bërë ndotje vizive, mediatike e morale dhe shkelin me këmbë çdo normë, parim, ligj, tek vrasin natën dhe qajnë ditën.
Dihet që vrasja, në çdo kohë e kudo, e çdo ngjyre dhe natyre qoftë, ideologjike, politike, shoqërore, ekonomike, fetare, zakonore, etj., është thjesht krim, që asgjëson në thelb, njëherë e përgjithmonë Njeriun-Shenjt, është akt i parikthyeshëm që meriton veç ndëshkim maksimal, pa kurrfarë përligjjeje. Dhe pikërisht, vrasja në Bari të Italisë, më 2 mars 1925, e Heroit të popullit Luigj Gurakuqi, disa herë ministër në kabinetet qeveritare shqiptare të viteve 20, do të ishte në qendër të vëmendjes edhe të shtypit perëndimor të kohës, duke e dhënë në formë lajmi e duke bërë publike emrin e vrasësit me pagesë, Baltion Stambolla. Madje, duke shkuar edhe më tej, kur shtypi italian e francez jepte që në titull edhe akuzën për pjesëmarrje në vrasje ndaj ish konsullit shqiptar në Bari Çatin Saraçit: “Vrasja e Z. Gurakuki. A është konsulli që e ka vrarë?” (Gazeta “Le Rappel”, 11 mars 1925). Por një gazetë italiane do bënte shumë më shumë se kaq: është fjala për organin “Illustrazione del popolo” të 15 marsit 1925 që do të ilustronte me ngjyra dhe në formatin e plotë të gazetës, që në faqen e parë, vetë skenën makabre të vrasjes së Luigj Gurakuqit.
Po botojmë në shtypin shqiptar për herë të parë këtë ilustrim që na ra në dorë kohët e fundit, dhe që e shfaq açik krejt skenën tronditëse, prekëse, emocionuese në shumë drejtime, që ngjall mbi të gjitha revoltë, përbuzje dhe urrejtje për vetë aktin e shëmtuar të vrasjes. Por edhe me një mësim të vyer: vrasja për motive politike ka gjithnjë haraçin e madh që jo vetëm të vë damkën e turpit të Historisë, për të përfunduar në kosh të saj, por sot, në shtetin ligjor, për të përfunduar përjetësisht prapa shtatë penxhereve gjirokastrite apo hekurave.
Ilustrimi ka për autor Alfredo Ortelli-n, piktor dhe ilustrator i shquar, nxënës i Akademisë së Arteve të Bukura të Venecies. Skena përmban tetë personazhe në mjedis urban, përpara hotel “Cavour” – Bari, në një atmosferë të zymtë e të trishtë, ku sundon habia më e madhe e vrasjes me dorë të shpenguar, nga afër, “mu para hundës” apo “a bruciapelo” siç thuhet në diçiturën e ilustrimit dhe konkretisht: “Në Bari, ish ministrit të financave të Shqipërisë, Gurakukit, iu afrua, teksa po dilte nga një restorant ku kish drekuar në shoqëri me disa bashkëpatriotë, një tregtar shqiptar Pietro Stamola, që e qëlloi nga afër me tre goditje revolveri, duke i shkaktuar vdekjen pothuaj të menjëhershme. Vrasësi u arrestua menjëherë”.
Me sa duket nga ilustrimi, vrasësi është duke dhënë goditjen e tretë fatale në gjoks, apo zemër, tek vërehet heroi Gurakuqi me një gjest të fundit që shpreh sa habi dhe dëshpërim (kur për më tepër vrasësi me pagesë Stambolla është djali i tezes së tij!) Heroi është në rënie e sipër në trotuar, me cilindriken që i është shkëputur nga koka dhe i mbajtur me vështirësi nga krahët e trupi nga dy vetë që të mos shembet në tokë. Krejt skena dhe personazhet plot psikologji shfaqin dëshpërimin dhe revoltën e fundit njerëzore në thirrjen: “Hej ti, kriminel, je në vete, çfarë po bën, po merr jetë Njeriu!” Dhe kjo thirrje dëshpërimi edhe sot e kësaj dite nuk po shqitet nga gjokset shqiptare të shamizezave dhe lotët përvëlues, si kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare.
Në faqet e brendshme të gazetës, një ilustrim i dytë jep një foto të Luigj Gurakuqit, fotografuar nga Studio Ficarelli. Po botojmë po ashtu edhe foton e njohur të Nolit me Gurakuqin dy muaj para vrasjes së këtij të fundit, por duke dhënë këtë radhë edhe autorin e fotografisë A. Bruni.
Më në fund, po japim për herë të parë të përkthyer nga frëngjishtja Fjalën e Luigj Gurakuqit në Seancën e pestë plenare të Shoqërisë së Kombeve, më 3 shtator 1924, ora 16 (sipas botimit “Société des Nations – Journal officiel, Akte të Seancës së pestë plenare, 1924). Sikurse vihet re në fjalë e shkurtër të ish ministrit të Financave në qeverinë e Nolit, theksi vihet në varfërinë, mjerimin, urinë dhe fatkeqësitë natyrore që kishin pllakosur në atë kohë të vështirë në Shqipëri, ku megjithatë autori shpreh besimin se populli shqiptar aspiron dhe vepron për të qenë faktor i rëndësishëm rendi dhe progresi në Ballkan.
Fjala e Luigj Gurakuqit në Seancën V plenare
të Shoqërisë së Kombeve
Z.Kryetar M. Motta: – Fjala i jepet Z. Gurakuqi, delegat i Shqipërisë.
- Gurakuqi (Shqipëri). – Zoti Kryetar, Zonja, Zotërinj,
Nuk kam aspak ndër mend të rishqyrtoj pikat e ndryshme të raportit mbi punën e kryer nga Këshilli i Shoqërisë së Kombeve gjatë periudhës së shkuar. Do ndalesha vetëm – dhe për një çast të shkurtër – në një prej pikave që kanë të bëjnë me ndihmat e dhëna për popullatat shqiptare të përvuajtura nga uria dhe sëmundjet.
Shqipëria, e shpallur e pavarur pas katër shekuj e gjysmë sundimi të huaj, që e kishte lënë vendin në gjendje të mëshirshme, u ndodh e braktisur në fatin e saj dhe duhej të luftonte krejt e vetme me vështirësitë e panumërta, sidomos të natyrës ekonomike e financiare.
Disa muaj pas çlirimit të saj, Lufta e Madhe i shtoi edhe më shumë tërë këto vështirësi dhe kur ajo mendonte se po ngrihej dhe po e merrte veten, ndodhën të tjera fatkeqësi që e penguan së tepërmi ecjen e saj drejt përparimit dhe qytetërimit.
Gjatë viteve të fundit, Shqipërisë iu desh të vuajë shumë nga uria që shkaktoi thatësira dhe përmbytjet, të cilat shkatërruan pjesën më të madhe të të lashtave. Sidomos popullatat e malit, të varfra e pa strehë, jetojnë sot në pasigurinë më të madhe.
Qeveria shqiptare ka bërë tërë përpjekjet e mundshme për t’u shkuar në ndihmë, por burimet e saj janë mjaft të kufizuara. Pa ndihmën bujare të Shoqërisë së Kombeve, fati i popullatave tona të mjera të malësive do të ishte nga më të llahtarshmit.
Përfitoj nga rasti që më jepet këtu për t’i paraqitur, në emër të Qeverisë shqiptare, Shoqërisë së Kombeve dhe shteteve të ndryshme që morën pjesë në veprën kontribuese për të ndihmuar Shqipërinë, falënderimet tona më të përzemërt dhe shprehjen e mirënjohjes sonë më të devotshme. Populli shqiptar është shumë i prekur nga kjo veprimtari humanitare dhe ndihmë vëllazërore pa interes në drejtim të tij. Ai do të bëjë dhe do të vazhdojë të bëjë gjithë përpjekjet e mundshme për të merituar edhe në të ardhmen dashamirësinë e lartë të Shoqërisë së Kombeve duke vepruar si faktor rendi dhe përparimi në Ballkan. (Duartrokitje.)
Përktheu Fotaq Andrea.




















Nga taraca e madhe, ku na kanë ftuar të pimë kafenë e mëngjesit, vështroj ambientin e bukur përreth shtëpisë. Një pyll i bukur dhe i dendur, ku që në mëngjes herët dëgjohet kënga e zogjve. Herë-herë prej aty dalin ketra që ulen deri në barin e gjelbër, lëvizin me shkathtësinë e tyre të paparashikueshme dhe shqetësojne me praninë e tyre maçokun me emrin Zikzak, i cili ndihet zot i parkut, dhe një gjeldeti i egër me zogjtë e tij që lëvizin pa frikë nëpër ambientin rreth shtëpisë. Më tej syri të zë pishinat dhe një fushë të madhe e të bukur golfi. E më tej Oqeani Atlantik. Shtëpia mbyll një rrugë të qetë e të bukur të qytetit Milton në periferi të Bostonit në shtetin Massachusetts. Arkitekti Klarens Karanxha, që është edhe pronar i shtëpisë bashkë me bashëshorten Nensi, më afrohet dhe nis të më spiegojë: – Më parë ky terren ku është ngritur shtëpia, ka qenë pyll, si ai që shikon tani. Terren mjaft i thyer e ku duheshin bërë shumë punime për të ngritur një shtëpi si kjo ku banojmë tani. Ka qenë një sfidë e vërtetë përpjekja për të ndërtuar një shtëpi këtu, por ne e deshëm pikërisht në këtë vend dhe, pas dy vjet praktikash zyrtare, na u aprovua kërkesa për ta ndërtuar këtu shtëpinë tonë. Terreni, që është pronë e jona, është një hektar, bashkë me pyllin përballë. Ne e kemi projektuar vetë shtëpinë, duke e menduar në çdo detaj. Deshëm një projekt disi ndryshe nga ai i shtëpive tipike amerikane, diçka më moderne, që u përgjigjej më mirë kërkesave tona artistike, estetike e profesionale. Dhe në pjesën më të madhe kemi bërë po vetë edhe punën e ndërtuesit. Kemi shpyllëzuar me leje shumë pemë, kemi sistemuar terrenin e kemi hedhur themelet. Tani shtëpia ka katër kate me një sipërfaqe 420 metra katrore, pa përfshirë taracat e mëdha që janë në secilin kat. Pllakat metalike, që e veshin nga jashtë shtëpinë, janë reflektive dhe e bëjnë shtëpinë të shkrihet me qiellin. Ato japin idenë e një xhakete të ftohtë në pjesen e jashtme, (kurse druri i kuq që sundon në gjithë punimet e brendshme, i jep asaj ngrohtësinë e ambientit, komfortin dhe sensin e mikpritjes për këdo që hyn brenda). Sa për shpyllëzimin, këtu sundon rregulli që për çdo pemë të prerë, duhet të mbjellësh një tjetër. E ne kemi akoma edhe 52 pemë për të mbjellë që të arrijmë në atë nivel të mbrojtjes së ambientit që kërkohet nga ligji,-thotë Klarensi, duke na treguar pemët që ka mbjellë kohët e fundit. Tek e vështrojmë shtëpinë jashtë dhe brenda, konstatojmë punën e përbashkët të dy arkitektëve që dinë të harmonizojnë e shkrijnë në një të vetme aftësitë e tyre profesionale me shijet artistike. Ndërsa nga jashtë gjejnë zbatim kryesisht idetë e Klarensit, si arkitekt i formuar në projekte banesash e institucionesh, në punimet e brendshme është më shumë dora dhe talenti i Nensit, e specializuar si arkitekte e ambienteve të brendshme, por edhe mendimi fin si zonjë shtëpie dhe si piktore me shije të holla e moderne. Duke biseduar ata më ftojnë të zbresim në katin e parë, aty ku është “KNK-studios”. Në emrin e saj janë inicialet e dy arkitektëve bashkëshortë, Klarens e Nensi Karanxha. Është një studio e bukur e moderne, ku secili ka qoshen e vet të punës. Sëbashku këtu punojnë 2-3 ditë në javë, sepse ditët e tjera Nensi punon për një firmë mjaft të njohur në Boston, Elkus Manfredi Architects. Ndërsa ditët e tjera këtu punon vetë Klarensi, i cili është tashmë profesionist i lirë dhe ka klientët e tij që kërkojnë projekte jo vetëm në Boston, por edhe më larg. Në studio për momentin janë punësuar edhe 3 ndihmës arkitektë, sëbashku me kontributin e disa të tjerëve të punësuar si konsulentë jashtë Bostonit, bile edhe jashtë Amerikës. Për të krijuar një ide mbi volumin e punës së karrierës së këtyre dy arkitektëve ne mund të përmendim projekte dhe designe për mbi 2500 apartamente, kopshte, shkolla, restorante, konvikte të universitetit e deri tek ndërtesa e ambasadës braziliane në Boston, projekte multifunksionale, studime urbane etj. Ata kanë projektuar shtëpi e vila njëfamiljare të nivelit të lartë që nga New York, New Hampshire, Rhode Island, Connecticut, Massachusetts etj. Përveç projekteve ata merren edhe me manaxhim ndërtimi si supervizorë mbi objektet e ndërtimit e shpesh herë edhe me zbatimin e projekteve që ata kanë bërë. Kjo e ka rritur emrin e studios KNK dhe të dy arkitektëve të saj, përherë ekzigjentë në aspektin etik dhe profesional, e ka shtuar numurin e klientëve. -Ne nuk i imponohemi asnjëherë klientit, por e dëgjojmë atë dhe arrijmë të kuptojmë ekzigjencat e shijet e tij. Pastaj e “presim kostumin” sipas klientit,-thonë ata Më shumë shijeve të tyre moderne u afrohen klientët europianë e aziatikë, të cilët banojnë e punojnë në Amerikë. Por kanë projektuar edhe plot shtëpi për klientë amerikanë. Një kënaqësi të veçantë ndjejnë ata kur projektojnë shtëpi për klientë shqiptarë, për emigrantë që kanë arritur të realizohen profesionalisht e ekonomikisht në Amerikë dhe që kanë kërkesat e tyre edhe në këtë fushë. Më tregojnë projektin e fundit që kanë bërë për mikun e tyre të afërt këtu në Milton, të cilën pata rastin të shikoja nga afër. Një vilë e stilit bashkëkohor dhe e veçantë me një sipërfaqe 600 m2. Klarensi e Nensi ndihmojnë edhe profesionalisht arkitektët e rinj. Ata kanë ndihmuar të sistemohen në profesionin e tyre 5 arkitektë të rinj që kanë mbaruar studimet në Tiranë dhe që kanë shkuar të punojnë e jetojnë në Amerikë. Duke vizituar ambientet e ndryshme të shtëpisë bien në sy ngado nëpër mure piktura të ndryshme. Edhe ato janë vepra të Nensit e Klarensit. Duke i shikuar firmat e tyre në fund të pikturave, edhe këtu dallon njëfarë ndryshimi në shijet e tyre. Klarensi priret më shumë drejt realizmit spontan, duke kapur momentin dhe duke e interpretuar në mënyrën e tij. Kurse Nensi është një ndërthurje midis modernizmit e abstraksionizmit. Ajo e nis pikturën duke bërë më përpara sfondin e pastaj planin e parë. Mbi kavalet është një pikturë ende e papërfunduar, portreti i një vajze. Nensi thotë që nuk gjen kohë të lirë për ta përfunduar e piktura pret aty në një cep të sallonit të tyre të pritjes. -Pikërisht koha është ajo që na mungon më shumë, -shton ajo. Në vitin 2004 emri i Nensit është publikuar në librin Expose-4, dhe Elemental 3, që botohet nga Ballistic Publishing në Adelaide të Australisë e në Florida dhe ku përmblidhen emrat e artistëve më të mirë të universit në 3D në arkitekturë të vitit. Me artin e tyre ata hapën edhe një biznes të vogël, “Boston-Artwork”, në qendrën Prudential, në grataçielën më të lartë në qendër të Bostonit, ku janë mbi 75 dyqanet dhe restorantet më të njohura të këtij qyteti. Aty kishin punësuar tre vetë që u shisnin turistëve të shumtë pikturat dhe suveniret me pamje nga Bostoni. Nje biznes, i cilili tashmë vazhdon online. Shikoj realizimin profesional e qytetar të këtyre dy arkitektëve dhe mendoj rrugën e tyre plot sakrifica e mundime për të arritur deri këtu. Ata erdhën në Boston kur sapo kishin përfunduar dy vite studimi për arkitekturë në Universitetin e Tiranës. Pasioni dhe ëndrra për t’u bërë profesionistë të realizuar, ishte e vetmja pasuri që sollën me vete nga Shqipëria. Praktikisht për të filluar nga e para. Dhe u futën në Boston Arkitektural College, nga universitetet më prestigjioze në Amerikë në fushën e arkitekturës. E vetmja shkollë ku mund të studiohet edhe të punohet njëkohësisht. E ata studionin e punonin për të jetuar në Boston. Shpesh herë 24 orët e ditës ishin të pamjaftueshme. I gjente mëngjesi i ditës së ardhshme pa bërë asnjë minutë gjumë, u hidhnin një grusht ujë të ftohtë syve për të trembur gjumin e rendnin në leksion, për të shkuar pas tij në punë e natën të vazhdonin të studionin. Kështu për 7 vjet me radhë. Dhe rezultati: Gjatë viteve studenteske në kursin e tyre emrat e Klarensit e Nensit alternoheshin herë njëri, herë tjetri gjithnjë në dy vendet e para. Pastaj nisja e punës si arkitektë, aktiviteti privat, studioja “KNK-Studios” dhe volumi i punës që ajo përballon. Natyrisht, nuk mund të lë mënjanë djalin e tyre, Darion 9-vjeçar. Nuk do të flasim për të siç është bërë e modës nganjëherë të flitet për gjeni të vegjël. Ai është një fëmijë i zakonshën, që rritet në një familje e ambient profesionistësh. Ku fillimisht vizatimet dhe projektet e prindërve i shikonte gati si lodra e kërkonte të gjente në to anën zbavitëse. Por që sot ai arrin të lexojë planimetrinë e objekteve të projektuara, apo të japë edhe mendime për ngjyrat në ndonjë vizatim a pikturë. Prindërit nuk e mbingarkojnë e as i bëjnë sforcime për ta lidhur me profesionin e tyre, duke ia lënë atij zgjedhjet për të ardhmen. Por njëfarë orientimi i natyrshëm edhe bëhet. Gjatë ditëve të qëndrimit në Boston ne patëm rastin të asistonim edhe në mbylljen e një kampi – kurs veror për fëmijët e moshës së tij në ambientet e Universitetin MIT (ndër institutet më të mirë në botë për teknologjinë). Në fund të këtij kursi veror fëmijët pjesëmarrës demonstronin në kompiuter një ide të tyre. E Dario kishte projektuar një lojë, e cila u vlerësua si mjaft interesante nga specialistët që i kishin ndjekur fëmijët gjatë këtij kursi. Në mbrëmje ulemi e bisedojmë me dy arkitektët në shtëpinë e tyre mikpritëse, duke shijuar një verë të mirë kaliforniane me specialitetet e gatuara me art e shije nga Nensi. E aty bisedohet për ëndrrat e tyre të ardhshme. Neve na duket si çudi që edhe këtë shtëpi e shikojnë vetëm si një stacion të jetës së tyre profesionale. Sepse, siç shprehen ata, veten si profesionistë e gjejnë më shumë në Amerikën perëndimore, në bregun e oqeanit tjetër, atij Paqësor. E ne urojmë që të mund të shkojmë t’i vizitojmë një ditë edhe në ëndrrën e tyre kaliforniane.





